Pretendimi: Ky imazh tregon Papë Françeskun duke mbajtur në dorë një plis tradicional shqiptar me simbolin e shqiponjës.
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————————————-
Një imazh që duket se tregon Papën e ndjerë Françesku duke mbajtur në dorë një plis tradicional të bardhë shqiptar, të stolisur me emblemën kombëtare të shqiponjës së zezë dykrenare, po qarkullon sërish në rrjetet sociale shqipfolëse.
Imazhi shoqërohet me pretendimin se është shkrepur gjatë një Audience të Përgjithshme në Vatikan, më 3 janar 2024.
Në fakt, imazhi i mësipërm qarkullon që nga janari i vitit 2024, kur u shpërndagjerësisht në media dhe rrjetesociale shqipfolëse. Kryeministri shqiptar Edi Rama e ndau imazhin në atë kohë edhe në rrjetet e tij sociale me mbishkrimin: “Foto e ditës,” dhe sërish në prill 2025, për të shprehur keqardhjen për ndarjen nga jeta të Françeskut.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificale (AI).
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Ligji ndalon djegien e barit dhe mbetjeve bujqësore nga 1 prilli deri më 30 nëntor. Por zjarri i Krujës tregon se ndalimi me ligj, i bërë prej tre vitesh, nuk mjafton kur ligji nuk zbatohet. Në 10 ditët e para të gushtit janë regjistruar 176 vatra zjarri nga veriu në jug.
Esmeralda Topi
Gushti ka nisur me temperatura të larta dhe me rikthimin e zjarreve në disa zona të vendit. Vetëm në 10 ditët e para të muajit janë regjistruar 176 vatra zjarri, sipas të dhënave të Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile.
Gjatë orëve të fundit janë raportuar 10 vatra zjarri, nga të cilat 5 mbeten aktive dhe 4 janë në monitorim.
Në Dajt, zona po mbahet nën monitorim, ndërsa në Cikallesh, bashkia Kavajë, zjarri është shuar plotësisht. Në Priskë e Madhe vijon puna me 4 automjete zjarrfikëse, 15 efektivë të MZSH-së dhe mbështetjen e një helikopteri të Forcës Ajrore. Nuk raportohet rrezik për zonat e banuara. Në Mallakastër, vatrat në Riban–Ngraçan–Panahor–Çyçen janë shuar plotësisht dhe po monitorohen. Edhe zjarri në Drenie, bashkia Patos, është vënë plotësisht nën kontroll dhe vijon monitorimi.
Në Vilëz, bashkia Kurbin, ndërhyrja e forcave vendore dhe 35 efektivëve të FA-së bëri të mundur shuarjen e plotë të zjarrit në orën 13:00.
Aktive mbeten edhe vatrat në malin e Nemëçkës, bashkia Përmet, dhe në Goraj–Budishë, bashkia Malësi e Madhe. Të dyja ndodhen në terrene të vështira dhe në lartësi të mëdha, por aktualisht nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.
Në Krujë, zjarri në Abazë vijon të jetë aktiv, por pa rrezik për zonat e banuara. Në Krastë, zjarri ka rritur intensitetin dhe është përhapur në masiv pyjor. Në terren po operojnë forcat vendore, 50 efektivë të Forcave të Armatosura dhe një helikopter i Forcës Ajrore.
Situata në Krujë vjen vetëm pak orë pas zjarrit të fuqishëm të fundjavës, i cili tregoi se sa shpejt një vatër e nisur pranë banesave mund të kthehet në kërcënim për komunitetin. Zjarri u përhap me shpejtësi në malin e Krujës, duke rrezikuar zonat e banuara, ndërsa për shkak të afrimit të flakëve me banesat u bë edhe evakuimi i pjesshëm i banorëve.
Sipas Policisë së Shtetit, shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë djegia e barit pranë banesës nga një 73-vjeçar. Policia deklaroi se i dyshuari kishte ndezur zjarr për të djegur një sasi bari, por flakët dolën jashtë kontrollit dhe, të ndihmuara nga era, u përhapën në drejtim të malit të Krujës.
Ligji ndalon djegien nga prilli në nëntor
Që prej korrikut 2023, ligji për mbrojtjen e tokës bujqësore ndalon ndezjen e zjarreve në tokat bujqësore dhe, në mënyrë të posaçme, djegien e kashtës, mbetjeve bujqësore, barërave, ferrave apo shkurreve që mund të shkaktojnë përhapjen e zjarreve.
Neni 16/1 përcakton se kjo veprimtari ndalohet nga 1 prilli deri më 30 nëntor të çdo viti.
Edhe gjatë pjesës tjetër të vitit, djegia mund të bëhet sipas disa kushteve. Ligji kërkon leje nga njësia e vetëqeverisjes vendore dhe nga shërbimet e mbrojtjes civile, ndërsa përcakton një sërë kufizimesh për vendin dhe mënyrën e djegies.
Ndalohet, ndër të tjera, ndezja e zjarreve në zona të mbrojtura dhe turistike, pranë akseve rrugore, sipërfaqeve pyjore, pikave të karburantit, fshatrave dhe banesave. Ligji ndalon gjithashtu djegien në ditët kur era fryn me shpejtësi 20 kilometra në orë, edhe nëse janë marrë lejet përkatëse.
Shumë procedime, pak të dënuar
Në Shqipëri, zjarrvënia e qëllimshme është vepër penale dhe dënohet me 5 deri në 20 vite burg. Por të dhënat tregojnë se ndëshkimi për krimet mjedisore mbetet i ulët. Në vitin 2025 u regjistruan 38 procedime për “shkatërrimin me zjarr të pyjeve dhe mjedisit pyjor”, por vetëm një person u dënua.
Edhe në rastet kur çështjet shkojnë në gjykatë, dënimi me burgim shpesh pezullohet. Në vitin 2025, prokurorët kërkuan burgim në 82.98% të rasteve, por në 74.36% të tyre kërkuan edhe pezullimin e dënimit dhe vendosjen në provë. Gjykatat vendosën burgim në 81.58% të rasteve, por në 93.55% të tyre dënimi u pezullua dhe të pandehurit u vendosën në provë. Në 13.46% të rasteve pati vendim pafajësie.
Rasti i Krujës tregon qartë hendekun mes ligjit dhe zbatimit të tij. Sipas Policisë, zjarri nisi nga djegia e barit, një veprim i ndaluar me ligj. Flakët u përhapën drejt malit dhe për shuarjen e tyre u angazhuan qindra efektivë, zjarrfikës, mjete dhe helikopterë.
Për sa kohë ndalimi nuk respektohet dhe ndëshkimi mbetet i kufizuar, zjarret vijojnë të kthehen çdo verë në rrezik për pyjet, banesat dhe njerëzit.
Pretendimi: Ky imazh tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
———————————————————-
Një imazh që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një ushtar maroken duke goditur me gur një emigrant që po përpiqej të kthehej nga Ceuta në Marok. Ky imazh publikohet si pjesë e dyshimeve për një organizim të qëllimshëm të Marokut të fluksin të emigrantëve që pushtuan enklavën spanjolle.
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth njëmijë të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Megjithatë, imazhi i mësipërm nuk tregon zbrapsjen e emigrantëve marokenë që po ktheheshin nga Ceuta. Ai është gjeneruar me anë të programeve të inteligjencës artificiale (AI).
Imazhi përmban të meta që zakonisht tregojnë përmbajtjet e gjeneruara si tekstura të shtrembëruara në shkëmbinj, përzierje jonormale e detajeve në veshje dhe pozicioni anatomikisht i pasaktë i duarve të oficerit të policisë dhe struktura e fytyrës dhe helmetës së tij.
Kjo konfirmohet edhe nga mjeti zyrtar i verifikimit të OpenAI, i cili identifikon imazhet e krijuara me inteligjencë artificiale përmes pranisë së teknologjisë SynthID.
Rezultati konfirmoi se fotografia përmban një gjurmë SynthID me origjinë nga OpenAI, çka tregon se imazhi është gjeneruar me inteligjencë artificiale.
SynthID është projektuar për t’i mbijetuar modifikimeve të zakonshme të imazheve, si prerja, ndryshimet e ngjyrave, fotografimi i ekranit apo kompresimi i skedarëve, duke e bërë të mundur gjurmimin e origjinës së përmbajtjes së gjeneruar.
Edhe pse imazhi mund të mos jetë autentik, disa video të filmuara nga kënde të ndryshme tregojnë një incident të ngjashëm pranë Fnideq, qytetit maroken në kufi me Ceutën.
Agjencia e lajmeve AFP raportoi përleshje me emigrantët e paligjshëm që përfshinin forcat marokene të sigurisë në zonë dhe publikoi imazhe që tregonin oficerë të pajisur me pajisje për trazira të krahasueshme me ato që shihen në imazhin e gjeneruar nga inteligjenca artificiale.
Pas 13 vitesh në vijën e parë të gazetarisë së përditshme, si reporter i rendit dhe kriminalitetit në Shqipëri, ai u ndje seriozisht i rrezikuar për jetën një ditë.
Ishte 17 qershori i vitit 2014.
Ai u fut për të raportuar në Lazarat të Gjirokastrës, zonë që atëbotë njihej si “fshati i kanabisit”, ku prej vitesh nuk shkelte këmba e njerëzve të shtetit.
Ndonëse mjeti kishte logon e dallueshme të A1 Report, (medias për të cilën punonte) ai u qëllua me armë zjarri, ndërsa makinës së punës iu vu flaka.
Për Gerti Xhajën, ngjarja e Lazaratit ishte momenti më kritik dhe më i rëndë për të si gazetar.
”Ishte hera e parë që u ndjeva realisht i frikësuar. Ndoshta sepse tashmë nuk isha më vetëm gazetar, por edhe prind e kryefamiljar. Përgjegjësia ishte shumë më e madhe dhe nuk mund të përballeshe më njësoj me njerëz që kishin specialitet dhunën dhe krimin”, e nis rrëfimin e tij për ”Faktoje”.
Gjatë karrierës së tij si gazetar, Gerti Xhaja u bë i njohur për investigimin e trajtimit diskriminues të pagave të misioneve ushtarake shqiptare në zonat e luftës, si dhe, për ekspozimin e një rrjeti trafikantësh të vajzave drejt Greqisë.
Gjithashtu, ai raportoi dhunimin e tij nga policia lokale në Lushnjë, një çështje që atë kohë nxiti debate të forta edhe në Parlament.
Por, Gerti nuk hoqi dorë deri ditën kur, duke raportuar aksionin e parë anti-kanabis të policisë në Lazarat, ai u gjend përballë një kërcënimi serioz.
”Ishte dita e tretë e përplasjes mes policisë dhe personave të armatosur në Lazarat. Në atë kohë flitej për tentativa negociatash për nxjerrjen e parave dhe largimin e personave të kërkuar (përpara hyrjes së policisë në fshat). Ne vendosëm të futeshim për të raportuar nga afër. Pa hyrë ende në brendësi të fshatit, automjeti ynë u godit me armë, u ndalua dhe më pas u dogj. Na nxorën nga makina ndërsa qëllonin mbi kokat tona. Ishte e pabesueshme që kishim dalë gjallë, pasi plumbat kishin përshkuar mjetin ku ndodheshim. Në një moment na vendosën të katërt përballë një muri për të na ekzekutuar. Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim”, rrëfen Gerti.
Ne foto: Makina e djegur e AiReport ne Lazarat ne vitin 2014
Edhe sot, pas 12 vitesh, nga Suedia ku jeton, ai kujton me mirënjohje ndërhyrjen e disa banorëve të zonës, që i shpëtuan jetën.
“Ata argumentuan se vrasja e gazetarëve do ta përshkallëzonte situatën në një konflikt të përgjakshëm me policinë. Pas rreth një ore pengmarrjeje dhe kërcënimesh, na lanë të lirë”, tregon ai.
Duke u kthyer pas në kohë, Gerti kujton se atëkohë policia përcolli një njoftim zyrtar për ngjarjen.
“Por më vonë nuk kam pasur asnjë informacion tjetër. Përveç deklarimeve që dhashë atë ditë, nuk jam kontaktuar më as nga policia dhe as nga prokuroria”, thotë Gerti Xhaja.
“Ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime. Ndihesha përgjegjës për tre kolegët e mi dhe në të njëjtën kohë, mendoja për djalin tim, që mund të mbetej jetim” – Gerti Xhaja
Tani, pas më shumë se një dekade që nga marrja e azilit me familjen e tij, Xhaja ka ndryshuar profesion.
Ai vijon të ketë bindjen se rreziku që i kanosej për shkak të raportimeve, ka prekur drejtpërdrejt edhe bashkëshorten e tij, Mirjeta Ngjela gjithashtu gazetare, si dhe, të birin.
Shifrat kokëforta
Në një përgjigje zyrtare për “Faktoje”, Kostaq Beluri, Drejtor i Koordinimit Institucional në Prokurorinë e Përgjithshme, konfirmon se përgjatë vitit 2026 janë regjistruar pesë kallëzime të reja penale, nga të cilat një nuk ka filluar, një tjetër është në proçes verfikimi, ndërsa për tre të tjera janë regjistruar procedime penale.
