Normal view

Revista zvicerane alarmon: Nxënësit shqiptarë në Zvicër të painteresuar të mësojnë gjuhën gjermane, ndikimi i islamit po merr përmasa shqetësuese

27 August 2026 at 14:36


Në një artikull të gjatë hulumtues të publikuar nga revista zvicerane “Weltwoche”, mësues dhe pedagogë të niveleve të ndryshme arsimore përshkruajnë një gjendje të vështirë të sistemit arsimor në shumë pjesë të Zvicrës.

Sipas dëshmive të tyre, në disa zona sistemi shkollor ndodhet në një “rënie të lirë”, ku shkaku kryesor lidhet me sfidat e mëdha të migracionit, mungesën e theksuar të integrimit, si dhe rolin në rritje të strukturave fetare e familjare - me një fokus të veçantë te komuniteti kosovar dhe ai turk.

Sipas pedagogëve të pyetur nga revista, problemi më i madh në klasa është gjuha gjermane, e cila ka pësuar një rënie drastike të nivelit edhe te gjenerata e tretë e emigrantëve.

Një edukatore kopshti me 44 vite përvojë tregon se fëmijët e prindërve kosovarë e turq - që vetë kanë kryer shkollën në Zvicër dhe e flasin në mënyrë të përsosur gjermanishten - vijnë në kopsht pa ditur asnjë fjalë gjermanisht, pasi prindërit nuk ua mësojnë atë në shtëpi.

Shembujt e sjellë tregojnë se këto familje jetojnë në rrethe të mbyllura ose “klane”, duke refuzuar në mënyrë të heshtur integrimin.

Kjo mangësi gjuhësore shoqërohet edhe me një shkëputje të thellë kulturore. Fëmijët e emigrantëve shpesh nuk e njohin gjeografinë apo traditat bazë të Zvicrës, si malet apo jetën në alpe, ndërsa referencat e tyre të vetme mbeten rrjetet e ushqimit të shpejtë apo qendrat e lojërave.

Mësuesit raportojnë se për shkak të pranisë së madhe të nxënësve myslimanë, zakone të mëparshme si tregimi i historive të Kërshëndellave janë braktisur tërësisht.

Edukatoret e përfshira në artikull kritikojnë ashpër edhe mënyrën e rritjes së fëmijëve nga nënat shqiptare.

Theksohet se nënat i përkëdhelin dhe i mbajnë fëmijët tepër të varur, duke bërë çdo gjë për ta 24 orë në ditë - që nga hapja e çantave të ushqimit e deri te shoqërimi në çdo hap.

Kjo sjellje, sipas pedagogëve, i bën fëmijët të paaftë për jetën dhe të pafuqishëm për t'u bërë të pavarur. Gjithashtu, raportohet për neglizhencë të shëndetit bazë, ku përkujdesja për dhëmbët apo ushqimi i shëndetshëm shpesh mungojnë totalisht.

Mësuesit e cikleve më të larta në Winterthur e Aargau vënë në dukje se nxënësit shqiptarë qëndrojnë vetëm me njëri-tjetrin dhe nuk krijojnë shoqëri me zviceranët jashtë shkollës.

Një faktor kyç mbetet modeli familjar: shumë të rinj kosovarë të rritur në Zvicër vazhdojnë të marrin bashkëshorte nga Kosova që nuk flasin gjermanisht. Për më tepër, nënat punojnë në ambiente ku flitet vetëm gjuha amtare, ndërsa fëmijët rriten nga gjyshet që po ashtu nuk e zotërojnë gjuhën e vendit.

Pedagogët ankohen se prindërit refuzojnë të marrin përgjegjësi për edukimin apo orientimin profesional të fëmijëve të tyre, duke ia lënë të gjithë barrën shkollës dhe duke mos marrë pjesë me muaj në mbledhjet e prindërve.

Për më tepër, djemtë shqiptarë përshkruhen si “shefa” të klasave, ndaj të cilëve nxënësit zviceranë shpesh nënshtrohen ose frikësohen të shprehin aftësitë e tyre.

Një vëmendje e veçantë në shkrimin e “Weltwoche” i kushtohet ndikimit të fesë islame. Në Zvicër sot jetojnë rreth 445’000 myslimanë dhe funksionojnë rreth 260 xhami.

Sipas mësuesve, ndryshe nga dekadat e kaluara, sot thuajse çdo nxënës mysliman agjëron gjatë Ramazanit, ndërsa ditët e premte dhe të shtuna i kalojnë në xhami për të mësuar arabisht dhe për të lexuar Kuran.

Ekspertja e çështjeve të islamit politik, Saïda Keller, deklaron për revistën se xhamitë në Zvicër kanë punuar prej më shumë se tri dekadash kundër integrimit shoqëror, duke u mësuar fëmijëve izolimin nga pjesa tjetër e shoqërisë.

Përmes kampeve verore e dimërore, xhamitë organizojnë aktivitete që synojnë indoktrinimin fetar dhe krijimin e një ndjesie përjashtuese komunitare, ku fëmijët dërgohen edhe në garat e leximit të Kuranit në Kosovë, Bosnjë apo Turqi. /Telegrafi/

Planifikoi sulme terroriste në Francë: Si e humbi shtetësinë e Zvicrës një islamist nga Bosnja

25 August 2026 at 12:11


Gjykata Administrative Federale e Zvicrës ka konfirmuar vendimin për heqjen e shtetësisë zvicerane për një person që i kishte premtuar besnikëri organizatës terroriste "Shteti Islamik" (IS) dhe po planifikonte sulme terroriste në Francë.

Personi në fjalë, me origjinë nga Bosnjë-Hercegovina dhe me vendbanim në Zvicrën franceze, kishte marrë shtetësinë zivcerane në vitin 2000.

Në janar të vitit 2021, një gjykatë në Paris e dënoi atë me 15 vjet burgim pasi u vërtetua se kishte planifikuar sulme terroriste.

Sekretariati Shtetëror për Migracionin i Zvicrës kishte vendosur që në maj të vitit 2021 t'ia merrte pasaportën zvicerane, me arsyetimin se veprimet e tij terroriste kanë dëmtuar rëndë interesat dhe imazhin e Zvicrës.

Sipas legjislacionit zviceran, heqja e shtetësisë është një masë e rrallë që zbatohet vetëm në raste të krimeve jashtëzakonisht të rënda apo veprimtarive që kërcënojnë sigurinë kombëtare.

Vendimi në fjalë nuk është ende përfundimtar, pasi pala e dënuar ka të drejtë të ankohet në Gjykatën Supreme Federale në Lausanne. /Telegrafi/

Fshati zviceran në panik nga rreziku i shembjes së një akullnaje

25 August 2026 at 12:04


Komuna Randa, e cila gjendet në Kantonin e Wallisit, ka lëshuar një paralajmërim për shkak të lëvizjeve të dukshme intensive të akullnajës Bisgletscher.

Autoritete vendore bëjnë të ditur se pjesë të caktuara të akullnajës tregojnë paqëndrueshmëri të lartë, gjë që shton rrezikun e shembjes së masave të mëdha të akullit.

Si masë paraprake sigurie, autoritetet kanë mbyllur disa shtigje ecjeje e ngjitjeje në këtë zonë dhe u kanë bërë thirrje banorëve e turistëve që t'u përmbahen me rreptësi udhëzimeve dhe sinjalizimeve në terren.

Zonat malore po monitorohen vazhdimisht nga ekspertët e gjeologjisë me pajisje matëse, për të përcjellë çdo zhvendosje të mëtejshme të masës së akullit dhe për të parandaluar çfarëdo rreziku për zonat e banuara në afërsi. /Telegrafi/

Aeroplani i “Swiss” detyrohet të aterrojë në një ishull në Atlantik për shkak të një ere të rëndë kimike

25 August 2026 at 11:51


Një fluturim i kompanisë ajrore “Swiss”, i cili udhëtonte nga Chicago drejt Zürichut, është detyruar të kryejë një zbritje emergjente sot në mëngjes në arkipelagun e Azoreve në Oqeanin Atlantik, pas shfaqjes së një ere të rëndë në kabinë, njoftojnë mediat zvicerane.

Fluturimi LX9, i cili kishte në bord 222 pasagjerë dhe 16 anëtarë të ekuipazhit, ishte parashikuar të aterronte në Zürich pak para orës 11:00. Mirëpo, teksa gjendeshin mbi Oqeanin Atlantik, ekuipazhi lëshoi një sinjal emergjence për shkak të një ere të panjohur kimike që u ndje në klasën ekonomike. Për arsye sigurie, avioni i tipit "Boeing 777" devijoi menjëherë rrugëtimin dhe u ul rreth orës 08:30 në ishullin Terceira të Azoreve.

