Normal view

DASH: Dialogu Strategjik me Kosovën kur të përmbushen kushtet dhe zotimet ndaj serbëve

By: Rovena
17 July 2026 at 09:54

Shtetet e Bashkuara thanë se janë në pritje të krijimit të kushteve për nisjen e Dialogut Strategjik me Kosovën, duke theksuar se ato përfshijnë edhe përmbushjen e zotimeve të Prishtinës ndaj pakicës serbe.

Në një përgjigje për Radion Evropa e Lirë, një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit rikujtoi se Dialogu Strategjik u pezullua në shtator të vitit 2025, “për një periudhë të pacaktuar”, për shkak të shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë të Kosovës.

“Ne mbetemi të përkushtuar për avancimin e interesave të përbashkëta të Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës. Presim me padurim të zhvillojmë një Dialog Strategjik me Kosovën kur të krijohen kushtet e duhura, përfshirë përmbushjen nga Kosova të zotimeve të saj në raport me serbët e Kosovës”, thuhet në përgjigje.

Departamenti i Shtetit nuk dha një afat se kur mund të nisë Dialogu Strategjik dhe nuk i specifikoi më shumë hapat që i pret nga autoritetet e Kosovës.

Përgjigjja vjen në ditën kur Uashingtoni nis rundin e parë të Dialogut Strategjik me Serbinë – një proces që synon thellimin e bashkëpunimit dypalësh në fusha si: siguria, ekonomia dhe politika e jashtme.

“Nëpërmjet këtij dialogu, SHBA-ja dhe Serbia do të punojnë për arritjen e objektivave të përbashkëta, përfshirë paqen dhe stabilitetin rajonal, zgjerimin e lidhjeve në fushën e biznesit dhe arsimit, si dhe ndërtimin e një të ardhmeje më të begatë”, tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Kur dhe pse u pezullua Dialogu Strategjik me Kosovën?

Ambasada amerikane në Prishtinë njoftoi më 12 shtator 2025 se Shtetet e Bashkuara e kishin pezulluar për një periudhë të pacaktuar Dialogun Strategjik me Kosovën.

Në atë kohë, Ambasada tha se vendimi është marrë për shkak të “shqetësimeve lidhur me veprimet e Qeverisë në detyrë”, të cilat, sipas saj, “kanë rritur tensionet dhe paqëndrueshmërinë” dhe kanë kufizuar aftësinë e Shteteve të Bashkuara për të punuar në mënyrë produktive me Kosovën për prioritetet e përbashkëta.

Vendimi erdhi pasi autoritetet e Kosovës ndërmorën veprime ndaj institucioneve serbe që funksiononin në Kosovë.

Ato, po ashtu, kritikuan publikisht Gjykatën Kushtetuese të vendit për një vendim lidhur me mandatin e deputetëve.

Uashingtoni i cilësoi këto zhvillime si faktorë që rritën tensionet politike dhe vështirësuan bashkëpunimin, ndërsa Qeveria në detyrë tha se ato ishin “të ligjshme dhe kushtetuese”.

Çfarë pritet nga Kosova në raport me serbët?

Prej vitesh, Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian i kërkojnë Kosovës të zbatojë marrëveshjet e arritura në dialogun me Serbinë, të ndërmjetësuar nga BE-ja.

Ato përfshijnë, mbi të gjitha, themelimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe dhe sigurimin e një niveli të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, në përputhje me Marrëveshjen Bazë të vitit 2023 dhe Aneksin e Ohrit.

Po ashtu, Perëndimi kërkon që Kosova t’i zgjidhë kontestet me Kishën Ortodokse Serbe, të mbrojë liritë fetare dhe të shmangë veprime të njëanshme në veriun e vendit, të cilat, sipas Uashingtonit, kanë rritur tensionet me komunitetin serb.

Kosova argumenton se zbatimi i obligimeve nga dialogu duhet të jetë i ndërsjellë, ndërsa veprimet e saj në veri – nga heqja e dinarit serb nga përdorimi deri te mbyllja e shumicës së institucioneve paralele serbe – kanë pasur për qëllim shtrirjen e sundimit të ligjit.

Prishtina, gjithashtu, kërkon ta nënshkruajë Marrëveshjen Bazë, gjë të cilën Beogradi e ka refuzuar.

Për vazhdimin e dialogut me Serbinë , autoritetet e Kosovës kërkojnë ekstradimin e ish-nënkryetarit të Listës Serbe, Millan Radoiçiq, i cili ka marrë përgjegjësinë për sulmin e armatosur në Banjskë në shtator të vitit 2023.

Radoiçiq është nën sanksione të Shteteve të Bashkuara për përfshirje në korrupsion dhe aktivitete të krimit të organizuar, ndërsa ndaj tij është ngritur aktakuzë në Kosovë për terrorizëm dhe vepra të tjera penale./REL

“Non grata” mbetet, por Berisha merr vizë për SHBA/ Bejko: DASH nuk ka rrëzuar akuzat për Saliun!

12 June 2026 at 13:34

Sali Berishës i jepet vizë për në SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit sqaroi më herët për ABC News se ka lëshuar disa përjashtime për të sanksionuarit bazuar në nenin 7031(c), kur u pyet për kryetarin e PD. Lëshime që përfshijnë një grup të sanksionuarish, përfshirë Berishën.

Në një intervistë në “NewsLine” në ABC News, analisti Roland Bejko komentoi lajmin e DASH i cili i lejoi Berishës hyrjen e tij në SHBA.

Gjatë intervistës, Bejko tha se DASH nuk ka rrëzuar akuzat për ish-kryeministrin Sali Berisha. Ai u ndal edhe te shumat e shpenzuara për lobim, duke deklaruar se sipas të dhënave publike janë shpenzuar rreth 6.5 milionë dollarë

“Gjithë opinioni publik ka paguar rreth 6.5 mln dollarë. Lobimi ka vazhduar intensivisht. Zotit Berisha i pëlqen të thotë se i kanë hequr non gratën. Por ai tha se nuk ka qenë ndonjëherë non grata por nuk i lejohej lëvizja. Por të gjithë e kanë krijuar një mendim për zotin Berisha dhe e kanë të qartë tashmë dhe çdo tentativë që bën Berisha që i është hequr non grata, sepse nuk bëhet fjalë për një udhëtim, por a e pranojnë amerikanët Berishën që të jetë nesër kryeministër i vendit apo jo? Këtë duhet të sqarojnë”, tha Bejko.

Gjithashtu ai theksoi se sot jo vetëm shqiptarët, por edhe demokratët nuk i besojnë Berishës.

