Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Yesterday — 8 February 2026Main stream

Familjet kërkojnë të vërtetën për personat e zhdukur të Luftës së Kosovës

By: Elva
8 February 2026 at 16:52

Në fshatin Tërnje në jug të Kosovës, Bekim Gashi detyrohet të jetojë me një ndjenjë boshllëku. Ai nuk ka varre për të vajtuar. Në fakt, ai ka vetëm fotografi të nënës së tij Hyra dhe katër motrave të tij, të cilat u zhdukën pas një masakre në fshatin e tij të kryer nga ushtria serbe […]

The post Familjet kërkojnë të vërtetën për personat e zhdukur të Luftës së Kosovës appeared first on BoldNews.al.

​Kur civilët u bënë shënjestër, çfarë zbulon raporti “Java e terrorit në Drenicë”

8 February 2026 at 08:12


Organizata amerikane për të Drejtat e Njeriut "Human Rights Watch ", 27 vjet më parë publikoi raportin me titull "Java e terrorit në Drenicë" .

Në këtë raport, i cili u publikua më 8 shkurt 1999, përshkruhet se si forcat speciale serbe kah fundi i shtatorit 1998 masakruan 21 civilë në Abri e Epërme, dhe vranë 13 burra në fshatin e afërt Golluboc.

Ekstrakt nga Raporti i Vëzhguesve për të Drejtat e Njeriut - Java e terrorit në Drenicë: Shkeljet e ligjeve humanitare në Kosovë

Luftimet në Abri të Epërme. Kah mesi i Korrikut, 1998, armata jugosllave dhe policia serbe filluan një ofensivë të përgjithshme kundër UÇK-së.

Ajo pothuaj kishte humbur kontrollin, sipas një vlerësimi, në mbi një të tretën e territorit të Kosovës. Ofensiva që shoqërohej nga artileria e rëndë, tanket, forcat ajrore, pati efekt të lartë në detyrimin e forcave të UÇK-së për t'u tërhequr nga shumica e pozicioneve të tyre drejt maleve mes drunjsh.

Dhe në fund të kësaj ofensive, vetëm pak luftëtarë të UÇK-së u vranë apo u zunë rob. Vuajtjet më të mëdha i përjetoi popullata civile shqiptare, që jetonte në zonat e luftimeve. Më shumë se dyqind fshatra janë shkatërruar dhe së pakut 300 mijë njerëz kanë mbetur pa strehë. Shumica e më se 2000 të vrarëve gjatë shtatorit janë civilë.

Rreziku që u kanosej civilëve në Kosovë ishte artikuluar në një qëndrim publik të Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq lëshuar në shtator: "Në momentin e tanishëm mbretëron gjendje e rënd dhe e pandryshueshme për disa javë me radhë. Dhjetëra e mijëra civilë janë në rreth të hekurt të sulmeve dhe të zhvendosur nga trojet e veta. Ata i janë ekspozuar dhunës, madje u kërcënohet edhe jeta, shkatërrimi i shtëpive, ndarja nga familjet dhe abduksioni.

Mijëra sish nuk kanë vend ku të strehohen as të kërkojnë vetëmbrojtje..."Nga mesi i shtatorit, presioni ndërkombëtar ndaj Millosheviqit për të ndërprerë këtë ofensivë ishte rritur. Por, tashmë qeveria kishte arritur të shkatërrojë qendrat dhe vendqëndrimet e UÇK-së, duke i shtyrë ata drejt maleve. Veprimet shkatërruese kishin ngelur pambaruar edhe në një zonë të rëndësishme; Drenicën, pjesën qendrore të Kosovës, ku kishin zënë vend luftimet më të shumta mes UÇK-së dhe forcave të qeverisë. Dyshohej se ditët finale të ofensivës ishin kalkuluar me kujdes.

Millosheviq dhe krerët e tij ushtarak e dinin se kishin pak kohë për ta kompletuar objektivin e tyre në Kosovë e pastaj për të manipuluar me një kërkesë për tërheqje rapide të forcave nga Kosova, siç kërkon perëndimi. Fshati Abri e Epërme gjendet në territorin e komunës së Gllogovcit të Drenicës. Fshat i vjetër 500-vjeçar, që kishte rreth 300 shtëpi të ndara në disa komponime (lagje) të mëdha familjare, me fusha dhe drunj në mes tyre, llogaritur edhe lagjen Deliu dhe atë Hysenaj, të cilat zënë vend të posaçëm në këtë raport.

Tri kilometra në veri, në maje të bregut gjendet Likoci, që ishte në shërbim të UÇK-së, por që nga 13 shtatori (1998 - Sh.B) ri-okupohet nga forcat jugosllave. Gjatë muajit shtator, forcat e qeverisë morën një ofensivë në regjionin e Drenicës që kishte për qëllim të dislokojë UÇK-në nga kjo trevë e fuqishme. Policia dhe ushtria sulmuan nga drejtimi i Klinës, në jugperëndim të Gllogovcit, pastaj edhe nga Qyçavica, malet në lindje dhe me efikasitet do t'i rrethojnë forcat e UÇK-së në bregun e Abrisë.

Duke iu referuar Naim Malokut, një komandues i UÇK-së dhe ish-oficer i armatës jugosllave i intervistuar nga "Nju Jork Times", forcat jugosllave hasën në rezistencë të UÇK-së mes Abrisë dhe Likocit... Pas pushtimit të Likocit, forcat e serbe ishin nisur drejt Abrisë. Sipas Zejnije Deliut, që ishte me familjen e saj në Abri, në fillim të ofensivës, forcat e qeverisë filluan të bombardojnë lagjen Deliu nga Likoci që në mëngjes, rreth orës tetë, të premten, më 26 shtator, nga llojet më të ndryshme të artilerisë dhe mortajave. Shumica e banorëve të lagjes ishin strehuar në pyll, për t'u ikur granatimeve.

I vetmi civil që kishte ngelur në Lagje gjatë granatimeve ishte Bashkim Deliu, 21 vjeçar, që duhej të kujdesej për babanë e tij Fazliun, 94 vjeçar dhe invalid. Bashkimi sqaron se sulmet vazhduan sërish të shtunën në mëngjes, pasi në mbrëmjen e së premtes policët sërish ishin kthyer në Likoc. Gjysma e konvojit të tankeve në Likoc, që ishin rreth 68 gjithsej, kishin lëvizur në drejtim të lagjes Deliu.

Ata hidhnin pandërprerë gjyle nga topat e tankeve mbi lagjen tonë. Këmbësorët vinin pas tankeve dhe shumica e tyre kishin mjekra. Unë vazhdoja të qëndroja me babanë tim, që kishte nevojë për ndihmën time, për ujë dhe ushqim. Ishim duke tymosur nga një cigare, kur granata ra në kulm të shtëpisë.

Kërceva jashtë nga kati i dytë i shtëpisë dhe vrapova nëpër oborr. Shikova nga një vrimë e derës së oborrit dhe pashë se në shtëpinë e fqinjit ishin futur ushtarë e paramilitarë. I pashë ushtarët tek vinin drejt shtëpisë sime jo më larg se tridhjetë metra. Kishin uniforma ushtarake ngjyrë kafeje dhe shumë prej tyre kishin thika të mëdha ose sëpata të vogla, përveç armëve të zjarrta. Vazhdova të vrapoj me sa forcë që kisha drejt Badërlakëve (Lagjes fqinje)... Për disa ditë me radhë pastaj forcat jugosllave do të mbajnë nën kontroll Abrinë, duke kryer keqbërjet e cekura në këtë raport. /KP/

Before yesterdayMain stream

Lluka: Fushëgropa e Bllacës ishte vazhdimësi e gjenocidit serb

27 January 2026 at 15:06


Kryetari i Shoqatës për Kthimin e Shqiptarëve të Shpërngulur nga Trojet e Veta, Jahja Lluka, ka deklaruar se çdo ardhje e pranverës zgjon në kujtesën kolektive të popullit shqiptar kujtime të rënda, të cilat ai i quan “lule me aromë gjaku”.

