Pas arrestimit të Dugagjin Berishës, 27 vjeç, në kuadër të operacionit policor të koduar “Barriera”, detaje të reja janë zbardhur detaje të reja mbi mënyrën se si u dokumentua aktiviteti i tij i trafikimit të armëve.
Sipas informacionit të siguruara nga Balkanweb, efektivët e Komisariatit nr. 4 kishin marrë informacion se Berisha do të udhëtonte drejt Tiranës dhe më pas në zonën e Freskut për të shitur pistoletat e sekuestruara më parë. Ai është mbajtur nën vëzhgim që nga kalimi në Pikën Kufitare të Morinit, ku hyri në territorin e Shqipërisë me makinën tip “Volkswagen”.
Policia njofton se më parë, me përdorimin e agjentëve të infiltruar, i ka blerë Berishës 2 pistoleta në Fresk, për të dokumentuar aktivitetin e tij kriminal. Ky veprim u krye për të mbledhur prova konkrete të trafikimit të armëve dhe për të ndaluar shpërndarjen e tyre në tregun e paligjshëm.
Nga hetimet paraprake rezulton se Berisha dyshohet të ketë kryer veprime të ngjashme edhe më herët, duke treguar për një aktivitet të vazhdueshëm të trafikimit të armëve zjarri drejt zonës së Tiranës.
Materialet procedurale dhe provat e mbledhura iu referuan Prokurorisë për veprime të mëtejshme, ndërsa Policia vijon hetimet për identifikimin e të tjerëve të përfshirë në rrjetin e trafikimit të armëve.
Kryeministri hungarez, Viktor Orban, e shpalli Ukrainën “armik” të Hungarisë gjatë një fjalimi në një tubim më 7 shkurt.
Orban, i parë gjerësisht si aleati më i ngushtë i Kremlinit në Bashkimin Evropian, ka sulmuar vazhdimisht Kievin dhe Brukselin gjatë gjithë luftës së plotë të Rusisë kundër Ukrainës, shkruajnë mediat e huaja.
Duke folur në një tubim në qytetin hungarez Szombathely më 7 shkurt, Orban kritikoi Ukrainën për kërkesën që BE të ndalojë importet e energjisë së lirë ruse.
“Kushdo që thotë se ky është armik i Hungarisë, atëherë Ukraina është armiku ynë”, tha ai.
Deklaratat e tij vijnë menjëherë pasi Këshilli i BE-së miratoi planet për të ndaluar blerjet e gazit rus deri në vitin 2027.
Hungaria dhe Sllovakia – të dyja vende miqësore me Moskën që mbeten shumë të varura nga gazi rus – e kanë kundërshtuar vendimin në Gjykatën Evropiane të Drejtësisë.
Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta përmes një postimi ka reaguar lidhur me dhunimin e avokatit të tij, Kujtim Cakrani. Meta dënoi sulmin teksa theksoi se autorët të cilët i cilësoi si banditë duhet të dalin para ligjit.
‘Dënoj me ashpërsi sulmin ndaj Avokatit Kujtim Cakrani nga dy banditë, të cilët jo vetëm duhet të identifikohen, por edhe të vendosen para ligjit sa më shpejt.
Nuk është hera e parë, që sulmohen avokatët sepse jetojmë në një regjim ku ata konsiderohen jo vetëm të panevojshëm, por edhe problematikë.
Solidaritetin tim të plotë me Avokatin Cakrani, me familjen e tij, si edhe me të gjithë kolegët,’ shkruan Meta.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) ka njoftuar për tërheqjen urgjente nga tregu të disa produkteve ushqimore për foshnje të markës APTAMIL, pas konfirmimit të pranisë së toksinës Cereulide, e cila paraqet rrezik serioz për shëndetin.
Sipas AUV-së, njoftimet janë pranuar përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF) dhe lidhen me produkte të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
Njoftimi i plotë:
AUV njofton për tërheqjen nga tregu të disa produkteve ushqimor për foshnje APTAMIL
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë së Kosovës (AUV) njofton opinionin publik se, përmes Sistemit të Alarmimit të Shpejtë për Ushqim dhe Ushqim për Kafshë (RASFF), ka pranuar disa njoftime lidhur me praninë e toksinës Cereulide në produkte të qumështit formulë për foshnje të markës APTAMIL, të prodhuara në Gjermani, Holandë dhe Irlandë.
Njoftimet zyrtare nga RASFF janë: njoftimin me nr. 2026.0663, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulën për foshnje të prodhuar në Gjermani, njoftimin nr. 2026.1018, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në produktet e prodhuara në Holandë si dhe njoftimi nr 2026.1017, që ka të bëjë me praninë e toksinës Cereulide në formulat për foshnje dhe në formulat për qëllime mjekësore të prodhuara në Irlandë.