“Berishës i duhet politikisht t’i hiqet non grata që i kanë vendosur shqiptarët sepse ky është problemi më i madh që ka. Por politikanët shqiptarë janë të pasur sidomos qeveritarët e lartë. Sado që Berisha thotë janë mbledhur donatorë, të gjithë besojnë se janë para nga njerëz të afërt të Berishës. Me 6.5 mln dollarë mund të paguash një lobim por nuk mjaftojnë që të marrësh 800 mijë vota të shqiptarëve. Nëse i është hequr vetëm viza, kjo do t’i mobilizojë përgjysmë ata demokratë. Në fillim Berisha tha më mbështesni mua se për 6 muaj rrëzohet Rama dhe ka kaluar kohë dhe ja ku jemi. Mund të themi se është një grup i fortë pranë administratës Trump, janë më pragmatistë dhe e njohin mirë edhe vlerën e parasë. Por do të ishte lajm i mirë nëse do rrëzoheshin të gjitha akuzat, që madje i kanë përforcuar edhe më tej britanikët”, tha ai.

/abcnews.al/

“Non grata mbetet”/ Gazetari Mahmutaj: Berisha priti 5 vjet dhe pagoi 6 milionë dollarë për një vizë shëndetësore!

By: Rovena
11 June 2026 at 23:33

Departamenti Amerikan i Shtetit ka sqaruar se kryetarit të Partisë Demokratike, Sali Berisha, i është dhënë një vizë për në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke aplikuar një përjashtim të posaçëm të parashikuar nga neni 7031(c).

Pavarësisht këtij zhvillimi, DASH konfirmoi se sanksioni “non grata” ndaj tij dhe familjes së tij mbetet plotësisht në fuqi dhe nuk ka asnjë vendim të dytë që e shfuqizon atë.

Ndërkohë, gazetari Fatos Mahmutaj në një intervistë për “ABC News”, e cilësoi këtë si një vizë thjesht shëndetësore që ka kushtuar 5 vite përpjekje dhe 6 milionë dollarë.

Sipas tij, ky hap nuk e pastron figurën e liderit të opozitës, pasi dosjet e palës amerikane janë të kopsitura dhe “njolla e turpit” e shpalljes së padëshirueshëm vazhdon të mbetet një mur i pakapërcyeshëm për karrierën e tij politike.

“Berisha nëse do të ishte në rregull me non gratën, në vitin 2021 është publikuar në faqen e DASH. Non grata vazhdon të jetë për Berishën dhe familjen e tij dhe nuk është cenuar. Vazhdon të jetë! Nuk ka një vendim të dytë që e shfuqizon këtë. Berisha të mos vazhdojë të bëjë ‘shejtan budallain’.

Berisha të gënjen edhe kur e pyet se sa është ora, jo më për të tjerat. Këto marifete nuk e bëjnë më të zgjuar. Berisha vazhdon me përçartjen e tij dhe mendon që ta përdorë si kauzë të opozitës. Nëse Berishës i duheshin 5 vite për të marrë një vizë, imagjino se sa do i duhen për të hequr non gratën, mund të mos e heqë kurrë.

Është manipulator dhe luan me atë njollë turpi dhe është parë për të mbyllur atë karrierë politike me turp. Iu deshën 5 vite dhe 6 milionë dollarë për të marrë një vizë shëndetësore. Muri vazhdon të jetë dhe më i madh se kurrë, sepse amerikanët nuk marrin vendime me ego personale, por i kanë dosjet dhe provat e kopsitura. Këto njolla turpi nuk i hiqen Berishës. Nuk i hiqet kollaj non grata”, tha gazetari Fatos Mahmutaj.

Non grata mbetet, por Berisha merr vizë SHBA/ Nuk anulohet dekreti 7031c, ende mister motivet e vizitës

By: Rovena
11 June 2026 at 23:14

Sali Berishës i jepet vizë për në SHBA. Departamenti Amerikan i Shtetit sqaroi për ABC News se ka lëshuar disa përjashtime për të sanksionuarit bazuar në nenin 7031(c), kur u pyet për kryetarin e PD. Lëshime që përfshijnë një grup të sanksionuarish, përfshirë Berishën.

“Departamenti i Shtetit ka lëshuar përjashtime (ëaivers) për disa përcaktime sipas nenit 7031(c), të vendosura nga administrata e mëparshme, pasi dhënia e këtyre përjashtimeve i shërben një interesi kombëtar bindës të Shteteve të Bashkuara”.

Por termi waivers në DASH përdoret vetëm për vizat. Nënkupton përjashtime vetëm për disa masa ndaluese të të sanksionuarve, siç është ndalimi për hyrje në SHBA.

Ndërkohë që non grata, referuar nenit 7031(c), mbetet, për akuzat për korrupsion në nivele të larta dhe shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Waivers përdoren kur ndalimi i hyrjes nuk zbatohet në një apo disa raste, kur një i sanksionuar lejohet të hyjë në SHBA për arsye specifike apo disa pasoja të sanksionimit pezullohen përkohësisht.

DASH nuk jep sqarime nëse ky përjashtim është vetëm për Sali Berishën, apo dhe për bashkëshorten Liri Berisha dhe dy fëmijët, Argita Malltezi dhe Shkëlzen Berisha, gjithashtu non grata.

Sipas njoftimit, deri tani e sigurt është se viza për në SHBA është dhënë vetëm për Sali Berishën dhe nuk dihet nëse ky lëshim i është bërë edhe Tom Doshit dhe Vangjush Dakos, edhe ata nën të njëjtin sanksion.

Sipas DASH, përjashtimet po bëhen për të siguruar një interes kombëtar bindës në SHBA, por nuk jepet arsyeja specifike pse, në rastin e Sali Berishës, është bërë ky përjashtim.

Megjithatë duket se Berisha e ka paguar shtrenjtë një vizë për SHBA, pasi kjo ishte vetëm kërkesa e parë minimale e kompanisë Continental Strategy, të cilën e pagoi 6 milionë dollarë fushatën e kaluar.

Dhe ndërsa mediat e familjes dhe oborrtarët e PD trumbetonin heqjen e non gratës, duket se kjo është arsyeja pse Berisha nuk ishte dhe aq i entuziazmuar kur doli lajmi.

Vetë e dinte mirë, thjesht dhe këtë herë gënjeu të vetët.

“Unë kam komunikim zyrtar, ndaj jam këtu, u ktheva. S’kam qenë kurrë non grata, më ishte ndaluar hyrja në SHBA, sanksionimi ishte vetëm për vizë.”

Berisha njofton heqjen e “non grata”: “M’u komunikua lejimi për të hyrë në SHBA”, por DASH nuk ka njoftim zyrtar

11 June 2026 at 18:25

Një informacion nga Syri TV dhe PD thotë se Sali Berishës i është hequr non grata pas 5 vitesh nga SHBA.

Vetë Berisha në Parlament nuk foli për non gratën, por tha se i kanë komunikuar heqjen e ndalimit të hyrjes në SHBA.

