Normal view

Bumi i Inteligjencës Artificiale do të jetë i zymtë

31 October 2025 at 09:59


Nga: Nicholas Creel, profesor-asistent i Ligjit të Biznesit në Kolegjin dhe Universitetin Shtetëror të Gjorgjisë [Georgia College and State University] / Newsweek
Përkthimi: Telegrafi.com

Inteligjenca artificiale [IA] po shkon drejt një kolapsi në treg. Matematika që mbështet këtë përfundim është shumë e thjeshtë. Kompanitë e mëdha teknologjike [Big Tech] pritet të shpenzojë mbi 400 miliardë dollarë në vitin 2025 për infrastrukturën e IA-së, shifër që pritet të rritet në dy trilionë dollarë në vit deri në vitin 2030. Kjo pavarësisht faktit se parashikimet tregojnë se këto kompani nuk pritet që së shpejti të mbyllin hendekun mes të ardhurave dhe shpenzimeve.

Uoll-Stritit [Wall Street] i pëlqen t’i thotë vetes se ky hendek do të ngushtohet gradualisht përmes adoptimit të qëndrueshëm të kësaj teknologjie transformuese. Kjo narrativë pretendon se ndërmarrjet do ta integrojnë ngadalë IA-në, se produktiviteti do të përmirësohet gradualisht dhe brenda pak vitesh rasti i biznesit të saj do të bëhet i qartë. Problemi është se adoptimi i hershëm i IA-së po rezulton të jetë i paqëndrueshëm financiarisht, që do të thotë se mund të duhen disa vite - ose më shumë - që IA-ja të dëshmojë se është investim i vlefshëm për korporatat amerikane.

Ndërkohë, intensiteti kapital i IA-së e bën durimin të jetë luks të cilin investitorët nuk mund ta lejojnë. Kur shpenzon qindra miliarda për infrastrukturë çdo vit, nuk mund të presësh thjesht vite me radhë për një adoptim organik. Vetë kostot operacionale kërkojnë monetizim të shpejtë.

Se ky rast mund të jetë një flluskë burse, kjo forcohet kur kupton se Microsoft-i, Amazon-i, Google dhe Meta nuk po i shpenzojnë paratë që i kanë ruajtur në llogari kursimi. Shumica e këtij investimi varet nga financimi rrethanor, një tipar i flluskës dot-com që rrit shumë mundësinë e dështimit financiar në zinxhir - nëse ndonjë hallkë shfaq dobësi.

Ndërsa shpesh krahasohet me këtë, një ndryshim kyç midis këtij tregu dhe bumit të telekomit në fillim të viteve 2000 është madhësia dhe shpejtësia e shpenzimeve. Flluska dot-com bëri që kompanitë e telekomit të shpenzonin 121 miliardë dollarë në vit në kulmin e vitit 2000. Shpenzimet e sotme për IA-në janë shumë më të mëdha - dhe të përqendruara në një periudhë më të shkurtër.

Gjithashtu, ndryshe nga vendosja e kabllove me fibër optike, infrastruktura e IA-së zhvlerësohet shpejt. GPU-të [Njësia e përpunimit të grafikës] bëhen të vjetruara pasi modelet e reja kërkojnë më shumë kapacitet përllogaritës. Qendrat e të dhënave kërkojnë përditësime të vazhdueshme. Çmimet e energjisë vazhdojnë të rriten. Ora e numërimit mbrapsht, derisa kompanitë e AI-së të kenë nevojë për një infuzion të ri kapitali, nuk është vetëm duke kaluar - ajo po përshpejtohet.

Dinamika konkurruese mes kompanive të mëdha të IA-së vetëm e përkeqëson situatën. Asnjë lojtar i madh nuk mund të përballojë të ngadalësojë shpenzimet, sepse rrezikon të mbetet prapa nëse një rival arrin ndonjë përparim. Të gjithë janë të bllokuar në një garë armatimesh, ku ngadalësimi do të thotë humbje e çdo gjëje.

Që të mos jetë një flluskë burse, hendeku midis shpenzimeve dhe të ardhurave për kompanitë e AI-së duhet të mbyllet shpejt. Por, si?

Skenari i vetëm realist ku kjo mund të ndodhë është nëse OpenAI, Anthropic dhe Google arrijnë që IA-ja të zëvendësojë pjesë të mëdha të punës me paga të larta. Kjo do të thotë se duhet që AI-ja të eliminojë dhjetëra milionë vende pune të punonjësve të dijshëm për ta marrë atë vlerë ekonomike për vete. Analistët që brohorasin për suksesin e IA-së, në thelb po bëjnë tifo për papunësi masive në shumicën e profesioneve të klasës së mesme.

Rruga e mesme - ku adoptimi i IA-së do të jetë gradual dhe punonjësit do të kalojnë pa probleme ndërsa investitorët do të fitojnë kthime të arsyeshme - është një lojë në kontabilitet. Shifrat thjesht nuk e lejojnë. Kur shpenzon 400 miliardë në vit, nuk po vendos bast për përparim të qëndrueshëm. Po luan bixhoz për një transformim historik dhe të shpejtë.

Skenari i flluskës është shumë më i thjeshtë. Nëse teknologjia së shpejti nuk jep rezultate të mjaftueshme, rritja e të ardhurave do të ndalet dhe investitorët do të kuptojnë shpejt që matematika nuk ka bazë. Flluska do të shpërthejë dhe investitorët do të pësojnë goditje. Shkurtimet e fundit masive në ekipin e IA-së të Meta-s janë ndoshta një tregues që sinjalizon se kompanitë e IA-së mund të jenë duke e kuptuar se bumi po përfundon.

Historia ofron një paralajmërim të zymtë për atë që do të vijë. Rënia e telekomit nga viti 2000 në më 2002 fshiu qindra miliarda në vlerë tregu, ndërsa kompanitë u shembën nën peshën e shpenzimeve kapitale. Kolapsi i IA-së do të jetë shumë më i madh. Është investuar më shumë kapital, janë të përfshira më shumë kompani, më shumë pjesë të tregut janë kapitalizuar mbi këtë histori. Infektimi nuk do të ndalet vetëm te aksionet teknologjike. Shpenzimet për infrastrukturën e IA-së tani janë përbërës kaq i madh i rritjes së PBB-së, saqë kolapsi i saj do të përhapej në gjithë ekonominë, duke na futur në recesion.

Bumi i AI-së nuk ka qenë kurrë i qëndrueshëm në këtë shkallë. Pyetja e vetme është: sa tremujorë duhen derisa pjesa tjetër e Uoll-Stritit ta pranojë këtë? /Telegrafi/

Shkolla “Arsim Rexhepi” në Sazli pajiset me tabela digjitale

30 October 2025 at 16:37


Shkolla Fillore e Mesme e Ulët “Arsim Rexhepi” në Sazli është bërë me katër tabela digjitale falë bashkëpunimit me organizatën humanitare Barakah Charity.

Pajisjet e reja pritet ta bëjnë procesin mësimor më modern, interaktiv dhe frymëzues për nxënësit e kësaj shkolle.

Drejtuesit e shkollës vlerësuan se ky është një hap i vogël, por me rëndësi të madhe drejt zhvillimit të arsimit bashkëkohor, duke hapur rrugë për metoda të reja dhe më efektive të mësimdhënies, njofton Telegrafi.



Ata theksuan gjithashtu se bashkëpunimi me prindërit mbetet thelbësor për arritjen e suksesit të nxënësve dhe përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Në fund, shkolla shprehu mirënjohje të veçantë për z. Ilir Maliqi, koordinator i organizatës Barakah Charity, si dhe për Ardian Memetaj, për mbështetjen dhe bashkëpunimin e tyre të vazhdueshëm në përmirësimin e kushteve të mësimdhënies. /Telegrafi/

Inteligjenca artificiale është e rrezikshme dhe duhet të rregullohet

27 October 2025 at 16:34


Burimi: The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Fuqia pa përgjegjësi është “privilegji i lavires”, ka thënë Rudyard Kipling, një thënie të cilën kushëriri i tij, Stanley Baldwin, do ta përdorte më vonë për të përshkruar baronët e shtypit. Sot ajo përmbledh në mënyrë të përsosur sjelljen e gjigantëve amerikanë të teknologjisë, të cilët ushtrojnë pushtet global, por e shohin llogaridhënien si telash.

Kjo duket qartë në tragjedinë e Adam Raineit, një djalë 16-vjeçar nga Kalifornia, i cili vdiq nga vetëvrasja pas përdorimit të tepruar të ChatGPT-së - çetbotit të njohur të inteligjencës artificiale [IA] nga OpenAI.

Jay Edelson, avokati i familjes së Adamit, i tha ditores The Guardian: “Pjesa më tronditëse e çështjes ishte kur Adami tha: ‘Dua të lë një litar të varur që dikush ta gjejë dhe të më ndalojë’, dhe ChatGPT i tha: ‘Mos e bëj këtë, thjesht fol me mua’. Kjo është ajo që do t’i tregojmë jurisë”.

Është një histori tronditëse.

Siç shpjegon padia e paraqitur nga familja, ChatGPT “po funksiononte saktësisht ashtu siç ishte projektuar: të inkurajonte dhe të vlerësonte vazhdimisht gjithçka që shprehte Adami, përfshirë edhe mendimet e tij më të dëmshme dhe vetëshkatërruese, në një mënyrë që ndihej thellësisht personale”.

Të zbutësh një çetbot nuk është e lehtë, por është plotësisht e mundur të parandalosh atë që të bëjë gjëra të caktuara.

“Ata [OpenAI] e dinë si t’i ndalojnë gjërat”, thotë Edelson. “Nëse kërkon materiale me të drejta autori, ata thonë jo. Nëse kërkon gjëra që janë politikisht të papranueshme, ata thonë jo edhe për ato. Nuk mund të diskutosh dhe nuk mund ta anashkalosh, dhe kjo është në rregull. Ideja që ata e bëjnë këtë për politikë, por jo kur është fjala për vetëdëmtim, kjo thjesht është çmenduri”.

Familja pretendon se OpenAI qëllimisht ka hequr “pararojat” që parandalonin diskutimin mbi vetëvrasjen dhe vetëdëmtimin. Kjo thuhet se është bërë për të rritur ndërveprimin e përdoruesve me çetbotin.

Kur OpenAI i zbuti veçoritë e sigurisë, duke lejuar diskutimin mbi vetëdëmtimin, volumi dhe intensiteti i bisedave midis ChatGPT-së dhe Adam Raineit u rritën ndjeshëm, argumentojnë avokatët e familjes.

OpenAI është shndërruar nga një laborator kërkimor jofitimprurës në një kompani private dhe tani është startapi më i vlefshëm në botë, me vlerë prej rreth 500 miliardë dollarë - edhe pse nuk është i listuar publikisht. Tani OpenAI konsiderohet “shumë i madh për të dështuar”. Pjesa më e madhe e rritjes së fundit në tregjet e aksioneve i atribuohet zhurmës rreth IA-së.

Duhet shtruar pyetja se kush është përgjegjës? Teksa kritikët e Aktit për Sigurinë në Internet argumentojnë se përbën kërcënim për lirinë e fjalës, ai gjithsesi përfaqëson një mjet të fuqishëm për të mbajtur në përgjegjësi kompanitë amerikane të teknologjisë. Baronët e IA-së dhe aleatët e tyre politikë - përfshirë Donald Trumpin - duan ta heqin plotësisht, por duhet të mendojmë dy herë përpara se të heqim dorë nga një mjet kaq i vlefshëm.

Kjo është hera e tretë që njerëzimi nxiton të krijojë inteligjencë artificiale. Këtë herë, nxitimi po lë pas viktima reale. Ne në Britani nuk duhet të lejojmë që teknologjia e tillë të veprojë pa mbikëqyrje qeveritare dhe duhet të kërkojmë që ata që janë në krye të saj të mbahen përgjegjës për veprimet e tyre. /Telegrafi/

Viktimat e dhunës digjitale, ende pa mbrojtje konkrete ligjore në Kosovë

25 October 2025 at 13:18


Për muaj të tërë, në Kosovë flitej shpesh për grupin AlbKings, një kanal në Telegram ku shpërndaheshin video e fotografi intime të vajzave, bashkëngjitur me numrat e kontaktit të tyre.

Nga prilli deri në tetor të vitit 2024, ish-administratori i këtij kanali, E.A., ishte i arrestuar nën dyshimet për kryerjen e veprës penale “vjedhje e identitetit dhe kredencialeve”.

Për vjedhje të identitetit, Kodi Penal i Kosovës parasheh dënim deri në 2 vjet burgim, apo edhe deri në 5 vjet burgim kur ajo ndërlidhet me vepra terroriste, shkruan Evropa e Lirë.

Pse ishte kjo vepra për të cilën ai akuzohej? Sepse në Kodin Penal të Kosovës nuk parashihet vepra konkrete që ai kishte kryer dhe prokurorët u detyruan ta përshtatin atë me termat ekzistues.

Arrita Rezniqi, nga Instituti i Kosovës për Drejtësi, thotë se kjo është problematike, pasi që thekson se ndjekja penale bëhet më e lehtë kur legjislacioni ekzistues e specifikon qartë një vepër penale dhe dënueshmërinë për të.

“E shohim këtë si barrierë për qasje efektive në drejtësi dhe për mbrojtjen e mirëfilltë të qytetarëve të vendit, sepse, thjesht, mund të ndikojë që rastet e kësaj natyre të minimizohen ose veprimet në ato raste të mos ndiqen si duhet penalisht”, thotë Rezniqi për Radion Evropa e Lirë.

