Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gripi mbush urgjencat pediatrike/ Mbi 250 fëmijë paraqiten çdo ditë në QSUT, dominon varianti A

TIRANË- Infeksionet e ndryshme respiratore të sipërme dhe të poshtme kanë shtuar ndjeshëm numrin e të prekurve tek të vegjlit. Në 24 orë në urgjencën pediatrike të QSUT, paraqiten mbi 250 raste, ku vetëm 15-20% prej tyre kanë nevojë për trajtim spitalor. Sa i takon simptomave, mbeten ata klasikët e gripit: kollë, dhimbje koke dhe temperaturë disa ditore.

“Pacientë që kanë nevojë të domosdoshme për trajtim të mëtejshëm në urgjencë, është 15-20% për trajtim në pavion. Pjesa tjetër, në 30%, kanë nevojë për trajtim të shkurtër në observim, një perfuzion… fëmijët paraqiten me kollë, temperaturë, ose me të vjella e diarre.”, tha doktori Albert Lama.

Në qarkullim janë infeksione të ndryshme, por ajo që po mbizotëron tek të vegjlit është varianti “A” i gripit.

“Mendoj se është influenca A, ajo që mbizotëron, duke qenë se është më agresive. Gripi po dominon stinën.”, shtoi ai.

Shefi i Urgjencës së Pediatrisë në QSUT, Albert Lama, këshillon prindërit që të jenë vigjilentë ndaj çdo ndryshimi në sjellje të fëmijës, çka do të thotë nga mungesa e oreksit, apo gjendja e parehatisë me gjumin, si dhe jeta joaktive.

“Ta shikojnë gjendjen çdo ditë. Nëse e shohin të plogësht, me temperaturë apo me kollë, jo si përditshmëria që janë mësuar, ta çojnë te mjeku i familjes. Më pas të ndiqet sipas protokollit, sepse mjeku i familjes e njeh edhe historikun e tyre.”, tha ai.

Në rastet kur të vegjlit paraqesin simptoma gripi, mjekët këshillojnë prindërit të mos i dërgojnë fëmijët në kopshte, çerdhe apo shkolla, masë kjo për të ndërprerë zinxhirin e transmetimit të infeksioneve në qarkullim. Ende nuk kemi arritur në pikun e gripit; pritet të arrijë në fund të muajit janar, fillim shkurti./abcnews.al

Rama: S’ka pezullim vizash për SHBA/ Kryeministri për aludimet e opozitës: Dezinformimi, strategjia drejt humbjes

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka hedhur poshtë aludimet e opozitës se shqiptarëve u janë pezulluar vizat për në SHBA.

Rama sqaroi se nuk bëhet fjalë për vizat, por lejet e qëndrimit për punë, pasi administrate Trump ka parë abuzimin me to nga të huajt gjatë qëndrimit në SHBA.

Por edhe kësaj radhe, për Ramën, burimi i dezinformimit për shqiptarët ishte opozita.

Ai i paralajmëroi sërish se nga entuziazmi i nxituar do të shkojnë tek humbja e thelluar.

“Dhe në fund, për kripë, jo për ëmbëlsirë, dua të them dy fjalë për ata që u hodhën përpjetë, ose më saktë, për ata që jetojnë të hedhur përpjetë dhe që, në përpjetësinë e tyre, i shtuan hedhjeve edhe një hedhje të radhës dhe të së njëjtës natyrë: dezinformim, çoroditje e opinionit publik, helmim i të gjithë atyre që kanë akoma fuqinë t’i dëgjojnë, duke thënë që Amerika i ndaloi vizat për Shqipërinë.

Kjo është e pavërtetë! Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kanë ndaluar vizat për Shqipërinë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës, administrata aktuale, nën orientimin e qartë prej kohësh të Presidentit Trump për politikën e re lidhur me emigracionin, ka vendosur që për 75 vende të botës, ndër të cilat edhe disa vende të Ballkanit, ku përfshihet edhe Kosova, të bëhet një pezullim i përkohshëm për sa i përket lejeve të punës në Shtetet e Bashkuara, jo vizave për në Amerikë, por lejeve të qëndrimit në Amerikë për punë, pasi për këtë kategori vendesh kanë vënë re fenomenin e marrjes së vizës për turizëm, marrjes së vizës për biznes dhe më pas të mosrespektimit të afateve, por të qëndrimit atje për të filluar një punë, dhe kjo është diçka që shkon në linjën krejt normale të politikës së re të Presidentit Trump dhe që nuk ka pikën e lidhjes me të gjitha ato që u thanë nga ata që hidhen përpjetë dhe që, përsëri, kur të bien në tokë, do të shohin se terreni mbi të cilin qëndrojnë është gjithmonë më i rrëshqitshëm. Pra, do të humbin thellë e më thellë dhe do të hidhen përpjetë lart e më lart.”, tha Rama./abcnews.al

 

Kërcënimi i Trump me tarifa për Groenlandën, konsiderohet “i papranueshëm” për Evropën

Kërcënimi i presidentit amerikan, Donald Trump, për të vendosur tarifa të reja ndaj tetë vendeve aleate që kundërshtojnë planin e tij për marrjen nën kontroll të Groenlandës ka nxitur reagime të ashpra nga liderët evropianë.

Kryeministri i Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, e ka cilësuar këtë veprim si “plotësisht të gabuar”, ndërsa presidenti francez, Emmanuel Macron, e ka quajtur atë “të papranueshëm”.

