Analisti Artur Nura deklaron se protestat e fundit kanë lëkundur seriozisht pozitat e Sali Berishës brenda PD-së, duke treguar se ai nuk e komandon më partinë si më parë.
Sipas tij, dalja e deputetit nr. 2 të Elbasanit dhe reagimet në Strasburg janë shenja të qarta se strategjia aktuale po e çon opozitën drejt izolimit dhe bojkotit ndërkombëtar.
Nura thekson se brenda PD-së po hapet hapësirë për figura të reja, si Ervin Salianji, me të cilin disa mendojnë se partia mund të ketë një drejtim tjetër.
” Ka një zhvillim të rëndësishëm. Berisha, përpara Kryeministrisë, ku i ktheu shpinën, duket sikur do të dalë e jo të hyjë, ngaqë Rama është lëmerisur nga protesta.
Në PD kanë nisur të ngrihen zëra, duke iu bërë Berishës pengesë në zgjedhjet e tij personale. Dalja e nr. 2, deputetit të Elbasanit, është një shenjë që Berisha nuk komandon më në mënyrën e tij të vjetër, por ka zëra që i thonë se kjo strategji po i çon në bojkot.
Pozitat e Berishës janë lëkundur; njerëzit, në mënyrë të butë, po i thonë se nuk duhet vendosur kështu, sepse kështu nuk na mbështesin as ndërkombëtarët. Në ndërhyrjen e fundit në Strasburg iu hoq fjala; janë tronditur themelet e politikës që ka dominuar PD-në në mënyrë të padiskutueshme.
Në PD do të ketë më shumë hapësirë me Salianjin, dhe disa kanë kuptuar se me Salianjin mund të shkojnë diku. “
Shefja e politikës së jashtme të Bashkimit Evropian, Kaja Kallas, paralajmëroi të hënën kundër krijimit të një ushtrie mbarëevropiane, duke e përshkruar idenë si “jashtëzakonisht të rrezikshme”, ndërsa debati vazhdon mbi aftësitë e ardhshme mbrojtëse të bllokut.
Duke folur në një konferencë sigurie në Norvegji, Kallas tha se përparësia kryesore në çdo krizë ushtarake duhet të jetë ruajtja e një strukture të qartë komande.
“Në nivel evropian, ministrat e Drejtësisë takohen gjatë gjithë kohës dhe ata tashmë mendojnë evropianë, ndërsa ministrat e Mbrojtjes kanë qenë gjithmonë kombëtarë: buxhetet kombëtare, vendimmarrja kombëtare”, tha ajo.
Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, ka reaguar ashpër ndaj kritikëve të planit për të legalizuar rreth 500 mijë emigrantë pa dokumente dhe azilkërkues, duke theksuar se vendi i tij po zgjedh rrugën e “dinjitetit, komunitetit dhe drejtësisë”.
Qëndrimi i tij u bë publik përmes një videoje 46-sekondëshe, të publikuar në rrjetet sociale, ku Sánchez flet në anglisht ndërsa videoja është e titruar ne gjuhen spanjolle,
Në mesazhin e tij, Sánchez vuri në pikëpyetje akuzat se qeveria ka “shkuar shumë larg”, duke pyetur: “Kur u bë njohja e të drejtave diçka radikale? Kur u bë empatia diçka e jashtëzakonshme?”. Deklarata erdhi vetëm pak ditë pasi qeveria e koalicionit të udhëhequr nga socialistët miratoi një dekret që synon të rregullojë statusin ligjor të gjysmë milioni personave, i cili pritet të hyjë në fuqi në muajin prill.
Nisma ka tërhequr vëmendje ndërkombëtare, pasi përfaqëson një distancim të qartë nga politikat dhe retorika anti-emigracion që po përhapen në shumë vende të Europës dhe SHBA-së. Sipas Sánchez, plani do të ofrojë një rrugë të rregullt drejt qëndrimit për persona që tashmë janë pjesë e shoqërisë spanjolle.
