Normal view

Received — 3 May 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Berisha: Sigurime shoqërore të paguara kujt punëson të rinjtë

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha u shpreh sot nga Kurbini ku zhvilloi takimin e fushatës së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit se qëllimi më madhor i programit të “PD-Shqipëria Madhështore” është që të rinjtë ëndrrën e tyre të bukur shqiptare ta ndërtojnë në Shqipëri.

Ndaj, tha ai, “do dyfishojmë investimet në arsim”.

“Do modernizojmë shkollat. Garantoj mësuesit se do paguhen me rrogë minimale 1500 euro. Se nuk do ketë asnjë mesatare apo pengesë. Dyert e universiteteve do jenë të hapura për ju. Pas përfundimit të studimeve, qeveria do paguajë sigurimet shoqërore çdo punëdhënësi që punëson të rinj’, tha Berisha.

“Një çati për çdo çift të ri, 30 mijë euro grant për të përballuar kredinë e butë për strehim për ju. Bonus për fëmijën e parë 70 euro. Bonus për fëmijën e dytë 60 euro. Pagesë e plotë nga lindja gjer 23 vjeç për fëmijën e tretë”, premtoi ai.

‘Përpjekjet më të mëdha për të kthyer në Shqipëri çdo shqiptar që u largua këto vite. 5 vite pa taksa, kredi të buta për strehim, hiqet çdo taksë mbi pronat e emigrantëve”, vijoi Berisha.

Kreu i PD-së u tha të pranishmëve në takim se ka një vërshim të emigrantëve nga të gjithë vendet. Sipas tij, përveçse janë regjistruar çerek milion prej tyre, tani edhe 300-400 mijë të tjerë që po vijnë të votojnë.

The post Berisha: Sigurime shoqërore të paguara kujt punëson të rinjtë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

PEKIN – Kina: Pretendimet e Trump për progresin e bisedimeve të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, të rreme

24 April 2025 at 13:31

PEKIN, 24 prill /ATSH-DPA/- Kina ka hedhur poshtë pretendimin e presidentit amerikan Donald Trump se të dyja palët janë në kontakt të drejtpërdrejtë mes mosmarrëveshjes tregtare në vazhdim.

“Me sa di unë, nuk ka pasur konsultime apo negociata midis Kinës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për çështjen e tarifave – e lëre më një marrëveshje”, tha sot një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme kineze në përgjigje të pyetjes së një gazetari.

“Lufta tarifore u iniciua nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pozicioni i Kinës është i qartë: do të luftojë deri në fund”, tha zëdhënësi.

“Dera e negociatave mbetet e hapur, por bisedimet duhet të zhvillohen në baza të barabarta, me respekt dhe në një mënyrë që të përfitojnë të dyja palët”, tha ai.

Në përgjigje të një gazetari që pyeti nëse SHBA-ja dhe Kina po zhvillonin bisedime të drejtpërdrejta, Trump tha “po, sigurisht, çdo ditë”.

I pyetur se sa shpejt synonte të ulte tarifat për importet kineze në SHBA, Trump tha se kjo varej nga Pekini.

Konflikti tregtar u përshkallëzua në fillim të prillit kur Trump vendosi tarifa speciale për shumë vende. Më vonë ai urdhëroi një pauzë 90-ditore të rritjes.

Megjithatë, tarifat speciale deri në 145% mbeten në fuqi për produktet nga Kina. Si përgjigje, Pekini vendosi tarifa prej 125% për mallrat nga SHBA-ja. //a.i/

The post PEKIN – Kina: Pretendimet e Trump për progresin e bisedimeve të marrëveshjes tregtare me SHBA-në, të rreme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës: Trefishim i fondeve për kërkimin shkencor

TIRANË, 24 prill/ATSH/ Për të promovuar aktivitetin e Fakultetit të Shkencave të Natyrës dhe për të ndërtuar ura të qëndrueshme bashkëpunimi mes studentëve dhe sektorit privat, Universiteti i Tiranës organizoi “Ditën e Hapur” dhe Panairin e Punës në ambientet e këtij fakulteti, ku mori pjesë edhe Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu.

Në këtë aktivitet, 41 kompani biznesi prezantuan mundësitë e tyre për punësimin e të rinjve, bashkëpunimin në projekte shkencore dhe mbështetjen përmes bursave për studentët.

Studentët patën mundësinë të krijonin kontakte të drejtpërdrejta me përfaqësuesit e bizneseve, duke hedhur hapat e parë drejt tregut të punës. Ndërkohë, vëmendja u përqendrua dhe te gjimnazistët maturantë, të cilët u njohën nga afër me programet akademike të ofruara nga Fakulteti i Shkencave të Natyrës.

Gjatë fjalës së saj, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, theksoi rëndësinë strategjike të përditësimit të ofertës akademike, forcimit të kërkimit shkencor dhe lidhjes më të ngushtë të universiteteve me tregun e punës:

“Sot në këtë panair të punës por edhe të nxitjes për aplikimet në Fakultetin e Shkencave të Natyrës marrin pjesë përveç maturantëve të shkollave të ndryshme edhe biznesi. Tashmë është bërë traditë e bukur për nxitjen e këtyre instrumenteve kaq të rëndësishme ku jo vetëm shkëmbehet informacion por edhe ndërtohen ura të rëndësishme të bashkëpunimit të institucioneve të arsimit të lartë dhe të biznesit, si dhe me sistemin parauniversitar”, u shpreh Manastirliu.

Duke vënë theksin te përshtatja e universiteteve me zhvillimet moderne dhe nevojat e tregut të punës, Manastirliu u shpreh se “për ne si Ministri e Arsimit dhe Sportit është një prioritet strategjik riorganizimi i programeve të studimit me qëllim përshtatjen me modelet e reja dhe mbi të gjitha me adaptimin me tregun e punës i cili evolon, zhvillohet dhe ka nevojë të furnizohet me burimet njerëzore të përshtatshme që i përgjigjen pikërisht sfidave të kohës”.

Ministrja nënvizoi gjithashtu investimet e vazhdueshme në kërkimin shkencor dhe në infrastrukturën laboratorike të fakultetit.

“Me hapjen e programeve të reja sikurse është kimia farmaceutike apo fizika dhe shkencat kompjuterike kemi pasur menjëherë kërkesa të rritura nga maturantët për t’u atashuar në këto degë, ndërkohë që ne vijojmë investimet për bazën laboratorike për t’i dhënë edhe më shumë mbështetje kërkimit shkencor”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal dhe te hapat konkretë për forcimin e kapaciteteve kërkimore të universiteteve dhe lidhjen e tyre të drejtpërdrejtë me tregun dhe sektorin privat.