Këto reagime kanë ardhur pasi Trump njoftoi se nga 1 shkurti do të hyjë në fuqi një tarifë prej 10 për qind për mallrat që importohen nga Danimarka, Norvegjia, Suedia, Franca, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar, Holanda dhe Finlanda. Ai ka paralajmëruar se tarifat mund të rriten më vonë deri në 25 për qind dhe do të mbeten në fuqi derisa të arrihet një marrëveshje.

Trump ka insistuar se territori autonom danez i Groenlandës është kyç për sigurinë e SHBA-së dhe nuk e ka përjashtuar mundësinë e marrjes së tij edhe me forcë.

Pas këtyre kërcënimeve, Bashkimi Evropian ka thirrur një takim urgjent për të dielën në orën 17:00 në Bruksel. Sipas mediave të huaja, në takim do të marrin pjesë ambasadorët e 27 vendeve anëtare të BE-së.

Ndërkohë, të shtunën, mijëra qytetarë kanë protestuar në rrugët e Groenlandës dhe Danimarkës kundër planit të propozuar amerikan për marrjen nën kontroll të territorit.

Groenlanda ka një popullsi të vogël, por është e pasur me burime natyrore. Pozita e saj mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut e bën atë strategjikisht të rëndësishme për sistemet e paralajmërimit të hershëm në rast sulmesh raketore dhe për monitorimin e lëvizjeve detare në rajon.

Trump ka deklaruar edhe më herët se Uashingtoni do ta marrë Groenlandën “në mënyrën e lehtë ose në mënyrën e vështirë”.

Letra e plotë e Trump për Ramën/ Kryeministri: Do bëj gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë

TIRANË- Shqipëria do të jetë anëtare e Bordit të Paqes për administrimin e Gazës.

Presidenti i SHBA, Donald Trump ka ftuar kryeministrin Edi Rama për t’iu bashkuar kësaj strukture si anëtar themelues, një akt që jo vetëm rikonfirmon partneritetit mes dy shteteve, por i jep fund zhurmnajës së opozitës për raportet e prishura mes Tiranës dhe Washingtonit.

Kryeministri Rama ndau me ndjekësit në rrjetet sociale, ftesën e Presidentit Donald Trump. Në letrën shoqëruese, Rama thekson se do të bëjë gjithçka për të lartësuar ermin e Shqipërisë dhe dinjitetin e shqiptarëve.

“Dhe me nderin e kënaqësinë e ndarjes me ju të letrës që mora dje nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald J. Trump, duke ju falenderuar për privilegjin e besimit që më keni dhënë, si edhe duke ju siguruar se do të bëj deri në fund gjithçka duhet për ta lartësuar emrin e Shqipërisë e dinjitetin e shqiptarëve, ju uroj të diel të qetë”, shkruan Rama.
Ftesa e Presidentit të SHBA:
16 Janar, 2026
Shkëlqësia e Tij
Edi Rama
Kryeministër i Shqipërisë
Tiranë
I nderuar Kryeministër,
Është një nder i madh për mua t’ju ftoj ju, si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, të më bashkoheni në një përpjekje Historike dhe Madhështore për forcimin e Paqes në Lindjen e Mesme dhe, njëkohësisht, të ndërmarrim një qasje të re plot guxim për zgjidhjen e Konfliktit Global!
Më 29 shtator 2025, shpalla Planin Gjithëpërfshirës për fundin e konfliktit në Gaza, një plan veprimi me 20 pika, i mbështetur menjëherë nga të gjithë Udhëheqësit Botërorë, përfshirë edhe Krerët kryesorë në Botën Arabe, Izrael, dhe Europë. Në vijim të këtij Plani, më 17 Nëntor, Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara miratoi me shumicë mbizotëruese Rezolutën 2803, duke mirëpritur dhe mbështetur këtë plan.
Tani është koha që t’i kthejmë gjithë Ëndrrat në realitet. Bordi i Paqes është në zemër të këtij Plani dhe ky është Bordi më mbresëlënës dhe më me ndikim i krijuar ndonjëherë, i cili do të themelohet si një Organizatë e Re Ndërkombëtare dhe Administratë Qeverisëse Tranzitore.
Arritja jonë sjell së bashku një grup kombesh të dalluara që janë gati të marrin mbi supe përgjegjësinë fisnike të ndërtimit të PAQES së PËRHERSHME, një Nder i rezervuar për ata që janë të përgatitur të udhëheqin me shembullin e tyre, dhe të përkushtohen me mjeshtëri për një të ardhme të sigurtë e të begatë për brezat që do të vijnë. Në një te ardhme të afërt, ne do t’i mbledhim partnerët tanë të mrekullueshëm e të përkushtuar, shumica e të cilëve janë Udhëheqës Botërorë shumë të respektuar.
Si Kryetar i Bordit, ftoj zyrtarisht Republikën e Shqipërisë të përfaqësuar prej jush, të na bashkohet si Shtet Anëtar Themelues, dhe të bëhet palë në Statutin e Bordit të Paqes. Ky bord do të jetë aq i veçantë sa kurrë më parë nuk ka ezistuar diçka e ngjashme me të! Çdo Shtet Anëtar mund të caktojë një përfaqësues të autorizuar në emër të tij për të marrë pjesë dhe kontribuar në takime. Bashkëngjitur gjeni Planin Gjithëpërfshirës, dhe Statutin e Bordit, i cili tani është i disponueshëm për nënshkrimin tuaj dhe ratifikimin.
Me kënaqësi pres të punojmë së bashku, edhe për shumë gjatë në të ardhmen, drejt qëllimit të vendosjes së përhershme të PAQES BOTËRORE, MIRËQËNIES, DHE MADHËSHTISË PËR TË GJITHË!
Me urimet më të mira, Unë jam,
Sinqerisht,
𝗗𝗢𝗡𝗔𝗟𝗗
DONALD J. TRUMP
PRESIDENT I REPUBLIKËS SË SHTETEVE TË BASHKUARA TË AMERIKËS

