Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Abc News

Ecuria e ekonomisë/ Ministrja Ibrahimaj: Eksportet në total janë rritur me 6.26 për qind

23 January 2026 at 12:28

TIRANË– Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj  u shpreh se niveli i eksperteve totale përgjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025 është rritur me 6.26 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo theksoi se pjesën e luanit në nivelin e eksporteve e zënë shërbimet, të cilat sipas përllogaritjeve janë në nivelin 84.8%.

Ministrja Ibrahimaj po ashtu u shpreh se eksportet në bujqësi dhe sektorin e energjisë janë rritur ndjeshëm.

“84.8% janë eksportet të shërbimeve. Pesha më e madhe e eksporteve lidhen me shërbimet, janë shërbime të lidhura me turizmin dhe numrat e turistëve të huajë kanë ardhur duke u rritur, ndërsa në 2025 ishin mbi 12 turistë që erdhën në Shqipëri.

Eksportet e mallrave janë në nivelin 15.5. Eksportet në total gjatë nëntëmujorit të 2025 janë rritur me 6.26%.Eksportet bujqësore kanë pasur rritje të lehtë, Për 12 muaj e parë, eksportet e energjisë elektrike janë rritur me 6.8%”, tha ai.

 

Shkodër-Romë-Boston: Rozita Fishta, violinistja që gjeti zërin e shpirtit në Amerikë

23 January 2026 at 12:25

Në lidhje për ABC e Mëngjesit nga Bostoni, vjen historia e bukur e Rozita Fishtës, violinistes që jeton mes klasikes dhe modernes. Që në moshën 5-vjeçare, violina u bë pjesë e jetës së saj, duke e udhëhequr nga Shkodra drejt skenave botërore. Pas studimeve në shkollën e muzikës dhe aktiviteteve në teatrin “Migjeni”, 18-vjeçare fitoi bursë të plotë në Santa Cecilia në Romë.

Në Itali performoi me orkestrën legjendare nën drejtimin e Antonio Pappano, para se të zhvendosej në SHBA në vitin 2013. Fillimet në Boston ishin të vështira: puna si ndihmëse në restorant, barriera gjuhës dhe një rrugë e gjatë për të ndërtuar emrin.

Sot, Rozita pasi ka qenë koncertmaistre në New England Philharmonic dhe Kendall Square Orchestra, dhe ka performuar në skena prestigjioze si Wang Theater, Agganis Arena dhe MGM, interpreton solo në violinë elektronike.

Në skenë ndërthur pop, rock, jazz, EDM e latino, ndërsa si soliste gjen dialogun më intim me veten. Ka ndarë skenën me emra të mëdhenj si Ledisi, Q-Tip, Gilberto Santa Rosa, dhe së fundmi bashkëpunon me MC Kreshën, Alban Skenderaj apo Ledri Vulen.

Në shpirt mbetet edhe poete, piktore dhe nënë krenare. Pinjolle e familjes Fishta, ajo mban gjallë trashëgiminë e fjalës dhe tingullit. Në shtëpinë e saj ruhen ende karriget ku dikur rrinte poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, i cili paraardhësit e Rozitës i konsideronte si familjen e tij.

Rozita tha gjatë intervistës se nëse do të duhej të rizgjidhte, prapë do të shkonte tek violina, pavarërisht sakrificave që i është dashur të bëjë… Një jetë ku muzika nuk është thjesht profesion, por frymëmarrje.

Veliaj padit Presidencën dhe Prokurorin: Të shpallet i pavlefshëm dekreti i emërimit të Ols Dados në 2008

By: xhir jeta
23 January 2026 at 12:23

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej 10 shkurtit 2025 ka paditur në Gjykatën Administrative institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ne mandatin 2007–2012, kur president ishte Bamir Topi dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado, i cili ka drejtuar hetimet ndaj tij.

Në kërkesë-padi, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Ols Dados si prokuror, duke argumentuar se në atë kohë ligji nuk lejonte emërimin e tij pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës, pasi ai ushtronte profesionin e noterit.

Sipas padisë, emërimi është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi Ols Dado nuk plotësonte kriteret e detyrueshme ligjore për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së formimit përkatës në Shkollën e Magjistraturës.