“Janë gjysmë milionë njerëz me të cilët jetojmë çdo ditë: në treg, në autobus, në shkollën e fëmijëve tanë. Njerëz që kujdesen për prindërit tanë, punojnë në fusha dhe kanë ndërtuar, krah për krah me ne, përparimin e vendit”, u shpreh ai, duke theksuar se Spanja mbetet një vend mikpritës.
Dekreti e ka origjinën nga një nismë qytetare e mbështetur nga mbi 700 mijë firma, Kisha Katolike dhe rreth 900 organizata sociale, e dorëzuar në parlament në vitin 2024. Pas muajsh bllokimi, marrëveshja u zhbllokua javën e kaluar, kur partia e majtë Podemos ra dakord të mbështesë planin në këmbim të mbështetjes parlamentare për qeverinë.
Reflektimi në orët e fundit i Sali Berishës pas presionit të deputetëve të vet për të anuluar bojkotin, duket se lidhet me atë që në fakt mendojnë shqiptarët.
77.1% e të anketuarve në sondazhin javor të ABC News, mendojnë se pjesëmarrja e opozitës në reformën territoriale, do sjellë një hartë të re më të qëndrueshme.
Vetëm 17.6%, elektorat demokrat, i qëndrojnë besnik rebelimeve të Berishës për të bojkotuar. Elektorat që kësaj radhe Sali Berisha nuk e dëgjoi.
E njëjta dhe për Reformën Zgjedhore. 70.3% janë pro pjesëmarrjes së opozitës në komision, 19.8% mendojnë se do ishte fasadë e mazhorancës socialiste.
Por nëse PS lëshon pe, vetë socialistëve kjo nuk u shkon poshtë. Dora e shtrirë për të rikthyer doktorin në shinat e parlamentit, i zbret socialistët me 0.6% brenda javës në mbështetje. Megjithatë zbritja është e papërfillshme krahasuar me marzhin e gabimit të sondazhit.
Kurse karambollet e doktorit, nga foltoret në Tiranë tek fjalimet në Strasburg, nga molotovët në shesh tek normaliteti në parlament, nga urdhrat për bojkot tek reflektimi për të anuluar vendimet, e rrisin PD me 0.6%, ose sipas marzhit të gabimit, e lënë atë thuajse aty ku ishte një javë më parë.
Kritiku i vetëm i vërtetë, të cilit i druhet doktori, është Ervin Salianji. Shumica e demokratëve, janë skeptikë për lëvizjen e tij të foltoreve paralele.
67.4% e tyre besojnë se Salianji fsheh ambicie personale, ndërsa 27.6% se kërkon të ringjallë PD.
Por gota shihet edhe gjysmë plot. Sipas sondazhit, Salianji sot gëzon mbështetjen e një të tretës së votuesve të PD më 11 maj, thënë me gjuhën e sondazhisteve, ka me vete një ekstrapolim prej 125 mijë votash.
Shumicën përballë doktorit për momentin nuk ka, por kjo nuk e tërheq nga nisma. Salianji ka njoftuar foltoren e radhës të martën në Fier. Një koincidencë thumbuese.
Aty ai vuajti burgun 10 mujor, siç thotë ai për partinë, kurse vetë partia në zgjedhjet e fundit vulosi burgosjen më të thellë elektorale, nën drejtimin e Gazment Bardhit. Një foltore, të martën, jo për të tashmen e Berishës, por për të ardhmen pas tij.
Zhvillimet e brendshme dhe të jashtme, kanë shtuar bipolarizimin politik dhe udhëtimin në Strasburg, ka ngritur sërish javën e shkuar PD e Berishës me 0.6% mbështetje. PS ka një rënie të lehtë me 0.6%.
Kurse partitë e reja, dhe shpresa për krijimin e një partie më të re, mbeten në vendnumëro.
