Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 3 January 2026Lajme Shqiperi

Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së zbardh akuzat ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro

By: V K
3 January 2026 at 14:50

Prokurorja e Përgjithshme e Shteteve të Bashkuara, Pam Bondi, njoftoi se presidenti në detyrë i Venezuelës, Nicolás Maduro, dhe bashkëshortja e tij janë akuzuar zyrtarisht në Distriktin Jugor të Nju Jorkut.

Sipas Bondi-t, Maduro akuzohet për: narco-terrorizëm, importim të kokainës, mbajtje të armëve automatike dhe pajisjeve shkatërruese dhe mbajtjen e këtyre armëve kundër SHBA-së.

Bondi theksoi se, “së shpejti ata do të përballen me gjithë ashpërsinë e drejtësisë amerikane në gjykatat e SHBA-së”, ndërsa nuk dha detaje mbi akuzat ndaj bashkëshortes së tij.

Prokurorja gjithashtu, falenderoi ushtrinë amerikane për operacionin e guximshëm dhe të suksesshëm, i cili solli arrestimin e dy të dyshuarve si trafikantë ndërkombëtarë droge, duke e cilësuar një ndërhyrje historike në Venezuelë.

Shtetet e Bashkuara, kanë nisur një sulm të madh në disa vende në Venezuelë, përfshirë bazat ushtarake në vend.

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, tha se ushtria amerikane ka “kapur Presidentin Venezuelian Maduro dhe gruan e tij, Cilia Flores, dhe i ka nxjerrë jashtë vendit “, në një aksion të kryer “në koordinim me administratën e drejtësisë amerikane”.

Trump , i cili urdhëroi sulmin, kishte ngritur në javët e fundit mundësinë e sulmeve tokësore kundër Venezuelës në emër të një “lufte kundër karteleve të drogës” dhe kishte deklaruar se ditët e Presidentit Venezuelan Nicolás Maduro ishin “të numëruara” .

The post Prokurorja e Përgjithshme e SHBA-së zbardh akuzat ndaj presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro appeared first on Albeu.com.

Nicolas Maduro u arrestua nga SHBA, kush do ta udhëheq Venezuelën pas largimit të tij? Skenarët që përfliten

By: V K
3 January 2026 at 14:15

Lajmi për arrestimin e presidentit të Venezuelës, Nicolás Maduro, pas goditjeve të Shteteve të Bashkuara në Karakas, shënon një moment historik në marrëdhëniet mes SHBA-së dhe Amerikës Latine.

Në analizën e saj, BBC përpiqet të deshifrojë se çfarë mund të ndodhë në Venezuelë ditën pas këtij zhvillimi dramatik.

Media britanike, thekson se Shtetet e Bashkuara nuk kishin ndërmarrë një ndërhyrje kaq të drejtpërdrejtë në rajon që nga viti 1989, kur pushtuan Panamanë për të rrëzuar udhëheqësin ushtarak të asaj kohe, Manuel Noriega.

Largimi i Maduro-s nga Venezuela, siç pretendon Donald Trump, do të perceptohet si një fitore e madhe për krahun më “të ashpër” brenda administratës amerikane, disa prej të cilëve kanë mbështetur hapur nevojën për ndryshim regjimi në Karakas.

Kujtojme se SHBA akuzojnë Nicolás Maduro-n si kreun e një organizate kriminale të trafikut të drogës, akuza që ai i ka mohuar kategorikisht.

Uashingtoni nuk e njeh atë si president legjitim të Venezuelës, duke argumentuar se zgjedhjet e vitit 2024 nuk ishin as të lira dhe as të ndershme.

Nga ana tjetër, Karakasi ka akuzuar vazhdimisht SHBA-në se synon të përvetësojë rezervat fitimprurëse të naftës së vendit, të cilat konsiderohen më të mëdhatë në botë.

Cfarë do të ndodhë brenda Venezuelës?

Ajo që mbetet ende e paqartë është se çfarë do të ndodhë brenda Venezuelës, nëse regjimi i Maduro-s bie.

Mbështetësit e ndërhyrjes amerikane pretendojnë se kjo do t’i hapë rrugën opozitës venezueliane për të marrë pushtetin, nën drejtimin e fitueses së Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, ose të kandidatit të opozitës në zgjedhjet e vitit 2024, Edmundo González.

Megjithatë, shumë analistë paralajmërojnë se situata nuk do të jetë aq e thjeshtë, pasi në lojë hyn roli i ushtrisë, si dhe rreziku i destabilizimit të vendit.

Ushtria dhe grupet paramilitare në Venezuelë mbeten besnike ndaj Maduro-s dhe madje edhe disa nga kritikët e tij kanë shprehur frikën se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë e SHBA-së mund të çojë në destabilizim të mëtejshëm të vendit.

Është e sigurt se pas lajmit për arrestimin e Maduro-s, shumë nga aleatët e tij më të afërt tashmë do të jenë seriozisht të shqetësuar për të ardhmen e tyre politike dhe personale.

The post Nicolas Maduro u arrestua nga SHBA, kush do ta udhëheq Venezuelën pas largimit të tij? Skenarët që përfliten appeared first on Albeu.com.

Rikthehen radhët e gjata në rrugën Elbasan-Librazhd, moti i keq vështirëson lëvizjen e mjeteve

By: V K
3 January 2026 at 14:00

Rikthehet kaosi në disa segmente të rrugës kombëtare Elbasan–Librazhd deri në zonën e Kthesave të Dragostunjës. Prej orës 13:00, fluksi i shtuar i automjeteve që qarkullojnë në të dyja drejtimet ka krijuar radhë të gjata dhe vonesa të konsiderueshme.

Situata u përkeqësua ndjeshëm gjatë mesditës, për shkak të shtimit të fluksit të automjeteve në qarkullim por edhe për shkakun se disa segmente të rëndësishëm të rrugës, janë pjesë e punimeve që po kryhen për zgjerimin e Korridorit VIII, nga Miraka drejt Urës së Murrashit.

Të gjitha këto segmente prej kohësh dominohen nga gropat dhe janë tejet të rrezikshme për qarkullimin e automjeteve tip autoveturë.

Kjo gjendje detyron drejtuesit e mjeteve të ulin ndjeshëm shpejtësinë, duke sjellë ngadalësim të qarkullimit dhe rrezik për aksidente.

Drejtuesit e automjeteve shprehen të shqetësuar për kushtet e rrugës, duke kërkuar ndërhyrje të menjëhershme për sistemimin e segmentit problematik, sidomos në një aks me rëndësi të madhe kombëtare dhe ndërkombëtare.

Ndërkohë, policia rrugore ndodhet në terren për menaxhimin e trafikut, ndërsa apelon për kujdes të shtuar nga drejtuesit e mjeteve që lëvizin në këtë aks.

The post Rikthehen radhët e gjata në rrugën Elbasan-Librazhd, moti i keq vështirëson lëvizjen e mjeteve appeared first on Albeu.com.

SHBA arreston presidentin Nicolás Maduro pas sulmeve masive! Çfarë dihet deri tani për operacionin ushtarak në Venezuelë

By: V K
3 January 2026 at 13:40

Shtetet e Bashkuara, kanë kapur presidentin e Venezuelës, Nicolás Maduro, pas një operacioni ushtarak në shkallë të gjerë kundër vendit të Amerikës së Jugut, ka deklaruar presidenti amerikan Donald Trump.

Trump tha se presidenti venezuelan me orientim të majtë dhe bashkëshortja e tij janë nxjerrë jashtë vendit në kuadër të një operacioni ushtarak, i kryer në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit.

