Normal view

Received — 21 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

OTAVË – Carney: Kanadaja paralajmëron kundërpërgjigje ndaj tarifave të Trump

21 July 2026 at 21:19

OTAVË, 21 korrik /ATSH/- Kryeministri kanadez, Mark Carney deklaroi se ai dhe presidenti amerikan, Donald Trump, ranë dakord të intensifikojnë negociatat tregtare, pas një bisede telefonike të zhvilluar sot, sipas “Reuters”.

Carney tha se objektivi kryesor është arritja e një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, por paralajmëroi se Kanadaja do të shqyrtojë të gjitha opsionet nëse SHBA-ja zbaton tarifat e reja, të paralajmëruara nga Trump.

Një ditë më parë, Trump njoftoi vendosjen e tarifave prej 50% për një gamë të gjerë importesh nga Kanadaja, duke akuzuar Otavën për trajtim diskriminues ndaj automjeteve, pijeve alkoolike dhe produkteve të bulmetit amerikane.

Carney theksoi se ndalimi i shitjes së pijeve alkoolike amerikane, në shumicën e provincave kanadeze, do të hiqet vetëm në kuadër të një marrëveshjeje më të gjerë tregtare me SHBA-në.

Ndërkohë, kryeministrat e provincave kanadeze dënuan tarifat e reja.

Kryeministri i Ontarios, Doug Ford, kërkoi që Kanadaja t’u përgjigjet SHBA-së “dollar për dollar”, ndërsa drejtues të tjerë paralajmëruan se masat do të dëmtojnë punonjësit dhe ekonominë e të dy vendeve.

Tarifat e reja amerikane pritet të hyjnë në fuqi pas 30 ditësh dhe do të prekin mallra si produktet e bulmetit, mobiliet, veshjet, pajisjet sportive dhe një sërë produktesh të tjera kanadeze. //a.i/

The post OTAVË – Carney: Kanadaja paralajmëron kundërpërgjigje ndaj tarifave të Trump appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 14 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

UASHINGTON – SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Ministrisë së Turizmit të Kubës

14 July 2026 at 09:40

UASHINGTON, 14 korrik /ATSH-DPA/- Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë zgjeruar sanksionet ndaj institucioneve shtetërore kubane, duke përfshirë në listën e sanksioneve Ministrinë e Turizmit të Kubës dhe disa institucione e organizata të tjera shtetërore.

Sipas Departamentit amerikan të Thesarit, në listë janë shtuar gjithashtu një kompani shtetërore e tregtisë së jashtme, një kompani shtetërore që administron portet dhe transportin detar, si edhe organizata të tjera shtetërore kubane.

Turizmi është një nga sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë kubane dhe një burim kryesor i të ardhurave në valutë të huaj.

Sanksionet ndalojnë, në përgjithësi, qytetarët dhe kompanitë amerikane të kryejnë transaksione me institucionet e përfshira në listë, ndërsa çdo aset që ato mund të kenë në SHBA bllokohet.

Uashingtoni vendosi sanksione edhe ndaj dy organizatave pro-qeveritare: Brigadat e Reagimit të Shpejtë, të cilat sipas organizatave për të drejtat e njeriut janë përdorur vazhdimisht kundër protestuesve antiqeveritarë, si dhe Milicitë e Trupave Territoriale, një forcë vullnetare, që mbështet forcat e armatosura kubane.

Marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Kubës kanë qenë të tensionuara, që prej revolucionit kuban të vitit 1959.

Uashingtoni vendosi embargo tregtare ndaj ishullit socialist, më shumë se 60 vjet më parë, dhe ajo vazhdon të mbetet në fuqi.

Që nga rikthimi në Shtëpinë e Bardhë, presidenti amerikan Donald Trump ka rritur presionin ndaj Havanës me sanksione të reja.

Ai ka përmendur gjithashtu disa herë, mundësinë e një “marrjeje nën kontroll” të Kubës nga SHBA-ja, ndërsa vendi përballet me vështirësi të mëdha ekonomike.

Të shtunën, sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio i bëri thirrje qeverisë socialiste të Kubës të ndërmarrë reforma të thella, në përvjetorin e pestë të protestave antiqeveritare që përfshinë ishullin. //a.i/

The post UASHINGTON – SHBA-ja vendos sanksione të reja ndaj Ministrisë së Turizmit të Kubës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

31 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, Kos: Rruga drejt BE-së, garancia për një Bosnjë-Hercegovinë të bashkuar dhe demokratike

11 July 2026 at 10:54

TIRANË, 11 korrik /ATSH/- Në Ditën Ndërkombëtare të Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës, komisionerja e Bashkimit Evropian për Zgjerimin, Marta Kos, bëri thirrje për pajtim, dialog dhe përgjegjësi, duke theksuar se vetëm përmes përballjes me të kaluarën, mund të ndërtohet një e ardhme e qëndrueshme për Bosnjë-Hercegovinën.

Përmes një mesazhi të publikuar me rastin e kësaj dite, Kos vlerësoi se përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian, mbetet mënyra më e mirë për të garantuar një shtet sovran, të bashkuar, shumetnik dhe demokratik.

“Sot është Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës. Shërimi i plagëve të së kaluarës kërkon guxim, angazhim të sinqertë dhe një përkushtim të vërtetë ndaj pajtimit”, tha Kos në mesazhin e saj.

“Kjo do të thotë, të zgjedhim përgjegjësinë në vend të përçarjes, dialogun në vend të përballjes dhe të mbështesim procesin e gjetjes dhe identifikimit të viktimave që ende rezultojnë të zhdukura”, shtoi komisionerja e BE-së.

“Përparimi në rrugën drejt Bashkimit Evropian është mënyra më e mirë për të siguruar një Bosnjë-Hercegovinë sovrane, të bashkuar, shumetnike dhe demokratike”, theksoi ajo.

“Gjithashtu, është mënyra më e mirë për të ndërtuar një shoqëri të bazuar në pluralizëm, respekt të ndërsjellë dhe mundësi të barabarta për të gjithë”, u shpreh Kos.

Çdo vit, më 11 korrik shënohet Dita Ndërkombëtare e Reflektimit dhe Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës të vitit 1995.

Kjo ditë nderon kujtimin e më shumë se 8 300 burrave dhe djemve boshnjakë myslimanë, të cilët u vranë në mënyrë sistematike nga forcat serbe të Bosnjës gjatë luftës në Bosnjë-Hercegovinë.

Masakra e Srebrenicës konsiderohet krimi më i rëndë në tokën evropiane, që nga Lufta e Dytë Botërore.

Dita Ndërkombëtare e Përkujtimit të Gjenocidit të Srebrenicës u miratua nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, në maj të vitit 2024, përmes Rezolutës 78/282.

Kjo ditë synon të ruajë të vërtetën historike, të kundërshtojë mohimin dhe shtrembërimin e fakteve rreth gjenocidit, si dhe të nxisë edukimin e brezave të ardhshëm mbi rëndësinë e kujtesës dhe parandalimit të krimeve të tilla.

