TIRANË, 31 janar /ATSH-Etleva Xhajanka/ Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura, shprehu kënaqësinë për pjesëmarrjen në Forumin e Dialogut “Edhe disa hapa drejt BE-së”, të zhvilluar në Vlorë, ku morën pjesë edhe ambasadori i Shqipërisë në Austri, Fate Velaj, raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Andreas Schieder, dhe miq të tjerë të vendit tonë.
Në fjalën e tij, ambasadori Cremades Ventura theksoi rëndësinë e përfundimit të procesit të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe shprehu mbështetje për reformat e vendit, sidomos në fushat e sundimit të ligjit, drejtësisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Ai kujtoi se Shqipëria u njoh si kandidat për në BE në vitin 2014, por për shkak të zhvillimeve ndërkombëtare dhe jo për mos përmbushjen e kritereve, procesi u vonua. Sipas tij, ngjarjet e fundit rajonale dhe prioritetet strategjike të BE-së kanë rihapur dritaren e mundësive për vendet e Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë Shqipërinë.
“Në vitin 2022 agresioni ndaj Ukrainës ishte një zile zgjimi për BE-në. Zgjerimi i BE-së nuk u perceptua më si një barrë e mundimshme por si një nevojë gjeostrategjike që do të sillte përfitime edhe për BE. Njohja e dokumentit të Granadës që zgjerimi i BE-së ishte një investim strategjik në siguri, stabilitet dhe prosperitet, ishte një dritare sigurie që u çel për të gjitha vendet e rajonit dhe Shqipëria e kapi këtë mundësi”, tha ai.
Ambasadori theksoi se anëtarësimi nuk është dhuratë, por rezultat i meritës së Shqipërisë dhe përpjekjeve të saj institucionale dhe shoqërore.
“Përparimi i Shqipërisë ka qenë i madh dhe ne pamë së fundi, se u arrit çelja e të gjithë grupkapitujve të negociatave për integrimin në BE, por dy vitet e ardhshme mbeten kritike për procesin. Shqipëria duhet të vazhdojë vendosmërisht me përpjekjet e saj me procesin e reformave që ka nisur. Shqipëria duhet të vazhdoj me përpjekjet që ka bërë sidomos me kapitujt e sundimit të ligjit, reformën në drejtësi dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, për të garantuar përmbushjen e kushteve dhe avancimin drejt anëtarësimit”, deklaroi ambasadori Cremades Ventura.
Ai nënvizoi mbështetjen praktike të Spanjës për vendin tonë përmes projekteve të BE-së në drejtësi dhe sundim të ligjit, si dhe rëndësinë e diplomacisë parlamentare dhe informimit të opinionit publik europian për të shmangur keqkuptimet mbi zgjerimin.
Cremades Ventura shprehu shpresën që deri në vitin 2027 të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE, i cili do të ratifikohet nga 27 vendet anëtare, duke sjellë përfitime për vendin dhe duke forcuar bashkëpunimin dhe stabilitetin në rajon.
Ai nënvizoi gjithashtu se integrimi i Shqipërisë është në interes të të gjithë Europës dhe duhet të përparojë me vendosmëri dhe përkushtim.
“Spanja dëshiron që Shqipëria të jetë sa më pranë standardeve europiane dhe shpreh shpresën që integrimi në BE t’i sjellë vendit përfitime konkrete, duke i bashkuar frytet e zhvillimit të brendshëm me përparësitë e Bashkimit Europian”, deklaroi Ambasadori i Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.
/a.f/
The post Ambasadori i Spanjës: Deri në 2027 mund të nënshkruhet traktati i anëtarësimit të Shqipërisë në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.