Berisha: “Kam komunikim zyrtar. Unë u ktheva. Nuk kam qenë kurrë non grata. Kam pasur vetëm sanksion, ndalim hyrjeje në SHBA. Unë u ktheva.”

Kurse mazhoranca socialiste u tregua e kujdesshme për këtë informacion të dalë nga PD.

Balla: “Ajo 7031(c) vështirë të hiqet, por ne presim njoftimin zyrtar të DASH dhe SHBA.”

Por, veç mediave të familjes, të tjerat janë treguar të kujdesshme me informacionin.

Burime pranë Berishës thonë se ai thotë se ka pasur një telefonatë me anë të së cilës i është komunikuar një vendim nga SHBA.

ABC News pyeti Ambasadën Amerikane në Tiranë, por prej saj nuk erdhi asnjë përgjigje zyrtare. Ndaj, në vijë logjike, ndoqëm rrugën të pyesim direkt Departamentin e Shtetit.

Deri në këtë orë, nuk mori asnjë përgjigje nga DASH.

Ndërkohë, shpallja non grata e Sali Berishës dhe familjes së tij më 19 maj 2021 është ende publike në faqen zyrtare të Departamentit Amerikan të Shtetit. ABC News do të njoftojë nëse do të ketë një përgjigje zyrtare nëse do të hiqet ose jo.

Heqja e sanksionit 7031(c) është një gjë që nuk ka ndodhur kurrë më parë. Rasti Berisha ishte thuajse unikal. Por a është heqje e sanksionit për të dhe familjen? A është procedurë për të rishqyrtuar dosjen? A është një lëshim i përkohshëm për një vizitë në Amerikë? Dhe nëse po, cilat janë motivet? Personale? Humanitare? Zyrtare apo politike?

Në pritje të përgjigjes nga DASH, gjithsesi ABC News po bën publike pyetjet që i dërgoi asaj:

A është hequr sanksionimi 7031(c) nga:

  • Sali Berisha
  • Liri Berisha
  • Shkëlzen Berisha
  • Argita Malltezi

A i keni dhënë leje hyrjeje për në SHBA kryetarit të PD-së, Sali Berisha?

Nëse po, me çfarë motivi, dhe pse?

Jemi në pritje të një përgjigjeje./abcnews.al

DASH: Bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës

2 May 2026 at 20:57

Shtetet e Bashkuara të Amerikës po ndjekin nga afër zhvillimet e fundit në Kosovë, ndërsa shprehin shqetësim për vazhdimin e bllokadës politike në vend. Një zëdhënës i Departamentit amerikan të Shtetit tha për Radion Evropa e Lirë se “bllokimi i vazhdueshëm politik dëmton besimin në institucionet e Kosovës”.

“Ne po i ndjekim nga afër zhvillimet. Do të donim t’i shihnim të gjitha grupet politike të bashkëpunojnë për interesat më të mira të popullit të Kosovës”, tha zëdhënësi.

Kosova do të mbajë zgjedhjet e parakohshme parlamentare më 7 qershor. Ato u shpallën pasi Kuvendi u shpërnda automatikisht këtë javë, për shkak të dështimit për të zgjedhur presidentin e ri brenda afatit kushtetues.

Partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje, e akuzoi opozitën për bojkotim të qëllimshëm të seancave, ndërsa partitë opozitare e fajësuan pushtetin për mungesë bashkëpunimi dhe për tentim të përqendrimit të pushtetit në një dorë të vetme.

Legjislatura e dhjetë, e dalë nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit, zgjati më pak se tre muaj. Ato zgjedhje u mbajtën pas një krize të zgjatur politike që nisi pas zgjedhjeve të rregullta të 9 shkurtit 2025, kur Kuvendi nuk arriti të konstituohej për muaj të tërë dhe përpjekjet për formimin e Qeverisë përfunduan pa sukses.

Analistët paralajmërojnë se Kosova rrezikon të përballet me një skenar të ngjashëm me atë të Bullgarisë, e cila në pesë vjetët e fundit ka kaluar nëpër shtatë cikle zgjedhjesh të njëpasnjëshme, pa arritur stabilitet institucional.

Ata shtojnë se kriza ndikon edhe në ritmin e vendimmarrjes shtetërore dhe sjell barrë të konsiderueshme financiare për buxhetin e shtetit. Më 2 maj, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi se ka nisur afati për partitë politike për t’u deklaruar për pjesëmarrje në zgjedhjet e 7 qershorit, si dhe për formimin e koalicioneve, i cili do të zgjasë deri më 7 maj.

Sipas planit të aktiviteteve të miratuar nga KQZ-ja, më 2 maj ka nisur edhe afati për certifikimin e partive të reja dhe dorëzimin e listave të kandidatëve për deputetë. Afati për partitë e reja përfundon më 10 maj, ndërsa për listat e kandidatëve më 12 maj.

Një ditë më parë, KQZ-ja miratoi edhe planin e aktiviteteve dhe buxhetin për zgjedhjet e parakohshme, të cilat do të kushtojnë 10 milionë e 887 mijë euro.

Fushata zgjedhore do të zgjasë 10 ditë, nga 28 maji deri më 7 qershor në orën 07:00, kur hapen vendvotimet. Votimi me postë do të zhvillohet nga 25 maji deri më 6 qershor, ndërsa një ditë para zgjedhjeve do të organizohet votimi në përfaqësitë diplomatike.

Regjistrimi për votim nga jashtë vendit do të bëhet nga 6 deri më 17 maj. Në zgjedhjet e 28 dhjetorit, mbi 2 milionë qytetarë të Kosovës, brenda dhe jashtë vendit, kishin të drejtë vote – një shifër që pritet të mbetet e ngjashme edhe në zgjedhjet e ardhshme. Pjesëmarrja ishte rreth 45 për qind./REL

DASH: Rubio në Francë për takimin e G7 mbi Ukrainën dhe Lindjen e Mesme

24 March 2026 at 15:19

 Sekretari i Shtetit i Shteteve të Bashkuara, Marco Rubio, do të jetë në Francë më 27 mars, ku do të diskutojë luftën në Ukrainë, situatën në Lindjen e Mesme dhe kërcënimet ndaj sigurisë globale me kolegët e tij në takimin e ministrave të jashtëm të vendeve të G7, njoftoi Departamenti Amerikan i Shtetit. 

Sipas njoftimit, Rubio do të marrë pjesë në një takim në Sernay-la-Ville, pranë Parisit, ku do të diskutojë sfidat e përbashkëta të sigurisë dhe mundësitë për bashkëpunim me ministrat e vendeve partnere.

Siç është njoftuar, një nga temat kryesore do të jetë situata në Lindjen e Mesme, të cilën Sekretari i Shtetit do ta diskutojë me kolegët e G7 të premten.