Sipas Llukës, edhe pse kanë kaluar më shumë se dy dekada nga ngjarjet e tmerrshme të vitit 1999, plagët e asaj kohe mbeten ende të hapura.

Ai theksoi se kampi i Bllacës ishte vazhdimësi e një gjenocidi të hershëm ndaj shqiptarëve, i cili mori përmasa apokaliptike, duke shënuar një shekull vuajtjesh dhe spastrimi etnik.

“Na ndajnë dy dekada, nga episodet e tmerr-it, të cilat nuk mbaruan as pas Luftës së Dytë Botërore. Kampi i Bllacës ishte vazhdimësia e një gjenocidi i cili mori formën apokaliptike, duke shënuar kështu një shekull rresht vuajtje dhe spas- trimi etnik ndaj popullit shqiptar. Sot, kur e kthejmë kohën pas është pothuajse e pamundur të mendohet ajo katastrofë humanitare, që u ngjiz në Kontinentin e lashtë evropian. Pas kampeve të përqendrimit ndaj hebrenjve, u tha ‘kurrë më’ s'do të lejohet diçka e tillë. Por vula e kësaj djallëzie, kaloi mbi trupa shqiptarësh, të cilët në frymën e fundit po kërkonin shpëtimin, së paku të vdisnin me dinjitet”.

Siç tha Lluka në kufirin e Bllacës, po gërshetoheshin, dy epoka të ndryshme.

“Viti 1999, po përmbyllte një cikël ku çnjerëzoret kishin triumfuar me vellon e saj të zezë, e që po gëlltiste trupa të gjallë, pa moshë e përtej moshës. Prapa këtyre trupave që ishin çnjerëzuar, po mbeteshin tokat e stërgjyshërve, ëndrrat, kujtimet, lotët, lindjet, dashuritë dhe varret. Po mbesnin luftëtarët të cilët deri në frymën e fundit, patën vullnetin t'i kthenin pushkën njërës ndër ushtritë më të fuqishme në Evropë, por që kjo e fundit veç luftë burrash nuk bënte. Ishin hiena që donin me çdo kusht zhdukjen nga kjo tokë të një populli të tërë, vetëm pse ky popull ishte shqiptar”.

Ndërkaq sipas Llukës pas dëbimeve masive dhe të gjenocidit në kampin e Bllacës ku mbi 440.000 shqiptarë përjetuan gjëra të tmerrshme nga milicia e Serbisë po edhe e Maqedonisë, Qeveria e Kosovës mori vendim për ngritjen e memorialit të gjenocidit serb me propozim të Shoqatës për Kthimin e të Shpërngulurve dhe të Institutit për Mbrojtjen e Vlerave Historike të shqiptarëve të Maqedonisë.

“Barra kryesore na ra neve, disave që të merremi me ngritjen e këtij Memoriali dhe ishte problematike gjetja e trenit që kishte bartur të dëbuarit po me ndihmën e Hekurudhave të Kosovës u zgjidhën shumë probleme. Gjatë punës për të shënuar 20 - vjetorin e dëbimit, nuk kishte shumë kohë dhe nuk kishte infrastrukturë rrugore deri te fushë gropa e tmerrit, por së bashku me komunën e Hanit të Elezit projektuam rrugën dhe trasenë për vendosjen e trenit edhe atë nga ana tjetër e Lepencit. Për herë të parë, mbas 20 viteve është shënuar dita e dëbimit dhe gjenocidit. Po ashtu, për 25 - vjetorin është menduar që t'i dëgjojmë rrëfimet dhe përjetimet dhe t'i grumbullojmë në një libër që të mos harrohen tmerret e jetës në kampin e Bllacës, ku ka pasur vdekje dhe lindje. U deshën shumë hulumtime për varrezat, po ashtu edhe një vlerësim”, tha Lluka

Ai theksoi se për herë të parë, pas 20 vjetësh, u shënua zyrtarisht dita e dëbimit dhe gjenocidit, ndërsa për 25-vjetorin është planifikuar mbledhja e rrëfimeve të të mbijetuarve në një libër dokumentues.

"Përjetimet e të dëbuarve me dhunë nga forcat serbe adekuat për vullnetarët që ndihmuan që projektet për shfarosjen e një populli të dështojnë, pasi që kufiri ishte ndarje e një populli të një gjaku e një gjuhe dhe të dëbuarit morën ndihmën e nevojshme humanitare nga vëllazëria e tyre. Pas rrëfimeve, vinë në rrudhë hulumtimi i familjarëve sikur rasti i familjes Kastrati që ju kishte vdekur djali 4 muajsh e në rrëfimin e parë ishin nga Sllatina pasi që në Sllatinë nuk kishte Krasniq, vendosëm me Dibranin e Daimin të shkojmë në Saraj të Shkupit e ta gjejmë varrin e djalit nga Kosova".

Ai shtoi se me ndihmën e organizatës humanitare “El Hilal” u siguruan listat e të dëbuarve, çka e lehtësoi kontaktin me të mbijetuarit e kampit.

Sipas tij, shumë prej tyre fillimisht ngurronin të flisnin për dhunën dhe vuajtjet e përjetuara.

"Ky hulumtim na hapi rrugën për ta gjetur edhe familjen e 'Djalit nga Kosova' ashtu si ja kishin lënë emrin në atë kohë qytetarët e Sarajit. Ky rast na shtyri që të hulumtojmë edhe raste të tjera me ndihmën e 'El Hilalit' arritëm t'i sigurojmë listat e të dëbuarve dhe tani e kishim ma lehtë për të biseduar me ata qytetarë që kishin kaluar nëpër ferrin e kampit të gjenocidit. Disa me habi më shtronin pyetje, nga i keni informatat, disa besa ngurronin edhe për të dhënë deklarata për dhunën dhe vuajtjet që kishin përjetuar. Pas një pune të palodhshme të ekipit, arritëm të kemi rrëfime të shumë njerëzve deri edhe të Ambasadorja e UNICEF Vanesa Regrave një personalitet i njohur në botën e artit. Ky është vëllimi i parë dhe shpresojmë që për vëllimet tjera, institucionet adekuate do të kenë mirëkuptim dhe të përkrahin iniciativën për hulumtimin dhe grumbullimin e deklaratave dhe të bëhet po ashtu një video-incizim që një ditë do t'i kemi në arkivat e shtetit pasi që pastrimi etnik dhe projekti për asgjësimin e një populli duhet të gjykohen dhe të dënohen nga akterët e drejtësisë ndërkombëtare për gjenocid", tha ndër të tjera Lluka. /Telegrafi/

27 vjet nga masakra e Reçakut, Haradinaj: Drejtësia për masakrat në Kosovë ende mungon

15 January 2026 at 10:13


Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka bërë homazhe sot në shënim të 27-vjetorit të masakrës së Reçakut.

Pas nderimit të martirëve, Haradinaj theksoi mirënjohjen e përjetshme për të gjithë ata që u flijuan për lirinë e Kosovës. Ai tha se masakra e Reçakut ishte një pikë kthese që tërhoqi vëmendjen e NATO-s dhe Shteteve të Bashkuara ndaj krimeve serbe të kryera në Kosovë.

“Jemi përjetësisht mirënjohës UÇK-së dhe të gjithë brezave që luftuan për liri. Përkulemi me nderim të përjetshëm. Po ashtu, falënderues ndaj NATO-s dhe Amerikës për ndihmën e dhënë – ta gëzojmë lirinë”, u shpreh Haradinaj.

Ai shtoi se drejtësia për masakrat e kryera në Kosovë ende nuk është vënë në vend.

