Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, ka theksuar rëndësinë kyçe të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në zhvillimin e kapaciteteve mbrojtëse të Kosovës.
Ai nënvizon se bashkëpunimi ushtarak mes dy vendeve mbetet i qëndrueshëm dhe aktiv në të gjitha drejtimet. Duke folur në emisionin “Balkan Talks”, Maqedonci vlerësoi se, pavarësisht dallimeve aktuale mes SHBA-së dhe Bashkimit Evropian sa i përket qasjeve gjeostrategjike, partneriteti transatlantik do të vazhdojë të luajë rol vendimtar në ruajtjen e stabilitetit në rajon.
“Ne me BE-në në kemi bashkëpunuar. Besoj se SHBA dhe BE patjetër që në një periudhë do të zgjidhin paqartësitë që lidhen me interesat gjeo-strategjike, më saktësisht me qasjen e re të SHBA-ve për më pak prezencë në Europë. Vlerësoj se pavarësisht se ka një çarje në raportet SHBA-Evropë për se si e shohin të ardhmen, do gjendet një rrugë për të përafruar interesat duke pasur parasysh faktin se SHBA dhe BE janë ato zona që përfaqësojnë demokracinë, të drejtat e njeriut”, tha ai.
Maqedonci shtoi se marrëveshjet e nënshkruara mes dy vendeve kanë prodhuar rezultate konkrete. Ministri thekson se bashkëpunimi me SHBA-në përfshin trajnimin e stafit, zhvillimin e industrisë së mbrojtjes dhe blerje strategjike të pajisjeve ushtarake.
“Nga ana tjetër, të gjitha marrëveshjet e nënshkruara me SHBA, janë dokumente që kanë prodhuar veprime. SHBA po mbesin prezent brenda ministrisë së Mbrojtjes dhe FSK-së, duke mbështetur në të gjitha drejtimet.
Janë faktori kyç në zhvillimin tonë të mbrojtjes. Në kuadër të marrëveshjeve, kemi trajnimin e stafit tonë, bashkëpunimin në zhvillimin e industrisë së mbrojtjes, ku kemi punuar me Ambasadën Amerikane në Kosovë për të përafruar prodhuesit potencial në Kosovë.
Pikat që kemi adresuar në marrëveshje janë edhe blerjet strategjike. Në dhjetor kemi nënshkruar një kontratë për blerjen e një sistemi modern të atilerisë, që për herë të parë shitet jashtë SHBA-ve, pikërisht në Kosovë”, tha Maqedonci./Euronews Albania
Një ndryshim i lehtë, por i freskët, që ndriçon fytyrën dhe i zbut tiparet
Gratë e reja më me ndikim të ditëve tona vazhdojnë të diktojnë trendet e modës dhe bukurisë, të cilat përhapen me shpejtësi në rrjetet sociale. Këtë herë, vëmendjen e ka tërhequr një frizurë e re dhe jashtëzakonisht e rafinuar, e adoptuar nga vajza e Kate Moss, Lila Moss. Bëhet fjalë pikërisht për nuancën ‘fawn blonde’.
Pse “fawn blonde” po dominon dimrin 2026?
Tonet e ftohta janë në qendër të paneleve të frymëzimit këtë dimër. Ashtu si trendet e grimit që po anojnë drejt ngjyrave të ftohta, edhe flokët po ndjekin të njëjtin drejtim. Pas suksesit të nuancës gështenjë e ftohtë, në skenë shfaqet fawn blonde, një bionde bezhë e ftohtë, më e butë dhe më moderne.
Kjo ngjyrë synon të krijojë një efekt subtil, paksa hiri, por pa humbur shkëlqimin natyral të flokut. Siç shpjegojnë edhe ekspertët e ngjyrimit, bëhet fjalë për “një bionde lehtë kadifeje, që bashkon në mënyrë harmonike tonet e ngrohta dhe të ftohta”.
Rezultati? Një pamje elegante, e përmbajtur dhe shumë moderne, perfekte për muajt e ftohtë, transmeton Telegrafi.
Për të përftuar nuancën fawn blonde, këshillohet që t’i kërkoni parukierit:
prerje dhe fije shumë delikate, që krijojnë një bazë të njëtrajtshme ngjyre
balancim të kujdesshëm mes toneve të ngrohta dhe të ftohta, për të arritur efektin
Qëllimi është të zgjidhet një bionde që:
ndriçon tiparet e fytyrës
i zbut ato vizualisht
nuk duket as shumë e ftohtë, as shumë e artë
Këshillë praktike: ‘Fawn blonde’ funksionon veçanërisht mirë te personat me nën-ton neutral ose të ftohtë të lëkurës, por me rregullime të vogla mund të personalizohet pothuajse për këdo.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, ka deklaruar në një intervistë për RTK se në shpërthimin që ndodhi më 29 nëntor të vitit 2024 në kanalin “Ibër-Lepenc”, në fshatin Varagë të komunës së Zubin Potokut, kanë qenë të përfshirë pjesëtarë të inteligjencës ushtarake serbe (VBA).
Sipas Hoxhës, njëri nga tre të arrestuarit është gjetur në posedim të dokumenteve që dëshmojnë për përkatësinë e tij në këtë shërbim.
“Njëri nga personat e arrestuar për këtë rast është gjetur me një dokument që dëshmon se ai ka qenë pjesëtar i inteligjencës ushtarake të Serbisë”, tha Hoxha.
Drejtori i Policisë ka shtuar se nga terreni janë mbledhur fakte të mjaftueshme, të ekzaminuara nga ekspertë vendorë dhe ndërkombëtarë, të cilat tregojnë se personat e përfshirë, me instruksione të inteligjencës serbe, kanë kryer aktin terrorist.
