Normal view

VIDEO/ Zjarri pranë shtratit të lumit Mat mbetet aktiv, digjen ullinj dhe drufrutorë

By: Rovena
4 July 2026 at 14:49

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme, i rënë rreth dy orë më parë pranë shtratit të lumit Mat, vijon të jetë aktiv, duke u përhapur edhe në afërsi të zonave të banuara.

Falë ndërhyrjes së forcave zjarrfikëse, flakët janë izoluar për momentin, duke shmangur rrezikun e menjëhershëm për banesat pranë vatrës së zjarrit.

Nga përhapja e flakëve në zonën pranë Fushë-Milotit janë djegur sipërfaqe me plantacione ullinjsh dhe pemë frutore, ndërsa disa mjete zjarrfikëse vijojnë operacionin në terren për vënien nën kontroll të plotë të situatës.

Erërat e forta po favorizojnë përhapjen e zjarrit, duke e bërë më të vështirë punën e ekipeve të emergjencës. Në ndihmë të zjarrfikësve janë angazhuar edhe banorë të zonës, të cilët me mjete rrethanore po kontribuojnë në izolimin dhe shuarjen e flakëve.

Gjendet i pajetë një 56-vjeçar në lumin Mat, dyshohet mbytje aksidentale

7 June 2026 at 12:25

Në fshatin Zenisht të Bashkisë Mat është gjetur pa shenja jete një 56 vjeçar, banues në Tiranë.

Sipas informacioneve paraprake, trupi i pajetë është konstatuar në lumin Mat rreth orës 10:00 të kësaj të diele.  Nga këqyrja e parë nuk janë evidentuar shenja dhune.

Dyshohet se vdekja ka ardhur si pasojë e mbytjes në ujë.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon punën për sqarimin dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.

Rusia dëbon diplomatin britanik për spiunazh, Londra reagon ashpër

By: Rovena
30 March 2026 at 15:36

Rusia ka urdhëruar largimin e një diplomati britanik nga territori i saj, duke e akuzuar për aktivitete spiunazhi, në zhvillimin më të fundit të tensioneve diplomatike mes Moskës dhe Londrës.

Shërbimi Federal i Sigurisë (FSB) pretendon se diplomati ka paraqitur informacione të rreme gjatë aplikimit për hyrje në vend, si dhe ka tentuar të sigurojë të dhëna sensitive gjatë takimeve joformale me karakter ekonomik. Sipas mediave shtetërore ruse, autoritetet kanë konstatuar edhe “shenja të aktivitetit të inteligjencës”.

Diplomatit i është hequr akreditimi dhe i është dhënë afat dy javë për t’u larguar nga Rusia. Emri i tij është publikuar në mediat shtetërore ruse.

Reagimi i Londrës: “Akuza të pabazuara”

Ministria e Jashtme e Mbretërisë së Bashkuar e ka cilësuar vendimin si “plotësisht të pakuptimtë”, duke akuzuar Rusinë për një fushatë të koordinuar presioni ndaj diplomatëve britanikë.

Në një deklaratë zyrtare, Londra theksoi se Moska po përhap “akuza dashakeqe dhe krejtësisht të pabazuara” ndaj stafit të saj. “Mbretëria e Bashkuar nuk do të tolerojë intimidimin e diplomatëve të saj dhe familjeve të tyre,” thuhet në reagim.

Pas dëbimit, e ngarkuara me punë e Britanisë në Moskë, Danae Dholakia, është thirrur në Ministrinë e Jashtme ruse, nga ku raportohet se është larguar pa koment për mediat.

Tensione në rritje mes dy vendeve

Ky incident është pjesë e një serie masash reciproke mes dy vendeve, të cilat kanë dëbuar diplomatë të njëri-tjetrit në vitet e fundit.

Marrëdhëniet mes Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë përkeqësuar ndjeshëm që prej nisjes së pushtimit të plotë të Ukrainës nga Rusia në vitin 2022.

