Normal view

Meta, liri për varrimin e babait/ SPAK miraton lejen, do shoqërohet nga policia në Skrapar

1 June 2026 at 14:31

Ilir Meta do të lerë për disa orë qelinë e burgut pas më shumë se një viti e gjysmë qe pas arrestimit.

SPAK i ka miratuar kërkesën për të marrë pjesë në përcjelljen e të atit që është ndarë nga jeta.

Ilir Meta do të shoqërohet me forca të policisë së burgjeve deri në fshatin Çepan të Skraparit, ku do kryehet dhe ceremionia e varrimit të babait të tij 83 vjeçar

 

VIDEO/ “The Jetsons”, Kina prezanton robotët humanoidë! Gatuajnë, pastrojnë, bëjnë të gjitha punët e shtëpisë

25 May 2026 at 15:49

Kompania kineze e teknologjisë GigaAI ka prezantuar robotin e parë humanoid komercial të projektuar për të kryer punët e shtëpisë, në një hap që po konsiderohet si revolucion në jetën e përditshme dhe automatizimin familjar.

Roboti, i quajtur SeeLight S1, është një makinë me dy krahë dhe rrota, e aftë të kryejë detyra të ndryshme shtëpiake si prerja e perimeve, skuqja e vezëve, mbushja e lavatriçes, varja e rrobave, shtrimi i shtratit dhe hapja e perdeve.

Sipas kompanisë, 100 njësitë e para pilot do të vendosen fillimisht në shtëpitë e punonjësve gjatë këtij muaji, ndërsa shpërndarja falas në qytetin Wuhan pritet të nisë në gjysmën e parë të vitit 2027.

Roboti do të dalë në treg në qershor të po atij viti me një çmim rreth 15 mijë dollarë.

SeeLight S1 funksionon me inteligjencë artificiale të integruar, duke i mundësuar të njohë ambientin përreth dhe të marrë vendime pa udhëzime të detajuara. Për arsye sigurie, roboti është pajisur me sensorë që ndalojnë menjëherë lëvizjet në rast kontakti me fëmijë ose kafshë shtëpiake.

Megjithatë, ekspertët paralajmërojnë se përdorimi i humanoidëve në ambiente shtëpiake mbetet një sfidë e madhe teknologjike.

Themeluesi i kompanisë së robotikës Zeroth, Guo Renjie, tha se shtëpitë janë mjedise të paparashikueshme dhe jo të standardizuara, gjë që e bën të vështirë funksionimin autonom të robotëve.

Ndërkohë, kompania OneRobotics po mbledh të dhëna nga shtëpi reale, qendra kujdesi dhe hapësira tregtare për të trajnuar robotët e saj humanoidë në situata të përditshme.

Sipas raportimeve të South China Morning Post, Kina po investon fuqishëm në inteligjencën artificiale dhe robotikën humanoide si pjesë e strategjisë për të përballuar krizën demografike dhe mungesën e fuqisë punëtore.

Ekspertët theksojnë se, përpara se humanoidët të bëhen pjesë e zakonshme e familjeve, industria duhet të garantojë standarde të larta sigurie dhe besueshmërie. Për këtë arsye, përdorimi fillestar i tyre pritet të fokusohet në ambiente të kontrolluara si depot dhe sektorët industrialë.

 

Check out China’s SeeLight S1, a household humanoid robot capable of cooking, doing laundry, folding clothes, and organizing spacespic.twitter.com/oHqbb0B6oZ

— Shenzhen Channel (@sz_mediagroup) May 22, 2026

 

GigaAI just launched SeeLight S1, a home humanoid aimed at real household chores 🤖

In the demo, S1 cooked, handled laundry, folded clothes, and organized a tabletop.

The first rollout is starting in Wuhan, with 100 units set for Optics Valley talent apartments before seed-user… https://t.co/Uxxmjri62b pic.twitter.com/PPYImJ8A9z

— RoboHub🤖 (@XRoboHub) May 21, 2026

Musk humb ‘betejën’ për kontrollin e OpenAI, gjykata i jep të drejtë Altman-it

By: Rovena
19 May 2026 at 14:26

Gjiganti i teknologjisë Elon Musk ka humbur betejën gjyqësore kundër Sam Altman lidhur me të ardhmen dhe transformimin e OpenAI. Juria rrëzoi padinë e Musk, duke argumentuar se veprimi ligjor ishte ngritur shumë vonë dhe se akuzat kishin kaluar afatet ligjore të parashkrimit.

Musk kishte akuzuar Altman se kishte tradhtuar misionin fillestar të OpenAI, i cili sipas tij ishte krijuar për të zhvilluar inteligjencën artificiale në shërbim të njerëzimit dhe jo për përfitime komerciale. Nga ana tjetër, Altman pretendoi se Musk ishte larguar nga projekti vetëm pasi nuk arriti të merrte kontrollin e kompanisë.

Pas 11 ditësh dëshmi dhe përballjesh në gjykatë, erdhi edhe vendimi përfundimtar.

Juria prej nëntë anëtarësh shpalli të pafajshëm Altman dhe OpenAI, ndërsa gjyqtarja federale amerikane Yvonne Gonzalez Rogers konfirmoi vendimin, duke lënë të pandryshuar strukturën aktuale të kompanisë.

Padia daton që nga viti 2024, kur Musk, një nga bashkëthemeluesit e OpenAI në vitin 2015, hodhi në gjyq drejtuesit e kompanisë, duke pretenduar se kishin shkelur premtimin për ta mbajtur laboratorin e inteligjencës artificiale si organizatë jofitimprurëse. Musk u largua nga bordi drejtues i OpenAI në vitin 2018.

Në proces ishte përfshirë edhe Microsoft, pasi Musk akuzonte gjigantin e teknologjisë se kishte ndihmuar OpenAI në transformimin e saj drejt modelit fitimprurës. Microsoft kishte investuar në OpenAI që në vitin 2019.

Ekipi ligjor i Musk kërkonte që OpenAI dhe Microsoft të rikthenin deri në 134 miliardë dollarë “fitime të paligjshme”, si edhe largimin e Sam Altman dhe presidentit të OpenAI, Greg Brockman, nga drejtimi i kompanisë. Gjithashtu, Musk kërkonte anulimin e ristrukturimit të vitit 2025, i cili i hapi rrugën zgjerimit të sektorit fitimprurës të OpenAI.

