Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 26 December 2025FaxWeb

Si e mori Ramë Geci tenderin 12 milionë Euro/ Balluku, “kurban” i pazareve të kryeministrit me oligarkët?

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:51

Dosja e SPAK për korrupsionin me tenderat e rrugëve të Shqipërisë tregon se dora e madhe që ndan paratë publike si plaçkë lufte për oligarkët është Edi Rama dhe se Belinda Balluku bashkë me drejtorët e saj janë thjeshtë zbatues të skemës së përvetësimit të pasurisë së shqiptarëve.

Zyra e kreut të qeverisë është vendi ndahen paratë përmes pasurive publike.

Po le të ndalemi në një episod konkret që ekspozon gjithçka më sipër.

Në 24 gusht 2021, zv/kryeministrja Belinda Balluku i shkruan kreut të ARRSH-së asokohe se i kishte kërkuar kryeministri Edi Rama që të takonte oligarkun Ramë Geci, i cili kërkonte tenderin me vlerë 12 milionë euro me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës loti 3”.

Ervis Berberi i përgjigjet se e kishte takuar atë ditë Ramë Geci kryeministrin. Këtë informacion ish kreu i ARRSH e kishte marrë nga vetë Geci, pasi të dy kishin bërë një xhiro në kantierin e Unazës së Madhe.

Çfarë ndodh më tej?

Tre javë pas këtyre bisedave dhe takimeve, në 16 shtator 2021, ARRSH njoftonte procedurën e prokurimit me objekt “Ndërtim rruga Porto Romano Durrës, Loti 3 (vazhdimi)”. Në 16 nëntor 2021, ARRSH-ja shpall fituese të tenderit kompaninë “Geci shpk”, me pronar Ramë Gecin.

“Oferta fituese” e Gecit ishte thuajse sa fondi limit dhe meqënëse fituesi ishte caktuar në tavolinë u skualifikuan ofertat e tjera më të ulëta.

Provat dhe faktet tregojnë se Balluku nuk është truri dhe as dora e madhe, por instrument zbatimi. Megjithatë, SPAK kërkon heqjen e imunitetit të saj.

Ndërkohë oligarkët përfitues, të cilët kanë kërkuar dhe marrë favore të paligjshme në zyrën e Edi Ramës, ende nuk janë marrë nën përgjegjësi penale.

LEXO EDHEEMRAT/ SPAK, “vizitë” tek dy biznesmenët e njohur

Inteligjenca Artificiale “pasuron” miliarderët/ Fitime kolosale për bosët e teknologjisë në SHBA

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:45

Një bum i fortë i tregut të aksioneve në sektorin e inteligjencës artificiale (AI) u ka shtuar më shumë se gjysmë trilioni dollarë pasurisë së miliarderëve amerikanë të teknologjisë gjatë vitit 2025, sipas të dhënave të publikuara nga Bloomberg.

Dhjetë drejtuesit dhe themeluesit kryesorë të disa prej kompanive më të mëdha teknologjike në botë kanë rritur pasurinë e tyre të përbashkët në rreth 2.5 trilionë dollarë, nga 1.9 trilionë dollarë një vit më parë.

Në krye të listës qëndron Elon Musk, njeriu më i pasur në botë, i cili ka përfituar ndjeshëm nga rritja e investimeve në inteligjencën artificiale. Pasuria e tij neto është rritur me gati 50%, duke arritur në 645 miliardë dollarë. Musk, i cili zotëron interesa edhe në kompaninë e AI-së xAI, u bë në tetor personi i parë në botë me një pasuri mbi 500 miliardë dollarë.

Ai renditet përpara bashkëthemeluesit të Google, Larry Page, dhe themeluesit të Amazon, Jeff Bezos. Pasuria e Page vlerësohet rreth 270 miliardë dollarë, ndërsa ajo e Bezos rreth 255 miliardë dollarë.

Një tjetër përfitues i madh nga bum-i i AI-së ishte Jensen Huang, drejtori ekzekutiv i prodhuesit të çipave Nvidia. Pasuria e tij u rrit me 41.8 miliardë dollarë, duke arritur në 159 miliardë dollarë. Nvidia, e cila prodhon çipa kyç për zhvillimin e inteligjencës artificiale, u bë në tetor kompania e parë në botë me vlerë tregu 5 trilionë dollarë.

Rritja e shpejtë e investimeve në AI ka nxitur gjithashtu shqetësime për një korrigjim të mundshëm të tregjeve financiare. Banka e Anglisë ka paralajmëruar se tregjet e aksioneve, veçanërisht ato të teknologjisë, janë të ekspozuara ndaj rrezikut nëse pritshmëritë për ndikimin e AI-së rezultojnë më pak optimiste.

Edhe pse sektori i teknologjisë dominon listën e përfituesve, rritje të ndjeshme të pasurisë kanë shënuar edhe figura të tjera të njohura globale. Bernard Arnault, drejtuesi i gjigantit të luksit LVMH, ka shtuar 28.5 miliardë dollarë në pasurinë e tij, ndërsa Amancio Ortega, themeluesi i Inditex dhe pronari i Zara-s, ka përfituar 34.3 miliardë dollarë, falë dividentëve rekord të grupit.

Përqendrimi gjithnjë e më i madh i pasurisë në duart e një elite shumë të vogël po rikthen në qendër të debatit çështjen e pabarazisë ekonomike dhe taksimit të pasurisë, ndërsa inteligjenca artificiale vijon të transformojë tregjet globale.

