Gjatë afatit kalimtar dimëror, Juventusi zhvilloi disa bisedime për afrimin e një sulmuesi të ri, por në fund mbeti pa përforcim në qendër të sulmit.
Trajneri Luciano Spalletti, pas fitores 3-0 ndaj Napolit, pranoi se skuadra kishte nevojë për një profil ndryshe nga Jonathan David dhe Lois Openda – një sulmues që mban topin dhe krijon hapësira për repartin ofensiv.
Pavarësisht kërkesës për një qendërsulmues, bardhezinjtë përfunduan afatin duke afruar anësorin Jeremie Boga dhe mbrojtësin e djathtë Emil Holm. Një sulmues i ri nuk u sigurua, pavarësisht përpjekjeve në disa fronte.
Mateta, objektivi i parë që dështoi
Emri i parë në listë ishte Jean-Philippe Mateta i Crystal Palace. Juventusi synonte një huazim me opsion blerjeje që mund të bëhej i detyrueshëm, por klubi anglez kërkonte vetëm transferim të përhershëm.
Mospajtimi për formulën e marrëveshjes bëri që bisedimet të dështojnë. Ai pastaj dështoi edhe t'i kalojë testet mjekësore te Milani.
En-Nesyri dhe refuzimi i lojtarit
Alternativa e radhës ishte Youssef En-Nesyri i Fenerbahçes. Edhe pse Juventusi arriti marrëveshje me klubin turk, sulmuesi maroken nuk pranoi të largohej me huazim, duke bllokuar transferimin.
Ai donte një transferim të përhershëm hap që Juventusi nuk ishte i gatshëm ta merrte.
Icardi dhe pista që nuk u konkretizua
Kontaktet me Galatasarayn për Mauro Icardin nuk hynë kurrë në një fazë serioze. Ideja u diskutua, por pa hapa konkretë drejt një marrëveshjeje.
Ai mbetet te gjiganti turk, edhe pse Spalletti ishte gati ta ofronte, pasi kishte punuar me të te Interi.
Kolo Muani, shpresa e fundit
Randal Kolo Muani ishte emri i fundit i diskutuar. Juventusi shpresonte ta rikthente në Torino, por Tottenham refuzoi të ndërpriste huazimin e sulmuesit nga PSG, duke mbyllur përfundimisht këtë pistë.
Ai kishte shkëlqyer te Juventusi dhe gjatë verës u punua shumë për të, por shuma e kërkuar nga PSG ishte e lartë për Zonjën e Vjetër.
Aktualisht, Jonathan David dhe Lois Openda janë të vetmit sulmues qendrorë në dispozicion të Spallettit. Dusan Vlahovic pritet të rikthehet nga lëndimi brenda një muaji, përpara largimit të tij të mundshëm nga Juventusi në fund të kontratës në qershor. /Telegrafi/
Zëvendësministri i Ekonomisë dhe Punës, Marjan Risteski, ka deklaruar se Qeveria nuk është kundër rritjes së pagës minimale.
Ai theksoi se Qeveria mbetet e përkushtuar ndaj dialogut social trepalësh në kuadër të Këshillit Ekonomik-Social (KES) dhe se është e hapur për diskutim transparent për të gjitha çështjet.
“Sipas zgjidhjes sistematike që është miratuar në kuadër të KES-it dhe me mbështetjen e Lidhjes së Sindikatave, paga minimale rregullohet sipas një formule të miratuar disa vite më parë. Atëkohë, kjo zgjidhje u paraqit si një fitore e madhe, duke garantuar rritje të pagës minimale pa ndërhyrje administrative apo politike. Sot, i njëjti subjekt ka ndryshuar plotësisht narrativën, duke kërkuar rritje prej 50 për qind jashtë kësaj formule ligjore, pavarësisht stabilizimit të ekonomisë dhe inflacionit prej 4 për qind. Këto kërkesa, pa marrë parasysh produktivitetin e punës si tregues kyç ekonomik, janë pa logjikë ekonomike,” deklaroi Risteski.
Ai shtoi se krahasimet e thjeshta me shtetet e tjera mund të krijojnë një pasqyrë të shtrembëruar, pasi çdo ekonomi ka strukturën dhe veçoritë e saj. Ai vlerësoi se zgjidhja e çështjeve ekonomike kërkon një qasje serioze.
“Ekonomia e Maqedonisë së Veriut karakterizohet nga një strukturë specifike, ku mbi 90 për qind e kompanive janë mikro, të vogla dhe të mesme, si dhe zejtarë dhe tregtarë individualë, të cilët punësojnë pjesën më të madhe të fuqisë punëtore dhe do të preken drejtpërdrejt nga këto vendime. Po ashtu, sektorët intensivë të punës, si industria e tekstilit dhe ajo e lëkurës, ku paga minimale është më e përhapur, mund të rrezikohen seriozisht nga rritje të pamenduara. Si Qeveri, mbetemi të përkushtuar në zbatimin e politikave që forcojnë ekonominë dhe rrisin standardin jetësor, por kjo nuk arrihet përmes vendimeve ad-hok apo ndërhyrjeve administrativo-politike. Paga minimale duhet të rritet në mënyrë sistematike, të qëndrueshme dhe në përputhje me realitetet ekonomike,” deklaroi Risteski.
Manchester United ka konfirmuar se edhe një tjetër lojtar është larguar nga klubi pas mbylljes së afatit kalimtar dimëror.
Katër javë me radhë thashetheme për transferime përfunduan të hënën në mbrëmje, kur u mbyll zyrtarisht afati kalimtar dimëror i vitit 2026.
Edhe pse ky afat ishte relativisht i qetë për shumicën e klubeve, disa skuadra angleze ishin mjaft aktive gjatë muajit janar, me Manchester Cityn, Tottenhamin dhe Crystal Palace që realizuan disa marrëveshje.