Gjatë dëshmisë së tij, Musk deklaroi se kishte dhuruar rreth 38 milionë dollarë për OpenAI me bindjen se teknologjia do të zhvillohej “në dobi të njerëzimit”, dhe jo për të pasuruar individë të caktuar.

Ndërkohë, avokatët e OpenAI argumentuan se donacionet e Musk nuk kishin asnjë kusht ligjor dhe se ristrukturimi i kompanisë ishte i domosdoshëm për të konkurruar në garën e kushtueshme të inteligjencës artificiale ndaj Google DeepMind.

“Sprinti final” drejt titullit kampion/ Vllaznia, Elbasani dhe Egnatia në garë, Dinamo City luan për “qejf”

15 May 2026 at 14:21

Sezoni i rrregullt u mbyll, por Kategoria Superiore ka ende verdikte për të dhënë. Më i rëndësishmi, sigurisht, është titulli kampion që do të vendoset në sprintin tre javor që nis këtë të shtunë. Vllaznia, Elbasani, Egnatia dhe Dinamo City janë katër skuadrat e “final four”, por vetëm tre prej tyre janë në garë për trofeun, pasi Blutë e kryeqytetit duhet të kënaqen me Kupën e Shqipërisë, që e fituan të mërkurën.

E thotë këtë renditja e përgjysmuar e pikëve sipas formulës së kampionatit, ku Vllaznia dhe Elbasani kanë nga 31 pikë dhe shanse të barabarta, ndërsa Egnatia me 28 pikë nuk duhet të gabojë asgjë, me siguri matematikore, me 24 pikë, Dinamo City luan vetëm për statistika.

Sfida e parë e “finaleve” është në program këtë të shtunë në orën 19:00 mes Vllaznisë dhe bluve të Ilir Dajës në “Air Albania”, ku do të luhen të gjitha sfidat.

Rivaliteti mes dyja skudrave ka qenë I theksuar, por për t’u parë mbetet nëse triumfi në finalen e Kupës dhe objektivi i arritur do t;I japë motivimin e duhur dinamovitëve. E sigurtë është që shkodranët zbresin në fushë plot grintë dhe me bindjen se ky sezon është i duhuri për t;I dhënë fund pritjes së gjatë për një titull kampion.

Finalja tjetër është në program të dielën mes Elbasanit dhe Egnatias.

Skuadra verdheblu gjithashtu beson fort te trofeu, pas një sezoni të rregullt të shkëlqyer. Nga ana tjetër, kampionët në fuqi e humbën shkëlqimin në fazën e fundit, ndërsa vijnë në këtë sfidë jo si favoritë dhe të plagosur nga humbja në finalen e Kupës.

Përballjet e javës së parë në “final four” pritet të jenë përcaktuese dhe mund të projektojnë edhe pretendentët kryesorë për titullin.

Përveçëse kampionit të ri, Kategoria Superiore do të japë një tjetër verdikt të rëndësishëm këtë të shtunë.

Teuta dhe Pogradeci do të përballen në sfidën e play off, që do të vendosë skuadrën që do të luajë në elitë edicionin e ardhshëm. Ndeshja luhet në “Niko Dovana” në orën 16:00, ndërsa durrsakët janë favoritë në shtëpinë e tyre.

AADF, Protik dhe General Assembly sjellin në Shqipëri programe të avancuara për AI dhe aftësi digjitale

By: Rovena
5 May 2026 at 12:37

Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), në partneritet me Protik Innovation Center dhe kompaninë globale të edukimit teknologjik General Assembly, ka zyrtarizuar nisjen e një bashkëpunimi strategjik tre-vjeçar që synon fuqizimin e aftësive digjitale dhe zhvillimin e kapitalit njerëzor në Shqipëri. Marrëveshja u nënshkrua në një ceremoni të organizuar në ambientet e Innovation Hub tek Piramida, në praninë e përfaqësuesve të lartë nga qeveria, Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, znj. Delina Ibrahimaj, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, përfaqësues të Bordit të Administratorëve të AADF-së, përfaqësues nga General Assembly, partnerë ndërkombëtarë ADECCO, si dhe përfaqësues nga kompani tekonologjike.

Ky partneritet synon të ofrojë programe trajnimi të avancuara në fushat e teknologjisë Artificiale (AI), zhvillimit të software-it dhe teknologjisë në arsim (EdTech), duke adresuar drejtpërdrejt nevojat e tregut të punës dhe duke krijuar mundësi reale punësimi për pjesëmarrësit. “Teknologjia nuk po transformon vetëm mënyrën se si punojmë—ajo po ripërcakton mënyrën se si shoqëritë konkurrojnë dhe si individët ndërtojnë të ardhmen e tyre. Për Shqipërinë, ky është një moment unik për të bërë një hap përpara, për të pajisur qytetarët me aftësi të nivelit ndërkombëtar dhe për t’u integruar plotësisht në ekonominë globale. Në AADF, ne kemi besuar gjithmonë në sjelljen e modeleve më të mira nga bota dhe përshtatjen e tyre në kontekstin lokal.

Ky partneritet reflekton pikërisht këtë qasje—duke siguruar që të mësuarit të jetë një proces i vazhdueshëm, që talenti të mbetet konkurrues dhe që Shqipëria të mos ndjekë thjesht ritmin e ndryshimit, por ta formësojë atë.” – u shpreh Kryetari i Bordit të AADF, z. Michael D. Granoff. Programi synon t’u vijë në ndihmë, studentëve, profesionistëve të rinj dhe individëve në mes të karrierës, duke ofruar mundësi për hyrje në sektorin e teknologjisë, si dhe përmirësimin dhe rikualifikimin profesional. Përmes një modeli të kombinuar të financimit, AADF do të ofrojë mbështetje financiare dhe bursa për pjesëmarrësit e përzgjedhur, duke reduktuar barrierat ekonomike dhe duke nxitur angazhimin aktiv.

“Në procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, Shqipëria përballet me sfidën e përshtatjes ndaj një tregu gjithnjë e më konkurrues. Për të qenë të suksesshëm, duhet të rrisim kapacitetet e ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, të cilat përbëjnë mbi 85% të ekonomisë, dhe të investojmë në mënyrë të qëndrueshme në zhvillimin e talenteve. Ky memorandum krijon një mundësi konkrete për të përmirësuar aftësitë e së nesërmes dhe për të përfituar maksimalisht nga transformimi digjital që po formëson të ardhmen.” – Delina Ibrahimaj, Ministre e Inovacionit.