Vetëm gjatë këtij viti, Rusia ka dëbuar një tjetër diplomat britanik me akuza për spiunazh. Ndërsa në mars 2025, Moska dëboi dy zyrtarë britanikë, duke nxitur reagimin e Londrës, e cila i cilësoi akuzat si të pabazuara dhe mori masa reciproke duke hequr akreditimin për një diplomat rus dhe bashkëshorten e një diplomati.

Zhvillimet e fundit sinjalizojnë për një përkeqësim të mëtejshëm të marrëdhënieve diplomatike mes dy vendeve.

PS, 4 opsione territoriale/ Reforma, mazhoranca propozon variantet për ristrukturimin e bashkive

29 March 2026 at 13:40

TIRANË– Partia Socialiste ka 4 variante për reformën e re territoriale. Varianti i parë, bashkitë e vogla bashkohen me bashkitë e mëdha fqinje. Varianti i dytë, bashki të mëdha në nivelin e ish-rretheve. Edhe ky variant do e ulte numrin e bashkive nga 61 në 36.

Varianti i tretë, ruhen 61 bashkitë, por rolin e ekzekutivit e luan qarku, me zgjedhjen e kryetarit të qarkut në mënyrë të drejtpërdrejtë nga qytetarët.

Dhe i katërti, krijimi i 4 rajoneve me konsolidim të bashkive të vogla.

Këto variante u prezantuan për herë të parë në mbledhjen e zgjeruar qeveri-grup parlamentar të shtunën në Pallatin e Brigadave nga bashkëkryetari i komisionit të reformës territoriale, Arbjan Mazniku.

Në një prononcim nga Maliqi, kryetari i Kuvendit Niko Peleshi deklaroi se këto variante do të hidhen për diskutim në tryezë, por do të dëgjohen edhe propozimet e PD, dhe qëllimi është një reformë sa më konsensuale.

Ai garantoi se variantet e PS synojnë një reformatim të bashkive për t’i bërë sa më funksionale, kjo dhe në funksion të anëtarësimit të Shqipërisë në BE.

Vetë si kryetar i Kuvendit sqaroi se do të luajë rolin për të krijuar një klimë sa më pozitive për bashkëpunimin e palëve politike. Kurse i pyetur për përçarje brenda PS, Peleshi i hodhi poshtë si thashetheme.

Kriza e PD në veri, humb Matin me 40 përqind/ Bojni për ABC News: Votëbesimit të banorëve t’u përgjigjemi me punë

10 November 2025 at 15:00

Gara për kryebashikakun e Matit nuk solli surpriza në zgjdhjet e pjesshme lokale të 9 nëntorit ashtu si ne 4 bashkitë e tjera të vendit, të cilat do të drejtohen nga socialistët. Altin Bojni i Partisë socialiste fitoi bindshëm ndaj kundërshtarit të tij politik kryesor, kandidatit të Partisë Demokratike Eduart Brahilika duke marrë mbi 66% të votave, ndërsa rivali i tij vetëm 28.5%. Në një intervistë për ABC News, Altin Bojni thotë se mbështetja që mori nga matianet ishte përtej pritshmërive të tij.

Kryebashkiaku i Matit thotë se besimi që qytetarët i dhanë do t’ua shpërblejë me punë duke përfshirë investime të reja në infrastrukturë dhe në turizëm.

Në garën për Matin ishin përballë njeri tjetrit tre kandidatë duke përfshië edhe Suzana Pashën, drejtuesen e Forumit të Gruas në Partinë Socialiste në këtë Bashki. Suzana Pasha zgjodhi të dilte si kandidate e pavarur në këto zgjedhje duke arritur të marrë vetëm 4.9% të votave.

Mati ishte Bashkia me pjesëmarrjen më të lartë të votuesve në këto zgjedhje të pjesshme lokale të 9 nëntorit, me mbi 40% të qytetarëve që iu drejtuan kutive të votimit. Megjithatë krahasuar me zgjedhjet për kryebashkiak të vitit 2023, pati një rënie të ndjeshme të numrit të votuesve me rreth 5 mijë persona.

