Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Lufta në Iran/ Daci: Nuk do ketë përshkallëzim të konfliktit. Nura: Shtëpia e Bardhë ka një projekti për kontrollin e Iranit

Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme dhe tensionet mes fuqive globale po interpretohen ndryshe nga ekspertët, teksa analisti Artur Nura dhe politologu Alban Daci, të ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC Neës, ofruan qëndrime të kundërta mbi dinamikën dhe perspektivën e konfliktit.

Sipas Nurës, situata po merr përmasa më të gjera gjeopolitike, duke e konsideruar përplasjen si një rivalitet mes bllokut të BRICS dhe Perëndimit, ndërsa theksoi se qëndrimet e ndryshme të aktorëve ndërkombëtarë, si distancimi i NATO-s dhe angazhimi i Italisë në Kanalin e Hormuzit, rrisin shqetësimet për destabilitet rajonal dhe pasojat ekonomike globale.

Në të kundërt, Daci argumenton se nuk pritet përshkallëzim i mëtejshëm apo zgjerim i konfliktit përtej aktorëve aktualë, duke theksuar se strategjia ushtarake synon presion të kufizuar dhe arritjen e një marrëveshjeje të shpejtë, pa ndërhyrje të drejtpërdrejtë në territorin iranian.

Artur Nura: NATO kanë qëndruar disi të distancuar, kurse Italia kanë mbajtur një qëndrim krejt të kundërt, ku janë shprehur se do të dërgojnë trupa në Kanalin e Hormuzit. Kjo është një luftë mes Brics dhe Perëndimit. Fakti që po konflikti po zgjerohet në rajon sjell një shqetësimin shumë më të madh. Faktet që edhe vendet e Lindjes së Mesme nuk po kundërvihen ndaj Perëndimit, por ndaj Iranit jep një kompleksitet të çështjet. Destabiliteti në Lindjen e Mesme është një kosto ekonomike për të gjithë ne.

Alban Daci: Nuk do të ketë asnjë përshkallëzim, e dyta nuk do të kemi një përhapje të konfliktit përveç këtyre aktorëve që janë përfshirë në këtë konflikt. Situata është më komplekse se sa kaq. Kësaj here kundërshtari që është Irani, është një kundërshtar që nuk është shumë i thjeshtë për t’u marrë në konsideratë. As SHBA dhe Izraeli nuk kanë asnjë lloj interesi dhe nuk kanë për të bërë asnjë lloj ndërhyrje ushtarake në territorin e Iranit. Strategjia e kësaj lufte është një blic ushtarak për eliminimin e drejtuesve politikë, në mënyrë që të dobësohet Irani. Qëllimi është një marrëveshje e shpejtë, sulmet janë një strategji për të rritur kosto. Irani do të dojë që të ruajë identitetin territorial, megjithëse Irani nuk do të jetë siç ka qenë më parë.

Artur Nura: Shtëpia e Bardhë ka një projektin për kontrollin e Iranit. Nuk është 3 javë siç tha Trump, mund të jetë edhe 3 muaj, apo 3 vjet. Ndërhyrja në Iran nuk ishte e rastësishme, synon që të dobësojë aleatin më të madh që ka Kina. Nëse arrin të kontrollojë brics, të gjithë këto tregojnë që përplasja nuk është vetëm Iran-Izrael dhe SHBA, por është mes dy botëve. Dobsimi i Iranit ndikon te Kina.

Një aeroplan luftarak rus hyn në hapësirën ajrore të NATO-s

Një aeroplan luftarak rus shkeli hapësirën ajrore të Estonisë, duke shkaktuar një reagim nga Policia Ajrore Baltike e NATO-s, ka deklaruar Ministri i Jashtëm Estonez Margus Tsahkna.

Ministria e Jashtme tha se kjo ishte hera e parë këtë vit që një aeroplan rus shkeli hapësirën ajrore të Estonisë.

Raportohet se shkelja ndodhi pranë ishullit Vaindloo në Gjirin e Finlandës, pranë bregdetit verior të Estonisë, ku një aeroplan luftarak rus SU-30 hyri në hapësirën ajrore të vendit dhe qëndroi për rreth një minutë, sipas Tsahkna.

“Nuk kishte asnjë kërcënim për sigurinë e Estonisë”, shtoi ai.

Misioni i Policisë Ajrore Baltike i NATO-s reagoi shpejt, duke vendosur njësi të Forcave Ajrore Italiane.

Ndryshe, në shtator të vitit të kaluar Estonia tha se tre aeroplanë ushtarakë rusë shkelën hapësirën ajrore të vendit baltik për 12 minuta në një inkursion “të paparë”.

ABC News në fshatin Kurtaj/ 4 mijë rrënjë kanabis u gjetën në banesën e drejtorit të burgut në Rrogozhinë

Gazetarja e ABC News Edisona Skënderi ndodhet në fshatin Kurtaj. Siç shihet edhe nga pamjet fshati ndodhet i “blinduar” nga forca të shumta policie.