Ndërkohë, Manchester United ishte ndër klubet që vendosën të mos transferonin asnjë lojtar gjatë afatit dimëror, teksa klubi po përshtatet me realitetin e ri pas shkarkimit të ish-trajnerit Ruben Amorim.
Megjithatë, kjo nuk e pengoi klubin që të lejonte largimin e disa lojtarëve, pasi ka konfirmuar se edhe një tjetër futbollist është larguar nga United pas mbylljes së afatit kalimtar.
Afati kalimtar dimëror u mbyll zyrtarisht të hënën, por 14 orë më vonë, United publikoi një njoftim duke bërë të ditur se Sekou Kone është larguar nga klubi në formë huazimi deri në fund të sezonit.
Në pritje të miratimit ndërkombëtar, mesfushori i ri do t’i bashkohet skuadrës së Superligës së Zvicrës, Lausanne-Sport, me synimin që të ketë minuta të rregullta në ekipin e parë.
Lausanne aktualisht renditet në vendin e shtatë në tabelën me 12 skuadra, pas 22 ndeshjesh të zhvilluara, ndërsa Manchester United shpreson që Kone të ndihmojë ekipin zviceran të largohet nga pesë vendet e fundit, të cilat do të duhet të garojnë në raundin e mbijetesës.
20-vjeçari mund të paraqitet gjithashtu në ndeshjen e “play-off”-it të Ligës së Konferencës të Lausanne-Sport kundër Sigma Olomouc.
Mesfushori i talentuar, përfaqësues i moshave të reja të Malit, ende nuk ka debutuar me ekipin e parë të Manchester United, por sezonin e kaluar ishte i përfshirë në bankinë në tri ndeshje të Ligës Premier./Telegrafi/
Rusët ndërmorën një sulm ndaj qytetit të Kharkivit duke përdorur dronë të tipit Shahed.
Sipas raportimeve paraprake, një nga këta dronë goditi drejtpërdrejt një ndërtesë banimi shumëkatëshe, çka çoi në shpërthimin e një zjarri të madh.
Flakët përfshinë disa kate të godinës, duke shkaktuar panik te banorët dhe dëme të konsiderueshme materiale.
Ekipet e emergjencës ndërhynë për të shuar zjarrin dhe për të evakuuar banorët, ndërsa autoritetet po vlerësojnë pasojat e sulmit.
Ndërkohë, sulmi vjen në një kohë kur pritet të vazhdojnë bisedimet trepalëshe mes Shteteve të Bashkuara, Ukrainës dhe Rusisë, me synimin për të ulur tensionet dhe për të gjetur një rrugë drejt armëpushimit.
Ndryshe, Rusia gjatë fundjavës së kaluar kishte pranuar një armëpushim disa ditor duke u zotuar se nuk do të sulmojë vetëm infrastrukturën energjetike. /Telegrafi/
Bad Bunny i çoi fansat në eufori gjatë ceremonisë së çmimeve Grammy 2026, pasi u shfaq me një unazë shkëlqyese që ndezi menjëherë spekulime për fejesë në rrjetet sociale.
Megjithatë, sipas TMZ, një burim i afërt me situatën thotë se superylli 31-vjeçar nuk është i fejuar, pavarësisht se përdoruesit e rrjeteve sociale u përqendruan te bizhuteria dhe ngritën dyshime nëse këngëtari i kishte propozuar fshehurazi një partnereje misterioze.
Spekulimet shpërthyen pothuajse menjëherë, pasi unaza ishte e dukshme gjatë gjithë mbrëmjes, duke i shtyrë fansat të hedhin teori për një romancë sekrete.
Por media raportoi se aksesori nuk kishte asnjë kuptim të fshehtë.
Ishte thjesht një dhuratë luksoze nga Cartier, “jo një unazë fejese, jo një trashëgimi familjare dhe jo e lidhur me ndonjë marrëdhënie të fshehtë”.
Burimi shtoi se Bad Bunny zgjodhi ta mbante këtë aksesor të spikatur në ceremoninë e ndarjes së çmimeve, ku fitoi edhe tre trofe të tjerë, për shkak të dashurisë së tij për modën.
Përfshirja e Miroslav Lajçakut në dosjen Epstein nuk e komprometon procesin e normalizimit të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, të cilin ai e ka ndërmjetësuar për pesë vjet.
Kështu vlerësojnë zyrtarët evropianë, duke insistuar se lidhjet e Lajcakut nuk kanë pasur ndikim në dialog.
“Kur bëhet fjalë për dialogun si të tillë, ai mbetet i paprekur nga zhvillime të tilla. Dialogu është një proces i qëndrueshëm që nga viti 2011, i cili është në pronësi të palëve dhe udhëhiqet nga Përfaqësuesi i Lartë. Gjithashtu, dialogu mbikeqyret vazhdimisht nga shtetet anëtare", tha Anitta Hipper, zëdhënëse e BE-së.
Në dokumentet e publikuara nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, emri i Lajçakut përmendet qindra herë.
Sipas këtyre dokumenteve, në komunikimet me Jeffrey Epstein – i dënuar për krime seksuale – Lajçak ka diskutuar një sërë temash, nga çështje gjeopolitike deri te ato personale, përfshirë edhe gratë dhe vajzat e reja që, sipas dokumenteve, Epstein i ofronte në pronat e tij për persona të fuqishëm nga skena amerikane dhe ndërkombëtare.
Në një nga komunikimet, Lajçak shprehet se e pëlqen ministrin e Jashtëm rus, Sergej Lavrov.
