Zëdhënësja e presidentit amerikan, Donald Trump, Karoline Leavitt, njoftoi se, mes të tjerash, Belgjika e kishte pranuar ftesën e Shtëpisë së Bardhë për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe, por pak më vonë nga Brukseli erdhi një përgënjeshtrim.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Belgjikës, Maxime Prevot, shkroi në X se ky informacion nuk është i vërtetë.
“Belgjika nuk ka pranuar të nënshkruajë dokumentin themelues të Komitetit për Paqe; ky informacion është i pasaktë”, shkroi Prevot.
Ai shtoi se përgjigjja e Belgjikës do të jetë në përputhje me përgjigjen e përbashkët të vendeve evropiane.
— (@)
“Ne dëshirojmë një reagim të përbashkët dhe të koordinuar të Evropës. Ashtu si shumë vende të tjera evropiane, kemi disa rezerva ndaj këtij projekti”, tha më tej Prevot.
Ndërkohë, asnjë vend i Bashkimit Evropian, përveç Hungarisë, nuk e ka pranuar ende ftesën për t’iu bashkuar Komitetit për Paqe të Trumpit.
Nga ana tjetër, dy vende të BE-së, Franca dhe Sllovenia, e kanë refuzuar shprehimisht të jenë pjesë e këtij Komiteti për Paqe, të cilin Trump e ka konceptuar si një lloj zëvendësimi për Kombet e Bashkuara.
Përveç Hungarisë, aktualisht në Komitetin për Paqe bëjnë pjesë Bjellorusia, Izraeli, Turqia, Arabia Saudite, Katari, Egjipti, Emiratet e Bashkuara Arabe, Azerbajxhani, Armenia, Kosova, Maroku, Pakistani, Indonezia, Uzbekistani, Paraguai, Kazakistani, Bahreini, Jordania dhe Vietnami. /Telegrafi/
Numri i pacientëve me grip dhe viruse të ndryshme është në rritje. Sipas të dhënave nga IShP-ja, që nga fillimi i sezonit të gripit, numri i përgjithshëm i personave të infektuar është 2.8 herë më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur u regjistruan 1.335 raste.
Pritjet janë që kulmi i gripit mund të ndodhë nga fundi i janarit deri në mesin e shkurtit.
Mjeku Fadil Cana për TVM2 thekson se numri i kontrolleve të pacientëve në Klinikën Infektive arrin deri në 100 dhe shumica prej tyre vuajnë nga gripi sezonal influenca A.
“Në Klinikën Infektive numri i kontrolleve shëndetësore arrin deri në 100 persona në ditë që kërkojnë ndihmë mjekësore. Kryesisht janë pacientë që trajtohen në mënyrë ambulatore, por rastet që kanë përkeqësime, ato normal që edhe hospitalizohen. Këtë vit në pjesën dërmuese të pacientëve tek të cilët në mënyrë laboratorike është vërtetuar prezenca e influencës A, gjegjësisht gripit, si dhe tek pacientët që kanë ndërruar jetë ka qenë e përdëftuar gripi sezonal influenca A.”, - deklaroi drejtori në Klinikën Infektive, Fadil Cana.
Mjeku Fadil Cana njëherësh thekson që vaksinimi është mbrojtja më e mirë kundër gripit sezonal, sidomos për pacientët me sëmundje kronike.
“Klinika Infektive ka kapacitet dhe mundësi që tash për tash me këto përmasa, me këto numra, ta përballojë këtë fluks, që normal është i shtuar dhe i pritshëm për këtë sezon. Vaksinimi është mbrojtja e parë kundër gripit dhe normal në fillim të sezonit ai rekomandohet dhe aplikohet, por asnjëherë nuk është vonë, posaçërisht për grupmoshat e vjetra dhe personat me sëmundje kronike, qofshin ato pulmonare apo kardiake.”, - theksoi drejtori në Klinikën Infektive, Fadil Cana.
Ekspertët shëndetësorë u bëjnë thirrje qytetarëve që të ndjekin rekomandimet e higjienës dhe të shmangin mjediset e rrezikshme për të zvogëluar transmetimin e virusit. Parandalimi është thelbësor, pasi aktiviteti i gripit arrin kulmin këtë sezon. /tvm2
Marka gjermane Volkswagen ka tejkaluar Teslan në shitjet e veturave elektrike në Evropë gjatë vitit 2025, duke marrë vendin e parë si prodhuesi më i shitur i automjeteve elektrike, sipas të dhënave të Dataforce të publikuara nga Automotive News Europe.
