Normal view

Abuzoi me vajzën e mitur, lihet në burg babai në Fier. Çfarë zbuloi ekspertiza

By: fra nc
2 July 2025 at 13:23

Gjykata e Shkallës së Parë të Rrethit Gjyqësor Fier ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për 36-vjeçarin Zamir Meta, i cili dyshohet se ka abuzuar seksualisht me vajzën e tij të mitur të moshës 12-vjeçare.

I dyshuari mbërriti në ambientet e gjykatës rreth orës 10:00, me kokën ulur, ndërsa seanca u zhvillua me pjesëmarrjen e prokurorit Genci Mane, gjyqtarit Nertil Dushku dhe një avokati të caktuar kryesisht. Gjatë dëshmisë së tij para trupit gjykues, Meta ka qëndruar i përulur dhe ka pranuar aktin e rëndë.

Në deklarimet e dhëna më parë në polici, ai ka pohuar se abuzimi ka ndodhur “vetëm një herë”, por ekspertiza mjeko-ligjore ka konfirmuar marrëdhënie të përsëritura me vajzën, duke përforcuar dyshimet për një abuzim sistematik.

Në një prononcim për mediat, nëna e vajzës ka deklaruar se nuk ka qenë në dijeni të ngjarjes dhe e ka mësuar gjithçka vetëm pas denoncimit të së bijës në polici. Ajo kërkoi dënim maksimal për bashkëshortin, duke theksuar se vajza kishte shfaqur sjellje të pazakonta, por nuk kishte rrëfyer më herët për përjetimet e saj.

Hetimet vijojnë për zbardhjen e plotë të kësaj ngjarjeje tronditëse që ka shkaktuar reagim të fortë në opinionin publik.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Abuzoi me vajzën e mitur, lihet në burg babai në Fier. Çfarë zbuloi ekspertiza appeared first on Euronews Albania.

“Ndodhi vetëm një herë”- Akuzohet se abuzoi me të bijën, del në gjykatë 36-vjeçari

By: fra nc
2 July 2025 at 11:11

Është paraqitur këtë të mërkurë në Gjykatën e Shkallës së Parë të Fierit 36-vjeçari, Zamir Meta, i cili akuzohet për abuzim seksual ndaj vajzës së tij të mitur 12-vjeçare.

Meta, baba i shtatë fëmijëve, ka pranuar para policisë gjyqësore se ka kryer aktin, por ka pretenduar se ka ndodhur “vetëm një herë”. Procesi gjyqësor është në fazën paraprake dhe pritet të vijojë me administrimin e provave dhe dëshmive.

Sipas nënës së vajzës, adoleshentja ishte larguar nga banesa në orët e para të mëngjesit dhe kishte kërkuar ndihmë te fqinjët, duke shfaqur shenja të traumës së rëndë psikologjike. Ajo dyshon se abuzimi ka ndodhur në mënyrë të përsëritur që prej moshës 5-vjeçare, por është mbajtur e fshehtë nga vajza.

Hetimet vijojnë për të zbardhur të plotë ngjarjen.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Ndodhi vetëm një herë”- Akuzohet se abuzoi me të bijën, del në gjykatë 36-vjeçari appeared first on Euronews Albania.

Dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën 12-vjeçe, kush është 36-vjeçari i arrestuar

By: fra nc
1 July 2025 at 11:56

Një ngjarje e rëndë është raportuar në fshatin Sheqishtë të Patosit, ku Policia ka arrestuar në flagrancë një 36-vjeçar, i cili dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tij të mitur të moshës 12-vjeçare.

Shtetasi i arrestuar është, Zamir Meta, personi që shihni në foton e mësipërme.

Nëna e vajzës, 30 vjeç, ka deklaruar për mediat se vajza ishte larguar nga banesa në orën 4 të mëngjesit dhe kishte shkuar te fqinjët, pasi dyshohet se ishte përdhunuar nga babai. Ajo shtoi se vajza kishte qenë e abuzuar sistematikisht që nga mosha 5-vjeçare dhe kishte shfaqur sjellje agresive, por nuk kishte treguar më parë për ngjarjen.

Policia po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rastit.

“Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Fier arrestuan në flagrancë shtetasin Z. M., 36 vjeç, banues në fshatin Sheqishtë, Patos, pasi dyshohet se ka kryer marrëdhënie seksuale me vajzën e tij 12 vjeçe. Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, për veprime të mëtejshme.”, njofton policia.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Dyshohet se abuzoi seksualisht me vajzën 12-vjeçe, kush është 36-vjeçari i arrestuar appeared first on Euronews Albania.

GJKKO e la në burg, reagon Ilir Meta

26 June 2025 at 15:39

Ish-presidenti Ilir Meta reagoi pa vendimit të sotëm të Gjykatës së Posaçme që la në fuqi masën e “arrestit me burg” ndaj tij.

Përmes një mesazhi të shpërndarë në faqen e vet në Facebook, Meta i cili ndodhet në qeli që nga tetori i vitit të shkuar, i cilësoi qesharake pretendimet e akuzës ndërsa ritheksoi se çështja e tij do të shkojë në Gjykatën e Strasburgut

“Asnjë çudi nga drejtësia me regji ku SPAK përgjon gjykatat dhe ku afërmendsh akuzat formulohen nga tribunat e “Rilindjes”.

Ne do ta çmontojmë këtë farsë hap pas hapi dhe do ta shpartallojmë në Gjykatën e Strasburgut por edhe në debatin publik.

Ndaj ndiqni sot në ora 17:30 argumentet e mia kryesore kundër pretendimeve qesharake të akuzës, nga Sekretari i Përgjithshëm, z.Tedi Blushi.

Nesër në ora 11:00 përmes telefonit të z.Blushi i ftoj të gjithë gazetarët të më adresojnë  pyetjet e tyre për të zhvilluar së bashku një konferencë për mediat live.