Kombet e Bashkuara organizojnë çdo vit një ceremoni zyrtare përkujtimore. //a.i/

 

 

The post 31 vjet nga gjenocidi i Srebrenicës, Kos: Rruga drejt BE-së, garancia për një Bosnjë-Hercegovinë të bashkuar dhe demokratike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

MADRID – Spanja: Trump zbuti tonet pasi u informua për rritjen e kontributeve të Madridit në NATO

MADRID, 9 korrik /ATSH/-  Qeveria spanjolle tha sot se presidenti amerikan, Donald Trump zbuti qëndrimin ndaj Spanjës, pasi u informua për rritjen e ndjeshme të shpenzimeve të Madridit, për mbrojtjen dhe kontributet ndaj NATO-s në vitet e fundit, raportoi “Reuters”.

Gjatë samitit të NATO-s në Ankara, Trump e cilësoi Spanjën si një “vebd partner të tmerrshëm” dhe njoftoi ndalimin e menjëhershëm të tregtisë me aleatin evropian, për shkak të mosmarrëveshjeve mbi shpenzimet e mbrojtjes dhe çështjen e luftës në Iran.

Megjithatë, gjatë kthimit në SHBA, Trump tha se Spanja kishte bërë hapa pozitivë dhe se “kishte qenë shumë bujare”.

Ai deklaroi se Madridi kishte përmbushur një kërkesë për pagesa, pa dhënë më shumë detaje.

Qeveria spanjolle sqaroi se bëhej fjalë për angazhimin e saj, për të arritur objektivin e NATO-s për shpenzimin e 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.

Kryeministri Pedro Sánchez tha në samit, se Spanja do ta arrijë këtë objektiv gjatë këtij viti, pasi ka rritur ndjeshëm buxhetin e mbrojtjes, nga 0,98% e PBB-së në vitin 2017 në rreth 33 miliardë euro.

Megjithatë, Trump ka kritikuar vazhdimisht Madridin, për refuzimin e objektivit të ri të NATO-s për shpenzimin e 5% të PBB-së për mbrojtje deri në vitin 2035.

Qeveria spanjolle, e drejtuar nga e majta, argumentoi se rritja e mëtejshme e shpenzimeve ushtarake, mund të prekë programet sociale.

Nuk është ende e qartë nëse zbutja e deklaratave të Trump do të ndikojë në kërcënimin e tij për të pezulluar tregtinë me Spanjën.

Sipas zyrtarëve amerikanë, administrata po shqyrton një listë produktesh spanjolle, që mund të preken nga masa të mundshme tregtare.

Në Spanjë, opozita kritikoi qeverinë e Sánchez për përplasjen me Uashingtonin, por theksoi rëndësinë e marrëdhënieve ekonomike mes dy vendeve.

Ndërkohë, rajone spanjolle, ku kompani të mëdha amerikane kanë investuar, deklaruan se aktiviteti ekonomik vijon normalisht. //a.i/

The post MADRID – Spanja: Trump zbuti tonet pasi u informua për rritjen e kontributeve të Madridit në NATO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

LONDËR – BM vendos sanksione ndaj rusëve për programin e armëve kimike

LONDËR, 6 korrik /ATSH/-  Britania e Madhe vendosi sot sanksione ndaj dy instituteve kërkimore ruse dhe disa zyrtarëve të lartë, të cilët sipas saj janë të lidhur me programin e armëve kimike të Moskës dhe kanë qenë të përfshirë në zhvillimin e toksinave të përdorura, për të helmuar aktivistin rus të opozitës, Alexei Navalny, sipas “Reuters”.

Sanksionet, që Britania e Madhe i paraqet, si një mënyrë për të zbuluar dhe parandaluar përdorimin e armëve kimike nga Rusia, vijnë para samitit të NATO-s në Ankara dhe pas një veprimi të ngjashëm nga Bashkimi Evropian.

Në vitin 2020, Navalny u sëmur rëndë gjatë një fluturimi në Siberi. Laboratorët perëndimorë arritën në përfundimin, se ai ishte helmuar me “Novichok”, një lloj gazi nervor ushtarak, i zhvilluar gjatë periudhës sovjetike.

Në vitin 2024, Navalny vdiq pasi u helmua me “Epibatidin”, një toksinë që gjendet në bretkosat helmuese të shiut.

Britania e Madhe dhe aleatët e tjerë evropianë thonë se Rusia ishte përgjegjëse. Rusia i ka mohuar këto akuza.

Qeveria britanike tha se personat e sanksionuar, kanë qenë të përfshirë në zhvillimin e “Novichok-ut” dhe “Epibatidinës”.

Ministrja e Jashtme, Yvette Cooper tha se përdorimi i përsëritur i armëve kimike, nga Rusia përbën shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe kërcënim për sigurinë globale.

“Aktet nga “Novichok” në Salisbury deri te “Epibatidina” në Siberi, helmimi i Dawn Sturgessl dhe Alexei Navalny, tregojnë se Rusia vazhdon të përdorë mjete brutale, për të shkaktuar vdekje dhe vuajtje te civilët e pafajshëm, përfshirë edhe në Ukrainë,” tha ajo.

Novichok u përdor gjithashtu në vitin 2018 në helmimin e ish-agjentit të dyfishtë rus, Sergei Skripal dhe vajzës së tij, Yulia në Salisbury. Ata mbijetuan, por një qytetare britanike, Dawn Sturgess, vdiq më vonë pasi, ra në kontakt me një enë ku ndodhej substanca.

Një hetim publik britanik arriti në përfundimin vitin e kaluar se presidenti rus Vladimir Putin ka shumë gjasa, të ketë urdhëruar sulmin përmes agjentëve të inteligjencës ushtarake GRU.

Rusia ka mohuar gjithmonë çdo përfshirje, duke i quajtur akuzat propagandë anti-ruse. //a.i/

The post LONDËR – BM vendos sanksione ndaj rusëve për programin e armëve kimike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 2 July 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Si po planifikon BE-ja t’ua mbyllë dyert ushtarëve rusë?

BRUKSEL, 2 korrik /ATSH/ – Kur Komisioni Evropian paraqiti te vendet anëtare propozimet e tij për paketën e re të sanksioneve të Bashkimit Evropian ndaj Rusisë më herët gjatë këtij muaji, një sugjerim kyç ishte ndalesa në Zonën Shengen për çdokënd që ka luftuar për ushtrinë ruse apo milicitë pro Kremlinit në Ukrainë gjatë katër vjetëve të fundit.

Fillimisht kishte pak detaje, por tani po zbulohen më shumë informacione. Estonia ishte shteti i parë që sinjalizoi që hyrja e rusëve në BE mund të jetë problem, duke u tërhequr vërejtjen kryeqyteteve të tjera të BE-së se rreth 1.5 milion shtetas rusë kanë marrë pjesë në operacionet ushtarake në Ukrainë që nga shkurti i vitit 2022, ndërkaq afër 650.000 të tjerë janë në shërbim aktiv ushtarak. Talini po ashtu paralajmëroi se ka një lidhje mes ish-ushtarëve dhe rritjes së dhunës brenda Rusisë: Vlerësohet se 180.000 të burgosur janë rekrutuar për të shërbyer në njësitet speciale të ushtrisë dhe shumë nga ta veçse u janë rikthyer aktiviteteve kriminale.

Në fillim të këtij viti, me rritjen e frikës se shumë nga ish-luftëtarët do të shkonin edhe në BE, Estonia nisi identifikimin e ushtarëve dhe ish-ushtarëve, kryesisht duke përdorur llogaritë në rrjetet sociale dhe nisi të shqiptonte të ashtuquajturin ndalim për hyrje në Shengen për qindra prej tyre. Një ndalesë e tillë, që është e vlefshme për pesë vjet, ia pamundëson çdo shtetasi që vjen nga shtetet që nuk janë në BE që të hyjë në të gjitha vendet e bllokut evropian, përveç Qipros dhe Irlandës si dhe në vendet joanëtare të Zonës Shengen sikurse Islanda, Lihtenshtajni, Norvegjia dhe Zvicra.

