Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 23 January 2026Abc News

Karçanaj ankohet në Apel/ Drejtoresha e AKSHI kërkon lirimin nga masa “arrest në shtëpi”

By: xhir jeta
23 January 2026 at 14:58

Mirlinda Karçanaj drejtoresha e AKSH (Agjencia Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit) ka ankimuar vendimin e GJKKO për caktimin e masës “arrest në shtëpi” ndaj saj.

Të njëjtin vendim në Apelin e Posaçëm e ka ankimuar edhe zv drejtoresha e AKSH Hava Delibashi, që po ashtu ndodhet në të njëjtën masë sigurie si Karçanaj.

Shkallës së dytë të gjyqësorit të posacem i janë drejtuar edhe zv drejtori i policisë Tiranë Erion Ismaili, i pezulluar nga detyra, si dhe biznesmenet Andis Papa, Gezim Hoxha dhe Rogers Rryta që janë lënë në “detyrim paraqitje”.

Në kërkim nga SPAK, për dosjen eAKSHI ndodhen dy biznesnet Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri.

Sipas SPAK, të hetuarit kanë detyruar përfaqësues të kompanive pjesëmarrëse në tendera të heqin dorë nga ankimet për procedurat e caktuara të tenderimit, duke i hapur rrugën kompanive të paracaktuara që të fitojnë tendera./abcnews.al

Rrefehet Adrian Çene: Vlerësimi nga Zgarbi dhe kritikë të tjerë, vula e suksesit

By: xhir jeta
23 January 2026 at 14:44

Një jetë e shkuar mes pikturës dhe restaurimit, Adrian Çene vjen në një rrëfim në Pas Mesnatë në ABC News, mbi të bukurën, vështirësitë e sfidat e karrierës së tij.

“Jemi duke restauruar Manastirin e Spilesë, kishën e Shën Mërisë mbi Antigone. Është brenda fushës së artit, ndihem i lirë i bëj të dyja me qef. Ka edhe pjesën e aventurës, vështirësisë, të papriturës, dhe në fund merr rezultatin që shpëton një objekt nga rrënimi apo një pikturë murale që i përket trashëgimisë kulturore. Kur pikturoj merrem vetëm me të, kur kam restaurim merrem vetëm me restaurimin, nuk i përziej të dyja”, u shpreh ai, ndërsa shton se për të piktura është gjithcka.

“Piktura për mua është qënia ime, pa të ndoshta do isha bosh, i zbrazët”, vijon Cene, ndërsa thotë se pikturën e nisi në klasën e katërt fillore në Pallatin e Pionerëve,” kujton ai.

Që në fillimet e tij, Çene u orientua drejt formave abstrakte, duke thyer skemat tradicionale dhe duke eksperimentuar me ide dhe struktura që sfidonin realizmin e kohës. Vitet ’90 shënojnë për të një periudhë kërkimi intensiv, ku arti u bë mjet lirie dhe reflektimi. Një moment kyç në karrierën e tij ishte viti 2000, kur në Paris hapi ekspozitën e tij personale. Pikërisht aty, siç rrëfen vetë, mori “bekimin” artistik, një konfirmim ndërkombëtar që i dha forcë dhe besim për të vazhduar rrugën e tij krijuese. Vlerësimi nga figura të njohura të kritikës së artit, si Vittorio Sgarbi dhe kritikë të tjerë, u kthye në vulën e suksesit për Adrian Çenen, duke e pozicionuar atë si një artist me identitet të formuar dhe zë të veçantë./abcnews.al

Spiropali nga Stambolli: Shqipëria gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes

23 January 2026 at 14:35

Ministrja për Europën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, po merr pjesë në Takimin e Ministrave të Jashtëm të Platformës për Paqe Ballkanike, me ftesë të homologut të saj, Ministrit të Jashtëm të Republikës së Turqisë, Hakan Fidan.

Platforma do të fokusohet në avancimin e bashkëpunimit rajonal për ndërlidhjen, zhvillimin ekonomik, sigurinë energjetike, integrimin europian, paqen rajonale.