Izraeli kundërshton Bordin e Paqes për Gazën: Vendimi u mor pa u koordinuar me ne

Qeveria izraelite ka reaguar ashpër ndaj njoftimit për përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, duke theksuar se ky vendim është marrë pa asnjë koordinim me Izraelin dhe bie ndesh me politikën e tij zyrtare.

Në një deklaratë, Zyra e Kryeministrit bëri të ditur se çështja është konsideruar mjaft serioze, saqë kryeministri ka udhëzuar Ministrin e Punëve të Jashtme të kontaktojë Sekretarin e Shtetit të Shteteve të Bashkuara për të kërkuar sqarime.

“Njoftimi në lidhje me përbërjen e Bordit Ekzekutiv të Gazës, i cili është në varësi të Bordit të Paqes, nuk u koordinua me Izraelin dhe është në kundërshtim me politikën e tij”, shkruhet në postim.

“Kryeministri i ka udhëzuar Ministrit të Punëve të Jashtme të kontaktojë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së për këtë çështje”, shton ai.

Ndryshe, i ashtuquajturi Bordi i Paqes, i zbuluar nga Shtëpia e Bardhë, do të mbikëqyrë qeverisjen e përkohshme të Gazës sipas planit të presidentit amerikan për t’i dhënë fund luftës së Izraelit në Gaza.

Shtëpia e Bardhë njoftoi të premten disa anëtarë të bordit, përfshirë Sekretarin e Shtetit të SHBA-së Marco Rubio, të dërguarin special të presidentit Donald Trump, Steve Witkoff, ish-kryeministrin britanik Tony Blair dhe dhëndrin e Trumpit, Jared Kushner.

Trump do të kryesojë bordin.

 

Pas disa ditësh “blackout”/ Irani nis rikthimin e internetit

Irani ka filluar të lehtësojë kufizimet gjithëpërfshirëse të komunikimit të vendosura pas protestave vdekjeprurëse antiqeveritare që tronditën vendin për më shumë se dy javë.

Autoritetet kanë rivendosur shërbimin e mesazheve të shkurtra (SMS) në të gjithë vendin si pjesë e një plani me faza pas tetë ditësh ndërprerjeje pothuajse totale të internetit.

Vendimi erdhi pas asaj që përshkruhet si stabilizim i situatës së sigurisë.Autoritetet thanë se ndërprerja e internetit kishte “dobësuar ndjeshëm lidhjet e brendshme të rrjeteve të opozitës jashtë vendit” dhe kishte ndërprerë aktivitetet e “qelizave terroriste”.

Ata thanë se do të heqin gradualisht kontrollet e tjera të internetit dhe komunikimeve.

Zyrtarët thonë se rivendosja do të ndjekë një qasje me faza.

Udhëzimi i vetëm zyrtar deri më tani ka ardhur nga Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, i cili ka thënë se lidhja do të kthehet “së shpejti”.

Ndërkohë, tensionet mbeten të larta në Iran pavarësisht protestave që kanë qenë relativisht të qeta ditët e fundit.

“Vdes” Ramaduro. Trump fton Ramën në Bordin e Paqes

Shqipëria do të jetë anëtare e bordit të Paqes për administrimin e Gazës. Presidenti amerikan Donald Trump ka ftuar kryeministrin Edi Rama për t’iu bashkuar kësaj strukture si anëtar themelues, një akt që jo vetëm rikonfirmon partneritetit mes dy shteteve por i jep fund zhurmnajës së opozitës për raportet e prishura mes Tiranës dhe Uashingtonit. Dhe është pikërisht ky vlerësim i  administratës amerikane që sipas kryeministrit Edi Rama flet qartë mbi nivelin e marrëdhënieve mes dy vendeve.

“Nuk mund të jem dot më krenar për Shqipërinë, për gjithçka kemi bërë në këto vite duke e kthyer në një Shqipëri tjetër, të denjitetshme e të respektuar botërisht si asnjëherë, e padiskutim edhe për nivelin ku e kemi ngritur marrëdhënien e partneritetit tonë strategjik me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke u ftuar me një respekt e vlerësim krejt të posaçëm nga Presidenti Donald J. Trump, për t’u bërë pjesë e një bordi ndërkombëtar të krijuar e kryesuar prej atij vetë dhe për të punuar së bashku me të”, tha Rama.

Por kjo ftesë thotë Rama flet edhe për rolin që Shqipëria ka fituar në arenën ndërkombëtare.

“Shqipëria ftohet si anëtar themelues, duke ngjitur kështu ndërkombëtarish një tjetër majë krejt të paimagjinueshme vetëm deri pak vite më pare”, shton Rama.

Në bordin që drejtohet nga presidenti amerikan Donald Trump, shefi i qeverise shqiptare, do të ulet krah Marco Rubios, Toni Blair apo Jared Kushner, duke shënuar kështu një moment të rëndësishëm në politiken e jashtme për Shqipërinë por dhe në marrëdhëniet me shtetet e bashkuara të Amerikës, ku edhe më herët, po ne një tjetër konflikt, Shqipëria ishte bashkepenembajtese me SHBA për Ukrainën.

