Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Teherani nuk tërhiqet/ Programi bërthamon, SHBA: Do vijojmë negociatat

Irani nuk ka pranuar të heq dorë nga programi I tij për pasurim të Uraniumit që mund të sjell prodhimin e armëve bërthamore, por Shtetet e Bashkuara duan që të vijojnë negociatat.

Ky ishte përfundimi i ditës së parë të bisedimeve mes Teheranit dhe Ëashingtonit sipas asaj që raporton media Amerikenae Axios. Përpjekjet diplomatike dhe ulja e palëve në tryezën e negociatave vjen teksa Shtetet e Bashkuara kanë zhvendosur një armadë të madhe në Lindjen e Mesme në gatishmëri për të sulmuar Iranin. Teherani ka paralajmëruar se një lëvizje e tillë do të sillte një luftë më të gjërë rajonale.

Ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araghchi, deklaroi për televizionin shtetëror pas përfundimit të bisedimeve se negociatorët do të kthehen në kryeqytetet e tyre për konsultime, duke e cilësuar takimin si “një fillim të mirë”.

Teherani kishte deklaruar më parë se bisedimet do të kufizoheshin vetëm në programin bërthamor të Iranit. Ndërkohë, Uashingtoni ka kërkuar që në tryezë të përfshihen edhe programi i raketave balistike të Iranit dhe mbështetja që ai u jep grupeve të armatosura në rajon.

Bisedimet mes Shteteve të Bashkura dhe Iranit ishin në strukturën që njihet si bisedime indirrekte. Ministri i Jashtëm I Omanit ishte ai që bisedo me secilën pale vec e veç duke përçuar tek secila prej tyre mesazhet e njëri tjetrit. Irani u përfaqësua në këto bisedime nga Ministri I jashtëm Abas Aragchi ndërsa Shtetet e Bashkuara nga I Dërguari special për Lindjen e Mesme Steve Ëitkoff si dhe nga Jared Kushner, dhëndrri I presidentit Trump.

Raundi i fundit i bisedimeve mes SHBA-së dhe Iranit për programin bërthamor ishte planifikuar për në qershor të vitit të kaluar, por u ndërpre pas sulmit të papritur të Izraelit ndaj Iranit. Sipas analistëve ushtarak , për udhëheqjen iraniane këto bisedime mund të përbëjnë shansin e fundit për të shmangur një veprim ushtarak amerikan që mund të destabilizojë më tej regjimin, i cili ndodhet në pozitën më të dobët që nga Revolucioni Islamik i vitit 1979.

Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap konsullatë në Grenlandë

Franca ka hapur një konsullatë në kryeqytetin e Grenlandës, Nuuk, duke forcuar praninë e saj diplomatike në Arktik dhe duke mbajtur premtimin e bërë nga presidenti Emmanuel Macron gjatë vizitës së tij në ishull qershorin e kaluar.

Duke vepruar kështu, Franca bëhet vendi i parë i BE-së që hap një konsullatë të përgjithshme në Grenlandë, përpara partnerëve të saj në bllokun me 27 anëtarë.

Megjithatë, Brukseli është tashmë i përfaqësuar në ishull, pas hapjes së një zyre të Komisionit Evropian në vitin 2024.

Jean-Noël Poirier, ish-ambasadori francez në Vietnam, e mori detyrën me mbërritjen në Nuuk, ku do të përfaqësojë Francën në këtë territor gjysmë-autonom danez me rreth 56,000 banorë.

Deri më tani, shtetasit francezë që jetonin në Grenlandë mbështeteshin në një marrëveshje të kufizuar konsullore.

Një konsulle nderi, Kristine Winberg, merrej me procedurat themelore administrative dhe asistencën konsullore në emër të ambasadës franceze në Danimarkë.

Roli i saj përfshinte lëshimin e dokumenteve të identitetit, ofrimin e mbështetjes në rastet e çështjeve ligjore ose vdekjeve, dhe veprimin si një lidhje me komunitetin e vogël francez, sipas transmetuesit francez BFM TV.

Një burim diplomatik tha se vetëm “tetë qytetarë francezë janë të regjistruar në Nuuk, por ndoshta rreth 30 jetojnë në Grenlandë”.

Megjithatë, pavarësisht madhësisë së vogël të popullsisë franceze në ishull, konsullata e re do të ketë përgjegjësi të zgjeruara.

Përveç ofrimit të mbështetjes administrative për shtetasit francezë, do të punohet “për të thelluar projektet ekzistuese të bashkëpunimit me Grenlandën në fushat kulturore, shkencore dhe ekonomike, duke forcuar njëkohësisht lidhjet politike me autoritetet lokale”, sipas një deklarate të publikuar nga ministria e jashtme.

