Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Mbahet nata e dytë e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH

18 December 2025 at 23:22

TIRANË, 18 dhjetor/ATSH/ Në Pallatin e Kongreseve u mbajt sot nata e dytë e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH.

Mbrëmja u hap me performancën e jashtëzakonshme të balerinës Doris, e cila dhuroi spektakël dhe emocione për spektatorët e pranishëm në sallë, por edhe ata që e ndoqën përmes ekranit.

Këngëtarja Savjana Vjerdha, debutoi e para në skenën e festivalit të Këngës në RTSH, me hitin “Dimër për dimër, vjeshtë për vjeshtë”.

Artistët e tjerë që u ngjitën në skenë ishin Gerta Mahmutaj, Sihana Haxhnikaj, Luna Çausholli, Erik Lloshi, Frensi, Malvina Likaj, Vedat Ademi, Kamela Islamaj, Evi Reçi etj.

Në katër netët e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH do të debutojnë 28 artistë, mes tyre këngëtarë të njohur dhe artistë të rinj që ngjiten për herë të parë në skenën e këtij festivali.

“Nata e Nostalgjisë”, do të quhet nata e tretë, që do të mbahet nesër dhe do t’i dedikohet autorëve dhe poetëve të këngëve të Festivalit.

Mbrëmja e sotme, kulmoi me përzgjedhjen e 10 këngëve të para që sigurojnë biletën për finalen e madhe.

Më 20 dhjetor, në natën finale do të shpallet edhe fituesi i këtij edicioni të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH, që do të përfaqësojë Shqipërinë në Eurovision 2026.

Fituesi i madh do të vendoset nga një balancë mes jurisë (50%) dhe publikut (50%) përmes votimit me SMS.

Nata e dytë e Festivalit të Këngës në RTSH- Foto: Andrin Hoxha
1 nga 16

/e.i/r.e/a.f/

The post Mbahet nata e dytë e edicionit të 64-t të Festivalit të Këngës në RTSH appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Spotify Wrapped”: Mosha jote e dëgjimit është e gabuar, apo nuk po e pranon realitetin?

4 December 2025 at 11:48


Nga: Neil McCormick, kritik i muzikës / The Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Thonë se dëgjimi i muzikës të mban të ri. Por, tani po më bën të ndihem më i vjetër sesa jam. Spotify Wrapped u publikua me një veçori të re që ia cakton një “moshë dëgjimi” secilit prej qindra miliona përdoruesve të saj.

Sipas platformës më të popullarizuar në botë për transmetimin e muzikës, mosha ime e dëgjimit është 74. Epo, nuk ndodh çdo ditë të të ofendojë sistemi yt i zërimit. Në të vërtetë, jam 64 vjeç, dhe si kritik profesionist i muzikës që ndjek skenën muzikore bashkëkohore, do të preferoja të mendoja se “jam në hap me të rinjtë” - dhe jo se jam në një udhëtim nostalgjik me pleqt.

Ky vlerësim i ashpër për moshën u paraqit me një mori grafikash të animuara dhe ritmesh gazmore - thuajse duhej të isha i lumtur që më thanë se fitova një dekadë gjatë natës. Nuk e di nëse Spotify e ka menduar mirë këtë. Një model të ri flokësh bëra sot, dhe ndihesha mjaft mirë para se të hapja aplikacionin muzikor që do të më thoshte: “Je shpirt i vjetër”, për shkak se “të pëlqen muzika nga fundi i viteve ’60 të shekullit XX”. Nuk ka asgjë të keqe me muzikën e viteve ’60 të shekullit XX. Dekadë fantastike. Por, kur u ndanë Beatles, unë isha vetëm nëntë vjeç dhe jeta ime e dëgjimit sapo kishte filluar.

Gruaja ime, ndërkohë, ishte e kënaqur. Ajo është 63 vjeçe, por mosha e saj e dëgjimit, sipas Spotify-it, është 17. Spotify më bëri dashnor të grave të reja. Dua të them, çfarë ka qenë duke dëgjuar ajo kur vendos kufjet natën vonë? K-pop dhe Sabrina Carpenterin?

Dhe, si e bëmë një fëmijë mosha e dëgjimit e të cilit, sipas Spotify-it, është 66 vjeç? Artistët më të preferuar të djalit tonë 22-vjeçar përfshijnë Radiohead, Arcade Fire, St Vincent dhe Pink Floyd, duke dëshmuar se e kemi rritur me shije të shkëlqyer. Nuk e kam të qartë se si kjo e kualifikon atë si një gjashtëdhjetëvjeçar në muzikë.

Ka, sigurisht, një të defekt fatal në trukun promovues të Spotify-it, i vlerësuar nga inteligjenca artificiale dhe i drejtuar nga algoritmet. Me sa duket synon ta bëjë çdo dëgjues të ndihet unik dhe i rëndësishëm, por duket se bazohet në supozime të gabuara, duke i futur njerëzit në kategori të dyshimta të përcaktuara nga viti kur është regjistruar kënga. Vetë të dhënat janë shumë të dyshimta.

Artisti më i dëgjuar globalisht këtë vit, sipas Spotify-it, është reperi dhe këngëtari portorikan Bad Bunny, duke kaluar Taylor Swiftin e cila ka thyer disa rekorde të të gjitha kohërave në top-lista, transmetime dhe shitje. Swift e publikoi albumin e saj të fundit në tetor, me sa duket shumë vonë që të gjitha të dhënat e transmetimit të përfshiheshin. Mund të mendosh se qasja në të dhënat më të përditësuara do të duhej të ishte pjesë e qëllimit të një demonstrimi si ky. Rezultati përfundimtar është përshtypja se Spotify-i nuk i njeh dëgjuesit e vet as për gjysmë sa mendon.

Vetë Spotify është vetëm 19 vjeç dhe ndoshta nuk e kupton që ka pasur një botë përpara transmetimit. Si shumica e njerëzve në moshën time (74, sipas tyre), nuk dëgjoj muzikë vetëm në një platformë. Kam disqe, CD dhe madje edhe kaseta në zyrë nëse dua të dëgjoj të preferuarat e vjetra në një sistem të duhur audio, në vend që t’i dëgjoj në kufje të vogla nga një telefon i dobët. Dëgjoj radion në kuzhinën time, duke u lidhur me BBC 6 Music për të dëgjuar zëra nga një gamë e gjerë stilesh dhe, po, moshash.

