Kryeministri Albin Kurti vizitoi fabrikën e ujit Dea.
Pronarët e informuan për rritjen e vazhdueshme, duke e shtrirë eksportin edhe në tregun vendor rajonal.
Fabrika numëron mbi 250 punëtorë dhe pesë linja të prodhimit, të cilët ruajnë standarde të larta të cilësisë.
Gjatë këtij takim, Kurti i inkurajoi ata të përfitojnë nga iniciativat e Qeverisë për punësim, përfshirë programin “Superpuna” për të rinjtë, ndërsa i njoftoi edhe për programin “Superpuna për Gratë”, i cili do të fillojë nga mandati i ardhshëm.
Kurti theksoi përsëri se Qeveria do të vazhdojë të qëndrojë pranë bizneseve dhe kompanive vendore, si dhe duke mbështetur prodhimin në Kosovë.
Ishte mesi i një dite vjeshte. Sun Fu u ul ndanë një tezge frutash, me sytë e picërruar në diellin vezullues. Ai u përkul përpara, me duart në gjunjë, dhe flokët e tij të përhimë dukeshin gri nën rrezet e diellit, gri si rruga që ndehej përpara tij, një rrugë e gjerë që shtrihej nga një distancë e largët dhe pastaj zgjatej në kahun tjetër. Ai e kishte zënë këtë vend prej tre vjetësh tashmë, duke shitur fruta afër vendit ku ndalonin autobusët e udhëtimeve të gjata. Kur një makinë kaloi pranë, e mbuloi me pluhurin e trazuar nga kalimi i saj, duke e kredhur në errësirë, dhe ishte një çast përpara se ai dhe frutat e tij të rishfaqeshin, sikur të ishin zbuluar nga një ag i ri.
Pasi reja e pluhurit kishte kaluar, ai pa një kaçul me rroba të pista përballë tezgës, që po e shihte me sy të zinj e përshkënditës. Teksa e kundroi edhe ai, djali vuri njërën dorë mbi fruta, një dorë me thonj të gjatë të zinj. Kur pa thonjtë të ceknin mollën e kuqe të ndritshme, Sun Fu ngriti dorën që t’i bënte shenjë të largohej, sikur do të trembte një mizë. “Hiqmu”, - tha.
Djali tërhoqi dorën e tij të pistë dhe u lëkund pak teksa çapitej, me krahët që i vareshin plogështas anash. Në një trup kaq të dobët koka e tij dukej më e madhe.
Njerëz të tjerë tashmë po i afroheshin tryezës dhe Sun Fu u kthye të shihte. Ata ndaluan në anën tjetër të tezgës dhe i hodhën atij një shikim. “Sa kushtojnë mollët?” - pyetën. - “Po një kilogram banane?”
Sun Fu u ngrit, peshoi mollët dhe bananet në kandarin e tij dhe mori paratë. Pastaj u ul dhe vuri duart në gjunjë. Djali ishte kthyer. Këtë herë nuk po qëndronte bash përballë, por në njërën anë, me sytë përshkënditës të ngulitur te mollët dhe bananet, ndërsa Sun Fu e shihte me të njëjtën vëmendje. Pasi kundroi frutat për pak, djali ngriti sytë nga Sun Fu. “Kam uri”, - tha.
Sun Fu heshti. “Kam uri”, - përsëdyti djali, me një notë nguti që zvarritej në zërin e tij.
Sun Fu u hakërrye. “Hiqmu”.
Trupi i djalit u duk se u rrëqeth. “Hiqmu”, - tha Sun Fu përsëri, me zë më të lartë.
Djali shtangu. Trupi i tij u lëkund ndërdyshas përpara se këmbët e tij të fillonin të lëviznin. Sun Fu hoqi sytë nga djali dhe e zhvendosi vëmendjen në autostradë. Një autobus i udhëtimeve të largëta kishte ndaluar në anën tjetër të rrugës dhe njerëzit brenda u ngritën në këmbë. Përmes dritareve të autobusit, ai mund të shihte një varg shpatullash që grumbulloheshin drejt dyerve; një çast më vonë, pasagjerët vërshuan nga të dyja skajet e autobusit. Pastaj, me bisht të syrit, Sun Fu pa djalin tek ia mbathte aq shpejt sa i hanin këmbët. Ai pyeti veten pse, dhe më pas pa dorën e djaloshit tek frushkullonte: po shtrëngonte diçka, diçka të rrumbullakët. Tashmë e kuptoi se çfarë ishte. Ai brofi në këmbë dhe u vu ta ndiqte. “Ndalojeni hajdutin”, - bërtiti. - “Ndalojeni atë hajdut atje…”.
Ishte pasdite tashmë. Teksa djali arratisej përgjatë autostradës, ngrihej pluhur. Ai dëgjoi britma prapa tij dhe shikoi përreth për të parë Sun Fu-në që e ndiqte këmba-këmbës. Ai shllapuritej dëshpërimisht, duke gulçuar, dhe kur këmbët filluan t’i këputeshin, e kuptoi se e kishin lënë energjitë. Tek shihte prapa për herë të dytë, ai pa Sun Fu-në që ende i qepej pas, duke klithur e duke tundur krahët furishëm. Krejtësisht i pashpresë, djali ndaloi dhe u kthye, duke dihatur rëndshëm. Ai shikoi derisa Sun Fu ishte ngjitur me të dhe pastaj çoi mollën te goja e i dha një kafshatë të madhe.