Volkswagen shiti 274,417 automjete elektrike në Evropë në vitin 2025, një rritje prej 56 për qind krahasuar me vitin 2024. Ndërkaq, Tesla regjistroi një rënie të shitjeve me 27 për qind, duke shitur 238,765 automjete elektrike.
Edhe pse Tesla Model Y mbeti makina elektrike më e shitur në kontinent me 151,331 njësi të shitura, kjo shifër ishte 28 për qind më pak se në vitin e kaluar.
Pas Volkswagenit dhe Teslës, në vendet e tjera të tabelës renditen edhe marka si BMW, Shkoda dhe Audi, me rritje të konsiderueshme të shitjeve në vitin 2025.
Ky ndryshim tregon një tendencë të re në tregun evropian të automjeteve elektrike, ku prodhuesit tradicionalë po rritin ofertën e tyre të EV-ve dhe po sfidojnë dominimin e markave të teknologjisë amerikane. /Telegrafi/
Trajneri i Aston Villas, Unai Emery, e ka shyrë në fundin e ndeshjes, lojtarin e tij Youri Tielemans, moment që u bë viral pas fitores së ekipit të tij ndaj Fenerbahçes në Turqi në kuadër të Ligës së Evropës.
Aston Villa triumfoi minimalisht 1-0, falë golit të shënuar nga Jadon Sancho, i cili realizoi me kokë, duke mposhtur portierin Ederson. Falë një paraqitjeje solide në mbrojtje, Aston Villa arriti të ruajë epërsinë dhe të marrë tri pikë të mëdha në Stamboll.
Megjithatë, pas përfundimit të ndeshjes, vëmendjen e opinionit e mori një moment i tensionuar mes Emeryt dhe Tielemans. Një video që qarkulloi në rrjetet sociale tregon se si, pasi mesfushori belg u zëvendësua nga George Hemmings në minutat shtesë të pjesës së dytë, ai i zgjati dorën trajnerit për ta përshëndetur.
Në vend të shtrëngimit të duarve, Emery reagoi ashpër, duke i bërtitur Tielemansit dhe duke e shtyrë, veprim që shkaktoi reagime të shumta dhe u bë viral në rrjete sociale.
Pas ndeshjes, Emery u pyet për këtë incident, por ai zgjodhi të mos e zgjaste shumë, duke u përgjigjur me vetëm disa fjalë, pa hyrë në detaje rreth situatës.
“Ai është si djali im,” u shpreh thjesht Emery, duke mos dashur ta zgjaste më tej çështjen.
Duke folur më gjerësisht për vetë ndeshjen dhe paraqitjen e skuadrës, tekniku spanjoll u shfaq tejet i kënaqur me rezultatin dhe mentalitetin e lojtarëve të tij. /Telegrafi/
Një ligjëratë mbi Gjykatën Speciale në ambientet e Shkollës së Mesme “Xhevdet Doda” në Prishtinë ka shkaktuar reagime të ndryshme nga institucione dhe organizata.
Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) kanë konfirmuar për Telegrafin se zhvillojnë aktivitete informuese në Kosovë që nga viti 2018, si pjesë e Programit të Shtrirjes së Informacionit, duke përfshirë nxënës, komunitetin lokal, gazetarë dhe avokatë.
Zëdhënësja Angela Griep tha se këto takime diskutojnë mbi mandatin dhe procedurat e gjykatës, duke ofruar informacion publik të ngjashëm me atë që gjendet në faqen zyrtare të KSC-së.
"Ekipi i informimit i Dhomave të Specializuara këtë javë po zhvillon aktivitete për të informuar grupet studentore në Prishtinë rreth mandatit dhe procedurave të gjykatës, si dhe për të dëgjuar pikëpamjet e tyre dhe për t'iu përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje. Siç e dini, që nga viti 2018 ne kemi zhvilluar rregullisht aktivitete me qytetarë në të gjithë Kosovën si pjesë e programit të informimit, duke dëgjuar komentet e njerëzve dhe duke u përgjigjur pyetjeve të tyre”, thuhet në përgjigje me shkrim për Telegrafin.
Megjithatë, Drejtoria e Arsimit e Komunës së Prishtinës ka reaguar, duke paralajmëruar masa ndaj organizatorëve të ligjëratës.