Administrata Trump anulon më shumë se 100 mijë viza vetëm për një vit

By: Rovena
13 January 2026 at 13:12

Departamenti i Shtetit ka revokuar më shumë se 100,000 viza të huaja në vitin 2025, më shumë se dyfishi i asaj të vitit 2024, që ishte edhe viti i fundit i administratës së presidentit Joe Biden.

Ky veprim i DASH-it vjen pas urdhrit ekzekutiv të ditës së parë të presidentit Donald Trump mbi verifikimin e shtetasve të huaj. Në vitin 2024, departamenti revokoi 40,000 viza, raportoi “Fox News”.

Shumica e revokimeve ishin për udhëtarë biznesi dhe turistike që kishin tejkaluar afatin e vizave të tyre.

Një zëdhënës i DASH-it ka thënë se shumica e studentëve dhe punëtorëve që kanë humbur vizat e tyre kanë pasur përplasje kriminale me forcat e ligjit.

Në gusht të vitit 2025, administrata Trump njoftoi se po shqyrton të gjithë 55 milionë të huajt që kanë viza të vlefshme amerikane.

Zëvendëszëdhënësi kryesor i Departamentit të Shtetit, Tommy Piggott, shtoi se administrata do të vazhdojë qëndrimin e saj agresiv të zbatimit të ligjit përmes qendrës së saj të re të verifikimit të vazhdueshëm.

“Administrata Trump do të vazhdojë ta vërë Amerikën në plan të parë dhe ta mbrojë kombin nga shtetasit e huaj që paraqesin rrezik për sigurinë publike ose sigurinë kombëtare”, tha ai.

Departamenti gjithashtu ka zbatuar standarde më të rrepta për marrjen e vizave amerikane.

SHBA “kthen” sytë nga Ballkani/ Në diskutim ligji për të ndaluar ndryshim territoresh në rajon

30 October 2025 at 16:55

Shtetet e Bashkuara pritet të miratojnë një ligj që detyron politika e tyre e jashtme të mos mbështesë shkëmbimin e territoreve, ndarjen, apo çdo formë tjetër të rishikimit të kufijve mbi baza etnike mes Kosovës dhe Serbisë, apo kudo tjetër në Ballkanin Perëndimor – përfshirë, këtu edhe idenë e  shkëputjes së Republikës Serbe te Bosnjes.

Vendimi hyn në fuqi nëse “Akti për Demokracinë dhe Progresin e Ballkanit Perëndimor” kalon në Kongresin dhe Senatin amerikan, në të gjitha komisionet përkatëse dhe në fund merr edhe miratimin e presidentit Donald Trump.

Kjo përcaktohet në nenin 11 të këtij akti, të titulluar “Marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Projekligji i është parqitur javën e kaluar institucioneve nga kongresisti demokrat nga Masaçusetsi, William Keating.

Në projektligj theksohet gjithashtu se Kosova dhe Serbia duhet të “bëjnë përparim të menjëhershëm në zbatimin” e marrëveshjes se Ohrit.

Kur kjo të ndodhë, akti propozon zhvillimin e bisedimeve dypalëshe mes Kosovës dhe Serbisë, nisma konkrete për forcimin e tregtisë dhe investimeve “në të dyja vendet” dhe vazhdimin e mbështetjes amerikane për arritjen e një marrëveshjeje përfundimtare gjithëpërfshirëse bazuar në njohjen reciproke.

Pjesa e fundit e projektligjit i kushtohet ekskluzivisht ndikimit të dëmshëm rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor, përfshirë operacionet dhe fushatat me këtë qëllim. Ajo nis me kërkesën që, brenda një periudhe jo më të gjatë se gjashtë muaj (180 ditë), Sekretari i Shtetit, Drejtori i Inteligjencës Kombëtare (DNI) dhe drejtues të tjerë të agjencive shtetërore t’i dorëzojnë Kongresit një raport mbi ndikimet e dëmshme të Rusisë dhe Kinës në rajon./abcnews.al

DASH: Kosova bëri përpjekje, por jo mjaftueshëm kundër trafikimit me njerëz

30 September 2025 at 14:44

Shtetet e Bashkuara e renditën Kosovën në Nivelin 2 në raportin e fundit për Trafikimin e Qenieve Njerëzore.

Kjo kategori përfshin vendet ku qeveritë bëjnë përpjekje të konsiderueshme për të luftuar trafikimin me njerëz, por ende nuk arrijnë të përmbushin plotësisht standardet minimale ndërkombëtare.

Në të njëjtën kategori renditen edhe vendet e tjera të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia, Mali i Zi, Bosnje e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut.

Raporti, i publikuar më 29 shtator nga Departamenti amerikan i Shtetit, vë në pah se Kosova ka intensifikuar përpjekjet për të luftuar trafikimin krahasuar me vitin e kaluar, duke përfshirë ndjekjen penale të një numri më të madh personash të dyshuar për trafikim dhe identifikimin e shumë viktimave.

Gjithashtu, është rritur edhe financimi për mbështetjen e viktimave, si dhe fondi për kompensimin e tyre.

Megjithatë, Qeveria nuk i ka përmbushur disa standarde minimale në fusha kyçe, ndaj Kosova mbetet në Nivelin 2, sikurse edhe në raportimin e mëparshëm. Mangësitë kryesore përfshijnë: dënimin e paktë të trafikantëve dhe shqiptimin e dënimeve nën minimumin e parashikuar me ligj.

Raporti, gjithashtu, thekson se rastet e fëmijëve të detyruar nga prindërit për të lypur rrugëve, trajtohen shpesh si neglizhencë ose keqtrajtim, e jo si trafikim, duke ngritur shqetësime për identifikimin e pasaktë të viktimave.

“Qeveria nuk ka pasur kapacitet për të ofruar ndihmë afatgjate dhe ka ndarë më pak fonde për fushatat e ndërgjegjësimit”, thekson raporti. Raporti i Departamentit amerikan të Shtetit kujton se ligji në Kosovë penalizon trafikimin për qëllime seksuale dhe të punës me dënime deri në 15 vjet burg, por thekson se zbatimi i tij ka qenë i mangët.

Vitin e kaluar, autoritetet ndoqën penalisht 17 raste të reja që përfshinin 49 trafikantë të dyshuar, krahasuar me tetë raste në vitin 2023, që përfshinin 10 trafikantë të dyshuar.

Autoritetet vazhduan të ndiqnin penalisht edhe gjashtë raste me 14 trafikantë të dyshuar, të iniciuara në vitet e mëparshme.

Por, gjykatat dënuan vetëm një trafikant seksual – një rënie kjo e madhe krahasuar me 14 trafikantë të dënuar në vitin 2023, thekson raporti.

Ai u dënua me tetë muaj burgim, që ishte nën dënimin minimal prej pesë vjetësh burgim.