Kriza e PD në veri, humb Matin me 40 për qind

10 November 2025 at 07:34

MAT- Altin Bojni do jetë kryetar i bashkisë së Matit deri në 2027. Ai fitoi me se paku 66 për qind të votave përballë 28 për qind që mori kandidati i PD Eduart Brahilika.

Ai nuk u ndihmua dot as nga një kandidate e majtë, e cila mori së paku 5 për qind të votave duke konfirmuar kështu krizën e thelle të PD edhe në veri të vendit.

Rezultati sipas KQZ-së:

Zjarret/ 29 vatra në 24 orët e fundit, 13 ende aktive. Ministria e Mbrojtjes qytetarëve: Njoftoni autoritetet në çdo rast, strukturat në terren

26 July 2025 at 10:14

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 13 vatra janë ende aktive dhe 6 vatra janë në monitorim.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Bulqizë, Vlorë, Delvinë, Selenicë, Elbasan, Peqin, Dimal, Poliçan, Skrapar, Gjirokastër, Korçë, Devoll, Maliq, Pogradec, Tiranë, Fier e Kukës.

Aktualisht mbeten aktive këto vatra zjarri, ku është përqendruar edhe puna e forcave operacionale:

–       Qarku Vlorë. Në vendin e quajtur “Maja e Paliskës”, mbi fshatin Dukat. Në perimetrin e djegur ka prezencë të vogël tymi, pasi digjen trungje brenda tij dhe kjo vatër mbahet në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e plotë të zjarrit nga 7 efektivë të MZSH Vlorë dhe 4 forca të pyjores.

–       Në lartësitë e malit mbi fshatin Kalasë, njësia administrative Vergo, bashkia Delvinë, ka vazhduar puna për zjarrin e rënë në kullota. Ditën e djeshme ka vijuar operacioni me të gjitha strukturat, të ndihmuar nga 60 efektivë dhe 4 automjete zjarrfikëse të FA-së dhe gjithashtu janë asistuar nga helikopterë të FA-së dhe ata Hungarez.Gjatë operacionit pati djegie Shefi Komisariatit Delvinë, Agim Troci, si dhe 5 persona patën probleme nga asfiksia. Zjarri vazhdon të jetë aktiv dhe janë përshkuar 10 banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Mbi fshatin Ploç, njësia administrative Sevaster, bashkia Selenicë vazhdon aktiv zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurredhe ndodhet në një vijë të gjatë shtrirje të përhapur në kodrat në afërsi të fshatrave Velc – Ramic – Verbas – Matogjin të njësisë administrative Brataj. Ka prezencë të forcave operacionale, por për shkak të terrenit nuk mund të ndërhyjnë. Kërkohet ndërhyrje nga ajri.

–       Qarku Gjirokastër. Zjarri i rënë në fshatin Fushëbardhë dhe pranë tunelit të Skërficës, njësia administrative Cepo, i cili ka ardhur nga territori i bashkisë Delvinë, për shkak se ishte në lartësi të madhe, forcat operacionale nuk mundën të ndërhyjnë ditën e djeshme dhe e mbajtën situatën në monitorim. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale, pasi zjarri është afruar pranë tunelit të Skërficës.

–       Qarku Dibër. Në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë. Zjarri ka përshkuar mbi 350 ha sipërfaqe. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vazhduar puna për shuarjen e zjarrit . Në terren operuan 16 forca vendore dhe 30 efektivë nga FA, mbështetur edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Ditën e sotme zjarri zhvillohet në një perimetër me një shtrirje mbi 13 km, me zhvillime në tre kahe. Në njërin kah po zhvillohet nga Masdeja, ku përfshin sipërfaqe të konsiderueshme në pyje. Në njërin kah në vendin e quajtur Qafa e Tolle, ku rrezikohet një banesë, si dhe në vendin e quajtur Fushë Kuqe, ku rrezikohen tre banesa. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Ulëz, vatra e zjarrit është në monitorim dhe drejt izolimit të plotë. Sot janë angazhuar mbi 15 forca operacionale, të cilat po punojnë që të mos lejohet zhvillimi i zjarrit në vatra të ndezura brenda vatrës.