Nuk ka fuqi që i mbyt të vërtetat e Ilir Metës dhe kauzat e Partisë së Lirisë”, shprehet Meta.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post GJKKO e la në burg, reagon Ilir Meta appeared first on Euronews Albania.

Shtyhet seanca për Metën, avokati: SPAK pranoi se akuza për lobimin në SHBA ka rënë

By: Besnik
20 June 2025 at 12:34

Seanca e kësaj të premte ndaj kreut të Partisë së Lirisë është shtyrë për më datë 26 qershor, pasi pala mbrojtëse ka kërkuar kohë për t’u njohur me aktet e reja të paraqitura nga Prokuroria e Posaçme.

Duke folur para mediave, avokati i zotit Meta, Kujtim Cakrani, tha se ka rënë akuza për lobimin në SHBA, pasi sipas tij ishte vetë prokurori që e tha këtë në seancë.

“Sot prokurori ka kërkuar që akuza sa i përket lobimit në SHBA nuk qëndron më. Ky është një lajm shumë i mirë, e ka sjellë prokurori. Prokurori e pranoi se lobimi ka rënë, pasi nga emailet që kanë ardhur vërtetohet që zoti Meta nuk ka kryer pagesën 100 mijë euro, siç është thënë deri më sot, por ka qenë një pagesë 15 mijë euro që është paguar dhe më pas është ndërprerë”, tha avokati i Metës.

Ai sqaroi dhe ecurinë e kësaj seance ku tha se prokurori i SPAK paraqiti 5 fashikuj, ku tre prej tyre sipas tij ishin përkthime për lobimin në SHBA.

“Sot u shty sepse unë kërkova të njihem me aktet e prokurorit dhe disa dëshmi. Prokurori thotë se po verifikon pasuritë e vjehrrës së zotit Meta dhe nuk foli asgjë mbi zotin Meta. Dhe unë i thashë që s’kam lidhje me zonjën Kryemadhi, me nënën e saj, ia thashë këtë prokurorit. Zoti Meta nuk ka përdorur asnjë kartë, kartë ka përdorur ish-bashkëshortja e tij. U fol për çdo gjë, por vetëm për zotin Meta nuk u fol. Ne kërkuam kohën tonë të shqyrtojmë pretendimet e akuzës dhe kush është arsyeja që ai të qëndrojë në paraburgim”.

I pyetur nga një gazetare se pse zoti Meta nuk kërkon lirimin me garanci pasurore, avokati Cakrani u shpreh se s’ka si ta kërkojë kur ai s’ka pasuri fare.

“Meta s’ka pasuri, janë zero pasuritë e zotit Meta. Të marrin Elon Musk, t’i gjejnë pasuritë në Mars, e ka zero pasurinë. Zoti Meta s’ka çfarë garancie të japë, ai s’ka, s’i kërkon lirimin për të lënë pasuri sepse e ka zero pasurinë. Ka vetëm 1 të 4-tën e pasurisë së babait. Zoti Meta po mbahet aty për aludime. Nga kërkimet që ka bërë SPAK, ka kërkuar në Shqipëri, në Kanada, Qipro e kudo. Ka bërë letër-porosi dhe zoti Meta nuk disponon as pasuri të luajtshme, as të paluajtshme. Unë këtu bazohem. Ai po mbahet në paraburgim pa asnjë provë dhe fakt. Ky është thelbi. Sot bëjnë tetë muaj që i bëhet një inkuizicion presidentit të Partisë së Lirisë”.

Në mbyllje, Cakrani tha se nuk ka më prova për Ilir Metën dhe ai mbahet në burg me urdhër politik dhe ndaj Metës sipas tij po kryehet inkuizicion.

“E kuptoni? Nuk ka më prova për zotin Meta. Sot u fol aty për X, Ypsilonin… Ç’lidhje ka zoti Meta me analizat financiare të ish-it, ish-it dhe ish-it? Zoti Meta duhet të lirohet patjetër, sepse po mbahet në paraburgim nga një urdhër politik i Ayatollahut të Tiranës. Zoti Meta është në formë perfekte fizike dhe shëndetësore. Foli prokurori – ka sjellë një material 31 faqesh. Tani, në datën 26, ora 10:30, kemi seancën tjetër. Do flasim për ato që ka sjellë prokurori”, tha avokati i zotit Meta, Kujtim Cakrani.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Shtyhet seanca për Metën, avokati: SPAK pranoi se akuza për lobimin në SHBA ka rënë appeared first on Euronews Albania.

Ilir Meta kërkon zbutjen e masës së sigurisë, SPAK zbulon episod të ri korrupsioni

20 June 2025 at 10:33

Ilir Meta do të paraqitet sot në orën 11:30 në Gjykatën e Posaçme Kundër Krimit dhe Korrupsionit, ku do të kërkojë zbutjen e masës së sigurisë që i është caktuar.

Ndërkohë, burime  bëjnë me dije se është zbuluar një episod i ri korrupsioni, i cili i atribuohet Metës dhe ish-bashkëshortes së tij, Monika Kryemadhit. Bëhet fjalë për një kartë tjetër bankare që rezulton se është përdorur për blerje dhe shpenzime të ndryshme.

Mësohet se karta i është vënë në dispozicion Metës dhe Kryemadhit nga biznesmeni Adrian Shatku. Nga hetimet paraprake më herët u zbulua një kartë tjetër “Amerikan Express” që ishte përdorur dhe vënë në dispozicion nga i njëjti biznesmen.

Po ashtu, SPAK pritet të saktësojë edhe episodin mbi akuzën e lobimit të ish-LSI-së, pasi nga letërporositë janë zbuluar të dhëna të reja lidhur me pagesat dhe kontratën përkatëse.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ilir Meta kërkon zbutjen e masës së sigurisë, SPAK zbulon episod të ri korrupsioni appeared first on Euronews Albania.

