Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ftesa e Trump për Ramën/ Leka: Shqipëria vend lakmues në sferën globale. Asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’

Kryeministri Edi Rama ka pranuar ftesën e presidentit amerikan Donald Trump për të marrë pjesë si anëtar themelues në Bordin e Paqes, një nismë që e pozicionon Shqipërinë në një rol të rëndësishëm ndërkombëtar. Rama i ka dërguar një letër Trump-it, ku e informon për miratimin e shpejtë të ftesës në Parlament.

Ndërkohë, votimi për anëtarësimin në këtë bord ka kapur në befasi Partinë Demokratike, e cila ende nuk ka bërë publik qëndrimin e saj zyrtar. Kreu i PD-së, Sali Berisha, ka shmangur daljet publike, ndërsa Belind Këlliçi e ka cilësuar ftesën si një lajm të madh për Shqipërinë.

I ftuar në “Tirana Live” në ABC News, analisti Martin Leka komentoi zhvillimet politike të ditëve të fundit dhe reagimin e opozitës ndaj ftesës së Donald Trump për kryeministrin Rama. Sipas tij, kjo ngjarje ka nxjerrë në pah mungesën e një qëndrimi të qartë nga Partia Demokratike dhe ka thelluar kontradiktat brenda saj.

“Narrativat e kanë nxjerrë PD zbuluar. Berisha mendonte se me ardhjen e Trump po i hiqej ‘non grata’, por Berishën nuk i është hequr ‘non grata’. Edhe teoritë konspirative se Rama do të shkojë në SHBA me një avokat. Kjo tregon se Berisha nuk mund të zgjidhte asnjë alternativë tjetër përveçse heshtjes. Sot duhet të ishte një ditë e jashtëzakonshme edhe për opozitën, sepse është një lajm i madh për Shqipërinë.

Ftesa e Trump për Ramën që ta përfaqësoj Shqipërinë në këtë bord, tregon që Shqipëria ka një vend të lakmueshëm dhe të rëndësishëm në sferën ndërkombëtare dhe kjo është fakt. Në këtë aspekt Rama ka bërë  një punë të shkëlqyer duke e ndritur lart emrin e Shqipërisë. Nga ana tjetër nuk ka asnjë shpresë që Berishës t’i hiqet ‘non grata’”, tha Leka.

 

Luftë me akull dhe shampanjë/ Groenlanda përplas fort Trump me Macron

Europa nuk do të përkulet përballë presionit amerikan dhe Perëndimi do të qëndrojë në krah të atyre që e respektojnë dhe jo të atyre që e ngacmojnë. Ky ishte mesazhi që dha Presidenti francez Emmanuel Macron këtë të martë nga Forumi Ekonomik i Davosit, që po mbahet në Zvicër. Kreu i Elizesë, i cili pati një paraqitje jo të zakonshme për shkak të syzeve të diellit që i duhet të mbajë për shkak të një problemi me sytë, deklaroi se gjithçka që Trump synon të bëjë me tarifat e tij tregtare për vendet që kundërshtojnë dorëzimin e Groenlandës është që të dobësojë dhe nënshtrojë Europën.

“Shtetet e Bashkuara, përmes tarifave tregtare, synojnë të minojnë interesat tona të eksportit. Përmes këtyre tarifave kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur të dobësojnë dhe nënshtrojnë Europën. Të gjitha këto janë të papranueshme, për më tepër kur përdoren si leva kundër sovranitetit tonë territorial”, tha Macron.

Presidenti francez Emmanuel Macron përmendi publikisht përdorimin e Mekanizmit Europian Kundër Shtrëngimit kundër Shteteve të Bashkuara, një instrument që do t’i hapte luftë tregtare ndaj Washingtonit duke vendosur tarifa ndëshkuese, duke kufizuar importet dhe eksportet, duke ndalur investimet dhe duke përdorur masa të tjera ekonomike si mjet presioni politik. Macron tha se ky mekanizëm duhet përdorur për aq kohë sa Perëndimi nuk ndihet i respektuar. Media britanike BBC raportoi këtë të martë se Parlamenti Europian ka pezulluar ratifikimin e marrëveshjes tregtare që u arrit mes SHBA dhe BE në muajin korrik për ulje të tarifave tregtare, pas një lufte të nisur nga vetë Trump.

Ndaj kësaj deklarate të Macron reagoi Sekretari amerikan i Thesarit, Scott Bessent, i cili vijoi presionin e administratës republikane duke thënë se Europa nuk duhet të hakmerret ndaj planit të Presidentit Trump për të pushtuar Groenlandën, duke thënë se europianët kanë nevojë të ulen dhe të marrin frymë thellë.