“Sa i takon të dhënave për procedimet penale që lidhen me sulme dhe kërcënime të gazetarëve dhe punonjësve të medias, për periudhën e viteve 2023- 2025 referuar të dhënave statistikore rezultojnë pesë procedime penale të dërguara për gjykim dhe pesë procedime penale që vijojnë në fazë hetimit”, thuhet në njoftimin zyrtar të Prokurorisë së Përgjithshme.
Ndërkohë, Blerjana Bino sjell shifra të tjera, duke theksuar se Prokuroria nuk ka një sistem të unifikuar të mbledhjes dhe ruajtjes të të dhënave mbi këto sulme.
“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie” – Blerjana Bino
“Të dhënat që kemi janë 22 raste për sulme direkte për 2024 dhe 2025, por asnjë vendim fajësie”, deklaroi për “Faktoje” Drejtoresha Ekzekutive e SCiDEV, Blerjana Bino.
Hezitimi
Gjatë këtij investigimi, disa gazetarë që janë larguar nga vendi për shkak të kërcënimeve gjatë ushtrimit të detyrës dhe që kanë fituar azilin, zgjodhën të mos i bëjnë publike historitë e tyre.
Dashamir Biçaku, gazetar me një karrierë të gjatë në Shqipëri, i cili u largua befas nga vendi, insiston se nuk ka kërkuar azil.
Megjithatë, arsyet e largimit të tij nga profesioni, ku spikatej si një ndër zërat më premtues të gazetarisë investigative, mbeten ende enigmë.
“Sfida e ardhjes në Francë dhe instalimi këtu për ne nuk lidhen me subjektin, me kërcënimet dhe me frikën. Nëse ika unë, dikush tjetër duhet të më ketë zëvendësuar po aq denjësisht, kështu që frika s’mund të ketë rol kur jemi të zëvendësueshëm. Padrinot janë të pazëvendësueshëm”, thotë Biçaku për “Faktoje”, i cili e vazhdon gazetarinë nga shteti ku aktualisht jeton bashkë me familjen.
Vendimi
Për Ledia Canaj, kërkimi i azilit dhe jeta në kampet e emigrantëve ishte bileta e saj e shpëtimit.
Me një karrierë të nisur në 2004, ajo e ndjeu rrezikun për jetën gjatë vitit 2015.
“Gjatë raportimeve për korrupsion zgjedhor dhe shit-blerje vote në Tiranë ne siguruam dëshmi dhe filmime konkrete. Pas publikimit, presionet u bënë më të forta dhe kaluan përtej kufijve normalë të profesionit. Në atë moment kuptova se rreziku për një gazetar nuk është gjithmonë vetëm fizik.
Vrasja e një gazetari mund të ndodhë edhe duke i mbyllur gojën, duke e izoluar, duke e kërcënuar, duke e bërë të ndihet i pambrojtur, i vetëm dhe i panevojshëm për sistemin”, tregon për “Faktoje”, Ledia.
“Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare” – Ledia Canaj
Ky ishte pikërisht momenti kur ajo vendosi.
Mori vajzën e vogël dhe kërkoi azil në Belgjikë, “për sigurinë e saj dhe të familjes”.
“Periudha si azilkërkuese ishte shumë e vështirë. Kampi është një vend ku njeriu humbet kontrollin mbi jetën e vet. Pret. Hesht. Vëzhgon. Por unë nuk pushova së menduari si gazetare. Fillova të studioj ligjin europian, sistemet e migracionit dhe historitë e njerëzve që, si unë, kërkonin mbrojtje”, thotë Ledia.
Në Belgjikë, rrëfen ajo, rasti u trajtua brenda një kuptimi më të gjerë të rrezikut ndaj gazetarëve.
“Për mua, kjo ishte shumë e rëndësishme: sepse tregonte se kërcënimi ndaj gazetarit nuk matet vetëm me plagë në trup, por edhe me presion sistemik, me frikë të organizuar dhe me sabotim të fjalës së lirë”
Arsyet
“Tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit” – Aleksandër Çipa.
Duke theksuar pasigurinë ekonomike dhe mungesën e garancive në median shqiptare, kreu i Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, Aleksandër Çipa, vëren se numri i punonjësve të medias dhe gazetarëve që kanë kërkuar azil ndër vite mbetet i lartë.
“Në dijeninë tonë mbi 30 punonjës mediash kanë kërkuar azil ekonomik dhe social. Disa raste për arsye hakmarrjeje dhe disa për arsye kërcënimesh nga struktura kriminale dhe persona me pushtet. Ka edhe raste që e kërkojnë azilin për arsye të përndjekjes gjinore të tyre”, thotë Çipa për “Faktoje”.
Sipas studimeve të Unionit, tregu multimedial në Shqipëri numëron mbi 5,200 punonjës, nga të cilët mbi 2,170 ushtrojnë detyrën e gazetarit apo redaktorit.
Të dhënat që disponon Unioni i Gazetarëve tregojnë se në rastet e gazetarëve të kërcënuar janë ndeshur me dy kategori hetimesh.
Kategoria e parë përfshin hetimet e kryera nga vendet pritëse, ku kanë mbërritur gazetarët dhe punonjësit e medias shqiptare, si Franca, Suedia apo Holanda.
“Ndërsa nga organet shqiptare ka pasur interesim përmes kontaktesh dhe kërkesash informuese prej organizatave të gazetarëve, edhe pranë UGSH” , argumenton Çipa, i cili e ka një shpjegim për largimin e njerëzve të medias.
“Presioni i grupeve kriminale mbi raportues të tillë që vijojnë të këmbëngulin në çështje kriminale, që kanë tronditur opinionin publik, që implikojnë persona me pushtet dhe që zotërojnë asete të shumta financiare prej jetës dhe botës kriminale, janë arsye që disa reporterë të tillë të zgjedhin emigrimin, duke kryer procedura të azilit”, deklaron kreu i Unionit të Gazetarëve.
Azili politik i gazetarëve nga Ballkani
Ndërkohë që në Shqipëri largimi i gazetarëve për të kërkuar azil politik në vendet e Bashkimit Europian apo në SHBA është një dukuri e njohur, në Malin e Zi dhe Maqedoninë e Veriut organizatat e gazetarëve atje nuk raportojnë statistika apo raste të ngjashme.
Në Kosovë rasti më i njohur dhe publik është ai i gazetares së njohur Arbana Xharra, që prej vitesh jeton në SHBA për shkak të kërcënimeve për jetën gjatë ushtrimit të detyrës së saj.
Maqedonia e Veriut
I kontaktuar nga “Faktoje”, Mlladen Cadikovski nga Asociacioni i Gazetarëve të Maqedonisë së Veriut e vlerësoi temën si shumë të rëndësishme dhe me interes.
“Do të kontrolloj se çfarë të dhënash mund të kemi në lidhje me rastet e gazetarëve nga Maqedonia e Veriut që kanë kërkuar azil politik jashtë vendit. Megjithatë, duhet të theksoj se nuk jam i sigurt nëse ka statistika të konsoliduara ose zyrtare që ndjekin posaçërisht gazetarët në këtë kontekst, pasi raste të tilla zakonisht nuk regjistrohen sistematikisht si një kategori e veçantë.
Do ta shqyrtoj më tej këtë dhe do t’ju kontaktoj nëse gjej ndonjë informacion ose shembull përkatës që mund të jetë i dobishëm për artikullin tuaj”, ishte përgjigja e Mlladen Cadikovskit për “Faktoje”.
Por deri në publikimin e këtij artikulli kolegu nga Shkupi nuk gjeti një shembull apo informacion në lidhje me kërkesat e gazetarëve në RMV që kanë ikur dhe kanë kërkuar azil politik jashtë vendit.
Mali i Zi
Pavarësisht se Mali i Zi është shteti më i vogël në Ballkan, aty veprojnë disa shoqata dhe organizata të gazetarëve.
Marijana Camoviq Velickoviq, e cila ka mbajtur postin e kryetares së Sindikatës së Gazetarëve të Malit të Zi deri në vitin 2022, aktualisht shërben si nënkryetare.
Ajo kërkoi ndjesë për vonesën në përgjigje, duke shpjeguar se u desh kohë për t’u konsultuar me kolegët mbi tematikën e ndjeshme që po trajtonim.
“Kërkoj ndjesë për përgjigjen e vonuar por meqenëse nuk isha në dijeni se kishte pasur ose se ka raste që gazetarët në Mal të Zi kanë kërkuar azil politik, pyeta kolegët e mi. Askush nuk është në dijeni të diçkaje të ngjashme që i ka ndodhur dikujt”, thotë Marijana Camoviq Velickoviq për “Faktoje”.
Kosova
Xhemajl Rexha i Asosacionit të Gazetarëve të Kosovës tregon se organizata që ai drejton ka të regjistruar në databazën e vetë aktualisht 720 anëtarë, ku përfshihen gazetarë, kameramanë dhe fotografë.
Por në Kosovë ka më shumë se aq, pasi anëtarësimi është vullnetar dhe jo të gjithë gazetarët duan të bëhen pjesë.
“Këtë shifër e kemi ndryshuar para më shumë se një 1 viti kur kemi bërë përditësimin kur kishim pak më shumë se 900 anëtarë. Ne dimë për një numër të vogël të gazetarëve që kanë ikur jashtë vendit duke kërkuar azil, me rastin më të njohur Arbana Xharra, që jeton në SHBA tash e disa vjet si pasojë e kërcënimeve për jetën për shkak të raportimeve të saj”, thotë për “Faktoje”, Rexha.
Në informacionet që ka Asosacioni, një numër i identifikueshëm i gazetarëve nga Kosova “kanë shkuar në vende të BE-së për perspektivë më të mirë ekonomike, kurse të tjerë për arsye krejtësisht private dhe familjare”.
“Rënia e numrit të anëtarëve lidhet edhe me faktin që ndër vite gazetarët e kanë lënë profesionin për t’iu bashkuar ekipeve të politikanëve, Qeverisë dhe institucioneve të tjera”, thotë Rexha.
Qarkorja e Prokurorisë
Nga tetori 2024 vazhdon të jetë në fuqi një qarkore e firmosur nga Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela “Për hetimin e çështjeve që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe të mediave”.
Ajo doli garant se do të mundësonte koordinimin e veprimtarisë mes institucioneve për mbrojtjen e gazetarëve nga çdo akt kërcënimi, dhune apo çdo veprim i paligjshëm që synon pengimin e tyre në ushtrimin e profesionit.
Në këtë qarkore premtohet se prokurorët do të ndjekin me përparësi çështjet, që lidhen me sigurinë e gazetarëve dhe mediave dhe do të mbikëqyrin punën e oficerëve të policisë gjyqësore që i hetojnë këto çështje për të siguruar shpejtësi hetimore.
Blerjana Bino thotë se qarkorja ka dhënë një puls për vëmendje më të madhe ndaj sigurisë.
”Ndërkohë të dhënat e pyetësorëve me gazetarët tregojnë se nuk ka ende shumë njohuri nga gazetarët për protokollin e policisë dhe prokurorisë dhe niveli i kallëzimeve vazhdon të jetë më i ulët se rastet e raportuara”, deklaron Bino.
Skënder Hita: Policia në krah të gazetarëve
Por Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, thekson se protokolli i sigurisë për gazetarët është plotësisht funksional, duke ofruar pika kontakti për adresimin e menjëhershëm të çdo kërcënimi apo rreziku gjatë ushtrimit të detyrës.
“Bashkëpunimi me median është një element kyç për rritjen e besimit të qytetarëve te Policia dhe për forcimin e sigurisë në shoqëri. Në çdo rast kur një gazetar ndihet i kërcënuar, shantazhuar apo kur dëmtohet prona e tij ose e familjarëve të tij, Policia e Shtetit reagon me përgjegjësi dhe profesionalizëm, duke e trajtuar çdo rast me përparësi. Çdo rast ndiqet nga grupe të posaçme hetimore, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë, me angazhim maksimal dhe profesional për zbardhjen e ngjarjeve, identifikimin dhe vënien përpara përgjegjësisë ligjore të autorëve” thotë për “Faktoje”, kryepolici Skënder Hita.
Gazetarit që iu dogj makina në derën e shtëpisë
Qysh prej 26 prillit të këtij viti, kur automjeti iu dogj në derë të shtëpisë në Bulqizë, gazetari Sami Curri nuk ka marrë asnjë informacion lidhur me hetimet që po ndiqen nga prokuroria lokale.
Për Currin, i cili nisi të raportonte dhe të investigonte mbi minierat dhe prokurimet publike që kur ishte në vitin e dytë të Fakultetit të Gazetarisë, çështja e tij vështirë të duket se po trajtohet me përparësi.