Meta dënohet me ndalimin e aktiviteteve sportive në burg, reagon Partia e Lirisë

By: Besnik
11 June 2025 at 16:26

Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë, z. Tedi Blushi, doli në një konferencë shtypi këtë të mërkurë, ku njoftoi se pas një lidhjeje live nga burgu me një studio televizive përmes celularit, Ilir Metës i është ndaluar aktiviteti sportiv.

Sipas Blushit, Meta është dënuar nga Komisioni Disiplinor i burgut “Jordan Misja” me 10 ditë ndalim të ushtrimit të aktiviteteve sportive. Ky vendim, sipas tij, është marrë sepse Meta realizoi një intervistë live me telefon gjatë një emisioni televiziv.

Në studion e lajmeve ka qenë vetë Blushi i ftuar, i cili, duke komunikuar në celular me Metën, ia ka kaluar telefonin drejtueses së lajmeve, ku Meta është prononcuar.

“Partia e Lirisë dënon gjithashtu me forcë edhe përpjekjen kriminale të narkoregjimit, që pasi i kufizoi lirinë e lëvizjes duke e izoluar padrejtësisht, në mënyrë krejtësisht qesharake po tenton t’i heqë Presidentit Meta edhe lirinë dhe të drejtën e fjalës për të komunikuar me gazetarët.

Rasti më qesharak ndodhi sot, kur Komisioni Disiplinor i IEPV ‘Jordan Misja’ dënoi Presidentin Meta me 10 ditë ndalim të aktiviteteve sportive në ambientet e paraburgimit, vetëm pse pak ditë më parë realizoi live një intervistë me gazetaren Beti Njuma”, tha Blushi.

Sekretari i Përgjithshëm i PL-së, Blushi, u ndal edhe tek zgjatja e hetimeve për Metën, duke thënë se është një akt tërësisht politik dhe se po e mbajnë në qeli pa prova.

“Zgjatja mafioze e afatit të hetimeve për Presidentin Meta, në mungesë totale të provave që kurrë nuk do të gjenden sepse nuk ekzistojnë, është një akt tërësisht politik, që është urdhëruar publikisht në Asamblenë e Partisë Socialiste nga Edi Rama më 7 maj të vitit 2022, të cilin e dënojmë me forcën më të madhe. Presidenti Meta, në krye të Partisë së Lirisë, po drejton me vendosmëri dhe efikasitet të plotë politik aktivitetin dhe qëndrimet e saj politike. Me gjithë kushtet e izolimit, ai gëzon shëndet të plotë dhe garanton të gjithë gazetarët e pavarur se asnjë masë represioni apo kufizimi e imponuar nga narkoregjimi nuk do të mund t’i ndalojë atij kurrë lirinë e fjalës dhe të drejtën për të komunikuar me mediat e pavarura”, tha Blushi.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Meta dënohet me ndalimin e aktiviteteve sportive në burg, reagon Partia e Lirisë appeared first on Euronews Albania.

Iu zgjatën hetimet me 6 muaj, Ilir Meta reagon nga burgu: Do dal më i fortë

10 June 2025 at 11:59

Kreu i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit 2024 nën akuzat për korrupsion, ka reaguar këtë të martë me anë të një postimi në Facebook ku shprehet se sot duhet të mbylleshin hetimet zyrtare ndaj tij, por ato janë shtyrë për të dytën herë.

Meta shprehet se afati i përfundimit të hetimeve u shty fillimisht me 6 muaj ndërsa ditën e djeshme i është komunikuar një tjetër shtyrje për të mbledhur prova. Sipas ish-presidentit nuk ka asnjë provë kundër tij gjatë 32 viteve aktivitet politik.

Status i plotë i Ilir Metës:

Sot duhet të mbylleshin hetimet zyrtare ndaj meje, që ishin shtyrë njëherë me 6 muaj pas rrëmbimit tim kriminal dhe banditesk pa akuzë, siç e kanë parë të gjithë qytetarët shqiptarë dhe e gjithë bota.

Edhe pse më 27 maj 2025 më ishte komunikuar një akuzë tërësisht politike, që është formuluar në Asamblenë e Partisë Socialiste të datës 7 maj 2022  “çuditërisht” dje m’u komunikua një shtyrje tjetër e afatit të hetimeve për të mbledhur gjoja prova të mjaftueshme, ndërkohë që hetimet ndaj meje kanë nisur që në dhjetor 2019 nën kujdesin e veçantë të Charles McGonigal, kryezbuluesit të FBI të korruptuar nga Edi Rama.

Nuk ka mbetur kontinent, shtet, ishull dhe bankë në botë pa çuar letër-porosi për mua.

Përfundimi dihet, zero fakte, zero prova, zero qindarkë të paligjshme, zero cent të paligjshëm, zero pasuri të paligjshme të Ilir Metës të zbuluar në të gjithë veprimtarinë hetimore 6-vjeçare të SPAK për aktivitetin tim publik 32-vjeçar.

Për të justifikuar mbajtjen time të paligjshme në burg presin letër-porosi për persona të cilët gëzojnë liri të plotë dhe që uroj të gëzojnë liri dhe shëndet gjithmonë.

Ndërsa unë, Presidenti i Partisë së Lirisë, duhet të vazhdoj të qëndroj në paraburgim vetëm për të penguar aktivitetin tim politik dhe publik si lider opozitar i pashantazhueshëm nga narkoregjimi dhe veglat e tij.

Për mua le të çojnë letër-porosi edhe në planete të tjera se inceneratori përsëri nuk ekziston dhe shqiptarët vazhdojnë të paguajnë 90 mijë euro/ditë që një pjesë e këtyre parave të shkojnë edhe për mediat e regjimit, për gazetarët dhe analistët në shërbim të “Rilindjes” dhe të SPAK-ut.

