Normal view

Pavarësisht suksesit të Shqipërisë turistike, Messi nuk po viziton Vlorën

13 July 2026 at 17:39

Pretendimi: Kjo video tregon futbollistin argjentinas Lionel Messi në Vlorë, Shqipëri

Verdikti: Mungon konteksti

—————————————————-

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon futbollistin argjentinas Lionel Messi gjatë një vizite në Vlorë.

Lexuesi duhet të jetë menjëherë skeptik për vërtetësinë e këtij pretendimi, duke marrë parasysh se Messi në këtë kohë është duke marrë pjesë në kampionatin e shumëtelevizuar botëror të futbollit në kontinentin amerikan.

Megjithatë, video është e vërtetë. Por ajo nuk është xhiruar në Vlorë këtë verë.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet qarkullojnë në rrjet prej gati dy vitesh.

Sipas një artikulli të botuar më 21 gusht 2024 në revistën spanjolle Hola, video tregon futbollistin dhe gruan e tij, Antonela Roccuzzo, duke darkuar në Miami, Florida në ShBA, ku çifti ishte vendosur që kur Messi iu bashkua klubit Inter Miami në 2023.

The post Pavarësisht suksesit të Shqipërisë turistike, Messi nuk po viziton Vlorën appeared first on Faktoje.al.

Kanalet kulluese në Vlorë, problemi që nuk zgjidhet dot vetëm nga bashkia

24 June 2026 at 15:00

Anesti Barjamemaj

Këto ditë të fundit të majit bimësia është harlisur së bashku me plehrat që nuk mungojnë asnjëherë në kanale dhe Agroni, banor në rrugën “Pelivan Leskaj” në Vlorë, shumë pranë kanalit të Siavit, i druhet përmbytjes së rradhës me ardhjen e vjeshtës. “Këtë vit ka qenë situatë pak më e qetë, por sërish kemi frikë se mos rikthehen përmbytjet”, pohoi ai. 

Vërshimet nga reshjet e dendura të tetorit 2024, nuk kursyen as banesën e tij, e cila ndodhet në një distancë jo më larg se 20 metra nga ky kanal. “Vërshimi i ujërave për shkak të bllokimit të kanaleve mbuloi shtëpinë duke nxjerrë jashtë përdorimit një pjesë të pajisjeve elektroshtëpiake. Më është bërë dëm gati 10 milionë lekë”, tha Agroni për Faktoje.

Banesa e Agronit nuk ishte e vetmja që u prek nga përmbytjet. Uji mbuloi lagje të tëra në Vlorë, ku qindra shtëpi e biznese pësuan dëme të shumta. Sipas të dhënave nga Emergjencat Civile, 323 banesa dhe 73 biznese u dëmtuan dhe për t’u ardhur në ndihmë banorëve të prekur u akorduan rreth 200 mijë euro fonde. 

Të njëjtin shqetësim për përmbytjen e rradhës ka dhe këshilltari bashkiak nga radhët e opozitës, Besmir Brahimi, gjithashtu banor i lagjes ku kalon kanali i Siavit. “Problematika e kanaleve kulluese është shumëvjeçare dhe kam pritur të kishte vendime drastike në bashki dhe studime të thelluara për të mirëmbajtur këto kanale, por ende asgjë. Kam denoncuar që në kanal derdhen ujëra të zeza që rëndojnë situatën e bllokimit, por nga bashkia nuk do t’ia dijë njeri deri tani”, thotë Brahimi.

Kanali i Siavit, Vlorë Fotografi e realizuar në 2 maj 2026

Nga të dhënat e grumbulluara për këtë shkrim, kanalet kulluese në Vlorë mbartin shumë probleme edhe nga derdhja në to e ujërave të zeza që vështirësojnë më tej mbushjen me mbetje plastike të hedhura në mënyrë të pakujdesshme. Në këto rrethana pastrimi i kanaleve të ujërave të larta, që bëjnë pjesë te kanalet kulluese mbetet jo efektiv edhe në rast se do të kryhej i plotë. Ky fakt pranohet ‘off the record’ nga zyrtarë të ndryshëm lokal, por vërtetohet edhe nga vëzhgimi në terren i Faktoje.

Pastrimi kryhet, por garancitë mungojnë

Shqetësimin e Agronit dhe banorëve të tjerë të rrezikuar nga përmbytjet në Vlorë e përforcojnë edhe shifrat e situatës së pastrimit dhe mirëmbajtjes së kanaleve në Raportit të Performancës së Bashkive 2025, i publikuar nga Agjencia për Mbështetjen për Vetëqeverisjen Vendore. 

Të dhënat për bashkinë Vlorë zbulojnë se Bashkia Vlorë ka gati 95 përqind të kanaleve të kullimit funksionalë përkundrejt mesatares kombëtare që rezulton në nivelin e 64.29 %. Megjithatë, në realitet situata është ndryshe. Vëzhgimi i Faktoje tregon se pavarësisht aksioneve të ndërrmara nga bashkia e ndihmuar edhe me mjete të ushtrisë, problemi i bllokimit të kanaleve nuk po gjen zgjidhje. Banorët vijojnë të hedhin mbetje plastike dhe të derdhin ujërat e zeza në këto kanale, çka pamundësojnë mirëmbajtjen e tyre. 

Për ekspertin e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, kjo performancë nuk lidhet direkt me buxhetin, por me prioritetet. “Nuk mendoj se s’kanë kapacitete, mendoj se duhet ta vendosin prioritet. Sigurisht shërbimi duhet mbështetur më shumë me burime financiare edhe nga qeveria dhe vetë bashkia”, tha Haxhimali për Faktoje.

Agron Haxhimali

Sipas tij, Vlora ndryshe nga bashki të vogla ka avantazh, pasi ka buxhet më të madh, “çka do thotë se kapaciteti financiar është më i lartë e për rrjedhojë kapacitete për mirëmbajte dhe investime janë të mundshme”.

Ndërsa ekspertja e ekonomisë, Merita Toska, problemin nuk e shikon vetëm te mungesa e angazhimit nga institucionet, por te “ekspozimi ndaj reshjeve intensive dhe përmbytjeve, presioni urban dhe ndërtimor, bllokimi i kanaleve nga mbetje apo inerte, si dhe nevoja për koordinim ndërmjet bashkisë, strukturave të ujitjes dhe kullimit, emergjencave civile dhe komuniteteve lokale. Raportime lokale kanë evidentuar raste të bllokimit të kanaleve kulluese në Vlorë nga mbetjet urbane dhe inertet, duke shtuar rrezikun për përmbytje”.

Sipas saj përgjegjësia nuk duhet të bjerë vetëm mbi Bashkinë Vlorë që ka përgjegjësinë kryesore për mirëmbajtjen e kanaleve, pasi “kapacitetet aktuale nuk duken të mjaftueshme për një mirëmbajtje sistematike dhe parandaluese të të gjithë rrjetit”.

Merita Toska, eksperte ekonomie

Panorama e Bashkisë Vlorë, pranohen problemet

Për të përditësuar të dhënat zyrtare për situatën e mirëmbajtjes së kanaleve në vitin 2026, iu drejtuam me një kërkesë për informacion bashkisë Vlorë. 

Në një përgjigje zyrtare për Faktoje, Bashkia Vlorë deklaron se për vitin 2025, buxheti i dedikuar për Sektorin e Bordit të Ujitjes dhe Kullimit pranë Bashkisë Vlorë ka qenë në vlerën 27,644,000 lekë, në kategorinë “Shpenzime Operative”. Ajo që bie në sy është se shpenzimet kryesore shkojnë për energji elektrike për hidrovorët dhe për karburant për mjetet e Bordit të Kullimit. 

Për vitin 2026 ka një rritje të buxhetit për këtë sektor, por sërish duket se fondet nuk janë të mjaftueshme. “Për vitin 2026, buxheti i miratuar për Sektorin e Bordit të Ujitjes dhe Kullimit është: 18,380,000 Lekë të rinj në kategorinë “Shpenzime Operative”; 35,011,000 Lekë të rinj në kategorinë “Shpenzime Operative Specifike dhe Investime”. Nga fondi i shpenzimeve operative, pjesën kryesore e zë: Karburanti për funksionimin e mjeteve dhe eskavatorëve të angazhuar në pastrimin e kanaleve ujitëse dhe kulluese, në vlerën 11,500,000 lekë të reja”, deklaron Bashkia Vlorë në përgjigje të kërkesës për informacion.

Vlorë, 2 maj 2026

Vetë institucioni gjithashtu pranon problemin e pastrimit të kanaleve, por edhe të amortizimit të tyre, duke treguar edhe arsyet që nisin nga ndërtimet mbi kanale e deri te faktorët natyrorë, gjë që shkaktuan edhe përmbytjet në tetor të vitit 2024 dhe u pasuan nga disa përmbytje të tjera.  

“Realizimi i pastrimit 100% të rrjetit është hasur me disa vështirësi objektive, ndër të cilat: shtrirja e gjerë territoriale e rrjetit të kanaleve kulluese dhe ujitëse; amortizimi i theksuar i infrastrukturës ekzistuese; prania e ndërtimeve dhe zaptimeve të paligjshme mbi kanale; vështirësitë në aksesimin e disa segmenteve me mjete të rënda; prurjet e vazhdueshme të mbetjeve urbane, inerteve dhe materialeve të ngurta në kanale; mungesa e investimeve rehabilituese të plota ndër vite; kushtet atmosferike dhe reshjet intensive në periudha të caktuara, të cilat kanë krijuar nevojë për ripastrime të vazhdueshme”, pohon Bashkia Vlorë.

Bashkia Vlorë konfirmon se kanalet kulluese janë plotësisht në varësi të bashkisë dhe se në periferi, në zonat rurale vëmendja për pastrimin e kanaleve ka qënë më e lartë se në qytet.

Problematika e administrimit të kanaleve

Raporti i Kontrollit të Lartë të Shtetit pas përmbytjeve të tetorit 2024 evidentoi se   kanali i Siavit dhe Naukës që përshkojnë gjithë qytetin e Vlorës kanë problematika të shumta administrimi. Për pastrimin e tyre pas përmbytjeve u angazhuan edhe mjetet e Forcave të Armatosura që zgjidhën situatën emergjente.  

Bashkia Vlorë argumenton se “ndërhyrjet në këto segmente kanë kërkuar koordinim institucional, procedura administrative shtesë dhe investime rehabilituese specifike, duke ndikuar në ritmin e realizimit të pastrimit të plotë të rrjetit kullues”. 

Pavarësisht punës, që nga zyrtarët e bashkisë pohohet se është e përjavshme, sërish pastrimi i kanaleve nuk bëhet i plotë. Në muajt e fundit, Bashkia Vlorë ka shembur dhjetëra ndërtime pa leje që kishin bllokuar rrjedhën e kanaleve kulluese, por do të duhen edhe shumë javë të tjera që të shemben të gjitha godinat e paligjshme. 

Kanalet kulluese përveç se janë në menaxhim të bashkisë, janë edhe përgjegjësi e Ujësjellës Kanalizime Vlorë. Në një përgjigje me shkrim për Faktoje, drejtori i UKV Klevis Kaso flet për një tjetër problematikë që ndikon negativisht në punën e tyre.

Klevis Kaso, foto e marrë nga Facebook

Kaso shprehet se në muajt e fundit kanë mbyllur dhjetëra derdhje të paligjshme të ujërave të zeza në kanalet kryesore të Vlorës, që ndikojnë në zhvillimin më te shpejtë të bimësisë, por sërish ka ende shumë banesa e biznese që janë evidentuar se ndotin kanalet. 

Ne do të vazhdojmë intensivisht punën për mbylljen e çdo derdhje deri në atë të fundit. Si edhe do të punojmë për konstatimin e ndonjë familje e cila dëmton mbylljen e kryer nga ana jonë”, pohoi Kaso duke shtuar se relacioni i është dorëzuar dhe autorieteteve të tjera dhe ka nisur puna për koordinimin e aksionit për të përmirësuar shërbimin për qytetarët. 

Kaso shtoi se ka pasur raste kur familje të ndryshme kanë gjetur rrugë alternative për shmangur bllokimin e derdhjes së ujërave të zeza në kanalet kulluese, por në pak raste nuk është kryer dot ndërhyrja për shkak të terrenit. “3 familje mbeten në pamundësi për mbyllje e tyre për shkak të terrenit”, tha ai.

Ekspertja Merita Toska problemin e shikon edhe te ligji për vetëqeverisjen vendore. Ajo thotë se bashkive u janë dhënë kompentenca të shumta, por nuk kanë buxhet të mjaftueshëm për të kryer efektivisht punët që u takojnë. 