Por, sipas tij është e padrejtë që udhëheqësit e UÇK-së vazhdojnë të gjykohen, ndërkohë që autorët e krimeve serbe nuk përballen me drejtësinë. /Telegrafi/

Kur UÇK-ja kapi rob tetë ushtarë serbë në vitin 1999, rrëfen ish-komandanti i brigadës 141 “Mehë Uka”

6 January 2026 at 17:52


Më 6 janar 1999, në terrenin e vështirë të Shalës së Bajgorës, Brigada 141 “Mehë Uka” e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës realizoi një operacion tejet të rëndësishëm, duke nxënë rob tetë ushtarë serbë.

Ndonëse nën presionin e vazhdueshëm ndërkombëtar për t’i liruar ata, Komanda e Zonës qëndroi e prerë. Ndërkohë, pas negociatave, u arrit një marrëveshje për shkëmbimin e tetë ushtarëve serbë, ndërsa në këmbim u kthyen në liri nëntë luftëtarë të UÇK-së, të mbajtur më parë rob nga ushtria serbe.

Ish-komandanti i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Hysni Ahmeti, rrëfen ditën kur ka ndodhur kjo ngjarje. Ai bën të ditur se incidenti ka ndodhur më 6 janar, ndërsa ka theksuar se Brigada 141 ka pasur një përgjegjësi mjaft të madhe në zonën e saj të veprimit.

Ahmeti tregon vendin ku ndodhi prita dhe çarmatimi

“Ka qenë një përgjegjësi mjaft e madhe prej fshatrave të Leposaviqit deri në Stanofc. Më 6 janar, në këtë vend këtu, vëzhguesit tanë kanë qenë edhe në pjesën më poshtë, në fshatin Mazhiq, ku kanë vërejtur një patrullë të armikut që po vinte drejt pozicioneve tona. Atëherë unë, si komandant i brigadës, kam urdhëruar që të largohen barrikadat nga rruga dhe t’i lëmë derisa të vijnë në territor më të thellë të Brigadës 141, konkretisht në këtë vend këtu. Këtu është bërë prita, këtu i kemi çarmatosur. Kanë marrë pjesë Policia Ushtarake, Njësia Speciale e Brigadës 141 “Mehë Uka” dhe stafi i brigadës që ka qenë për momentin këtu”, thekson Ahmeti.

Ai vazhdon duke treguar se robërit u dorëzuan, dhe u çarmatosën nën sytë vigjilentë të komandës.

Për robërit, Ahmeti thotë se komanda ka respektuar çdo rregull të konventave së luftës.

“Pa asnjë hezitim janë dorëzuar, nuk kanë tentuar të bëjnë diçka. Kur e kanë parë që janë të rrethuar, janë dorëzuar. I kemi çarmatosur dhe i kemi përcjellë në një bazë të Brigadës 141 në fshatin Bajgorë. Mund të them se brenda orës kanë arritur vëzhguesit ndërkombëtarë të OSBE-së. Kanë filluar bisedimet në njëfarë mënyre, një lloj kërcënimi që vetëm për t’i liruar, por kemi qenë kategorikë mos ta bëjmë këtë, por vetëm këmbim të robërve të luftës. Kemi njoftuar edhe komandantin e Zonës Operative të Shalës, gjeneralin Rrahman Rama. Edhe ai ka qenë këtu...”- theksoi ai

Të zënit rob, 7 prej tre ishin ushtarë dhe 1 oficer, të cilat sipas Ahmetit ata u trajtuan në përputhje me konventat e luftës.

Si rezultat i kësaj marrëveshje, janë shkëmbyer 9 pjesëtarë të UÇK-së, të cilët janë zënë rob në nga forcat serbe në kufirin shqiptaro-shqiptar.

“Kanë filluar njëfarë presioni i vëzhguesve. Edhe pse kanë qenë të zënë rob, i kemi pasur vëzhguesit ndërkombëtarë që na kanë qëndruar para shtabit, por njëkohësisht ua kemi mundësuar që të paktën t’i kontaktojnë, t’i shohin që janë gjallë dhe në njëfarë mënyre kanë dalë shëndoshë e mirë. Domethënë nuk i kemi maltretuar, nuk i kemi rrahur, por kemi vepruar në kuadër të konventave të luftës. Ne i kemi zënë më 6 janar në këtë vend këtu. Bisedimet i ka kryer Shtabi i Përgjithshëm. Robërit e luftës kanë qenë këtu. Kanë qenë 8 pjesëtarë: 7 ushtarë dhe 1 nënoficer. Gjithçka është zhvilluar në kuadër të Shtabit të Përgjithshëm. Kemi arritur t’i shkëmbejmë me 9 pjesëtarë të UÇK-së, të cilët janë zënë rob në kufirin shqiptaro-shqiptar”- tha ai

Ish-komandanti Hysni Ahmeti ka thënë po ashtu se robërit e kapur nga Brigada 141 u mbajtën në baza të ndryshme, ku u kontrolluan nga vëzhguesit ndërkombëtarë. Ai shtoi se nënoficeri dhe ushtarët u dalluan në trajtim.

“Ne zakonisht i kemi vendosur në bazat ku i kemi pasur pjesëtarët e UÇK-së. I kemi mbajtur në shkollën e Bajgorës, i kemi mbajtur në Kovaqicë, Bare. Kemi lëvizur për çdo ditë, ua kemi ndërruar vendin. Siç e theksova edhe më herët, dy herë në ditë vëzhguesit ndërkombëtarë i kanë vëzhguar, i kanë kontrolluar nëse janë gjallë, sepse kanë menduar se mos i kemi vrarë. Ne i kemi respektuar të gjitha konventat e luftës, bazuar në përvojën që e kam pasur edhe në luftën e mëhershme në Bosnje. E kam ditur se çka do të thotë nxënia e robërve. Në fakt, kemi bërë një dallim: nuk i kemi lënë ushtarët bashkë me nënoficerin, domethënë nënoficeri ka pasur një trajtim më ndryshe dhe ushtarët pak më ndryshe... Ekzistojnë edhe xhirimet se Ushtria Çlirimtare e Kosovës është sjellë shumë mirë me ne”- theksoi Ahmeti

Ai përfundoi rrëfimin duke treguar se shkëmbimi ishte realizuar: në vendin ku i kishin kapur rob, nën sytë e vëzhguesve ndërkombëtarë, 8 pjesëtarë të Ushtrisë së Serbisë u liruan.

“Shkëmbimin e ushtarëve e kemi bërë në këtë pjesë këtu, në praninë e vëzhguesve ndërkombëtarë, derisa e kemi marrë përgjigjen prej Shtabit të Përgjithshëm që i kanë liruar ushtarët e UÇK-së. Atëherë ne i kemi dorëzuar te vëzhguesit ndërkombëtarë, në këtë pjesë ku i kemi marrë dhe i kemi dorëzuar”- përfundoi ai.

Zona Operative e Shalës e UÇK-së, më 6 janar të vitit 1999, kishin kapur rob tetë ushtarë serbë, të cilët më 13 janar u zëvendësuan më nëntë ushtarë të UÇK-së.

​A e la mungesa e dokumentimit Kosovën për vite në defanzivë për krimet e luftës?

16 December 2025 at 09:30


Kosova ka qenë për një kohë të gjatë në pozicion defanziv në raport me krimet e luftës, për shkak të mungesës së dokumentimit institucional dhe të verifikueshëm.

Kështu ka deklaruar drejtori i Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemi, në “Përballje Podcast” në Telegrafi.com

- YouTube www.youtube.com

Sipas tij, mungesa e një arkive shtetërore të dokumentuar profesionalisht ka bërë që Kosova, ndonëse viktimë e krimeve të luftës, të mos ketë pasur mjetet e nevojshme për t’iu kundërvënë narrativave të rreme dhe propagandës nga Serbia.

“Si rezultat i mungesës së dokumentimit në mënyrë të mirëfilltë dhe të institucionalizuar, Kosova për vite ka marrë një pozicion defanziv sa i përket krimeve të luftës”, ka thënë Hetemi.


Ai theksoi se kjo situatë ka ndikuar edhe në mënyrën se si krimet janë trajtuar në arenën ndërkombëtare, përfshirë studimet, raportimet dhe prodhimet dokumentare që shpesh kanë ardhur nga palë të tjera.