Pas aterrimit, pesë pasagjerë dhe një anëtar i ekuipazhit kërkuan kontroll mjekësor, pasi kishin shfaqur simptoma të përkohshme si ngacmim të syve, marramendje dhe dhimbje koke. Sipas njoftimit zyrtar të kompanisë "Swiss", asnjë nga personat e prekur nuk pasur nevojë për trajtim të mëtejshëm mjekësor.

Për të tërhequr udhëtarët dhe ekuipazhin e mbetur në ishull, kompania ajrore ka organizuar një fluturim zëvendësues nga Zürichu. Mbërritja e tyre në Zvicër është parashikuar për sot në mbrëmje rreth orës 22:15. Shkaku i erës mbetet ende i paqartë. Ekspertët e kompanisë kanë nisur hetimet dhe po ekzaminojnë avionin në Terceira për të përcaktuar me saktësi origjinën e problemit.

Zvicër, vapa e madhe i deyron vreshtarët të vjelin rrushin në mes të verës

23 August 2026 at 12:07


Nxehtësia ekstreme dhe temperaturat e larta që kanë kapluar Zvicrën gjatë javëve të fundit kanë pasu një ndikim të papritur në bujqësi: vjelja e rrushit për këtë vit ka nisur jashtëzakonisht herët, duke u zhvendosur plotësisht në mes të verës.

Në shumë rajone vreshtarie të vendit, procesi i vjeljes ka filluar disa javë më herët se zakonisht, raportojnë mediat zvicerane.

Ekspertët dhe vetë kultivuesit e rrushit sqarojnë se pjekja e përshpejtuar nga dielli i fortë i verës detyron ndërhyrjen e menjëhershme në vreshta, me qëllim që të ruhet balanca e duhur mes nivelit të sheqerit dhe aciditetit në kokrrat e rrushit.

Kjo vjelje e parakohshme sjell sfida të reja logjistike për prodhuesit e verës.

Për shkak të temperaturave të larta gjatë ditës, punëtorët duhet të vjelin rrushin që në orët e para të mëngjesit për të parandaluar fermentimin e padëshiruar të frutave të nxehta përpara se ato të mbërrijnë në kthinat e përpunimit.

Ndryshimet klimatike dhe verërat gjithnjë e më të nxehta po e shndërrojnë këtë dukuri nga një përjashtim në një realitet të ri për sektorin e vreshtarisë në Zvicër.

Ndonëse cilësia e rrushit vlerësohet e mirë, prodhuesit po përshtatin teknologjitë e tyre për të ruajtur freskinë dhe aromën tipike të verërave zvicerane në kushtet e klimës që po ngrohet. /Telegrafi/

Fuçia e barutit në kokën tonë: Si e formojnë stereotipet e vjetra vështrimin tonë ndaj Ballkanit - dhe pse kjo tregon më shumë për ne sesa për vetë rajonin

21 August 2026 at 16:55


Në këtë artikull, historiani austriak Ralf Grabuschnig shkruan se imazhi i Ballkanit si "fuçi baruti" nuk është një realitet natyror, por një stereotip perëndimor i formuar historikisht, i cili tregon më shumë për vetëperceptimin dhe projeksionet e Perëndimit sesa për shkaqet komplekse të dhunës në vetë Evropën Juglindore.

Ralf Grabuschnig

Kur në fillim të viteve 1990 shpërtheu lufta në ish-Jugosllavi, për shumë vëzhgues shpjegimi për këtë dhunë dukej i qartë: sërish Ballkani. Sërish fuçia e vjetër evropiane e barutit. Sërish shpërthimi i një urrejtjeje që gjoja gjëmon vazhdimisht nën sipërfaqe në këtë rajon. Kjo ishte një narrativë e rehatshme, e njohur - dhe e gabuar.

Mbi të gjitha: kjo narrativë ka traditë. Vetë termi "Ballkan" ka origjinë osmane. Në fakt, ai përshkruan një vargmal në Bullgarinë e sotme dhe në burimet osmane zakonisht përdorej pikërisht në këtë kontekst.

Që ky emër i një vargmali t'i vishej dikur gjithë gadishullit, i detyrohemi - jo krejt rastësisht - një gjeografi gjerman: August Zeune, i cili në vitin 1808 shkroi për herë të parë për "gadishullin ballkanik". Ai nuk ishte i vetmi evropian perëndimor që në këtë kthesë drejt shekullit XIX filloi të shkruante për Ballkanin.

Por çfarë saktësisht i përket Ballkanit dhe çfarë jo: kjo ishte e paqartë atëherë dhe mbetet e paqartë edhe sot. Si gadishull, kufijtë e rreptë gjeografikë janë të qartë vetëm në tri anë - perëndim, lindje dhe jug. Në veri, ndërkaq, kufijtë mbeten të paqartë deri sot. Përgjigjet për pyetjen se ku fillon "Ballkani" ndryshojnë ende shumë. Për ta kuptuar këtë paqartësi, mjafton të pyesësh njerëz në rrugët e Lubjanës, Zagrebit apo Budapestit. Ballkani fillon gjithmonë disa kilometra më tej.

Kjo paqartësi gjeografike nuk është rastësi. Ajo tregon diçka më themelore: Ballkani nuk është një rajon i përcaktuar qartë, por më shumë një ide. Një koncept. Dhe në fund të fundit: një ekran projeksioni.

Ky zhvillim vazhdoi së paku me përshkrimin e August Zeunes për "gadishullin". Që në shekullin XVIII, kur fuqia osmane në Evropë filloi ngadalë të dobësohej, rajoni u hap për udhëtarët perëndimorë. Fillimisht erdhën kryesisht tregtarë dhe diplomatë nga Perandoria Habsburgase dhe Venecia. Që nga fillimi i shekullit XIX, erdhën gjithnjë e më shumë udhëtarë të pasur, kryesisht nga Franca dhe Britania e Madhe, në kuadër të "Grand Tour"-it, të njohur atëherë nëpër Evropë.

Në Ballkan, ata kishin një destinacion të caktuar: Greqinë. "Djepin e qytetërimit evropian", siç e shihnin shumë prej tyre. Të rinjtë që udhëtonin donin të shkonin te Akropoli, në Delfi, te gjurmët e Athinës dhe Spartës.

Ajo që gjenin realisht atje, megjithatë, rrallë përputhej me pritshmëritë e tyre. Popullsia reale e Greqisë kishte pak të përbashkët me helenët e lashtë që kishin në mendje udhëtarët. Shkrimtari francez François-René de Chateaubriand madje u këshillonte turistëve të tjerë: "Mos e shihni kurrë Greqinë, zotëri, përveçse te Homeri. Kjo është mënyra më e mirë." (Maria Todorova: Imagining the Balkans, Oxford University Press, 1997, f. 94)

Ishte një qëndrim që më vonë do të shtrihej nga Greqia në të gjithë gadishullin ballkanik. Popullsia lokale përshkruhej në raportet perëndimore të udhëtimit të shekullit XIX si e prapambetur, arkaike dhe e paqytetëruar. Udhëtari anglez Harry de Windt e titulloi shkurt e shkoq një raport udhëtimi të vitit 1907 "Through Savage Europe" (Nëpër Evropën e egër), për të mos lënë asnjë dyshim në këtë drejtim.

Këto përshkrime, megjithatë, as atëherë nuk lindën në vakuum. Ato u shkruan nga njerëz prej dy perandorive më të mëdha koloniale të kohës: Britania e Madhe dhe Franca. Nga njerëz që ishin mësuar t'i shihnin pjesë të tjera të botës si të prapambetura dhe ta pranonin këtë prapambetje si justifikim për sundimin kolonial.

Kështu ishte tani edhe vështrimi ndaj Ballkanit, deri atëherë pak i njohur. Për shkak të pozicionimit të tij brenda Evropës, ai nuk mund të përshtatej si një "tjetër" krejtësisht i huaj, por u bë një lloj "tjetri brenda vetes". Jo krejtësisht oriental, por edhe jo vërtet evropian. Një hapësirë e ndërmjetme. Një zonë kufitare.

Historianja bullgare Maria Todorova e ka quajtur këtë fenomen "ballkanizëm", duke iu referuar konceptit të famshëm të orientalizmit të Edward Saidit. Ashtu si në rastin e Orientit, argumenton Todorova, edhe paraqitja e stereotipizuar e Ballkanit shërbente kryesisht për një qëllim: vetëpërkufizimin pozitiv të Perëndimit.