–       Vazhdon aktive, por me zhvillime të pakta, vatra e zjarrit të rënë në Livadhet e Peladhisë, e cila ka kaluar mbi fshatin Krajkë të bashkisë Bulqizë. Zjarri ka përshkuar mbi 40 ha sipërfaqe. Ditën e djeshme janë angazhuar në operacion 16 forca të bashkisë Bulqizë dhe zjarri është mbajtur nën monitorim për të ndaluar përhapjen e mëtejshme. Sot kjo vatër po vendoset nën kontroll nga 10 forca të bashkisë.

–       Qarku Elbasan. Nëz onën e Shmilit në fshatin Lugaxhi, njësia administrative Labinot-Mal, bashkia Elbasan, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë. Në terren u angazhuan rreth 50 forca, ku nga këta 20 janë forca ushtarake të FA-së dhe 30 forca janë të MZSH Elbasan, forca bashkiake dhe forca të pyjores. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Qarku Lezhë. Në zonën e Shkopetit. Pjesa më aktive e vatrës është përhapur në zonën e kufirit ndarës mes bashkive Kurbin-Mirditë-Mat, mbi lartësitë e fshatit Lurth. Ditën e djeshme janë angazhuar 39 forca vendore të bashkive Kurbin e Mirditë dhe 50 forca ushtarake të ndihmuar edhe nga 2 helikopterët Hungarez H225M. Nuk ka rrezik për banesat. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Qarku Korçë. Në fshatin Dishnicë. Vatra e zjarrit mbetet aktive, por me intensitet të ulët. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Zjarri në vendi i quajtur Qeramica ndërmjet fshatrave Trestenik- Vishocicë të bashkisë Devoll, për shkak të erës rrezikon të përhapet, pasi vendi ku është kjo vatër zjarri është i veshur me barishte e shkurre. Në vendngjarje ndodhen forcat operacionale, që po punojnë për neutralizimin e saj

–       Vatra në fshatin Strelcë, bashkia Maliq vijon në drejtim të Veriut. Vatrat e tjera janë të neutralizuara  dhe po mbahen në monitorim për të mos lejuar riaktivizim.

–       Po punohet për shuarjen e zjarrit  në fshatin Kriçkovë, njësia administrative Proptisht, bashkia Pogradec.

–       Qarku Berat. Në fshatin Muzhakë. Terreni është malor, pyll lisi dhe bimësi të dendur dhe vështirëson ndërhyrjen e punonjësve të zjarrfikëses, por situata është nën kontroll.

–       Në fshatin Konisbaltë, bashkia Dimal. Zjarri është në kufi të dy bashkive Dimal dhe Berat (në fshatin Mbreshtan dhe Galinë). Gjatë natës zjarri ka përparuar në drejtim të fshatrave Mbjeshovë, dhe Bistrovicë. Dje është ndërhyrë edhe me 1 helikopter Hungarez H225M. Sot po vazhdon puna për shuarjen e zjarrit nga forcat operacionale.

–       Në fshatin Zgërbon, bashkia Poliçan po vijon puna për shuarjen e flakëve nga forcat operacionale.

–       Qarku Kukës, në vendin e quajtur Gryka e Motinës, mbi fshatin Dragobi, brenda Parkut Kombëtar të Alpeve të Shqipërisë. Për shkak të terrenit të vështirë dhe largësisë, punonjësit e AdZM-së nuk kanë mundur të izolojnë vatrën e zjarrit. Ditën e sotme janë angazhuar 7 punonjës të AdZM Kukës, për shuarjen e zjarrit.

–       Në Malin me Gropa, saktësisht në vendin e quajtur Fusha e Stanëve, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një terren me barishte të buta. Sipërfaqja e djegur e raportuar është më shumë se 10 ha. Sot kjo vatër zjarri vazhdon të jetë aktive dhe po punohet me 30 forca operacionale MZSH dhe 11 forca AdZM.