Arratisja e Ndocit/ ABC News siguron dosjen hetimore: Shoqërimi u vlerësua me risk standard

ABC News siguron dosjen hetimore të arratisjes së Altin Ndocit, nga spitali i Durrësit, shoqërimi i të cilit sic thuhet në dosje është vlerësuar me risk standard nga komisioni i vlerësimit të burgut.

Sipas materialit zyrtar, shoqërimi i të paraburgosurit nga IEVP Durrës drejt Spitalit Rajonal ishte planifikuar nga strukturat përkatëse (shërbimi shëndetësor, policia e burgjeve, sektori social dhe ligjor), me itinerar vajtje–ardhje brenda së njëjtës ditë. Transporti u krye me autoambulancën e IEVP-së, tip FIAT, me targa AB 141 OU.

Fillimisht, Altin Ndoci u dërgua në pavionin e Infektivit, ku ai shfaqi ankesa për dhimbje dhe u shoqërua në një dhomë izolimi në katin e tretë, e përshtatur me zgara hekuri. Për sigurinë e tij ishin caktuar punonjësit e Policisë së Burgjeve Sali Ferrollari dhe Fation Baçi, ndërsa një pjesë e grupit shoqërues ishte larguar.

Gjatë kohës së pritjes për trajtim mjekësor, mjekët rekomanduan mjekim dhe rikontroll pas dy orësh. Ndërkohë, i paraburgosuri ka kërkuar disa herë të shoqërohej në tualet, ku sipas raportit është dërguar rreth katër herë.

Ngjarja ka agravuar në momentin kur, sapo është hapur zgara e dhomës për ta shoqëruar sërish në tualet, Altin Ndoci ka goditur me grusht në kraharor punonjësin e policisë Fation Baçi. Si pasojë, Baçi është rrëzuar mbi kolegun e tij Sali Ferrollari dhe të dy kanë përfunduar në tokë.

I paraburgosuri ka përfituar nga situata dhe është larguar me vrap nëpër korridoret e spitalit. Dy efektivët kanë tentuar ta ndjekin, por gjatë ndjekjes Fation Baçi ka rrëshqitur në shkallë. Pavarësisht kësaj, ndjekja ka vazhduar deri në dalje të spitalit.

Në dalje kryesore, punonjësi i policisë ka qëlluar një herë me armë shërbimi në tokë për ta frikësuar dhe detyruar të dorëzohej, por i arratisuri ka vijuar largimin. Banorë të zonës kanë deklaruar se ai është larguar në drejtim të kodrave me një automjet të zi me targa AA 700 RS.

Tentativat për të njoftuar numrin 129 kanë rezultuar pa përgjigje, ndërsa më pas është njoftuar Shërbimi i Informacionit në IEVP Durrës.

Nga hetimet paraprake rezulton se procedura e përgatitjes së dokumentacionit shëndetësor për vizitën në spital, e kryer nga infermieri dhe përgjegjësja e sektorit shëndetësor në IEVP Durrës, ka qenë në kundërshtim me Ligjin nr. 81/2020 dhe VKMsë nr. 209, pasi vizita mjekësore ishte planifikuar pa u kryer më parë kontrolli mjekësor i detyrueshëm brenda institucionit të vuajtjes së dënimit.

 

VIDEO/ BKH dhe Policia kontrolle në një pallat në Tiranë, hetime të përbashkëta Shqipëri-Itali

TIRANË- Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Policia e Shtetit kanë ushtruar kontroll në një godinë për shkak se se dyshohet se ushtrohej “call center” i paligjshëm.

ABC News mëson se hetimi po kryhet në bashkëpunim me autoritetet italiane.

Aktualisht nuk ka ende të dhëna se çfarë mund të jetë gjetur nga kontrollet e kryera./abcnews.al

 

Kontrata 6 milionëshe e lobimit në SHBA/ Kompania amerikane nxjerr zbuluar Berishën: U pagua nga PD

Kompania lobuese amerikane nxjerr zbuluar Partinë Demokratike. Paratë për të paguar kontratën e lobimit 6 milion dollarë në SHBA po paguhen nga vetë Partia Demokratike dhe jo fondacioni anonIm i themeluar nga 72-vjeçari elektriçist emigrant nga Tropoja, Nuredin Seci.

Në raportimin e fundit 6-mujor në FARA, Continental Strategy deklaron se ka marrë dy pagesa, në total, 750 mijë dollarë në datat 4 prill dhe 31 gusht 2025, direkt nga Partia Demokratike ndërsa fondacioni Make Albana Great Again nuk rezulton askund.

Kontrata e lobimit u lidh firmos ne prill të vitit të kaluar, gjatë fushatës elektorale të zgjedhjeve të 11 majit. Sali Berisha publikisht mohoi që Partia Demokratike të ishte kishte paguar per kete kontrate, kurse Noka firmosi vetem per te pranuar sherbimin.

“S’është kontratë e PD. Nga arka e PD-së ska ardhur dhe dalë asnjë qindarkë, e tëra është veprimtari e një fondacioni. Noka ka firmosur shërbimin, por nuk është kontratë e PD, sështë palë kontraktuese PD. Është një kontratë për gjithë shqiptarët, për marrëdhënie të mira mes PD, Shqipërisë dhe SHBA”

Por përvec deklarimit të pagesave, kompania lobuese ka nxjerrë zbuluar PD edhe për qëllimin e saj. Të vetmen punë që ka kryer në këto muaj kanë qenë disa letra drejtuar DASH dhe Departamentit të Drejtësisë, për ti mundësuar një vizitë Sali Berishës në SHBA dhe për ti hequr non-gratën. Të dyja nuk kanë ndodhur.