Kujtojmë se këtë të enjte, 19 mars, në banesën e drejtorit të burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa u gjetën nga policia 4 mijë rrënjë kanabis.

Sipas informacioneve të policisë, Hasa është shpallur në kërkim. Ndërkohë Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve njoftoi pezullimin e Hasës nga detyra deri në zbardhjen e plotë të rastit.

Raketa bie pranë gazetarit/ Sulmet izraelite në Liban, plagosen lehtë punonjësit e medias (VIDEO)

Një gazetar britanik dhe një operator i kanë shpëtuar për pak një goditjeje me raketë gjatë një sulmi ajror izraelit në jug të Libanit.

Sipas raportimeve, raketa ra shumë pranë ekipit mediatik, duke i vënë ata në rrezik teksa ishin në raportim live për  zhvillimet në terren, në një zonë të përfshirë nga përshkallëzimi i konfliktit në rajon.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta në Lindjen e Mesme, ku sulmet ajrore izraelite në Liban janë intensifikuar ndjeshëm ditët e fundit, duke rritur rrezikun për civilët dhe gazetarët në terren .

Për zhvillimet më të fundit mbi luftën me Iranin, ndiqni përditësimet në linkun përkatës.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by The Telegraph (@telegraph)

Drejtori i burgut me shtëpi bari/ Zbulohen 4 mijë kanabis në banesën e Bilal Hasës në Peqin

Një “shtëpi bari” është zbuluar në zonën e Peqinit, nga një aksion i organizuar nga policia këtë të enjte, 19 mars. Policia gjeti në banesë 4 mijë rrënjë kanabis.

Sipas informacioneve që ka mësuar ABC News shtëpia i përket drejtorit të Burgut të Rrogozhinës, Bilal Hasa. Sipas të njëjtave burime, zyrtari është shpallur në kërkim pasi policia nuk e ka gjetur në banesën e tij apo në vendin e punës.

Agjërim në 4 dekada/ 75-vjeçarja: Me besimin fetar u ushqeva nga familja që në fëmijëri

Agjërimi për shumë besimtarë është një akt përkushtimi dhe force shpirtërore. Por për disa, si Rejhana Shpendi, ai ka qenë edhe një sfidë e jetuar në heshtje, në një kohë kur feja ishte e ndaluar në Shqipëria.

Me origjinë nga Ulqini dhe e rritur në Tiranë, Rejhana rrëfen një jetë të lidhur me agjërimin.

“Në total kam 40 vite që agjëroj”.

Ndonëse kohë e vështirë, ajo tregon se fëmijëria e saj është e mbushur me kujtime të veçanta nga ajo periudhë.

“Ishim të vegjël e mbanim me orë të reduktuara. Sa ndizeshin dritat në xhami, shkonim me vrap që ta çelnim. Vraponim te rruga e Kavajës sa shihnim dritat ndezur. E bënim në fshehtësi se kishim frikë nga sistemi komunist”.

Frika ishte gjithmonë e pranishme, edhe në gjërat më të vogla. Megjithatë, ajo kohë mbart edhe një ndjenjë të veçantë që sot, sipas saj, mungon.

“Kisha marr një biskotë me vete, sa për ta prishur. Ma pa një shoqe dhe më tha a ke agjëruar. Pra i ruheshe asaj frikës. Ka pasur atë bukurinë e vetë ajo fshehtësia. Se tani është diçka normale, dhe është ndjesi tjetër”.

Rejhana është rritur në një familje me pesë anëtarë, ku besimi ishte pjesë e përditshmërisë, edhe pse i fshehur nga sytë e të tjerëve.

“Unë i kam pasur të dy prindërit besimtarë. Babai na ka tërhequr. E ka ndjekur në mënyrë të fshehtë. Kur agjëronte, mbyllte dritaret që mos ta shihnin. Falej vetëm, pa asnjë njeri. Na merrte dhe na tërhiqte që të faleshim”.

Sot, në moshën 75-vjeçare, ajo sheh me optimizëm brezin e ri që gjithnjë e më shumë po e praktikojnë fenë.

“Që rinia ka hyrë në islam është kënaqësi e madhe. Kur vijnë këtu në foltore, i përqafoj dhe i përgëzoj. Pas një muaji sakrifice dhe përkushtimi, besimtarët myslimanë në Shqipëria dhe në mbarë botën festojnë këtë të premte Fitër Bajrami, festën që shënon përfundimin e muajit të shenjtë të Ramazani”.

Trump: Izraeli nuk do të sulmojë më fushat e gazit të Iranit

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se Izraeli nuk i ka njoftuar Shtetet e Bashkuara për sulmin ndaj një impianti të rëndësishëm të gazit në Iran, duke shtuar se kjo ishte hera e parë që Izraeli synonte infrastrukturë kaq kritike ekonomike.

Sulmi izraelit u drejtua ndaj fushës së gazit South Pars, një nga më të mëdhatë në botë dhe sipas Trump, ai nuk ishte i koordinuar me Shtetet e Bashkuara apo me Katarin.

