Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

OSLO – Princesha e Kurorës e Norvegjisë kërkon falje për “miqësinë” me Epsteinin

6 February 2026 at 22:53

OSLO, 6 shkurt /ATSH-AA/ – Princesha e Kurorës e Norvegjisë, Mette-Marit, ka kërkuar falje për “miqësinë” e saj të mëparshme me shkelësin seksual të dënuar Jeffrey Epstein, pasi dosjet e çështjes të publikuara së fundmi zbuluan kontakte të shumta mes tyre.

“Dëshiroj të ofroj një falje të thellë për miqësinë time me Jeffrey Epstein. Është e rëndësishme për mua t’u kërkoj falje të gjithëve juve që ju kam zhgënjyer”, tha ajo në një deklaratë me shkrim të lëshuar nga Shtëpia Mbretërore.

“Disa nga përmbajtjet e mesazheve mes Epsteinit dhe meje nuk përfaqësojnë personin që dua të jem”, shtoi princesha e kurorës.

Shtëpia Mbretërore tha se Mette-Marit “dënon fuqishëm” abuzimet dhe veprimet kriminale të Epsteinit dhe shprehet “thellësisht e penduar” që nuk e kuptoi më herët se çfarë lloj personi ishte ai.

“Ajo gjithashtu dëshiron të flasë për atë që ndodhi dhe të shpjegohet më plotësisht. Ajo nuk është në gjendje ta bëjë këtë në këtë moment”, thuhet më tej.

“Princesha e Kurorës ndodhet në një situatë shumë të vështirë. Ajo shpreson për mirëkuptim se i duhet kohë për t’u mbledhur dhe reflektuar”, shtoi deklarata.

Të martën, transmetuesi publik norvegjez NRK raportoi se email-et e publikuara tregojnë se princesha e kurorës ishte ftuar të paktën dy herë për të vizituar ishullin privat të Epsteinit, megjithëse nuk ka prova që konfirmojnë se ajo ka qëndruar ndonjëherë atje.

Email-et treguan gjithashtu se Mette-Marit kishte vizituar vilën e Epsteinit në Florida dhe se të dy kishin shkëmbyer ftesa për vakte, duke sugjeruar kontakte të përsëritura.

Së fundmi, Departamenti Amerikan i Drejtësisë publikoi më shumë se 3 milionë faqe, 2 mijë video dhe 180 mijë imazhe të lidhura me Epsteinin, në kuadër të Aktit për Transparencën e Dosjeve Epstein, të nënshkruar në ligj nga presidenti amerikan, Donald Trump në nëntor.

Materialet përfshijnë fotografi, transkripte të jurisë së madhe dhe dosje hetimore, megjithëse shumë faqe mbeten të redaktuara rëndë.   /os/

The post OSLO – Princesha e Kurorës e Norvegjisë kërkon falje për “miqësinë” me Epsteinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit

6 February 2026 at 22:46

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Këshilli i Lartë Gjyqësor (KLGJ) reagoi lidhur me debatin për pagat e gjyqtarëve, duke shprehur shqetësimin për rritjen e presionit ndaj gjyqtarëve dhe sistemit gjyqësor.

KLGJ përmes një deklarate u shpreh se mirëkupton qëndrimet dhe opinionet kritike të shprehura nga funksionarë publikë apo subjekte private, e në veçanti nga media e shkruar dhe ajo audiovizive, të cilat kontribuojnë në rritjen e transparencës dhe efektivitetit të sistemit gjyqësor.

“Por kohët e fundit, me shqetësim konstatohet një “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit, e cila ka një tendencë rritëse, si dhe shfaqja e disa qëndrimeve apo deklaratave me ndikim të dukshëm në informimin e opinionit publik, të cilat, përveçse shkelin të drejtat njerëzore të gjyqtarëve për shkak të ushtrimit të detyrës, rrezikojnë seriozisht edhe kryerjen e funksioneve ligjore nga ana e tyre”, njoftoi KLGJ.

Këshilli i Lartë Gjyqësor “rithekson se qëndrime të tilla cenojnë figurën dhe dinjitetin e gjyqtarëve, si dhe minojnë pavarësinë e pushtetit gjyqësor. Këshilli i Lartë Gjyqësor, në respekt të detyrës së tij kushtetuese, është në mbrojtje të integritetit të gjyqtarëve dhe të sistemit gjyqësor dhe u bën thirrje që të shmangen deklarata të tilla, të cilat tentojnë të ndikojnë mbi sistemin gjyqësor”.

Në deklaratë theksohet se, në një shoqëri demokratike, “gjyqtarët janë garantues të barazisë së palëve përpara ligjit” dhe për këtë arsye “ushtrimi i funksionit të tyre duhet të jetë i pavarur dhe i çliruar nga çdo formë ndikimi, duke iu nënshtruar vetëm Kushtetutës dhe ligjeve”.

KLGJ sjell gjithashtu në vëmendjen e opinionit publik se respekton “misionin e pazëvendësueshëm të medias për informimin e publikut”, por njëkohësisht pret që media “të respektojë dinjitetin e gjykatës dhe të gjyqtarit, duke mos përcjellë informacion që përmban gjuhë apo imazhe fyese”.

