Normal view

Përplasi për vdekje vajzën 1 vjeçe/ Tiranë, arrestohet 24-vjeçari (EMRI)

By: Rovena
27 August 2026 at 13:55

Policia e Tiranës ka arrestuar 24-vjeçarin Arbër Toçilla. Mbrëmjen e djeshme, në Farkë, dyshohet se, gjatë kryerjes së manovrës për lëvizje mbrapa me automjet, aksidentalisht ka përplasur një fëmijë, vajzë rreth 1 vjeçe e gjysmë, e cila, si pasojë, ka humbur jetën.

Shefi i inteligjencës ruse konfirmon takimin me drejtorin e CIA-s gjatë vizitës në Moskë

By: Rovena
27 August 2026 at 13:55

Drejtori i Shërbimit të Inteligjencës së Jashtme Ruse (SVR), Sergey Naryshkin, konfirmoi të enjten se u takua me Drejtorin e CIA-s, John Ratcliffe, i cili vizitoi Moskën në fillim të kësaj jave, transmeton Anadolu.

Në komente për gazetarët në kryeqytetin rus, Naryshkin e përshkroi takimin me Ratcliffe si “asgjë të pazakontë”, duke thënë se bisedimet e tyre ishin “pjesë e formatit tonë të punës”.

“Gjatë takimit, diskutuam një numër çështjesh që bien në fushëveprimin e shërbimeve të inteligjencës. Dhe fushëveprimi i shërbimeve të inteligjencës është një çështje mjaft delikate dhe specifike”, shtoi shefi i SVR-së.

Kremlini konfirmoi të mërkurën se Ratcliffe vizitoi Moskën të martën, vizita e parë nga një shef i CIA-s që nga viti 2021, duke thënë se përfshinte kontakte midis shërbimeve të sigurisë dhe duke i përshkruar kontaktet e tilla si “fenomen pozitiv, proces pozitiv”.

Sipas Flightradar24, një avion C-17A Globemaster III i Forcave Ajrore Amerikane fluturoi nga kryeqyteti letonez Riga në Aeroportin Vnukovo të Moskës të martën. Avioni kishte mbërritur dy ditë më parë nga Camp Springs në SHBA, pranë Bazës së Përbashkët Andrews në Maryland, ku shpesh bazohen avionët e Shtëpisë së Bardhë.

Avioni u nis nga Moska dhe u kthye në Riga më vonë po atë mbrëmje, sipas të dhënave të Flightradar24.

CBS News raportoi më vonë, duke cituar burime të njohura me situatën, se drejtori i CIA-s ishte në kryeqytetin rus për takime.

Axios, duke cituar një burim, raportoi se Washingtoni kishte njoftuar Kievin se një delegacion i lartë do të vizitonte Moskën dhe i kishte kërkuar Ukrainës të pezullonte sulmet derisa delegacioni të largohej nga vendi.

Më vonë të mërkurën, presidenti i SHBA-së Donald Trump e karakterizoi vizitën e Ratcliffe në Moskë si “gjysmë rutinë”, duke hedhur poshtë raportimet se vizita ishte e lidhur me kërcënime të mundshme ushtarake ruse kundër NATO-s ose Mbretërisë së Bashkuar.

Polonia kërkon 250 milionë euro gjobë ndaj Meta-s: Dështoi në luftën kundër mashtrimeve

By: Rovena
27 August 2026 at 13:33

Ministri polak i Çështjeve Dixhitale, Krzysztof Gawkowski, i ka kërkuar Komisionit Evropian vendosjen e një gjobe prej 250 milionë eurosh ndaj Meta-s, duke e akuzuar kompaninë për reagim joefektiv ndaj mashtrimeve, reklamave të rreme dhe përmbajtjeve të tjera të dëmshme në platformat e saj.

Gawkowski deklaroi në rrjetin social X se Komisioni Evropian kishte marrë një kërkesë zyrtare për ndëshkimin e kompanisë. Sipas tij, autoritetet polake dhe ekipet e sigurisë kibernetike e kanë ngritur vazhdimisht këtë shqetësim, por Meta nuk ka dhënë një përgjigje të përshtatshme.

Si shembull, ministri përmendi një test të kryer nga CERT Polska, gjatë të cilit 122 reklama të identifikuara si mashtruese iu raportuan kompanisë.

Sipas të dhënave të bëra publike nga Gawkowski, Meta nuk hoqi 106 prej reklamave, ose 88.6% të rasteve të raportuara. Vetëm 10 reklama u hoqën, ndërsa për gjashtë raste të tjera nuk pati asnjë përgjigje nga kompania.

Ministri polak e cilësoi këtë rezultat si të papranueshëm dhe tha se nuk mund të konsiderohet thjesht një gabim i rastësishëm i moderatorëve. Ai i bëri thirrje Meta-s të zbatojë menjëherë mekanizma më efektivë për identifikimin dhe eliminimin e mashtrimeve, reklamave të rreme dhe promovimit të aplikacioneve të paligjshme.