“As SHBA dhe as Katari nuk ishin të përfshirë apo të njoftuar më herët”, tha 79-vjeçari.

“Shtohet interesi për gjuhën italiane”/ Ambasadori italian në Kosovë: Rrisim aktivitetin. Fluturime të reja drejt Romës

Në Prishtinë është inauguruar një “corner” i ri i gjuhës italiane në një universitet privat, një nismë që synon të forcojë praninë kulturore dhe gjuhësore të Italisë në vend.

Në një intervistë për emisionin Të Gjithë Rrugët të Çojnë në Romë në ABC News, ambasadori i Italisë në Kosovë, Maurizio Antonini, theksoi se që nga tetori 2023 bashkëpunimi me universitetin ka sjellë progres të dukshëm në promovimin e gjuhës dhe kulturës italiane.

Ai nënvizoi se angazhimi italian në Kosovë po intensifikohet përmes aktiviteteve kulturore dhe projekteve të reja, duke synuar rritjen e interesit për italishten dhe zgjerimin e bashkëpunimit në fusha të ndryshme.

Artur Nura:  Atëherë, përshëndetje zoti ambasador. Jemi në Prishtinë, në një universitet privat, në të cilin është inauguruar “corner”, këndi i italishtes. Si ndiheni që jeni pjesë e këtij bashkëpunimi?

Maurizio Antonini: Unë mendoj se ne, që nga tetori i vitit 2023, bashkëpunojmë me këtë universitet dhe jemi shumë të kënaqur, sepse kemi parë një progres të vazhdueshëm në promovimin e gjuhës italiane dhe kulturës italiane. Kemi bërë evente këtu, gjithashtu të lidhura me promovimin e kuzhinës italiane në botë, dhe mendoj se ky është vërtet një nga vendet në Kosovë ku italishtja ka më shumë sukses.

Artur Nura:  Ndërkohë, nëse kujtojmë ambasadorin tuaj në Tiranë, kolegun tuaj, ai u ka thënë ambasadorëve të Gjermanisë dhe të Francës: “Shikoni zotërinj, kemi realizuar një mbledhje të përbashkët te dy qeverive ne Rome dhe nuk kishte nevojë për përkthim, sepse të gjithë flisnin italisht në Shqipëri”. Ndërsa këtu nuk është e njëjta gjë. Kështu që puna juaj bëhet më e madhe?

Maurizio Antonini: Patjetër. Qëllimi është të përpiqemi të promovojmë gjuhën italiane dhe kulturën italiane dhe ne po e bëjmë këtë me një përkushtim të madh. Duhet të them se në të kaluarën, në lidhje me Shqipërinë, ka pasur më pak vëmendje për promovimin e gjuhës dhe kulturës italiane në Kosovë. Tani jemi vërtet duke u angazhuar shumë në këtë drejtim dhe po realizojmë një sërë eventesh kulturore të nivelit të lartë. Synojmë të intensifikojmë më tej aktivitetin tonë të bashkëpunimit kulturor dhe të promovimit të gjuhës italiane.

Artur Nura:  Ka shumë potencial në këtë vend? Ndërkohë, unë kam parë potencial të madh në këtë universitet. Për aq sa e njoh Kosovën, do të thosha se nuk është një shoqëri plotësisht filo-italiane; është një shoqëri ku duhet të punohet më shumë për ta bërë filo-italiane, si në këtë universitet me këtë “corner”. A keni tashmë projekte të tjera për kënde të italishtes në Kosovë?

Maurizio Antonini: Po, unë do të thosha se ka shumë vëmendje dhe shumë interes për kulturën italiane në Kosovë. Për këtë nuk kemi dyshime. Është e vërtetë që në të kaluarën ndoshta nuk është bërë mjaftueshëm, por tani ne po angazhohemi shumë dhe mendoj se ka hapësirë për të forcuar praninë tonë. Sa i përket këndeve të tjera, kemi hapur një në Universitetin e Prizrenit para disa muajsh dhe tani ideja është që të forcojmë aktivitetet e këtyre këndeve italiane, duke promovuar aktivitete të mëtejshme. Këto kënde duhet të jenë të gjalla, prandaj duhet të stimulohet vazhdimisht aktiviteti i universiteteve për sa i përket mësimit të gjuhës italiane.

Artur Nura:  Tani një pyetje tjetër, që është ekonomike, por edhe politike. Në Shqipëri tashmë ka më shumë se 1000 fluturime në muaj mes Italisë dhe Shqipërisë. Në Kosovë, për fat të keq, nuk ka kaq shumë. A duhet të punojmë për të tërhequr më shumë vëmendje italiane edhe në këtë drejtim?

Maurizio Antonini: Ndërkohë ka një fluturim për në Milano.

Artur Nura:  Vetëm ai është?