“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike” – Sami Curri
“Ndihem i rrezikuar, besoj se do ketë një tentativë për shkatërrim prone prapë për të më dhënë mesazh dhe për të më përcjellë klime frike. Unë kam pasur mundësi të largohem nga Shqipëria dhe nga Bulqiza, po ndjesia ime është se duhet tu shërbej energji dhe forcë qytetarëve” nis rrëfimin e tij për “Faktoje” gazetari Curri.
Thotë se pas ngjarjes, pati mbështetje deklarative, por hetimet nuk kanë ecur. “Nuk jam thirrur asnjëherë mbas ngjarjes për të më dhënë sqarime, nuk kam pasur asnjëherë ftesë. Hetimi është i vakët, e kam thënë që në momentin e parë që ata s’kanë kapacitete” shton gazetari Curri.
Në këtë situatë, ai është detyruar të ulet dhe të shkruajë një memo për prokurorin e çështjes për ta pyetur se çfarë po ndodh mbi hetimet.
Pista e gazetarit është vetëm një, sulmi për shkak të detyrës.
“Unë besoj që ka qenë e lidhur me një hulumtim mbi një tenderim, dhe duke qenë se nuk ia dolën, ata zgjodhën gjënë më të lehtë, i vunë flakën automjetit. Unë denoncova, i kam nisur letër prokurorit të çështjes se ku janë hetimet”, vijon Curri.
“Problem nuk është ligji”
Kur sigurimi i provave bëhet i vështirë dhe gazetarët mbeten në pritje të organit të akuzës për zyrtarizimin e procedimeve gjyqësore, kreu i Asosacionit të Gazetarëve të Shqipërisë, Isa Myzyraj, thekson se problemi kryesor nuk qëndron te mungesa e ligjeve, por te zbatimi i tyre.
“Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë” – Isa Myzyraj
“Në shumë raste hetimet ecin me ritme të ngadalta, nuk ka transparencë mbi ecurinë e tyre dhe gazetarët mbeten pa informacion për atë që po bëhet.
Kjo krijon mosbesim dhe perceptimin se autorët mund të mbeten të pandëshkuar.
Ne kemi kërkuar vazhdimisht që çdo kërcënim ndaj një gazetari të trajtohet me prioritet, të hetohet në mënyrë profesionale dhe të ketë komunikim të rregullt me viktimën. Vetëm hetime të shpejta, të pavarura dhe me rezultate konkrete mund të rikthejnë besimin e gazetarëve se shteti është në gjendje t’u garantojë sigurinë dhe lirinë për të ushtruar profesionin” thotë për “Faktoje”, Myzyraj.
Epilog
Në këto 36 vite në Shqipëri, kemi parë një plejadë gazetarësh të talentuar, të cilët, përmes integritetit dhe përkushtimit të tyre, kanë zbuluar të vërtetën dhe skandalet, kanë denoncuar korrupsionin dhe ekspozuar rrjetet kriminale.
Sot, një pjesë e tyre vazhdon ta përmbushë këtë mision me ndershmëri.
Shumë të tjerë e kanë braktisur profesionin ose e kanë parë si një “trampolinë” karriere.
Të tjerë janë detyruar të largohen jashtë vendit në kërkim të azilit ose një jetese më të mirë.
Breza të tërë kanë kaluar përmes këtij profesioni, por pasioni i patundur për të kërkuar të vërtetën dhe refuzimi për të bërë kompromise, edhe kur kërcënimi të troket në derën e shtëpisë ka mbetur jo për shumicën.
Pretendimi: Kjo video tregon ushtrinë spanjolle që lufton kundër emigrantëve marokenë duke u hedhur mish derri
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————————-
Një video e pazakontë që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, duket se tregon personel dhe automjete ushtarake që hedhin proshutë derri drejt një turme. Ajo shoqërohet me pretendimin se tregon ushtrinë spanjolle që po lufton kundër emigrantëve marokenë. Mishi i derrit është i ndaluar në Islam, feja mbizotëruese në Marok dhe Ceuta, enklavën spanjolle që pa kalimin e kufirit të mbi 50 mijë emigrantëve marokenë në fund të korrikut.
Madridi dërgoi me shpejtësi trupa, dronë, zhytës dhe barka në enklavën që ndodhet në Afrikën veriore. Gazetarët e AFP në Ceuta vunë re një prani masive policore dhe ushtarake, dhe disa të rinj u panë duke u kthyer për në Marok pasi u thanë lamtumirë oficerëve.
Megjithatë, video e mësipërme dukshëm nuk është e vërtetë, por është gjeneruar me programe kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është botuar fillimisht më 30 korrik 2026 dhe është etiketuar si “Bërë me AI.”
“E bëra këtë video me Seedance 2.0 në Yapper! Më pyet çfarë të duash,” shkruantë autori në një postim pasues po atë ditë. Yapper është një platformë krijimi përmbajtjeje që u lejon njerëzve të krijojnë video duke përdorur Seedance 2.0, një model AI nga gjigandi kinez i teknologjisë ByteDance.
Në fund të korrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth 1000 të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Pretendimi: Kjo video tregon emigrantët marokenë që shkaktojnë trazira në enklavën spanjolle të Ceutës
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————————
Në rrjetet sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon një video që pretendohet se tregon emigrantë marokenë që shkaktojnë trazira në enklavën spanjolle të Ceutës.
Në fund të kyorrikut 2026, rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Autoritetet spanjolle kanë numëruar të paktën 72 të vdekur, ndërsa Shoqata Marokene për të Drejtat e Njeriut thotë se numri i të vdekurve është afër “130 viktimave,” përveç “dhjetëra personave të zhdukur.” Rreth 1000 të mitur mbeten në Ceuta, duke qëndruar pa familjet e tyre në një vend të huaj.
Megjithatë, video e mësipërme nuk tregon pamje nga kjo ngjarje.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në rrjet përpara kalimit masiv në Ceuta në korrik 2026.
Ajo është postuar nga llogari të ndryshme në fund maj të këtij viti, me përshkrime si: “31.05.2026. Liga e Kampionëve, finalja. Toulouse.”
Sipas përshkrimeve, pamjet janë filmuar në qytetin francez të Tuluzës pas finales së Ligës së Kampionëve të UEFA.
Video shfaqet gjithashtu në një artikull që liston disa nga rrugët në Tuluzë ku ndodhën trazira.
Vendi ku është filmuar video në rrugën Alsace-Lorraine mund të gjendet nëpërmjet Google Maps dhe Street View.
Më 30 maj 2026, rreth 22,000 oficerë policie u vendosën në të gjithë Francën, përfshirë 8,000 në Paris, pas trazirave që pasuan fitoren e Paris Saint-Germain në Ligën e Kampionëve të UEFA. Policia raportoi arrestimin e 2216 personave dhe gjobitjen e 89 të tjerëve.
Tifozët e Paris Saint-Germain qëndrojnë pranë një zjarri të madh në rrugë pranë Harkut të Triumfit në Paris më 30 maj 2026 (AFP/Kenzo TRIBOUILLARD)
Pretendimi: Kjo video tregon drejtoreshën e Spitalit të Sarandës duke festuar në plazh
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendon se tregon drejtoreshën e Spitalit të Sarandës duke kërcyer në plazh.
Megjithatë, gruaja në video nuk është drejtoresha e Spitalit Bashkiak të Sarandës. Në vitin 2021, Dr. Arjan Kalcuni u emërua drejtor i Spitalit të Sarandës “Petro Nako.” Kolegët e Sarandaweb konfirmuan për Faktoje se dr. Kalcuni e mban ende këtë post.
Dr. Arjan Kalcuni, Dejtor i Spitalit të Sarandës
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme qarkullon që më parë në rrjet me përshkrimin: “Vajza e Jeff Bezos pikaset duke festuar në Ushaia, Ibiza.” Pamje të të njejtës vajzë qarkullojnë në rrjet me pretendimin se ajo është e bija e pronarit milarder të Amazon, Jeff Bezos.
Megjithatë, edhe ky pretendim është i paprovuar.
Gruaja në video është një influencere, e cila ka ndryshuar emrin e saj në “Emily Bezos” në TikTok dhe bën postime sikur të ishte e bija e Jeff Bezos.
Edhe video e cila pretendon se është një “pikasje” rastësore e bijës së Bezos, është botuar fillimsht në TikTok dhe Instagram nga vetë llogaria e saj.
Llogaria në platformën e përmbajtjeve për të rritur Only Fans që lidhet në Instagramin e influenceres mban emrin Ema Santi. I njejti emër është i lidhur me një numërllogarish nëpër rrjetetë ndryshmesociale, ku e njejta influncere poston video në gjermanisht.
Në disavideo ku ajo shfaqet me të njejtën veshje si në videot e mësipërme, në këtë llogari, ajo përshkruhet si e bija e kancelarit gjerman Friedrich Merz.
Me gjasa, kjo është një taktikë për të tërhequr sa më shumë vëmendje, ndjekës dhe abonentë me pagesë për përmbajtjen që ajo prodhon.
Pretendimi: Kjo video tregon dy të huaj në autostradën Tiranë-Durrës që pas përplasjes bëjnë një foto së bashku
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
—————————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon dy të huaj në autostradën Tiranë-Durrës që pas përplasjes me makina bëjnë një foto miqësore së bashku dhe vazhdojnë rrugën.
Megjithatë, ky moment dashamirësie nuk është i vërtetë. Ai është gjeneruar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Lexuesi i vëmendshëm do të ketë dyshuar tashmë sepse një tregues fillestar i përmbajtjeve të generuara me AI janë mospërputhjet logjike. Në këtë rast, kur personazhet janë me kurriz nga ne, gruaja ka dy telefona. Kur kthehet, telefoni që mban në dorën e djathtë zhduket.
Një tjetër tregues është shkurtësia e videos. Shumica e programeve AI i kufizojnë videot në një skenë të vetme që zgjat rreth 8-10 sekonda. Kjo sepse, krahasuar me gjenerimin e imazheve, gjenerimi i videove është më i shtrenjtë, më kompleks dhe shumë më i vështirë për të vijuar krijimin e detajeve.
Megjithëse video e mësipërme është shpërndarë gjerësisht në internet me pretendime se ajo është filmuar në një sërë vendesh, nga Turqia tek Shtetet e Bashkuara, video është postuar fillimisht në TikTok më 22 korrik 2026 nga llogaria @valentinloiseau.ai.
Video origjinale është etiketuar nga autori si i gjeneruar me AI, ndërsa vetë llogaria që e ka postuar vetëpërshkruhet si një “krijues i videove me AI” që “bën gjëra me AI.” Siç pritet, kjo llogari poston ekskluzivisht përmbajtje të gjeneruara me AI.
Shënim:Data 7 gusht 2026 faqjaIliria Newse ka korigjuar lajmin, pas verfikimit të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Në fillim të vitit, ministri i Bujqësisë, Andis Salla, deklaroi se fondet e programit IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit.
“Unë në datën 9 jam dhe në Bruksel bashkë me ekipin për të vazhduar hapat e mëtejshëm në mënyrë që ne brenda gjashtëmujorit të parë të vazhdojmë me çeljen dhe hapjen e këtij sektori kaq të rëndësishëm…” – premtoi Salla.
Megjithatë, fondet IPARD III nuk u çelën dhe nuk ka pasur asnjë vendim të Komisionit Evropian që të autorizojë rifillimin e programit.
Çfarë tha Ministria pasi kaloi afati?
Në fillim të muajit korrik, pas përfundimit të afatit të përmendur nga ministri, Faktoje iu drejtua Ministrisë së Bujqësisë për të kuptuar mbi çfarë baze ishte bërë deklarata dhe në çfarë faze ndodhej procesi për rikthimin e fondeve IPARD në bujqësi.
“Deklarata e Ministrit mbështetet në vlerësimin e ecurisë së procesit të riakreditimit të masave të IPARD III dhe gatishmërinë e vazhdueshme të strukturave përkatëse të Bashkimit Evropian”, thuhet në përgjigjen zyrtare nga ministria e Bujqësisë.
Ministria nuk identifikoi (në përgjigje) asnjë vendim, shkresë apo komunikim zyrtar të Komisionit Evropian që të konfirmonte afatin e qershorit.
“Ministria është në komunikim të vazhdueshëm me Komisionin Evropian lidhur me procesin e delegimit të kompetencave për zbatimin e IPARD III. Objektivi ynë mbetet përmbushja e të gjitha kërkesave institucionale dhe teknike që do të mundësojnë çeljen e fondeve”, shtohet më tej.
Në përgjigjet zyrtare, institucioni konfirmon se Shqipëria kishte përditësuar dokumentacionin, kishte adresuar komentet teknike dhe po përgatiste procesin e auditimit, por procedurat vijonin ende dhe nuk rezultonte të ishte marrë vendimi për rifillimin e programit.
Me fjalë të tjera, ministria e Bujqësisë pranoi se premtimi i ministrit nuk ishte mbështetur në një konfirmim zyrtar të Komisionit Evropian.