Sun Fu shkundi krahun dhe e qëlloi djalin, duke ia rrëzuar mollën nga dora dhe duke goditur aq fort mjekrën e tij sa ai u shemb përtokë. Ai e mbronte kokën me duar, duke u përtypur fort gjatë gjithë kohës. Sun Fu, i xhindosur, e mbërtheu djalin për jake dhe e ngriti në këmbë. Fyti i djalit ishte aq i shtrënguar nga jaka e tendosur sa e kishte të pamundur të përtypej; sytë filluan t’i zgurdullohen dhe faqet t’i fryhen, pak mollë ende në gojë. Tek i kapte jakën me njërën dorë, Sun Fu shtrëngoi qafën e djalit me dorën tjetër. “Pështyje! Pështyje!” - klithi.
Po mblidhej një turmë njerëzish. “Ai ende po përpiqet ta hajë atë!” - u tha Sun Fu atyre. - “Më vodhi mollën dhe e kafshoi, dhe tani po përpiqet ta gëlltisë!”
Sun Fu e goditi fort me shuplakë në fytyrë. “Jepi, pështyje!”
Por djali thjesht e shtrëngoi gojën edhe më fort. Sun Fu ia vendosi njërën dorë në fyt dhe filloi ta këndirrte edhe një herë. “Pështyje!” - thirri.
Teksa goja e djalit u hap, Sun Fu mund të shihte copa të përtypura molle brenda. Ai e forcoi shtangimin si morsë në fytin e djalit, derisa sytë e tij filluan të mbufaten. “Sun Fu, - tha dikush, - shiko, gati po i dalin kokërdhokët vendit. Do ta mbysësh”.
“Mirë t’i bëhet”, - tha Sun Fu. - “Mirë t’i bëhet nëse mbytet”.
Më në fund, e lëshoi. “Nëse ka një gjë që e urrej, - tha ai, duke treguar qiellin, - është një hajdut. Pështyje!”
Djali filloi të pështyjë mollën pjesë-pjesë. Mënyra se si ai i pështyu copat në pjesën e përparme të këmishës, ishte pak a shumë si të shtrydhte pastë dhëmbësh nga një tubet. Pasi e mbylli gojën, ia hapi sërish me forcë dhe u përkul për të parë brenda. “Nuk e ke pështyrë të gjithën”, - tha. - “Ka mbetur edhe ca”.
Djali pështyu sërish - pothuajse e gjitha pështymë këtë herë, por me disa grimca molle aty-këtu. Djali pështyu e pështyu, derisa më në fund mbeti vetëm një zhurmë e thatë, nuk kishte më pështymë. “Mjafton”, - tha Sun Fu.
Ai pa shumë fytyra të njohura mes njerëzve që ishin mbledhur për të parë. “Dikur ne kurrë nuk i mbyllnim dyert, apo jo?” - tha ai. - “Nuk kishte një familje në të gjithë qytetin që mbyllte dyert, apo jo?”
Ai pa njerëzit duke tundur kokën. “Tani, pasi ta keni mbyllur derën një herë, duhet të përdorni edhe një shul të dytë”, - vazhdoi ai. - “Pse? Për shkak të hajdutëve të tillë. Nëse ka një gjë që e urrej, është një hajdut”.
Sun Fu e pa djalin fytyrënxirë, i cili e shikoi i magjepsur, si i mahnitur nga ajo që po thoshte. Pamja e djalit zgjoi një padurim tek ai. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - tha ai, - duhet t’ia thyejmë njërën nga duart, t’i thyejmë dorën që vodhi…”
Sun Fu uli sytë te djali. “Cila dorë ishte?” - bërtiti.
Djali u rrëqeth dhe e kaloi nxitimthi dorën e djathtë pas shpine. Sun Fu ia kapi dorën dhe ua tregoi të gjithëve. “Ishte kjo dorë. Përndryshe, pse do të përpiqej ta fshihte kaq shpejt?”
“Nuk ishte ajo dorë!” - briti djali.
“Atëherë ishte kjo dorë”. Sun Fu kapi dorën e majtë të djalit.
“Jo, nuk ishte”.
Teksa tha këtë, djali u përpoq ta tërhiqte dorën. Sun Fu i dha një shuplakë në fytyrë që e bëri t’i merren këmbët. Pas një shuplake të dytë, djali qëndroi në vend. Sun Fu e kapi për flokësh, duke ia ngritur kokën lart. “Cila dorë ishte?” - klithi ai, duke ia ngulur sytë në fytyrë.
Sytë e djalit u gapërruan teksa shikoi Sun Fu-në, dhe një çast më vonë ai shtriu dorën e djathtë. Sun Fu e mbërtheu për kyçi dhe me dorën tjetër kapi gishtin e mesit të dorës së djalit. “Nëse ndjekim praktikat e vjetra, - u tha soditësve, - duhet t’ia thyejmë këtë dorë. Nuk mund ta bëjmë më këtë. Tashmë ne i mëshojmë edukimit. Si të edukojmë?”
Sun Fu shikoi djalin. “Kështu edukojmë ne”.
Ai mëshoi fort me të dyja duart. U ndie një kërcitje e papritur teksa ai theu gishtin e mesit të djalit. Djali klithi me një piskamë të mprehtë si thikë. Tek uli sytë, pa gishtin e thyer tek lëvarej në pjesën e pasme të dorës dhe u shemb përtokë i tronditur.
“Kështu duhet vepruar me hajdutët”, - tha Sun Fu. - “Nëse nuk u thyeni njërin nga krahët, të paktën duhet t’u thyeni një gisht”.
Duke thënë këtë, Sun Fu u përkul dhe e ngriti djalin në këmbë. Ai vuri re se sytë e tij ishin mbyllur fort nga dhembja. “Hapi sytë!” - klithi. - “Jepi, hapi!”