Kurse në Shqipëri, SPAK menjëherë nisi hetimet për kontratën e lobimit 6 milion dollarë. Deri më tani nuk dihet në çfarë faze janë hetimet, por SPAK ka vijuar hetimet për pasurinë e familjes së Sali Berishës, çfarë e ka shqetësuar jo pak doktorin, ashtu si me rastin e fundit të Kuvendit të Rithemelimit.

Përveç faturës 1.4 milionë dollarë për La Civitën te firmosur po nga Flamur Noka, del se edhe kontrata e lobimit 6 milionë dollarë po paguhet nga vetë Partia Demokratike. 750 mijë dollarët e para me të gjitha gjasat janë vetëm paradhënia e cila ishte si kusht në kontratë, kurse në total tarifa shkon 6 milionë dollarë, me një afat pagimi në harkun kohor të 2 viteve.

“Kemi lirinë të negociojmë me BE, por jo të diskutojmë”, Rama: Shumë bëjnë gabimin që bëra unë, deri sa e mësova

“Kemi lirinë të negociojmë me BE por jo të diskutojmë me ta”, kështu u shpreh kryesocialisti Rama në mbledhjen e grupit parlamentar, i pari për këtë vit.

Rama theksoi se negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament.

“Vi të pika tjetër, kemi patur deri më sot disa raste që procesi i diksutimeve dhe miratimit të ligjeve që kanë të bëjnë me BE është vonuar apo është marrë lehtë si proces ku kemi lirinë të fusim duart sipas opinioneve tona. Nuk e kemi këtë liri, kemi lirinë të negeciojmë me BE, po jo të diskutojmë. Negociatat mbi një draft që hyn në të gjithë mekanizmin e gjerë dhe kompleks të arkitekturës së ligjit Europian negociohet me komisionin i imponohet qeverisë dhe vjen në parlament.

Kur vjen në parlament duhet miratuar jo diskutuar, që ti hyjmë diskutimit të një ligji duhet të diskutojmë a duam të hyjmë në BE apo jo. Dhe këtu kam një shembull. Shumë bëjnë gabimin që nuk duhet bërë, marrin një draft që vjen nga qeveria dhe i referohen vendeve të tjera të BE, dhe thonë pse ta bëjmë ne kur ata nuk e kanë.

Këtë po e ndaj me ju si eksperiencë dhe ju ftoj të jeni të gjithë të përthyeshëm në këtë pikë. Se kur thoni duam ta bëjmë si Franca, përgjigjja është e thjeshtë, duhet të jeni Franca, nuk ju kemi kërkuar ne, jeni ju që keni kërkuar, por për ju kemi kushte nëse doni. Nëse s’doni mund ta bëni sit ë doni. Kjo nuk ndodh vetëm me Shqipërinë. Procesi ka sjellë rëndim të kushteve për ata që kanë ardhur më pas.”- u shpreh Rama./abcnews.al

Trump pozon me Çmimin Nobel për Paqen që ia dhuroi Machado: Ky është një vlerësim për punën që kam bërë

Presidenti amerikan, Donald Trump ka deklaruar se është takuar me lideren opozitare venezueliane María Corina Machado, duke e cilësuar takimin si një “nder të madh”.

Në një deklaratë publike, Trump tha se Machado i kishte dhuruar atij Çmimin e saj Nobel për Paqen, si shenjë vlerësimi për punën që ai ka bërë.

“Ishte një nder i madh për mua të takoja sot María Corina Machado-n nga Venezuela. Ajo është një grua e jashtëzakonshme që ka kaluar shumë sfida. María më dhuroi Çmimin e saj Nobel për Paqen si vlerësim për punën që kam bërë. Një gjest i bukur dhe domethënës respekti të ndërsjellë”, u shpreh Trump, duke e falënderuar publikisht Machadon.

Në një reagim të shkurtër, e pyetur pse ia kishte dhënë Çmimin Nobel Trumpit, Machado u përgjigj “sepse e meriton”.

Deklarata ka ngjallur reagime dhe debat në opinionin publik, ndërsa nuk ka pasur ende sqarime zyrtare lidhur me natyrën simbolike apo reale të këtij gjesti.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të vazhdueshme politike në Venezuelë, ku SHBA-ja ka kapur presidentin Nicolas Maduro.

Aksident i rëndë në Durrës/ Automjeti bie nga mbikalimi, humb jetën e reja

Një aksident i rëndë ka ndodhur mbrëmjen e djeshme në Durrës. Rreth orës 22:15 te ura e Dajlanit, automjeti i drejtuar nga 26-vjeçari, banues në Fier, ka rënë nga mbikalimi.

Si pasojë e aksidentit, ka ndërruar jetë pasagjerja, shtetasja V. G., 18 vjeçe, ndërsa janë dëmtuar drejtuesi i automjetit, shtetasi A. Xh., si dhe dy këmbësorë, shtetasit T. T., 33 vjeç, dhe A. M., 35 vjeç, të cilët ndodhen në spital nën kujdesin e mjekëve.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për sqarimin e plotë të rrethanave dhe shkaqeve të aksidentit./abcnews.al

PS mbledh sot grupin parlamentar, çfarë do të diskutohet

Partia Socialiste mbledh këtë të premte, 16 janar, Grupin Parlamentar. Takimi nis në orën 10:00 të mëngjesit me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

Sipas agjendës është parashikuar që të mbajë nga një fjalë edhe kryetari i Kuvendit, Niko Peleshi dhe kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla.