Sipas Drejtorisë, aktiviteti është organizuar nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut në Kosovë (YIHR) dhe është miratuar nga Këshilli Drejtues i Shkollës, pa autorizimin e Drejtorisë.
Drejtoria e Arsimit ka theksuar se do të trajtojë përgjegjësitë institucionale dhe rolin e organizatës në aktivitet, duke e konsideruar transparencën dhe llogaridhënien parime të panegociueshme.
Nga ana e shkollës, është sqaruar se asnjë zyrtar apo gjykatës i Dhomave të Specializuara nuk ka mbajtur ligjëratë.
Sipas “Xhevdet Doda”, ligjërata ka qenë një aktivitet edukativ i YIHR-së mbi sistemin e drejtësisë dhe funksionimin e gjykatave, duke përfshirë edhe Gjykatën Speciale në Hagë.
Shkolla thekson se YIHR ka realizuar mbi 100 ligjërata të ngjashme në shkolla dhe fakultete në të gjithë Kosovën.
Reagim ka pasur edhe nga Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), e cila ka kritikuar aktivitetin si përpjekje për kontroll të imazhit të Gjykatës Speciale dhe ka krahasuar qasjen me praktikën e propagandës në ish-Jugosllavi gjatë viteve 1980.
OVL-UÇK ka theksuar se gjykata duhet të respektojë Kushtetutën, ligjet e Kosovës dhe standardet ndërkombëtare të drejtësisë./Telegrafi.
Ylli i famshëm botëror, Paris Hilton, në një intervistë për Telegrafin ka folur edhe për artistet me prejardhje shqiptare, Rita Orën dhe Bebe Rexhën.
Ajo tregon se ka një raport shumë të mirë me këngëtaret dhe se i thur lavde për punën, karrierën e mbi të gjitha për atë që janë.
"I dua Ritën dhe Beben shumë. Janë vajza fantastike, shumë të talentuara dhe shumë argëtuese", thotë Hilton në intervistë.
Foto: Telegrafi/Instagram
Tutje shtoi: "Sa herë që jemi bashkë, kalojmë për mrekulli. Janë të vërteta, shumë të mira me zemër të madhe, të bukura brenda dhe jashtë. I dua si motra dhe jemi shumë të afërta dhe vërtet i dua dhe jam shumë krenare për të dyjat, mendoj se janë të dyja artiste të jashtëzakonshme, kanë zemër shumë të madhe, gjithmonë shkëlqejnë".
"Unë thjesht i dua aq shumë dhe do t'i shohë të dyja pas disa ditësh në festën e mikut tim, kështu që mezi pres të rri me to", ka theksuar mes tjerash Paris për Ritën dhe Bebën në intervistën për Telegrafin.
Foto: Telegrafi/Instagram
Krahas kësaj, ikona globale e kulturës pop flet hapur për dokumentarin e saj të ri "Infinite Icon: A Visual Memoir".
Ajo jep një rrëfim mbi jetën, muzikën dhe rrugëtimin e saj personal. /Telegrafi/
Ish-presidenti i Shqipërisë Sali Berisha ka folur për raportet që ka pasur me ish-presidentin e Kosovës Ibrahim Rugova.
Sali Berishës iu shtrua pyetja se pse udhëheqësit e Shqipërisë kanë pasur gjithnjë prirjen për t’i treguar Kosovës si duhet të veprojë.
Analisti Albatros Rexhaj tha se Berisha dhe Rugova kanë qenë gjithnjë idhujt e tij në politikë, por i shprehu liderit të PD se presidenti i Kosovës kishte hatërmbetje me të.
Berisha nuk e fshehu dhe e konfirmoi se ftohja mes tyre, përtej vlerësimit për të ishte rruga paqësore që zgjodhi Rugova, kur sipas tij duheshin demonstrata për zgjedhjet e Jugosllavisë.
Albatros Rexhaj:Unë e mbaj mend presidentin që ka pasur një hatërmbetje jo të vogël me ju për atë këshillë që ne të dalim dhe të marrim pjesë në zgjedhjet e Jugosllavisë në ’96.
Sali Berisha:A kishte një ftohje në ’96? Absolutisht po! Ke të drejtë, nuk e mohoj. Pse ishte ftohja? Unë nuk isha dakord për statusquo-në. Pse nuk isha dakord? Imagjino, ne mbetëm jashtë Dayton-it. Dayton u bë, ne nuk u përfshimë. Për fat të keq, Milosheviçi doli më i fuqishmi që bëri marrëveshjen. Unë kam shprehur vlerësimet për Ibrahim Rugovën, e kam thënë dhe e them, ishte gjeni në politikën shqiptare, por rruga paqësore qëllimet nuk mund t’i realizonte. Unë kam qenë për demonstrata, në mënyrë absolute, asnjëherë për zgjedhje.