“Nga provat e depozituara rezulton se z.Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë në asnjë nga kategoritë ligjore për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë” thuhet në padi.

Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Ols Dado.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, janë “nul”, duke sjellë pasoja të rënda institucionale dhe personale.

“Si pasojë logjike e konstatimit të pavlefshmërisë absolute të dekretit, lind detyrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë menjëherë masat e duhura për përfundimin e statusit të magjistratit të z. Olsi Dado dhe ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga ana e tij”- tha ai.

Sipas pretendimeve, Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, pavarësisht se nuk plotësonte kushtet ligjore, dhe më pas Presidenca ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa./abcnews.al

Ecuria dhe zhvillimi ekonomik/ “Në vëmendje inflacioni i çmimeve të ushqimeve”, ministrja Ibrahimaj: Borxhi publik i reduktuar përgjatë viteve të fundit

23 January 2026 at 12:21

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat foli për zhvillimin ekonomik, duke prezantuar ecurinë ekonomikë dhe orientimin nga konsumi drejt investimeve, eksporteve si edhe rritjes së produktivitetit.

Gjatë fjalës së saj Ibrahimaj tha se politikat e ndërmarra kanë qëllimin garantimin dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Gjithashtu shtoi se në vend ka një klimë biznesi që nxit investimet.

“Ekonomia përgjatë gjithë viteve të fundi ka patur stabilitet. Synimi është të garantojmë një treg që nxit investime. Investimet janë një komponent i rëndësishëm. Rritja e vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, tregon për një besim te ekonomia shqiptare qoftë e investitorëve shqiptarë qoftë edhe të huaj. Gjithashtu investimet janë mbështetur nga kredia që garanton jo vetëm financimin e vitit aktual por edhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm”, tha ajo.

SPAK nuk gjeti prova/ Pushohet çështja ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit

By: xhir jeta
23 January 2026 at 12:17

Me kërkesë të prokurores Doloreza Musabelliu, gjyqtari Erjon Çela ka pushuar çështjen në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku që po hetohej për shpërdorim detyre.

SPAK tha se nuk gjetën prova për kryerjen e veprës penale për të cilën u bë kallëzimi penal ndaj tij. Në nëntor të vitit të kaluar Rrumbullaku është pyetur si persom në dijeni për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni për hetimin që kishte të bënte me transferimet e punonjësve të policisë.

Hetimi kishte nisur më herët nga Prokuroria e Beratit por dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës. Bëhet fjalë për 20 transferime në radhët e uniformave blu që disa pretenduan se ishin të paligjshme./abcnews.al

Zbulohet skema/ Futën drogë në burgun e Elbasanit, arrestohet efektivi dhe familjarja e të burgosurit

23 January 2026 at 12:00

Pas një hetimi disa mujor është goditur një grup për organizimin e futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit.

Nga hetimet është zbuluar skema mes tre personave të dyshuar, të cilët bashkëpunonin për të futur drogë brenda institucionit, me qëllim përfitimi financuar.

Njoftohet se lidhur me këta shtetas është ekzekutuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Përkatësisht bëhet fjalë për një punonjës policie, familjaren e një të paraburgosuri dhe një të paraburgosur në burgun e Elbasanit.

Zv.kancelari gjerman: Evropianët nuk iu nënshtruan presionit të Trump për Groenlandën

23 January 2026 at 11:40

Gjermania tha se tensionet me Washingtonin për Groenlandën u lehtësuan pasi Evropa mbajti qëndrimin e saj dhe nuk iu dorëzua presionit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Presioni që u ngrit në SHBA dhe presioni që erdhi nga Evropa e kanë bërë presidentin Trump të fillojë të tërhiqet pak”, tha zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil në një podcast të revistës së lajmeve “Politico”.

Në të njëjtën kohë, Klingbeil paralajmëroi kundër një lehtësimi shumë shpejt. “Kushdo në Evropë që tani mendon se mund të ulet dhe të thotë se gjithçka ka shkuar mirë përsëri nuk e ka kuptuar se çfarë është në lojë”, shtoi Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave të Gjermanisë.