Shpërthime janë raportuar në disa zona të kryeqytetit Karakas gjatë orëve të para të mëngjesit të së shtunës, përfshirë edhe baza ushtarake.

Qeveria e Venezuelës, ka kërkuar prova se Maduro është gjallë dhe ka urdhëruar vendosjen e forcave të armatosura, ndërsa në vend është shpallur gjendje emergjence kombëtare.

Kapja e Maduros, vjen pas rritjes së tensioneve mes dy vendeve, ndërsa Uashingtoni ka goditur edhe anije në Karaibe, për të cilat thotë se përdoreshin për trafik droge.

SHBA e ka akuzuar Maduron për përfshirje personale në trafikun e drogës dhe për udhëheqje jolegjitime të vendit, akuza që ai i ka mohuar vazhdimisht, duke kundërshtuar SHBA-në për intimidim.

Çfarë dihet për kapjen e Maduros?

Detajet mbi kapjen e Maduros mbeten të pakta. Trump nuk dha informacione të mëtejshme mbi mënyrën se si ai u arrestua apo vendndodhjen aktuale.

Sipas CBS, partner mediatik i BBC në SHBA, Maduro është kapur nga Delta Force, njësia elitare kundër terrorizmit e ushtrisë amerikane.

Trump pritet të mbajë një konferencë për shtyp në rezidencën e tij Mar-a-Lago në Florida, ku mund të zbulojë më shumë detaje mbi operacionin.

Çfarë ndodhi gjatë sulmeve?

Rreth orës 02:00 me orën lokale, shpërthime të forta u dëgjuan në Karakas, ndërsa re të mëdha tymi u panë mbi qytet. Raportimet flasin për goditje në aeroportin ushtarak La Carlota, në qendër të kryeqytetit, si dhe në bazën kryesore ushtarake Fuerte Tiuna.

Zona përreth mbetën pa energji elektrike. Video që tregojnë shpërthime dhe helikopterë mbi qytet po qarkullojnë në rrjetet sociale, por ende nuk janë verifikuar zyrtarisht.

Deri tani nuk dihet nëse ka viktima, ndersa qeveria venezuelane deklaroi gjithashtu se janë goditur edhe shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira.

Si ka reaguar Venezuela?

Zv/presidentja e Venezuelës, Delcy Rodríguez, deklaroi se qeveria nuk e di se ku ndodhen Maduro dhe bashkëshortja e tij, Zonja e Parë Cilia Flores, dhe kërkoi “prova të menjëhershme jete” për të dy.

Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, tha se sulmet kanë goditur edhe zona civile dhe se autoritetet po mbledhin të dhëna për të vrarë dhe të plagosur.

Ai shtoi se Venezuela do të “rezistojë” ndaj pranisë së trupave të huaja. Qeveria venezuelane publikoi gjithashtu një deklaratë zyrtare, duke dënuar “agresionin jashtëzakonisht serioz ushtarak” të SHBA-së “kundër territorit dhe popullsisë venezuelane, në objekte civile dhe ushtarake”.

Në deklaratë, SHBA akuzohet se po kërcënon paqen dhe stabilitetin ndërkombëtar dhe se sulmi synon të marrë “burimet strategjike të Venezuelës, veçanërisht naftën dhe mineralet”, për të “thyer me forcë pavarësinë politike të vendit”.

Çfarë ka thënë Donald Trump?

Menjëherë pas shpërthimeve, Shtëpia e Bardhë refuzoi të komentonte. Më pas, Trump konfirmoi përmes platformës së tij Truth Social se SHBA qëndronte pas sulmeve.

“Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë kryer me sukses një sulm në shkallë të gjerë kundër Venezuelës dhe udhëheqësit të saj, presidentit Nicolás Maduro, i cili, së bashku me bashkëshorten e tij, është kapur dhe është nxjerrë jashtë vendit,” shkroi Trump.

“Operacioni u krye në bashkëpunim me agjencitë amerikane të zbatimit të ligjit. Detaje të tjera do të pasojnë”.

Kush është Nicolás Maduro dhe pse u kap?

Nicolás Maduro u ngjit në pushtet nën udhëheqjen e presidentit të majtë Hugo Chávez dhe Partisë Socialiste të Bashkuar të Venezuelës (PSUV). Ai u bë president në vitin 2013.

Në vitin 2024, Maduro u shpall fitues i zgjedhjeve presidenciale, edhe pse opozita pretendoi se kandidati i saj, Edmundo González, kishte fituar bindshëm.

Ai ka pasur përplasje të forta me Trump për emigracionin masiv venezuelan drejt SHBA-së dhe për luftën kundër trafikut të drogës, veçanërisht fentanylit dhe kokainës.

Trump ka shpallur dy grupe kriminale venezuelane — Tren de Aragua dhe Kartelin e Diellit — si organizata terroriste të huaja dhe ka pretenduar se ky i fundit drejtohej nga vetë Maduro.

SHBA kishte ofruar një shpërblim prej 50 milionë dollarësh për informacion që do të çonte në arrestimin e tij.

Maduro i ka mohuar me forcë këto akuza, duke akuzuar SHBA-në se po përdor “luftën kundër drogës” si justifikim për ta rrëzuar nga pushteti dhe për të përfituar nga rezervat e mëdha të naftës së Venezuelës.

Muajt e fundit, forcat amerikane kanë kryer gjithashtu më shumë se 24 sulme në ujëra ndërkombëtare ndaj anijeve që dyshohet se transportonin drogë drejt SHBA-së, me mbi 100 persona të vrarë.

The post SHBA arreston presidentin Nicolás Maduro pas sulmeve masive! Çfarë dihet deri tani për operacionin ushtarak në Venezuelë appeared first on Albeu.com.

Berisha: Largimi i Ramës, kusht i domosdoshëm, Balluku bën gjithçka për të intimiduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet

By: V K
3 January 2026 at 13:24

“’Lubi’ Balluku dhe Edi Rama po bën gjithçka për të intimuduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet. Ndaj dhe reagimi për të larguar Ramën nga pushteti është kusht domosdoshëm”, kështu u shpreh kreu i PD Sali Berisha në një bashkëbisedim me qytetarët.

Më tej Berisha tha se një nga problemet më madhore në vend është edhe moszbatimi i ligjit antimafia.

“Një nga problemet më madhore sot është moszbatimi i ligjit Antimafia. Në qoftë se në Shqipëri janë miliarda euro të organizatave kriminale dhe të organizatës kriminale Rilindja, të qeverisë, të investuara, sot janë gjithsej 60 milionë të sekuestruara. Ju garantoj se do bëhet gjithçka për zbatimin me zero tolerancë të ligjit Antimafia dhe të gjitha asetet do t’i kalojnë shqiptarëve, popullit shqiptar, shoqërisë shqiptare”, tha ai.

Gjithashtu Berisha paralajmëroi se misioni i vetëm i opozitës është përmbysja e regjimit.

Pjesë nga fjala e Berishës:

Me keqardhje duhet t’ju përgjigjem se nuk ekziston absolutisht asnjë mekanizëm tjetër përveç protestës. Sepse siç e patë ju, Rama edhe pezullimin e anuloi nëpërmjet gjykatës politike kushtetuese apo organizatës së Partisë Socialiste.

Kështu që, Rama nuk do i heqë imunitetin as të vetes, as Lubi Ballukut. Rama dha mesazhe shumë të qarta. Madje ai kërkoi deputetëve të tij që të përzënë nga mbledhja prokurorët për Lubi Ballukun. Mos harroni që ky armik i votës së lirë, s’po hyj t’i jap shumë epitete të tjera, është pasardhës i një njeriu që ka firmosur varjen e kundërshtarit politik.