Nga ana tjetër, deputetët e PS do të dëgjojnë edhe raportet e veprimtarive të Komisioneve Parlamentare. Është parashikuar që secili relator të ketë dhjetë minuta kohë për raportin ndërsa folësit do të kenë jo më shumë se dy minuta për të diskutuar.

Është parashikuar që mbledhja të zgjasë deri rreth orës 13:30. Më pas i është lënë radha konkluzioneve që do të mbyllet në fund me fjalën e kryeministrit Edi Rama.

Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/ Avokati: Vendimi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo

TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale, që kishin gjetur në aparat.

Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privacisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.

Avokati i njohur Arbër Hoxha,i ftuar në “Ora e Fundit”, u shpreh se vendimi i Kushtetuese normoi një rregull dhe standard, me të cilin deri tani është abuzuar ndjeshëm.

Sipas tij, kufizimi i të drejtës për të përdorur të dhënat në celularë apo mjete të tjera është në vazhdën e shtetit të së drejtës dhe në përputhje me normat e Konventës së të drejtave të njeriut.

“Liria e komunikimit dhe fshehtësia e komunikimit garantohen nga Kushtetuta dhe nga Konventa e të Drejtave të Njeriut. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese normon Prokurorinë e Posaçme dhe prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm, që të mbajnë parasysh të drejtat e njeriut për fshehtësinë e komunikimeve dhe përdorimi i të dhënave duhet të jetë i lidhur me objektin e hetimit për të cilin është kërkuar nga Prokuroria dhe të miratuar nga Gjykata.

Ky është vendim i rëndësishëm pasi përcakton përfundimisht se çfarë duhet përdorur dhe çfarë jo. Vendimi i Kushtetueses nuk duhet kuptuar si vendim kundër SPAK, por është në vazhdën e shtetit të së drejtës. Deri tani, Prokuroria e ka zbatuar pak ose shumë pak këtë gjë”, tha ai.

Ai  u shpreh se pas këtij vendimi, asnjë peron nuk duhet të dorëzojë telefonin, pa iu komunikuar një vendim gjykata.

“Çdo person, i cili merret në cilësinë e të pandehurit, tani është i detyra e oficerëve të OPGJ, të cilët duhet t’i bëjnë me dije personin që të kenë të pranishëm mbrojtësin. Nuk mund t’i sekuestrohet tani telefoni sipas vendimit të Kushtetuese, pa një vendimmarrje nga ana e gjykatës”, tha ai./abcnews.al

Transferohen të burgosurit e rrezikshëm/ 33 të burgosur zhvendosen nga Durrësi në Peqin dhe Fier

Shkarkimi i zinxhirit drejtues të Burgut të Durrësit dhe arrestimi i tetë gardianëve dhe stafit pas arratisjes së bujshme të Altin Ndocit, krijoi vakum jo vetëm në drejtim por edhe në sigurinë e këtij institucioni të ekzekutimit të vendimeve penale.

Për këtë arsye, drejtoria e përgjithshme vendosi zhvendosjen e të gjithë të dënuarve dhe të paraburgosurve që mbahen në Durrës drejt burgut të Fierit e Peqinit.

Kjo është autokolona me makinat e policisë së burgjeve dhe policisë së shtetit që udhëtoi mbrëmjen e së mërkurës me të burgosurit, që u transferuan nën masa të forta sigurie.

Mes të transferuarve si persona me rrezikshmëri të lartë janë dhe Lulzim Berisha, Orges Molla, Juxhin Koka, të arrestuarit gjatë operacioneve “Ura” dhe “Revansh”.

Vendimi për transferimin e eksponentëve më të rrezikshëm të botës së krimit erdhi pas arratisjes së Altin Ndocit nga Spitali i Durrësit. Ndërkohë, burgu i Durrësit, i njohur edhe si “burgu i VIP-ave”, u vu në fokus për shkak të kushteve dhe nivelit të sigurisë. Të dënuar dhe paraburgosur u rivlerësuan për shkallën e rrezikshmërisë, ndërsa më problematikët u përzgjodhën për t’u sistemuar në Peqin.

Në lidhje me arratisjen e Altin Ndocit, tetë persona u arrestuan me kërkesë të Prokurorisë së Durrësit pas arratisjes së të burgosurit Altin Ndocit. Masat e lëshuara nga gjykata u ekzekutuan nga shërbimi i brendshëm i burgjeve ndërsa në pranga përfunduan komisarët Dezdemon Pazaj e Violeta Uka. Po ashtu u ndaluan dhe kryeinspektorët Sali Ferrollari dhe Aranit Çela si dhe dy inspektorët Fatjon Braçi dhe Preng Marvataj. Po ashtu u vendos nën akuzë edhe kryeinfermeri i burgut Aulon Quku.

Veç arrestimeve, Ministria e Drejtësisë vendosi shkarkimin e drejtorit dhe gjithë zinxhirit drejtues të burgut të Durrësit, ndërsa i ka kërkuar drejtorisë së burgjeve që të shtojë kontrollet dhe të bëjë një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes së të burgosurve mbi bazën e rrezikshmërisë së tyre.