Gjithashtu Këshilli u bën thirrje të gjithë subjekteve publike dhe private të respektojnë pavarësinë e gjyqësorit si një nga themelet e shtetit të së drejtës.

“E vetmja rrugë për të kundërshtuar një vendim gjyqësor është përmes mjeteve procedurale të parashikuara nga ligji, duke u ankuar në një gjykatë më të lartë. Po ashtu, çdo ankesë apo pretendim në lidhje me sjelljen apo integritetin e një gjyqtari duhet të drejtohet pranë institucioneve përkatëse”, nënvizoi KLGJ.

/m.q/j.p/

The post Debati për pagat, KLGJ: Konstatohet “trysni” ndaj gjyqtarëve dhe gjyqësorit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Franca, vendi i parë në BE që hap konsullatë në Groenlandë

6 February 2026 at 22:46

PARIS, 6 shkurt /ATSH-DPA/- Franca njoftoi sot se është vendi i parë në Bashkimin Evropian që ka hapur një konsullatë në Groenlandë.

“Jean-Noël Poirier, konsulli i përgjithshëm francez në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, filloi sot detyrën e tij. Ai do të jetë përgjegjës, ndër të tjera, për forcimin e lidhjeve politike me vendimmarrësit vendas”, tha Ministria e Jashtme Franceze, në një postim në X.

Presidenti francez, Emmanuel Macron njoftoi planet për konsullatën në Nuuk, qershorin e kaluar, pasi presidenti i SHBA-së, Donald Trump tha se donte të merrte kontrollin e Groenlandës, një territor gjysmë-autonom i Danimarkës.

Konflikti mbi ishullin Arktik u përshkallëzua kohët e fundit kur Trump kërcënoi se do ta aneksonte atë, duke mos përjashtuar përdorimin e forcës ushtarake.

Në një takim në Davos të Zvicrës muajin e kaluar, Trump tërhoqi kërcënimet e tij për të përdorur forcën ushtarake dhe gjithashtu hoqi tarifat ndëshkuese kundër disa vendeve evropiane që kishin kundërshtuar përpjekjet e tij për të blerë Groenlandën.

Danimarka dhe SHBA-ja po përpiqen të gjejnë një zgjidhje përmes bisedimeve. //a.i/

The post FOKUS – Franca, vendi i parë në BE që hap konsullatë në Groenlandë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MOSKE – Gjendet i vdekur ish-zv/ministri i Drejtësisë

6 February 2026 at 22:42

MOSKE, 6 shkurt /ATSH-AA/ – Trupi i ish-zv/ministrit rus të Drejtësisë, Sergei Tropin, u gjet në një apartament në pjesën perëndimore të Moskës, pa shenja dhune, njoftuan shërbimet e emergjencës.

Sipas agjencisë shtetërore ruse të lajmeve Tass, zyrtarët e emergjencës thanë se trupi i Tropinit u zbulua në banjën e apartamentit.

“Nuk ka shenja të krimit. Shkaku i vdekjes po përcaktohet”, tha një burim për agjencinë Tass.

Tropin shërbeu si zv/ministër i Drejtësisë i Rusisë gjatë viteve 1996-1997.   /os/

The post MOSKE – Gjendet i vdekur ish-zv/ministri i Drejtësisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën, mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për Ballukun

6 February 2026 at 22:30

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Gjykata Kushtetuese, pas 11 orësh mbledhje, nuk arriti të merrte sot një vendim për çështjen e pezullimit të zëvendëskryeministres, njëherazi ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, Belinda Balluku, duke përfunduar në votim 4 me 4, i cili rrëzon ankimimin e Kryeministrit.

Qeveria kërkonte shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për pezullimin nga detyra të Ballukut si dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjes së kompetencës së krijuar ndërmjet Kryeministrit dhe Këshillit të Ministrave nga njëra anë dhe GJKKO-së nga ana tjetër.

Gjykata Kushtetuese vlerësoi njëzëri se “imuniteti i ministrit rregullohet nga neni 103, pika 3 i Kushtetutës në lidhje me nenet 73, pika 1 dhe 2. Në regjimin kushtetues të imunitetit të ministrit, ashtu sikurse të deputetit, nuk përfshihet garancia e parashikuar në nenin 242, paragrafi 2 i Kodit të Procedurës Penale, sipas të cilit masa e pezullimit të ushtrimit të një detyre a shërbimi publik nuk zbatohet ndaj personave të zgjedhur sipas ligjit elektoral”.

Pas diskutimeve, gjyqtarët u ndanë në dy qëndrime. Sipas njërit qëndrim, “masa e pezullimit nga detyra, për nga shkalla dhe intensiteti i saj, prek funksionin kushtetues politik të ministrit” dhe për këtë arsye “edhe për këtë masë kërkohet autorizimi paraprak i Kuvendit”, me qëllim mbrojtjen e funksionimit të pushtetit ekzekutiv.

Ndërsa sipas qëndrimit tjetër, Gjykata vlerëson se “regjimi i imuniteteve duhet interpretuar në mënyrë të ngushtë, në përputhje me vullnetin e kushtetutëbërësit për zvogëlimin e imunitetit”, duke theksuar se Kushtetuta nuk parashikon shprehimisht autorizim parlamentar për masën e pezullimit nga detyra.