Në rastin e Sali Berishës, procedurën e ka kryer brenda dy orëve, ndonëse prokurorët politikë nuk sollën fare dosje, po sollën pretendimin se ka kundërshtuar vendimin e gjykatës. Ky tani, që e ka të qartë si drita e diellit se dosja Balluku është dosja Rama. Se dosja Balluku në tunelin e Llogarasë është dosja Rama.

Se dosja Balluku në aeroportin e Vlorës është dosja Rama. Se dosja Balluku në unazën e Tiranës, 13 km të ndarë në 14 tendera është dosja Rama. Se dosja Rama është dosja më e madhe, më e tmerrshme.

E ka shumë të qartë se dosja se dosja e inceneratorit të Tiranës është dosja Rama, para së gjithash. Se sterilizatorët dhe check-up-i janë dosja Rama para së gjithash.

Ky e di këtë punë. Ndaj dhe ky s’do pranojë kurrë, kurrë të zbatojë urdhrat e prokurorisë dhe gjykatave.

Kështu që varet nga ne. Do pranojmë ne një diktaturë të plotë ku nuk ka më asnjë lloj shprese, përveçse një njeri që do përcaktojë fatin tonë? Apo do ngrihemi në një betejë përfundimtare kundër tij.

The post Berisha: Largimi i Ramës, kusht i domosdoshëm, Balluku bën gjithçka për të intimiduar dëshmitarët dhe manipuluar dosjet appeared first on Albeu.com.

Nga shofer autobusi në krye të Venezuelës, rruga e Maduros drejt pushtetit

By: V K
3 January 2026 at 13:11

Nicolás Maduro, erdhi në pushtet si pasues i Hugo Chávezit pas vdekjes së këtij të fundit në vitin 2013, duke fituar ngushtë zgjedhjet presidenciale – rezultat i kundërshtuar nga opozita.

Aleat i hershëm i Chávezit, Maduro trashëgoi pushtetin, por jo karizmën dhe mbështetjen popullore të paraardhësit të tij.

Ish-shofer autobusi dhe drejtues sindikate, ai u përball gjatë qeverisjes me kriza të thella politike dhe ekonomike, protesta masive, keqmenaxhim të industrisë së naftës dhe sanksione të ashpra ndërkombëtare, kryesisht nga Shtetet e Bashkuara.

Në vitin 2017, Maduro zgjeroi kompetencat e presidencës, duke anashkaluar Asamblenë Kombëtare të kontrolluar nga opozita, çka shkaktoi protesta të dhunshme.

Një vit më pas, ai fitoi një mandat të dytë në zgjedhje të denoncuara si të parregullta nga opozita dhe komuniteti ndërkombëtar.

Akuzat për mashtrim zgjedhor dhe përfshirje në aktivitete kriminale janë përsëritur edhe vitet e fundit, ndërsa presioni amerikan është rritur.

Në këtë klimë tensioni, e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e pasigurt.

The post Nga shofer autobusi në krye të Venezuelës, rruga e Maduros drejt pushtetit appeared first on Albeu.com.

Banorja e BBVK rrëfen periudhën e vështirë: Babi na dhunonte, kur zbulova “OnlyFans” më ndryshoi jeta!

By: man jola
3 January 2026 at 13:08
Banorja e Big Brother VIP Kosova 4, Bia, ka ndarë për herë të parë historinë e saj të jetës, duke rrëfyer përjetime të vështira familjare dhe sfida personale që nga fëmijëria. “Unë vij nga një familje tradicionale romune. Jeta ishte e vështirë nga fillimi. Babi me mamin ishin bashkë vetëm derisa mami tha “stop”, sepse […]

Sulmet e SHBA në Venezuelë, Kurti: Të goditen e zyrtarët e përfshirë në trafik droge

By: e xh
3 January 2026 at 14:36

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka publikuar një reagim në rrjetin social Facebook, duke shprehur mbështetje të plotë për operacionin e udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në Venezuelë, nën drejtimin e presidentit Donald Trump.

Sipas Kurtit, mbajtja përgjegjëse e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogës është thelbësore për suksesin e luftës kundër kësaj dukurie. Kryeministri theksoi se Kosova, si aleate strategjike e SHBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër narkotikëve dhe çdo përpjekjeje për të cenuar vlerat demokratike perëndimore.

Në reagim, Kurti ritheksoi nevojën për vëmendje të shtuar ndaj aktorëve rajonalë që sipas tij synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake, duke bërë paralelizëm me sfidat e sigurisë në rajonin tonë.

“Republika e Kosovës mbështet operacionin anti-narkotik të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të udhëhequr nga Presidenti Donald Trump, në Venezuelë. Mbajtja përgjegjës e aktorëve shtetërorë të përfshirë në trafikimin e drogave është thelbësore për suksesin në luftën kundër kësaj dukurie.

Kosova, si aleate strategjike e ShBA-së dhe NATO-s, ofron mbështetje të plotë në luftën kundër trafikimit të narkotikëve dhe kundër cenimit të vlerave demokratike perëndimore nga aktorë përfaqësues (proxy) të kundërshtarëve të këtyre vlerave, si në rajonin tonë ashtu edhe më gjerë.

Në këtë kontekst, ritheksojmë nevojën për rritjen e vëmendjes ndaj aktorëve të caktuar rajonalë, të cilët në vazhdimësi synojnë provokimin e situatës së sigurisë përmes veprimeve hibride, kriminale, terroriste dhe ushtarake”, shkruan Kurti në Facebook.

Kapja e Maduros nga SHBA, BE: Të respektohet ligji ndërkombëtar

By: e xh
3 January 2026 at 14:05

Sulmet ajrore të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe arrestimi i presidentit Nicolas Maduro kanë nxitur reagime të shumta nga Bashkimi Evropian, vende të Amerikës Latine, Rusia, Irani dhe liderë politikë ndërkombëtarë.

Përfaqësuesja e Lartë e BE-së, Kaja Kallas, deklaroi se ka zhvilluar bisedime me sekretarin amerikan të Shtetit dhe ambasadorin e BE-së në Karakas, duke theksuar se Bashkimi Evropian po e ndjek nga afër situatën dhe bën thirrje për respektimin e së drejtës ndërkombëtare dhe Kartës së OKB-së.

“BE-ja ka deklaruar vazhdimisht se Maduros i mungon legjitimiteti dhe blloku e ka mbështetur një tranzicion paqësor. Në çdo rrethanë, parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe Karta e OKB-së duhet të respektohen. Ne bëjmë thirrje për përmbajtje” tha Kallas.

Ministria e Jashtme e Spanjës bëri thirrje për ulje të tensioneve dhe zgjidhje paqësore të krizës.

“Spanja bën thirrje për shtensionim dhe qetësim, si dhe që çdo veprim të ndërmerret gjithmonë në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe parimet e Kartës së OKB-së. Në këtë drejtim, Spanja është e gatshme të ofrojë shërbimet e saj të mira për të arritur një zgjidhje paqësore dhe të negociuar të krizës së tanishme”, thuhet në reagimin e Spanjës.

Presidenti i Kilit, Gabriel Boric, dënoi veprimet ushtarake të SHBA-së dhe riafirmoi angazhimin ndaj parimeve të së drejtës ndërkombëtare.

“Si Qeveri e Kilit, ne shprehim shqetësimin tonë dhe i dënojmë veprimet ushtarake të Shteteve të Bashkuara në Venezuelë dhe bëjmë thirrje për një zgjidhje paqësore të krizës së rëndë që po prek vendin. Kili riafirmon angazhimin e tij ndaj parimeve themelore të së drejtës ndërkombëtare, si ndalimi i përdorimit të forcës, mosndërhyrja, zgjidhja paqësore e mosmarrëveshjeve ndërkombëtare dhe integriteti territorial i shteteve”, tha Boric. 