Emrat e të transferuarve nga burgu i Durresit drejt Fierit dhe Peqinit:

1- Agim Gjini – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

2- Lulëzim Selimi – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

3- Algert Rrapi – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

4- Enea Kume (vellai i deputetit te PS Loer Kume ) – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

5- Elvis Ndreca – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

6- Dhimiter Nina – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

7- Endri Seiti – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

8- Aldi Zonja – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

9- Erind Lasku – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

10- Artur Hoxhosmani – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

11- Artion Çaushllari alias Gjika – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

12- Armando Ndreca – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

13- Armand Marvataj – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

14- Astrit Avdyli alisa Balliu- Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

15- Samuel Alfonso Moreno Serrano ( shtetas nga venezuela ) – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

16- Braniol Liço alias Ago – Nga IEVP Durres në IEVP Fier

17- Orges Molla – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

18- Dorian Beu – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

19- Lulzim Berisha – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

20- Emirjan Beu – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

21 – Juxhin Koka – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

22- Enkeli Kërtalli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

23 – Jose Ramos Zacarias Rodrigues Vasques ( shtetas nga venezuela ) Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

24- Skënder Sufaj – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

25- Gëzim Thartori – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

26- Ismail Zeneli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

27- Geis Sejfullai – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

28- Klajdi Merkaj – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

29- Ervin Zeqiri – Nga IEVP Durres ne IEVP Peqin

30- Klevis Hoxhosmani – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

31- Morel Kërtalli – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

32- Maksim Ndoci – Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

33- Saimir Bilaçaj- Nga IEVP Durres ne IEVP Fier

/abcnews.al

Lirohen tre të akuzuarit/ Vrasja e Martin Çeços në Maliq, Apeli ndryshon masën e sigurisë

Gjykata e Apelit në Tiranë ka ndryshuar masën e sigurisë nga “arrest në burg” në “arrest shtëpie “për tre autorët e dyshuar të vrasjes së Martin Çeços. Burimet konfirmojnë se tre autorët e dyshuar, Valter Mollaj, kushëriri i tij Edlir Mollaj dhe çobani Bleti Angjo janë liruar nga gjykata e apelit pasi kjo e fundit ka konstatuar humbjen e fuqisë së paraburgimit të caktuar në datë 20.06.2022, për shkak të tejkalimit të afatit të qëndrimit maksimal.

Hetimet për vrasjen vijojnë por 3 personat. Lidhur me ngjarjen, rikujtojmë se 26 vjeçari Martin Çeço u vra dhe më pas u hodh në rezervuarin e fshatit Kolanec të Maliqit në qershor të vitit 2022. Të tre u arrestuan pas dëshmisë së Tina Pajollarit, e cila vijon të jetë në burg lidhur me ngjarjen. Kjo e fundit u arrestua më vonë pasi dyshohet se ka qenë e pranishme në momentin e vrasjes.

Krimi tronditës ka ndodhur më 12 Qershor 2022 në Kolavec të Maliqit, ku i riu u gjet i mbytur me litar dhe i hedhur në një rezervuar, dy ditë pasi familja kishte humbur kontaktet me të. Kushërinjtë Valter dhe Edlir Mollaj u gjetën fajtorë për vrasjen, bariu Bledi Angjo dhe Martina Pajollari, pasi kishte nxjerrë në pritë viktimën.

Një oficer i ICE plagos një burrë në Minneapolis mes tensioneve për emigracionin

Një oficer i Shërbimit Amerikan të Imigracionit dhe Doganave (ICE) ka plagosur një burrë në këmbë në qytetin e Minneapolisit, vetëm një javë pas vrasjes së një gruaje nga një agjent i së njëjtës agjenci, ngjarje që ka shkaktuar protesta dhe tensione të forta në disa qytete amerikane.

Sipas Departamentit të Sigurisë Kombëtare (DHS), oficerët federalë kishin ndjekur fillimisht burrin me makinë, pasi ai dyshohej se ndodhej ilegalisht në Shtetet e Bashkuara dhe ishte shtetas i Venezuelës.

Autoritetet e qytetit konfirmuan se i plagosuri është dërguar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën. DHS bëri të ditur se edhe një oficer i ICE ka marrë trajtim mjekësor pas incidentit.

Tensionet për zbatimin e ligjeve të emigracionit janë rritur ndjeshëm pas vrasjes së 37-vjeçares Renee Nicole Good më 7 janar, e cila u qëllua për vdekje nga një agjent i ICE gjatë një operacioni në Minneapolis. Vdekja e saj ka nxitur protesta në qytet dhe në disa shtete të tjera.

Shefi i Policisë së Minneapolisit, Brian O’Hara, deklaroi se incidenti i fundit ka sjellë përplasje të reja mes protestuesve dhe forcave të rendit, duke shtuar se policët janë goditur me fishekzjarre, akull dhe topa bore.

Në një reagim në rrjetin X, zyrtarë të qytetit thanë se “e kuptojnë zemërimin e qytetarëve”, por u bënë thirrje për qetësi. Ata përsëritën gjithashtu kërkesën që ICE të largohet nga qyteti dhe nga shteti i Minesotës.

Sipas DHS, gjatë incidentit të së mërkurës, burri doli nga automjeti dhe pati një përplasje fizike me një oficer të ICE. Dy persona të tjerë dyshohet se iu bashkuan konfliktit, çka çoi në përdorimin e armës nga oficeri, i cili, sipas DHS, veproi në vetëmbrojtje. Dy persona janë arrestuar.