Lajçak fillimisht kishte mohuar se kishte pasur kontakte me Jeffrey Epstein, por më pas u detyrua të dorëhiqej nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, pasi dolën prova konkrete që dëshmonin të kundërtën.
Për më shumë se dy dekada, Miroslav Lajçak ka qenë i angazhuar në Ballkanin Perëndimor në emër të Bashkimit Evropian.
Procesin e dialogut Kosovë–Serbi e ka menaxhuar për pesë vjet, deri në fillim të vitit 2025. Jo rrallë është përballur me akuzua për njëanshmëri në proces.
Prokuroria e Durrësit ka lëshuar dhjetëra masa sigurie pas përfundimit të hetimit lidhur me mbetjet e rrezikshme të nisura nga porti i Durrësit.
Burime bëjnë me dije se bëhet fjalë për 33 masa sigurie për mbetjet e kompanisë “Kurum” të nisura rreth 1 vit më parë nga porti më i madh në vend, mes të cilëve janë zyrtarë të doganave dhe mjedisit si dhe biznesmenë drejtues të kompanisë.
Nga këto, 26 masa janë “arrest me burg”, ndërsa 7 masa janë “arrest shtëpie”.
Masat e sigurisë
Erdal Demir Administratori i “Kurum International” në arrest me burg
Yusuf Sezai Kurum Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg
Gjovana Sokolaj Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg
Doni Sokolaj Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg
Olizana Pemati Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg
Mujo Ilazaj Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg
Rami Bunga Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg
Harun Sarica Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg
Arif Shkalla Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg
Shaban Hyseni Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg
Mirjeta Zotaj Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak
Mikail Hila Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg
Mbarime Koroci Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg
Nazif Bajrami Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg
Andon Prifti Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg
Petrit Qosja Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg
Julian Kapedani Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Indrit Likaj Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Helidon Lila Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Edmond Voda Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Shkëlqim Jakupi Dega e Doganës Durrës në arrest me burg
Florian Çimo Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg
Gazmend Sina Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg
Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg
Arta Dollani Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak
Marjeta Përlala Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak
Dritan Seferaj Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM në arrest me burg
Kledina Skendo Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
B.T Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
Evis Mellonashi Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak
Kejdi Ahmetaj Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg
Iva Musa Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak
Xhulio Golgota Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg
Rreth 2,100 tonë total metrikë mbetjesh të dyshuara të rrezikshme të paketuara në 102 kontejnerë u kthyen në vendin e tyre të origjinës, Shqipëri, më 27 tetor 2024, nëpërmjet portit italian të Gioia Tauro pasi të kenë lundruar të gjithë.
Grupi mbikëqyrës ndërkombëtar, Basel Action Network (BAN), pas një informacioni nga një sinjalizues, paralajmëroi Shqipërinë, disa vende tranziti dhe vendin e synuar të Tajlandës për dërgesën masive.
Pas paralajmërimit, qeveria e Tajlandës refuzoi importin dhe BAN më pas mori garanci nga linjat e transportit të përfshirë – Maersk dhe Kompania Mesdhetare e Transportit (MSC) se do të siguronin kthimin e sigurt të kontejnerëve në portin e tyre origjinal të shkarkimit – Porti i Durresit ne Shqiperi.
Në një letër të dytë drejtuar qeverisë, BAN i bëri thirrje edhe një herë Shqipërisë që në mënyrë transparente të mostrojë dhe testojë mbetjet e rrezikshme të dyshuara dhe të ndajë një kampion të ndarë me BAN. BAN është gati të mbërrijë në Durrës për të marrë pjesë në vëzhgimin dhe marrjen e një kampioni të ndarë pas mbërritjes së anijes në Shqipëri. /euronews/
KF Ballkani përmes një njoftimi zyrtar në rrjetet sociale, ka bërë me dije se kanë transferuar mesfushorin e njohur Toni Domgjoni.
Domgjoni ka zhvilluar karrierën e tij kryesisht në Zvicër dhe në Kroaci, teksa eksperienca e tij e fundit ka qenë në Malajzi.
27-vjeçari së fundmi ishte pjesë e Selangor teksa te Ballkani tani është transferuar si lojtar i lirë pasi ishte futbollist pa kontratë.
Në të kaluarën ai ka luajtur gjithashtu edhe për klube si Koper në Slloveni, Vitesse, Zurich, Slaven Belupo dhe Koprivnica.
Te Ballkani ai do të mbajë fanellën me numrin 20 dhe pritet të jetë një armë e fortë në objektivat e klubit këtë sezon.
Kujtojmë se Domgjoni është gjithashtu edhe një reprezentues i Kosovës, pasi me ‘Dardanët’ numëron rreth katër paraqitje dhe ka një gol të shënuar./Telegrafi/
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka aprovuar ankesën e Listës Serbe kundër vendimit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve që nuk shpalli rezultatet përfundimtare për këtë parti.
PZAP ka vendosur që të shpallet rezultati përfundimtar për këtë parti dhe kandidatët e saj.
Sipas vendimit, PZAP bën të ditur se pas shqyrtimit të shkresave të lëndës si dhe arsyetimit të KQZ-së të përmbajtur në vendimin e ankimuar të datës 31.01.2026, me numër protokolli Nr.01/156/2026, vlerëson se një qëndrim i tillë nuk mund të pranohet si i drejtë dhe i ligjshëm, pasi është në kundërshtim me dispozitat ligjore të Ligjit për Zgjedhjet e përgjithshme LZp.
Vendimin e PZAP-së mund ta shikoni këtu. /Telegrafi/
Drejtori i Institutit “Octopus”, Arben Fetoshi, ka deklaruar se ngjarjet e 3 dhe 4 shkurtit 2000 në veri të Mitrovicës përbëjnë një krim të organizuar të spastrimit etnik, i cili edhe pas 26 vjetësh mbetet pa aktakuzë dhe pa përgjegjësi penale.