“Disa pajisje të gjetura në shtëpitë e të dyshuarve janë ekzaminuar nga Policia e Kosovës dhe më pas dërguar për analizë në laboratorin e FBI-së. Analizat kanë konfirmuar se balta e gjetur në këto pajisje përputhet me vendin e ngjarjes, duke i lidhur personat me krimin”, tha Hoxha.
Ai ka folur gjithashtu edhe për situatën në veri, luftën kundër armëve ilegale, si dhe sfidat dhe sukseset e Policisë së Kosovës. Sipas raportit vjetor të policisë, gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e veprave penale, veçanërisht vjedhjeve dhe grabitjeve.
Nuk ishin statistikat e shumta apo analiza e thelluar e paraqitjeve të tij te Bologna që e bindën Riccardo Calafiorin të zgjidhte Arsenalin mes një vargu klubesh të mëdha që po trokisnin në derën e tij rreth 18 muaj më parë.
Ishte Mikel Arteta ai që fitoi avantazhin, duke përdorur një qasje krejtësisht të pazakontë: një foto të familjes së Calafiorit.
Nuk bëhej fjalë për ndonjë skenar ekstrem, por për një tjetër shembull të mënyrës së veçantë se si Arteta e ushtron rolin e tij emocionalisht të ngarkuar si figurë udhëheqëse e Arsenalit.
“Në herën e parë që pata kontakt me Arsenalin, mendoj se ishte pak para Kampionatit Evropian”, kujton Calafiori në një intervistë ekskluzive për “Sports Illustrated”, duke u kthyer pas në verën e vitit 2024.
Në atë periudhë, qendërmbrojtësi i gjithanshëm ishte një nga emrat më të kërkuar në treg, pasi kishte siguruar një vend në kombëtaren e Italisë të drejtuar nga Luciano Spalletti, falë paraqitjeve mbresëlënëse me Bolognën, e cila regjistroi renditjen më të mirë në kampionat pas më shumë se 50 vitesh.
“Gjatë gjithë sezonit nuk doja të dëgjoja për thashetheme rreth sezonit tim të ardhshëm, sepse doja të isha i përqendruar te skuadra ime dhe te kombëtarja”.
Ai shpjegon se takimi i parë me Artetën nuk kishte në qendër presionin për një vendim të shpejtë, por vizionin afatgjatë të projektit.
“Në fillim, ai thjesht donte të më takonte dhe të më shpjegonte se si do të dukej projekti me mua. Më tregoi shumë gjëra, shumë detaje, shumë statistika dhe madje më tregoi edhe disa imazhe të familjes sime.”
Por ajo që i mbeti më shumë në mendje mbrojtësit italian nuk ishin shifrat apo grafikat, por pikërisht qasja njerëzore e trajnerit spanjoll.
“Kjo është një pjesë që nuk do ta harroj kurrë. Që fëmijë kam qenë shumë i lidhur me nënën time, si çdo italian, por edhe me babain dhe motrën time. Ai më pyeti se çfarë përfaqëson familja për mua dhe më tregoi disa imazhe të motrës sime, të nënës apo të babait”.
Liverpool, Chelsea dhe Manchester United u përfolën gjithashtu si destinacione të mundshme për Calafiorin, por asnjë prej tyre nuk shfaqi atë ndjeshmëri dhe aftësi njerëzore që Arteta demonstroi që në takimin e parë dhe gjatë 18 muajve në vazhdim.
Edhe sot, ajo vëmendje ndaj detajeve vazhdon të jetë prezente në përditshmërinë e tij te Arsenali.
“E shoh sa shumë kujdeset për mua, sa i përqendruar është dhe sa shumë dëshiron që unë të përmirësohem”.
“Çdo detaj, çdo ditë. E mbaj mend këtë që nga fillimi i fazës përgatitore. Ne po punonim që atëherë mbi mekanizma të rinj dhe taktika të reja. Ai po mendonte për fillimin e sezonit që në atë moment”, thotë Calafiori për Artetan./Telegrafi
Një tjetër moment emocional është shënuar në shtëpinë e Big Brother VIP Kosova, ku nëna e Benitës, Fahrija, është rifutur për t’i bërë vajzës së saj një surprizë të papritur.
Kësaj radhe, ajo nuk erdhi e vetme. Znj. Fahrija solli me vete edhe qenushen e Benitës, Bellën, e cila do të qëndrojë në shtëpinë më të famshme në vend për 24 orë, duke i dhuruar banorës një moment të veçantë dhe shumë emocional.
Gjatë takimit, nëna e saj nuk nguroi të shprehë edhe disa kritika, megjithëse më të buta krahasuar me herën e kaluar. Ajo i sugjeroi Benitës që të largohet nga njerëzit negativë dhe të ketë më shumë kujdes me konsumimin e alkoolit.
Momentet e ngrohta u shoqëruan edhe me humor, kur moderatori Alaudin Hamiti, me shaka, i sugjeroi Fahrijes se ndoshta vitin e ardhshëm mund ta shohim si banore në Big Brother VIP Kosova. Propozimi u prit me entuziazëm nga nëna e Benitës, e cila iu përgjigj menjëherë: “Po, a ma premton?”.
Ky rikthim i Fahrijes në shtëpi solli emocione të forta për Benitën, ndërsa prezenca e qenushes Bella e bëri momentin edhe më të veçantë, duke prekur zemrat e banorëve dhe publikut. /Telegrafi/
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se Dhomat e Shkallës së Dytë të Gjykatës Komerciale kanë vendosur në favor të Kryeqytetit, duke konfirmuar paligjshmërinë e kontratës ndërmjet Ndërmarrjes Publike Banesore (NPB) dhe një investitori privat.
Sipas Ramës, ky vendim përbën një konfirmim të plotë të drejtësisë dhe të angazhimit institucional për mbrojtjen e pronës publike, duke theksuar se rruga ligjore e ndjekur për katër vjet me radhë ka qenë e drejtë dhe në interes të qytetarëve.