Bessent tha se e keqja më e madhe që mund të bëjë Europa në këto momente është të përshkallëzojë marrëdhëniet me Shtetet e Bashkuara.

Kryeministri i Groenlandës, Jens Frederik Nielsen, deklaroi këtë të martë se një sulm ushtarak ndaj ishullit të vetëqeverisur nga Amerika është i pamundur, megjithatë ai paralajmëroi se Perëndimi dhe Danimarka duhet të përgatiten për gjithçka. Edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen kundërshtoi sërish çdo ambicie territoriale të Presidentit amerikan Donald Trump, duke thënë se sovraniteti, kufijtë dhe demokracia janë të panegociueshme.

Siguria ushqimore/ Kusht integrimi, qeveria u mbledh rripat fermerëve

Integrimi kalon nga tryeza…

Siguria ushqimore, duke qenë edhe një prej kapitujve më sfidues në rrugën drejt anëtarësimit në Bashkimin Europian, ishte në fokus të takimit të ministrisë së bujqësisë me fermerët në Korçë.

Ministri Andis Salla, theksoi se garantimi i sigurisë ushqimore është një përgjegjësi e përbashkët mes institucioneve dhe fermerëve. Sipas tij, Ministria po punon për orientimin e fermerëve drejt laboratorëve të certifikuar, si dhe për zgjerimin e rrjetit të laboratorëve të rinj që do të shërbejnë për kontrollin dhe analizimin e produkteve bujqësore.

Ministria e Bujqësisë ka akorduar edhe fonde për orientimin dhe informimin e fermerëve mbi përdorimin e pesticideve dhe produkteve të tjera bujqësore, në mënyrë që procesi i prodhimit të jetë i kontrolluar dhe i sigurt. Fermerët do të mbështeten edhe nga agronomët, profesion i cili tashmë është i rregulluar me ligj dhe ndodhet në fazën përfundimtare të zbatimit.

Për çdo grumbullues që ka hasur vështirësi në eksportin e produkteve në vendet e Bashkimit Europian, Ministria ka ngritur një grup të posaçëm pune.

Macron: Trump synon hapur ta dobësojë dhe nënshtrojë Evropën

Presidenti francez Emmanuel Macron ka paralajmëruar kundër “një zhvendosjeje drejt një bote pa rregulla”, në fjalimin e tij në Forumin Ekonomik Botëror në Davos.

Epoka është shënuar nga “shkelja” e ligjit ndërkombëtar dhe nga marrja e kontrollit nga ligji i më të fortit, tha presidenti francez, i cili mbante syze dielli për shkak të një problemi me sytë.

“Është qartë një kohë shumë shqetësuese”, tha Macron, duke përmendur veçanërisht politikën e jashtme agresive të administratës Trump.

Ai tha se marrëveshjet e fundit tregtare që u arritën me SHBA-në nën kërcënimin e tarifave “minojnë interesat tona të eksportit, kërkojnë lëshime maksimale dhe synojnë hapur ta dobësojnë dhe nënshtrojnë Evropën”.

Macron gjithashtu përsëriti pikëpamjen e tij se kërcënimet me tarifa të përdorura si “levë kundër sovranitetit territorial” ishin “të papranueshme”.

Vrasja me çekiç e 57-vjeçarit/ Përveç autorit arrestohen dy të tjerë, ja për çfarë akuzohen

Vrau me send të fortë (çekiç), 57-vjeçarin, gjatë një konflikti për motive të dobëta, vihet në pranga 28-vjeçari.

Vihen në pranga, për moskallëzim krimi,  2 shtetas që kanë qenë të pranishëm gjatë konfliktit.

Sekuestrohen 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Në përfundim të veprimeve hetimore të kryera nga specialistët për Hetimin e Krimeve të Rënda, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Krujë, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës, për zbardhjen e dinamikës së konfliktit të ndodhur në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, si pasojë e të cilit humbi jetën nga goditja me sende të forta, shtetasi P. N., 57 vjeç, u arrestuan shtetasit:

-A. V., 28 vjeç, banues në Fushë-Krujë, për veprën penale “Vrasja me dashje”;

-L. G., 26 vjeç dhe F. K., 23 vjeç, për veprën penale “Moskallëzimi i krimit”.