Duke e përshkruar Ballkanin si të egër, të dhunshëm dhe irracional, Perëndimi mund ta shihte veten si e kundërta e saktë: e ndriçuar, moderne, racionale dhe paqësore.

Deri në fund të shekullit XIX, ky perceptim i Ballkanit fitoi një përcaktim domethënës që mbetet edhe sot: "fuçi baruti". Përshkrimet që e paraqisnin rajonin si të rrezikshëm dhe shpërthyes filluan të shtoheshin nga vitet 1870: në kohën e Kongresit të Berlinit dhe të ndezjes së "çështjes maqedonase". Ideja e Ballkanit si "fitil në fuçinë e barutit evropian" (vetë rajoni shndërrohet në fuçi baruti më vonë) u vendos përfundimisht me Luftërat Ballkanike të viteve 1912/13 dhe shpërthimin e mëpasshëm të Luftës së Parë Botërore.

"Serbia është edhe sot fitili më i nxehtë i fuçisë evropiane të barutit. Nëse duam të parandalojmë një shpërthim, zjarri duhet të shuhet shpejt dhe me dorë të fortë", shkroi për shembull gazeta vjeneze “Neuigkeits-Welt-Blatt” në korrik të vitit 1914 - vetëm disa ditë para fillimit të luftës.

Në atë kohë, deklarata të tilla nuk ishin më raste të izoluara. Lidhja mes "Ballkanit" dhe "dhunës" ishte tashmë fort e ngulitur në kujtesën kolektive të Perëndimit që në fillim të shekullit XX - dhe atje do të mbetej.

Kështu, ky imazh i Ballkanit mbetet i pranishëm deri sot dhe pothuajse nuk ka ndryshuar gjatë njëqind viteve të fundit. Përgjatë shekullit XX, metafora e fuçisë së barutit thjesht u ringjall sërish e sërish. Në kontekstin e Luftës së Ftohtë dhe, natyrisht, edhe në vitet 1990.

"Tani që komunizmi ka rënë, po qarkullojnë mbi Ballkanin emocione që kanë humbur funksionin e tyre legjitim", shkroi gazetari amerikan Robert Kaplan në vitin 1993, në librin e tij të suksesshëm “Balkan Ghosts” (Fantazmat e Ballkanit).

Libri arriti sukses ndërkombëtar pikërisht në mes të luftës në Jugosllavi dhe formësoi perceptimin e një brezi të tërë vendimmarrësish politikë, diplomatikë dhe ushtarakë. Kaplan skiconte një rajon pa përvojat formuese të Rilindjes (Renesansës) dhe Iluminizmit. Në vend të kësaj, rajoni ishte, sipas tij, i karakterizuar nga "urrejtja shekullore", e ngrirë nën sundimin osman e më pas komunist, e cila tani po dilte sërish në sipërfaqe me gjithë fuqinë e saj.

Kjo ishte një përsëritje e narrativës së vjetër për Ballkanin e dhunshëm dhe pati pasoja krejt reale edhe në vitet 1990. Bill dhe Hillary Clinton e kishin lexuar librin e Kaplanit, ashtu si edhe anëtarë të shumtë të komunitetit ndërkombëtar diplomatik. Dhe ideja se luftërat jugosllave ishin thjesht një shpërthim i një urrejtje ballkanike, të lashtë dhe irracionale, kontribuoi gjithashtu në faktin që Perëndimi ngurroi kaq gjatë të ndërhynte më vendosmërisht.

Ndërsa në Washington dhe Bruksel, në fillim të viteve 1990, po debatohej, Sarajeva mbeti e rrethuar për më shumë se tre vjet. Në vitin 1995, në Srebrenicë u vranë mbi 8000 njerëz.

Narrativa e rehatshme e "urrejtjes së lashtë" fshihte atë që në të vërtetë kishte ndodhur në Jugosllavi. Shpërbërja e dhunshme e këtij shteti pati sigurisht shumë shkaqe: kriza ekonomike, rënia e bllokut lindor, dështimi institucional dhe instrumentalizimi i qëllimshëm i narrativave nacionaliste nga elitat politike.

Të gjithë këta faktorë do të meritonin të diskutoheshin. Por fakti që në vend të kësaj u fol me zë të lartë për një urrejtje irracionale e të lashtë, e mbylli pamjen ndaj kompleksitetit real.

Aspekte të tilla si fakti që edhe në vitin 1985 - vetëm gjashtë vjet para fillimit të luftës - një përqindje jashtëzakonisht e lartë e të rinjve në Jugosllavi u identifikua në një sondazh për herë të parë kryesisht si "jugosllavë". Ose fakti që ende në vitin 1990, në pothuajse të gjitha qytetet e mëdha të vendit, kishte protesta të mëdha antiluftë. Ose fakti që shumë ushtarë, në javët dhe muajt e parë të luftërave, dezertuan ose refuzuan urdhrat.

Lufta nuk ishte ligj natyror. Ajo ishte një katastrofë e krijuar nga njerëzit, ashtu si të gjitha katastrofat e tilla, dhe mund të ishte parandaluar nga njerëzit.

Kjo është një e vërtetë që fshihet pas imazhit të rehatshëm dhe të thjeshtuar që Perëndimi ka për Ballkanin. Antropologia Tone Bringa e thotë shkurt e qartë: "Na vjen lehtë ta shohim ish-Jugosllavinë me një mendjemadhësi vetëkënaqëse. Por kjo histori mbart mësime për të gjitha shoqëritë. Sepse edhe gjetkë ekzistojnë rryma të fshehta të mosdurimit, racizmit dhe frikës nga 'tjetri'. Rryma që, kur nxiten nga të fuqishmit, mund të shndërrohen në dhunë, ose tolerohen nga shteti derisa lulëzojnë pa ndëshkim."

Këto rryma mund të bëhen të rrezikshme kudo, edhe "tek ne". Fuçia e barutit, siç duket, gjendet më pak në Ballkan e më shumë në kokat tona.

Ralf Grabuschnig është historian dhe krijues i mediave dixhitale. Në podkastin e tij "Deja-vu Geschichte" dhe në buletinin javor (newsletter) "Geschichtshappen", ai merret me rrënjët e së tashmes sonë. Ky shkrim bazohet në serialin e tij të podkastit "Ballkani si fuça e barutit". Teksti u botua në blogun e historisë të gazetës austriake “Standard”. Përktheu dhe redaktoi: E.R.

Autoritetet ruse lëshojnë fletëarrest për gazetarin gjerman pas pyetjes për luftën në Ukrainë

21 August 2026 at 15:23


Autoritetet në Rusi kanë lëshuar një fletëarrest kundër korrespondentit të gazetës gjermane "Frankfurter Allgemeine Zeitung" (FAZ) për Ballkanin, Michael Martens.

Siç u bë e ditur të enjten në faqen e Ministrisë së Brendshme ruse, gazetari kërkohet sipas një neni të Kodit Penal.

Sipas burimeve të agjencisë ruse të lajmeve TASS, Martens akuzohet për "nxitje të urrejtjes", një vepër që nëse dënohet në Rusi mund të çojë deri në gjashtë vjet burgim.

Shkak për këtë masë u bë një pyetje që Martens bëri më 8 gusht gjatë një konferencë shtypi në Beograd, ku morën pjesë Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, dhe Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Gazetari e pyeti presidentin ukrainas se çfarë mund të bëjnë evropianët për ta ndihmuar Ukrainën që të "vrasë më shumë rusë", duke shtuar menjëherë: "ushtarë rusë, natyrisht".

Kjo deklaratë nxiti reagime dhe polemika të shumta, veçanërisht në Rusi dhe Serbi, por edhe në qarqet e ekstremit të djathtë dhe të majtë në Gjermani.

Më vonë, redaksia e "FAZ" sqaroi se pyetja ishte "formuluar në mënyrë të paqartë" dhe se nuk është politikë redaksionale e gazetës që "të vriten sa më shumë ushtarë rusë".

Nga ana e tij, vetë Martens deklaroi në rrjetin social X se pyetja ishte e mirëmenduar.

Ai sqaroi se bëhej fjalë për një aludim ndaj një citati të ish-kryeministrit britanik Winston Churchill gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Churchill i kishte dhënë udhëzim oficerit të tij të ndërlidhjes, Fitzroy Maclean, përpara takimit me udhëheqësin komunist jugosllav Josip Broz Tito, duke i thënë të tregonte se si mund t'i ndihmonin partizanët "për të vrarë akoma më shumë gjermanë".