Ajo tregon se institucionet e drejtësisë në Kosovë, në mënyrë specifike Policia e Kosovës dhe Prokuroria, i identifikojnë elementet e veprave penale ashtu që t’i përshtatin me termat ekzistues në Kodin Penal.

Kjo rezulton në ndjekje penale dhe dënim për kryesit e dhunës digjitale. Por, kjo shpesh nuk është e mjaftueshme.

“Kur i marrim në konsideratë në veçanti zhvillimet e fundit në sferën teknologjike, inteligjencën artificiale dhe trendët e rinj, është thjesht e nevojshme që të ndërmerren hapa konkretë për t’i specifikuar krejt këto veprime në kuadër të kornizës sonë ligjore”, thotë Rezniqi.

Së fundi, në shtator të këtij viti, tre nga të akuzuarit në rastin AlbKings u dënuan vetëm me gjobë, pasi arritën marrëveshje me Prokurorinë për pranim të fajësisë.

A.T. mori gjobë prej 2.000 eurosh, ndërsa B.R. dhe V.A. morën gjobë prej nga 2.500 euro. Vepra penale që rëndonte mbi ta ishte “ngacmimi”.

Kodi Penal i Kosovës e përkufizon ngacmimin si vëmendje apo komunikim me qëllim të “ngacmimit, frikësimit, lëndimit, dëmtimit të pasurisë apo vrasjes”. Në këtë pikë përfshihet edhe dërgimi i mesazheve telefonike.

Për këtë vepër parashihen dënime deri në 5 vjet burgim.

Këto raste e theksojnë nevojën për ndryshim të Kodit aktual Penal, beson Rezniqi.

“Është e nevojshme që t’i kemi në mënyrë specifike të adresuara në legjislacionin tonë të gjitha këto veprime dhe dënueshmërinë për ato veprime, në mënyrë që, në përputhje me to, të jetë edhe shkalla e dënimit”, shton ajo.

Besarta Breznica, nga Rrjeti i Grave të Kosovës, u ka bërë thirrje tash e një kohë institucioneve që të ndryshohet Kodi Penal, ashtu që edhe veprat penale të ngjashme me ato të kryera nga AlbKings të mund të marrin një dënim, sipas saj, më të merituar.

“Rastet e kësaj dhune vetëm po shtohen, kurse personat në fjalë po ndiqen për veprat “kanosje” e “ngacmim”, ndjekje këto që nuk janë të rëndësisë apo kapacitetit të njëjtë si dhuna që ndodh online”, thotë Breznica për REL-in.

Dhe, mosrealizimi i kësaj kërkese e ka lënë Breznicën të besojë se institucionet, thjesht, nuk e marrin seriozisht “sigurinë e vajzave dhe grave në Kosovë”.

Ministria e Drejtësisë ka thënë për REL-in se kjo kërkesë e organizatave feministe për përfshirjen e dhunës kibernetike është pjesë e shqyrtimit nga grupi punues që punon për plotësim-ndryshimin e Kodit Penal që nga viti 2024.

Një zyrtar ligjor i kësaj ministrie ka pranuar se, për shkak të vonesave në formimin e institucioneve, pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit, është e vështirë të parashikohet kohëzgjatja e plotë e këtij procesi.

Pse ngrihet kjo çështje nga organizatat feministe në veçanti?

Meqë, ato insistojnë se, si në rastin e grupit AlbKings, janë gratë më të cenueshme nga këto vepra.

Rezniqi thekson se, në Kosovë, “shpesh kemi parë që gratë bëhen objekt i përndjekjes online, sulmeve seksiste, shantazheve përmes materialeve personale apo materialeve të tjera pa pëlqimin e tyre”.

“Dhe këtë e shohin si një zgjerim të dhunës me bazë gjinore në hapësirën virtuale, ku pasojat janë pastaj reale në jetën e viktimës dhe ndikojnë veçanërisht te gratë”, shton ajo.

Një hulumtim i publikuar vitin e kaluar nga organizata Demokracia për Zhvillim (D4D) gjeti se kur gratë janë subjekt i lajmeve nëpër media, ato postime në rrjete sociale marrin tri herë më shumë reagime sesa lajmet e tjera. Shumica e komenteve me gjuhë të urrejtjes bëhen nga burrat.

Për këtë hulumtim, kjo organizatë monitoroi mbi 110 portale në Kosovë nga janari i vitit 2022 deri në nëntor të vitit 2023. Ky hulumtim rezultoi në analizë të mbi 3.6 milionë artikujve të publikuar nga mediat në Kosovë.

Në shumicën e lajmeve, gratë e përfshira në politikë ishin cak i komenteve me gjuhë të urrejtjes, që Kombet e Bashkuara (OKB) e definojnë si diskurs fyes që përdoret ndaj një individi ose grupi në bazë të disa karakteristikave - si raca, feja ose gjinia - dhe që “mund të kërcënojë paqen sociale”.

Problemi i identifikimit të kryesve të veprës

Një tjetër problem mbetet identifikimi i kryesve të dhunës digjitale, pasi që shpeshherë kjo bëhet përmes profileve të rreme.

Instituti i Kosovës për Drejtësi thotë se, në bazë të analizave të tij, kjo bëhet në mënyrë shumë efektive në disa raste nga një departament i specializuar për krime kibernetike në Policinë e Kosovës.

Por, jo për të gjitha llojet e veprave.

“Në bazë të informatave që ne kemi, ky bashkëpunim zakonisht bëhet kur është fjala për vepra që ndërlidhen me pasoja më të rënda, për shembull me vepra penale të terrorizmit ose të ngjashme... përgjigjet janë më të shpejta, pra bashkëpunimi është më i mirë”, thotë Rezniqi.

Ajo shton se kjo nuk ndodh edhe në rastet individuale të ngacmimeve apo shantazheve.

Si Rezniqi, ashtu edhe Breznica shpresojnë që institucionet do të ndërmarrin sa më shpejt hapa konkretë për zgjidhjen e këtyre problemeve.

“Thjesht, ne duhet të sigurohemi që të gjitha këto zhvillime teknologjike të përdoren si mjet fuqizimi, të na ndihmojnë t’i ndjekim këto raste, e jo si mjet i dhunës ndaj gjithë qytetarëve, në veçanti grave”, përfundon Rezniqi.

“Pornografia e varfërisë”: Imazhet e rreme të krijuara me IA, po përdoren nga agjencitë e ndihmës

20 October 2025 at 12:35


Nga: Aisha Down / The Guardian (titulli: AI-generated ‘poverty porn’ fake images being used by aid agencies)
Përkthimi: Telegrafi.com

Imazhet e krijuara nga inteligjenca artificiale [IA], të cilat paraqesin varfërinë ekstreme, fëmijë dhe të mbijetuara të dhunës seksuale, po përmbytin faqet e fotografive në internet dhe po përdoren gjithnjë e më shumë nga OJQ-të kryesore të shëndetit publik, thonë profesionistët e shëndetit global të cilat kanë shprehur shqetësim për një epokë të re të të ashtuquajturës “pornografi e varfërisë”.

“Po përdoren kudo”, ka thënë Noah Arnold, i punësuar në Fairpicture, një organizatë me bazë në Zvicër që promovon përdorimin etik të imazheve në zhvillimin global. “Disa i përdorin vazhdimisht imazhet e krijuara nga IA-ja dhe të tjerët - e dimë me siguri - po eksperimentojnë të paktën me to”.

Arsenii Alenichev, studiues në Institutin e Mjekësisë Tropikale në Antverp, i cili studion prodhimin e imazheve për shëndetin global, ka thënë: “Këto imazhe riprodhojnë gramatikën vizuale të varfërisë - fëmijë me pjata bosh, tokë të çarë, pamje stereotipike”.

Alenichev ka mbledhur më shumë se 100 imazhe të krijuara nga IA-ja që paraqesin varfëri ekstreme dhe janë përdorur nga individë ose OJQ-të - si pjesë e fushatave në rrjetet sociale kundër urisë ose dhunës seksuale. Imazhet që ai ndau me The Guardian tregojnë skena të ekzagjeruara që përforcojnë stereotipat: fëmijë të grumbulluar në ujë me baltë; një vajzë afrikane me fustan nusërie dhe një lot që i rrjedh në faqe. Në një artikull të botuar të enjten në Lancet Global Health, ai argumentoi se këto imazhe përfaqësojnë një version të ri të “pornografisë së varfërisë” [poverty porn 2.0].

Megjithëse është e vështirë të përcaktohet përhapja e këtyre imazheve të gjeneruara nga IA-ja, Alenichevi dhe të tjerët thonë se përdorimi i tyre është në rritje, nxitur nga shqetësimet mbi pëlqimin dhe kostot. Arnoldi shtoi se shkurtimet e financimeve nga ShBA-ja për buxhetet e OJQ-ve e kanë përkeqësuar më tej situatën.

“Është krejtësisht e qartë se organizata të ndryshme po fillojnë të marrin në konsideratë përdorimin e imazheve sintetike në vend të fotografive reale, sepse janë të lira dhe nuk të duhet të merresh me pëlqimin, lejen apo çështje të tjera të ndërlikuara”, ka thënë Alenichev.

Imazhet e krijuara nga IA-ja që paraqesin varfëri ekstreme, tani shfaqen me shumicë në faqet më të njohura të fotografive, si Adobe Stock Photos dhe Freepik, si përgjigje ndaj kërkimeve me fjalën “varfëri” [poverty]. Shumë prej tyre mbajnë përshkrime të tilla si: “Fëmijë në një kamp refugjatësh”; “Fëmijë aziatikë që notojnë në një lumë të mbushur me mbeturina”; dhe “Një vullnetar i bardhë kaukazian ofron konsultë mjekësore për fëmijë të vegjël me ngjyrë në një fshat afrikan”. Adobe shet licencat për dy fotografitë e fundit në këtë listë për rreth 60 paundë [vlera e përafërt e 70 eurove].

“Ato janë aq të ngarkuara me racizëm. Nuk duhet të lejohen kurrë të publikohen, sepse përfaqësojnë stereotipat më të këqij për Afrikën, Indinë, apo cilindo vend tjetër që mund të përmendësh”, tha Alenichev.

Joaquín Abela, drejtor ekzekutiv i Freepik-ut tha se përgjegjësia për përdorimin e imazheve kaq ekstreme bie mbi konsumatorët e medias dhe jo mbi platformat si ajo e tij. Fotot e krijuara nga IA-ja, tha ai, gjenerohen nga komuniteti global i përdoruesve të platformës, të cilët mund të marrin një pagesë për licencë kur klientët e Freepik-ut vendosin t’i blejnë imazhet e tyre.

Ai shtoi se Freepik-u ishte përpjekur të frenonte paragjykimet që kishte hasur në pjesë të tjera të bibliotekës së fotove, duke “injektuar diversitet” dhe duke u përpjekur për të siguruar një balancë gjinore në imazhet e avokatëve dhe drejtuesve ekzekutivë që publikohen në faqe.

Por, sipas tij, platforma e tij kishte kufizime. “Është si të përpiqesh të thash një oqean. Ne bëjmë përpjekje, por në realitet, nëse klientët në mbarë botën duan imazhe në një mënyrë të caktuar, absolutisht askush nuk mund të bëjë asgjë”.

Imazhe të krijuara nga IA-ja me temën “varfëri” që kanë ngjallur shqetësime mbi paragjykimet dhe stereotipatBurimi: Freepik

Në të kaluarën, organizatat kryesore bamirëse kanë përdorur imazhe të krijuara nga IA-ja si pjesë e strategjive të tyre të komunikimit për shëndetin global. Në vitin 2023, dega holandeze e organizatës britanike Plan International publikoi një fushatë me video, kundër martesës së fëmijëve, që përmbante imazhe të krijuara nga IA-ja, përfshirë një vajzë me sy të nxirë, një burrë të moshuar dhe një adoleshente shtatzënë.

Vitin e kaluar, Kombet e Bashkuara publikuan në YouTube një video me “rinskenime” të dhunës seksuale në kohë konflikti - të krijuara me IA - ku përfshihej një dëshmi e gjeneruar nga IA-ja e një gruaje nga Burundi që përshkruante se si ishte përdhunuar nga tre burra dhe ishte lënë për vdekje në vitin 1993, gjatë luftës civile në vend. Videoja u hoq pasi The Guardian kontaktoi OKB-në për koment.

Një zëdhënës i forcave paqeruajtëse të OKB-së deklaroi: “Videoja në fjalë, e cila u prodhua më shumë se një vit më parë me një mjet që po zhvillohej me shpejtësi, është hequr nga qarkullimi, pasi besojmë se përfaqëson një përdorim të papërshtatshëm të inteligjencës artificiale dhe mund të paraqesë rreziqe për integritetin e informacionit, duke përzier pamje reale me përmbajtje pothuajse reale të gjeneruar në mënyrë artificiale. Kombet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mbështetjen e viktimave të dhunës seksuale në konflikte, përfshirë përmes inovacionit dhe avokatisë kreative”.

Arnold ka thënë se rritja e përdorimit të këtyre imazheve të IA-së vjen pas shumë vitesh debatesh në sektor mbi përdorimin etik të fotografive dhe shfaqjen dinjitoze të varfërisë dhe dhunës. “Supozohet se është më e lehtë të përdorësh pamje të gatshme nga IA-ja, që nuk kërkojnë pëlqim, sepse nuk janë njerëz të vërtetë”.

Kate Kardol, konsulente për komunikimin në një OJQ tha se këto imazhe e frikësojnë dhe se ia kujtojnë debatet e mëparshme rreth përdorimit të “pornografisë së varfërisë” në sektorin humanitar.