Ministrja Spiropali njoftoi se “në cilësinë edhe të Anëtarit të Bordit Ekzekutiv të Paqes, kolegu Fidan prezantoi rëndësinë e këtij mekanizmi të ri të krijuar nga Presidenti Trump për ndërtimin e paqes së qëndrueshme në një kohë sfidash.”

Spiropali shtoi se “Shqipëria është gjithashtu gati për të marrë përgjegjësitë e saj si Anëtar Themelues i Bordit të Paqes”.

Bashkëpunimi me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe partnerë të tjerë, sipas Spiropalit, do të çelë një kapitull të ri në historinë e zgjidhjes së konflikteve ndërkombëtare.

Më herët Spiropali zhvilloi një takim me Ministrin Fidan, për partneritetin strategjik në rritje mes Shqipërisë dhe Turqisë, që do të marrë një tjetër peshë me takimin e tretë të Këshillit të Nivelit të Lartë për bashkëpunimin ndërsektorial mes dy vendeve tona, përgjatë këtij viti.

Sherr në Kukës/ Nxirren armët, kushërinjtë tentojnë të vrasin një person

23 January 2026 at 14:33

Disa persona janë përfshirë në një sherr në Kukës. Sipas policisë, në një lokal në Kukës, dy kushërinj se bashku me 3 shtetas të tjerë pas konfliktit kanë goditur me shkop bejsbolli dhe kanë tentuar të vrasin me armë zjarri një tjetër person,

Si pasojë e goditjes me shkop bejsbolli, shtetasi S.I është dëmtuar dhe ndodhet në spital, nën kujdesin e mjekëve.

Nga të shtënat nuk ka persona të lënduar. Raportohet se është ngritur menjëherë grupi hetimor dhe, nën drejtimin e Prokurorisë Kukës, po vijon puna për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë ligjor të këtij rasti, si dhe për kapjen e autorëve dhe të personave të tjerë të përfshirë në këtë konflikt.

Fjalë, fjalë…, por Ivanka trokiti në derë

By: xhir jeta
23 January 2026 at 14:33

Nga Frrok Çupi

Duhej ndërprerë biseda. Moderatori i programit iu drejtua më shumë shikuesve se të ftuarve. Në ekran u shfaq fashoja ‘’Break News’.

“Ja, ja, më në fund!’…bëri dy herë moderatori, dhe u drejtua nga ekrani.

Ishte njësoj si të priste dikë që sillte në duar lajmin e vërtetë.

Lajmi shoqërohej me figurë. Gjithë dritat e katit të parë të selisë së Qeverisë, ishin ndezur.

“Ivanka Trump arrin në kryeministri. Pritet nga Rama me përqafime”, u tha. E thanë edhe ekranet që ‘plasën nga inati’ pse ndodhi. Të gjithë të frikësuar nga realiteti.

Gjithë dita sot ka qenë e mbushur me lajme lloje- lloje, të fuqishëm dhe njëkohësisht me zëra që hanë vetveten. Që në mëngjes, zëri i opozitës nisi të hajë bishtin e vet. Pasdite nuk kishte mbetur gjë as nga koka e lajmit të opozitës. Ishte ngrënë e tëra. Fillimisht tha se opozita nuk e pranon veprimin e shpejtë parlamentar për të miratuar Bordin e Paqes në botë, themeluar nga presidenti Trump. Në pasditen e hershme u vu në radhë për të votuar pro Ramës në Bord dhe kundër vetes.

Në Shtëpinë e Bardhë dhe në Davos ku ndodhet Donald Trump, mbërriti lajmi se ‘ata nuk e pranojnë Amerikën’. Ku kishte kohë për hollësi. Pasdite nuk pinte më ujë. Lajmi dhe autori i aktit kishin ngrënë veten që paradite. Votimi pro i pasdites nuk kishte më vlerë. Opozita me në krye ‘non- grata’ prapë u shënua inatçore dhe armike me Perëndimin.