Dënimet nën këtë minimum dëmtojnë përpjekjet për t’i mbajtur trafikantët përgjegjës dhe nuk pasqyrojnë seriozitetin e krimit, thuhet në raport. Por, krahas mangësive, dokumenti nxjerr në pah edhe përmirësimet në mbrojtjen e viktimave.

Gjatë vitit të kaluar u identifikuan 14 viktima, krahasuar me 17 viktima në vitin 2023, dhe shumica e tyre morën asistencë ligjore, mjekësore dhe psikologjike, këshillim, edukim dhe mbështetje për riintegrim.

Qeveria, sipas raportit, ka rritur financimin për këto shërbime, duke alokuar 150.000 euro për qendrën e sigurisë për viktimat e rrezikuara, krahasuar me 75.000 euro të ndara në vitin 2023.

Gjithashtu, fondi për kompensimin e viktimave është rritur në 200.000 euro vitin e kaluar, krahasuar me 150.000 euro në vitin 2023. Për periudhën e ardhshme, raporti thekson se Kosova duhet të përforcojë dukshëm përpjekjet kundër trafikimit.

Mes rekomandimeve kryesore përmenden hetimi dhe ndjekja penale e trafikantëve dhe shqiptimi i dënimeve të rënda.

Raporti sugjeron, gjithashtu, trajnime të avancuara për gjyqtarët, prokurorët dhe policinë për identifikimin e trafikimit dhe qasjen e përshtatshme te viktimat.

Kapacitetet dhe financimet për qendrat sociale dhe strehimoret e organizatave joqeveritare, rekomandohet të rriten, ashtu si edhe mbështetja për trajnime profesionale dhe integrim të viktimave.

“SHBA, goditje të fortë Kurtit”/ Lavdim Hamidi: Kosova, falë Albin Kurtit po vuan sanksionet

24 September 2025 at 17:30

Albin Kurti ka marrë një tjetër ‘goditje’. Ishte Departamenti Amerikan i Shtetit që ka ngritur shqetësimet e saj për veprimet e Kurtit, duke thënë se është tejet shqetësuese përpjekja e Albin Kurtit për pamundësinë e Listës Srpska pjesëmarrjen në zgjedhjet lokale të 12 tetorit.

Gjatë intervistës në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Lavdim Hamidi-kryeredaktor “Front Online” u shpreh se Kosova po vuan sanksionet për shkak të veprimeve të Albin Kurtit dhe se SHBA së fundmi me reagimin e saj i dha edhe një tjetër goditje Kurtit.

Ai u ndal edhe tek formimi i qeverisë së re duke thënë se pas vendimit që do të dalë nga Gjykata Kushtetuese, zgjedhjet sipas tij do të jenë zgjidhja e re për Kosovën.

“SHBA vendosi të ndërpresë dialogun strategjik, asnjëherë nuk kemi pasur një situatë të tillë. Madje edhe kur nuk kishim shtet, u ruajtën raporte të mira. Vitet e fundit po ndodhin gjëra që me parë do ishin të paimagjinueshme. Raportet më SHBA janë më të ‘lënduara’ se asnjëherë më parë”, u shpreh ai.

/abcnews.al/

Reforma e ujit, Berisha: Do plasë morri! Doktori i shqetësuar për çmimin e ujit dhe pritjen e Dumanit në DASH

3 September 2025 at 15:13

Ëndrrat amerikane nuk janë për doktorin. Dëshira ishte e madhe që ai me apo non-grata të ishte i ftuari i parë i administratës Trump, por ja që zgjodhën kreun e SPAK, Altin Dumanin.

Kur vjen puna tek amerikanët tani, doktori është fjalë pak.

“Nuk kam asnjë dijeni se kë ka takuar dhe kë nuk ka takuar. Nuk kam dijeni, nuk kam parë komunikatë për takimin”

Kurse për Dumanin, ka fjalë shumë.

“Ajo çka mund të them ju, Altin, ti i thua Dumani, me njoftimin që i bëri Elvis Doçit, ai nuk quhet më Altin Dumani, por quhet Altin Troplini”

Por ja që, Departamenti Amerikan i Shtetit, nuk njeh as Sali Berishën e as Altin Troplinin, por vetëm Altin Dumanin. Doktori mendoi t’i tregojë atyre, se si prej Altin Dumanit, jeta është bërë kaq e vështirë në Shqipëri dhe brenda SPAK.

“Imagjinoni ju një punëtore të thjeshtë në SKAP, e cila rrit tre fëmijë, katër fëmijë, dhe bosi Troplini merr 15 herë më shumë se ajo. 7 mijë euro rrogë, e padëgjuar edhe në Ballkan kjo.”

Shpejt doktori u njoftua, se Rama po rregullon punët me ujin, por Berisha paralajmëroi shqiptarët se tani s’do i kenë punët mirë me të larën.

“Jo, pse mora këtë, ju garantoj se me këto çmime, do plasë morri në të katër anët e vendit. Dhe zgjebja. Kush është ai që mund të lajë? Kjo është një çmenduri mo.”

Por, ku dhemb dhëmbi shkon gjuha.

“Nuk mund ta blejë ai më. 35 euro për një DASH pluhur. DASH a si quhet ajo.”

Pra, me 35 euro DASH, shqiptarët mund ti heqin njollat nga rrobat, kurse Berishës nuk po i mjaftojnë as 6 milion dollarë tek DASH për të hequr njollën e zezë të non-gratës.

Vizat amerikane, DASH verifikon 55 milionë persona në botë për shkelje që çojnë në deportim

22 August 2025 at 18:48

Administrata e Donald Trump po kontrollon më shumë se 55 milion njerëz që kanë viza të vlefshme amerikane për çdo shkelje të mundshme që mund të çojë në deportimin e tyre.

Në një përgjigje për Associated Press, Departamenti i Shtetit tha se të gjithë ata që kanë viza amerikane, përfshirë këtu edhe ato turistike nga shumë vende, i nënshtrohen verifikimit të vazhdueshëm, të kujdesshëm ndaj çdo treguesi se ata mund të mos jenë të kualifikuar për leje për të hyrë ose qëndruar në Shtetet e Bashkuara.

Nëse gjendet një informacion i tillë, viza do të revokohet dhe nëse mbajtësi i vizës është në Shtetet e Bashkuara, ai ose ajo do t’i nënshtrohet deportimit.

Departamenti i Shtetit tha se po kërkon tregues që deklasifikojnë këta njerëz, duke përfshirë ata që qëndrojnë përtej afatit kohor të autorizuar të përcaktuar në një vizë, aktivitet kriminal, kërcënime për sigurinë publike, përfshirje në çdo formë aktiviteti terrorist ose ofrimin e mbështetjes për një organizatë terroriste.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare, vitin e kaluar në SHBA kishte 12.8 milionë mbajtës të kartës së gjelbër dhe 3.6 milionë njerëz me viza të përkohshme.