“Përmes përfaqësimit tonë institucional në NPB dhe përmes Zyrës Ligjore të Komunës së Prishtinës, kemi insistuar vazhdimisht dhe pa kompromis se kjo kontratë ka qenë e paligjshme dhe e dëmshme për interesin publik. Sot, këtë vlerësim e konfirmon edhe Gjykata Komerciale”, ka deklaruar Rama.
Ai bëri të ditur se Komuna e Prishtinës ka ndërmarrë të gjithë hapat ligjorë dhe proceduralë, duke hartuar dhe mbështetur padinë për prishjen e kontratës, ndërsa Zyra Ligjore e Komunës ka kërkuar zyrtarisht të jetë palë e interesuar në proces, me qëllim prishjen e kontratës dhe kthimin e pronës publike te qytetarët.
Rama theksoi se ky vendim dërgon një mesazh të qartë se interesi publik nuk negociohet, ligji do të mbrohet dhe Kryeqyteti do të qeveriset gjithmonë në funksion të qytetarëve.
“Askush mbi ligjin. Askush në pronën publike”, përfundoi ai./Telegrafi/
Një nga plazhet e njohura të qytetit të Durrësit po përballet me një rrezik serioz zhdukjeje për shkak të erozionit detar. Në Porto Romano, brenda pak vitesh, deti ka avancuar disa metra në brendësi të tokës, duke ngushtuar ndjeshëm brezin e rërës dhe duke ndryshuar hartën natyrore të zonës.
Për të frenuar dallgët dhe gërryerjen e mëtejshme të tokës, përgjatë segmentit rrugor janë vendosur gurë masivë mbrojtës. Megjithatë, sipas ekspertëve, këto masa janë vetëm të përkohshme dhe nuk e ndalin përparimin afatgjatë të erozionit.
Në Porto Romano, aty ku dikur shtrihej një brez i gjerë rëre sot, kjo hapësirë është pushtuar nga deti. Brenda pak viteve, vija bregdetare është zhvendosur disa metra në brendësi të tokës, një tregues i qartë i erozionit agresiv që po gërryen këtë zonë turistike të Durrësit.
Gjurmët e gërryerjes detare janë tashmë të dukshme. Brezi i parë i bunkerëve, të ndërtuar në mesin e viteve ’70, ndodhet nën ujë, ndërsa brezi i dytë shfaqet herë pas here mes dallgëve. Këto pamje janë dëshmi e qartë e përparimit të detit drejt tokës.
Ekspertët theksojnë se ndryshimet klimatike, lëvizjet sizmike dhe zhvillimi urban i pa studiuar kanë ndikuar ndjeshëm në përshpejtimin e erozionit në këtë zonë.
“Segmenti rrugor në veri të qytetit të Durrësit është një zonë sizmike dhe vazhdimisht shohim lëvizje të dherave edhe nëntokësore dhe sipërfaqësore. Kjo rrugë nuk është restauruar asnjëherë dhe nuk është ndryshuar sipas parametrave industrial. Kjo gjë duhet të pasohet me procese të mbledhjes së dioversitetit, të algave, të bimësisë në shtratin e detit në mënyrë që të mbrohen argjinaturat aty ku erozioni është gjithnjë më i fortë dhe duhet hequr çfarëdo lloj prespektive industriale në veriun e qytetit të Durrësit”, thekson Artan Kacani – Urbanist.
Specialistët paralajmërojnë se, nëse nuk ndërmerren masa të mirëstudiuara dhe afatgjata për mbrojtjen e vijës bregdetare, Porto Romano rrezikon të humbasë përfundimisht, duke i shtuar Durrësit edhe një tjetër humbje të rëndë mjedisore dhe turistike./Euronews Albania
Largimi i Endrick nga Real Madridi në fillim të janarit ishte i pritshëm, duke pasur parasysh minutat e pakta që ai kishte në dispozicion nën drejtimin e Xabi Alonsos.
Sulmuesi i ri brazilian vendosi që zhvillimin e tij ta vazhdojë te Lyon, ku u transferua në formë huazimi deri në fund të sezonit, me synimin për të fituar më shumë hapësirë dhe ritëm gare.
Por pse Endrick zgjodhi të largohej nga Madridi, në vend që të qëndronte dhe të luftonte për një vend në skuadër? Vetë lojtari ka dhënë përgjigjen në një intervistë për L’Equipe.
“Erdha këtu te Lyoni për të qenë i lumtur, për të luajtur. Të shkoj në Kupën e Botës është një ëndërr dhe, me ndihmën e Zotit, dua të jem pjesë e saj”.
Endrick theksoi se fokusi i tij kryesor është paraqitja e mirë në nivel klubi, si kusht për t’u kthyer në vëmendjen e përfaqësueses braziliane.
“Misioni im këtu është të luaj mirë dhe nëse e arrij këtë me klubin tim, atëherë mund të kualifikohem edhe për kombëtaren”.
Vendimi për t’u larguar përkohësisht nga Real Madridi shihet si një hap strategjik për karrierën e 17-vjeçarit, i cili synon të fitojë eksperiencë, minuta dhe besim, me synimin madhor për të qenë pjesë e Kupës së Botës./Telegrafi
Anëtarët e Shërbimit Shtetëror Kufitar të Ukrainës dhe Forcave të Mbrojtjes kanë shkatërruar një sistem lëshimi raketash të shumëfishta Tipi 63 të prodhuar në Kinë, i cili përdorej nga forcat ruse, në frontin jugor.
Shërbimi Shtetëror Kufitar njoftoi se ekipet e dronëve gjetën dhe goditën një sistem të Tipit 63 që forcat ruse ishin përpjekur ta fshihnin.
Goditja u pasua nga një shpërthim.
Sipas të dhënave, ky është një sistem i prodhuar në Kinë.