Kur erdhi regjistrimi me zë e figurë, ishte aty nga ora 20:30. Kudo në fjalëtore ishin dystuar për të shpikur lajme se si ‘Trump do të arrestojë Ramën sapo të zbresë në Uashington”. Lajmi se ‘do të vijë helikopteri amerikan për të rrëmbyer Edi Ramën’, kishte rënë që paradite. Tani ishin ngritur alibi të tjera:

Se Trump ka dërguar të bijën që të okupojë Ramën për të mos shkuar në Davos

Se Ivanka nuk e ka takuar Ramën në tokë shqiptare, por në një anije mes detit.

Ishte ora aty rreth 20: 30 kur asnjë nga fjalëtarët media e politikë, nuk mund ta mendonin dështimin. Atëherë erdhi. Ivanka Trump zbriti nga makina, përqafohet me Ramën dhe i drejtohen zyrës së tij. Ka një projekt të madhj zhvillimi dhe investimi në vend.

Të gjitha të thënat e ditës nisën të hanë veten. Madje edhe vetë përsiatjet filozofike.

-Çfarë do të bëjë Shqipëria tani e tutje? Me Amerikën apo me Europën?

Çfarë kemi bërë deri tani?, do të ishte përgjigja menjëherë. Përveç kohëve kur liderët tanë e kanë sulmuar Perëndimin. Që në ditën e parë kur Shqipëria u pranua anëtare e Lidhjes së Kombeve, dhjetor 1920, u mbështet nga presidenti amerikan Wilson dhe aleatët europianë. Edhe atëherë, një publicist e prezantonte Shqipërinë, Fan Noli.

-Bordi i Paqes është i përkohshëm!, u tha.

Po, i përkohshëm, ndoshta. Çfarë është e përjetshme në këtë botë? Veç zoti. Liderët e botës perëndimore që aderojnë në ‘organizma diplomatik të vdekshëm’, e bëjnë këtë për arsye njerëzore. Sepse institucionet janë të ndryshueshme, madje edhe të vdekshme. Liderët e dobishëm kapin momentin për të krijuar garanci dhe mbrojtje për kombet e tyre. Vatha jote duhet ruajtur përditë. Aq më tepër për rastin tonë shqiptar. Nuk kemi pasur kurrë farefisni, tani po radhitemi për herë të parë fuqishëm drejt Perëndimit.

Më bën përshtypje se njerëz që vishen te Gabi, kërkojnë institucione të pavdekshme.

Nuk jetohet me nostalgji. Veçanërisht amerikanët nuk pengohen nga tradita. As nostalgjia e OKB, as nostalgjia e perëndive të vdekura. Aq më pak me nostalgjinë për një ndërtesë të vjetër teatri apo televizioni publik. Apo nostalgji për një tortë të hedhur në shesh për ‘pulat’.

Po ashtu, nuk jetohet duke shikuar me sy poshtë. Kush krijon lajme pa vlerë, e bëjnë edhe pse aq duan e aq dinë. Tekefundit, tre dekada pas izolimit, nuk mundën të mësoheshin që të jenë pjesë e lartë e shoqërisë.

Tani që erdhi dita, çfarë bëjnë?

… Shumë fjalë, fjalë e fjalë. Derisa u hapën dritat e selisë qeveritare në Bulevard dhe u shfaq e bija e presidentit Trump me kryeministrin Rama. Deri tani ende nuk kanë thënë se ‘nuk ishin ata’. Pritet.

V.O: Po Llapaj që kishte zënë një qoshe në bulevard, ç’u bë në atë moment?

Rusia godet sistemin energjetik/ Polonia dhe BE dërgojnë mbi 800 gjeneratorë në Ukrainë

23 January 2026 at 14:21

Polonia ka njoftuar dërgimin e qindra gjeneratorëve në Ukrainë, ndërsa sulmet ruse ndaj infrastrukturës energjetike kanë shkaktuar ndërprerje masive të energjisë elektrike.

Sulmet në sistemin energjetik ukrainas kanë çuar në ndërprerje afatgjata të energjisë elektrike dhe ujit në Kiev, të cilat kanë zgjatur tre deri në katër herë më shumë se në dimrat e mëparshëm, ndërsa temperaturat e natës në kryeqytet kanë rënë deri në -20 gradë Celsius.

Rusia pretendon se sulmet kanë për qëllim uljen e kapacitetit luftarak të Ukrainës, por nga ana tjetër Kievi thekson se objektivi janë civilët.