Krahas bërjes publike të fletëarrestit nga Rusia, Ambasada ruse në Berlin i ka dërguar një shkresë Prokurorisë së Berlinit, duke kërkuar një vlerësim juridik nëse formulimet e Martens përbëjnë vepër penale sipas ligjit gjerman, përfshirë nxitjen e urrejtjes ndaj një populli tjetër apo thirrjen publike për kryerjen e veprave penale.

Prokuroria e Berlinit konfirmoi pranimin e shkresës dhe sqaroi se sipas ligjit është e detyruar të shqyrtojë nëse ekziston ndonjë dyshim fillestar, duke theksuar se kjo nuk do të thotë automatisht nisje e hetimit dhe se vlen prezumimi i pafajësisë.

Asociacioni i Gazetarëve Gjermanë (DJV) ka protestuar ashpër ndaj veprimeve të Moskës. Kryetari i Asociacionit, Mika Beuster, deklaroi se drejtësia, përfshirë atë ruse, nuk ka asnjë punë me pyetjet që gazetarët bëjnë në një konferencë shtypi.

Gazetarit Martens nuk i kanoset asnjë ekstradim nga Gjermania drejt Rusisë. Megjithatë, situata mund të bëhet më e rrezikshme për të gjatë punës në rajonin e Ballkanit ku ai vepron si korrespondent, e veçanërisht në Serbi, e cila mban marrëdhënie të afërta me Rusinë.

Statistikat e reja në Zvicër: Popullsia po rritet dhe po plaket

21 August 2026 at 12:13


Zvicra po përjeton një rritje të vazhdueshme të popullsisë, e cila tashmë ka kaluar pragun e 9 milionë banorëve.

Sipas të dhënave më të fundit demografike të Entit Federal të Statistikave, ky zgjerim i popullsisë është kryesisht rrjedhojë nga imigrimi si dhe rritja e jetëgjatësisë, ndërkohë që vendi përballet me sfida të reja sa i përket plakjes së shoqërisë.

Faktori kryesor i rritjes mbetet imigrimi i fuqisë punëtore të kualifikuar nga vendet e Bashkimit Evropian dhe më gjerë.

Pa ardhjen e banorëve të rinj nga jashtë, popullsia zvicerane do të shënonte rënie, pasi shkalla e lindshmërisë tek gratë vendase mbetet në nivele të ulëta dhe nuk mjafton për të zëvendësuar brezat.

Një tjetër zhvillim i rëndësishëm lidhet me strukturën e moshës.

Zvicra po plaket me ritme të shpejta: brezi i të ashtuquajturve “baby boomers” (të lindur në vitet '50 dhe '60) po del gradualisht në pension.

Kjo bën që përqindja e personave mbi 65 vjeç të rritet ndjeshëm, ndërsa numri i personave në moshë pune po pëson tkurrje relative.

Sipas projeksioneve zyrtare për dekadat e ardhshme, nëse këto tendenca vazhdojnë, popullsia e Zvicrës mund të arrijë deri në 10 milionë banorë rreth mesit të këtij shekulli.

Kjo rritje sjell me vete sfida të mëdha praktike për vendin, veçanërisht në menaxhimin e infrastrukturës, hapësirave të banimit, transportit publik si dhe financimin afatgjatë të sistemit të pensioneve dhe kujdesit shëndetësor. /Telegrafi/

Këta janë emrat më të popullarizuar për foshnjat në Zvicër - mes tyre edhe dy emra shqiptarë

21 August 2026 at 10:40


Enti Federal i Statistikave në Zvicër ka publikuar klasifikimin zyrtar të emrave më të përhapur për foshnjat e lindura gjatë vitit 2025.

Në kategorinë e djemve, emri Noah vazhdon të ruajë kryesimin e listës, i ndjekur nga Liam dhe Gabriel.

Ndërkaq, te vajzat vendin e parë e zë emri Sofia, ndërsa pozicionet vijuese i mbajnë emrat Emma dhe Mia.

Emri Noah konfirmon edhe një herë dominimin e tij afatgjatë në vend.

Ai ka qenë më i preferuari për prindërit zviceranë në vitet 2010 e 2011, përgjatë periudhës nga viti 2013 deri më 2017, si dhe pa ndërprerje nga viti 2021 deri më 2024, duke e ruajtur sërish pozitën e parë gjatë vitit 2025.

Në anën tjetër, Sofia ngjitet në majë të klasifikimit për vajzat, pasi ka qenë vazhdimisht mes tre emrave më të pëlqyer gjatë periudhave 2017-2019 dhe 2022-2024.

Përtej kryesuesve, të dhënat e reja statistikore shfaqin edhe lëvizje të dukshme në preferenca.

Ngritjen më të madhe në ranglistë e shënuan emrat Liyana te vajzat dhe Arno te djemtë, të cilët mes viteve 2024 dhe 2025 u ngjitën përkatësisht me 279 dhe 199 pozicione.

Në krahun tjetër, rënien më të madhe e pësuan emri Linda, i cili humbi 69 vende te vajzat, si dhe emri Milan, i cili ra me 76 pozicione te djemtë.

Ndërkaq, pjesë e listës së 100 emrave më të përhapur për të porsalindurit u bënë për herë të parë edhe emrat Mina dhe Maleo. Në vendin e 23-të është emri Luan. Te vajzat emri Dua është në vendin e 65-të. /Telegrafi/

Pas 34 vitesh, gjenden mbetjet e dy alpinistëve të zhdukur në akullnajën e Zvicrës

19 August 2026 at 13:52


Një paqartësi gati 30-vjeçare në Alpet zvicerane më në fund ka marrë përgjigje. Në akullnajën Trift (Triftgletscher), mbi zonën e Saas-Grund në kantonin e Wallisit, janë gjetur mbetjet mortore të dy alpinistëve të cilët rezultonin të zhdukur që nga viti 1992.

Gjetja u bë e mundur nga një alpinist i zonës, i cili gjatë një ngjitjeje në akullnajë vuri re mbetjet dhe pajisjet e mbetura.

Pas njoftimit të menjëhershëm, policia lokale organizoi një aksion kërkim-shpëtimi në bashkëpunim me shërbimin ajror Air Zermatt, duke bërë të mundur tërheqjen e mbetjeve dhe dërgimin e tyre për ekzaminim mjeko-ligjor.

Analizat e ADN-së të kryera nga Instituti i Mjekësisë Ligjore konfirmuan zyrtarisht identifikimin e dy viktimave.

Bëhet fjalë për dy shtetas zviceranë, përkatësisht të ditëlindjes 1954 dhe 1957, të cilët kishin humbur çdo kontakt me familjarët dhe autoritetet gjatë një ekspedite në gusht të vitit 1992.

Tërheqja e akullnajave si pasojë e ngrohjes globale po nxjerr gjithnjë e më shpesh në sipërfaqe trupa dhe sende personale të personave të zhdukur dekada më parë në male.

Policia e kantonit Wallis mban një regjistër zyrtar me qindra raste të personave të zhdukur në Alpe që nga shekulli i kaluar, shumë prej të cilëve po zbardhen vetëm vitet e fundit me shkrirjen e akullit. /Telegrafi/

Diplomacia pa diplomatë – rasti Donald Trump dhe 97 vende pa ambasador amerikan

19 August 2026 at 10:08


Në një artikull shumë interesant gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” (NZZ) shkruan se si presidenti amerikan Donald Trump nuk po tregon ndonjë interesim për diplomatët amerikanë të karrierës dhe si pasojë SHBA-të nuk kanë ambasadorë në 97 vende të botës!

Kështu ka shkruar Enver Robelli në rrjetin e tij social në Facebook.

Ai po ashtu thotë se “NZZ" shkruan: ‘Në të vërtetë, në mbarë botën janë 196 poste për ambasadorë amerikanë, të cilët përfaqësojnë vendin e tyre në nivelin më të lartë diplomatik pranë një shteti tjetër ose një organizate ndërkombëtare. Por edhe më shumë se një vit e gjysmë pas fillimit të mandatit të dytë të Trumpit, 97 poste ambasadorësh mbeten të zbrazëta. Kjo është pothuajse gjysma e të gjitha posteve’.