Arsyeja pse përdor shpesh Spotify-in është për kërkime, për zhytje të thella në diskografitë e artistëve për të cilët shkruaj. Pra, po, Spotify, kam dëgjuar për një kohë të gjatë këtë vit emrat si Van Morrison, Wings, Ozzy Osbourne, Pink Floyd dhe Radiohead ... por, kjo nuk më bën të jem në të shtatëdhjetat. Në fakt, sa më pak i familjarizuar të jem me muzikën e dikujt, aq më shumë ka gjasa ta dëgjoj atë vazhdimisht në Spotify, prandaj edhe zhytem thellë në pionierët e tresh-metalit, Megadeth. Gjithsesi, ky është justifikimi im.

Gruaja ime është akupunkturiste që lëshon muzikë ambientale në punën e saj për t’i mbajtur pacientët të relaksuar. Ajo kryesisht dëgjon lista të krijuara nga algoritmi, ndaj u habit kur zbuloi se ndër zhanret e saj kryesore ishte një stil i quajtur drone. “Kjo nuk tingëllon mirë”, tha ajo. Por, në fund të fundit, ajo është thjesht një fëmijë.

Vitin tjetër, do ta përdor Spotify-in ekskluzivisht për të kërkuar pop për adoleshentë dhe muzikë elektronike moderne. Le të shohim çfarë mendojnë algoritmet e tyre për këtë. /Telegrafi/

Muzika lehtëson operacionin dhe përshpejton shërimin

By: Rovena
25 November 2025 at 22:46

Një studim i ri nga Maulana Azad Medical College dhe Lok Nayak Hospital në Delhi zbulon se muzika mund të përshpejtojë rikuperimin e pacientëve gjatë operacioneve.

Pacientët që dëgjojnë muzikë gjatë operacionit kërkojnë doza më të ulëta ilaçesh si propofol dhe fentanyl, kanë nivele më të ulëta të hormoneve të stresit si dhe rikuperohen më shpejt dhe më qetë pas ndërhyrjes.

Edhe nën anestezi, truri mbetet pjesërisht aktiv në rrugët dëgjimore. Kjo do të thotë se pacientët mund të përfitojnë nga efektet qetësuese të muzikës, edhe nëse nuk e kujtojnë më vonë.

“Pacientët zgjedhin  dy instrumente muzikore, flaut ose piano. Edhe pse janë të pavetëdijshëm, muzika ndihmon trurin të qetësohet”, shpjegon Dr. Farah Husain, specialist i anestezisë.

Studimi përfshiu 56 pacientë të moshës 20–45 vjeç, të cilët iu nënshtruan një operacion për heqjen e fshikëzës së tëmthit. Të gjithë mbajtën kufje anti-zhurmë, por vetëm gjysma dëgjuan muzikë gjatë operacionit.

Ekspertët thonë se muzika mund të humanizojë ambientin e sallës së operacionit dhe të zvogëlojë nevojën për ilaçe, duke përmirësuar përvojën e pacientit.

“Edhe kur trupi është i qetë dhe mendja në gjumë, disa nota të buta mund të ndihmojnë procesin e shërimit të fillojë”, përfundon Dr. Husain.

Çfarë po ndodh me Gjestin? U raportua për gjendje të rëndë shëndetësore, kemi të reja për këngëtarin

By: D Marku
23 September 2025 at 18:03

Këngëtari Besart Kelmendi, i njohur si Gjesti, ka reaguar për herë të parë pas raportimeve të mediave se ndodhej në një gjendje të keqe shëndetësore.
Gjesti i shqetësoi ndjekësit me postime të njëpasnjëshme disa javë më parë, të cilat u interpretuan si një pasojë e problemeve shëndetësore që ai kishte.

Këto postime erdhën pas një tensioni mes tij dhe labelit, ku ai fliste për problemet me të drejtat e projekteve të tij muzikore.

Megjithatë, Gjesti është rikthyer me një video në rrjetet sociale, ku duket në formë dhe ‘thumbon’ kolegët e tij.

“Ku jeni more, ku jeni ju? Hej, unë vetëm po shikoj mos ka ndonjë stil të ri, a ndonjë gjë. Por nuk po shoh asgjë. Asgjë, krejt me të vjetra keni mbetur,” thotë ai në video.

Ky reagim i tij ka shuar zërat për gjendjen e tij shëndetësore, duke treguar se ai është rikthyer në formë.

The post Çfarë po ndodh me Gjestin? U raportua për gjendje të rëndë shëndetësore, kemi të reja për këngëtarin appeared first on Albeu.com.

Tonin Tërshana, zëri që i dha ngjyrat e ndezura tablosë të artit të këngës shqiptare

By: berti
22 September 2025 at 13:12

Nga Albert Vataj Dhjetë vite më parë, më 22 shtator 2015, u shua një nga zërat më të veçantë të muzikës shqiptare, por jo kujtesa e tij. Tonin Tërshana nuk ishte thjesht një këngëtar; ai ishte një emblemë e shpirtit festiv, një zë që i dha ngjyrë dekadave të artit tonë të lehtë. Në këtë përvjetor, përulemi me respekt për një figurë që nuk kërkoi privilegje, por fitoi zemrat e publikut me…

Source

Jeta (dhe vdekja e çuditshme) e një prej kompozitorëve më të talentuar të Britanisë

15 September 2025 at 14:26


Karriera e Jack Moeranit u pllakos nga marrëdhënia e tij e trazuar me alkoolin, por ai la pas një trashëgimi të shkëlqyer muzikore.