Teksa lëshimi ose refuzimi i vizave është kompetencë kombëtare, një qasje më gjithëpërfshirëse e BE-së do të ishte e nevojshme që këto ndalesa të funksiononin. Prandaj, shtetet anëtare të BE-së – si gjatë samitit të liderëve në mars, ashtu edhe tani në qershor – i kanë kërkuar KE-së që të përgatisë vlerësime të ndryshme mbi mënyrat për ta bërë më të lehtë ndalimin e këtyre personave. Javën e kaluar, KE-ja dorëzoi një vlerësim prej tre faqesh, të cilin e ka parë Radio Evropa e Lirë, mbi çështjen e “mënyrave të mundshme për adresimin e çështjes së luftëtarëve rusë”, me qëllim arritjen e një marrëveshjeje për këtë temë – si dhe për sanksionet e tjera – deri në mbledhjen e ministrave të Jashtëm të BE-së më 13 korrik në Bruksel.

Çfarë përmbajnë propozimet?

Propozimi i parë është një përditësim i udhëzimeve të KE-së të vitit 2022 për lëshimin e vizave për personat që aplikojnë nga Rusia. Lëshimi i vizave ka qenë veçse shumë i rreptë që nga pushtimi në shkallë të plotë i Ukrainës nga Rusia në vitin 2022, pasi Brukseli pezulloi marrëveshjen për lehtësimin e vizave me Moskën. Kjo çoi në tarifa më të shtrenjta, kohë më të gjatë pritjeje dhe kërkesa për më shumë dokumentacion.

Megjithatë, kjo ende nuk ka parandaluar ardhjen e shtetasve rusë në numër të madh me viza turistike, shpesh të lëshuara nga shtetet jugore të BE-së që varen nga turizmi.

Ky ndryshim do t’u ofronte shteteve anëtare të BE-së udhëzime shtesë se si t’i vlerësojnë aplikimet nga ish-luftëtarët rusë, duke theksuar veçanërisht se barra e provës duhet të jetë mbi aplikantin dhe jo mbi konsullatën e shtetit anëtar të BE-së që e shqyrton aplikimin.

Kjo do të përfshinte kontrolle për të gjithë meshkujt, që janë në moshë për të shërbyer në ushtri, që aplikojnë për viza, si dhe potencialisht intervista si pjesë e procesit të aplikimit – diçka që deri tani nuk është procedurë standarde.

Një propozim i dytë u jep konsullatave dhe misioneve diplomatike të shteteve anëtare të BE-së në Rusi dhe në vende të tjera jashtë Zonës Shengen të drejtën për të përditësuar listën ekzistuese të dokumenteve të kërkuara për rusët që aplikojnë për viza. Kjo do të nënkuptonte që personat që aplikojnë, si meshkujt në moshë rekrutimi, do të duhet të dorëzonin dokumentet e tyre zyrtare ushtarake të identifikimit, të cilat përmbajnë të dhëna mbi shërbimin e tyre ushtarak.

Një masë tjetër, me efekt afatgjatë, parashikon përditësimin e Kodit të Vizave të BE-së – legjislacionit që rregullon të gjitha llojet e vizave Shengen. Nëse miratohet me shumicë të kualifikuar të shteteve anëtare (55 për qind e 27 vendeve të BE-së, që përfaqësojnë 65 për qind të popullsisë së përgjithshme të BE-së), kjo do t’i mundësonte bllokut të vendosë për pezullim, refuzim ose kufizim të përgjithshëm të aplikimeve për viza të paraqitura nga “shtetas të vendeve të treta që paraqesin rreziqe konkrete për sigurinë, rendin publik ose marrëdhëniet ndërkombëtare të BE-së”, sipas një vlerësimi të KE-së.

Kjo mund të nënkuptojë një ndalim të plotë të lëshimit të vizave për shtetasit rusë, megjithëse një skenar i tillë mbetet pak i mundshëm. Më e mundshme është që Komisioni Evropian të hartojë masa që shënjestrojnë kategori të caktuara, sikurse janë ish-luftëtarët dhe luftëtarët aktualë rusë.

Propozimet për ndryshimin e kornizës ligjore në nivel të Bashkimit Evropian tashmë janë duke u përgatitur dhe mund të paraqiten për miratim në fillim të vitit 2027, shkruan REL. /os/

The post FOKUS – Si po planifikon BE-ja t’ua mbyllë dyert ushtarëve rusë? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 23 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Festivali ndërkombëtar folklorik e kthen Durrësin në pikëtakimi kulturash dhe miqësish

TIRANË, 23 qershor/ATSH/ Festivali ndërkombëtar folklorik i valleve dhe muzikës “Durrës Fest”, organizuar nga World Festival Association (WOFA), ka bashkuar dhjetëra grupe folklorike nga vende të ndryshme të rajonit dhe më gjerë duke krijuar një atmosferë të veçantë artistike në qytetin bregdetar.

Ansamble vallëzimi, kore he orkestra nga vende të ndryshme kanë sjell traditat, kulturën dhe artin e tyre, duke krijuar një atmosferë të veçantë miqësie, bashkëpunimi dhe festimi në Durrës.

Performancat e grupeve nga Ukraina, Turqia, Moldavia, Letonia dhe Mali i Zi, të cilat prezantuan traditat, muzikën dhe vallet karakteristike të vendeve të tyre çelën mbrëmjen e parë të këtij edicioni duke dhuruar emocione te qytetarët dhe e kthyer sheshin “Liria” u kthye në një skenë ndërkombëtare plot energji, talent dhe kulturë.

Me një pjesëmarrje më të madhe ndërkombëtare se vitet e kaluara, “Durrës Fest” po e kthen Durrësin në një pikëtakim kulturash dhe miqësish.

“Durrës Fest” do të vijojë me performanca nga grupe të tjera artistike gjatë muajve në vijim për të sjell një atmosferë festive dhe shumëllojshmëri kulturore në Durrës, duke e bërë qytetin një nga destinacionet kryesore të aktiviteteve artistike gjatë verës.

Aktivitetet do të vijojnë përgjatë sezonit turistik dhe deri në muajin tetor, me dhjetëra shfaqje artistike që do të zhvillohen në sheshin para Bashkisë së Durrësit, duke u ofruar qytetarëve dhe turistëve një program të pasur kulturor.

The post Festivali ndërkombëtar folklorik e kthen Durrësin në pikëtakimi kulturash dhe miqësish appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 20 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Pse macet hanë bar? Ja çfarë thotë shkenca

USA, 20 qershor, ATSH/ Një studim i kryer nga studiues të universitetit amerikan High Point University ka hedhur dritë mbi një sjellje të zakonshme të maceve: ngrënien e barit dhe nxjerrjen përsëri nga stomaku.

Duke analizuar masat bimore të vjella nga macet me mikroskop elektronik, studiuesit zbuluan se qimet e gëlltitura gjatë pastrimit të përditshëm mbeten të “kapura” te trikomet, strukturat mikroskopike me formë gjembash që gjenden në sipërfaqen e disa bimëve.