Ndryshe, së bashku me skepticizmin nëse Vladimir Putin ka rënë dakord të ndalojë së synuari infrastrukturën energjetike të Ukrainës për një javë, Volodymyr Zelensky ka reaguar ndaj raportimeve se është ftuar në Moskë nga presidenti rus.
Ai thotë se është gati për “çdo format” të samitit të liderëve, por jo për një që zhvillohet në Moskë, duke e quajtur një veprim të tillë “të pamundur”.
Zelensky tha se nuk do të takohej me Putinin as në Bjellorusi, një vend me lidhje të forta me Kremlinin. /Telegrafi/
Gjatë spektaklit të së premtes në “Prime” të Big Brother VIP Kosova, banorja Benita Zena ka hapur zemrën dhe ka rrëfyer për herë të parë disa nga sfidat personale që ka përjetuar për shkak të pamjes së saj.
Ajo ka treguar se ka qenë shpesh e paragjykuar për dhëmbët e saj, gjë që e ka motivuar të marrë një vendim drastik për të ndryshuar këtë pjesë të dukjes. Benita ka vendosur të vendosë dhëmbë të diamantit, në vlerë rreth 18 mijë euro, të cilët i realizoi përmes një bashkëpunimi me kompani dentare, duke mos paguar paratë “cash”, por duke i reklamuar ato në media dhe rrjetet sociale.
“Jo Dubai, jo ç’Dubai. Ka pasur shumë dilema, por një herë e mirë dua ta sqaroj se ato para nuk kanë qenë cash, por kanë qenë në kuadër të bashkëpunimit”, ka thënë Benita, duke sqaruar kështu situatën që kishte ngjallur bujë të madhe në media.
Ajo ka folur gjithashtu edhe për paragjykimet që ka hasur si femër, duke mohuar stereotipet që mund të mendojnë se është e lehtë për t’u dashuruar. “Ka pasur paragjykime se jam femër e lehtë, që mund ta ketë çdo mashkull. Përkundrazi, unë jam shumë e vështirë për t’u dashuruar. Deri tash kam pasur vetëm një lidhje, një lidhje të gjatë pesëvjeçare, kështu që mos u bazoni te dukja ime”, ka shtuar ajo.
Ky rrëfim i Benitës ka prekur jo vetëm banorët e shtëpisë, por ka hapur edhe një diskutim më të gjerë në publik për paragjykimet dhe pritshmëritë që shoqëria vendos ndaj pamjes dhe jetës personale të grave. /Telegrafi/
Mund ta praktikoni në takim, në radhë ose në çdo moment tensioni – pa ushtrime dhe pa përgatitje
Vëzhgimi i vetëdijshëm është një teknikë që përshkruan përqendrimin e qëllimshëm të vëmendjes në momentin e tanishëm. Përmes shqisave dhe ndërgjegjësimit, ne përpiqemi të vërejmë mendimet, ndjenjat, ndjesitë trupore, si edhe pamjet, tingujt dhe aromat përreth – pa gjykim dhe pa reagim të menjëhershëm.
Kjo teknikë, e njohur edhe si vëzhgim i vetëdijshëm, besohet se ndihmon në zbutjen e stresit dhe ankthit, duke forcuar njëkohësisht vetëdijen për veten. Ajo na ndihmon t’i shohim situatat ashtu siç janë, jo siç na i paraqet ankthi.
Sipas ekspertëve, mjafton vetëm një minutë për ta rikthyer mendjen nga shpërqendrimi. Përparësia e madhe është se kjo metodë mund të zbatohet kudo dhe në çdo moment, gjatë udhëtimit për në punë, teksa përgatisni kafenë apo ndërsa prisni në radhë.
Është e rëndësishme të theksohet se vëzhgimi i vetëdijshëm nuk e zhduk ankthin, por ndihmon që të reagojmë më mirë dhe të ulim simptomat e stresit të përditshëm, transmeton Telegrafi.
Çfarë nënkupton në thelb kjo teknikë?
Bëhet fjalë për t’u kthyer plotësisht në të tashmen dhe për të qenë realisht të pranishëm. Kur jeni të pranishëm, nuk jeni të përqendruar te e ardhmja dhe as të ngecur te e kaluara, nuk dominoheni nga mendime negative, pesimizëm apo shqetësim emocional, shpjegon psikoterapistja Arati Patel.
Studime të ndryshme sugjerojnë se praktikat e rregullta të vëmendjes, si vëzhgimi aktiv, mund të:
ulin nivelin e ankthit
rrisin qëndrueshmërinë emocionale
përmirësojnë aftësinë për të reaguar me vetëdije, e jo në mënyrë impulsive
Mbështetësit e kësaj metode theksojnë se ajo është studiuar shkencërisht dhe se ndihmon në kontrollin e stresit, rregullimin emocional dhe përqendrimin.
Disa psikiatër dhe psikoterapistë e përdorin vëzhgimin e vetëdijshëm si plotësim të terapisë standarde, por theksojnë se ai nuk zëvendëson diagnozën klinike apo trajtimin mjekësor.
Si praktikohet vëzhgimi i vetëdijshëm?
Edhe pse për disa mund të duket si një trend i ri motivues, shumë persona raportojnë se kjo teknikë u ka ndihmuar realisht.
Arati Patel sugjeron një ushtrim shumë të thjeshtë:
1.Ndalesë e shkurtër – merrni frymë ngadalë dhe zgjateni nxjerrjen e ajrit.
2.Vëzhgoni tri gjëra përreth, pa i etiketuar si të mira apo të këqija.
3.Vëzhgoni dy ndjesi trupore, për shembull këmbët që prekin dyshemenë ose trupin që mbështetet në karrige.
4.Vëzhgoni një tingull, qoftë afër apo larg.
🕒 Ushtrimi zgjat më pak se një minutë dhe funksionon më mirë kur praktikohet rregullisht.