Partia e Lirisë nga kjo përballje me Narkoregjimin do të dalë shumë herë më e fortë sepse kauzat tona janë të pathyeshme dhe Ilir Meta do të jetë gjithmonë besnik i 2 Marsit deri në rikthimin e plotë të sovranitetit të popullit shqiptar, që u përdhos aq rëndë edhe me farsën e 11 Majit, për të cilën jo pak ndihmë dha edhe Task-Force imagjinare e SPAK-ut.

Brenda javës ezaurojmë Gjykatën Kushtetuese dhe ecim me shpejtësi drejt Strasburgut.

Fundi i drejtësisë me regji do të jetë i turpshëm dhe i “falenderoj” që kurrë nuk më kanë zhgënjyer sepse me veprimet e tyre tërësisht sorosiste, arbitrare dhe kriminale vetëm kanë provuar atë që kam thënë prej shumë kohësh, që kjo është një drejtësi me regji, garante e pandëshkueshmërisë të Edi Ramës, e arkitektit dhe vendimmarrësit absolut për aferën e shekullit të inceneratorëve, i vetmi kryeministër në botë që shpall fituesit pa lindur akoma, emri i të cilit është të paktën 14 herë në dosjen e mikut të tij McGonigal.

Pluralizmi politik në Shqipëri do të rivendoset dhe do të jetë plotësisht funksional dhe bashkë me të edhe LLOGARIDHËNIA për Kryemercenarin e Shqipërisë dhe të gjithë mercenarët e tij që shkelin ligjin dhe Kushtetutën.

The post Iu zgjatën hetimet me 6 muaj, Ilir Meta reagon nga burgu: Do dal më i fortë appeared first on Euronews Albania.

SPAK kërkon zgjatjen e hetimeve për Metën, avokati: S’kanë mbledhur asnjë provë

By: Besnik
9 June 2025 at 15:32

SPAK ka kërkuar këtë të hënë zgjatjen e hetimeve ndaj kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta.

Avokati i tij, pasi ka marrë shkresën nga prokurorët, deklaroi për mediat se SPAK po mban Ilir Metën në paraburgim, megjithëse sipas tij ende nuk ka asnjë provë ndaj tij.

Avokati Kujtim Cakrani u shpreh se Meta mbahet në burg për arsye politike, ndërsa citoi shkresën e prokurorëve, të cilët, sipas tij, me arsyetimin se “presin prova dhe përgjigje për akt-ekspertime”, kanë kërkuar zgjatjen e hetimeve.

Avokati i Metës tha se është e pakuptimtë që SPAK ka gjashtë vite që nuk gjen prova për Metën, dhe sërish kërkon zgjatje të afateve hetimore.

Meta ndodhet prej 7 muajsh në paraburgim dhe, sipas avokatit, Prokuroria nuk e ka përmbushur detyrimin ligjor për të kërkuar nga Gjykata çdo dy muaj vazhdimin e masës së paraburgimit. “Çështjen do ta çojmë në Gjykatën Kushtetuese dhe më pas në Strasburg. Si ka mundësi që SPAK, edhe pas një viti, të thotë se nuk ka prova për të vijuar hetimet ndaj Metës? Këtu kam një shkresë ku Prokuroria kërkon sërish zgjatjen e afatit me 6 muaj të tjerë,” – tha ai.

Sipas avokatit, kjo është hera e dytë që kërkohet zgjatje me një shkresë “të thatë” sipas tij, ku thuhet se “presin prova, presin akt-ekspertim të ish-vjehrrës”. “Po çfarë lidhje ka zoti Meta me aktet e ekspertimit të vjehrrës?”, shtroi ai pyetjen.

“Thonë se nuk janë mbledhur provat për të, por megjithatë e mbajnë në burg Presidentin e Republikës. Nuk ka asnjë provë, asnjë fakt që justifikon këtë masë, dhe është absurde që presidenti vijon të qëndrojë në paraburgim. Presidentit i është komunikuar akuza dhe afati përfundon nesër, ndërkohë që SPAK i ka shtyrë me 6 muaj të tjerë hetimet. Erdha sot dhe më dhanë vendimin. Nuk kuptojmë pse mbahet në paraburgim. Pse mbahet në paraburgim Ilir Meta? Kjo është pyetja që shtrohet. Ne nuk jemi kundër hetimit, ai është pro hetimit, por pse mbahet në paraburgim?”, tha Cakrani.

Avokati theksoi se të gjithë e dinë që Meta mbahet për çështje politike dhe përmendi mënyrën se si, sipas tij, u arrestua: “Po të donte SPAK, do kishte ndikuar te kolegët e tyre në Prokurorinë e Tiranës për hetimet, për të zbardhur se si u rrëmbye Ilir Meta nga ata policë”, tha avokati i Metës.

Avokati paralajmëroi se këtë çështje do ta çojnë në Gjykatën Kushtetuese dhe në Strasburg, duke kundërshtuar qëndrimin e Metës në burg, sipas tij pa prova, si edhe mënyrën e arrestimit, që do të dërgohet në Gjykatën Evropiane për të Drejtat e Njeriut.

LEXONI GJITHASHTU:

The post SPAK kërkon zgjatjen e hetimeve për Metën, avokati: S’kanë mbledhur asnjë provë appeared first on Euronews Albania.

Meta zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, avokati: Ja sa rrezikon të dënohet

27 May 2025 at 22:11

SPAK ka përfunduar hetimet dhe ka marrë zyrtarisht të pandehur ish-presidentin Ilir Meta me akuzat e korrupsionit, pastrimit të parave dhe mosdeklarimit të pasurisë.

Ish-prokurori dhe avokati Gentian Rumano shpjegoi në emisionin Now në Euronews Albania sa vite burg rrezikon ish-presidenti Meta me akuzat e zyrtarizuar nga prokuroria sipas dispozitave të kodit penal.