BBC raporton se nuk ka mundur të verifikojë në mënyrë të pavarur versionet zyrtare të ngjarjes. Ndërkohë, Byroja Federale e Hetimit (FBI) ka nisur hetimet.

Kryetari i bashkisë së Minneapolisit, Jacob Frey, akuzoi autoritetet federale për “krijimin e kaosit” në shtet, ndërsa guvernatori i Minesotës, Tim Walz, i bëri thirrje presidentit Donald Trump t’i japë fund asaj që e quajti “okupim” nga oficerët e ICE.

Sipas të dhënave zyrtare, rreth 3.000 oficerë të ICE janë dislokuar në Minesotë gjatë javëve të fundit.

Vrasja e Renee Nicole Good mbetet në qendër të debatit politik dhe publik. Administrata Trump ka deklaruar se agjenti i ICE veproi në vetëmbrojtje, ndërsa autoritetet lokale dhe familjarët e viktimës mohojnë se ajo përbënte rrezik. Një fond për familjen e saj ka mbledhur mbi 1.4 milionë dollarë.

15 janari i përgjakur: 27 vjet nga Masakra e Reçakut

Sot shënohen 27 vjet nga Masakra e Reçakut, një nga krimet më të rënda të kryera gjatë luftës në Kosovë, që mbetet plagë e hapur në kujtesën kolektive të vendit.

Më 15 janar 1999, forcat policore serbe, njësitë ushtarake dhe formacionet paramilitare serbe hynë në fshatin Reçak të komunës së Shtimes, ku vranë mizorisht 45 civilë shqiptarë.

Viktimat, u ekzekutuan në rrethana që tronditën opinionin vendor dhe ndërkombëtar.

Masakra u bë e njohur për botën pas reagimit të menjëhershëm të atëhershëm të shefit të Misionit Verifikues të OSBE-së në Kosovë, William Walker, i cili, pasi pa nga afër trupat e pajetë të civilëve, ngriti alarmin për krime të rënda kundër njerëzimit që po kryheshin ndaj shqiptarëve në Kosovë.

Reçaku u shndërrua në simbol të vuajtjes dhe sakrificës së popullit të Kosovës, por edhe në një moment kyç që ndikoi në ndërgjegjësimin ndërkombëtar për realitetin e luftës, duke hapur rrugën për zhvillime vendimtare në fundin e saj

Ndryshe, sot në kuadër të kësaj masakre, homazhe do të bëjnë krerët e shtetit si presidentja Vjosa Osmani, kryetari i Kuvendit, Dimal Basha dhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti.

Pos tyre, homazhe do të bëjë edhe kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

Danimarka përplaset me SHBA-në: Nuk ka konsensus për Groenlandën

Ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Løkke Rasmussen, ka deklaruar se ekziston një “mosmarrëveshje thelbësore” me Shtetet e Bashkuara lidhur me Groenlandën, pas bisedimeve të zhvilluara në Shtëpinë e Bardhë.

Rasmussen tha se takimi me zv/presidentin amerikan JD Vance dhe Sekretarin e Shtetit Marco Rubio ishte “i hapur, por konstruktiv”, por theksoi se presidenti Donald Trump po këmbëngul për “pushtimin” e Groenlandës, një ide që Danimarka e konsideron “krejtësisht të papranueshme”.

“E bëmë shumë të qartë se kjo nuk është në interes të Danimarkës”, deklaroi Rasmussen.

Pas takimit, Trump përsëriti interesin e tij për marrjen e ishullit të pasur me burime natyrore, një qëndrim që ka tronditur aleatët europianë dhe ka shtuar tensionet me NATO-n.

Takimi njëorësh mes SHBA-së, Danimarkës dhe Groenlandës nuk solli një marrëveshje konkrete, por palët ranë dakord të krijojnë një grup pune të nivelit të lartë për të diskutuar të ardhmen e territorit autonom danez. Rasmussen tha se ekzistojnë “vija të kuqe” që SHBA nuk mund t’i kalojë, por shtoi se Danimarka dhe Groenlanda janë të hapura për zgjerimin e pranisë ushtarake amerikane në ishull.

Groenlanda, edhe pse territor me popullsi të vogël, ka rëndësi strategjike për shkak të pozicionit mes Amerikës së Veriut dhe Arktikut, duke shërbyer si pikë kyçe për sistemet e paralajmërimit ndaj sulmeve raketore dhe monitorimin e anijeve në rajon.

Trump ka deklaruar vazhdimisht se marrja e Groenlandës është jetike për sigurinë kombëtare amerikane. SHBA ka aktualisht mbi 100 ushtarë të vendosur në bazën Pituffik në veriperëndim të ishullit.

Ministrja e Jashtme e Groenlandës, Vivian Motzfeldt, tha se territori është i hapur për bashkëpunim më të ngushtë me SHBA-në, por kundërshton çdo ide për marrje nën kontroll.

“Ne kemi treguar qartë se cilat janë kufijtë tanë”, u shpreh ajo.

Ndërkohë, disa vende europiane kanë shprehur mbështetje për Groenlandën. Suedia ka njoftuar se do të dërgojë forca të armatosura në territor me kërkesë të Danimarkës, ndërsa Gjermania dhe Franca kanë paralajmëruar dërgimin e ekipeve ushtarake vëzhguese.

Sondazhet tregojnë se shumica e banorëve të Groenlandës janë kundër kalimit nën kontrollin amerikan, ndërsa edhe shumica e amerikanëve e kundërshtojnë këtë ide.

❌