Më herët Ursula von der Leyen njoftoi dërgimin e 447 gjeneratorëve me vlerë 3.7 milionë euro, për të siguruar furnizimin me energji elektrike të spitaleve, strehimoreve dhe shërbimeve thelbësore, si pjesë e masave të mbrojtjes civile.

Ushtarët danezë urdhërohen të jenë në gatishmëri në rast sulmi në Groenlandë

23 January 2026 at 14:15

Trupat daneze u urdhëruan të ishin gati me municione luftarake javën e kaluar kundër një sulmi të mundshëm amerikan ndaj Groenlandës, raportoi sot transmetuesi publik danez DR.

Urdhri u lëshua javën e kaluar, dhe nëse Groenlanda sulmohej, ushtarët danezë ishin gati me municione luftarake. Ushtarëve danezë iu urdhërua të çonin municione luftarake në Nuuk, kryeqytetin e Groenlandës, në skenarin më të keq, sipas raportit, duke cituar informacione nga burime politike.

Sipas transmetuesit, ky ishte rasti derisa presidenti i SHBA-së, Donald Trump u tërhoq nga përdorimi i forcës kundër Grenlandës pas një takimi me shefin e NATO-s, Mark Rutte të mërkurën në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Zvicër.

Gjithashtu theksohet se kishte vullnet të gjerë politik për të ndërmarrë luftën nëse do të ndodhte një sulm amerikan, jo vetëm në qeverinë daneze, por edhe në një gamë të gjerë partish opozitare.

Trumpi ka treguar interes për Groenlandën për shkak të vendndodhjes së saj strategjike në Arktik, burimeve të pasura minerale dhe shqetësimeve për rritjen e ndikimit rus dhe kinez në rajon.

Danimarka dhe Groenlanda kanë refuzuar propozimet për shitjen e territorit, duke riafirmuar sovranitetin danez mbi ishullin.

Pas takimit me Rutten, Trumpi njoftoi se ishte krijuar një kornizë për marrëveshje të mundshme që përfshinte Groenlandën dhe rajonin e Arktikut më të gjerë. Ai hoqi dorë nga kërcënimi për të vendosur tarifa ndaj vendeve evropiane që kundërshtuan ofertën e tij të blerjes.

 

Tre të vdekur nga moti i keq në Gjermani, mbyllen disa shkolla

23 January 2026 at 13:50

Tre persona humbën jetën në dy aksidente të shkaktuara nga kushtet atmosferike, në një autostradë kryesore në perëndim të Gjermanisë sot në mëngjes, njoftoi  policia, ndërsa moti I acartë vazhdoi  të ndikojnë në transport dhe shkolla në disa pjesë të vendit.

Sipas policisë, aksidentet ndodhën në autostradën A44 pranë qytetit të Paderborn, midis daljeve në Marsberg dhe Lichtenau.

Në landin verilindor të Saksonisë së Poshtme, shumë shkolla u mbyllën sot për shkak të dëborës së dendur dhe kushteve ekstremisht të rrëshqitshme.

Një zëdhënës i policisë përshkroi situatën në rrugë si katastrofike.

Një zëdhënës i policisë në Osnabruck tha se ”kanë ndodhur qindra aksidente për shkak të rrugëve të rrëshqitshme”.

Ecuria e ekonomisë/ Ministrja Ibrahimaj: Eksportet në total janë rritur me 6.26 për qind

23 January 2026 at 12:28

TIRANË– Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj  u shpreh se niveli i eksperteve totale përgjatë nëntëmujorit të parë të vitit 2025 është rritur me 6.26 për qind, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ajo theksoi se pjesën e luanit në nivelin e eksporteve e zënë shërbimet, të cilat sipas përllogaritjeve janë në nivelin 84.8%.

Ministrja Ibrahimaj po ashtu u shpreh se eksportet në bujqësi dhe sektorin e energjisë janë rritur ndjeshëm.

“84.8% janë eksportet të shërbimeve. Pesha më e madhe e eksporteve lidhen me shërbimet, janë shërbime të lidhura me turizmin dhe numrat e turistëve të huajë kanë ardhur duke u rritur, ndërsa në 2025 ishin mbi 12 turistë që erdhën në Shqipëri.