“Kemi trefishuar fondet e kërkimit shkencor. Për vitin 2025 përgatitemi që të lançojmë projektet e reja që tashmë kanë kaluar në fazën e vlerësimit nga të gjitha universitetet në bashkëpunim me biznesin. Janë mbi 20 projekte në bashkëpunim me biznesin dhe institucionet e arsimit të lartë të cilat janë gati për t’u miratuar. Në total janë 130 projekte të infrastrukturës së kërkimit shkencor, projekte të studimeve për kërkimin shkencor dhe të bashkëpunimit me biznesin”, theksoi Manastirliu.

Ministrja Manastirliu u ndal dhe te politikat e qëndrueshme për mbështetjen e studentëve, ku më shumë se 350 studentë përfitojnë aktualisht bursa në vlerën e pagës minimale, të financuara nga qeveria shqiptare, për të ndjekur programet prioritare si dhe studentët ekselentë.

Në total, shtoi Ministrja janë rreth 50 mijë studentë të mbështetur nga qeveria përmes bursave për arritjet akademike, reduktime të tarifave ose tarifa zero për ndjekjen e studimeve.

/k.s/j.p/

The post Manastirliu në Fakultetin e Shkencave të Natyrës: Trefishim i fondeve për kërkimin shkencor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

VATIKAN – JD Vance takohet me kardinalin Pietro Parolin, tensionet politike dhe emigrantët në fokus të diskutimeve

19 April 2025 at 15:12

ROMË, 19 prill /ATSH/- Zëvendëspresidenti i SHBA-së JD Vance u takua sot me zyrtarin nr. 2 të Vatikanit – mes tensioneve për politiken e SHBA-së ndaj emigrantëve, sipas AP.

Selia e Shenjtë rikonfirmoi marrëdhëniet e mira, duke theksuar se palët kishin shkëmbyer mendime rreth konflikteve aktuale ndërkombëtare, migrantëve dhe të burgosurve.

Vatikani lëshoi ​​një deklaratë pasi JD Vance, një i konvertuar katolik, u takua me sekretarin e shtetit, kardinalin Pietro Parolin dhe ministrin e Jashtëm, kryepeshkopin Paul Gallagher.

Nuk u bë e ditur nëse Vance do të ndalonte për të përshëndetur Papa Françeskun, i cili ka rifilluar disa detyra zyrtare pas shërimit të tij nga pneumonia.

Selia e Shenjtë i është përgjigjur me kujdes administratës Trump, në përputhje me traditën e saj të neutralitetit diplomatik.

Ajo ka shprehur alarmin për politikën e ashpër të SHBA-së lidhur me deportimin e emigrantëve dhe shkurtimin e ndihmës ndërkombëtare – ndërsa ka këmbëngulur  për zgjidhje paqësore për luftërat në Ukrainë dhe Gazë.

Këto shqetësime u pasqyruan në deklaratën e Vatikanit, ku thuhej se bisedimet ishin të përzemërta dhe se Vatikani kishte shprehur kënaqësinë për angazhimin e administratës në mbrojtjen e lirisë së fesë dhe ndërgjegjes.

“Ka pasur një shkëmbim mendimesh për situatën ndërkombëtare, veçanërisht për vendet e prekura nga lufta, tensionet politike dhe situatat e vështira humanitare, me vëmendje të veçantë ndaj emigrantëve, refugjatëve dhe të burgosurve”, thuhet në deklaratë.

Gjithashtu, palët shprehën shpresen për një bashkëpunim të qetë midis Shtetit dhe Kishës Katolike në SHBA.

Referenca për “bashkëpunim të qetë” dukej se i referohej akuzës së JD Vance se Konferenca e Peshkopëve Katolikë të SHBA-së po zhvendoste “emigrantët e paligjshëm” me qëllim që të merrte fonde federale.

Kardinalët e lartë amerikanë kanë refuzuar fuqishëm pretendimin.

“Është e qartë se qasja e administratës aktuale të SHBA-së është shumë e ndryshme nga ajo me të cilën jemi mësuar dhe, veçanërisht në Perëndim – nga ajo në të cilën jemi mbështetur për shumë vite”, tha Parolin për “La Repubblica” në prag të vizitës së JD Vance.

Ndërsa SHBA-ja ka rritur përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë, Parolin ripohoi të drejtën e Kievit për integritetin e tij territorial dhe këmbënguli se çdo marrëveshje paqeje nuk duhet të imponohej në Ukrainë – por të ndërtohej me durim, ditë pas dite, me dialog dhe respekt të ndërsjellë.

JD Vance do të kalojë fundjavën e Pashkëve, në Romë me familjen e tij dhe mori pjesë në shërbimet e së Premtes së Mirë në Bazilikën e Shën Pjetrit – pas takimit me kryeministren italiane, Giorgia Meloni. //a.i/

 

The post VATIKAN – JD Vance takohet me kardinalin Pietro Parolin, tensionet politike dhe emigrantët në fokus të diskutimeve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

AMAN dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare bashkojnë forcat për promovimin e “Taranto 2026”

17 April 2025 at 16:35

TARANTO, 17 prill /ATSH-Gjergji Mima/ AMAN dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare bashkuan forcat për të promovuar një prej aktiviteteve kryesore ndërkombëtare në Mesdhe, Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”

Në bashkëpunim me Komitetin Organizativ të Lojërave të 20-ta Mesdhetare “Taranto 2026”, AMAN (Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve) ka organizuar një seminar kushtuar ngjarjes sportive shumëdisiplinore të shumëpritur që do e bëjnë qytetin jugor italian protagonist në vitin 2026.

Seminari me titull “Lojërat e 20-ta Mesdhetare Taranto 2026: Një trashëgimi e sportit, Qëndrueshmëria dhe Dialogu Multikulturor”, u mbajt në mjedisin piktoresk të Kalasë Aragonese brenda sallës së konferencave të ngritur në fshatin “IN Italia” në bordin e anijës “Amerigo Vespucci”.

Anija historike me vela e marinës italiane do të jetë e ankoruar në kalatën e kështjellës nga 16 deri më 22 prill, duke ofruar një përvojë unike për autoritetet dhe pjesëmarrësit e pranishëm.

“Përmes këtij bashkëpunimi me AMAN-in, ne synojmë të prezantojmë qytetin e Taranto-s si qendra e Lojërave Mesdhetare 2026 në vendet e ‘Mare Nostrum’ dhe të shfaqim punën intensive që po bëjmë për të siguruar mikpritjen e nivelit të lartë për të gjithë pjesëmarrësit: atletët, delegacionet, mediat, entuziastët e sportit dhe dashamirësit tanë”, shpjegoi Massimo Ferrarese, Komisioner Qeveritar dhe President i Komitetit Organizativ i Lojërave XX Mesdhetare Taranto 2026.

“Për këtë event me AMAN-in, ne donim shumë që “Amerigo Vespucci” të ishte i pranishëm. Taranto është një simbol i përsosmërisë, sportit dhe pasionit që ne ndajmë me ‘Mbretëreshën e Deteve”, shtoi ai.