Për shkak të nivelit të rrezikut të konsideruar serioz, AUV, në bashkëpunim me kompaninë importuese UNION sh.p.k., Vushtrri, është duke ndërmarrë masat e menjëhershme për tërheqjen ekëtyre produkteve nga tregu.
AUV u bën thirrje të gjitha bizneseve që të ndërpresin menjëherë shitjen e këtyre produkteve, ndërsa konsumatorët që posedojnë produkte të tilla të mos i përdorin ato dhe t’i kthejnë në pikat përkatëse të shitjes.
Agjencia e Ushqimit dhe Veterinarisë mbetet e përkushtuar në monitorimin e vazhdueshëm të tregut dhe në zbatimin e masave parandaluese dhe kontrolluese, me qëllim garantimin e sigurisë ushqimore dhe mbrojtjen e shëndetit të konsumatorëve në Republikën e Kosovës.
Deklaratat përmbyllëse në gjykimin e ish-udhëheqësve të UÇK-së për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit do të nisin që nga e hëna dhe do të zgjasin deri të më 18 shkurt.
Nga 9 deri më 18 shkurt, në Dhomat e Specializuara do të shpalosen fjalët përfundimtare të prokurorisë dhe ekipeve mbrojtëse në rastin më të madh të Speciales. Të hënën dhe të martën pritet deklarata përmbyllëse e Zyrës së Prokurorit të Specializuar dhe e Mbrojtësit të Viktimave.
Të mërkurën fjalën përfundimtare e nis mbrojtja e ish-presidentit Hashim Thaçi dhe e ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, e një ditë më vonë edhe ajo e Rexhep Selimit. Krejt në fund të javës, të premten, fjala përfundimtare e mbrojtjes së ish-kryetarit të Kuvendit, Jakup Krasniqi.
Më 17 shkurt, kur Kosova e feston ditëlindjen e saj të 18-të, si dhe një ditë para përmbylljes së paralajmëruar të gjykimit është paralajmëruar marsh paqësor nga organizata joqeveritare “Liria ka emër” në Prishtinë për të shprehur mbështetje për katër të akuzuarit në Hagë. Protesta janë organizuar edhe më herët – në Prishtinë, Shkup, Tiranë, Hagë dhe Strasburg.
“Liria ka Emër” njofton dhe njëkohësisht fton qytetarët e Kosovës në marshin në të madh që ka parë ndonjëherë vendi ynë, një marsh paqësor, dinjitoz dhe gjithpërfshirës, një marsh për drejtësi dhe jo politikë. Një marsh jo kundër dikujt, por dinjitetin e Kosovës, për të vërtetën dhe për respektimin e sakrificës mbi të cilën është ndërtuar liria jonë”, tha Ismail Tasholli, drejtor i OJQ-së “Liria ka Emër”.
Aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar kundër ish-drejtuesve të UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi dhe Jakup Krasniqi, përmban dhjetë akuza. Sipas aktakuzës, krimet janë kryer në periudhën prej marsit të vitit 1998 deri në shtator të vitit 1999.
Një aksident trafiku ka ndodhur mes një veture dhe motoçiklete, të dielën në fshatin Osek Hylë të Gjakovës, sot rreth orës 15:00, raportoi Gazeta Sinjali.
Lajmin e ka konfirmuar Policia, e cila ka njoftuar se si pasojë e aksidentit dy persona kanë marrë trajtim mjekësorë
Ajo ka thënë se dy persona kanë marrë trajtim mjekësor
“Sot rreth orës 15:00 , në fshatin Osek Hilë-Gjakovë, ka ndodhur një aksident trafiku mes një veture dhe motoçiklete”.
“Si pasojë e aksidentit dy persona kanë marrë trajtim mjekësorë. Njësia Rajonale e Trafikut Rrugor është përgjigjur në rast dhe ka ndërmarrë veprimet e nevojshme policore”, thuhet në njoftim.
Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka përgëzuar studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe, në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi.
“Përgëzojmë studentët shqiptarë të Maqedonisë së Veriut për angazhimin qytetar dhe mënyrën demokratike me të cilën kanë artikuluar kërkesën e tyre për përdorimin e gjuhës shqipe në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi”, shkruan Spiropali.
Sipas saj, dialogu konstruktiv, zgjidhjet institucionale dhe respektimi i të drejtave të njeriut mbeten rruga më e sigurt për forcimin e besimit ndërmjet komuniteteve dhe për përmirësimin e standardeve demokratike në vend.
Spiropali ka vlerësuar gjithashtu gatishmërinë e institucioneve të Maqedonisë së Veriut për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit.
Shumica e njerëzve në Gjermani janë të gatshëm të ofrojnë mbështetje më të madhe për Ukrainën, ndërsa ajo kërkon të mbrohet nga pushtimi në shkallë të plotë rus, sipas një sondazhi.