Ligji për administrimin e ujitjes dhe kullimit u ngarkon bashkive përgjegjësi konkrete për administrimin, shfrytëzimin dhe mirëmbajtjen e një pjese të infrastrukturës së ujitjes dhe kullimit që u është transferuar në pronësi ose administrim. Kjo do të thotë se bashkitë kanë rol të drejtpërdrejtë në mirëmbajtjen e kanaleve, por ky rol kërkon mjete financiare, pajisje, staf teknik, planifikim vjetor dhe koordinim institucional”,thotë Toska. 

Sipas ekspertes shumë bashki përballen me kufizime të theksuara buxhetore dhe i kryejnë ndërhyrjet pas reshjeve që sjellin përmbytje. “Të ardhurat e veta vendore shpesh nuk janë të mjaftueshme për të përballuar të gjitha funksionet e transferuara, veçanërisht në bashkitë me territor të gjerë rural, rrjet të madh kanalesh, zona të ekspozuara ndaj përmbytjeve dhe nevoja të larta për ndërhyrje periodike. Në këto kushte, mirëmbajtja e kanaleve shpesh mbetet pas prioriteteve më të dukshme publike, si pastrimi urban, ndriçimi, rrugët, shërbimet sociale apo emergjencat e menjëhershme”, shprehet ajo.

Por megjithatë, Toska shton se  bashkitë nuk janë formalisht të përjashtuara nga përgjegjësia dhe nuk mund të justifikojnë plotësisht mosveprimin vetëm me mungesën e fondeve.

Për ekspertin e pushtetit vendor, Agron Haxhimali, mirëmbatja e kanaleve kulluese është çështje menaxhim i shërbimeve publike dhe çështje aftësive administrative dhe sipas tij kujdesi duhet në të katërta stinët. 

“Asnjë neglizhencë në kontrollimin e sistemit nuk duhet toleruar. Marrin buxhet nga kategoria e tranfertave sektoriale. Nuk mund të them nëse janë shumë, mendoj që shërbimi nuk është kostuar drejtë nga buxheti qendror. Megjithatë bashkia ështe e lejuar të mbështesë sektorin me burime nga të ardhurat e veta. Asnjëherë dhe për asnjë shërbim dhe kudo, s’do ketë mjete fianciare që “ngop” plotësisht shërbimin. Por një standard duhet vendosur dhe duhet përmbushet me politika të harmonizuara ndërqeveritare”, shprehet Haxhimali.

Ndikimi negativ edhe në turizëm

Nga ana tjetër këshilltari bashkiak, Besmir Brahimi, shkakun e mospastrimit të kanaleve e shikon edhe tek përplasja institucionale mes bashkisë dhe ujësjellësit pasi nuk është e qartë se ne varësi të kujt janë këto kanale. Buxhetimi për këtë sektor është shtuar pohon edhe Brahimi, por problemi lidhet edhe me mungesën e një studimi fizibiliteti për mirëmbajtjen e kanaleve. 

Shpresoj që ky studim të dalë sa më shpejt, pasi është një kompani eksperte e hidroteknikës. Mendoj se ky studim i plotë mund të gjejë problematikat dhe ta shpëtojë Vlorën njëherë e mirë nga përmbytjet”, deklaron Brahimi. 

Në përfundim, problematika e kanaleve kulluese në Vlorë mbetet një sfidë e vazhdueshme që nuk mund të zgjidhet vetëm nga Bashkia. Ndryshimet klimatike, derdhja e ujërave të zeza, mbetjet urbane dhe ndërtimet pa leje e kanë bërë situatën më komplekse. Zgjidhja kërkon një qasje të integruar mes bashkisë, institucioneve të tjera dhe vetë komunitetit, për të siguruar mirëmbajtje parandaluese të kanalizimeve, në mënyrë që Vlora të mbrohet nga përmbytjet dhe të ruajë potencialin e saj turistik. 

The post Kanalet kulluese në Vlorë, problemi që nuk zgjidhet dot vetëm nga bashkia appeared first on Faktoje.al.

Pavarësisht interesit, Ivanka Trump nuk i kaloi Pashkët në Vlorë

14 April 2026 at 15:26

Pretendimi: E bija e presidentit amerikan Donald Trump, Ivanka Trump, vizitoi Vlorën më 11 prill 2026

Verdikti: E pavërtetë

———————————————————————-

Fundjavën e kaluar, në rrjete sociale dhe mediat shqipfolëse qarkulloi lajmi se Ivanka Trump, e bija e presidentit amerikan Donald Trump, mbërriti në Vlorën më 11 prill 2026 ku u prit nga kryeministri shqiptar Edi Rama dhe kaloi natën në vilat qeveritare.

Megjithatë, ky lajm ishte i pavërtetë.

Më 11 prill, Ivanka Trump ishte në Miami, Florida, ku u fotografua bashkë me anëtarë të familjes së saj, përfshi presidentin Trump, në eventin e arteve marciale të përziera UFC 327.

Tiffany Trump, e motra Ivanka Trump dhe Arabella Kushner, vajza e Ivankës. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Donald Trump me vajzat e tij Ivanka dhe Tiffany. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Ivanka Trump me vajzën e saj Arabella Kushner. 11 prill 2026. Kaseya Center, Miami, Florida, ShBA.

Më 13 prill, në një takim në Vlorë, Rama gjithashtu konfirmoi se Ivanka Trump nuk ishte në Vlorë këtë fundjavë. “Dje isha në Dhërmi me disa miq, jo me Ivankën kuptohet se e bënë sikur vjen në Vlorë çdo dy muaj, do vijë ajo çdo dy muaj në Vlorëm, por nuk jemi akoma në këtë fazë,” tha Rama.

Pavarësisht këtyre konfirmimeve, lajmi i pasaktë për vizitën e Ivankës në vilën qeveritare në Vlorë vijon të jetë i publikuar në portalet shqiptare. 

Kujtojmë se Ivanka Trump vizitoi vërtet Vlorën në fund të janarit, bashkë më bashkëshortin e saj Jared Kushner. Kompania e këtij të fundit ka marrë statusin e investitorit strategjik nga qeveria shqiptare për zhvillimin e një kompleksi turistik luksoz në ishullin e Sazanit. Në atë kohë, një grup prej 41 organizatash mjedisore nga 28 vende të ndryshme iu drejtuan kryeministrit Rama me një deklaratë publike për të pezulluar çdo nismë ndërtimi në ishullin e Sazanit, i cili rrethohet nga Parku Kombëtar Detar, i klasifikuar si Park Kombëtar e po ashtu si Zonë Veçanërisht e Mbrojtur me Rëndësi për Mesdheun.

The post Pavarësisht interesit, Ivanka Trump nuk i kaloi Pashkët në Vlorë appeared first on Faktoje.al.

Faktoje prezanton gjetjet për Bashkinë Vlorë dhe Sarandë

18 February 2026 at 15:26

Sebi Alla Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje.al, prezantoi të hënën dhe të martën në datat 16 dhe 17 shkurt gjetjet e raportit të monitorimit për dy bashki të rëndësishme në Jug të vendit, Vlorë dhe Sarandë. Me pjesëmarrjen e përfaqësuesve të bashkive, këshillave bashkiakë, shoqërisë civile dhe medias lokale, në qendër të diskutimeve ishin kryesisht matja e transparencës së pushtetit vendor, përmbushja e premtimeve elektorale si dhe fondi social.

Bashkia Vlorë

Nga 16 indikatorët e transparencës, Bashkia Vlorë përmbushi 13. Niveli i transparencës për Bashkinë Vlorë rezultoi i përmbushur 81.25%, me performancë mesatare të saj. Bashkia Vlorë rezulton se nuk ka realizuar detyrimin për publikimin në faqen zyrtare të urdhërave dhe vendimeve të kryetarit të bashkisë; nuk ka vendosur në faqen zyrtare të internetit njoftime lidhur me zhvillimin e dëgjesave publike nga këshilli bashkiak dhe e nuk ka publikuar raportet për monitorimin për zbatimin e buxhetit vetëm për periudhën Janar – Prill 2025. Gjatë diskutimeve në sallë, përfaqësuesit e bashkisë u shprehen se shpesh herë informacioni për qytetarët gjendet afishuar në faqen zyrtare, por u pranua, që materialet nuk janë të publikuara në kategoritë e duhura dhe se shpesh herë kjo sjellë vështirësi në gjetjen e tyre.

4 premtimet e Vlorës

Faktoje mori në shqyrtim edhe katër premtimet kryesore të Bashkisë Vlorë, si çështja e ujit të pijshëm; trajtimi i mbetjeve në vendgrumbullimin e vjetër; ngritja e qendrave sociale për të moshuar në katër rajone dhe ndërtimi i terminalit të autobusëve interurbanë. Nga verifikimet në terren, rezultoi se të katër premtimet janë të pambajtura. Përfaqësues të bashkisë, premtimet për realizimin e veprave publike i cilësuan në tre raste si në proces ose në pritje të projekteve dhe finacimit, ndërsa për terminalin e autobusëve pranuan se nuk ka ende projekt dhe nuk përfshihet në veprat publike afatmesme.

Bashkia Sarandë

Në paraditën e 17 shkrtit në ambientet e Këshillit Bashkiak të Sarandës u zhvillua takimi për prezantimin e gjetjeve të raportit për transparencën, procesin e konsultimit publik dhe mbajtjen e premtimeve elektorale. Me interes të shtuar, përfaqësues të Bashkisë Sarandë, Këshillit Bashkiak nga dy forcat politike, pozitë-opozitë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe mediat lokale u njohën me gjetjet e raportit përgjatë vitit 2025.

Transparenca

Nga 16 indikatorët e matur, Bashkia Sarandë rezulton se i ka të përmbushura të gjitha, në masën 100 % të transparencës. Publikimi i buxhetit, vendimeve dhe procesverbaleve të Këshillit Bashkiak, njoftimin paraprak të mbledhjeve dhe publikimin dhe raporteve të zbatimit të buxhetit konsiderohen si të përmbushura dhe janë të afishuara në faqen zyrtare të bashkisë.

“Ky rezultat na nxit që të punojmë më shumë dhe të mundohemi të sigurojmë sa më shumë transparencë ndaj qytetarëve”,  u shpreh nënkryertari i bashkisë Sarandë, Florjan Sali.

Por në diskutimet e hapura, përfaqësues të shoqërisë civile dhe gazetarë lokalë  ngritën shqetësimin se edhe pse bashkia publikon informacionin në faqen zyrtare,  përfshirja e qytetarëve në vendimmarrje mbetet e kufizuar, ndërsa kanë munguar dëgjesat publike, sidomos në vendimet e marra në mbledhjet e Këshillit Bashkiak. Një nga vendimet lidhej me projektin e parkut fotovoltaik në Nivicë, ku banorët që e kundërshtojnë, thanë se u penguan nga policia për të marrë pjesë në mbledhje. Ky projekt u miratua me 22 vota pro dhe asnjë votë kundër në korrik të vitit të kaluar.

4 premtimet e Sarandës

Faktoje mori në shqyrtim dhe verifikoi në terren katër premtimet kryesore të drejtuesit të Bashkisë Sarandë që lidhen kryesisht me infrastrukturën rrugore si: ndërtimi i rrugës së gjashtë; ngritja e katër parkimeve në qytet; ndërtimi i plotë dhe në kohë i rrugëve të brendshme në Sarandë dhe Ksamil si dhe ndërtimi i terminalit të autobusëve. Të katër premtime elektorale rezultojnë të pambajtura.

Nënkryetari i Bashkisë Florjan Sali, u shpreh se pengesë për realizimin në kohë të këtyre projekteve kryesisht ka qenë ndërprerja e punimeve përgjatë sezonit turistik.

Ky proces është pjesë e projektit “40 premtime, 10 bashki”, i mbështetur nga National Endowment for Democracy (NED), që prej gjashtë vitesh mat performancën e pushtetit vendor në Shqipëri. Pjesë e monitorimit për vitin 2025 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Tirana, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.

The post Faktoje prezanton gjetjet për Bashkinë Vlorë dhe Sarandë appeared first on Faktoje.al.

Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet

20 January 2026 at 15:00

Esmeralda Topi 

Mëngjesi i 4 tetorit 2024 e gjeti Vlorën të zhytur nën ujë. Shiu i rrëmbyer mbuloi lagje të tëra, aq sa nga dronët e mediave qyteti i ngjante “Venezias”, ku në vend të gondolave lundronin makinat. 

Vlora u gjunjëzua nga reshjet për disa ditë, duke nxjerrë në pah dobësitë e një sistemi kullimi të amortizuar dhe mungesën e reagimit institucional. Mirëpo, kryeministri Edi Rama kishte një tjetër shpjegim për përmbytjen masive të qytetit bregdetar. 

“E kemi parë se çfarë ndodhi në Austri dhe pamë se çfarë ndodhi në ditët kur këtu u përmbyt Vlora, në Bosnjë ku humbën jetën shumë njerëz… Ka një shpjegim të thjeshtë përtej analizave popullore dhe tendencioze që i bëhen përmbytjeve, që ka ndryshuar formacioni i reshjeve,” tha ai. 