Edhe vetë ministri Salla u detyrua të japë sqarime pasi kaloi qershori. Në një intervistë televizive në fillim të korrikut, ai nuk foli më për një datë konkrete të rikthimit të IPARD III, por e përshkroi procesin si ende në pritje të vlerësimit nga Komisioni Evropian.
“Për fondet IPARD jemi në një proces të vazhdueshëm me Komisionin Evropian. Javën e kaluar patëm në komisionin për fondet IPARD dhe jemi në fazën përfundimtare ku kemi bërë të gjithë detyrat që na janë kërkuar dhe jemi në fazën përfundimtare të vlerësimit”,deklaroi ministri.
Një histori afatesh të shkelura
Kjo nuk është hera e parë që autoritetet shqiptare shpallin një afat për hapjen e IPARD III. Që prej pezullimit të programit në vitin 2023, qeveria ka dhënë disa herë afate për rikthimin e fondeve, ndërsa Komisioni Evropian ka përsëritur se procesi varet nga përmbushja e kushteve dhe nuk ka një datë të përcaktuar për rifillimin e programit.
Edhe për afatin e fundit të dhënë nga ministri Andis Salla, “Faktoje” paralajmëroi se ai nuk mbështetej në një konfirmim zyrtar nga Brukseli. Në atë kohë, çdo pritshmëri për hapjen e programit brenda një periudhe të përcaktuar konsiderohej një parashikim i njëanshëm i autoriteteve shqiptare dhe jo një datë e konfirmuar nga pala evropiane.
Më tej, pak javë pas deklaratave të qeverisë shqiptare për një rikthim të afërt të fondeve, Komisioni Evropian konfirmoi për Faktoje se procedura me autoritetet shqiptare ishte ende në zhvillim dhe se nuk ekzistonte një afat i përcaktuar për rifillimin e programit IPARD III.
Sipas Komisionit, vijonin diskutimet për përmbushjen e masave korrigjuese dhe vendosjen e mekanizmave të nevojshëm për mbrojtjen e interesave financiare të Bashkimit Evropian.
Pse u pezullua IPARD?
Programi i mbështetjes në bujqësi IPARD ofron grante në ndihmë të sektorit bujqësor për të gjitha vendet që janë në proces anëtarësimi me Bashkimin Evropian. Shqipëria është një prej pesë vendeve përfituese të mbështetjes me grante.
Shqipëria përfitoi mbi 71 milionë euro grante gjatë periudhës 2014–2020 përmes IPARD II. Ndërsa vendi priste nisjen e programit IPARD III me rreth 146 milionë euro financim, në korrik 2023 Komisioni Evropian pezulloi fondet pas dyshimeve për parregullsi dhe korrupsion në administrimin e skemës. Vendimi u mbështet edhe në gjetjet e Zyrës Evropiane Kundër Mashtrimit (OLAF).
Prej tre vitesh, autoritetet shqiptare kanë ndërmarrë një sërë masash për përmbushjen e kërkesave të Komisionit Evropian, përfshirë auditime, rishikim të procedurave dhe përgatitjen për riakreditimin e strukturave që administrojnë fondet.
Megjithatë, vendimi për rikthimin e programit mbetet në duart e Komisionit Evropian dhe deri më tani nuk është shpallur asnjë datë zyrtare për rifillimin e IPARD III.
Përfundim
Ministri i Bujqësisë Andis Salla premtoi publikisht se fondet IPARD III do të hapeshin brenda gjashtëmujorit të parë të vitit 2026. Afati ka kaluar dhe fondet nuk janë hapur.
Përgjigjet zyrtare të Ministrisë së Bujqësisë për “Faktoje” si dhe komunikimi zyrtar me Komisionin Evropian rrëzojnë premtimin e ministrit, duke konfirmuar se procedura vijon dhe nuk ka një afat zyrtar për rifillimin e programit.
Për këto arsye, premtimi për rikthimin e fondeve IPARD III brenda qershorit, e kategorizojmë premtim të pambajtur.
Pretendimi: Kjo video tregon një turist me makinë elektrike që nuk ngjit dot maloren në Qafë-Thanë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————-
Një video që ka marrë mbi njëmijë pëlqime në Instagram pretendohet se tregon një turist me makinë elektrike që ka vështirësi në ngjitjen e malores në Qafë-Thanë, Shqipëri. Pamjet ndahen me pretendimin se makinat elektrike zhgënjejnë zotëruesit e tyre duke vënë në dyshim alternativën me miqësore me mjedisin të transportit.
Siç shumë komentues kanë vërejtur, megjithatë, vendndodhja e pretenduar e ngjarjes vihet në dyshim nga prania e një teksti të shkruar në alfabetin kinez në cep të videos, dhe fakti që të gjithë të pranishmit në video duken aziatikë.
Më tej, edhe targa e automjetit në video përkon me formatin e targave të makinave elektrike në Kinë, të cilat janë ngjyrë të gjelbër dhe përmbajnë një karakter kinez që përfaqëson provincën, një shkronjë që tregon qytetin dhe një varg alfanumerik me gjashtë karaktere, në të cilin “D” do të thotë “Makinë elektrike.”
Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, duke vënë në pikëpyetje fatin e një prej projekteve më të mëdha infrastrukturore të dekadës së fundit.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka nisur procedurat kontraktore për zgjidhjen e kontratës koncesionare të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, pas mosrespektimit të afateve të parashikuara për përfundimin dhe vënien në operim të projektit”, konfirmoi ministria për Faktoje.
Më herët palëve u ishte lënë kohë për të zgjidhur mosmarrëveshjet tregtare që kishin bllokuar vijimin normal të punimeve, por pas përfundimit të këtij afati janë aktivizuar mekanizmat kontraktorë “për garantimin e interesit publik”
Vendimi vjen pas muajsh përplasjesh mes dy aksionerëve të kompanisë koncesionare, konflikt që çoi në pezullimin e punimeve dhe e largoi edhe më shumë projektin nga afatet e premtuara për përfundimin e tij.
Ne foto: Kryeministri Edi Rama dhe biznesmeni Behgjet Pacolli
Pacolli paralajmëron arbitrazh
Menjëherë pas njoftimit të ministrisë, biznesmeni Behgjet Pacolli reagoi duke paralajmëruar se kompania e tij, MABCO Construction SA, do t’i drejtohet arbitrazhit ndërkombëtar nëse procedura për ndërprerjen e kontratës konfirmohet.
Pacolli deklaroi se deri në momentin e publikimit të lajmit nuk kishte marrë asnjë njoftim zyrtar nga autoritetet shqiptare.
“Për një investim strategjik të kësaj rëndësie, është e papranueshme që investitori të informohet nga mediat dhe jo nga institucionet e shtetit”
Sipas tij, MABCO është ekspozuar financiarisht me mbi 320 milionë euro, pa përfshirë humbjen e fitimit dhe kostot ligjore, ndërsa pretendon se në muajin maj kompania kishte përmbushur pothuajse të gjitha detyrimet kontraktore dhe ndodhej në fazën e certifikimit të aeroportit, kur u pengua të vijonte punimet.
Pacolli akuzon institucionet shqiptare se, edhe pas një vendimi të Gjykatës së Lartë, e mbajtën kompaninë jashtë kantierit për muaj të tërë, duke shkaktuar dëmtimin dhe vjedhjen e pajisjeve.
“Paradoksi është i qartë: nga njëra anë institucionet penguan përfundimin e projektit, ndërsa nga ana tjetër përpiqen ta përdorin pikërisht këtë pengesë si arsye për zgjidhjen e kontratës”
Biznesmeni kosovar thotë se arbitrazhi është bërë i pashmangshëm.
“Arbitrazhi nuk është një kërcënim, është realiteti i krijuar si pasojë juridike e veprimeve të kundërligjshme dhe mosveprimeve të atyre që kishin detyrimin të mbronin investimin dhe interesin publik”
Në fund të reagimit të tij, Pacolli paralajmëron se përgjegjësia financiare nuk do të rëndojë mbi zyrtarët, por mbi taksapaguesit shqiptarë.
“Faturën, fatkeqësisht, do ta paguajnë qytetarët shqiptarë”
Faturat e arbitrazheve nga Beketi tek Behgjeti
Kërcënimi i Behgjet Pacollit për arbitrazh vjen në një moment kur Shqipëria po paguan ende faturat e proceseve të tjera ndërkombëtare.
Të dhënat e fundit nga Ministria e Financave tregojnë se ekspozimi i buxhetit të shtetit nga arbitrazhet ka arritur në 183.57 milionë euro.
Pjesa më e madhe e kësaj fature lidhet me çështjen “Hydro dhe të tjerët kundër Shqipërisë”, e njohur si çështja Becchetti.
Vetëm ky proces llogaritet 108.3 milionë euro, ose rreth 59 për qind e totalit. Bashkë me kostot ligjore, vlera shkon në rreth 112.1 milionë euro.
Nëse edhe çështja e Aeroportit të Vlorës përfundon në arbitrazh, lista mund të zgjatet më tej.
Pacolli ka deklaruar se MABCO do të kërkojë dëmshpërblim jo vetëm për investimin e kryer, por edhe për fitimin e munguar.
Nëse këto pretendime pranohen, fatura për shtetin mund të arrijë në qindra milionë euro të tjera.
Nga “mallkimi” i Ramës te konflikti mes ortakëve
Projekti i Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës është një nga premtimet më të hershme infrastrukturore të kryeministrit Edi Rama.
Kontrata koncesionare u nënshkrua më 20 prill 2021, vetëm pak ditë para zgjedhjeve parlamentare, mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe konsorciumit fitues të përbërë nga MABCO Construction SA, YDA Group dhe 2A Group.
Në ceremoninë e nënshkrimit, Rama pranoi se projekti ishte përballur vazhdimisht me pengesa.
“Belinda (Balluku) e di shumë mirë, në një moment të caktuar, unë fillova t’i them, nuk ka mundësi, ka një mallkim. Dikush e ka mallkuar këtë projekt, sepse sapo zgjidhnim një problem, lindte një tjetër…”
Punimet nisën në ditën e flamurit, 28 nëntor të 2021, pak muaj pas nënshkrimit të kontratës.
Fillimisht, aksionet e kompanisë koncesionare u ndanë me 58 për qind për MABCO-n e Behgjet Pacollit, 40 për qind për kompaninë turke YDA Group dhe 2 për qind për 2A Group. Në vitin 2022, YDA Group u largua nga projekti me miratimin e Ministrisë së Infrastrukturës, duke ia shitur aksionet Pacollit. Pas kësaj, MABCO kontrollonte 98 për qind të kompanisë.
Por në fund të vitit 2025 shpërtheu konflikti mes MABCO-s dhe 2A Group për kontrollin e shoqërisë koncesionare. Mosmarrëveshja përfundoi në gjykatë dhe solli pezullimin e punimeve, ndërsa përpjekja e ministrisë për t’u dhënë palëve kohë që të gjenin një zgjidhje nuk prodhoi rezultat.
Nga një afat konkret te një premtim pa datë
Ne foto: Kryeministri Edi Rama
Përveç konfliktit mes aksionerëve, projekti është shoqëruar edhe nga shtyrje të vazhdueshme të afateve të hapjes. Sipas planit fillestar, aeroporti duhet të kishte nisur fluturimet pranverën e 2025. Me pas u premtua vjeshta e 2025.
Por afatet janë shkelur. Në fund të vitit të kaluar, kryeministri Rama deklaroi publikisht se aeroporti duhej të hapej brenda pranverës së vitit 2026.
“Dëshiroja shumë të respektohej fjala. Fjala nuk u respektua. Tani të respektohet kontrata, që është pranvera e vitit të ardhshëm” u shpreh Rama gjatë konferencës së fundvitit me gazetarët.
Por teksa edhe ky afat nuk u realizua, Rama ndryshoi qendrimin. Një muaj më parë nga Rinasi, gjatë një aktiviteti në Aeroportin ‘Nënë Tereza’ ai nuk përmendi më asnjë datë konkrete.
“Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë ka ndërmarrë hapat e duhur në këtë drejtim dhe objektivi ynë mbetet i palëvizshëm që Aeroporti i Vlorës do të hapet me patjetër dhe nuk do të jetë pre e mosmarrëveshjeve brenda për brenda kompanisë”, tha Rama.
Përfundim
Më shumë se pesë vite pas nënshkrimit të kontratës, aeroporti i Vlorës nuk ka nisur operimin dhe tashmë rrezikon të përfundojë në arbitrazh ndërkombëtar, duke sjellë një tjetër faturë të rëndë për financat publike. I vetmi fluturim mbetet ai i 8 majit 2025, në prag zgjedhjesh, kur një avion testues u ul në pistën e aeroportit të Vlorës.