Në një reagim përvjetor, Fetoshi tha se ajo që dëshmitarët e përshkruajnë si “nata e tmerrit” ishte një operacion i planifikuar, i maskuar si “huliganizëm”, ku shqiptarët u sulmuan brenda shtëpive të tyre me bomba, snajperë dhe armë automatike, nën vëzhgimin e Policisë së UNMIK-ut dhe trupave franceze të KFOR-it.
Sipas tij, gjatë kësaj nate u vranë 10 qytetarë shqiptarë, përfshirë gra, fëmijë dhe të moshuar, u plagosën 25 të tjerë dhe 93 persona u keqtrajtuan fizikisht, ndërsa qëllimi ishte i qartë: dëbimi i shqiptarëve nga veriu i qytetit, nën thirrjet “asnjë shqiptar në veri”.
Fetoshi theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë erdhi pas dështimit të operacionit “Patkoi” dhe kapitullimit të Serbisë në qershor të vitit 1999, duke e cilësuar atë si hakmarrje dhe strategji të re politike të regjimit të Millosheviqit. Ai vlerësoi se dëbimi i rreth 12 mijë shqiptarëve drejt jugut të qytetit, në prani të forcave ndërkombëtare, ishte pjesë e një skenari për “sekjuritizimin” e veriut dhe shndërrimin e tij në zonë të veçantë sigurie.
Sipas drejtorit të Institutit “Octopus”, kjo qasje u shfrytëzua nga Serbia për konsolidimin, armatosjen dhe institucionalizimin e strukturave ilegale, të cilat më vonë u shndërruan në struktura hibride për sabotimin e Kosovës. Ai e lidhi drejtpërdrejt “natën e tmerrit” me zhvillimet e mëvonshme të sigurisë, përfshirë sulmin e armatosur në Banjskë më 2023 dhe sulmin terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit më 2024.
Duke folur për aspektin e drejtësisë, Fetoshi tha se masakra e Mitrovicës është një krim i dokumentuar me qindra dëshmi dhe pamje, por pa asnjë të dënuar. Ai përmendi procesin gjyqësor ndaj Oliver Ivanoviqit dhe disa të tjerëve, si i vetmi rast që ka përfshirë ngjarjet e shkurtit 2000, por që, sipas tij, nuk çoi në identifikimin e përgjegjësve. Procesi përfundoi pa epilog, veçanërisht pas vrasjes së Ivanoviqit në janar 2018.
Fetoshi rikujtoi gjithashtu se Kryeministri Albin Kurti, me rastin e 25-vjetorit të ngjarjeve, i kishte dërguar një letër zyrtare Përfaqësueses së Lartë të BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, duke kërkuar hetim të plotë dhe gjithëpërfshirës, por pa asnjë përgjigje konkrete.
“Përkujtimet dhe thirrjet për drejtësi vazhdojnë të mbyten në pellgun e të panjohurës”, tha Fetoshi, duke shtuar se mesazhi i “natës së tmerrit” në Mitrovicë mbetet ende kërcënues për aq kohë sa autorët janë të pandëshkuar dhe krimi pa përgjigje.
Karim Benzema ka publikuar një deklaratë në rrjetet sociale pas transferimit të tij kontrovers nga Al Ittihad te Al Hilal, një lëvizje që raportohet se ka shtyrë Cristiano Ronaldon të hyjë në grevë te Al Nassr.
Benzema nënshkroi me Al Hilal në ditën e fundit të afatit kalimtar (2 shkurt), pasi kishte regjistruar 54 gola dhe 17 asistime për ish-klubin e tij, Al Ittihad, që nga ardhja nga Real Madridi në vitin 2023.
Al Hilal aktualisht kryeson në Superligën e Arabisë, duke qenë vetëm një pikë përpara Al Nassr të Cristiano Ronaldos pas 19 ndeshjesh të luajtura në kampionat.
Ardhja e 38-vjeçarit thuhet se e ka irrituar Ronaldon, i cili, sipas Sky Neës, dyshohet se ka hyrë në grevë përpara fitores 1-0 të ekipit të tij ndaj Al Riyadh të hënën.
Pakënaqësitë e Ronaldos raportohet se lidhen me mënyrën se si po menaxhohet klubi, me fituesin pesë herë të Topit të Artë që ndjen se klubet e tjera në Arabinë Saudite, të mbështetura nga Fondi i Investimeve Publike (PIF), po trajtohen në mënyrë preferenciale në tregun e transferimeve.
Pavarësisht qëndrimit të supozuar të Ronaldos, Benzema do të luajë për Al Hilal dhe pritet të rrisë ndjeshëm shanset e klubit për të fituar titullin e Superligës së Arabisë për sezonin 2025/26.
Pas konfirmimit të transferimit nga Al Hilal, Benzema iu drejtua rrjeteve sociale për të falënderuar stafin e klubit, tifozët dhe tashmë ish-shokët e skuadrës.
Al Ittihad, This chapter comes to an end, but the respect and gratitude will always remain.
Thank you to the club, the staff, my teammates, and especially the fans for the welcome, the love, and the energy you gave me every day.
“Al Ittihad, ky kapitull po mbyllet, por respekti dhe mirënjohja do të mbeten gjithmonë”.
“Faleminderit klubit, stafit, shokëve të skuadrës dhe mbi të gjitha tifozëve për pritjen, dashurinë dhe energjinë që më dhatë çdo ditë”.