Presidenti i Kolumbisë, Gustavo Petro, shprehu shqetësim të thellë për përshkallëzimin e tensioneve dhe refuzoi çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund të rrezikojë popullsinë civile.

“Qeveria e Republikës së Kolumbisë i sheh me shqetësim të thellë raportimet për shpërthime dhe aktivitet të pazakonta ajror në orët e fundit në Republikën Bolivariane të Venezuelës, si dhe përshkallëzimin e tensioneve në rajon. Kolumbia riafirmon angazhimin e saj të pakushtëzuar ndaj parimeve të mishëruara në Kartën e OKB-së, në veçanti respektimin e sovranitetit dhe integritetit territorial të shteteve, ndalimin e përdorimit ose kërcënimit me përdorimin e forcës dhe zgjidhjen paqësore të mosmarrëveshjeve ndërkombëtare. Në këtë drejtim, Qeveria kolumbiane refuzon çdo veprim ushtarak të njëanshëm që mund ta përkeqësojë situatën ose ta vërë popullsinë civile në rrezik”,  shkroi Petro në X. 

Ministria e Jashtme e Rusisë e cilësoi ndërhyrjen amerikane si një “agresion të armatosur” dhe bëri thirrje për dialog për të shmangur përshkallëzimin e mëtejshëm, duke mbështetur thirrjet për një mbledhje të Këshillit të Sigurimit të OKB-së.

“Pretekstet e përdorura për të justifikuar veprime të tilla janë të pabazuara. Armiqësia ideologjike ka mbizotëruar mbi pragmatizmin e biznesit dhe gatishmërinë për të ndërtuar marrëdhënie të bazuara në besim dhe parashikueshmëri. Në situatën aktuale, është e rëndësishme, para së gjithash, të parandalohet përshkallëzimi i mëtejshëm dhe të përqendrohemi në gjetjen e një rrugëdaljeje nga situata përmes dialogut. Ne mbështesim deklaratën e autoriteteve venezuelase dhe të udhëheqësve të vendeve të Amerikës Latine që bëjnë thirrje për një mbledhje të menjëhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, tha ajo

Udhëheqësi suprem i Iranit, Ali Khamenei, deklaroi se popujt duhet t’i rezistojnë presionit të jashtëm dhe të mos i nënshtrohen.

“Ajo që ka rëndësi është se kur një person e kupton se armiku po përpiqet në mënyrë arrogante të imponojë diçka mbi vendin, mbi zyrtarët, mbi qeverinë dhe mbi kombin, duhet të qëndrojë fort kundër armikut dhe t’i bëjë qëndresë. Ne nuk do t’i dorëzohemi armikut. Duke u mbështetur te Zoti i Plotfuqishëm, duke i besuar Zotit dhe me besim në mbështetjen e popullit, me vullnetin e Zotit dhe me hirin hyjnor, ne do ta gjunjëzojmë armikun” tha Khamenei.

Ndërsa kreu i Reform UK në Britani, Nigel Farage, tha se veprimet amerikane janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, por sipas tij mund të kenë pasoja gjeopolitike pozitive.

“Veprimet amerikane në Venezuelë gjatë natës janë jokonvencionale dhe në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare – por nëse i bëjnë Kinën dhe Rusinë të mendojnë dy herë, mund të jenë diçka e mirë. Shpresoj që populli venezuelas tani të mund të hapë një faqe të re pa Maduron” ”, tha Farage.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Maxime Prevot, deklaroi se siguria e qytetarëve belgë është prioritet dhe se situata po monitorohet nga afër në koordinim me partnerët evropianë.

“Siguria e qytetarëve tanë është prioriteti kryesor. Ambasada jonë në Bogota, e cila mbulon Venezuelën, dhe shërbimet tona në Bruksel janë plotësisht të angazhuara. Situata po monitorohet nga afër, në koordinim me partnerët tanë evropianë” tha ai. 

Shtetet e Bashkuara kryen sulme ajrore në orët e hershme të së shtunës në Venezuelë, duke njoftuar më pas arrestimin e presidentit Nicolás Maduro. Uashingtoni e ka akuzuar Maduron se drejton një “narko-shtet” dhe se ka manipuluar procesin zgjedhor.

3 skenarët që e presin Venezuelën pa president

By: e xh
3 January 2026 at 13:59

Pas arrestimit të presidentit Nicolás Maduro, e ardhmja politike e Venezuelës mbetet e paqartë dhe e mbushur me pasiguri. Kushtetuta e vendit parashikon se pushteti kalon tek zëvendëspresidentja Delcy Rodríguez në rast të “mungesës absolute” të presidentit. Megjithatë, autoritetet kanë deklaruar se nuk e dinë vendndodhjen e Maduros dhe të Zonjës së Parë, Cilia Flores, duke rritur më tej paqartësinë, shkruan CNN.

Opozita brenda dhe jashtë vendit sheh këtë moment si një mundësi historike për të ndryshuar regjimin. Sipas opozitës, presidenti legjitim është politikan i mërguar Edmundo González, kandidat në zgjedhjet e vitit 2024. González, akademik dhe diplomat me përvojë, jeton aktualisht në Spanjë dhe mbështetet nga aktivistja dhe fituesja e Çmimit Nobel për Paqen, María Corina Machado, e cila ka deklaruar se po përgatitet për një tranzicion të qetë dhe të rregullt pas largimit të Maduros. Machado shtoi se González e ka ftuar atë të jetë zv/presidente dhe se pjesa më e madhe e forcave policore dhe të armatosura do të respektojë udhëzimet e administratës së re, shkruan CNN.

Eksistojnë disa skenarë të mundshëm për zhvillimet e mëtejshme:

Rruga kushtetuese – Artikulli 233 i Kushtetutës: Zëvendëspresidentja Rodríguez merr pushtetin dhe shpall zgjedhje brenda 30 ditësh. Presidenti i ri do të shërbejë për një mandat të plotë gjashtëvjeçar.

Rënia e regjimit – Figurave të larta mund t’u tërhiqet mbështetja ose të ikin, duke hapur rrugën për Gonzalez dhe opozitën.

Një grusht-shteti ushtarak – Ministri i Mbrojtjes, Vladimir Padrino López, ka deklaruar se Venezuela do t’i rezistojë forcave të huaja, duke e quajtur këtë “agresionin më të madh që vendi ka pësuar”.

Situata mbetet e tensionuar dhe komuniteti ndërkombëtar po ndjek me kujdes zhvillimet në Venezuelë, ndërsa vendi ndodhet në një pikë kritike politike dhe ushtarake.

Rusia dënon ashpër “agresionin” amerikan në Venezuelë

By: e xh
3 January 2026 at 13:58

Ministria e Jashtme e Rusisë ka dënuar të shtunën atë që e quajti një akt “agresioni të armatosur” nga Shtetet e Bashkuara ndaj Venezuelës, duke bërë thirrje për qetësi dhe shmangie të përshkallëzimit të mëtejshëm. Deklarata e Moskës vjen pasi presidenti amerikan, Donald Trump, konfirmoi se SHBA ka kryer sulme dhe pretendoi se presidenti venezuelian Nicolas Maduro është kapur dhe nxjerrë jashtë vendit.

Autoritetet venezuelase kishin njoftuar më herët se vendi ishte sulmuar drejtpërdrejt pas shpërthimeve të dëgjuara në kryeqytetin Karakas dhe në shtetet Miranda, Aragua dhe La Guaira. Ministri i Jashtëm Venezuelës, Yvan Gil, akuzoi Uashingtonin se po përpiqet të marrë kontrollin mbi burimet natyrore të vendit.