Pretendimi: Ky imazh tregon që Papa Gjon Pali II dhe Nënë Tereza kanë qenë në ishullin privat të pedofilit dhe trafikantit amerikan Jeffrey Epstein
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
——————————————————————————-
Në rrjetet konspiracioniste shqipfolëse po qarkullon sërish pretendimi se shenjtorja shqiptare Nënë Tereza ka qenë e lidhur me pedofilin dhe trafikantin famëkeq Jeffrey Epstein. Kësaj radhe, pretendimet përfshijnë dhe Papë Gjon Palin II, i cili shfaqet krahë Epstein dhe Nënë Terezës në një imazh që shoqëron pretendimin.
Si zakonisht, për të mbështetur këto pretendime nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Me anë të motorit të kërkimit Google Lens, Faktoje gjeti se imazhi i mësipërm është shkëputur nga një video, botuar nga një llogari me emrin @icantevenproductions, i njejti emër që shfaqet në pjesën e poshtme të imazhit që shoqëron postimin.
Autori i I Can’t Even Productions vetëpërshkruhet si “kineast AI” dhe boton video udhëzime për gjenerimin dhe prodhimin e videove të gjeneruara me programe kompjuterike të ndryshëm të inteligjencës artificiale (AI) për abonentët e tij.
Video e mësipërme, e botuar në Instagramin e I Can’t Even Productions më 11 shkurt, është etiketuar nga autori si “klingai,” për të treguar se video është gjeneruar me mjetin AI Kling.ai.
Pretendimi: Plani Kalergi, i krijuar nga babai i Bashkimit Europian Richard Coudenhove-Kalergi, kërkon shfarosjen e të bardhëve në Europë
Verdikti: E pavërtetë
———————————————————————
Në rrjetet konspiracioniste, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi se ekziston një plan për zëvendësimin e racave të bardha të Europës me një popullsi “Euraziatike-Negoride” që mund të kontrollohet lehtësisht nga elitat. Ky plan pretendohet se është hartuar nga “babai themelues” i Bashkimit Europian, Richard Coudenhove-Kalergi.
Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të pazakontë nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Shumë teori konspirative duket se hasin vështirësi me dallimin midis një parashikimi (p.sh. “do të bjerë shi nesër”), një dëshire (p.sh. “shpresoj të bjerë shi nesër”) dhe një plani (p.sh. “do të manipuloj retë në mënyrë që të bjerë shi nesër”).
Teoria konspirative antisemite dhe raciste që rrethon Planin Kalergi vuan nga të njëjtat të meta. Një parashikim nga viti 1925 për përzierjen në rritje të popujve në të ardhmen bëhet, sipas teorive konspirative, një plan i përcaktuar mirë për “shfarosjen e të bardhëve.”
Në kuptimin e ngushtë të fjalës, nuk ka asnjë plan.
Richard Coudenhove-Kalergi ishte një aristokrat austriak me rrënjë japoneze, i njohur kryesisht për angazhimin e tij ndaj një projekti pan-europian. Ky ishte veçanërisht një reagim ndaj tmerreve të Luftës së Parë Botërore dhe synonte të bashkonte kontinentin në një bashkim për të shmangur luftëra të mëtejshme.
Ai ishte një nga mbështetësit e parë të një bashkimi të Evropës, dhe në këtë cilësi, ai ngjalli zemërimin e Hitlerit dhe nazistëve, ndër të tjerë. Pas Luftës së Dytë Botërore, ai vazhdoi t’i përkushtohej projektit të tij pan-evropian. Edhe pse ai sigurisht pati një ndikim ideologjik në krijimin e Bashkimit Evropian, ai nuk konsiderohet drejtpërdrejt një nga baballarët e atij bashkimi. Ai vdiq në vitin 1972. Pas vdekjes së tij, u krijua Çmimi Coudenhove-Kalergi, i cili u jepet njerëzve që i janë përkushtuar unitetit të Evropës, siç është Angela Merkel.
Kalergi nuk shkroi kurrë një “plan”. Miti lindi dekada më vonë, i shpikur nga neonazisti austriak Gerd Honsik në fillim të viteve 2000. Honsik shtrembëroi fjali nga libri i Kalergi i vitit 1925, “Idealizmi Praktik”,për të pretenduar se Kalergi donte të shkatërronte popullsinë e bardhë të Evropës dhe ta zëvendësonte atë me një shoqëri me raca të përziera të udhëhequr nga hebrenjtë.
Bëhet fjalë për disa fjali (fq. 22-23), në të cilat Kalergi parashikon se në të ardhmen, popujt do të përzihen gjithnjë e më shumë për shkak të të gjitha llojeve të faktorëve dhe do të ngjajnë me egjiptianët e lashtë. Megjithatë, kjo citohet pa kujdes. Tre fjalitë e para të citatit mund të gjenden në faqet 22 dhe 23. Fjalitë që vijojnë në ‘citat’, megjithatë, shfaqen 27 faqe më vonë, megjithëse paraqitet si një citat i vazhdueshëm. Për më tepër, nuk përkthehet fjalë për fjalë dhe fjalët janë lënë jashtë.
Ideja e një ‘Plani Kalergi’ bazohet në citime të nxjerra jashtë kontekstit, të cilat paraqesin një pamje të shtrembëruar të botëkuptimit të austriakut. Kjo u konfirmua edhe nga Martyn Bond, i cili shkroi një biografi rreth Kalergi. Sipas Bond, Coudenhove-Kalergi shkroi në mënyrë parashikuese rreth përzierjes së racave dhe klasave shoqërore në të ardhmen e largët, bazuar në atë që ai kishte vëzhguar tashmë. Në asnjë mënyrë nuk bëhet fjalë për një axhendë apo një plan të paracaktuar.
“[Kalergi] përshkruan objektivisht atë që tashmë po ndodhte dhe që do të ndodhte gjithnjë e më shumë – përzierjen racore – ndërsa faktorë të ndryshëm të globalizimit u bënë gjithnjë e më të dukshëm,” shkroi Bond. Por ato ishin përshkrime, jo udhëzime. Pretendimi se ai “synonte të eliminonte racën e bardhë përmes përzierjes racore me emigrantë nga jashtë Europës” është një “keqlexim i madh” i punës së tij, sipas Bond.
Shkrimet e vetë Kalergi tregojnë se ai donte ta forconte Europën duke besuar se vetëm një kontinent i bashkuar do të ishte në gjendje të përballej me gjigantë si Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Sovjetik.
Ai gjithashtu mendonte se kultura evropiane po “ecte përpara me fitore” dhe përfundimisht do të “thithte” kulturat e tjera. Bond i tha PolitiFact se pavarësisht trashëgimisë së tij të përzier, Kalergi mbante një bindje të “superioritetit të të krishterëve të bardhë,” një pikëpamje që kritikët e tij të ekstremit të djathtë “mund edhe ta miratojnë.”
Megjithëse teoritë konspirative rreth “gjenocidit të bardhë” janë më të vjetra, pretendimet specifike që lidhen me Kalergi kanë origjinën e tyre në Gjermaninë naziste, sipas historianëve Roland Clark dhe Nikolaus Hagen.
Ato u qarkulluan, ndër të tjera, nga gazeta e Partisë Naziste, e cila përdori gjuhë ksenofobike, antisemite dhe raciste për ta përshkruar Kalergin si “profetin komercial të Pan-Evropës” dhe “një bastard të veshur dhe të keq” që “ëndërron një botë njerëzish euroaziatikë-negroidë, të nënshtruar ndaj sundimit të dhënë nga Zoti të hebrenjve”.
Në vitin 2019, Komisioni Evropian iu përgjigj negativishtpyetjes nëse Plani Kalergi përbënte bazën e politikës europiane të migracionit. Komisioni u përgjigj se nuk ishte në dijeni të ndonjë “plani” dhe vuri në dukje politikën e tij të migracionit, e cila është përditësuar disa herë gjatë dekadës së fundit.
Teoria konspirative “Plani Kalergi” është një variant europian i teorive të konspiracionit rreth “gjenocidit të të bardhëve” që frymëzuan një person të armatosur që vrau 51 persona në dy xhami në Zelandën e Re në vitin 2019.
A po kthehen zonat më të mbrojtura të Shqipërisë në hapësirat e saj më të cenuara? Mbrojtja e natyrës po përplaset hapur me pretendimet për zhvillim ekonomik, duke e shndërruar debatin për zonat e mbrojtura në një nga testet më serioze të Shqipërisë drejt Bashkimit Evropian. Ndërsa qeveria deklaron përparim në negociatat e anëtarësimit në BE, debati mbi fatin e zonave të mbrojtura është kthyer në një sprovë kyçe të besueshmërisë politike të vendit. Amendamentet e kontestuara të shkurtit 2024 për Zonat e Mbrojtura kanë ndezur dritat “e kuqe” (red flags) në Bruksel.
Në një reagim të prerë, Parlamenti Evropian i kërkoi së fundmi autoriteteve shqiptare përmes një rezolute “vendosjen e menjëhershme të një moratoriumi mbi të gjitha lejet e reja dhe punimet ndërtimore brenda zonave të mbrojtura, derisa të shfuqizohen amendamentet e vitit 2024”.
Ndërkaq një zëdhënës i Komisionit Evropian, në përgjigje të interesit të Faktoje.al i kujton qeverisë shqiptare detyrimet për përmbylljen e negociatave për Kapitullin 27, dhe konfirmon se Komisioni po e monitoron nga afër situatën.
“Kriteret përmbyllëse për Kapitullin 27 u vendosën në shtator 2025. Aty kërkohet përafrim me legjislacionin e BE-së (EU acquis) për mbrojtjen e natyrës, shfuqizim i dispozitave të papërputhshme të miratuara përmes amendamenteve në ligjin për zonat e mbrojtura, si dhe shfuqizimin e legjislacionit të vitit 2015 për investimet strategjike”, thotë për Faktoje.al një Zëdhënës i Komisionit Evropian në përgjigjen me shkrim.
Foto nga Pishe Poro-Narte (Atdhe Mulla/Faktoje)
Përballja
Megjithatë, përballë shqetësimeve nga Brukseli, autoritetet në Tiranë thonë se pretendimet e kritikëve nuk bazohen në fakte ligjore. Në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al, Agjencia për Media dhe Informim (MIA) e zbeh peshën e këtyre shqetësimeve, dhe nga ana tjetër thotë se sidoqoftë ligji në fjalë do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian.
“Rezolutat e Parlamentit Evropian nuk janë detyruese për asnjë shtet anëtar apo jo anëtar, ndërkohë që kush kërkon shfuqizimin e amendamenteve të vitit 2024 nuk ka sjellë asnjë provë se ato bien ndesh me direktivën evropiane” , thuhet në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.
Opozita
Por Jorida Tabaku, deputete e opozitës dhe Kryetare e Këshillit Kombëtar të Integrimit, ka një qasje tjetër dhe është mjaft kritike.
“Është e vërtetë që rezoluta e PE-së nuk është drejtpërdrejt detyruese për parlamentin shqiptar, por ajo është sugjeruese në momentin kur merren vendime nga Parlamenti Evropian për Shqipërinë. Pra, edhe pse jo drejtpërdrejt, ajo bën ciklin e saj dhe kthehet në detyruese për vendin tonë”, argumenton Zonja Tabaku.
Foto nga Zverneci (Atdhe Mulla/Faktoje)
Kuadri ligjor dhe VKM-të ndër vite
Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e Mbrojtura nuk ishin një incident i izoluar, por vazhdë e një politike qeveritare 10-vjeçare që e sheh territorin e zonave të mbrojtura si resurs për zhvillimin e turizmit. Kjo rrugë nisi me miratimin e Ligjit për Investimet Strategjike një dekadë më parë (me afat fillestar 3-vjeçar, por i shtyrë vazhdimisht deri në fund të këtij viti) me synimin e qeverisë për të forcuar turizmin elitar në bregdet, pasuar me disa VKM që prekin kufijtë e zonave të mbrojtura.
Eksperti i mjedisit Olsi Nika atakon tre vendime, atë për Parqet Kombëtare (Kategoria II) në vitin 2022 që konkludoi në rishikimin e përgjithshëm të kufijve të të gjitha Parqeve Kombëtare në Shqipëri. Ai thotë se sipërfaqeve të tëra brenda zonave të mbrojtura iu hoq regjimi i mbrojtjes.
Një tjetër vendim, siç thotë z. Nika, klasifikoi si Rezervate Natyrore të Menaxhuara edhe ato zona të mbrojtura që më parë gëzonin statusin e Rezervatit Strikt Natyror (Kategoria I), i pasuar me një nga vendimet më të debatuara atë për Peizazhin e Mbrojtur Pishë Poro Nartë të vitit 2024. Eksperti i mjedisit thotë se ky vendim, prek një nga ligatinat më të rëndësishme të Mesdheut dhe rrugën kryesore të shtegtimit të shpendëve (përfshirë flamingot e pelikanët).
“Ai rishikon kufijtë e Peizazhit të Mbrojtur Vjosë-Nartë dhe Pishë Poro, dhe zonimin e saj të brendshëm”, argumenton eksperti Nika.