Meta, kompania që zotëron Facebook dhe Instagram, është përballur paralelisht me një tjetër betejë ligjore në Shtetet e Bashkuara. Kompania pranoi të paguajë deri në 16.68 miliardë dollarë dhe të ndërmarrë ndryshime të rëndësishme në platformat e saj, në kuadër të një marrëveshjeje për t’i dhënë fund një mosmarrëveshjeje me 29 shtete amerikane, të cilat e akuzonin kompaninë se kishte dizajnuar platformat e saj në mënyrë që të krijonin varësi te fëmijët.

Velipoja, destinacion i turistëve/ Të huajt pëlqejnë plazhin, klimën dhe shërbimet

By: Rovena
27 August 2026 at 13:18

Velipoja është një prej destinacioneve të pëlqyera të shumë turistëve këtë sezon veror.

Vendas dhe të huaj e kanë zgjedhur për të pushuar.

Plazhi i gjerë, deti i pastër dhe qetësia që ofron zona janë ndër arsyet kryesore të atyre që e pëlqejnë.

Shumë prej pushuesve shprehen të kënaqur me përvojën e kaluar këtu dhe tregojnë se dëshirojnë të rikthehen.

Me potencialin e jashtëzakonshëm turistik, Velipoja po forcon çdo vit pozicionin e saj mes destinacioneve më tërheqëse të bregdetit shqiptar.

Islanda “thyen akullin”, më pranë BE/ Ishulli mban referendum për vazhdimin e negociatave me BE

By: Rovena
27 August 2026 at 13:06

Islanda, ishulli i akullt që mund të thyejë akullin për anëtarësimin në BE të Shqipërisë. Më 29 gusht, ishulli i largët me oqeanit Atlantik dhe Arktik, me vetëm 400 mije banore, voton në referendum për rifillimin ose jo të negociatave me Brukselin për anëtarësimin në BE.

Islanda e cila dorëzoi kandidaturën për tu anëtarësuar në BE në 2009, por pezulloi bisedimet në 2013, është një nga vendet më të pasura dhe demokratike në gjithë botën, ndaj dhe Brukseli nuk do të ketë shumë punë për ta anëtarësuar si vendin e 28-të të Unionit.

Radio Evropa e Lirë shkruan se sipas ekspertëve të integrimit europian në Bruksel, ekziston një shpresë së anëtarësimi i Islandës, do i jepte një shtysë të madhe vendeve kandidate aktuale për në BE, vecacnërisht në Ballkanin Perëndimor, Shqipërisë dhe Malit të Zi që janë në vijën e finishit, apo Moldavisë dhe Ukrainës.

Këtë herë, BE do të zgjerohej në perëndim, dhe madje brenda Unionit ka një dëshirë të madhe për të anëtarësuar Islandën, kjo do e bëntë procesin e anëtarësimit më tërheqës dhe më të dëshiruar për vendet lindore të Europës të cilat janë më pak të përparuara.

Prej vitit 2013, me Kroacinë, BE nuk ka anëtarësuar më në Union asnjë vend tjetër, dhe Islanda shihet si rasti ideal për të thyer këtë ngërç.

Madje, Islanda e cila para se të pezullonte negociatat e BE, kishte mbyllur 11 kapituj, mund të shkojë çift bashkë me Malin e Zi i cili ka mbyllur 18 kapituj, dhe të anëtarësohen deri në BE deri në 2028.

Dhe më pas, sipas objektivave, radhën e ka menjëherë Shqipëria, e cila nëse gjithçka shkon sipas planit, mund ti bjeri edhe numri i fatit. Anëtari i 30 në vitin 2030.

Ergys Agasi, tek blloku i sigurisë/ Del të shtunën para Gjykatës së Posaçme, avokati: Duam dosjen

By: Rovena
27 August 2026 at 12:56

Biznesmeni Ergys Agasi dhe Uljan Shpataraku i përjashtuar pak javë më parë nga policia, mbahen të izoluar në bllokun e sigurisë, në pritje për të dalë të shtunën përpara gjykatës për vlerësimin e kushteve të masës së sigurisë.

Mbrojtësi ligjor i Agasit Maksim Haxhia, pas takimit me këtë të fundit, e cilësoi të turpshme sjelljen e SPAK, që sipas tij pas kaq shumë kohësh ende nuk i ka vënë në dispozicion dosjen hetimore.

“Është e turpshme që pas kaq shumë kohësh, nuk kemi marrë dosjen hetimore”. Agasi pretendon që është jashtë çdo ngarkese juridike, pasi nuk ka prekur financat publike”, tha avokati Haxhia.

Ergys Agasi u arrestua në Shkëmbin e Kavajës, pranë zonës së Plepave, ndërsa shoqërohej nga Uljan Shpataraku, i njohur si krahu i djathtë i ish drejtuesit të policisë së shtetit Ilir Proda.