Ferrarese u shpreh se, “Lojërat Mesdhetare përfaqësojnë më shumë sesa sportin, por duhet të përbëjnë një urë që bashkon 26 shtete në 3 kontinente”.

“Taranto nuk është vetëm zemra organizative, por është edhe një qytet me histori mijëvjeçare dhe ne po ndërtojmë strukturat për të pritur këto Lojera Mesdhetare”, tha ai.

Ai tha se në këto Lojëra mesdhetare do të marrin pjesë 26 shtete, 5 mijë atletë, 28 federata.

“Do të përfshihen 4 provinca, 21 komuna, 41 impiante lojërash. Kanë nisur kantieret kryesore të këtyre lojërave”, tha ai.

“275 milionë euro janë vënë në dispozicion nga qeveria për impiantet dhe 50 milionë euro për organizimin e lojërave”, shtoi ai.

Ndërsa Stefano De Alessandri, CEO i ANSA dhe President i AMAN, u shpreh se Aleanca e Agjencive Mesdhetare të Lajmeve, aktualisht kryesuar nga ANSA, synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet agjencive të lajmeve të rajonit dhe ndan vlerat thelbësore të Lojërave Mesdhetare: miqësi, paqe dhe respekt. Bashkimi i më shumë se 20 agjencive të lajmeve në Taranto në pritje të Lojërave të 20-ta Mesdhetare, krahas pranisë së anijes  “Amerigo Vespucci” dhe “IN Italia Village”, është një mundësi për të promovuar vlerat e përbashkëta dhe thellimin e rrjetit të shkëmbimit të informacionit në të gjithë pellgun e Mesdheut.

Duke nënvizuar rëndësinë e ngjarjes si për qytetin ashtu edhe për Lojërat Mesdhetare, ministri italian për Sportin dhe Rininë, Andrea Abodi theksoi në fjalën e tij të mbylljes së aktivitetit mbështetjen institucionale për nismën dhe rëndësinë e saj për rajonin dhe dialogun mesdhetar.

“Anija “Amerigo Vespucci” është më e bukura në botë dhe ky udhëtim rreth botës i ka dhënë dhe më shumë vlerë. Falënderoj ANSA-n që ka sjellë këtu gazetarë nga vendet të cilat marrin pjesë në këto Lojëra Mesdhetare. Më pëlqen termi Aleancë sepse tregon bashkëpunim. Në duam t’i japim Tarantos mundësi të reja”, tha ai.

Seminari përfaqësoi një kontribut të rëndësishëm për dialogun dhe ndarjen e njohurive dhe përgatitjen për “Taranto 2026”, me synim forcimin e lidhjes mes sportit, kulturës, qëndrueshmërisë dhe dialogut ndërkombëtar brenda rajonit të Mesdheut. /j.p/

Seminar mbi Lojërat Mesdhetare “Taranto 2026”, foto: Gjergji Mima
1 nga 4

The post AMAN dhe Komiteti i Lojërave Mesdhetare bashkojnë forcat për promovimin e “Taranto 2026” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

UASHINGTON – Vance: Absurde që Zelensky mendon se SHBA-ja është në anën e Rusisë

15 April 2025 at 20:54

UASHINGTON, 15 prill /ATSH/- JD Vance iu kundërpërgjigj deklaratës së presidentit ukrainas, Volodymyr Zelensky se zëvendëspresidenti, JD Vance po “i justifikonte disi” veprimet e presidentit rus Vladimir Putin në Ukrainë, duke i quajtur komentet e tij “absurde”, sipas “Huffpost”.

“Për t’i dhënë fund luftës, duhet të kuptohen objektivat strategjikë të Rusisë dhe Ukrainës”, tha Vance në një intervistë për britaniken “UnHerd”.

“Kjo nuk do të thotë që po mbështesim moralisht kauzën ruse, ose mbështesim pushtimin në shkallë të plotë – por duhet të përpiqemi të kuptojmë se cilat janë linjat e tyre të kuqe strategjike – në të njëjtën mënyrë duhet të përpiqemi të kuptojmë se çfarë përpjekjesh po bëjnë ukrainasit për të dalë nga konflikti”, tha Vance.

Në një intervistë për “60 Minutes” të CBS të transmetuar të dielën, Zelensky kritikoi qasjen e Vance ndaj Rusisë.

“Më duket se zëvendëspresidenti Vance po justifikon disi veprimet e Putinit. Nuk mund të kërkosh diçka në mes. Ka një agresor dhe ka një viktimë. Rusët janë agresori dhe ne jemi viktima”, tha Zelensky, sipas CBS.

Vance i përshkroi deklaratat e fundit të Zelensky si “jo produktive”.

“Është disi absurde që Zelensky mendon se qeveria amerikane – e cila aktualisht po mban të gjithë qeverinë e tij dhe përpjekjet e luftës së bashku, është në anën e rusëve”, tha Vance.

Administrata Trump, megjithatë, shpesh herë i ka bërë jehonë pikave të bisedimeve ruse.

Presidenti Donald Trump fajësoi Zelensky dhe ish-presidentin Joe Biden për luftën në Ukrainë.

“Kjo është një luftë që nuk duhej lejuar kurrë të niste, dhe Biden mund ta ndalonte atë, dhe Zelensky mund ta ndalonte atë dhe Putini nuk duhet ta kishte filluar kurrë. Të gjithë janë fajtorë”, tha Trump.

Vance i bëri thirrje Evropës të mos mbështetet më te SHBA-ja për mbrojtjen e saj – duke thënë se shumica e vendeve evropiane nuk kishin ushtri që mund të siguronte mbrojtjen e tyre të arsyeshme. //a.i/

 

The post UASHINGTON – Vance: Absurde që Zelensky mendon se SHBA-ja është në anën e Rusisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

GAZË – Izraeli godet spitalin Al-Ahli duke detyruar evakuimin, ndërsa sulmet intensifikohen

13 April 2025 at 11:11

GAZË, 13 prill / ATSH/ – Izraeli goditi një spital në Gazën veriore herët në mëngjes, duke i detyruar pacientët të evakuohen ndërsa sulmet u intensifikuan, sipas AP.

“Sulmi para agimit goditi Spitalin Al-Ahli në qytetin e Gazës, pasi Izraeli lëshoi ​​një paralajmërim evakuimi”, sipas ministrisë së Shëndetësisë të Gazës. “Një pacient vdiq gjatë evakuimit pasi stafi mjekësor nuk ishte në gjendje të ofronte kujdes urgjent”, tha ministria.

Spitali, i drejtuar nga Dioqeza e Jerusalemit, u sulmua të Dielën e Palmës, e cila përkujton hyrjen e Jezusit në Jerusalem.