Kryeministri e vendosi theksin tek intensiteti i reshjeve, duke sugjeruar se edhe një infrastrukturë “ekselente” nuk do të përballonte goditjen e parë pa organizim dhe trajnim të strukturave. Auditimet nxorrën në pah të kundërtën.

Përmbytja ishte e parandalueshme

Një raport i detajuar i Kontrollit të Lartë të Shtetit mbi përmbytjet masive të vitit 2024 në Vlorë, i publikuar së fundmi, ka gjetje të cilat rrëzojnë narrativën e “formacionit të reshjeve”. 

Shkaku kryesor i përmbytjeve sipas KLSH-së lidhet me mungesën e pastrimit të kanaleve kulluese prej dekadash, të cilat janë arteriet kryesore të kullimit të reshjeve për relievin e qytetit.  

Kanalet kulluese KK2 Akërni, KK3 Akërni dhe KUL Orikum, rezultuan më shumë se 15 vjet të pa pastruara, ndërsa segmente brenda qytetit nuk janë pastruar për mbi 30 vite”- KLSH. 

Pastrimi i kanaleve dhe rehabilitimi i sistemit kullues është një detyrë urgjente thekson Kontrolli i Lartë i Shtetit, sepse në të kundërt, qyteti është i rrezikuar gjithmonë nga përmbytjet.

Një tjetër problematikë sipas KLSH-së ka qënë mosfunksionimi në kapacitet të plotë të Hidrovorit të Akërnisë. Në ditën e përmbytjes ky hidrovor punoi vetëm me 45% të kapacitetit, pa pompa rezervë, pa gjenerator emergjence dhe me tension elektrik të ulët. KLSH shton se Këshilli i Qarkut nuk e shpalli gjendjen e emergjencës civile, ndërkohë që Bashkia nuk kërkoi kryerjen e vlerësimit të dëmeve për banesat.

“Në përfundim, nëse e gjithë infrastruktura dhe sistemi i kanaleve kulluese do të kishin qenë funksionale dhe do të operonin me kapacitet të plotë, rreziku që qyteti i Vlorës të pësonte përmbytje, si ajo e datës 04.10.2024, do të ishte i ulët”, argumenton Kontrolli i Lartë i Shtetit.

Si pasojë e përmbytjeve, Bashkia e Vlorës evidentoi 375 familje të dëmtuara, për të cilat ndau një fond dëmshpërblimi prej 54 milionë lekësh. 

Përgjegjësia është institucionale

Përmbytjet e Vlorës në tetor 2024 nxorën në pah jo vetëm dobësitë teknike të sistemit të kullimit, por edhe problemet e thella të qeverisjes. 

Agron Haxhimali thekson se ato ishin “pasojë e dështimeve të akumuluara në menaxhimin e infrastrukturës së kullimit nëntoksore dhe mbitokësore dhe jo thjesht e reshjeve intensive”. “Përmbytja u përshkallëzua nga pastrimi i pamjaftueshëm i kanaleve dhe kapaciteti i kufizuar i hidrovorit”, shton ai.  

Në të njëjtën linjë kritike, Zef Preçi e sheh konstatimin e KLSH-së si dëshmi të mënyrës se si qeveriset vendi. “Kanalet kulluese kanë më shumë se 15 vjet që nuk janë pastruar, një tregues i paqartësisë së kompetencave, korrupsionit dhe klientelizmit në rritje”, thotë ai. 

Preçi akuzon qeverinë për mungesë transparence dhe për tendera të dyshimtë.

“Qershia mbi tortë’ qeveria që nuk mban asnjë përgjegjësi por ‘e kthen dhimbjen në forcë’ duke kryer tendera të rinj, edhe këta shumica të dyshuar si korruptivë”,  thekson Preçi.

Të dy ekspertët bien dakord se rrënja e problemit është neglizhenca institucionale dhe mungesa e mirëmbajtjes, duke kërkuar një reformë të thellë në menaxhimin e ujërave dhe një ndarje të qartë përgjegjësish mes institucioneve.

Përfundim 

Përmbytja e 4 tetorit 2024 në Vlorë ishte e parandalueshme dhe nuk mund të justifikohet me reshje të pazakonta, por sepse sistemi i kullimit mungon. Dhe ky fakt e bën narrativën e qeverisë jo vetëm të pasaktë, por edhe të rrezikshme, sepse fsheh përgjegjësinë dhe vonon zgjidhjet që nevojiten me urgjencë në Vlorë.

Nisur nga të dhënat e mbledhura, deklaratën e kryeministrit Edi Rama se përmbytja e Vlorës në tetor të 2024 ishte pasojë e “formacionit të reshjeve” e kategorizojmë të pavërtetë.

The post Përmbytja e Vlorës në 2024 nuk ishte nga reshjet appeared first on Faktoje.al.

Qendrat e të moshuarve në Vlorë, “gjysmë pjate” për 50 të vetmuar

22 September 2025 at 09:53

Nga Sebi Alla – Dy vite më parë në fushatën elektorale për zgjedhjet lokale, kandidati i PS-së Ermal Dredha, (i dorëhequr nga posti i kryebashkiakut që nga 10 shtatori), premtoi ngritjen e qendrave sociale ditore për moshën e tretë dhe gjithashtu edhe një mensë sociale. “Gjatë mandatit tim në drejtimin e Bashkisë Vlorë do të punoj fort për: Krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë”, premtoi Dredha.

Qendër lojërash

Faktoje.al verifikoi në terren nëse ishin ngritur dhe si funksiononin qendrat sociale për moshën e tretë në një qytet me popullsi të madhe, ku në faqen e saj zyrtare bashkia thotë se popullsia kap shifrën e mbi 100 mijë banorëve. Në ambientet e “Shkollës Industriale” gjashtë muaj më parë funksiononte një nga qendrat sociale, por nga vëzhgimi i Faktoje rezulton se godina është në rikonstruksion dhe qendra u transferua në një nga ambientet e Zyrave të Gjendjes Civile Vlorë.

“Ne jemi transferuar pas nisjes së rikonstruksionit në godinën e mëparshme. Aktualisht qendra ofron shërbim për 37 të moshuar. Disa nga shërbimet që ofrojmë janë leximi i gazetave, argëtim nëpërmjet lojërave të ndryshme dhe piknik në zona historike. Gjithashtu ka shërbim shëndetësor si matja e tensionit apo glicemisë”, thotë për Faktoje.al, administrator i qendrës Asllan Hysa. Ai gjithashtu na konfirmoi se kjo qendër nuk ofronte ushqim që pas transferimit. “Besojmë se duke nisur nga janari i vitit të ardhshëm do të vihet në zbatim edhe trajtimi ushqimor”, tha Hysa.

Qëndrimi i bashkisë

Bashkia Vlorë, në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al thotë se janë funksionale dy qendra sociale për të moshuarit. “Bashkia Vlorë ka të ngritura dy qendra ditore për të moshuar ku ofrohen shërbime ditore si: vakte ushqimore tre herë në javë, kafe cdo ditë, vizitë mjekësore si psh, matje tensioni dhe ambjent ku të moshuarit të kalojnë kohën e lirë nën shoqërinë e njeri-tjetrit. Qendra e parë është funksionale në partneritet me një organizatë joqeveritare”, tha zyrtarisht Bashkia Vlorë.

Gjysma e “pjatës”

Po cila qendër ofron ushqim? Në një nga lagjet e Vlorës, në zonën e njohur si “tregu i orizit”  50 të moshuar hanë një vakt falas në një gjelltore. Për këtë Bashkia ofron vetëm gjysmën e pagesës së ushqimit dhe pjesa tjetër mbulohet nga një shoqatë humanitare, e cila prej 16 vitesh ofron këtë shërbim për të moshuarit. “Ne jemi shoqatë jo qeveritare dhe prej 16 vitesh ofrojmë shërbim ushqim falas për rreth 50 të moshuar”, tha për Faktoje.al, në një bisedë telefonike, sekretari i saj Skerdilajd Hallullaj. Por, sipas tij, një nga organizatat e huaja mbështetëse është larguar dhe duke qenë në vështirësi financiare kërkuan që një pjesë e fondeve të mbulohej nga Bashkia Vlorë, në mënyrë që të mos ndërpritet ky shërbim.

“Bashkia Vlorë ka miratuar fondin prej 1 milionë e 50 mijë lekë në vit për të mbuluar gjysmën e shpenzimeve të një vakti ushqim për 50 persona në pesë ditë të javës”, thotë Hallullaj, ndërsa kosto ditore është 9 mijë lekë, ose 180 lekë personi.

Ai gjithashtu theksoi se për 16 vite kjo shoqatë i ka përballuar shpenzimet kryesisht nga “Kryqi i Kuq”.

“Bashkia Vlorë në bazë  të planit social 2024-2027 ka aplikuar dhe ka fituar projektin e ngritjes së një qendre të re për të moshuar. Kjo qendër do të frekuentohet nga të moshuar të 5 rajoneve të bashkisë Vlorë”, thotë Bashkia, por pa specifikuar se kur do të jetë funksionale.

Përfundimi

Premtimi i bërë më 10 maj 2023, nga kandidati Dredha, tashmë i dorëhequr, për krijimin e qendrës ditore për moshën e tretë në secilin rajon të qytetit si dhe ngritjen e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë do e konsiderojmë premtim të pambajtur.

The post Qendrat e të moshuarve në Vlorë, “gjysmë pjate” për 50 të vetmuar appeared first on Faktoje.al.

Kapsulimi i malit të mbetjeve në Vlorë, ende një dëshirë

13 September 2025 at 10:00

Sebi Alla – Tri zjarre të mëdha brenda dy muajve (qershor-korrik), në vendgrumbullimin e mbetjeve në Lagjen 24 Maji në Vlorë, ishin lajmërimi i fundit se nëse nuk ndërhyhej në kohë, zona përreth, por edhe i gjithë qyteti do të vijonte të rrezikohej nga ndotja në nivel mjaft të lartë. Pavarësisht trajtimit të mbetjeve urbane në Landfillin e Sherishtës, që nga 26 prilli i këtij viti, Vlora ende e ka të pazgjidhur vendgrumbullimin e mëparshëm të mbetjeve në lagjen 24 Maji.

Premtimi

Për kryebashkiakun në detyrë (që dha dorëheqjen dy ditë më parë) Ermal Dredha, “lajmi i mirë” ishte se shumë shpejt kjo çështje merrte fund një herë e mirë, duke kapsuluar mbetjet ekzistuese dhe kthyer zonën në eko-park. “Fusha e depozitimit të mbetjeve, e vjetra, shumë shpejt do të fillojë edhe pjesën e kapsulimit, siç është parashikuar në kontratën me KfW, që do të thotë se ata kanë filluar procedurën dhe pasi të përfundojë procedura shpresoj se për një 3-4 muajsh fillon zbatimi i projektit për tu kapsuluar dhe kthyer në eko-park”, tha Dredha më 13 qershor të këtij viti.

Faktoje.al ishte në Vlorë në mesin e muajit gusht dhe konstatoi se në vendgrumbullim “mali me mbetje” ishte ulur disi, pasi një fadromë e bashkisë po punonte për nivelimin e saj, por nuk kishte asnjë shenjë për kapsulimin.  

Foto: Atdhe Mulla

Projekti ende si ide

Paçka optimizmit të kryebashkiakut tw dorwhequr Dredha se brenda tre ose katër muajve projekti, tenderimi dhe financimi do kishin përfunduar dhe nisur puna për zbatim, problematika është e pazgjidhur, ç’ka konfirmohet zyrtarisht edhe nga Bashkia Vlorë.

“Nuk ka ende një projekt përfundimtar për kapsulimin e mbetjeve në vend depozitimin e mëparshëm. Pas përfundimit të projektit, punimet për realizimin e tij do të tenderohen nga Banka Gjermane për Zhvillim KfW dhe vetëm pas përfundimit të këtyre procedurave do të kemi vlerën e kontratës për këto punime të cilat do të zgjidhin përfundimisht problemin e vengrumbullimit të vjetër të mbetjeve urbane”, tha për Faktoje.al Bashkia Vlorë. Sipas tyre, “…është duke u përgatitur nga konsulentët e huaj, projekti përkatës i kapsulimit të vendgrumbullimit, si pjesë e Programit të Menaxhimit të Mbetjeve të Ngurta – Rajoni Vlorë, të financuar nga Qeveria Gjermane nëpërmjet Bankës Gjermane për Zhvillim KfW”.

Përfundimi

Premtimin e kryebashkiakut të dorëhequr Ermal Dredha për fillimin e zbatimit të projektit, brenda  3-4 muajve për kapsulimin e mbetjeve urbane në vendgrumbullimin pranë lagjes 24 Maji në Vlorë, do e konsiderojmë deri më tani të pambajtur.