Eksportet e mallrave janë në nivelin 15.5. Eksportet në total gjatë nëntëmujorit të 2025 janë rritur me 6.26%.Eksportet bujqësore kanë pasur rritje të lehtë, Për 12 muaj e parë, eksportet e energjisë elektrike janë rritur me 6.8%”, tha ai.

 

Shkodër-Romë-Boston: Rozita Fishta, violinistja që gjeti zërin e shpirtit në Amerikë

23 January 2026 at 12:25

Në lidhje për ABC e Mëngjesit nga Bostoni, vjen historia e bukur e Rozita Fishtës, violinistes që jeton mes klasikes dhe modernes. Që në moshën 5-vjeçare, violina u bë pjesë e jetës së saj, duke e udhëhequr nga Shkodra drejt skenave botërore. Pas studimeve në shkollën e muzikës dhe aktiviteteve në teatrin “Migjeni”, 18-vjeçare fitoi bursë të plotë në Santa Cecilia në Romë.

Në Itali performoi me orkestrën legjendare nën drejtimin e Antonio Pappano, para se të zhvendosej në SHBA në vitin 2013. Fillimet në Boston ishin të vështira: puna si ndihmëse në restorant, barriera gjuhës dhe një rrugë e gjatë për të ndërtuar emrin.

Sot, Rozita pasi ka qenë koncertmaistre në New England Philharmonic dhe Kendall Square Orchestra, dhe ka performuar në skena prestigjioze si Wang Theater, Agganis Arena dhe MGM, interpreton solo në violinë elektronike.

Në skenë ndërthur pop, rock, jazz, EDM e latino, ndërsa si soliste gjen dialogun më intim me veten. Ka ndarë skenën me emra të mëdhenj si Ledisi, Q-Tip, Gilberto Santa Rosa, dhe së fundmi bashkëpunon me MC Kreshën, Alban Skenderaj apo Ledri Vulen.

Në shpirt mbetet edhe poete, piktore dhe nënë krenare. Pinjolle e familjes Fishta, ajo mban gjallë trashëgiminë e fjalës dhe tingullit. Në shtëpinë e saj ruhen ende karriget ku dikur rrinte poeti ynë kombëtar At Gjergj Fishta, i cili paraardhësit e Rozitës i konsideronte si familjen e tij.

Rozita tha gjatë intervistës se nëse do të duhej të rizgjidhte, prapë do të shkonte tek violina, pavarërisht sakrificave që i është dashur të bëjë… Një jetë ku muzika nuk është thjesht profesion, por frymëmarrje.

Veliaj padit Presidencën dhe Prokurorin: Të shpallet i pavlefshëm dekreti i emërimit të Ols Dados në 2008

By: xhir jeta
23 January 2026 at 12:23

Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet në burg që prej 10 shkurtit 2025 ka paditur në Gjykatën Administrative institucionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë, ne mandatin 2007–2012, kur president ishte Bamir Topi dhe prokurorin e posaçëm Ols Dado, i cili ka drejtuar hetimet ndaj tij.

Në kërkesë-padi, Veliaj kërkon shpalljen e pavlefshmërisë absolute të dekretit të vitit 2008 për emërimin e Ols Dados si prokuror, duke argumentuar se në atë kohë ligji nuk lejonte emërimin e tij pa kryer më parë Shkollën e Magjistraturës, pasi ai ushtronte profesionin e noterit.

Sipas padisë, emërimi është bërë në kundërshtim flagrant me ligjin, pasi Ols Dado nuk plotësonte kriteret e detyrueshme ligjore për ushtrimin e funksionit të prokurorit, për shkak të mungesës së formimit përkatës në Shkollën e Magjistraturës.

“Nga provat e depozituara rezulton se z.Olsi Dado ka përfunduar arsimin e lartë juridik, por nuk ka përfunduar Shkollën e Magjistraturës. Para emërimit të tij, ai ka ushtruar profesionin e noterit, i cili nuk bën pjesë në asnjë nga kategoritë ligjore për emërimin si prokuror. Për pasojë, ai nuk ka qenë subjekt i vlefshëm ligjor për t’u emëruar në detyrën e prokurorit të Republikës së Shqipërisë” thuhet në padi.