Djali hapi sytë, por ishte ende në agoni dhe goja e tij ishte shtrembëruar në një formë të çuditshme.
Sun Fu e goditi me shkelm në këmbë. “Lëviz!”
Sun Fu e kapi për jake dhe e shtyu përpara tryezës së frutave. Ai rrëmoi përreth në një karton për një litar dhe e lidhi tek tezga. “Bërtit”, - i tha djalit kur pa njerëzit që shikonin. - “Bërtit: ‘Unë jam një hajdut’!”
Djali shikoi Sun Fu-në. Kur ai nuk iu bind, Sun Fu mbërtheu dorën e tij të majtë dhe e shtrëngoi gishtin e mesëm të majtë. “Unë jam një hajdut!” - briti djali.
“Nuk dëgjohet mjaftueshëm”, - tha Sun Fu. - “Ngrije zërin!”
Djali shikoi Sun Fu-në, pastaj shtyu kokën përpara dhe klithi me gjithë fuqitë: “Unë jam një hajdut!”
Sun Fu pa se si dolën enët e gjakut në qafën e djalit. Ai pohoi me kokë. “Shkëlqyeshëm”, - tha. - “Kështu duhet të bërtasësh”.
Gjithë pasditen dielli i vjeshtës e lau djalin në dritë. Dy duart e tij ishin lidhur pas shpine dhe litari ishte mbledhur rreth qafës së tij, kështu që e kishte të pamundur të ulte kokën. Ai nuk kishte zgjidhje tjetër veçse të qëndronte aty si i ngrirë, me sytë nga autostrada. Pranë tij qëndronte fruta që ai kishte lakmuar, por me qafën e ngulët në vend as nuk mund t’i hidhte një shikim. Sa herë që dikush kalonte pranë - ndonjë kalimtar me gjasë - me këmbënguljen e Sun Fu-së ai do të bërtiste: “Unë jam një hajdut!”
Sun Fu u ul pas tavolinës së frutave në stolin e tij, duke e parë me kënaqësi djalin. Ai nuk ishte më aq i indinjuar për humbjen e një molle dhe kishte filluar të ndihej i kënaqur me një punë të bërë mirë, sepse e kishte kapur dhe ndëshkuar hajdutin e mollës dhe ndëshkimi ende nuk kishte përfunduar. Ai u sigurua që djali të klithte me sa zë kishte sa herë që dikush kalonte pranë. E kishte vënë re që britmat e djalit tërhiqnin një rrëke të vazhdueshme njerëzish në tavolinën e tij të frutave.
Shumë njerëz e shihnin me kureshtje djalin që klithte. Atyre u dukej e çuditshme që një rob i lidhur të thërriste aq fort: “Unë jam një hajdut.” Sun Fu ua sqaronte të gjithë historinë, duke shpjeguar pa u lodhur se si djali kishte vjedhur një mollë, se si ishte kapur dhe se si ishte ndëshkuar. “Është për të mirën e tij”, - do të shtonte Sun Fu.
Dhe do ta bënte të qartë çfarë nënkuptonte me këtë. “Dua që ai të kuptojë se nuk duhet të vjedhë më kurrë”.
Pastaj Sun Fu do t’i drejtohej djalit. “A do të vjedhësh më?” - ia priste ai.
Djali tundte kokën me vrull. Për shkak se qafa e tij ishte shtrënguar aq fort, ai e tundte vetëm pak kokën, por shumë shpejt.
“A e patë atë?” - thoshte Sun Fu triumfalisht.
Gjatë gjithë pasdites, djali bërtiti dhe klithi. Buzët e tij u thanë e u plasaritën në diell dhe zëri iu ngjir. Në buzëmbrëmje, djali nuk ishte në gjendje të nxirrte një britmë të plotë dhe mundi të bënte vetëm një zhurmë gërvishtëse, por prapëseprapë vazhdoi të briste: “Unë jam një hajdut.”
Pasagjerët nuk mund ta kuptonin më se për çfarë po bërtiste. “Ai po bërtet: ‘Unë jam një hajdut.’”, - tha Sun Fu.
Pas kësaj, Sun Fu e zgjidhi litarin. Tashmë ishte pothuajse errësirë. Sun Fu i kaloi frutat në karrocën e tij të sheshtë dhe kur gjithçka ishte në rregull, e zgjidhi robin e tij. Pikërisht kur Sun Fu po vendoste litarin e mbështjellë mbi karrocë, dëgjoi një zhurmë të mbytur prapa tij, dhe shikoi përreth për të parë që djali ishte shembur përtokë. “Pas kësaj, - tha ai, - vë bast që nuk do të guxosh të vjedhësh më”.
Teksa fliste, Sun Fu hipi në biçikletë në pjesën e përparme të karrocës dhe u nis tatëpjetë autostradës së gjerë, duke e lënë djalin të shtrirë përtokë sa gjerë gjatë. I ligështuar nga uria dhe etja, ai ishte shembur sapo u zgjidh. Ai tashmë thjesht vazhdonte i shtrirë atje, me sytë paksa të hapur, sikur të shihte rrugën ose sikur të mos shihte asgjë. Ai qëndroi pa lëvizur për disa minuta dhe pastaj u ngrit ngadalë këmbadoras dhe u mbështet pas një peme. Më në fund, filloi të zvarritej rrugës tatëpjetë, në drejtim të perëndimit.