Sipas kërkuesve, bari vepron si një lloj “kurthi për qimet”, duke i ndihmuar macet të pastrojnë stomakun dhe të eliminojnë grumbullimet e qimeve të gëlltitura gjatë lëpirjes së gëzofit.

Pra, ngrënia e barit nuk është një shenjë sëmundjeje. Përkundrazi, ajo duket të jetë një sjellje instinktive, e zhvilluar gjatë evolucionit, që i ndihmon macet të mbajnë të pastër sistemin e tyre tretës.

 

The post Pse macet hanë bar? Ja çfarë thotë shkenca appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 18 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Sezoni turistik në Pogradec, bashkia: Më shumë hapësira publike për pushuesit

TIRANË, 18 qershor/ATSH/ Bashkia e Pogradecit reagoi sot ndaj pretendimeve se në vijën ranore të liqenit nuk janë lënë hapësira të mjaftueshme për plazhe publike dhe se këto sipërfaqe po u jepen subjekteve private.

Në një postim në rrjetet sociale, bashkia Pogradec thekson se këto pretendime nuk janë të vërteta.

“Nuk është aspak e saktë që hapësirat e plazhit publik janë cunguar apo tjetërsuar për të favorizuar subjektet private. Përkundrazi, Bashkia Pogradec ka punuar vazhdimisht, veçanërisht gjatë katër viteve të fundit, për rritjen e sipërfaqeve publike në dispozicion të qytetarëve dhe pushuesve. Ky nuk është thjesht një deklarim publik, por një fakt i verifikueshëm në terren dhe në dokumentacionin përkatës. Vetëm në segmentin e plazhit ranor nga Hotel Enkelana deri tek banjat publike janë parashikuar gjithsej pesë hapësira publike, të cilat janë të evidentuara në hartën përkatëse”.

“Nga një gjatësi totale prej 185 metrash linearë plazh, (nga lodrat deri tek banjat publike) segmenti ndahet si më poshtë:92.5 metra linearë plazh publik;82.5 metra linearë plazh privat;10 metra linearë hapësirë e dedikuar për varkat me pedalina. Pra, siç tregojnë qartë shifrat, sipërfaqja publike është më e madhe se ajo private, edhe pse bëhet fjalë për një nga zonat më të kërkuara nga operatorët turistikë gjatë sezonit veror”, sqaron bashkia.

Bashkia Pogradec dhe strukturat përgjegjëse për administrimin e plazheve kanë qenë dhe mbeten të gatshme për të asistuar çdo subjekt në procedurat e aplikimit për leje shfrytëzimi, gjithmonë duke respektuar parimin themelor të mbrojtjes së hapësirave publike dhe të interesit të qytetarëve.

Për këtë arsye, Bashkia Pogradec thekson se “deklaratat e nxituara dhe të pabazuara mbi administrimin e plazheve nuk i shërbejnë zhvillimit të turizmit në qytet dhe as interesit të bizneseve që operojnë gjatë sezonit turistik. D️uhet theksuar se përveç hapësirave publike të sipërpërmendura, në pjesën tjetër të plazhit ranor pranë zonës së njohur si “Konti” funksionojnë edhe të paktën 3 plazhe të tjera publike. Po ashtu, plazhi “Uçkave” është tërësisht publik, ndërsa një pjesë e konsiderueshme e vijës ranore në drejtim të Drilonit mbetet e lirë për përdorim nga qytetarët dhe vizitorët”.

Bashkia Pogradec ka qenë ndër bashkitë e para që ka ofruar çadra falas në plazhet publike, ka krijuar infrastrukturë të dedikuar për personat me aftësi të kufizuara dhe ka investuar vazhdimisht për përmirësimin e kushteve të pushimit për të gjithë.

“Raporti mes hapësirave publike dhe atyre private është përmbysur në favor të publikut. Kjo është një arritje konkrete, e cila shihet çdo ditë nga qytetarët dhe mijëra pushues që zgjedhin Pogradecin si destinacionin e tyre turistik”, tha bashkia Pogradec.

/k.s/a.f/

The post Sezoni turistik në Pogradec, bashkia: Më shumë hapësira publike për pushuesit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 17 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BOTËROR2026 – Pushimet për hidratimin e lojtarëve: shëndet për ta apo biznes milionash nga reklamat?

NJU MEKSIKO, 17 qershoor /ATSH/ – Ka një aspekt që në këto ditët e para të Kupës së Botës po shkakton shumë debat në Shtetet e Bashkuara dhe jo vetëm: pushimet e reja të detyrueshme për hidratim (hydration break), të vendosura për herë të parë në këtë edicion të Botërorit, shkruan lfattoquotidiano.it.

Zyrtarisht ato shërbejnë për të mbrojtur shëndetin e lojtarëve, por shumë njerëz kanë vënë në dukje se përfaqësojnë mbi të gjitha një mundësi të madhe tregtare.

Arsyeja?

Zgjasin tre minuta dhe televizionet e shfrytëzojnë këtë kohë për të transmetuar reklama që vlejnë miliona e miliona dollarë.

Michael Johnson, analist i S&P Global, ka deklaruar – siç raporton La Gazzetta dello Sport – se çdo hapësirë reklamuese “mund të arrijë çmime të ngjashme me ato të Super Bowl-it, mes 7 dhe 9 milionë dollarëve”.

Polemika shpërtheu gjatë ndeshjes hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut.

Në minutën e 24-t të lojës, me një temperaturë rreth 23 gradë Celsius në Mexico City (një temperaturë normale për verën meksikane), arbitri ndaloi takimin për t’u dhënë mundësi futbollistëve të pinin ujë.

Një ndërprerje prej tre minutash që, në transmetimet televizive amerikane, u shndërrua menjëherë në një bllok reklamash kushtuar sponsorëve të turneut.

Sipas disa gazetarëve ndërkombëtarë, problemi nuk është vetë ekzistenca e këtyre pushimeve në kushte klimatike ekstreme, por vendimi i FIFA-s për t’i bërë ato të detyrueshme në të gjitha 104 ndeshjet e Kupës së Botës, edhe kur temperaturat nuk janë realisht aq të larta.

Një zgjedhje e paprecedentë që – siç argumenton edhe gazeta The Independent – ndërpret ritmin e lojës dhe u ofron transmetuesve televizivë hapësira të reja reklamuese.

Efekti u ndje menjëherë në stadiumin Azteca. Pas një fillimi intensiv, me ritëm të lartë dhe mjaft argëtues, ndalesa e papritur e theu rrjedhën e ndeshjes.

Tifozët linin vendet e tyre për disa minuta, muzika me volum të lartë ndërpriste atmosferën konkurruese që ishte krijuar deri në atë moment dhe ekranet gjigante shfaqnin përmbajtje argëtuese në pritje të rifillimit të lojës.

Pikërisht për këtë arsye shumë njerëz në botën e futbollit mendojnë se këto pushime kanë kuptim vetëm kur temperaturat janë veçanërisht të larta.

Mes tyre është edhe trajneri i kombëtares së Shteteve të Bashkuara, Mauricio Pochettino, i cili ka deklaruar se i konsideron të panevojshme kur kushtet klimatike janë normale: “Nuk më pëlqejnë. Më pëlqejnë vetëm në kushte ekstreme”.

Në të njëjtën linjë është shprehur edhe trajneri i Francës, Didier Deschamps: “E ndryshon plotësisht futbollin. Ndoshta një skuadër po luan shumë mirë dhe tre minuta mjaftojnë për t’i prishur ritmin”.