Nga: Simon Heffer / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com

Ende na ndajnë disa javë nga 75-vjetori i vdekjes së EJ “Jack” Moeranit në moshën vetëm 55-vjeçare, por është koha për të përkujtuar arritjet e tij të qëndrueshme. Është thuajse tautologji të flasësh për kompozitorë të “nënvlerësuar” britanikë, por Moerani vërtet është një prej tyre. Të paktën katër nga veprat e tij qëndrojnë denjësisht krah për krah me ato të emrave më të njohur - Simfonia në Sol Minor, Sinfonieta, Koncerti për Violinë dhe ai për Violonçel. Ai ka shkruar gjithashtu vepra të shkurtra orkestrale, me një bukuri të rrallë, shumë muzikë për piano dhe këngë - në periudhën prej 30 vjetësh para vdekjes së tij në vitin 1950, veçanërisht gjatë një periudhe të aktiviteti intensiv pak para dhe gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Trashëgimia dhe ndikimet e tij ishin pjesërisht nga Anglia Lindore dhe pjesërisht nga Irlanda. I ati ishte klerik me prejardhje anglo-irlandeze dhe shërbente si famullitar në Heston të Midëlseksit kur Jacku - i pagëzuar me emrin Ernest John - lindi më 31 dhjetor 1894. E ëma ishte nga Norfolku; gjatë fëmijërisë së Jackut, i ati u bë famullitar në Salt’haus, në të njëjtin rajon. Talenti i tij muzikor ishte i madh saqë, pas shkollimit në Apingem, ai shkoi në Kolegjin Mbretëror të Muzikës - në një epokë të artë nën drejtimin e Hubert Parryt, ku studioi kompozimin me Charles Villiers Stanfordin. Lufta e Madhe i ndërpreu studimet: ai u bashkua me Regjimentin e Norfolkut si lajmëtar, por shpejt u gradua në oficer.

Në vitin 1917 mori një plagë në kokë në Frontin Perëndimor. Ky fakt vazhdon të jetë subjekt debati midis atyre që shkruajnë për karrierën e tij të mëvonshme. Pas luftës, Moerani u bë pijanec dhe më vonë alkoolik; varësia e tij ndaj alkoolit i është atribuuar (por, duket se kurrë nga vetë ai) pasojave të plagës në kokë. Megjithatë, duket më e mundshme që ai pinte shumë për të njëjtën arsye si shumë bashkëkohës të tij: ishte modë në periudhën pas Luftës së Madhe, veçanërisht mes atyre që kishin përjetuar tmerrin e llogoreve dhe kishin mbijetuar.

Moerani nuk lejoi që interesat e tij muzikore të veniteshin gjatë luftës. Gjatë pushimeve në Norfolk, ai filloi - ashtu siç kishte bërë Vaughan Williams një dekadë më parë - të mbledhë këngë popullore. Pasi u shërua nga plaga, u dërgua në Irlandë në kohën kur vendi ndodhej në një gjendje trazirash gjithnjë në rritje, dhe atje jo vetëm që mblodhi këngë popullore, por hulumtoi dhe e identifikoi veten me trashëgiminë irlandeze. Kjo do të ketë ndikim të thellë në të gjithë pjesën e mbetur të karrierës së tij si kompozitor.

I mbështetur nga të ardhurat private, nga nëna e tij, Moerani kaloi vitet ‘20 të shekullit XX duke kompozuar - fillimisht muzikë për piano dhe vepra kamertale, e më pas edhe vepra orkestrale, veçanërisht dy rapsoditë e tij të para. Gjatë kësaj periudhe krijoi edhe dy miqësi të rëndësishme: ajo më pozitivja ishte me kompozitorin dhe dirigjentin irlandez Hamilton Harty, i cili në vitet ‘30 të shekullit XX porositi Simfoninë në Sol Minor; dhe tjetra, ndoshta më pak pozitive, me kompozitorin Philip Heseltine - i njohur me pseudonimin Peter Warlock. Moerani vazhdoi mbledhjen e këngëve popullore në Norfolk, duke kaluar shumë kohë nëpër bare. Ai dhe Warlocku morën me qira një kasolle në fshatin Ajnsford të Kentit, në vitin 1925, me synimin për t’u përqendruar te muzika, por në realitet kalonin gjithnjë e më shumë kohë në dehje, duke ftuar edhe gra për argëtim shtesë.

Kreativiteti i Moeranit u dëmtua rëndë dhe, nën ndikimin e prindërve të tij, ai e ndërpreu bashkëjetesën me Warlockun në vitin 1928. Por, alkoolizmi vazhdoi të kërkonte trajtim mjekësor. Warlocku vrau veten në vitin 1930, ngjarje që e tronditi akoma më shumë Moeranin. Megjithatë, gjatë dekadës në vijim, i ndihmuar nga familja dhe megjithëse ende në betejë me alkoolin, Moerani e mori veten dhe filloi të shkruante veprat e tij më të mira.

Harty e porositi Simfoninë në vitin 1934, dhe ajo ishte gati për premierën në vitin 1938 - pjesa më e madhe e saj e shkruar në një vend që sot do ta quanim qendër rehabilitimi për alkoolin. Vepra ka ndikime nga xhazi, por lëvizja e dytë pasqyron peizazhin e qetë të Norfolkut, ndërsa ritmet e pjesës së parë të gjallë dhe dinamike mendohet se janë frymëzuar nga tingujt e lokomotivave me avull që tërhiqnin trenat, kur Moerani udhëtonte mes Londrës dhe Norfolkut, dhe të cilat e magjepsnin atë. Simfonia u konsiderua me të drejtë një vepër e rëndësishme kombëtare, dhe u bë e para që u regjistrua si pjesë e një serie nën kujdesin e Këshillit Britanik, e dirigjuar nga Leslie Heward i cili dha edhe interpretimin e parë.

Pas rehabilitimit, Moerani kaloi gjithnjë e më shumë kohë në Irlandë, në qytetin e vogël dhe të bukur Kenmar në Keri, të cilin e dashuronte dhe ku njerëzit e adhuronin atë. Pikërisht atje, dhe në ishullin e afërt Valentia, ai shkroi ndoshta veprën e tij më të mrekullueshme - Koncertin për violinë, përfunduar në vitin 1941. Ky koncert bashkon gjallërinë irlandeze me një trishtim të thellë që pasqyron vuajtjet dhe izolimin e kompozitorit. Gjatë Luftës së Dytë Botërore ai shkroi disa vepra të shkëlqyera për orkestër të vogël dhe deri në vitin 1945 kishte përfunduar një Koncert për violonçel, me tone shumë reflektuese, të shkruar për çelisten që atë vit u bë edhe gruaja e tij Peers Coetmore. Ajo nisi gjithnjë e më shumë të bënte turne nëpër botë, për arsye profesionale; i mbetur vetëm, Moerani u kthye te pirja e rëndë. Martesa dështoi.