Parisi thotë se qëllimi është të forcohen lidhjet midis Grenlandës, Francës dhe BE-së në një rajon që është bërë burim mosmarrëveshjesh të konsiderueshme midis Evropës dhe SHBA-së, mes kërkesave të përsëritura të presidentit të SHBA-së Donald Trump që Uashingtoni të marrë kontrollin e territorit që është pjesë e Mbretërisë së Danimarkës.

Dash Sula bëhet rozë/ Leka: Një tragjedi-komedi për PD. Rama më largpamës se kundërshtari

Analisti politik Martin Leka, i ftuar në emisionin “Tirana Live” në ABC News, ka komentuar zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke u ndalur veçanërisht te përjashtimi i Dash Sulës nga gara elektorale dhe situata e përgjithshme e opozitës.

Sipas Lekës, mënyra se si PD ka trajtuar figura të votuara dhe me mbështetje në bazë përbën një “tragjedi-komedi” për partinë, në një kohë kur ajo nuk ka luksin të mënjanojë vlera të tilla. Ai theksoi se kryeministri Rama po tregohet më largpamës politikisht, ndërsa opozita, e drejtuar nga Sali Berisha, ndodhet në krizë të thellë dhe e përçarë, duke mos arritur të trondisë mazhorancën. Leka vlerësoi gjithashtu takimet e Ervin Salianjit si pozitive, duke nënvizuar se ato kanë ekspozuar ndarjet e forta në bazën e PD-së.

“Nuk e kuptuam asnjëherë se për çfarë arsye Dash Sula u shmang nga PD. Unë ende nuk e di se për çfarë u përjashtua si kandidat edhe nga listat e mbyllura, por edhe të hapura edhe pse mori një shumë votash dhe doli më i votuari në qarkun e Elbasanit. Një gjë e tillë, është një tragjedi-komedi për PD. Në këtë situatë ku ndodhet PD nuk e ka aspak luksin që të tilla vlera në PD t’i mënjanojë dhe të bëjë sikur nuk ka ndodhur asgjë.

Rama po luan politikë, është më largpamës se kundërshtari.  Duhen parë me kujdes partitë e vogla. Ne jemi në kushtet që kemi një hall më të madh se sa qeverisja, kemi hallin e opozitës, ku në krye është Sali Berisha, një ‘non grata’. Opozita normale mund të kushte tronditur mazhorancën. Duhet të kthehemi pas në kohë dhe të kuptojmë se si është një parti nën drejtimin e Sali Berishës, një parti brutaliteti dhe dhune. Mund të kenë shumë gjëra në PD, përveç “kalit të Trojës”, Berisha. Takimet e Salianjit janë një akt për t’u përshëndetur, mbledh njerëz kudo ku shkon. Baza e PD-së është shumë e ndarë në këtë periudhë. Salianji ka prekur thembrën e Akilit në PD”, tha Leka.

BE bën gati paketën e 20-të të sanksioneve kundër Rusisë

BE-ja ka njoftuar propozimet për paketën e saj të 20-të të sanksioneve kundër Rusisë, që mbulojnë energjinë, shërbimet financiare dhe tregtinë.

Ajo përfshin një ndalim të plotë të shërbimeve detare për naftën bruto ruse, si dhe shtimin e 43 anijeve të tjera pjesë e të ashtuquajturës ‘flotë në hije’ të Kremlinit, njoftoi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen.

Një ndalim i ri për mallrat dhe shërbimet do të shtrëngojë kufizimet e eksportit që vijnë nga Rusia, ndërsa ndalimet e reja të importit për metalet, kimikatet dhe mineralet kritike do të vlejnë më shumë se 570 milionë euro.

Do të merren masa gjithashtu kundër kompanive dhe platformave që mundësojnë tregtinë e kriptomonedhave dhe do të listohen 20 banka të tjera rajonale ruse në listën e sanksioneve.

“Rusia do të ulet në tryezën e bisedimeve vetëm me qëllim të sinqertë nëse i bëhet presion ta bëjë këtë. Kjo është e vetmja gjuhë që Rusia e kupton. Kjo është arsyeja pse po bëjmë një hap përpara sot”, tha von der Leyen.

Ndryshe, propozimi duhet të miratohet nga 27 shtetet anëtare të BE-së përpara se të hyjë në fuqi zyrtarisht. Paketa e 19-të e sanksioneve të bllokut – e cila synonte flotën e saj në hije dhe ndaloi importet e gazit natyror të lëngshëm – hyri në fuqi në nëntor.

Drejtësi, jo politikë! Në datën 17 shkurt, në Prishtinë/ Tasholli: Ajo gjykatë ka kohë që ka premisa politike

Ismail Tasholli, organizator, “Liria ka emer” ka bërë thirrje për mobilizim mbarëkombëtar më 17 shkurt në Prishtinë, në kuadër të një proteste për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së.