Madje ka edhe nga ata që kanë vendosur t’i “bojkotojnë” këto pushime.

Gazetari Alejandro Berry i Telemundo-s (televizion në gjuhën spanjolle në SHBA) iu drejtua shikuesve me këto fjalë: “Ne nuk transmetojmë reklama gjatë pushimit për hidratim. Bashkohuni me ne për të shijuar futbollin pa ndërprerje”.

Edhe Carli Lloyd, ish-kampione e futbollit, nuk i kurseu kritikat: “E urrej”. Natyrisht, i referohej ndërprerjes së lojës.

Sipas analizës së publikuar nga The Independent, pas vendimit të FIFA-s qëndrojnë kryesisht arsye ekonomike.

Këto pushime e shndërrojnë çdo ndeshje në një lloj eventi të ndarë në katër segmente, në stilin e basketbollit, ku mes time-out-eve dhe katër periodave ndërprerjet janë të shumta.

Kjo rrit ndjeshëm numrin e hapësirave reklamuese në dispozicion. Duke pasur parasysh se Botërori 2026 parashikon një numër rekord ndeshjesh, vlera tregtare e këtyre ndërprerjeve mund të arrijë shifra gjigante për transmetuesit dhe sponsorët.

Kjo çështje futet në një debat më të gjerë mbi komercializimin në rritje të futbollit. Kupa e Botës në Amerikën e Veriut është tashmë më fitimprurësja në histori dhe, sipas FIFA-s, pritet të gjenerojë të ardhura mbi 10 miliardë paund. Për këtë arsye debati ka shumë gjasa të vazhdojë edhe pas përfundimit të turneut.

Nëse sistemi i “hydration break” do të konfirmohet edhe në të ardhmen, pushimet për hidratim mund të bëhen një element i përhershëm në ngjarjet më të mëdha ndërkombëtare sportive.

Edhe pse – siç shkruan The Independent – “nuk është e qartë pse dikujt do t’i duheshin tre minuta për të pirë një gllënjkë ujë”.   /os/

The post BOTËROR2026 – Pushimet për hidratimin e lojtarëve: shëndet për ta apo biznes milionash nga reklamat? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 15 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

FOKUS – Tre gjërat që duhet të dini para se të mbushni frigoriferin me suvenirët me magnetë

ROMË, 15 qershor /ATSH/ – Është gjithmonë e njëjta histori: blen një magnet për frigoriferin – ndoshta një suvenir nga një udhëtim, dhe gjithmonë gjendet dikush që thotë se ka dëgjuar se këta magnetë janë të rrezikshëm, sepse mund të dëmtojnë frigoriferin ose të rrisin konsumin e energjisë elektrike, shkruan geopop.it

Dikush madje ka lexuar diku duke shkruar në ekstremitet se mund të shkaktojnë edhe kancer. Le ta sqarojmë menjëherë: asgjë nga këto nuk është e vërtetë.

Fushat magnetike të magnetëve të frigoriferit janë shumë të dobëta dhe shtrihen në një hapësirë shumë të kufizuar për të paraqitur ndonjë rrezik, për sa kohë që përdoren me pak kujdes dhe me disa masa të thjeshta.

Shqetësimi kryesor është se fushat magnetike të magnetëve të frigoriferit mund të ndërhyjnë në sistemin elektrik të frigoriferit, duke shkaktuar dëmtime të parakohshme ose rritje të konsumit të energjisë.

Në fakt, është e vërtetë që fenomenet magnetike ndikojnë shpesh tek ato elektrike dhe anasjelltas. Nuk është rastësi që në fizikë flitet për elektromagnetizëm: këto dy fenomene janë në thelb dy anë të së njëjtës medalje dhe funksionojnë së bashku.

Ky “dialog” midis elektricitetit dhe magnetizmit është baza e funksionimit të shumë pajisjeve, përfshirë ato të përdorimit të përditshëm, si pianurat me induksion apo automjetet elektrike.

Por mendoni pak: mbyllja hermetike e dyerve të frigoriferit funksionon pikërisht falë magnetëve.

Nëse fushat magnetike të kësaj force do të ishin problem për frigoriferin, vetë magnetët e derës do ta dëmtonin atë!

Këshilla për përdorimin e duhur të magnetëve të frigoriferit

Pra, vendosja e disa magnetëve në frigorifer për të kujtuar pushimet në Greqi ose për të mos harruar të blini marule nuk përbën asnjë rrezik as për frigoriferin dhe as për shëndetin tuaj. Megjithatë, është mirë të mbani parasysh disa këshilla të vogla:

Shmangni vendosjen e shumë magnetëve në anët e frigoriferit

Frigoriferët shpërndajnë një pjesë të nxehtësisë që largojnë nga ushqimet edhe përmes mureve anësore. Nëse i mbulojmë këto sipërfaqe me shumë magnetë, mund ta bëjmë më të vështirë shpërndarjen e nxehtësisë së tepërt. Prandaj është më mirë të mos e teproni.

Mos i tërhiqni magnetët me forcë mbi sipërfaqen e frigoriferit

I vetmi dëmtim real që magnetët mund t’i shkaktojnë frigoriferit është gërvishtja e sipërfaqes së jashtme. Kur i hiqni dhe i vendosni sërish (për shembull gjatë pastrimit të shtëpisë) ose kur dëshironi t’i zhvendosni, bëjeni me kujdes dhe pa lëvizje të forta.
Mbani një distancë të arsyeshme nga ekranet

Nëse keni një frigorifer me ekran me prekje (touchscreen), ka shumë mundësi që ai të jetë i mbrojtur nga fushat magnetike (të cilat, siç e përmendëm, janë tashmë të pranishme në sistemin e mbylljes së derës).

Megjithatë, nëse doni të shmangni çdo shqetësim, mund të mbani magnetët në një distancë jo shumë të afërt me ekranin e frigoriferit.  /os/

The post FOKUS – Tre gjërat që duhet të dini para se të mbushni frigoriferin me suvenirët me magnetë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

TURQI – Erdogan: Marrëveshja SHBA-Iran një hap i rëndësishëm drejt paqes rajonale

ANKARA, 15 qershor /ATSH-AA/ – Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan përshëndeti sot marrëveshjen e arritur midis SHBA-së dhe Iranit, duke e përshkruar atë si një hap të rëndësishëm drejt sigurimit të paqes dhe stabilitetit në rajon.

Në një deklaratë të postuar në platformën e mediave sociale amerikane X, Erdogan tha se e shikon pozitivisht marrëveshjen dhe shprehu shpresën se ajo do të ndihmojë në krijimin e një mjedisi të qëndrueshëm paqeje dhe sigurie.

“Unë e mirëpres marrëveshjen e arritur midis SHBA-së dhe Iranit dhe e shoh atë si një zhvillim të rëndësishëm për sigurimin e paqes dhe qetësisë në rajonin tonë”, tha ai. Erdogan tha se shpreson sinqerisht se marrëveshja do të kontribuojë në paqen dhe sigurinë e qëndrueshme në rajon, duke shtuar se zhvillimi ishte ai që bota kishte kohë që i duhej.

Ai gjithashtu u bëri thirrje të gjitha palëve që të shmangin veprimet që mund të dëmtojnë procesin përpara se marrëveshja të nënshkruhet zyrtarisht.