Rreth 52% e të anketuarve thanë se Perëndimi duhet t'i ofrojë më shumë ndihmë Ukrainës nëse Rusia nuk është e përgatitur të bjerë dakord për një armëpushim dhe negociata paqeje, shkruajnë mediat e huaja, përcjell Telegrafi.
Ndërkohë, 28% e të anketuarve në sondazhin e INSA thanë se kjo duhet të përfshijë si ndihmë ushtarake ashtu edhe ndihmë financiare.
Sipas sondazhit të INSA, të porositur nga gazeta Bild dhe të botuar në fundjavë, 28% thanë se kjo mbështetje duhet të përfshijë si ndihmë ushtarake ashtu edhe ndihmë financiare.
Një tjetër 12% thanë se ndihma duhet të marrë formën e parave ose armëve.
Në të njëjtën kohë, 35% thanë se Gjermania duhet të ndalojë mbështetjen e Ukrainës, ndërsa 13% nuk u përgjigjën.
Gjermanët vazhdojnë të kenë frikë nga një luftë edhe më e gjerë, zbuloi sondazhi, me 54% të shqetësuar se Rusia mund të sulmojë një anëtar të NATO-s si Polonia ose Lituania, raportoi Bild.
Megjithatë, kjo është rreth 8 pikë përqindjeje më pak se në një sondazh të kryer shtatorin e kaluar. /Telegrafi/
E dashura e Liam Payne, Kate Cassidy, ka bërë një rrëfim prekës lidhur me udhëtimin e saj drejt Mbretërisë së Bashkuar pas vdekjes së këngëtarit.
Liam Payne ndërroi jetë më 16 tetor 2024, në moshën 31-vjeçare, pasi ra nga ballkoni i një hoteli në Buenos Aires.
Pas disa javësh hetimesh, funerali i tij u mbajt më 20 nëntor në Buckinghamshire, me pjesëmarrjen e familjes, ish-anëtarëve të "One Direction" dhe miqve të afërt.
Foto: TikTok
Kate, e cila mori pjesë në ceremoni, zbuloi se nuk kishte mundësi financiare të paguante biletën e avionit për në Londër, madje as në klasë ekonomike, dhe iu desh t’i kërkonte një miku ta paguante udhëtimin.
Ajo foli për këtë në TikTok pasi u kritikua në mënyrë tallëse pse fluturonte në klasë ekonomike.
Kate u shpreh se nuk e kupton pse udhëtimi ekonomik shihet si diçka për t’u turpëruar dhe theksoi se është privilegj të kesh mundësinë të udhëtosh, pavarësisht klasës.
Duke reflektuar mbi jetën e saj dhe marrëdhënien me Liam Payne, i cili la pas një pasuri prej 24 milionë funtesh pa testament, Kate tha se disa vite më parë ishte në një situatë shumë ndryshe financiare.
Katie dhe Liam
Ajo pranoi se shpreson që një ditë të ketë sërish mundësinë të udhëtojë në klasë të parë, por theksoi se në fund të fundit të gjithë pasagjerët shkojnë në të njëjtin destinacion.
Rrëfimi i saj u prit me shumë empati, duke nxjerrë në pah anën njerëzore dhe të vështirë të humbjes, përtej famës dhe pasurisë. /Telegrafi/
Përdorimi, shitja e drogës dhe subtancavë tjera narkotike në rritje tek të miturit në shkollat e Tetovës.
Komandanit Muhamed Ademi, tha se janë rritur kontrollet nëpër shkolla por edhe në afërsi të tyre.
Sipas Ademit, gjatë kontrolleve më shpesh është sekuestruar marihuanë, por nuk kanë munguar edhe substanca tjera narkotike.
“Janë rritur kontrollet në objektet hotelerike që janë në afërsi të shkollave,nuk kemi të dhëna të sakata po kemi rritje të zbulimit të rasteve të tilla. Ky ka sjell deri tek parandalimi i rastev të reja.Droga më e shpesht është maruhana por nuk mungon edhe kokaina”, deklaroi komandanti i SPB-Tetovës, Muhamed Ademi.
Kryetari i Tetovës Bilall Kasami thotë se si komunë bashkë me SPB Tetovën do risin kontrollet me qëllim parandalimin e dukruive negative.
Ai kërkon edhe nga prinderit të kujdesen për fëmijt e tyre.
"Ne do vazhdojm luftën më këta dukuri devijante sepse pasi këta jane sfidat e kohës moderne. Ne si pushtet lokal përgjegjës për shkollat,në bashkëpunim me SPB-Tetovën do vazhdojm me masat që i përmenda dhe në bashkëpunim edhe me Ministrin e Arsimit, Inspektoriatin Shtetëror për Arsim, të rritim kontrollet të rrisim masat parandaluese kosultimet e ndryshme dhe të gjithë veprimet në drejtim të asaj të ballafaqohemi. A do ketë rritje apo rrënje kjo nuk mvaret nga veprimet që i marrim ne, por është një dukuri shoqërore të cilën ne si shoqëri duhet ta luftojm. Këtu kisha berë ftes deri të prindërit që të jenë më të kujdeshëm më fëmijt e tyre pasi nuk është vetëm kurrë i nxjerin ka dera dhe kanë larguar përgjegjësin nga vetëvetja”, u shpreh kryetari i komunës së Tetovës, Bilall Kasami.