Rusia ripërsëriti solidaritetin me popullin venezuelas dhe mbështeti thirrjet për një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke theksuar se Amerika Latine duhet të mbetet një zonë paqeje, dhe se Venezuela duhet të vendosë për të ardhmen e saj pa ndërhyrje të jashtme.

Leonid Slutsky, kryetar i Komitetit të Punëve të Jashtme të Dumës së Shtetit rus, e përshkroi sulmin si një operacion ushtarak të SHBA-së për të rrëzuar një regjimin e padëshiruar, duke akuzuar Ëashingtonin se kërkon të imponojë vullnetin e tij mbi Venezuelën.

14:50 Shifrat dhe perspektivat/ Çfarë “mbretëroi” në ekonominë globale në vitin 2025

By: Klara
3 January 2026 at 14:50

Ekonomia globale po përballet që nga fillimi i vitit 2025 me një ngadalësim të rritjes, duke reflektuar një mjedis të vështirë me inflacion të qëndrueshëm dhe pasiguri politike

Indekset e aksioneve globale u rritën në nivele rekord në tremujorin e tretë të 2025, duke treguar optimizëm nga fitimet e korporatave, ndonëse rritja teknologjike u ngadalësua. Megjithatë, në një moment të vitit, aksionet amerikane ranë në mënyrë të konsiderueshme, me S&P 500 dhe Nasdaq duke regjistruar rënie të forta, për shkak të shqetësimeve nga politika tregtare dhe tarifat.

Spikasin monedhat e tregjeve në zhvillim

Monedhat e tregjeve në zhvillim, si forinti hungarez, pesoja meksikane dhe reali brazilian, fituan tërheqje ndër investitorët, pasi u shfaqën luhatje të forta në tregun e këmbimit valutor global, një tregues i zhvendosjes së investimeve larg dollarit amerikan.

Çmimet e naftës u ndikuan nga gjeopolitika

Çmimet e naftës u rritën gjatë vitit 2025 dhe e gjitha kjo për shkak të tensioneve SHBA-Venezuelë, si edhe shqetësimeve për furnizim, edhe pse shqetësimet e tepricës së furnizimit për vitet e ardhshme vazhduan të ndikojnë tregun.

Sektori bankar europian në rritje falë IA-së

Aksionet e bankave europiane shënuan rritje të fortë për shkak të adoptimit të Inteligjencës Artificiale, që rrit eficiencën dhe redukton kostot operacionale, duke forcuar performancën e këtij sektori.

Tregjet globale ishin në pritje të zhvillimeve kryesore monetare nga Rezervat Federale të SHBA-së dhe Banka Qendrore Europiane, si dhe të dhënave të inflacionit dhe punësimit, të cilat pritet të ndikojnë ndjeshëm në vendimet për normat e interesit dhe sentimentin e tregut edhe gjatë vitit që vjen.

Shifrat dhe perspektivat/ Çfarë “mbretëroi” në

Parashikimi-Ku po lëviz tregu përtej vitit 2025

Njësia e OKB-së për Tregti dhe Zhvillim parashikon që ekonomia botërore do të zgjerohet vetëm me 2.6% në vitet 2025 dhe 2026, nga 2.9% në vitin 2024. Parashikimet e shtyjnë rritjen më tej nën mesataren para pandemisë prej 3% dhe shumë nën mesataren prej 4.4% të parë para krizës financiare 2008-2009.

Ekonomitë e mëdha gjithashtu po humbasin vrullin. Rritja në Shtetet e Bashkuara pritet të ngadalësohet në 1.8% në vitin 2025 dhe 1.5% në vitin 2026. Rritja e Kinës parashikohet të bjerë nga 5% në vitin 2025 në 4.6% në vitin 2026, shumë nën mesataren prej 6.7% të regjistruar para pandemisë.

Raporti gjithashtu thekson rëndësinë në rritje të faktorëve financiarë në tregjet e mallrave, veçanërisht sistemet ushqimore. Për disa kompani të mëdha tregtare ushqimore, më shumë se 75% e të ardhurave tani vijnë nga operacionet financiare, jo nga lëvizja e grurit, kafesë, kakaos ose kulturave të tjera.

Shifrat dhe perspektivat/ Çfarë “mbretëroi” në

Ekonomitë në zhvillim parashikohet të rriten me 4.3%, më shpejt se ekonomitë e përparuara. Jugu global tani gjeneron më shumë se 40% të prodhimit botëror, gati gjysmën e tregtisë globale të mallrave dhe më shumë se gjysmën e flukseve globale të investimeve.

Megjithatë, vendet në zhvillim mbajnë vetëm 25% të vlerës së tregut financiar global.

Raporti i Tregtisë dhe Zhvillimit 2025 përshkruan një sërë reformash praktike për të zvogëluar cenueshmërinë financiare dhe për të harmonizuar më mirë tregtinë, financat dhe zhvillmin.

Këto reforma praktike përfshijnë përditësimin e rregullave tregtare për ekonominë e sotme, duke përfshirë shërbimet, tregtinë digjitale, veprimet klimatike dhe strategjitë e reja industriale; reformimin e sistemit monetar ndërkombëtar për të kufizuar luhatjet e dëmshme në monedha dhe flukset e kapitalit; forcimin e tregjeve rajonale dhe vendase të kapitalit në mënyrë që vendet në zhvillim të mund të mbledhin financim afatgjatë të përballueshëm, si edhe përmirësimin e transparencës në tregtinë e mallrave dhe zgjerimin e aksesit në financim tregtar të përballueshëm, veçanërisht për bizneset e vogla./K.M

14:40 Kamerat e sigurisë në Tushemisht/ Nisin problemet me pajisjet 6 muaj pas përfundimit të punimeve

By: Klara
3 January 2026 at 14:40

Investimi për vendosjen e kamerave të sigurisë në fshatin turistik të Tushemishtit ka nisur të shfaqë problematika serioze, vetëm pak muaj pas përfundimit të punimeve.

Një pjesë e pajisjeve janë dëmtuar, ndërsa në terren evidentohen edhe shtylla të thyera apo të amortizuara.

Ky investim, i realizuar nga Fondi Shqiptar për Zhvillim, përfundoi në muajin korrik të këtij viti.

Përmes këtij projekti parashikohej vendosja e 58 shtyllave përgjatë një segmenti prej rreth 1.2 kilometrash.

Shtyllat janë të pajisura me kamera inteligjente sigurie, ndriçim publik, sistem ëireless dhe elementë muzikorë.

Megjithatë, vetëm disa muaj pas përfundimit të projektit, në pjesën më të madhe të tyre janë shfaqur dëmtime teknike dhe strukturore.

Në disa raste është konstatuar se janë kryer ndërhyrje riparimi me mjete provizore, çka ngre pikëpyetje mbi cilësinë e punimeve dhe qëndrueshmërinë e investimit në kohë./K.M

14:30 Nga Donald Trump te Benjamin Netanjahu, le të jetë 2026 një vit llogaridhënieje

By: Leonard
3 January 2026 at 14:30

Këta figura dashakeqe do të bëjnë gjithçka për të shmangur pagesën për dëmin që kanë shkaktuar, por llogaridhënia, herët a vonë, duhet t’i arrijë të dy.

Nga Jonathan Freedland

Nuk është tamam një rezolutë e Vitit të Ri dhe sigurisht që nuk është një parashikim. Më mirë ta mendoni si një shpresë, madje si një lutje për 12 muajt që vijnë. Qoftë viti i ardhshëm ai që do t’i shohë më në fund ata udhëheqës, që kanë bërë kaq shumë dëm vendeve të tyre dhe shumë më gjerë, të thirren për t’u përgjigjur. Le të jetë 2026 një vit llogaridhënieje.