Paralajmërimi i FMN: Bankat po fryjnë ‘flluskën’ e pasurive të paluajtshme në Shqipëri

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:29

Fondi Monetar Ndërkombëtar thotë se bankat në Shqipëri po japin gjithnjë e më shumë kredi, sidomos për blerje apartamentesh dhe ndërtime, dhe kjo po krijon rrezik që tregu të “nxehet” më shumë seç duhet.

Sipas FMN-së, në vitet 2023 dhe 2024 kreditë janë rritur me ritme të larta ku pjesa më e madhe ka shkuar për pasuri të paluajtshme. Kjo ndihmon ekonominë për momentin, sepse ka më shumë ndërtim dhe qarkullim parash, por nëse vazhdon me këtë ritëm, mund të krijohen probleme.

FMN vëren se bankat aktualisht janë në gjendje të mirë financiare. Ato kanë fitime të larta dhe kapital të mjaftueshëm për të përballuar vështirësi të mundshme. Megjithatë, kjo nuk do të thotë se rreziqet nuk ekzistojnë.

Sipas FMN-së, Banka e Shqipërisë reagon vonë ndaj problemeve financiare, sepse pret që kriza të duket qartë, si për shembull kur shtohen kreditë e këqija ose bankat fillojnë të kenë humbje. Në këto raste, ndihma ose masat mbrojtëse vijnë me vonesë.

Për këtë arsye, FMN këshillon që Banka e Shqipërisë të veprojë më herët dhe të marrë masa parandaluese, para se problemet të bëhen serioze.

Një nga këto masa është që bankat të mbajnë më shumë para rezervë.

Shqipëria ka nisur ta zbatojë këtë qasje në vitin 2025, duke vendosur që bankat të mbajnë një rezervë shtesë: 0.25 për qind nga qershori dhe 0.5 për qind nga dhjetori.

FMN thekson se rritja e shpejtë e kredive, e shtyrë kryesisht nga ndërtimi dhe turizmi, tregon se ekonomia po hyn në një fazë ku rreziqet po shtohen. Nëse situata nuk monitorohet me kujdes, kjo mund të sjellë pasoja për bankat dhe për qytetarët.

Sipas vlerësimeve të FMN-së, do të ishte më e sigurt që bankat të kenë një rezervë mbrojtëse edhe më të lartë, në mënyrë që sistemi financiar të jetë më i qëndrueshëm në rast goditjesh të brendshme apo të jashtme.

EMRAT/ SPAK, “vizitë” tek dy biznesmenët e njohur

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:22

Prokuroria e Posaçme (SPAK) vijon hetimet lidhur me dosjen “Balluku”, ndërsa orët e fundit ka “vizituar” edhe disa biznese, në pronësi të disa prej oligarkëve më të njohur në vend.

Pjesë e kontrolleve mësohet se ka qenë biznesmeni Rrok Gjoka, fitues i disa projekteve infrastrukturore në vend.

Kontrollet janë kryer me vendim të Gjykatës së Posaçme, me qëllim sigurimin e provave që mund t’i shërbejnë hetimit.

Kontrolleve nuk i ka shpëtuar as Bashkim Ulaj, shpeshherë i përmendur si biznemes i afërt me kreun e Opozitës, Sali Berisha dhe që lidhet me koncesionin e dyshimtë Thumanë–Kashar, i fituar për më shumë se 245 milionë eurosh nga Ulaj.

Përmes këtij koncesioni 35-vjeçar kompania private pritet të mbulojë si kostot e ndërtimit dhe mirëmbajtjes dhe të fitojë mbi 1 miliardë euro, nga tarifa që u mbledh qytetarëve.

Mirëmbajtja dhe gjithçka tjetër është nën përgjegjësinë e koncensionarit, i cili këtë rrugë duhet ta dorëzojë të padëmtuar në fund të kontratës koncesionare.

Thumanë-Kashar është aksi i dytë në vend pas rrugës së Kombit, ku kalimi është me pagesë, tarifë që mblidhet nga “Gener 2” e cila ndryshon për mjetet e tonazhit të rëndë dhe të transportit publik.

Për kalimin e të gjithë autostradës 21 km, kamionët paguajnë 8.80 euro ndërsa autobusët 6.30 euro.

Të gjitha tarifat do të përllogariten çdo vit, madje kompania private mund ti rrisë ato në varësi të luhatjeve të kursit të këmbimit lekë euro. Koncesionari planifikon të mbledhë mbi 1.3 miliardë euro si të ardhura bazë nga taksa e automjeteve.

Gjatë kontrolleve janë sekuestruar dokumente dhe pajisje kompjuterike, të cilat do t’i nënshtrohen ekspertimit nga organet e drejtësisë.

Pas skandalit të AKSHI-t/ DW: Çfarë po ndodh me e-Albania?

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:08

Pas skandalit të AKSHI-t platforma e-Albania është bllokuar dhe qytetarët nuk mund të kryejnë asnjë shërbim.

Prej disa ditësh platforma e-Albania po përballet me një bllokim teknik serioz, që ka sjellë pasoja për të gjithë: qytetarë brenda dhe jashtë Shqipërisë, por edhe biznese.

Në sistem nuk shfaqen data të lira për rezervime, për shërbime si aplikime për pasaportë, shërbime konsullore, dhe procedura të lidhura me Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB), si regjistrime, ndryshime të të dhënave apo dokumente zyrtare për kompani.