Sipas njërit qëndrim, qëllimi kryesor i imunitetit është mbrojtja e vetë Kuvendit dhe në veçanti funksionimi i duhur i tij. Në këtë kuptim, marrja e autorizimit nga Kuvendi për zbatimin e masave që kufizojnë paraprakisht lirinë e deputetit synon të mbrojë veprimtarinë e vetë Kuvendit. Kjo do të thotë se edhe neni 103, pika 3 i Kushtetutës, duke parashikuar se anëtarët e Këshillit të Ministrave gëzojnë imunitetin e deputetit synon mbrojtjen dhe funksionimin e organit ekzekutiv, pjesë e të cilit është edhe ministri.

Duke iu referuar masës së pezullimit të ushtrimit te detyrës apo shërbimit publik vlerësohet se për nga shkalla dhe intensiteti i saj ajo prek funksionin kushtetues politik të ministrit. Prandaj në balancimin e parimit kushtetues të efektivitetit të ndjekjes penale dhe atij të funksionimit të pushtetit ekzekutiv në kuptim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve sipas nenit 7 të Kushtetutës edhe për këtë masë kërkohet dhënia e autorizimit paraprak nga Kuvendi.

Sipas qëndrimit tjetër, ngjashëm me standardin e interpretimit të pranuar nga Gjykata në rastin e regjimit të imuniteteve, i cili duhet të jetë i ngushtë/i kufizuar, bazuar në vullnetin e kushtetutëbërësit në reformën e vitit 2012 për zvogëlimin e imunitetit, Kushtetuta në formën e saj aktuale ka parashikuar autorizimin paraprak të Kuvendit për masat procedurale penale.

“Në këndvështrim të parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, çështja e shtimit ose ndryshimit të mekanizmave balancues, ku përfshihen edhe garanci të tilla, i përket vlerësimit të ligjvënësit kushtetues”, argumentoi Gjykata Kushtetuese.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi rrëzimin e kërkesës së Kryeministrit dhe heqjen e masës së pezullimit nga detyra, të caktuar me vendimin e Mbledhjes së Gjyqtarëve të datës 12 dhjetor 2025. Për rrjedhojë rikthehet në fuqi masa e pezullimit nga detyra për zëvendëskryeministren, njerazi ministre e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Ballukun.

Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi me botimin në Fletoren Zyrtare.

Gjykata bëri të ditur se vendimi i arsyetuar do të shpallet brenda afateve ligjore, në përputhje me ligjin “Për organizimin dhe funksionimin e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë”.

/m.q/j.p/

The post Gjykata Kushtetuese nuk arrin shumicën, mbetet në fuqi vendimi i GJKKO për Ballukun appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro” në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore

6 February 2026 at 22:03

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Shqipëria parakaloi mbrëmjen e sotme në ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026, ku përfaqësohet me katër sportistë në disiplinat e skive, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti.

Kryeministri Edi Rama ndau pamje nga parakalimi i sportistëve shqiptarë dhe të valëvitjes së flamurit kuqezi, ndërsa iu uroi suksese skiatorëve.

“Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro”, në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore, Milano Cortina 2026”, shkruan Rama.

Ceremonia kryesore hapëse u zhvillua në stadiumin legjendar “San Siro” në Milano, ndërsa dy ceremoni të tjera paralele u mbajtën në zona të ndryshme, për shkak të shpërndarjes së sportistëve sipas garave.

Në Cortina d’Ampezzo, flamurin kuqezi e ka mbajtur skiatorja italo-shqiptare Lara Colturi, e cila ka udhëhequr delegacionin shqiptar në këtë qytet simbol të sporteve dimërore. Ndërkohë, në Livigno, flamurin e Shqipërisë e ka mbajtur skiatori Denni Xhepa, duke përfaqësuar vendin në ceremoninë e zhvilluar aty.

Shqipëria merr pjesë në këtë edicion të Olimpiadës Dimërore me katër skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Denni Xhepa dhe Semire Dauti, të cilët do të kërkojnë medaljen e parë historike për vendin tonë në një Olimpiadë Dimërore.

/m.q/j.p/

The post Flamuri kuqezi valëvitet në “San Siro” në hapjen e Lojërave Olimpike Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MILANO 2026 – Nisin zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore

6 February 2026 at 21:30

MILANO, 6 shkurt /ATSH/- Në stadiumin legjendar në San Siro në Milano – ka nisur ceremeonia kryesore e hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore “Milano-Cortina 2026”, duke shënuar hapjen zyrtare të eventit madhështor sportiv, sipas CNN.

Ceremonia e hapjes për Lojërat Olimpike Milano-Cortina 2026 filloi me një homazh për historinë e pasur italiane të artit, muzikës dhe modës. Mariah Carey performoi “Volare”, nje këngë italiane e vitit 1985.

Spektakli u shoqërua me performanca artistike dhe muzikore, ku spikatën emra të njohur si Mariah Carey dhe Laura Pausini, ndërsa u bë një homazh për disa italiane në muzikë, modë dhe kulturë.

Ceremony përfshiu mbi 1 250 performues vullnetarë, 1 400 kostume të mbajtur, paralelisht në Milano dhe Cortina d’Ampezzo, duke sjellë një atmosferë unike për publikun mbarëbotëror.