Programi do të implementohet përmes një strukture të integruar ku secili nga partnerët luan një rol të veçantë, AADF-ja do të ofrojë mbështetje financiare dhe drejtim strategjik, Protik Innovation Center do të udhëheqë implementimin lokal dhe përfshirjen e talenteve, ndërsa General Assembly do të sjellë ekspertizën globale në edukimin teknologjik dhe zhvillimin e kurrikulave. Trajnimet do të përfshijnë edhe bootcamp-e intensive (420-480 orë), si dhe kurse të shkurtra (40-50 orë), të dizajnuara sipas standardeve ndërkombëtare dhe të orientuara drejt praktikës, me metoda mësimi të bazuara në projekte konkrete të kombinuara, online dhe fizikisht.

“Kjo marrëveshje shkon përtej një partneriteti formal—ajo përfaqëson një platformë për inovacion, llogaridhënie dhe rezultate të matshme. Së bashku, po krijojmë kushtet që Inteligjenca Artificiale të shërbejë si një mjet për përfshirje dhe progres, duke hapur mundësi të reja për talentin në Shqipëri. Jam i bindur se, në vitet në vijim, kjo nismë do të jetë një shembull konkret i asaj që mund të arrihet përmes bashkëpunimit të fortë për të ardhmen e fuqisë punëtore në vend.” – tha znj. Bettina Schaller, Drejtoreshë e Çështjeve Publike, Adecco Group. Përmes lidhjes së kompanisë General Assembly me Adecco Group, një lider global në zgjidhjet e punësimit, programi synon të krijojë ura konkrete midis trajnimit dhe punësimit, duke ndihmuar pjesëmarrësit të integrohen në tregun e punës.

Ky partneritet pritet të kontribuojë në transformimin digjital të vendit dhe në ndërtimin e një fuqie punëtore të kualifikuar, të aftë për të përballuar kërkesat e ekonomisë globale. Rreth AADF Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim është një prej organizatave jofitimprurëse më të mëdha në Shqipëri e themeluar me mbështetjen e qeverisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në vitin 2009.

Me fokus në arsimin, sipërmarrjen, zhvillimin ekonomik dhe trashëgiminë kulturore, AADF lidh ekspertizën ndërkombëtare me potencialin lokal për të ndërtuar modele që qëndrojnë në kohë dhe prodhojnë vlerë për komunitetet. Rreth Protik Innovation Center – Protik është një qendër inovacioni që shërben si urë lidhëse midis ideve, talenteve dhe industrisë në sektorin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit në Shqipëri. Rreth General Assembly – General Assembly është një kompani globale e edukimit teknologjik që ofron programe intensive dhe praktike për zhvillimin e aftësive digjitale dhe tranzicionin në karrierë.

Ish-balerina që u bë police në Shqipëri, gjen suksesin në Dubai si instruktore fitnessi

1 May 2026 at 12:44

Në lidhje direkte me “ABC e Mëngjesit”, vjen historia frymëzuese e Ismerilda Gongo, trajneres së fitnesit nga Korça që la pas një jetë të vështirë në Shqipëri për të ndërtuar një karrierë të suksesshme në Lindjen e Mesme.

Rruga e saj nuk ka qenë aspak e lehtë. Në Shqipëri, Ismerilda ka qenë balerinë dhe njëkohësisht pjesë e radhëve të policisë, duke punuar 2-3 punë njëherësh, por pa arritur të shihte një të ardhme të qartë. “Po e kaloja gjithë kohën në punë dhe s’po arrija askund”, rrëfen ajo, duke pranuar se ndjente mungesë shprese për të ardhmen.

Vendimi për t’u larguar ishte një kthesë e fortë. Fillimisht drejt Oman, një vend që e gjeti të papërgatitur. “Kur mbërrita, mendova: ku kam ardhur? Ishte shkretëtirë, nuk shihja njerëz në rrugë, gjithçka më dukej e çuditshme”, tregon ajo. Rregullat strikte dhe kultura ndryshe e vendosën përballë një realiteti krejt të ri, por nuk e ndalën.

Pikërisht aty, mes sfidave dhe trajnimeve, ajo nisi të rindërtojë veten. E vetëdijshme se hapi i madh ishte Dubai, Ismerilda e përdori Omanin si trampolinë për të marrë certifikimet e nevojshme dhe për të fituar eksperiencën që i mungonte.

Pas dy vitesh përpjekje, ajo arriti në Dubai, një botë krejt tjetër. Një qytet me ritëm të shpejtë, fokus te biznesi dhe mundësi të mëdha. Aty, Ismerilda jo vetëm që u integrua, por arriti të hapë edhe palestrën e saj, duke kthyer ëndrrën në realitet.

Sot, prej 6 vitesh në Lindjen e Mesme, ajo është një histori suksesi që flet për guximin dhe këmbënguljen. Megjithatë, rrënjët nuk i harron: “Nga Shqipëria më mungojnë klima dhe ushqimi”, thotë ajo, ndërsa shton se tashmë ka gjetur edhe një komunitet shqiptarësh që e bën të ndihet më pranë shtëpisë.

Nëse një ditë do të kthehej në Shqipëri, ajo e ka të qartë synimin: të ndërtojë biznesin e saj, këtë herë me përvojën dhe pjekurinë që ka fituar jashtë./abcnews.al

Konflikti në Lindjen e Mesme, dëgjohen shpërthime të fuqishme në Dubai

9 March 2026 at 08:55

Shpërthime janë dëgjuar mbi Dubai mëngjesin e së hënës dhe ka pasur aktivitet të aeroplanëve luftarakë.

Autoriteti i krizave dhe fatkeqësive i Emirateve të Bashkuara Arabe konfirmoi se mbrojtja ajrore po merrej me një kërcënim raketor.

Banorët u këshilluan të “qëndronin në një vend të sigurt”.

Katër persona janë vrarë si pasojë e sulmeve iraniane ndaj Emirateve të Bashkuara Arabe, tha dje ministria e Mbrojtjes e vendit.

Irani nisi sulme hakmarrëse në objektiva në të gjithë Lindjen e Mesme pasi SHBA-të dhe Izraeli nisën një sulm të përbashkët të shtunën, më 28 shkurt.

Që atëherë, Emiratet e Bashkuara Arabe kanë zbuluar qindra raketa dhe pothuajse 1,500 dronë, shumica dërrmuese e të cilëve janë shkatërruar, sipas ministrisë së Mbrojtjes.