Djali u drejtua nga perëndimi, me trupin e tij imcak që lëkundej lehtë në muzg teksa dilte nga qyteti me gjysmë hapi. Disa e shihnin tek largohej dhe e dinin që ai ishte hajduti që Sun Fu kishte kapur atë pasdite, por ata nuk e dinin emrin e tij ose nga kishte ardhur, dhe sigurisht as që ia kishin idenë se ku po shkonte. Ata panë se si gishti i tij i mesit varej në pjesën e pasme të dorës së djathtë dhe shikuan se si çapitej në muzgun e largët dhe u tret.
Atë mbrëmje, si zakonisht, Sun Fu shkoi në dyqanin e vogël ngjitur për të blerë gjysmë litri me verë orizi, më pas përgatiti disa ushqime të thjeshta dhe u ul në tryezën katrore të ngrënies. Në këtë orë të ditës, dielli në perëndim shndriti nga dritarja dhe u duk sikur e ngrohu dhomën. Sun Fu u ul atje në muzg, duke hurbur verën e tij.
Shumë vite më parë, ai e kishte ndarë dhomën me një grua të bukur dhe një djalë pesëvjeçar. Në ato ditë dhoma gumëzhinte vazhdimisht nga zhurma dhe gjallëria, dhe nuk kishin të mbaruar gjërat për të cilat ata bisedonin. Ndonjëherë ai thjesht do të ulej brenda dhe shikonte se si gruaja e tij ndizte një zjarr jashtë në sobën me qymyr. Djali i tyre do t’i ngjitej asaj nga pas si mastikë, duke ia tërhequr xhaketën dhe duke e pyetur a duke i thënë diçka me zërin e tij të paktë të ngjirur.
Më vonë, një drekëherë vere, disa djem hynë me vrap brenda, duke thirrur emrin e Sun Fu-së. Ata thanë që djali i tij kishte rënë në një pellg jo shumë larg që aty. Ai vrapoi si një njeri i xhindosur, me gruan që e ndiqte pas me klithma therëse. Nuk kaloi shumë kur u bë më se e qartë se kishin humbur djalin e tyre përgjithmonë. Atë natë ata u ulën së bashku duke dënesur e duke ofsharë në errësirë dhe në zabullimë.
Më vonë akoma, ata filluan të rifitojnë qetësinë, duke e vazhduar jetën si më parë, dhe kështu kaluan me shpejtësi disa vite. Pastaj, një dimër, një berber shëtitës ndaloi jashtë shtëpisë së tyre. Gruaja e Sun Fu-së doli përjashta, u ul në karrigen që i dha berberi, mbylli sytë në rrezet e shndritshme të diellit dhe e la berberin t’ia lante e t’ia priste flokët, t’ia pastronte veshët e t’ia masazhonte krahët dhe shpatullat. Asnjëherë në jetën e saj nuk ishte ndier kaq e relaksuar sa atë ditë: dukej sikur po i shkrihej i gjithë trupi. Më pas i futi rrobat e saj në një çantë dhe priti derisa të errësohej qielli, pastaj u nis përgjatë rrugës që kishte marrë berberi.
Sun Fu ishte vetëm tashmë, e shkuara e tij ngjishej në një foto të zbardhulët bardhë e zi që varej në mur. Ishte një portret familjar: ai, gruaja e tij dhe djali i tyre. Djali ishte në mes, me një kapelë pambuku disa masa më të madhe. Në të majtë, me gërsheta, gruaja e tij buzëqeshte gëzimplotë. Sun Fu ishte në të djathtë, me fytyrën e tij rinore citazi me jetë. /Gazeta “ExLibris”/
Miliarderi amerikan dhe pronari i Tesla-s, Elon Musk, deklaroi se kryeqyteti i Belgjikës, Brukseli, “nuk është më belg”.
Komenti i tij u bë pas rezultateve të një ankete nga portali belg “Immigratiebarometer”, i cili monitoron çështjet demografike dhe emigracionin në vend.
Sipas portalit, kanali kryesor i emigracionit për të hyrë në Belgjikë mbetet bashkimi familjar. Që nga viti 2018, mesatarisht çdo vit ka pasur rreth 56 mijë ribashkime familjare.
Vetëm gjatë pandemisë së COVID-19 u shënua një rënie, ndërsa në vitin 2024 u regjistrua një rekord me 59,873 familje që u ribashkuan.
Komenti i Musk erdhi në përgjigje të një postimi të Mario Nawfal, themelues i Grupit IBS, i cili vuri në dukje se pothuajse tre nga katër fëmijë në Bruksel tani janë me origjinë jo-evropiane. Ai theksoi se kjo ndryshon rrënjësisht përbërjen e popullsisë së qytetit dhe ka pasoja të thella sociale.
Sipas Nawfal, shumica e të miturve nuk kanë origjinë belge, duke riformësuar kështu popullsinë e ardhshme.
Ai argumentoi se ky fenomen nuk është rastësor, por rezultat i zgjedhjeve të qëllimshme politike nga elitat që injoruan paralajmërimet.
Kur një kryeqytet ka shumicën e popullsisë me rrënjë të huaja, integrimi bëhet i vështirë, ndërsa ajo që po ndodh në Bruksel përshkruhet si zëvendësim demografik, jo thjesht menaxhim i diversitetit. /Telegrafi/
Gega ka ngritur shqetësime serioze për mungesën e infrastrukturës ligjore dhe urbane në Kosovë, veçanërisht në ndërtimtari.
Ai në “Podcast me Shkelzen Dakaj” tha se zhvillimi i shpejtë i Prishtinës nuk është shoqëruar me infrastrukturë rrugore, kanalizim dhe ujësjellës, duke shtuar se investitorët shpesh detyrohen t’i ndërtojnë vetë rrugët, ndonëse paguajnë taksën e infrastrukturës.