“Dëshiroj të theksoj rëndësinë e përmbajtjes nga retorika, provokimet dhe veprimet që mund të përshkallëzojnë tensionet dhe të qëndrojmë vigjilentë ndaj akteve të mundshme të sabotimit deri në ditën e vendosjes së nënshkrimeve”, tha ai.

Erdogan falënderoi udhëheqjen e SHBA-së dhe Iranit për rolin e tyre në arritjen e marrëveshjes dhe shprehu vlerësim të veçantë për Pakistanin për ato që ai i përshkroi si përpjekjet e tij të jashtëzakonshme ndërmjetësuese. Ai vlerësoi gjithashtu mbështetjen diplomatike të ofruar nga Katari dhe Arabia Saudite.

“Si Turqi, ne do të vazhdojmë të mbështesim të gjitha përpjekjet që synojnë vendosjen e paqes, stabilitetit dhe prosperitetit në rajonin tonë dhe të kontribuojmë në zgjidhje të qëndrueshme të bazuara në diplomaci dhe të drejtën ndërkombëtare”, tha Erdogan.

– Marrëveshja e paqes

Komentet erdhën pasi u njoftua një marrëveshje paqeje me Iranin, të cilën nënpresidenti i SHBA-së, JD Vance e përshkroi si një arritje të madhe për SHBA-në.

Kryeministri pakistanez Shehbaz Sharif njoftoi sot herët se SHBA-ja dhe Irani kanë arritur marrëveshje paqeje pas negociatave intensive, me të dyja palët duke deklaruar një fund të menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin.

“Pas bisedimeve intensive, ne jemi të kënaqur të njoftojmë se Marrëveshja e Paqes ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Republikës Islamike të Iranit është arritur”, tha Sharif në një postim në platformën amerikane të mediave sociale X.

Ai shtoi se “të dyja palët kanë deklaruar përfundimin e menjëhershëm dhe të përhershëm të operacioneve ushtarake në të gjitha frontet, përfshirë edhe Libanin”. Sipas tij, ceremonia zyrtare e nënshkrimit është planifikuar të mbahet më 19 qershor në Zvicër.

Presidenti amerikan Donald Trump njoftoi të dielën se një marrëveshje me Iranin ishte finalizuar dhe tha se ai po autorizonte rihapjen e Ngushticës së Hormuzit dhe heqjen e bllokadës detare amerikane.

“Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit është përfunduar tani. Urime të gjithëve!”, deklaroi Trump në një postim në platformën e tij “Truth Social”.

“Unë autorizoj plotësisht hapjen pa pagesë të Ngushticës së Hormuzit dhe njëkohësisht autorizoj heqjen e menjëhershme të bllokadës detare të SHBA-së”, shtoi ai.  /os/

The post TURQI – Erdogan: Marrëveshja SHBA-Iran një hap i rëndësishëm drejt paqes rajonale appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 13 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Gonxhja: Koncertet e Ylli Limanit e kthyen Tiranën në qendër të eventeve të mëdha muzikore

TIRANË, 13 qershor /ATSH/ Dy netët e koncertit të Yll Limani në Pistën e Atletikës pranë Parkut të Madh të Liqenit kanë mbledhur dhjetëra mijëra të rinj nga Shqipëria, Kosova dhe vendet e rajonit, duke e shndërruar kryeqytetin në një qendër feste, muzike dhe argëtimi.

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, vlerësoi interesimin e lartë të publikut për këtë ngjarje muzikore, duke theksuar se pas shitjes së rreth 30 mijë biletave për të dy koncertet, eventi përbën një nga aktivitetet artistike më të mëdha të organizuara në Tiranë gjatë këtij viti.

Sipas Gonxhes, pjesëmarrja masive e të rinjve nga Shqipëria, Kosova dhe rajoni dëshmon potencialin e Tiranës për të pritur aktivitete me përmasa të mëdha kulturore dhe artistike, të cilat kontribuojnë në promovimin e qytetit dhe zhvillimin e turizmit urban.

Ai theksoi se muzika, rinia dhe atmosfera e sezonit veror po e konsolidojnë gjithnjë e më shumë Tiranën si një destinacion të rëndësishëm për organizimin e eventeve kulturore, artistike dhe argëtuese, me ndikim pozitiv në jetën sociale dhe ekonominë lokale.

Koncertet e Yll Limanit janë shoqëruar me interes të lartë nga publiku, duke sjellë në kryeqytet mijëra vizitorë dhe duke konfirmuar rolin në rritje të Tiranës si një qendër e rëndësishme e aktiviteteve kulturore në rajon.

/gj.m/j.p/

 

The post Gonxhja: Koncertet e Ylli Limanit e kthyen Tiranën në qendër të eventeve të mëdha muzikore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 11 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Forcohet bashkëpunimi mes administratave tatimore të Shqipërisë dhe Kosovës

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve e Shqipërisë dhe Administrata Tatimore e Kosovës (ATK) kanë riafirmuar angazhimin për forcimin e bashkëpunimit strategjik në funksion të modernizimit të administrimit tatimor dhe rritjes së efikasitetit institucional.

Në kuadër të këtij bashkëpunimi, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, zhvilloi një vizitë pune në Prishtinë, ku u prit nga drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, së bashku me stafin drejtues të institucionit.

Gjatë takimit u diskutua mbi një sërë çështjesh me rëndësi strategjike, përfshirë strategjinë e mbledhjes së të ardhurave, komunikimin me tatimpaguesit, procedurat e mbledhjes me forcë, menaxhimin e detyrimeve të papaguara, si dhe praktikat që ndikojnë në rritjen e përmbushjes tatimore dhe efikasitetit administrativ.

Drejtori i përgjithshëm i ATK-së, Mentor Hyseni, vlerësoi bashkëpunimin e deritanishëm ndërmjet dy administratave, duke theksuar se shkëmbimi i përvojave dhe ekspertizës profesionale është thelbësor për adresimin e sfidave të përbashkëta dhe forcimin e kapaciteteve institucionale.

Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj, shprehu gatishmërinë për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit ndërinstitucional, duke nënvizuar rëndësinë e shkëmbimit të praktikave më të mira dhe koordinimit në fusha me interes të përbashkët.

Të dy institucionet riafirmuan përkushtimin për zhvillimin e aktiviteteve të përbashkëta, shkëmbimin e përvojave profesionale dhe mbështetjen e reformave që synojnë rritjen e performancës institucionale, përmirësimin e përputhshmërisë tatimore dhe ofrimin e shërbimeve më cilësore për tatimpaguesit. /j.p/

1 nga 4

The post Forcohet bashkëpunimi mes administratave tatimore të Shqipërisë dhe Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 9 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

BRUKSEL – Mijëra persona protestojnë kundër politikave të reja arsimore

BRUKSEL, 9 maj /ATSH-AA/ – Mijëra studentë dhe aktivistë të arsimit dolën në rrugët e Brukselit për të protestuar kundër reformave dhe shkurtimeve buxhetore që prekin arsimin në gjuhën frënge, ndërsa demonstrata u zgjerua teksa marshuesit lëviznin nëpër qendrën e qytetit.

Protesta nisi në Sheshin Poelaert pranë Pallatit të Drejtësisë, ku fillimisht u mblodhën mes 500 dhe 1.000 pjesëmarrës. Turma u rrit më pas ndërsa protestuesit marshuan drejt Stacionit Qendror të Brukselit përmes rrugës Regentschapsstraat dhe sheshit Koningsplein.