Duke folur në emisionin “Balkan Update” në ABC News, Tasholli deklaroi se Gjykata Speciale në Hagë ka humbur besueshmërinë e saj, duke e cilësuar atë si një institucion me prapavijë politike, mungesë transparence dhe elemente të qasjes totalitare në trajtimin e çështjeve ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së.

Ai theksoi se protesta synon të evidentojë, sipas tij, padrejtësitë e kësaj gjykate dhe të kërkojë drejtësi, jo vendimmarrje politike.

 “17 shkurti të jetë e Shqipërisë. Të gjithë shqiptarët ngado që janë, janë të ftuar që të jenë në Prishtinë për të marrë pjesë për protestën për lirimin e ish-krerëve të UÇK-së. Ajo gjykatë ka kohë që ka premisa politikë, që nga fakti se si ata kanë marrë vendimet. Raporti asimetrik se si është ndërtuar ndaj qytetarëve, që ajo gjykatë është e bunkerizuar dhe ka hequr bazën, transparencën. Ne si qytetari do të krijojmë mundësinë që të evidentojmë padrejtësinë dhe për t’i stopuar.

Mënyra aludive e fajit i ka vendosur në totaliratet. Gjykata është e rrethuar në dyshime. Mënyra se si janë trajtuar krerët e UÇK-së, na ka dhënë shenja që ata janë brenda habitatit totalitar. Asnjë qytetar nuk u frikësohet vendimeve totalitare. Gjykata e Hagës e ka humbur pikënisjen e saj. Kanë përdoru çdo gjë për të dhënë pretendime propagandistike. Drejtësi, jo politikë në datën 17 shkurt, në Prishtinë”, tha Tasholli.

 

Gjykata e BE-së rivendos imunitetin e Puigdemont dhe ish-eurodeputetëve katalanas

Është një fitore e vonuar, por me ndikim të fortë politik dhe institucional, ajo që arriti dje Carles Puigdemont së bashku me dy ish-eurodeputetë të tjerë katalanas. Gjykata e Drejtësisë e Bashkimit Europian anuloi përfundimisht vendimin e Parlamentit Europian për heqjen e imunitetit parlamentar të Puigdemont, Toni Comín dhe Carla Ponsatí.

Sipas gjyqtarëve në Luksemburg, emërimi i raportuesit të ngarkuar me kërkesat për heqjen e imunitetit ishte në kundërshtim me parimin e paanshmërisë.

Rasti ka lidhje të forta me lojërat politike spanjolle brenda Parlamentit Europian. Partia Popullore Europiane, nën presionin e Partido Popular, kishte organizuar emërimin e një eurodeputeti të partisë ekstremiste nacionaliste VOX si raportues, pa hasur rezistencë nga grupi i Socialistëve & Demokratëve, i kryesuar nga socialistja spanjolle Iratxe García Pérez.

Gjykata thekson se, duke qenë se VOX ishte në origjinë të procedimit në Spanjë ndaj Puigdemont dhe të tjerëve për referendumin e vitit 2017 mbi pavarësinë e Katalonjës, raportuesi nga VOX mund të perceptohej si i paanshëm.

Ky vendim përbën një goditje jo vetëm për nacionalizmin spanjoll, por edhe, dhe mbi të gjitha, për përdorimin politik të procedurave të imunitetit në Parlamentin Europian.

Nga blu në rozë/ Dashnor Sula emërohet Kryeinspektor i Përgjithshëm

Nga blu në rozë.

Ish deputeti i PD, Dashnor Sula, është emëruar kryeinspektor i përgjithshëm me vendim të Këshillit të Ministrave.

Sula do të zvëndësojë në këtë post Shkëlqim Hajdarin, i cili është emëruar prefekt i qarkut të Tiranës.

Distancimi i Sulës me Partinë Demokratike nisi në zgjedhjet parlamentare të 11 majit, pasi Sali Berisha, nuk e përfshiu në listën e deputetëve edhe pse Sula fitoi primaret në Elbasan si kandidati më i preferuar nga demokratët.

Më pas Sula bëri një tentativë për t’iu bashkuar koalicionit Lapaj-Shabani, por dhe aty, aventura zgjati vetëm 24 orë.

Derën për të zhgënjyerin e radhës së Berishës, Edi Rama e hapi që në muajin mars, kur nga Elbasani, e ftoi ti bashkohet por Sula refuzoi të angazhohej në zgjedhjet e 11 majit.

“Kjo është partia jonë, e mbajmë derën mbyllur nëpër territore por sot jemi këtu për t’ju thënë këtu mirësevini përveç salamandrave dhe kukumjaçkave të kënetës nuk kanë vend. Kurse Dash Sula …duhet të dezinfektohet. Po duhet të heqë morrat e kënetës. Aty të mbyt morri, është tmerr”, tha Rama.