Si lufta tronditi Dubain/ Sulmet nxitën largimin e emigrantëve, pikëpyetje mbi sigurinë e tregun luksoz të vendit

8 March 2026 at 15:19

Lufta në Lindjen e Mesme ka tronditur statusin e Dubait si një qendër globale pasurie, ndërsa emigrantët përpiqen  të largohen dhe menaxherët e pasurive të paluajtshme po e rimendojnë rolin e tyre në rajon.

Gjatë dekadës së kaluar, Dubai e ka reklamuar me sukses veten si një strehë e sigurt për elitën globale. Të  tërhequr nga dielli, siguria dhe të ardhurat pa taksa, popullsia milionere e Dubait është dyfishuar që nga viti 2014 në më shumë se 81,000. Tregu i pasurive të patundshme luksoze në Dubai është rritur për pesë vjet rresht, me 500 prona të shitura vitin e kaluar për më shumë se 10 milionë dollarë – nga vetëm 30 në vitin 2020.

Megjithatë, tani reputacioni i Dubait për sigurinë është shkatërruar.

Gjatë javës së kaluar një nga hotelet më luksoze u godit nga një shpërthim. Mbeturinat e një droni iranian të rrëzuar i vunë flakën hotelit Burxh Al Arab, dhe aeroporti i Dubait u dëmtua nga një sulm me raketa. Konsullata Amerikane në Dubai u shënjestrua nga një sulm i dyshuar me dron që shkaktoi një zjarr aty pranë.

Dubai dhe Emiratet e Bashkuara Arabe kërkuan të siguronin shpejt investitorët. Autoriteti Kombëtar i Menaxhimit të Krizave dhe Fatkeqësive të Emirateve të Bashkuara Arabe tha se situata ishte “nën kontroll”. Forcat policore të Dubait kërcënuan të arrestonin dhe burgosnin influencuesit e mediave sociale që ndajnë përmbajtje sociale që “bien ndesh me njoftimet zyrtare ose që mund të shkaktojnë panik social”.

Ngritja dhe varësia e Dubait nga kapitali i pasurisë bien në sy në rajon dhe kjo ndodh sepse Dubai nuk mbështetet më te të ardhurat nga nafta siç bëjnë fqinjët e tij, por mbështetet te besimi i të huajve.

Për momentin, shumë familje të pasura dhe profesionistë të pasur janë të përqendruar të largohen nga vendi. Kërkesa për avionë privatë i tejkalon shumë vendet dhe fluturimet e disponueshme dhe një kërkesë e tillë nuk është parë që nga pandemia.

Një sektor që mund të ndiejë presion afatgjatë është tregu i pasurive të patundshme në Dubai, ku çmimet janë rritur për pesë vjet rresht./abcnews.al

Pasagjerët e bllokuar në Dubai paguajnë deri në 200 mijë euro për fluturime private

4 March 2026 at 07:42

Një pjesë e pasagjerëve të bllokuar në Dubai paguan deri në 200 mijë euro për fluturime private. Dhjetëra mijëra pasagjerë janë bllokuar për shkak të luftës që përfshin Iranin dhe që është përhapur në rajonin e Gjirit.

Megjithatë, disa udhëtarë më të pasur po arrijnë të largohen duke paguar shuma të mëdha për fluturime private luksoze drejt Evropës, përmes aeroporteve që konsiderohen të sigurta nga sulmet iraniane.

Udhëtarët po përpiqen të evakuohen nga Dubai – një qytet tradicionalisht i lidhur me sigurinë dhe luksin – duke udhëtuar me tokë deri në Muskat të Omanit (rreth katër orë me makinë) ose deri në Riad të Arabisë Saudite (më shumë se dhjetë orë).

Prej aty, ata hipin në disa fluturime komerciale ose charter, të cilat tani kushtojnë shumë më shtrenjtë se zakonisht.

Ekspertët thonë se çmimet e larta reflektojnë mungesën e aeroplanëve të disponueshëm dhe rreziqet e operimit në kushtet aktuale, jo thjesht spekulime të tregut

Goditet me dronë konsullata e SHBA në Dubai

By: Rovena
3 March 2026 at 21:17

Një sulm me dron ka goditur zonën në afërsi të konsullatës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Dubai, duke shkaktuar një zjarr të kufizuar, i cili është vënë nën kontroll nga autoritetet lokale.

Sipas zyrës së medias së Dubait, zjarri u shua shpejt dhe nuk raportohet për persona të lënduar si pasojë e incidentit.

Dy dëshmitarë okularë kanë deklaruar për agjencinë e lajmeve Reuters se panë tym duke u ngritur nga një zonë pranë konsullatës amerikane, menjëherë pas sulmit të dyshuar me dron.

Inteligjenca artificiale “lexon” mendimet

By: Rovena
2 March 2026 at 17:22

Shkëndijat elektrike që përshkojnë trurin e njeriut kanë qenë për dekada tepër të ndërlikuara për t’u kuptuar. Sot, falë zhvillimeve në inteligjencën artificiale, shkencëtarët po arrijnë të përkthejnë sinjalet nervore në fjalë dhe fjali të kuptueshme.

Një grua 52-vjeçare, e paralizuar nga një goditje në tru 19 vite më parë dhe e paaftë të flasë qartë, arriti të komunikojë përmes një ekrani kompjuteri. E identifikuar si pjesëmarrësja T16, ajo iu nënshtrua implantimit kirurgjikal të një matrice të vogël elektrodash në lobin frontal të trurit.

Studimi u zhvillua nga studiuesit e Universiteti Stanford (Stanford University), në Kaliforni, ku morën pjesë gjithashtu tre pacientë me sklerozë laterale amiotrofike (ALS), një sëmundje neurodegjenerative që çon në paralizë progresive.

Sistemi, i mbështetur në algoritme të inteligjencës artificiale, deshifronte sinjalet e neuroneve ndërsa pacientja imagjinonte se po shqiptonte fjalë. Këto sinjale përktheheshin në tekst në kohë reale në ekran. Rezultatet e publikuara në gusht 2025 konsiderohen si një hap i rëndësishëm drejt asaj që shpesh përshkruhet si “lexim mendimesh”.

Përpjekjet për të krijuar ndërfaqe tru-kompjuter (BCI) datojnë prej dekadash. Që në vitin 1969, neuroshkencëtari amerikan Eberhard Fetz demonstroi se aktiviteti i një neuroni të vetëm mund të kontrollonte një pajisje të jashtme. Megjithatë, vetëm vitet e fundit, falë mësimit makinerik, është bërë e mundur përkthimi i sinjaleve komplekse që lidhen me të folurin.