Për ta kthyer në zakon, Patel rekomandon ta lidhni me rutina ekzistuese:
– pritja që të bëhet kafeja – larja e duarve – kalimi nga një detyrë në tjetrën
Mund ta praktikoni në çdo situatë stresi të shtuar –në takim pune, në bankë, në radhë apo në transport publik./Telegrafi/
Bota e aviacionit është vazhdimisht në zhvillim e sipër.
Një risi e tillë, padyshim më e dukshmja për pasagjerët, është futja e WiFi të shpejtë në fluturim.
Kanë ikur ditët kur e vije telefonin në modalitetin “flight mode” përpara se të hapje një libër që e braktisje pas disa faqesh.
Tani, jemi vazhdimisht të lidhur: Aty ku dikur mund të kishe fatin të dërgoje një mesazh me tekst, tani mund të transmetosh video me cilësi të lartë - dhe kjo kryesisht falë ofruesit të internetit satelitor Starlink.
Meqenëse Lufthansa Group është kompania e fundit që njofton futjen e kësaj teknologjie në aeroplanët e saj, ja një vështrim se si funksionon e gjitha.
Çfarë është Starlink dhe si funksionon?
Starlink, e cila është një degë e SpaceX të Elon Musk , ofron akses në internet në të gjithë globin duke përdorur një konstelacion satelitësh.
Kur një përdorues hyn në internet nëpërmjet Starlink, të dhënat transmetohen në një nga më shumë se 6,750 satelitët që ndodhen aktualisht në orbitë, të cilët më pas dërgohen në një antenë marrëse në bord, shkruan euronews.
Ndryshe nga satelitët tradicionalë, të cilët orbitojnë Tokën gati 36,000 km mbi ekuator, satelitët e Starlink përdorin një orbitë të ulët të Tokës.
Ndërsa informacioni i dërguar udhëton me shpejtësinë e dritës, distanca e shkurtuar deri në satelit e bën kohën e udhëtimit vajtje-ardhje më të shkurtër.
E njohur si latencë, kjo matet në milisekonda, me latencën e Starlink që është rreth 25 ms, krahasuar me 600 ms kur përdoren satelitët tradicionalë.
Numri i madh i satelitëve Starlink në orbitë do të thotë që kompania ka krijuar një rrjet global që u lejon njerëzve në disa nga zonat më të largëta të botës të kenë akses në internet, duke e bërë atë perfekt për përdorim në bordin e një aeroplani.
Cilat linja ajrore ofrojnë Starlink?
SpaceX filloi të lansonte satelitët Starlink për herë të parë në vitin 2019, me një lansim beta të shërbimit të saj të internetit në vitin 2020.
Vetëm në fillim të vitit 2024, linja ajrore e parë filloi ta shpërndante shërbimin në të gjithë flotën e saj, me Hawaiian Airlines që e shtoi atë në të gjitha aeroplanët deri në tetor 2024.
Qatar Airways ndoqi shpejt shembullin, me shpërndarjen që filloi të njëjtin muaj, dhe tani rreth 120 aeroplanë janë të pajisur me Starlink.
Linja ajrore letoneze airBaltic u bë e para që prezantoi shërbimin në Evropë, duke filluar nga shkurti i vitit 2025, me Air France dhe SAS që gjithashtu prezantuan Starlink vitin e kaluar.
Grupi Lufthansa, i cili përfshin transportuesit kryesorë për Austrinë, Belgjikën, Gjermaninë, Italinë dhe Zvicrën, njoftoi një bashkëpunim me ofruesin e internetit në mesin e janarit, me plane për të zbatuar Starlink në të gjithë flotën e tij nga gjysma e dytë e vitit 2026.
Virgin Atlantic do të bëhet linja ajrore e parë në Mbretërinë e Bashkuar e pajisur me Starlink duke filluar nga tremujori i tretë i vitit.
Në Lindjen e Mesme, transportuesi kombëtar i Bahreinit, Gulf Air, sapo ka njoftuar se do ta lansojë shërbimin nga mesi i vitit 2026.
Linja të tjera ajrore në rajon me Starlink përfshijnë Emirates, Qatar Airways dhe flyDubai.
Për pjesën më të madhe, linjat ajrore ua ofrojnë shërbimin klientëve falas, megjithëse në disa raste do t'ju duhet të jeni anëtar i një programi të linjës ajrore.
Cilat linja ajrore nuk po marrin Starlink?
Drejtori ekzekutiv i Ryanair, Michael O'Leary, tha se linja ajrore nuk do ta prezantojë shërbimin për shkak të kohëzgjatjes së shkurtër mesatare të fluturimeve, si dhe kostove që lidhen me instalimin e pajisjes.
Asnjë linjë ajrore me kosto të ulët nuk ofron aktualisht Starlink, megjithëse Eurowings është pjesë e Grupit Lufthansa, dhe kështu do ta shtojë shërbimin në muajt në vijim.
Level me seli në Barcelonë do ta lansojë gjithashtu Starlink në fund të vitit. /Telegrafi/
Një rast i rëndë ka ndodhur sonte në Han të Elezit ku një mur është rrëzuar mbi një automjet.
Në lagjen Meliq të Hanit të Elezit është shembur një mur që si pasojë ka nxënë poshtë një veturë derisa ishte në lëvizje.
Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli, bëri të ditur se rasti ka ndodhur rreth orës 20:45 në rrugën “28 Nëntori”. Sipas tij, në automjet ndodhej vetëm shoferi, i cili mbeti i bllokuar pas shembjes së murit.
Menjëherë pas pranimit të njoftimit, në vendin e ngjarjes kanë intervenuar njësitë e Emergjencës dhe Zjarrfikësit nga Hani i Elezit, të cilët kanë nisur operacionin për nxjerrjen e personit të ngujuar.