“Më trishton fakti që lufta për përfaqësim më etik të njerëzve që përjetojnë varfëri tani është shtrirë edhe te jorealja”, tha ajo.

Mjetet e inteligjencës gjenerative artificiale, prej kohësh janë vërejtur se riprodhojnë - dhe në disa raste edhe ekzagjerojnë - paragjykimet e gjera shoqërore. Alenichev ka thënë se përhapja e imazheve të njëanshme në komunikimet për shëndetin global mund ta përkeqësojë këtë problem, sepse këto imazhe mund të qarkullojnë në mbarë internetin dhe të përdoren për të trajnuar gjeneratën e ardhshme të modeleve të IA-së - një proces që është dëshmuar se përforcon paragjykimet.

Një zëdhënës i Plan International-it deklaroi se organizata, duke nisur nga ky vit, “ka miratuar udhëzime që këshillojnë kundër përdorimit të inteligjencës artificiale për të paraqitur fëmijë të caktuar”, dhe tha se fushata e vitit 2023 kishte përdorur imazhe të krijuara nga IA-ja për të mbrojtur “privatësinë dhe dinjitetin e vajzave të vërteta”.

Adobe refuzoi të komentojë. /Telegrafi/

Taulant Kelmendi e publikon online programin për Pejën

4 October 2025 at 16:59


Kandidati i LVV-së për kryetar të Pejës, Taulant Kelmendi, ka bërë publike platformën e tij zgjedhore edhe në formë digjitale, duke e bërë të qasshme për qytetarët përmes faqes taulantkelmendi.com.

Në këtë platformë janë të përfshira masat konkrete për zhvillim ekonomik e social, projektet për katër vitet e ardhshme, kandidatët për Asamble si dhe vizioni i tij për një Pejë më të zhvilluar, më të drejtë dhe më të bashkuar.

“Pa premtime boshe, vetëm hapa të qartë dhe projekte që sjellin rezultate reale. Peja është shtëpia e përbashkët, dhe ne do ta kthejmë mirëqenien, krenarinë dhe dinjitetin e shtëpisë tonë", thuhet në njoftimin e Kelmendit.

Platforma digjitale ofron hapësirë që qytetarët të lexojnë, japin sugjerime dhe kontribuojnë me ide për projektet që lidhen drejtpërdrejt me jetën e tyre të përditshme.

Sipas Kelmendit, kjo platformë është udhërrëfyes i një qeverisjeje të ndershme dhe të afërt me qytetarin, që synon të sjellë rezultate të prekshme për Pejën.


Epoka e mutifikimit

3 October 2025 at 19:00


Në një libër të ri, kritiku i teknologjisë, Cory Doctorow, zgjeron kuptimin e një termi të krijuar prej tij që tashmë është bërë shumë i rëndësishëm, si në Luginën e Silikonit ashtu edhe përtej saj.

Nga: Kyle Chayka / The New Yorker
Përkthimi: Agron Shala / Telegrafi.com

Ndonjëherë një term është aq me vend, kuptimi i tij aq i qartë dhe aq i rëndësishëm për rrethanat tona, saqë bëhet më shumë sesa një fjalë kyçe e dobishme dhe fillon të përkufizojë një moment të tërë. “Mutifikimi”/"Përmutje" [Enshittification] i shpikur nga kritiku dhe autori i teknologjisë, Cory Doctorow, është një nga këto. Doctorowi e shpiku këtë fjalë në vitin 2022 për të përshkruar sesi të gjitha shërbimet digjitale, të cilat gjithnjë e më shumë po dominonin jetën tonë të përditshme, dukeshin sikur në të njëjtën kohë po bëheshin më të këqija. Kërkimi në Google ishte bërë i mutifikuar, duke treguar reklama dhe vegëza produktesh në vend të rezultateve të rëndësishme nga faqet e internetit. TikTok-u ishte mutifikuar, duke “nxeh” artificialisht videot e caktuara për t’u bërë virale, duke frymëzuar imitime dhe duke rritur angazhimin - ndërkohë që frustronte krijuesit realizimet e të cilëve nuk po merrnin të njëjtin trajtim. Twitter-i shumë shpejt po bëhej mutifikim mbretëror në rilindjen e tij si X, duke humbur statusin si sheshi global i qytetit teksa rrëshqiste në ekstremizëm muskian dhe shpërblente mashtruesit dhe llogaritë e memeve në vend të burimeve legjitime të lajmeve. Spotify, iPhone, softuerët e Adobe-t, postat elektronike - ishte e vështirë të mendoje një platformë apo pajisje që nuk po përjetonte një rënie në përvojën e përdoruesit. A nuk do të duhej që teknologjia të përmirësohej vazhdimisht në planin afatgjatë? E gjithë kjo ndërhyrje e dëmshme nga korporatat të sillte në mend një mashtrim të Luginës së Silikonit [Silicon Valley], nga viti 2017, kur një kompani e quajtur Juicero grumbulloi më shumë se njëqind milionë dollarë për të ndërtuar një makinë për shtypjen e lëngut, qeset e patentuara të së cilës, siç doli më vonë, mund të shtrydheshin lehtësisht me dorë - një pajisje e mutifikimit par excellence.

“Enshittification” u shpall më 2023 fjala e vitit nga Shoqata Amerikane e Dialektit dhe më 2024 nga Fjalori Macquarie i Australisë. Pranimi i këtij termi pasqyronte një ndjenjë të zhgënjimit kolektiv. Në njëfarë mënyre, teknologjia po përmirësohej, por shumë shpesh ato përmirësime i bënin platformat më të afta për të nxjerrë vlerë nga përdoruesit dhe klientët, duke shtyrë para përfitimin dhe angazhimin për vetë kompanitë. Sa më e keqe që bëhej përvoja në Facebook, aq më shumë Meta kërkonte punë të papaguar nga krijuesit e përmbajtjes - ndërkohë që mbante të ardhurat nga reklamuesit. Uber-i eventualisht arriti profitin duke manipuluar në mënyrë algoritmike normat e pagesës për shoferët dhe duke kushtëzuar përdoruesit që të ulnin pritshmëritë; edhe aplikacioni i thirrjes së makinave u mbush me reklama. X-i i Musk-ut, i reduktuar në një sallë të mbushur me robotë të teorive konspirative të ekstremit të djathtë, mund të përdorte të dhënat si material trajnimi për kompaninë e inteligjencës artificiale të vetë Muskut.

Sipas argumentit të Doctorowit, mutifikimi ishte një model i qëllimshëm nga kompanitë teknologjike. Në librin e tij të ri me të njëjtin titull [Mutifikimi: Pse gjithçka papritur u bë më keq dhe çfarë duhet të bëjmë për këtë / Enshittification: Why Everything Suddenly Got Worse and What to Do About It], ai zgjeron postimet dhe artikujt e tij të ndryshëm mbi këtë temë në një teori të përgjithshme të “pse gjithçka papritur u bë më keq dhe çfarë duhet të bëjmë për këtë”, siç thotë nëntitulli. Mutifikimi zhvillohet në tri faza: së pari, një kompani është “e mirë me përdoruesit”, shkruan Doctorow, duke tërhequr turma njerëzish - si kurthet për brumbujt japonezë - me premtimin për ndërlidhje apo komfort. Së dyti, me atë audiencë të konsoliduar masive, kompania bëhet “e mirë me klientët e biznesit”, duke kompromentuar disa nga veçoritë e saj në mënyrë që klientët më fitimprurës, zakonisht reklamuesit, të lulëzojnë në platformë. Kjo fazë e dytë është ajo kur, le të themi, faqet tona në Facebook mbushen me reklama dhe postime nga brendet. Së treti, kompania e kthen përvojën e përdoruesit në “një grumbull të madh muti”, duke e bërë platformën më të keqe - si për përdoruesit ashtu edhe për bizneset, në mënyrë që të pasurojë më tej pronarët dhe drejtuesit e saj ekzekutivë. Faqet e Facebook-ut, tani të mbushura me mbeturina të gjeneruara nga inteligjenca artificiale dhe video të shkurtra, janë futur në aktin e tretë të mutifikimit. I tillë është edhe TikTok-u i cili e ka ngarkuar ndërfaqen e tij, deri në shpërqendrim, me tregti elektronike në një përpjekje për të konkurruar me Amazon-in - që gjithashtu ka mutifikuar rezultatet e kërkimit në tregun e tij, duke promovuar brende pa kuptim.

Ndoshta kemi pritur shumë nga platformat digjitale në të cilat veprojmë. Përvojat që na kanë pëlqyer, në ditët e hershme të rrjeteve sociale dhe aplikacioneve sipas kërkesës, rezultuan të pamundura për t’u mbajtur; shërbimet të cilat fillimisht ishin falas ose të subvencionuara do të duhej, në fund, të vetëfinancoheshin. Ëndrra e internetit të hershëm dhe më të hapur ishte që njerëzit të lidheshin me njëri-tjetrin me ndërmjetësim minimal, dhe Doctorow rendit faktorët strukturorë që të mbronin nga mutifikimi në atë epokë. Ato përfshinin kundërshtimin moral nga punonjësit e teknologjisë, të cilët dikur ishin aq shumë të kërkuar saqë mund të mbanin peng korporatat me kërcënimin se do të jepnin dorëheqje, dhe zbatimin e rregullave kundër monopoleve të cilat dekada më parë dekurajonin kompanitë, si IBM dhe Microsoft, nga shtrëngimi i tepërt i përdoruesve të tyre. Këto barriera mbrojtëse janë ndryshkur, por përdoruesit kanë qenë gjithashtu bashkëfajtorë në shfrytëzimin e pësuar. Disa nga të njëjtat veçori që i bëjnë aplikacionet kaq të përshtatshme - si shërbimi sipas kërkesës apo blerjet e menjëhershme - gjithashtu i bëjnë ato më të lehta për të abuzuar. Uber-i mund të rregullojë menjëherë se me çfarë i ngarkon konsumatorët dhe çfarë u paguan kontraktorëve, një mashtrim të cilin Doctorow e quan “manipulim”. Algoritmet e platformës janë krijuar për të na manipuluar që të angazhohemi, dhe shpeshherë ne e bëjmë këtë edhe kur e dimë që nuk është në interesin tonë. Shoferët e Uber-it, që pranojnë çdo udhëtim që u ofrohet nga një “dëshirë pa dallim për të kënaqur algoritmin”, në fakt “po sinjalizojnë se janë lehtë të shfrytëzueshëm”, të gatshëm të punojnë për “paga në pragun e urisë”, shkruan Doctorow.

Një strategji daljeje, e nënvlerësuar - për ata që janë lodhur nga mutifikimi - është tërheqja: ne, përdoruesit, mund të largohemi nga platformat të cilat e kthejnë pjesëmarrjen tonë pasive në mall dhe që na japin shumë pak në këmbim. Ka aplikacione dhe platforma që janë më të drejta, si Bluesky për rrjete sociale, pa toksicitetin e përhapur, ose Curb për taksi sipas kërkesës dhe pa shkelje të të drejtave të punës. Por, Doctorow nuk duket se e konsideron shumë të mundshëm një eksod masiv nga platformat e mutifikuara. Në vend të kësaj, ai përqendrohet te ndryshimi strukturor, duke ofruar zgjidhje ligjore dhe teknike që variojnë nga zbatimi më i mirë i ligjeve kundër monopoleve, te ndarja e konglomerateve teknologjike, e deri te rregullimi i mbledhjes së të dhënave personale në mënyrë që përdoruesit të kenë të drejta më të mëdha në internet. Në këtë front të fundit ka arsye për optimizëm: ligjet e reja në Mbretërinë e Bashkuar dhe në Bashkimin Evropian po i detyrojnë kompanitë teknologjike t’i trajtojnë më mirë përdoruesit në ato rajone, çka mund të përmirësojë kushtet në mbarë botën, pasi është më e thjeshtë për një kompani të ndërtojë një version të unifikuar të produkteve të saj sesa shumë versione të përshtatura në aspektin lokal. Por, bizneset amerikane shpikën shumë prej këtyre problemeve, dhe deri tani qeveria amerikane ka bërë pak për t’i rregulluar ato.

[Libri] Enshittification është një tekst i drejtpërdrejtë dhe efikas, ku të nxit stili ironik i Doctorowit dhe që lexohet ashtu siç është: blog profesional i zgjatur në mbi treqind faqe. Libri mbulon shumë tema, por ia lë lexuesit dëshirën për një zbatim më të madh të konceptit të tij në aspekte të tjera të kulturës dhe shoqërisë. Në një mbyllje shumë të shkurtër pyet: “A është mutifikimi thjesht kapitalizëm”? Përgjigjja është po, argumenton Doctorow, meqë sistemi ynë ekonomik aktual lejon që “levat e mutifikimit” të përdoren për nxjerrje përfitimesh pa kontroll. Ajo që do ta ndalte vërtet këtë proces do të ishte çmontimi i stilit të Luginës së Silikonit për investime të pamoralshme në startape gjë që ka krijuar një klasë miliarderësh që ndihen të aftë jo vetëm të drejtojnë kompani, por edhe të udhëheqin parti politike dhe agjenci federale. Libri ndalet para se të zgjerojë plotësisht konceptin e mutifkimit në politikën kombëtare, por termi është padyshim i rëndësishëm edhe në atë fushë. Nëse skema që përshkruan Doctorow përfshin premtime për përfitime për njerëzit, për t’i tërhequr më pas në mënyrë të çrregullt dhe për të degraduar shërbimet ekzistuese, atëherë Donald Trump është kryemutifikuesi. Gjatë administratës së tij të dytë, kërkimi shkencor, diplomacia, mbikëqyrja e korporatave dhe shërbimet sociale janë përkeqësuar. Përfituesi, sigurisht, është kryesisht vetë Trumpi. Ndoshta rezultati më i keq i mutifikimit është se na shtyn të presim që gjërat të jenë të këqija dhe të supozojmë se do të bëhen vetëm më keq. /Telegrafi/

Kopertina e librit "Enshittification: Why Everything Suddenly Got Worse and What to Do About It"

AI dhe Ndërmarrësia Digjitale në qendër: KosICT 10–11 tetor në TechPark

2 October 2025 at 22:16


PrishtinaKosICT hap sezonin e OctoberTech Kosova – nismë e përkrahur nga Zyra e Kryeministrit të Kosovës –duke e vendosur Prishtinën në hartën rajonale të inovacionit dhe teknologjisë.