“Të tria këto vendime ne i kemi sfiduar në rrugë ligjore duke i adresuar në Gjykatën Administrative të Apelit. Proceset janë ende në vijim. Kur proceset filluan të bëheshin interesante, qeveria e ndjeu rrezikun dhe përdori parlamentin për të noterizuar aktin e fundit: Ligjin për Zonat e Mbrojtura. Ky ligj legjitimon zhvillimet intensive të natyrës urbane brenda zonave të mbrojtura”, thotë për Faktoje.al Olsi Nika, Drejtor Ekzekutiv i “EcoAlbania”.
Foto: Atdhe Mulla Foto: Atdhe Mulla
Qëndrimi zyrtar i autoriteteve
Por nga ana tjetër, në një përgjigje sqaruese të posaçme me shkrim për Faktoje.al, Agjencia e Medias për Informim, i argumentoi këto vendime “me nevojën e modernizimit të rrjetit të zonave të mbrojtura sipas standardeve të BE dhe të IUCN-së, International Union for Conservation of Nature) duke reflektuar njohuritë më të fundit shkencore dhe realitetin në terren”.
Për autoritetet shqiptare – “në praktikë, zonat e mbrojtura shqiptare ishin krijuar në periudha të ndryshme, me kritere jo gjithmonë të njëjta dhe me kufij që në shumë raste nuk pasqyronin habitatet natyrore apo njësitë ekologjike”.
Në përgjigje sqarohet se “Për këtë arsye u krye një proces rishikimi, ku: u harmonizuan kategoritë e mbrojtjes me klasifikimin ndërkombëtar të IUCN (International Union for Conservation of Nature) u korrigjuan kufijtë për të ndjekur më mirë kufijtë ekologjikë dhe jo vetëm administrativë, u eliminuan mbivendosjet dhe pasaktësitë e krijuara ndër vite si dhe u përfshinë sipërfaqe të reja me vlera të larta natyrore duke i çuar në 22% këto sipërfaqe”
Këto ndryshime sipas zyrtarëve ishin produkte të një studimi kombëtar i kryer nga Shoqata Kombëtare e Parqeve të Shqipërisë me mbështetjen financiare të Agjencisë Kombëtare të Zonave të Mbrojtura dhe Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit.
Qëndrimet mbi ndryshimet në Ligjin për zonat e mbrojtura
Foto nga Butrinti
Drafti fillestar i një grupi deputetësh të PS mbështetur edhe në kërkesa të disa bashkive u konsultua sipas ekspertëve edhe me grupet e interesit, por me keqardhje ata thonë se parlamenti miratoi në shkurt të vitit 2024 draftin që reflektoi më së shumti ndërhyrjet e Qeverisë dhe të Ministrisë së Turizmit, të pakonsultuara me këto grupe.
Ligjvënës të shumicës qeverisëse në atë kohë mbrojtën idenë se ligji nuk do të lejonte “ndërtime pa kriter” apo masive, por vetëm struktura ekologjike të turizmit të nivelit të lartë (resorte me 5 yje), me argumentin se, turizmi elitar sjell të ardhura të mëdha për shtetin dhe nuk dëmton mjedisin sa turizmi masiv popullor.
Por argumentet e opozitës dhe organizatave mjedisore janë kryekëput të kundërta, duke e cilësuar atë një ligj ogurzi për mjedisin, ekosistemet kombëtare dhe biodiversitetin.
Jorida Tabaku veçon disa problematika të ligjit për Zonat e Mbrojtura ndërsa argumenton dhe idenë e shfuqizimit të Ligjit për Investimet Strategjike, kërkesë e Komisionit Evropian. Të dyja këto ligje, thotë ajo, ndërthuren me njëra tjetrën në dëm të mjedisit dhe tregut të lirë.
“Ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin për Zonat e mbrojtura i hapin rrugën një përqindje të caktuar ndërtimesh (20% deri në 40%) në këto zona. Ligji centralizon kompetencat, heq disa përgjegjësi nga pushteti lokal dhe ia kalon ato Këshillit Kombëtar të Territorit (KKT).
Gjithashtu, Ligji për Investimet Strategjike duhet anuluar sepse ndan asete publike pa garë dhe pa konkurrencë të lirë (jep favore dhe heq taksa) duke cenuar tregun e lirë. Nëse deri dje investimet strategjike nuk lejoheshin në zona të mbrojtura, tashmë ato lejohen”, shprehet Jorida Tabaku.
E ndërsa Kryeministri Edi Rama është zotuar në Bruksel se Ligji i Investimeve Strategjike do të shfuqizohet, pasi siç u shpreh ai, e ka kryer misionin, debati mbi ndryshimet e Ligjit për Zonat e mbrojtura duket se do të vazhdojë gjatë. Ekspertët e mjedisit vijojnë të jenë mjaft kritikë.
“Pas amendimeve të vitit 2024, ligji, pa çka se titullohet ‘Ligji për Zonat e Mbrojtura’, në fakt është ‘Ligji për Zonat e Mbetura’. Mbrohen efektivisht vetëm ato zona që kanë mbetur jashtë interesit momental të ndonjë zhvilluesi apo investitori strategjik”, argumenton Olsi Nika, ekspert mjedisi.
Por në argumentet shtjelluese për Faktoje.al Agjencia e Medias për Informim thotë se “Ndryshimet e vitit 2024 nuk synojnë liberalizimin e pakontrolluar të ndërtimeve, por krijimin e një kuadri më të qartë ligjor për zhvillimin e aktiviteteve që konsiderohen të pajtueshme me objektivat e ruajtjes së natyrës” duke i mëshuar faktit se “ligji nuk krijon një të drejtë automatike për të ndërtuar në zonat e mbrojtura, pasi çdo projekt duhet të kalojë filtra të detyrueshëm si procedura e Vlerësimit të Ndikimit në Mjedis sipas rastit apo marrja e autorizimeve të parashikuara në legjislacion. Koncepti nuk është – ‘zhvillim në dëm të natyrës’, – por zhvillim i kontrolluar dhe i kushtëzuar, i ngjashëm me modelet që ekzistojnë në shumë shtete anëtare të Bashkimit Evropian. Këto ndryshime nuk përjashtojnë asnjë nga garancitë procedurale të kërkuara nga e drejta evropiane”, thuhet më tej në përgjigjen e Agjencisë për Media dhe Informim.
Kundërshtia
Por për një nga zërat mbrojtës të turizmit, natyrës dhe trashëgimisë kulturore, Auron Tare, asgjë nuk ka qenë e rastësishme apo një rrjedhë brenda normalitetit:
“Të gjitha këto ligje të bëra me porosi tregojnë se qeveria gjatë këtyre viteve ka miratuar kuadër ligjor për qëllime të caktuara. Veçanërisht ‘Albania Files’ tregon se ekziston një vizion i Kryeministrit, i caktuar për t’i çuar përpara këto projekte pa konsultim publik dhe pa plotësuar detyrimet ligjore. Të gjitha këto janë anashkaluar në mënyrën më arrogante”, thotë për Faktoje.al Auron Tare, Hulumtues / Anëtar i Këshillit Shkencor të UNESCO-s për Trashëgiminë Nënujore.
Rruga gjyqësore
Përkundrejt debatit politik dhe teknik mes Tiranës dhe Brukselit, ambientalistët kanë ndjekur një rrugë tjetër atë të Gjykatës, duke i atakuar ndryshimet e vitit 2024 në Ligjin e Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Kushtetuese.
Gjykata Kushtetuese, në vitin 2025 përmes votimit 4 me 4, nuk arriti të marrë vendim për kërkesën e deputetëve të opozitës mbështetur dhe nga organizatat mjedisore për pezullimin e ligjit, ndërsa mori vendim 5 me 3 për rrëzimin e kërkesës për antikushtetueshmërinë e ligjit.
Organizata AOS dhe EcoAlbania e kanë dërguar vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese sa i përket ligjit të Zonave të Mbrojtura në Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut në Strazburg.
Ndërkohë EcoAlbania ka dërguar një ankimim për projektet në zonën e Pishë-Poro Nartës (përfshirë dhe atë të Zvërnecit) dhe ndryshimet ligjore edhe në Konventën e Bernës.
Këto projekte janë tashmë dhe në fokusin e Brukselit. Në përgjigjen me shkrim të një Zëdhënësi të Komisionit Evropian për Faktoje.al thuhet se:
“Komisioni Evropian po e monitoron nga afër situatën, si dhe po siguron një kontakt të vazhdueshëm me autoritetet shqiptare dhe shoqërinë civile. Në rastin e projektit në zonën Pishë Poro–Nartë – ashtu siç është rasti për të gjitha projektet që janë në vijim në Shqipëri, ai do të duhet të jetë në përputhje me kriteret e vendosura në kuadër të kapitullit të mjedisit (27) të procesit të anëtarësimit. Ky kapitull është aktualisht i hapur”, argumenton për Faktoje.al përmes një zëdhënësi Komisioni Evropian.
Por autoritetet në Tiranë vijojnë të përsërisin se legjislacioni do përshtatet në kuadër të negociatave me atë të BE, por pa dhënë detaje konkrete se si, edhe pse nga ana tjetër i mbrojnë ndryshimet e atakuara në Ligjin për Zonat e Mbrojtura.
Agjencia për Media dhe Informim duke ju përgjigjur interesit Faktoje.al u shpreh se Ligji për Zonat e Mbrojtura do të përputhet 100% me direktivën si pjesë e kalendarit të miratuar me Komisionin Evropian. “Në fund do shohim se kush kishte të drejtë e kush kishte më pak të drejtë” , thuhet në përgjigjen e MIA-s.
Situata në terren dhe monitorimi i zonave
Foto nga Karaburuni
Por ekspertët mjedisorë aktualisht mendojnë se fundi duket i pafund, duke renditur disa zona të mbrojtura të prekura nga ligji, në të cilat kanë nisur apo janë në pritje projektet ndërtimore si në:
• Zonën e Pishë Poro Nartë,
• Parkun Kombëtar Divjakë-Karavasta
• Parkun natyror Karaburun,
• Parkun Kombëtar të Butrintit ( Gjiri i Manastirit / Aramerë)
• Kompleksin ligatinor Kune –Vain –Tale
• Në zonën Rana e hedhun, monument natyre kategoria e tretë.
• Në Zonën Bunë Velipojë, rezervat natyror i menaxhuar.
Aktivistët mjedisorë argumentojnë se në këto zona shihet një përmbledhje ndërtimesh që përfshijnë komplekse rezidenciale, struktura për ankorim jahtesh e mjetesh detare, si dhe hotele me shumë kate që zëvendësojnë strukturat tradicionale apo mjedisore.
“Në ato zona që janë prekur, dëmi mjedisor është i jashtëzakonshëm sepse ato nuk mund të quhen më territore të mbrojtura, por janë kthyer në zona urbane. Te Gjiri i Manastirit shikon vetëm ndërtim, asnjë gjelbërim. E njëjta gjë në Rezervatin Natyror të Karaburunit apo me projekte në Parkun Kombëtar të Butrintit. Praktikisht s’ka më mbrojtje ligjore” , thotë për Faktoje.al Taulant Bino, Ornitolog / Drejtues i Shoqërisë Ornitologjike Shqiptare (AOS).
Organizatat mjedisore argumentojnë se ndryshimet në Ligjin për Zonat e mbrojtura nuk kanë krijuar thjesht një debat lokal, por e kanë vendosur shtetin shqiptar në pozita të forta përplasjeje me Këshillin e Evropës (Konventa e Bernës), Komisionin Evropian dhe rrjetet e konventave mjedisore globale.
“Ka pasur dy rrugë paralele: nga njëra anë rruga zyrtare me BE-në, ku u është thënë ‘po’ çdo kërkese; nga ana tjetër, rruga e ndjekur për interesa, qëllime dhe planifikime të caktuara. Këto dy rrugë nuk bashkohen. Tani që ka pasur reagime, BE-ja po e kupton se ajo që është premtuar në letër dhe ajo që po bëhet në terren janë dy gjëra plotësisht të kundërta,” vijon Auron Tare.
Por nga ana tjetër edhe presioni i brendshëm gjithashtu është mjaft i lartë. Prej gati dy muajsh, një rezistencë e gjerë qytetare që nisi në kundërshtim të ndërtimit të një resorti luksoz në Zvërnec, “nën petkun” e Revolucionit të Flamingove është artikuluar qartë në ruajtjen e mjedisit, habitateve natyrore dhe ekosistemeve.
” Çdo lëvizje e qeverisë do të jetë në ‘sitën’ e BE-së. Nëse qeveria vazhdon kundër zonave të mbrojtura, atëherë i thotë ‘mirupafshim’ procesit të integrimit evropian. Protesta e shoqërisë civile ka dhënë mesazhe shumë të qarta, si: Shfuqizimin e Ligjit për Investimet Strategjike, shfuqizimin e amendamenteve dëmtuese të Ligjit për Zonat e Mbrojtura, transparencë mbi vendimmarrjen e sektorit të turizmit elitar dhe anulimin e projektit të Zvërnecit dhe projekteve simotra”, vijon Taulant Bino.