Shifra prej 55 milionësh tregon që disa njerëz që i nënshtrohen shqyrtimit janë aktualisht jashtë Shteteve të Bashkuara me viza turistike.

Ndërkohë sekretari amerikan i shtetit Marco Rubio tha se nuk do të jepen më viza për ata që kërkojnë të punojnë si shoferë kamioni në SHBA, pasi numri i madh i këtyre të huajve, po u rrezikon jetën amerikanëve.

Që kur Presidenti Donald Trump mori detyrën, administrata e tij është përqendruar në deportimin e emigrantëve që ndodhen ilegalisht në Shtetet e Bashkuara,. Në shenjestër të kanë qenë edhe ata që mbajnë viza studentore, për shkak të përfshirjes në protestat pro Palestinës në kampuset universitare.

DASH: Ballkani, pjesë e strategjisë amerikane për dëbimin e emigrantëve

6 June 2025 at 21:02

Vendet e rajonit të Ballkanit janë përfshirë në kontaktet brenda një strategjie më të gjerë amerikane për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar, konfirmoi Departamenti amerikan i Shtetit për Radion Evropa e Lirë.

Ai nuk i komentoi raportimet e mediumit amerikan, Bloomberg, se administrata e presidentit amerikan, Donald Trump, po përpiqet t’i bindë vendet e Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar – kryesisht nga Kuba, Haiti, Nikaragua dhe Venezuela – të cilëve u është hequr statusi i përkohshëm ligjor në SHBA.

Shtetet e Bashkuara, thuhet në përgjigje, nuk i komentojnë detajet e komunikimit diplomatik me shtetet e tjera, në kuadër të strategjisë për dëbimin e shtetasve të huaj pa status të rregulluar.

“Partnerët amerikanë dhe udhëheqësit rajonalë po punojnë ngushtë me ne për t’i dhënë fund krizës së migrimit të paligjshëm dhe masiv”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit, duke shtuar se zbatimi i politikës së migracionit të administratës së presidentit Trump, është një nga prioritetet kryesore të tij.

“Largimi nga SHBA-ja i të huajve, për të cilët ekzistojnë urdhra përfundimtarë për dëbim, si dhe dëbimi i imigrantëve të paligjshëm, i mbron Shtetet e Bashkuara nga terroristët e huaj dhe kërcënimet e tjera ndaj sigurisë kombëtare dhe rendit publik”, thuhet në përgjigje.

Nga Departamenti amerikan i Shtetit theksuan, gjithashtu, se bashkëpunimi i vazhdueshëm me qeveritë e huaja është kyç për parandalimin e migrimit të paligjshëm dhe masiv, si dhe për sigurinë kufitare.

“Siç ka thënë sekretari i Shtetit, [Marco] Rubio, ne mbetemi të vendosur në përpjekjet tona për t’i dhënë fund migrimit të paligjshëm dhe masiv dhe për të forcuar sigurinë e kufijve amerikanë. Në këtë drejtim, çdo shtet duhet urgjentisht të pranojë kthimin e shtetasve të vet, që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në Shtetet e Bashkuara”, theksoi Departamenti i Shtetit.

Në disa raste, thuhet po ashtu në përgjigje, mund të bashkëpunohet edhe me vende të tjera për të lehtësuar largimin nga Shtetet e Bashkuara të shtetasve të vendeve të treta që nuk kanë bazë ligjore për të qëndruar në SHBA.

Agjencia e lajmeve Reuters, duke cituar mediumin Bloomberg News, raportoi më 5 qershor se administrata e presidentit Trump po ushtron trysni ndaj Serbisë dhe vendeve të tjera të Ballkanit që t’i pranojnë migrantët e dëbuar nga Shtetet e Bashkuara.

Bloomberg: Trump u ka kërkuar shteteve të Ballkanit t’i pranojnë migrantët e dëbuar

Po atë ditë, Radio Evropa e Lirë pyeti Qeverinë e Kosovës nëse administrata amerikane i ka dërguar edhe asaj një kërkesë të tillë, por nuk mori përgjigje.

Në prill, edhe Wall Street Journal raportoi se Uashingtoni po shqyrton mundësinë e dëbimit të migrantëve në Moldavi, Kosovë dhe vende të tjera të Ballkanit./REL/

Berisha mund të udhëtojë në SHBA?/ Meçe: Vendimi i DASH i qartë, lajmi i gazetarit një mashtrim ordiner

By: Rovena
9 May 2025 at 18:53

Statusi i një gazetari i cili thoshte se kishte pyetur nëse kreu i PD, Sali Berisha mund të udhëtojë drejt SHBA, u kthye në një lajm dhe qendër e vëmendjes, sidomos në kampin opozitar.

Në një intervistë për “Tirana Live” në ABC News, analisti Arben Meçe tha se vendimi i DASH është i qartë, ashtu sikurse rregullat e SHBA për të shpallurit ‘non grata’, prandaj nuk sipas tij nuk vend për interpretime e aq më pak për keqkuptime.

Sa i takon statusit të gazetarit në platformën “X”, (dikur Twitter), Meçe e konsideroi si një lajm ordiner dhe mashtrues. Analisti nuk la pa përmendur as lobimin prej 6 milion dollarët, të cilën e quajti thjesht të turpshëm.

“Kontrata e lobimit është një turp i madh për Berishën. Kontrata e lobimit ishte një goditje e rëndë ndaj opozitës, por edhe sot që flasim vazhdon të ketë ndikimin e vet në opinionin publik. Është një mashtrim, tipik mashtrues. Heqja e “non gratës” me një lobim 6 milionë dollarë nga emigrantët, është qesharake. Mesazhi i një gazetari, nuk është gjë tjetër veçse një mashtrim ordiner. Ndërkohë që mesazhi nga DASH ishte shumë korrekt. DASH e jep qartë fare këtë lloj politike që Amerika nuk mund ta përjashtojë për Shqipërinë. Lobimi 6 milionë dollarë tregoi para publikut një mashtrim të turpshëm. U kuptua nga populli shqiptar që qëndrimi i SHBA ndaj Berishës është i dukshëm”, tha Meçe.

Sa për përplasjet agresive të kohëve të fundit nga kandidatët apo simpatizantët e opozitës, analisti tha se Berisha ka qenë gjithmonë një figurë agresive dhe se PD-në e ka kthyer në një parti të interesave të tija personale.