“Na ka munguar dokumentimi i besueshëm që mund të ndahej me ambasada, studiues, gazetarë dhe institucione ndërkombëtare,” u shpreh ai.

Sipas Hetemit, ky boshllëk ka nisur të mbushet vetëm vitet e fundit përmes krijimit dhe funksionalizimit të IKKL-së, i cili po ndërton një arkiv të verifikuar me standarde profesionale dhe metodologji shkencore.

Ai shtoi se dokumentimi institucional nuk është i rëndësishëm vetëm për drejtësinë tranzicionale, por edhe për pozicionin politik dhe diplomatik të Kosovës.

“Vetëm me dokumente të verifikuara, Kosova mund të kalojë nga mbrojtja në prezantimin aktiv të së vërtetës historike,” tha Hetemi.

​E vërteta që u vonua, si po dokumentohen krimet e luftës në Kosovë? – flet Atdhe Hetemi nga IKKL

12 December 2025 at 10:30


Episodi i radhës i “Përballje Podcast”, sjell një bisedë me drejtorin e Institutit për Krimet e Kryera gjatë Luftës (IKKL), Atdhe Hetemin, i cili shpalos mandatin, punën deri tani dhe sfidat e dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë.

Biseda nis me një nga kapitujt më të rëndësishëm të kujtesës kolektive, mënyrën si Kosova po e ndërton arkivin e vet historik për krimet e kryera nga forcat serbe.

Hetemi sqaroi se instituti ka një kornizë të qartë ligjore për dokumentimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve ekonomike, psiko-sociale, dëmeve në ambient dhe shkatërrimit të trashëgimisë kulturore.

Periudha prioritare mbetet 1 janar 1998 – qershor 1999, por ligji i jep hapësirë edhe për dokumentimin e krimeve që çuan drejt luftës – përfshirë helmimet e nxënësve në vitet ’90 dhe vrasjet e ushtarëve shqiptarë në ish-APJ.

Një pjesë e rëndësishme e episodit i kushtohet helmimeve të nxënësve në vitet 1990–1992, një temë që gjeneratat e reja pothuajse nuk e njohin.

IKKL ka nisur dokumentimin e këtij kapitulli tragjik, i cili deri më sot nuk ka qenë i institucionalizuar.

“Është e dhimbshme që si shoqëri nuk kemi arritur t’i dokumentojmë krimet në periudhat më të hershme”, thotë Hetemi në “Përballje Podcast” me kryeredaktorin e Telegrafit Muhamet Hajrullahu duke theksuar se mungesa e dokumentimit ka lënë boshllëqe të mëdha.

- YouTube www.youtube.com

Një pjesë me rëndësi e diskutimit shpjegon procesin e dorëzimit, arkivimit dhe verifikimit të materialeve.

IKKL sot funksionon me procesverbale, regjistra, fonde arkivore me emër të dorëzuesit dhe standarde të avancuara profesionale, duke e bërë institutin një qendër reference për studiues, gazetarë, producentë dhe institucione ndërkombëtare.

Në vetëm dy vite, IKKL ka grumbulluar materiale nga 650–700 burime të ndryshme, përfshirë dokumente nga fotoreporterë të luftës, media vendore e ndërkombëtare, viktima të mbijetuara, familjarë të tyre dhe institucione të huaja.

Arkiva përfshin materiale të ardhura nga 14 shtete dhe vihet në dispozicion për hulumtime akademike, punime shkencore, dokumentarë dhe projekte të ndryshme kulturore.

Sipas Hetemit, kjo e ka shndërruar institutin në një “nyje të grumbullimit dhe shpërndarjes së së vërtetës historike”.

Një temë tjetër e ndjeshme që prek episodi është përballja me propagandën serbe, përfshirë dokumentarët që synojnë të shtrembërojnë ngjarjet e luftës.

Atdhe Hetemi nga IKKL n\u00eb "P\u00ebrballje Podcast"me Muhamet Hajrullahu, kryredaktor i Telegrafi.com Foto: Ridvan Slivova

Sipas Hetemit, Kosova historikisht ka qenë në pozicion mbrojtës për shkak të mungesës së dokumentimit institucional, por këtë boshllëk po e mbush gradualisht IKKL me punë të qëndrueshme dhe të verifikueshme profesionalisht.

Hetemi tregon se kur u emërua drejtor në vitin 2023, institucioni kishte vetëm një staf – atë vetë.

“Sot janë mbi 40 punonjës, të shtrirë në të gjitha rajonet e Kosovës, me arkiv të standardeve ndërkombëtare dhe projekte të shumta kërkimore e kulturore”, ka deklaruar ai.

Episodi trajton rëndësinë e mbështetjes institucionale dhe financiare, rolin e shtetit, por edhe përgjegjësinë e shoqërisë për të mos e injoruar të kaluarën./Telegrafi/.

“Plaga më e thellë”: Loja politike me të zhdukurit e luftës së Kosovës

12 December 2025 at 11:42

Në një ditë prilli të vitit 1999, nëna e Arbenita Muhaxherit, Sanija, doli për të blerë ushqime. Udhëtimi do t’i kushtonte jetën Sanijes. “Isha 12 vjeçe”, tha Arbenita. “Tani jam 39 vjeçe dhe ende nuk e di se ku është trupi i nënës sime.” Sanije Selmani-Muhaxheri dhe një kushërirë e saj u ndaluan në një […]

The post “Plaga më e thellë”: Loja politike me të zhdukurit e luftës së Kosovës appeared first on Reporter.al.

Krimet e luftës në zonën e Istogut, dëshmitari rrëfen momentet kur ishte rrahur nga i akuzuari Zharko Zariq

2 December 2025 at 19:33


Në Gjykatën e Prishtinës në gjykimin ndaj dy të akuzuarve për krime lufte, Momir Pantiq edhe Zharko Zariq, në seancën e së martës (02.12.2025) ka dhënë dëshminë dëshmitari Sadush Kaliqanaj.

Sipas aktakuzës, Momir Pantiq, në kohën kur janë kryer krimet ka qenë kryeshef i stacionit policor në Istog, kurse Zharko Zariq ka qenë polic.

Ata akuzohen se në bashkëkryerje e kanë kryer veprën penale – krime lufte kundër popullsisë civile.

Dëshmitari rrëfeu para Gjykatës se si akuzuari Zharko Zariq në vitin 1998 me 10 persona të tjerë e kishte ndaluar dhe rrahur gjatë kohës sa ai kishte qenë duke shkuar për të prerë dru.

“Zharko Zariqi vetë i dhjeti diku më ka ndalu, më ka dalë përpara në vendin e quajtur Draliq, i cili na ka zbritur nga traktori dhe ka fillu që të na rrahte të gjithëve me kondak të automatit ma ka shky vetullën” – tha dëshmitari.

Kaliqanaj tha se i akuzuari Zharko Zariq e kishte goditur kur ai i kishte thënë se po e njeh atë.

“Po, me automatik më ka goditur në vetull, edhe në gojë, kur i kam thanë: ‘Po të njoh’. Ma ka shti automatikun në gojë dhe ma ka shky qiellzën” – tha dëshmitari.

Dëshmitari tha se personat e tjerë të cilët kishin qenë me të akuzuarin Zariq në natën kritike kur ishin ndaluar dhe rrahur, kanë pasur të gjithë maska dhe kanë qenë të armatosur.

Ndërsa për të akuzuarin Zariq dëshmitari tha se e kishte vërejtur në zë sepse ai edhe para kësaj ngjarjeje e kishte njohur atë.

“Kur më ka zbritë prej traktorit e kam vërejtë se është Zharko, si ka folë me mua e kam vërejtë në za, e kam njohur”- tha dëshmitari.

Më tej, dëshmitari tha se nuk ka njohuri se pse ata ishin ndaluar dhe rrahur atë natë.