Kasami premtoi se shumë shpejt do ketë punësim në shkollat ku ka mungesë të kuadrit professional, pasi në shkollat e Tetovës ka mungesë të psikologëve dhe socilogëve. /tvm2
Mesfushori Elvis Rexhbeçaj është ankuar për një penallti të akorduar për Mainz 05, për të cilën deklaroi se as nuk kishte kontakt me lojtarin kundërshtar.
Augsburgu të shtunën pësoi humbje 2-0 nga Mainz, ku te goli i parë protagonist ishte mesfushori i Kosovës. Pas pesë minutave lojë, ai e humbi topin dhe tentoi ta fitonte gjatë duelit me Stefan Bellin, por gjyqtari akordoi penallti.
28-vjeçari për “Kicker” është ankuar se Augsburgu iu bë e padrejtë meqenëse nuk kishte thuajse fare kontakt.
“E kam prekur tepër pak, nuk kam ndjerë asgjë. Është irrituese kur e sheh pamjen sepse mezi shihet kontakti. Kjo e irriton çdokënd”.
“Kështu që më mirë të mos jenë ata (VAR) e më pas do të kishim vendime njerëzore. Gabimet ndodhin, zemërohemi por përfundon çdo gjë. Por, t’i bësh këto gabime kur ke imazhet është thuasje e pamundur”.
“Shumë para janë shpenzuar në këtë teknologji. Mund ta afroni situatën dhe ta shihni në secilin kënd”, deklaroi prizrenasi.
Në fund, Rexhbeçaj kërkoi nga bashkëlojtarët t’i finalizojnë rastet sepse këtë edicion nuk po kalojnë formë të mirë.
“Duhet të marrim përgjegjësi vetë. Kishim shanse të mira edhe kur po humbnim 0-1. Finalizimi nuk është i mirë dhe ky ishte faktori kryesor”.
“E di që situata është kritike dhe na nevojiten pikë. Duhet një kohë e gjatë derisa të qetësohemi”.Ndërkohë, Augsburg këtë edicion po vuan për rezultate ku pas 21 xhirove, zë pozitën e 13-të me vetëm 22 pikë/Telegrafi
Udhëzues praktik për të kuptuar përbërësit që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e flokëve
Shampot shpesh i blejmë sipas aromës, reklamës apo rekomandimit të parukieres, por etiketa është në fakt pjesa më e rëndësishme e ambalazhit. Aty shkruhet nëse shampoja do t’i hidratojë flokët, do t’i thajë, do ta rëndojë skalpin apo do të shkaktojë zbokth. Dallimi mes një blerjeje të mirë dhe një të keqeje shpesh qëndron vetëm te disa përbërës që shumica e njerëzve i anashkalojnë, sepse duken të ndërlikuar dhe “kimikë”.
E vërteta është e thjeshtë, flokët nuk reagojnë ndaj premtimeve në pjesën e përparme të shishes, por ndaj përbërjes në pjesën e pasme. Kur mësoni ta lexoni etiketën, nuk do të blini më kurrë një shampo që nuk ju përshtatet, transmeton Telegrafi.
Ja si ta lexoni si profesionist.
1. Shikoni së pari 3 përbërësit e PARË (ata përbëjnë pjesën më të madhe të formulës)
Përbërësit në etiketë janë renditur sipas sasisë. Kjo do të thotë se ata që janë në fillim përbëjnë bazën e produktit, ndërsa ata në fund janë të pranishëm në sasi shumë më të vogla.
Nëse mes tre të parëve janë:
Sodium Laureth Sulfate (SLES)
Sodium Lauryl Sulfate (SLS)
Kjo do të thotë se bëhet fjalë për një shampo që pastron fort dhe shkumëzon shumë. Shampo të tilla mund të jenë të mira për larje të thellë herë pas here, por me përdorim të shpeshtë mund t’i thajnë fijet dhe të irritojnë skalpin.
Nëse në krye të listës janë:
Aloe Vera
Glycerin
Panthenol
Kjo tregon se shampoja është e fokusuar në hidratimin dhe qetësimin e skalpit, gjë që është veçanërisht e rëndësishme për flokë të thatë, të lyer apo të ndjeshëm.
2. Sulfatet – nuk janë gjithmonë të këqija, por nuk janë për të gjithë
Sulfatet kanë reputacion të keq, por roli i tyre kryesor është të largojnë papastërtitë, yndyrën e tepërt dhe mbetjet e produkteve për stilim.