Por nga krahu tjetër, megjithëse e la jashtë listave, një gjysmë derë të hapur e la dhe Berisha për të kontribuar në partinë demokratike.

Por kur po mbushet viti nga krisja me Berishën dhe ftesa e Ramës, Sula, tashmë e ka të qartë të ardhmen.

Ai do të mbajë postin e kryeinspektorit të përgjithshëm, duke ndarë përfundimisht rrugët me Partinë Demokratike.

Kështu, Sula, është rasti i fundit I dhjetërave demokratëve të mërzitur të cilët vendosin ti bashkohen Ramës duke marrë poste të larta nga qeveria socialiste.  Pak muaj më parë, një tjetër ish deputete demokrate, Zheni Gjergji, pranoi ofertën e qeverisë për të drejtuar spitalin rajonal të Elbasanit.

Irena Gjokën e “spiunojnë” në KLD/ KLGJ nuk e shkarkoi, por një anëtar nuk “dorëzohet”

Pak ditë pasi u rrëzua  kërkesa, për verifikimi ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, Irena Gjoka lidhur me mosdeklarimin e një dënimi të dhënë nga Greqia në vitin 2005, një prej anëtarëve të Këshillit të Lartë Gjyqësor, Klodian Kurushi, ka bërë dorëzuar, në Inspektoratin e Lartë të Drejtësië, një ankesë me objekt fillimin e hetimit për shkelje ndaj magjistrates.

Deri në këtë fazë, mësohet se Inspektori i Lartë i Drejtësisë, ka nisur verifikimet e kësaj ankese, ligjshmëria e saj dhe nëse meriton apo jo të merret në shqyrtim. Më 30 janar, 6 anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, votuan kundër një projektvendimi që e çonte çështjen në Komisionin e Karrierës, me argumentin se vendimmarrja i takon Inspektorit të Lartë të Drejtësisë.

Vetë magjistratja Gjoka në një letër që i ka dërguar Këshillit të Lartë gjyqësor, shprehet e bindur se nuk ka bërë asnjë shkelje kur nuk e ka deklaruar në formularin e dekriminalizimit vendimin e Gjykatës së Janinës së korrikut 2005. Ajo shpjegon se vetëm i është refuzuar pa shpjegime hyrja në territorin grek, ndërsa nuk ka patur dijeni as për procesin dhe as vendimin gjyqësor, i cili sipas vetë ligjeve greke është arkivuar dhe asnjëherë nuk mori vendim të formës së prerë. Po për këto arsye ajo deklaron se nuk është në kushtet ligjore ku funksioni i saj si gjyqtare, mund të vihet në dyshim.

Ndërkohë për sa i përket anëtarët të KLGJ, Klodian Kurushi, ai ishte një prej 6 anëtarëve që votuan kundër verifikimi ndaj gjyqtares së Gjykatës së Posaçme, dhe pro mendimit që çështjen duhet ta verifikonte Inspektorati i Lartë i Drejtësisë.

Klodian Kurushi, i është bashkuar Këshillit të Lartë Gjyqësor në fund të vitit 2021, ndërsa më herët ka qenë gjyqtar në Gjykatën e Posaçme, në Gjykatën e Krimeve të Rënda, ndërsa fillimet I ka pasur në Gjykatën e Sarandës.

Për sa i përket kontributit që Klodian Kurushi ka në sistemin në drejtësi, ndër çështjet që ai ka gjykuar, është ajo e Suel Celës, gjatë kohës kur ishte tek Krimet e Rënda.  Klodian Kurushi ishte kryesuesi i trupës gjyqësores, tek Krimet e Rënda, që shpalli të pafajshëm Suel Çelën për goditjen me një makinë të blinduar të punonjësve të policisë në shtator 2017 në Elbasan. Ndërkohë në një tjetër gjyq të bujshëm që ai ka marrë pjesë si trupë Gjykuese, është ajo e vitit 2015.

Klodian Kurushi dhe 4 gjyqtarë të tjerë, firmosën pafajësi për  Arben Frrokut i cili ishte personi  i akuzuar për vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj. Pavarësisht se Shkalla e Parë e shpalli të pafajshëm, me të njëjtat prova, Gjykata e Shkallës së Dytë ajo e Apelit vendosi burg të përjetshëm për Arben Frrokun. Po ashtu Klodian Kurushi tek krimet e Renda ka qenë pjesë edhe e trupës gjykues të Izet Haxhise.

Zelensky: Raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes Rusi-Ukrainë mund të mbahet në SHBA

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, ka deklaruar se raundi i ardhshëm i bisedimeve të paqes me Rusinë mund të mbahet në SHBA.