Debati mbetet i hapur
Debati mbi Ligjin e Zonave të Mbrojtura tashmë ka kaluar kufijtë e një diskutimi lokal mjedisor, duke u kthyer në një nga sprovat më të vështira të Kapitullit 27 dhe test kyç për balancën mes zhvillimit ekonomik dhe detyrimeve integruese të Shqipërisë. Ndërsa institucionet shtetërore këmbëngulin se kuadri i ri do të përafrohet plotësisht me direktivat e BE-së sipas kalendarit të negociatave, sprova e vërtetë mbetet te zbatimi i tij në terren.
Në këtë udhëkryq, zotimi i qeverisë për harmonizim ligjor po përballet me presionin e Brukselit dhe atë të reagimit qytetar në vend. Në fund, suksesi apo dështimi i kësaj reforme nuk do të matet me deklarata politike apo kalendare negociatash, por me atë se çfarë do të mbetet realisht e mbrojtur në territorin dhe ekosistemet e Shqipërisë.
Pretendimi: Po përdoren qeliza të bebeve të abortuara në mënyrë që ushqimi të shijojë më shumë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————————-
Në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, po qarkullon pretendimi i pazakontë se markat më të mëdha të ushqimit dhe pijeve në botë, përfshi PepsiCo, Nestlé, Kraft dhe Campbell’s, po përdorin qeliza të bebeve të abortuara në mënyrë që ushqimi të shijojë më shumë.
Postimi i mësipërm citon faktin që kompania e bioteknologjisë Senomyx përdori linjën qelizore HEK293 në kërkime që përfshinin zhvillimin e shijeve. Linja qelizore HEK293 u krijua për herë të parë në fillim të viteve 1970 duke përdorur qeliza nga veshka e një fetusi. Megjithëse postimi pretendon se qelizat erdhën nga fetuse të abortuara, krijuesi i linjës HEK293 nuk e ka thënë kurrë këtë. Ai më parë ka thënë se nuk e dinte nëse origjina lidhej me një abort të planifikuar apo me një abort spontan. Alexander van der Eb, i cili siguroi qelizat origjinale të kultivuara të veshkave që do të bëheshin HEK293, shprehu të njëjtën pasiguri në vitin 2001.
Raportime të shumta lajmesh gjatë viteve kanë sqaruar se kompania nuk ka futur qeliza fetale në asnjë produkt ushqimor që u është dhënë konsumatorëve.
Megjithatë, raportime të shumta lajmesh gjatë viteve kanë sqaruar se kompania nuk ka futur qeliza fetale në asnjë produkt ushqimor që u është dhënë konsumatorëve.
Linjat qelizore janë qeliza të “pavdekshme” të rritura në laborator që përdoren në kërkime në vend të indeve të vërteta njerëzore ose shtazore. Linjat qelizore përdoren shpesh në kërkime sepse ato ofrojnë një furnizim të pakufizuar të materies qelizore dhe anashkalojnë shqetësimet etike që lidhen me përdorimin e qelizave shtazore dhe njerëzore. Qeliza origjinale HEK293 u izolua dhe u klonua, dhe ‘pasardhësit’ e saj janë përdorur që atëherë në kërkimet biomjekësore dhe prodhimin e vaksinave. Nuk kërkohen qeliza të reja fetale për të mbajtur linjën qelizore në prodhim.
Një zyrtar i Senomyx shpjegoi në një intervistë të vitit 2011 me Miami New Times se kompania përdori linjat qelizore në “në thelb një sistem robotik shijimi” që izolonte receptorët e shijes njerëzore në formën e proteinave për të testuar se si reagonin ndaj shijeve. Aromat që treguan potencial në eksperimentet laboratorike u propozuan për teste shijeje me njerëz të vërtetë.
Frank Graham, një profesor emeritus në departamentet e biologjisë dhe patologjisë dhe mjekësisë molekulare në Universitetin McMaster, zhvilloi linjën qelizore HEK-293 në vitet 1970. Ai i tha Associated Press se qelizat “do të përdoren në teste për veti të ndryshme të përbërjeve që do të përdoren si përmirësues të shijes”, por “vetë nuk do të përfshihen në pije ose ushqime të tjera”.
“Kjo nuk do të kishte kuptim,” tha Graham. “Me sa di unë, qelizat përdoren vetëm për testime in vitro të kimikateve dhe përbërjeve të ndryshme.”
Dr. David Gorski, një onkolog kirurgjik dhe redaktor menaxhues i faqes së internetit Science-Based Medicine, ka shkruar rreth keqkuptimeve rreth linjave qelizore fetale. Ai tha për AP se kërkimi i linjave qelizore fetale “nuk përfshin indet e vërteta të fetusit”.
“Ai përdor linja qelizore të izoluara nga fetuset, shpesh dekada më parë”, shkroi Gorski.
Pra, një kompani aromatizuese përdor një linjë qelizash të nxjerra nga qelizat e veshkave fetale për të testuar dhe identifikuar aromat artificiale për zhvillim të mëtejshëm, por këto qeliza nuk përfundojnë në ushqimin që hanë konsumatorët.
Megjithatë, shumica e kompanive kryesore të ushqimit dhe pijeve deklarojnë se nuk përdorin produkte Senomyx ose ndonjë përbërës të zhvilluar duke përdorur qeliza të nxjerra nga fetuset njerëzore.
Në 2019, kolegët faktverifikues britanike të Full Fact pyetën disa kompani globale ushqimore nëse produktet e tyre përmbanin aroma të zhvilluara duke përdorur qeliza HEK-293. Campbell’s, KraftHeinz dhe Coca-Cola thanë se nuk përdornin asnjë produkt Senomyx ose ndonjë aromatizues të zhvilluar duke përdorur qeliza HEK-293. PepsiCo tha se kishte një partneritet kërkimor me Senomyx, por asnjë nga këto kërkime nuk përdornin linja qelizore të nxjerra nga embrione ose fetuse.
Administrata amerikane e Ushqimit dhe Barnave (FDA) deklaron se indet fetale nuk lejohen në asnjë formë në ushqim. “Nuk ka kushte sipas të cilave FDA do ta konsideronte indin fetal njerëzor të sigurt ose të ligjshëm për konsum njerëzor ose shtazor”, tha një zyrtar për USA Today. “FDA nuk është në dijeni të ndonjë kompanie që ka futur ndonjëherë qeliza fetale në produkte ushqimore dhe për këtë arsye nuk ka ndërmarrë asnjë veprim zbatues kundër ndonjë kompanie për vendosjen e qelizave fetale në produkte ushqimore.”
Pretendimi: Kjo video tregon mijëra emigrantë marokenë që u transportuan me kamionë në bashkëpunim me policinë në kufirin spanjoll në Ceuta
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon emigrantë marokenë që “u transportuan me kamionë direkt në kufirin spanjoll në Ceuta.” Pamjet tregojnë një kamion që hap portën e karrocerisë në mes të rrugës për të zbritur dhjetra të rinj ndërsa një polic përpiqet të rregullojë trafikun dhe fluksin e njerëzve që shpërndahen. Kjo prezencë e policisë ndahet në rrjet si provë e një organizimi shtetëror të Marokut për të sulmuar kufirin tokësor me enklavën spanjolle.
Rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin këtë javë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Të paktën 57 persona vdiqën gjatë kalimit.
Megjithatë, një hetim nga kolegët faktverifikues të Open.online gjeti se video e mësipërme është filmuar në autostradën N2 që lidh Tanxherin dhe Tetuanin, 51 km larg Ceutës.
Në një nga videot me rezolucion të lartë, ishte e mundur të lexohej një nga targat e kamionit në video, ajo e bardha: “91672 [shkronjë arabe] 40.” Në sistemin maroken, kodi në të djathtë (40) identifikon prefekturën e regjistrimit, e cila në këtë rast korrespondon me Tanger-Asilah.
Në të majtë të automjetit, shihet një oficer i veshur me gri, që përfaqëson Xhandarmërinë Mbretërore, forcën përgjegjëse për autostradat marokene dhe rrugët jashtë qytetit. Disa rrugë të tilla çojnë në Ceuta nga prefektura Tangier-Asilah.
Me anë të Mapillary, platformës së imazheve të rrugëve të ngarkuara nga përdoruesit, ishte e mundur të përshkohej virtualisht një numër i madh rrugësh në Marokun verior nga prefektura e Tangier-Asilah në Ceuta.
Në rrugën që të çon në Tetouan, gjendet një foto që ka të njejtat elementë pamorë si video: llojin e rrugës, sinjalistikën rrugore dhe profilin e kodrave në sfond.
Koordinatat e fotos në Mapillary (35°33’30.9″V 5°27’29.3″W) ndodhen në N2, rrugën ekspres me katër korsi që lidh Tanxherin me Tetuanin. Nga kjo pikë, Ceuta është afërsisht 51 kilometra larg, një orë e një çerek me makinë ose 11 orë në këmbë.
Faqja në Facebook Tetouan Press më 30 korrik 2026 në orën 21:13 kishte botuar videon me përshkrimin: “Hyrja në qytetin e Tetouanit.”
Pra, incidenti i treguar në video nuk ndodhi pranë kufirit. Xhandarmëria Mbretërore e ka ndaluar automjetin në autostradën N2, rreth 50 kilometra larg Ceutës. Nëse njerëzit që u detyruan të zbrisnin nga kamioni do të donin të arrinin në kufirin e Ceutës në këmbë, do t’u duhej të ecnin për rreth 11 orë.
Pretendimi: Kjo video tregon emigrantë marokenë duke rrahur vendasit në qytetin spanjoll të Ceutës
Verdikti: Mungon konteksti
—————————————————————
Rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin këtë javë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Të paktën 57 persona vdiqën gjatë kalimit, gjë që nxiti masa më të rrepta të sigurisë kufitare në të gjithë Evropën.
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon emigrantë marokenë duke rrahur vendasit në Ceuta.
Megjithëse video e mësipërme tregon një turmë që sulmon dy njerëz të cilët më pas arratisen me vrap, nuk është menjëherë e qartë nëse personat në video janë emigrantë, banorë, spanjollë apo marokenë.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme është botuar fillimisht në rrjet më 30 korrik nga portali online i djathtë VoxPopuli, i cili e shoqëroi me përshkrimin: “Nacionalistët spanjollë kanë filluar të SULMOJNË migrantët në Ceuta. Mijëra migrantë mbërritën këtë mëngjes nga Maroku, shumë prej të cilëve thjesht notuan deri në plazhin Tarajal. Spanja ka premtuar të vendosë TRUPAT në kufi për të ruajtur sigurinë.”
Disa minuta më pas, llogaria Visegrad24, që është akuzuarpër dezinformim më parë, e postoi videon me përshkrimin: “Përleshjet e para kanë shpërthyer në rrugët e Ceutës midis qytetarëve spanjollë dhe pushtuesve marokenë.”
Gazeta italiane Il Messagero e raportoi videon ngjashëm me VoxPopuli, duke përdorur titullin: “Banorët e Ceutës janë të tërbuar me emigrantët, duke i shkelmuar dhe duke i qëlluar me gurë. Situata është jashtë kontrollit.”
Nuk ka patur ende ndonjë reagim zyrtar lidhur me incidentin e treguar në video.
Sipas gazetës spanjolle El Pais, disa emigrantë kanë raportuar keqtrajtim nga banorët e lagjeve të caktuara, të cilët kanë qëlluar me gurë drejt tyre dhe i kanë kërcënuar me armë.
Nuk ka prova se video e mësipërme tregon emigrantët marokenë duke rrahur vendasit në Ceuta. Në fakt, raportimet sugjerojnë se po ndodh e kundërta, banorët vendas po sulmojnë emigrantët marokenë, të cilët largohen duke rendur.
Miratimi i marrëveshjes së huasë 302 milionë dollarë për modernizimin e Forcave të Armatosua me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, veç debatit procedurial që përfundoi në Gjykatën Kushtetuese nga Partia Demokratike, ndezi edhe diskutimet mbi detyrimet e Shqipërisë ndaj NATO-s.
Javën e kaluar, kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Gazment Bardhi, përsëritidisa herë se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka përmbushur për vite me radhë angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s.
Verifikimi i Faktoje tregon se pretendimi është i saktë sa i përket mosarritjes së angazhimit kryesor financiar të NATO-s, atë të shpenzimit të të paktën 2% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për mbrojtjen.
Shqipëria nuk arriti objektivin 2% të NATO-s
Faktoje analizoi buxhetin e mbrojtjes që prej 2009, vitit të anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, për të sjellë një pasqyrë të plotë të shpenzimeve që nga qeverisja e demokratëve e deri këtë vit.
Siç mund të shihet edhe nga grafiku, që prej anëtarësimit në NATO 17 vite më parë, Shqipëria ka pasur vështirësi për të arritur pragun e shpenzimeve të mbrojtjes të kërkuar nga Aleanca.