The post Kapsulimi i malit të mbetjeve në Vlorë, ende një dëshirë appeared first on Faktoje.al.

Terminali i Autobusëve Vlorë, ide në ajër, akoma pa projekt

2 September 2025 at 15:00

Nga Sebi Alla Në fushatën elektorale të vitit 2023, për mandatin e tij të parë si kryebashkiak, si pikë të parë të një liste me premtime, Ermal Dredha shkruante se do të punonte fort për: “Ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas, për të mundësuar akses për të gjithë vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit”, por dy vite më pas, Vlora nuk ka akoma një projekt, e aq më shumë një terminal.

Qindra autobusë dhe furgona të linjave të ndryshme nuk kanë një stacionim të përcaktuar dhe në çdo hapësirë të mundshme sheh autobusë në rrugë kryesore dhe furgonë të futur në qoshëse lagjesh.

Bashkia

Faktoje.al iu drejtua Bashkisë Vlorë me disa pyetje për çështjen e terminalit, nëse kishte projekt, dhe nëse po a është buxhetuar?! “Nuk disponojmë projekt për terminalin dhe  rrjedhimisht nuk është e buxhetuar në buxhetin e bashkisë në vitet 2024 dhe 2025” thotë zyrtarisht Bashkia Vlorë.

Shqetësimi për mungesën e një stacionimi të linjave interurbane është i hershëm në Vlorë, ndërsa si ide e hedhur nga Bashkia Vlorë ishte që të ndërtohej terminali pranë ish-Stacionit të Trenit në qytetin e Vlorës.

Fakt

Faktoje.al gjatë vëzhgimit në qytetin e Vlorës konstatoi disa autobusë të stacionuar në qendër pranë “Lagjes Pavarësia”, por edhe në brendësi të qytetit kudo që mund të gjendej hapësirë boshe për parkim.

Për Faktoje Bashkia Vlorë tha se janë ende në bisedime paraprake për të siguruar fondet, por pa lënë një afat se kur mund të hartohet projekti, të kryhet buxhetimi dhe nisë puna. “Aktualisht jemi në bisedime paraprake me Fondin Shqiptar të Zhvillimit për ndërtimin e një terminali autobusësh si dhe shpresojmë sa më parë të konkretizojmë me një projekt dhe realizimin e tij”, thotë Bashkia Vlorë.

Në faqen zyrtare të Drejtorisë së Përgjitshme të Shërbimeve të Transportit Rrugor harta “Stacione dhe Terminale” nuk e ka të përfshirë Vlorën, duke mbetur qyteti që jo vetëm nuk ka një terminal, por as një stacion qëndror.

Përfundim

Nga konstatimi në terren, por edhe përgjigjja zyrtare e Bashkisë Vlorë për Terminalin e Autobusëve Ndërqytetas rezulton se nuk ka projekt konkret dhe janë në fazën e bisedimeve me Fondin Shqiptar të Zhvillimit, ndaj premtimin për ndërtimin e këtij terminali, do ta kategorizojmë deri tani të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Terminali i Autobusëve Vlorë, ide në ajër, akoma pa projekt appeared first on Faktoje.al.

Vlorë, premtime për zgjidhje, por ujë vetëm dy orë, ankesa për ndotje dhe diskriminim

29 August 2025 at 14:00

Nga Sebi Alla Pas një “dushi të ftohtë” publik që kryeministri Edi Rama i bëri kreut të bashkisë Vlorë Ermal Dredha për punë të dobët në drejtimin e bashkisë, ai premtoi se një nga problemet që lidhej me furnizimin me ujë do merrte zgjidhje me vënien në shërbim të rrjetit të ri shpërndarës.

“Ka zona periferike që ka pasur probleme me shkuarjen e ujit, pasi normalisht kur vendosen tuba të reja marrin ajër dhe derisa të zhbllokohet e gjitha ajo, normalisht ka këtë lloj problemesh”, tha Dredha më 11 qershor, duke e cilësuar problemin e mungesës së ujit të pijshëm për rreth një javë në disa lagje përgjatë asaj periudhe, si teknik.

Kryetari i Bashkisë Vlorë tha gjithashtu se problemi me karakter “teknik” që kishte prekur, sipas tij, zonat periferike të Vlorës do të merrte zgjidhje shpejt

Premtimet për ujë

Ermal Dredha kërkoi votën e qytetarëve për një mandat katër vjecar (2023) duke përfshire si prioritet të programit të tij zgjatjen e rrjetit të furnizmit me ujë të pijshëm.

Një vit më parë, në një intervistë televizive, ai foli për një projekt që kishte katër vite që kishte filluar në Vlorë me qëllim furnizimin me ujë të qytetit, duke përmendur në funksion të saj edhe një tjetër marrëveshje të rëndësishme me gjermanët (18 milion euro investim) që do të zgjaste mbi një vit kalendarik.

Fakt

Në mesin e gushtit, nga verifikimi në terren i Faktoje.al rezulton Vlora vijon të ketë probleme me furnizimin normal me ujë të pijshëm. “Furnizimi normal me ujë është shumë problem. Vjen një herë në ditë nga ora 6-7. Katet e sipërme të pallateve e vuajnë më shumë mungesën”, thotë për Faktoje.al, Agimi, pronar i një bar kafeje në lagjen “Çlirimi”. Një tjetër banore e së njëjtës lagje e cila ka me qira një dyqan të vogël me rroba të përdorura thotë se për disa ditë ka pasur shkëputje të furnizimit me ujë për një kohë të gjatë.

Situata

“Zbresin njerëzit nga kati i pestë dhe mbushin ujë në dyqan te unë. Të vijë behari dhe mos kesh një grusht ujë për të larë sytë është shumë keq. Të lahen ata të plazhit në ‘Ujin e ftohtë’ dhe ne të lagjes këtu (Çlirim) mos kemi nuk është e drejtë”, thotë për Faktoje.al Tefta Gjolekaj e cila thekson se ka një lloj “diskriminimi” në orarin e ujit për zonat periferike.

Banorët thonë se në zonën “Lungomare” dhe të “Ujit të Ftohtë”, ku fluksi turistik është më i madh, furnizimi me ujë bëhet me orë më të zgjatura.

Edhe në lagjen “Pavarësia” janë të “varur” nga orari që u ka caktuar ndërmarrja e Ujësjellës Kanalizimit Vlorë. “Kjo është Vlora turistike. Uji ka munguar për disa kohë. Thanë se pas ndërhyrjes në rrjetin e ri gjithçka do zgjidhej, por ajo që na mbeti janë edhe rrugët copë-copë nga hapja e kanaleve të tubacionit”, thotë një qytetar që nuk pranon të identifikohet me arsyetimin se: “ku po merret vesh ç’po bëhet nga bashkia, ma mbyllin atë dyqan që kam”, thotë ai. Krejt ndryshe nga sipërmarrësi i vogël, një zonjë që jeton në Itali është fare e lirshme.

“Ujë nuk ka. Uji vjen vetëm një orë në mëngjes 6-7 dhe në darkë 6-7, kaq ujë ka në Vlorë. Unë jetoj në Itali dhe kur erdha në maj pashë gjithë këto rrugë të prishura se do të vinte tubacioni, dhe thashë se kur të vinte tubacioni do e gjej ujin… Kemi frikë të lahemi me ujë bolieri, po na zë ndonjë sëmundje lëkure”, thotë 57-vjeçarja, teksa ngre shqetësimin që kanë edhe shumë qytetarë të tjerë të lagjes “Pavarësia”, se kur ka shkëputje për rreth dy ditë kur rikthehet, uji vjen i ndotur.

Bashkia

Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me disa pyetje për çështjen e furnizimit me ujë të qytetit, por edhe pse ka kaluar afati ligjor deri në publikimin e shkrimit nuk patëm përgjigje.

Përfundimi

Vlora vijon të përballet me mungesë të ujit të pijshëm, veçanërisht në disa lagje të saj përgjatë gjithë sezonit turistik. Ndaj dhe, premtimin për zgjidhjen e furnizimit me ujë në ketë qytet deri më tani do e konsiderojmë të pambajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Vlorë, premtime për zgjidhje, por ujë vetëm dy orë, ankesa për ndotje dhe diskriminim appeared first on Faktoje.al.

By pass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh

1 July 2025 at 16:00

Dy vite pas inaugurimeve dhe me 13 milionë euro shtesë, rruga që qeveria e reklamon të mbaruar vazhdon të ketë punime në terren dhe elementë të papërfunduar sigurie. Pas disa afateve të shkelura, Autoriteti Rrugor thotë se përfundimi i plotë i veprës pritet në fund të këtij muaji.


Esmeralda Topi

Nëse këtë verë keni kaluar nga Bypass-i i Vlorës dhe jeni përballur ende me punime, mos u çudisni. Vepra që qeveria ka inauguruar dy herë, ende nuk ka përfunduar. Dy vite pas ceremonive inauguruese të rrugës dhe dhjetëra miliona eurove shtesë, aksi 29 kilometra i gjatë, vazhdon të ketë mangësi në elementët e sigurisë rrugore.

Pavarësisht kësaj, një muaj para zgjedhjeve, ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, duke raportuar arritjet dhe sfidat në sektorin e infrastrukturës, nuk ngurroi ta shpallte Bypass-in e Vlorës si një investim të përfunduar.

Burimi: Ministria e Infrastrukturës

Edhe kryeministri Edi Rama së fundmi ka publikuar në rrjete sociale një video të Bypass-it të Vlorës, duke e reklamuar investimin me mbishkrimin: “bukur dhe pastër”. Mirëpo, mes qindra komenteve kish nga ata qytetarë që vinin në pah mos përfundimin e veprës. 

“Ka ngel e çik fare aty ku lidhet fshati Kanin me bajpasin!! Aty ku protestohej nga banorët ka ngel e pak fare edhe pastaj mbaron,” shkruante një komentues.

Fakt

Autoriteti Rrugor Shqiptar konfirmon se punimet në këtë vepër ende nuk kanë përfunduar. 

“Punimet e rrugës kryesore kanë përfunduar dhe segmenti është i hapur për qarkullimin e mjeteve”, deklaron ARRSH në një përgjigje zyrtare për Faktoje, duke shtuar se rehabilitimi i skarpatave, mbrojtja nga rënia e gurëve dhe rehabilitimi mjedisor janë “drejt përfundimit”.

Sipas të njëjtit institucion, punimet e mbetura do të mbyllen më 31 korrik 2025, përpara se rruga të merret përfundimisht në dorëzim pas një periudhe njëvjeçare garancie. Ky afat i ri përfundimi bie ndesh me deklaratat e mëparshme të ARRSH-së, sipas të cilave punimet do të mbylleshin në mars të 2024.  

Vonesat e punimeve sipas ARRSH lidhen më një sërë arsyesh. Terreni i vështirë dhe problematikat gjeoteknike në ndërtimin e urave dhe stabilitetin e skarpatave, të cilat kanë pësuar rrëshqitje në disa zona, kanë ndikuar ndjeshëm ritmin e punimeve. Po ashtu, kërkesat e vazhdueshme të Bashkisë Vlorë, të komunave Babicë dhe Kaninë, si edhe të komunitetit përgjatë gjithë gjurmës së projektit, kanë sjellë ndryshime dhe devijime të planifikimeve. 

ARRSH shton se situata është komplikuar më tej nga punime të paparashikuara, zhvendosja e rrjeteve inxhinierike si OST, OSHEE dhe UKT, si dhe problematikat e vazhdueshme me shpronësimet, përfshirë devijimin e gjurmës në zonën e varrezave të Babicës. Të gjithë këta faktorë, thotë Autoriteti Rrugor kanë prodhuar një zinxhir vonesash që e kanë lënë projektin të papërfunduar, pavarësisht premtimeve dhe inaugurimeve të njëpasnjëshme. 

13 milionë euro shtesë

Krahas kohës, vepra ka marrë edhe më shumë para nga sa ishte planifikuar. Nga 56 milionë euro vlerë investimi e raportuar fillimisht, ARRSH deklaron tani se kostoja e projektit ka arritur 69,2 milionë euro. Fatura e këtij investimi është rritur me 13 milionë euro por ARRSH nuk jep një analizë të detajuar për arsyet që kanë diktuar këtë shtesë financimi.

Segmenti 29-kilometërsh është një vepër e bashkëfinancuar nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

Në total, fondet e dhëna nga Bashkimi Europian për këtë projekt llogariten në vlerën e 56 milionë eurove, nga të cilat 20 milionë janë grant dhe pjesa tjetër kredi nga Banka Europiane e Investimeve dhe BERZH. 13 milionë euro janë investim i qeverisë shqiptare. 

Me këtë faturë, 1 kilometër i kësaj rruge ka kushtuar 2.4 milionë euro.