“Kjo rrugë më dha shumë, si në aspektin personal ashtu edhe profesional. Largohem me kokën lart, krenar që kam veshur këto ngjyra dhe për gjithçka që kemi ndarë së bashku. Ju uroj gjithë të mirat për të ardhmen”, ka shkruar Benzema./Telegrafi/
Gjykata Themelore në Pejë, departamenti i Përgjithshëm – Divizioni Penal, me gjyqtaren e vetme gjykuese Blerta Kelmendi, ka shpallur aktgjykimin përmes video-lidhjes/video-incizimit, ndaj të pandehurit E.K., për veprat penale “Vjedhje e rëndë” dhe “Vjedhja”.
Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se gjykata e ka shpallur të pandehurin fajtor për pikat III dhe IV të aktakuzës dhe pas unifikimit të dënimeve e ka dënuar me dënim unik me gjobë 800 (tetëqind) euro dhe dënim unik me burgim në kohëzgjatje prej 3 (tri) vite e 4 (katër) muaj, në të cilin i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim nga data 02.07.2025.
Për pikat I, II dhe V të aktakuzës, gjykata ka refuzuar akuzën në bazë të dispozitave ligjore përkatëse, meqenëse Prokurori i Shtetit ka hequr dorë nga aktakuza.
Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej 30 (tridhjetë) ditësh nga dita e pranimit të aktgjykimit me shkrim. /Telegrafi/
Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar sot 26-vjetorin e natës së 3 dhe 4 shkurtit 2000, kur forcat policore të Serbisë, në bashkëpunim me grupin paraushtarak kriminal të njohur si “Rojet e urës”, kryen spastrim etnik në pjesën veriore të Mitrovicës, duke dëbuar me dhunë mijëra shqiptarë nga shtëpitë e tyre.
Sipas Kurtit, nën kërcënimin e armëve dhe vdekjes, shqiptarët u detyruan të largohen drejt jugut të lumit Ibër, ndërsa gjatë këtij aksioni kriminal u vranë 10 qytetarë shqiptarë dhe u plagosën 25 të tjerë.
Ai përmendi edhe emrat e viktimave të asaj nate tragjike, nga mosha 13 deri në 65 vjeç.
Kryeministri në detyrë theksoi se spastrimi etnik në Mitrovicë ndodhi vetëm shtatë muaj pas çlirimit të Kosovës, në një periudhë kur në vend ishin të pranishme forcat paqeruajtëse dhe administrata ndërkombëtare.
Megjithatë, gjatë shkurtit të vitit 2000, përmes strukturave të saj të sigurisë, Serbia arriti të dëbojë nga Mitrovica 1.564 familje shqiptare, me gjithsej 11.364 anëtarë.
“Edhe sot, 26 vjet më pas, drejtësia për këtë krim mbetet e paplotë”, theksoi Kurti, duke shtuar se viktimat dhe familjet e dëbuara vazhdojnë të përballen me pasojat e rënda të humbjeve dhe dëmeve të pësuara.
Ai vuri në pah se për më shumë se dy dekada, mijëra shqiptarë të dëbuar nga Mitrovica nuk kanë mundur të kthehen në shtëpitë dhe pronat e tyre, ndërsa kthimi ka filluar vetëm vitet e fundit, pas shtrirjes së sovranitetit, sundimit të ligjit dhe kontrollit institucional në veri të vendit.
Sipas tij, gjatë katër viteve të fundit janë ndërtuar dhe rindërtuar mbi 150 shtëpi në katër komunat veriore, ndërsa si shembull përmendi rastin e Mustafë Behramit, i cili në vitin 2024 u kthye për të jetuar me familjen në shtëpinë e ndërtuar nga Qeveria e Kosovës.
Kurti theksoi se sot, ndryshe nga viti 2000, Mitrovica është qytet ku jetojnë së bashku qytetarë të të gjitha komuniteteve, nën angazhimin e institucioneve për barazi, ligjshmëri dhe sundim të ligjit.
Ministria e Shëndetësisë në Maqedoninë e Veriut ka dalë me kumtesë lidhur me temën aktuale në publik rreth dërgimit të mostrave të trurit njerëzor në SHBA.
Nga Ministria e Shëndetësisë thonë se ata nuk kanë kompetenca të drejtpërdrejta në zbatimin e aktiviteteve kërkimore shkencore.
"Nga Fakulteti i Mjekësisë jemi informuar se puna kërkimore shkencore në lidhje me materialin biologjik që përmban karakteristika gjenetike i nënshtrohet rregullimit normativ rigoroz, siç është Ligji për Veprimtarinë Kërkimore Shkencore, Rregullorja për Studimet Klinike, Udhëzimet për Procedurën e Transferimit dhe Transportit të Materialeve Biologjike, si dhe Metoda e Paketimit dhe Etiketimit të Materialeve Biologjike".
"Gjithashtu theksojmë se në periudhën e treguar kohore, detyrimi ligjor për të ruajtur këtë dokumentacion ishte 15 vjet, dhe nga viti 2018 e tutje, detyrimi ligjor për të ruajtur dokumentacionin është 25 vjet.
"Procedura për transportimin e indeve gjatë asaj periudhe kohore përbëhej nga: Pëlqimi i informuar i familjes, i ndjekur nga një vendim nga Komiteti i Etikës për Kërkime Njerëzore, që procedura të vazhdonte me një leje për eksportin e indeve nga Byroja e atëhershme e Barnave, e cila saktësisht thotë se indi është për kërkime shkencore dhe për çfarë qëllimesh përdoret materiali", thonë nga MSH.
"Gjithashtu sqarojmë se kur bëhet fjalë për eksportin e materialit biologjik, përpara se të fillojë vetë procedura, është e nevojshme që institucionet shkencore në vend dhe jashtë vendit, të cilat kërkojnë miratim për eksportin e materialit biologjik, të kenë të lidhur një marrëveshje formale (memorandum), ku specifikohen protokollet e detajuara në përputhje me rregulloret dhe kuadrin normativ të sotëm - kushte të përcaktuara në mënyrë strikte ku çdo trajtim i materialit biologjik trajtohet saktësisht, si dhe pse kryhet hulumtimi, për të deklaruar qartë trajtimin e materialit biologjik, siç është mbledhja, transporti, marrja në dorëzim nga institucioni dhe trajtimi i mëtejshëm", thonë nga MSH.