Edicioni i sivjetëm zhvillohet më 10–11 tetor në TechPark Prishtina dhe organizohet nga STIKK (Shoqata e TIK-ut nëKosovë), e cila prej 14 vitesh kultivon një ekosistem ku idetë e reja takojnë mundësinë.

Gjatë dy ditëve, KosICT sjell një program me vlerë të shumëfishtë për pjesëmarrësit: dy konferencaparalele me ligjërata frymëzuese dhe diskutime strategjike; tre panaire ku ekspozohen produkte ezgjidhje teknologjike; sesion i investitorëve për startup-et rajonale; si dhe takime B2B të kuruara për tëlidhur kompani, talente dhe partnerë nga vendi dhe jashtë.

Fokuset kryesore të këtij edicioni janëInteligjenca Artificiale dhe Ndërmarrësia Inovative Digjitale—tema që përkthehen në njohuri praktike,shembuj konkretë të transformimit dhe lidhje të reja biznesore.

Në skenë vijnë zëra të spikatur ndërkombëtarë e vendorë. Nga jashtë, Andy Poole (Coursera) do të flasëpër aftësitë si “monedha e re” në epokën e inteligjencës artificiale dhe edukimin e orientuar drejt treguttë punës; Paolo Palumbo (WithSecure Intelligence) do të trajtojë sigurinë kibernetike të mundësuar ngainteligjenca artificiale dhe mbrojtjen proaktive ndaj kërcënimeve; Rachel Mooney (former Google &Vodafone) do të sjellë perspektiva për kulturën organizative, udhëheqjen në kohë ndryshimi dhendërtimin e ekipeve me performancë të lartë në kompani teknologjike globale.

Po ashtu Krenar Komoni(Tive) dhe Fabian Kamberi – të dy me origjinë shqiptare, por që vijnë nga jashtë – do të ndajnë mësimembi rritjen, shkallëzimin dhe lidershipin sipërmarrës.

Nga ekosistemi vendor priten kontribute që zbresinidetë në praktikë: Mërgim Cahani (Gjirafa) dhe Arta Shehu Zaimi (Labbox) për inovacionin me rrënjëlokale e ambicie globale.

Panairet e KosICT-it do të mbledhin këtë vit 40 kompani, duke ofruar një pasqyrë të gjallë tëkapaciteteve që po ndërtohen në Kosovë dhe rajon: nga produktet software dhe platformat SaaS teshërbimet e avancuara të sigurisë, cloud-it dhe analizës së të dhënave.

Për startup-et, KosICT është njëtrampolinë konkrete: përveç ekspozimit ndaj klientëve dhe korporatave, sesioni i investitorëve garantonderi tani të paktën 50 mijë euro fonde fillestare për ekipe në faza të hershme—një shans real për tëkaluar nga prototipi te rritja.Ngjarje me këtë peshë i japin Kosovës jo vetëm prestigj dhe vëmendje ndërkombëtare, por edhe efektetë matshme: rritje të bashkëpunimeve, qarkullim idesh dhe kapitali njerëzor, si dhe kontrata të reja qënxisin eksportin e shërbimeve digjitale.

KosICT është më shumë sesa një konferencë; është njëinfrastrukturë e përkohshme për vendimmarrje, partneritete dhe investime.Ftesa është e hapur për profesionistë të TIK-ut, themelues startup-esh, menaxherë të sektorëve tëndryshëm, studentë dhe entuziastë të teknologjisë: ejani në Prishtinë më 10–11 tetor për t’u lidhur menjerëzit e duhur dhe për të kapur ritmin e ideve që po e riformësojnë ekonominë.

OctoberTech vazhdon pas KosICT me DOKU.TECH dhe GrowthTank, duke e zgjatur dialogun dhe thelluar ndikimin përgjatëgjithë sezonit. Sponsor gjeneral i KosICT është ProCredit Bank, ndërsa sponsor gjeneral institucional igjithë sezonit OctoberTech është Zyra e Kryeministrit të Kosovës.

Detajet dhe regjistrimi: kosict.com.

Nëse fëmija juaj fillon shkollën pa ditur të flasë, ndoshta nuk është ajo çfarë mendon

30 September 2025 at 09:10


Nga: Shermeena Rabbi / The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Kur Aideni[*], një djalë trevjeçar, u soll në klinikën time dhe nuk dinte të fliste më shumë se “Mami”, prindërit e tij më treguan me krenari se sa inteligjent ishte ai: “Di të hapë aplikacionet në iPad për të parë emisionet e tij të preferuara, por thjesht nuk flet”.

Aideni komunikonte me tinguj dhe gjeste, duke e tërhequr mamanë nga krahu për t’ia bërë të ditur nevojat që ka. Zakonisht, fëmijët arrijnë të shqiptojnë disa fjalë të thjeshta deri në moshën 12-muajshe, ndaj të kesh një gjuhë kaq të kufizuar në moshën trevjeçare është diçka shqetësuese.

Gjatë vlerësimit të detajuar, zbuluam se ai nuk ishte autik, siç shpeshherë dyshohet në raste të tilla. Në vend të lojërave, këngëve për fëmijë dhe bisedave ballë për ballë me prindërit, Aideni kishte kaluar pjesën më të madhe të kohës përballë ekraneve. Qasja e re e prindërve është dixhitale dhe po lë pasoja serioze.

Për 13 vjet kam punuar si terapiste për të folurit dhe gjuhë dhe rastet e tilla dikur ishin të rralla, por tani, fëmijë pas fëmije që vijnë në derën e klinikës time në Londër, janë joverbal ose flasin vetëm me ca fjalë - shpesh janë tre apo katër vjeç. I trajtojmë të gjitha format e çrregullimeve të të folurit dhe gjuhës, përfshirë ato të shkaktuara nga autizmi, por që nga pandemia e Kovidit, 50 për qind e rasteve te fëmijët parashkollorë kanë si shkak mbështetjen e tepruar tek ekranet.

Sipas një sondazhi të YouGov, në mars të këtij viti, 44 për qind e mësuesve të shkollave fillore thonë se deri një në pesë fëmijë kanë vështirësi në komunikim në nivelin e pritur për moshën dhe tri të katërtat e mësuesve besojnë se prindërit janë në mohim për këtë. Kur më në fund prindërit kuptojnë se fëmijët e tyre rrezikojnë të mbeten prapa në shkollë dhe në shoqëri, për shkak të një mungese të pavetëdijshme dhe të paqëllimshme në prindërimin e tyre, ata përfshihen nga një ndjenjë e thellë turpi.

Në tri vitet e para, foshnjat janë si sfungjerë, dhe është thelbësore t’i ekspozosh te komunikimi social që të zhvillojnë aftësitë e tyre verbale. Grupet e lojës janë shumë të rëndësishme, ashtu si loja imagjinare me lodra, si kuzhina apo ferma, të cilat ndihmojnë në zhvillimin e gjuhës funksionale. Por, kjo gjeneratë e prindërve, të aftë në teknologji, të shpërqendruar edhe vetë nga ekranet, nuk luajnë dhe nuk ndërveprojnë sa duhet me fëmijët e tyre.

Akademia Amerikane e Pediatrisë rekomandon që koha para ekranit të jetë shumë e kufizuar për fëmijët nën moshën dyvjeçare. Këtë javë, liberaldemokratët propozuan që aplikacionet e rrjeteve sociale të kenë paralajmërime shëndetësore, të ngjashme me ato të cigareve, për të mbrojtur fëmijët nga “algoritmet e varësisë”. Nuk rrezikohet veç shëndeti mendor, por edhe arsimi i tyre.

Për shkak të paaftësisë së tij për të komunikuar apo për të kuptuar bisedat, Aideni shpërthente në histeri. Stimulimi i shpejtë dhe i vazhdueshëm nga argëtimi digjital e kishte lënë të paaftë të përqendrohej në botën e përditshme normale. Në procesin e përvetësimit të gjuhës, hapi i parë është vëmendja, i dyti dëgjimi dhe i treti loja - por, për Aidenin, kjo sekuencë nuk ishte e arritshme. Megjithatë, falë terapisë së të folurit, aktiviteteve të lojës imagjinative dhe ndërveprimit të rregullt me mamanë dhe babanë, ai tani po përparon.

Në shkollë, fëmijët me aftësi të kufizuara në komunikim ose tërhiqen ose sillen keq. Aftësitë e dobëta në komunikim lidhen drejtpërdrejt me probleme të shëndetit mendor, dhe fëmija gjithmonë do të mundohet të kapë hapin me të tjerët. Mesazhi për prindërit e rinj është i qartë: Largojeni telefonin dhe iPad-in.

_________________


[*] Emri është ndryshuar.

Prishtina me 30 linja të reja urbane, Përparim Rama: Shkarkojeni Kuletën Digjitale, një muaj pa pagesë

17 September 2025 at 15:18


Pas inaugurimit të 30 linjave të reja të transportit publik urban, kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar qytetarët se duke shkarkuar aplikacionin “Kuleta Digjitale” do të përfitojnë një muaj udhëtime falas.

“E dini që prej dje e keni edhe Kuletën Digjitale, kështu që futuni e downloadojeni. E keni një muaj pa pagesë për TRIP të Prishtinës – transportin e ri urban. Urime e gëzofshi, e na priftë e mbara për Prishtinën përtej”, ka deklaruar Rama.

Ky hap, sipas Komunës së Prishtinës, është pjesë e modernizimit të shërbimeve publike dhe lehtësimit të qarkullimit për qytetarët, duke kombinuar teknologjinë digjitale me transportin urban. /Telegrafi/


Rama: Biletën e autobusit tash e blen me një klik në Kuletën Digjitale, mujorja e parë falas

16 September 2025 at 19:43


Pas linjave të reja të transportit urban e aplikacionit për vendndodhjen e autobusit, Përparim Rama ka prezantuar zhvillimin tjetër pozitiv që lidhet me transportin.

Ai ka prezantuar Kuletën Digjitale, ku bileta blihet me një klik.

"Linjat e reja të transportit urban veç nisën sot! Aplikacioni për me pa kur vjen autobusi veç është lansu! E tash, biletën e trafikut urban e blen me veç 1 klik n’Kuletën Digjitale!", ka shkruar Rama.

I pari i kryeqytetit ka theksuar se muaji i parë është falas. "Muaji i parë – falas për krejt juve!

Bleje këtu: https://apps.apple.com/app/id6745468595.

Leviz lehtë, shpejt edhe smart me Transportin e ri të Prishtinës", ka shkruar ai.

Ndryshe, Rama sot ka bërë të ditur se transportit urban i janë shtuar 30 linja të reja.

Internet falas për qytetarët dhe vizitorët në Junik

10 September 2025 at 17:13


Komuna e Junikut ka njoftuar se qytetarët dhe vizitorët e qytetit do të kenë mundësi të shfrytëzojnë internet falas në hapësira publike.

Kjo falë projektit rajonal WiFi4WB, i cili financohet nga Bashkimi Evropian dhe Qeveria Federale e Gjermanisë, në kuadër të programit EU4Digital.

Ky projekt ka për synim rritjen e qasjes digjitale dhe transparencës institucionale, duke ofruar rrjet pa pagesë në sheshin kryesor të Junikut.

Instalimi i pajisjeve të nevojshme do të realizohet së shpejti në bashkëpunim me Telekomin e Kosovës – Vala.

Komuna e Junikut ka falënderuar partnerët ndërkombëtarë për mbështetjen e vazhdueshme, duke e cilësuar këtë projekt si një hap të rëndësishëm drejt ofrimit të shërbimeve publike më të avancuara dhe më afër qytetarëve.

ChatGPT-ja tani po synon miqësitë e brezit Z!

2 September 2025 at 11:46

Nga: Esme Gordon-Craig / The Independent (titulli: ChatGPT has already killed off the graduate job – now it’s coming for Gen Z friendships)
Përkthimi: Telegrafi.com

Askush nuk e shijonte një bisedë të mirë si shoqja ime e ngushtë e dikurshme. Darka për ne dikur nënkuptonte kohën më të preferuar të ditës që rezervohej për të analizuar tej mase çdo fiasko sociale që kishte pushtuar mendjen e saj. Zhbënim miqësi që kishin marrë tatëpjetën dhe qeshnim me situatat më absurde të takimeve tona. Por, në një moment, këto seanca thashethemesh ndaluan dhe në vend të tyre u fut një laptop ku ChatGPT-ja u pozicionua si anëtari më i ri dhe si opinionisti kryesor i rrethit tonë shoqëror.

– Lexo po ashtu nga Esme Gordon-Craig: Jam 23 vjeç dhe beqare – pse ka kaq shumë djem që kërkojnë gra të moshës së nënës sime?