Maurizio Antonini: Po, saktësisht. Por në shtator është planifikuar hapja e fluturimit për në Romë. Mendoj se ky është një hap shumë i rëndësishëm. Problemi është se në Itali ende nuk ka një perceptim të qartë se çfarë është Kosova dhe çfarë ofron ajo. Por kjo është edhe puna e ambasadës: të përpiqemi të bëjmë të kuptohet se në këtë vend ka mundësi të mëdha dhe mundësi për të zhvilluar bashkëpunime shumë të rëndësishme në fushën kulturore, tregtare dhe gjuhësore.

Artur Nura:  Ndërkohë, unë si gazetar politik që punoj për Radio Radicale dhe mbuloj Marredheniet Italo Shqiptare prej 20 vitesh dhe territoret shqiptare të Ballkanit Perëndimor, shoh në këtë qeverine e Giorgia Melonit një vëmendje të shtuar ndaj Ballkanit. Zëvendëskryeministri juaj këtu ka ardhur dy herë, nëse nuk gaboj, ministri i mbrojtjes gjithashtu, dhe komandanti i KFOR-it eshte Italian herë pas here sipas rregullave të tyre. Këtë duhet ta shfrytëzojmë, apo jo?

Maurizio Antonini: Sigurisht. Siç e dini, kontingjenti italian në KFOR është kontingjenti më i madh kombëtar, rreth 900 ushtarë. Në 14 raste nga 27, komandanti i KFOR-it ka qenë italian. Ka pasur vizita në të kaluarën dhe ne do të donim të shihnim edhe më shumë. Problemi është se Kosova ende nuk ka arritur të kapërcejë plotësisht një krizë të gjatë institucionale dhe politike. E pamë edhe në vitin 2025: për fat të keq, javën e kaluar asambleja nuk arriti të zgjedhë presidentin e ri të Republikës dhe kjo e komplikon mundësinë për një dialog politik më të strukturuar. Shpresojmë që presidenti i ri të zgjidhet sa më shpejt dhe që kjo të lejojë rihapjen e dialogut politik.

Artur Nura:  Gjithçka nëpërmjet demokracisë do të zgjidhet, apo jo?

Maurizio Antonini: Absolutisht po. Kosova është një demokraci e vërtetë dhe rezistente. Artur Nura: Sigurisht ka pasur probleme, si edhe në Itali apo në shumë vende të tjera, por shpresojmë që kjo situatë të zgjidhet sa më shpejt.

Maurizio Antonini:  Pajtohem plotësisht.

Artur Nura: Ndërkohë, nëse jeni dakord, edhe studentët që janë tashmë të certifikuar ne gjuehn italiane mund të vijnë këtu për të përfunduar intervistën tonë.

Kosova shihet si treg me potencial nga italianët/ Bashkëpunimi Kosovë-Itali forcohet përmes kulturës dhe ekonomisë

Prishtina po shënon rritje të interesit për gjuhën dhe kulturën italiane, ndërsa institucionet arsimore dhe diplomatike po forcojnë bashkëpunimin në këtë drejtim. E ftuar në emisionin “Të Gjitha Rrugët të Çojnë në Romë” në ABC News Albania, lektorja e gjuhës italiane Rafaella Ritucci bëri të ditur se prej vitit 2022, falë një nisme të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Italisë, është hapur një seli e re virtuale në Prishtinë, duke zgjeruar mundësitë për mësimin e italishtes dhe promovimin e kulturës italiane.

Aktualisht, Ritucci jep mësim në dy universitete në kryeqytetin kosovar dhe vlerëson se, pavarësisht sfidave fillestare, janë bërë hapa të rëndësishëm përpara. Ajo theksoi se të rinjtë në Kosovë po tregojnë interes në rritje për gjuhën italiane, të nxitur edhe nga aktivitetet kulturore dhe mbështetja aktive e ambasadës italiane.

Sipas saj, përveç mësimit në auditorë, studentët kanë mundësi të marrin pjesë në aktivitete si shfaqje filmash apo evente kulturore, duke e bërë më të prekshme përvojën e të nxënit. Paralelisht, po organizohen edhe panaire dhe takime informuese për studimet në Itali, në bashkëpunim me institucione si UniItalia dhe organizata të tjera.

Zhvillimet duken premtuese edhe në arsimin parauniversitar, ku numri i shkollave të mesme që ofrojnë gjuhën italiane pritet të rritet ndjeshëm në një kohë të shkurtër.

Intervista:

Artur Nura: Çfarë bëni në Prishtinë? Cila është puna juaj këtu?
Rafaella Ritucci:  Unë jam lektore ministrore e gjuhës italiane, sepse Ministria e Punëve të Jashtme e Italisë në vitin 2022 ka hapur një seli të re virtuale këtu në Prishtinë. Pra puna ime është të jap mësim italisht aktualisht në dy universitete, UBT e UP këtu në qytet.

Artur Nura: Urime. Ndërkohë do të doja të dija nëse jeni entuziaste: nga momenti i parë kur erdhët deri sot, ndërsa po ecim.
Rafaella Ritucci:  Po, sigurisht që janë bërë hapa përpara. Duke qenë një seli e re, duhej parë se çfarë mund të funksiononte dhe çfarë jo, por me kalimin e kohës bëhen patjetër hapa përpara. Për këtë jam shumë e kënaqur.