Ndryshe, në lidhje me aferën Epstein, në disa dokumente përmendej se Maqedonia ka qenë vend prej ku janë transportuar tru i njerëzve që kanë bërë vetëvrasje në SHBA për hulumtime shkencore./Telegrafi/
Me arkitekturë guximtare, mikpritje të nivelit botëror dhe infrastrukturë të re që po përshpejton zhvillimin e zonës, bregdeti verior i Shqipërisë, i pasur me plazhe, mund të shndërrohet në frontierën e fundit super-prime të pasurive të paluajtshme në Adriatik.
Në pikën më të ngushtë të Ngushticës së Korfuzit, distanca mes Shqipërisë dhe njërit prej ishujve më të frekuentuar turistikë të Greqisë është pak më shumë se një milje. Mjaftueshëm afër që, në një mbrëmje të qetë vere, të dëgjohen lehje qensh, zhurma motorësh dhe zëra të paqartë bisedash. Megjithatë, për shumëkënd, Shqipëria mbetet ende një mister.
Është një vend që pavarësisht se rrethohet nga destinacione mesdhetare pushimesh me histori të gjatë dhe nga disa më të reja në Ballkan, përfshirë Malin e Zi ende po përpiqet të afirmojë veten në këtë shekull, pasi për gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ka qenë i izoluar nën një diktaturë komuniste.
Megjithatë, disa pjesë të vijës bregdetare shqiptare, e cila shtrihet rreth 300 milje, tashmë janë zbuluar dhe po zhvillohen me shpejtësi. Dhe kjo nuk është për t’u habitur, kur gjiret e qeta me zhavorr të Rivierës Shqiptare në jug të vendit ndajnë të njëjtin det me një blu po aq mbresëlënëse sa ajo e Korfuzit.
Sapo Shqipëria nisi të hapte kufijtë për të huajt në vitin 1991, pas vdekjes së diktatorit Enver Hoxha në vitin 1985 dhe dobësimit të regjimit, qytetet bregdetare të jugut Saranda, Dhërmiu, Ksamil, filluan të tërheqin udhëtarë që kërkonin destinacione jashtë rrugëve të zakonshme.
Bregdeti i veriut të Shqipërisë, megjithatë, mbetet ende pak i njohur për shumicën jashtë rajonit. Deri në fillim të viteve ’90, as vetë shqiptarët nuk lejoheshin t’i afroheshin detit në këtë zonë. Sot, qyteti bregdetar i Shëngjinit i njohur për perëndimet e tij të diellit është një destinacion i preferuar për banorët e Tiranës, vetëm pak më shumë se një orë larg me makinë, si dhe për familjet që vijnë për ditë nga Kosova fqinje.
Por ndjesia e eksplorimit të së panjohurës mbetet ende e fortë, ndërsa udhëton pak më në veri përgjatë rrugës Rruga Riviera drejt Ranës së Hedhun një dunë gjigante që ngrihet deri në pyje me pisha, duke i dhënë emrin që do të thotë “rërë e hedhur”.
Pikërisht në këtë zonë, në një vend me izolim të paprekur dhe qetësi absolute, po merr formë projekti i parë luksoz i rajonit - Dukagjini Resort - i shtrirë në një sipërfaqe prej 27 hektarësh, që zbret nga kodrat shkëmbore drejt një plazhi me rërë të artë.
Ky është projekti i parë në Shqipëri i zhvilluesve kosovarë të Dukagjini Group. Arkitekti i tij është Chris Precht, nga studioja eksperimentale austriake Studio Precht, e fokusuar në arkitekturë ekologjike. Ai tashmë është bërë i njohur në Shqipëri për dizajnet e tij eksperimentale që përdorin materiale natyrore me ndikim minimal në mjedis, përfshirë edhe instalacionin Eden Park në zyrën e kryeministrit Edi Rama. Precht është gjithashtu vizionari pas projektit The Northern, pranë Shëngjinit, në bashkëpunim me W10 Architects, ku apartamentet dalin në mënyrë dramatike nga një faqe shkëmbore përgjatë një rruge malore të thepisur.
“Milionerët tashmë po vërshojnë në jug të Shqipërisë, por ky është projekti i parë i nivelit të lartë në veri.”
Ndërsa The Northern është ende në fazë planifikimi - megjithëse 43 njësitë e tij po shiten me ritëm të shpejtë, kryesisht për kosovarë dhe shqiptarë - Dukagjini Resort tashmë po ngrihet nga shkëmbinjtë. Në pjesën më të lartë ndodhenDukagjini Residences gjithsej 189 njësi, të shpërndara në 11 ndërtesa të ulëta të veshura me gur, me harqe të gjera që duken si sy që zgjohen përballë pamjeve të qeta ku deti shkrihet me qiellin. Natën, këto hapësira të ndriçuara shkëlqejnë si kuti xhevahiresh mes kodrave të errëta dhe të pabanuara.
Veçmas, edhe 187 rezidenca të tjera, të shpërndara në 20 blloqe, formojnë Veranda Village, përgjatë rrugës që zbret drejt plazhit, ku një hotel pesë yje i veshur me dru do të ndërtohet direkt mbi rërë.