Me veprimet e tij, bojkot, protesta e molotov, sërish fiton Sali Berisha. Jo vendin e parë, gjithmonë vendin e dytë, por këtë fillim shkurti i pacënuar si nga lart dhe nga poshtë.
67.4% e shqiptarëve mendojnë se Ervin Salianji e ka për ambicie personale lëvizjen e nisur në PD, me takimet me demokratët në terren.
Në sondazhin “Zëri i Shqiptarëve’, ku janë përgjigjur vetëm të anketuarit që votuan për PD-ASHM në zgjedhjet e 11 majit të vitit të kaluar, 27.6% e shqiptarëve mendojnë se lëvizja e tij synon të ringjallë PD, ndërsa 5 % të tjerë thonë se PD e ka mbyllur ciklin e saj.
Ish-deputeti i PD ka njoftuar të martën foltore në Fier, aty ku Gazment Bardhi si drejtues politik mori humbjen më zhgënjyese për demokratët më 11 maj./abcnews.al
Ashtu si edhe për reformën territoriale, ndonëse me një përqindje më të vogël, shqiptarët mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë edhe në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore.
Në sondazhin e kësaj të hënë ‘Zëri i Shqiptarëve’ në ABC News, 70.3% e shqiptarëve shprehen se opozita duhet të marrë pjesë në këtë komision, pasi do t’i bënte zgjedhjet e ardhshme më të mira. 19.8% mendojnë të kundërtën, opozita nuk duhet të marrë pjesë në Komisionin e Posaçëm për Reformën Zgjedhore, pasi do të shërbente si fasadë e mazhorancës, ndërsa 9.9% e të tjerë janë të dyzuar.
Kampioni në këtë sondazh është 2488 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë dhe u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, me një marzh gabimi statistikor për kampionin e plotë: +/- 2%. / abcnews.al/
Shumica dërrmuese e shqiptarëve, mendojnë se opozita duhet të marrë pjesë në Komisionin e Posacëm për Reformën Territoriale.
Nga përpunimi i të dhënave në sondazhin ‘Zëri i Shqiptarëve’, këtë të hënë në ABC News, pyetjes se A duhet të marrë pjesë opozita në Komisionin për Reformën Territoriale, iu përgjigjën me PO, 77.1% të cilët mendojnë se pjesëmarrja e opozitës në këtë komision do ta bënte reformën të qendrueshme.
17.6% janë përgjigjur me JO, pasi sipas tyre pjesëmarrja e opozitës në komision do të shërbente si fasadë e mazhorancës, ndërsa 5.3 % janë të dyzuar.
Kampioni në këtë sondazh është 2488 banorë të rritur të vendit. Linku i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë dhe u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit. Kampioni u ripeshua statistikisht për t’i përfaqësuar sa më mirë 1.9 milionë banorët e rritur të Shqipërisë nga pikëpamja gjeografike, demografike, arsimore, dhe politike, me një marzh gabimi statistikor për kampionin e plotë: +/- 2%. / abcnews.al /
Tensionet në Lindjen e Mesme vijojnë të mbeten të larta, ndërsa skenarët për një përshkallëzim të mundshëm ushtarak mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po diskutohen gjithnjë e më hapur.
Ish-ambasadori i Shqipërisë në SHBA, Roland Bimo, dhe eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, të ftuar në emisionin “War Report”, theksuan se palët ndodhen në pozicione të kundërta dhe se një konflikt i mundshëm do të kishte pasoja të rënda rajonale dhe globale, përfshirë destabilitetin e Lindjes së Mesme dhe rritjen e çmimeve të naftës. Sipas tyre, përgatitjet ushtarake janë në rritje, ndërsa rreziku i një përplasjeje të zgjatur mbetet real.