Zinxhir konfuzioni

Bllokimi i platformës e-Albania ka krijuar një zinxhir konfuzioni. Konsullatat thonë se aplikimet për ripërtëritjen e pasaportave bëhen vetëm përmes e-Albania, rrugë tjetër nuk ka.

Platforma e-Albania deklaron se oraret janë të mbushura ose sistemi është i bllokuar dhe i referon qytetarët te Ministria e Jashtme. Nga ana tjetër Ministria e Jashtme në Tiranë u kërkon qytetarëve të presin një “moment të dytë”, pa një afat konkret.

Ndërkohë vetë konsullatat kanë pranuar se sistemi është i ngrirë për shkak të një defekti teknik të paparashikuar, i cili nuk dihet sa zgjat.

I gjithë shteti online i bllokuar

Problemi kryesor nuk është vetëm defekti teknik, por mungesa e një plani alternativ: kur platforma e vetme bie, i gjithë shteti online bllokohet.

Rezultati: qytetarë që s’mund të rinovojnë dokumentet, dhe biznese që nuk kryejnë dot procedura ligjore bazë, me pasoja reale financiare dhe administrative.

Moment delikat

Ky bllokim vjen në një moment delikat për sistemet digjitale shtetërore, pas incidenteve të mëparshme që kanë goditur infrastrukturën e Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI), e cila administron platformat kryesore elektronike të shtetit, raste që kanë qenë objekt verifikimi edhe nga SPAK-u. /DW

Japonia shpenzon një rekord prej 58 miliardë dollarësh për armë mes tensioneve në rritje me Pekinin

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:01

Qeveria e Japonisë miratoi të premten një plan rekord buxhetor për mbrojtjen prej më shumë se 9 trilionë jenësh (58 miliardë dollarë) për vitin e ardhshëm, që synon forcimin e fuqisë së saj parandaluese kundër Kinës, si dhe kundërsulmet dhe aftësitë mbrojtëse bregdetare përmes raketave kruiz dhe sistemeve të armëve pa pilot.

Projektbuxheti për vitin fiskal 2026, i cili fillon në prill, është 9.4% më i lartë se viti 2025 dhe shënon vitin e katërt të planit pesëvjeçar të Japonisë për të dyfishuar shpenzimet e mbrojtjes në 2% të PBB-së.

Rritja vjen në një kohë tensionesh të larta me Kinën. Kryeministri japonez Sanae Takaichi tha në nëntor se forcat e armatosura të Japonisë mund të përfshihen nëse Kina ndërmerr veprime kundër Tajvanit, ishullit të vetëqeverisur që Pekini e konsideron një pjesë integrale të territorit të tij. Nën presionin e Shteteve të Bashkuara për të rritur shpenzimet ushtarake, qeveria Takaichi është zotuar të përmbushë objektivin prej 2% deri në mars, dy vjet më herët se sa ishte planifikuar fillimisht. Në të njëjtën kohë, Japonia planifikon të rishikojë strategjinë e saj të sigurisë dhe mbrojtjes deri në dhjetor 2026, duke synuar forcimin e mëtejshëm të forcave të armatosura.

Raketa dhe dronë në mbrojtje të ishujve jugperëndimorë
Japonia po i forcon vazhdimisht aftësitë e saj ofensive me raketa me rreze të gjatë veprimi të afta për të goditur objektivat e armikut nga një distancë – një shmangie e rëndësishme nga parimi i pasluftës që e kufizonte përdorimin e forcës vetëm për vetëmbrojtje.

Strategjia aktuale e sigurisë, e miratuar në vitin 2022, e karakterizon Kinën si sfidën më të madhe strategjike për vendin dhe parashikon një rol më aktiv për Forcat Japoneze të Vetëmbrojtjes brenda kornizës së aleancës me SHBA-në.

Plani i ri i buxhetit ndan më shumë se 970 miliardë jen (6.2 miliardë dollarë) për të forcuar aftësitë e raketave me rreze të gjatë veprimi . Kjo përfshin një blerje prej 177 miliardë jenësh (1.13 miliardë dollarë) të raketave tokë-anije të tipit 12 të zhvilluara dhe të përmirësuara në vend me një rreze veprimi prej rreth 1,000 kilometrash.

Tensionet me Kinën po përshkallëzohen
Njoftimi i buxhetit vjen në një kohë të përshkallëzimit të konfrontimit me Kinën, pas deklaratës së Takaichi në nëntor se ushtria japoneze mund të përfshihet në çdo veprim të mundshëm kinez kundër Tajvanit.

Tensionet arritën kulmin këtë muaj kur stërvitjet e transportuesve të avionëve kinezë pranë Japonisë jugperëndimore shkaktuan një protestë zyrtare nga Tokio pasi avionët luftarakë kinezë “vunë në dukje” avionët japonezë me radar – një veprim i parë si një përgatitje e mundshme për një lëshim rakete. Departamenti i Mbrojtjes, tashmë i shqetësuar për zgjerimin e shpejtë të aktivitetit ushtarak kinez në Paqësor, do të krijojë një zyrë të re të dedikuar për studimin e operacioneve, pajisjeve dhe nevojave të tjera për të adresuar praninë kineze në rajon.

E rëndë në Koplik! Ra në kontakt me energjinë teksa vendoste panele diellore, humb jetën 27-vjeçari

By: Fax Web
26 December 2025 at 15:00

Ngjarje e rëndë në Koplik.