Ndërsa shtoi se pas rrahjes që kishte pasur, atij i ishte dashur trajtim mjekësor.

Ndërsa për të akuzuarin Momir Pantiq ai tha se kishte qenë kryeshef i stacionit policor në Istog, dhe tha se ai e kishte udhëhequr Policinë dhe kishte dhënë urdhra në këtë stacion.

Dëshmitari tha se në natën kritike nuk e kishte parë të akuzuarin Momir Pantiq.

Ndërsa vetë i akuzuari Pantiq e pyeti dëshmitarin se pse ai nuk e kishte lajmëruar rastin e natës kritike tek ai.

Dëshmitari iu përgjigj të akuzuarit me “Si me e shkruajtë një letër e me e gjujtë në ujë”.

Dëshmitari më tej përshkruajti kushtet e jetesës së shqipëtarëve në vitin 1998.

Sipas dëshmitarit jeta në këtë kohë kishte qenë si në burg, duke thënë se nuk kanë mundur të dalin lirshëm.

Meqenëse ishte përfundimi i orarit të punës, seanca e sotme (02.12.2025) u ndërpre dhe e radhës pritet të mbahet më 04.12.2025

Trupi gjykues në këtë çështje penale është i përbërë nga Donikë Shala- Abdyli (kryetare), Arben Hoti dhe Kushtrim Shyti (anëtarë).

Në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 07.10.2024, në Gjykatën e Prishtinës, dy të akuzuarit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq nuk e kishin pranuar fajsinë.

Çfarë thotë dosja e Prokurorisë?

Sipas aktakuzës së 1 shtatorit 2024 të pandehurit Momir Pantiq dhe Zharko Zariq akuzohen se gjatë viteve 1998-1999 në territorin e komunës së Istogut, në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, vepruan në shkelje të rëndë të rregullave të së drejtës ndërkombëtare.

Sipas aktakuzës Momir Pantiq nën përgjegjësinë individuale dhe përgjegjësinë komanduese si kryeshef i Stacionit Policor në Istog ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës civile të nacionalitetit shqiptar në komunën e Istogut.

I pandehuri Zharko Zariq akuzohet se në cilësinë e policit të Stacionit Policor në Istog dhe si ekzekutues i urdhrave ka kryer vrasje, torturë, trajtim çnjerëzor, frikësim, shkatërrim të pasurisë, dëbim masiv dhe spastrim etnik të popullatës shqiptare në Komunën e Istogut.

Aktakuzën voluminoze për këtë rast mund ta gjeni këtu.

Po ashtu të gjitha raportimet e tjera lidhur me këtë rast mund ti gjeni në këtë LINK.

Gjykimet për krimet e luftës

Për masakrat dhe krimet e tjera të luftës dhe krimet kundër njerëzimit të kryera në Kosovë nga forcat serbe e jugosllave gjatë luftës së viteve 1998/1999 ishin gjykuar, e disa edhe dënuar, ish-udhëheqësit më të lartë politikë dhe ushtarakë të Jugosllavisë së mbetur dhe të Serbisë.

Ish-presidenti i Jugosllavisë, Sllobodan Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe për krime kundër njerëzimit, të kryera nga forcat serbe e jugosllave në Kosovë. Millosheviq ishte akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, të kryera edhe në luftërat në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe në Kroaci.

Gjykimi i tij në Gjykatën ndërkombëtare penale për ish-Jugosllavinë (ICTY), me seli në Hagë, nuk kishte marrë epilog pasi Millosheviq kishte vdekur më 11.03.2006 në qeli teksa po mbahej në paraburgim.

Millan Millutinoviq, ish-kryetari i Serbisë, ishte liruar nga akuzat për krime lufte gjatë konfliktit në Kosovë.

Nikolla Shainoviq, zëvendëskryeministër i Republikës Federale të Jugosllavisë, ishte dënuar me 18 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Dragolub Ojdaniq, ish-shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 15 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Nebojsha Pavkoviq, ish-komandanti i Armatës së Tretë të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 22 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Vlladimir Llazareviq, ish-komandanti i Korpusit të Prishtinës të Ushtrisë jugosllave, ishte dënuar me 14 vjet burg për krime kundër njerëzimit.

Sreten Llukiq, ish-shefi i stafit të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë për Kosovë, ishte dënuar me 20 vjet burg për krime kundër njerëzimit dhe shkelje të ligjeve apo zakoneve të luftës.

Aktgjykimin të plotë, në gjuhën angleze, e gjeni këtu, raporton Kallxo.

Specialja ngre aktakuzë ndaj dy personave për krime lufte në Kosovë, njëri si pjesëtar i policisë serbe e tjetri si inspektor

1 December 2025 at 15:14


Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka dorëzuar një aktakuzë në Gjykatën Themelore në Prishtinë ndaj A.Z dhe B.D., për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile”.

Sipas njoftimit në aktakuzë thuhet se i pandehuri A.Z., në cilësinë e inspektorit në Stacionin Policor në Prizren, ndërsa B.D., në cilësinë e policit në të njëjtin stacion, gjatë viteve 1998-1999 individualisht dhe në bashkëkryerje me pjesëtarë të tjerë të forcave policore serbe, kanë ndërmarrë një fushatë arrestimesh ndaj popullsisë civile në komunat e Rahovecit dhe Suharekës.

"Në mesin e të arrestuarëve ishin R.J., M.K., E.G., S.E., V.V., Q.K., U.K., H.G., S.G., H.Sh dhe A.Z, të cilët gjatë procesit të marrjes në pyetje, sipas aktakuzës, janë rrahur me mjete të forta dhe metoda të tjera të trajtimit çnjerëzor, ku si pasojë R.J kishte vdekur, ndërsa personat e tjerë kishin pësuar lëndime serioze trupore" thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës, bazuar në nenet 234 dhe 303 të Kodit të Procedurës Penale, i ka propozuar Gjykatës që të mbajë gjykimin në mungesë, pasi të pandehurit A.Z dhe B.D.janë të paarritshëm për organet e drejtësisë. /Telegrafi/

Vdes Behar Topilla, i mbijetuari i vetëm i masakrës së Shavarinës në Drenas

25 November 2025 at 17:25


Behar Topilla, një nga figurat më domethënëse të kujtesës së masakrës së Shavarinës në Gllanasellë, ka ndërruar jetë.

Topilla ishte i vetmi që i kishte shpëtuar masakrës së 1 majit 1999, në të cilën u vranë mbi 40 civilë shqiptarë.

Historia e tij u bë e njohur në mbarë botën përmes gazetës amerikane The Salt Lake Tribune, e cila në atë kohë botoi artikullin me titullin “Sole Survivor” – “I mbijetuari i vetëm”.

Ai kishte mbetur i plagosur dhe i fshehur nën trupat e viktimave, derisa arriti të shpëtonte.

Behar Topilla mbeti dëshmitar kyç i një prej krimeve më të rënda të luftës së fundit në Kosovë.

Zëri i tij ishte pjesë e dëshmisë së gjallë për masakrën e Shavarinës, një histori që ai e mbajti në shpirt deri në fund të jetës.

Largimi i tij lë një boshllëk të madh, pasi me të shuhet edhe një zë i pazëvendësueshëm i së vërtetës historike.

Megjithatë, rrëfimi i tij mbetet i gdhendur në kujtesën kolektive dhe do të jetojë si dëshmi e qëndresës përballë krimeve të luftës.

Gjenden mbetje mortore në Pejë e Prizren, dyshohet se i përkasin luftës së fundit

24 November 2025 at 19:18


Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur (KQPZh) njofton se gjatë aktiviteteve të zhvilluara sot në regjionin e Pejës dhe Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, të cilat mund t’i përkasin luftës së fundit në Kosovë.

Komisioni ka bërë të ditur përmes një njoftimi se gërmimet janë zhvilluar në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore.

“Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur në bashkëpunim me Drejtorinë e Policisë për Krime Lufte (DHKL) dhe Institutin e Mjekësisë Ligjore (IML), gjatë aktiviteteve të planifikuara sot ka zhvilluar gërmime vlerësuese në dy lokacione në terren, të iniciuara nga Sektori për Persona të Zhdukur i DHKL-së në bashkëpunim me familjarët e personave të zhdukur dhe qytetarët. Në këto dy lokacione, një në regjionin e Pejës dhe një në regjionin e Prizrenit janë gjetur dhe zhvarrosur mbetje mortore, që potencialisht mund t’u përkasin viktimave të luftës së fundit në Kosovë dhe personave që ende figurojnë në listën e të zhdukurve,” thuhet në njoftim.

Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur ka theksuar se pas konfirmimit dhe identifikimit përmes analizës së ADN-së, familjarët do të njoftohen zyrtarisht nga Komisioni, në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse.


Çka bisedoi Thaçi e Clinton në 1999-ën? Publikohet trasnkripta e plotë

24 September 2025 at 16:45


Një marrëveshje për demilitarizimin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte nënshkruar dhe forcat serbe ishin tërhequr nga vendi pas fushatës bombarduese të NATO-s.

Presidenti i atëhershëm i Shteteve të Bashkuara, Bill Clinton ndodhej në Köln të Gjermanisë për një samit të G-8 më 20 qershor 1999 dhe nga dhoma e tij në hotelin Hayatt do ta telefononte liderin e UÇK-së, Hashim Thaçin.

Një regjistër presidencial tregon transkriptin e bisedës telefonike të Thaçit me Clintonin.

Pasi mori urimet nga Clinton, Thaçi i thoshte atij se suksesi ishte i përbashkët. Ndërsa presidenti amerikan i premtonte bashkëpunim, siguri, polici, vetëqeverisje të vërtetë, lideri i UÇK-së, në anën tjetër, i garantonte se do t’i respektonin të drejtat e njeriut dhe të pakicave.

Kjo e fundit i kishte pëlqyer shumë Clintonit, i cili i thoshte se e ardhmja do të ishte e mirë.

Në bisedë përmendej edhe Sllobodan Millosheviqi, kthimi i refugjatëve në Kosovë, rindërtimi, krijimi i një shoqërie civile dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira.

BISEDA TELEFONIKE CLINTON – THAÇI:

DATA, ORA, VENDI:
20 Qershor 1999, 18:30 – 18:40
Hoteli Hyatt, Köln, Gjermani

Clinton: Urime për nënshkrimin e marrëveshjes për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Jam shumë i kënaqur që kjo ndodhi të njëjtën ditë kur forcat serbe përfunduan tërheqjen e tyre nga Kosova.

Thaçi: Faleminderit. Është nder që po na uroni për demilitarizimin dhe transformimin e UÇK-së. Ky është gjithashtu suksesi juaj. Për ne ka qenë një kompromis për hir të punës drejt paqes dhe stabilitetit në Kosovë dhe rajon.

Clinton: E di. Dhe jam mirënjohës për këtë. Mund t’ju siguroj se do të bashkëpunojmë plotësisht për të sjellë siguri, një forcë lokale policore dhe vetëqeverisje të vërtetë për popullin e Kosovës. Kjo është një ditë shumë e rëndësishme për Kosovën. Jam shumë i kënaqur që kemi arritur të ndryshojmë rrjedhën e pastrimit etnik në Kosovë.

Thaçi: Ky proces është gjithashtu rezultat i përpjekjeve tuaja. Ne në të kaluarën kemi qenë të përkushtuar dhe do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar ndaj procesit të paqes. Mund të garantojmë se do t’i respektojmë të drejtat e njeriut dhe të drejtat e pakicave në Kosovë. Jemi të përkushtuar për të sjellë liri, paqe dhe demokraci për të gjitha grupet etnike në Kosovë. Do të punojmë gjithashtu për një ekonomi të lirë dhe të hapur. Biseda jonë sot do të jetë gjithashtu një nxitje drejt këtyre qëllimeve.

Clinton: Deklarata juaj për respektimin e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të pakicave është shumë e rëndësishme. Pas vuajtjeve të popullit të Kosovës, fakti që ju merrni drejtimin e këtyre çështjeve do të thotë t’ua provoni të gjithëve se kauza jonë është e drejtë. Millosheviqi nuk është si të tjerët. Do ta kemi një të ardhme të mirë. Pres t’ju takoj dhe e admiroj lidershipin tuaj.

Thaçi: Faleminderit, Zoti President. Beteja e re që na pret tani është kthimi i refugjatëve, rindërtimi, krijimi i një shoqërie civile dhe mbajtja e zgjedhjeve të lira dhe pluraliste. Dhe do ta bëjmë këtë përmes mekanizmave tanë, por edhe me ndihmën dhe mbështetjen tuaj. Ju uroj shëndet dhe sukses në jetën dhe punën tuaj.

Presidenti: Faleminderit. Mirupafshim.

Fundi i bisedës

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, po përballet me një proces gjyqësor në Gjykatën Speciale në Hagë, i akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Ai ka dëgjuar këto ditë dëshmi nga diplomatë të rëndësishëm si ish-Ndihmësi i Sekretarit amerikan të Shtetit, James Rubin e diplomati britanik, John Stewart Duncan.

Ata thanë se s’kishin dëshmi se Thaçi dhe ish-krerët e tjerë të UÇK-së kishin kryer krime. Tha se SHBA-ja donte që Thaçi “të kthehej në një udhëheqës” dhe se i besonin gjithnjë e më shumë atij.

Rubin e përmendi edhe këtë bisedë telefonike. “Thaçi kishte thënë të gjitha gjërat e duhura gjatë bisedës me Presidentin Clinton. Ishte mbresëlënëse që, në një ambient lufte, pa ndonjë përgatitje paraprake, ai dërgoi mesazhe të qarta dhe pozitive. Kjo bëri përshtypje të mirë te Presidenti amerikan”, deklaroi Rubin.

Diplomati amerikan tha se Clinton këtë vlerësim ia kishte përmendur edhe shefit të sigurisë kombëtare në Washington.

“Ai e vlerësoi lartë faktin që një lider i UÇK-së, në kushte lufte, mbante një qëndrim të tillë paqësor”.

Vasfije Krasniqi-Goodman: UÇK për mua ishin shpëtimtarët e jetës sime

15 September 2025 at 13:25


Vasfije Krasniqi-Goodman, një ndër zërat më të fuqishëm në betejën për drejtësi për viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka ndarë një rrëfim prekës dhe thellësisht njerëzor për përjetimet e saj gjatë vitit 1999.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ajo ka rikujtuar një nga momentet më të errëta të jetës së saj, në një periudhë e mbushur me frikë, dhimbje dhe mungesë shprese.

“Pas asaj që kisha përjetuar me 14 prill të vitit 1999, për mua pak apo fare nuk kishte shpresë. E gjendur një një zonë tërësisht të rrethuar nga forcat serbe, nuk e besoja që do të shpëtoja e gjallë. Si viktimë, ndihesha e thyer dhe e pafuqishme”, tha ajo.

Por në atë moment të errët, ndryshoi gjithçka. Ajo kujton me emocion mbërritjen e pjesëtarëve të UÇK-së në zonën ku ndodhej.

"Aty erdhën luftëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Nuk do ta harroj kurrë atë moment", u shpreh ajo.

Krasniqi-Goodman thekson se UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por mbi të gjitha një forcë humane, një mburojë për civilët e pambrojtur.

Ata, thotë ajo, i ofruan ndihmën e parë, u kujdesën për jetën dhe shëndetin e saj aq sa kishin mundësi, në kushte të jashtëzakonshme.

"Për mua, për ne, UÇK nuk ishte vetëm një forcë ushtarake, por ata ishin shpëtimtarë, mbrojtës të popullit, të cilët e vunë veten e tyre mburojë të trupave tanë. Ata dhanë jetën e tyre që të vazhdonim ne jetën tonë."