Roland Bimo: Jemi në një situatë tjetër, ku gjeneralët i kanë thënë Trump që nuk do të ketë nj fitore edhe nëse bëhet një ndërhyrje nga ajri. Sipas lajmeve Netanyahu i ka thënë Trump që të mos sulmojë, sepse nuk janë të aftë që të mbrohen nga sulmet ajrore. Irani nuk është në gjendje të mbrohet nga sulmet e SHBA, e vetmja gjë që mund të përdorë për të kërcënuar është destabiliteti rajonal dhe rritja e çmimit të naftës.
Ledion Krisafi: Palët janë shumë larg. Irani nuk ka ndërmend që të heqë dorë nga armët bërthamore. Amerikanët dhe izraelitët janë me idenë që Lufta në Lindjen e Mesme mund të mos zgjatë 12 ditë, por 1 muaj dhe kostot do të ishin të mëdha. Janë dërguar shumë mjete luftarake në Lindjen e Mesme, sulmi për Iranin e qartë, po mendohet vetë kundërpërgjigja e Iranit.
Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, i ftuar në emisionin “War Report”, ka deklaruar se Europa është përfshirë prej të paktën katër vitesh në një luftë hibride, e cila sipas tij është zhvilluar kryesisht nga Rusia përmes shtetasve të vendeve të treta.
Gjatë intervistës, Krisafi theksoi se kjo luftë hibride është shfaqur në forma të ndryshme, përfshirë ndërprerjen e kabllove dhe akte të tjera sabotimi. Ai nënvizoi se, ndonëse mund të duket e pazakontë, një pjesë e madhe e personave të përfshirë në këto veprime janë shtetas ukrainas, ndërsa janë identifikuar edhe raste me shtetas polakë.
Sipas tij, për momentin Europa ka kapacitetet për ta kufizuar një fenomen të tillë, pasi lëvizja e shtetasve rusë në territorin europian është bërë më e vështirë. Krisafi vlerësoi gjithashtu se angazhimi i madh ushtarak i Rusisë në Ukrainë e pengon atë të hapë fronte të reja lufte në shtete të tjera europiane, si për shembull Estonia.
“Një luftë hibride ka të paktën katër vjet që janë duke u zhvilluar në Europë. Kabllo që janë ndërprerë etj. Këtë luftë hibride në Europë, Rusia e ka bërë me shtetas të tretë. Duket çudi por pjesa më e madhe e tyre janë shtetas ukrainas, janë kapur edhe polakë.
Evropa për momentin i ka mundësitë për ta kufizuar diçka të tillë, sepse rusët e kanë të vështirë të lëvizin nëpër Europë. Forcat që Rusia ka derdhur në Ukrainë janë aq të mëdha sa nuk mund të zhvillojë një luftë në një shtet tjetër si në Estoni etj, dhe kjo është një gjë pozitive për Europën. Logjika është që nëse lufta vazhdon në Ukrainë do të ketë një dobësim të Rusisë”, tha Krisafi.
Debati mbi prishjen e piramidës së pagave u rikthye në vëmendje gjatë tryezës së diskutimit në emisionin “Real Story”, ku ish-prokurori Ervin Karanxha dhe analisti Arben Meçe dhanë këndvështrime kritike mbi reformën në drejtësi dhe pasojat e saj.
Karanxha e cilësoi situatën si produkt të paaftësisë së strukturave të Vettingut, duke theksuar se ligjet janë hartuar dhe miratuar nga të njëjtët aktorë që sot kërkojnë përfitime financiare, ndërsa përgjegjësia institucionale, sipas tij, mbetet e paqartë.
Nga ana tjetër, Meçe vuri theksin te rreziku i cenimit të parimit të proporcionalitetit dhe barazisë para ligjit, duke argumentuar se sistemi i posaçëm me paga të jashtëzakonshme është shkëputur nga piramida e përgjithshme e pagave dhe mungon një mekanizëm real kontrolli mbi të.