“Kjo është më shumë se një zhvillim - është një pikë referimi dizajni që do të ripërcaktojë këtë segment të bregdetit shqiptar. Arkitektura ndjek terrenin, nuk imponohet mbi të,” thotëBrandan Mativi, themelues i Capital Point | Forbes Global Properties. “E qetë, e gjerë, e përjetshme,” shton ai, ndërsa shikon Adriatikun që shkëlqen, me ndalesën e radhës diku pranë thembrës së çizmes italiane.
I gjithë zhvillimi ka efektin “wow”, falë arkitekturës së tij pioniere dhe ambicies në një lokacion të ri. Interierët janë minimalistë dhe modernë. Në mesin e faciliteteve përfshihen parking nëntokësor, concierge, dyqane dhe restorante. Ndërkohë, hoteli buzë plazhit pjesë e brendit Swissôtel- do të ketë “vibe zen dhe natyre”, sipas Mativit, ndërsa kazinoja, spa-ja dhe marina e vogël do të sigurojnë frekuentim gjatë gjithë vitit nga elita e pasur e Tiranës që kërkon arratisje nga qyteti.
“Kjo është vetëm fillimi për zonën. Milionerët tashmë po shkojnë drejt jugut të Shqipërisë, por ky është projekti i parë high-end në veri. Brenda tetë muajve nga nisja e ndërtimit, është shitur 60% e projektit, edhe pse përfundimi është ende dy vite larg,” thotë Mativi.
Një element spektakolar janë pishinat e rezidencave, të gdhendura nga shkëmbi natyror dhe të projektuara në formë kantileveri mbi shpatin e kodrës. Nga 12 penthouse-t e kësaj pjese të projektit, Mativi ka siguruar tre më të mirat dy të parat përballë detit, ku nga xhakuzi në tarracë je vetëm ti dhe oqeani i pafund, si dhe më i madhi dhe më i larti në pjesën e pasme - për të tërhequr blerës ndërkombëtarë.
Sipas tij, tregu i ulët dhe i mesëm i Shqipërisë rreth mbi 2 milionë euro tërheq kryesisht evropianë lindorë, veçanërisht nga Polonia dhe Çekia. Ndërsa segmenti më i lartë prona mbi 1 milion euro ka më shumë gjasa të tërheqë blerës nga Mbretëria e Bashkuar dhe SHBA.
“Këto penthouse aktualisht janë të çmuara 1.6 milionë euro, në fillim të ndërtimit, por deri në përfundim në vitin 2028, çmimet do të jenë dyfishuar,” parashikon ai.
Edhe pse sot ky lokacion është ende jashtë rrugëve të zakonshme, kjo do të ndryshojë brenda dy viteve të ardhshme, me ndërtimin e një bypass-i të ri që do ta afrojë Tiranën vetëm 45 minuta larg Shëngjinit. Një tjetër zgjerim autostrade do të krijojë lidhje të shpejtë me Malin e Zi - një hotspot në zhvillim për milionerët e kriptovalutave me jahte.
Ndërsa kryeqyteti shqiptar po tërheq vëmendje me kullat e tij inovative, është pikërisht arkitektura moderne që po del nga kodrat me pisha dhe shkëmbinj në një zonë që ishte e ndaluar vetëm 35 vite më parë, ajo që po vendos një destinacion krejtësisht të ri në hartën e banimit luksoz.
“Kjo është një reflektim i drejtimit ku po shkon Shqipëria,” thotë Mativi. Dhe në kohë të trazuara, pikërisht ky lloj izolimi i dizajnuar i shoqëruar me potencial real investimi - është ajo që kërkojnë të pasurit e botës./Forbes
Dokumentet e reja për Jeffrey Epsteinin, të publikuara nga Ministria e Drejtësisë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, tregojnë se financieri kishte dëshirë të blinte ndërtesën e ish-ambasadës së Jugosllavisë në New York, e njohur si “Vila e Titos”.
Ndër dokumentet e reja, të publikuara disa ditë më parë, gjendet një email që Epstein kishte marrë me 26 fotografi të kësaj vile, si dhe një prerje nga New York Post me titullin “për 50 milionë dollarë mund të bëheni pronar i vilës së fundit nga epoka e artë e Manhatanit”.
Më 10 dhjetor 2018, Epstein mori një email nga këshilltari financiar David Mitchell, i cili e informonte se në këtë ndërtesë kishte ndodhur një zjarr dhe se ndoshta ishte momenti i duhur për të dërguar një ofertë, raporton klix..ba.
Më pas, financieri dërgoi një lidhje të New York Post në dy adresa emaili, ku përmendej zjarri, dhe ata e informuan se ndërtesa tani duhet të ishte dukshëm më e lirë.
Megjithatë, Epstein në fund nuk e bleu vilën. Ajo u shit katër vjet më vonë për 50 milionë dollarë, ndërsa Serbisë i takuan 40 për qind e shumës, në bazë të Aneksit B të Marrëveshjes për suksesionin e pasurisë së ish-RSFJ-së jashtë vendit. Shtetit tonë i takuan 7.5 milionë dollarë.
Interesant është fakti se, gjatë përpjekjes për ta blerë këtë ndërtesë, Epstein kontaktoi edhe ish-Përfaqësuesin e Lartë në Bosnje dhe Hercegovinë, Miroslav Lajçak.
Ishte data 25 tetor 2017 kur Epstein i dërgoi një SMS Lajçakut se “shkova ta shoh ish-ambasadën jugosllave. Më thanë se është në shitje, por se të pesë qeveritë duhet të bien dakord, ajo serbe dhe të tjerat. Interesante”.
Lajçak iu përgjigj se “kurrë nuk do të bien dakord. Që nga viti 2001 po përpiqen të merren vesh për ndarjen e pasurisë dhe fundi nuk duket. Për gjithçka që lidhet me ish-Jugosllavinë ose shtetet pasardhëse aktuale, duhet të konsultohesh me mua, i njoh deri në thelb”.