Zelensky në platformën Telegram tha se “takime të mëtejshme janë planifikuar për të ardhmen e afërt, me gjasë në Amerikë”.

“Sot mora një raport nga ekipi ynë negociator pas dy ditësh takimesh dhe bisedimesh në Emirate me palën amerikane dhe atë ruse. E pres ekipin në Kiev për një raport të plotë. Shumë aspekte nuk mund të diskutohen në telefon. Nga ajo që tashmë mund të thuhet, takime të mëtejshme janë planifikuar për të ardhmen e afërt, me gjasë në Amerikë”, shkroi ai.

Zelensky rikonfirmoi gatishmërinë e Ukrainës për t’u angazhuar në formate “që realisht e afrojnë paqen dhe e bëjnë atë të besueshme dhe afatgjatë, duke ia hequr Rusisë çdo oreks për të vazhduar luftën”.

“Është e rëndësishme që kjo luftë të përfundojë në një mënyrë që Rusia të mos shpërblehet për agresionin e saj. Ky është një nga parimet kyçe që rikthen dhe garanton siguri të vërtetë. I falënderoj të gjithë partnerët tanë që na mbështesin në këtë”, tha ai.

Të mërkurën dhe të enjten, Rusia, Ukraina dhe SHBA-ja zhvilluan një takim dyditor për zgjidhjen e çështjes ukrainase në kryeqytetin Abu Dhabi të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Në përfundim, palët ranë dakord të kryejnë shkëmbimin e parë të robërve të luftës pas pesë muajsh, i cili u realizua menjëherë.

Një komunikatë e përbashkët mbi rezultatet e takimit i përshkroi diskutimet si “konstruktive” dhe “të përqendruara në mënyra për të krijuar kushtet për arritjen e një paqeje të qëndrueshme”.

Vjedhja spektakolare në Luvër/ Gjendet kurora e mbretëreshës

Kurora e Mbretëreshës Eugenie, bashkëshortes së Napolonit III, një prej thesarëve më të çmuar të Luvrit, u gjet e shtypur pas grabitjes spektakolare që tronditi muzeun më 19 tetor të vitit të kaluar.

Megjithëse grabitësit vodhën bizhuteri me vlerë rreth 88 milionë euro (£76 milion, $104 milion), kurora e dekoruar me diamante mbeti pas, e dëmtuar, por sipas muzeut është gati e paprekur dhe mund të rikthehet në gjendjen e saj origjinale.

Fotografitë e para të publikuara nga muzeu tregojnë se kurora ishte lënë “shumë e deformuar”, pasi grabitësit përpiqeshin ta nxirrnin nga një vrimë e ngushtë në vitrinën e saj prej qelqi. Kurora ka humbur një nga tetë shqiponjat prej ari që e zbukuronte, por ruan 56 smeralde dhe pothuajse të gjitha diamantet e saj (vetëm 10 nga 1,354 diamantet mungojnë). Sipas muzeut, rikthimi do të bëhet pa nevojën për rindërtim, duke ruajtur kështu pamjen dhe strukturën origjinale të shekullit XIX.

Rikthimin e kurorës do ta mbikëqyrë një komitet ekspertësh i udhëhequr nga presidentja e Luvrit, Laurence des Cars, që do të sigurojë se çdo detaj historik do të rikthehet me kujdes maksimal. Grabitja e tetorit të kaluar ishte mjeshtërisht e planifikuar. Grabitësit përdorën një ngritës mekanik të vjedhur për të hyrë në Galerinë e Apollonit përmes një ballkoni pranë lumit Sena.

Ngjarja tronditi jo vetëm muzeun, por edhe publikun ndërkombëtar, duke nxjerrë në pah pasurinë e jashtëzakonshme të Luvrit dhe rrezikun që i kanoset objekteve të rralla historike. Kurora e Mbretëreshës Eugenie mbetet një simbol i madhështisë dhe elegancës franceze të shekullit XIX, dhe rikthimi i saj i plotë do të jetë një fitore e madhe për trashëgiminë kulturore dhe për muzeun më të vizituar në botë.

Erdogan: Turqia po bën çmos për të parandaluar konfliktin SHBA-Iran

Presidenti Recep Tayyip Erdogan ka thënë se Turqia po punon shumë për të parandaluar që tensionet SHBA-Iran të mos e çojnë Lindjen e Mesme në një konflikt të ri.

Duke folur me gazetarët në një fluturim kthimi nga një vizitë në Egjipt, Erdogan shtoi se bisedimet në nivelin e udhëheqjes amerikane dhe iraniane do të ishin të dobishme pas negociatave bërthamore të nivelit më të ulët që do të mbahen në Oman të premten, sipas një transkripti të komenteve të tij të ndara nga zyra e tij të enjten.