Nga hetimet ka rezultuar se më datë 201.01.2026, rreth orës 01:00, në aksin rrugor “Thumanë-Krujë”, në afërsi të urës së Bushneshit, këta tre shtetas, ndërkohë që qarkullonin në një automjet, janë konfliktuar verbalisht me shtetasin P. N., i cili qarkullonte me automjetin e tij. Më pas, shtetasi A. V. ka goditur me çekiç, në kokë, shtetasin P. N., 57 vjeç, i cili si pasojë ka humbur jetën.  Pas ngjarjes, shtetasit L. G. dhe F. K. janë larguar.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar 2 automjete dhe mjeti me të cilin dyshohet se është kryer krimi.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ‘97/ Gjykata Penale dënon me 23 vjet burg Tomor Çelën

Gjykata Penale ka vendosur dënimin me 23 vite burg për Tomor Çelën.

Çela akuzohet për vrasjen e dy personave gjatë ngjarjeve të vitit 1997. 56-vjeçari u ekstradua nga SHBA drejt vendit tone ne qershor te vitit 2022.

Ky i fundit akuzohet për vrasjen e Elton Danit dhe Ledian Hoxhës në rrugën “Bajram Curri” në Tiranë.

Proda pret për vizitë Roberto Massucci: Bashkë për të luftuar krimin e organizuar

Mesditën e sotme, Kuestori i Romës, Drejtori i Policisë së Kryeqytetit, z. Roberto Massucci, së bashku me delegacionin që e shoqëronte, zhvilloi një vizitë kortezie në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, ku u prit nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, dhe drejtues të lartë të Policisë së Shtetit.

Gjatë takimit, Kuestor Massucci falënderoi Drejtorin e Përgjithshëm Ilir Proda, për pritjen, dhe vlerësoi bashkëpunimin shumë të mirë që ekziston mes dy policive.

Nga ana e tij, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda, siguroi Kuestorin e Romës se Policia e Shtetit është e vendosur të bashkëpunojë ngushtësisht me partnerët italianë dhe ata ndërkombëtarë. Ai theksoi se bashkëpunimi me Policinë italiane përbën një shembull shumë të mirë, përmes shkëmbimit të informacionit, krijimit të skuadrave të përbashkëta hetimore dhe operacionale, si dhe realizimit të trajnimeve dhe shkëmbimit të eksperiencave.

Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu eksperienca mbi menaxhimin e situatave të ndryshme, u vlerësua roli dhe mbështetja e ambasadës italiane në Tiranë, si dhe u dakordësua forcimi i mëtejshëm i marrëdhënieve, përfshirë zgjerimin e bashkëpunimit edhe me Kuesturën e Romës.

Zelensky kërkon ushtri evropiane prej 3 milionë ushtarësh

Ukraina ka propozuar që Evropa të krijojë një Forcë të Përbashkët të Armatosur prej rreth 3 milionë ushtarësh, me qëllim forcimin e mbrojtjes kolektive ndaj kërcënimit nga Rusia.

Kjo ide vjen në një kohë kur siguria evropiane po përballet me sfida serioze, si pasojë e luftës në Ukrainë, tensioneve në rritje në lindje të kontinentit dhe pasigurive mbi angazhimin afatgjatë të aleatëve ndërkombëtarë. Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky theksoi se, megjithëse kjo ide është hedhur në tryezë prej më shumë se një viti, nuk ka pasur hapa konkretë drejt realizimit të saj.

“Ka kaluar një vit. Ta them sinqerisht, asnjë hap i vetëm nuk është ndërmarrë drejt kësaj ideje. Ndoshta tani, duke pasur parasysh të gjitha këto sfida, udhëheqësit evropianë do ta marrin seriozisht në shqyrtim”, u shpreh ai.

Sipas Zelenskyt, krijimi i një ushtrie të përbashkët evropiane nuk do të synonte të zëvendësonte NATO-n apo të konkurronte me Shtetet e Bashkuara. Përkundrazi, ai e sheh këtë forcë si një shtyllë shtesë të sigurisë evropiane, që do t’i jepte kontinentit më shumë autonomi strategjike dhe aftësi për të reaguar shpejt ndaj krizave.

“Evropa thjesht do të kishte ushtrinë e saj të veçantë dhe të fortë”, theksoi lideri ukrainas. Propozimi ka hapur debate brenda Bashkimit Evropian dhe më gjerë, pasi përfshin çështje të ndërlikuara si financimi, komandimi i përbashkët, sovraniteti i shteteve anëtare dhe koordinimi me strukturat ekzistuese të sigurisë. Megjithatë, lufta në Ukrainë ka bërë që gjithnjë e më shumë liderë evropianë të diskutojnë nevojën për një rol më aktiv të Evropës në garantimin e sigurisë së saj, pa u mbështetur plotësisht te aleatët e jashtëm.