Delegacionet e gjuhës angleze parakaluan me flamujt e tyre, ndërsa Shqipëria u sipërfaqesua me katër skiatorë: Lara Colturi, Deni Xhepa, Lisa Brunga dhe Semire Dauti, të cilët parakaluan në Cortina d’Ampezzo.

Ndërsa Kosova u përfaqësua nga dy skiatorë, Kiana kryeziu dhe Drin Kokaj.

Ndërkohë, disa disiplina sportive kanë nisur garat që përpara ceremonisë, përfshirë curling, patinazhin artistik, hockey dhe snowboard.

Atletët e njohur si Lindsey Vonn, Jordan Stolz dhe Nick Baumgartner janë në qendër të lojërave, me pritshmëri të lartë për medalje.

Në ceremoninë e hapjes ishin të pranishem zëvendëspresidenti i SHBA-së, JD Vance dhe sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio. //a.i/

The post MILANO 2026 – Nisin zyrtarisht Lojërat Olimpike Dimërore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 6 February 2026Agjencia Telegrafike Shqiptare

MOSKË – Peskov: Nuk ka bisedime në SHBA për luftën në Ukrainë

6 February 2026 at 21:45

MOSKË, 6 shkurt /ATSH-ANSA/  – Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, tha se presidenti Putin nuk kishte planifikuar bisedime në Shtetet e Bashkuara mbi konfliktin ruso-ukrainas.

“Jo, nuk mendoj kështu. Ky opsion nuk është diskutuar”, u tha Peskov gazetarëve kur u pyet nëse bisedimet mund të mbahen në Shtetet e Bashkuara.

Dje, pesidenti ukrainas Volodymyr Zelensky tha se ‘’bisedimet e ardhshme ndoshta do të zhvillohen në Shtetet e Bashkuara”.  /os/

 

The post MOSKË – Peskov: Nuk ka bisedime në SHBA për luftën në Ukrainë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Rubio bën thirrje për përfshirjen e Kinës në bisedimet e ardhshme bërthamore

6 February 2026 at 22:16

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH-DPA/- Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, duke i bërë jehonë deklaratës së presidentit të SHBA-së Donald Trump, hodhi poshtë versionin e ri të traktatit të fundit të çarmatimit bërthamor midis Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

“New Start” nuk i shërben më qëllimit të tij”, shkroi ai në X.

Në vend të kësaj, ai po këmbëngul në një marrëveshje që përfshin edhe Kinën, të cilën Trump e kishte mbështetur më parë në një intervistë në janar me “New York Times”.

“Një epokë e re kërkon një qasje të re”, tha Rubio në një postim.

Qeveria ruse shprehu së fundmi keqardhje për përfundimin e traktatit dhe mirëkuptim për qëndrimin e Pekinit për të mos marrë pjesë në negociatat e mundshme në të ardhmen.

“Arsenali bërthamor i Kinës nuk përputhet me potencialin e atij të Rusisë ose Shteteve të Bashkuara të Amerikës”, tha Kremlini.

Traktati i mëparshëm “New Start” u ra dakord midis SHBA-së dhe Rusisë në vitin 2010 dhe përfundoi dje zyrtarisht.

Marrëveshja kufizoi numrin e kokave bërthamore strategjike në 1,550 për secilën palë dhe numrin e lëshuesve operacionalë në 700.

Rubio argumentoi se Kina e kishte zgjeruar me shpejtësi arsenalin e saj që kur hyri në fuqi traktati “New Start”.

“Që nga viti 2020, Kina ka rritur rezervat e saj të armëve bërthamore nga vetëm 200 në më shumë se 600 dhe është në rrugën e duhur për të pasur më shumë se 1,000 koka bërthamore deri në vitin 2030”, shkroi ai.

“Një traktat për armët bërthamore pa përfshirjen e Kinës padyshim që, do t’i bënte Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe aleatët e tyre më pak të sigurt”, tha Rubio.

Rubio gjithashtu uli pritshmëritë për një marrëveshje të re. “Marrëveshjet e mëparshme u paraprinë nga shumë vite negociatash, edhe pse vetëm dy fuqi të mëdha ishin të përfshira”, tha ai. //a.i/

The post SHBA – Rubio bën thirrje për përfshirjen e Kinës në bisedimet e ardhshme bërthamore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Begaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore: Moment krenarie për vendin

6 February 2026 at 21:33

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Presidenti Bajram Begaj mori pjesë sot krahas udhëheqësve botërorë në pritjen dhe ceremoninë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano-Cortina 2026.

“I nderuar që së bashku me miq te mirë u mikpritëm nga Presidenti i Republikës Italiane, Sergio Mattarella në ceremonitë zyrtare të hapjes së Lojërave Olimpike Dimërore Milano- Cortina 2026”, shkroi Begaj në rrjetet sociale.

Sipas Kreut të Shtetit ky është një moment krenarie dhe përfaqësimi dinjitoz për vendin tonë.

Shqipëria përfaqësohet në Lojërat Olimpike Dimërore me katër skiatorë, Lara Colturi, Lisa Brunga, Semire Dauti dhe Denni Xhepa. Begaj u uroi suksese sportistëve që si u shpreh ai “të na bëjnë krenarë me paraqitjen dhe shpirtin e tyre garues”.