Përfundim

Me kosto të rritura, afate të shkelura dhe një kantier që ende nuk përmbush kriteret bazë të sigurisë, projekti ilustron modelin shqiptar të përurimeve që nuk përkojnë me të vërtetën në terren. Nisur nga të dhënat zyrtare dhe verifikimet në terren, deklaratën e ministres së infrastrukturës Belinda Balluku në prag zgjedhjesh se Bypassi i Vlorës ka përfunduar, e kategorizojmë gjysmë të vërtetë. Rruga ka qënë e hapur për qarkullim por sikurse ARRSH pranon, aksi ka ende punë për tu vlerësuar i përfunduar dhe i marrë në dorëzim. 

The post By pass-i i Vlorës, zvarritje punimesh dhe rritje kostosh appeared first on Faktoje.al.

Sherri skandaloz mes grave nuk ndodhi në detin e Vlorës

23 June 2025 at 16:55

Pretendimi: Kjo video tregon një sherr që ka ndodhur në qershor 2025 në Vlorë

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————-

Në rrjetet sociale shqipfolëse po qarkullojnë pamje nga një video që pretendohet se tregon një “incident [të] pazakontë [që] ka ndodhur në ujërat e Vlorës.”

Video tregon një zënkë fizike mes disa grave dhe familjarëve të tyre në mes të detit.

Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se pamjet e mësipërme qarkullojnë në rrjete të paktën që nga viti 2021.

Gusht 2021, një portal italian pretendonte se video ishte xhiruar në një plazh italian, ndërsa një portalet ukrainas pretendonin se pushuesit që ziheshin ishin ateistë dhe besimtarë në Langeron, Odessa.

Në qershor 2022, një portal në gjuhën maqedonase botoi pamjet duke i vendosur ato në Paralia, në Greqinë veriore. 

Megjithëse burime të ndryshme kanë pretenduar se video është xhiruar në vende të ndryshme, versioni i saj më i hershëm është botuar në kanalin e Telegram, @xydessa, një kanal dedikuar “lajmeve nga Odessa dhe rajoni.”

versionet e hershme të videos, dëgjohet se personat në të flasin një gjuhë sllave.

Si përfundim, video e mësipërme me gjasa tregon një zënkë në një plazh të Odessa në Ukrainë në gusht 2021. Ç’është e sigurt është se video nuk është filmuar në Vlorë në 2025.

The post Sherri skandaloz mes grave nuk ndodhi në detin e Vlorës appeared first on Faktoje.al.

Një kopsht, park dhe sinjalistikë e munguar/Pasojat e një vendimi financiar nga Bashkia e Vlorës

21 May 2025 at 14:00

Nga Afrovita Hysaj Në fund të muajit Prill, në kulmin e fushatës elektorale, pas kalimit (më herët) të Ujësjellësit të Vlorës nga Bashkia tek Ministria e Infrastrukturës, Këshilli Bashkiak i këtij qyteti miratoi një marrëveshje për të paguar me këste borxhin e papaguar që Ujësjellësi i kishte Bashkisë.

Marrëveshja do t’i shërbente edhe zgjidhjes së ngërçit financiar të krijuar mes dy institucioneve qysh prej vitit 2018 pasi Ujësjellësi nuk derdhte rregullisht në buxhetin e Bashkisë të ardhurat që grumbullonte nga taksat si ajo e pastrimit apo gjelbërimit.

Negociatat ndërkohë për pagesën e detyrimeve kishin një vit që kishin nisur.

Borxhi

Një grup pune i ngritur më herët kishte llogaritur se shuma e borxhit ishte 261 milionë lekë, nga të cilat 70 milionë lekë të rinj janë kamat vonesa dhe 191 milionë lekë principal.

Ujësjellësi propozoi që ndërmarrja të njohë borxhin sa i takon principalit (duke e paguar me këste), por jo kamatvonesën.

Propozimi më pas kaloi për diskutim në Këshillin Bashkiak me datë 29 Prill  

Kundërshtia

Demokratët e kundërshtuan marrëveshjen në mbledhjen e Këshillit Bashkiak me argumentin se, bashkia nuk mund të falë lekët që Ujësjellësi ka mbledhur, dhe që nuk u shkojnë qytetarëve.

Pasojat

Ish-kryetari i Bashkisë Gëzim Zilja si dhe këshilltari aktual demokrat Gjergji Nika dhanë shembuj konkretë për Faktoje.al se çfarë mund të financohej me 70 milion lekë të reja në shërbime publike.

Gjergji Nika tha se një shumë e tillë do të shërbente për investimin e një kopshti ose shkolle në zonat rurale.

Ndërsa Gëzim Zilja tha se shuma e papërfshirë në marrëveshje dhe ‘indirekt e falur’ do shërbente për përmirësimin e sinjalistikës rrugore dhe vendosjen e semaforëve në akset kryesore të qytetit; ripërtëritjen e Pyllit të Sodës; krijimin e lulishteve të vogla katërkëndore përgjatë Lungomares, një parku para ish-shkollës së Marinës; ndërtimin e banesave sociale për të pastrehët si dhe krijimi i fushave sportive publike për fëmijë dhe të rinj.

Reagimi

Drejtori juridik i Bashkisë Vlorë Dorian Demiri tha se borxhi (70 milion lekë të reja) nuk do të falet, por në vijim do të gjendet një rrugë për të kërkuar shlyerjen e kamatvonesës në gjykatë përmes një vendimi të dytë. Ky sqarim nga PD është cilësuar si orvatje pa rezultat.

Vendimi

Anëtari i PD-së në Këshillin Bashkiak, Gjergji Nika, tha se vendimi i miratuar në Këshillin Bashkiak (30 pro, 6 kundër dhe 1 abstenim) që nuk përfshin kamat-vonesat mund të përdoret në gjykatë kundër vetë Bashkisë.

“Sa i përket kamat- vonesave në momentin që ti miraton një kontratë, dhe bie dakord për t’ju përmbajtur një kontrate, plus voton në Këshill një projektvendim ku nuk përmendet kamat- vonesa, por kërkon pagimin vetëm për principalin  atëherë paraqitja në gjykatë është e pavlefshme pasi Bashkia si institucion ka rënë dakord paraprakisht me këtë vlerë dhe gjykata e rrëzon kërkesën e kamatvonesës duke qenë se në fuqi mbetet vendimi i fundit i miratuar (që është ai i fundit pra pa kamatvonesën)”, tha Nika.

Sipas tij, shuma e kamat- vonesave do qëndrojë në librat kontabël të Bashkisë deri në faljen e tyre me ligj ose me urdhër të brendshëm.

The post Një kopsht, park dhe sinjalistikë e munguar/Pasojat e një vendimi financiar nga Bashkia e Vlorës appeared first on Faktoje.al.

Zgjedhjet në Vlorë, fushatë pa surpriza dhe pa përplasje PD-PS

11 May 2025 at 22:49

Nga Afrovita Hysaj Procesi i votimit në qytetin e Vlorës nuk pati asnjë surprizë, duke reflektuar edhe ecurinë e gjithë fushatës në këtë qark.  

Një proces që nisi qetë e përfundoi po njësoj.  Fushatë pa sulme mes dy partive të mëdha, pa akuza e pa tone të larta. Fushatë në të cilën partitë nuk patën asnjë deklaratë kundër njëra tjetrës

Votimi

Votimi nisi prej orës 7.00 të mëngjesit, me vonesa në disa qendra për shkak të mos prezantimit apo votimit të disa anëtarëve të komisionit, njëjtë si vonesat në procesin e votimit në institucionin e paraburgimit, ku votimi nisi me 3 orë vonesë.

4471/2 nisi me vonesë pasi dy komisionerë u larguan për arsye familjare. Në një prej qendrave të votimit në rajonin 5, qendra 4450 pati konstatim të shpërndarjes së fletëpalosjeve për një kandidat të Partisë Socialiste. U kërkua largimi i tyre, por nuk pati pezullim.

Finiq, në fshatin Kardhikaq dhe Gravë, për shkak të mungesës së materialeve zgjedhore votimi nisi me 4 orë vonesë.

Në Sarandë gjithashtu pati vonesa në disa qendra edhe për shkak të funksionimit të kamerave monitoruese.

Megjithatë në një panoramë të përgjithshme asnjë prej rasteve nuk ka sjellë anomali për vijimin e procesit.

E qetë përtej asaj që njihet, edhe reagimi i partive opozitare.

Partia Demokratike dega Vlorë, edhe pse nuk pret të marrë më shumë mandate në Vlorë sesa lista e mbyllur, duket se iu dorëzua qytetarisë për procesin zgjedhor.

Nga kampi rozë shqetësim ishte pjesëmarrja.

Në përqindje krahasuar me zgjedhjet e vitit 2021, Vlora shfaqet gati në të njëjtat shifra, por shifra e këtij viti ka bashkë edhe votën e diasporës që tregon se vota e votuesve brenda territorit ka ardhur në rënie.

Çfarë pritet?

Partia Socialiste kërkon të mbajë 8 mandate, edhe pse është artikuluar në disa raste një mandat i 9.

Partia Demokratike kërkon të qëndrojë në 4 mandate, edhe pse partitë e vogla i kanë rrezikuar elektorat.

Megjithëse parashikimet dhe pritshmëritë, këto zgjedhje ishin më të ftohta jo vetëm për qytetarët, por edhe për kandidatët vetë.

Ndërkohë, me sy më kritik pritet të shihet procesi i numërimit të votave jo më shumë për subjektet, sesa për vetë kandidatët.

The post Zgjedhjet në Vlorë, fushatë pa surpriza dhe pa përplasje PD-PS appeared first on Faktoje.al.

Fluturim elektoral me destinacion Vlorën

8 May 2025 at 14:18

Skenari i njohur i “fluturimit elektoral” u rikthye këtë prag zgjedhjesh me zbritjen e avionit të parë testues në pistën e aeroportit ndërkombëtar të Vlorës. Por “aleanca fantastike” me Aeroportin e Mynihut, e trumbetuar që në nisje të punimeve, përfundoi përpara se aeroporti të fillonte operimin. Sot, Mynihu nuk është më pjesë e projektit dhe, siç konfirmon vetë aeroporti për Faktoje.al, kontrata nuk do të rinovohet.

Esmeralda Topi

Një javë përpara zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021 një avion i linjës ‘Air Albania’ zbriti në Kukës për të inaguruar aeroportin ndërkombëtar ‘ZAYED – Flatrat e Veriut’. Katër vite më vonë, një skenar i ngjashëm u përsërit në Vlorë. Pista e aeroportit të ri ndërkombëtar u inagurua me fluturimin e parë certifikues tre ditë përpara zgjedhjeve. 

‘ Vlora do të jetë një aeroport ndërkombëtar për të gjithë vitin, jo thjesht një aeroport turistik , tha kryeministri Edi Rama. 

Afrim Krasniqi, drejtues i Institutit të Studimeve Politike, e sheh përurimin e aeroportit të Vlorës si një tjetër rast të përdorimit të projekteve publike për përfitime elektorale. 

“Në Shqipëri po ndërtohet një aeroport i ri dhe natyrisht, përurimi ndodh para zgjedhjeve,” thotë ai me ironi, duke shtuar se ndonëse vetë aeroporti mund të jetë një lajm pozitiv, mënyra si po promovohet e kthen atë në një shembull tipik të spekulimit dhe keqpërdorimit elektoral. 

Aeroporti i Vlorës ndodhet në fshatin Akërni, pranë lagunës piktoreske të Nartës. Puna për ndërtimin e tij nisi më 28 nëntor 2021. 

“Sot jemi këtu me një aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit, që është aleanca me aeroportin e Mynihut, një nga fuqitë më të mëdha të transportit ajror jo vetëm në Europë, por edhe në botë”, deklaronte Rama gjatë ceremonisë inaguruese të punimeve. 

Mirëpo sot, Rama nuk e përmendi këtë aleancë që deri para pak muajsh e çmonte aq shumë.

Fakt

Ndryshe nga sa deklaronte kryeministri, aleanca ‘fantastike’ për të ardhmen e aeroportit me aeroportin e Mynihut, përfundoi përpara se ky aeroport të niste operimin. Në një reagim të posaçëm për Faktoje.al Munich International Airport thekson se nuk ka negociata të mëtejshme për rolin e tyre si këshillues në aeroportin e Vlorës. 

Kontrata 2 vjeçare midis Munich Airport International (MAI) – një degë e Flughafen München GmbH – dhe Aeroportit të Vlorës është përmbushur plotësisht në fund të muajit prill. 

“Nuk ka plane që MAI apo Flughafen München GmbH të operojnë Aeroportin e Vlorës dhe, siç u përmend më herët, kontrata aktuale e konsulencës përfundon në fund të prillit 2025”, pohoi për Faktoje.al Robert Ëilhelm, koordinator për marrëdhëniet me mediat pranë Flughafen München GmbH

“MAI nuk ka pasur asnjë ndikim apo fuqi vendimmarrëse në lidhje me planifikimin dhe përzgjedhjen e vendndodhjes së aeroportit të ri”, sqaron më tej Ëilhelm. 