“Disa orë më vonë, një sulm i veçantë në një makinë në Deir al-Balah në Gazën qendrore, shkaktoi vdekjen e të paktën shtatë njerëzve – gjashtë vëllezërve dhe miqtë e tyre”, sipas stafit në morgun e Spitalit të Martirëve Al-Aksa.

Izraeli tha se kishte goditi një qendër komandimi dhe kontrolli të përdorur nga Hamasi në spital – për të planifikuar dhe ekzekutuar sulme kundër civilëve dhe ushtarëve izraelitë, pa dhënë prova.

Forcat izraelite thanë se përpara sulmit, ishin marrë hapa për të zbutur dëmin, duke përfshirë lëshimin e paralajmërimeve dhe përdorimin e municioneve të sakta dhe mbikëqyrjes ajrore.

Sulmet erdhën disa orë pasi ministri i Mbrojtjes i Izraelit tha se aktiviteti ushtarak do të zgjerohej me shpejtësi në të gjithë Gazën dhe se njerëzit do të duhej të evakuoheshin nga “zonat e luftimit”.

Izraeli gjithashtu njoftoi dje përfundimin e korridorit Morag, duke shkëputur qytetin jugor të Rafahut nga pjesa tjetër e Gazës, me ushtrinë që tha se së shpejti do të zgjerohej “vrullshëm” në pjesën më të madhe të territorit të vogël bregdetar.

Autoritetet izraelite janë zotuar të bëjnë presion ndaj Hamasit për lirimin e 59 pengjeve të mbetura – 24 prej të cilëve besohet se janë gjallë – dhe të pranojë kushtet e reja të propozuara të armëpushimit. //a.i/

The post GAZË – Izraeli godet spitalin Al-Ahli duke detyruar evakuimin, ndërsa sulmet intensifikohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 12 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

KIEV – Rusia sulmon Ukrainën me 88 dronë

KIEV, 12prill /ATSH-DPA/ – Të paktën katër persona u plagosën në 88 sulme me dronë rusë gjatë natës dhe të shtunën herët në mëngjes, duke synuar kryeqytetin ukrainas Kiev, qytetin e dytë më të madh të vendit Kharkiv dhe rajone të tjera.

Forcat Ajrore të Ukrainës raportuan se nga 88 gjithsej dronë, 70 u rrëzuan nga mbrojtja ajrore ose bllokimi elektronik. Rajone të tjera të prekura ishin Odessa, Dnipropetrovsk dhe Donetsk.

Disa depo, një ndërtesë banimi dhe një fushë sportive u goditën, njoftoi administrata ushtarake e Kievit në Telegram.

Kryebashkiaku Vitali Klitschko raportoi tre lëndime në kryeqytet: një viktimë u shtrua në spital dhe dy të tjerët u trajtuan si pacientë ambulatorë.

Rënia e mbeturinave të dronëve dëmtoi gjithashtu magazina dhe ndërtesa banimi në rajonin e Kievit. /os/

The post KIEV – Rusia sulmon Ukrainën me 88 dronë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 5 April 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Çako: Emergjencat Civile të fuqizuara, përshpejtojmë përgatitjet për anëtarësim në BE

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako mori pjesë sot në aktivitetin e mbajtur në Zall Herr, për prezantimin e arritjeve dhe sfidave të së ardhmes në fushën e mbrojtjes.

Në fjalën e tij ai theksoi se, “pesë vite më parë, Shqipëria iu nënshtrua një reforme të thellë të sistemit të saj të menaxhimit të emergjencave, ku falë vizionit të qartë të qeverisë shqiptare u krijua një mekanizëm funksional, i cili vepron sot me një qasje proaktive, e orientuar në parandalim dhe gatishmëri”.

Sot, theksoi ai, “kemi një kushtetutë të mbrojtjes civile, e garantuar nga një bazë ligjore solide dhe praktika rregullatore konform kuadrit global të Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm, të Objektivave të Qëndrueshmërisë së NATOs, të direktivave të Bashkimit Europian dhe atyre rajonale”.

“Themelimi i një institucioni jetik për sigurinë dhe mbrojtjen civile të vendit tonë, siç është Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile nën Ministrinë Përgjegjëse të Mbrojtjes, përbën një mision të fortë, për të ndërprerë paradigmat e së shkuarës dhe për të ndërtuar një sistem modern, të integruar dhe eficient në menaxhimin e përgjigjes emergjente”, tha Çako.

Ai shtoi se, Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile është struktura solide në zemër të sistemit, që ushtron autoritet koordinues, drejtues, teknik, mbikëqyrës dhe kontrollues në fushën e zvogëlimit të riskut nga fatkeqësitë dhe mbrojtjen civile.

“Ky mision u materializua përmes implementimit të akteve nënligjore të menaxhimit strategjik të riskut nga fatkeqësitë natyrore, të një Plani Kombëtar për Emergjencat Civile dhe me vënien në funksion të Qendrës Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile në ambjentet e reja pranë Garnizonit “Skënderbej”. QKOEC me shërbim 24/7 siguron komunikim të vazhdueshëm, duke realizuar shkëmbimin e informacionit dhe reagimin në kohë reale, ndërvepron me Qendren e Koordinimit të Reagimit ndaj Fatkeqësive Euro-Atlantike (EADRҫ) dhe Qendren e Koordinimit të Reagimit Emergjent (ERҫ)”, tha ai.

Falë këtyre arritjeve, nënvizoi Çako, “ Shqipëria që në janar të vitit 2023, me plotësimin në një kohë rekord të kritereve, bëhet një shtet pjesëmarrës në Mekanizmin e Mbrojtjes Civile Europiane. Ky status, përpos vlerësimit përkthehet në një përgjegjësi të shtuar për bashkëpunim dhe solidaritet reciprok, sikurse në kritere për fuqizim dhe modernizim kapacitetesh të strukturave operacionale, investime të avancuara në mbrojtjen e infrastrukturës kritike, zhvillime në mjete dhe paisje, rritje të ndërveprimit me strukturat homologe”.

“Me mbështetjen e Qeverisë shqiptare, partnerëve tanë ndërkombëtarë dhe bashkëpunëtorëve vendas, po ndërtojmë ura të forta, përmes instrumenteve që konsistojnë në ngritjen e sistemit NICS (Next Generation Incident Command System), platformë për komandimin e Incidenteve, me mbështetjen e NATO-s i cili sherben për të ofruar një përgjigje të koordinuar si në nivel kombëtar ashtu edhe ndërkombëtar ndaj sulmeve kimike/biologjike, duke përfshirë të dhënat shëndetësore dhe mjedisore të disponueshme në platformë.

Ngritjen e “Sistemit Kombëtar të Paralajmërimit të Hershëm” ndaj shumë rreziqeve, me mbulim kombëtar për të krijuar, për herë të parë, një sistem të përshtatshëm, drejt veprimeve të hershme të bazuara në parashikime, duke u mundësuar sektorëve ekonomikë dhe komuniteteve lokale – të ndërmarrin veprime në avancë, në parapritje dhe në përgjigje të ngjarjeve.