“Berisha është i perceptuar si një figurë agresive në Shqipëri, pavarësisht “non gratës”. Lobimi 6 milionë bind njerëzit për këtë mashtrim. Berisha ka vdekur si figurë politike. E ka kthyer PD në një parti të interesave të tija personale. Sherri masiv ishte e pjella e një situate të mbarsur në Elbasan e PD-së, e cila shpërtheu përçarjen e madhe që ka PD në Elbasan. Rezultati i primareve në Elbasan u përmbysë në mënyrë të dhunshme nga Berisha dhe Boçi solli përçarje. Djali i Boçit nuk u dhunua, ai mori shpagimin”,  përfundoi analisti./abcnews.al

 

Raporti për Shqipërinë, DASH përmend edhe hetimin ndaj Berishës: SPAK vijon arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë

21 March 2025 at 19:47

Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, departamenti për Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit, ka publikuar raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve.

Sipas këtij raporti, për Shqipërinë thuhet se vazhdon të bëjë përparime në përmirësimin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT).

Sa i përket krimit të organizuar, raporti thotë se krimi i organizuar i udhëhequr nga shqiptarët luan një rol të rëndësishëm në furnizimin e tregjeve ndërkombëtare me kanabis, kokainë dhe heroinë, sipas autoriteteve të ligjzbatimit shqiptar.

Më tej, në raport thuhet se SPAK-u sekuestroi dhe konfiskoi edhe asete të rëndësishme, përfshirë pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata, teksa përmendet edhe hetimi ndaj ish kryeministrit Sali Berisa.

Përmbledhja e Raportit për Shqipërinë

Shqipëria vazhdon të bëjë përparime në përmirësimin e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit (AML/CFT). Shqipëria heton dhe ndjek penalisht korrupsionin në nivele të larta. Ministria e re e Shtetit për Administratën Publike dhe Antikorrupsionin ka publikuar një strategji për të përmirësuar integritetin në sektorët e cënueshëm dhe për të parandaluar korrupsionin në administratën publike. Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka zgjeruar hetimet dhe arrestimet e policëve për shpërdorime, përfshirë korrupsionin. Megjithatë, sfidat mbeten në forcimin e zbatimit dhe të parandalimit të  korrupsionit.

Korrupsioni, krimi i organizuar, boshllëqet në kornizën ligjore dhe rregullatore, dhe pengesat në komunikimin ndërinstitucional e bëjnë Shqipërinë të cënueshme ndaj pastrimit të parave. Organizatat kriminale shqiptare bashkëpunojnë me homologet e tyre në Evropë dhe Amerikën e Jugut, dhe trafikimi i narkotikëve dhe krimi i organizuar janë burime kryesore të fondeve të pastruara.

Pavarësisht trajnimeve të pamjaftueshme dhe teknologjisë së pamjaftueshme dhe mungesës së bashkëpunimit ndërinstitucional, ekipet hetimore të përbashkëta me partnerët ndërkombëtarë po shkatërrojnë grupet e krimit të organizuar transnacional. Reformat gjyqësore të mbështetura nga donatorët ndërkombëtarë kanë përmirësuar regjimin AML/CFT, por qeveria dhe institucionet duhet të zbatojnë plotësisht reformat për të shmangur rënien përsëri të sundimit të ligjit.

Dobësitë dhe metodologjitë e pastrimit të parave

Shumica e pastrimit të parave në Shqipëri lidhet me trafikimin e drogës dhe njerëzve, mashtrimin me kontratat qeveritare, evazionin fiskal dhe kontrabandën. Ekonomia kryesisht e bazuar në para të thata, kontrollet e dobëta kufitare dhe ligjzbatim i dobët doganor lehtësojnë një treg të zi për mallrat e kontrabanduara. Paratë e dërguara nga jashtë (remitancat) dhe investimet nga jashtë ndonjëherë fshehin burimet e fondeve. Kriminelët pastrojnë të ardhurat përmes blerjeve të pasurive të paluajtshme, projekteve të ndërtimit, aseteve virtuale dhe zhvillimit të bizneseve.

Më 15 shkurt 2024, parlamenti legalizoi bastet sportive, duke përmbysur ndalimin e vitit 2018. Ligji i ri, i cili hyri në fuqi më 27 mars 2024, legalizon bastet sportive vetëm në mjedis online dhe do të japë 10 licenca për kompani me reputacion. Ligji i ri ngre shqetësime se mbikëqyrja e dobët mund të lejojë krimin e organizuar të depërtojë në këtë aktivitet. Lojërat e fatit në kazino mbikëqyren nga Agjencia e Mbikëqyrjes së Lojërave të Fatit.

Ligjet dhe rregulloret kryesore kundër pastrimit të parave (AML)

Shqipëria ka kërkesa të hollësishme për njohjen e klientit (due diligence) (CDD) dhe raportimin e transaksioneve të dyshimta (STR). Në korrik të vitit 2024, autoritetet miratuan një strategji AML/CFT deri në vitin 2030.

Zyrtarët publikë janë të ndaluar të mbajnë sasi të mëdha parash të thata jashtë sistemit bankar. Ata duhet të deklarojnë pasuritë çdo vit dhe të deklarojnë trajtimin preferencial financiar dhe uzufruktin nga asetet. Kompanitë duhet të regjistrojnë pronarët përfitues (uzufruktierët) dhe llogaritë bankare.

Struktura e Posaçme e Prokurorisë Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka autoritetin për sekuestrimin dhe konfiskimin e aseteve. Agjencitë e zbatimit të ligjit përdorin një ligj anti-mafia për të sekuestruar asetet e lidhura me trafikimin e drogës dhe të korrupsionit. Në maj të 2024, ministri i brendshëm njoftoi krijimin e Zyrës së Rikuperimit të Aseteve. Kjo zyrë do t’i japë përparësi gjurmimit dhe sekuestrimit të aseteve dhe fondeve nga aktivitetet kriminale.

Shqipëria dhe Shtetet e Bashkuara nuk kanë një traktat dypalësh për ndihmë juridike, megjithëse bashkëpunojnë bazuar në konventa shumëpalëshe dhe në bazë të mirëkuptimit dhe reciprocitetit. Një traktat dypalësh për ekstradimet është në fuqi.

Agjencia Shqiptare e Inteligjencës Financiare është anëtare e Grupit Egmont të Njësive të Inteligjencës Financiare. Shqipëria është anëtare e Komitetit të Ekspertëve për Vlerësimin e Masave Kundër Pastrimit të Parave (MONEYVAL), një organ rajonal në stilin e Task Forcës për Veprim Financiar. Shihni raportin më të fundit të vlerësimit të ndërsjellë të Shqipërisë për më shumë informacion.

Mungesat ligjore, politike dhe rregullatore të AML

Strategjia kundër korrupsionit kërkon mbrojtje për sinjalizuesit dhe korniza ligjore më të mira për të trajtuar korrupsionin, lobimin dhe financimin e partive politike. Autoritetet shqiptare vazhdojnë të përmirësojnë efektivitetin e tyre në përdorimin e sekuestrimit të aseteve dhe shkëmbimin e informacionit ndërkombëtarisht, por ato duhet të forcojnë kapacitetin AML/CFT dhe të zhvillojnë hetime dhe analiza sistematike financiare.