Veliaj kërkon gjithashtu që Këshilli i Lartë i Prokurorisë të marrë vendim për përfundimin e menjëhershëm të statusit të magjistratit dhe të ushtrimit, sipas tij të paligjshëm, të detyrës së prokurorit nga Ols Dado.

Në padi theksohet se të gjitha veprimet penale të ndërmarra ndaj Erion Veliajt, përfshirë masat e sigurisë dhe kufizimin e ushtrimit të mandatit si Kryetar i Bashkisë së Tiranës, janë “nul”, duke sjellë pasoja të rënda institucionale dhe personale.

“Si pasojë logjike e konstatimit të pavlefshmërisë absolute të dekretit, lind detyrimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë për të marrë menjëherë masat e duhura për përfundimin e statusit të magjistratit të z. Olsi Dado dhe ndërprerjen e ushtrimit të funksionit nga ana e tij”- tha ai.

Sipas pretendimeve, Ols Dado i është propozuar Presidencës në vitin 2008 nga Prokurorja e Përgjithshme e asaj kohe, Ina Rama, pavarësisht se nuk plotësonte kushtet ligjore, dhe më pas Presidenca ka dekretuar emërimin e tij si prokuror.

Veliaj u arrestua më 10 shkurt, pasi Prokuroria e Posaçme deklaroi se kishte zbuluar një skemë korrupsioni ku bashkia e drejtuar prej tij dhe biznesmenë që fitonin tendera në bashki ushqenin me para një rrjet kompanish dhe organizatash jo-fitimprurëse të drejtuara nga bashkëshortja e Veliajt, Ajola Xoxa./abcnews.al

Ecuria dhe zhvillimi ekonomik/ “Në vëmendje inflacioni i çmimeve të ushqimeve”, ministrja Ibrahimaj: Borxhi publik i reduktuar përgjatë viteve të fundit

23 January 2026 at 12:21

Ministria e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj në një konferencë për mediat foli për zhvillimin ekonomik, duke prezantuar ecurinë ekonomikë dhe orientimin nga konsumi drejt investimeve, eksporteve si edhe rritjes së produktivitetit.

Gjatë fjalës së saj Ibrahimaj tha se politikat e ndërmarra kanë qëllimin garantimin dhe qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike. Gjithashtu shtoi se në vend ka një klimë biznesi që nxit investimet.

“Ekonomia përgjatë gjithë viteve të fundi ka patur stabilitet. Synimi është të garantojmë një treg që nxit investime. Investimet janë një komponent i rëndësishëm. Rritja e vazhdueshme të investimeve të huaja direkte, tregon për një besim te ekonomia shqiptare qoftë e investitorëve shqiptarë qoftë edhe të huaj. Gjithashtu investimet janë mbështetur nga kredia që garanton jo vetëm financimin e vitit aktual por edhe pritshmëritë për vitin e ardhshëm”, tha ajo.

SPAK nuk gjeti prova/ Pushohet çështja ndaj ish-drejtorit të Policisë së Shtetit

By: xhir jeta
23 January 2026 at 12:17

Me kërkesë të prokurores Doloreza Musabelliu, gjyqtari Erjon Çela ka pushuar çështjen në ngarkim të ish-drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku që po hetohej për shpërdorim detyre.

SPAK tha se nuk gjetën prova për kryerjen e veprës penale për të cilën u bë kallëzimi penal ndaj tij. Në nëntor të vitit të kaluar Rrumbullaku është pyetur si persom në dijeni për rreth një orë në Prokurorinë e Posaçme si person në dijeni për hetimin që kishte të bënte me transferimet e punonjësve të policisë.

Hetimi kishte nisur më herët nga Prokuroria e Beratit por dosja u transferua në SPAK për shkak të kompetencës. Bëhet fjalë për 20 transferime në radhët e uniformave blu që disa pretenduan se ishin të paligjshme./abcnews.al

Zbulohet skema/ Futën drogë në burgun e Elbasanit, arrestohet efektivi dhe familjarja e të burgosurit

23 January 2026 at 12:00

Pas një hetimi disa mujor është goditur një grup për organizimin e futjes së lëndëve narkotike në burgun e Elbasanit.