“Shoferi ka qenë me vetëdije, por i bllokuar brenda veturës,” tha Veseli.
Ai shtoi se rreth orës 22:00, zjarrfikësit kanë arritur ta nxjerrin shoferin nga automjeti.
Personi ka pësuar lëndime trupore, por ka qenë në gjendje të vetëdijshme dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Qendrën Emergjente të Hanit të Elezit.
Lidhur me rastin është njoftuar prokurori i shtetit, ndërsa Policia ka iniciuar “shënim zyrtar” dhe po vazhdon veprimet e mëtejme hetimore./Telegrafi/
Pak minuta para nisjes së Prime-it të Big Brother VIP Kosova, banorja Elijona është nisur drejt spitalit, duke shqetësuar si banorët e tjerë ashtu edhe publikun e spektaklit.
Lajmin e konfirmoi moderatori Alaudin Hamiti, i cili sqaroi se gjendja e saj nuk është për t’u shqetësuar.
Ai bëri me dije se Elijona po merr trajtimin e duhur mjekësor dhe është nën kujdes profesional.
Ende nuk është e qartë nëse banorja do të rikthehet sonte gjatë spektaklit 'prime' ose pas mbarimit të tij.
Fansat e saj mbeten të tensionuar për zhvillimet e mëtejshme brenda shtëpisë së BBVK. /Telegrafi/
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se i kishte dhënë Iranit një afat për të arritur një marrëveshje, ndërsa Uashingtoni zhvendosi asete të rëndësishme ushtarake në Lindjen e Mesme përpara një sulmi të mundshëm ndaj Republikës Islamike.
I pyetur nga gazetarët në Zyrën Ovale nëse kishte vendosur një afat për Iranin përpara një sulmi të mundshëm, Trump konfirmoi se ia kishte komunikuar një të tillë drejtpërdrejt Teheranit, duke shtuar: "Vetëm ata e dinë me siguri".
Ai nuk e zbuloi kohën e këtij afati.
I pyetur nëse kishte një afat kohor se kur forcat amerikane në rajon mund të tërhiqeshin, Trump nuk dha asnjë përgjigje.
“Ata duhet të qëndrojnë diku. Mund të qëndrojnë pranë Iranit”, deklaroi presidenti amerikan.
Ai përsëriti “vlerësimin” e tij për anulimin e supozuar të mbi 800 ekzekutimeve të protestuesve antiqeveritarë nga regjimi — diçka që Teherani nuk e ka konfirmuar se po planifikonte ta bënte.
Bëhet e ditur se Trump kishte kërcënuar se do ta godiste regjimin nëse ai do të vriste protestues.
“Kemi një flotilje të madhe anijesh që po shkon drejt Iranit tani”, përsëriti ai.
“Shpresojmë që do të arrijmë një marrëveshje. Nëse arrijmë një marrëveshje, kjo është mirë. Nëse nuk arrijmë një marrëveshje, do të shohim se çfarë do të ndodhë”, përfundoi Trump. /Telegrafi/
Një tjetër skandal i madh ka goditur futbollin kinez, pasi autoritetet kanë konfirmuar dënime të rënda për 13 klube të përfshira në manipulim ndeshjesh dhe korrupsion.
Para nisjes së sezonit të ri në Superligën e Kinës, nëntë skuadra do ta fillojnë kampionatin me pikë të zbritura. Sanksionet vijnë pas një hetimi të gjerë që ka përfshirë trukime ndeshjesh, baste të paligjshme dhe transaksione të papërshtatshme brenda futbollit kinez.
Shanghai Shenhua, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin si nënkampione, ka marrë një nga dënimet më të ashpra, duke u ndëshkuar me minus 10 pikë në startin e sezonit. I njëjti dënim është dhënë edhe për Tianjin Tigers. Disa klube të tjera janë ndëshkuar gjithashtu, ndërsa katër prej tyre janë tashmë të rëna në China League One si pasojë e masave disiplinore të mëparshme.
Përveç penalizimeve sportive, të gjitha 13 klubet janë gjobitur financiarisht. Gjobat variojnë nga 21 mijë deri në 104 mijë funte, në varësi të seriozitetit të shkeljeve të secilit rast.
Federata Kineze e Futbollit ka theksuar se sanksionet janë vendosur për të mbrojtur integritetin e sportit. Në një deklaratë zyrtare, organi drejtues bëri të ditur se masat synojnë ruajtjen e disiplinës, pastrimin e ambientit futbollistik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Federata sqaroi gjithashtu se zbritja e pikëve dhe gjobat janë përcaktuar mbi bazën e shkallës, natyrës, seriozitetit dhe ndikimit shoqëror të shkeljeve të kryera nga secili klub, duke riafirmuar qëndrimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit.
Ky zhvillim vjen pas një goditjeje edhe më të gjerë që nisi sezonin e kaluar. Në shtator të vitit 2024, 43 lojtarë dhe zyrtarë u dënuan me ndalim të përjetshëm nga futbolli, pasi u shpallën fajtorë për shkelje të rënda. Mes tyre ishte edhe ish-mesfushori i Evertonit, Li Tie.
48-vjeçari u burgos vitin e kaluar pasi pranoi se kishte manipuluar ndeshje, kishte marrë ryshfet dhe kishte ofruar ryshfet me qëllim sigurimin e një posti të lartë trajneri.
Në total, më shumë se 70 persona kanë marrë ndalime të përjetshme si pjesë e këtij hetimi, duke nxjerrë në pah përmasat e mëdha të problemit në futbollin kinez./Telegrafi
Prodhimi industrial në dhjetor të vitit 2025 është rritur për 2.3 për qind në krahasim me dhjetorin 2024, ndërsa në vitin 2025 në krahasim me vitin 2024 për 1,9 për qind, kumtoi sot Enti shtetëror i statistikave.