Isha dhe ende jam thellësisht e ofenduar nga fakti që shoqja ime ashiqare më ka zëvendësuar me një inteligjencë artificiale [IA]. Si mundi ta zëvendësojë gjithë urtësinë dhe kujdesin që unë kam bërë gjatë viteve tona së bashku, me një çetbot që kërkon një pagesë mujore për mirëmbajtje? Si shumë njerëz të tjerë në fillim të të njëzetave, jam mësuar të dëgjoj se IA-ja po vjedh vendet e punës të së ardhmes. Nuk isha e përgatitur të zbuloja se do t’i vidhte edhe shoqet e mia.

Për shoqen time, përdorimi i çetbotit nisi si ndihmë akademike dhe më pas u shndërrua në diçka më personale. Problemet shoqërore nisën të zgjidheshin duke i dhënë një komandë IA-së – në vend që t’i mendonte vetë – dhe përgjigjet vinin me një ton dhe stil që çuditërisht imitonin të sajin. Dhe, nuk ishte thjesht informacioni ajo që kërkonte; ishte ngushëllimi, mbështetja, madje edhe empatia – një ndjenjë që e mendoja të jetë ekskluzivisht njerëzore. Bisedat tona u zëvendësuan gradualisht nga një monolog i njëanshëm, i ricikluar nga ndërveprimet e saj me këtë mik të ri artificial – dhe mos e dhëntë Zoti të sugjeroja se kjo gjë ishte e gabuar.

Ranë poshtë seancat tona të zakonshme të thashethemeve në darkë, teksa u bë e qartë se cili nga të tre ne ishte në të vërtetë person i padëshiruar. Në njëfarë mënyre, ndjehem disi e lehtësuar kur zbuloj se nuk jam e vetme në këtë ndjesi zëvendësimi; edhe të tjerët po e gjejnë veten në të njëjtin hall. Ashtu si kalimi natyral nga një njohje në miqësi, gjithnjë e më shumë njerëz po kalojnë te përdorimi i ChatGPT-së nga një mjet në perceptimin e tij si shok. Meqenëse IA-ja po përmbush detyrat që më parë ishin baza e marrëdhënieve tona shoqërore, është e pashmangshme që këto miqësi do të dobësohen, ndërkohë që varësia jonë ndaj IA-së do të forcohet. “Ndihem e pavlefshme”, më tha njëra nga shoqet, “nuk këshillohemi më për takimet – thjesht shkruajmë situatën në ChatGPT dhe presim na tregojë lëvizjen e radhës”.

Dhe, kjo nuk po ndikon vetëm marrëdhënia me shoqet. Një shoqe tjetër i jep aq shumë peshë opinionit të ChatGPT-së saqë e la një djalë menjëherë pasi IA-ja vendosi se ai nuk e meritonte atë. Nuk po e mbroj djalin – as nuk arrita ta njihja – por, shpresoj që në marrëdhëniet e ardhshme të paktën të mos i nënshtrohem gjykimit të një diktatori misterioz artificial.

Problemi i madh këtu është se këshillat që marrim nga ChatGPT-ja në të vërtetë nuk janë këshilla – janë vetëvlerësim. Fakti që kërkon vetëm aprovimin tënd e bën atë jashtëzakonisht tërheqës për t’u përdorur – sa e këndshme është të të thonë se ke gjithmonë të drejtë. Dhe, ndryshe nga orari im i darkës për thashetheme, ChatGPT-ja është në dispozicionin tënd kurdoherë dhe kudo që të duash. Nuk shkon në punë, nuk harron të ta kthejë telefonatën. Nuk të gjykon dhe nuk kërkon që biseda të fokusohet te vetja e tij. Atëherë, cili është kuptimi i kërkimit të mendimit njerëzor kur ai është i rrëmujshëm, i pasigurt dhe i mbushur me interesa vetjake?

Një version i ri i ChatGPT-së u publikua këtë muaj, ndaj vendosa t’i shkruaj shoqes sime për ta pyetur se si po i duket. Më informoi se ky version është shumë më inteligjent, por më pak lavdërues. Për një çast, ndjeva një shpresë. Mos vallë mungesa e lajkave nga ChatGPT-5 do të thotë se do ta kem prapë shoqen time? Por, pastaj më ra ndër mend se, si shumë prej nesh, ajo është bërë e varur dhe, fakti që miku i saj robotik ka gjetur një zë më të sigurt për veten, kjo rrezikon ta bëjë zërin tim – njerëzor, të paparashikueshëm – edhe më të panevojshëm. /Telegrafi/

 

The post ChatGPT-ja tani po synon miqësitë e brezit Z! appeared first on Telegrafi.

A mund t’ia besojmë Mark Zuckerbergut mbikëqyrjen e revolucionit të inteligjencës artificiale?

1 August 2025 at 09:45

Burimi: The Independent
Përkthimi: Telegrafi.com

Meta e Mark Zuckerbergut ishte ylli i bursës së Uoll-Stritit [Wall Street], pasi të dhënat e fundit zbuluan një përfitim të madh si rezultat i investimeve në inteligjencën artificiale [IA]. Përqafimi i kësaj teknologjie të re është një nga bastet më të mira të mbretit të rrjeteve sociale – dhe po jep fryte të mëdha që ka shumë gjasa të vazhdojnë edhe për vite me radhë.

Të ardhurat për tremujorin që përfundoi, në fund të qershorit, u rritën me 22 për qind, duke arritur në 47.5 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 41.6 miliardë eurove] krahasuar me një vit më parë. Fitimet u rritën me më shumë se një të tretën (36 për qind), duke arritur në 18.3 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 16 miliardë eurove]. Nëse çmimi i ambicieve të Zuckerbergut në fushën e IA-së është po aq marramendës – shpenzimet totale u rritën me 12 për qind, duke arritur në 27.5 miliardë dollarë [vlera e përafërt e 24 miliardë eurove], me më shumë investime të paralajmëruara – kujt i intereson? Është një investim i mençur dhe një lëvizje e mirë biznesi.

Burimet e mëdha të Meta-s nënkuptojnë se ajo patjetër do të jetë në pararojë të kësaj teknologjie të re interesante, por potencialisht të rrezikshme për shumë vite në vijim. Kjo është më shumë sesa më pak shqetësuese, sidomos nëse keni lexuar librin bestseller të ish-drejtoreshës së Facebook-ut, Sarah Wynn-Williams: Careless People: A Cautionary Tale of Power, Greed, and Lost Idealism [Njerëz të pakujdesshëm: Një tregim paralajmërues për pushtetin, lakminë dhe idealizmin e humbur], rreth kohës së saj në kompani.

Nëse e lexoni vetëm një libër biznesi këtë vit – apo edhe gjatë gjithë jetës suaj – ky është ai.

Wynn-Williams nuk është përmbajtur për të përfshirë akuza tronditëse për sjelljen e drejtuesve më të lartë të kompanisë. Libri i saj është një ekspoze dhe këtë punë e bën shumë mirë. Është gjithashtu një lexim tërheqës, ndonëse me raste tronditës.

Por, pjesa më e rëndësishme është ajo që ka për të thënë për mënyrën e pakujdesshme se si Meta ishte e gatshme të përdorte teknologjinë e saj përparimtare. Për shembull, Wynn-Williams pretendon se kompania synonte adoleshentët, përmes reklamave, bazuar në gjendjen e tyre emocionale – përfshirë kur ishin në depresion.

Tani, shtojeni IA-në në këtë përzierje algoritmike. Pasojat janë të bollshme për të të tronditur. Gjithashtu, të shqetësojnë përpjekjet e kompanisë për të tërhequr Kinën dhe se çfarë i ofroi regjimit atje. Mos harroni, Wynn-Williams i bëri të njëjtat akuza edhe para senatorëve amerikanë – nën betim.

Tani, le ta vendosim këtë në një kontekst. Bota ndodhet në mes të një gare të vrullshme për dominimin e IA-së. Donald Trumpi pretendon se ShBA-ja tashmë e ka fituar këtë garë. Ndoshta ka të drejtë. Keir Starmer është i vendosur që Britania të paktën të sigurojë një vend në podium, edhe pse zyrtarët e komunikimit të qeverisë ndoshta do të preferonin që të përdorja shprehjet si “rol udhëheqës” apo prej “pionieri” apo diçka të ngjashme.

Ndërmarrja më e fundit të tij përfshin afrimin me influencuesit (jam i vetmi që e urren fjalën “influencues”?). Të enjten, kryeministri mbajti një sesion gjysmë-ditor për rreth 100 prej tyre në Kryeministri [Downing Street], për të diskutuar se si mund të bashkëpunojnë më ngushtë me qeverinë – dhe anasjelltas, duke pasur parasysh rritjen marramendëse të konsumit të lajmeve në rrjetet sociale.

IA-ja ka bërë që ministrat të jenë të entuziazmuar – dhe me arsye. Shteti britanik është në rrëmujë, i bllokuar nga burimet e pakta dhe udhëheqja e dobët e cila shpeshherë duket më e interesuar për projekte personale sesa për zgjidhjen e problemeve. IA-ja mund ta ndryshojë këtë.

Ministrja e Drejtësisë, Shabana Mahmood, mendon se IA-ja mund të “parashikojë rrezikun që paraqet një keqbërës” dhe të ndihmojë në marrjen e “vendimeve për të vendosur të burgosurit e rrezikshëm nën mbikëqyrje më të rreptë”, duke ulur kështu dhunën në burgje. Edhe shërbimi i kushtëzimit, i cili po përballet me vështirësi, mund të përfitojë pasi pilotët e IA-së kanë treguar “një ulje prej 50 për qind në kohën e marrjes së shënimeve, duke i lejuar oficerët të përqendrohen te menaxhimi i rrezikut, monitorimi dhe takimet ballë për ballë me të dënuarit”.

Kthehemi te Shërbimi Kombëtar i Shëndetësisë [NHS], ku na thuhet se një aplikacion që përdor IA-në për të ofruar fizioterapi për njerëzit me dhimbje shpine, ka ulur listat e pritjes për trajtim me 55 për qind. Nuk e di nëse dua vërtet që problemet e mia me shpinën të trajtohen nga një robot, por ndoshta kjo vjen si pasojë e faktit që kam lexuar shumë libra distopikë.

Tashmë po shohim disa nga efektet negative të kësaj teknologjie, përmes zhdukjes së pozicioneve fillestare në industrinë e teknologjisë dhe në sektorin financiar, gjë që përkeqëson edhe më tej një treg pune veçse të dobët në Mbretërinë e Bashkuar. Por, qeveria nuk është shumë e gatshme të flasë për këtë.

Kjo të çon drejt një pyetjeje thelbësore: a është fjala për një lloj teknologjie që duam të kontrollohet nga “njerëz të pakujdesshëm” të përshkruar nga Wynn-Williams – njerëz kaq të fiksuar pas fitimeve saqë nuk ndalen asnjëherë të mendojnë për atë që po bëjnë?

Ndoshta kjo teknologji e rregullon NHS-në dhe ia jep jetë një shteti të ngurtë që po dështon dukshëm ndaj qytetarëve britanikë. Jeta e njerëzve mund të përmirësohet si rezultat i kësaj. Por, problemi qëndron se nëse përzien njerëz të pakujdesshëm, mund të përfundosh po aq lehtë duke krijuar një përzierje toksike. /Telegrafi/

 

The post A mund t’ia besojmë Mark Zuckerbergut mbikëqyrjen e revolucionit të inteligjencës artificiale? appeared first on Telegrafi.

Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale

29 July 2025 at 09:39

Nga: Julian Gewirtz / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një bisede telefonike me Donald Trumpin, disa ditë para inaugurimit të tij në vitin 2025, Sam Altman, drejtori ekzekutiv i OpenAI-së, i tha presidentit të porsazgjedhur të ShBA-së se gjatë mandatit të tij do të arrijnë inteligjencën e përgjithshme artificiale [IPA/AGI] në nivel njerëzor. Altman e ka paraqitur këtë arritje si pjesë të një gare ekzistenciale për inteligjencën artificiale [IA/AI] midis ShBA-së dhe Kinës.

Dëshira për të fituar këtë garë shpjegon shumëçka nga veprimet e qeverisë amerikane – që nga kontrollet e eksportit ndaj Kinës të administratës Biden, te projekti gjigant i qendrës së të dhënave Stargate me vlerë prej 500 miliardë dollarësh, e deri te plani i veprimit të cilin Trumpi e publikoi javën e kaluar për të përshpejtuar zhvillimin e IA-së.

Të dy vendet po investojnë fuqishëm në këtë teknologji. Por, të paktën, në pamje të jashtme, duket se kanë qëllime të ndryshme. Përderisa udhëheqësit amerikanë e kanë prioritet zhvillimin e modeleve më inteligjente të mundshme, politikanët kinezë janë më të përqendruar në zbatimin e gjerë të IA-së.

Duke përdorur zhargonin e Luginës së Silikonit [Silicon Valley], Partia Komuniste Kineze [PKK] duket shumë më pak e “fiksuar pas IPA-së” sesa homologët e tyre amerikanë. Megjithëse laboratorët kryesorë kinezë, si DeepSeek, Zhipu dhe Stepfun shprehin ambicien për të arritur inteligjencën artificiale në nivel të aftësive njerëzore, zyrtarët më të lartë të qeverisë kineze pothuajse nuk e përmendin IPA-në.

Së pari, qeveria kineze nuk ka një term zyrtar që përmbledh saktësisht atë që Altman dhe të tjerët kuptojnë me IPA-n. Termi që përdoret në Kinë është tongyong rengong zhineng, përkthimi i saktë i të cilit është “inteligjencë artificiale me qëllim të përgjithshëm”. Kjo sugjeron një sistem të aplikuar në shumë fusha, jo domosdoshmërisht në inteligjencën në nivel njerëzor.