Forcimin e bashkëpunimit me pushtetin vendor, përmes rritjes së financimit në programin e emergjencave civile, instalimit të kulturës së menaxhimit të riskut të fatkeqësive, organizimit operacional, parandalues dhe rehabilitues.

Forcimin e kapaciteteve logjistike dhe njerëzore të sistemit të MC, përmes zhvillimit të njohurive, ndërgjegjësim dhe sensibilizim”, tha Çako.

Ndërsa në aspektin operacional ai përmendi, “misionin e parë të AKMC jashtë kufijve të vendit tonë, ofroi ndihmë në zonat e prekura nga tërmeti në Turqi, si dhe operacionet për zjarret në Greqi, ndihmat për përmbytjet në Bosnje, së fundmi evakuimi i një familjeje nga Gaza. Angazhimin në stërvitje ndërkombëtare dhe programe afatgjata teknike”.

Ai prezantoi veçanërisht një nga iniciativat më të rëndësishme, që Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile do të udhëheqë këtë vit, që është stërvitja funksionale ndërkombëtare FloodNorthALB FSX, e cila do të zhvillohet në qytetin e Shkodrës nga data 7 deri më 12 prill.

“Një skenar gjithëpërfshirës mbi menaxhimin e një përmbytje, i cili do të mundësojë ndarjen e kapaciteteve dhe burimeve, përmirësimin e vendimmarrjes, përdorimin e mjeteve inovative dhe trajnimin e përbashkët. Kjo stërvitje me pjesëmarrjen e 8 shteteve anëtare do të testojë dhe përmirësojë procedurat e koordinimit kombëtar dhe ndërkombëtar nën monitorimin e Mekanizmit të Mbrojtjes Civile (UCPM)”, tha ai.

Çako u shpreh se, “jemi të vetëdijshëm që duhet të përshpejtojmë përgatitjen për anëtarësim në Bashkimin Evropian, duke qëndruar dinjitozë dhe të vlefshëm për fqinjët tanë dhe shtetet e tjer, ndaj për këtë kërkohet ende shumë bashkëpunim ndërinstitucional, kryesisht nga strukturat e sistemit të MC”.

“Duhet të avancojmë me plotësimin e kuadrit ligjor në zbatim të rekomandimeve të Unionit kryesisht për “Ngritjen dhe funksionimin e numrit të unifikuar te emergjencave 112”, hartimin e ligjit pë Infrastrukturën kritike, zhvillimin teknologjik për vendosjen e lidhjes TESTA, për ndërlidhjen me CECIS, harmonizimin e procedurave të Host National Support etj”, theksoi Kreu i AKMC.

“Prioritetet tona fokusohen gjithashtu në rritjen e koordinimit dhe komunikimit, përfshirjen e komunitetit në planifikim dhe përgjigje të situatave emergjente, edukimin qytetar dhe sensibilizimi për rreziqet natyrore dhe krizat”, tha Çako. /j.p/

 

The post Çako: Emergjencat Civile të fuqizuara, përshpejtojmë përgatitjet për anëtarësim në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ushtria shqiptare drejt modernizimit në 16-vjetorin e hyrjes në NATO

TIRANË, 5 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama dhe ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu ishin sot në Zall Herr, në prezantimin e arritjeve dhe sfidave të së ardhmes në fushën e mbrojtjes.

Me rastin e 16-vjetorit të hyrjes së Shqipërisë në NATO në Repartin e Operacioneve Speciale në Zall-Herr u mbajt një ceremoni, ku u prezantuan armatimet më të reja të ushtrisë shqiptare.

Armët në përdorim të Repartit të Operacioneve Speciale në Zall-Herr janë ndër më modernet në NATO, duke përfshirë armatimin e rëndë që përdor  grupi special si mitrolozë, snajper, armatimi  personal, armë e vogël, armë e gjatë, radiot e komunikimit që përdor grupi në të gjitha llojet e operacioneve speciale, pajisjet e shëndetësisë që duhen një grupi kur merr pjesë në detyra të caktuara, pajisjet e alpinizimit, pajisjet xheniere për shpërthime të ndryshme si dhe të pajisjes së zhytjes, që mund të përdoren vetëm për operacionet specifike.

Gjithashtu Repartit të Operacioneve Speciale i është shtuar edhe një motoskaf që mund të përdoret në çdo lloj operacionesh.

Ndërsa Batalioni i Komandos përdor armatime në operacione luftarake dhe stërvitore si aramatimi muratjë, pajisjet e komunikimit, pistoleta, armatimi i cili është nga më modernet dhe i shërben operatorit komando për të kryer çdo lloj operacioni.

vijon

 

 

The post Ushtria shqiptare drejt modernizimit në 16-vjetorin e hyrjes në NATO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 31 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Rusia, ‘jo’ forcave paqeruajtëse me vendet që mbështesin Kievin

MOSKE, 31 Mars /ATSH-ANSA/ – Rusia është ‘kategorikisht kundër’ pranisë së forcave paqeruajtëse në Ukrainë që përfshijnë vende që furnizojnë me armë Kievin theksoi në një intervistë Kirill Logvinov, drejtor i Departamentit të Organizatave Ndërkombëtare në Ministrinë e Jashtme ruse.

“Është e trishtueshme që historia e viteve të fundit nuk u mëson asgjë evropianëve”, theksoi diplomati.

”Ata janë absolutisht të shurdhër ndaj paralajmërimeve se vetë ideja për të futur në Ukrainë ushtrinë e atyre vendeve që sot vazhdojnë të furnizojnë Kievin me armë është kategorikisht e papranueshme për ne”, shtoi ai. /os/

The post FOKUS – Rusia, ‘jo’ forcave paqeruajtëse me vendet që mbështesin Kievin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 26 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Karnavalet” sjellin atmosferë feste në TKOB

26 March 2025 at 10:32

TIRANË, 26 mars/ATSH/ Opereta “Karnavalet” solli një atmosferë festive që në hollin e Teatrit Kombëtar të Operas e Baletit, ku spektatorët u përfshinë në “festën e maskave” duke pozuar me to.

Opereta me muzikën e Avni Mulës, u vu në skenë nga e bija, sopranoja e mirënjohur Inva Mula, e cila kësaj here ishte në cilësinë e regjisores. Shfaqja shumë e dashur nga publiku u soll nga një kast artistësh nga më të mirët e skenës shqiptare. Në skenë u rikrijua imazhi magjik i karnavaleve të Korçës, atmosfera e kalldrëmeve dhe kostumeve të fillim shekullit të kaluar, me situata të sikletshme për personazhet por që shkaktuan të qeshura tek publiku.