“Nuk mund të marrin rolin e gjykatës, por ajo që mund të përcjellim një opinion janë dispozitat për të cilat akuzohet, edhe pse nuk kemi një njoftim zyrtar nga SPAK. Fshehja e të ardhurave që ka një marzh dënimi gjobë deri në 3 vite, korrupsioni pasiv i funksionarëve të lartë, po t’i referohemi çështjesh CEZ DIA, që bëhet fjalë më 10 vjet më parë, prokuroria ka njoftuar akuzën tani për të parandaluar një parashkrim të veprës penale. Për këto akuza, që janë më të rëndat korrupsion pasiv i zyrtarëve të lartë nga 4-12 vite burg dhe pastrimi i parave që është edhe më e rënda 7-15 vite burg”, tha avokati.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Meta zyrtarisht nën akuzë nga SPAK, avokati: Ja sa rrezikon të dënohet appeared first on Euronews Albania.

Gazetarja: Kush është personi që Meta thotë se e tradhtoi dhe i dorëzoi listën PS-së

By: Besnik
27 May 2025 at 22:06

E ftuar në emisionin “NOW me Erla Mëhillin”, gazetarja Anduena Llabani hodhi dritë mbi deklaratat e ish-presidentit Ilir Meta, i cili, pasi u mor i pandehur, deklaroi këtë të martë se ka një person që e ka tradhtuar nga brenda Partisë së Lirisë në zgjedhjet e 11 majit.

Duke sqaruar këtë reagim të Metës, gazetarja zbuloi, sipas saj, emrin e personit për të cilin Meta aludon se ka kryer tradhtinë. Ajo tha se personi që e tradhtoi Metën gjatë fushatës për zgjedhjet e 11 majit është Petrit Sina.

“Duhet thënë se i vetmi njeri që mund të dijë shumë elemente të fushatës elektorale është Tedi Blushi, pasi është i vetmi që, së bashku me djalin e Metës, e takojnë dhe e informojnë atë në burg. Meta foli sot për një tradhëtar brenda partisë, por tradhëtarin e vërtetë e njeh vetëm Monika Kryemadhi. Është një person që quhet Petrit Sina, i cili është shkarkuar nga Meta me një vendim të nisur me letër nga brenda burgut. Me dijeninë time, di që Sina synonte të merrte postin e sekretarit të përgjithshëm. Nga informacionet që kam brenda partisë, Petrit Sina është personi që Meta thotë se e ka tradhtuar në pjesën e fushatës, por ama Monika Kryemadhi e njeh mirë tradhëtarin brenda partisë”, tha ajo.

Gazetarja shpjegoi edhe daljen e avokatit të ri të Ilir Metës këtë të martë, duke treguar se avokati i mëparshëm, Gjokutaj, ka hequr dorë nga mbrojtja e Metës.

“Sot pamë një fakt: një avokat të ri të Ilir Metës, Kujtim Cakrani, pasi avokati tjetër, Gjokutaj, ka hequr dorë. Gjokutaj mbahet për avokat me betejë, por nuk ka pranuar të japë sqarim në lidhje me largimin e tij nga çështja në fjalë, por ka deklaruar se nuk do të merret më me çështjen e zotit Meta. Ai që do ta përfaqësojë nga sot e tutje këtë çështje do të jetë avokati i ri Cakrani”, tha Llabani.

“Monika tha se ‘do jeni në proces dhe do shihni e dëgjoni shumë’, por unë them se procesi Meta-Kryemadhi do na ofrojë shumë surpriza”, shtoi Llabani.

Kujtojmë që këtë të martë Meta akuzoi për një tradhëtar brenda partisë duke deklaruar:

“I falenderoj të gjithë ata shokë dhe miq që punuan por që u tradhtuan nga një maskara i cili me porosinë time është shpallur non grata dhe këtë e di Sekretari i Përgjithshëm i Partisë së Lirisë. Ky maskara dorëzoi te patronazhistët listën prej 12 mijë emrash që kishin bërë shokët, miqtë dhe dashamirësit e Ilir Metës, sepse priste që të bëhej Sekretar i Përgjithshëm në vend të Tedi Blushit”, tha Meta.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Gazetarja: Kush është personi që Meta thotë se e tradhtoi dhe i dorëzoi listën PS-së appeared first on Euronews Albania.

U mor i pandehur, Meta reagon sërish: Procesi do shkrihet si akullorja në vapë

By: Besnik
27 May 2025 at 21:11

Ilir Meta ka reaguar sërish nga qelia pasditen e kësaj të marte pasi iu komunikua se është marrë zyrtarisht i pandehur nga SPAK, nën akuzat për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje të pasurisë, së bashku me ish-bashkëshorten e tij, Monika Kryemadhi.

Përmes rrjeteve sociale, Meta shprehet se marrja si i pandehur nga SPAK sipas tij është e orkestruar nga kryeministri Edi Rama dhe “se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale”.

Meta shkruan se sipas tij ky proces do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës dhe thotë se Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar.

Reagimi i plotë i Metës:

“Të dashur qytetarë, anëtarë dhe simpatizantë të Partisë së Lirisë!

Sot, siç e keni ndjekur nga mediat, por edhe nga sqarimi publik i avokatit tim të mirënjohur Kujtim Cakrani, fill pas farsës elektorale, siç edhe e prisja, m’u komunikua me urdhër të Edi Ramës, marrja si i pandehur.

Është e qartë se më shumë se 7 muaj pas rrëmbimit tim terrorist, si prelud i vetë terrorizmit elektoral të zhvilluar në publik dhe akoma më shumë në nëntokë, do të ndodhte pikërisht kjo që ndodhi sot.