Policia tha se rreth 2.500 persona morën pjesë në demonstratë në kulmin e saj në Sheshin Poelaert.

Pjesëmarrësit shprehën kundërshtimin e tyre ndaj reformave arsimore të prezantuara nga qeveria e Komunitetit Francez dhe dënuan atë që e përshkruan si përdorim joproporcional të dhunës nga policia gjatë protestave të mëparshme.

Demonstrata mbeti kryesisht paqësore gjatë gjithë ditës në Sheshin Poelaert, me përjashtim të përdorimit të fishekzjarreve dhe mjeteve të tjera piroteknike.

Policia, e cila mbajti një distancë të konsiderueshme dhe nuk ndërhyri në asnjë moment gjatë protestës, njoftoi se nuk pati incidente të mëdha.

Më herët gjatë ditës, u raportuan tensione pranë Stacionit Qendror të Brukselit dhe zonës Mont des Arts përpara fillimit të demonstratës, ku disa biçikleta të përbashkëta dhe skuterë elektrikë u dogjën.

Pakënaqësia në sektorin e arsimit frëngjishtfolës mbetet e lartë pavarësisht miratimit të fundit të masave të kontestuara nga Parlamenti i Komunitetit Francez.

Kolektivi arsimor “Sulmet e Marsit” njoftoi planet për të vazhduar mobilizimin, me protesta dhe veprime të planifikuara çdo ditë gjatë dy javëve të ardhshme në qytete të ndryshme të Valonisë.   /os/

The post BRUKSEL – Mijëra persona protestojnë kundër politikave të reja arsimore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 7 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

Dita e tetë e protestës për Zvërnecin në kryeqytet: Shqipëri e re

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Qytetarë, përfaqësues të shoqërisë civile, ambientalistë po zhvillojnë pasditen e së dielës protestën e tetë kundër investimit të propozuar për Zvërnecin në Vlorë.

Marshimi nisi si çdo ditë në sheshin “Skënderbej” për të vijuar më pas marshimin përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” drejt Kryeministrisë.

Edhe sot protestuesit mbajnë në duar parulla ku kërkohet anulimi i projektit, mbrojtja e natyrës si dhe dorëheqjen e kryeministrit Rama.

Me thirrjen “Shqipëria e re” protestuesit dëgjuan përfaqësues të tyre në foltoren e ngritur enkas për protestën.

Një përfaqësues i grupit koordinues të protestws vuri në dukje disa pika që kërkohen për zbatim, të cilat sipas tij janë minimaliste por thelbësore.

Protestuesi renditi kërkesat që kryeministri të mos ketë më shumë se dy mandate, kryeministri dhe ministrat të mos jenë më deputetë dhe kryetarë partish, pasi sipas tij, kreu i kuvendit është kukull dhe kryeministri ushtron të gjitha pushtetet.

Po ashtu, sipas tij, edhe Berisha është opozitë false që i shërben Ramës.

Protestuesit artikuluan edhe pretendime për mungesë vendimesh të drejta nga Drejtësia.

Me thirrjen “Shqipëria e shqiptarëve jo e tradhtarëve” fjalën e mori një përfaqësues nga komuniteti shqiptar në SHBA, i cili tha se pushteti në vitet ’90 u transferua në duart e atyre që e kishin pasur.

Ai i bëri thirrje që Rama dhe Berisha të kërkojnë falje dhe të japin llogari para drejtësisë.

Qytetarët kanë marrë fjalën njëri pas tjetrit pa protokoll po sipas dëshirës për jo më shumë se 3 minuta secili.

“Mos e lëshoni vendin, nuk është emigrimi zgjidhja, askush nuk është i lumtur në emigrim por në vendin e vet”, ishte mesazhi i një emigranteje nga Shkodra drejtuar të rinjve.

Analisti Fatos Lubonja iu drejtua protestuesve duke theksuar se në shesh janë nga shtresa e pozicione të ndryshme po i bashkon parulla “Shqipëria nuk është në shitje”.

“Kjo do të thotë se duam Shqipëri të re, jo të ndërtua nga krimi dhe oligarkët”, tha ai. “Kjo parullë mund të ishte edhe Shqipëria nuk është për t’u grabitur, se na kanë grabitur qytetet, parqet, plazhet. Na thonë se jemi kundër zhvillimit. Ne jemi kundër zhvillimit nga oligarkët për oligarkët”, tha ai.

Të rinj protestues me flamuj kuqezi e maska kanë vendosur në bulevard para Kryeministrisë edhe një gomone me mesazhe.

Një emigrant nga Zvicra bëri thirrje që protestuesit të ligjin besën në 10 qershor si Besëlidhja e Lezhës, pasi këta që janë sot në politikë, sipas tij, e kanë lidhur besën me të keqen.

“Ju nuk doni fjalën politikë në protestë, por gjithë këto rryma që mblidhen këtu duhet të bashkohen e të pastrojnë Shqipërinë”, tha ai.

Dy turistë italianë morën fjalën në protestë të thirrur nga aktivistët për të përcjellë mesazhin që turistët nuk janë trembur nga protestat. “E quajmë të rëndësishme të ngremë zërin për ambientin”, tha një prej tyre.

“Kam parë popull jashtëzakonisht krenar për vendin e tyre. Shqipëria e shqiptarëve”, tha turisti tjetër.

Në një moment ka ndodhur edhe që një fëmijë ka humbur mes turmës ku janë angazhuar të gjithë pjesëmarrësit për ta gjetur.

Fjalimet kanë  vijuar më pas me të rinj që thanë se janë në protestë pasi besojnë se vendin mund ta ndërtojnë vetëm ata dhe se tani është radha e tyre për të luftuar komunizmin.

Ashtu sikundër edhe në ditët e tjera të protestës, fëmijët kanë pasur këndin e tyre të vizatimit, ku kanë shprehur ndjesitë për ruajtjen e natyrës, zogjve dhe kafshëve.

Dita e tetë e protestës për Zvërnecin u mbyll rreth orës 20:00 ku qytetarët u ftuan të marshojnë në bulevard. Grupi koordinues përsëriti thirrjen për protestën e nesërme në orën 18:00 ndërsa u ra dakord për protestë kombëtare më 10 qershor.

 

 

 

The post Dita e tetë e protestës për Zvërnecin në kryeqytet: Shqipëri e re appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Të shtëna me armë në Ohio, 12 të plagosur pranë një festivali

TOLEDO, 7 qershor /ATSH – ANSA/ – Të shtëna me armë zjarri u regjistruan në qytetin e Toledos, në shtetin amerikan të Ohajos, pranë zonës ku po zhvillohej festivali Old West End Festival.

Sipas autoriteteve, disa persona u goditën nga plumbat.

Departamenti i Policisë së Toledos bëri të ditur se është në kërkim të autorit ose autorëve të dyshuar të përfshirë në ngjarje.

Të paktën 12 persona të plagosur janë transportuar në spitalet e zonës për të marrë trajtimin e nevojshëm mjekësor, njoftoi Policia e Toledos në një postim.

. Deri më tani nuk janë bërë publike informacione mbi gjendjen e tyre shëndetësore.

Policia u ka kërkuar qytetarëve të shmangin zonën ndërsa vijojnë hetimet.

I plagosuri më i ri është 14 vjeç, ndërsa më i moshuari 61 vjeç. Shumica e të lënduarve janë pak më shumë se 20 vjeç.