Në total nga zjarret janë djegur mbi 450 hektarë sipërfaqe me bimësi, rrënjë ullinj e pemë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 45 automjete zjarrfikëse dhe 485 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 140 efektivë, 5 automjete zjarrfikëse dhe 2 Helikopterë nga Forcat e Armatosura e 2 helikopterë hungarezë.

Nga parashikimet e Institutit të Gjeoshkencave (IGJEO), sot nuk priten reshje shiu.

Sa i përket zjarreve, sot pritet nivel rrezik “I LARTË” në të gjitha qarqet. Ndërsa temperaturat maksimale pritet të shkojnë deri në 43 gradë celsius në zonat e ulëta.

Të gjitha strukturat e Mbrojtjes Civile janë të angazhuara në të gjithë territorin e vendit, në ndjekje të situatës së krijuar nga zjarret. Në këto ditë me temperatura ekstreme, ftojmë qytetarët të tregojnë kujdes, të shmangin ndezjen e zjarreve në natyrë dhe të njoftojnë autoritetet vendore në rast të konstatimit të vatrave të zjarrit.

Situata me zjarret në vend, gjatë 24 orëve u raportuan 22 vatra, 11 prej tyre ende aktive

23 July 2025 at 11:31

Gjatë 24 orëve të fundit janë raportuar 22 vatra zjarri nga të cilat 11 janë ende aktive dhe 1 është nën monitorim.

Vatrat janë evidentuar në bashkitë: Dibër, Mat, Vlorë, Elbasan, Kurbin, Lezhë, Devoll, Korçë, Pustec, Pogradec, Gjirokastër, Përmet, Fier, Berat, Tiranë, Dimal, Malësi e madhe dhe  Kukës.

Ndërkohë aktualisht mbeten aktive vatra zjarri në vendin e quajtur “Liqeni i Luleve”, pjesë e Parkut Kombëtar Lurë, bashkia Dibër ku vazhdon zjarri që po zhvillohet në tre vatra, por me intensitet të ulët gjatë natës. Vatrat janë aktive mbi fshatin Gurë Lurë, rreth Liqenit të Zi dhe në Fushën e Pelave.

–              Në fshatin Ulëz, bashkia Mat, situata është shumë e vështirë pasi zjarri po zhvillohet në drejtim të pyjeve. Për shkak të terrenit dhe përmasave të zjarrit, forcat operacionale nuk kanë mundur të vënë nën kontroll.

–              Në fshatin Zall Gjoçaj, njësia administrative Derjan, bashkia Mat, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në vendin e quajtur “Përroi i Zi”, një sipërfaqe pyjore me pisha dhe ah. Relievi shkëmbor dhe shumë i thyer e bën të vështirë ndërhyrjen me mjete zjarrfikëse. Ditën e djeshme në terren u angazhuan 40 forca bashkiake dhe 30 efektivë nga FA, 1 avion Canadair nga shteti Italian.

–              Në vendin e quajtur “Maja e Pliskës, mbi fshatin Dukat, bashkia Vlorë, zjarr është shumë intensiv në sipërfaqe shkurre, kullotë dhe pylli me pishë. Flakët të ndihmuara nga era përfshinë edhe kurorat e pishës, duke e bërë problematike gjendjen. Ditën e sotme vazhdon operacioni me forcat 32 operacionale të ndihmuar me 80 forca ushtarake, 2 helikopter të FA-së.

–              Në Qarkun Lezhë ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe pyjore me pisha dhe pemë lisi, në afërsi të tunelit të Shkopetit, në rrugën Shkopet-Burrel. Është shmangur përhapja drejt banesave.

–              Në fshatin Vernik, bashkia Devoll, vijon puna për shuarjen e zjarrit të  rënë në një sipërfaqe me shkurre.

–              Në fshatin Dishnicë, bashkia Korçë, vijon puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Zjarri vazhdon të përhapet në drejtim të verilindjes drejt Ҫardhakut, i ndihmuar nga era dhe bimësia e shumëllojshme.