Po ashtu, ai kritikoi procesin e legalizimit të objekteve, duke thënë se ligji duhet të thjeshtësohet dhe të shtyhet përpara, pasi një proces i tillë do të zhbllokonte kapitalet dhe do t’i lironte investitorët.
“Jam mik i mirë me të. Është një futbollist shumë, shumë, shumë i talentuar”, ka thënë fillimisht Dickel, i cili tani është spiker i stadiumit.
“Kur është në fushë, nuk e di kurrë se çfarë do të ndodhë më pas. Ne duam lojtarë që janë të pjekur, që kanë mendimet e tyre dhe marrin vendimet e tyre”.
“Nëse ai bën diçka të gabuar, ne nuk ankohemi. Karimit mund t’i duhet të vihet në vend ndonjëherë, por thjesht duhet ta lejosh një lojtar si ai të luajë futboll”.
Për spikerin e stadiumit, Adeyemi është qartësisht një ndryshim rrënjësor i lojës.
“Ai ka një shpejtësi që jo çdo futbollist e ka. Ai mund të vrapojë përpara kujtdo në fushë. Kjo është ajo që e bën të veçantë. Më pëlqen ta shikoj. Është një djalë i shkëlqyer, një djalë i çmendur që bën edhe gabime ndonjëherë”, përfundoi Dickel. /Telegrafi/
Sektori për Punë të Brendshme në Tetovë ka dalë me detaje në lidhje me rastin e vjedhjes së makinës së artistëve Adri dhe Iliriana. Nga SPB Tetovë thonë se rastin në polici e ka raportuar K.R (31) nga Kosova, ndërsa makina e artisëve në rastin që është vjedhur ka qenë e ndezur.
"Më 26.12.2025 në ora 04:15 në SPB Tetovë, K.R.(31) nga Kosova ka denoncuar se rreth orës 01:40, nga hapësira e parkimit të një objekti hotelierik në fshatin Zhelinë të Tetovës, i është marrë automjeti i tij i pasagjerëve „Audi A6“ me marka kombëtare të Kosovës, i cili ishte me dyer të pa bllokuara dhe me motor të ndezur, e në të cilin ndodheshin dokumenti i tij i udhëtimit dhe ai i bashkëshortes së tij. Po ndërmerren masa për gjetjen e automjetit dhe për zbardhjen e rastit", thonë nga SPB Tetovë.
Lajmin për vjedhjen e makinës e bëri të ditur Adri përmes një njoftimi në llogarinë e tij në Instagram, duke kërkuar ndihmë nga qytetarët për gjetjen e veturës së tij.
“Ju kisha lut shqiptarëve të Maqedonisë me na ndihmu për gjetjen e veturës pasiqë edhe e kemi lajmëru veturën në institucione”, shkruan Adri në postimin e tij.
Ai ka lënë gjithashtu numrin e kontaktit për çdo informacion që mund të çojë në gjetjen e veturës. Automjeti në fjalë është i tipit Audi 6, dhe Adrit dhe Iliriana shpresojnë që me ndihmën e qytetarëve të mund ta rikuperojnë sa më shpejt./Telegrafi/
Kandidati për deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Berat Rukiqi, ka prezantuar një paketë masash dhe projekte që synojnë uljen e çmimit të energjisë elektrike për qytetarët.
Mes veprimeve të propozuara nga Rukiqi janë: heqja e Tatimit në Vlerë të Shtuar (TVSH) për energjinë elektrike, ndërtimi i termocentraleve me gaz për të reduktuar importin e energjisë të shtrenjtë, rehabilitimi i plotë i Termocentralit “Kosova B”, si dhe investime në ngrohjen qendrore, izolimin e banesave dhe shtëpive.
Sipas kandidatit, këto masa do të kontribuojnë në stabilizimin e çmimeve të energjisë, përmirësimin e eficiencës energjetike dhe mbështetjen direkte të familjeve dhe konsumatorëve të Kosovës.
Kryeministri Albin Kurti ishte në Klinë, ku vizitoi familjen e komandatit të UÇK-së, Mujë Krasniqit.
Ai u prit nga babai i heroit, Halil Krasniqi, Baca Lilë, siç e quajti, me të cilin zhvilloi biseda të ngrohta e domethënëse.
"Komandant Kapuçi ishte njëri nga prijësit, e tanimë edhe simbol i luftës së fundit", tha Kryeministri Kurti.
Ai theksoi se vetëm falë sakrificës së dëshmorëve, ne gëzojmë një shtet të lirë, sovran e demokratik, prandaj nderimet për ta janë obligimin moral dhe kombëtar.
Ndërsa mëngjesin e festës së Krishtlindjes, Kurti e kaloi duke vizituar familjet Dedaj, Prenaj, Kola dhe tek prifti Don Jetoni.
Ai, në këtë ditë feste për të gjithë besimtarët, i uroi që të kenë sa më shumë begati e mirësi.
Lidhja Demokratike e Kosovës, sot nga ora 18:00 do ta mbajë tubimin përmbyllës të fushatës së saj.
Kështu është bërë e ditur në postimin e LDK-së, ku thuhet se tubimi mbyllës do të mbahet në Pallatin e Rinisë në Prishtinë.
“Sot, e premte, e mbyllim fushatën së bashku! Ejani në orën 18:00, në Pallatin e Rinisë në Prishtinë. Le ta bëjmë një mbrëmje shprese dhe mobilizimi”, thuhet në postim.
Kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, në konferencën e sotme për shtyp, përsëriti qëndrimin e tij të mëparshëm se bashkëpunimi i autoriteteve të vendit me qeverinë serbe të presidentit Aleksandar Vuçiq dhe partinë SNS është i dukshëm.