Dua t’ju sqaroj se nuk ka asnjë episod të ri përveç fletërrufesë pa asnjë fakt apo provë penale, që u firmos me urdhër të Edi Ramës, jo thjesht për rrëmbimin tim politik dhe terrorizimin e anëtarëve dhe simpatizantëve të Partisë së Lirisë, por edhe për rrëmbimin e vetë Partisë së Lirisë dhe të siglës së saj.

Kauzat e Partisë së Lirisë janë më të forta se asnjëherë ndaj pres me padurim nisjen e procesit të gjykimit, që ky proces të vërtetojë edhe njëherë se Ilir Meta në të gjithë jetën e tij publike ka qenë shembull i respektimit të ligjit dhe Kushtetutës.

Jam i bindur se ky proces i Ramaformës, i fabrikuar për vite të tëra, hetimi i së cilës ka nisur në dhjetor 2019, do të shkrihet si akullorja në kulmin e vapës.

Partia e Lirisë do të dalë shumë herë më e fortë nga kjo betejë sepse kauzat e saj janë interes ekzistencial kombëtar”, shkruan Ilir Meta në rrjete sociale.

Çfarë ndodhi me ish-çiftin Meta-Kryemadhi në SPAK! Gazetari Eni Ferhati tregon detajet pic.twitter.com/aWJop7mShq

— Euronews Albania (@EuronewsAlbania) May 27, 2025

LEXONI GJITHASHTU:

The post U mor i pandehur, Meta reagon sërish: Procesi do shkrihet si akullorja në vapë appeared first on Euronews Albania.

Ilir Meta bisedë telefonike me gazetarët: Në sallën e gjyqit do çmontoj çdo akuzë

27 May 2025 at 14:45

Ish-presidenti Ilir Meta, kreu i Partisë së Lirisë ka komunikuar me gazetarët me anë të një telefonate, ndërkohë që ndodhej në ambientet e SPAK për tu njohur me akuzat.

Ai tha se mezi pret të përballet në seancën e gjyqit ku do të çmontojë të gjitha akuzat. Ndërsa shtoi se nuk ka ndërmend të kërkojë mbylljen e procedurës.

“Askush nuk është paraqitur të më çoj atje. Mezi po pres të shkoj që në radhë të parë ti urojë për 83 mandatet që dhanë me task-forcën e tyre kundër opozitës duke mos vepruar kundër terroristëve elektoralë, në këmbim të mandatit që ata presin nga Edi Rama që të jenë të përjetshëm. Unë mezi po pres të shkoj në sallën e gjyqit dhe nuk kam ndërmend të kërkoj as mbylljen e procedurës e asgjë.

Mezi po pres të shkoj në sallë ku të jeni dhe ju dhe të shikojmë faktet e provat se çfarë është kjo organizatë në shërbim të Edi Ramës. Është pjellë e një votimi antikushtetues me 69 vota të prokurorit të përgjithshëm Arta Markut, që zgjodhi KLP-në në mënyrë të paligjshme e më pas zgjodhi edhe këta. Mezi po pres, nuk do ketë kurrë kërkesë nga Ilir Meta për mbylljen e procedurës, siç dhe nuk ka patur”,-tha ai.

Meta gjithashtu ka falenderuar të gjithë ata që e votuan në zgjedhjet e 11 majit.

“Falënderoj 8000 heronjtë që votuan Ilir Metën që u rrëmbye padrejtësisht”,-u shpreh Meta.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ilir Meta bisedë telefonike me gazetarët: Në sallën e gjyqit do çmontoj çdo akuzë appeared first on Euronews Albania.

Meta reagon nga qelia pas mbylljes së hetimeve nga SPAK: Pres me padurim gjykimin

By: fra nc
27 May 2025 at 13:21

Ish-presidenti Ilir Meta ka reaguar nga qelia pas njoftimit të SPAK për mbylljen e hetimeve ndaj tij. Meta e cilëson procesin penal ndaj tij si një “farsë politike” dhe thotë se e pret me padurim nisjen e gjykimit për të provuar pafajësinë e tij.

“Pas farsës kriminale zgjedhore, që nuk mund të ndodhte pa ndihmën e SPAK dhe me rrëmbimin tim kriminal më 21 tetor 2024, siç e panë të gjithë shqiptarët dhe bota, përshëndes përfundimin e farsës hetimore të tejzgjatur nga SPAK për shkak të zgjedhjeve,” shkruan Meta.

Meta deklaron se procesi gjyqësor do të jetë publik dhe do të shërbejë, sipas tij, për të treguar se SPAK vepron në shërbim të interesave politike të kryeministrit Edi Rama.

“Pres me padurim nisjen e gjykimit të këtij procesi… do të faktojë botërisht se SPAK është një organizatë në shërbim të verbër të Edi Ramës,” shkruan Meta, duke akuzuar SPAK se mbyll sytë ndaj korrupsionit në aferën e inceneratorëve, ndërsa ndjek penalisht opozitën.

Ish-kreu i shtetit e quan arrestimin e tij “të paligjshëm” dhe thotë se mbahet në izolim ekstrem pa prova konkrete. Ai premton se do të ballafaqohet me të gjitha akuzat dhe “dëshmitarët” e SPAK, që sipas tij janë njerëz me probleme me drejtësinë dhe integritetin.

“Ne do të çmontojmë këtë farsë hetimore që kërkon të spostojë vëmendjen nga krimet zgjedhore… dhe jemi të bindur në shpartallimin e saj,” përfundoi Meta.

Hetimet ndaj Ilir Metës dhe bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi janë zhvilluar në kuadër të dosjeve CEZ-DIA, lobimit në SHBA dhe hetimit pasuror, ku të dy akuzohen për korrupsion, pastrim parash dhe fshehje pasurie.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Meta reagon nga qelia pas mbylljes së hetimeve nga SPAK: Pres me padurim gjykimin appeared first on Euronews Albania.