Artur Nura: Sigurisht që puna juaj është më e vështirë se ajo e koleges suaj në Tiranë, Daniela Silvano, sepse atje është një shoqëri, të themi, më filo-italiane. Këtu ndërkohë është një shoqëri më anglofone dhe germanofone. Si është kjo situatë? A po interesohen të rinjtë për Italinë, për gjuhën italiane dhe për kulturën e bukur dhe shumë të pasur italiane?
Rafaella Ritucci:  Duhet të them se vajzat dhe djemtë e rinj janë të interesuar si për gjuhën italiane ashtu edhe për kulturën italiane. Dhe kur organizohen oferta kulturore, ka një grup studentësh që përgjigjen shumë mirë. Pra ekziston një avantazh i madh: ambasada italiane është shumë aktive në këtë drejtim dhe kështu, përveç orëve të mësimit në klasë, mund të shkojmë bashkë të shohim një film ose të marrim pjesë në një shfaqje dhe pastaj ta diskutojmë në klasë.

Artur Nura: Si në Tiranë. Në Tiranë, në ndalesën e fundit, ishte tema “studio në Itali”: rreth 40–55 universitete italiane, nëse nuk gaboj, erdhën në Tiranë për të prezantuar mundësinë që nxënësit e shkollave të mesme të studiojnë në Itali. Në Kosovë, sipas jush, kur mund të ndodhë një gjë e tillë, një aktivitet kaq i rëndësishëm?
Rafaella Ritucci:  Në fakt kjo ndodh tashmë, sepse është pjesë e detyrave të mia institucionale të ndihmoj ata që dëshirojnë të studiojnë në Itali. Prandaj organizojmë gjithmonë, në bashkëpunim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, videokonferenca me UniItalia, e cila është institucionalisht e ngarkuar me këtë lloj aktiviteti, ose panaire orientimi universitar me pjesëmarrje fizike, falë një shoqate shqiptare që quhet Ebla.

Artur Nura: Pra ju po më thoni se edhe në Kosovë, në Prishtinë, ekziston e njëjta mundësi për nxënësit e shkollave të mesme këtu?
Rafaella Ritucci:  Në panairet universitare ka shumë studentë që marrin pjesë drejtpërdrejt dhe kemi filluar gjithashtu të organizojmë takime me nxënësit e shkollave të mesme, sepse numri i shkollave të mesme që ofrojnë italisht po rritet gradualisht.

Artur Nura: Unë kam parë profesorë të ndryshëm në një universitet publik këtu që kanë studiuar në Itali.
Rafaella Ritucci:  Po.

Artur Nura: Pra në këtë universitet ka edhe të tjerë që kanë studiuar, janë diplomuar, kanë bërë doktoratura dhe studime të tjera në Itali?
Rafaella Ritucci:  Ka shumë profesorë që janë specializuar në Itali dhe që brenda fakulteteve të tyre përcjellin këtë pasion dhe përvojat e tyre.

Artur Nura: Bukur, kjo më bën optimist edhe mua.
Rafaella Ritucci:  Po, absolutisht.

Artur Nura: A janë të dhënat optimiste për sa i përket universiteteve që do të ofrojnë italisht në një të ardhme të afërt dhe edhe për sa i përket shkollave të mesme?
Rafaella Ritucci:  Kur erdha unë ishte vetëm një shkollë, tani, nëse gjithçka shkon mirë, në shtator do të jenë katër, pra në një kohë shumë të shkurtër.

Artur Nura: Kur shkoni në restorante ose në ambiente këtu, përdorni italishten apo anglishten? Për shembull, kolegia juaj në Tiranë përdor italishten.
Rafaella Ritucci:  Këtu varet, sepse ka restorante ku njerëzit janë formuar në Itali dhe prandaj duan të përdorin italishten. Ka edhe restorante ku njerëzit janë formuar këtu dhe atëherë nuk flitet italisht.

Artur Nura: Atëherë, pas kësaj interviste, po bëhem edhe unë entuziast.
Rafaella Ritucci:  Po.

“Të Gjitha Rrugët Të Çojnë Në Romë”/ Kosova dhe Italia, një marrëdhënie që po ndërtohet mes kulturës dhe ekonomisë

Në Prishtinë po ndodh diçka që shpesh kalon pa shumë zhurmë në kronikat politike, por që në fakt ka një rëndësi të madhe për të ardhmen e marrëdhënieve mes Italisë dhe Kosovës. Bëhet fjalë për ndërtimin gradual të një pranie kulturore dhe ekonomike italiane në një vend që ende ka shumë potencial për t’u zbuluar.

Hapja e “këndit të italishtes” në një universitet privat në Prishtinë është një shembull i qartë i kësaj përpjekjeje. Ambasadori italian në Kosovë ka theksuar se qëllimi i këtij projekti është promovimi i gjuhës dhe kulturës italiane, duke krijuar hapësira konkrete ku studentët mund të afrohen me Italinë.