Arrestimi i tyre u krye rreth orës 19.40 minuta nga forcat operacionale dhe strukturat vendore të policisë Durrës. Sipas informacioneve, biznesmeni i njohur që kërkohej nga drejtësia prej 8 muajsh, u mbajt në vëzhgim për rreth 3 muaj nga një grup i posaccëm i përbërë nga efektivë dhe agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Mbrëmja e së mërkurës ishte momenti i duhur për ndalimin e Agasit, i cili u nis nga qyteti i Elbasanit në drejtim të Durrësit me automjetin e Uljan Shpatarakut, që u sekuestrua me kërkesë të Prokurorisë së Posaccme.

Ky është automjeti i tipit Audi RS6 me vlerë rreth 80 mijë euro, në pronësi të Shpatarakut që u sekuestrua me vendim gjyqësor, ndërsa ndaj tij është ngritur akuza “përkrahje e autorit të krimit”.

Organi hetues dyshon se Shpataraku e ka ndihmuar gjatë gjithë kësaj periudhë Agasin, madje e ka shoqëruar këtë të fundit për të lëvizur i lirshëm, duke iu shmangur në këtë mënyrë arrestimit, megjithatë SPAK do të kryejë verifikime mbi këtë dyshim.

Dy të arrestuarit u morën në pyetje në Drejtorinë Vendore të Policisë Tiranë pas arrestimit, nga tre agjentë të Byrosë Kombëtare të Hetimit, ku deklarimet e tyre tashmë janë bërë pjesë e fashikujve hetimore. Paralelisht me pyetjen e tyre, në zonën e Liqenit të Thatë u ushtruan kontrolle në banesën e Shpatarakut.

Ndaj Ergys Agasit, GJKKO ka firmosur masën arrest në burg në mungesë, në 15 dhjetor të vitit të kaluar, për veprat penale konkurenca e paligjshme nëpërmjet dhunës, heqje e paligjshme e lirisë, shkelje barazisë në tendera, grup i strukturuar kriminal, kryerja e veprave penale nga organizata kriminale, pastrim parash dhe korrupsion aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike, me shumë se njëherë.

Ai dyshohet se paracaktonte tenderat në Agjencinë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, në kohën kur institucion drejtohej nga Mirlinda Karccanaj, përmes konkurrencës së pandershme, presionve, ndikimeve të paligjshme si dhe pengmarrjes.

Të njëjtat akuza rëndojnë edhe mbi biznesmenin tjetër Ermal Beqiraj, i cili është arrestuar në Francë dhe pritet të ekstradohet drejt vendit tonë.

Për dosjen e AKSH, përveç Agasit e Beqirajt, po hetohen një grup biznesmenësh të tjerë si dhe ish drejtoresha e agjencisë Mirlinda Karçanaj dhe zëvëndësja e saj Hava Delibashi.

 

Volejboll, seti më i gjatë në histori/ Rekord në miqësoren Itali-Gjermani, zgjati 1 orë e 29 minuta

By: Rovena
27 August 2026 at 12:52

Gjermania dhe Italia zhvilluan një set që do të hyjë në historinë e volejbollit botëror. Seti i parë në ndeshjen miqësore përgatitore për Kampionatin Evropian, e luajtur në Reggio Calabria zgjati 1 orë e 29 minuta. Një rekord i ri për kohëzgjatjen e një seti të vetëm në një sfidë të volejbollit profesionist.

Ai u mbyll me rezultatin spektakolar 66–64 në favor të Gjermanisë.

Kjo arritje theu rekordin e mëparshëm të vendosur gjatë një ndeshjeje të Ligës së Kombeve të Volejbollit mes Argjentinës dhe Polonisë më 28 qershor 2026, e cila përfundoi 50–48 pas 62 minutash lojë.

Përtej këtij rekordi, sfida mes Italisë dhe Gjermanisë dhuroi spektakël dhe ishte e luftuar deri në pikën e fundit.

Fitoren e mori Italia 3-2 me sete, por rezultati i atij seti hapës tashmë ka hyrë në historinë e volejbollit.

Si Italia ashtu edhe Gjermania janë dy skuadrat favorite për të fituar edhe Kampionatin Europian për meshkuj, që do të nisë më 9 shtator dhe do të zhvillohet në Bullgari, Rumani, Finlandë dhe në Itali.

Rodri, debutimi i Topit të Artë/ Kapiteni i Spanjës pritet të jetë sot në fushë tek Barça

By: Rovena
27 August 2026 at 12:46

Finalja e madhe është lënë pas, ashtu si edhe titulli botëror.

Rodri, i shpallur lojtari më i mirë i Kupës së Botës dhe kampion i rruzullit me Spanjën, sot do të nisë një epokë të re në karrierë.

Pasi kaloi tek Barcelona dhe u stërvit siç duhet me kampionët e Spanjës, mesfushori pritet që të debutojë në “Kamp Nou”.