“Forca Shqipëri!”, shkroi Begaj.

Sot nisën Lojërat Olimpike Dimërore Milano-Kortina 2026 të cilat do të mbahen deri më datën 22 shkurt.

1 nga 4

/m.q/j.p/

The post Begaj në ceremoninë hapëse të Lojërave Olimpike Dimërore: Moment krenarie për vendin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – Lituania: BE duhet ta ndihmojë Moldavinë t’i rezistojë kërcënimeve hibride të Moskës

6 February 2026 at 21:11

KISHINAU, 6 shkurt /ATSH-ANSA/  – Ne të gjithë e shohim se Kremlini synon të minojë aspiratat evropiane të popullit moldav dhe të dobësojë mbështetjen publike për procesin e integrimit të vendit në BE,  theksoi ministri i Jashtëm lituanez Kestutis Budrys gjatë një takimi dypalësh me presidenten moldave Maia Sandu.

‘’Nuk mund të lejojmë që narrativat e Kremlinit të mbizotërojnë”, shtoi ai.

“BE duhet të bashkojë forcat dhe të ndihmojë Moldavinë të zbatojë të gjitha reformat e nevojshme strukturore dhe të parandalojë ndikimin rus”, shtoi Budrys, duke theksuar nevojën për një angazhim më të madh evropian për të rritur qëndrueshmërinë e Moldavisë ndaj kërcënimeve hibride të Moskës.   /os/

The post FOKUS – Lituania: BE duhet ta ndihmojë Moldavinë t’i rezistojë kërcënimeve hibride të Moskës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Bardhi: Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar

6 February 2026 at 20:44

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Deputetë të Partisë Demokratike, që po zhvillojnë një vizitë në Kongresin Amerikan, kanë zhvilluar një sërë takimesh me kongresmenë amerikanë.

Kryetari i grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, bëri të ditur se gjatë takimit me kongresmenin Clay Higgins, anëtar i lartë i Komitetit të Mbikëqyrjes dhe Reformës së Qeverisjes në Dhomën e Përfaqësuesve dhe kryetar i Nënkomitetit për Zbatimin e Ligjit Federal, u diskutua situata e luftës kundër krimit të organizuar në Shqipëri.

Bardhi nënvizoi se Shqipëria ka dështuar në mënyrë të përsëritur për të luftuar këtë fenomen, duke krijuar hapësira për bashkëpunim mes institucioneve dhe krimit të organizuar.

“Sistemi i drejtësisë dhe agjencitë ligjzbatuese duhet të sigurojnë pavarësinë dhe të bashkëpunojnë ngushtë me partnerët me qëllim luftën me efikasitet ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit”, theksoi Bardhi.

The post Bardhi: Shqipëria duhet të forcojë luftën ndaj krimit të organizuar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RIGË – Estonia ndalon hyrjen në zonën Shengen të mbi 1 000 ushtarëve të tjerë rusë

6 February 2026 at 20:39

RIGË, 6 shkurt /ATSH/- Këtë javë, Estonia ndaloi hyrjen në zonën Shengen të 1 073 luftëtarëve të tjerë që luftuan për Rusinë në luftën e saj kundër Ukrainës, sipas “ERR.ee”.

“Agresioni i vazhdueshëm i Rusisë kundër Ukrainës është një nga krimet më të rënda kundër njerëzimit”, tha ministri i Brendshëm Estonez Igor Taro.

“Ushtarët rusë që luftuan dhe vazhdojnë të luftojnë në Ukrainë kanë vrarë, shkatërruar, përdhunuar dhe plaçkitur. Mbyllja e hapësirës së përbashkët evropiane të sigurisë dhe e zonës Shengen për ta është në interes të sigurisë së të gjithëve”, shtoi Taro.

“Bazuar në luftërat e mëparshme të nisura nga Rusia, për shembull në Afganistan ose Çeçeni, ne e dimë se njerëzit që kthehen nga vija e frontit, fillojnë të kërkojnë mundësi të reja që përfshijnë dhunë dhe krim të organizuar”, shtoi ministri.

“Bashkimi Evropian ka vendosur sanksione politike dhe ekonomike kundër Rusisë si një shtet agresor. Megjithatë, kjo nuk është vetëm lufta e Kremlinit, pasi qindra mijëra qytetarë rusë kanë luftuar dhe po luftojnë kundër Ukrainës. Kjo luftë agresioni duhet të ketë një çmim për të gjithë ata”, tha Taro.

“Mbyllja e zonës Shengen për ta është një pjesë e këtij çmimi. Nuk mund të ndodhë që një ditë të vrisni njerëz dhe ditën tjetër të relaksoheni në Evropën e civilizuar”, tha ministri estonez.

Në qershor 2025, ministrat nga shtatë vende të Evropës Veriore, përfshirë Estoninë, kërkuan ndalimin e vizave në zonën Shengen për anëtarët e Forcave të Armatosura Ruse dhe grupeve të tjera të armatosura, të cilët kanë marrë pjesë në luftën kundër Ukrainës.

Çështja u diskutua gjithashtu në takimet pasuese, përfshirë në një samit informal të BE-së të mbajtur muajin e kaluar, në Qipro.