Artistët përcollën dramën e çiftit Olimbi dhe Nikollaq Jorganxhi të cilët nuk gjejnë dot një dhëndër dinjitoz për bijën e tyre, Afrovitin.

“Karnavalet” erdhën me dy kaste artistësh, të shoqëruar nga Orkestra Simfonike dhe Kori i TKOBAP-së, të drejtuar nga Elda Laro dhe Dritan Lumshi. Sonte “Karnavalet” do të jenë përsëri në skenën e TKOB.

Opera karnavalet, Foto: Agim Dobi
1 nga 10

The post “Karnavalet” sjellin atmosferë feste në TKOB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Vengu: Rritja e buxhetit të mbrojtjes, nxitje interesit të të rinjve për t’iu bashkuar FA

24 March 2025 at 18:58

TIRANË, 24 mars /ATSH/ Rritja e buxhetit të mbrojtjes, e reflektuar edhe në trajtimin financiar të ushtarakëve, ka nxitur interesin e të rinjve për t’iu bashkuar Forcave të Armatosura, të cilët mund t’i shërbejnë atdheut në misionet e sigurisë dhe Mbrojtjen Civile.

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu shprehet në një postim sot në rrjetet sociale se, investimi në kapacitete njerëzore, infrastrukturë dhe modernizimin e forcave të luftimit, përfshirë fuqinë e zjarrit, helikopterët dhe dronët luftarakë, ka pesëfishuar kërkesën për rekrutime në 12 vitet e fundit.

“Kjo reflektohet edhe në nivelin e lartë të interesit për trajnimet për ekuipazhet e rinj të helikopterëve Black Hawk”, thekson Vengu, i cili shton se, “me ndihmën e aleatëve amerikanë dhe në bashkëpunim me trupat Komando, pilotët dhe teknikët e helikopterëve Black Hawk po trajnohen për t’u angazhuar në operacione ushtarake, me qëllim që në vitin 2026 të jenë të gatshëm për të marrë pjesë në misione ndërkombëtare të drejtuara nga NATO”.

“Ekuipazhet po aftësohen për përdorimin shumërolësh të helikopterëve, nga infiltrimi ajror në zona të banuara dhe imbarkimi në anije, e deri te operacionet e kërkim-shpëtimit dhe shuarjes së zjarreve”, nënvizon Vengu.

/r.e/

The post Vengu: Rritja e buxhetit të mbrojtjes, nxitje interesit të të rinjve për t’iu bashkuar FA appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BERLIN – Scholz kërkon armëpushim të plotë në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur

18 March 2025 at 22:45

BERLIN, 18 mars /ATSH-DPA/-  Kancelari gjerman, Olaf Scholz ka vlerësuar pauzën e planifikuar në sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës si një hap të parë të rëndësishëm në rrugën drejt një paqeje të qëndrueshme.

“Kjo vlen edhe për përgatitjet për një armëpushim në Detin e Zi”, tha Scholz pas bisedimeve me presidentin francez,  Emmanuel Macron në Berlin.

“Hapi tjetër duhet të jetë një armëpushim i plotë për Ukrainën dhe sa më shpejt që të jetë e mundur”, shtoi ai.

Presidenti rus, Vladimir Putin ra dakord me një propozim të SHBA-së për të ndaluar të gjitha sulmet ndaj infrastrukturës energjetike të Ukrainës për 30 ditë, gjatë bisedës telefonike me presidentin e SHBA-së, Donald Trump.

“Qëllimi i të gjitha përpjekjeve duhet të jetë një paqe e drejtë dhe e qëndrueshme për Ukrainën”, tha Scholz.

Pikëpamja e kancelarit gjerman në largim u pasqyrua nga Macron.

Presidenti francez tha se qëllimi ishte të arrihej një armëpushim i matshëm dhe i verifikueshëm që respektohej plotësisht, për të nisur bisedimet e detajuara dhe të plota të paqes që do të bënin të mundur një paqe solide dhe të qëndrueshme dhe garancitë. //a.i/

 

The post BERLIN – Scholz kërkon armëpushim të plotë në Ukrainë sa më shpejt të jetë e mundur appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 16 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

SHBA – Pas VOA-s, shkurtimet e financimit të medias nga Trump godasin edhe Radio Evropa e Lirë

PRAGË, 16 mars /ATSH-DPA/ – Transmetuesi i Radios Evropa e Lirë/Radio Liberty (RFE/RL) po përballet me mbyllje për shkak të shkurtimeve të buxhetit nga presidenti amerikan Donald Trump, tha stacioni me bazë në Pragë.

Agjencia Amerikane për Media Globale (USAGM), kompania mëmë e Radios Evropa e Lirë, ka njoftuar transmetuesin se marrëveshja që siguron financimin e operacioneve globale të Radios Evropa e Lirë, është ndërprerë.

Trump urdhëroi shkurtime masive të USAGM, e cila mbikëqyr të gjitha programet e huaja transmetuese të financuara nga shteti në Shtetet e Bashkuara që nuk drejtohen nga ushtria dhe tashmë kishte shkurtuar fondet për transmetuesin e huaj amerikan ”Zëri i Amerikës”.

Shefi ekzekutiv i Radios Evropa e Lirë, Stephen Capus e kritikoi vendimin, duke thënë se do të ishte “një dhuratë masive për armiqtë e Amerikës”.

Ai shtoi se ajatollahët iranianë, udhëheqësit komunistë kinezë dhe autokratët në Moskë dhe Minsk do të festojnë fundin e Radios Evropa e Lirë pas 75 vjetësh.

Capus theksoi mbështetjen dypartiake për transmetuesin si nga republikanët ashtu edhe nga demokratët e SHBA.

Ministri i Jashtëm çek, Jan Lipavsky shprehu gjithashtu opinionin e tij, duke deklaruar dje  në mbrëmje se Radio Evropa e Lirë dhe ”Zëri i Amerikës” janë ndër të paktat burime falas të informacionit për njerëzit që jetojnë nën shtypje nga Bjellorusia në Iran dhe nga Rusia në Afganistan.

Radio Evropa e Lirë, e themeluar në vitin 1949 në kulmin e Luftës së Ftohtë, prodhon programin radiofonik në gjuhën ruse Radio Svoboda (Radio Liberty) dhe kanalin televiziv të lajmeve ”Current Time”.

Në vitin 1981, selia e saj në Mynih u bombardua dhe Radio Evropa e Lirë u zhvendos në Pragë në 1995 me ftesë të presidentit të atëhershëm çek, Vaclav Havel./  a.jor.