Prej fillimit, organizatat mjedisore vendase dhe ato ndërkombëtare e kundërshtuan projektin. Sipas aktivistëve mjedisorë, aeroporti rrezikon vazhdimësinë e specieve në peizazhin e mbrojtur, por edhe sigurinë e fluturimeve potenciale. Këto paralajmërime ranë në vesh të shurdhër në Shqipëri, por jo në Gjermani. 

Më 23 tetor 2024, pranë Bashkisë së Mynihut u dorëzua një peticion i firmosur nga rreth 500 gjermanë, aktivistë dhe ekspertë mjedisorë, që kërkonin ndërprerjen e bashkëpunimit të Aeroportit të Mynihut me ndërtimin e aeroportit të Vlorës në Shqipëri. Disa muaj më vonë, aerporti i Mynihut u tërhoq nga projekti. 

Mynihu si ‘mjet’ propagandistik

Aleksandër Trajçe, drejtuesi ekzekutiv i Qendrës për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri (PPNEA), ngre shqetësimin se përfshirja e pretenduar e aeroportit të Mynihut në projektin e aeroportit të Vlorës ka shërbyer që në fillim si një mjet propagandistik, për të krijuar iluzionin e një partneriteti të fuqishëm ndërkombëtar dhe për të fshehur mungesën e transparencës si dhe ndikimin real negativ në mjedis. 

“Tani që kontrata me Mynihun ka përfunduar dhe nuk po rinovohet, kjo “aleancë” nuk po përmendet më nga qeveria duke treguar qartë se nuk ka pasur asnjë qëndrueshmëri apo vullnet afatgjatë në këtë bashkëpunim dhe se gjithçka ishte stisur për të justifikuar një projekt kryekëput jo-transparent dhe shkatërrimtar për mjedisin”, argumenton ai.

Sipas Trajçes, projekti i aeroportit nuk përfaqëson një vizion të qëndrueshëm për zhvillimin e vendit, por një ndërhyrje shkatërruese që rrezikon të zhdukë një nga ekosistemet më të rëndësishme të Mesdheut – deltën e Vjosës. 

“Ky nuk është një vend bosh që pret betonin,” – thekson ai – “por një thesar natyror me vlera të jashtëzakonshme që duhet mbrojtur për të ardhmen tonë të përbashkët.”

Përfundim 

Deklarata e kryeministrit Edi Rama për një “aleancë fantastike për të ardhmen e aeroportit të Vlorës” me Aeroportin e Mynihut rezulton e pavërtetë. Bashkëpunimi me Munich Airport International ishte i kufizuar në një kontratë dyvjeçare konsulence, pa ndikim vendimmarrës apo përfshirje në operim, dhe përfundoi përpara se aeroporti të niste funksionimin. 

The post Fluturim elektoral me destinacion Vlorën appeared first on Faktoje.al.

“Për gabimet thyheshin gjymtyrët dhe digjeshin shtëpitë”, zbardhen dëshmitë e ukrainasve të trafikuar në Vlorë

5 March 2025 at 13:13

Nga Anila Hoxha

Si një gjysh i shqetësuar për zhdukjen e nipit, me inicialet V. S., u ul para një kompjuteri në fillim të nëntorit 2024 dhe përmes email-it njoftoi ambasadën e Ukrainës me seli në Tiranë për atë që më pas do të ishte çelësi i një zbulimi të pazakontë në fushën e krimit të organizuar. I moshuari S. informoi se nipi i tij po mbahej pa dëshirë dhe po detyrohej të punonte forcërisht në Shqipëri. Adresa me sa dinte ai ishte qyteti i Vlorës. Por nipi i tij, një i ri i talentuar në fushën e informatikës identifikuar më pas me inicialet Z. M., ishte vetëm njëri mes shumë të tjerëve si ai, që mbasi u punësuan në mënyrë mafioze në Varshavë, u trafikuan drejt Shqipërisë ku dhe punuan nën terrorin e dhunës.

Ajo që duhet të bënin si IT, ishte punësimi përmes dark-webeve të njerëzve të panjohur që mbasi josheshin pranonin oferta për të kryer krime, ndër kryesoret transporti i ngarkesave me drogë në shtete të ndryshme të Evropës. Secili prej tyre do të paguhej me monedha virtuale. Hetimet e deritanishme tregojnë se trafikantët, që mbajtën me dhunë 19 ukrainas në qytetin e Vlorës, dyshohet se janë pjesë e një organizate ndërkombëtare, që nga të dhënat paraprake të autoriteteve shqiptare ka të dhëna se ka strukturën e organizatës “Khimprom”. Emri i organizatës u pohua për Faktoje nga dy burime të pavarura nga njëra tjetra, që të dyja pjesë e skuadrave hetimore të ngritura prej 11 nëntorit 2024

Çfarë u gjet?

Gjatë intervistës për Faktoje, Elidon Çela, aktualisht drejtor i policisë së Qarkut të Vlorës tregohet mjaft i rezervuar për veprimet hetimore të kryera paraprakisht nga policia lokale.

Ndërkohë,  prokuroria e këtij qyteti, e gjendur para fakteve të forta shpalli mos-kompetencën dhe ia kaloi për veprime të mëtejshme SPAK-ut.

Procedimi u regjistrua në Tiranë në datë 23 janar 2025 dhe mban numrin 18 për veprat “Trafikim i personave të rritur” në bashkëpunim  në formën e grupit të strukturuar kriminal, grup i strukturuar kriminal dhe kryerje e veprave penale nga organizata kriminale.

“Menjëherë pas informacionit të marrë u aktivizuan strukturat e antitrafikut dhe hetimit të krimeve, së pari për të disponuar të dhënat se në cilat lagje qëndronin qytetarët ukrainas dhe më tej konstatuam dy objekte, të dyja të kontrolluara ku dhe u gjetën të rinjtë e trafikuar”, pohoi shkurtimisht Çela për Faktoje.

Në fakt, në komunikatën zyrtare të policisë në atë kohë njoftohej se, “personat e trafikuar detyroheshin përmes kërcënimeve dhe përdorimit të dhunës fizike dhe psikologjike, për t’u angazhuar në marketingun e rekrutimit të individëve të tjerë në vendet e Europës, duke përdorur platforma të ndryshme të rrjeteve sociale, me qëllimin për t’i shfrytëzuar më pas për veprimtari kriminale, si shpërndarja dhe trafikimi i lëndëve narkotike, që kryheshin gjithashtu në vendet europiane”.

Veç sekuestrimit të 18 PC , dhe pasaportave të udhëtimit, ajo që i bindi hetuesit se kishin përpara një çështje të madhe ishin dëshmitë e të rinjve të trafikuar, të cilëve gjatë qëndrimit gati një mujor në Shqipëri u ishin marrë edhe pasaportat me qëllim që të mos arratiseshin. Shtëpia nga provat e deritanishme rezulton se ishte marrë prej një muaji përmes Airbnb.     

Dëshmia

Ne foto: Ukrainasit e trafikuar

Ajo ishte një godinë një katëshe në lagjen “Demokracia”, gjendur pranë një shkolle jo publike. Në procesverbal shkruhet: “Godina një katëshe me porta, dhe dritare të mbyllura , të jep përshtypjen e një banese të pabanueshme. Nga ana e policisë u kontaktua me pronarin e banesës dhe bashkë me të shërbimet kanë shkuar tek objekti. Fillimisht derën e ka hapur shtetasi me inicialet M.P., i cili u ka thënë se në banesë gjendej me familjen. Për të verifikuar informacionin shërbimet e policisë u futën në banesë, ku në sallonin e kësaj banese u gjetën 6 shtetas të tjerë me shtetësi ukrainase, të cilët para tyre mbanin një kompjuter portativ dhe ishin duke shkruar në aplikacione të ndryshme”.

Mes tyre policia gjeti edhe nipin e denoncuesit me inicialet Z. M.

Si një i ri me shtetësi ukrainase, por i lindur në Krakov të Polonisë ai kishte ambicie vetëm punën e zyrës. Ndaj, siç rrëfehet për policinë ai, nisi kërkimet në fushën ku ndihej më i fortë, atë të IT.

“Pashë një njoftim në aplikacionin Telegram, ku flitej për punësim. Komunikova në Telegram me një person me emrin Fresko dhe më informoi për intervistë në qytetin e Varshavës, Poloni. Do të kryeja testin e poligrafit”.

Në Varshavë testi për gjurmimin e gënjeshtrës u krye sipas një adrese  të cilin i riu ua ka vendosur në dispozicion autoriteteve të drejtësisë shqiptare.

“Më lajmëruan pas dy ditësh se e kisha kaluar testin e poligrafit dhe se isha pranuar në punë. Më pas jam trajnuar për tre ditë. Erdhi njëri nga kryesorët quhej Y. dhe më tha që do shkoja në Shqipëri me punë pasi kishte kushte të mira pune. Biletat mi preu personi me emrin M., por që njihej si “e premtja“.

Në aeroportin e Rinasit u prit nga i njëjti person me të cilin udhëtoi drejt Vlorës e së bashku me ta edhe dy ukrainas të tjerë që kishin qenë në të njëjtën linjë fluturimi. “Në fillim vajtëm në një shtëpi tjetër, por aty nuk kishte vend pasi kishte edhe shumë të tjerë. Na dërguan në një shtëpi tjetër që ishte bosh vetëm për ne”, shprehet i riu me inicialet Z.M. Ditët në vazhdim i riu pa se si shtëpia u mbush edhe me ukrainas të tjerë në të njëjtën moshë me të. “Personi me nofkën “Kika” na mori pasaportat dhe na tha se nëse nuk do zbatonim rregullat e tyre do përfundonim si disa persona që i kishin regjistruar në video. Aty shfaqeshin pamje ku disa persona  dhunonin në mënyrë të frikshme duke ju thyer edhe gjymtyrët, kurse në një video tjetër dukeshin duke i djegur shtëpinë”.

Duke u bindur, të rinjtë ndoqën udhëzimet e trafikantëve dhe anëtarëve të grupit, dhe dërgonin linqe interneti nga programe me robotë, ku përmes dark-webeve seleksiononin personat që u bëheshin oferta për të transportuar drogë. “Kur këta persona pranonin ofertën, – thotë i riu, – i rekrutonim dhe pastaj ia kalonim personit me nofkën “Kika” që ia kalonte personit me nofkën Mustangu”. Ajo që rrëfejnë edhe specialistët e tjerë të IT është një skemë e mirëfilltë kriminale e krimit të organizuar. Për çdo rekrutim paguheshin 25 dollarë ndërsa u ishte premtuar se paga e tyre do të ishte e përjavshme prej 250 dollarësh

Prokuroria e Posaçme shkruan në fashikull se “nga kqyrja e faqeve të ndryshme dhe adresave të hapura në kompjuterat portativë nga drejtoria e Krimeve Kibernetike u konstatuan se në to kishte komunikime që tregonin mënyrën e rekrutimit të shtetasve në shtetet e Evropës me qëllim shpërndarjen e lëndëve narkotike”

Nga fashikuj që posedon Faktoje rrëfimet e ukrainasve që e gjetën punën përmes Telegram, tregojnë identitete trafikantësh të cilët ende janë nën hetim nga SPAK.

Aktualisht Shqipëria i ka strehuar specialistët e IT në një qendër shtetërore, ndërkohë që në hetime është angazhuar edhe gjyqtarja e çështjes, që për të siguruar provat me kërkesë të SPAK, po dëgjon dëshmitë e secilit prej të trafikuarve, të cilët po ballafaqojnë identitetet e shtetasve që i kanë dhunuar dhe të huajve të tjerë që ju morën pasaportat

Shtetasi me inicialet K.G., 24 vjeç është nga Bjellorusia dhe është njëri prej atyre shtetasve që u gjet në një banesë të dytë të përshtatur nga organizata kriminale e huaj për të njëjtin qëllim. Ai tha në gjykatën e posaçme të njëjtën skemë, por me ndryshimin e vetëm ku si trajner kishte pasur një person me pseudonimin “Veterineri”

“Kur nisa punën çdo gjë dukej e çuditshme dhe mbaj mend që bëra një gabim gjatë procesit. Kika më ka rrahur dhe një tjetër me nofkën “Veterineri” filmoi dhe këtë video e dërgoi tek të mëdhenjtë për tu treguar se më ndëshkuan për gabimin që bëra. Na kanë treguar video ku për gabimet thyheshin gishtat dhe i kërcënonin se do i hiqnin qafe. Ne kishim një grup në chat ku pjesëtarë ishim edhe ne edhe eprorët ku dhe merrnim kërcënime dhe presion të vazhdueshëm. Kam parë një video ku dikujt i urinonin në gojë dhe ky grup ishte krijuar enkas që në të punonim më shumë dhe të bënim kujdes që këto ngjarje mos të na ndodhte edhe neve”, rrëfehet 24 vjeçari.