Le të fillojmë me njeriun që ka shtrirjen më të madhe, falë pushtetit të jashtëzakonshëm që ushtron. Kështu funksionon sistemi zgjedhor amerikan: Donald Trump, i cili u rikthye në pushtet më pak se një vit më parë, do të përballet me gjykimin e votuesve pas 10 muajsh. Emri i tij nuk do të jetë në fletën e votimit, por mos u gaboni: zgjedhjet e mesmandatit të 3 nëntorit do të japin verdiktin për presidencën e dytë të Trumpit.

Një varg humbjesh në Kongres për partinë e tij do të ishte vetvetiu i kënaqshëm, duke i dhënë një goditje egos së tij gjigante, por do të kishte edhe rëndësi praktike. Pak kush parashikon që republikanët të humbasin kontrollin e Senatit, ku demokratët do të duhej të fitonin të paktën katër vende për të marrë drejtimin – pothuajse e pamundur, duke pasur parasysh gjeografinë e 35 vendeve që janë në lojë në nëntor. Por, në rrethana normale, do të ishte basti më i sigurt politik që Dhoma e Përfaqësuesve nuk do të jetë më në duart e republikanëve pas një viti.

Një kthesë e tillë do ta shpërbënte aurën e pathyeshmërisë që e ka rrethuar Trumpin që nga fitorja ndaj Kamala Harris, duke i dhënë atij mundësinë të frikësojë e të shantazhojë institucione të shumta amerikane, përfshirë një pjesë të madhe të medias, që t’i dorëzojnë më shumë pushtet sesa i takon. Do ta kthente në një “rosë të çalë”, të paaftë për të miratuar ligje të reja përmes një dhome armiqësore.

Mbi të gjitha, do ta vinte Trumpin përballë një institucioni që ka si vullnetin, ashtu edhe fuqinë për ta thirrur në llogari: një Dhomë Përfaqësuesish e kontrolluar nga demokratët do të kishte oreksin dhe mjetet për një mbikëqyrje serioze. E pajisur me të drejtën e thirrjes së detyruar, ajo mund të hetonte gjithçka, nga kostoja e tarifave të Trumpit për taksapaguesit amerikanë, deri te modeli tronditësisht i hapur i korrupsionit dhe pasurimit personal që e ka karakterizuar këtë administratë. Dhe në mëngë do të kishte gjithnjë kërcënimin e vazhdueshëm të një procesi të tretë shkarkimi (impeachment).

Pra, nëntori mund të sjellë vërtet një llogaridhënie për Trumpin, dhe pikërisht për këtë arsye ai nuk do të ndalet para asgjëje për ta shmangur një rezultat të tillë. Këtu vlen paralajmërimi i mësipërm: “në rrethana normale”. Trumpi do t’i bëjë rrethanat anormale, nëse kjo është e nevojshme për të mbajtur Dhomën. Kjo përpjekje ka nisur tashmë, qoftë përmes hartave elektorale të manipuluara në Teksas, qoftë përmes përpjekjeve për ta bërë votimin më të vështirë në zonat demokrate në të gjithë vendin.

Ka shenja inkurajuese se institucionet kanë filluar të reagojnë – mjafton të përmendet vendimi i Gjykatës së Lartë javën e kaluar, që kufizoi përdorimin e trupave amerikane nga Trumpi në rrugët e qyteteve të drejtuara nga demokratët – por kjo do të jetë një nga betejat e vitit 2026, ndërsa presidenti shtrin çdo fije force për të shmangur llogaridhënien që do të sillte një humbje në vjeshtë.

Në këtë drejtim, ai ka një “vëlla shpirti” te njeriu që priti këtë javë në Mar-a-Lago, në takimin e tyre të gjashtë dhe të fundit për vitin 2025: Benjamin Netanjahu. Me këtë ndryshim: rreziku elektoral që përballet Netanjahu, mandati i parë i të cilit si kryeministër i Izraelit filloi në vitin 1996, është më i drejtpërdrejtë. Diku mes tani dhe tetorit, izraelitët do t’u drejtohen kutive të votimit në një garë që mund ta largojë atë përfundimisht nga pushteti.

Thelbësore do të jetë thirrja e Netanjahut në llogari. Shumëkush në botë do të dëshironte që kjo të ndodhte për vrasjen e dhjetëra mijëra palestinezëve në Gaza, për bombardimet ajrore të pandërprera që e kanë lënë Rripin në gërmadha dhe për bllokimin e ndihmës humanitare. Por brenda Izraelit, llogaridhënia që kërkohet më fort lidhet me dështimet vdekjeprurëse të 7 tetorit 2023: me vetëkënaqësinë dhe gabimet strategjike që lanë të pambrojtura një sërë komunitetesh jugore dhe qindra njerëz në një festival muzikor, të ekspozuar ndaj sulmit vrasës të Hamasit.

Zyrtarë izraelitë në çdo nivel, civilë dhe ushtarakë, e kanë paguar këtë katastrofë me postet e tyre – përveç njërit. Vetëm Netanjahu nuk ka pranuar kurrë as edhe përgjegjësinë më të vogël, e jo më të kërkojë falje, për faktin se dita më vdekjeprurëse në historinë e vendit ndodhi nën drejtimin e tij. Ai ka refuzuar të krijojë një komision hetimor, siç ka ndodhur shpejt pas fatkeqësive të mëparshme, duke preferuar në vend të tij një hetim të rremë të mbushur me besnikë – ekuivalente, siç e tha babai i një pengu të vrarë, me “t’i kërkosh ajsbergut të zbulojë kush e fundosi Titanikun”. Kështu, e vetmja mundësi që izraelitët kanë për ta thirrur në llogari njeriun që i ka sunduar për 18 nga 30 vitet e fundit, është kutia e votimit.

Pesha e kësaj është jashtëzakonisht e madhe. Shumë aktivistë izraelitë kanë frikë se kjo zgjedhje mund të jetë shansi i fundit për të shpëtuar institucionet kyçe demokratike, të cilat kanë qenë për një kohë të gjatë nën sulm të vazhdueshëm nga Netanjahu. Ashtu si Trumpi në SHBA apo Viktor Orbani në Hungari – i cili gjithashtu përballet me zgjedhësit këtë vit – Netanjahu ka qenë në një luftë gjithnjë e më të ashpër me gjyqësorin dhe median e pavarur, duke i shtrënguar gjithnjë e më fort, me shpresën se do të mbyten. Dhe, ashtu si miku i tij në Uashington, Netanjahu nuk do të ndalet para asgjëje për t’ua mohuar kundërshtarëve fitoren elektorale: i gjykuar për akuza korrupsioni, atij i duhet të qëndrojë në pushtet për të mos përfunduar në burg. Llogaridhënia, si politike ashtu edhe ligjore, e tmerron.

Dhe ai nuk është i vetmi udhëheqës në rajon që ka frikë nga zemërimi i popullit të vet. Iranianët janë përpjekur vazhdimisht ta shfryjnë zemërimin ndaj regjimit që sundon vendin e tyre prej 47 vitesh, vetëm për t’u shtypur, shpesh brutalisht. Protestat kanë shpërthyer sërish ditët e fundit, me autoritetet që i janë drejtuar forcës vdekjeprurëse edhe më shpejt se më parë – megjithëse ka shenja inkurajuese se disa pjesëtarë të forcave të sigurisë hezitojnë të angazhohen në shtypjen e zakonshme. Prej vitesh, shumë brenda Iranit kanë humbur shpresën ndaj një regjimi të vendosur të shndërrohet në një fuqi rajonale përmes sponsorizimit të terrorit dhe kaosit në Lindjen e Mesme e më gjerë, ndërsa iranianët e zakonshëm paguajnë çmimin me sanksione dhe dhimbje ekonomike. Llogaridhënia për këtë është shtyrë, më shumë se një herë. Por kërkesa për ndryshim është e fortë dhe, siç thotë studiuesi i Iranit Ali Ansari, “herët a vonë diçka do të duhet të çahet”.