Janë të përshtatshme për:
skalp të yndyrshëm
flokë që ndoten shpejt
larje të thellë herë pas here
Janë më pak të përshtatshme për:
flokë të thatë dhe të brishtë
flokë të lyer (ngjyra zbehet më shpejt)
skalp të ndjeshëm ose të irrituar
Nëse në shishe shkruan “sulfate-free”, shampoja është më e butë dhe më e përshtatshme për përdorim të përditshëm, por mund të mos pastrojë mjaftueshëm një skalp shumë të yndyrshëm.
3. Silikonet – japin shkëlqim të menjëhershëm, por afatgjatë mund t’i rëndojnë flokët
Silikonet njihen nga prapashtesat -cone, -conol, -siloxane (p.sh. Dimethicone). Ato mbështjellin fijet e flokut, duke i bërë të lëmuara dhe me shkëlqim.
Kjo është arsyeja pse flokët pas këtyre shampove duken “si në reklamë”. Problemi shfaqet kur silikonet grumbullohen, sepse atëherë:
flokët humbasin volumin
yndyrosen më shpejt
duken të rëndë dhe pa jetë
Personat me flokë të hollë duhet të shmangin shampot ku silikonet janë ndër përbërësit e parë.
4. Alkooli – a than apo ushqen flokët?
Jo çdo alkool është i dëmshëm për flokët. E rëndësishme është cili lloj alkooli përdoret.
Alcohol Denat., Ethanol – mund t’i thajnë fijet dhe skalpin, veçanërisht me përdorim të shpeshtë
Cetearyl Alcohol, Cetyl Alcohol – të ashtuquajturit “alkoole yndyrore”, që në fakt i zbusin flokët dhe ndihmojnë në ruajtjen e lagështisë
Dallimi i vetëm një fjale në etiketë mund ta ndryshojë krejtësisht efektin e shampos.
5. Proteinat – shpëtim për flokët e dëmtuar, por me masë
Kur flokët janë të trajtuar kimikisht, të zbardhur apo të brishtë, proteinat ndihmojnë në forcimin e përkohshëm të strukturës së fijes.
Kërkoni:
Keratin
Hydrolyzed Wheat Protein
Silk Protein
Megjithatë, teprica e proteinave mund t’i bëjë flokët të fortë dhe pa elasticitet, ndaj është e rëndësishme të balancohen me përbërës hidratues.
6. Aromat dhe ngjyrat – shpesh fajtorë për irritime
Nëse keni kruarje, zbokth apo skalp të ndjeshëm, aroma nuk është përparësi, por një problem i mundshëm. Aromat dhe ngjyrat artificiale shpesh shkaktojnë reaksione, veçanërisht te personat me lëkurë të ndjeshme.
Zgjidhni shampot me shënimet:
Fragrance-free
Hypoallergenic
Këto produkte janë më të buta dhe ulin rrezikun e irritimeve.
Pse është e rëndësishme e gjithë kjo?
Sepse një shampo e gabuar mund të shkaktojë shumë më tepër sesa “një ditë të keqe për flokët”. Afatgjatë, përbërja e papërshtatshme mund të çojë në:
rënie të shtuar të flokëve
skalp të yndyrshëm ose, përkundrazi, tepër të thatë
thyerje të fijeve
humbje të shkëlqimit
irritime dhe zbokth
Kujdesi i vërtetë për flokët fillon me kuptimin e përbërjes, jo me dizajnin e shishes. /Telegrafi/
Edhe pse po luajnë shkëlqyeshëm, situata financiare te Barcelona është ende larg të qenit ideale.
Mediat spanjolle po raportojnë se kampionia aktuale Barcelona ka borxh shumë para në tarifat e transferimeve për lojtarët që tashmë i ka sjellë.
Bëhet fjalë për shumën prej 162.84 milionë eurosh. Sipas informacionit në dispozicion, Barcelona mori një mesazh të qartë se deri në fund të sezonit, duhet të shlyejë deri në 142.78 milionë euro të atij borxhi në mënyrë që të ruajë stabilitetin financiar.
Barcelona u detyrohet miliona pesë ekipeve. Borxhi më i madh i referohet 43.07 milionë eurove që i detyrohen Leeds United për Raphinha, pastaj 25.96 milionë euro Sevilla për Jules Koundé dhe 18.29 milionë euro RB Leipzig për Dani Olmo.
Klubi katalanas i detyrohet gjithashtu 14.16 milionë euro Manchester City për Ferran Torres dhe 10.03 milionë euro të tjera Bayern Munich për Robert Lewandowski.