“Një numër kaq i lartë vendesh boshe nuk është parë kurrë në historinë e kohëve të fundit të SHBA-së, thekson gazeta zvicerane. Gati dy vjet pas fillimit të mandatit të parë të Trumpit, vetëm 45 nga 188 poste ambasadorësh të asaj kohe ishin të zbrazëta”.

Për më shumë lexoni të plotë postimin e Robellit:


Luftërat dhe kriza nuk ia lënë shenjë Zvicrës - rrogat vazhdojnë të rriten

17 August 2026 at 09:53


Pavarësisht krizave globale, tensioneve gjeopolitike dhe presionit mbi bizneset, pagat në Zvicër pritet të rriten edhe gjatë vitit 2027. Kompanitë zvicerane planifikojnë një rritje mesatare nominale prej 1,2 për qind, sipas një sondazhi të Qendrës për Kërkime Ekonomike pranë Universitetit Teknik ETH Zürich (KOF), shkruan gazeta “Neue Zürcher Zeitung”.

Në sondazh morën pjesë rreth 3500 kompani të sektorit privat. Sipas KOF-it, inflacioni në vitin 2027 pritet të jetë rreth 0.5 për qind. Nëse ky parashikim realizohet, punonjësit do të përfitojnë një rritje reale të pagave prej afërsisht 0.7 për qind, që nënkupton një përmirësim të fuqisë së tyre blerëse.

Rritja e parashikuar shihet si e konsiderueshme në një perspektivë historike. Nga viti 2014 deri më 2023, pagat reale në Zvicër u rritën mesatarisht vetëm 0.2 për qind në vit.

Michael Siegenthaler, drejtues i kërkimeve për tregun e punës në KOF, vlerëson se parashikimet janë premtuese, veçanërisht duke pasur parasysh tarifat amerikane dhe tensionet ndërkombëtare që po rëndojnë mbi ekonominë zvicerane, thekson “Neue Zürcher Zeitung”.

Megjithatë, ekziston një dallim mes pritjeve të ekspertëve dhe atyre të kompanive. Ndërmarrjet e anketuara presin një inflacion prej 1.1 për qind. Në këtë rast, rritja reale e pagave do të ishte minimale. Ekspertët e KOF-it theksojnë se kompanitë zvicerane në të kaluarën kanë pasur prirje ta mbivlerësojnë inflacionin.

Në të njëjtën kohë, ritmi i rritjes së pagave nominale po ngadalësohet. Një vit më parë, kompanitë parashikonin rritje prej 1.3 për qind, ndërsa në vitin 2024 pritjet ishin 1.6 për qind. Ndër faktorët kryesorë përmenden rënia e inflacionit dhe ftohja e lehtë e tregut të punës që nga viti 2023.

Sektori i ndërtimit pritet të ketë rritjen më të madhe të pagave. Kompanitë e këtij sektori parashikojnë një rritje nominale prej 2 për qind, nga 1.6 për qind sa ishte parashikimi i një viti më parë.

Rreth 90 për qind e kompanive të ndërtimit planifikojnë t’i rrisin pagat me të paktën 1 për qind. Kjo lidhet me ecurinë e mirë të sektorit dhe mungesën e vazhdueshme të punëtorëve të kualifikuar, nënvizon “Neue Zürcher Zeitung” dhe bën këtë renditje:

Bankat: Rritja e parashikuar ka rënë nga 1.4 në 0.8 për qind. Në këtë zhvillim kanë ndikuar shkurtimet e vendeve të punës pas bashkimit të bankave UBS-së dhe Credit Suisse, automatizimi dhe konkurrenca nga shërbimet bankare online.

Industria kimike dhe farmaceutike: Kompanitë presin rritje prej vetëm 1 për qind, krahasuar me 1.5 për qind më parë. Sektori po përballet me tarifat amerikane, kostot e larta të energjisë dhe presionin për uljen e çmimeve të barnave.

Industria e eksportit: Dobësimi ekonomik në tregje të rëndësishme, veçanërisht në Gjermani dhe Kinë, vazhdon të ndikojë mbi pagat dhe punësimin.

Sindikatat zvicerane i konsiderojnë këto rritje të pamjaftueshme. Organizatat Travail Suisse, Syna dhe Transfair pritet të paraqesin kërkesa më të larta gjatë negociatave për pagat e vitit 2027. Ato paralajmërojnë se çmimet e konsumit mund të rriten sërish për shkak të konflikteve ndërkombëtare dhe kostove të energjisë.

Sipas sindikatave, rritja e produktivitetit për orë pune dëshmon se rritjet më të mëdha të pagave janë të nevojshme, të arsyeshme dhe të përballueshme. /Telegrafi/

Si shpëtoi Ukraina dhe pse ende është në rrezik?

15 August 2026 at 17:46


Kur presidenti rus Vladimir Putin ateroi më 15 gusht 2025 në bazën ajrore Elmendorf, në Alaskë, jo vetëm në Ukrainë, por në mbarë Evropën mbizotëronte frika se në Alaskë mund të arrihej një marrëveshje në dëm të ukrainasve dhe të interesave evropiane të sigurisë, shkruan gazeta zvicerane “Neue Zürcher Zeitung” në një analizë të botuar të shtunën.

Trump e lavdëroi “marrëdhënien e tij fantastike me Vlladimirin” dhe foli për përparim të madh, por Putin nuk e mori parasysh kërkesën amerikane për armëpushim. Më vonë, një burim anonim i tha gazetës britanike “Financial Times” se Putini e kishte bezdisur Trampin me shtjellime të gjata për unitetin historik të rusëve dhe ukrainasve.

Kremlini me gjasë asnjëherë nuk i mori seriozisht Trumpin. Para samitit, ai i kishte kërcënuar rusët me “pasoja serioze” nëse refuzonin armëpushimin. Pas samitit tha se sanksionet e planifikuara ekonomike janë të panevojshme. Të nesërmen e samitit hodhi bombën e radhës: përmes një mesazhi të shkurtër njoftoi se nuk synonte më një marrëveshje armëpushimi për Ukrainën. Mënyra më e mirë, tha ai, ishte të negociohej drejtpërdrejt një marrëveshje paqeje, shkruan “Neue Zürcher Zeitung”.

Njëri nga dëshmitarët e paktë të bisedimeve të samitit, i dërguari amerikan Steve Witkoff, e përshkroi ngjarjen një ditë më vonë në televizion në mënyrë thuajse euforike: ishte arritur diçka që ndryshonte gjithçka, tha ai. Rusët, sipas tij, ishin pajtuar që Ukraina të mund të merrte nga SHBA-të garanci sigurie sipas modelit të Traktatit të NATO-s.

Megjithëse ky përshkrim - si shumë deklarata të Witkoffit - më vonë doli i pavërtetë, ai krijoi një dinamikë të re. Papritur dukej sikur edhe Putini kishte bërë një lëshim të rëndësishëm. Tashmë barra i kalonte Ukrainës, e cila duhej të bënte lëshime nga ana e saj.

“Presidenti Zelensky mund ta përfundojë luftën pothuajse menjëherë, nëse dëshiron”, shkroi Trumpi. Kjo tingëllonte sikur përgjegjësinë për gjakderdhjen e vazhdueshme nuk e mbante Moska, por Kievi. Kur Zelensky mbërriti në Washington tri ditë pas takimit të nivelit të lartë, duhej të llogariste në presion të madh amerikan për të pranuar një lloj paqeje kapitulluese. Me nxitim, edhe shtatë politikanë të lartë evropianë u nisën për t’i qëndruar Zelenskyt pranë në Shtëpinë e Bardhë. Taktika funksionoi dhe vendimet u shtynë për momentin, sipas “Neue Zürcher Zeitung”.

Bisedimet çuan në një plan konkret prej 28 pikash, i cili doli në publik më 20 nëntor. Ai parashikonte përfundimin e luftës nën një sërë kushtesh, ndër të cilat më e dhimbshmja për Ukrainën ishte tërheqja pa luftë nga Donbasi. Kievi e refuzoi.

“Ishim të sigurt se çështja kishte përfunduar dhe se nisma e Trumpit do të zbatohej siç ishte njoftuar” - kështu e shprehu frustrimin e tij ministri i Jashtëm rus Sergej Lavrov në mars. Në korrik ai u shpreh edhe më ashpër. E paraqiti Trumpin si ndërmjetës të dështuar, i cili kishte folur më shumë se ç’duhej. Ndryshe nga premtimi, presidenti amerikan nuk kishte arritur ta bindte Zelenskyn t’i pranonte propozimet e miratuara në bazën amerikane në Alaskë, Anchorage.