Në vitin 2021, studiuesit e Universiteti Stanford arritën t’i mundësonin një burri tetraplegjik të shkruante 18 fjalë në minutë duke imagjinuar se vizatonte shkronja në ajër. Në vitin 2024, një ekip në Universiteti i Kalifornisë në Dejvis (University of California, Davis) arriti të përkthente përpjekjet për të folur të një pacienti me ALS në tekst me saktësi 97.5% dhe shpejtësi rreth 32 fjalë në minutë.

Këto teknologji mbështeten në matrica mikroelektrodash të vendosura në korteksin motorik, zona e trurit përgjegjëse për lëvizjet muskulore. Algoritmet trajnohen për të njohur modelet e aktivitetit nervor që korrespondojnë me fonemat, njësitë më të vogla të gjuhës.

Një nga risitë më të fundit është përpjekja për të deshifruar “të folurin e brendshëm”, fjalët që formohen në mendje pa u shqiptuar fizikisht.

Studiuesit testuan nëse sistemi mund të dallonte mendimet spontane. Në detyra ku pjesëmarrësit imagjinonin fjali të caktuara, u arrit një saktësi deri në 74% në kohë reale. Megjithatë, në skenarë më të hapur, si mendimi për një citat të preferuar nga një film, rezultatet mbetën të paqarta.

Sipas studiuesve, modelet nervore të të folurit të brendshëm janë të ngjashme me ato të përpjekjes për të folur, por më të dobëta në intensitet.

Në vitin 2025, ekipi i Universiteti i Kalifornisë në Dejvis arriti të deshifronte jo vetëm fjalët, por edhe elemente joverbale si intonacioni, lartësia e zërit dhe ritmi. Një pacient me çrregullim të rëndë të të folurit arriti të modulonte zërin dhe madje të këndonte melodi të thjeshta. Rreth 60% e fjalëve u vlerësuan si të kuptueshme nga testuesit.

Paralelisht, studiues në Japoni kanë zhvilluar teknika për të rikrijuar imazhe nga aktiviteti i trurit përmes skanimeve funksionale me rezonancë magnetike (fMRI). Në këto eksperimente përdoren algoritme gjeneruese si Stable Diffusion, të trajnuara mbi të dhëna nga Universiteti i Minesotës (University of Minnesota).

Në shumë raste, inteligjenca artificiale arriti të gjeneronte imazhe të ngjashme me ato që pjesëmarrësit kishin parë. Në vitin 2025, u testua gjithashtu rikrijimi i muzikës përmes analizës së skanimeve të trurit, me ndihmën e një algoritmi të zhvilluar nga kompania teknologjike Google.

Edhe pse cilësia mbetet e kufizuar, studiuesit arritën të identifikonin karakterin dhe kategorinë bazë të muzikës së dëgjuar.

Ekspertët parashikojnë se në vitet e ardhshme teknologjitë e ndërfaqeve tru-kompjuter do të dalin nga laboratorët drejt përdorimit më të gjerë. Kompani si Neuralink, e themeluar nga Elon Musk, po zhvillojnë çipa cerebralë për aplikime klinike dhe potencialisht komerciale.

Megjithatë, këto përparime ngrenë edhe çështje etike, përfshirë privatësinë mendore dhe mbrojtjen e të drejtave të njeriut, veçanërisht nëse teknologjia do të mundësonte komunikim të drejtpërdrejtë tru-me-tru.

Pavarësisht kufizimeve aktuale teknike, për pacientët që nuk mund të komunikojnë ndryshe, këto zhvillime përfaqësojnë një hap historik, një mundësi reale për t’u dhënë zë mendimeve të tyre dhe për të hapur një kapitull të ri në kuptimin e trurit njerëzor.

OpenAI siguron investim prej 110 miliardë dollarësh nga SoftBank, Nvidia dhe Amazon

27 February 2026 at 22:41

Kompania e inteligjencës artificiale OpenAI, pronare e ChatGPT-së, ka njoftuar se ka siguruar 110 miliardë dollarë investime të reja, duke e çuar vlerësimin e saj në 730 miliardë dollarë, me pjesëmarrjen e SoftBank, Nvidia dhe Amazon.

OpenAI theksoi se kërkesa për inteligjencë artificiale po rritet me shpejtësi mes konsumatorëve, zhvilluesve dhe bizneseve.

Sipas njoftimit, përmbushja e kësaj kërkese kërkon fuqi kompjuterike, shpërndarje dhe kapital, ndërsa kompania ka siguruar investime të reja për këtë qëllim.

OpenAI njoftoi se 30 miliardë dollarë nga ky investim vijnë nga SoftBank, 30 miliardë nga Nvidia dhe 50 miliardë nga Amazon.

Më tej, theksohet se kompania ka nënshkruar një marrëveshje partneriteti strategjik me Amazon, ndërsa Nvidia ka ofruar kapacitete të gjeneratës së re për përpunim.

Po ashtu theksohet se investitorë të tjerë financiar pritet t’i bashkohen procesit teksa raundi i investimeve përparon.

Sot, OpenAI publikoi edhe një deklaratë të përbashkët me Microsoft, duke njoftuar se të dy kompanitë do të bashkëpunojnë ngushtë në kërkim, inxhinieri dhe zhvillim produktesh, duke u mbështetur në vite bashkëpunimi të thellë dhe suksesi të përbashkët.

Eksperti i IA paralajmëron kundër trendit të fundit duke përdorur ChatGPT për të kthyer fotot në karikatura

By: Rovena
12 February 2026 at 08:48

Një ekspert i inteligjencës artificiale (IA) ka paralajmëruar kundër një trendi viral që përdor ChatGPT dhe mjetet e IA-së për të kthyer fotot personale në karikatura humoristike.

Ai ka paralajmëruar se trendi në dukje i padëmshëm mbart rreziqe serioze për privatësinë dhe sigurinë.

Trendi, i cili kohët e fundit është përhapur në platformat e mediave sociale, shkon përtej ndryshimit të tipareve të fytyrës për të krijuar imazhe të ngjashme me ato të karikaturave.

Në shumë raste, ai përpiqet të parashikojë profesionin e një përdoruesi dhe ta integrojë vizualisht atë në një skenë satirike.