Në fakt, gjuha është gjithmonë ura e parë mes kulturave. Ajo krijon lidhje njerëzore, profesionale dhe akademike, që më pas mund të shndërrohen në bashkëpunime më të gjera. Ndryshe nga Shqipëria, ku gjuha italiane ka qenë për dekada një pjesë e përditshme e jetës publike, në Kosovë kjo prani duhet të ndërtohet me më shumë punë dhe përkushtim.

Por pikërisht për këtë arsye rezultatet e para janë edhe më domethënëse. Interesi i studentëve për gjuhën italiane është real dhe në rritje. Hapja e departamenteve të reja dhe certifikimi i studentëve që mësojnë italisht janë shenja konkrete të një procesi që po konsolidohet.

Në të njëjtën kohë, përtej dimensionit kulturor, ekziston edhe një dimension ekonomik që nuk duhet nënvlerësuar. Sipërmarrës dhe konsulentë që kanë përvojë të gjatë në Shqipëri e shohin Kosovën si një vend që sot ndodhet në një fazë të ngjashme me Shqipërinë e 15 apo 20 viteve më parë: një vend me shumë potencial, me kosto konkurruese dhe me një popullsi të re e të përgatitur.

Megjithatë, për ta shfrytëzuar këtë potencial, duhet punuar në disa drejtime konkrete. Një nga problemet kryesore mbetet logjistika dhe lidhja me Italinë. Ndërsa Shqipëria ka sot qindra fluturime çdo muaj me qytetet italiane, Kosova ende ka shumë pak lidhje direkte ajrore. Hapja e fluturimeve të reja, siç pritet të ndodhë me linjën drejt Romës, mund të jetë një hap i rëndësishëm për të afruar më shumë biznesin italian me Kosovën.

Një rol të rëndësishëm në këtë proces luan edhe diplomacia italiane. Ambasada në Prishtinë po përpiqet të rrisë praninë kulturore dhe ekonomike të Italisë, duke organizuar evente, projekte universitare dhe iniciativa bashkëpunimi. Në një vend ku ende ka pak kompani italiane, çdo aktivitet që forcon këtë prani ka një vlerë të veçantë.

Në fund të fundit, marrëdhëniet mes vendeve nuk ndërtohen vetëm me marrëveshje politike apo vizita zyrtare. Ato ndërtohen edhe në universitete, në klasa ku mësohet një gjuhë e re, në projekte kulturore dhe në iniciativa ekonomike që krijojnë mundësi për të rinjtë.

Kosova dhe Italia kanë të gjitha kushtet për të ndërtuar një partneritet më të fortë. Por ky partneritet kërkon kohë, investim dhe mbi të gjitha një vizion të qartë: që kultura dhe ekonomia të ecin gjithmonë së bashku.

 

Zelensky: Pavarësisht luftës në Lindjen e Mesme, Ukraina vazhdon të marrë të gjitha pakot e ndihmës

Presidenti Volodymyr Zelensky deklaroi se, pavarësisht konfliktit në Lindjen e Mesme, Ukraina vazhdon të marrë të gjitha paketat e premtuara të ndihmës.

Sipas Ukrinform, ai e deklaroi këtë në Madrid ndërsa fliste me gazetarët.

“Askush nuk e ka ndaluar furnizimin [me armë] për Ukrainën. Dhe ne i kemi të gjitha paketat e ndihmës. Po, sigurisht, jemi të shqetësuar se ato mund të reduktohen, siç e kam thënë tashmë. Por tani për tani, ato janë këtu”, tha Zelensky.

Ai gjithashtu theksoi nevojën që vetë Evropa të forcojë sigurinë e saj.

“Është e nevojshme të rritet financimi dhe aftësitë prodhuese [të armëve] në Ukrainë ose në koordinim me evropianët e tjerë. Dhe përsëri, 90 miliardë euro janë bllokuar aktualisht këtu. Pra, alternativa është të zhbllokohen këto fonde dhe të prodhohen më shumë [armë] në Ukrainë. Kjo është e rëndësishme jo vetëm për ne”, theksoi ai.

“E di që tashmë ka disa hapa të vegjël në këtë drejtim dhe shpresoj se ato do të jenë të suksesshËm”, shtoi Zelensky.

Siç është raportuar, gjatë të njëjtit takim për median, Volodymyr Zelensky tha se kishte rënë dakord me presidentin Francez Emmanuel Macron për marrjen e një sistemi të ri mbrojtës ajror SAMP/T të aftë për të “kapur” raketat balistike.