Informacion paraprak

Rreth orës 11:40, në qytetin e Koplikut, shtetasi E. K., 27 vjeç, dyshohet se duke punuar në një magazinë për të vendosur disa panele diellore, ka rënë në kontakt me energjinë elektrike dhe si pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes.

Sllagjan Trajkoviç dënohet me dhjetë vjet burgim për krime lufte në Vushtrri

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:57

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar Sllagjan Trajkoviqin me dhjetë vjet burgim për krime lufte në komunën e Vushtrrisë. Trajkoviq u dënua vetëm për një pikë të aktakuzës dhe për tri të tjera, trupi gjykues tha se nuk është vërtetuar se ai ka kryer ato veprime, raporton Betimi për Drejtësi.

Sipas vendimit, Trajkoviqit do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim. Prokuroria Speciale ka mirëpritur shqiptimin e aktgjykimit dënues ndaj Trajkoviqit, duke shtuar se mbetet e përkushtuar të ndjekë penalisht krimet e luftës në Kosovë, “me qëllim sigurimin e drejtësisë për viktimat dhe vendosjen e përgjegjësisë penale për kryerësit, në përputhje me standardet ndërkombëtare”. Aktakuza ndaj tij u ngrit më 12 korrik 2023 nga Prokuroria Speciale, pasi ai ishte arrestuar më 15 dhjetor të vitit 2022. Pas arrestimit, zyrtarët në Serbi kishin deklaruar se Trajkoviq ishte ish-pjesëtar i Policisë së Kosovës.
Krimet për të cilat Trajkoviq u akuzua, sipas Prokurorisë Speciale, u kryen më 1998-99 në fshatin Reznik të Vushtrrisë dhe në fshatrat përreth të kësaj komune. Sipas aktakuzës, Trajkoviq ka qenë pjesëtar i forcave policore dhe ushtarake serbe dhe “ka kontribuar në vrasje, bastisje, rrahje, maltretimit, arrestimit, torturë, trajtim në mënyrë mizore dhe çnjerëzore, mbajtja në kushte skllavërie, dëbimin të mijëra civileve shqiptarë si dhe masat e plaçkitjes, djegies dhe shkatërrimit të shtëpive të popullsisë civile të nacionalitetit shqiptar”.

 

Në vitet e fundit, Kosova e ka rritur numrin e aktakuzave në mungesë për krime lufte gjatë luftës së fundit, por edhe të shqiptimit të aktgjykimeve. Në gusht të këtij viti, Prokuroria Speciale ka dorëzuar në gjykatë një aktakuzë në mungesë kundër 21 të dyshuarve për dëbimin me forcë të më shumë se 800 mijë civilëve shqiptarë nga Kosova gjatë luftës. Gjatë luftës në Kosovë, nga viti 1998 deri në 1999, u vranë mbi 13.000 civilë, ndërsa mijëra të tjerë u zhdukën. Afër 1.600 persona vazhdojnë të jenë të zhdukur dhe pjesa më e madhe e tyre janë shqiptarë. Që nga përfundimi i luftës, dhjetëra persona janë dënuar për krime lufte para institucioneve vendore dhe ndërkombëtare.

“Kontrabandë mallrash”, “Moskallëzim krimi” dhe “Shpërdorim detyre”, e pësojnë 8 persona të shpallur në kërkim

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:55

Tetë persona të  shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale janë arrestuar në Kapshticë.

Në kuadër të kontrolleve dhe intervistimeve të thelluara nga shërbimet e Policisë Kufitare, në hyrje të Republikës së Shqipërisë, në PKK Kapshticë, u ndaluan shtetasit në kërkim:

E. Rr., 26 vjeç, banues në Elbasan, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan e ka dënuar me 9 muaj burgim, nga të cilat i kanë mbetur për të vuajtur edhe 2 muaj e 11 ditë, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”;

E. E., 33 vjeç, banues në Pogradec, pasi Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë ka caktuar ndaj tij masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”.

 

Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve të imtësishme, të kryera në bazë të analizës së riskut ndaj shtetasve dhe mjeteve me të cilat ata lëvizin, kanë goditur 2 raste të kontrabandës me mallra, konkretisht:

u arrestua në flagrancë shtetasi A. M., 46 vjeç, banues në Shënkoll, Lezhë, i cili pas paraqitjes në hyrje të PKK Kapshticë, ka kryer procedurat e regjistrimit në sistemin TIMS dhe është larguar pa kryer procedurat e mëtejshme doganore për një sasi prej 1506 kg mjaltë, të dyshuar kontrabandë, të cilën e kishte në automjetin që drejtonte. Sasia e mjaltit u sekuestrua në cilësinë e provës materiale;

u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për shtetasit:

I. L., 35 vjeç, banues në Paskuqan, Tiranë, për veprën penale “Kontrabanda me mallra të tjera”;

E. M., 35 vjeç, banues në Korçë, me detyrë doganier pranë PKK Kapshticë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”.

Në afërsi të Pikës së Kalimit Kufitar Kapshticë, u konstatua automjeti me drejtues shtetasin I. L., dhe nga kontrolli i të cilit u gjet një sasi e konsiderueshme vaj ulliri pa dokumentacionin përkatës, dyshohet së është kontrabanduar nga Greqia, ku u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Nga veprimet e mëtejshme hetimore dyshohet se doganieri E. M. ka shpërdoruar detyrën, pasi nuk ka ushtruar kontroll në automjetin e shtetasit I. L.