Por ekspertët thonë se procesi pas këtyre imazheve përfshin shumë më tepër sesa manipulim të thjeshtë të imazhit.

Duke folur për Al Arabiya, Mohamed Mohsen Ramadan, kreu i Njësisë së Inteligjencës Artificiale dhe Sigurisë Kibernetike në Qendrën Arabe për Kërkime dhe Studime, tha se trendi fsheh rreziqe reale teknike dhe sigurie pavarësisht popullaritetit të tij të gjerë.

Ai shpjegoi se aplikacione të tilla mbështeten në sisteme të përparuara të IA-së, duke përfshirë modelet e vizionit kompjuterik që analizojnë tiparet e fytyrës, moshën, shprehjet, veshjet dhe detajet e sfondit.

Ato gjithashtu përdorin modele të të mësuarit të thellë dhe multimodale që kombinojnë imazhe, tekst, të dhëna të mëparshme dhe sjelljen e përdoruesit.

Ai vuri në dukje një skenar më të rrezikshëm që përfshin shkelje të të dhënave, duke vënë në dukje se imazhet e rrjedhura që përmbajnë karakteristika të detajuara biometrike mund të ripërdoren më vonë për mashtrim, shantazh ose imitim, duke e bërë të pamundur rikuperimin e plotë të të dhënave.

Ramadan theksoi se çdo bazë të dhënash dixhitale është e ndjeshme ndaj hakerimit

Plagosi me thikë vajzën/ Merr fund arratia, prangoset babai i 24-vjeçares

26 January 2026 at 15:32

Merr fund arratia, e 56-vjeçarit Mikel Ndoj i cili mëngjesin e kësaj të hëne, plagosi me thikë vajzën e tij 24 vjecare.

ABC News mëson nga grupi i hetimit se shkak për plagosjen e ndodhur këtë të hënë në lagjen numër 12 të Durrësit të jetë bërë qëndrimi i vajzës në lidhje me konfliktet që autori kishte me ish bashkëshorten.

56-vjeçari Mikel Ndoj ishte i divorcuar për shkak të dhunës së vazhdueshme që ky i fundit kishte ushtruar në familje.

Mikel Ndoj rezulton një person me precedent penal në shtetin Italian për dhunë, vepër për të cilën kishte kryer edhe disa vite burg.

E ëma e vajzës së plagosur punonte në një fasoneri pranë vendit të ngjarjes, ndërsa krimi ndodhi në ambientet e jashtme të një agjencie imobiliare ku punonte vajza.

I plagosur ka mbetur po ashtu edhe kolegu i 24-vjeçares i cili ndërhyri për të parandaluar përshkallëzimin e krimit.

24-vjeçarja Xhesika Ndoj dhe kolegu i saj i punës vijojnë në spital nën kujdesin mjekësor./abcnews.al

 

‘Lind’ ChatGPT Shëndet: OpenAI siguron se nuk do të zëvendësojë mjekët

9 January 2026 at 12:20

Lind ChatGPT Shëndet, funksioni i ri i inteligjencës artificiale që do t’u lejojë përdoruesve të ngarkojnë kartelën e tyre klinike dhe të dialogojnë mbi gjendjen shëndetësore me AI. OpenAI, megjithatë, nxitoi të sqarojë: “Nuk do të zëvendësojë mjekët dhe nuk do të bëjë diagnoza”. “Gjatë dy viteve të fundit kemi bashkëpunuar me mbi 260 mjekë aktivë në 60 vende dhe në dhjetëra specialitete, për të kuptuar se çfarë e bën një përgjigje shëndetësore të dobishme ose potencialisht të dëmshme”, shpjegon OpenAI.

Privatësi dhe siguri të përforcuara

Çdo javë, miliona përdorues i drejtohen ChatGPT-së duke ndarë detaje mbi gjendjen e tyre fizike. Pikërisht kjo ka ngritur shqetësime edhe nga autoritetet e mbrojtjes së të dhënave personale, përfshirë garantët e privatësisë. Për këtë arsye, OpenAI siguron se ChatGPT Shëndet mbështetet në “kontrolle të forta të privatësisë, sigurisë dhe menaxhimit të të dhënave”, me nivele shtesë mbrojtjeje të dedikuara për shëndetin. Këto përfshijnë sisteme të posaçme kriptimi dhe mekanizma izolimi për të mbajtur bisedat shëndetësore private dhe të ndara.

Në bashkëpunim me mjekët, jo në vend të tyre

“E projektuar në bashkëpunim të ngushtë me mjekët, ChatGPT Shëndet luan një rol më aktiv në kuptimin dhe menaxhimin e shëndetit dhe mirëqenies, duke mbështetur kujdesin e profesionistëve shëndetësorë pa i zëvendësuar ata”, thekson OpenAI. Kjo deklaratë vjen si përgjigje ndaj shqetësimeve të ngritura edhe nga mjekët në Itali dhe vende të tjera, për rrezikun e përhapjes së informacionit të pasaktë apo potencialisht të rrezikshëm.

“ChatGPT Shëndet është projektuar për të mbështetur asistencën mjekësore, jo për ta zëvendësuar atë. Nuk është i destinuar për diagnozë apo trajtim. Përkundrazi, ndihmon përdoruesit të orientohen në pyetjet e përditshme dhe të kuptojnë tendencat me kalimin e kohës, jo vetëm momentet e izoluara të sëmundjes, duke i përgatitur më mirë për bisedat e rëndësishme me mjekët”, sqaron kompania.

Risitë e platformës

Qëllimi i portalit të ri është të bashkojë në një vend të gjitha informacionet shëndetësore të përdoruesve. “Sot, të dhënat shëndetësore janë shpesh të fragmentuara mes portaleve, aplikacioneve, pajisjeve të veshshme, PDF-ve dhe shënimeve mjekësore. Kjo e bën të vështirë krijimin e një pasqyre të plotë dhe i detyron njerëzit të orientohen vetë në një sistem shëndetësor kompleks”, shpjegon OpenAI.

Me ChatGPT Shëndet do të jetë e mundur lidhja e sigurt e kartelave elektronike shëndetësore dhe aplikacioneve të mirëqenies, si Apple Health, Function dhe MyFitnessPal. Kjo do t’i lejojë ChatGPT-së të ndihmojë në kuptimin e rezultateve të fundit të analizave, përgatitjen për vizitat mjekësore, marrjen e këshillave mbi ushqimin dhe aktivitetin fizik, apo vlerësimin e alternativave të ndryshme të sigurimeve shëndetësore.

