Te Man Utd të “dashuruar” me Michael Carrick, Fernandes: Ka sjellë diçka të veçantë në skuadër

Bruno Fernandes beson se Michael Carrick ka sjellë “diçka të veçantë” te Manchester United pas fitores 2-0 ndaj Tottenhamit të shtunën.
United regjistroi fitoren e katërt radhazi në Ligën Premier nën drejtimin e Carrick, pasi ndeshja në “Old Trafford” mori kthesë të hershme kur Cristian Romero u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër ndaj Casemiros pas vetëm 29 minutash lojë.
Bryan Mbeumo kaloi vendasit në epërsi para pushimit, duke finalizuar një skemë të zgjuar nga goditja e shkurtër e këndit, ndërsa Fernandes vulosi tri pikët kur devijoi në rrjetë krosimin e Diogo Dalotit në këndin e poshtëm të djathtë.
Djajtë e Kuq tani janë në serinë e tyre më të gjatë të fitoreve në elitë që nga shkurti i vitit 2024, si dhe në një ecuri prej tetë ndeshjesh pa humbje – diçka që nuk e kishin arritur që nga shkurti i vitit 2022.
Fernandes, i cili regjistroi kontributin e tij të 200-të në gola për United në paraqitjen e 314-të në të gjitha garat, nuk i kurseu lavdërimet për Carrick.
“Ky është futbolli. Ai ndryshon nga një ndeshje në tjetrën. Carrick erdhi me idetë e duhura, duke u dhënë lojtarëve përgjegjësi dhe liri në fushë”, deklaroi ai për TNT Sports.
“Është shumë mirë. Isha i sigurt se do të ishte një trajner i madh dhe ai po e tregon këtë. Shpresojmë që mund ta ndihmojmë edhe më shumë”.
“Të gjithë e kuptojnë presionin e të luajturit për këtë klub, të gjithë i dinë pritshmëritë që e rrethojnë. Ai e di çfarë do të thotë për këtë klub të fitojë. Kjo i shton diçka të veçantë ekipit”.
“Kemi pasur momente kur nuk kemi qenë të mirë, por tifozët kanë qenë sërish kështu. Energjia është ndryshe sepse fitojmë, gjithçka duket më e ndritshme”.
Duke folur për BBC, portugezi shtoi se skuadra duhet të mbetet e përqendruar për të mos humbur ritmin pozitiv.
“Është shumë e rëndësishme për ne të ruajmë fokusin dhe të mos e teprojmë tani. Kjo është shumë mirë dhe shumë bukur, por duhet të vazhdojmë.
“Nëse nuk fiton ndeshjen tjetër dhe tjetrën pas saj, rikthehesh në të njëjtin vend ku nuk ndihesh rehat, humb besimin dhe e ke të vështirë të besosh në gjithçka që ke bërë deri tani.
“Deri më tani kemi bërë shumë mirë duke realizuar gjithçka që Michael dhe stafi kanë kërkuar nga ne, dhe kemi qenë shumë të guximshëm duke marrë përgjegjësi në disa momente të lojës për të luajtur dhe për të bërë gjithçka që duhet për të fituar ndeshjen.
“Fokusi kryesor është ndeshja e radhës. Janë katër fitore radhazi. Kjo është e bukur, por tani duhet ta bëjmë pesë”./Telegrafi





