Krasniqi-Goodman përfundon me një mesazh të fuqishëm falënderimi dhe respekti: "Ato ditë kurrë nuk i harroj! Do të mbeten përgjithmonë në kujtesën time si momente kur unë ndjeja mbrojtjen e jetës sime me jetën e tyre. Faleminderit përjetësisht, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Faleminderit përjetësisht, Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”. /Telegrafi/


​Nisin inspektimet në Kozhle të Novi Pazarit, dyshohet për varrezë masive

10 September 2025 at 16:42


Anëtarë të Komisioni Qeveritar për Persona të Zhdukur së bashku me mjekë ligjorë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore sot kanë bërë inspektime në terren në fshatin Kozhle, pranë Novi Pazarit, ku dyshohet për varr masiv. Inspektimet kanë për qëllim vlerësimin e një lokacioni të dyshuar, mbi mundësinë e pranisë së një varri masiv në atë zonë.

Kushtrim Gara nga Komisioni Qendror për Personat e Zhdukur tha se ky lokacion duhet të trajtohet me prioritet përfshirë edhe atë në Batajnicë e lokacione të tjera.

Me qëllim të saktësimit të lokacionit të varrit masiv, Gara insiston që gërmimet në këto lokacione të shoqërohen edhe me informata nga arkivat e institucioneve serbe.

“Lokacioni në Kozhle mbetet një nga rastet që duhet trajtuar me prioritet krahas kërkesave për një sërë rastesh në lokacione të tjera në territorin e Serbisë në mënyrë të veçantë përfshirë lokacionin në Batajnicë dhe lokacione tanimë të shënjuara…gërmimet në këto lokacione pashmangshëm duhet të shoqërohen dhe kjo është kërkesë e jona e vazhdueshme dhe duhet të shoqërohen edhe me informatat dhe të dhënat nga arkivat e institucioneve të Serbisë mbi bazën e të cilave do të mund të menaxhonim më mirë këtë proces vlerësimi, në kuptim edhe të saktësimit të lokacionit të varrit masiv për të evituar edhe përvojat jo të mira”, theksoi ai.

Për KosovaPress, Gara tregoi që lokacioni në fshatin Kozhle ku tashmë po bëhen vlerësime ndodhet afër një deponie të mbeturinave.

Sipas tij kjo e rëndon edhe më tepër situatën, sidomos për familjarët e viktimave.

“Lokacioni ku po bëhen vlerësimet gjendet afër zonës së deponisë së mbeturinave që në këtë rast e bënë edhe më të rëndë për familjet e viktimave cenon edhe integritetin e viktimave”, deklaroi ai.

I pranishëm në këto inspektime ishte edhe eksperti mjeko-ligjor nga Instituti I Mjekësisë Ligjore, Valon Hyseni i cili shprehu gatishmërinë e këtij institucioni për ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Sot veç kanë filluar punimet në lokacionin e Kozhles, ne si Institut i Mjekësisë Ligjore kemi qenë dhe mbetemi të përkushtuar deri në ndriçimin e fatit të të gjithë personave të zhdukur. Iu siguroj që do të jetë ekipa e ekspertëve mjeko-ligjorë prezentë gjatë gjithë kohës në këtë lokacion dhe do të përcjellim nga afër punimet ku shpresojmë që do të hasim në mbetje mortore të personave të zhdukur”, tha ai.

Aktualisht, trupat e rreth 1600 qytetarëve të vrarë gjatë luftës së fundit në Kosovë mungojnë, të cilët janë zhdukur me dhunë nga Serbia.

Autoritetet shtetërore në Kosovë kanë kërkuar që Serbia të hapë arkivat shtetërore, që sipas tyre, do të ndihmonte në zbardhjen e fatit të të pagjeturve.

Dyshime për varrezë masive, të mërkurën nisin inspektimet afër Novi Pazarit

9 September 2025 at 22:28



Komisioni Qeveritar për Personat e Zhdukur ka njoftuar se të mërkurën do të zhvillohen inspektime në terren në fshatin Kozhle, afër Novi Pazarit, pas dyshimeve për ekzistencën e një varri masiv.

Në njoftim thuhet se ky hap vjen si rezultat i kërkesave të vazhdueshme në kuadër të takimeve mes delegacioneve dhe dialogut për zbardhjen e fatit të personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë.

“Ky rast ka qenë i planifikuar të trajtohej edhe vitin e kaluar, por pas disa ditësh përgatitje terreni, gërmimet ishin ndërprerë. Lokacioni në Kozhle është një nga lokacionet e adresuara në mënyrë të përsëritur gjatë takimeve zyrtare, krahas kërkesave të vazhdueshme për rikthim me prioritet në Batajnicë dhe lokacionet e tjera tashmë të shënjuara”, thuhet në njoftim.

Komisioni kërkon që gërmimet në terren të shoqërohen me të dhëna nga arkivat e institucioneve të Serbisë, të cilat do të ndihmonin në saktësimin e lokacionit dhe sigurimin e provave për zbardhjen e plotë të rastit.

Inspektimet pritet të ndiqen edhe nga përfaqësues të Delegacionit të Republikës së Kosovës, përkatësisht të Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur dhe Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Dhimbja e familjeve që prej më shumë se dy dekadash presin një përgjigje për fatin e më të dashurve të tyre është plagë e hapur e shoqërisë sonë. Çdo hap drejt zbardhjes së të vërtetës është hap drejt drejtësisë, drejt paqes së munguar dhe dinjitetit njerëzor”, thuhet më tej në komunikatë.

Kohë më parë, Kushtrim Gara, anëtar i këtij komisioni, pati ngritur shqetësime se zjarret që përfshinë rajonin gjatë verës mund të kishin dëmtuar varrin masiv në Kozhle. Sipas tij, mënyra se si pala serbe e menaxhoi situatën ishte “shumë shqetësuese”, pasi deklaratat e saj për mos-prekjen e lokacionit nga flakët përbënin një kundërthënie me mungesën e saktësimit të vendndodhjes së varrit.

“Sy më sy me kriminelin”, rrëfimi i të mbijetuarës që u ballafaqua me dhunuesin e saj në gjykatë

By: kemajlbr
6 August 2025 at 21:57

Në një rrëfim emocional, e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ndau përvojën e saj në Debat Plus, në ciklin e emisioneve “Heshta që vret – Klithma e vërtetë e luftës”.

Ajo tregoi se si, me guxim dhe vendosmëri, e denoncoi përdhunuesin e saj, të njohur me nofkën Zhika, dhe kërkoi që ai të përballej me të në gjykatë.

“Zhika erdhi para gjykatës. Mua më thanë: A po don tjetër rrugë përmes televizorave, a po don përballë? – Unë kam dashtë përballë me dal. Me ja thanë të vërtetën se çka më ke bo ti mu, po du me ta thanë përballë. Nër sy ja kam thanë.

Unë menxi e kam prit me ja thanë ballë për ballë edhe me shumë zemër i kam dal përballë, veç me ja thanë të vërtetën: Ti më dhunove mu”, ka thënë ajo.

Përdhunuesi, sipas saj, nuk pati asnjë fjalë për të thënë.

“Ja kam thanë sy më sy, ja kam thanë krejt. Avokati i tij ka thanë: A ke ndonjë pyetje me ja bo zonjës? – Ka thanë: Ne, ne, ne. – Nuk e kam ditë çka do me thanë. Ma kanë përkthy.

Në dytën herë kur jam kanë edhe shqip e ka vet: A ke ndonjë pyetje me ja bo zonjës?. Tha: Jo, jo, jo.- I kam thanë: Përballë dilëm, thuma çka ke me më thanë. Ka thanë: Jo, jo, jo. – Tjetër fjalë nuk ka pas, se ai nuk ka pas çka me thanë se unë të vbërtretën ja kam qit në sy, ai s’ka pas çka me më thanë. Apet isha përballë edhe deri në fund”, ka shtuar e mbijetuara.