The post SHBA – Pas VOA-s, shkurtimet e financimit të medias nga Trump godasin edhe Radio Evropa e Lirë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Kurti: Rrezikun e një agresioni ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë

PRISHTINE, 6 mars/ATSH/ Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova nuk mund të harrojë Epopenë e UÇK-së dhe luftën çlirimtare, në mënyrë që të ardhmen ta ketë më të sigurt.                                    Në akademinë përkujtimore për shënimin e 27-vjetorit të Epopesë së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Kurti tha se s’mund të ketë pajtim me Serbinë derisa ajo, jo vetëm që nuk kërkon falje, mirëpo zotohet se do të përsërisë gjenocidin ndaj Kosovës porsa t’i vije rasti.

“Ndonjë herë na thuhet të mos shikojmë pas por vetëm përpara, drejt së ardhmes së përbashkët, si ajo shprehja ‘të shkuara, të harruara’, që e thonë ata që duhen të pajtohen. Mirëpo si mund të ketë pajtim pa pranim të fajit? Si mund të ketë falje nga ana e viktimës kur agresori jo vetëm që nuk kërkon falje por zotohet se do të përsërisë krimin në rastin më të parë që do t’i jepet“, tha Kurti.

“Serbia nuk është shëruar le ta quajmë kompleksit të Kosovës që e ka çuar atë t’i shkaktojë disa gjenocide, jo vetëm në tokën tonë por edhe vende të tjera të Ballkanit. Serbia është shteti më i armatosur në rajonin tonë, aleati më i ngushtë i Rusisë që Kosovën e quan sepse dëshiron pjesë të territorit të saj shtetëror. Mban baza të përparme ofensive të ushtrisë pranë kufirit me vendin tonë. Ajo ndërmerr sulme terroriste, sabotime, teksa strukturat paralele ilegale në Kosovë ia kemi mbyllur ose shporrur. Ne kemi detyrë të kujtojmë. Ne nuk mund të harrojmë luftën çlirimtare, as viktimat civile dhe posaçërisht Epopenë e UÇK-së pikërisht për të mos u kthyer në të kaluarën. Duke mos harruar të kaluarën, ne kemi të ardhmen e sigurt”, shtoi ai.

Ai shtoi se rënia heroike e komandantit legjendar, Adem Jashari dhe flijimi i anëtarëve të familjes Jashari në mars të vitit 1998, mobilizoi shqiptarët në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai tha se Adem Jashari dhe UÇK-ja janë të pashkëputura nga njeri-tjetri.

Megjithatë, Kurti tha se fatkeqësisht luftërat nuk i takojnë vetëm të kaluarës, pasi ato janë rikthyer në këtë shekull në kontinentin evropian. Andaj, kreu qeveritar theksoi nevojën e fuqizimit të FSK-së pasi rreziku i një agresioni ushtarak është jo larg kufijve të vendit. /KosovaPress/

The post Kurti: Rrezikun e një agresioni ushtarak e kemi jo larg kufijve tanë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 3 March 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Parashikimi i motit, e hënë, 3 mars 2025

TIRANË, 3 mars/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e hënë vendi ynë do të ndikohet nga kushte atmosferike kryesisht të paqëndrueshëm.

Moti parashikohet me kthjellime e alternime vranësirash kryesisht në jug, ku vranësirat parashikohen shoqërohen me reshje të herëpashershme shiu me intensitet të ulët e lokalisht mesatar. Nga orët e mesditës pritet ndërprerje graduale e reshjeve.

Era do të fryjë me drejtim verilindje me shpejtësi mesatare 3-10 m/s, ndërsa në zonat luginore dhe përgjatë vijës bregdetare hera-herës era do të ftojë shpejtësi 10-12 m/s shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-3 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 3/6 Diell pak re
Kukës 7/14 Diell pak re
Lezhë 7/13 Diell pak re
Dibër 2/5 Diell pak re
Durrës 8/15 Diell pak re
Tiranë 8/15 Diell pak re
Elbasan 6/16 Diell pak re
Berat 5/15 Diell pak re
Vlorë 7/16 Diell re shi
Korçë 1/8 Diell re shi
Gjirokastër 3/15 Diell re shi
Sarandë 7/16 Diell re shi

 

The post Parashikimi i motit, e hënë, 3 mars 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 24 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

“Kryeministri preku elefantin në dhomë”, Rama në Samitin e Kievit: Evropa të mos e shpërfillë realitetin e ri

24 February 2025 at 15:29

TIRANË, 24 shkurt /ATSH/- Kryeministri Edi Rama tha në samitin për përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia se “është koha për një reflektim më të thellë në lidhje me mbështetjen apo shpenzimet ushtarake për Kievin”, sipas transmetuesit britanik “Sky News”.

Kryeministri i Shqipërisë guxoi të ngrinte faktin se klima diplomatike për Ukrainën kishte ndryshuar rrënjësisht duke pasur parasysh dialogun e Donald Trump me Rusinë ndërsa u kërkoi liderëve perëndimorë të mos e shpërfillnin realitetin e ri.

Siç kemi raportuar, udhëheqësit po diskutojnë luftën në përvjetorin e tretë të pushtimit të plotë të Rusisë.

Samiti po organizohet në Kiev, ndërsa liderë të tjerë kanë marrë pjesë përmes lidhjes me video.

Në kontrast me përsëritjen e premtimeve për ndihmën e ardhshme ushtarake për Ukrainën dhe dëshirën që Kievi të anëtarësohet në BE dhe NATO, kryeministri Rama tha se ndërsa ai mbështet të gjitha këto synime – ishte jetike të trajtohej fakti që Rusia dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës po bisedonin veçmas.

Rama tha se udhëheqësit dukej se po vazhdonin sikur asgjë të mos kishte ndodhur – kur në fakt nën drejtimin e administratës së re në Shtëpinë e Bardhë gjithçka ishte ndryshe.

“Unë mendoj se diçka e rëndësishme ka ndodhur, siç e dini të gjithë – dhe pyetja është se si do të mbështetet Ukraina në mënyrë efikase dhe si… Evropa si kontinent mund të jetë efikase në mbrojtjen e vetvetes dhe për të nxjerrë më të mirën nga diçka që po ndodh, një negociatë mes Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Rama.

“BE si kontinent duhet të ketë një llogore të gjatë diplomacie, duke përfishirë Britaninë e Madhe, Turqinë dhe BE-në dhe sigurisht duhet të dali me një pozicion. Me një pozicion, sepse kam frikë se nuk do jetë e qëndrueshme me opinionin publik veçanërisht në pjesën perëndimore të kontinentit të vazhdojë dhe të thotë çfarë po themi ne këtu”, tha Rama.

“Unë nuk jam i sigurt që vetëm duke folur për rritjen e mbështetjes ushtarake dhe rritjen e shpenzimeve ushtarake, ne e kuptojmë të gjithë çështjen. Ky është mendimi im modest. Ndoshta e kam gabim”, shtoi ai.

Ai preku “elefantin në dhomë”- faktin që Uashingtoni dhe Moska kanë nisur bisedimet për arritjen e një marrëveshjeje dhe potencialin që Ukraina të shkëputet nga bisedimet dhe të imponohet një rezultat i padrejtë ndaj saj.

