“E pakëndshme, dëshiron të largohet”, presidenti i Barcelonës lëshon akuza të forta ndaj lojtarit rebel

Presidenti i Barcelonës, Joan Laporta, ka shprehur hapur pakënaqësinë e tij për “situatën e pakëndshme” të krijuar pas vendimit të Dro Fernandez për të shtyrë drejt një transferimi te Paris Saint-Germain, duke dhënë një pasqyrë të ashpër të gjithë çështjes.
Dro Fernandez ka kaluar brenda një kohe shumë të shkurtër nga i përkëdhelur në figurë polemike në “Camp Nou”. Pas paraqitjeve premtuese gjatë turneut parasezonal të verës, ku ra në sy të trajnerit Hansi Flick, adoleshenti më pas u përball edhe me kritika publike nga tekniku gjerman.
Flick madje u detyrua ta përdorte Marcus Rashfordin si shembull të dëshirës dhe përkushtimit që, sipas tij, duhet ta ketë çdo lojtar për të përfaqësuar Barcelonën.
Reprezentuesi i Spanjës U-18 i mbushi 18 vjeç vetëm në janar, çka nënkuptonte se ai ishte ende nën kontratë akademie kur u hap afati kalimtar dimëror. Siç zbuloi Laporta, Barcelona kishte planifikuar të arrinte një marrëveshje të re me Fernandez, e cila do të përfshinte edhe një rritje të ndjeshme të klauzolës së lirimit.
Megjithatë, klauzola prej 6 milionë eurosh mbeti e pandryshuar sapo u bë e qartë se lojtari ishte i vendosur të kërkonte një aventurë të re. Pesë paraqitje me ekipin e parë gjatë pesë muajve të parë të sezonit, përfshirë edhe një start në Ligën e Kampionëve, nuk e kishin kënaqur oreksin e tij për minuta.
“Ai na ka njoftuar se nuk do të vazhdojë. Është një situatë e pakëndshme”.
“Do të përpiqemi ta rregullojmë situatën në mënyrën se si ishte menduar fillimisht. Ishte një surprizë. Ne kishim rënë dakord për një zgjidhje tjetër për Dron kur ai të mbushte 18 vjeç dhe, papritur, agjenti i tij na tha se nuk mund ta respektonim marrëveshjen”.
“Do të mundohemi që gjithçka të përfundojë në mënyrën më të mirë të mundshme për interesat e Barçës”, ka deklaruar Laporta për “Catalunya Radio”.
Tërheqja e PSG-së është e qartë. Përveç faktit se janë kampionë në fuqi të Evropës, parizienët drejtohen nga Luis Enrique, një trajner që ka vlerësim të madh për talentet e reja, veçanërisht ato katalanase, nga koha e tij në krye të Barcelonës.
Megjithatë, mbetet për t’u parë se sa minuta do të gjejë Fernandez në një skuadër ku konkurrenca është e ashpër, me emra si Khvicha Kvaratskhelia, Desire Doue dhe Bradley Barcola./Telegrafi






Ismet Lushaku