Lufta në Lindjen e Mesme/ Shabani: SHBA dhe Izraeli në të njëjtën linjë. Shala: Vendet e Gjirit po grupohen më vete…

Zhvillimet e fundit në Lindjen e Mesme po sinjalizojnë një fazë të re tensioni dhe riorganizimi strategjik mes aktorëve kryesorë ndërkombëtarë. Të ftuar në emisionin “Ëar Report” në ABC Neës, ekspertët e marrëdhënieve ndërkombëtare Endrit Shabani dhe Xhavit Shala kanë analizuar dinamikat aktuale, duke theksuar afrimin e qëndrimeve mes SHBA-së dhe Izraelit, si dhe mundësinë e krijimit të blloqeve të reja rajonale.

Sipas tyre, koordinimi në rritje ushtarak, qëndrueshmëria e strategjisë së Iranit dhe zhvillimet në vendet e Gjirit tregojnë se rajoni po hyn në një etapë të re, me implikime të gjera për sigurinë globale.

Endrit Shabani: SHBA dhe Izraeli po shkojnë në të njëjtën linjë. Për më tepër që Trump thotë se është në komunikim të vazhdueshëm me Netanyahun. Për më tepër që në operacionet e tyre luftarake ka një lloj koordinimi. Nuk besoj që SHBA këtu janë futur për Izraelin. Në momentin që një shtet merr armët bërthamore është e pamundur që t’i largosh.

Xhavit Shala: Ekziston mundësia që vendet e Gjirit të grupohen më vete dhe të krijojnë një mënyrë reagimi. Irani nuk ka ndryshuar fare dhe po vazhdon me të njëjtën strategji. Ndodhemi përpara zhvillimeve të reja. Ndodhemi në një fazë tjetër. Izraeli po vazhdon me strategjinë e prerjes së kokave. Duhet të parë në dy këndvështrime.

 

Kush po fiton luftën?/ Bimo: Izraeli nuk synon rrëzimin e regjimit, por dobësimin e Iranit. SHBA humbëse nga konflikti

Ish-ambasadori Roland Bimo deklaroi se në zhvillimet e fundit të konfliktit mes Iranit dhe Izraelit nuk mund të flitet për një palë fituese, por vetëm për humbës. I ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ai theksoi se edhe pse Irani është perceptuar nga disa si i “fituar” për shkak se nuk u mposht shpejt, në thelb situata tregon një strategji afatgjatë të Izraelit për të dobësuar ndjeshëm shtetin iranian.

Sipas Bimos, sulmet e kalibruara synojnë jo vetëm regjimin, por degradimin gradual të kapaciteteve të Iranit deri në një pikë kritike. Në të njëjtën kohë, ai nënvizoi se ndër humbësit kryesorë të këtij konflikti konsiderohet edhe presidenti i SHBA-ve, i cili përballet me presion të shtuar për të gjetur një rrugëdalje dhe për të rikuperuar imazhin e dëmtuar në opinionin publik amerikan.

“Nuk mund të flitet për fitues. Deri në këto momente ka vetëm të humbur. Iran i u konsiderua si i fituar sepse nuk u thye shpejt. Sulmet izraelite janë shumë të kalibruara sa për të bërë një degradim, për një kohë të gjatë për Iranin.

Kjo zbulon qëllimin real të izraelitëve, që nuk ka të bëjë vetëm me regjimin, por më shumë ka të bëjë me dobësimin e shtetit të Iranit, deri në atë faze deri sa të kthehet në një shtet të dështuar. U fol që në krye të herës që humbësi më i madh i këtij konflikti është presidenti i SHBA-ve.

Sipas disa komentatorëve jemi në fazën e tretë të Vietnamit, që do të thotë se presidenti duhet të gjejë një mundësi të dalë nga kjo, dhe më pas deri në nëntor të arrijë që  të përmirësojë imazhin shumë negativ që është krijuar në Amerikë për të, që u materializua edhe me dorëheqjen e shefit të kundër terrorit”, tha Bimo.

“Task forcë për kontrollin e çmimeve”/ Ibrahimaj për “Real Story”: Nuk është momenti për Bordin e Transparencës

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, ka bërë të ditur se projektligji i ri për rregullimin e tregut të karburanteve ndodhet aktualisht në fazën e konsultimit publik dhe pritet të kalojë për miratim në Këshillin e Ministrave brenda 2-3 javësh.

Duke folur në emisionin “Real Story” në ABC News, ajo theksoi se tregtarët do të duhet të garantojnë një rezervë minimale 31-ditore, ndërsa nuk përjashtohet mundësia e ndërhyrjes me masa si vendosja e kufijve të fitimit apo tavaneve të çmimeve në rast përshkallëzimi të situatës në tregjet ndërkombëtare.

“Projektligji është në konsultim publik dhe mendoj që për 2-3 javë do e kalojmë në Këshillin e Ministrave. Duhen parë kontratat që kompanitë kanë me furnitorët e tyre. Atë që duhet të garantojnë tregtaret është që duhet të keni rezervën 31 ditore. Hungaria dhe vende të tjera janë vende që kanë prodhimin e tyre.