Gjithashtu, qeveria kineze nuk po ndërmerr hapa të dukshëm për të ndërtuar infrastrukturën fizike të nevojshme për IPA. Ka qenë e ngadaltë në ndërtimin e “superklasterëve” të çipave kompjuterikë që po ndërtohen nga kompanitë amerikane të teknologjisë së lartë.

Në vend të kësaj, Xi Jinping ka theksuar rëndësinë e aplikimit praktik të IA-së. Ai ka deklaruar vazhdimisht se sektori i IA-së në Kinë duhet të jetë “i orientuar fuqishëm drejt aplikimeve”. Nga robotika industriale deri te produktet si Manus, një agjent i avancuar i IA-së, kjo tashmë po bëhet realitet.

Megjithatë, Xi ka përqafuar haptazi qëllimin për të “arritur dhe tejkaluar” ShBA-në në shkencë dhe teknologji, përfshirë edhe IA-në. Atëherë, pse jo edhe me IPA-në?

Një shpjegim është se kontrollet amerikane të eksportit e kanë penguar seriozisht aftësinë e Kinës për të siguruar fuqinë e nevojshme llogaritëse për modelet e ardhshme të IA-së. Një tjetër mundësi është se zyrtarët kinezë mund ta shohin IPA-në si një koncept abstrakt dhe jo të afërt, duke preferuar të përqendrohen në qëllime më të prekshme. Nëse Lugina e Silikonit gabon dhe inteligjenca artificiale në nivel njerëzor mbetet ende e paarritshme, atëherë përqendrimi i Kinës në aplikime do të duket largpamës.

Megjithatë, ekziston një shpjegim i tretë, më shqetësues, për qasjen e Kinës: PKK-ja, e njohur për fshehtësinë e saj të përhershme, mund të jetë duke fshehur interesin e saj për IPA-n. Kjo nuk do të ishte një dukuri e re: Kina ka ndërmarrë ndërtimin më të madh të armëve bërthamore që nga Lufta e Ftohtë, por nuk e pranon publikisht përmasën e këtij zgjerimi. PKK-ja mund të ketë frikë nga një reagim më i ashpër i politikës amerikane nëse do ta shpallte haptazi interesin e saj për IPA-n.

Kjo do të thotë se, edhe nëse ShBA-ja dhe Kina duken sikur po zhvillojnë gara të ndryshme në fushën e IA-së, konkurrenca e drejtpërdrejt mbetet e ashpër. Qoftë nëse Xi dyshon te IPA, ndjehet i kufizuar, apo fsheh synimet e veta, ekziston një rrezik i madh nga të dyja palët për një “befasi teknologjike” – kur një rival fiton papritur një aftësi teknologjike, kjo mund të rrisë rrezikun e konfliktit.

Nëse afati i Altmanit është i saktë dhe ShBA-ja arrin shpejt IPA-në në nivel njerëzor, duke e befasuar Pekinin, atëherë Kina mund të frikësohet nga një humbje e pakthyeshme strategjike. Ajo mund të veprojë për ta rikuperuar këtë epërsi përmes një sërë mjetesh pushteti – duke përfshirë operacione të ofensivës kibernetike, shtrëngim ekonomik, presion diplomatik apo madje edhe forcë ushtarake.

Përndryshe, nëse udhëheqësit e Kinës po fshehin përpjekjet e tyre për IPA-në, atëherë ShBA-ja mund të përballet me një tronditje të pakëndshme dhe të ndërmarrë veprime për të rivendosur ekuilibrin.

Këta skenarë nxjerrin në pah një të vërtetë thelbësore strategjike: veçmas, si përshkallëzimi i rivalitetit ShBA-Kinë ashtu edhe shpërthimi i risive në API janë ngjarje që ndryshojnë botën. Por, së bashku, njëkohshmëria dhe ndërthurja e tyre krijojnë një rrezik të paprecedentë.

Përballë kësaj situate, politikanët anembanë botës janë të papërgatitur për të menaxhuar këto zhvillime të kombinuara strategjike dhe teknologjike. Shumë prej tyre e kanë të vështirë të qëndrojnë të përditësuar me zhvillimet në IA, e lëre më të përgatiten për pasojat e risive gjeopolitike. Por, që tani ata duhet të fillojnë me përgatitjet, për të zbutur këto rreziqe. Vitet që do vijnë do të jenë shumë më të rrezikshme sesa e kuptojnë shumica e investitorëve dhe vendimmarrësve të kësaj teknologjie. /Telegrafi/

The post Loja e rrezikshme e rivalitetit global për inteligjencën artificiale appeared first on Telegrafi.

Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale

18 July 2025 at 08:57

Nga: Robert Shrimsley / The Financial Times
Përkthimi: Telegrafi.com

Gjatë një dite të fundit të lirë për ministrat e kabinetit, Peter Kyle, sekretari për Shkencë dhe Teknologji [i Mbretërisë së Bashkuar], mbajti një prezantim mbi inteligjencën artificiale [IA], ku përfshiu edhe shembullin e një kompanie të njohur të shërbimeve financiare, që kishte pushuar mijëra punonjës nga puna – edhe pse të ardhurat e saj po rriteshin ndjeshëm.

Paralajmërimi i tij ishte se kjo prirje do të përsëritet gjerësisht. Edhe pse kursimet e tilla dhe rritja e produktivitetit do të mirëpriteshin në shërbimet publike, ndikimi i IA-së, në tregun e punës, po tërheq vëmendjen në nivelet më të larta të qeverisë. Morgan McSweeney, strategu dhe shefi i stafit të kryeministrit, foli me entuziazëm për librin Republika teknologjike [The Technological Republic] – një vepër me ton egoist, por me vlera, nga drejtori ekzekutiv dhe këshilltari ligjor i Palantir-it. Libri argumenton se IA-ja duhet të lidhet me nevojat kombëtare, duke shprehur shqetësimin se shumë nga pionierët e industrisë udhëhiqen më shumë nga interesat personale teknologjike dhe financiare, sesa nga ato shoqërore.

Figurat e larta në qeveri e krahasojnë ndikimin e mundshëm të IA-së me revolucionin e parë industrial. Megjithatë, ka shumë të panjohura për ta pranuar pa rezerva këtë paralelizëm. Vlerësimet për ndikimin e IA-së në punësim, ndryshojnë shumë nga njëra-tjetra, dhe rrallë janë optimiste. Një sondazh i fundit tregoi se pozicionet e shpallura për të diplomuarit, në Mbretërinë e Bashkuar, ishin 33 për qind më pak krahasuar me vitin e kaluar, megjithëse ndikonin edhe faktorë të tjerë.

Përballë kësaj pasigurie, shpesh është më e thjeshtë të përqendrohesh te problemet e menjëhershme, si p.sh. ta vendosësh Mbretërinë e Bashkuar në anën e duhur të revolucionit të IA-së. Ministrat flasin për përparimet në shëndetësi, mbrojtje dhe arsim, si dhe për ekspertizën e kërkimit shkencor dhe të universiteteve britanike. Kyle po shqyrton gjithashtu si mund të shfrytëzohet pasuria e të dhënave, nga shërbimet publike, për të siguruar që përfitimet të mbeten në Britani.

Megjithatë, ia vlen të merret parasysh analogjia me revolucionin industrial, edhe nëse është e papërsosur. Gjatë disa dekadave, shoqëria u transformua rrënjësisht duke çuar në krijimin e një klase industriale punëtore; në një sërë reformash sociale, industriale dhe arsimore; në zgjerimin e së drejtës së votës për popullsinë e rritur; dhe, në zëvendësimin e liberalëve me një forcë të re – laburistët. Ndoshta më me rëndësi, u formua një klasë e mesme që po rritej e që u bë shtylla kurrizore e demokracisë liberale dhe kapitalizmit.

Nuk është e nevojshme ta pranosh plotësisht këtë krahasim, për të kuptuar ndikimin e thellë që do të ketë këtë herë mbi politikën demokratike. Filizat e parë të populizmit mund të gjurmohen që në zhvendosjen nga industria e rëndë, duke çuar në rënien e qyteteve dhe komuniteteve dikur krenare për prodhimin industrial. Kjo gjithashtu e ka përshpejtuar ndryshimin e laburistëve nga roli tradicional si partia e klasës së sindikalizuar punëtore.

Të gjithë mund të shohin se një tronditje po afrohet, por dimë shumë pak për natyrën e saj. Një studim qeveritar i vitit 2023 identifikoi punët më të ekspozuara ndaj IA-së. Tani është duke u zhvilluar një analizë e re e gjerë brenda të gjitha departamenteve qeveritare.

Një rënie e qëndrueshme e punësimit në profesionet fitimprurëse mund të ketë pasoja të gjera politike. Duke hartuar profesionet në rrezik, sipas zonave elektorale, anketuesi James Kanagasooriam vëren se ndikimet më të mëdha do të ndihen në zonat e pasura jugore. Kjo perspektivë – ku punonjësit me kostum janë në rrezik, ndërsa vendet për punë fizike janë më të sigurta – përmbys ndikimet e mëparshme të revolucioneve industriale dhe mund të krijojë një klasë të re humbësve ekonomikë.

Pasojat mund të përfshijnë përqendrime më ekstreme të pasurisë, më pak vende pune me paga të mira dhe ndryshime në madhësinë dhe strukturën e bazës tatimore. Studentët mund të shmangin marrjen e borxheve të mëdha për diplomat që ofrojnë të ardhura të ulëta. Ideja e një brezi të tradhtuar do të përhapet gjithnjë e më shumë. Çfarë mund të kërkojnë votuesit në terma mbrojtjeje – dhe si do të financohet ajo?

Në versionin më dramatik të parashikimeve, ky ndryshim mund të zvogëlojë klasën e mesme që ka ofruar stabilitet politik, duke zgjeruar grupin e njerëzve me pasuri dhe ndjesi përkatësie ndaj shoqërisë, e të cilët ndihen të përfaqësuar nga sistemi dhe establishmenti. Si do ta riorientonte ky ndryshim demografik politikën partiake?

Mjafton të shikosh rritjen aktuale të partive populiste, për të parë se si ndryshon politika kur zhduket kënaqësia e përbashkët – dhe kjo ndodhi para ardhjes së IA-së. E djathta tradicionale tashmë është përçarë, dhe e majta po pëson erozion. Konservatorët nuk janë më partia e të kënaqurve, dhe partia Reform UK e Nigel Farageit përqafon politikat e majta ekonomike. Ekziston një grup që po kërkon zgjidhje alternative dhe po humb besimin te shteti. Tani, imagjinoni që vetë votuesit e establishmentit – ata që nuk janë mësuar të humbasin – të kalojnë në rreshtin e të pakënaqurve.

Laburistët kanë vendosur të jenë entuziastë për IA-në, gjë që ndoshta është vendim i mençur, pasi ludizmi [lëvizja e dikurshme kundër teknologjisë] rrallë funksionon. Por, ata duhet gjithashtu të ofrojnë përgjigje për mënyrën se si të mbrojnë elektoratin nga ky tranzicion teknologjik dhe më tej.

Sfida nuk kufizohet vetëm te punët. Përparimet në të dhëna, analizë imazhesh dhe mbikëqyrje do t’i vënë udhëheqësit gjithnjë e më shumë përballë kompromiseve midis lirive civile dhe rendit publik. Dhe, teknologjia po depërton në vetë demokracinë – jo vetëm përmes përmbajtjes së rreme. Një sondazh i brendshëm i Laburistëve zbuloi se një në katër votues kishte përdorur ChatGPT-në për informacion gjatë zgjedhjeve të fundit.

Mund të ndodhë që alarmi të jetë i tepruar, dhe se IA-ja do të krijojë vende të reja pune teksa zhduk të tjerat – megjithatë, ritmi i ndryshimit është vetë thelbi i sfidës.

Por, ndryshimet e mëdha gjithmonë reflektohen në politikë. Po sikur revolta e ardhshme të vijë nga vetë establishmenti liberal? Kur fitimtarët, mbi të cilët mbështeten strukturat e shoqërisë dhe demokracisë, bëhen humbës, atëherë siguritë e vjetra mund të zhduken shumë shpejt. /Telegrafi/

The post Politika përballet me llogaridhënien për inteligjencës artificiale appeared first on Telegrafi.

Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore

16 July 2025 at 10:48

Nga: Lanre Bakare / The Guardian (titulli: An AI-generated band got 1m plays on Spotify. Now music insiders say listeners should be warned)
Përkthimi: Telegrafi.com

Ata u bënë viralë, duke pasur, brenda pak javësh, më shumë se një milion dëgjime në Spotify, por më vonë doli në pah se grupi i ri, The Velvet Sundown, ishte i krijuar nga inteligjenca artificiale [IA] – që nga muzika e tyre, imazhet promovuese deri te historia e tyre fiktive.

Ky episod ka nxitur një debat rreth autenticitetit, me ekspertë të industrisë muzikore që thonë se platformat e transmetimit, si Spotify, duhet të jenë ligjërisht të detyruara të etiketojnë muzikën e krijuar nga artistët e gjeneruar nga IA-ja, në mënyrë që dëgjuesit të marrin vendime të informuara mbi atë që po dëgjojnë.

Fillimisht, “grupi” i përshkruar si “një projekt sintetik muzikor i udhëhequr nga drejtimi krijues njerëzor”, mohoi se ishte një krijim i IA-së dhe publikoi dy albume në qershor, me titujt Floating On Echoes dhe Dust And Silence, me një tingull të ngjashëm me folk-kantrin e trupës Crosby, Stills, Nash & Young.