Paratë që i detyrohet Barcelona për transferime
Raphinha - Leeds United - 43.07 milionë euro
Jules Kounde – Sevilla – 25.96 milionë euro
Dani Olmo – RB Leipzig – 18.29 milionë euro
Ferran Torres – Manchester City – 14.16 milionë euro
Robert Lewandowski – Bayern Munich – 10.03 milionë euro
Si kujtesë, Barca kryeson deri më tani La Liga, përpara Real Madridit, është kualifikuar për gjysmëfinalet e Kupës së Mbretit dhe është gjithashtu në raundin e 16-tave të Ligës së Kampionëve. /Telegrafi /
Sipas ministrit iranian të Punëve të Jashtme, Abbas Araghchi, në objektet bërthamore të Iranit, të cilat u goditën nga SHBA-ja vitin e kaluar, ende ndodhen bomba të pashpërthyera.
Sipas agjencisë iraniane të lajmeve Young Journalists Club, Araghchi tha se e ka pyetur drejtorin e përgjithshëm të Agjencisë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, nëse ekziston ndonjë ligj ose protokoll specifik që rregullon vizitat në objektet bërthamore të shënjestruara nga SHBA-ja, duke theksuar se Grossi u përgjigj se “nuk ka asgjë të tillë”.
Kryediplomati iranian tha se e ka informuar Grossin për nevojën e hartimit të një protokolli përpara çdo vizite, duke marra parasysh “çështjet ekzistuese të sigurisë, përfshirë praninë e bombave të pashpërthyera dhe çështje të tjera për të cilat duhet të bihet dakord”.
Ai theksoi se inspektimet duhet të zhvillohen vetëm pasi të arrihet një marrëveshje për këto çështje.
“Irani mbetet në kontakt me agjencinë në këtë drejtim”, shtoi ai.
Qershorin e kaluar, Izraeli, me mbështetjen e SHBA-së, nisi një ofensivë 12-ditore kundër Iranit, duke shënjestruar objekte ushtarake dhe bërthamore, si dhe infrastruktura civile, si dhe duke kryer vrasje të komandantëve dhe shkencëtarëve.
Irani, nga ana e tij, shënjestroi objekte ushtarake dhe të inteligjencës izraelite me raketa dhe dronë.
Gjatë konfliktit, SHBA-ja bombardoi tre objekte bërthamore përpara se Washingtoni të shpallte armëpushimin.
Araghchi tha se Irani nuk i beson SHBA-së, duke shtuar se rezultati i negociatave aktuale mes dy palëve mbetet i pasigurt.
“Ata provuan gjithçka dhe dështuan dhe tani janë kthyer në tryezën e negociatave, por nuk është e qartë se ku do të çojnë këto bisedime”, tha ai.
“Nuk u besojmë atyre. Ekziston mundësia që të përdorin mashtrim. Të gjitha institucionet në Iran duhet të vazhdojnë të kryejnë detyrat e tyre pavarësisht këtyre zhvillimeve", shtoi ai.
Bisedimet mes Teheranit dhe Washingtonit rifilluan të premten në Muskat të Omanit pas javësh tensionesh të shtuara, pas grumbullimit ushtarak amerikan në ujërat e Gjirit Persik pranë Iranit. /AA/
MES KATËR MURESH - episodi i tretë përmban rrëfim për dhunën fizike dhe ekonomike në familje, tradhtinë, pasojat psikologjike te fëmijët, si dhe sfidat e një nëne që po përballet me pasiguri ekonomike dhe mungesë të stabilitetit jetësor.
Përmbajtja përfshin përvoja të dhunës së ushtruar për një periudhë njëvjeçare, ndarjen nga partneri, vështirësitë në rritjen e fëmijëve pa përfshirjen e prindit tjetër, si dhe ndikimin emocional dhe psikologjik te fëmijët që vazhdojnë trajtimin profesional.
Pse ajo nuk kërkon trajtim profesional?
Si po vazhdon tutje?
Pse sakrifikoi dhe çfarë planifikon tutje?
Në studio edhe Afërdita Goçi, psikiatër.
Këtë prodhim të Radio Dukagjinit mund ta ndiqeni në videon e mëposhtme.
Për herë të parë do të zgjidhet një anëtar i Këshillit Gjyqësor i cili publikisht, në mënyrë të ngjashme si kandidatët për anëtarë të Komisionit për Diskriminim, do të prezantohet para komisionit parlamentar. Këtë e parashikon ligji i ri për Këshillin Gjyqësor, i cili u miratua disa ditë para Vitit të Ri 2026.
Në shpalljen e publikuar në Gazetën Zyrtare para disa ditësh kërkohet një anëtar nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, avokatëve, ish-gjyqtarëve të Gjykatës Kushtetuese, të gjykatave ndërkombëtare dhe juristëve të tjerë të shquar.
Ka disa kushte që kandidatët duhet t’i plotësojnë, të cilat janë të përcaktuara me ligjin e ri.