Besohet në prani të rreth 65 000 tifozëve, ai do të ketë disa minuta në duelin e kësaj mbrëmjeje ndaj Atletikut të Bilbaos.

Këtë e konfirmoi trajneri Hansi Flik në konferencën përpara ndeshjes, ndonëse është e qartë se kapiteni I “Furive të Kuqe” nuk është ende në 100 për qind të formës, dhe natyrisht do të duhet të përshtatet me stilin e lojës “blaugrana”.

Katalanasit paguan 60 milionë euro për kartonin e tij, për ta marrë nga Mançester Siti ku kishte ende kontratë, pesë më shumë sesa vlera teorike në treg, dhe Rodri refuzoi vetë Realin për të luajtur në “Kamp Nou”.

Pritet që ai ta bëjë Barçën edhe më shumë pretendente për titull, për vetë klasin, përvojën dhe personalitetin që ka, ndonëse beteja në La Ligë ndaj Realit të Murinjos pritet të jetë tepër e fortë.

UEFA, “paqe” me FIFA, jo me Infantino/ Qeveria europiane e futbollit tërhiqet nga vendimi për bojkot

By: Rovena
27 August 2026 at 12:40

“Paqe” me kushte në futboll. UEFA ka vendosur të tërhiqet nga plani i saj për të bojkotuar turnetë e FIFA, por jo nga misioni për të larguar Gianni Infantino si kreu I qeverisë botërore të futbollit.

Vendimi do të zyrtarizohet pas bledhjes në Monte Carlo, që i paraprin shortit të Champions League.

Intitucioni i drejtuar nga Aleksander Ceferin nuk do që të minojë FIFA, të paktën për momentin, ndërsa do të publikojë një deklaratë me shpjegime më të hollësishme për të gjithë anëtarët.

Kjo tërheqje vjen pasi sipas mediave ndërkombëtare, FIFA ka dërguar një letër në UEFA, ku garanton se plani i Gianni Infantino për futjen e investitorëve privat nuk do të diskutohet në të ardhmen.

Në këtë mënyrë, qeveria europiane synon të mbrojë futbollin dhe garat e tij, pavarësisht mosmarrëveshjeve ekzistuese me Infantinon, të cilat aktualisht duken të pazgjidhshme.

Për këtë arsye, ndërmarrja e një hapi kaq drastik në këtë moment do ta dëmtonte sportin , veçanërisht futbollin e femrave që më 5 shtator do të luajë finalet e Kampionatit Botëror U20 në Poloni.

Por kjo kthesë 180 gradë nuk I ka shuar përfundimisht përplasjet. Kjo konfimohet nga vendimi I fundit i Federatës Italiane të Futbollit, që i është bashkuar simotrave të saj europiane që kanë tërheëqur mbështetjen për rigjedhjen e Infantino në krye të FIFA. Më parë, të njëjtën gjë kishin bërë zyrtarisht edhe Anglia, Rumania, Uellsi, Skocia, Suedia, Shqipëria, Kroacia dhe Serbia.

Egnatia e Dinamo, në fushë për historinë/ Skuadrat shqiptare luajnë sfidat e kthimit në fazën e play off

By: Rovena
27 August 2026 at 12:32

Edhe 90 minuta për historinë, ndoshta pak më shumë bashkë me shtesat e mundura, pse jo edhe penalltitë.

Kaq mbeten për Egnatian dhe Dinamo City për të shktuajtur historinë e tyre në futbollin e madhe europian.

Kampionët e Shqipërisë e kanë siguruar vendin e tyre në fazën finale të Conference League, por do të provojnë të luajnë në një nivel më lart, në grupet e Europa League.

Pas barazimit pa gola në ndeshjen e vajtjes të pley off, skuadra e drejtuar nga Nevil Dede do të luajë mbrëmjen e sotme në orën 19:00 në transferën e largët norvegjeze kundër Lillestrom.

Rezultati i sfidës së parë, por edhe faktori fushë favorizojnë të zotët e shtëpisë.

Por me atë që ka treguar deri tani në aventurën europiane, Egnatia i ka të gjitha shanset të rrëzojë këto pritshmëri. Në këtë mision, Dede do të ketë në dispozicion thuajse të gjithë titullarët e tij, ndërsa mungesa e vetme e rëndësishme është ajo e portugezit të mesfushës, Andre Haime.

Bashkë me rrogozhinasit, në orën 19:00 zbret në fushë edhe Dinamo City, që do të luajë në tramnsfertën qipriote kundër Pafos sfidën e kthimit në play off e Conference League.

Skuadra e drejtuar nga Ilir Daja barazoi 1-1 në përballjen e parë të luajtur në “Elbasan Arena” të enjten e shkuar.

Edhe “blutë” kanë kundër parashikimet, pasi rezultati i parë dhe fusha janë në krahë të rivalëve.