Gjyqtarët dhe prokurorët vazhdojnë të kontrollohen (vlerësimi kalimtar) për pasuritë e pajustifikuara. Në dhjetor të vitit 2024 Qeveria përfundoi një proces të monitoruar ndërkombëtarisht për vlerësimin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve dhe largoi ata me pasuri të pajustifikuara ose në lidhje me krimin e organizuar, megjithëse apelimet vazhduan. Që nga viti 2016, 44 për qind e gjyqtarëve dhe prokurorëve të vlerësuar u miratuan për të vazhduar në detyrë. Ligji kërkon që institucionet e tjera të pavarura të drejtësisë të kryejnë rishikime periodike për pasuri të pajustifikuara.

Dispozitat e CDD dhe STR të Shqipërisë nuk zbatohen plotësisht. Proceset për të rishikuar dhe përmirësuar cilësinë e STR-ve mbeten në zhvillim. Inspektimet për bizneset e shërbimeve të parave, noterët dhe tenderët qeveritarë nuk janë të forta. Sfida mbeten në sanksionet për përhapjen, monedhat virtuale, trustet dhe rregullimin e institucioneve jo-bankare.

Çështjet e ligjzbatimit/zbatimit dhe komentet

Shqipëria ka ndërmarrë hapa pozitivë; megjithatë, qeveria duhet të rrisë ende hetimet dhe ndjekjet penale për pastrimin e parave për të luftuar korrupsionin, krimin e organizuar dhe trafikimin e drogës; të përmirësojë bashkëpunimin ndërinstitucional; dhe të integrojë plotësisht SPAK-un në përpjekjet AML/CFT.

SPAK rriti numrin dhe kompleksitetin e hetimeve për pastrimin e parave dhe konfiskimet dhe kreu paralelisht hetime financiare dhe të aseteve kur dyshonte për asete të paligjshme; megjithatë, ndjekjet penale mbeten të ulëta. Në vitin 2023, SPAK sekuestroi asete me vlerë 43 milionë dollarë dhe, në vitin 2024, vazhdoi arrestimet dhe konfiskimin e aseteve të ish-zyrtarëve të lartë. Në shtator të vitit 2024, SPAK akuzoi ish-kryeministrin dhe të përcaktuar sipas “Aktit të Ndarjes Buxhetore të Departamentit të Shtetit, Operacioneve të Jashtme dhe Programevë të Ndërlidhura, 2021” me 7031 (c) Sali Berisha për korrupsion për veprime zyrtare për veprime zyrtare në dobi të interesave të familjes së tij. SPAK akuzoi edhe dhëndrin e tij për korrupsion dhe pastrim parash. SPAK sekuestroi pasuri të paluajtshme, llogari bankare dhe aksionet e dhëndrit në kompanitë e lidhura me korrupsionin.

Në nëntor të vitit 2024, SPAK-u dhe policia shqiptare punuan me Europol dhe autoritetet italiane për të arrestuar 29 të dyshuar në një rrjet trafikimi narkotikësh të udhëhequr nga dy vëllezër shqiptarë dhe sekuestroi asete kriminale dhe drogë me vlerë 74 milionë dollarë.

Shqipëria duhet të zbatojë ligjet ekzistuese, të ndjekë udhëzimet rregullatore, të kryejë mbikëqyrje efektive, të përmirësojë bashkëpunimin e zbatimit të ligjit dhe të zgjerojë kapacitetin e policisë dhe të prokurorëve për t’u përqendruar në korrupsion, pastrimin e parave dhe krimet komplekse ekonomike. Shqipëria duhet të zbatojë plotësisht reformat e kodit penal të vitit 2016 dhe 2017.

Paditet DASH/ Pesë palestinezë padi në gjykatën amerikane: Furnizon Izraelin me armë

18 December 2024 at 12:23

5 shtetas palestinezë dhe palestinezo- amerikanë  kanë paditur Departamentin Amerikan të Shteteti duke e akuzuar atë për ndihmat ushtarake që ka vijuar ti jap Izraelit, armatime këto që sipas tyre janë përdorur për të kryer një masakër në Gaza. Padia e ngritur të martën në gjykatën e qarkut të Uashington DC shënon herën e parë që viktimat e shkeljeve të dyshuara të të drejtave të njeriut po sfidojnë Departamentin Amerikan të Shtetit, bazuar në një ligj federal që ndalon transferimin e fondeve për njësitë ushtarake të huaja që janë përfshira në shkelje të rënda siç janë vrasja dhe tortura.

Paditësit përfshijnë Amal Gaza, një pseudonim për një mësuese matematike nga Gaza, e cila ka humbur 20 anëtarë të familjes; Shawan Jabarin, drejtori i grupit palestinez të të drejtave të njeriut Al-Haq, i cili duroi gjashtë vjet burgim arbitrar në Bregun Perëndimor; dhe Ahmed Moor, një palestinez amerikan me të afërm në Gaza, të cilët janë zhvendosur vazhdimisht nga ofensiva e vazhdueshme izraelite. Ata kërkojnë ndërhyrje gjyqësore për të detyruar SHBA-në të respektojë ligjin. Lufta më shumë se një vjecare mes Izraelit dhe Hamasit ka lënë të vrarë mbi 45 mijë persona në rripin e Gazës ku qarkullimi I ndihmave humanitare ka qenë minimal duke lënë mbi 1,9 milionë banorë në kushtet e urisë dhe kequshqyerjes.

Padia ndaj Departamentit Amerikan të Shtetit përfaqëson një sfidë ligjore ku qytetarët kërkojnë që të detyrojnë administratën amerikane që të zbatojë një ligj që është parë më parë si efektiv në ndihmën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të frenuar shkeljet e të drejtave të njeriut nga njësitë ushtarake të huaja në Amerikën qendrore, Kolumbi, Nepal dhe vende të tjera.

Ligji Leahy u hartua për çdo forcë sigurie që SHBA-ja i identifikon si të papërshtatshme për shkak të një shkeljeje të rëndë të të drejtave të njeriut. Por, një zyrtar tha për mediat nderkombetare se “Rregullat ishin të ndryshme për Izraelin.” Padia nga Shtetasit Paelstinez dhe Palestinezo Amerikan thekson një sërë shkeljesh të supozuara të kryera nga njësitë ushtarake izraelite me mbështetjen e SHBA-së, duke përfshirë torturën, ndalimin e zgjatur pa akuzë, zhdukjen dhe ato që paditësit i përshkruajnë si veprime që përbëjnë gjenocid në Gaza./abcnews.al

❌