Të jetë jurist i diplomuar me të paktën 15 vjet përvojë pune dhe me provim të jurisprudencës, ose profesor universitar i drejtësisë me të paktën shtatë vjet përvojë pune; të jetë dëshmuar me punë shkencore për çështje të gjyqësorit; të jetë dëshmuar me veprimtari publike në mbrojtje të sundimit të ligjit, pavarësisë së gjyqësorit dhe të drejtave të njeriut; të gëzojë reputacion për ushtrimin e funksionit, për çka duhet të paraqesë të paktën tre rekomandime nga profesorë universitarë të drejtësisë, avokatë, gjyqtarë të Gjykatës Kushtetuese ose të gjykatave ndërkombëtare, thuhet në shpallje.
Për anëtar të Këshillit nuk mund të kandidojë një gjyqtar ose prokuror aktual, as dikush që është shkarkuar nga këto funksione, si dhe as deputet që ka ushtruar këtë funksion në katër vitet e fundit, anëtar i Qeverisë apo funksionar partiak.
Ndërkohë, krahas shpalljes, Kuvendi ka publikuar edhe thirrje për zgjedhjen e anëtarëve të grupit punues që do të bëjë përzgjedhjen e kandidatëve. Thirrja është drejtuar Shoqatës së Gjyqtarëve, Odës së Avokatëve dhe sektorit civil nga fusha e sundimit të ligjit dhe gjyqësorit.
Nga këto institucione do të zgjidhet nga një përfaqësues në grupin punues që do ta formojë Komisioni për Çështje të Zgjedhjeve dhe Emërimeve.
Përndryshe, më 11 dhjetor Kuvendi nuk e priti ligjin e ri dhe me shpallje sipas ligjit të vjetër e propozoi Selim Ademin për anëtar të Këshillit Gjyqësor. Ky ishte propozim i partnerit qeveritar të koalicionit VLEN, i cili vinte nga pozita e këshilltarit për kundërvajtje në policinë e Tetovës. Por pas reagimeve në opinion, propozimi nuk u vu në votim.
Ligjin e ri Kuvendi e miratoi në fund të vitit dhe ndryshimi kyç ishte se përcaktoi më saktë kriteret se kush mund të jetë “jurist i shquar” dhe vendosi debat të detyrueshëm publik gjatë zgjedhjes së anëtarëve që nuk janë nga radhët e gjyqtarëve. Gjithashtu u vendos transparencë edhe gjatë shkarkimit të kryetarit të Këshillit.
Peja arriti një fitore të madhe në kryeqytet, duke mundur Sigal Prishtinën me rezultatin 82:78 në ndeshjen e xhiros së 19-të të Superligës së Kosovës në basketboll.
Ndeshja u zhvillua të dielën mbrëma në Pallatin e Rinisë dhe u vendos kryesisht falë paraqitjes fantastike të fundorit Musab Mala, i cili përfundoi takimin me 22 pikë, shtatë kërcime dhe dy asistime, pa asnjë top të humbur dhe me një top të rrëmbyer.
Te Peja spikatën edhe qendra Logan Routt me 19 pikë dhe 11 kërcime, si dhe Oshowen Williams me 14 pikë, nëntë asistime dhe tetë kërcime. Tajh Green shtoi 16 pikë e pesë kërcime, duke kontribuar në fitoren vendimtare të ekipit pejan.
Te Sigal Prishtina, paraqitjen më të mirë e bëri Adrio Bailey me 25 pikë e nëntë kërcime, ndërsa Kahlil Dukes shtoi 13 pikë dhe Valmiir Kakruki 12.
Ndeshja nisi me një çerek të parë të barabartë, ndërsa Prishtina bëri një shkëputje prej shtatë pikësh në të dytin, duke përfunduar pjesën e parë 42:34 në favor të skuadrës vendase.
Por Peja reagoi fuqishëm në çerekun e tretë, të cilin e fitoi 26:15, duke kaluar në avantazh 60:57. Në çerekun e katërt, skuadra e verdhë arriti të shkëputej deri në dhjetë pikë dhe mbajti epërsinë deri në fund, pavarësisht presionit të shtuar të Prishtinës.
Kjo ishte fitorja e dhjetë e Pejës këtë sezon, me nëntë humbje, duke mbajtur vendin e tretë me 29 pikë. Prishtina pësoi humbjen e 11-të dhe mbetet në vendin e gjashtë me tetë fitore dhe 27 pikë, të barabarta me Yllin në vendin e pestë. /Telegrafi/
Hyrja e Luiz Ejllit në shtëpinë e Big Brothe VIP Albania 5 ka ngjallur debate dhe tension me banorëve.
Ndërsa Rogerti debatonte me Mateon, Luizi ndërhyri duke thënë se kolegu i këtij të fundit nuk ishte zgjuar ende.
Momenti më i tensionuar nisi kur Mateo thumboi Luizin për rrugëtimin e tij brenda shtëpisë më të famshme, duke i kujtuar historinë e dashurisë dhe 'sëmundjen' që kishte përmendur më parë.