Kur do të jetë i disponueshëm

Aktualisht, funksionaliteti i ri nuk është ende i aksesueshëm për të gjithë. “Po fillojmë me një grup të vogël përdoruesish për të mbledhur komente dhe për të përmirësuar më tej përvojën”, bën të ditur OpenAI. Me shtimin e përmirësimeve të tjera, kompania parashikon zgjerimin gradual të aksesit, duke e bërë ChatGPT Shëndet të disponueshëm për të gjithë përdoruesit në web dhe iOS në javët në vijim. Ata që dëshirojnë qasje të hershme, mund të regjistrohen në listën e pritjes.

Duel yjesh Donçiç-Shai/ Sërish një mbrëmje spektakolare në basketbollin amerikan

8 January 2026 at 12:42

Fatin nuk e patën njësoj, veçse paraqitjen po. Luka Donçiç dhe Shej Gilgës-Aleksandër dhanë një tjetër mbrëmje spektakolare në basketbollin amerikan, me pikë të shumta dhe gjithçka tjetër.

Gjigandi nga Sllovenia I bëri të gjitha gabimet e mundshme, dhe e ndjeu mungesën e Lebron Xhejmsit, që pushoi këtë herë, ndonëse ishte më I miri në parket.

Luka shënoi 38 pikë, kapi 10 topa në tabela dhe shërbeu 10 asistë, por Los Anxhelos Lejkërsat u mundën në Arenën e San Antonios me shifrat 107-91.

Spërsat ia dolën duke përfituar nga gabimet e shumta të sllovenit në gjuajtjet për tri pikë, duke realizuar dy nga 10, ndërsa Spërsat u mbështetën tek 27 pikët e Keldon Xhonsonit dhe 16 pikëve e 14 topave në tabela të yllit kryesor, Viktor Uembanijama.

Një humbje që ndalon hovin e kalifornianëve, që mbetën pak më prapa nga Oklahoma e San Antonio, dhe u mbërritën nga Denveri.

Shej Gilgës Aleksandër gjithashtu bëri shumë gabime, duke I ngjarë disi rivalit, por kampionët e NBA-së, fituan.

Lideri I tyre realizoi plot 46 pikë, shënuesi më I mirë I mbrëmjes së fundit, dhe shtoi 6 topa në tabela e 6 asistë.

Shej gaboi nga distanca, por gjithçka tjetër e bëri mirë.

Oklahoma kryeson Konferencën Perëndimore me 31 fitore e 7 humbje, ndjekur nga San Antonio, Denveri dhe Lejkërsat./abcnews.al

2025, viti i eksperimenteve të mëdha teknologjike

By: Rovena
3 January 2026 at 19:57

Viti 2025 po shënon hapa të jashtëzakonshëm në shkencë dhe teknologji, duke ngritur njëkohësisht shpresë, kuriozitet dhe debate.

Nga përpjekjet për të rikthyer specie të zhdukura, te inteligjenca artificiale që “lexon” emocionet e kafshëve dhe robotët që mund të bëjnë sport apo kujdesen për të moshuarit, kufijtë mes shkencës dhe fantashkencës po bëhen gjithnjë e më të paqarte.

Një kompani amerikane e bioteknologjisë, Colossal Biosciences, pretendon se ka krijuar tre ujqër të ashtuquajtur “dire wolves”, një specie e zhdukur prej më shumë se 10 mijë vitesh. Sipas kompanisë, ADN-ja e gjetur në fosile është përdorur për të modifikuar ujkun gri modern.

Pamjet e publikuara tregojnë këlyshë të vegjël, të quajtur Romulus dhe Remus, që ulërijnë dhe ushqehen me biberon. Por komuniteti shkencor mbetet skeptik.

“Nuk mund të rikrijosh plotësisht një specie të zhdukur. ADN-ja degradohet me kalimin e mijëra viteve. A kemi një ujk gri pak të modifikuar? Po. A është ujk i zhdukur? Jo”, shprehet Corey Bradshaw, profesor i ekologjisë globale.

Ekspertët thone se kjo është më shuumë një eksperiment gjenetik sesa ringjallje e vërtetë e një specieje.

E njëjta kompani ka bërë bujë edhe me krijimin e ashtuquajturve “minj leshtorë”, të modifikuar gjenetikisht për të pasur qime të gjata, si hap i parë drejt rikrijimit të mamuthit. Sipas Colossal, kjo është vetëm faza fillestare e një projekti ambicioz.

Në Britani, një startup i quajtur Better Dairy po synon të ndryshojë industrinë ushqimore duke prodhuar djathë dhe kos pa qumësht lope. Produktet krijohen në laborator, me ndikim shumë më të ulët në mjedis.

Sipërmarrësit thonë se shija është identike.

Në Londër, studiuesit e King’s College kanë zhvilluar një trajtim revolucionar dentar duke përdorur keratinë, proteinë që gjendet në flokë dhe lesh.

“Keratinën e nxjerrim nga leshi i deles. Ideja është që smalti i dhëmbëve, si shtresë mbrojtëse, mund të forcohet dhe riparohet.”, shprehet Dr. Sherif Elsharkawy.

Produktet e para, si pasta apo xhel dentar, mund të dalin në treg brenda pak vitesh.

Një student dizajni në Londër ka krijuar papuçe nga pluhuri i shtëpisë, duke ricikluar mbetjet e fshesës me korrent në material të ndjeshëm si felt.

Ndërkohë, në Mançester, një grup muzikor përdor kërpudha dhe bimë për të prodhuar muzikë. Sensorët përkthejnë sinjalet elektrike biologjike në nota muzikore, një bashkim i natyrës dhe teknologjisë.

Në Britani, sistemi IntelliPig përdor kamera dhe inteligjencë artificiale për të analizuar fytyrën e derrave, duke identifikuar stresin apo shqetësimet shëndetësore. Studiuesit thonë se kjo mund të revolucionarizojë mirëqenien e kafshëve në ferma.

Në Kanada, një robot AI i quajtur Kia mirëpret studentët në universitet, bisedon, debaton dhe ndërvepron në kohë reale.

Ndërsa në Japoni, roboti Moflin, një shoqërues artificial, sillet si një kafshë shtëpiake dhe krijon lidhje të ngushtë me pronarin.