Në rrugë ose në kutinë e votimit, llogaridhënia mund të vijë në vitin 2026. Në Britani, qeveria laburiste ka arsye të forta për ta pasur frikë, duke u përgatitur për humbje të mëdha në të gjitha drejtimet: ndaj Plaid Cymru në Uells, Partisë Kombëtare Skoceze në Skoci, të Gjelbërve – veçanërisht në Londër – ose Reform UK pothuajse kudo. Në një botë të drejtë, Nigel Farage do t’u trembej votuesve, i shqetësuar se ata do ta thërrisnin në llogari jo vetëm për të kaluarën e tij të errët, por edhe si njeriun që shërbeu si ungjilltari kryesor i vendimit më katastrofik kombëtar që nga Mynihu, pra referendumi për Brexit-in, i cili shënon 10-vjetorin në qershor.

E pranoj se është pak e mundshme që viti 2026 ta shohë Farage-in të paguajë për rolin e tij kryesor në këtë akt të vazhdueshëm vetëdëmtimi kolektiv. Por, në fund, Trumpi, Netanjahu, Orbani dhe të tjerët duhet të përballen me llogaridhënien për dhimbjen që kanë shkaktuar dhe dëmin që kanë bërë. Le të jetë ky viti.

Jonathan Freedland është kolumnist i “The Guardian”/ Përgatiti për botim: L.Veizi

14:30 ‘Pagoi 2.7 mijë euro për një natë në Dubai’, Gonxhja reagon pas akuzave nëpër portale

By: Klara
3 January 2026 at 14:30

Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, ka reaguar pas lajmit të disa portaleve se ai ka kaluar një natë në Dubai, duke harxhuar 2.7 mijë euro.

“Portale që e gdhijnë festave për hallet e popullit, më nxjerrin që paskam paguar 2,700 Euro për një natë në Dubai! Vlera në fjalë është paguar për një delegacion prej 5 vetash, dhe për 3 netë, duke e bërë koston për person të jetë 180 Euro/nata!

Publiku e di se tregu i hoteleve kudo në botë ka pësuar rritje çmimesh dhe ka natyrisht raste kur tarifat janë të larta, në varësi të datave, sezoneve, ngjarjeve e shpesh qëndrimi lidhet me evente që zhvillohen në po ato hotele e struktura dhe nëse nuk rezervon në to mund të pësosh kosto më të larta spostimesh e lëvizjesh me transport taksi apo të dedikuar, të humbësh kohë e të mos maksimizosh axhendën.

Por a duhet të abuzohet kështu me lajme të sajuara qëllimisht? A s’është turp të stisësh aludime të tilla? Si ministër përgjegjës për turizmin patjetër që do udhëtoj e marr pjesë në vizita në shumë shtete e aktivitete, është pjesë e pashmangshme e punës sime, sepse kërkojmë ndërlidhje, ura turizmi e ndërkombëtarizim, dhe jam krejt i hapur të informoj nëse një media interesohet, por pse kështu? Pse të gënjehet kaq trashë pa bërë asnjë verifikim pranë Kabinetit tim apo MTKS?

“Blendi Gonxhe paguan 2700 Euro për 1 natë në Dubai me lekët e shqiptarëve!!!”? JO! Portalet gënjejnë pacipërisht! Në fakt kam paguar 180 Euro për 1 natë!!! ???? (edhe më lirë madje sesa çmimi për atë hotel në ëebin e Booking: 161 + 43 taksa = 204 Euro/nata, e ilustruar në album)

Dhe po, jam takuar e pritur nga homologët, më saktë me Ministrin e Ekonomisë & Turizmit si dhe me Ministrin e Sportit (publikuar), përveç një axhende shumë të ngjeshur takimesh pune në Dubai dhe Yas Marina (Abu Dhabi), të Emirateve të Bashkuara Arabe! I ftuar në një prej panaireve më të rëndësishme mbi mikpritjen, “Future Hospitality Summit – Dubai, 2025”, ku Shqipëria u prezantua nga pavioni më i bukur ndonjëherë me projektet e zhvillimet më të spikatura të turizmit e të akomodimit dhe ku fola në një panel forumi mbi vendin tonë, si edhe ftova shumë kompani prestigjioze të njohin realitetin tonë dhe të konsiderojnë investimin në ekonominë shqiptare. (Gjithashtu fotot ilustruese në album)

Të jesh kritik ndaj qeverisë e kuptoj, por të shpifësh kaq ulët, duke 15 fishuar një pagesë dhome, është e pajustifikueshme, e gabuar dhe nuk i shërben aspak as interesit publik, as medias e as Shqipërisë”, shkruan Gonxhja./K.M

14:25 Kush drejton tani në Venezuelë?

By: Klara
3 January 2026 at 14:25

Në Venezuelë, në mungesë të presidentit, pushteti kalon tek zëvendëspresidenti i tij, sipas asaj që përcakton Kushtetuta.

«Nëse mungesa e Presidentit të Republikës ndodh gjatë katër viteve të para të legjislaturës kushtetuese, zgjedhje të reja të përgjithshme duhet të shpallen brenda tridhjetë ditëve të ardhshme. Deri në zgjedhjen dhe betimin e një presidenti të ri, zëvendëspresidenti ekzekutiv do të ushtrojë detyrën e tij», shkruhet në dokumentin e cituar nga agjencia e lajmeve ruse Ria Novosti.

Pra, pushteti tani ndodhet në duart e zëvendëspresidentes së Venezuelës, Delcy Rodriguez./K.M

14:20 Femicidi duhet vendosur në Kodin Penal të Shqipërisë

By: Klara
3 January 2026 at 14:20

Nga Iris Beqiri 

Femicidi nuk është vetëm një tragjedi familjare, por edhe një problematikë sociale në Shqipëri. Vit pas viti, shifrat janë gati-gati të frikshme. Një rast i tillë u përsërit jo më shumë se 24 orë më parë.

Sipas një raporti, në vendin tonë, gjatë periudhës 2021-2023, në 19 bashki të territorit ndodhën 32 vrasje të grave dhe vajzave, prej të cilave 24 vrasje rezultuan të ishin femicide. Shkalla e femicidit ishte 0.84 për 100,000 gra, ndërsa sipas të dhënave, thuajse në 60% të rasteve vrasjet kanë ndodhur në banesën e viktimës.

Dhe të gjitha këto të dhëna nuk duhet të trajtohen kurrsesi si statistika, pasi duhet të shërbejnë si një kambanë alarmi për shoqërinë shqiptare. Ky manifestim brutal i kësaj forme të dhunës me bazë gjinore po merr shumë jetë njerëzish. Këputja e zinxhirit të këtij fenomeni do të ishte një ndarje përfundimtare e një përshkallëzimi tragjik të dhunës.

Por femicidi nuk është vetëm një çështje private brenda familjes, por edhe një çështje që kërkon veprim politik për ndërmarrjen e hapave të duhur, si në aspektin e politikave, ashtu edhe për ndryshime të caktuara ligjore.