Pas këtij procesi, drejtësia foli: Zhika u dënua me 15 vjet burgim.

“Shumë, shumë kam kajt prej gëzimit. Diqysh mu ka dokt që krejt, krejt qielli ka ndryshu, që u bo bota jem. Aq e lirë, aq e gëzushme. Shumë e lumtur”, ka thënë ajo.

The post “Sy më sy me kriminelin”, rrëfimi i të mbijetuarës që u ballafaqua me dhunuesin e saj në gjykatë appeared first on Telegrafi.

“Heshtja që vret”: E mbijetuara rrëfen dhunimin seksual nga forcat serbe në një xhami gjatë luftës në Kosovë

29 July 2025 at 21:38

Një e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë ka ndarë një rrëfim rrëqethës për përjetimin e saj nën terrorin e forcave serbe, duke treguar për dhunimin që e përjetoi brenda një xhamie në fshatin ku ishte strehuar bashkë me të afërmen e saj.

Rrëfimi u bë publik në ciklin e emisioneve dokumentare të Debat Plus, “Heshtja që vret – Klithma e vërtetë e luftës”, ku viktima, tashmë grua e mbijetuar, ndau emocionet dhe plagët që ende i mbart pas më shumë se dy dekadash.

“Kemi qenë me një grumbull njerëzish, na grumbulluan në një xhami, kishte shumë popullatë, ne nuk e kemi parë njëri-tjetrin. Qanin burra, gra, fëmijë. Ua merrnin burrat përpara, i ndanin gratë, fëmijët bërtisnin… ishin të rraskapitur, pa ngrënë, pa pirë, duke na çuar nga një vend në tjetrin. Në xhami ndodhi më e keqja, aty kam përjetuar dhunimin. Në mënyrë çnjerëzore. Vetëm një njeri pa ndjenja mund ta bëjë një gjë të tillë”, tha ajo, e tronditur.

Ajo tregoi se në atë kohë ishte vetëm 19 vjeç, kur një paramilitar serb e dhunoi seksualisht, ndërsa një tjetër ruante derën. Sipas saj, fytyrat e tyre ishin të ngjyrosura, gjë që e bënte të pamundur njohjen apo identifikimin e tyre.

“Ai është një përjetim që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Çdo herë e gjykon veten, pse ndodhi, si ndodhi, çka do të ndodhte po të mos isha aty. Por kur ndodh, duhet të përballesh. Të zhveshin me thikë, nuk ke fuqi të mbrohesh. Je e pambrojtur. Po të isha e veshur si ushtare, ndoshta do të më vrisnin dhe familja do të më kujtonte si dëshmore, jo si…”, vazhdoi ajo mes emocioneve të rënda.

Rrëfimi i saj vjen në një kohë kur plagët e dhunës seksuale gjatë luftës vazhdojnë të mbesin të hapura për shumë gra dhe burra në Kosovë. Ajo kërkon drejtësi, kujtesë dhe njohje të dhimbjes që i është shkaktuar, duke thënë se heshtja vazhdon të jetë një formë e dytë e dhunës.

The post “Heshtja që vret”: E mbijetuara rrëfen dhunimin seksual nga forcat serbe në një xhami gjatë luftës në Kosovë appeared first on Telegrafi.

“Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës

24 July 2025 at 23:30

Një grua, e mbijetuar e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, ka rrëfyer publikisht përvojën e saj të rëndë, duke përballur me guxim traumën dhe pasojat e thella që i kanë ndjekur për vite me radhë.

Ajo ka treguar se ishte dhunuar seksualisht nga një fqinj serb, Dejan Rashiq, i cili asokohe kishte qenë pjesëtar i ushtrisë serbe. Sot, ajo thotë se do të donte ta kishte përballë vetëm për t’i treguar se dhuna e tij nuk e kishte thyer, por e kishte bërë më të fortë.

“Nëse e kisha pas përballë Dejan Rashiqin, i kisha thanë: a po m’sheh mirë tash? M’ke rrah, m’ke dhunu, m’ke malltretu, e sot jam gjallë. Jam gjallë dhe kam me qenë edhe më e fortë. Ku je ti tash? Ma mirë me t’i vra kush fëmijët e tu… Ishalla sa më shpejt hyn prapa grilave me i vuajt pasojat që na i ke shkaktu”, ka thënë ajo me lot në sy dhe zë të dridhur.

Rrëfimi i saj përshkruan skenat tmerruese të ndodhura para fëmijëve të saj, në një shtëpi pa kushte, ku përveç saj ndodheshin edhe fëmijët dhe vjehrra e paralizuar.

“Sa nuk muj me ia përshkru qysh ka ardh ai në shtëpi… para fëmijëve… s’e kam prit me malltretim në shtëpi, me një tub fëmijë, vjehrrën e paralizune, tmerr u kanë!”, rrëfen ajo në RTVDukagjini.

Edhe pse kanë kaluar vite, ajo thekson se drejtësia ende mungon, dhe se ajo vazhdon të presë që shteti të veprojë.

“Nëse del ai prapa grilave, mu m’doket sikur kam lind edhe njëherë”, tha ajo, duke bërë thirrje për ndëshkimin e kriminelëve të luftës.

Në fund, ajo falënderoi Qendrën për Rehabilitimin e Krimeve të Luftës (QRKMT) për mbështetjen shumëvjeçare dhe u dërgoi një mesazh të gjitha viktimave të dhunës seksuale që ende hezitojnë të flasin:

“Ju lutem, ngritni zërin. Flisni me dikë. Ka shoqata që merren me këtë çështje, ka shtet. Mos e mbani mllefin përbrenda, se sëmundja ju ha. Nxirreni dhimbjen jashtë, shëroni veten – se ndryshe nuk mundeni me jetu.”

Rrëfimi i saj është një ndër dhjetëra të tjerë të përfshirë në ciklin e rrëfimeve të të mbijetuarve të dhunës seksuale, që po shpalosin të vërtetën përballë harresës dhe padrejtësisë.

The post “Nëse e kisha pas përballë dhunuesin Dejan Rashiq…”, rrëfen e mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës appeared first on Telegrafi.

“Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale

23 July 2025 at 23:39

E mbijetuara e dhunës seksuale gjatë luftës ka rrëfyer vështirësitë që akti barbar i kryer nga forcat serbe, i shkaktoi brenda familjes.

Ajo ka bërë të ditur se dy vjet pas dhunimit është martuar. Në fillim, sipas saj, partneri e kishte mirëkuptuar për atë që i kishte ndodhur, por ky qëndrim i tij nuk zgjati shumë.

Problemet, ajo thotë se filluan një vit pas martesës, të cilat kishin çuar deri në ndarje.

“Ai nuk është në Kosovë. Një herë më ka thirrë, se ai ka një femër tjetër, e ka marrë, e ka pasur sa ka qenë në Kosovë, por tash a është me të a jo se di. Një herë më ka thirrë, në momentin që kthehem, më ka thënë ti r*** veç lëshoje Kosovën, kështu me ka thënë”, ka vazhduar ajo rrëfimin.

Pas këtyre telasheve, e mbijetuara e dhunës kishte adresë të parë familjen e saj. Por nga frika prej stigmës, edhe atje u përball me një kërkesë, të cilën e kishte respektuar.

“Iu tregova prindërve pastaj, por thoshin hajt hesht mos ta dinë vëllezërit, mos ta dinë këta tjerët, hesht, hesht, sikur prind, por kot kishte qenë kjo”, përshkruan ajo situatën e vështirë në të cilën ka kaluar.

Fëmijët e saj nuk janë në dijeni për tmerrin nëpër të cilin ka kaluar nëna e tyre, por ajo ka frikë që nëse ata e kuptojnë, mund të sillen sikurse babai i tyre.

The post “Burri në fillim më mirëkuptoi, por pas martesës lindën problemet” – rrëfimi tronditës i të mbijetuarës së dhunës seksuale appeared first on Telegrafi.

❌
❌