Situata u bë më e ndërlikuar kur një person që e përshkroi veten si një “anëtar ndihmës”, u tha gazetarëve se The Velvet Sundown kishin përdorur platformën gjenerative të IA-së, Suno, për krijimin e këngëve të tyre dhe se projekti ishte një “mashtrim artistik”.

Kanalet zyrtare të grupit, në rrjetet sociale, e mohuan këtë dhe deklaruan se identiteti i grupit është “thyer”, përpara se të lëshonin një deklaratë që konfirmonte se grupi ishte një krijim i IA-së dhe se ishte “as plotësisht njeri; as plotësisht makinë”, por se ekzistonte “diku në mes”.

Disa persona i thanë Guardian-it se situata aktuale, ku platformat e transmetimit, përfshirë Spotify-n, nuk kanë asnjë detyrim ligjor për të identifikuar muzikën e krijuar nga IA-ja, lë dëgjuesit të pavetëdijshëm për origjinën e këngëve që dëgjojnë.

Roberto Neri, drejtori ekzekutiv i Ivors Academy, ka thënë: “Grupet e krijuara nga IA-ja, si Velvet Sundown, të cilat arrijnë audienca të mëdha pa përfshirë krijues njerëzorë, ngrenë shqetësime serioze për transparencën, autorësinë dhe pëlqimin”.

Neri shtoi se, nëse “përdoret në mënyrë etike”, IA-ja ka potencialin të përmirësojë krijimtarinë muzikore, por theksoi se organizata që ai përfaqëson brengoset për ato që ai i quajti “çështje thellësisht shqetësuese” në lidhje me përdorimin e IA-së në muzikë.

Sophie Jones, drejtuese e strategjisë në Shoqatën Britanike të Industrisë Fonografike (BPI), mbështeti thirrjet për etiketim të qartë. “Ne besojmë se IA-ja duhet të përdoret për të mbështetur krijimtarinë njerëzore, jo për ta zëvendësuar atë”, tha Jones.

“Për këtë arsye, ne po i bëjmë thirrje qeverisë britanike të mbrojë të drejtën e autorit dhe të vendosë detyrime të reja për transparencë ndaj kompanive të IA-së, në mënyrë që të drejtat muzikore të mund të licencohen dhe zbatohen, si dhe të kërkohet etiketimi i qartë i përmbajtjes tërësisht të krijuar nga IA-ja”.

Liz Pelly, autore e librit Mood Machine: The Rise of Spotify and the Costs of the Perfect Playlist, tha se artistët e pavarur mund të shfrytëzohen nga personat që qëndrojnë prapa pas grupeve muzikore të krijuara me IA, të cilët mund të prodhojnë këngë të trajnuara me muzikën e tyre.

Ajo përmendi rastin e vitit 2023 kur një këngë u ngarkua në TikTok, Spotify dhe YouTube, duke përdorur zëra të gjeneruar nga IA-ja që pretendonin të ishin The Weeknd dhe Drake. Universal Music Group deklaroi se kënga ishte “përmbajtje keqpërdoruese e krijuar me IA gjeneruese” dhe u hoq pak pasi ishte publikuar.

Nuk dihet me siguri se me çfarë muzike janë trajnuar albumet e Velvet Sundown dhe kritikët thonë se kjo mungesë transparence mund të nënkuptojë se artistët e pavarur po humbasin të drejtën për kompensim.

Pelly tha: “Duhet të sigurohemi që nuk janë vetëm yjet e muzikës pop ata që mbrohen – të gjithë artistët duhet të kenë mundësinë të dinë nëse vepra e tyre është shfrytëzuar në këtë mënyrë”.

Për disa, shfaqja e grupit Velvet Sundown shihet si hapi logjik i radhës teksa muzika dhe IA-ja po kombinohen, ndërkohë që legjislacioni po përpiqet të ecën në hap me këtë ekosistem muzikor që po ndryshon me shpejtësi.

Jones tha: “Rritja e grupeve dhe muzikës së gjeneruar nga IA-ja, që futet në treg, tregon se kompanitë teknologjike kanë trajnuar modelet e tyre duke përdorur vepra krijuese – në shumicën e rasteve pa autorizim apo pagesë për krijuesit dhe mbajtësit e të drejtave – me qëllim që të konkurrojnë drejtpërdrejt me artin njerëzor”.

Neri shtoi se Mbretëria e Bashkuar ka një mundësi për të udhëhequr botën në adoptimin etik të IA-së në muzikë, por theksoi se nevojitet një kuadër i fortë ligjor që “garanton pëlqimin dhe shpërblimin e drejtë për krijuesit, si dhe një etiketim të qartë për dëgjuesit”.

“Pa këto masa mbrojtëse, IA-ja rrezikon të përsërisë të njëjtat gabime të transmetimit dixhital, ku teknologjia përfiton dhe krijuesit muzikorë lihen pas dore”, shtoi ai.

Aurélien Hérault, drejtori i inovacionit në shërbimin e transmetimit muzikor Deezer, tha se kompania përdor softuer zbulues që identifikon dhe etiketon këngët e krijuara nga IA-ja.

Ai tha: “Për momentin, mendoj se platformat duhet të jenë transparente dhe të përpiqen të informojnë përdoruesit. Për një periudhë kohe, në atë që unë e quaj ‘natyralizimi i IA-së’, ne duhet të njoftojmë qartë përdoruesit se kur është përdorur apo nuk është përdorur IA-ja”.

Hérault nuk e përjashtoi mundësinë që në të ardhmen do të hiqet etiketimi i muzikës së krijuar nga IA-ja, nëse kjo muzikë bëhet më e popullarizuar dhe muzikantët fillojnë ta përdorin si një “instrument” tjetër.

Deezer i tha së fundmi gazetës Guardian se deri në shtatë nga dhjetë dëgjime të muzikës së gjeneruar nga IA-ja, në platformën e tyre, janë mashtruese.

Aktualisht, Spotify nuk e etiketon muzikën si të gjeneruar nga IA-ja dhe është kritikuar më parë për përfshirjen në disa lista dëgjimi të muzikës së realizuar nga “artistë fantazmë” – projekte fiktive që prodhojnë muzikë nga copëzat.

Një zëdhënës i kompanisë tha se Spotify nuk i jep përparësi muzikës së krijuar nga IA. “E gjithë muzika në Spotify, përfshirë atë të gjeneruar nga IA-ja, krijohet, zotërohet dhe ngarkohet nga palë të treta të licencuara”. /Telegrafi/

 

The post Grupi muzikor i krijuar nga inteligjenca artificiale ka nxitur shqetësime në industrinë muzikore appeared first on Telegrafi.

Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale?

3 July 2025 at 10:34

Nga: Alexander Hurst / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com

Në 74 833 fjalët e një libri që po shkruaj, ka gjashtë fjalë të cilat, kur bashkohen në një sekuencë të caktuar prej 12 fjalësh, unë nuk mund t’i përdor. Është një varg i vetëm nga kënga Bloodbuzz Ohio nga grupi The National, i cili thotë: Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh.

Libri im është një kujtesë personale për ndikimin psikologjik të asaj që unë e quaj “kapitalizëm i dëshpërimit”, sidomos te brezi i milenialëve, dhe se si kjo i ka shtyrë dhjetëra miliona njerëz të përpiqen të dalin nga pasiguria financiare duke u përfshirë në veprimtari me rrezik të lartë financiar. Historia tregohet përmes përvojës sime personale, teksa për 11 muaj radhazi i shndërrova disa mijëra dollarë në më shumë se 1.2 milion, dhe pastaj për 18 muaj të tjerë ndoqa humbjet derisa përfundova me zero. Në fakt, më keq se zero sepse në fund ia kisha borxh  qeverisë amerikane pothuajse 100 mijë dollarë taksa për fitimet “fantazmë” që nuk ekzistonin më.

Ja ku do të përshtatej në mënyrë të përsosur ai varg nga grupi The National, si një epigraf – por, vetëm në teori. Botuesi më informoi se tekstet e këngëve janë subjekt i një zbatimi famëkeq të rreptë të së drejtës së autorit dhe çmimi për të blerë të drejtat është shpesh astronomik. Pra, as mos e çoni ndër mend të citoni Eminem-in për të treguar se si kënga Lose Yourself depërtoi në psikikën e një brezi, kur ai tha: Ke vetëm një shans, mos e humb shansin për të dështuar, kjo mundësi vjen një herë në jetë.  

Por, sikur të isha një kompani e inteligjensës artificiale [IA] me një model të madh gjuhësor (LLM), gjithçka do të ishte ndryshe. Do të mund të grumbulloja pa problem gjithë diskografinë e grupit The National dhe të Eminem-it, dhe tekstet e çdo kënge tjetër të shkruar. Pastaj, kur një përdorues do të kërkonte diçka si: “Shkruaj një tekst rep në stilin e Eminem-it për humbjen e parave, duke u frymëzuar nga Bloodbuzz Ohio i grupit The National”, programi im i lidhjes së fjalëve – me qindra miliona klientë që paguajnë dhe një kapital tregu që vlen dhjetëra nëse jo qindra miliarda dollarë – do të mund të përgjigjej:

Unë ende kam borxh për paratë, për paratë që i kam borxh
Por, unë nxjerr ar nga fyti kur pluskoj,
Prandaj, shko thuaj bankës se mund të marrë çfarë të dojë
Unë tashmë shpirtin e lash në mikrofon.

Dhe, kjo, sipas vendimeve të muajit të kaluar nga gjykatat amerikane, është në njëfarë mënyre “përdorim i drejtë” [fair use] dhe çuditërisht nuk përbën shkelje të së drejtës së autorit – edhe pse nuk i është paguar asnjë qindarkë askujt në këtë proces.

Unë nuk jam as jurist i të drejtës së autorit, as gjyqtar. Jam i sigurt se të dy ata kanë përgjigje të detajuara dhe teknike – si për shembull se ka një kuadër të ndryshëm ligjor për përdorimin e drejtë në trajnimin e IA-së kundrejt riprodhimit të drejtpërdrejtë. Por, le të lëmë mënjanë për një çast të gjitha këto çështje teknike. A po respektohet me të vërtetë fryma e ligjit për të drejtën e autorit – ai ligj që më ndalon mua të citoj një varg të vetëm 12 fjalësh nga grupi The National në një libër, por i lejon ChatGPT-së ta riprodhojë fjalë për fjalë si pjesë e një “këngë” të re të gjeneruar në çast të vetëm?

Apo është thjesht fjala për pushtet? A do të thotë kjo që Eight Mile Style, kompania diskografike e Eminem-it mund të më shkatërrojë mua për ta cituar në një libër, vetëm sepse unë jam i vogël në krahasim me të, ndërsa Meta mund ta përmbytë Eight Mile Style-n që është po aq i vogël në krahasim me të, me ekipe avokatësh dhe me vite të tëra vonesash?

(Duhet të theksoj se Eight Mile Style ka paditur vetë Meta-n për shkelje të së drejtës së autorit, duke pretenduar se ky është “një tjetër rast i një kompanie me vlerë prej trilion dollarësh (me ‘T’) që shfrytëzon përfitimet krijuese të artistëve muzikorë për përfitime të turpshme monetare të drejtuesve dhe aksionarëve të saj, pa licencë dhe pa respekt për të drejtat e zotëruesve të pronës intelektuale”. Fort mirë! Shpresoj të fitojnë.)

E paramendoj që një ekspert i së drejtës së autorit do të më thoshte se ajo që bën ChatGPT është e ngjashme me dikë që shkruan me dorë disa vargje nga The National apo të Eminem-it, në një fletore personale; se nëse ndonjëherë do ta incizoja dhe shisja këtë këngë të krijuar nga AI-ja, që citon drejtpërdrejt prej tyre, atëherë do të isha fajtor për shkelje të materialit të mbrojtur. Por, kur bëhet fjalë për modelet e mëdha gjuhësore, vetë përmbajtja e prodhuar është produkti.

LLM-të nuk “mendojnë” për atë që prodhojnë. Ato nuk mësojnë, nuk transformojnë dhe nuk janë krijuese në asnjë kuptim të vërtetë të fjalës. Ato identifikojnë marrëdhëniet komplekse (dhe shumë pak kuptojnë) midis fjalëve dhe grupeve të fjalëve, brenda sasive të mëdha të tekstit, bazuar në të dhënat masive të trajnimit (ose, për mua personalisht, ajo që duket si një vjedhje me shumicë e pothuajse gjithë historisë së krijimtarisë letrare dhe artistike të njerëzimit) për të gjeneruar përgjigje që janë mjaftueshëm të mira për të na mashtruar duke menduar se një lloj ndërgjegjeje ka qenë e përfshirë aty.

Ky nuk është një shpërthim emocional për faktin që nuk mund të përdor një varg kënge në librin tim të ardhshëm. Nëse ky është standardi ligjor, atëherë ai është standardi (për shembull, doktrina e përdorimit të drejtë për median e lajmeve është ndryshe). Por, le të jetë të paktën i njëjti standard për të gjithë.

Ka dallim midis asaj që është ligj dhe asaj se si ligji duhet të jetë. A janë vendimet që sapo janë marrë për shkrimtarët në rastet kundër Meta-s dhe Anthropic-ut – një tjetër akter i madh në industrinë e IA-së – në të mirë të krijimtarisë njerëzore? Apo po rrëshqasim drejt një bote ku jo vetëm që kapitali sundon, por edhe ku “inteligjencat” e rreme dhe fitimprurëse përballen me më pak kufizime, sesa vetë njerëzit, mbi mënyrën se si përdorin materialin njerëzor?