Ish-prokurori Ervin Karanxha:Ne duhet të dalim në rrënjët e këtij diskutimi. Personat që janë marrë me reformën në drejtësi kanë qenë indipedentë. Tani këta vetë i kanë bërë këto ligje. Po kërkojnë atë që u takon. Është apo nuk është ligjore, kjo është gjë tjetër. Duhet të bëhet një reformë, që nga të paaftëve në “Vetting”. Mendimi im personal është që u takon rritja e pagave. Vetë e ke thënë, vetë e ke miratuar. Pse, a nuk ka përgjegjësi ministri i Financave?! Kur shikon Kodin Penal të vjen për të qeshur, është si një film me kartona.
Analisti Arben Meçe:Kemi një sistem që është tërësisht i pavarur. E vetmja pikë që pretendohet se ka varësi, është rroga. Mungon mekanizmi i kontrollorit. Nuk është Gjykata Kushtetuese që rrit rrogën, vetëm e shqyrton në bazë të ligjeve dhe piramidës së rrogave. Gjithë sistemi i posaçëm, janë të jashtëzakonshme duke qenë të tilla edhe pagat e tyre janë të jashtëzakonshme dhe nuk bëjnë pjesë në piramidën e pagave. Ajo që na shqetëson ne në këtë moment është se cenohet parimi i proporcionalitetit dhe barazia para ligjit.
Në tryezën e diskutimit të programit Real Story, avokati Edmond Petraj tha se kërkesa e gjyqtarëve për rritje rroge është e drejtë.
Më tej, Petraj theksoi se kërkesa është relatuar saktë dhe se shifra e përfolur nuk është 3 mijë euro, por 750–800 euro. Avokati gjithashtu vlerësoi se ekziston një diskriminim mes gjyqtarëve të GJKKO-së dhe atyre të gjykatave të tjera, ndërkohë që rreziku në ushtrimin e profesionit është i njëjtë.
“Objekti i kërkesës është shfuqizimi i ligjit 33/23 për një ndryshim në statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Në këtë ligj ata nuk janë në revansh, sepse referohen te ligji që vetë e kanë bërë. Rritja e rrogës nuk është në ato shifra që kam dëgjuar. Për ndërhyrje në këtë proces ka ndërhyrë edhe një shoqatë tjetër.
Rrogat janë nga 1.6 milionë deri në 1.7 milionë, ndërsa një këshilltar në Kuvend merrte 2 milionë lekë.
Për diskriminim kemi gjyqtarë të GJKKO-së, që kanë më shumë risk, por duket se ka një përkëdheli. Rreziku është i barabartë dhe probabiliteti që të ndodhë një risk, siç ndodh edhe në Apel, është i njëjtë. Marrëdhënia që lexova për kërkesat që kishte bërë Këshilli i Ministrave mu dukën elemente që nuk e mundin anën ligjore. Për mendimin tim, gjyqtarësit kanë të drejtë dhe nuk ka qenë ajo shifër që kërkojnë. Kërkesën e kanë relatuar shumë mirë, për mendimin tim është legjitime dhe ia vlen të diskutohet. Nuk kërkojnë shtesë 3 mijë euro secili, nuk shkonte më shumë se 750–800 euro.” / abcnews.al /
Policia Kufitare e Korçës ka konstatuar dhe ndaluar 16 emigrantë të paligjshëm të moshës dhe nacionaliteteve të ndryshme, të cilët ishin strehuar në një ndërtesë të braktisur në fshatin Qatrom.
Sipas informacioneve paraprake, emigrantët ishin fshehur në një ndërtesë në afërsi të teqesë së Qatromit, ndërsa gjatë ndërhyrjes së policisë u konstatua se njëri prej tyre kishte probleme shëndetësore, pasi kishte ndrydhur këmbën.
Menjëherë pas njoftimit nga policia kufitare, në vendngjarje mbërriti ambulanca për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore. Burime bëjnë me dije se kontrollet janë shtuar nga Policia Kufitare e Korçës, me qëllim jo vetëm evidentimin e emigrantëve të paligjshëm, por edhe identifikimin e personave që ndihmojnë këta shtetas për të lëvizur drejt Tiranës apo qyteteve të tjera të vendit.