Ndikim më të madh ndaj rritjes së prodhimit industrial në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, ka rritje të prodhimit nëpër sektorët: Prodhim i prodhimeve ushqimore me 3,5 për qind, Prodhim i pijeve me 34.2 për qind dhe Prodhim i automjeteve motorizuese, rimorkiove dhe gjysmërimorkiove me 3.5 për qind.
Në sektorin Xehtari dhe nxjerrje të gurëve në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, prodhimi industrial shënon rënie prej 6.6 për qind, në Industrinë përpunuese rritje prej 4.5 për qind, ndërsa në sektorin Furnizim me energji elektrike, gaz, avull dhe klimatizim rënie prej 3.9 për qind.
Sipas grupeve kryesore industriale, prodhimi në dhjetor 2025, në krahasim me dhjetorin 2024, shënon rritje tek Prodhimet intermediare, përveç energjisë për 9.8 për qind dhe prodhimeve të paqëndrueshme për konsum të gjerë për 2.4 për qind, përderisa rënie shënon tek Energjia për 3.9 për qind, Prodhimet kapitale për 0.8 për qind dhe Prodhimet e qëndrueshme për konsum të gjerë për 3.8 për qind.
Elon Musk i dërgoi një email Jeffrey Epstein në fund të vitit 2013 për të koordinuar një udhëtim në ishullin e Karaibeve të Epstein, tregojnë dokumentet e publikuara nga Departamenti i Drejtësisë.
Musk kishte pohuar më parë se kishte refuzuar përpjekjet e Epstein për ta bindur atë të vizitonte një nga dy ishujt që zotëronte Epstein - Great St. James dhe Little St. James.
Little St. James ishte një epiqendër e abuzimit të vajzave dhe grave të reja nga Epstein.
Më 13 dhjetor 2013, Musk i dërgoi një email Epsteinit: “Do të jem në zonën e Ishujve të Virgjër Britanikë/St Bart's gjatë festave. A ka ndonjë kohë të mirë për ta vizituar?”
Epstein u përgjigj dy ditë më vonë dhe tha se fillimi i vitit të ri do të ishte i mirë, duke shtuar: “Gjithmonë ka hapësirë për ty”.
Ditën e Krishtlindjeve, Epstein tha në një email tjetër: “2 ose 3 do të ishin perfekt. Do të vij të të marr.”
Musk u përgjigj fillimisht se do të duhej të fluturonte përsëri për në Los Angeles natën e 2 janarit, përpara se të thoshte se mund ta shtynte nisjen e tij një ditë më vonë.
“Kur duhet të shkojmë në ishullin tuaj më datë 2?”, e pyeti Musk Epsteinin.
Nga emailet nuk është e qartë nëse Musk e vizitoi përfundimisht.
Por emailet tregojnë një nivel komunikimi midis palës që nuk ishte zbuluar më parë.
Gjatë grindjes së tyre vitin e kaluar , Musk sugjeroi që presidenti Donald Trump kishte ngadalësuar publikimin e dosjeve të Epstein sepse emri i presidentit ishte në to.
Kjo ishte pjesë e prishjes së marrëdhënieve midis presidentit dhe një burri që kishte qenë një nga këshilltarët e tij më të ngushtë.
Në shtator, pasi emri i Musk u përfshi në një tjetër grup dosjesh, ai kërkoi të distancohej nga shkelësi i dënuar për krime seksuale.
Ai tha në atë kohë se “Epstein u përpoq të më bindte të shkoja në ishullin e tij dhe unë REFUZOVA”. /Telegrafi/
Mësimdhënësi Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për nxitje të përçarjes dhe urrejtjes, ka dhënë versionin e tij lidhur me pretendimin se kishte hedhur flamurin kombëtar shqiptar dhe plisin në shportë të bërllokut.
Hajredinaj ka treguar se më 27.11.2024 kishte shkuar si çdo ditë tjetër në shkollë për të dhënë mësim, duke e ditur se orari atë ditë ishte me orar të shkurtuar pasi pritej organizim i festës së flamurit.
Tutje i akuzuari ka treguar se me të hyrë në klasë duke kryer përgatitjet që të filloj ora mësimore kishte vërejtur se disa prej nxënëse nuk kishin nxjerrë librat për të filluar mësimin.
Sipas versionit të Hajredinajt, është ngritur në këmbë dhe ka parë se një nxënës dhe një nxënëse nuk kishin të veshur uniformat e shkollës dhe ju ka bërë me dije që të vendosnin uniformat.
Tutje, njëri nxënës e kishte përfillur urdhrin e mësuesit, kurse sipas të akuzuarit, nxënësja e cila kishte qenë e mbështjellë me flamur nuk e kishte dëgjuar.
Largimin nga ora mësimore Hajredinaj, para gjykatës tha, se e kishte bërë që ta kursej nxënësen nga shënimi në vërejtje.
“Kur i kam thënë që të dal vajza, e kurseva nga vërejtja dhe kur ka fillu me dalë ka fillu me shpejtësi, jo në mënyrë të rregullt qysh mundet me dalë një nxënëse me mirësjellje. Dy nxënës me shenjë revolte kanë dalë, me shpejtësi dhe ma kanë vënë flamurin në kokë. Ka qenë aj djali që fillimisht e hoqi flamurin dhe një nxënës i cili nuk me kujtohet cili ka qenë, sepse kam qenë i ulur duke shkruar orën”- dha versionin e mbrojtjes i akuzuari.
Sipas tij, nuk kanë shkuar më shumë se 2 minuta kur ka ardhë zëvendës-drejtori i shkollës i cili sapo kishte hyrë në klasë nuk e kishte pyetur fare tashmë të akuzuarin për ndodhinë, por kishte filluar të ju mbaj fjalim nxënësve, e që sipas tij po i nxiste.