Ai e nisi një Simfoni të dytë. Mëngjesin e 1 dhjetorit 1950, shkoi në barin kryesor të pijes në Kenmar dhe kaloi një pasdite të rëndë në alkool. Pak para se të binte errësira, zbriti drejt lumit Kenmar - i gjerë dhe i trazuar, vetëm disa milje larg Oqeanit Atlantik - dhe doli në një skelë të gjatë prej guri. Frynte një erë e fortë, por pavarësisht pasigurisë në ecje, ai nuk ra në ujë nga era: pësoi hemorragji cerebrale dhe vdiq para se të prekte ujin. Shumë vite më parë, një banor i moshuar lokal më tregoi se ai dhe gjithë qyteti morën pjesë në varrim, ngaqë Jack Moeran ishte shumë i dashur për njerëzit. “Ishte njeri i mrekullueshëm”, ka thënë plaku, “por e kishte shumë merak pijet”. Ai ishte gjithashtu një kompozitor i jashtëzakonshëm dhe duhet ta kujtojmë. /Telegrafi/

Festivali i Këngës shpall këngët garuese të edicionit të 3-të

By: KultPlus
9 September 2025 at 10:36

Edicioni i tretë i Festivalit të Këngës së Radiotelevizionit të Kosovës ka bërë përzgjedhjen e 20 këngëve garuese.

Komisioni përzgjedhës në mesin e 44 aplikuesve ka vendosur për ata që do të performojnë gjatë tri netëve të festivalit.

RTK sjellë më poshtë 20 këngët garuese të ‘Fest 3’, me emrin e artistit dhe të këngës:

1. Almir Kraba – “Nuk ka si ti”

2. Arjeta Palushaj – “Andrra”

3. Arsi Bako – “Rreze Zjarr”

4. Art Lokaj – “Ty”

5. Bledi Kaso – “S’do të doja dy jetë”

6. Dea Berisha – “Afër”

7. Egzon Pireci – “Kënga Jonë”

8. Elmedinë Ramushi – “A po m’sheh”

9. Florent Abrashi – “Unë dhe ti”

10. Kiara Juba – “Nirvana”

11. Klea Dina – “At”

12. Laorjan Ejlli – “Një natë shkruajta për ty”

13. Nita Latifi & Algert Sala – “Pija”

14. Santino de Bartolo – “Naze Naze”

15. Semi Tafaj – “Vazhdoj”

16. Teutë Halili – “Amin”

17. Vlera Kastrati – “Nanë”

18. Vjosa Shehu – “Alo”

19. Xuxi – “Identitet”

20. Zergjina Hasanaj – “Pres”/ KultPlus.com

Richard Strauss, gjiganti i muzikës gjermane

By: Kult Plus
8 September 2025 at 17:59

Më 8 shtator shënohet përvjetori i vdekjes së njërit prej kompozitorëve më të mëdhenj të shekullit XX, Richard Strauss (1864–1949). Figura e tij mbetet e skalitur në historinë e muzikës si mjeshtër i pakrahasueshëm i simfonive poetike dhe i operës, duke krijuar vepra që edhe sot mbushin sallat koncertale dhe skenat operistike anembanë botës, transmeton KultPlus.

Lindur në Mynih në vitin 1864, Strauss u rrit në një familje muzikantësh. I ati, Franz Strauss, ishte një hornist i njohur, gjë që e futi herët djalin në botën e tingujve. Që në moshë të re, talenti i tij për kompozim u bë i dukshëm, duke shënuar hapat e parë drejt një karriere që do të ndikonte thellësisht në muzikën europiane.

Në fund të shekullit XIX dhe fillim të XX, Strauss u bë i njohur për simfonitë poetike të tij, të cilat sollën një frymë të re në traditën gjermane. Veprat si Also sprach Zarathustra (1896), e frymëzuar nga filozofia e Friedrich Nietzsche-s, apo Don Juan (1888) dhe Ein Heldenleben (1898), tregojnë gjallërinë, pasionin dhe dimensionin dramatik që ai i dha orkestrës. Muzika e tij, e ngarkuar me emocione dhe nuanca të fuqishme, shpesh u konsiderua si përfaqësim i shpirtit të kohës.

Por, suksesi i madh i Strauss-it erdhi sidomos në operë. Ai solli vepra të paharrueshme si Salome (1905), një revolucion muzikor e teatral, Elektra (1909), me gjuhën e saj moderne dhe të ashpër, dhe më pas kryeveprën e pavdekshme Der Rosenkavalier (1911), ku meloditë e buta e plot nostalgji u kthyen në simbol të elegancës së muzikës gjermane. Operat e tij e bënë atë një nga figurat më të mëdha të skenës operistike, duke ndikuar breza të tërë kompozitorësh.

Gjatë Luftës së Dytë Botërore, Strauss mbeti një figurë komplekse dhe shpesh e diskutuar, për shkak të marrëdhënieve të tij me regjimin nazist, edhe pse shumë historianë theksojnë se ai veproi kryesisht për të mbrojtur muzikën dhe artistët gjermanë. Pas luftës, ai u rikthye fuqishëm në krijimtari, duke kompozuar Vier letzte Lieder (Kater Këngët e Fundit, 1948), një testament i prekshëm artistik dhe shpirtëror, që konsiderohet ndër kryeveprat më të ndjera të shekullit XX.