Presidenti finlandez Alexander Stubb e ka quajtur luftën e Rusisë në Ukrainë një "dështim të plotë strategjik për Vladimir Putinin", në një sulm të ashpër ndaj udhëheqësit rus.
Duke folur në një panel në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, Stubb tha se lufta e Putinit në Ukrainë ka shërbyer vetëm për të forcuar integrimin evropian, unitetin dhe investimet në mbrojtje.
"Kjo luftë është bërë një dështim i plotë strategjik për Vladimir Putinin", ka thënë Stubb. "Ai e zgjeroi NATO-n, e bëri Ukrainën evropiane dhe i detyroi shtetet evropiane të rrisin buxhetet e tyre të mbrojtjes. Dhe tani po pyesim veten nëse jemi të aftë të mbrohemi. Përgjigja ime është po".
Moska gjithashtu është përpjekur të parandalojë zgjerimin e NATO-s, por lufta ka nxitur kombe më parë neutrale, përfshirë Suedinë dhe Finlandën, të bashkohen me aleancën - duke dyfishuar në mënyrë efektive madhësinë e kufirit të Rusisë me aleancën ushtarake perëndimore.
"Mendoj se ne jemi në të vërtetë në procesin e krijimit të një NATO-je më të fortë se sa kemi parë që nga përfundimi i Luftës së Ftohtë. Kjo është në të vërtetë NATO 3.0", shtoi ai.
Presidenti finlandez shtoi se Moska ka “zvogëluar sferën e saj të ndikimit”, duke deklaruar se “vendet në Azinë Qendrore dhe Kaukazin Jugor” tani po “distancëzohen nga e ashtuquajtura perandori ruse”.
Pas pothuajse katër vitesh lufte të ashpër, forcat e Moskës kanë arritur vetëm fitime të vogla në tokën ukrainase me një kosto prej qindra mijëra trupash të vdekura ruse.
Stubb pretendoi se Rusia ka pësuar rreth një milion viktima, duke vënë në dukje se përparimet e saj territoriale në Ukrainën lindore, që nga ofensiva e parë, arrijnë vetëm në rreth 2 përqind të tokës ukrainase.
Ai gjithashtu vuri në dukje vështirësitë në ekonominë ruse, duke vlerësuar se inflacioni mund të arrijë rreth 30 përqind këtë vit.
Normat e interesit mbeten në 15 përqind, rritja ekonomike është ndalur dhe rezervat financiare janë varfëruar nga lufta e gjatë në Ukrainë, shtoi ai.
“Nuk ka rritje, nuk ka rezerva dhe nuk ka mundësi për të paguar ushtarët pasi të mbarojë lufta”, tha Stubb, duke theksuar se qytetarët rusë po frustrohen gjithnjë e më shumë nga çështjet ekonomike në vend, shumë prej të cilave janë të nxitura nga ekonomia e kohës së luftës.
Komentet e zotit Stubb erdhën përpara një takimi midis Putinit dhe të dërguarve të paqes të Donald Trump, Steve Witkoff dhe Jared Kushner, të enjten.
Bisedimet për paqen në Ukrainë do të jenë takimi i 7-të i tillë midis zotit Witkoff dhe Putinit që kur Trump u rikthye në detyrë janarin e kaluar - por asnjëra nuk duket se ka bërë përparim të rëndësishëm drejt paqes.
Presidenti finlandez dyshon se Moska do ta miratojë planin 20-pikësh që po përpunohet nga Uashingtoni dhe Ukraina si pjesë e marrëveshjeve për t'i dhënë fund luftës, duke theksuar se është jetike të vazhdohet forcimi i mbështetjes për Ukrainën. /Telegrafi/
Për Gurban Gurbanovin, stadiumi në kryqëzimin e rrugëve Tahir Baghirov dhe Jabir Aliyev nuk është thjesht një fushë futbolli.
Për të, Karabagu është shtëpia e tij – një vend ku çdo tullë, çdo vendim dhe çdo fitore është ndërtuar nga puna dhe vizioni i tij i palodhur.
Për trajnerin 53-vjeçar, ky klub nuk është thjesht punë; është kuptimi i jetës.