Filipçe vlerëson se "opinioni tashmë po e sheh se si kryeministri Hristijan Mickoski dëshiron ta imitojë Vuçiqin në të folur, në këmbë, në lëvizje dhe në konceptin e deklaratave" dhe e quajti atë "Vuçiq i vogël".
Filipçe bëri një krahasim midis tragjedisë në diskotekën "Pulse" të Koçanit dhe tragjedisë në stacionin e trenit në Novi Sad. Kryetari i LSDM-së thekson se ka zyrtarë qeveritarë që janë plotësisht të mbrojtur dhe nuk janë përfshirë në hetimin për Koçanin. Lidhur me problemin me Bullgarinë, ai thotë se është një punë e kryer dhe se përfshirja e bullgarëve në Kushtetutë është vetëm një mekanizëm për mënyrën se si të arrihet BE-ja.
“Përfshirja e bullgarëve do të na çojë aty ku kemi synuar strategjikisht të arrijmë për dekada të tëra. Dhe kjo është përsëri një formë e shtrembërimit të fakteve dhe e tjerrjes së tyre për ta paraqitur si tradhti, ndërsa në thelb nuk do të ketë reforma, prokurorë evropianë dhe transformim të gjyqësorit, ndërsa krimi e korrupsioni do të vazhdojnë të lulëzojnë”, tha Filipçe, duke akuzuar qeverinë./Telegrafi/
Dodge rifillon prodhimin e motorëve V8 me 1000 kuaj fuqi pas përpjekjes së dështuar me automobilët elektrikë.
Gjiganti automobilistik Stellantis, ku bën pjesë edhe Dodge, ka kuptuar çfarë duan vërtet dashamirësit amerikanë të automjeteve “muscle”.
Prandaj, motori ekstrem 7-litërsh V8 rikthehet si pjesë e katalogut Direct Connection. Kjo do të thotë se motori mund të blihet direkt nga fabrika dhe të instalohet sipas dëshirës së pronarit.
Ky vendim vjen pas shitjeve të zhgënjyera të modelit elektrik Dodge Charger Daytona, pasi blerësit vazhdojnë të preferojnë modelet e vjetra me motorë me djegie të brendshme. Tani, adhuruesit mund të rikthejnë në pronësi legjendarin Mopar Hellephant A30.
Motori i përmirësuar V8 vjen me një kompresor masiv që siguron fuqi të jashtëzakonshme, dhe me një moment rrotullues prej 1287 Nm, ofron performancë spektakolare. Çmimi është vendosur në 35 mijë dollarë, dhe sipas Carscoops, kërkesa ishte aq e madhe sa prodhimi u përshpejtua.
Nuk është vetëm Dodge që përfiton nga rinovimi i entuziazmit për motorët benzinë. Stellantis gjithashtu ka vendosur të rikthejë motorin V8 në serinë popullore të pickup-eve RAM.
Prodhuesit e veturave nuk janë organizata bamirëse; kur ndiejnë interes dhe kërkesë, ata përpiqen t’i plotësojnë dëshirat e klientëve – dhe Amerika aktualisht “merr frymë” për këtë. /Telegrafi/
Marc Cucurella ka konfirmuar në 2025 pozicionin e tij si një nga mbrojtësit më të mirë të majtë në botë, pas një viti të shkëlqyer si në nivel klubi, ashtu edhe në përfaqësuesen e Spanjës.
Pas shpërthimit në Euro 2024 me Spanjën, ish-lojtari i Barcelonës ka bërë një hap më tej në konsolidimin e tij te Chelsea, ku ka arritur të tejkalojë çdo presion të lidhur me shifrën e lartë të transferimit.
Mbrojtësi spanjoll, 27 vjeç, është bërë një element thelbësor për ekipin londinez, duke mbrojtur me siguri krahun e majtë dhe duke kontribuar në sulm me saktësi.
Deri më tani, ai ka luajtur 23 ndeshje këtë sezon, duke regjistruar 2 asistime dhe duke spikatur si për aftësitë mbrojtëse, ashtu edhe për ndikimin e tij në lojën sulmuese.
Me kontratë deri në 2028, Cucurella jo vetëm që siguron vazhdimësinë te Chelsea, por gjithashtu është bërë një element kyç në thirrjet e Luis de la Fuente, duke u konsoliduar si një lojtar diferencial për Spanjën.
Performanca e tij e vendos yllin në elitën e pozicionit, në konkurrencë me figura si Nuno Mendes dhe të tjerë referenca ndërkombëtare.
Rritja e Cucurella duket pa kufi, dhe karriera e tij parashikon ta mbajë ndër mbrojtësit më të mirë të majtë në botë edhe për vitet e ardhshme. /Telegrafi/
Këshilli Gjyqësor i Kosovës ka zgjedhur Ngadhnjim Arrnin si kryetar të Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Vendimi u mor në takimin e 357-të të KGJK-së, pas shqyrtimit të aplikacioneve, intervistimit dhe vlerësimit të kandidatëve nga paneli i veçantë.
Anëtarët e Këshillit, pas procesit të votimit, e zgjodhën Arrnin me shumicë votash, ndërsa një anëtar abstenuan.
Mandati i tij është pesëvjeçar dhe fillon nga data e hyrjes në fuqi të vendimit.
Ky zgjedhje shënon një hap të rëndësishëm në funksionimin e gjyqësorit dhe menaxhimin e Gjykatës Themelore në kryeqytet, duke siguruar vazhdimësinë dhe stabilitetin e institucioneve të drejtësisë. /Telegrafi/
Gjykata Themelore në Prishtinë ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit për krime lufte, Slagjan Trajkoviq, duke e dënuar me 10 vjet burim.