Kualifikimi për një fazën finale në Conference League duket si një mision i vështirë, por jo I pamundur, aq më tepër me një trajner ekspert si Ilir Daja.

 

Asllani bëhet “sheik”/ Arrihet akordi për transferimin e mesfushorit të Shqipërisë

By: Rovena
27 August 2026 at 12:24

Tymi këtë herë është I bardhë.

Nuk është një ngjitje në karrierë, përkundrazi, por gjithsesi flasim për një qartësim të së ardhmes për Kristian Asllanin.

Mesfushori I kombëtares shqiptare do të luajë në Gjirin Persik sezonin e ardhshëm, dhe kjo duket e sigurt, edhe pse në formë huazimi.

Lajmet janë që klubi nga Katari, Al Xhazira, arriti marrëveshjen me Interin për yllin kuqezi në formën e një huazimi njëvjeçar me të drejtë për të blerë kartonin qershorin apo korrikun e ardhshëm.

Shifrat janë 2 milionë euro për huazim, dhe 5 milionë euro për blerje.

Një biznes normal për klubin e Serisë A, që nuk mund të rikuperojë rreth 16 milionë eurot e shpenzuara për shqiptarin, por që nuk mbetet pa gjë.

Asllani, ashtu si sezonin e kaluar, nuk është pjesë e planeve të trajnerit Kristian Kivu, dhe për herë të tretë në një vit largohet nga “San Siro”, edhe pse kartoni mbetet ende pronë interiste.

Edicionin e kaluar ishte tek Torino në Serinë A italiane dhe Beshiktashin në elitën e Turqisë.

Asllani tek Interi, që nga vera 2022, luajti 99 ndeshje, shënoi 4 gola e shërbeu 5 asistë.

Arrestohet pronari i hotelit në Tiranë, strehoi 7 emigrantë sudanezë për kalim drejt BE

By: Rovena
27 August 2026 at 12:18

Vihet në pranga pronari i një hoteli, ku ishin strehuar 7 emigrantë nga Sudani.

66-vjeçari Petrit Spaho u arrestua në flagrancë, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, “Veprime që pengojnë në zbulimin e së vërtetës” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjahut dhe sportive”.

Nga veprimet hetimore dyshohet se në hotelin në pronësi të tij, në Vaqarr, Tiranë, ky shtetas kishte strehuar disa shtetas të huaj, të cilëve iu kishte siguruar mjete transporti (taksi) dhe i kishte nisur në drejtim të Koplikut, me qëllim kalimin e kundërligjshëm të kufirit, me destinacion shtete të BE-së.

Shërbimet e Policisë Kufitare Tiranë janë vënë në ndjekje të 2 automjeteve (taksi), dhe kanë koordinuar punën dhe bashkëpunuar me shërbimet e Policisë Kufitare Shkodër. Si rezultat, janë ndaluar te dyja automjetet në të cilat udhëtonin 7 shtetas nga Sudani, të cilët u proceduan në gjendje të lirë për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

Gjithashtu, janë referuar materialet në Prokurori, ku ka nisur procedimi në gjendje të lirë, për taksistin, shtetasin P. Gj., për veprën penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”.

Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar me cilësinë e provës materiale, dy armë gjahu, njëra prej të cilave dyshohet se mbahej pa leje, fishekë të armës së gjahut, 7 celularë, 2 automjete (taksi) dhe libri i regjistrimit të klientëve të hotelit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme.

Shembja e akullnajës dyshohet se shkaktoi përmbytjen vdekjeprurëse në kufirin Nepal-Tibet

By: Rovena
27 August 2026 at 10:56

Të paktën 177 persona kanë humbur jetën nga përmbytja e menjëhershme. Shkencëtarët ngrenë alarmin për shkrirjen e shpejtë të akullnajave në Himalaje.

Një shembje akullnajeje dyshohet se ka qenë shkaku i përmbytjes së fuqishme që goditi zonën kufitare mes Nepalit dhe Tibetit, duke shkaktuar të paktën 177 viktima.

Raportimet e para sugjeronin se një tërmet kishte shkaktuar një rrëshqitje dheu, e cila më pas kishte sjellë përmbytjen. Por Shërbimi Gjeologjik i SHBA-së (USGS) sqaroi se bëhej fjalë për një “shembje akullnajeje”, pra shpërbërjen dhe rënien e një akullnajeje ose të një pjese të saj.

Fuqia e përplasjes së masës së akullit dhe shkëmbinjve me fundin e luginës ishte aq e madhe, sa ngjarja u regjistrua si një lëkundje me magnitudë 5.2.

Akulli dhe shkëmbinjtë u përplasën në lumë

Sipas Dr Simon Cook, ekspert i akullnajave në Universitetin e Dundee-t, ekipi i tij ka identifikuar shembjen e pjesës së poshtme të një akullnajeje pranë majës Langtang Lirung, rreth 15 kilometra në perëndim të zonës së prekur nga përmbytjet.