Turqia po bënte çmos për të parandaluar një përshkallëzim, tha Erdogan, i cili ka kaluar vite duke kultivuar një marrëdhënie të ngushtë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, ndërsa zgjeroi ndikimin diplomatik të Ankarasë në të gjithë Lindjen e Mesme dhe më gjerë.

Irani dhe SHBA-të mbeten në mosmarrëveshje për shkak të këmbënguljes së Uashingtonit që negociatat të përfshijnë arsenalin raketor të Teheranit dhe insistimin e Iranit për të diskutuar vetëm programin e tij bërthamor, në një ngërç që ka çuar në kërcënime të ndërsjella për sulme ajrore.

Dhe dallimet mbi fushëveprimin dhe vendin e diskutimeve kanë ngritur dyshime nëse takimi do të zhvillohet, duke lënë të hapur mundësinë që Trump të mund të zbatojë një kërcënim për të goditur Iranin.

I pyetur të mërkurën nëse Udhëheqësi Suprem i Iranit, Ali Khamenei, duhet të shqetësohet, Trump i tha NBC News: “Do të thoja se ai duhet të shqetësohet shumë. Po, duhet të shqetësohet”.

Ai shtoi se “ata po negociojnë me ne”, por nuk dha detaje.

Pasi Trump foli, zyrtarët amerikanë dhe iranianë thanë se të dy palët kishin rënë dakord të zhvendosnin vendndodhjen e bisedimeve në Muscat, pasi fillimisht pranuan Stambollin.

Por nuk kishte asnjë tregues se ata kishin gjetur terren të përbashkët në axhendë.

Tensionet janë të larta në të gjithë rajonin, ndërsa SHBA-të ndërtojnë forca atje, dhe lojtarët rajonalë kërkojnë të shmangin një përballje ushtarake që shumë frikësohen se mund të përshkallëzohet në një luftë më të gjerë.

E Trump paralajmëroi për “gjëra të këqija” nëse nuk arrihet një marrëveshje me Iranin.

Irani thotë se bisedimet duhet të kufizohen në mosmarrëveshjen e tij të gjatë bërthamore me fuqitë perëndimore, duke hedhur poshtë një kërkesë të SHBA-së për të diskutuar edhe raketat e Teheranit, dhe duke paralajmëruar se shtyrja e çështjeve përtej programit bërthamor mund të rrezikojë bisedimet.

Por Sekretari i Shtetit i SHBA-së, Marco Rubio, tha të mërkurën se bisedimet do të duhet të përfshijnë rrezen e veprimit të raketave balistike të Iranit, mbështetjen e tij për grupet e armatosura të ndërmjetësuara në Lindjen e Mesme dhe trajtimin e popullit të vet, përveç çështjeve bërthamore.

Burime iraniane thonë se SHBA-të po kërkojnë që Teherani të kufizojë rrezen e veprimit të raketave të Iranit në 500 km (310 milje).

Ndikimi rajonal i Teheranit është dobësuar nga sulmet e Izraelit ndaj ndërmjetësve të tij – nga Hamasi në Gaza te Hezbollahu në Liban, Houthit në Jemen dhe milicitë në Irak – si dhe nga rrëzimi i aleatit të ngushtë të Iranit, ish-presidentit sirian Bashar al-Assad.

Ndërsa bisedimet fillimisht ishin planifikuar në Turqi, Irani donte që takimi të zhvillohej në Oman si një vazhdim i bisedimeve të mëparshme të mbajtura në vendin arab të Gjirit që ishin përqendruar vetëm në programin bërthamor të Teheranit, tha një zyrtar rajonal.

Irani thotë se aktivitetet e tij bërthamore janë të destinuara për qëllime paqësore, jo ushtarake, ndërsa SHBA-të dhe Izraeli e kanë akuzuar atë për përpjekje të kaluara për të zhvilluar armë bërthamore.

Negociatat Rusi-Ukrainë/ Kamberi: Nuk sjellin asgjë të re. Veliu: Dështim i SHBA, dështim personal i Trump

Zhvillimet e fundit në arenën ndërkombëtare po sinjalizojnë një përshkallëzim të garës së armatimit dhe ripozicionime të rëndësishme gjeopolitike, ndërsa konfliktet ekzistuese duket se kanë hyrë në një fazë ngërçi.

I ftuar në emisionin “War Report” në ABC News, eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare Geron Kambe theksoi rolin në rritje të Kinës, duke e lidhur atë me zhvillime të pritshme në Groenlandë dhe Venezuelë, si edhe me një mundësi për zbutje të regjimit në Iran.

Ndërkohë, sipas tij, negociatat mes Rusisë dhe Ukrainës nuk po prodhojnë më rezultate konkrete, por po shfaqen më tepër si lëvizje politike pa ndikim real.