Lavrovi ishte i zemëruar sepse homologu i tij amerikan, Marco Rubio, pak më parë i kishte shpallur propozimet e Anchorage të dështuara. Rubio tha se ato kishin qenë të papranueshme për ukrainasit që atëherë dhe se sot ndoshta ishin edhe më të papranueshme. Për të arritur paqen, nevojiteshin “ide të reja”.

Në përgjithësi, ndërmjetësi Witkoff udhëtoi shtatë herë te Putini në Rusi, ndërsa nuk shkoi asnjëherë në Ukrainë. Tani duket se ndërmjetësi ka arritur në përfundimin se, për të vendosur një paqe të drejtë, ndoshta duhet dëgjuar edhe pala më e dobët. Pritet të vizitojë Kievin në ditët apo javët e ardhshme.

Gazetari i organizon atentat gazetarit - ngjarja që po trazon Italinë

15 August 2026 at 10:27


Dhjetë muaj pas atentatit me bombë ndaj gazetarit investigativ Sigfrido Ranucci, një arrestim spektakular ka tronditur Italinë. Urdhëruesi i dyshuar është një mik i vjetër i viktimës dhe një i njohur i kahershëm i drejtësisë, shkruan gazeta zvicerane “Tages-Anzeiger”.

Sigfrido Ranucci është një nga reporterët më të njohur të Italisë – i patrembur, me përvojë dhe i pakompromis. Dikur raportonte për luftërat ballkanike dhe për sulmet terroriste të 11 shtatorit në SHBA. Ndërkohë, gazetari që së shpejti mbush 65 vjet drejton në transmetuesin publik RAI emisionin investigativ “Report”. Temat që trajtohen aty janë tejet shpërthyese: korrupsioni, shpërdorimi i pushtetit dhe lidhjet mes politikës dhe mafies. Për shkak të kërcënimeve të vazhdueshme, Ranucci prej vitesh jeton nën mbrojtjen e policisë.

Kur më 6 tetor 2025, në orën 22:17, para shtëpisë së Ranuccit në Romë shpërtheu një bombë me një kilogram eksploziv, shumëkush dyshoi se pas atentatit qëndronte mafia. Ranucci dhe e bija e tij patën fat: kishin mbërritur në shtëpi vetëm pak më herët dhe shpëtuan të palënduar. Megjithatë, veturat e tyre u shkatërruan plotësisht dhe shtëpia u dëmtua. Rastin e mori përsipër prokuroria kundër mafies.

“Shpërthimi ishte aq i fuqishëm, sa u lëkund gjithë lagjja. Vajza ime kishte kaluar pranë veturës vetëm pak minuta më parë. Mund të kishte vdekur”, shkroi atëherë Ranucci në rrjetet sociale.

Të nesërmen, qindra njerëz u mblodhën para shtëpisë së Ranuccit për t’i shprehur solidaritetin. Edhe nga mediat dhe politika erdhi një valë mbështetjeje: shoqatat e gazetarëve, transmetuesi RAI, politikanë nga i gjithë spektri politik, madje edhe kryeministrja Giorgia Meloni, e dënuan atentatin.

Që atëherë, opinioni publik italian priste me padurim rezultatet e hetimit. Krahas mafies, dyshimet fillimisht u drejtuan edhe ndaj bandave shqiptare që veprojnë në Romë dhe rrethinë.

Tani ndodhi një kthesë spektakolare: këtë javë autoritetet arrestuan botuesin, ish-gazetarin dhe sipërmarrësin Valter Lavitola. 60-vjeçari është mik i vjetër i Ranuccit dhe dyshohet se ka porositur atentatin me bombë – gjë që tashmë e ka pranuar pasi u mor në pyetje për pesë orë.

Motivi i deklaruar nga Lavitola prek kufijtë e çmendurisë: ai tha se me këtë atentat kishte dashur ta mbronte Ranuccin dhe të arrinte që autoritetet t’i forconin masat e sigurisë. Sipas tij, atentati nuk kishte motive politike.

Prokuroria, megjithatë, e sheh ndryshe. Me këtë atentat të stilit mafioz, Lavitola kishte dashur të rriste popullaritetin e Ranuccit, në mënyrë që ky të kishte shanse më të mira për të kandiduar në zgjedhjet parlamentare të vitit 2027 dhe, në këmbim, t’i siguronte atij një post fitimprurës si këshilltar.

Për ta përgatitur planin, Valter Lavitola kishte rekrutuar një ndërmjetës. Portugezi, i cili ndërkohë është larguar drejt Afrikës, dyshohet se më pas kishte porositur katër kriminelë nga rrethinat e Napolit që ta vendosnin lëndën shpërthyese para shtëpisë së Sigfrido Ranuccit.

Në fund të qershorit u arrestuan autorët e dyshuar. Burrat, të moshave nga 22 deri në 53 vjeç, ishin të njohur më parë për policinë si kriminelë. Për hetuesit u bë shpejt e qartë se ata kishin vepruar me urdhër të njerëzve që qëndronin në prapavijë – Valter Lavitolës dhe bashkëpunëtorit të tij portugez.

Lavitola nuk është i panjohur në Itali. Në vitet ’90 ai ishte i afërt me politikanin më të bujshëm të historisë italiane të pasluftës, Silvio Berlusconin. Lavitola krijoi kontakte, veproi si ndërmjetës në disa marrëveshje të Berlusconit dhe, pas vitit 2000, dyshohet se shërbeu si korrier parash.

Kështu, ai arriti ta bindte senatorin Sergio De Gregorio që, kundrejt tre milionë eurove, të kalonte nga koalicioni i qendrës së majtë në kampin e Berlusconit. Lavitola dhe Berlusconi u dënuan më 2015 nga instanca e parë me nga tre vjet burg për korrupsion. Në apel, gjykata e shpalli veprën të parashkruar dhe e pushoi procedurën.

Tani Lavitola gjendet sërish përballë drejtësisë – këtë herë si organizatori i dyshuar i një atentati ndaj mikut të tij më të mirë.

Para arrestimit të Lavitolës, Sigfrido Ranucci i kishte thënë gazetës “Corriere della Sera”: “Ai është një mik i vërtetë, mes nesh ka shumë mirëdashje. Shkojmë shpesh bashkë për të ngrënë, të paktën çdo dy javë.”

Ranucci deri tani nuk është shprehur drejtpërdrejt për arrestimin, por avokati i tij deklaroi se arrestimi tregon “kompleksitetin” e atentatit. /Telegrafi/

Në lumin Limmat të Zürichut gjendet një granatë dore nga ish-Jugosllavia

13 August 2026 at 17:16


Një ngjarje me rrezikshmëri të lartë ka mobilizuar autoritetet zvicerane pasditen e kësaj të enjteje në Zürich.

Specialistët e ushtrisë zvicerane për asgjësimin e mjeteve shpërthyese, në bashkëpunim me Policinë Ujore të Zürichut, kanë nxjerrë nga lumi Limmat një granatë dore funksionale, e cila ishte e prodhuar në ish-Jugosllavi, njofton policia e Zürichut.

Të enjten në mëngjes disa notues në zonën e njohur të notit në lumë Unterer Letten vërejtën në fund të lumit diçka që ngjante me një mjet shpërthyes.

Pas njoftimit, zhytësit e Policisë Ujore kryen menjëherë një zhytje kontrolluese në vendngjarje, ku konfirmuan se bëhej fjalë për një granatë dore, e cila ndodhej vetëm një metër larg bregut.

Siç është procedura standarde në raste të tilla, policia e Zürichut njoftoi komandën e specializuar të ushtrisë, raportojnë mediat.

Pasditen e së enjtes, dy ekspertë ushtarakë kryen një tjetër zhytje dhe pas ekzaminimit konstatuan se mjeti ishte një granatë dore luftarake me origjinë nga ish-Jugosllavia. Mjeti shpërthyes u nxor me sukses nga uji pak pas orës 15:30.

Instituti Forensik i Zürichut e transportoi granatën me një automjet të veçantë drejt një zone të sigurt për kryerjen e shpërthimit të kontrolluar.

Gjatë gjithë operacionit të nxjerrjes, Policia e Qytetit të Zürichut e bllokoi tërësisht zonën e prekur në Unterer Letten për arsye sigurie. /Telegrafi/

Gazeta zvicerane “20 Minuten” raporton incidentin në Kuvend: Deputetja opozitare gjuan me vezë Albin Kurtin

9 August 2026 at 09:55


Incidenti në Kuvendin e Kosovës, ku deputetja e Aleancës, Time Kadrijaj gjuajti me vezë në drejtim të kryeministrit në detyrë, Albin Kurti ka marrë vëmendje edhe në mediat zvicerane.