Sipas tij, masa e shembur ka lëvizur fillimisht drejt veriperëndimit dhe më pas në drejtim të perëndimit, duke ndjekur rrjedhën e lumit.

Ndërkohë, një analizë e Qendrës Ndërkombëtare për Zhvillimin e Integruar Malor (ICIMOD) sugjeron se mund të ketë ndodhur një ortek akulli dhe shkëmbinjsh nga një zonë me lartësi të madhe.

Masa të mëdha akulli dhe mbetjesh shkëmbore përfunduan në lumin Lende Khola, degë e Bhote Koshi-t. Kjo shkaktoi një rritje të menjëhershme të prurjeve, duke transportuar ujë, sedimente dhe gurë të mëdhenj në drejtim të zonave më të ulëta.

Niveli i ujit në lumenjtë në rrjedhën e poshtme u rrit me 7 deri në 9 metra brenda vetëm 30 minutash, ndërsa disa stacione monitorimi u dëmtuan ose u shkatërruan.

Shkencëtarët paralajmërojnë për ndryshimet klimatike

Shkaku i saktë i shembjes së akullnajës ende nuk është përcaktuar. Megjithatë, shkencëtarët kanë paralajmëruar prej vitesh se temperaturat në rritje dhe ndryshimet klimatike po përshpejtojnë shkrirjen e akullnajave dhe të permafrost-it në Himalaje.

Sipas një analize të ICIMOD, akullnajat në rajonin Hindu Kush-Himalaje po humbasin akull me një ritëm rreth dy herë më të lartë krahasuar me vitin 2000.

Ekspertët paralajmërojnë se kjo situatë mund të shtojë rrezikun e përmbytjeve, rrëshqitjeve të dheut, shembjeve të akullnajave dhe shpërthimeve të liqeneve akullnajore.

“Me ngrohjen e planetit, akullnajat po tkurren dhe shkrirja e borës po rritet. Edhe permafrost-i, i cili ndihmon në mbajtjen e qëndrueshme të disa shpateve malore, po ngrohet, po shkrihet dhe po degradohet”, shpjegon Dr Cook.

Sipas tij, kjo mund të sjellë më shumë rrëshqitje dheu, rrjedha mbetjesh, ujëra nga shkrirja e akullnajave, shpërthime të liqeneve akullnajore dhe shembje të akullnajave.

Ekspertët theksojnë se është e vështirë të përcaktohet nëse një ngjarje e vetme është shkaktuar drejtpërdrejt nga ndryshimet klimatike. Megjithatë, rritja e numrit të këtyre fenomeneve në zonat malore po shihet si një sinjal gjithnjë e më shqetësues i ndikimit të ngrohjes globale.

Ngjarje të ngjashme janë regjistruar vitet e fundit edhe në Indi, Zvicër dhe Itali. Në vitin 2021, shembja e një pjese të madhe të një akullnajeje në luginën Chamoli, në veri të Indisë, shkaktoi një valë masive uji dhe mbetjesh, duke vrarë rreth 200 njerëz.

“Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë, do të copëtoheni”, ABC News siguron e-mail kërcënues që iu dërgua institucioneve

By: Rovena
27 August 2026 at 10:38

ABC News ka arritur që të sigurojë e-mailin kërcënues i cili iu dërgua institucioneve, me alarmin se është vendosur në bombë.

Në e-mail thuhet se është vendosur një bombë dhe se do të shpërthejë pas dy orësh.

“Përshëndetje! Kjo është shteti islamik. Me vullnetin e Allahut kemi vendosur një bombë në ndërtesën tuaj. Ajo do të shpërthejë pas dy orësh. Pas kësaj, ju të pafe do të copëtoheni. Pastaj do t’ju vrasim”, shkruhet në e-mail.

Alarm për bombë në SPAK dhe GJKKO/ Garda e Republikës nis kontrollet me qen antidrogë

By: Rovena
27 August 2026 at 10:10

Mëngjesin e kësaj të enjteje, në disa institucione të vendit është dërguar një e-mail, ku pretendohet se është vendosur një bombë në SPAK dhe GJKKO.

Lidhur me këtë ka reaguar me një njoftim zyrtar vetë Policia e Shtetit, sipas të cilës deri më tani nuk është konstatuar asnjë bombë, apo lëndë tjetër shpërthyese.

Megjithatë Garda e Republikës është duke vazhduar kontrollet në ambientet e institucioneve me qen antidrogë.

Ndërkohë grupi hetimor ka nisur punën për identifikimin e personit, që mund të ketë dërguar e-mailin kërcënues.

Dhunë në familje në Vlorë, bashkëshorti godet me sqepar në ballë gruan

By: Rovena
27 August 2026 at 09:00

Një ngjarje dhune në familje është regjistruar në orët e para të ditës së sotme në zonën e Ujit të Ftohtë në Vlorë.
Sipas të dhënave paraprake, një çift i ri është konfliktuar, ndërsa bashkëshorti dyshohet se ka goditur bashkëshorten me një mjet prerës, tip sqepar, në pjesën e ballit.