Ndërsa ai u bëri thirrje evropianëve të mbrojnë marrëdhënien e tyre tradicionalisht të ngushtë me SHBA-në, Klingbeil bëri thirrje që ata të ndjekin qasje me dy drejtime.

“Nga njëra anë, ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë (drejt SHBA-së) në çdo kohë. Dhe ne kurrë nuk duhet t’i shkatërrojmë ose rrezikojmë marrëdhëniet transatlantike nga ana jonë”, paralajmëroi ai.

Të enjten, kancelari gjerman Friedrich Merz ia atribuoi unitetit evropian meritën nxitjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të zbutur qëndrimin e tij ndaj Groenlandës.

Ai tha se përgjigjja e koordinuar e bllokut tregoi se solidariteti mund të ndikojë në politikën amerikane.

“Është bërë e qartë se uniteti dhe vendosmëria nga ana evropiane mund të bëjnë vërtet një ndryshim”, u tha Merz gazetarëve në Bruksel përpara një samiti urgjent të BE-së për të adresuar tensionet rreth Groenlandës dhe kërcënimeve tarifore të SHBA-së.

Stuhia më e madhe dimërore ndër vite pritet të prekë rreth 120 milionë banorë në SHBA

23 January 2026 at 11:34

Miliona amerikanë po përgatiten për atë që mund të jetë një nga stuhitë më të mëdha dimërore në Shtetet e Bashkuara në vite, paralajmëroi Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së dhe media amerikane.

“Më shumë se 120 milionë banorë të SHBA-së ose më shumë se një e treta e të gjithë popullsisë mund të preken këtë fundjavë, sipas ABC News.

“Stuhia mund të kalojë nëpër më shumë se 3 000 kilometra të vendit”, raportoi ”Washington Post”.

Stuhia dhe bora priten për shtetet jugore, pjesë të Midwest dhe Bregut Lindor, ku pritet të godasë të dielën, duke përfshirë zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe kryeqytetin e SHBA-së, Uashingtonin.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për rrugë të akullta dhe kushte të rrezikshme udhëtimi.

“Kombinimi i reshjeve të borës dhe erës mund të zvogëlojë rëndë dukshmërinë në rrugë”, tha ai.

Pemët mund të rrëzohen dhe ndërprerjet e energjisë elektrike ishin gjithashtu të mundshme.

Sinoptikanët paralajmëruan gjithashtu për hipotermi dhe ngrirje dhe rekomanduan që banorët të mbrojnë kafshët shtëpiake nga të ftohtit.

“Erërat e forta do ta bënin temperaturën e perceptuar të ndihej edhe më e ftohtë”, shtuan ata.

Kur vjehrra bëhet si motër: Historia që po “thyen” stereotipet shqiptare

23 January 2026 at 11:22

Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, Rinesa Krasniqi dhe Vlora Imeri treguan marrëdhënien e tyre të veçantë nuse–vjehrrë. Mes gatimeve, bisedave të sinqerta dhe kohës cilësore, dyshja u kthye në fenomen në rrjete sociale.

“Unë nuk gatuaj shumë mirë, ndaj i propozova vjehrrës të gatuanim bashkë”, tha Rinesa. Videoja e parë u prit me shumë dashuri, sepse pasqyron pikërisht raportin e tyre real.

“Rinesa është shumë e mirë për djalin tim”, shprehet Vlora, pa komplekse. Të dyja morën vendimin të jetojnë të ndara, por afër, për të ruajtur harmoninë.
Prej 6 muajsh, dy gratë janë bërë nënë e gjyshe, një dhuratë që ia atribuon e falenderon Rinesën. Rinesa punon si menaxhere e rrjeteve sociale, profesion që i lejon më shumë kohë me vajzën.

Vlora, mësuese e anglishtes, sot drejton prodhimin në një fabrikë buke. Rinesa ndau edhe historinë e dashurisë me bashkëshortin, Lisi, një histori që nisi më 16 dhjetor të disa viteve më parë dhe u kthye në lajtmotiv të jetës së tyre.