Richard Strauss ndërroi jetë më 8 shtator 1949 në Garmisch-Partenkirchen të Gjermanisë, duke lënë pas një trashëgimi kolosale. Muzika e tij, me kontrastet e fuqishme, bukurinë melodike dhe thellësinë emocionale, vazhdon të mbetet e gjallë dhe frymëzuese edhe sot. Përvjetori i vdekjes së tij nuk është thjesht një kujtim, por një rikthim tek një epokë që ai e ngriti në lartësitë e artit muzikor botëror./KultPlus.com

ReVocal Ensemble me dirigjent Rafet Rudin në Festivalin “SMADE” të Spanjës  

By: KultPlus
8 September 2025 at 12:43

Pas suksesit të fundit në Holandë, ansambli ReVocal me dirigjent Rafet Rudi vijnë me koncert në Edicionin e 56-të të Festivalit të Muzikës së vjetër “SMADE” në Estella të Spanjës. 

Ansambli ReVocal dhe dirigjenti Rafet Rudi këtë të premte, më 12 shtator, do të japin koncertin e tyre në Spanjë, në Edicionin e 56-të Festivalit të Muzikës së Vjetër “SMADE” në qytetin historik të Estellës, Navarra të Spanjës, kanë njoftuar organizatorët.

Vendi ku do të performojnë ansambli ReVocal me dirigjent Rafet Rudi, do të jetë kryesisht në kishën e bukur të San Miguel në Estella – Lizarra.  

Edicioni i 56-të i festivalit prestigjioz “SMADE”, këtë vit mbahet midis datave 6 dhe 13 shtator. Tema që trajtohet është “Travesias”, ku ballafaqon muzikën e re me të vjetrën për të shfaqur karakteristikat e tyre. 

Oranizatorët japin detaje për pjesëmarrësit e “SMADE” Festival që do të sjellin muzikantë të shquar, profesionistë, ansamble dhe solistë ndërkombëtar, të specializuar në muzikën mesjetare, renesancës dhe barokut. Ndërsa Rudin do të prezantojë vepra nga autorë tanë dhe repertori botëror modern.

Ndërkohë, anëtarët e Ansamblit ReVoca që do të jenë pjesë e këtij prezantimi janë në përbërje të: Elona Sadiku & Kaltrina Miftari – soprano, Arstina Kadiu Kelmendi & Diellza Sylejmani – alt, Safet Berisha – kontrartenor, Fatjon Gashi & Rizah Jahaj – tenor , Shaban Behramaj – bariton, Nikoll Gjini – bas Rafet Rudi – dirigjent./ KultPlus.com 

Studimet tregojnë: Kjo lloj muzike ndihmon për të shmangur të përzierat gjatë udhëtimit

8 September 2025 at 09:23

Jo çdo muzikë ndihmon, disa madje e rëndojnë gjendjen

Të përzierat dhe marramendja gjatë udhëtimit janë simptoma të pakëndshme që prekin shumë njerëz. Por lajmi i mirë është se ato mund të zbuten me një mënyrë të thjeshtë dhe të këndshme – përmes muzikës. Një studim i publikuar në revistën shkencore Frontiers in Human Neuroscience ka zbuluar se dëgjimi i disa llojeve të muzikës ka ndikim të drejtpërdrejtë në reduktimin e këtyre shqetësimeve.

Deri më tani ishte e njohur se muzika ndihmon në rikuperimin e organizmit pas traumave fizike dhe emocionale, por sipas studiuesve kinezë që kryen eksperimentin me 30 pjesëmarrës në një simulator të makinës, për herë të parë u vërtetua se ajo mund të lehtësojë edhe simptomat e të përzierave gjatë udhëtimit.

Cila muzikë ndihmon dhe cila e përkeqëson gjendjen?

Sipas të dhënave të studimit, muzika e gëzueshme uli simptomat tek 57,3% e pjesëmarrësve, ndërsa muzika e qetë pati efekt pothuajse të njëjtë, duke ndihmuar 56,7% të tyre. Në vend të tretë ishte muzika ritmike, që solli lehtësim në 48,3% të rasteve. Për krahasim, grupi kontroll që nuk dëgjoi muzikë, raportoi përmirësim në 43,3%, ndërsa muzika melankolike tregoi efektin më negativ, vetëm 40%, pra edhe më keq se mosdëgjimi i muzikës. Këto shifra i publikoi fillimisht portali The Times, duke iu referuar punimit shkencor.

Edhe ScienceAlert thekson se muzika e gëzueshme dhe ajo e qetë kanë treguar ndikimin më të madh pozitiv, ndërsa këngët e trishtueshme vetëm sa e kanë përkeqësuar gjendjen e pjesëmarrësvem transmeton Telegrafi.

gettyimages

Pse ndodh kjo?

Shpjegimin e jep portali News-Medical, sipas të cilit muzika e qetë ul tensionin emocional – një nga faktorët kryesorë që nxit të përzierat. Ndërkohë, muzika e gëzueshme dhe ajo ritmike shpërqendrojnë mendjen, aktivizojnë sistemin e shpërblimit në tru dhe nxisin çlirimin e hormoneve të lumturisë, duke bërë që ndjesia e diskomfortit të zbutet ndjeshëm. Në anën tjetër, New Atlas shkruan se muzika melankolike përforcon emocionet negative dhe për rrjedhojë e shton marramendjen dhe ndjesinë e pakëndshme.

Nevoja për kërkime të reja

Megjithëse rezultatet janë inkurajuese, vetë studiuesit theksojnë se kërkimi është bërë mbi një numër të vogël pjesëmarrësish dhe në kushte të simulimit, jo në udhëtime reale. Prandaj, sipas Frontiers in Human Neuroscience, nevojiten hulumtime të tjera më të gjera dhe në situata të përditshme, për të nxjerrë përfundime përfundimtare. /Telegrafi/

The post Studimet tregojnë: Kjo lloj muzike ndihmon për të shmangur të përzierat gjatë udhëtimit appeared first on Telegrafi.

Sot përkujtohet Luciano Pavarotti, tenori që i dha botës një zë të pavdekshëm

By: Kult Plus
6 September 2025 at 16:35

Më 6 shtator 2007, bota e muzikës humbi një nga figurat më të mëdha të saj, Luciano Pavarottin. Sot shënohen 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, por zëri i tij vijon të mbetet i gjallë dhe frymëzues për miliona njerëz në mbarë botën.