Nga hetimet është zbuluar skema mes tre personave të dyshuar, të cilët bashkëpunonin për të futur drogë brenda institucionit, me qëllim përfitimi financuar.

Njoftohet se lidhur me këta shtetas është ekzekutuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Përkatësisht bëhet fjalë për një punonjës policie, familjaren e një të paraburgosuri dhe një të paraburgosur në burgun e Elbasanit.

Zv.kancelari gjerman: Evropianët nuk iu nënshtruan presionit të Trump për Groenlandën

23 January 2026 at 11:40

Gjermania tha se tensionet me Washingtonin për Groenlandën u lehtësuan pasi Evropa mbajti qëndrimin e saj dhe nuk iu dorëzua presionit të presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

“Presioni që u ngrit në SHBA dhe presioni që erdhi nga Evropa e kanë bërë presidentin Trump të fillojë të tërhiqet pak”, tha zëvendëskancelari gjerman Lars Klingbeil në një podcast të revistës së lajmeve “Politico”.

Në të njëjtën kohë, Klingbeil paralajmëroi kundër një lehtësimi shumë shpejt. “Kushdo në Evropë që tani mendon se mund të ulet dhe të thotë se gjithçka ka shkuar mirë përsëri nuk e ka kuptuar se çfarë është në lojë”, shtoi Klingbeil, i cili është gjithashtu ministër i Financave të Gjermanisë.

Ndërsa ai u bëri thirrje evropianëve të mbrojnë marrëdhënien e tyre tradicionalisht të ngushtë me SHBA-në, Klingbeil bëri thirrje që ata të ndjekin qasje me dy drejtime.

“Nga njëra anë, ne duhet ta mbajmë dorën të shtrirë (drejt SHBA-së) në çdo kohë. Dhe ne kurrë nuk duhet t’i shkatërrojmë ose rrezikojmë marrëdhëniet transatlantike nga ana jonë”, paralajmëroi ai.

Të enjten, kancelari gjerman Friedrich Merz ia atribuoi unitetit evropian meritën nxitjes së presidentit të SHBA-së, Donald Trump për të zbutur qëndrimin e tij ndaj Groenlandës.

Ai tha se përgjigjja e koordinuar e bllokut tregoi se solidariteti mund të ndikojë në politikën amerikane.

“Është bërë e qartë se uniteti dhe vendosmëria nga ana evropiane mund të bëjnë vërtet një ndryshim”, u tha Merz gazetarëve në Bruksel përpara një samiti urgjent të BE-së për të adresuar tensionet rreth Groenlandës dhe kërcënimeve tarifore të SHBA-së.

Stuhia më e madhe dimërore ndër vite pritet të prekë rreth 120 milionë banorë në SHBA

23 January 2026 at 11:34

Miliona amerikanë po përgatiten për atë që mund të jetë një nga stuhitë më të mëdha dimërore në Shtetet e Bashkuara në vite, paralajmëroi Shërbimi Kombëtar i Motit i SHBA-së dhe media amerikane.

“Më shumë se 120 milionë banorë të SHBA-së ose më shumë se një e treta e të gjithë popullsisë mund të preken këtë fundjavë, sipas ABC News.

“Stuhia mund të kalojë nëpër më shumë se 3 000 kilometra të vendit”, raportoi ”Washington Post”.

Stuhia dhe bora priten për shtetet jugore, pjesë të Midwest dhe Bregut Lindor, ku pritet të godasë të dielën, duke përfshirë zonën metropolitane të Nju Jorkut dhe kryeqytetin e SHBA-së, Uashingtonin.

Shërbimi Kombëtar i Motit paralajmëroi për rrugë të akullta dhe kushte të rrezikshme udhëtimi.

“Kombinimi i reshjeve të borës dhe erës mund të zvogëlojë rëndë dukshmërinë në rrugë”, tha ai.