Në të njëjtën linjë kritikeri analisti i zhvillimeve ndërkombëtare Lulzim Veliu e cilësoi situatën si një dështim të politikës amerikane, duke argumentuar se ndihma e SHBA dhe BE për Ukrainën ka qenë e pamjaftueshme, ndërsa Rusia ka konsoliduar pozita të favorshme ushtarake dhe politike, duke e shndërruar konfliktin në një sfidë të hapur për ndikimin amerikan në skenën globale.

Geron Kamberi: Zhvillimet e fundit kanë treguar që ka një thellim të garës së armatim. Rolin e Kinës e shikoj edhe në sajë të zhvillimeve që pritet të ndodhin. Mund të jetë në sajë të Groenlandës dhe asaj që pritet të ndodhë në Venezuelë. Mund të ketë një zbutje të regjimit të Iranit. Edhe negociatat e Rusisë dhe Ukrainës, tashmë nuk sjellin më një gjë të re. Më shumë duken si ecejake politike, se sa diçka konkrete.

Lulzim Veliu: Unë mendoj që në këtë rast shikojmë një dështim të SHBA. Këto katër vite Ukraina ka rezistuar ndaj Rusisë, ndihma nga BE dhe SHBA ka qenë e vogël. 30% e territorit të Ukrainës është e pushtuar nga Rusia dhe kjo e fundit është e vendosur për të mos i lëshuar. Ishin disa politika të SHBA që ndihmuar Rusinë që është një pozicion shumë të favorshëm ushtarak, por edhe politik, pasi kanë arritur marrëveshje shumë të mirë në Lindjen e Largët. Pra në tërësi gjithë këtë dështim e shikoj si dështim të SHBA dhe si dështim të Trump.

PD pjesë e reformave/ Minxhozi: Berisha është kalçifikuar në parti, po i jep formë pushtetit të tij

Analisti politik Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, ka analizuar balancat e brendshme në Partinë Demokratike dhe pozicionin e Sali Berishës përballë sfidantëve të tij.

Sipas Minxhozit, mbështetja reale elektorale që pretendohet nga Berisha dhe përkrahësit e tij mbetet dukshëm nën pragun e nevojshëm për marrjen e pushtetit, ndërsa thekson se Berisha, i kalçifikuar tashmë në krye të partisë, po merr vendime afatgjata që ndikojnë jo vetëm në rregullat e lojës politike, por edhe në vështirësimin e garës për kundërshtarët e brendshëm, përfshirë Ervin Salianjin.

“Nëse pyet sot, hidhtarët, përkrahësit e Berishës se si shpjegohet që doktori u rikthye dhe ju jeni sërish kaq të bindur që do të jeni sërish numri një i partisë, ata të japin vetëm një shifër që Berisha ka 500 mijë vota. Kjo është një përgjigje që aty për aty është sugjestionuese, por nëse futesh pak më thellë dalin pastaj firot e para dhe firot e dyta, firot e treta dhe të katërta, për të arritur tek ajo shifra magjike prej 750-800 mijë votash që duhen për të fituar pushtetin në Shqipëri, nga e cila shifra që ofron Berisha dhe mbështetësit e vet janë të paktën 300 mijë vota rregullisht pas. E thënë kjo, ky raport shifrash na nxjerr tek ajo qartësia që me të drejtë vë në dukje Bejko, që secili është i qartë Salianji si sfidant dhe Berisha si kryetar në detyrë i partisë realisht janë. Doktori e di që me 50 mandate minimumi, që ai do i marrë kurdoherë, edhe 40 po mori ndjehet mirë, ai thotë që ule sa të duash se unë disa dhjetëra do i kem të mitë. E kthejmë me 99 dhe pastaj del ndryshe, 40 del më e madhe se 50.

Ideja është këtu, që Berisha është kalçifikuar kaq shumë në parti, saqë ai realisht në orët që ne flasim ai po merr disa vendime, që nuk janë për javën apo muajin e ardhshëm, por futet në disa komisione reformash që përcaktojnë se si do jetë politika shqiptare, jo pas 3 muajsh, por pas 3 vitesh, sepse reformat territoriale e bëjnë këtë. Reformat elektorale e bëjnë gjithashtu këtë. Ai po i jep formë ndër të tjera edhe pushtetit të vet, ndër të tjera 50 mandateve që ka dhe ua bën më të vështirë sfidantëve luftën, sepse ua përcakton rregullat e lojën në tavolinë pa qenë ata vetë. Salianji tani i mbush sallat dhe realisht ka 30%, por nëse ai nuk mendon një strategji, afatshkurtër mundësisht, që të rrisë mbështetjen dhe të jetë sa më prezent mediatikisht, unë mendoj se do të kalojë dhe ky tren i orëve të vona dhe unë mendoj se lufta e tij do të relativizohet, sepse do ketë marrë më shumë fortë sistemi dhe do jetë kalçifikuar partia”, tha Minxhozi.