I lindur në Modena të Italisë më 12 tetor 1935, Pavarotti u ngjit në skenat më prestigjioze të operës në vitet ’60 dhe shpejt u bë sinonim i artit vokal. Interpretimet e tij në “La Bohème”, “Rigoletto” apo “Turandot” janë ende ndër më të vlerësuarat në historinë e operës.

Kulmi i famës globale erdhi me projektin “Tre Tenorët”, ku bashkë me Plácido Domingo dhe José Carreras arritën të sjellin operën pranë miliona shikuesve në botë, duke e kthyer në një fenomen kulturor. Përtej skenës, Pavarotti ishte i njohur edhe për humanizmin e tij – organizoi koncerte bamirësie dhe ndihmoi me të ardhura të mëdha për njerëzit në nevojë.

Me një zë të cilësuar shpesh si “dhuratë hyjnore”, Pavarotti jo vetëm që e ruajti traditën e operës italiane, por e bëri atë pjesë të jetës së përditshme të publikut. Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga ndarja e tij nga jeta, muzika e tij vazhdon të dëgjohet në çdo cep të botës.

Luciano Pavarotti është dhe do të mbetet një emër që i dha shpirt operës dhe që bëri historinë e artit muzikor./KultPlus.com

Kryevepra të operistikës botërore dhe shqiptare, tenori Saimir Pirgu koncert në Shirokë

By: Kult Plus
6 September 2025 at 14:40

Tenori shqiptar me famë botërore Saimir Pirgu përcolli mbrëmjen e djeshme për artdashësit shkodranë një udhëtim të paharrueshëm përmes tingujve klasikë.

Në koncertin e organizuar në Shirokë, nën drejtimin e maestros Elda Laro, me Orkestrën Simfonike të Shkodrës dhe Korit të Qendrës Kulturore të Fëmijëve “Kujtim Alija”, tenori Saimir Pirgu solli një program të pasur artistik.

Qindra qytetarë, turistë e dashamirës përjetuan një mbrëmje magjike ndërsa Shiroka u kthye në një skenë gjigande për veprat botërore dhe ato të muzikës sonë.

Përveç kryeveprave botërore, Pirgu solli për artdashësit edhe perla të muzikës operistike shqiptare.

Tenori shqiptar me famë ndërkombëtare Saimir Pirgu ka një aktivitet të pasur artistik në skena të ndryshme. Pirgu me interpretimet e tij ka qenë pjesë e produksioneve të ndryshme operistike. Ndërsa vjet në muajin nëntor tenori u rikthye në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit (TKOB) pas 13 vitesh mungesë për operën “Tosca” vepër e kompozitorit Giacomo Puccini me rolin e Mario Cavaradossi-t.

I konsideruar si një nga tenorët më të mëdhenj të gjeneratës së tij, Saimir Pirgu ka ndriçuar skenat më prestigjioze të botës, nga Metropolitan Opera në Nju-Jork, tek La Scala në Milano, Royal Opera House në Londër dhe Staatsoper në Vjenë.

Ai u ka dhënë jetë roleve kryesore të repertorit klasik, si Rodolfo në “La Bohème”, Cavaradossi në “Tosca”, Alfredo në “La Traviata” dhe princi Kalaf në “Turandot”.

Pirgu ka bashkëpunuar me dirigjentë legjendarë, si Claudio Abbado, Riccardo Muti dhe James Levine, duke fituar duartrokitje e vlerësime nga publiku dhe kritika ndërkombëtare.

Me një aktivitet  të vlerësuar nga kritika dhe publiku, në çmimet që ka marrë tenori Saimir Pirgu përmendim edhe çmimin prestigjioz “Pavaroti D’Oro” (Pavaroti i Artë)./atsh/KultPlus.com

Projekti i fundit i David Bowie, një muzikal i shekullit XVIII

By: Kult Plus
5 September 2025 at 17:57

Kur këngëtari britanik, David Bowie, vdiq në 2016, ai la pas albumin e fundit “Blackstar”, por pak veta e dinin se ai kishte nisur edhe një projekt tjetër, një muzikal i quajtur “The Spectator”, sipas BBC.

Ky projekt ishte i bazuar në Londrën e shekullit XVIII dhe kishte si subjekt krimin, satirën dhe artin e kohës.

Shënimet për “The Spectator” u gjetën të mbyllura në studion e Bowies në Nju Jork, të ruajtura në arkivat e tij personale. Vetëm Bowie dhe asistenti i tij kishin çelësin e dhomës. Tani ato janë dhuruar në  “V&A museum” dhe do të jenë të hapura për publikun në “Qendrën David Bowie” e cila çelet 13 shtator.

Bowie ishte i tërhequr nga krimi dhe personazhe të njohur si hajduti Jack Sheppard.

Ai gjithashtu analizoi kulturën dhe artin e kohës, duke përfshirë piktorë si Joshua Reynolds dhe William Hogarth, dhe zhvillimin e muzikaleve si formë satire politike.

“Bowie ishte i interesuar në rolin e artistit si komentues i shoqërisë, dhe mund të shihnim paralelizma me ditët e sotme. Ai ishte gjithmonë një pionier që nuk donte të kufizohej nga një gjini e vetme”, thotë Madeleine Haddon, kuratore e koleksionit

Rreth 200 objekte do të jenë në ekspozitë, nga kostume skenike deri tek tekstet e shkruara me dorë dhe vizitorët mund të rezervojnë takime për të parë pjesë të tjera të koleksionit.

Freddie Mercury, artisti që la gjurmë të pashlyeshme në historinë e muzikës botërore

By: Kult Plus
5 September 2025 at 17:20

Freddie Mercury do të mbahet mend për gjurmët e mëdha që la në historinë e muzikës botërore, për vokalin e tij të fuqishëm dhe për energjinë e tij të mrekullueshme që shpaloste në skenë, derisa sot janë bërë 79 vjet nga lindja e tij, shkruan KultPlus.

Suksesi i jashtëzakonshëm dhe i papritur i “Bohemian Rapsody”, filmi mbi historinë e grupit ”Queen”, që me një buxhet prej 52 milionë dollarësh ka arritur të fitojë një miliard dollarë duke fituar katër Oscar, përfshirë atë për aktorin më të mirë në rolin kryesor (Rami Malek), është demonstrimi më i bujshëm i asaj që grupi përfaqëson në historinë e rock-ut dhe deri tani në imagjinatën kolektive.