Nga fusha në stolin e trajnerit: Udhëtimi i një legjende
Karriera e Gurbanovit filloi si futbollist, ku ai ishte një nga më të mirët azerbajxhanas të të gjitha kohërave, duke luajtur kryesisht në Rusi dhe duke u bërë golashënuesi më i mirë i kombëtares post-sovjetike.
Në vitin 2006, ai, si 34-vjeçar, u bë trajner i Neftch, por përballë presionit të madh u shkarkua pas vetëm një sezoni.
Telefonata nga Qarabag ndryshoi gjithçka. Klubi, i zhvendosur nga Agdami në Baku për shkak të luftës në 1993 dhe me vështirësi financiare deri në fillim të viteve 2000, i dha Gurbanovit mundësinë të ndërtonte identitetin e klubit nga themelet.
Filozofia e punës dhe ndërtimi i identitetit
Gurbanov kërkonte disiplinë absolute dhe përkushtim maksimal nga lojtarët, duke u bërë shembulli kryesor: gjithmonë i pari që vinte dhe i fundit që largohej.
Ai vendosi filozofi të qartë dhe stil të përshtatshëm për ekipin, duke integruar lojtarë të huaj dhe duke zhvilluar një sistem që do të sillte rezultate afatgjata.
"Që të jesh në gjendje të mendosh për suksesin në një nivel më të lartë, duhet të besosh sa më shumë që të jetë e mundur te vetja, por edhe te ideja që kemi. Ne po ndërtojmë një sistem që do të na sjellë rezultate në planin afatgjatë dhe ne besojmë fuqimisht në të", kishte deklaruar ai dhjetë vite më parë.
Suksesi në nivele kombëtare dhe ndërkombëtare
Titulli i parë kampion erdhi në vitin 2013, dhe pas investimeve të Azersun Holding, Qarabag fitoi gjithsej 11 tituj, duke arritur edhe në fazën e grupeve të Ligës së Evropës në 2014. Përmes humbjeve dhe sfidave, Gurbanov mësoi të ndërtojë një ekip të fortë, të disiplinuar dhe me identitet të qartë futbolli.
Në vitin 2017, Qarabag për herë të parë arriti në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, një dëshmi e qartë se filozofia e Gurbanovit funksiononte. Suksesi i tyre nuk ishte rastësi, ishte rezultat i një planifikimi dhe vizioni të palodhur. Ai u përpoq gjithashtu të drejtonte ekipin kombëtar të Azerbajxhanit, por po atë vit, hoqi dorë pas vetëm 12 ndeshjesh.
Gurbanov, shihet si Ferguson i Qarabagut
Gurbanov nuk është vetëm trajner, ai është truri i klubit. Ai vendos për gjithçka: nga taktikët në fushë, përforcimet, deri te mënyra e ushqimit dhe udhëtimet e lojtarëve.
Mediat vendase shpesh e krahasojnë me Sir Alex Ferguson, dhe me kohën vetë Gurbanov e ka pranuar se kjo është mënyra e vetme që klubi të funksionojë.
Ai ka refuzuar vazhdimisht oferta nga jashtë dhe ka hequr dorë edhe nga drejtimi i ekipit kombëtar, duke mbetur gjithmonë i fokusuar tek Qarabag.
Një klub më i fortë çdo ditë
Çdo fitore, qoftë ndaj Eintrachtit (3-2) apo ndeshje të tjera në Evropë, nuk e ndalon punën e përditshme të Gurbanovit.
Sot, ata kanë 10 pikë dhe janë në pozitë të mire për të luajtur në play-off, kur ju ka mbetur edhe një ndeshje, ajo me Liverpoolin në “Anfield”.
Për të, çdo mëngjes është mundësi për të ndërtuar një Qarabag më të mirë, më të fortë dhe më të njohur. Çdo vendim, çdo stërvitje dhe çdo lojtar është pjesë e vizionit të tij – Qarabagu i Gurbanit. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka folur mbrëmjen e sotme pas nënshkrimit të ‘Bordit të Paqes’ në Davos, ku ajo firmosi krah Trump dhe vendeve të tjera, në një moment që e quajti historik për Kosovën.
Në një lidhe direkte për Top Channel, nga Davosi presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ndau detajet nga ceremonia e Bordit të Paqes si dhe foli për bisedën e saj me presidentin amerikan, Donald Trump.