Kujtojmë se Lajçak përmendet shpesh në dosjet për Epsteinin dhe se disa ditë më parë, për këtë arsye, ai dha dorëheqje nga posti i këshilltarit të kryeministrit sllovak, Robert Fico. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani po qëndron në Emiratet e Bashkuara Arabe, ku gjatë qëndrimit atje është takuar me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio.
Në këtë takim, Osmani dhe Presidenti Bio diskutuan për mundësitë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet dy shteteve, me fokus në përfitimet për qytetarët dhe adresimin e sfidave të përbashkëta.
Osmani theksoi se Kosova mbetet e përkushtuar për ndërtimin e partneriteteve të forta dhe të qëndrueshme me vende në mbarë botën, duke forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar në fusha me interes të përbashkët. /Telegrafi/
Tifozët e Interit nuk do të lejohen të blejnë bileta për tre ndeshjet e ardhshme jashtë fushe kundër Sassuolos, Lecces dhe Fiorentinës, pasi një nga tifozët e tyre hodhi një fishekzjarr që goditi portierin e Cremoneses, Emil Audero, të dielën.
Të martën, Ministri i Brendshëm italian njoftoi përmes Gazzetta dello Sport se tifozëve të Interit do t'u ndalohet hyrja në seksionet mysafire për tre ndeshjet e ardhshme të ekipit, ndërsa banorëve të Lombardisë do t'u ndalohet blerja e biletave.
Ndalesa është e vlefshme deri më 23 mars dhe do t’i lërë Nerazzurrët pa mbështetje si mysafir kundër Sassuolo, Lecce dhe Fiorentina.
Teknikisht, Interi do të jetë skuadra mysafire më 8 mars kundër rivalëve të qytetit, Milanos, por mbështetësit e Nerazzurrëve do të lejohen në San Siro pasi nuk do të ketë udhëtime tifozësh jashtë qytetit të Milanos për këtë ndeshje.
Vendimi erdhi pasi portieri i Cremoneses, Audero, u lëndua nga një fishekzjarr i hedhur nga ana e ekipit mysafir gjatë ndeshjes të së dielës kundër Cremoneses.
Ndeshja u ndërpre për disa minuta dhe portieri vazhdoi lojën pavarësisht një prerjeje dhe djegieje të vogël. Mediat italiane kanë raportuar se tifozi i Interit që hodhi fishekzjarrët është identifikuar dhe humbi tre gishta kur hodhi një fishekzjarrë të dytë menjëherë pas kësaj.
Interi mund të marrë sanksione të mëtejshme në nivel sportiv, pasi vendimet nga gjyqtari i FIGC-së do të shpallen nesër (e mërkurë). Sipas Calciomercato.com, ndëshkimi mund të përfshijë një gjobë dhe kufizime për tifozët e Interit, madje edhe për ndeshjet në shtëpi. /Telegrafi/
Një eksperte e gjuhës së trupit ka analizuar një moment të sikletshëm mes Justin Bieber dhe prezantuesit Trevor Noah gjatë ceremonisë së Grammy Awards, i cili u komentua gjerësisht në rrjetet sociale.
Gjatë mbrëmjes, Noah iu afrua Justin dhe Hailey Bieber për një bisedë të shkurtër me publikun, por shprehja serioze e Justin-it krijoi përshtypjen e një tensioni të mundshëm.
Sipas analistes Judi James, nuk kishte shenja të një konflikti real mes tyre.
Foto: YouTube
Ajo shpjegoi se gjuha e trupit e Bieber-it tregonte një qëndrim të kujdesshëm, duke qenë i hapur për humor, por me kufij të qartë ndaj talljeve.
Shprehja e fytyrës, vetullat e ngritura dhe buzët e shtrënguara tregonin se ai nuk dëshironte të nxiste shakatë.
James vuri re se, ndërsa Noah vazhdonte me komplimente dhe një shaka për Apple, Bieber u bë më serioz dhe në një moment kryqëzoi krahët, një shenjë mbrojtëse që sugjeron se kishte filluar të ndihej i parehatshëm, edhe pse situata nuk përfshinte asnjë fyerje të drejtpërdrejtë.
Në përfundim, ekspertja theksoi se momenti nuk duhet parë si një përplasje apo armiqësi mes dy figurave publike, por më tepër si një situatë tipike e transmetimeve live, ku jo çdo shaka pritet njësoj nga të gjithë.
Reagimi i Bieber-it, sipas saj, pasqyronte thjesht nevojën për të ruajtur kufijtë personalë, ndërsa ndërhyrja e Trevor Noah-it mbeti brenda kornizës së humorit të lehtë dhe respektues. /Telegrafi/
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se gjatë muajit janar 2026, Inspektoriati i saj, në bashkëpunim me njësitë operuese, ka vazhduar aksionin për identifikimin dhe shkyçjen nga rrjeti i ujësjellësit të lidhjeve ilegale.
Sipas njoftimit, gjatë këtij muaji janë realizuar gjithsej 28 shkyçje për lidhje ilegale, të ndara sipas njësive:
Prizren – 7 shkyçje
Suharekë – 20 shkyçje
Malishevë – 1 shkyçje
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka theksuar se nuk do të ketë asnjë formë tolerance ndaj konsumatorëve që keqpërdorin ujin e pijshëm ose realizojnë lidhje ilegale në rrjetin e ujësjellësit.
“Ftojmë të gjithë konsumatorët që të respektojnë rregullat, të legalizojnë lidhjet dhe të kryejnë obligimet e tyre me kohë, në mënyrë që të sigurohet furnizim i rregullt dhe i qëndrueshëm me ujë të pijshëm për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/