Sipas versionit të akuzuarit, nxënësit, ja kishin hedhur plisin në tokë të cilin e kishte larguar që kishte shkuar kah ana e shportës.
“Nxënësit ma kanë hedhë në tokë e kam largu dhe ka shkuar ka ana e shportës” – tha tutje i akuzuari.
Sipas tij, ajo çka ka ndodhë, ka ndodhur pa paramendim apo qëllim të caktuar, e aq më pak për qëllime fetare. I akuzuari ka thënë se feja e tij nuk e mëson që të bëjë diçka të tillë.
Paraprakisht seanca gjyqësore ka vazhduar me administrimin e provave materiale.
Pasi Prokuroria Speciale është tërhequr nga propozimi që të dëgjohet i mituri- nxënësi, ndërsa Gjykata në përbërje prej kryetarit të trupit gjykues, Leon Përlaskës, Violeta Namani dhe Avni Syla – anëtarë, i kanë refuzuar mbrojtësit së të akuzuarit propozimin për dëgjimin e disa dëshmitarëve.
Më të filluar seanca gjyqësore më 30.01.2026 është dëgjuar në cilësinë e dëshmitares Margareta Shabani.
Margareta Shabani, për mosardhjen e saj në seancë më 15.12.2025 për të dëshmuar, Gjykata i kishte shqiptuar gjobën e dytë në lartësi prej 100 euro si dhe u urdhërua sjellja me forcë për në seancën e radhës. Në seancën e datës 14.11.2025 dëshmitarja Margareta Shabani për mosardhjen e saj në seancë për të dëshmuar ishte gjobitur me 50 euro si dhe i kishte lëshuar urdhëresë për sjellje me detyrim.
Dëshmitarja në seancën e datës 30.10.2026 ka thënë se ajo e kishte organizuar festën e flamurit në këtë shkollë, si mësuese e muzikës, më 27.11.2024.
“Dita e flamurit ka qenë në një ditë prej festive dhe e kemi festuar me një program të shkurtë ku ka pasë muzikë, art dhe drama të ndryshme”- tha dëshmitarja.
Dëshmitarja ka thënë se e kishte parë momentin 5 minutësh, kur tashmë i akuzuari, ja kishte kap plisin një nxënësi dhe e kishte përplasur te koshi i mbeturinave duke e shoqëruar me fjalët “është e ndaluar në shkollë”.
“Por e kam pa momentin kur arsimtari ja ka kapë plisin nxënësit dhe e ka përplasë në drejtim të koshit të mbeturinave”- tha dëshmitarja.
Ajo tha se këtë moment e kishte parë teksa priste arsimtarin e gjuhës angleze që të dalë nga klasa me qëllim që të ndjek orën e muzikës e cila ishte planifikuar sipas orarit.
Sipas dëshmitares, tashmë i akuzuari e kishte kapur edhe një flamur dhe kishte tentuar që ta gjuante në shportë, por e kishin ndaluar nxënësit.
“E kam pa arsimtarin duke e kap flamurin dhe duke tentuar që ta gjuaj, ndërsa nxënësit e kanë ndaluar, nuk e di a ka qenë plis apo flamur mirëpo nxënësit e kanë kundërshtuar një veprim të tillë”- tha dëshmitarja.
Fjala përfundimtare rreth këtij rasti do të mbahet më 9 shkurt 2026.
Gjykimi për këtë rast ka filluar rishtazi pasi ka pasur ndryshime të anëtarëve të trupit gjykues në këtë çështje penale.
Ky rast po trajtohet në Departamentin Special të Gjykatës së Prishtinës nga trupi gjykues i përbërë nga Leon Përlaska (kryetar i trupit gjykues), Violeta Namani-Hajra dhe Avni Syla (anëtarë).
Gjykata e Prishtinës e ka lënë në fuqi aktakuzën ndaj të akuzuarit Muhamed Hajredinaj, i akuzuar për veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit.
Shqyrtimi fillestar lidhur më këtë rast është mbajtur më 12.05.2025.
Në seancën fillestare, i akuzuari Hajredinaj kishte deklaruar se nuk e pranon fajësinë për veprën penale të cilën po akuzohet nga Prokuroria Speciale.
“Nuk ndihem fajtor” – kishte thënë i akuzuari Hajredinaj.
Dosja e Prokurorisë
Sipas dosjes së Prokurorisë, më 27.11.2024, rreth orës 08:00, në objektin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “Xhemail Mustafa” në Prishtinë, i pandehuri Hajredinaj duke vepruar në cilësinë zyrtare si arsimtar i Gjuhës angleze, me qëllim të nxitjes së urrejtjes, përçarjes dhe mosdurimit midis grupeve kombëtare, etnike dhe fetare në Kosovë ka ndërmarrë veprime konkrete.
Në aktakuzë thuhet se sapo ka hyrë në klasën 6/4 dhe i përballur me pamjen e nxënësve me simbole kombëtare shqiptare me rastin e festës së flamurit kombëtar shqiptar, i pandehuri për shkak të bindjeve të tij fetare, të cilat i ka shprehur edhe më parë në prani të nxënësve ka marrë flamurin kuq e zi dhe plisin dhe me gjithë kundërshtimet e nxënësve i ka hedhur ato në shportën e mbeturinave.
Tutje në aktakuzë thuhet se ai e ka larguar nga ora mësimore një nxënëse, e cila i mbante këto simbole kombëtare, me qëllim të pjesëmarrjes në programin festiv të organizuar nga Shkolla për Ditën e Flamurit – për çka- me këto veprime të kryera publikisht ka nxitur urrejtje dhe mosdurim ndërmjet grupeve kombëtare, etnike dhe fetare.
Për shkak të veprimeve të lartpërmendura i pandehuri Hajredinaj nga Prokuroria Speciale po akuzohet se ka kryer veprën penale – nxitja e përçarjes dhe mosdurimit./Kallxo.com