Aktgjykimi u shpall të premten nga kryetari i trupit gjykues, Ngadhnjim Arrni dhe anëtarët Arben Hoti dhe Donikë Shala-Abdyli, raporton “Betimi për Drejtësi“.
Gjykatësi Arrni tha se Trajkoviq është fajtor për pikën C të aktakuzës dhe të njëjtin Gjykata e gjykon me dënim me 10 vjet burgim.
Në dënimin me burgim, të akuzuarit do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Kjo masë, atij i vazhdohet me aktvendim të veçantë.
Trajkoviq obligohet t’i paguajë edhe shpenzimet e procedurës dhe atë 200 euro për paushallin gjyqësor dhe 100 euro për fondin për kompensimin e viktimave të krimit.
Palët e dëmtuara për realizimin e kërkesës pasurore-juridike udhëzohen në kontest civil.
Sa i përket pikës A, B dhe D të aktakuzës, gjykatësi Arrni tha se nuk është vërtetuar se i akuzuari ka kryer ato veprime inkriminuese për të cilat e ngarkon aktakuza.
Kundër këtij vendimi, palët e pakënaqura kanë të drejtë ankese në afat prej 30 ditësh, në Gjykatën e Apelit.
MPB Maqedoni njofton se dje (25.12.2025) në orën 20:18 në Kalimin Kufitar Tabanoc, në hyrje të RMV-së, oficerët e policisë e privuan nga liria F.S. (39) nga Kumanova.
Siç njoftojnë nga MPB, gjatë kontrolleve kufitare dhe kontrollit në automjetin "Fiat" me targa kombëtare zvicerane, të cilin ai e drejtonte, u gjetën dhe u sekuestruan 271 monedha me madhësi dhe forma të ndryshme, me origjinë nga periudha të ndryshme kohore.
"Personi u ndalua në stacionin policor dhe prokurori publik u njoftua për rastin. Pas dokumentimit të plotë të rastit, kundër tij do të ngrihet kallëzim përkatës sipas nenit 266B të Kodit Penal - "importim i mallrave të fituara në mënyrë të paligjshme nën mbrojtje të përkohshme, trashëgimi kulturore dhe raritete natyrore"", thonë nga MPB.
Komuna e Drenasit njofton qytetarët se nesër, më 27 dhjetor, Tregu i Gjelbër në rrugën “Fehmi e Xhevë Lladrovci” nuk do të jetë në dispozicion për parkim.
Kjo bëhet për shkak të organizimit të aktivitetit “Tuning Show”, i cili zhvillohet nga organizata e veturave “Çair Tuning Team”, me miratimin zyrtar të Kryetarit të Komunës.
Ngjarja do të fillojë në orën 14:00, dhe qytetarët janë të lutur që të lirojnë hapësirën në kohë dhe të shfrytëzojnë parkingje alternative, në mënyrë që aktiviteti të zhvillohet pa pengesa.
Komuna falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/
Çështjet pronësore dhe trashëgimore vazhdojnë të mbeten ndër temat më të ndjeshme dhe më komplekse për sistemin gjyqësor të Kosovës, ndërsa mungesa e dokumentacionit kadastral dhe rrethanat historike vazhdojnë të ndikojnë drejtpërdrejt në zvarritjen e proceseve gjyqësore.
Kështu ka deklaruar gjyqtari i Gjykatës Supreme të Kosovës, Zenel Leku, në podcastin për të drejtat pronësore në Telegrafi me redaktoren Jehona Hulaj, ku ka theksuar se këto raste kërkojnë trajtim të veçantë dhe profesionalizëm të lartë.
“Çështjet pronësore janë çështje të ndërlikuara. Vendimmarrja shpeshherë komplikohet për shkak të mungesës së të dhënave kadastrale, pasi dihet që gjatë luftës ato janë marrë dhe janë dërguar në Serbi, gjë që edhe sot paraqet problem serioz në vendimmarrje”, ka thënë Leku.
Sipas tij, përkundër përpjekjeve për trajtim më efikas, gjykatat përballen me ngarkesë të madhe të lëndëve, sidomos në vitet e fundit për shkak të kontesteve të natyrës tjetër, siç janë ato të punës.
Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova
“Vërehet një qasje më pozitive dhe trajtim më i shpejtë i këtyre rasteve, por ngarkesa e madhe me lëndë të tjera, sidomos kontestet e punës, ndikon drejtpërdrejt edhe në zvarritjen e çështjeve pronësore”, ka shtuar ai.
Gjyqtari i Gjykatës Supreme ka bërë të ditur se mesatarja e trajtimit të çështjeve pronësore në Kosovë sillet rreth pesë vjet, duke theksuar se po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të përputhet me standardet evropiane.
“Sipas studimeve, çështjet pronësore zgjasin mesatarisht rreth pesë vjet. Po punohet që kjo kohë të zvogëlohet dhe të jetë brenda standardeve që kërkohen edhe nga Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut”, ka theksuar Leku.
Ai ka përmendur gjithashtu se mungesa e komunikimit procedural me Serbinë mbetet një nga faktorët kryesorë që pamundëson trajtimin e disa rasteve.
“Ligji përcakton mënyrën e komunikimit me palët në procedurë. Kur komunikimi është i pamundur, gjykata detyrohet të ndërpresë ose të pushojë gjykimin”, ka sqaruar ai.
Duke folur për të drejtat e grave në trashëgimi, Leku ka vlerësuar se ka një trend pozitiv sa i përket vetëdijesimit dhe paraqitjes së rasteve nga gratë në gjykatë, megjithatë sfidat mbeten të pranishme.