 

VIDEO/ Vlorë, përfshihet nga flakët një automjet, dyshohet për…

Një automjet është përfshirë nga flakët mbrëmjen e sotme në zonën e Ujit të Ftohtë, pranë vendit të njohur si “Te Rrapi”.

Sipas informacioneve paraprake, zjarri ka shpërthyer papritur, ndërsa flakët kanë shkrumbuar një pjesë të madhe të mjetit.

Ende nuk dihen shkaqet e ngjarjes, teksa dyshimet e para janë për një shkëndijë elektrike në automjet, ndërsa fatmirësisht nuk raportohet për persona të lënduar.

Autoritetet pritet të zbardhin rrethanat e plota të incidentit./abcnews.al

Bejko krahason Salianjin me Berishën: Të dy të qartë! Njëri kërkon parti të hapur e moderne, tjetri parti personale

Analisti politik Roland Bejko, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News analizoi zhvillimet e fundit brenda Partisë Demokratike, duke i cilësuar të qarta dhe të kundërta qëndrimet e Sali Berishës dhe Ervin Salianjit.

Sipas Bejkos, Salianji përfaqëson një vizion për një PD të hapur, të bashkuar dhe moderne, të ndërtuar mbi meritokracinë dhe me një agjendë të qartë drejt pushtetit, ndërsa Berisha synon mbajtjen e kontrollit personal mbi partinë, përmes mekanizmave të dominimit dhe përjashtimit të rivalëve.

Bejko theksoi se reagimet dhe sulmet e Berishës ndaj lëvizjeve të Salianjit kanë prodhuar këtë herë efekt të kundërt, duke rritur mbështetjen për këtë të fundit, ndërsa paralajmëroi se përpjekjet për ta penguar Salianjin të kandidojë pritet të vazhdojnë.

“Unë them që të dy janë të qartë, si Saliu ashtu edhe Salianji. Janë të qartë sepse Salianji është i qartë sepse kërkon një PD të hapur, të bashkuar, moderne, të mbështetur te meritokracia dhe të ketë një agjendë të qartë politike drejt pushtetit. Kurse Sali Berisha, kërkon të kundërtën e kësaj, kërkon një parti personale dhe e ka bërë, kërkon një parti që ta kontrollojë dhe ta dominojë, edhe këtë e ka arritur, sepse me vendosjen e deputetëve në listën e mbyllur të atyre që ka më besnikë dhe më protagonistë sot në aktivitetin publik dhe politik, janë pikërisht njerëzit e tij.

Me daljen e Salianjit nëpër takime ne e shikojmë Sali Berishën vërtet në pasqyrë, doli Berisha që njerëzit mendonin se e kishte kapërcyer dhe nuk ekzistonte më si i tillë, si një pulist i vjetër, që nuk heq dorë nga kurthet, planet dhe shpallja e armiqve të brendshëm. Për këtë arsye, sapo u pi kafja, ai hodhi menjëherë në lojë taktikat e tij, të rekrutimit. Rekrutoi ata të cilët mund të largonte nga linja e Salianjit, nëpërmjet joshjes. Në taktikën e dytë, kur nuk ecën joshja, nëpërmjet mesazherëve, që jam i bindur që edhe Salianji duhen të kenë shkuar. Dhe kur nuk i funksionojnë mesazherët, hedh furtuna me shpifje, gjë që e pamë.  Dhe kur pa që hasi rezistencë dhe që ky e kishte seriozisht këtë punë, atëherë lëshoi sulmet, duke i quajtur si aktivitete që organizohen në mbështetje të grupeve kriminale. Demokratët që ishin në sallë, nuk i quajti demokratë dhe Saliu menjëherë kërkoi që ta mbyllte këtë derë, ta mbyllte diskutimin dhe kjo histori të mbyllej këtu.

Mirëpo kjo krijoi efekt të kundërt, ndryshe nga herët e tjera, ku shantazhi, sulmet dhe denigrimet Saliut i kanë shkuar, kanë bërë efekt dhe kanë krijuar atë braktisjen e atij që ka marrë iniciativa politike, kësaj here nuk i eci dhe pamë që të gjitha këto sulme që ka lëshuar Saliu, kanë mbushur sallat gjithnjë dhe më shumë. Për mendimin tim të dy janë të qartë, Salianji në objektivat e tij dhe Saliu në objektivat e tij, që ta mbajë partinë pa rival. Jam i bindur që nuk do e mbyllë lojën me kaq, por do të bëjë të pamundurën që Salianji të mos kandidojë”, tha Bejko.

❌