Me një listë konkrete të dyshuarish, SPAK beson se, nga të dhënat që disponon, në Shqipëri organizata “Khimprom”, me qendër në Rusi përfaqësohej nga shtetasi me inicialet N.K. me nofkën “Kika”

“Organizata kriminale ku personat e mësipërm bënin pjesë quhet “Khimprom”, me qendër në Rusi e cila është një organizatë shumë e fuqishme  kriminale që merret me shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe ka përhapje të madhe në shumë vende“, detajohet në një nga këto shkresa të vëna në dispozicion të Faktojes.

Është kjo arsyeja se përse përballë këtij karteli SPAK ka vendosur me sigurimin e provës dhe marrjen e dëshmisë të ukrainasve të trafikuar, të cilët sipas dyshimeve përballë kartelit mund të jenë objekt i kanosjes. Deri në publikimin e këtij lajmi SPAK nuk ka dalë ende me një njoftim zyrtar.

Khimprom

Por kush është organizata Khimprom që dyshohet se fshihet pas trafikimit të ukrainasve bazuar në të dhënat që disponon SPAK? Pavarësisht emrit origjinal për një grup të organizuar kriminal, kjo organizatë nuk merret vetëm me zhvillimin, prodhimin dhe shitjen e drogës, por gjithashtu operon një rrjet të gjerë qendrash telefonike (call center). Nuk dihet me saktësi se kur u shfaq “Khimprom”, por hapat e parë u hodhën në qytetin rus të Sterlitamakut, jo më vonë se në vitin 2012.

Aty, tre të rinj  gjetën një mënyrë për të përfituar nga një boshllëk në legjislacion dhe nisën shitjen masive të përzierjeve sintetike, të njohura si “spice”. Ndërsa shteti i ngadaltë ndalonte njërën prej tyre, ata ndryshonin përbërjen kimike të drogës dhe e rikthenin atë në treg. Të tre të rinjtë studionin në degën lokale të Universitetit Shtetëror të Teknologjisë së Naftës në Ufa.

Sipas të dhënave të Ministrisë së Brendshme ruse, deri në vitin 2017, xhiroja vjetore e “Khimprom” tejkalonte dy miliardë rubla, dhe në strukturën e tij ishin të përfshirë të paktën një mijë persona. Informacionet e deritashme tregojnë se, “Khimprom” kishte mbrojtje të fortë, nuk rrezikonte dhe nuk sillte drogë sintetike nga Kina; ato prodhoheshin në laboratorët e tyre brenda Rusisë.

Në të paktën 12 rajone të vendit u hapën qendra logjistike për produktet e gatshme. Përpos përpjekjeve të Zyrës së Prokurorit të Përgjithshëm për të bllokuar burimet në internet, “Khimprom” shiste hapur drogë në faqen e tij me të njëjtin emër. Qendrat e thirrjeve më tej u organizuan në Ukrainë. Rekrutimi bëhej përmes njoftimeve në gazetë, në televizion ose në fletushkat në metro, ku ofrohej punë si korrier me një pagë të mirë nga 6 deri në 8 mijë dollarë në muaj. Vetëm gjatë intervistës për punë, njerëzit mësonin se puna përfshinte udhëtime në Rusi. Ndër ata që përgjigjeshin ndaj njoftimeve, zhvillohej një proces përzgjedhjeje ku njerëzit ndaheshin sipas detyrave te posaçme si punëtorë magazinash, prodhues droge, punonjës të qendrës së thirrjeve. Çdo person i nënshtrohej një testi me poligraf (detektor gënjeshtrash).

Më pas, pasonte një muaj “praktikë” në Ukrainë, varësisht nga drejtimi i punës. Shumë punonjës merrnin pasaporta të falsifikuara ruse.

Falë përdorimit të mesazherëve anonimë, kriptovalutave dhe metodave të konspiracionit, blerësit ose punonjësit e zakonshëm të kësaj organizate nuk mund të jepnin informacione për hierarkinë më të lartë të organizatës në rast arrestimi — ata thjesht nuk kishin kontakt me ta.

Por forcat e sigurisë ruse që në fillim ishin të bindura se drejtuesit e vërtetë të sindikatës ndodheshin në Ukrainë. Kjo pasoi disa aksione të

Shërbimit Federal për Kontrollin e Narkotikëve nga Ukraina, aksione që datojnë nga viti 2016. Sipas të dhënave, në Ukrainë, organizata në fjalë mundi të funksiononte pa pengesa deri në vitin 2019 me zyrat e tij në qendër të Kievit.

Në mars 2019, Shërbimi i Sigurisë së Ukrainës, së bashku me Prokurorinë e Përgjithshme, kreu një operacion të posaçëm për arrestimin e drejtuesve të organizatës. Megjithatë, një prej tyre arriti të largohej nga Ukraina. Fillimisht qëndroi në Amerikën Latine, Panama, më pas në Miami dhe u vendos përfundimisht në Meksikë.

Pse Vlora?

Aksioni i gjerë i policisë në bashkëpunim me SPAK ndodhi në Vlorë. Më herët, Faktoje ka raportuar se si hyrjet e shtetasve rusë në Shqipëri që raportoheshin për turizëm, po sillnin edhe një fenomen të errët që lidhej me veprimtari të dyshimta të disa shtetasve rusë duke vënë në alarm shërbimet inteligjente dhe ato të anti-terrorit. Ndërkohë, me nisjen e agresionit në Ukrainë, Shqipëria, duke iu bashkuar shteteve që morën masa shtrënguese ndaj Rusisë, ka raportuar sanksione të vazhdueshme ndaj subjekteve dhe individëve të caktuar. Paralelisht me fenomenin janë raportuar gjithashtu rritje e numrit të shtetasve rusë me leje qëndrimi në Shqipëri, ndërsa vërehet një interes i shtuar investimi në fushën e pasurive të patundshme në bregdet, veçanërisht në Vlorë.  

Të arrestuarit (me iniciale) për të cilët është njoftuar zyrtarisht se janë pjesë e hetimit

  • M.P., 27 vjeç, nga Harkov, Ukrainë
  • N. K., 23 vjeç, nga Kiev, Ukrainë
  • O. T., 24 vjeç, nga Minsk, Bjellorusi
  • M.S., 22 vjeçe, nga Kiev, Ukrainë
  • K. M., 35 vjeç, banues në Poloni, në kërkim

The post “Për gabimet thyheshin gjymtyrët dhe digjeshin shtëpitë”, zbardhen dëshmitë e ukrainasve të trafikuar në Vlorë appeared first on Faktoje.al.

Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit në bashkinë e Vlorës

17 February 2025 at 13:11

Qendra e verifikimit të fakteve, Faktoje prezantoi të mërkurën, 12 shkurt, përpara përfaqësuesve të Bashkisë Vlorë, Këshillit Bashkiak, gazetarëve lokalë dhe shoqërisë civile, gjetjet e raportit mbi “Transparencën dhe mbajtjen e premtimeve”, pas monitorimit të kryer në harkun kohor të një viti mbi punën e kësaj bashkie.

Pjesë e monitorimit për vitin 2024 ishin 10 bashki; Shkodra, Lezha, Elbasani, Korça, Dibra, Durrësi, Vlora, Fieri, Kavaja dhe Saranda.

Monitorimi bazohet në dy elementë kryesorë: niveli i transparencës së pushtetit vendor, si dhe përmbushja e premtimeve elektorale. Nisur nga ky monitorim, transparenca për Bashkinë Fier, matur përmes 16 indikatorëve që derivojnë nga kuadri ligjor vendas, arriti nivelin 68.75% duke u renditur e shtata mes 10 bashkive të monitoruara.

Analiza ka treguar se nga 40 premtime elektorale të verifikuara për këto 10 bashki, vetëm 5 janë mbajtur plotësisht, 14 janë përmbushur pjesërisht, ndërsa 21 premtime nuk janë realizuar. Kjo do të thotë se 52% e premtimeve të monitoruara kanë mbetur të pambajtura.

Në rastin e Bashkisë Vlorë, niveli i transparencës për këtë periudhë i Bashkisë së Vlorës ka arritur nivelin 75%.

Gjatë diskutimit me antarët e këshillit bashkiak u theksua disa herë se njoftimet per mbledhjet e këshillit dhe komisioneve, edhe pse janë publikuar në faqet e rrjeteve sociale të Bashkisë së Vlorës, ka munguar publikimi në faqen ëeb që është detyrim ligjor, ndaj dhe ky indicator i transparencës është konsideruar i papërmbushur.

Ndërkohë, nga 4 premtime të monitoruara në dy vitet e fundit, 2 premtime janë kategorizuar si të pambajtura dhe 2 të tjerë pjesërisht të mbajtura.

Ndërtimi i terminalit interurban të autobusave dhe kijimi i qendrave ditore për moshën e tretë në secalin rajon të qytetit si dhe ngrotja e një mense sociale bashkiake për shtresat në nevojë janë premtimet e kryebashkiakut Ermal Dredha të cilat kanë rezultuar të papërmbushura deri tani.

Sa i përket premtimit për rikualifikimin e tregjeve të qytetit dhe shtimit të koshave dhe atij për  hapsirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve urbane, janë konsideruar si pjesërisht të mbajtura.

Prapavijë

Gjatë pesë viteve të fundit, bashkitë në Shqipëri kanë bërë hapa përpara në rritjen e transparencës, duke publikuar programet dhe duke ndarë më shumë informacion me qytetarët. Megjithatë, puna çalon kur bëhet fjalë për mbajtjen e premtimeve të kryebashkiakëve pas fushatave elektorale.

Premtimet janë monitoruar duke përdorur një metodologji që përfshin analizën buxhetore, monitorimin e prokurimit publik dhe vëzhgimet në terren. Disa nga indikatorët kryesorë të transparencës janë: programi i transparencës, konsultimi publik dhe zbatimi i ligjit për të drejtën e informimit.

Për periudhën 2019-2024, qendra Faktoje ka verifikuar 135 premtime të bëra nga kryebashkiakët nga veriu në jug të vendit. Analiza tregon se 76 premtime kanë mbetur të pambajtura, 34 janë përmbushur pjesërisht, dhe vetëm 25 janë realizuar plotësisht.

***

Faktoje është një organizatë e pavarur mediatike që ofron shërbimin e verifikimit të fakteve dhe që është pjesë e International Fact Checking Network (IFCN) si dhe European Fact-checking Network (EFCSN).

The post Faktoje prezanton gjetjet e monitorimit në bashkinë e Vlorës appeared first on Faktoje.al.

Vlora ende pa terminalin e premtuar interurban

16 November 2024 at 14:00

Gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet e 14 Majit, kandidati socialist për Bashkinë Vlorë, Ermal Dredha përfshiu në programin e tij edhe ndërtimin e terminalit të autobusëve ndërqytetas. Por verifikimet e Faktoje.al tregojnë se terminali interurban ende nuk ka nisur të ndërtohet. Bashkia thotë se ka përfunduar vetëm projektimin dhe se akoma nuk ka siguruar fondet për ndërtimin e tij.

Vjolanda Peca

Më 10 Maj, gjatë fushatës elektorale për zgjedhjet vendore, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha, premtoi ndërtimin e një terminali të ri për autobusët ndërqytetas, i cili do të lehtësonte aksesin për vizitorët nga brenda dhe jashtë vendit. Ky angazhim ishte pjesë e prioriteteve të tij për zhvillimin e turizmit, një pikë kyçe në programin e tij elektoral.

Fillimisht ne duhet të kapim hartën e gjithë Vlorës. Bashkia do të ndërtojë një ndërmarrje brenda bashkisë që të plotësojë të gjithë kërkesat e komunitetit të Vlorës. Duhet të kemi terminal auobusësh që Vlorës i mungon.” u shpreh Dredha në një intervistë 10 ditë përpara zgjedhjeve vendore.

Për të dytin vit radhazi, Faktoje vendosi ta verfikojë këtë premtim të rëndësishëm për Vlorën si qytet, por dhe për zhvillimin e turizmit. Faktoje.al vendosi të shkojë në Vlorë më 20 shtator, 16 muaj pas premtimit për të parë nëse kanë nisur punimet për ndërtimin e terminalit interurban. 

Vendqëndrimi i autobusëve në Vlorë, shtator 2024

Aktualisht, për autobusët ndërqytetas, nuk ka një terminal, por vetëm një vendqëndrim, në anë të rrugës, ku ato parkojnë në pritje të pasagjerëve me destinacion, qytete të ndryshme të vendit.