Gjithashtu, shërbimet e DVKM Korçë referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi penal për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”, për shtetasit:

F. Xh., 46 vjeç, banues në fshatin Zvezdë, Maliq;

V. R., 46 vjeç, banues në Pogradec;

B. Xh., 55 vjeç, banues në fshatin Sohodoll, Peshkopi,
pasi dyshohet se kanë kaluar kufirin nga Greqia në drejtim të Shqipërisë, në mënyrë të paligjshme.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme.

FOTO/ Revolucion te Real Madrid

By: Fax Web
26 December 2025 at 14:34

Ekipet elitare evropiane kanë nisur tashmë përgatitjet për sezonin e ardhshëm dhe një nga elementët më të rëndësishëm të planifikimit është prezantimi i uniformave të reja.

Së fundmi, janë zbuluar imazhet e para të uniformës së Real Madridit për sezonin 2026–27.

Klubi madrilen pritet të revolucionarizojë fanellën e shtëpisë, duke ruajtur ngjyrën tradicionale të bardhë, por duke e kombinuar atë me dy ngjyra të tjera të pazakonta për historinë e klubit.

Jaka do të jetë në ngjyrë jeshile të errët, ndërsa tri vijat karakteristike në mëngë do të jenë rozë.

Ky kombinim ngjyrash, i paprecedent për fanellën e parë të Real Madridit, ka ngjallur reagime të shumta dhe debate të forta në rrjetet sociale.

Fanella pritet të përfshijë edhe detaje shtesë, si një vijë jeshile në fund të mëngëve. Ngjyra jeshile nuk është përdorur më parë në fanellën e parë të Real Madridit, megjithëse klubi ka pasur një uniformë alternative tërësisht jeshile në sezonin 2012–2013.

Ndërkohë, ngjyra rozë është përdorur në disa raste në fanella të mëparshme, por kurrë e kombinuar me një tjetër ngjyrë ashtu siç parashikohet për sezonin e ardhshëm.

Imazhet e publikuara deri tani nuk tregojnë detaje të tjera në pjesën e bardhë të fanellës.

Sipas burimeve, pritet që versioni përfundimtar të pësojë disa ndryshime krahasuar me këto skica fillestare; megjithatë, koncepti bazë dhe kombinimi i ngjyrave do të mbeten të ngjashme.

736 mijë lek rrogë në muaj/ Kush është juristja e Ermal Beqirit që doli pronare e Jahtit 1 mln €

By: Fax Web
26 December 2025 at 13:07

Xhenila Tamizi, një juriste e kompanisë “Soft & Solution”, rezulton të jetë pronare e disa pasurive që SPAK dyshon se zotëruesi i vërtetë i tyre është biznesmeni i teknologjisë elektronike, Ermal Beqiri.

Ndaj Beqirit dhe biznesmenit tjetër të shpallur në kërkim, Ergys Agasi, tashmë SPAK ka nisur një hetim pasurur me qëllim zbulimin e pasurive që dyshohet se janë ndërtuar nga burime të paligjshme.

Sipas verifikimeve të kryera nga prokuroria e Posaccme SPAK, Xhenila Tamizi, rezulton të jetë juristja e kompanisë “Soft & Solution”, tek e cila paguhet me 736 mijë lekë të vjtra në muaj.

Por pavarësisht kësaj page të ulët, juristja e Ermal Beqirit, rezulton të ketë në pronësi disa pasuri, si apartamente dhe një Jaht të markës “Pretador 50 sky fall” që përllogaritet në 950 mijë dollarë.

Ndërkohë nga verifikimet e kryera në sistemin e targave dhe automjeteve në emër të Xhenila Tamizit,deri në vitin 2021 nuk rezultonte i rregistruar asnjë mjet lundrues dhe asnjë mjet transporti tjetër.

Hetimet ndaj këtij rasti kanë përfshirë të gjithë punonjësit e kompanisë së Ermal Beqirit dhe Ergys Agasit, me shpresën e gjetjes së pasurive që dyshohet si të fshehura.

Ndërkohë SPAK dhe prokuroria e Tiranës, janë duke kryer veprime hetimore lidhur me zyrtarët përgjegjës që nuk mundën të sigurojnë koleksionin prej 900 shishe vere e vere të cilësisë së lartë, që u zhduk nga banesa e Ergys Agasit, e cila ndodhet në kompleksin “Panto Resort”.

Hetimet e SPAK-ut po përqëndrohen edhe në prona të tjera të fituara nga kompania “Soft&Solution” dhe “EA Solution”, pasi sipas informacioneve janë përqëndruar në Tiranë, në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme në disa vende të Shqipërisë.

Po ashtu, SPAK po kërkon informacion edhe tek bankat e nivelit të dytë për të gjurmuar paratë, si dhe hipotekat./ Enton Qyno

Konfirmohet rasti i parë i fruthit në Shqipëri, fëmija i prekur është i pavaksinuar

By: Fax Web
26 December 2025 at 13:01

Ministria e Shëndetësisë ka konfirmuar rastin e parë të fruthit në Shqipëri. Një fëmijë i pavaksinuar është diagnostikuar me fruth më 22 dhjetor kur dhe është paraqitur në spital.

Rasti i tij është ndjekur nga Instituti i Shëndetit Publik ndërsa dhe është hetuar epidemiologjikisht. Rasti është i izoluar dhe deri më tani nuk rezulton të ketë fëmijë të tjerë të infektuar.