Vazhdojmë të dëgjojmë nga themeluesit dhe ekspertët e IA-së se sa revolucionare janë produktet e tyre. Për mënyrën se si IA-ja dhe agjentët e saj do të trazojnë çdo gjë në mënyrë të pakthyeshme. Atëherë ndoshta IA-ja duhet të trazojë edhe ligjin. Nëse ligji po prodhon situata që janë teknikisht të sakta, por të padrejta, të padëshiruara dhe që kërcënojnë vetë ekzistencën e shkrimtarëve, muzikantëve dhe artistëve – profesione jetësore të cilat, në shumicën e rasteve, nuk kanë ndjekur kurrë ndonjë logjikë ekonomike – atëherë ne duhet ta ndryshojmë ligjin. /Telegrafi/

The post Eminem-i, IA-ja dhe unë: Pse artistët kanë nevojë për ligje të reja në epokën digjitale? appeared first on Telegrafi.

Sa vlen mbështetja buxhetore për Mira Muratin?

30 May 2025 at 10:58

Fatos Çoçoli

Më 29 prill 2025, me një akt normativ të pashoq, qeveria [e Shqipërisë] miratoi financimin me një miliard lekë, ose 10 milionë dollarë, të një kompanie të re ndërkombëtare në fushën e teknologjisë së informacionit dhe inteligjencës artificiale, me themeluese shkencëtaren e talentuar shqiptare me famë botërore, Mira Murati.

Në shtator të vitit të kaluar, Mira la papritur punën e saj si drejtoreshë e teknologjisë në gjigandin e inteligjencës artificiale, “OpenAI” – që ofron shërbimet e “ChatGPT”-së, shërbimet të cilat sot, në një fazë më të avancuar të tyre, ofrohen kundrejt pagesës. Më 18 shkurt 2025, shqiptarja njoftoi se është bërë drejtore ekzekutive e një korporate të re për përfitim publik, të quajtur “Laboratori i makinave që mendojnë” (në anglisht, Thinking Machines Lab). Sipas mediave, ajo ka arritur të mbledhë rreth dy miliardë dollarë, si fond fillestar për startapin (nismë inovative) e saj.

Zonja Murati tha se misioni i saj është të zhvillojë inteligjencën artificiale të nivelit të lartë, me synimin për ta bërë atë të dobishme dhe të arritshme për të gjithë qytetarët. Mira beson se ekziston një hendek serioz midis inteligjencës artificiale që përparon me shpejtësi dhe kuptimit të publikut për teknologjinë e re që mbart kjo inteligjencë. Sipas saj, edhe shkencëtarët e sofistikuar nuk kanë një kuptim të qartë të aftësive dhe kufizimeve të inteligjencës artificiale. Nisma e saj e re “Thinking Machines Lab” planifikon ta mbushë këtë boshllëk, duke ndërtuar qasjen e qytetarëve të thjeshtë që nga fillimi, në mënyrë që kjo teknologji dhe produktet e saj të mos ngelen të pakuptuara dhe të largëta për qytetarët.

Ajo premton ta ndajë punën e saj me të gjithë, duke publikuar falas shënime teknike, punime dhe kod aktual. Sipas relacionit që shoqëron këtë akt normativ në faqen në internet të Kuvendit të Shqipërisë, dhënia e 10 milionë dollarëve financim argumentohet me rëndësinë strategjike të futjes së Shqipërisë në botën e teknologjisë së inteligjencës artificiale, me leverdi financiare në të ardhmen për vendin. Futja e Shqipërisë në sipërmarrjen e re të shkencëtares Mira Murati, pa dyshim premton të tërheqë investitorë ndërkombëtarë edhe në Shqipëri, si dhe ta pozicionojë vendin tonë si një qendër për kërkimin dhe zhvillimin e inteligjencës artificiale. Përbën një investim në të ardhmen e afërt për të gjithë ne.

Financimi pritet të miratohet nga Kuvendi, në rinisje të punimeve të tij, të ndërprera për shkak të zgjedhjeve të 11 majit. Investimi do të bëhet nëpërmjet Korporatës së Investimeve dhe parashikohet që efekti financiar të mbulohet nga rritja në të njëjtën masë prej një miliard lekësh e të ardhurave jotatimore në zërin “Të ardhura nga tjetërsimi i pasurive të konfiskuara”, sidomos ndaj krimit të organizuar, që vijnë nga aktiviteti i Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK). “Thinking Machines Lab” është tashmë shndërruar në një kompani kërkimore dhe produktesh për inteligjencën artificiale, me synimin për t’i bërë sistemet e Inteligjencës Artificiale më të kuptueshme dhe të përdorshme për njerëzit. Nisma e Muratit ka tërhequr një ekip mbresëlënës studiuesish dhe shkencëtarësh, shumë prej të cilëve kanë aktivitet të mëparshëm në gjigandin “OpenAI” në CV-të e veta. Ata përfshijnë, ndër të tjerë, edhe ish-zëvendëspresidentin e kërkimit shkencor tek “OpenAI”, i cili tani është drejtor teknologjik në “Thinking Machines Lab”.

Shkencëtari kryesor i laboratorit do të jetë John Schulman, një shpikës kyç i “ChatGPT”-së, i cili u largua nga kompania “OpenAI” verën e kaluar. Shkencëtarë të tjerë po ashtu shumë cilësorë vijnë edhe nga konkurrentë, si kompanitë “Google” dhe “Mistral AI”. Ekipi i ri i zonjës Murati u zhvendos në një zyrë në San Francisko në fund të vitit të kaluar dhe tashmë ka filluar punën në një numër projektesh. Mira tregon se produktet e kompanisë së saj “Thinking Machines Lab” nuk do të jenë imitime të “ChatGPT” ose “Claude”, por modele të inteligjencës artificiale, që optimizojnë bashkëpunimin midis njerëzve, sidomos qytetarëve të thjeshtë dhe teknologjisë së inteligjencës artificiale.

Kontributi financiar i buxhetit të shtetit të shqiptarëve të Shqipërisë, për një shqiptare të talentuar që përfaqëson të sotmen dhe të ardhmen e teknologjisë që po ndryshon botën, edhe pse modest, do ta shlyejë veten në shumëfisha në të ardhmen. Për këtë duhet të jemi të ndërgjegjësuar të gjithë. E ardhmja për fëmijët tanë edhe në Shqipëri, i takon përdorimit masiv dhe me zgjuarsi të inteligjencës artificiale në çdo fushë të ekonomisë dhe jetës.

 

 

The post Sa vlen mbështetja buxhetore për Mira Muratin? appeared first on Telegrafi.

Modelet gjenerative të IA-së janë të afta në artin e broçkullave

23 May 2025 at 13:32

Modelet e mëdha gjuhësore nuk shqetësohen për të vërtetën, sepse nuk kanë asnjë koncept për të – dhe pikërisht këtu qëndron rreziku.

Nga: John Thornhill /  The Financial Times
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Sipas filozofit Harry Frankfurt, gënjeshtrat nuk janë armiku më i madh i së vërtetës. Broçkullat janë edhe më të këqija.

Siç e shpjegoi ai në eseun e tij klasik Për broçkulla [On Bullshit, 1986], një gënjeshtar dhe një njeri që thotë të vërtetën janë duke luajtur të njëjtën lojë, por në anë të kundërta. Secili reagon ndaj fakteve sipas mënyrës si i kupton ato dhe ose e pranon ose e refuzon autoritetin e së vërtetës. Por, ai që flet broçkulla injoron krejtësisht këto kërkesa. “Ai nuk e refuzon autoritetin e së vërtetës, siç bën gënjeshtari, dhe nuk i kundërvihet asaj. Ai thjesht nuk i kushton asnjë vëmendje. Për këtë arsye, broçkullat janë armiku më i madh i së vërtetës sesa gënjeshtrat”. Një person i tillë dëshiron të bindë të tjerët, pavarësisht nga faktet.

Fatkeqësisht, Frankfurti vdiq në vitin 2023, vetëm disa muaj pas lëshimit të ChatGPT-së. Por, leximi i esesë së tij në epokën e inteligjencës gjenerative artificiale [IA] ngjall një ndjesi të njohur, por shqetësuese. Në disa aspekte, eseja e Frankfurtit përshkruan saktësisht produktin e modeleve të mëdha gjuhësore [LMM] me inteligjencë artificiale. Ato nuk shqetësohen për të vërtetën, sepse nuk kanë asnjë koncept për të. Ato funksionojnë mbi bazën e korrelacioneve statistikore, jo përmes vëzhgimeve empirike.

“Forca e tyre më e madhe, por edhe rreziku më i madh, është aftësia për të tingëlluar autoritare për pothuajse çdo temë, pavarësisht nga saktësia faktike. Me fjalë të tjera, superfuqia e tyre është aftësia mbinjerëzore për të treguar broçkulla”, kanë shkruar Carl Bergstrom dhe Jevin West. Dy profesorët nga Universiteti i Uashingtonit ofrojnë një kurs në internet – Orakujt modernë apo makinat e broçkullave? [Modern-Day Oracles or Bullshit Machines?] – që analizon këto modele. Të tjerë i kanë quajtur produktet e këtyre makinave “botçkulla” [botshit].

Një nga tiparet më të njohura dhe shqetësuese, por ndonjëherë edhe kreative të LLM-ve, është “halucinimi” i fakteve – ose thjesht shpikja e tyre. Disa studiues argumentojnë se kjo është një veçori e brendshme e modeleve të probabilitetit, jo defekt që mund të rregullohet. Por, kompanitë e IA-së po përpiqen ta zgjidhin këtë problem duke përmirësuar cilësinë e të dhënave, duke i përshtatur më mirë modelet dhe duke ndërtuar sisteme verifikimi dhe kontrolli faktesh.

Megjithatë, duket se kanë ende rrugë për të bërë, duke marrë parasysh se një avokat i kompanisë Anthropic i tha një gjykate në Kaliforni, këtë muaj, se firma e tyre ligjore kishte dorëzuar pa dashje një citim të gabuar, të halucinuar nga Claude – modeli i IA-së i kompanisë. Siç paralajmëron edhe çetboti i Google-it: “Gemini mund të bëjë gabime, përfshirë ato në lidhje me njerëzit, ndaj verifikoni dy herë”. Kjo nuk e ndaloi Google-in që këtë javë të prezantonte një “modalitet të IA-së” në të gjitha shërbimet e saj kryesore në ShBA.

Mënyrat me të cilat këto kompani po përpiqen të përmirësojnë modelet e tyre, përfshirë mësimin përforcues nga reagimet dhe informatat e njerëzve, paraqesin rrezik për futjen e paragjykimeve, shtrembërimeve dhe gjykimeve të pavetëdijshme të vlerave. Siç ka treguar Financial Times, çetbotët e IA-së nga OpenAI, Anthropic, Google, Meta, xAI dhe DeepSeek përshkruajnë cilësitë e drejtorëve të tyre ekzekutivë dhe të rivalëve në mënyra shumë të ndryshme. Grok-u i Elon Muskut gjithashtu ka promovuar meme për “gjenocidin e bardhë” në Afrikën e Jugut, në përgjigje të shtytjeve krejtësisht të palidhura. xAI tha se e kishte rregulluar problemin, për të cilin fajin e kishte një “modifikim i paautorizuar”.

Këto modele krijojnë një kategori të re, edhe më të rrezikshme për dëm të mundshëm – ose “të folurit e pakujdesshëm”, thonë Sandra Wachter, Brent Mittelstadt dhe Chris Russell, në një punim të Institutit të Internetit në Oksford. Sipas tyre, të folurit pakujdesshëm mund të shkaktojë dëme të pakapshme, afatgjata dhe kumulative. Është si një “broçkull e padukshme” që e bën shoqërinë më të pamend, thotë Wachter.

Të paktën me një politikan apo një shitës, ne zakonisht mund të kuptojmë motivimin e tyre. Por, çetbotët nuk kanë qëllim dhe ata janë të përshtatur për besueshmëri dhe angazhim, jo për saktësi. Ata do të shpikin fakte pa asnjë qëllim. Ata mund ta ndotin bazën e njohurive të njerëzimit në mënyra të paimagjinueshme.

Pyetja interesante është nëse modelet e IA-së mund të projektohen për një nivel më të lartë të vërtetësisë. A do të ketë kërkesë nga tregu për to? Apo zhvilluesit e modeleve duhet të detyrohen të përmbushin standarde më të larta të së vërtetës, siç për shembull ndodh me reklamuesit, avokatët dhe mjekët? Wachter sugjeron se zhvillimi i modeleve më të vërteta do të kërkonte kohë, para dhe burime – pikërisht gjërat për të cilat versionet aktuale janë krijuar për të kursyer. “Është si të duash që një makinë të jetë aeroplan. Mund ta hedhësh makinën nga shkëmbi, por nuk do të sfidojë gravitetin”, thotë ajo.

Megjithatë, modelet gjenerative të AI-së mund të jenë ende të dobishme dhe me vlerë. Shumë karriera fitimprurëse – dhe politike – janë ndërtuar mbi broçkulla. Nëse përdoren në mënyrë të përshtatshme, IA-ja gjenerative mund të shfrytëzohet për një mori rastesh përdorimi në biznes. Por, është mashtruese dhe e rrezikshme të ngatërrosh këto modele me makina të së vërtetës. /Telegrafi/

 

The post Modelet gjenerative të IA-së janë të afta në artin e broçkullave appeared first on Telegrafi.

❌