Dhe nëse kjo histori fillon të ngatërrohet me mitin, kjo ndodh sepse Freddie Mercury ishte një nga personazhet më shpërthyes, më transgresivë dhe më të guximshëm që është parë ndonjëherë në skenë.

Fatkeqësisht, Fredi, i cili vdiq më 24 nëntor 1991 në Londër, është gjithashtu një nga viktimat më të famshme të SIDA-s, të cilin e vrau në moshën 45-vjeçare, në rezidencën e tij në Londër, kur HIV pozitiv ishte ende një dënim me vdekje.

Siç e kujtojnë shumë tani falë filmit, emri i tij i vërtetë ishte Farrock Bulsara.

Ai u lind në Zanzibar dhe kishte prejardhje parsiane dhe indiane.

Me grupin e tij, së bashku me Brian May, John Deacon dhe Roger Taylor, ai kishte gjetur sintezën e personalitetit të tij si një roker i dashuruar pas operës, por i cili, i rritur në vitet ’60 dhe i formuar në vitet ’70, adhuronte  Jimi Hendrix, Elvis Presley, Led Zeppelin,  Black Sabbath, Liza Minnelli, David Bowie dhe rock Glam i Marc Bolan.

Ai ishte padyshim një njeri me kuriozitet të madh muzikor që i pëlqente të përziente zhanre, i aftë për njohuri të shkëlqyera si “Bohemian Rapsody” dhe pjesë të këndshme si “Barcelona Barcelona”.

Një dashamirës i hiperbolës, me një sens humori provokues, ai vazhdon të nderohet nga një audiencë transversale dhe që ka lënë pas një seri mbresëlënëse hitesh nga “We Are The Champions” te “Radio Ga Ga”, nga “Love of My Life” te “Under Pressure”, nga “Somebody To Love” te “Love of My Life”, “Crazy Little Thing Called Love” apo “We Will Rock You” .

Ai ishte një interpretues që përdorte teatralitetin si armë dhe shpesh pasqyronte një ndjenjë çlirimtare që shkonte së bashku me aftësitë e tij të jashtëzakonshme vokale dhe talentin e tij si pianist.

Freddie Mercury ishte thjesht i paimitueshëm. / KultPlus.com

Projekti i fundit sekret i David Bowie-t zbulohet i mbyllur në studion e tij

By: Kult Plus
5 September 2025 at 14:00

Kur David Bowie ndërroi jetë në vitin 2016, ai la pas albumin Blackstar, një vepër e fundit e formësuar nga diagnoza e kancerit dhe përballja me vdekshmërinë.
Por gjatë muajve të tij të fundit, ai kishte nisur edhe një projekt tjetër: një “musikal i shekullit të 18-të”, që mbeti i panjohur për publikun dhe bashkëpunëtorët e tij më të afërt, deri sa u gjet i mbyllur në studion e tij.

Projekti, i quajtur “The Spectator”, u zbulua në një dhomë që ishte gjithmonë e mbyllur me çelës, ku vetëm Bowie dhe asistenti i tij personal kishin akses.
Arkivistët e zbuluan ndërsa katalogonin sendet e tij. Tani, ky material i është dhuruar Muzeut V&A dhe do të jetë i qasshëm për publikun në David Bowie Centre që hapet më 13 shtator në Hackney Wick, Londër.

Në dhomën e punës u gjetën:

Dhjetëra shënime me ngjitës, me ide që mund të zhvendoseshin për të krijuar një strukturë të muzikës.

Një fletore spirale, ku Bowie kishte analizuar dhe vlerësuar artikuj nga revista “The Spectator” (botuar në 1711-1712).

Komente si “mund të jetë një nënshtresë e mirë” ose “8/10 – interesante”.

Bowie kishte shprehur më parë dëshirën për të shkruar për teatër. Në një intervistë në 2002, ai tha:

“Që në fillim, doja vërtet të shkruaja për teatër… me qëllimin për të pasur një audiencë të madhe.”

Ky projekt do të kishte realizuar një nga ambiciet e tij të hershme, por mbeti i papërfunduar për shkak të sëmundjes.

Rreth 90,000 objekte janë ruajtur në arkivin e tij, nga kostume skenike dhe tekste të shkruara me dorë, deri te lista të koncerteve dhe skica të ndryshme.
Rreth 200 prej tyre do të jenë në ekspozitë, por studiuesit dhe fansat mund të kërkojnë të shohin çdo objekt duke plotësuar një formular online.

Kuratorja Madeleine Haddon thotë:

“Bowie ishte një pionier për ata që nuk duan të kufizohen në një zhanër të vetëm. Shpresoj që vizitorët të mësojnë jo vetëm ndikimin e tij në kulturën pop, por edhe proceset krijuese që mund të përdorin vetë në punën e tyre.”

Bowie u magjeps nga jeta kulturore, krimi dhe satira në Londrën e shekullit të 18-të. Ai shqyrtoi:

Historinë e kriminelit “Honest” Jack Sheppard dhe “kapësi i hajdutëve” Jonathan Wild.

Sulme nga bandat famëkeqe Mohocks, që përndiqnin qytetarët natën.

Pasojat e ekzekutimeve publike: “kirurgë që zihen për kufoma”.

Artistë si William Hogarth dhe Joshua Reynolds dhe krijimi i Akademisë Mbretërore.

Roli i muzikës dhe artit si formë satire politike, veçanërisht kundër qeverisë së Robert Walpole./BBC/KultPlus.com

Dy Çmime Ndërkombëtare për Kosovën në Tajlandë – Kori ‘Siparantum’ shkëlqen në Bangkok

By: Kult Plus
4 September 2025 at 14:30

Kosova ka marrë vëmendje ndërkombëtare në skenën kulturore falë suksesit të Korit “Siparantum”, i cili u vlerësua me dy çmime të rëndësishme në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve – Thai ICF, që u mbajt në Bangkok, Tajlandë.

Përfaqësuesit nga Kosova u shpërblyen me:

Medalje të Artë në kategorinë e koreve të përziera për të rritur.