Irani nuk ftohet në konferencën e sigurisë në Mynih

Organizatorët e konferencës së sigurisë në Mynih të Gjermanisë thanë se kanë anuluar ftesat drejtuar qeverisë iraniane për edicionin e këtij viti, nga 13 deri më 15 shkurt, pas represionit ndaj protestuesve, njofton sot agjencia France Presse.

“Para disa javësh u dërguan ftesa për disa përfaqësues të qeverisë iraniane. Në dritën e zhvillimeve aktuale, Konferenca e Sigurisë në Mynih nuk do t’i pranojë këto ftesa”, tha një zëdhënës i ngjarjes për AFP.

Protestat për shkak të kostove të jetesës shpërthyen në Iran më 28 dhjetor dhe u bënë një nga ngjarjet më të mëdha kundër regjimit që nga shpallja e Republikës Islamike në vitin 1979. Organizata joqeveritare norvegjeze Iran Human Rights (IHR) thotë se të paktën 3,428 persona kanë humbur jetën, raste këto të konfirmuara nga IHR ose burime të pavarura.

Vlerësime të tjera flasin për mbi 5000 të vdekur ose edhe disa për 20 mijë, por mungesa e internetit e vështirëson verifikimin nga organizatat joqeveritare dhe mediat. Më herët, një zëdhënës i Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë u pyet për raportimet se ministri i Jashtëm iranian, Abbas Araqchi ishte ftuar në konferencën e sigurisë në Mynih.

“Duke pasur parasysh përplasjen e përgjakshme me protestuesit, nuk besojmë se pjesëmarrja e tij do të ishte e përshtatshme”, u përgjigj ai.

Ndryshe, konferenca e Sigurisë në Mynih është një ngjarje vjetore në kalendarin diplomatik që tërheq rregullisht politikanët kryesorë botërorë.

Presidenti i Bullgarisë, jep dorëheqje mes spekulimeve se do të formojë partinë e tij

Presidenti i Bullgarisë, Rumen Radev, do të japë dorëheqje, tha ai në një fjalim të hënën, duke nxitur spekulime të përhapura se do të formojë partinë e tij politike për të kandiduar në zgjedhjet e ardhshme parlamentare, pasi qeveria e mëparshme dha dorëheqjen muajin e kaluar.

Radev, i cili supozohej të mbante postin kryesisht ceremonial deri në janar 2027, tha se do të paraqesë dorëheqjen e tij në Gjykatën Kushtetuese të martën.

Nëse miratohet, ai do të zëvendësohet nga zëvendëspresidentja Iliana Iotova deri në zgjedhjet presidenciale në nëntor.

Radev, i cili ka shprehur skepticizëm në lidhje me lëvizjen e fundit të Bullgarisë për t’u bashkuar me euron dhe pikëpamjet miqësore me Kremlinin në lidhje me luftën në Ukrainë, u zgjodh president në vitin 2016 dhe përsëri në vitin 2021.

Por ambiciet e tij politike janë zgjeruar dhe ai ka kohë që ka përmendur mundësinë e formimit të partisë së tij.

Lëvizja e tij për t’u tërhequr, e pritur gjerësisht në vendin ballkanik, vjen mes një krize politike që e sheh Bullgarinë të shkojë drejt zgjedhjeve të teta parlamentare në katër vjet.

Një parlament i fragmentuar ka bërë që një sërë fituesish të zgjedhjeve të mos kenë arritur të fitojnë shumicën ose të krijojnë koalicione të qëndrueshme.

Koalicioni i fundit zgjati gati një vit derisa protestat kundër një buxheti të ri dhe korrupsioni i përhapur, e detyruan atë të jepte dorëheqjen në dhjetor. Zgjedhjet priten në muajt në vijim.

Ndërkohë, Radev, një ish-komandant i forcave ajrore, është detyruar vazhdimisht të emërojë qeveri të përkohshme, duke rritur profilin dhe ambiciet e tij politike, thanë analistët dhe diplomatët perëndimorë.

Sondazhi i ABC News/ 21 Janari, mbi 60 përqind e shqiptarëve fajësojnë drejtësinë

E mërkura shënon 21 janarin e 15-të me 4 viktima, por pa drejtësi. Po faji pse mbetet jetim nga drejtësia?

Kësaj pyetje, pas një dekadë e gjysmë, shumica dërrmuese e shqiptarëve, 63.2% i përgjigjen me mungesën e vullnetit nga drejtësia për të zbardhur ngjarjen plotësisht dhe vendosur autoret para përgjegjësisë.