Një shqetësim i kahershëm, i ngritur vazhdimisht nga shoqëria dhe aktorë të shumtë jopolitikë, e që rihapet sa herë ripërsëriten rastet, është mungesa e përcaktimit ligjor të femicidit në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë.

Nevojitet një ndarje më specifike për vrasjet me këtë bazë gjinore, ngjarje që në thelb pasqyrojnë modele të dhunës e dominimit me të cilat gratë dhe vajzat përballen vazhdimisht. Ndërkohë që edhe në vende të tjera të Ballkanit, si Kroacia, Maqedonia e Veriut, Bosnjë-Hercegovina po veprohet politikisht e ligjërisht për të shtuar dallueshmërinë jo vetëm në terma, por edhe ndjekjen penale të këtyre ngjarjeve.

E kur rastet ‘trokasin’ në shoqëri, kuptohet qartazi se një nismë e tillë nuk është thjesht e nxitur nga një lajm apo ngjarje e ditës, por një domosdoshmëri.

Femicidi duhet të vendoset në Kodin Penal sepse një krim i tillë meriton ndëshkimin e duhur ligjor, pasi ligjet aktuale mbi këtë krim shpesh dështojnë të adresojnë mizogjininë sistemike dhe pabarazitë që nxisin këto krime, duke çuar në dënime më të lehta dhe boshllëqe në drejtësi për viktimat dhe familjart e tyre.

Një hap i tillë është me rëndësi jo vetëm prej një mungese në Kodin Penal, por mbi të gjitha sepse përcaktimi ligjor i feminicidit mundëson përgjigje më të qarta nga zbatuesit e ligjit, gjyqësori dhe institucionet për të trajtuar shkaqet rrënjësore të saj dhe për të parandaluar ndodhitë e ardhshme./K.M

14:10 Skitë Alpine në Kranjska Gora/ Lara Colturi shkëlqen sërish, e treta në zbritjen e parë në slalomin gjigant, la pas Mikaela Shiffrin

By: Klara
3 January 2026 at 14:10

Lara Colturi e nis në mënyrë fantastike vitin 2026 në Skitë Alpinë. Skiatorja 19 vjeçare ka bërë një paraqitje të shkëlqyer në zbritjen e parë në Slalomin gjigant në ndalesën e radhës së Kupës së Botës në Kranjska Gora teksa u rendit në vendin e tretë.

Colturi zhvilloi një garë shumë të mirë në këtë zbritje duke e përshkuar pistën me kohën 1 minutë 1 sekondë e 75 të mijtat, 37 të qintat më shumë se fituesja e kësaj zbritjeje, Camille Rast, ndërkohë që e dyta u rendit amerikania Paula Moltzan.

Lara Colturi në këtë zbritje la pas emra të tillë si Mikaela Shiffrin, kryesuese e klasifikimit të përgjithshëm në këtë edicion të Kupës së Botës në Skitë Alpine, Julia Scheib apo Sara Hector.

Zbritja e dytë do të jetë në orën 13:00 me Lara Colturin që po shfaqet në një formë të jashtëzakonshme dhe që do të tentojë të regjistrojë një tjetër podium pas atyre në Levi, Gurgl, Copper Mountain dhe Semmering./K.M

14:05 Ku duhet dhe ku nuk duhet të udhëtoni në vitin 2026!

By: Klara
3 January 2026 at 14:05

Last Updated on 03/01/2026 by Klara

Mirë se vini në vitin 2026!

Viti i ri është një kohë e shkëlqyer për të bërë një pauzë, për t’u çlodhur dhe për të reflektuar dhe për të filluar të mendosh për atë që dëshiron të arrish në 12 muajt e ardhshëm. Ndërsa po përgatitesh për vitin e ri, fillo të mendosh se ku do të doje të shkoje me pushime.

Vendet më të mira për të shkuar

CNN Travel ka zbuluar listën e vendeve për t’u vizituar në vitin 2026. Këto 20 vende përfshijnë vende në gjashtë nga shtatë kontinente (më falni, Antarktidë!), kështu që ka shumë mundësi që të paktën njëri prej tyre do t’ju kënaqë dëshirën për udhëtim.

Disa vende, si Bahreini dhe Adelaide në Australi, kanë itinerare të reja fluturimi që do ta bëjnë më të lehtë se kurrë për amerikanët të shkojnë atje. Të tjerë, si Oulu në Finlandë dhe Brukseli në Belgjikë, kanë oferta emocionuese arti dhe kulture. Dhe nëse dëshironi që udhëtimi të jetë pjesë e destinacionit, a mund t’ju sugjerojmë fiordet kiliane ose luginën e largët Orkhon të Mongolisë?

Nëse shumë zgjedhje ju bëjnë të ndiheni të mbingarkuar, merrni në konsideratë përdorimin e një procesi eliminimi për të marrë vendimin tuaj. Ne gjithashtu kemi hartuar një listë të vendeve që nuk mund t’i vizitoni vitin që vjen.

Për shembull, disa atraksione të njohura të Parisit, si Qendra Pompidou dhe Katakombet, do t’i nënshtrohen punimeve të rinovimit në vitin 2026, kështu që mund të vendosni të riorganizoni itinerarin tuaj.

Aeroplanë dhe trena

Për ata prej jush që mezi presin të udhëtojnë me aeroplan, shikoni këtë përmbledhje gjithëpërfshirëse të të gjitha informacioneve të aviacionit që do t’ju nevojiten për vitin 2026, si fjala e re popullore “premiumizimi”. Për më tepër, ne ofrojmë disa informacione se si gjeopolitika dhe inflacioni do të ndihmojnë në përcaktimin e çmimit të biletave tuaja të avionit.

Trenat po përgatiten gjithashtu për një vit të madh në vitin 2026. Ky është një lajm i mirë për udhëtarët evropianë, pasi trenat e famshëm të natës në kontinent po kthehen me shpejtësi dhe linja të reja me shpejtësi të lartë po vijnë në Gjermani, Itali, Hungari, Danimarkë dhe vende të tjera.

Lindja e Mesme është në ndjekje të Europës. Hekurudha me shpejtësi të lartë e Arabisë Saudite është një nga shumë përparimet teknologjike që e bën më të lehtë se kurrë eksplorimin e shkretëtirave dhe megaqyteteve të vendit, ndërsa rrjeti hekurudhor Etihad i Emirateve të Bashkuara Arabe pritet të lidhë të shtatë emiratet e saj.

Kur mendoni se ku të shkoni, është mirë të mendoni edhe se çfarë lloj udhëtari doni të jeni. A do të fotografoni njerëz pa lejen e tyre, apo do të mësoni të thoni “të lutem” dhe “faleminderit” në gjuhën vendase?/K.M

14:00 Mungesa e vitaminave, një problem i heshtur që prek gjithnjë e më shumë njerëz

By: Klara
3 January 2026 at 14:00

Mjekët paralajmërojnë se mungesa e vitaminave dhe mineraleve po kthehet në një problem serioz shëndetësor, veçanërisht tek të rinjtë dhe personat me ritëm të çrregullt jetese. Dietat e pabalancuara, stresi dhe mungesa e aktivitetit fizik janë faktorë që ndikojnë drejtpërdrejt në shëndetin e përgjithshëm të organizmit.

Sipas specialistëve, mungesa e vitaminës D, hekurit dhe vitaminave të grupit B shfaqet shpesh me simptoma si lodhje, rënie përqendrimi dhe dobësim i imunitetit. Kontrollet periodike dhe një ushqyerje e shëndetshme mbeten mënyra më e sigurt për parandalim.

Ekspertët këshillojnë që suplementet të merren vetëm me rekomandim mjekësor, pasi përdorimi i pakontrolluar mund të sjellë efekte të padëshiruara./KM

❌
❌