–              Në fshatin Pustec, bashkia Pustec ka rënë zjarrin e rënë në vendgrumbullimin e mbetjeve  dhe sot vijon puna për izolimin dhe fikjen përfundimtare të tij.

–              Në fshatin Kosinë, bashkia Përmet, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit të rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyll. Në fshatin Kutal janë përqendruar pjesa më e madhe e forcave për shuarjen e zjarrit, pasi është ende aktiv. Rrezik për banesa nuk ka.

–              Në malin Sukë, fshati Mamëz, bashkia Kukës, zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre ka marrë përmasa dhe rrezikon banesat e fshatit Mamëz. Sot vijon operacioni me forcat operacionale dhe me 100 forca ushtarake për shuarjen e zjarrit.

Ndërkohë situata vijon të jetë në monitorim, në vendin e quajtur “Livadhi i Peladhisë”, njësia administrative Zerqan, bashkia Bulqizë,  zjarri i riaktivizuar ka kaluar në fshatin Strikçan, njësia administrative Zerqan, dhe po monitorohet nga Shërbimi vendor i MZSH të bashkisë Bulqizë me 1 automjet zjarrfikës dhe 8 efektivë dhe 8 forca bashkiake.

Si pasojë e zjarreve të rënë,  kryesisht në sipërfaqe me bimësi e pyjore janë djegur rreth 17 hektarë.

Forcat e angazhuara : Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 36 automjete zjarrfikëse dhe 635 forca operacionale. Gjithashtu në operacionet e ditës së djeshme morën pjesë, 190 forca nga FA me 19 mjete dhe 2 Helikopterë, 2 avionë Canadair nga shteti Grek dhe 1 nga shteti Italian. Gjatë ditës sotme janë në operacione 345 forca ushtarake, 2 helikopterë dhe 1 automjet zjarrfikëse me efektivin përkatës.

Kushtet atmosferike dhe rreziku i zjarreve: Sipas informacionit të nga Instituti i Gjeoshkencave (IGJEO), në Qendrën Kombëtare Operacionale të Emergjencave Civile (QKOEC),  sot nuk priten reshje në të gjithë territorin.

Për zjarret në pyje sot pritet nivel rreziku “I LARTË” në të gjitha qarqet, ndërsa në qarqet Durrës dhe Shkodër pritet nivel rrezik “I MODERUAR”. Rrezik “I LARTË” pritet gjithashtu nё zona tё lokalizuara të qarkut Shkodër (Jug)  dhe qarkut Durrës (Jug Lindje).

/abcnews.al/

Rama ndan pamjet nga Mati: Panoramë e jashtëzakonshme dhe një destinacion që s’duhet lënë pa u vizituar

30 May 2025 at 08:06

Numri i turistëve në vend, vijon të mbetet i lartë. Të huajt zgjedhin çdo ditë e më shumë si destinacion për pushime Shqipërinë.

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamje nga Mati, ku duket një pamje mahnitëse që të ofron natyra.

Rama shprehet se vendi të ofron një panoramë e jashtëzakonshme dukë nënvizuar se është një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar

“MIRËMËNGJES dhe me pamjet e mrekullueshme nga Mati, ku natyra ofron një panoramë të jashtëzakonshme dhe një destinacion që nuk duhet lënë pa u vizituar, ju uroj një ditë të mbarë”, ka thënë Rama.

Toka kërkon “analiza”/ Ekspertët: Fermerët orientohen për kulturat që duhet të mbjellin

22 February 2025 at 14:19

Kemi ardhur në fshatin Shytaj të Njësisë Administrative Petrelë në Tiranë. Bujqësia është aktiviteti kryesor i banorëve të këtyre fshatrave. Kulturat që kultivohen janë të ndryshme, por mbizotëron vreshtaria.

Arben Sinani, ka një nga fermat më të mëdha në këtë zonë.