Autoritetet po punojnë mbi pistën se në ngjarje kanë qenë të përfshirë të paktën dy persona të armatosur, të cilët ka shumë të ngjarë të kenë qëlluar ndaj njëri-tjetrit, deklaroi zëvendësshefi i policisë, Joe Heffernan.

Guvernatori republikan i Ohajos, Mike DeWine, reagoi ndaj ngjarjes duke e cilësuar atë një krim të pakuptimtë.

“Festivalet verore duhet të jenë vende të sigurta ku familjet mund të kalojnë kohë së bashku pa frikën e dhunës”, shkroi ai në një postim në rrjetin social X. /os/

The post SHBA – Të shtëna me armë në Ohio, 12 të plagosur pranë një festivali appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Received — 6 June 2026 Agjencia Telegrafike Shqiptare

ROMË – OKB: Uria po përkeqësohet në pikat më të nxehta të botës

ROMË, 6 qershor /ATSH/ – Programi Botëror i Ushqimit dhe Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë paralajmërojnë se uria po përkeqësohet në disa nga rajonet më të prekura të botës, ndërsa konfliktet, krizat ekonomike dhe kushtet ekstreme klimatike vazhdojnë të rëndojnë situatën, sipas AP.

Sipas raportit të tyre më të fundit, zonat me rrezikun më të lartë përfshijnë pjesë të Sudan, Palestinës, Sudanin e Jugut, Haitin dhe Mali, ku miliona njerëz përballen me mungesa të rënda ushqimore.

Në Sudan, luftimet e vazhdueshme kanë shkaktuar zhvendosje masive të popullsisë dhe vështirësi të mëdha në shpërndarjen e ndihmave humanitare.

Agjencitë e OKB-së paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet edhe më tej në muajt e ardhshëm.

Raporti thekson gjithashtu se konfliktet në Lindjen e Mesme, përfshirë pasojat e luftës në Gaza, kanë rritur ndjeshëm pasigurinë ushqimore dhe varësinë nga ndihmat ndërkombëtare.

Ndërkohë, vende si Afganistani dhe Somalia vazhdojnë të përballen me kombinimin e varfërisë së thellë, thatësirave dhe mungesës së financimeve humanitare, duke vënë në rrezik miliona banorë.

OKB-ja u bën thirrje donatorëve ndërkombëtarë të rrisin urgjentisht mbështetjen financiare për programet e ndihmës, duke paralajmëruar se pa veprim të shpejtë, numri i njerëzve të përballur me uri akute mund të rritet ndjeshëm gjatë këtij viti. /Ad.Ab./

The post ROMË – OKB: Uria po përkeqësohet në pikat më të nxehta të botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

NORMANDI – Hegseth u kërkon vendeve evropiane më shumë vendosmëri ndaj emigracionit

NORMANDI, 6 qershor /ATSH- DPA/ -Sekretari amerikan i Shtetit, Pete Hegseth i bëri thirrje vendeve evropiane të marrin masa më të forta kundër emigracionit të paligjshëm, gjatë ceremonive për 82-vjetorin e zbarkimit aleat në Normandi, duke e krahasuar situatën aktuale me një “pushtim” të brigjeve evropiane.

Duke folur në varrezat ushtarake amerikane në Colleville-sur-Mer, sekretari i Mbrojtjes deklaroi se sot “plazhe të ndryshme europiane po sulmohen nga ideologji të rrezikshme”, duke iu referuar mbërritjes së emigrantëve me anije në vende si Spanja, Italia, Greqia dhe Bullgaria.

Hegseth pyeti se kur kryeqytetet europiane do të veprojnë ndaj asaj që ai e quajti “pushtim”, duke përsëritur argumentet e administratës së presidentit Donald Trump se emigracioni masiv përbën kërcënim për qytetërimin evropian.

Ai u kërkoi gjithashtu aleatëve evropianë të shtojnë kontributin e tyre në mbrojtje, duke theksuar se siguria dhe paqja mund të garantohen vetëm përmes forcës ushtarake dhe bashkëpunimit të ngushtë transatlantik.

“Amerika do të udhëheqë, por aleatët tanë duhet të jenë krah për krah me ne kur ka rëndësi”, tha Hegseth, duke nënvizuar se aleancat duhet të bazohen në veprime konkrete dhe sakrifica të përbashkëta, jo vetëm në deklarata politike.

Zbarkimi në  Normandi më 6 qershor 1944 ishte operacioni më i madh amfib në histori.

Mbi 132 mijë ushtarë aleatë nga SHBA-ja, Britania, Kanadaja dhe vende të tjera zbarkuan në brigjet franceze, duke i hapur rrugën çlirimit të Evropës Perëndimore nga Gjermania naziste. /Ad Ab./

The post NORMANDI – Hegseth u kërkon vendeve evropiane më shumë vendosmëri ndaj emigracionit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MJEKËSI – Nikotina promovohet si ndihmë për trurin, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet

LONDËR, 6 qershor /ATSH/ – Një valë e re influencuesish të shëndetit, përfshirë Dave Asprey, po e promovojnë nikotinën si një substancë me përfitime të mëdha për trurin dhe jetëgjatësinë, sipas Reuters.

Ata pretendojnë se nikotina mund të përmirësojë funksionin njohës, madje edhe të ndihmojë në kthimin mbrapsht të sëmundjeve si Alzheimeri.

Në rrjetet sociale, nikotina po paraqitet si një produkt “natyral”, duke u krahasuar me produkte të tjera alternative që shpesh kundërshtojnë mjekësinë tradicionale.

Figura publike si Jillian Michaels dhe Tucker Carlson kanë ndikuar në përhapjen e këtyre ideve.

Michaels ka deklaruar se përdor doza të ulëta nikotine për përqendrim dhe për mbrojtje të mundshme ndaj sëmundjeve neurodegjenerative, ndërsa Carlson i ka quajtur produktet me nikotinë si mjete që rrisin produktivitetin dhe energjinë. Këto deklarata kanë ndihmuar që nikotina të shihet nga disa si një suplement i dobishëm.

Megjithatë, ekspertët e shëndetit paralajmërojnë se këto pretendime janë të ekzagjeruara.

Studiues si Jeremiah Mock theksojnë se nikotina është një substancë aktive biologjikisht dhe mund të jetë e dëmshme. Ajo rrit tensionin e gjakut, ndikon në sistemin kardiovaskular dhe krijon varësi të fortë.

Paraqitja e saj si e padëmshme ose “shëruese” nuk përputhet me provat shkencore.

Disa influencues mbështeten në studime shkencore, si ato të Paul Newhouse, të cilat tregojnë se nikotina mund të përmirësojë përqendrimin në disa raste të veçanta, si tek personat me dëmtime të lehta njohëse.

Por edhe vetë studiuesit theksojnë se këto efekte janë të kufizuara dhe nuk justifikojnë pretendimet për parandalim apo trajtim të Alzheimerit ose Parkinsonit.

Ekspertë të tjerë si Jonathan Foulds dhe Adam Leventhal shpjegojnë se efekti i nikotinës është i përkohshëm. Ajo mund të rrisë vigjilencën në situata monotone, por nuk të bën më inteligjent apo më krijues. Me kalimin e kohës, trupi krijon tolerancë dhe rreziku i varësisë rritet. /Ad.Ab./

 

The post MJEKËSI – Nikotina promovohet si ndihmë për trurin, ekspertët paralajmërojnë për rreziqet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