Pemët mund të rrëzohen dhe ndërprerjet e energjisë elektrike ishin gjithashtu të mundshme.

Sinoptikanët paralajmëruan gjithashtu për hipotermi dhe ngrirje dhe rekomanduan që banorët të mbrojnë kafshët shtëpiake nga të ftohtit.

“Erërat e forta do ta bënin temperaturën e perceptuar të ndihej edhe më e ftohtë”, shtuan ata.

Kur vjehrra bëhet si motër: Historia që po “thyen” stereotipet shqiptare

23 January 2026 at 11:22

Në lidhje direkte për ABC e Mëngjesit, Rinesa Krasniqi dhe Vlora Imeri treguan marrëdhënien e tyre të veçantë nuse–vjehrrë. Mes gatimeve, bisedave të sinqerta dhe kohës cilësore, dyshja u kthye në fenomen në rrjete sociale.

“Unë nuk gatuaj shumë mirë, ndaj i propozova vjehrrës të gatuanim bashkë”, tha Rinesa. Videoja e parë u prit me shumë dashuri, sepse pasqyron pikërisht raportin e tyre real.

“Rinesa është shumë e mirë për djalin tim”, shprehet Vlora, pa komplekse. Të dyja morën vendimin të jetojnë të ndara, por afër, për të ruajtur harmoninë.
Prej 6 muajsh, dy gratë janë bërë nënë e gjyshe, një dhuratë që ia atribuon e falenderon Rinesën. Rinesa punon si menaxhere e rrjeteve sociale, profesion që i lejon më shumë kohë me vajzën.

Vlora, mësuese e anglishtes, sot drejton prodhimin në një fabrikë buke. Rinesa ndau edhe historinë e dashurisë me bashkëshortin, Lisi, një histori që nisi më 16 dhjetor të disa viteve më parë dhe u kthye në lajtmotiv të jetës së tyre.

“Nga njohja në shesh, fejesa dhe martesa, të gjitha në të njëjtën datë të viteve të ndryshme i kemi bërë.” – tregon Rinesa.

Çmimi i arit arrin nivel rekord mes tensioneve gjeopolitike

23 January 2026 at 11:15

Çmimet e arit u ngjitën në nivele rekord, të nxitura nga pasiguria e vazhdueshme gjeopolitike dhe ekonomike që ka vazhduar të nxisë kërkesën për asete të sigurta.

Çmimi i arit në vend u rrit me rreth 0.4 për qind në 4.954 dollarë për ons që nga ora 07:00, pasi arriti nivelin më të lartë historik prej 4.967 dollarësh më herët gjatë seancës. Çmimet u rritën me rreth 7.8 për qind gjatë javës.

Ari është rritur me afërsisht 80 për qind gjatë 12 muajve të fundit dhe rreth 15 për qind që nga fillimi i vitit, i mbështetur nga tensionet e rritura tregtare dhe gjeopolitike si dhe uljet e normave të interesit nga bankat kryesore qendrore.

Argjendi gjithashtu përparoi, duke u rritur me 3 për qind në 99.38 dollarë për ons. Çmimet e argjendit janë rritur më shumë se 225 për qind gjatë vitit të kaluar.

Pjesëmarrësit e tregut theksuan shqetësimet e përsëritura gjeopolitike si faktor kyç, përfshirë debatet mbi Groenlandën pas deklaratave të fundjavës së presidentit të SHBA-së, Donald Trump që kërcënonte me tarifa shtesë për vendet që kundërshtonin kontrollin e territorit nga SHBA dhe vendosjen e personelit ushtarak atje.

Duke shtuar shqetësimin e tregut, Trump u tha gazetarëve në bordin e “Air Force One” të enjten vonë se SHBA-ja kishte një flotë detare që po i afrohej Iranit dhe e paralajmëroi Teheranin kundër trajtimit të dhunshëm të protestave në të gjithë vendin ose rifillimit të programit të tij bërthamor.

“Do të preferoja të mos shihja të ndodhte asgjë. Ne kemi një armatë. Ne kemi një flotë masive që shkon në atë drejtim dhe ndoshta nuk do të na duhet ta përdorim atë. Do ta shohim”, theksoi ai.

❌
❌