Aktualisht, fëmija po trajtohet në shërbimin e pediatrisë infektive ndërsa raportohet se nuk ka ardhur nga jashtë shtetit.

Imuniteti i Ballukut, Bylykbashi: Mazhoranca po bllokon procesin

By: Fax Web
26 December 2025 at 12:07

Pesë anëtarët e Partisë Demokratike në Këshillin për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin, thirrën sot në orën 11:00 mbledhjen e Këshillit, për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, për heqjen e imunitetit të deputetes Belinda Balluku.

Deputetët e opozitës janë paraqitur në ambientet e sallës, por sipas tyre, e kanë gjetur derën e mbyllur, duke i penguar që të ushtrojnë përgjegjësinë e tyre.

Sipas deputetit të Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi, Kryetari i Kuvendit Niko Peleshi u ka mbyllur derën duke bllokuar procesin e heqjes së imunitetit për Ballukun.

“Kryetari i Kuvendit sërish refuzon që të thërrasë pjesën tjetër, të bëjë veprimet e tij të domosdoshme të kërkuara nga ligji, duke bllokuar një proces shumë të rëndësishëm kushtetues të parlamentit të Shqipërisë, për heqjen e imunitetit dhe mospengimin e drejtësisë në hetimin e kësaj afere skandaloze korruptive.

“Ne presim këtu që Kuvendi të na vërë në dispozicion që kjo mbledhje e thirrur rregullisht të jetë funksionale, por, ja ku jemi, Kryetari i Kuvendit na ka mbyllur derën”, theksoi Bylykbashi.

Gjithashtu, sipas PD-së, Peleshi nuk lejon mediet që të futen as në sallën e grupit parlamentar të PD.

Lufta në Ukrainë/ Të dielën takim Trump-Zelensky në Florida! Presidenti ukrainas: Mund të vendoset shumë përpara fundivitit

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:42

Dy Presidentët, ai ukrainas dhe amerikan pritet të takohen në rezidencën e Donald Trump në Mar-a-Lago. Këtë e njoftoi agjencia Axios, ndërsa më herët ishte vetë Zelensky që dha sinjalet se do të kishte një takim me Presidentin e SHBA.

Takimi i pritshëm në Florida mes Donald Trump dhe Volodymir Zelensky, vjen një javë pasi delegacioni amerikan i kryesuar nga Steve Witkoff dhe Jared Kushner, bisedoi me ato ruse dhe ukrainase. Sot Presidenti ukrainas teksa dha sinjale për një takim të afërt me Trump, tha se shumë mund të vendoset përpara fundvitit.

Zelensky, pasi u informua nga delegacioni i tij për rezultatet e bisedimeve la të hapur mundësinë e një zone të çmilitarizuar në rajonet lindore të vendit të tij. Ndërkohë, rusët ende nuk kanë dhënë sinjale të qarta pas bisedimeve në Miami fundjavën e kaluar. Putin kërkon tërheqjen e Ukrainës nga rajonet lindore ndërsa këtë të premte, sipas Kommersant, ai ka zhvilluar një takim më sipërmarrës të cilëve u ka folur për centralin bërthamor të Zaporizhias, një nga temat e diskutuara nga delegacionet. Kjo sipas Putin është ende një temë e hapur mes rusëve dhe amerikanëve. Sipas planit të propozuar për bisedimet e paqe, Centrali Bërthamor i Zaporizhias, që është më i Madhi në Evropë, mund të bashkëmenaxhohet nga SHBA, Ukraina dhe Rusia.

Aksidenti me vdekje në Levan-Tepelenë, arrestohet 30-vjeçari

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:38

Ndaj Syrja Begaj rëndon vepra penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Pas aksidentit të një dite më parë në aksin rrugor Levan-Tepelenë, uniformat blu kanë arrestuar 30-vjeçarin Syrja Begaj.

Ndaj këtij të fundit rëndon vepra penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Si pasojë e përplasjes ndërroi jetë i mituri Oktavio Merdanaj, 16-vjeç. Paraprakisht bëhet me dije se mjeti që drejtohej nga i mituri i ka prerë rrugën automjetit tip “Benz” i cili po udhëtonte nga Poçemi në drejtim të Levanit, teksa 16- vjeçari po dilte në autostradë nga Cakrani.

Në vijim të informacionit të dhënë mbrëmjen e djeshme për një aksident rrugor të ndodhur në aksin rrugor “Levan-Tepelenë”, ku humbi jetën shtetasi O. M., ju informojmë se Specialistët e Qarkullimit Rrugor të DVP Fier arrestuan shtetasin S. B., 30 vjeç, banues në fshatin Hekal, Mallakastër, për veprën penale “Shkelje e rregullave të qarkullimit rrugor”, me pasojë vdekjen.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit për veprime të mëtejshme.

Berisha zbulon skenarët e opozitës në 2026: Rruga është qëndresa! Në janar nisim betejën tonë

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:35

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka vendosur që aksionin opozitar ta vazhdojë në janar. Nga ‘foltorja’ në Manëz, kreu i PD thotë se Rama largohet vetëm duke bërë qëndresë.

Ai fton të gjithë demokratët që në janar të caktojnë datën dhe të dalin në shesh çdo natë.

Në 2026 – tha Berisha- futemi si misionarë për të përmbushur diktaturën e dytë në Shqipëri.