Mbyllen hetimet për Metën dhe Kryemadhin, SPAK finalizon dosjen

By: fra nc
27 May 2025 at 11:19

SPAK ka përfunduar hetimet për një nga dosjet më të bujshme të viteve të fundit, që përfshin ish-presidentin Ilir Meta dhe ish-kryetaren e LSI-së, Monika Kryemadhi. Hetimet janë fokusuar në tre çështje kryesore: aferën CEZ-DIA, lobimin e ish-LSI-së në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si dhe hetimin pasuror ndaj ish-çiftit Meta-Kryemadhi.

Të dy janë hetuar për veprat penale të korrupsionit, pastrimit të parave, si dhe mosdeklarimit dhe fshehjes së pasurisë. Meta dhe Kryemadhi, të cilët janë divorcuar pak kohë më parë, do të përballen së shpejti me komunikimin zyrtar të akuzave.

Monika Kryemadhi pritet të njoftohet për akuzat në mesditë, ndërsa për ish-presidentin Meta njoftimi është parashikuar në orën 14:00 të kësaj të marte. SPAK do të komunikojë gjithashtu akuzat ndaj dy personave të tjerë të përfshirë në këtë dosje: Ema Çoku dhe Pirro Xhixho.

Brenda pak ditësh, dosja pritet të dërgohet në Gjykatën e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, ku do të mbahet seanca paraprake. Në këtë fazë, gjykata do të vendosë nëse çështja do të kalojë për gjykim, do të kthehet për plotësim hetimesh apo do të pushohet.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Mbyllen hetimet për Metën dhe Kryemadhin, SPAK finalizon dosjen appeared first on Euronews Albania.

Doli pa mandat nga zgjedhjet e 11 majit, reagon për herë të parë Ilir Meta

18 May 2025 at 14:37

Kreu i Partisë së Lirisë Ilir Meta ka reaguar nga burgu për herë të parë pas zbardhjes së rezultatit të zgjedhjeve të 11 majit ku ai nuk arriti të merrte mandatin e deputetit në Tiranë.

Përmes një postimi në faqen e vet në Facebook Meta falenderoi 8 mijë zgjedhës që votuan për të, të cilët siç shprehet “i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cenoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij”.

Meta thotë se refuzon të marrë një mandat deputeti mes koston e dorëheqjes së kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.

Postimi i plotë i Metës

Së pari falenderoj rreth 8 mijë zgjedhës që votuan për Ilir Metaj, të cilët i rezistuan presioneve të jashtëzakonshme të Narkoshtetit dhe nuk e shitën as lirinë, as shpirtin dhe as karakterin e tyre përballë një makinerie kriminale shtetërore, që cënoi rëndë standardet e zgjedhjeve, demokracinë dhe shtetin e së drejtës në themel të tij.

Për mua ata nuk janë votues por heronj dhe do të gëzojnë përjetë të gjithë mirënjohjen time të pakufijshme.

Disa zëra dashamirës, por edhe të tjerë djallëzorë, sugjerojnë si mënyrë për marrjen e mandatit tim parlamentar, dorëheqjen e kandidatëve të Partisë së Lirisë në listën e mbyllur të Qarkut Tiranë.

Dua t’i siguroj të gjithë se Ilir Metaj që nga viti 2008, që kur u bënë ndryshimet e mbrapshta kushtetuese, ka luftuar për përfaqësim vetëm nëpërmjet vullnetit të lirë dhe të hapur të qytetarëve, në mënyrë të vazhdueshme dhe parimore, sepse kjo është çështje e bindjes dhe karakterit tim dhe si pasojë nuk mund të pranoj asnjë marifet apo zgjidhje pragmatiste që shkon në kundërshtim me kauzat madhore për cilat unë kam luftuar dhe do luftoj gjithmonë.

Dëshiroj të falenderoj dhe vlerësoj Tedi Blushi dhe kolegët e tjerë në Partinë e Lirisë të cilët luftuan me përkushtim në këtë fushatë të pabarabartë përballë Narkoshtetit dhe makinerisë së tij zgjedhore kriminale, pabesive dhe thikave pas shpine.

Një falenderim të veçantë edhe për të gjithë ata komisionerë, numërues dhe vëzhgues, të cilët po vazhdojnë me këmbëngulje dhe përgjegjësi të lartë të numërojnë dhe të mbrojnë çdo votë deri në votën e fundit.

 

LEXONI GJITHASHTU:

 

The post Doli pa mandat nga zgjedhjet e 11 majit, reagon për herë të parë Ilir Meta appeared first on Euronews Albania.

Nga Majko, Meta, Xhaçka e Gjylameti, kush mbetet jashtë kuvendit nga brezi i vjetër

By: Besnik
15 May 2025 at 18:53

Disa deputetë me karrierë të gjatë parlamentare dhe funksionarë të lartë politikë nuk morën votëbesimin e qytetarëve më 11 maj.

Vendin e tyre pritet ta zënë figura të reja, të rinj në moshë dhe pa përvojë të mëparshme politike.

Po kush janë veteranët e politikës shqiptare që mbeten jashtë Parlamentit dhe do t’u duhet të dorëzojnë çelësat e zyrave?

Në qarkun e Tiranës, nga radhët e Partisë Socialiste, jashtë mbeten: Olta Xhaçka, Blerina Gjylameti, Etilda Gjonaj, Plarent Ndreca, Mimi Kodheli, Pandeli Majko, Ermonela Felaj dhe Klotilda Bushka.

Nga aleanca “PD – Shqipëria Madhështore”, nuk u rizgjodhën: ish-presidenti Ilir Meta, Asllan Dogjani, Myslim Murrizi, Petrit Doda, Dhurata Çupi dhe Shpëtim Idrizi.

Ndërkohë, në Kuvend hyjnë emra të rinj dhe ende të panjohur për publikun, si Sara Mila në Elbasan – kandidatja me më shumë vota në rang kombëtar, Zegjine Çaushi në Fier dhe Marjana Koçeku në Shkodër, e njohur si “Neomalsorja” në rrjetet sociale, kandidate e PS-së në listë të mbyllur.