Kontrollet në zonë vijojnë, ndërsa emigrantët po dërgohen drejt Drejtorisë së Kufirit dhe Migracionit në Korçë për veprime të mëtejshme.
Kryeministri Edi Rama ka reaguar në rrjetet sociale lidhur me kërkesat e gjyqtarëve për rritje pagash, duke theksuar se pagat e tyre janë të krahasueshme me ato në Greqi dhe më të larta se në Maqedoninë e Veriut dhe Malin e Zi.
Ndërkohë, juristja Brizida Gjikondi, e ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, e cilësoi përplasjen mes ekzekutivit dhe gjyqësorit si kryesisht politike dhe jo financiare, duke kritikuar mënyrën e komunikimit dhe përdorimin e zgjedhjeve në këtë debat, si dhe duke theksuar nevojën për më shumë kujdes institucional, veçanërisht në një çështje që është në shqyrtim nga Gjykata Kushtetuese.
“SPAK nuk është përfshirë fare në këtë, megjithëse është përmendur. Marrëdhënia ekzekutiv dhe gjyqësor është bërë si “Lufta dhe Paqja”. U është hapur “syri” gjyqtarëve dhe Unionit të Gjyqtarëve. Mendoj që vetë Rama nuk ka hallin e financës, kam përshtypjen që është një përplasje që është më shumë politike se sa ligjore. Mendoj që duhet të ishte me një standard më të lartë komunikimi. Fakti që kanë përdorur zgjedhjet është një paburrëri.
Gjithë kjo histori është nga autorët e reformës në drejtësi. Nuk u morën vetëm me reformën në drejtësi, por me financat e reformës në drejtësi. Ky është një mos pasje vizioni. Duhet kapur Demi prej brirësh dhe të jemi realistë që Rama të mos merret me pasoja, por të shikojë gjithë këtë kaos, ku përfitojnë dhe sindikata të tjerë. Gjuha e Ramës për më tepër që është në Gjykatën Kushtetuese, duhet të jetë më e kujdesshme. Po e rithem që nuk është përplasje për financat, por është tërësisht politike”, tha Gjikondi./abcnews.al
Analisti Arben Meçe tha për Real Story se është e papranueshme që një gjyqtar apo një strukturë paralele me Gjykatën Kushtetuese të ngrejë dyshime mbi autonominë e vendimmarrjes së saj.
Ai theksoi se ky qëndrim pasqyron një realitet shqetësues në sistemin e drejtësisë, ku gjyqtarët kërkojnë benefite nga drejtësia por nuk e njohin atë. Meçe tha se trupa e gjyqtarëve kushtetues duhet ta rrëzojë çështjen.
“Që një gjyqtar, aq më tepër një sistem gjyqësor paralel me GJK-në, të arrijë në argumentimin e vet të ngrejë dyshimin e funksionimit të GJK-së, që vendimmarrjet nuk i ka autonome por që janë produkt i ndikimit të qeverisë, dhe ne si të zgjuar gjetëm atë moment dhe ne do bëjmë gol. Me kaq kjo seancë është e mbyllur, sepse ka goditur parimin e marrëdhënies, nuk lejohet ky qëndrim.
Nuk është e rastësishme, është pasqyrim i realitetit në sistemin e drejtësisë, që kërkojnë benefite nga sistemi por nuk e njohin. Atyre u bëhet presion me lekë dhe vendimmarrjet e tyre janë të ndikuara nga leku. Kur ai si gjyqtar gjen një moment për vendimmarrje, ku është trupa më e besueshme e shtetit, kur ajo e vë në këtë mekanizëm, këta që kanë relatuar atje duhet të futen nga ILD. Me kaq sa ka referuar, trupa e gjyqtarëve kushtetues duhet ta rrëzojë çështjen vetëm nga paragjykimi.”