Për të zgjeruar rrethin e pjesëmarrësve që mbështesin iniciativën, ministri i Brendshëm Igor Taro po zhvillon takime dypalëshe me homologët e tij nga anëtarët e tjerë të BE-së dhe zonës Shengen.

Vlerësohet se deri në 1,5 milion qytetarë rusë kanë marrë pjesë në luftën e agresionit të Rusisë, nga të cilët afërsisht 640 000 janë ende në vijën e frontit. //a.i/

The post RIGË – Estonia ndalon hyrjen në zonën Shengen të mbi 1 000 ushtarëve të tjerë rusë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gogu: Kushtetuesja nuk mund të kthehet në komision pagash

6 February 2026 at 20:37

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Ministri i Shtetit, Toni Gogu ka komentuar debatin mes qeverisë dhe shoqatave të gjyqtarëve e prokurorëve për çështjen e pagave, duke theksuar se qeveria nuk synon ulje pagash dhe se thelbi i konfliktit lidhet me kompetencat kushtetuese për piramidën e pagave.

“Në asnjë rast qeveria shqiptare nuk synon uljen e pagave të gjyqtarëve. Asnjë rast. Është e kundërta”, u shpreh Gogu gjatë një interviste televizive.

Sipas tij, ajo që po kërkohet është që Gjykata Kushtetuese të vendosë për pagat, gjë që sipas ministrit do të ishte devijim i rolit të saj.

“Gjyqtarët po kërkojnë që Gjykata Kushtetuese të kthehet në një komision pagash, t’i marrë kompetencën Kuvendit për të caktuar pagat dhe piramidën e pagave”, deklaroi ai.

Gogu e vendosi debatin në kornizën e integrimit europian, duke thënë se eficienca, vonesat dhe transparenca në emërime janë pjesë e kritereve që monitorohen.

“Ky debat lidhet me integrimin europian. Komisioni Evropian ngre çështje për vonesat në gjykata, për emërimet e transferimet… dhe pavarësia nuk do të thotë të mos japësh llogari”, tha ministri.

Ai insistoi se pagat janë kompetencë e pushtetit ligjvënës dhe se skema aktuale garanton indeksim automatik.

“Pagën e cakton Parlamenti i Shqipërisë… dhe paga e gjyqtarëve është e lidhur me majën e piramidës së pagave, pagën e Presidentit. Sa herë indeksohet ajo, indeksohen automatikisht edhe pagat e gjyqtarëve”, u shpreh Gogu.

Sipas tij, debati duhet të fokusohet te standardet e llogaridhënies dhe funksionimit, jo te “pazari i pagave”.

“Nuk duhet ta zbresim në pazar pagash. Është çështje shteti, hierarkie dhe kushtetute”, tha Gogu.

/m.q/j.p/

The post Gogu: Kushtetuesja nuk mund të kthehet në komision pagash appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MADRID – Stuhia godet Spanjën jugore, mijëra të evakuuar dhe ndërprerje të transportit

6 February 2026 at 20:27

MADRID, 6 shkurt /ATSH-AA/ – Rreth 7.500 njerëz janë detyruar të evakuojnë shtëpitë e tyre në rajonin jugor të Andaluzisë në Spanjë, pasi ditë të tëra reshjesh të rrëmbyeshme shkaktuan përmbytje të gjera, me autoritetet që paralajmërojnë se situata mund të përkeqësohet ndërsa afrohet një tjetër stuhi e fuqishme.

Një lum atmosferik ka përmbytur rajonin ditët e fundit, duke përkeqësuar ndikimin e disa stuhive që kanë goditur tashmë Spanjën jugore gjatë javëve të fundit. Ndërsa reshjet u pakësuan pak të premten, meteorologët paralajmëruan se një sistem i ri stuhish parashikohet të mbërrijë të shtunën.

Lumenjtë dhe rezervuarët në të gjithë Andaluzinë mbeten në nivele të rrezikshme, duke shkaktuar evakuime të vazhdueshme në zona të shumta.

“Toka nuk mund ta thithë më ujin. Po e nxjerr në mënyrë efektive shiun. Shtratët e lumenjve janë në kapacitet dhe rezervuarët janë në nivelet e tyre maksimale të sigurisë”, tha të premten presidenti rajonal i Andaluzisë, Juan Manuel Moreno, për transmetuesin spanjoll RNE.

Një nga situatat më kritike është përgjatë lumit Guadalquivir në qytetin e Kordobës, ku autoritetet kanë evakuuar rreth 700 familje në periferi të qytetit, veçanërisht pranë aeroportit, i cili është mbyllur deri në njoftim të mëtejshëm.

Në të gjithë rajonin, transporti është ndërprerë rëndë, me të gjitha trenat e operuara nga operatori kombëtar Renfe të anuluara të premten dhe 84 autostrada të bllokuara.

Një situatë tjetër e rrezikshme ndodhi në qytetin piktoresk malor të Grazalemës. Të gjithë 1.500 banorët u evakuan të enjten pasi banorët raportuan tinguj të fortë kërcitjeje gjatë gjithë natës.

Moreno tha se banorët nuk ka gjasa të kthehen në shtëpi për të paktën gjashtë ditë.