“Kemi vreshte 8 dylym, kam agrume 200 rrenje, ullinj 500 rrenje, pjesa tjeter është me grurë, jonxha edhe foragjere”.

Puna në bujqësi nuk ka orare fikse, por lidhet me dritën e diellit. Dita e tij në punët e tokës nis herët në mëngjes deri pasdite vonë. Në prag të pranverës shtohet edhe më shumë.

“Jam marrë me krasitjen, me lidhjen, do behet sperkatja tani, pastaj pleherimi”.

Vreshtat e rrushit përbëjnë aktivitetin kryesor të prodhimeve të tij.

“Cili ka qenë viti më i mirë i prodhimit? Para dy vitesh u dogjem qe na ra semundja. Vitet e tjera kemi qenë mire po të punosh të jep”.

63 vjeçari që me bujqësinë ka siguruar gjithnjë të ardhurat për familje ne tij shprehet i kënaqur me prodhimin që merr, por asnjë vit nuk është njësoj.

Fermerët ankohen vazhdimisht se në fund nuk marrin rendimentin e duhur të prodhimit. Për këtë specialistët e bujqësisë rekomandojnë që të bëjnë analizat e tokës.

Arben Sinani për herë të fundit i ka bërë analiza tokës së tij në vitin 2008.

Specialistët e bujqësisë morën mostrat e dheut në vreshtat e Arbenit, që më pas dërgohen në laborator, duke informuar në këtë mënyrë dhe fermerët e tjerë të zonës.

“Fillimisht pastrojmë pjesën e sipërme të tokes. Ketë dheun siç e kemi e hedhim ne një kove apo karroce. Kjo është një moster e vogël, tani do shkojmë diagonal  në parcelë për të marrë mostra të tjera”.

Teknika e përdorur është e thjeshtë. Ajo mund të kryhet me mjete rrethanore nga çdo fermer.

“Zakonisht ne perdorim sonda, por fermerët nuk kanë sondë, kështu që me një bel sic e bëra unë marrin dheun, bëjnë përzierjen dhe e cojnë më pas në laborator”.

Mbi bazën e të dhënave shkencore që dalin nga analizat, fermerët orientohen mbi sasinë dhe llojin e plehrave organikë që duhet të përdorin për të mbjellat.

“Nepërmjet analizave të tokes ne percaktojmë përshtatshmerine e kulturave bujqësore me tokën. Percaktojmë edhe tokën që është më e përshtatshme dhe sasinë e lendës ushqyese qe ka toke dhe mbi kete baze percaktohet bilanci i plehrimit qe kerkon kultura bujqesore. Fermeri ndihmohet per te percaktuar llojin e plehut, sasine që duhet të perdore”.

Specialistët këshillojnë fermerët edhe për periudhat e përshtatshme se kur duhet të kryhen këto analiza.

“Analizat e tokës kryhen për të gjitha kulturat, kryhen minimalisht njehere në dy vitë. Kemi dy qendra të analizave ne Kruje dhe te Universiteti Bujqesor. Kanë tarifat e tyre. 5 mije leke”.

Fermerët shqiptarë nuk janë të ndërgjegjësuar mbi rëndësinë e analizës së tokës. Sipas specialistëve, ruajtja e përmbajtjes së duhur të lëndëve ushqyese të tokës përmirëson të mbjellat dhe ul kostot e plehrave organikë që janë të kushtueshëm për fermerët, të cilët në këtë mënyrë shpenzojnë vetëm për sasinë që nevojitet pa e tepruar, që përkthehet në para shtesë./abcnews.al

Sinamati i bën autopsinë PD/ Përjashtohet nga Noka. E quan “kufomë politike”

21 February 2025 at 18:05

Nga besnikë në të përjashtuar. Në PD nuk mjafton vetëm ti bindesh kryetarit. Admir Sinamati, kandidati i berishës i cili humbi zgjedhjet lokale në Kukës përballë Safet Gjicit, është përjashtuar nga primaret për PD.

Siç thotë ai, jo nga Sali Berisha, por nga krahu i djathtë i doktorit, Flamur Noka.