E reja është transportuar menjëherë në Spitalin Rajonal të Vlorës, ku po merr ndihmën mjekësore. Sipas mjekëve, gjendja e saj është e stabilizuar dhe ajo ndodhet jashtë rrezikut për jetën. Dëmtimet janë raportuar si sipërfaqësore, kryesisht në pjesën e ballit.

Ndërkohë, policia ka shoqëruar bashkëshortin dhe po merr deklarimet e tij, ndërsa po merret në pyetje edhe e dhunuara, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të konfliktit.

Autoritetet saudite lëshojnë “alarm të kuq” për reshje të dendura shiu në pjesë të Mekës

By: Rovena
27 August 2026 at 08:42

Mbrojtja Civile u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë reshjeve dhe të ndjekin udhëzimet dhe masat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.

Qendra Kombëtare e Meteorologjisë e Arabisë Saudite lëshoi të mërkurën një “alarm të kuq”, duke paralajmëruar për reshje të dendura shiu që priten në disa pjesë të provincës së Mekës, transmeton Anadolu.

Paralajmërimi u bë në një njoftim të publikuar nga Mbrojtja Civile Saudite lidhur me kushtet e pritshme atmosferike në rajon.

Mbrojtja Civile u bëri thirrje banorëve të tregojnë kujdes gjatë reshjeve dhe të ndjekin udhëzimet dhe masat e sigurisë të lëshuara nga autoritetet përkatëse.

Gjithashtu, qytetarët u këshilluan që për sigurinë e tyre të qëndrojnë larg zonave të përmbytura, luginave dhe digave.

“Alarmi i kuq” është niveli më i lartë i paralajmërimit i qendrës dhe lëshohet kur priten kushte atmosferike që kërkojnë kujdes maksimal.

Provinca e Mekës gjatë ditëve të fundit është përballur me mot të paqëndrueshëm dhe nivele të ndryshme reshjesh.

Më 21 gusht, qendra lëshoi paralajmërime për reshje të dendura shiu në provincat Al-Ardiyat dhe Al-Qunfudhah, të shoqëruara me erëra të forta, breshër, stuhi me vetëtima dhe rrezik nga përmbytjet e rrëmbyeshme.

Trump: Nuk besoj se Mojtaba Khamenei ka vdekur, por është plagosur rëndë

By: Rovena
27 August 2026 at 08:23

Donald Trump tha këtë të mërkurë se “nuk beson” se udhëheqësi suprem i Iranit, Ajatollah Mojtaba Khamenei, i cili nuk është shfaqur në publik që nga fundi i shkurtit, “ka vdekur”.

“Ai u plagos shumë rëndë” në sulmin që vrau të atin, “por nuk mendoj se ka vdekur”, tha presidenti amerikan në një intervistë.

Duke folur për një sërë temash në intervistë, Trump tha, ndër të tjera, se udhëtimi i drejtorit të CIA-s në Moskë dje ishte një vizitë rutinë, duke shtuar megjithatë se “diçka mund të ketë dalë nga bisedat e John Ratcliffe me zyrtarët e inteligjencës ruse në kryeqytetin rus”.

“Ne duam që lufta në Ukrainë të mbarojë”, theksoi ai, duke argumentuar se udhëtimi shumë i diskutuar nuk kishte lidhje me Iranin apo kërcënimet ruse kundër NATO-s.

Duke iu referuar luftës tregtare me Kanadanë, presidenti republikan komentoi: “Është koha t’i japim Kanadasë një mësim se ata nuk mund ta mbajnë këtë qëndrim” me tregtinë.

Media ruse “Pravda.ru”: Tirana, zgjedhja ekonomike për një udhëtim në Evropë

By: Rovena
27 August 2026 at 08:09

Tirana po fiton terren si një nga destinacionet evropiane më të përshtatshme për turistët me buxhet të kufizuar, shkruan media online ruse “Pravda.ru”.

Me shpenzime mesatare ditore prej rreth 59 eurosh për akomodim, ushqim, transport dhe argëtim, kryeqyteti shqiptar ofron mundësinë për të eksploruar pikat kryesore pa kaluar kufirin e 100 eurove në ditë për person.

Kostoja relativisht e përballueshme, e kombinuar me ofertën turistike dhe shërbimet e qytetit, e rendit Tiranën ndër alternativat më interesante për një udhëtim ekonomik në Evropë.

Udhëtime me 100 euro në ditë: Këshilla nga ekspertët për të kursyer gjatë pushimeve në Evropë

Vjeshta në Evropë nuk është domosdoshmërisht e kushtueshme.

Vizitorët që planifikojnë me kujdes mund ta mbajnë nën kontroll buxhetin, duke zgjedhur destinacione me kosto më të përballueshme.