“Nga njohja në shesh, fejesa dhe martesa, të gjitha në të njëjtën datë të viteve të ndryshme i kemi bërë.” – tregon Rinesa.

Çmimi i arit arrin nivel rekord mes tensioneve gjeopolitike

23 January 2026 at 11:15

Çmimet e arit u ngjitën në nivele rekord, të nxitura nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.

Çmimi i arit në vend u rrit me rreth 0.4 për qind në 4.954 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivelin më të lartë historik prej 4.967 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 7.8 për qind gjatë javës.

Ari është rritur me afërsisht 80 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 15 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 3 për qind në 99.38 dollarë për ons. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 225 për qind gjatë vitit të kaluar.

Pjesëmarrësit e tregut theksuan shqetësimet e përsëritura gjeopolitike si faktor kyç, përfshirë debatet mbi Groenlandën pas deklaratave të fundjavës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump që kërcënonte me tarifa shtesë për vendet që kundërshtonin kontrollin e territorit nga SHBA dhe vendosjen e personelit ushtarak atje.

Duke shtuar shqetësimin e tregut, Trump u tha gazetarëve në bordin e “Air Force One” të enjten vonë se SHBA-ja kishte një flotë detare që po i afrohej Iranit dhe e paralajmëroi Teheranin kundër trajtimit të dhunshëm të protestave në të gjithë vendin ose rifillimit të programit të tij bërthamor.

“Do të preferoja të mos shihja të ndodhte asgjë. Ne kemi një armatë. Ne kemi një flotë masive që shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim atë. Do ta shohim”, theksoi ai.

Zbardhen 6 raste vjedhjesh në Tiranë, arrestohet autori i dyshuar

23 January 2026 at 10:36

Zbardhen gjashtë raste të vjedhjes/tentativës për vjedhje në Tiranë, të dyshuara të kryera nga një 43-vjeçar, gjatë dy ditëve të fundit dhe gjatë vitit 2025. Policia vuri në pranga 43-vjeçarin, i dënuar më parë për vjedhje.

Sekuestrohen një shumë parash e dyshuar e vjedhur, veshje që dyshohet se ka përdorur 43-vjeçari, gjatë kryerjes së vjedhjeve, dhe sende të forta që ai përdorte për hapjen e dyerve.

Më 21 janar 2026, dyshohet ka vjedhur me thyerje, një shumë parash dhe disa dokumente, në zyrat e postës shqiptare në rrugën “Kujtim Laro”, si dhe ka tentuar të vjedhë në filialin e një banke;

Sipas policisë, ky person më 9 tetor 2025 dhe 26 nëntor 2025, ai ka vjedhur shuma parash dhe produkte, në 4 lokale në zona të ndryshme në Tiranë.

Gjatë kontrollit në banesën e 43-vjeçarit, Policia i gjeti një shumë parash të dyshuar të vjedhur, veshje që dyshohet se ai i ka përdorur gjatë kryerjes së vjedhjeve dhe sende të forta që përdorte për hapjen e dyerve.

 

 

VIDEO/ Aksident në Vlorë, përplasen dy automjete

23 January 2026 at 10:16

VLORË- Një aksident rrugor ka ndodhur mëngjesin e sotëm në rrugën “Transballkanike” në Vlorë.

Në aksident janë përfshirë dy automjete dhe fatmirësisht nuk ka persona të lënduar.

Automjetet janë me targa greke, ndërsa në vendngjarje ka mbërritur edhe policia, e cila ka nisur hetimet për shkaqet e aksidentit/abcnews.al

Iku emigrant, u kthye MasterChef: Shqiptari “pushton” Romën me shije dhe humor

23 January 2026 at 10:12

Në studion e ABC e Mëngjesit zuri vend dhe historia e Arben Gjonit, shefit që la muzikën për kuzhinën dhe arriti majat në Romë. I larguar si emigrant, sot renditet me restorantin e tij mes 12 më të mirëve në Romë, duke lënë pas rreth 12 mijë restorante në TripAdvisor.

Shef Arbëni sjell në Shqipëri recetat autentike romane, por me interpretim modern. Në menu degustimi, ai kombinon traditën me guximin: carbonara klasike me karçof të skuqur dhe caccio e pepe me karkalec deti.