Çmimin Special për “Outstanding Storytelling”, një vlerësim që njeh aftësinë e jashtëzakonshme për të përcjellë histori përmes muzikës.

Ky sukses e vendos Kosovën në qendër të vëmendjes ndërkombëtare, duke dëshmuar talentin, përkushtimin dhe nivelin e lartë artistik të artistëve tanë./KultPlus.com

‘S’do të ketë më muzikë në beach bar’, Rama: Jo ta dëgjojnë ata që kalojnë nga Bypass i Fierit

By: Kult Plus
4 September 2025 at 14:00

Kryeministri Edi Rama ka paralajmëruar masa të reja për kufizimin e zhurmës dhe numrit të ‘beach bar’-eve përgjatë vijës bregdetare, në kuadër të përmirësimit të cilësisë së turizmit në vend.

Gjatë fjalës së tij në eventin “Shqipëria Turistike 2030”, Rama u shpreh qartë se muzika pa orar në plazhe do të ndalohet, ndërsa njoftoi se qeveria do të ndërmarrë një ridimensionim të numrit të bareve buzë detit, duke e cilësuar situatën aktuale si të pakontrolluar.

“S’do të ketë më muzikë në ‘beach bar’, madje do bëjmë ridimensionim të numrit të ‘beach bareve’. Se u habiten fare. Nga ‘beach bar’ në një ‘beach bar’ tjetër. Këtej të bërtet Metalica dhe këtej të gjëmon ndonjë tjetër. Muzika duhet ndaluar jashtë orëve të plazhit dhe në orët e plazhit duhet të jetë për ata që shkojnë në ‘beach bar’, jo ata që kalojnë nga Bypass i Fierit”, u shpreh Rama./gazetashqip/KultPlus.com

Celine Dion nuk dorëzohet, këngëtarja premton një rikthim spektakolar

By: Kult Plus
3 September 2025 at 18:56

Pavarësisht sfidave shëndetësore, diva e muzikës Celine Dion po përgatitet për rikthimin spektakolar në skenë vitin e ardhshëm

Sipas mediave të huaja, këngëtarja 57-vjeçare po punon intensivisht për të rikuperuar zërin dhe qëndrueshmërinë, ndërsa burimet e afërta zbulojnë se ajo po përparon më mirë se sa pritej.

“Shëndeti i saj është i mirë dhe po arrin përsëri notat e larta. Ajo vazhdon me fizioterapi dhe ushtrime vokale, dhe njerëzit nuk mund ta besojnë se po shërohet kaq shpejt,” – janë shprehur burimet pranë saj.

Dion u detyrua të anulonte turneun botëror tre vjet më parë për shkak të një çrregullimi të rrallë nervor që shkakton ngurtësi dhe spazma muskulore, duke e bërë të vështirë ecjen.

Edhe pse ka hasur sfida të mëdha personale dhe profesionale, Dion vazhdoi të performojë në ceremoninë e hapjes së Lojërave Olimpike Verore 2024 në Paris, duke dëshmuar forcën dhe vendosmërinë e saj për të mos u dorëzuar.

Këngëtarja kanadeze tani po punon pa u lodhur për të bërë ëndrrën e saj realitet dhe rikthimin në skenë, duke premtuar një vit të ardhshëm plot energji dhe emocione për fansat.

‘Festa Ura e Mesit’, Beci: Tradita, muzika dhe bukuritë natyrore bashkohen në Postribë

By: Kult Plus
3 September 2025 at 13:00

Në zemër të Postribës, buzë lumit Kir dhe nën hijen e urës legjendare të Mesit, u zhvillua një nga ngjarjet më të bukura kulturore të zonës, “Festa Ura e Mesit”, e kthyer tashmë në një traditë, që promovon trashëgiminë kulturore, natyrore dhe turistike të Shkodrës.

Pamje nga festa u shpërndanë në rrjetet sociale nga kryetari i bashkisë Shkodër, Benet Beci, i cili theksoi rëndësinë e këtyre aktiviteteve për jetësimin e vlerave të zonës dhe për gjallërimin e komuniteteve rurale.

Ndërsa Ansambli i Shkodrës solli atmosferën festive me këngë dhe valle tradicionale, duke i dhënë jetë këtij monumenti kulture, i cili është kthyer prej kohësh në një pikë referimi për vizitorë vendas dhe të huaj.

Në kuadër të festës u organizua edhe një panair lokal, ku u ekspozuan, produkte bujqësore dhe ushqime të zonës, punime artizanale tradicionale dhe u prezantuan oferta turistike nga bizneset lokale dhe agroturistike.

Ura e Mesit, një monument kulture i shekullit XVIII, mbetet një simbol i lidhjes mes historisë dhe natyrës, dhe një prej destinacioneve më të vizituara në veri të Shqipërisë.

Zona e Postribës (Shkodër) po rritet si një destinacion turistik, ku natyra, historia dhe kultura ndërthuren në mënyrë harmonike, duke ofruar përvoja të paharrueshme për çdo vizitor./atsh/KultPlus.com

Kori ‘Siparantum’ kualifikohet për ‘Grand Prix’ në Tajlandë

By: Kult Plus
2 September 2025 at 17:01

Kori më i famshëm në Kosovë, “Siparantum”, është kualifikuar për “Grand Prix” në Festivalin Ndërkombëtar të Koreve në Tajlandë.

Lajmi është bërë i ditur përmes faqes zyrtare të Korit “Siparantum” në Facebook.

“Rrugëtimi ynë në Bangkok po vazhdon me sukses: Pas garës në kategorinë “Mixed Adult Choirs” u kualifikuam për “Grand Prix”.

Me të njëjtin vullnet dhe përkushtim vazhdojmë nesër garën për Çmimin e Madh. Synojmë edhe një medalje për Kosovën”, thuhet në njoftimin e korit Siparantum.

Përgjatë viteve të fundit, kori “Siparantum” ka numëruar një sërë suksesesh në arenën ndërkombëtare përmes paraqitjeve jashtëzakonisht unike, pjesë e së cilave janë edhe veprat e kompozitorëve shqiptarë./ KultPlus.com

❌
❌