Vende kanë vendosur tavanet për çmimin, apo për lekun në litër. Për më tepër që Hungaria është e njohur për politikat agresive ndaj tregut. Vendet kanë vendosur marzhe fitimi në përqindje apo në monedhë. Të njëjtën gjë do të bëjmë edhe ne nëse kemi një përshkallëzim të shkrimit. Bordi i Transparencës, është një akt normativ që ne kaluam në krizën e tensionit Rusi-Ukrainë, krijon transparencë për çmimin e bursës.

Praktikisht ne mendojmë, që nuk është ende momentin për të vendosur Bordin e Transparencës, sepse marzhet e fitimit bruto, të çdoganimit dhe të tabelës janë 8.4-8.5%. I cili është një marzh më i ulët në krahasim me vendet. Edhe nëse do ta kishim bordin s’do të kishim një çmim më të ulët nga sa është sot. Nuk është materializuar. Nuk është vetëm një monitorim çmimesh, por është një tas forcë në terren duke parë çmimet dhe marzhet”, tha Ibrahimaj.

Presidenti iranian konfirmon vrasjen e ministrit të Inteligjencës

Presidenti i Iranit ka konfirmuar vrasjen e ministrit të Inteligjencës Esmail Khatib, pasi Izraeli pati thënë se e vrau Khatibin në një sulm gjatë natës.

Presidenti Mazoud Pezeshkian e ka quajtur sulmin ndaj tij “vrasje tinëzare”.  “Vrasja tinëzare e kolegëve të mi të dashur Esmail Khatib, Ali Larijani dhe Aziz Nasirzadeh, së bashku me disa anëtarë të familjeve të tyre dhe ata që i shoqëronin na ka lënë në zi”, ka shkruar ai në X.

Vdekjet e Larijanit, shefi i sigurisë, dhe Nasirzadehut, ministri i Mbrojtjes, janë konfirmuar më parë.

Bie një kabinë teleferiku në alpet e Zvicrës, një i vdekur

Një person ka vdekur si pasojë e një aksidenti me teleferik në vendpushimin e skive Engelberg-Titlis në Zvicrën qendrore, të mërkurën në mëngjes, raporton Swissinfo.ch.

Personi ishte i vetëm në kabinë, ka konfirmuar policia kantonale e Nidwalden.

Shkaku i saktë i aksidentit është i panjohur, megjithëse u raportuan erëra të forta në rajon.

Një operacion shpëtimi është duke u zhvilluar në vendpushim pasi kabina e teleferikut raportohet të ketë rënë nga një shpat mali me dëborë.

Një zëdhënës i shërbimit të shpëtimit ajror Rega ka thënë se një helikopter është i përfshirë në operacion, por nuk ka dhënë detaje të mëtejshme.

Turqia: Do të dislokohet një sistem i ri raketash Patriot në jug

Turqia ka njoftuar se raketa të reja Patriot do të vendosen në bazën ushtarake të Incirlik-ut në juglindje të vendit, në provincën Adana, pasi javën e kaluar sistemi mbrojtës i NATO-s kishte ndërprerë një raketë të tretë nga Irani që drejtohej drejt hapësirës ajrore turke.

“Përveç masave kombëtare të marra për të garantuar sigurinë e hapësirës sonë ajrore dhe të qytetarëve tanë, një sistem shtesë Patriot, i caktuar nga Komanda Ajrore Aleate e Ramstein-it në Gjermani, është në proces dislokimi në Adana, në shtesë të sistemit Patriot spanjoll tashmë të pranishëm në bazë,” ka njoftuar Ministria e Mbrojtjes.

Turqia, e cila ka ushtrinë e dytë më të madhe të NATO-s dhe kufizohet me Iranin, tha javën e kaluar se aleanca kishte dislokuar një sistem Patriot në provincën juglindore Malatya, pranë një baze të NATO-s, si pjesë e hapave për të forcuar mbrojtjen ajrore kundër kërcënimeve me raketa nga lufta në Iran.

Adana është vendndodhja e Bazës Ajrore Incirlik të Turqisë, ku ka personel nga Shtetet e Bashkuara, Katari, Spanja dhe Polonia, si dhe trupa turke.

Turqia, e konsideruar si një vend lider në zhvillim në industrinë globale të mbrojtjes, ende nuk ka mbrojtje ajrore të plotë të vetën pavarësisht përpjekjeve për zhvillim, dhe është mbështetur tek mbrojtja ajrore e NATO-s e dislokuar në Mesdheun Lindor për të ndërprerë tre raketa që thotë se janë lëshuar nga Irani që prej fillimit të luftës.

Momenti i aksidentit në Korçë/ Makinat u përplasën “kokë më kokë”, ndërron jetë shoferi

Ndërron jetë drejtuesi i mjetit të aksidentuar në fshatin Lumalas. Sipas informacioneve, 45 vjeçari Krenar Cekici, ka ndërruar jetë pak më parë në ambjentet e spitalit të Korçës.

Pavarësisht ndihmës mjekësore nga bluzat e bardha, ai s’ka mundur të jetojë.

45-vjeçari mësohet se është punonjës i policisë së burgjeve, pranë burgut Drenovë.

❌