“Pasi u përbetua lart e poshtë prej kaq kohësh duke kërkuar bashkëpunëtorë në bazë dhe qendër e nuk ia doli dot, dje, Flamur Noka kishte zgjedhur skenarin më të turpshëm; përjashtimin tim nga kandidimi në Kukës për çështje etike, duke bashkëpunuar me drejtuesen e KOKOE në PD zj. Albana Vokshi.

Pavarsisht kërkesës së kësaj të fundit, dhe insistimit hakërryes të Flamurit, fillimisht kryesia e PD dhe vetë Dr. Berisha ua hodhi poshtë këtë dëshirë; por insistimi ishte aq këmbëngulës nga ana e Nokës sa çuditërisht e çbëri këtë vendim kryesie rreth 30 minuta pas përfundimit të mbledhjes. “

Urdhrat që nuk i komunikon dot vetë, Berisha mesa duket i delegon, për të mbajtur larg kritikat ndaj tij për primaret, kur të paktën 5 deputetë i kanë refuzuar.

Por Admir Sinamati, inatin e ka me patriotin dhe kolegun e tij mjek, Flamur Nokën, të cilit i jep këshilla për etikën dhe librat.

“Ju nuk keni se si t’i zbatoni parimet etike kur nuk i njihni ato, sepse raportin me librin dhe njerzillëkun e keni patur gjithmonë armiqsor Flamur.  Nuk e di por jam i sigurtë nga veprimet që bën, se në bibliotekën tënde të përdorshme mund të keni vetëm një libër; “Zhozef Fushe” të Stefan Zëeig. Edhe një gjë o Flamur: ju e dini se jam i specializuar në Mjekësi ligjore dhe si i tillë shpesh më duhet “të flas” me kufoma, si patolog politik do kisha dëshiruar të mos merrem kurrë me kufoma politike, por nëse ndodh unë ua di gjuhën edhe atyre.”

Admir sinamati ka qenë mjek ligjor. Ai mbahet mend si mjek sepse bëri ekspertizen post mortum të Kosta Trebickës. Por reagimi i tij i fundit, ishte ekspertiza e vdekjes politike të një formacioni që solli demokracinë, por nuk arriti ta aplikonte dot mbi trupin e saj.

U fut për të vjedhur në banesë, kapet në flagrancë i riu në Vaun e Dejës

18 October 2024 at 09:23

VAU I DEJËS- Arrestohet në flagrancë një 24-vjeçar në Vaun e Dejës, i cili kishte hyrë për të vjedhur në një banesë.

Policia sekuestroi edhe një kaçavidë, e cila iu gjet 24-vjeçarit, gjatë kontrollit fizik.

Grupi hetimor po kryen verifikimet për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së 24-vjeçarit/ abcnews.al

Aksident në Klos, 19-vjeçari përplas për vdekje këmbësorin

6 October 2024 at 10:26

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen është regjistruar këtë të dielë në fshatin Suç të Bashkisë Klos.

Një 41 vjeçar u përplas për vdekje në rrugën e fshatit Kurdari pak metra larg kishës së fshatit. Leonard Doçi po lëvizte në këmbë nga fshati Kurdari për në rrugën nacionale Klos – Burrel kur është goditur nga automjeti tip benz më drejtues 19 vjeçarin Ergis Selimi.

Përplasja ka qenë e fortë teksa e ka zhvendosur disa metra larg 41 vjeçarin duke e nxjerrë jashtë rrugës. Automjeti ka lëvizur në kanal përreth 30 metra ku dhe ka ngecur aty.

41 vjeçari Leonard Doçi është transportuar me urgjencë për në spitalin e Burrelit por për shkak të plagëve të marra ka humbur jetën.

Ndërkohë 19 vjeçari është shoqëruar në Komisariatin e Policisë Mat. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur grupi hetimor për të zbardhur shkaqet e vërteta të aksidentit ku paraprakisht dyshohet të jetë shpejtësia e lartë dhe lagështia në rrugë./abcnews.al

❌