Një analizë e disa prej qyteteve më të vizituara evropiane tregon se, përmes një planifikimi të mirë, shpenzimet ditore për akomodim, ushqim, transport dhe argëtim mund të mbahen brenda një buxheti prej 100 eurosh për person.

Destinacionet me kosto të përballueshme po zhvendosen drejt Evropës Lindore

Qendra e turizmit me buxhet të kufizuar po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt Evropës Lindore dhe Turqisë.

Në këto vende, kostoja e shërbimeve përgjithësisht është në përputhje me cilësinë e përvojës turistike.

Tiranë, Shqipëri

Tirana, Shqipëri, spikat me shpenzime mesatare ditore prej rreth 59 eurosh, duke u renditur si një alternativë tërheqëse për vizitorët që kërkojnë destinacione të reja.

Tirana, kryeqyteti dhe qyteti më i madh i Shqipërisë, është një nga destinacionet turistike në rritje në Ballkan.

Qyteti ofron një kombinim të historisë, kulturës, gastronomisë dhe jetës urbane, me pika të njohura si Sheshi Skënderbej, Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, Pazari i Ri dhe Bunk’Art.

Tirana shërben gjithashtu si një pikë e përshtatshme për të eksploruar destinacione të tjera në Shqipëri, përfshirë bregdetin e Adriatikut dhe Jonit, si dhe zonat malore.

Transporti publik dhe distancat relativisht të shkurtra brenda qytetit, e bëjnë atë një alternativë praktike për turistët që udhëtojnë me buxhet të kufizuar.

Maksim Lanin, menaxher i tureve turistike, thekson se gjatë përzgjedhjes së një destinacioni duhet të merren parasysh të gjitha shpenzimet, dhe jo vetëm çmimi i akomodimit.

Sipas tij, turistët shpesh harrojnë të përfshijnë në buxhet edhe kartat e transportit publik, të cilat mund të sjellin kursime të konsiderueshme për ata që lëvizin shpesh nëpër qytet.

Si të reduktoni shpenzimet

Kursimi i vërtetë kërkon vëmendje ndaj detajeve.

Për qytetet e përfshira në analizë, çmimet e shërbimeve bazë priren të jenë relativisht të qëndrueshme dhe nuk ndikohen ndjeshëm nga ndryshimet sezonale.

Elena Gumina, eksperte e shërbimeve hoteliere, rekomandon që turistët me buxhet të kufizuar, duhet të zgjedhin akomodime pak më larg shesheve dhe zonave kryesore turistike.

Sipas saj, kjo mund të ulë koston e akomodimit me 20–30 për qind, ndërsa rrjetet e transportit publik në qytetet evropiane u mundësojnë turistëve të arrijnë në qendër brenda pak minutash.

Këshilla praktike për të kursyer

Transporti: Transporti publik në Evropë është zakonisht më ekonomik se taksitë.

Abonimet ditore ose javore mund të rezultojnë më të leverdishme pas vetëm 3–4 udhëtimeve.

Fluturimet: Për të gjetur bileta më të lira, rekomandohet përdorimi i platformave që krahasojnë çmimet e fluturimeve, aktivizimi i njoftimeve për ulje çmimesh dhe, kur është e mundur, udhëtimi në ditët e mesjavës.

Akomodimi: Përpara rezervimit të hotelit, duhet t’u kushtohet vëmendje e veçantë vlerësimeve dhe komenteve të klientëve, veçanërisht atyre që lidhen me gjendjen reale të dhomave dhe vendndodhjen.

Numri i yjeve nuk duhet të jetë kriteri i vetëm.

Siguria: Rekomandohet sigurimi i udhëtimit, përdorimi i shërbimeve zyrtare për rezervimin e akomodimit dhe taksitë, si dhe kontrollimi paraprak i vlerësimeve dhe informacionit për zonën ku do të qëndrohet./ATSH

Mbi 800 persona të zhdukur pas përmbytjeve në Nepal

By: Rovena
27 August 2026 at 07:50

Të paktën 826 persona rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve të fuqishme që kanë goditur zonën Bhotekoshi-Trishuli në Nepal.

Shifra është bërë publike nga Autoriteti Kombëtar i Nepalit për Reduktimin dhe Menaxhimin e Rrezikut nga Fatkeqësitë, i cili ka dhënë përditësimin e fundit mbi situatën.

Sipas autoriteteve, në mesin e personave të zhdukur janë pjesëtarë të forcave të sigurisë, turistë dhe qytetarë.

Veçanërisht shqetësuese është situata për turistët. Autoritetet bëjnë me dije se më shumë se 529 turistë rezultojnë të zhdukur pas përmbytjeve.

Operacionet e kërkim-shpëtimit vijojnë, ndërsa autoritetet po punojnë për të përcaktuar përmasat e plota të dëmeve dhe për të gjetur personat që rezultojnë të zhdukur.

❌