“Është e padrejtë të shohim që SHBA dhe Rusia po arrijnë një marrëveshje, ndërkohë që Ukraina po lihet jashtë kësaj dhe po i imponohet diçka. Ne kemi qenë për një kohë të gjatë në autopilotin amerikan, tani mesa po duket ai është fikur, asnjë nuk e di për sa kohë do të qëndrojë i fikur dhe unë besoj se ka ardhur koha për një reflektim të thellë në vend të asaj se çfarë duhet bërë në aspektin e mbështetjes ushtarake, shpenzimeve ushtarake”, tha kryeministri Rama.

“Është koha për një reflektim më të thellë se çfarë do të bëjmë në lidhje me mbështetjen ushtarake apo shpenzimet ushtarake. Sigurisht që është shumë e nevojshme, por mund të mos jetë e mjaftueshme”, tha ai.

Ai përsëriti se Shqipëria qëndronte plotësisht pranë Ukrainës dhe aleatëve të saj.

“Sigurisht që kjo është shumë e domosdoshme, por jo e mjaftueshme. Po e përsëris qëndrimin, që ne e mbështësim plotësisht Ukrainën, pa dyshim që mbështesim çdo vendim që do marrin të mëdhenjtë në këtë hapësirë”, tha ai.

Por, Rama tha se kishte disa dyshime për faktin se samiti po trajtonte vetëm gjysmën e problemit – anën ushtarake – dhe jo realitetin e ri politik dhe diplomatik. //a.i/sm/

 

 

 

 

The post “Kryeministri preku elefantin në dhomë”, Rama në Samitin e Kievit: Evropa të mos e shpërfillë realitetin e ri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 22 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Presidenti i Emirateve të Bashkuara, nesër në Tiranë, Rama: Vendosim të tjera piketa me interes të përbashkët

22 February 2025 at 18:35

TIRANË, 22 shkurt /ATSH/ Nesër në Shqipëri do të jetë për vizitë Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan, për herë të parë si President i Emirateve të Bashkuara Arabe.

Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama pasditen e sotme në rubrikën “Çkemi ndonjë ë re”. Rama u shpreh se, presidenti i EBA është një mik i vjetër i shqiptarëve dhe një mik shumë i dashur i tij personalisht.

“Ai ka zbritur në Shqipëri më parë në vitin 1999 me aeroplanin e tij mbi pistën e aeroportit të Kukësit që u shtrua nga i ati Sheiku Zayed, themeluesi i EBA, në mbështetje të vëllezërve dhe motrave të shpërngulura me dhunë nga Kosova”, tha Rama.

“Asokohe Emiratet nën porosinë e Sheikut Zayed sollën sasi shumë të mëdha ndihmash përmes asaj piste të shtruar enkas. Dhe presidenti që na nderon nesër me vizitën e tij erdhi në këmbë të të atit së bashku me zv/presidentin dhe sundimtarin aktual të Dubait, Mohammed bin Rashid Al Maktoum. Që të dy ishin djem të rinj në forcat ushtarake emiratase” tha Rama.

Më tej, Rama theksoi se, vizita e tij në Shqipëri shënon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti të forcuar kohët e fundit.

“Vizita e presidentit të Emirateve dhe njërit prej udhëheqësve më të respektuar të botës së sotme shënjon një gur të rëndësishëm kilometrik dhe të një partneriteti që është forcuar shumë kohët e fundit. Vjen nesër për të vendosur të tjera piketa që bazohen tek interesat e përbashkëta”, tha Rama.

“Presidenti Bin Zayed ishte donatori më i madh për rindërtimin pas tërmetit shkatërrimtar në Durrës dhe lagja e re shembullore e rindërtimit në Spitallë është financuar e gjitha prej tij”, tha Rama.

Po ashtu, shtoi Rama, “ai nxiti marrëveshjen për portin turistik të Durrësit, si dhe ishte kyç në marrëveshjen trepalëshe me Italinë për investimin strategjik për lidhjen nënujore energjetike që do të jetë themelore në transformimin e Shqipërisë në eksportuese neto të energjisë elektrike dhe shtet i pavarur nga ana energjetike në të gjithë rajonin”.

Rama shtoi se “me mbështetjen e pakursyer të Presidentit Bin Zayed, KESH-i ynë dhe kompania e ekselencës Masdar Group kanë hyrë në rrugën e bashkimit me një plan tejet ambicioz në rritjen e kapaciteteve prodhuese të energjisë së gjelbër”.

“Një tjetër vlerë e shtuar e këtij bashkëpunimi strategjik është programi i monitorimit të rrugëve dhe shkollave me teknologjinë më të lartë si dhe krijimi i ndërmarrjes së përbashkët të letrave me vlerë”, tha Rama.

“Miku ynë i çmuar vjen nesër me një delegacion të nivelit më të lartë për të vendosur të tjera piketa në rrugën e një partneriteti që bazohet tek interesat e përbashkëta dhe ushqehet nga një miqësi shumë e sinqertë shtetërore po edhe personale”, u shpreh Rama.

“Jam shumë krenar që Shqipëria sot mikpret miq si Sheiku Mohamed bin Zayed Al Nahyan diçka që disa vite më parë as mund të imagjinohej”, tha Rama.  /j.p/

The post Presidenti i Emirateve të Bashkuara, nesër në Tiranë, Rama: Vendosim të tjera piketa me interes të përbashkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 19 February 2025 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Parashikimi i motit, e mërkurë, 19 shkurt 2025

19 February 2025 at 07:30

TIRANË, 19 shkurt/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e mërkurë vendi ynë do të ndikohet nga kushte të qëndrueshme atmosferike për shkak të masave ajrore të ftohta dhe të thata me origjinë veriore.

Moti parashikohet i kthjellët dhe me vranësira fare të pakta kalimtare kryesisht në orët e mëngjesit dhe kryesisht përgjatë relieveve malore në lindje.

Era do të fryjë me drejtim verilindje-veriperëndim me shpejtësi mesatare deri 8 m/s, ndërsa në lugina e bregdet hera-herës do të arrijë deri në 10-15m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 3 ballë.

Në zonat luginore mjegull e dendur, mjegullinë dhe shikim i reduktuar në orët e mëngjesit dhe të mbrëmjes.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër -1/10 Diell
Kukës -7/3 Diell
Lezhë 2/10 Diell
Dibër -6/5 Diell
Durrës 3/13 Diell
Tiranë 3/13 Diell
Elbasan 2/14 Diell
Berat 4/13 Diell
Vlorë 5/11 Diell
Korçë -3/4 Diell
Gjirokastër 2/12 Diell
Sarandë 5/14 Diell

 

 

The post Parashikimi i motit, e mërkurë, 19 shkurt 2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