E pyetur se çfarë u tha në bisedën që ajo pati me presidentin amerikan Donald Trump, Osmani tha se kreu i Shtëpisë së Bardhë i përcolli një mesazh për Kosovën dhe shtoi se ishte një bisedë shumë pozitive që nisi në samitin e OKB në shtator.
Sakaq Osmani sqaroi se pse e përfaqësoi ajo Kosovën dhe jo kryeministri, Albin Kurti duke shprehur se kushtetuta e Kosovës parasheh që politikën e jashtme e udhëheq presidenti, megjithatë ajo theksoi se aderimi i Kosovës në Bordin e Paqes ishte fitore edhe për të edhe për kryeministrin.
Patët një bisedë me presidentin Trump gjatë ceremonisë, çfarë u tha në atë bisedë?
Ishte një bisedë shumë pozitive për Kosovën dhe për qytetarët e saj, ka qenë një bisedë që ka filluar në samitin e OKB-në Nju Jork më 28 shtator.
Pse e përfaqësuat ju Kosovën dhe jo kryeministri Albin Kurti?
Sepse kështu e parasheh Kushtetuta e Kosovës, sepse tek ne presidentja e udhëheq politikën e jashtme, edhe kryeministri është këtu në Davos, por ne i kemi detyrat e ndara. Megjithatë, sukseset i kemi të përbashkëta.
Ishit e ulur pranë presidentit, si u përcaktua kjo dhe pse zgjodhët ngjyrën e kuqe në veshje?
Ishin rregulla të përcaktuara nga SHBA edhe e uljes dhe e nënshkrimit, çdo rregull protokolli është caktuar nga Shtëpia e Bardhë. Sa i përket ngjyrës së kuqe në veshje, është ngjyra ime e preferuar, një ngjyrë që e dua shumë.
Manchester United janë gati të nisin bisedimet me Kobbie Mainoo për një kontratë të re.
Në të njëjtën ditë kur United konfirmuan se një mesfushor kyç do të largohet nga “Old Trafford” – me Casemiron, që së shpejti mbush 34 vjeç, i cili do të largohet në fund të këtij sezoni – klubi po synon tani të sigurojë të ardhmen e një tjetër mesfushori, shumë më të ri, përmes një marrëveshjeje të përmirësuar ndjeshëm.
Raportohet se tashmë ka pasur kontakte fillestare me përfaqësuesit e Mainoos, me planin për t’u ulur dhe për të diskutuar detajet e një kontrate të re dhe më të favorshme, e cila do ta sillte pagën e tij më afër nivelit të bashkëlojtarëve dhe statusit që ai gëzon në skuadër.
Si produkt i akademisë së Manchester United, paga e Mainoos aktualisht është ndër më të ulëtat në mesin e lojtarëve të ekipit të parë. Megjithatë, duke qenë se 20-vjeçari nuk ishte pjesë e planeve të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe me 18 muaj të mbetur në kontratën ekzistuese – plus një opsion për një vit tjetër – hapja e negociatave të reja nuk ishte parë më herët si prioritet nga klubi.
Napoli ishte mes disa klubeve të mëdha evropiane të interesuara për Mainoon, por pavarësisht raportimeve se reprezentuesi i Anglisë ishte i gatshëm të shqyrtonte një huazim këtë muaj për të fituar më shumë minuta, “Sky Sports News” mësoi se Manchester United nuk kishte ndërmend ta pranonte një mundësi të tillë dhe e konsideron Mainoon si pjesë kyçe të së ardhmes së klubit.
Mainoo nuk e nisi asnjë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon nën drejtimin e Amorim, por u aktivizua si titullar në mundësinë e parë nga trajneri i ri, Michael Carrick, fundjavën e kaluar.
Mesfushori i ri dha një paraqitje shumë bindëse në fitoren 2–0 të United ndaj Cityt në derbin e Mançesterit, duke forcuar edhe më shumë bindjen e klubit për ta lidhur atë me një kontratë afatgjatë./Telegrafi
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, i cili është pjesëmarrës në Forumin Ekonomik Botëror në Davos, sonte përmes profilit të tij në Facebook njoftoi se ka pasur një takim dypalësh me kryetaren e Këshillit të Ministrave të Bosnja dhe Hercegovinës, Borjana Krishto, dhe më pas ka zhvilluar shumë takime dypalëshe me kompani shumëkombëshe.