Gjatë qeverisjes demokrate (viteve 2009–2013) viti me shpenzimet e mbrojtjes më të larta ka qënë viti i anëtarësmit, me 21 miliardë lekë. Më pas shpenzimet janë ulur në 20 miliardë lekë dhe në 2013 kur demokratët humbën pushtetin në 19 miliardë lekë. Pas vitit 2013, buxheti i mbrojtjes sërish nuk ishte prioritet. Referuar llogaritjeve, tre vitet e para të qeverisjes socialiste me LSI-në buxheti për ministrinë e mbrojtjes ka qënë më i ulët se koha e demokratëve.
Rritja graduale nis në 2017 por mbështetja e buxhetit ndaj mbrojtjes nis të bëhet domethënëse pas viti 2021.
Pas pushtimit rus të Ukrainës në vitin 2022, rritja e presionit ndërkombëtar u shtua kur NATO u kërkoi vendeve anëtare të rrisnin investimet në mbrojtje. Sipas vlerësimit të NATO-s, objektivi minimal ishte që shpenzimet për mbrojtjen të ishin të paktën 2% e prodhimit kombëtar.
Të dhënat ndërvite tregojnë se as gjatë qeverisjes së Sali Berishës dhe as gjatë pjesës më të madhe të qeverisjes së Edi Ramës, Shqipëria nuk e arriti pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen.
Madje, në qershor të këtij viti, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte, deklaroi se Shqipëria ishte mes vendeve që nuk kishin përmbushur pragun e kërkuar gjatë vitit të kaluar.
Rritja e buxhetit pas presionit të Aleancës
Deklarata e Rutte vinte pak ditë përpara samitit të NATO-s në Ankara dhe pasonte raportimin e Reuters që më herët kishte vënë në pikëpyetje organizimin e samitit të 2027 të NATO-s në Shqipëri për shkak të nivelit të shpenzimeve ushtarake.
Në një përgjigje për Faktoje, një zëdhënës i Aleancës konfirmoi deklaratën e Sekretarit të Përgjithshëm Mark Rutte, sipas së cilës Shqipëria, Çekia dhe Sllovenia nuk e kishin arritur objektivin 2% gjatë vitit 2025, edhe pse diferenca konsiderohej relativisht e vogël në raport me buxhetin total të Aleancës.
Kështu, më 30 qershor 2026, qeveria shqiptare miratoi një akt normativ për ndryshimin e Buxhetit të Shtetit. Buxheti i Ministrisë së Mbrojtjes për vitin 2026 u rrit nga:
58.9 miliardë lekë, sipas planit fillestar
në 69.2 miliardë lekë pas ndryshimit buxhetor.
Shtesa ishte mbi 10.2 miliardë lekë, ose rreth 17.5% më shumë se parashikimi fillestar. Qeveria pranoi se shkak për ndryshimin ishte Aleanca. Kryeministri Edi Rama e lidhi këtë rritje me angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s dhe nevojën për forcimin e kapaciteteve mbrojtëse. Në përfundim të samitit në Ankara, Mark Rutte konfirmoi se samiti i ardhshëm i NATO-s do të zhvillohet në Shqipëri, ndërsa data mbetet ende për t’u përcaktuar.
Pretendimi
“Për vite me radhë qeveria e Shqipërisë nën drejtimin e Edi Ramës nuk përmbushi angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s” - Gazment Bardhi, kryetar i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.
Me këtë shtesë të buxhetit objektivi prej 2% të PBB-së u tejkalua.
Përfundim
Deklarata e kryetarit të grupit të PD-së, Gazment Bardhi, se qeveria e drejtuar nga Edi Rama nuk ka përmbushur për vite me radhë angazhimet e Shqipërisë ndaj NATO-s është e vërtetë, duke iu referuar objektivit kryesor financiar të Aleancës për shpenzimet e mbrojtjes.
Të dhënat tregojnë se Shqipëria nuk ka arritur pragun prej 2% të PBB-së për mbrojtjen gjatë pjesës më të madhe të periudhës së qeverisjes Rama dhe vetëm në vitet e fundit ka shtuar ndjeshëm financimin për këtë sektor.
Por ekzistojnë dallime në mënyrën e përllogaritjes së shpenzimeve. Llogaritjet bazuar vetëm në buxhetin e Ministrisë së Mbrojtjes dhe PBB-në shqiptare tregojnë se 2025 e ka arritur objektivin 2%. Ndërkohë, NATO përdor një metodologji më të gjerë, e cila përfshin edhe kategori të tjera të shpenzimeve të mbrojtjes, si pensionet ushtarake dhe kontributet në operacione ndërkombëtare. Pikërisht sipas kësaj metodologjie, Shqipëria mbeti nën objektivin 2% edhe vitin e shkuar.
Pretendimi: Vërshimi i mbi 50 mijë njerëzve nga Maroku në territorin spanjoll Ceuta u shkaktua sepse mbreti i Marokut amnistoi mijëra kriminelë dhe i tregoi kur do të hapej kufiri në Ceuta
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————————-
Rreth 50 mijë emigrantë marokenë kaluan kufirin këtë javë në enklavën spanjolle të Afrikës së Veriut, Ceuta, në një fluks masiv që i mbingarkoi autoritetet lokale. Të paktën 57 persona vdiqën gjatë kalimit, gjë që nxiti masa më të rrepta të sigurisë kufitare në të gjithë Evropën.
Ky kalim masiv ka frymëzuar një vërshim të ngjashëm keqinformimi në rrjete sociale, përfshi pretendimin se kriza u shkaktua qëllimisht nga mbreti i Marokut, i cili amnistoi mijëra kriminelë dhe u tregoi se kur do të hapej kufiri në Ceuta.
Si zakonisht, për këtë pretendim nuk sillet ndonjë provë, burim apo referencë.
Eshtë e vërtetë se Maroku njoftoi më 29 korrik se mbreti Mohammed VI kishte dhënë 1,788 amnisti për të dënuarit. Sipas Ministrisë së Drejtësisë marokene, këto falje nënkuptojnë lirimin e nëntë të burgosurve dhe 57 persona që tashmë vuajnë dënime me burg nuk do të kthehen në burg. Faljet e mbetura përfshijnë ulje ose lehtësim të dënimeve, të cilat nuk nënkuptojnë lirim të menjëhershëm nga burgu.
Këto falje u dhanë në prag të Ditës së Fronit, që festohet më 30 korrik të çdo viti. Sipas Maghreb Arab Press, agjencia shtetërore e lajmeve të Marokut, “në Marok, është zakon të jepet një falje mbretërore për të përkujtuar festat kombëtare dhe fetare.”
Në vitet 2025, 2024, 2023 dhe 2022, në të njëjtën datë, midis 29 dhe 30 korrikut, u dhanë gjithsej 2415, 2460, 2052 dhe 1769 falje, të cilat liruan nga burgu ose penguan hyrjen e 81, 234, 236 dhe 194 personave të dënuar me burg.
Nuk ka prova që ata që kaluan në Ceuta ishin të burgosur të liruar së fundmi.
Më tej, duke marrë parasysh se amnistia e 29 korrikut shpëtoi nga burgu vetëm 66 persona, pretendimi se lirimi i tyre do të shkaktonte vërshimin e mbi 50 mijë marokenëve në Ceuta tingëllon qesharak.
Deri në mbrëmjen e 31 korrikut, shumica e emigrantëve ishin kthyer në Marokun fqinj. Shumë prej tyre u kthyen vullnetarisht pasi nuk kishin gjetur ushqim ose strehim në Ceuta. Megjithatë, shkaqet e këtij vërshimi mbeten të diskutueshme.
Zyrtarët spanjollë, përfshirë kryeministrin Pedro Sánchez, thanë se rrjetet e trafikimit të qenieve njerëzore i inkurajuan kalimet, duke keqinterpretuar një vendim të kohëve të fundit të Gjykatës së Lartë mbi kthimin e emigrantëve.
Sipas këtij shpjegimi, trafikantët dhe emigrantët gabimisht supozuan se vendimi nënkuptonte që kushdo që përpiqej të hynte nga deti nuk mund të deportohej. Megjithatë, vendimi ligjor ishte jashtëzakonisht i kufizuar.
Më 29 qershor, Gjykata Supreme e Spanjës lëshoi një vendim ku thuhej se autoritetet nuk mund të deportojnë menjëherë migrantët që mbërrijnë nga deti pa një proces të rregullt ligjor, sepse ata nuk kanë kaluar infrastrukturën fizike kufitare të referuar në ligjin spanjoll.
Vendimi mbulon migrantët e kapur ndërsa notojnë në enklavat e Ceutës dhe Melillës, gjithashtu në bregdetin e Afrikës së Veriut, të cilët shpesh i janë nënshtruar largimit të menjëhershëm në Marok pa ndonjë procedurë formale.
“Kjo thjesht do të thotë që nuk mund t’i shtysh ata mbrapsht në det sepse nuk ka kalim të një kufiri formal”, tha për CNN Gemma Pinyol-Jiménez, drejtuese e politikave të migracionit dhe diversitetit në Instrategies dhe një studiuese e asociuar në Universitetin GRITIM–Pompeu Fabra. “Ideja është të lehtësohet puna e policisë, por kjo nuk do të thotë që këta njerëz mund të qëndrojnë në Ceuta.”
Më herët këtë vit, qeveria e Sánchez njoftoi një program rregullimi që fillimisht pritej t’u jepte 500 mijë migrantëve pa dokumente që tashmë jetojnë në Spanjë një rrugë drejt statusit ligjor. Aplikimet e tejkaluan shumë atë vlerësim fillestar, me më shumë se 1 milion migrantë pa dokumente që aplikuan për dokumenta.
Pretendimi: Ekziston një plan për shfarosjen e popullsisë së Botës sipas tekstit të shkruar në një pllakë guri në ShBA
Verdikti: E pavërtetë
Barbara Halla
Një intervistë televizive e avokatit dhe aktivistit Zaçe Islami, në muajin shkurt 2026, vijon të shërbejë si burim për portale të ndryshme për të promovuar lajmin e një plani global për shfarosjen e popullsisë. Deklarata të ngjashme kanë qarkulluar prej vitesh në komunitete që promovojnë teori konspirative për një të ashtuquajtur “Rend të Ri Botëror” (New World Order), sipas të cilit, një elitë globale po përpiqet të sundojë Botën dhe të shfarosë popullsinë njerëzore.
Një pjesë qendrore e pretendimit të avokatit Islami lidhet me të ashtuquajturat Georgia Guidestones, një monument graniti i ndërtuar në vitin 1980 në shtetin amerikan të Xhorxhias dhe i shkatërruar pas një shpërthimi në vitin 2022.
Monumenti përmbante dhjetë mesazhe për brezat e ardhshëm, ndër të cilat edhe një frazë që sugjeronte mbajtjen e popullsisë së botës nën 500 milionë banorë. Ky mbishkrim ka nxitur prej dekadash spekulime dhe teori konspirative, por nuk përbën provë të ekzistencës së një plani real për shpopullimin e planetit. Pavarësisht se kopjojnë një strukturë të lashtë, të ngjashme monumentin e Stonehenge në Britani, ky kompleks prej katër pllakash graniti vertikale dhe një shtyllë qendrore, u ndërtua vetëm në vitin 1980. Identiteti i personit ose grupit që porositi monumentin mbetet i panjohur dhe nuk është gjetur asnjë lidhje me qeveri, organizata ndërkombëtare apo individë që kanë zbatuar politika të tilla.
Po ashtu, pretendimi se miliarderët kanë ndërtuar “qytete nëntokësore” për t’u strehuar gjatë një holokausti global nuk mbështetet me prova. Është e vërtetë se disa persona shumë të pasur kanë investuar në bunkerë privatë, kryesisht për t’u përgatitur për fatkeqësi natyrore, konflikte ose emergjenca të tjera, por nuk ka prova që këto objekte lidhen me një plan për shfarosjen e popullsisë. Pretendime të tilla janë bërë pjesë e narrativave konspirative që lidhin bunkerët, pandeminë COVID-19, vaksinat dhe Georgia Guidestones në një histori të vetme, pa fakte që t’i mbështesin.
Përgjatë intervistës, avokati dha deklarata të tjera të cilat përbëjnë teori konspirative, si përshembull sesi pandemia e COVID-19 dhe vaksinimi ishin pjesë e një plani për reduktimin e popullsisë, pretendime qe janë hedhur poshtë nga komuniteti shkencor. Studimet dhe monitorimi i vazhdueshëm nga autoritetet shëndetësore kanë treguar se vaksinat kundër COVID-19 kanë reduktuar ndjeshëm rrezikun e sëmundjes së rëndë dhe vdekjes, ndërsa nuk ekziston asnjë provë që ato janë projektuar ose përdorur për shpopullim. Për rrjedhojë, pretendimet që lidhin bunkerët nëntokësorë, Georgia Guidestones dhe një plan global për “holokaust” përfaqësojnë një teori konspirative, jo një fakt të mbështetur nga prova.