Pjesë nga biseda mes tyre:
Mateo: Më bëhet qejfi që ta ka fut fort Tani dje.
Rogerti: A të pëlqeu? Si ma ka futur?
Mateo: Ti duhet ta kuptosh që servili bën ça i thua ti, po servili nuk ka mend.
Rogerti: E vërtetë, aty jam me ty, të ul kapelen. Ai është ku fryn era, e kam thënë. Dhe e dinë shumë mirë se si ndihem për të, aq.
Mateo: Tani i ka ra flladi andej nga Luizi.
Rogerti: Nuk kam punë me të, edhe badigardi me byrek në dorë te puna, po për momentin është pa punë.
Luizi: Nuk i është çuar kolegu akoma.
Rogerti: Po i vjen, e di kush është?
Mateo: Për histori dashurie në Big Brother kemi Luizin. Po nuk ke histori dashurie këtë vit.
Luizi: Urdhëro?
Mateo: Nuk ke histori dashurie këtë vit.
Luizi: Kush e tha, ja ku jemi unë e Tani.
Mateo: Po sëmundje do shpikësh ndonjë tjetër?
Luizi: Po.
Mateo: Na thuaj të vijmë.
Rogerti: Atë që e ke, e ke, të paktën na e thuaj, që të vijmë me të pa me orar, njeri me të rënë kokës e tjetri me të fërkuar, e ke aty. I fërkon këmbët Tani mirë, mi ka fërkuar dhe mua. /Telegrafi/
Ndonëse rritja e taksave gjyqësore nxiti reagime të shumta, asnjë ankesë zyrtarisht nuk ka shkuar në Këshillin Gjyqësor të Kosovës. Ndërkohë që avokatët e njohësit e sistemit të drejtësisë thonë se në muajt në vazhdim do vërehet rënie e numrit të rasteve që qytetarët e bizneset dërgojnë në gjykatë, çka nuk është e drejtë.
Nga fillimi i këtij viti ka hyrë në fuqi udhëzimi i ri administrativ për unifikimin taksave gjyqësore, udhëzim me të cilin edhe janë shumëfishuar çmimet.
Kjo rritje e çmimeve më së shumti prek rastet civile dhe administrative e që sipas avokatëve së shpejti do të vërehet ndikimi në rënien e numrit të rasteve që iniciohen në Gjykatë.
Avokati Yll Zekaj thotë se drejtësia po kthehet në privilegj vetëm për ata që janë të pasur.
“Këshilli Gjyqësor nuk ka gjetur mënyre tjetër për ta ulur numrin dhe për ta menaxhuar këtë numër të lartë të lëndëve në Këshillin Gjyqësor dhe zgjidhja më e lehtë si duket është gjetur ajo që të rriten taksat dhe të sigurohet që qytetarët, bizneset të mendohen dy herë për ta dërguar një lëndë në procedurë gjyqësore për shkak të shpenzimeve të larta procedurale që do u shkaktohen”, ka deklaruar Zekaj.
“Kjo taksë justifikohet në shërbimet që qytetari merr nga gjykata pra shërbimet administrative e të ngjashme vetëm një rast bazik psh certifikata një letër a4 certifikatë se një biznes nuk i është nënshtruar procedurës së falimentimit e cila merret në Gjykatën Komerciale para këtij udhëzimi ka kushtuar 5 euro ndërsa tani e njëjta është bërë 30 euro, kjo pa dyshim është vetëm zhvatje e bizneseve për një shërbim tejet bazik që do duhej të ofrohej në mënyrë elektronike”, ka deklaruar Qendrim Arifi – Avokat.
Ndërkohë, në Institutin e Kosovës për Drejtësi thonë se Këshilli Gjyqësor duhet të reflektojë e të ndryshojë këtë udhëzim administrativ.
“Ne e kemi një administratë të papërgjegjshme që po i detyron qytetarët që të drejtën e tyre ta kërkojnë përmes gjykatës dhe kjo eventualisht mund të e favorizoj një administratë të papërgjegjshme dhe jo ta fuqizojë qytetarin, taksa është diçka duhet paguar mirëpo definitivisht duhet të jetë proporcionale në të kundërtën rrezikon qasjen e qytetarëve në drejtësi”, ka theksuar Gzim Shala – Hulumtues në IKD.
Pavarësisht reagimeve që ka nxitur sidomos tek komuniteti i avokatëve, asnjë ankesë nuk ka shkuar zyrtarisht në Këshillin Gjyqësor të Kosovës.
Kështu kanë thënë për televizionin nga ky institucion, e për arsyetimin e të cilit thanë se duhet të referohemi në komunikatën e lëshuar javë më parë, në të cilën kishin thënë se ndryshimi i udhëzimi është bërë me qëllim të përshtatjes me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës.
Udhëzimi i vjetër administrativ ishte në fuqi nga viti 2017./Tv Dukagjini/