“Vërehet një trend pozitiv i paraqitjes së rasteve nga gratë që kërkojnë realizimin e të drejtave të tyre nga trashëgimia ose pasuria e përbashkët e bashkëshortëve”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se përjashtimi nga trashëgimia përbën shkelje serioze dhe në disa raste edhe vepër penale.
“Ka raste kur trashëgimia hapet pa u njoftuar trashëgimtarët, kryesisht gratë, dhe kjo përbën shkelje serioze. Trashëgimtari nuk mbetet pa pjesën e tij dhe ka të drejtë t’i drejtohet gjykatës”, ka deklaruar Leku.
Gjyqtari Zenel Leku gjatë podcastit në Telegrafi.com /Foto:Ridvan Slivova
Leku ka nënvizuar rëndësinë e ndërtimit të praktikës unike gjyqësore, duke përmendur mendimet juridike të Gjykatës Supreme si instrument kyç për sigurinë juridike të qytetarëve.
“Ndërtimi i praktikës unike është shumë i rëndësishëm për sigurinë juridike të qytetarëve. Vendimmarrje të ndryshme për rrethana të njëjta krijojnë pabarazi dhe pasiguri”, ka thënë ai.
Në fund, gjyqtari i Gjykatës Supreme u ka bërë thirrje qytetarëve që të besojnë në sistemin gjyqësor.
“Mesazhi im është që qytetarët të besojnë në sistemin gjyqësor. Ne jemi këtu për të bërë të gjitha përpjekjet që të realizohen të drejtat e tyre”, ka përfunduar Leku. /Telegrafi/
Ky publikim është prodhuar nga Telegrafi në kuadër të projektit PIAKOS, zbatuar nga ATRC dhe financuar nga Banka Botërore – Fondi për Paqe dhe Shtet-Ndërtim. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e ATRC-së dhe nuk pasqyron domosdoshmërish pikëpamjet e Bankës Botërore, Fondit për Paqe dhe Shtet-Ndërtimin, apo Telegrafit.
Organizatorët e Kupës së Kombeve të Afrikës, në marrëveshje me Konfederatën e Futbollit Afrikan kanë marrë një vendim të përbashkët sa i përket tifozëve në ndeshjet që do të zhvillohen gjatë turneut.
Sipas mediumit RFI, organizatorët e Kupës së Kombeve të Afrikës, në marrëveshje me Konfederatën e Futbollit Afrikan po lejojnë tifozët të hyjnë në stadium falas afërsisht 20 minuta pas fillimit të ndeshjeve nëse tribunat nuk janë plot deri në atë kohë.
Ndeshja midis Kamerunit dhe Gabonit (1-0) filloi me tribuna pothuajse të zbrazëta, por gjatë pjesës së parë, stadiumi u mbush ndjeshëm, pavarësisht shiut.
Më vonë, pjesëmarrja zyrtare u njoftua si ishin 35,200 spektatorë në një arenë me një kapacitet prej më shumë se 45,000 vendesh. Skena të ngjashme u vunë re në shumë ndeshje në ditët e para të turneut.
Ndeshja midis Republikës Demokratike të Kongos dhe Beninit në Rabat fillimisht u njoftua se do të kishte një pjesëmarrje prej 6,703 shikuesish, por kjo shifër u ndryshua më vonë në 13,073.
Të vetmet ndeshje që u shitën plotësisht ishin ndeshjet e vendit pritës, Marokut, kundër Malit dhe Zambias, si dhe ndeshjet e Algjerisë kundër Burkina Fasos dhe Guinesë Ekuatoriale. /Telegrafi/
Qeveria në detyrë ka prezantuar të premten Bursën e Mobilitetit për studentët përfitues.
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, para studentëve tha se përmes kësaj burse mbulohet kosto e udhëtimit për studentët, derisa shtoi se e njëjta paraqet një vizion më të gjerë, ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë.
Ai nënvizoi se investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës.
“Nuk jemi duke folur vetëm për një skemë mbështetëse financiare, por edhe për një vizion më të gjerë, atë për një Republikë ku arsimi është i qasshëm, i drejtë dhe i barabartë për të gjithë. Me Bursën e Mobilitetit për studentët, qeveria jonë po adreson një sfidë reale me të cilën janë përballur shumë studentë ndër vite, e kjo është kostoja e udhëtimit drejt universitetit. Kjo skemë është e bazuar në nevojën dhe e dizajnuar mbi parimin e drejtësisë sociale. Ne besojmë që distanca gjeografike dhe gjendja ekonomike nuk duhet të jenë pengesë për arsimin cilësor. Investimi në arsim është investim në të ardhmen e Kosovës”, tha ai, raporton kp.
Kurti shtoi se gjatë mandatit qeverisës janë ndarë afër 18 mijë bursa me një buxhet përreth 20 milionë euro për studentët, derisa u zotua se të njëjtat do të dyfishohen.
“Gjatë këtij mandati qeverisës i kemi ndarë afër 18 mijë bursa me një buxhet të gjithmbarshëm prej 20 milionë eurove. Në vijim do të dyfishojmë buxhetin për bursa. Nuk ka kategori shoqërore e cila mund të tregojë se kah po shkon zhvillimi socioekonomik dhe kulturor mbi vendin, sikurse ajo e studentëve të universitetit”, theksoi Kurti.
Qeveria në detyrë gjatë këtij viti ka ndarë nga 100 euro për secilin student, derisa ditë më parë ndau mbi 1 milion euro për Bursën e Mobilitetit për studentë.