“Edhe Shqipëria duhet të mësohet me këto shije”, thotë ai.  Përveç gatimit, u bë viral me video humoristike, një ide spontane që solli sukses. “Shumica e klientëve vijnë pasi shohin videot”, shprehet shefi i buzëqeshur.

I rreptë në kuzhinë, por i balancuar në shije, Arbeni beson te ekipi dhe atmosfera.

Edhe pse ka pasur oferta të tjera, ai ka qëndruar besnik sipërmarrjes së tij të fundit, të hapur ditën e Pashkëve të kaluara dhe ku gjithçka po shkon mbarë.

“Elvis Presli” i Sarandës/ Sozia shqiptare që “elektrizon” jugun me “mbretin” e rock&roll

23 January 2026 at 10:07

Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit nga Saranda, vjen historia e Orest Kovit, showman-it që i dha qytetit shpirtin e Elvis Presley-t.

Pas gati 3 dekadash emigrim në Korfuz, Oresti kthehet në vendlindje dhe hap “Elvis Bar”, një ide që lindi nga pasioni dhe pandemia. Emigroi në vitin 1991 dhe nisi si kamarier në bare e restorante, ku karaokeja i hapi rrugën skenës.

“Kur këndoja duke shërbyer, më thanë që kisha talent dhe kështu nisi aventura ime”, tregon ai. Fillimisht i apasionuar pas muzikës së viteve ’80, Elvisi “i hyri në gjak” dhe publiku e shtyu të vazhdonte.

Që nga viti 2016, Saranda u bë shtëpia e tij artistike. Sot numëron 25 vite show dhe mbi 5000 performanca live. Nga maji në tetor, lokali i vogël është gjithmonë plot me turistë dhe kureshtarë.

Dy vëllezërit gjeni: Gjin dhe Lum Rrahmani kthehen me medalje ari nga SHBA

23 January 2026 at 09:59

Në ABC e Mëngjesit, u përcoll historia frymëzuese e Gjin dhe Lum Rrahmanit, dy vëllezër nga Kosova që po duartrokiten nga bota e shkencës.
Nxënësit kampionë u kthyen nga SHBA me 3 medalje nga Olimpiada Ndërkombëtare e Shkencës dhe Inteligjencës Artificiale.

Nga Florida sollën medalje të artë në AI, medalje të artë në Biologji – “Best of the Best” dhe medalje bronzi në Matematikë. Në garë morën pjesë 23 shtete, mes tyre Kina dhe India, ku emri i Kosovës u njoh dhe u respektua.
“E dinim që do fitonim, kishim vetëbesim”, thonë vëllezërit, që testin e AI e përfunduan ndër të parët.

Sukseset e tyre shtrihen nga Emiratet e Bashkuara, Italia, Kanadaja, Holanda, Malajzia, Egjipti e deri në SHBA.

Gjithmonë me flamurin e Kosovës me vete, fitoret ia kushtojnë prindërve, mësuesve dhe vendit të tyre. Në krah të tyre, nëna Lindita Jashanica Rrahmani, një nënë mes dy “zjarresh” në shkencë.

Me lodhje, sakrifica dhe net pa gjumë, ajo flet për lot gëzimi dhe krenarie. “Lutem vetëm për shëndetin dhe rrugën e dijes”, shprehet ajo.

Amerika ishte ëndrra e tyre dhe u bë realitet. Ndërsa ëndrrat vazhdojnë, sfida e radhës i pret në gusht, në Niagara.

Kryeministri i Hungarisë kritika bllokut: Vendet kryesore të BE duan që lufta në Ukrainë të vazhdojë

23 January 2026 at 09:58

Kryeministri i Hungarisë, Viktor Orban ka akuzuar Bashkimin Evropian se dëshiron të zgjasë luftën në Ukrainë, duke argumentuar se vendet kryesore të kontinentit nuk po kërkojnë vërtet një armëpushim.