“Të betohemi, ditën e caktuar të zëmë sheshin dhe ti rikthemi sheshit cdo nate derisa ta përzëmë atë. Të mos mendojë se rruga është dhuna, jo. Rruga është qëndresa jonë sheshi është i yni dhe Rama ikën si mi, nuk mund të qëndrojë aty. Pra hyjmë në vitin 2026 si misionarë. Si fatmëdhenj që kemi mundësinëtë përmbysim një diktaturë të dytë në Shqipëri”, tha Berisha.

 

 

Gjermania lëshoi mbi 100 mijë viza për emigrantët gjatë këtij viti, shqiptarët tek aplikuesit kryesorë për bashkimet familjare

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:33

Bashkimi familjar në Gjermani është bërë gjithnjë më e i vështirë, por sipas shifrave nga Ministria e Jashtme gjermane, qytetarët nga Kosova e Shqipëria janë ndër aplikuesit kryesorë këtë vit.

Pavarësisht shtrëngimit të ndjeshëm të politikave të imigracionit nga qeveria e koalicionit të CDU/CDU dhe Socialdemokratëve në Berlin,  këtë vit janë lëshuar më shumë se 100.000 viza për bashkim familjar. Kjo sipas shifrave nga Ministria e Jashtme, të raportuara së fundmi.

Sipas të dhënave nga Ministria e Jashtme, 101.756 viza u dhanë deri në fund të nëntorit për pesë kombësitë me më shumë aplikime. Më së shumti vizat u dhanë për turqit (14.907) dhe sirianët (13.148), të ndjekur nga qytetarë nga India (9.286), Kosova (7.143) dhe Shqipëria (4.426).

E drejta për bashkimin familjar në Gjermani përgjithësisht vlen vetëm për familjen bazë, që do të thotë bashkëshortët/et dhe fëmijët e mitur. Ekzistojnë përjashtime për raste të vështira dhe, që nga një reformë në mars 2024, edhe për prindërit dhe vjehrrit e profesionistëve dhe punëtorëve të kualifikuar me kualifikim të lartë që mund të sigurojnë në mënyrë të pavarur jetesën e të gjithë familjes.

Në korrik, qeveria gjermane e CDU/CSU dhe SPD e pezulloi ribashkimin familjar për dy vjet për personat me status mbrojtjeje të kufizuar – ndryshe nga refugjatët e njohur. Vetëm në “raste të vështira” atyre u lejohet ende të sjellin bashkëshortët/et e tyre, fëmijët e mitur si edhe, në rastin e të miturve të pashoqëruar, prindërit e tyre në Gjermani.

Vengu: Ligji i ri për statusin e ushtarakut garanton më shumë siguri për FA

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:29

Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu vizitoi Batalionin III të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut në Burrel, ku në vitin 2026 do të nisë puna për ngritjen e qendrës së re operacionale.

Në takim me ushtarakët e këtij batalioni, Vengu shprehu mirënjohjen për kontributin e tyre, duke i cilësuar “një vlerë e shtuar për zonën dhe një element kyç i sigurisë për komunitetin”.

Duke u ndalur te ngritja e qendrës së re operacionale, Vengu theksoi se ajo do të shërbejë
për përgatitjen dhe trajnimin e efektivëve, si dhe për forcimin e mbështetjes në emergjencat civile të zonës.

Reparti i ri në Mollzë, sipas ministrit, do të ofrojë kushte shumë më dinjitoze edhe një operacionalitet të plotë.

Vengu siguroi ushtarakët se qeveria do të vijojë mbështetjen për FA, si nga pikëpamja e buxheteve, pagave, por edhe përfitimeve për familjet e tyre.

“Ligji i ri i statutit të ushtarakut përforcon statusin dhe ju jep edhe shumë siguri në këtë profesion. Nga ana tjetër do të bëjmë të mundur që të përfshiheni edhe në misione, sepse e di që kjo është një kërkesë e hershme e juaja”, tha ministri Vengu.

Vengu theksoi se një pjesë e trupave të këtij batalioni janë stërvitur në Gjermani.

“Ndërkohë, rotacioni i radhës në 2026-n do t’ju gjejë të përfshirë në të gjitha misionet që kemi në zonat e interesit të NATO-s dhe Bashkimit Europian. Jam shumë mirënjohës për atë që bëni, angazhimin dhe mbështetjen që i jepni komunitetit të Burrelit”, tha Vengu.

SPAK zbulon jahtin 1 mln eurosh të Ermal Beqirit, mjeti luksoz në emër të punonjëses së “Soft&Solutions”

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:11

Hetimet e SPAK kanë zbuluar asete të cilat i përkasin përsonave të dyshuar në dosjen qindra miliona eurosh të abuzimeve me tenderat e AKSHI-t. Këto asete besohet se janë përfituar nga paratë e dyshuara kriminale.

Hetuesit kanë zbuluar një jaht luksoz në pronësi të Ermal Beqirit, zbulim ky i ardhur nga kontrollet e BKH-së. Nga verifikimi rezulton se një shtetase e quajtur Xhenila Tamizi kishte emrin në dokumentet e zotërimit të mjetit lundrues “Pretador 50 sky fall”, që sipas SPAK-ut është blerë nga Ermal Beqiri.

Mjeti lundrues rezulton se ka vlerë të konsiderueshme, në rreth 950 mijë dollarë.