“Duhet sërish t’i ristartojmë të gjitha ato projekte energjetike ndoshta të harruara në të kaluarën, si Çebren dhe Galishtë, ura e Boshkut dhe të tjerat, dhe ta ofrojmë potencialin për investime në burime të ripërtëritshme të energjisë për një numër të madh investitorësh, të cilët treguan interes të padiskutueshëm në diskutimet pas përfundimit të panelit”, deklaroi Mickoski.
Presidenti amerikan, Donald Trump, tha se mesazhi i tij për kreun rus, Vladimir Putin, është se lufta në Ukrainë duhet të përfundojë, pas, siç e përshkroi ai, “bisedimeve të mira” me presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, në Davos.
Zyrtarët amerikanë dhe ukrainas kanë zhvilluar për javë të tëra diplomaci intensive “shuttle”, ndërsa Kievi përballet me presionin e Trumpit për të siguruar paqe në një konflikt pothuajse katërvjeçar, pavarësisht shenjave të vogla që Moska dëshiron të ndalojë luftime.
Pas takimit me kreun ukrainas, i cili zgjati rreth një orë, Trump tha se kishin pasur një bisedë “të mirë”, por nuk dha detaje të mëtejshme mbi përmbajtjen e diskutimit. Të mërkurën, ai tha se marrëveshja ishte “mjaft afër”.
“Mendoj se takimi me presidentin Zelensky ishte i mirë. Është një proces që po vazhdon,” tha lideri amerikan për gazetarët, duke shtuar se përfaqësuesit amerikanë do të udhëtojnë sot për bisedime në Moskë. Kur u pyet se cili ishte mesazhi i tij për Putinin, Trump u përgjigj: “Lufta duhet të përfundojë.”
Zelensky më herët këtë javë tha se do të udhëtonte në Davos vetëm nëse mund të nënshkruante marrëveshje me Trumpin për garancitë amerikane të sigurisë dhe financimin e rindërtimit pas-luftës së Ukrainës, por pas takimit nuk pati shenja se ishte arritur ndonjë përparim.
Të dy udhëheqësit janë takuar rreth gjashtë herë ballë për ballë që kur Trump u rikthye vitin e kaluar në Shtëpinë e Bardhë dhe ndryshoi politikën amerikane ndaj Ukrainës duke pranuar diplomacinë me Rusinë. /Telegrafi/
Komandanti i KFOR-it, gjeneralmajor Özkan Ulutaş, ka zhvilluar sot një takim me kryetarin e Komunës së Mitrovicës, Faton Peci, në ambientet e komunës.
Gjatë takimit, palët kanë diskutuar për situatën e përgjithshme të sigurisë, si dhe për çështje që ndikojnë drejtpërdrejt në funksionimin e komunave.
Gjeneralmajor Ulutaş ka theksuar përkushtimin e vazhdueshëm të KFOR-it për ruajtjen e një ambienti të sigurt dhe të qetë për të gjithë qytetarët që jetojnë në Kosovë.
Po ashtu, është theksuar se KFOR bashkëpunon ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre përkatëse si reagues të sigurisë./Telegrafi/
Përzgjedhësi i kombëtares rumune, Mircea Lucescu, është shtruar me urgjencë në spital këtë javë dhe aktualisht ndodhet nën mbikëqyrje të vazhdueshme mjekësore.
Problemet shëndetësore të teknikut 80-vjeçar kanë nisur nga një ftohje e rëndë që ai pësoi pas Krishtlindjeve, e cila më pas ka ndikuar edhe në zemër. Lucescu përfundoi në shtrat spitali pasi u shtrua urgjentisht nga mjekët në Bukuresht.
Ai u godit nga një ftohje e fortë gjatë pushimeve dimërore, por situata u komplikua për shkak të problemeve kardiake dhe moshës së avancuar. Fillimisht, trajneri iu nënshtrua një trajtimi shumë intensiv, por nuk arriti të rikuperohej dhe, përkundrazi, gjendja e tij u rëndua më tej.
Mircea Lucescu kishte përgatitur një program shumë të detajuar për këtë periudhë, duke pasur parasysh se pas dy muajsh kombëtarja e Rumanisë do të përballet me Turqinë në gjysmëfinalen e playoffit kualifikues për Kupën e Botës, që do të zhvillohet këtë verë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.
Trajneri i “trengjyrëshave” kishte planifikuar të ishte i pranishëm në Antalya gjatë muajit janar, aty ku shumica e skuadrave të Superligës turke po zhvillonin përgatitjet dimërore, për të ndjekur nga afër lojtarët që kishte në vëzhgim. Megjithatë, problemet shëndetësore ia pamundësuan praninë, ndaj ai u detyrua t’i dërgonte bashkëpunëtorët e tij për të mbledhur informacion në terren.