Gazeta zvicerane 20 Minuten ka raportuar për incidentin, duke e përshkruar si një përshkallëzim të tensioneve politike në Kosovë.

20 Minuten e ka vënë theksin te situata e tensionuar politike në Kosovë, duke e paraqitur incidentin si një shenjë të përshkallëzimit të përplasjeve mes pozitës dhe opozitës.

Incidenti ka tërhequr vëmendje edhe në mediat ndërkombëtare, duke e çuar përtej Kosovës një përplasje që ndodhi brenda sallës së Kuvendit.

Ndërkaq, ngjarja ka ndodhur të shtunën gjatë seancës konstituive të Kuvendit, ku për shkak të incidentit dhe tensioneve të krijuara në sallë, punimet e Kuvendit janë ndërprerë. /Telegrafi/



Disa të dhëna interesante të gazetës gjermane “Frankfurter Allgemeine Zeitung” mbi vizitën e presidentit të Ukrainës në Serbi

8 August 2026 at 13:39


Sipas burimeve diplomatike, në Kiev ekziston një lob që në parim e kundërshton vizitën e Zelenskyt në shtetin ballkanik me prirje proruse.

Një vizitë e Zelenskyt në Serbi pritej të zhvillohej në mesin e majit, por Kievi e shtyu atë në momentin e fundit. Vizita u dakordua sërish dhe u caktua për javën e parë të gushtit, kur më 15 korrik presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, mori pjesë në samitin e pestë Ukrainë-Evropa Juglindore në Kiev.

Ndonëse nuk ka konfirmim zyrtar, gazeta gjermane thekson se ka gjasa që mes Ukrainës dhe Serbisë do të ketë një bashkëpunim jo vetëm ekonomik, por edhe në fushën e mbrojtjes, përfshirë mundësinë e prodhimit të përbashkët të dronëve. Një bashkëpunim i tillë mund të realizohej përmes një marrëveshjeje trepalëshe: Serbia si vendprodhim, Ukraina si vendi kryesor në përdorimin e dronëve dhe Emiratet e Bashkuara Arabe si financuese.

Vizita është politikisht e ndjeshme edhe sepse, sipas sondazheve, simpatitë e popullsisë për presidentin rus Vlladimir Putin në asnjë shtet tjetër evropian nuk janë më të theksuara sesa në Serbi. Serbia është ndër pak shtetet evropiane që nuk kanë vendosur sanksione kundër Rusisë. Sipas të dhënave, ukrainasit janë të interesuar prej kohësh sidomos për prodhimin e armëve dhe municionit në Serbi.

Një rol të rëndësishëm në lidhjen mes Kievit dhe Beogradit e pati diplomati amerikan Kris Hill. “Në fillim të mandatit tim në Beograd, ambasadori ukrainas erdhi tek unë me një listë të pajisjeve ushtarake për të cilat Ukraina kishte nevojë urgjente në fushëbetejë. Ekipi i ambasadës sime verifikoi nëse serbët kishin aftësi t’i plotësonin këto kërkesa - dhe ata kishin”, kujton Hill në një bisedë telefonike me gazetën gjermane dhe shpjegon hapat e mëtejmë: “Shtetet e Bashkuara filluan të mbështesnin blerjen e sasive të konsiderueshme të municionit serb, për të cilin e dinim se nevojitej urgjentisht në Ukrainë.”

Serbia edhe sot këmbëngul se nuk i ka shitur Ukrainës kurrë as edhe një fishek të vetëm, gjë që formalisht është e vërtetë. Dërgesat shkonin te ndërmjetësit, për shembull në Poloni ose në Republikën Çeke. Prej andej ato dërgoheshin në Ukrainë pa përfshirjen e Serbisë.

Hill e përshkruan si moment kyç takimin ndërmjet Vuçiqit dhe Zelenskyt në Athinë në gushtin e vitit 2023, ku të dy presidentët kishin rënë dakord për bashkëpunim më të ngushtë dhe më pas e kishin vënë atë në praktikë. Sipas Hillit, bëhej fjalë edhe për atë që Serbia të ishte “në anën e duhur të historisë”, “edhe pse është kritikuar që nuk iu bashkua sanksioneve kundër Rusisë”.

Kush ndjek veprimtarinë ndërkombëtare të industrisë ukrainase të armatimit, ndeshet në mënyrë të pashmangshme me emrin e Oleksandr Kamishinit, ish-drejtor i hekurudhave ukrainase dhe më vonë ministër për industritë strategjike të Ukrainës. Që nga viti 2024 ai ka një rol të ri: si këshilltar i Zelenskyt për çështje strategjike, ai duhet ta lidhë industrinë ukrainase të mbrojtjes me partnerët evropianë.

Edhe në Serbi, Kamishini ka luajtur rol prapa skenave si ndërmjetës dhe koordinator. Thuhet se ai ka vizituar disa herë shtetin ballkanik gjatë viteve të fundit dhe se, bashkë me ekipin e tij, ka shqyrtuar lokacione të mundshme për një prodhim të përbashkët dronësh. Sipas burimeve të informuara, prodhimi i municionit të artilerisë ka qenë po ashtu temë e bisedimeve.

“Si ekonomia serbe, ashtu edhe ajo ukrainase kanë interes për një marrëveshje të tillë”, konfirmon Marko Çadezh, kryetar i Dhomës së Tregtisë së Jashtme të Serbisë, i cili ka bërë shumë, si publikisht ashtu edhe prapa skenave, për afrimin ekonomik mes dy shteteve.

Çadezh sheh potencial të madh rritjeje për të dy vendet, sidomos në sektorin e teknologjisë së informacionit. “Qëndrueshmëria e industrisë ukrainase të IT-së është mbresëlënëse. Edhe në kushtet e luftës, ajo arriti ta ruajë kapacitetin eksportues dhe gjatë luftës të arrijë vlerën rekord prej 7,3 miliardë dollarësh në eksporte.

Ajo e ka ruajtur reputacionin e Ukrainës si një prej vendeve kryesore evropiane për shërbime të IT-së.” Sektori serb i IT-së, ndërkaq, i përket sektorëve me rritjen më të shpejtë në Evropë. Këtu ekzistojnë mundësi për rritje të përbashkët, thekson “Frankfurter Allgemeine Zeitung”. /Telegrafi/

Joschka Fischer, 78-vjeçar në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” mbi zhvillimet dramatike në botë

6 August 2026 at 09:51


Joschka Fischer, 78-vjeçar, ish-ministër i Jashtëm i Gjermanisë në një intervistë me gazetën gjermane “Süddeutsche Zeitung” mbi zhvillimet dramatike në botë, shkruan gazetari, Enver Robelli.

Mbi marrëdhëniet transatlantike

“Fakti vendimtar është tërheqja e SHBA-së. Amerika ishte fuqia jonë mbrojtëse që nga viti 1945, por Donald Trump nuk është dikush te i cili mund të mbështetesh. Këtë ai e tregon pothuajse çdo ditë. Kësaj i shtohet edhe rikthimi i kërcënimit rus në Ukrainë. Pyetja është: Kush na mbron ne në Gjermani dhe Evropë? Përgjigja është: Këtë duhet ta bëjmë vetë”.

Mbi të ardhmen e NATO-s

Marrëdhënia transatlantike është e dëmtuar rëndë nga pikëpamja e sigurisë. Për ta thënë qartë: Nuk besoj se NATO, kështu siç është sot, do të ketë një të ardhme - fatkeqësisht, që të mos keqkuptohem. Mirëpo, braktisja e NATO-s evropiane do të ishte një gabim, dhe ne duhet patjetër t'ia lemë derën hapur edhe Kanadasë. Procedurat e konsoliduara të bashkëpunimit, planifikimi i përbashkët ushtarak: këto BE-ja nuk mund t'i zëvendësojë. (...) Na nevojitet ndërveprueshmëria, domethënë prodhim i përbashkët i armatimit, një planifikim i harmonizuar dhe përveç kësaj një kornizë institucionale.