Foto ilustruese e mjetit lundrues që posedon edhe Ermal Beqiri
Foto ilustruese e mjetit lundrues që posedon edhe Ermal Beqiri

Hetimet e SPAK-ut po përqëndrohen edhe në prona të tjera të fituara nga kompania “Soft&Solution” dhe “EA Solution”, pasi sipas informacioneve janë përqëndruar në Tiranë, në sektorin e ndërtimit dhe në prona të paluajtshme në disa vende të Shqipërisë. Po ashtu, SPAK po kërkon informacion edhe tek bankat e nivelit të dytë për të gjurmuar paratë, si dhe hipotekat.

Vera e zhdukur nga kantina e Agasit/ Gjurmët e BKH çojnë në “Equos Resort”, ku u gjetën 900 shishe luksi

By: Fax Web
26 December 2025 at 11:02

Pas shpalljes në kërkim të Ergys Agasit për akuzat e krijimit të një grupi të strukturuar kriminal me qëllim manipulimin e tenderave të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, AKSHI, oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit bllokuan një koleksion të shtrenjtë me 900 shishe verë të markave ekskluzive në një vilë 2-katëshe brenda resortit, e identifikuar si pronë e Agasit.

Por koleksioni i verërave u zhduk në mënyrë të paprecedentë, pasi ishte bllokuar nga oficerët e BKH-së dhe Drejtoria e Hetimit Doganor.

Një burim në dijeni të kontrollit i tha BIRN se një pjesë e koleksionit të verërave në pronësi të Agasit daton gati një shekull më parë, me tapa të dyllosura në vitet 1922, 1923 dhe 1940, të gjitha të pajisura me certifikatë origjine. Koleksioni kishte si origjinë Francën dhe Italinë dhe ishte futur kontrabandë në Shqipëri.

Sipas SPAK, koleksioni u zbulua gjatë kontrolleve për ekzekutimin e masës së sigurisë “arrest me burg” ndaj Ergys Agasit, e lëshuar nga Gjykata e Posaçme më 15 dhjetor. Hetuesit e BKH-së vlerësuan gjithsesi se koleksioni i verës nuk bënte pjesë në kompetencën lëndore të Strukturës së Posaçme dhe njoftuan Drejtorinë e Hetimit Doganor pranë Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave që të kryente procedurat përkatëse për mallrat e futura kontrabandë.

“Kemi ndjekur praktikën e rasteve të ngjashme, pasi kur konstatohet një vepër penale e dyshuar që nuk është kompetencë e Strukturës së Posaçme, njoftohen institucionet kompetente për kryerjen e veprimeve të mëtejshme,” tha një burim i SPAK në kushtet e anonimatit.

Drejtoria e Hetimit Doganor ka kryer inventarin dhe ka arritur në përfundimin se koleksioni i verërave të Agasit kishte një vlerë prej rreth 1 milion eurosh, ndërkohë që shmangia e detyrimeve doganore kapte vlerën e rreth 300 mijë eurove. Nga vlerësimi sipas çmimeve të referencës dhe atyre të tregut, është konkluduar se ka pasur shishe vere që e kalonin vlerën e 30 mijë eurove, ndërsa më e lira është vlerësuar rreth 350 euro.

Pasi ka kryer inventarin, drejtoria e Hetimit Doganor nuk e ka transportuar koleksionin në magazinat doganore me pretendimin se nuk kishin hapësirë për produkte ushqimore. Në pritje të gjetjes së hapësirës, ata kanë mbajtur një procesverbal për bllokimin e mallit, i cili është nënshkruar nga djalit të xhaxhait të Agasit, Eno Agasi, dhe janë larguar.

Kur janë rikthyer të nesërmen për të rimarrë verën, punonjësit e Hetimit Doganor e kanë gjetur qilarin bosh. Doganat e referuan çështjen në Prokurorinë e Tiranës, kur 900 shishet e verës ishin zhdukur pa asnjë gjurmë.

I pyetur nga BIRN, drejtori i Hetimit Doganor, Dorian Doka i shmangu komentet për përgjegjësitë, duke thënë se çështja është në hetim.

Prokuroria e Tiranës ka regjistruar procedimin penal për katër vepra penale ndaj Eno Agasit, ndërkohë që gjykata ka caktuar ndaj tij masën e “arrestit me burg” në mungesë. Ai po hetohet për “Veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës”; “Kontrabanda me mallra për të cilat paguhet akcizë ose me pezullim të plotë apo të pjesshëm nga detyrimet doganore ose të akcizës”; “Ruajtja ose depozitimi i mallrave kontrabandë”; “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, zhdukja e verës ka qenë e mirëorganizuar, pasi nga hetimet ka rezultuar që autorët të jenë kujdesur të zhdukin edhe gjurmët. Autorët kanë zhdukur gjithashtu të gjitha kamerat e sigurisë që gjendeshin në “Equos Resort” si dhe ato që e lidhnin resortin me autostradën Tiranë-Elbasan.

Koleksioni prej 1 milion eurosh i verërave të Ergys Agasit konsiderohet prej hetuesve një investim.

“Nuk është zotëruar për konsum, por ka qenë një koleksion i krijuar për investim, pasi i rritet vlera. Po ashtu, mund të jetë përdorur në vend të shkëmbimeve valutore,” tha një burim në afërsi të hetimit.

Sipas Prokurorisë së Tiranës, në vijim të hetimeve dhe provave të reja që do të gjenden, do të vlerësohet nëse çështja do të përmbyllet aty, apo do të kalohet për kompetencë pranë Prokurorisë së Posaçme/BIRN

❌
❌