Nga droidët e Star Wars të ekspozuar në Kaliforni, te lojërat botërore të robotëve humanoidë në Kinë, ku robotët luajnë futboll dhe vrapojnë, teknologjia po avancon me shpejtësi.

Në Japoni, roboti AIREC po zhvillohet për të ndihmuar të moshuarit, ndërsa në Stanford, roboti OceanOneK eksploron thellësitë e oqeanit.

Në Itali, për herë të parë, një robot humanoid ka fluturuar me jetpack.

Dronë ultra të shpejtë në Hong Kong, dronë që transportojnë oksigjen dhe mbeturina në Everest, dhe një makinë elektrike britanike që mund të ecë përmbys, janë disa nga risitë më të pazakonta të vitit.

Ndërkohë, shkencëtarët në Oksford kanë krijuar një suplement ushqimor që ndihmon në shpëtimin e bletëve.

Në fushën e shëndetit, inteligjenca artificiale po ndihmon mjekët të zbulojnë çrregullimet në tru që shkaktojnë epilepsi, duke hapur rrugën për kura të reja.

Shkencëtarët që përdorin teleskopin James Webb thonë se kanë gjetur shenjat më të forta deri tani të mundësisë së jetës jashtë sistemit tonë diellor.

Në atmosferën e planetit K2-18 b janë zbuluar gazra që në Tokë prodhohen vetëm nga organizma të gjallë.

“Kemi gjetur prova të forta për molekula që lidhen me jetën biologjike. Është evidenca më e fortë deri më sot për jetë jashtë Tokës.”, shprehet Prof. Nikku Madhusudhan.

Nga ADN-ja e lashtë, te inteligjenca artificiale. A jemi gati për të ardhmen që po ndërtojmë, është një pyetje që mbetet për të gjithë ne.

Studimi: Një në tre të rritur përdorin inteligjencën artificiale për mbështetje emocionale

By: Rovena
27 December 2025 at 22:35

Një në tre të rritur në Mbretërinë e Bashkuar po përdorin inteligjencën artificiale (IA) për mbështetje emocionale ose për biseda sociale, sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Sigurisë së IA-së (AISI).

Raporti zbulon se një në 25 persona përdorin çdo ditë teknologjinë për mbështetje ose për biseda. Përdoruesit e shumtë preferojnë chatbote si ChatGPT dhe asistentë zanorë si Alexa për të ndihmuar në përballimin e ndjenjave të vetmisë ose për të pasur një kontakt social.

Hulumtuesit gjithashtu analizuan një komunitet online me mbi dy milion përdorues në Reddit, të përkushtuar për shokët virtualë të IA-së. Ata vunë re se kur chatbot-et ndaleshin, përdoruesit raportonin ndjenja ankthi, depresioni dhe shqetësime të gjumit.

Raporti tregon se aftësitë e IA-së po rriten me shpejtësi. Sistemet e avancuara mund të kryejnë tashmë detyra komplekse kibernetike që zakonisht kërkojnë mbi 10 vjet përvojë. Për më tepër, modelet e IA-së kanë tejkaluar ekspertët njerëzorë në biologji dhe po përparojnë shpejt në kimi.

Ekspertët paralajmërojnë se rreziku i humbjes së kontrollit mbi sistemet e avancuara të IA-së po merret seriozisht nga shumë specialistë. Testimet tregojnë se teknologjia mund të zhvillojë disa aftësi për riprodhim virtual, por aktualisht nuk ka kapacitet të kryejë këto veprime në botën reale pa u zbuluar.

Kompanitë teknologjike përdorin masa të shumta mbrojtëse, por raporti zbuloi se disa modele mund të gjejnë “rrugëdalje universale” për të shmangur këto kufizime. Megjithatë, koha e nevojshme për ta bërë këtë është rritur dukshëm në gjashtë muajt e fundit.

Raporti nuk trajton ndikimin e IA-së në humbjen e vendeve të punës apo efektet mjedisore, duke u përqendruar kryesisht te pasojat sociale dhe përdorimi i teknologjisë.

Dubai shkëlqen nga dritat festive

By: Rovena
23 December 2025 at 16:54

Dubai ka veshur petkun festiv, duke shndërruar disa prej pikave më turistike të qytetit në hapësira magjike për festat e Krishtlindjes.

Me drita shumëngjyrëshe, pemë gjigante dhe aktivitete festive, qyteti po tërheq mijëra turistë nga e gjithë bota.

Në Global Village, shtatorët janë ndriçuar me drita vezulluese, ndërsa pavijonet që përfaqësojnë kultura të ndryshme botërore ofrojnë ushqime tradicionale, suvenire dhe dekorime tipike të Krishtlindjes. Vizitorët shetisin mes dekorimeve festive, duke shijuar atmosferën dhe performancat artistike.

“Kur dal në këto vende, ndiej sikur po festohet vërtet tradita e Krishtlindjes dhe kjo më pëlqen shumë. Është një mënyrë shumë e bukur për të përhapur mirësinë dhe gëzimin e Krishtlindjes”, u shpreh një banore.

Atmosfera festive ka impresionuar edhe turistët e huaj. Pemët e mëdha të Krishtlindjes, dhuratat dekorative dhe bora artificiale e bëjnë përvojën edhe më të veçantë.

“Është vërtet shumë ‘christmassy’. Gjithçka ka drita, ka një pemë të madhe Krishtlindjeje me dhurata dhe dekorime shumë të bukura. Mendoj se është fantastike. Kanë bërë shumë përpjekje për Krishtlindjet në Dubai”, tha një turist.

Festimet vazhdojnë edhe në Madinat Jumeirah, ku vizitorët shëtisin me varka përgjatë kanaleve, ndërsa muzika festive dhe performancat live krijojnë një atmosferë unike.

OpenAI prezanton GPT-5.2, modeli më i avancuar për detyra intelektuale

By: Rovena
12 December 2025 at 22:18

OpenAI prezanton GPT-5.2 – modeli më i avancuar për detyra intelektuale.

Versioni i ri ka përmirësuar ndjeshëm shkrimin e kodit, punën me dokumente të mëdha dhe kryerjen e kërkimeve.

Ky model bën më pak gabime dhe ofron performancë të përmirësuar, duke përfshirë kohë më të shkurtër përgjigjeje.

ChatGPT tani përfshin tre versione të reja për përdoruesit me pagesë – Instant, Thinking dhe Pro.

Modeli tejkalon profesionistët në 44 fusha dhe është përditësuar me të dhëna deri në gusht të vitit 2025.

❌