Mbi rëndësinë e Ukrainës

Qeveria Trump e ka bërë të qartë: Një anëtarësim i Ukrainës në NATO nuk vjen në shprehje, dhe për sa kohë që NATO ekziston ende në formën e saj të tanishme, evropianët bëjnë mirë që të mos e prekin aktivisht këtë temë. Sidoqoftë, më bëri optimist fakti që evropianët dolën njëzëri në mbrojtje kur Trump e tradhtoi Ukrainën dhe luftën e saj për pavarësi e liri. Për sigurinë evropiane, Ukraina ka një rëndësi jashtëzakonisht të madhe - dhe prej kësaj do të rrjedhin hapat e mëtejshëm kur kjo luftë të ketë përfunduar një ditë. Përvoja ukrainase në luftën me dronë, përvoja e ushtrisë së saj në fushëbetejë - kjo ka një peshë të konsiderueshme. Ne duhet të gjejmë rrugë për ta lidhur ngushtë Ukrainën me Evropën.

Mbi Turqinë dhe Iranin

“Për një kohë të gjatë kam qenë mbështetës i anëtarësimit të plotë të Turqisë në BE. Sot nuk besoj më në këtë. Mirëpo, Evropa nuk mund t'ia lejojë vetes ta humbasë Turqinë. Ajo është e një rëndësie vendimtare për Evropën Juglindore, Mesdheun Lindor, si dhe për Lindjen e Afërt e të Mesme. Irani do ta ketë armën bërthamore në një moment. Veçanërisht nën përshtypjen e kërcënimit që regjimi e percepton si ekzistencial, kjo është shumë e mundshme. Dhe cili do të jetë atëherë reagimi i Arabisë Saudite, i Emirateve, i Egjiptit apo i Turqisë? Me këtë, Evropa ka një problem masiv sigurie, të cilin në këtë moment po e injorojmë tërësisht”.

Mbi ekstremizmin e majtë

„Përvoja ime është kjo: edhe ideja më e mirë do të dështojë patjetër, nëse futesh në rrugën e dhunës. (...) Kur je i ri, ke shumë gjëra në mendje, shumë ide. Dhe kështu duhet të jetë. Sepse kjo është pjesa inovative e biografisüe. Por përvoja të bën më të mençur“.

Foto: Joschka Fischer gjatë një takimi me ministren e Jashtme amerikane Madeleine Albright. Të dy kanë qenë ndër mbrojtësit më të zëshëm të intervenimit të NATO-s në Kosovë dhe përkrahësit e çlirimit të Kosovës. /Telegrafi/



Kampionia e skijimit Lara Gut-Behrami i jep fund karrierës

6 August 2026 at 08:13


Në një njoftim të papritur që shënon fundin e një prej karrierave më të lavdishme në historinë e sportit dimëror, kampionia zvicerane e skijimit, Lara Gut-Behrami, ka vendosur t'i japë fund karrierës së saj profesionale.

Siç raporton mediumi publik zviceran SRF, përpjekjet ose shpresat e tifozëve për një rikthim të mundshëm në pistë janë shuar përfundimisht, pasi skiatorja ka konfirmuar tërheqjen nga sporti.

Lara Gut-Behrami largohet nga skijimi alpin si një nga ikonat më të mëdha të këtij sporti. Gjatë një karriere me arritje të jashtëzakonshme, ajo ka fituar titullin e kampiones së botës, kupa të shumta të botës, si dhe medalje të arta olimpike, duke shkruar emrin e saj me shkronja të arta në historinë e sportit helvetik.

Kjo kampione e madhe është gjithashtu mjaft e njohur edhe për publikun shqiptar, pasi ajo është bashkëshortja e ish-kapitenit të njohur të kombëtares zvicerane të futbollit me origjinë nga Kosova, Valon Behrami.

Çifti, i cili kurorëzoi dashurinë e tyre në martesë vite më parë, ka qenë vazhdimisht në qendër të vëmendjes së mediave për mbështetjen e ndërsjellë në karrierat e tyre sportive.

Pavarësisht kërkesave të mëdha fizike e psikologjike të skijimit elitar, Gut-Behrami arriti të mbante një nivel kulmor konkurrues për më shumë se një dekadë.

Tërheqja e saj shënon mbylljen e një kapitulli të artë për skijimin zviceran dhe atë botëror, ndërsa skitorja pritet t'i përkushtohet jetës familjare dhe projekteve të reja personale jashtë pistave të borës. /Telegrafi/

Mbi 10 orë pritje për të hyrë në Kroaci - mijëra mërgimtarë përballen me një dramë të vërtetë

2 August 2026 at 13:40


Mijëra mërgimtarë kanë mbetur të bllokuar në vetura, shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe pa mundësi për të përdorur tualetin, ndërsa përballen me pritje të gjata në kufirin mes Malit të Zi dhe Kroacisë. Cilat janë alternativat për t’iu shmangur kolonave?

Siç njoftojnë mediat kroate, para pikës kufitare Karasoviqi – Debeli Brijeg është krijuar një kolonë prej rreth 20 kilometrash në anën e Malit të Zi. Mijëra njerëz, mes tyre shumë mërgimtarë nga Kosova, po presin për të hyrë në Kroaci dhe për të vazhduar rrugën drejt Zvicrës, Gjermanisë, Austrisë dhe vendeve të tjera të Evropës Perëndimore.

Sipas Autoklubit Kroat, udhëtarët po presin deri në 10 orë. Portali kroat Index.hr njofton se, sipas informatave jozyrtare, pritjet në kufi kanë arritur deri në 28 orë. E mbingarkuar është edhe pika tjetër kufitare Kobila/Konfin, ku gjithashtu janë regjistruar pritje jashtëzakonisht të gjata.

Qarkullimi pothuajse është paralizuar. Sipas mediave kroate, kolonat e gjata në pikat kufitare Debeli Brijeg dhe Konfin janë pasojë e rritjes së jashtëzakonshme të trafikut tranzit, procedurave të reja kufitare dhe kapaciteteve të kufizuara të pikave të kalimit.

Të bllokuar kanë mbetur edhe banorët e rajonit të Konavles, të cilët kthehen nga puna, shkojnë në shtëpi apo përpiqen të kryejnë aktivitetet e tyre të përditshme.


Kryetari i Komunës së Konavles, Bozho Lasiq, paralajmëroi se zona është praktikisht e paralizuar. Ai theksoi se zyrtarët policorë po bëjnë përpjekje për të lehtësuar bllokimet, por janë të kufizuar nga procedurat e reja kufitare, numri i korsive në dispozicion dhe kapaciteti i përgjithshëm i pikës së kalimit.

Pritjet me orë të tëra përbëjnë një problem të veçantë për shkak të temperaturave të larta. Udhëtarët mbeten të bllokuar në vetura, shpesh pa ujë të mjaftueshëm dhe pa mundësi për të përdorur tualetet, duke krijuar rrezik shtesë për shëndetin dhe sigurinë.

Për këtë arsye, është organizuar një kamion-cisternë me ujë të pijshëm për t’u ardhur në ndihmë udhëtarëve dhe banorëve të zonës që qëndrojnë me orë të tëra në kolona.

Lasiq kërkoi nga institucionet kompetente masa urgjente dhe një organizim më të mirë të trafikut në kufi. Ai tha se mbrojtja e kufirit shtetëror dhe kontrollet e sigurisë duhet të mbeten prioritet, por nuk duhet lejuar që banorët e Konavles të mbeten të shkëputur nga shtëpitë e tyre dhe të detyrohen të presin me orë të tëra në rrugë, edhe pse nuk po kalojnë kufirin.

Për shkak të pritjeve të gjata në pikën kufitare Karasoviqi dhe kolapsit të trafikut në Konavle, është aktivizuar Shtabi i Mbrojtjes Civile i Komunës së Konavles.

Alternativat për udhëtarët

Një alternativë për shmangien e kolonave është udhëtimi përmes Bosnjë dhe Hercegovinës. Pranë Herceg Novit, ku po presin shumë prej mërgimtarëve nga viset shqiptare, ndodhen dy pika kufitare: Sitnica/Zupci (në drejtim të Trebinjes) dhe Ilino Brdo/Klobuk (në drejtim të Nikshiqit).

Mediat malazeze kanë njoftuar se edhe në pikën kufitare Sitnica/Zupci janë regjistruar kolona të gjata, por situata nuk është aq dramatike sa në pikat kufitare me Kroacinë.

Nëpër Bosnjë-Hercegovinë mund të udhëtojnë qytetarët e Kosovës që kanë shtetësi të vendeve perëndimore. Personat me vetëm shtetësi të Kosovës duhet të kenë vizë për të kaluar tranzit.

Një alternativë tjetër është kthimi drejt Durrësit dhe udhëtimi me traget drejt porteve italiane Bari, Brindisi ose Ankona. /Telegrafi/

❌