Emrat që për vite me radhë “ngrinin kartonin” në seancat plenare, sot mbeten jashtë loje, ndërsa një brez i ri hyn në skenën politike me premtimin për të ndryshuar rregullat e saj.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Nga Majko, Meta, Xhaçka e Gjylameti, kush mbetet jashtë kuvendit nga brezi i vjetër appeared first on Euronews Albania.

“Shokët” e burgut votojnë Metën, kreu i PL merr një numër të madh votash te “313”-ta

By: Besnik
15 May 2025 at 17:21

Ndërsa ndodhet i paraburgosur në Burgun 313, Ilir Meta ka qenë njëkohësisht edhe kandidat në listën e hapur të koalicionit opozitar.

Ai ka marrë një numër të madh votash nga burgosurit e tjerë në këtë institucion, duke siguruar një mbështetje të konsiderueshme.

Kështu, ai është bërë i dyti më i votuar mes të burgosurve, pas ministrit të Brendshëm, Ervin Hoxha, i cili ka marrë 92 vota.

Sipas të dhënave nga QV nr. 1867/01, brenda paraburgimit 313, Meta ka marrë 58 vota nga “shokët” e burgut.

Por, edhe pse të dënuarit aty i dhanë mbështetje, Meta nuk arriti të sigurojë një vend në Kuvend, pasi deri më tani ka marrë 5350 vota në total.

Meta refuzoi të ishte pjesë e listës së mbyllur për të fituar mandat të sigurt dhe qëndroi në listë të hapur.

Meta prej disa muajsh ndodhet në qeli, ndërkohë që Gjykata nuk ka dhënë ende një dënim për të.

LEXONI GJITHASHTU:

The post “Shokët” e burgut votojnë Metën, kreu i PL merr një numër të madh votash te “313”-ta appeared first on Euronews Albania.

Ilir Meta pa mandat, Berisha: Efekt i terrorit politik ndaj tij

14 May 2025 at 14:47

Kreu i Partisë Demokratike Sali Berisha komentoi rezultatin e zgjedhjeve në Tiranë, ku deri tani Ilir Meta, që garoi në listë të hapur nuk arrin ta marrë mandatin e deputetit.

Berisha tha se Metës iu bë lufta më e egër politike nga armiku më i madh i votës së lirë që është Edi Rama dhe ky rezultat është pasojë e terrorit politik ndaj tij

“Atij i bëhet lufta më e egër që i është një njeriu ndonjëherë nga armiku kryesor i votës së lirë. Si është kjo, mbahet në burg që të fitojë? Kjo dëshmon efektin e terrorit politik ndaj tij”, tha Berisha.

 

LEXONI GJITHASHTU:

The post Ilir Meta pa mandat, Berisha: Efekt i terrorit politik ndaj tij appeared first on Euronews Albania.

Singapori urdhëron META-n të bllokojë postimet e huaja përpara zgjedhjeve

26 April 2025 at 17:37

Autoritetet e Singaporit i kanë urdhëruar Metës, pronarit të Facebook-ut, të bllokojë aksesin në postime të caktuara nga të huajt për përdoruesit e Singaporit, duke përmendur rregullat e reja zgjedhore që u ndalojnë të huajve të ndërhyjnë në politikën lokale përmes mediave sociale.

Autoriteti i Mediave të Informacionit dhe Komunikimit e ka lëshuar urdhrin pasi njoftimet e të huajve të caktuar janë vlerësuar si përpjekje për të ndikuar në suksesin zgjedhor të partive politike apo kandidatëve, njoftoi Ministria e Punëve të Brendshme dhe Komisioni Zgjedhor i Singaporit, raporton Reuters.

Zgjedhjet e ardhshme më 3 maj do të jenë të parat që do të mbahen sipas rregullave të reja të miratuara në 2023 dhe pritet të fitohen sërish nga Partia e Veprimit Popullor (PAP), e cila ka qenë në pushtet që nga pavarësia në 1965.

Të huajt, postimet e të cilëve janë ndaluar përfshijnë Iskandar Abdul Samad, arkëtar i partisë islamike malajziane PAS, Mohamed Sukri Omar, udhëheqës i të rinjve PAS nga shteti Selangor dhe përdoruesi i Facebook “Zai Nal”, i identifikuar si Zulfikar bin Mohamad Sharif, një shtetas australian që hoqi dorë nga shtetësia e tij Singapore në 202.

Në postim, Iskandar shprehu mbështetje për kandidatin e opozitës Faisal Manap të Partisë së Punëtorëve, ndërsa Zulfikar akuzoi deputetët malajzo-myslimanë në Singapor se nuk përfaqësojnë interesat e myslimanëve.

Sukri ka shpërndarë postimin e tij. Autoritetet vlerësuan se këto përmbajtje paraqesin një përpjekje për të ndikuar tek votuesit në bazë të përkatësisë fetare dhe etnike.

Në përgjigje të një kërkese për të hequr postimet, Zulfikar tha se kjo tregon frikën e qeverisë dhe njoftoi nisjen e një kanali “Vocap” (WhatsApp) dhe një faqe interneti të re për të mbrojtur më tej pikëpamjet e tij.
Partia e Punës njoftoi sot se nuk ka kontroll mbi postet e të huajve dhe theksoi se kandidati i saj Faisal mbron ndarjen e fesë nga politika.

PAP në pushtet nuk e komentoi këtë çështje, ndërsa Meta, Iskandar, Sukri dhe PAS nuk iu përgjigjën kërkesave për koment.

LEXONI GJITHASHTU:

The post Singapori urdhëron META-n të bllokojë postimet e huaja përpara zgjedhjeve appeared first on Euronews Albania.

❌