Gjendja e dobët shëndetësore nuk i ka lejuar Lucescus të ndjekë asnjë ndeshje të Superligës turke, ku tashmë është zhvilluar një javë kampionati.
Për më tepër, tekniku rumun kishte planifikuar ta studionte me shumë kujdes kundërshtarin, por nuk arriti ta realizojë këtë plan./Telegrafi
Ivanka Trump ka shkuar në Kryeministri mbrëmjen e së enjtes.
E bija e Presidentit amerikan, Donald Trump, u prit nga Kryeministri Edi Rama.
Të mërkurën në mbrëmje, Ivanka Trump zhvilloi një takim me Kryeministrin Edi Rama dhe një grup arkitektësh ndërkombëtarë. Në fokus të bisedimeve ishin projekte dhe ide të reja zhvillimi, të lidhura me investime strategjike dhe vizion urbanistik në zonën e Vlorës, shkruan A2.
Pas darkës, Rama dhe Ivanka Trump qëndruan disa momente jashtë ambienteve ku u zhvillua takimi, duke shkëmbyer bisedë të shkurtër, ndërsa gjithçka është shoqëruar nga masa të rrepta sigurie.
Më pas, Ivanka Trump është larguar me automjet, së bashku me Kryeministrin Rama, në drejtim të Orikumit.
Sot, Ivanka Trump zhvilloi një tjetër vizitë në Manastirin e Zvërnecit dhe në zonën e Porto Novës.
Një mësuese me përvojë, Emily Bute, ka deklaruar se planifikon të edukojë fëmijët e saj në shtëpi, duke hapur një debat në rrjetet sociale.
Britanikja shpjegon se vendimi i saj nuk është një kritikë ndaj shkollës publike, por një zgjedhje personale e bazuar në përvojën e saj dhe studimet mbi mënyrat më efektive të mësimdhënies.
Bute thotë se arsimi në shtëpi do t’u mundësojë fëmijëve të mësojnë në grupe të vogla, me mësim të personalizuar, të zhvillojnë kuriozitetin dhe të kenë më shumë kontakt me natyrën dhe aktivitet fizik.
Ajo shton se sistemi tradicional shpesh është i ngjeshur dhe i fokusuar tek testet e standardizuara, duke kufizuar mundësitë për mësim praktik dhe eksperimentues.
Megjithatë, Bute thekson se nuk përjashton mundësinë e shkollave private ose Montessori, veçanërisht kur familjet nuk kanë burime të mjaftueshme për të ndjekur mësimin në shtëpi çdo ditë. /Telegrafi/
Elon Musk ka parashikuar një të ardhme ku robotët do të tejkalojnë njerëzit në numër, gjatë paraqitjes së tij të parë në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.
Duke folur në një sesion publik, Musk tha se zhvillimi i shpejtë i inteligjencës artificiale dhe robotikës do të sjellë një bum ekonomik të paprecedentë, duke ndryshuar rrënjësisht mënyrën se si njerëzit jetojnë dhe punojnë.
Sipas tij, robotët dhe sistemet e avancuara të AI-së do të jenë në gjendje të plotësojnë pothuajse të gjitha nevojat njerëzore.
— (@)
“Do të ketë kaq shumë robotë saqë në fund ata do të jenë më të shumtë se njerëzit,” u shpreh ai.
Miliarderi foli gjithashtu për robotin Humanoid Optimus, të zhvilluar nga kompania Tesla, duke thënë se brenda këtij viti ai do të kryejë detyra të thjeshta në fabrika, ndërsa brenda 12 muajve të ardhshëm do të jetë i aftë për punë industriale më komplekse.
Musk shtoi se inteligjenca artificiale mund të arrijë një nivel më të lartë se inteligjenca e çdo individi njerëzor deri në fund të vitit 2026 dhe se, brenda pak vitesh, ajo mund të tejkalojë edhe inteligjencën kolektive të njerëzimit.
Deklaratat e tij kanë ngjallur debat mes ekspertëve, të cilët njëkohësisht shohin mundësi të mëdha ekonomike, por edhe rreziqe serioze për tregun e punës dhe rolin e njeriut në shoqëri. /Telegrafi/
Elon Musk on AI:
At the rate at which AI is progressing, I think we might have AI that is smarter than any human by the end of this year.