Diku tjetër, lumenj të tillë si Guadalete tashmë kanë dalë nga shtrati, duke përmbytur qytetet e afërta, përfshirë Arcos de la Frontera, ku rreth 800 njerëz u evakuuan.  /os/

The post MADRID – Stuhia godet Spanjën jugore, mijëra të evakuuar dhe ndërprerje të transportit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Balla uron Agim Ademin për rizgjedhjen në krye të FFK-së

6 February 2026 at 19:21

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, së bashku me zëvendëspresidentin e UEFA-s dhe Presidentin e Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, i kanë shprehur urimet Presidentit Agim Ademi për rizgjedhjen në krye të Federatës së Futbollit të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Balla vlerësoi arritjet e deritanishme të futbollit kosovar në arenën ndërkombëtare, duke theksuar se këto rezultate përbëjnë një promovim të shkëlqyer të shtetit të Kosovës. Ai nënvizoi se drejtimi i mençur dhe vizionar i Presidentit Agim Ademi ka qenë një faktor kyç në këto suksese.

Gjithashtu, kryetari i grupit parlamentar të PS shprehu kënaqësinë për rritjen e bashkëpunimit mes Federatës Shqiptare të Futbollit dhe Federatës së Futbollit të Kosovës, duke e konsideruar këtë bashkëpunim si një vlerë të shtuar për zhvillimin e futbollit në të dy vendet.

Në përfundim, Balla u shpreh optimist se do të ishte një arritje historike që Shqipëria dhe Kosova të mbyllin me sukses fundin e muajit mars dhe të sigurojnë kualifikimin në Kampionatin Botëror.

The post Balla uron Agim Ademin për rizgjedhjen në krye të FFK-së appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Drejt përfundimit kopshti i ri në Farkë të Madhe

6 February 2026 at 19:11

TIRANË, 6 shkurt/ATSH/ Në lagjet dhe njësitë administrative të Tiranës vijon të ketë kërkesë për kopshte dhe çerdhe të reja ndërkohë që edhe mjediset ekzistuese janë përmirësuar dhe pajisur me mjete bashkëkohore.

Kështu, në Farkë të Madhe në Tiranë janë drejt përfundimit punimet për ndërtimin e kopshtit të ri.

Kryeministri Edi Rama përcolli në rrjetet sociale pamje nga mjediset e reja që do të mbushen së shpejti me fëmijë.

Kopshti i ri në Farkë të Madhe do të plotësojë kërkesat e komunitetit që janë në rritje.

Rritja e popullsisë në kryeqytet ka shtuar nevojën për mjedise të reja për fëmijët, ndërsa sipas bashkisë së Tiranës janë 109 çerdhe dhe kopshte të reja të hapura në këto 9 vite.

Përveç rritjes së buxhetit të dedikuar vit pas viti, bashkia e Tiranës do të vijojë hapjen e institucioneve të reja arsimore, duke marrë edhe hapësira me qira në ato zona ku nuk ka hapësira publike për t’i shërbyer komunitetit.

Kështu, pritet të plotësohen nevojat sidomos në lagjet e reja në kryeqytet.

The post Drejt përfundimit kopshti i ri në Farkë të Madhe appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FOKUS – SHBA njofton sanksione të reja mbi naftën e Iranit

6 February 2026 at 19:01

UASHINGTON, 6 shkurt /ATSH-ANSA/  – Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan sanksione të reja kundër naftës së Iranit dhe flotës së saj ‘’hije” ditën e bisedimeve në Oman.

“Departamenti i Shtetit po sanksionon 15 subjekte, dy individë dhe 14 anije nga flota në hije e përfshirë në tregtinë e paligjshme të naftës, produkteve të naftës dhe petrokimikateve iraniane”, tha zëdhënësi në një deklaratë.

Negociatorët iranianë dhe amerikanë po sot u kthyen në vendet e tyre të origjinës për konsultime, pas bisedimeve në Muscat të ndërmjetësuara nga Omani, raportoi sot media shtetërore iraniane.

“Ishte një fillim i mirë”, tha ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi për televizionin shtetëror. “Ne jemi në procesin e ndërtimit të besimit”, shtoi ai.

Kur u pyet nëse dhe kur do të vazhdonin bisedimet, Araghchi nuk dha një përgjigje.

Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme Esmail Baghaei shkroi në X se vendimi për raundet e mëtejshme të negociatave do të merrej në konsultim me kryeqytetet përkatëse.   /os/

 

The post FOKUS – SHBA njofton sanksione të reja mbi naftën e Iranit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia

6 February 2026 at 18:47

PRISHTINË, 6 shkurt/ATSH/ Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës e Kosovës ka kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare, pasi Serbia arrestoi një veteran të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës një ditë më parë, nën pretendimet për krime kundër popullatës civile.

MPJD tha më 6 janar se ka pranuar informacione për arrestimin e shtetasit të Kosovës, Mitehat Llozhani me të hyrë në Serbi nga pika kufitare e Batrovcit në kufi me Kroacinë.

Kjo ministri tha se Zyra Ndërlidhëse e Kosovës i ka dorëzuar kërkesë zyrtare Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë duke i kërkuar konfirmimin e arrestimit, sqarimin e arsyeve të ndalimit dhe informacione të tjera të rëndësishme për rastin.