Kryeministri i Grenlandës, Jens-Frederik Nielsen, paralajmëroi të hënën se, ndërsa presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka përjashtuar forcën ushtarake, Uashingtoni ende kërkon në thelb të kontrollojë ishullin Arktik.
Trump intensifikoi thirrjet për kontrollin e SHBA-së mbi Grenlandën në fillim të vitit, duke përmendur shqetësime për sigurinë kombëtare që lidhen me Rusinë dhe Kinën.
Disa aleatë evropianë të NATO-s kanë mbrojtur sovranitetin e Danimarkës mbi Grenlandën, dhe kanë thënë se presioni i Trump kërcënon të përçajë aleancën e NATO-s.
Presidenti i SHBA-së që atëherë është tërhequr nga kërcënimet me forcë dhe ka thënë se kishte siguruar qasje të plotë të SHBA-së në Grenlandë në një marrëveshje të NATO-s, megjithëse detajet mbeten të paqarta.
“Pikëpamja mbi Grenlandën dhe popullsinë nuk ka ndryshuar: Grenlanda do të lidhet me SHBA-në dhe do të qeveriset prej andej”, tha Nielsen në një fjalim para parlamentit të ishullit në Nuuk, duke folur nëpërmjet një përkthyesi.
Nielsen tha se SHBA-të vazhdojnë të kërkojnë “shtigje drejt pronësisë dhe kontrollit mbi Grenlandën”.
Qeveria e ishullit tha javën e kaluar se kishte nisur një studim mbi gjendjen e shëndetit mendor të popullsisë në një kohë presioni të jashtëzakonshëm.
“Disa nga bashkatdhetarët tanë kanë probleme të rënda me gjumin, fëmijët ndiejnë shqetësimin dhe ankthin e të rriturve dhe të gjithë jetojmë me pasiguri të vazhdueshme për atë që mund të ndodhë nesër. Duam ta themi shumë qartë: Kjo është plotësisht e papranueshme”, tha Nielsen.
Bisedimet diplomatike midis SHBA-së, Danimarkës dhe Grenlandës filluan javën e kaluar me zyrtarë të lartë që u takuan për të “diskutuar se si mund t’i adresojmë shqetësimet amerikane në lidhje me sigurinë në Arktik, duke respektuar linjat e kuqe të Mbretërisë”, tha ministria e Jashtme e Danimarkës.
Nielsen gjithashtu vlerësoi Danimarkën si një partner të ngushtë gjatë gjithë krizës.
Ai ka deklaruar më parë se nëse banorët e Grenlandës do të detyroheshin të zgjidhnin midis SHBA-së dhe Danimarkës, ata do të zgjidhnin Danimarkën. Fjalimi nuk përmendi pavarësinë e Grenlandës.
Për popullsinë vendase Inuit të Grenlandës, debati mbi pronësinë bie ndesh me vlerat kulturore. Sipas ligjit të Grenlandës, njerëzit mund të zotërojnë shtëpi, por jo tokën poshtë tyre, duke reflektuar konceptin Inuit të administrimit kolektiv të tokës.
Fjalimi i presidentit amerikan Donald Trump në Forumin Ekonomik Botëror në Davos ka ngjallur shqetësim për situatën e ilaçeve në Europë, pasi për disa minuta ai ka folur për çmimet dhe disponueshmërinë e ilaçeve inovative duke përdorur një narrativë të njohur, sipas së cilës SHBA-ja paguan më shumë se vendet e tjera të zhvilluara për të njëjtat ilaçe dhe pjesa tjetër e botës, përfshirë Europën, përfitojnë nga kjo diferencë.
Trump ka thënë se nëse Franca nuk rrit çmimet, SHBA-ja do të vendosë tarifa deri në 25 për qind, një version që Franca e ka mohuar, por mesazhi mbetet i rëndësishëm për të gjitha tregjet europiane. Ai ka paraqitur idenë se çdo vend aleat përfiton nga Amerika, duke marrë për bazë çmimet më të ulëta të ilaçeve në vendet e pasura si Italia, Franca, Gjermania, Spanja apo Britania, duke e kthyer këtë situatë në një mënyrë për të mbrojtur interesat amerikane.