 “Vlorës i duhet një terminal i tillë, duhet të ishte bërë më kohë. Vijnë turistë, nuk dinë ku të shkojnë, në diell në vapë presin jashtë”- na thotë Bujari, 57 vjeç.

Problematika bëhet dhe me e ndjeshme gjatë ditëve më rreshje kur shume qytetarë janë të detyruar të qëndrojnë jashtë dhe të mos kenë një ambient për të pritur.

‘Po ç’të bëjmë! Unë vij në Vlorë nga Fieri se kam motrën sëmurë, një herë në dy javë. Po të kishtim një vend që të fusnim kokën kur bie shi të paktën…” na tregon Lumturia, 46 vjeç. 

Sipas INSTAT, në vitin 2023 Vlora renditet si destinacioni i dytë më i preferuara për udhëtime për qëllime personale apo biznesi në Shqipëri dhe gjatë këtij vijt trasporti rrugor më shërbim urban ka patur një rritje dhe zë thuajse 40% të lëvizjes. 

Grafiku nga INSTAT

Faktoje iu drejtua më një kërkesë për informacion bashkisë së Vlorës për që deri ne momentin e publikimit të shkrimit ende nuk ka një përgjigje për këtë pike.

Pjesë nga kërksesa për informarcion dërguar bashkisë Vlorë 

Sipas Merita Mema specialiste e transportit në bashkinë e Vlorës, janë 45-50 autobusë interurbanë që kryejnë shërbimin e transportit të pasagjerëve nga Vlora për në qytetet tjera.

Bashkia e Vlorës ka bërë detyrën e projektimit dhe ka kërkuar fonde për zbatimin dhe ndërtimin e një terminali”– u shpreh nëpërmjet një telefonate për Faktoje.al znj.Mema, duke shtuar më tej që është propozuar që, terminali interurban të ndërtohet afër tregut të shumicës, përballë KSHA-së.

Nga ana tjetër, sipas saj, përsa i përket shërbimit të transportit të brendshëm, ishin në funksion 13 autobusë që lëviznin nëpër qytet.

Nisur nga verifikimet në terren, premtimi elektoral i kryebashkiakut të Vlorës Ermal Dredha për ndërtimin e një terminali interurban do t’a konsiderojmë ende të pambajtur.

*Faktoje.al, e mbështetur nga National Endowment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Vlora ende pa terminalin e premtuar interurban appeared first on Faktoje.al.

Ku shkojnë mbeturinat e Vlorës?

3 November 2024 at 13:00

Gjatë fushatës për zgjedhjet vendore të 14 majit, kandidati socialist për Bashkinë e Vlorës, Ermal Dredha bëri një premtim për pastrimin e qytetit.

Një verifikim i kryer nga Faktoje.al, ka treguar se ky premtim nuk është realizuar plotësisht dhe se shtimi i kontenierëve është vetëm një pjesë e punës së kryer për pastrimin e qytetit.

VJOLANDA PECA

Çështjen e një qyteti të pastër, shqetësim i ngritur nga vetë banorët, kryetari aktual i Bashkisë, e kishte renditur si përparësi të programit të tij elektoral.

Dredha premtoi, një qytet në të cilin “do të shtohen kosha, hapësira të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve apo krijimin e fushatave sensibilizuese dhe ndërgjegjësuese mbi pastërtinë e qytetit”.

Faktoje iu drejtua Bashkisë Vlorë me një kërkesë për informacion lidhur më këtë premtim. Sipas Bashkisë, në qytet “janë shtuar 150 kontenierë të rinj me kapacitet 1100 litra dhe janë zhvilluar aktivitete ndërgjegjësuese në shkolla”.

Faktoje më 20 shtator 2024, ishte në qytetin e Vlorës për të verifikuar premtimin e bërë në maj të 2023, nga kryebashkiaku socialist

Përgjatë rrugëve viheshin re kontenierët e rinj të shtuar, të cilët ishin ngjyrë jeshile, të ndryshëm nga kontenierët e vegjël metalik ngjyrë gri, të trashëguar.

Kontenierët e rinj në qytetin e Vlorës
Kontenierët e vjetër në qytetin e Vlorës

Edhe banorët, me të cilët kontaktuam, pohuan se krahasimisht me vitin e kaluar qyteti ishte më i pastër.

Vendgrumbullimi i mbetjeve

Shqetësim për qytetarët, mbetej megjithatë, vendgrumbullimi i mbetjeve dhe lënia pezull e punimeve të landfillit të Sherishtës.

Kryebashkiaku vlonjat kishte premtuar shtimin e hapësirave të dedikuara për grumbullimin e mbetjeve, por në Vlorë është ende vetëm një vendgrumbullim, në fushë të hapur, pranë një zone të banuar, në lagjen 24 Maji, njohur si ish-Fusha e Aviacionit.

Vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit të Vlorës

Pirgje me plehra, të shpërndara kudo, edhe jashtë territoreve të saj, ishte panorama mbytëse që të ofron vendgrumbullimi i mbetjeve të qytetit.

Landfilli i Sherishtës

Në tetor të 2023 zoti Dredha sëbashku me kryeministrin Edi Rama, diskutuan për landfillin e Sherishtës dhe dhe faktin që ai duhet të vihet në punë sa më shpejt.

Landfilli i Sherishtës, 20.09.2024

“Zgjidhja afatgjatë është të vendoset funksion të plotë landfilli që është ndërtuar në Sherishtë.”deklaroi një vit më parë kryebashkiaku Dredha.

Disa muaj më vonë, gjatë një vizite në Vlorë edhe kryeministri Edi Rama iu rikthye vënies në punë të landfillit. Rama kërkoi që landfilli të ishte gati pranverën e këtij viti.

“Duhet ta mbyllim përpara sezonit”, tha kryeministri Rama.

Por verifikimet në terren tregojnë të kundërtën. “Punimet në landfillin e Sherishtës kanë përfunduar në fazën 97-98%, dhe nuk po mbyllet për shkak të pagesës së disa makinerive”, u shpreh gjatë një komunikimi telefonik me Faktoje.al, Dorian Xhelili drejtor i Shërbimeve Publike në Bashki, duke shtuar se sipas tij “problemi është drejt zgjidhjes”.

Përfundim

Premtimin elektoral të kryebashkiakut socialist Ermal Dredha për pastrimin e qytetit, pas verifikimit të kryer në terren në zona të ndryshme të qytetit të Vlorës dhe informacionit zyrtar, do ta kategorizojmë deri tani pjesërisht të mbajtur.

*Faktoje, e mbështetur nga National Endoëment Democracy (NED) po monitoron 10 bashki në vend dhe po verifikon nëse janë mbajtur ose jo premtimet e dhëna nga kryebashkiakët.

The post Ku shkojnë mbeturinat e Vlorës? appeared first on Faktoje.al.

Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe

1 September 2024 at 12:00

Edhe këtë sezon veror autoritetet paralajmëruan dënime të ashpra ndaj shkelësve që cënojnë sigurinë e pushuesve në bregdet. Verifikimet e Faktoje tregojnë se pavarësisht disa gjobave, perimetri i sigurisë në disa plazhe shkelet, duke rrezikuar jetën e pushuesve.

Afrovita Hysaj

Në hyrje të sezonit veror, ish ministri i Brendshëm Taulant Balla, paralajmëroi ndëshkime të ashpra për të gjithë shkelësit e perimetrit të sigurisë në bregdet.

‘Policia Kufitare dhe Roja Bregdetare janë në çdo moment në krye të detyrës për të ofruar ndihmë. Operatorët turistikë, duhet të kuptojnë që nuk mund të dalin në lundrim të pacertifikuar dhe se në çdo rast masat ndëshkimore do të jenë të ashpra dhe mjetet detare do të bllokohen sipas ligjit. Nuk mund të rrezikohet kurrësesi nga papërgjegjshmëria jeta e pushuesve’, deklaroi më 1 maj Balla, teksa përshëndeste Policinë Kufitare dhe Rojen Bregdetare për shpëtimin e 11 turistëve në det, pasi mjeti i tyre lundrues pësoi defekt.

Verifikim

Në mbyllje të muajit gusht, Faktoje vendosi të bëjë një verifikim lidhur me sigurinë e pushuesve në disa plazhe. Në Vlorë, vendqendrimi i mjeteve lundruese ndodhet pranë kalatës së portit të mallrave, ndaj dhe plazhi në këtë zonë është i ndaluar.  

Por, në plazhe të tjera si ai i Karaburunit apo Sazanit, destinacione të shumicës së mjeteve lundruese nga Vlora, nuk kanë vendqendrime të përcaktuara. Në këto plazhe mjetet lundruese gjendet pranë pushuesveqë lahen në det, duke përbërë rrezik.

E njëjta panoramë të shfaqet në plazhet e Radhimës, më tej Dhërmiut dhe një pjesë të mirë të rivierës- kryesisht plazhet e mbyllura.

Pamjet më poshtë janë xhiruar në Porto Palermo, në zonën ku njihet si vendqëndrim i mjeteve lundruese, por që njëkohësisht ka leje edhe për përdorim plazhi. Kështu, pushuesit në këtë plazh duhet të notojnë pranë mjeteve lundruese, duke rrezikuar jetën.

Nga vëzhgimet në terren, krahas mungesës së vendqendrimeve për këto mjete, një tjetër problematikë lidhet me zbatimin e korridoreve për daljen e mjeteve lundruese.

Ndëshkime për shkelësit

E gjithë vija bregdetare Vlorë – Sarandë, kontrollohet nga Drejtoria Vendore për Kufirin dhe Migracionin që dispozicion 18 mjete lundruese Jet Ski të Njësisë Policore Detare dhe 6 mjete lundruese B.P.

Nga fillimi I vitit e deri në fund të korrikit janë kontrolluar dhe verifikuar 4791 mjete lundruese, nga të cilat 133 mjete lundruese janë bllokuar dhe gjobitur- për tu liruar pas shlyerjes së gjobave. 

Policia e Kufirit ka vendosur 133 masa administrative, por nuk jep asnjë informacion mbi numrin apo personat e proceduar penalisht për shkelje të ligjit detar.

Edhe drejtoria vendore te Policisë Vlorë, në komunikatat e bëra publike për periudhën Janar- korrik tregon dhjetra raste të personave të cilët abuzojnë jo vetëm duke shkelur kufirin e lundrimit me mjete lundruese por duke rrezikuar edhe jetën e pushuesve. Mirëpo, në Prokurori nuk janë referuar të gjithë rastet.

Kullat e vrojtimit bosh

Në mungesë janë dhe vëzhguesit bregdetar, veçanërisht në plazhet publike. Ndërsa në plazhet private, zbulohet praktika e regjistrimit fiktiv (kryesisht vetë pronarët) në rolin e vëzhguesve, por kullat e vrojtimit mbeten bosh.

‘Roje nuk kam parë fare, asnjëherë nuk e kemi parë.’- thotë një pushuese në Vlorë

Referuar të dhënave nga Policia, gjatë këtij sezoni ka pasur 6 viktima në plazhe- shtetas që janë mbytur apo kanë humbur jetën për shkak të problemeve kardiake.

Leneda Halili, trajnuese e vrojtuesvë të plazheve thotë se Vlora edhe këtë vit është përballur me mungesa të theksuara të vrojtuesve.

‘Interesi nga të rinjtë e qytetit të Vlorës për të ushtruar profesionin sezonal të vrojtuesit të plazhit mbetet i ulët. Janë rreth 35 persona të cilët deri më tani janë trajnuar për të ushtruar rolin e vrojtuesit të plazhit.’

Më tej ajo shton se për këtë arsye, bizneset gjejnë zgjidhje fictive.

‘Në Vlorë vazhdon tendenca që për vrojtues plazhi trajnohen pronarët e bizneseve, subjekteve private vetëm për të plotësuar dokumentacionet e shfrytëzimit të hapësirës publike si plazh.’ – thotë Halili.

‘Shumica e vrojtuesve të trajnuar janë për punësim jashtë vendit, sepse në vendet e Bashkimit Europian ata paguhen shumë më tepër, pra marin Certifikatën dhe ikin jashtë’- argumenton ajo.

Edhe pse është një detyrim ligjor, bregdeti i Jugut në pjesën më të madhe të plazheve ka mungesë të kufizueseve të notit.

‘Nuk ka shirita, mirë do të ishte të kishte.’ – thotë një pushues në Vlorë.

Mungesa e kufizuesve të notit në det vihet re brenda në qytet por edhe në periferi të Vlorës. Verifikimet tregojnë se vetëm 40% e plazheve e respektojnë këtë detyrim.

Përfundim

Nisur nga verifikimet e kryera, deklaratën e ish ministrit të brendshëm Taulant Balla, mbi perimetrin e sigurisë në plazhe do ta kategorizojmë gjysmë të vërtetë.

The post Perimetri i ‘padukshëm’ i sigurisë në plazhe appeared first on Faktoje.al.

❌