Në një intervistë të botuar në “Corriere della Sera” , Orban e lidhi gjithashtu kritikën e tij me vendimin e Budapestit për t’u bashkuar me Bordin e ri të Paqes, të promovuar nga administrata amerikane dhe të paraqitur në Forumin Ekonomik Botëror në Davos për të promovuar paqen dhe rindërtimin në Lindjen e Mesme.

Orban është i vetmi udhëheqës i një vendi të Bashkimit Evropian që ka rënë dakord të bashkohet me Bordin e Paqes, një vendim që rrezikon të krijojë përçarje të reja me Brukselin dhe partnerët e saj evropianë, duke pasur parasysh qëndrimin tradicional kritik të Hungarisë ndaj sanksioneve kundër Moskës dhe mbështetjen ushtarake për Kievin.

Kur u pyet për iniciativën, Orban u përgjigj me pyetje:  “Dhe pse nuk janë të tjerët këtu? Kjo është pyetja e duhur.”

Ai raportoi se kishte diskutuar Bordin e Paqes me kryeministren Giorgia Meloni, e cila i shpjegoi vështirësitë kushtetuese të Italisë në anëtarësimin në organizata të reja ndërkombëtare ndërsa tha se “Për Hungarinë, rregullat janë më të thjeshta.”

EMRI/ Pjesë e një grupi kriminal, arrestohet në Lezhë 45-vjeçari, pritet ekstradimi në Spanjë

23 January 2026 at 09:52

LEZHE – Finalizohet operacioni i koduar “Aksi”. Në pranga ka rënë një 45-vjeçar. Sipas Policisë shtetasi Ardit Isufi është pjesëtari i një grupi kriminal që akuzohet se ka kryer vjedhje me armë, në Spanjë.

Ai kap teksa lëvizte me automjet, te rrethrrotullimi i Shëngjinit, dhe u arrestua provizorisht, me qëllim ekstradimin në Spanjë.

Në vitin 2025, autoritetet gjyqësore në Spanjë i kanë caktuar këtij shtetasi, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Vjedhja me armë”, kryer në kuadër të grupit të strukturuar kriminal.

Nga verifikimet e mëtejshme rezultoi se 45-vjeçari drejtonte automjetin tip “Benz”, me leje drejtimi të dyshuar të falsifikuar.

Me cilësinë e provës materiale u sekuestruan automjeti tip “Benz” dhe dokumenti i dyshuar i falsifikuar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Lezhës, për veprime të mëtejshme.

“Po i vëzhgojmë nga afër”, Trump: Një flotë masive është nisur drejt Iranit

23 January 2026 at 09:39

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi  se një flotë masive po lëviz drejt Iranit, pas kërcënimeve të përsëritura ndaj Teheranit për ndërhyrje amerikane, në mes të shtypjes së dhunshme të protestave në vend.

“Ne kemi një flotë masive që po shkon në atë drejtim”, u tha Trump gazetarëve gjatë fluturimit të kthimit drejt Washingtonit nga Forumi Ekonomik Botëror (WEF) në Davos.

”Dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim… kemi shumë anije që po shkojnë në atë drejtim, për çdo rast. Një flotilje e madhe po lëviz atje dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë. Kemi një forcë të madhe që po shkon drejt Iranit. Do të preferoja të mos ndodhte asgjë, por po i vëzhgojmë nga afër”, shtoi Trump, duke iu referuar autoriteteve iraniane.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, Washingtoni po forcon praninë e tij ushtarake në Lindjen e Mesme, përfshirë dislokimin e aeroplanmbajtëses “USS Abraham Lincoln” dhe disa anijeve shoqëruese.

Aeroplanmbajtësja me energji bërthamore zakonisht transporton disa mijëra ushtarë dhe dhjetëra avionë luftarakë dhe shoqërohet nga destrojerë të marinës. Deri tani, Pentagoni nuk ka dhënë një konfirmim zyrtar për këtë dislokim.

Protestat nisën në Teheran në fund të dhjetorit, fillimisht si reagim i tregtarëve ndaj rënies së fortë të vlerës së rialit iranian dhe përkeqësimit të kushteve ekonomike, për t’u shndërruar më pas në një kryengritje mbarëkombëtare kundër sistemit autoritar të Republikës Islamike.

❌
❌