“Po ashtu, Zyra Ndërlidhëse e Republikës së Kosovës në Serbi ka njoftuar për rastin delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, si dhe ka dërguar nota verbale pranë misioneve diplomatike të vendeve të QUINT-it të akredituara në Serbi, me qëllim sigurimin e angazhimit të partnerëve ndërkombëtarë në mbrojtje të të drejtave dhe sigurisë së shtetasit të Republikës së Kosovës”, tha MPJD.

MPJD tha po ashtu theksoi se shefi i Zyrës Ndërlidhëse të Kosovës në Serbi, Jetish Jashari, është në kontakt me familjen e të arrestuarit dhe do të paraqesë kërkesë zyrtare për ta vizituar atë.

Autoritetet në Serbi mbrëmjen e 5 shkurtit konfirmuan arrestimin e veteranit të UÇK-së dhe thanë se është dërguar në ndalim prej 48 orësh.

Sipas Serbisë, ai dyshohet se ka kryer trajnime si pjesëtar i UÇK-së i Zonës Operative të Dukagjinit më 1998 dhe 1999 “pas së cilave ka marrë pjesë në sulme terroriste kundër anëtarëve të MPB-së serbe dhe ushtrisë jugosllave”. Në njoftim thuhet po ashtu se “si anëtar i grupit të komanduar nga Ramush Haradinaj, ai ka marrë pjesë në rrëmbim dhe masakrim të policëve”.

Por, nga Organizata e Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës thanë për Radion Evropa e Lirë se i arrestuari ka marrë pjesë në disa stërvitje në Shqipëri, por nuk ka informacione të ketë qenë në vijat e frontit në Kosovë.

Nënkryetari i kësaj organizate të veteranëve, Gazmend Syla, tha për Radion Evropa e Lirë se Llozhanit iu gjet kartela e veteranit në xhep gjatë kontrollit nga autoritetet serbe.

Serbia ka arrestuar vazhdimisht shtetas të Kosovës nën pretendime për krime lufte në Kosovë më 1998-’99, dhe vetëm në vitin 2025 u regjistruan disa arrestime të tilla.

Serbia gjatë viteve ’90 e karakterizoi UÇK-në si organizatë terroriste, ndërsa për Kosovën, UÇK-ja është organizata që mbrojti popullsinë lokale nga represioni i forcave të armatosura jugosllave. /rel/

The post Kosova kërkon angazhim ndërkombëtar pas arrestimit të veteranit të UÇK-së nga Serbia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Predikonte mësime fetare në shkollë, largohet nga puna mësuesi në shkollën “Gustav Mayer”

6 February 2026 at 18:42

TIRANË, 6 shkurt /ATSh/ Një mësues i gjuhës angleze në shkollën 9-vjeçare “Gustav Mayer” në Tiranë, është pushuar nga puna, pas publikimit në medie se predikonte tek fëmijët fenë e Jehovait.

Përmes një reagimi zyrtar, Drejtoria Rajonale e Arsimit Parauniversitar në Tiranës bëri të ditur se mësuesi Dritan Zaimi, që prej datës 3 shkurt nuk ka zhvilluar mësim në shkollë.

“Në vijim të ankesës së paraqitur nga dy prindër më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës 9-vjeçare “Gustav Mayer” ka kryer menjëherë verifikimet përkatëse, në bashkëpunim me shërbimin psikosocial të institucionit. Në kuadër të këtij procesi, drejtoria dhe shërbimi psikosocial kanë hyrë në orën e mësimit të zhvilluar nga mësuesi dhe kanë administruar materialet përkatëse të përdorura gjatë procesit mësimor”, njoftoi DRAP

Bazuar në gjetjet e verifikimit, sipas DARP ndaj mësuesit Dritan Zaimi janë ndjekur procedurat ligjore dhe institucionale në fuqi.

“Konkretisht: Më datë 02.02.2026, Drejtoria e shkollës i ka përcjellë rastin Komisionit të Etikës i cili u mblodh në të njëjtën datë. Komisioni i Etikës ka referuar çështjen për shqyrtim në Komisionin e Disiplinës. Më datë 03.02.2026, Komisioni i Disiplinës u mblodh dhe, me votim të fshehtë, vendosi me 7 vota pro masën disiplinore “largim nga puna””, njoftoi DRAP.

DRAP njoftoi më tej se në zbatim të legjislacionit në fuqi, përfshirë Kodin e Punës të Republikës së Shqipërisë, “Për sistemin arsimor parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, rregulloren për funksionimin e institucioneve arsimore parauniversitare dhe Kodin e Etikës së Mësuesit, Drejtoria e shkollës ka nisur procedurën për zgjidhjen e njëanshme të kontratës së punës.

Gjithashtu në respektim të afateve dhe të drejtës për t’u dëgjuar, mësuesi është njoftuar për t’u paraqitur më datë 9 shkurt, me qëllim parashtrimin e qëndrimit të tij lidhur me vendimin e marrë.

Institucionet arsimore nënvizoi DRAP mbeten të angazhuara për respektimin e standardeve profesionale, etikës dhe sigurisë së nxënësve, duke vepruar në përputhje të plotë me ligjin dhe procedurat përkatëse. /j.p/

The post Predikonte mësime fetare në shkollë, largohet nga puna mësuesi në shkollën “Gustav Mayer” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