Kjo politikë ka implikime reale dhe të prekshme, pasi vendet europiane mund të përballen me rritje çmimesh dhe kufizim të furnizimit me ilaçet më të rëndësishme. Prsh Italia, ku çmimet e ilaçeve janë ndër më të ulëtat në botë, mund të bëhet tregu referencë dhe kompanitë mund të rrisin çmimet në vend ose të kufizojnë furnizimin, për të mbrojtur fitimet e tyre në SHBA.
Në të vërtetë, problemi nuk është tek vendet europiane, por tek struktura e tregut amerikan, ku nuk ka blerës të centralizuar, çmimet nuk lidhen me vlerën klinike të ilaçeve dhe ekzistojnë ndërmjetës që mbajnë çmime të larta, ndërkohë që deri në vitin 2022 programi publik Medicare nuk mund të negocionte çmimet për ilaçet, gjë që ka çuar në çmime disa herë më të larta sesa në Europë.
Për shembull, disa terapi onkologjike në SHBA kushtojnë deri 11 herë më shumë se në Gjermani dhe 4 herë më shumë se në Francë, dhe vetëm shpenzimet për ilaçet onkologjike janë 38 për qind më të larta se në Gjermani, 80 për qind më të larta se në Francë dhe 122 për qind më të larta se në Britani, ndërsa Italia qëndron midis Francës dhe Britanisë me çmime relativisht të ulëta dhe për këtë arsye rrezikohet si treg referencë.
Europa ka një model shumë më të qëndrueshëm, ku blerjet bëhen në mënyrë centralizuar për spitalet dhe qytetarët, çmimet lidhen me vlerën klinike të ilaçeve përmes Health Technology Assessment, dhe shumica e ilaçeve të reja aprovohen dhe shpërndahen shpejt në spitalet europiane, duke siguruar qasje të gjerë për qytetarët. Megjithatë, politika amerikane mund të rrezikojë këtë ekuilibër, duke detyruar kompanitë të përqendrojnë furnizimin dhe fitimet në SHBA dhe të kufizojnë aksesin në Europë.
Për qytetarët dhe qeveritë europiane, kjo situatë tregon qartë nevojën për sovranitet farmaceutik, për të zhvilluar kapacitete prodhimi të brendshme për ilaçe strategjike, për të rritur investimet në kërkim dhe zhvillim të terapive inovative brenda Europës, për të siguruar diversifikim të furnizimit dhe blerjeve, në mënyrë që tregjet europiane të mos varen nga SHBA-ja apo nga disa kompani ndërkombëtare dhe për të forcuar mekanizmin e vlerësimit të çmimeve dhe efektivitetit të ilaçeve për të mbrojtur buxhetet e spitaleve dhe shëndetin e pacientëve.
Vetëm duke ndjekur këto hapa, Europa mund të mbrojë qytetarët nga rritja e çmimeve, kufizimi i furnizimit dhe presioni i politikave amerikane, duke ruajtur qasjen në ilaçe inovative dhe me rëndësi jetike, pa u varur nga interesat e tregut amerikan dhe manipulimet politike që synojnë të transferojnë barrën financiare jashtë SHBA-së.
Fjalimi i Trump nuk është thjesht një performancë politike, por një paralajmërim i qartë se pa një strategji të fortë për pavarësi farmaceutike, çdo vend europian, mund të përballet me pasoja të drejtpërdrejta për shëndetin e qytetarëve dhe në buxhetet e shëndetësisë, duke rrezikuar që sistemi aktual i menaxhimit të ilaçeve, që është relativisht efikas, të dëmtohet nga logjika e tregut amerikan dhe kërkesat për “çmime të barabarta”, që favorizojnë SHBA-në. /Corriere Della Sera