19.3% e cilësojnë drejtësinë të paaftë, kurse vetëm 17.5%, kryesisht demokratë, mendojnë se s’ka prova.

Por cila ishte përgjegjësia e qeverisë së atëhershme të Sali Berishës dhe opozitës së Edi Ramës?

26.7%, apo Demokratët, fajësojnë Ramën se i çoi protestuesit drejt një masakre të paralajmëruar.

25.4% mendojnë se Rama ishte po aq fajtor sa Berisha.

Por 47.9%, apo Socialistët kanë një peng nga ajo ditë: faktin që Edi Rama dhe PS nuk e çuan protestën deri në fund.

Sa për përgjegjësinë e qeverise se PD ne 21 janar, gati 63% e shqiptarëve shprehen të sigurt se Sali Berisha kreu krim shtetëror duke vrarë qytetarët e vet. Vetëm Demokratë, 17,9% mendojnë se mbrojti shtetin.

Pavarësisht se kanë kaluar 15 vite, shqiptarët mendojnë se 21 janari duhet të jetë dosja prioritete e SPAK dhe drejtësisë së re.

40.1% e cilësojnë çështje kryesore për tu hetuar, 25.7% mendojnë se duhet hetuar korrupsioni aktuale i qeverisë, ndërsa 34.2% korrupsionin e të gjitha qeverive.

2026 nuk është një vit elektoral, por ka nisur thuajse si i tillë. PS nga njëra anë ecën drejt reformave dhe integrimit europian, nga ana tjetër Edi Rama ka marrë ftesën zyrtare nga Presidenti i SHBA, Donald Tramp për Bordin e Paqes. Në fillim të këtij viti të gjatë, partia e cila qeveris vendin ka shtuar mbështetje, 3.2%, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, nga 43.9% në 47.1%.

Partia Demokratike, e cila e nisi vitin aty ku e la, me foltore, protesta dhe revolucione, mbetet aty ku e la, në 25%. Po ashtu dhe partitë e vogla, ato mes revolucioneve imagjinare kundër Ramës dhe refuzimit të ftesave të Berishës, po treten të vetmuar. Shenje e kësaj, ishte dhe protesta e Qorit, e cila nuk ishte me pak, por as më shumë se foltorja e Sali Berishës pak minuta më herët, poshtë dritares së kryeministrit.

 

Sondazhi: PS rritet me 3 pikë brenda një jave, PD mbetet në vend

2026 nuk është një vit elektoral, por ka nisur thuajse si i tillë. PS nga njëra anë ecën drejt reformave dhe integrimit europian, nga ana tjetër Edi Rama ka marrë ftesën zyrtare nga Presidenti i SHBA, Donald Tramp për Bordin e Paqes.

Në fillim të këtij viti të gjatë, partia e cila qeveris vendin ka fituar brenda 1 jave mbështetje 3.2%, për herë të parë pas zgjedhjeve të 11 majit, nga 43.9% në 47.1%.

Partia Demokratike, e cila e nisi vitin aty ku e la, me Foltore, protesta dhe revolucione, mbetet në vend, nga 25.6% në 25.3%.

Po ashtu dhe partitë e vogla, ato mes revolucioneve imagjinare kundër Ramës dhe refuzimit të ftesave të Berishës, po treten të vetmuar.

Sondazhi/ Çfarë duhet të hetojë më parë Drejtësia e Re? Ja si përgjigjen shqiptarët

21 janari 2011, për shumicën e shqiptarëve është ndër cështjet që duhet të hetojë më parë drejtësia e re.

Pyetjes së drejtuar nga sondazhisti Eduard Zaloshnja, se Çfarë duhet të hetojë më parë Drejtësia e Re? 40.1% janë shprehur për 21 janarin, 34.2% korrupsionin e të gjitha qeverive deri më sot, dhe 25.7% korrupsionin e qeverisë aktuale.

Kampioni në këtë sondazh është 1425 banorë të rritur të vendit, me një marzh gabimi prej +/- 2.6%. Si çdo herë linku   i pyetësorit u shpërnda me SMS të rastësishme në mënyrë proporcionale në qytetet dhe fshatrat e Shqipërisë. Pyetësori u plotësua elektronikisht në mënyrë krejt anonime nga të anketuarit./abcnews.al

“Nuk më dhatë Nobel, mos më flisni për paqe”/ Krisafi: Nobeli dhe Groenlanda janë çështje egoje të Trump

Eksperti i marrëdhënieve ndërkombëtare, Ledion Krisafi, ka komentuar deklaratat dhe ambiciet e presidentit amerikan Donald Trump lidhur me Groenlandën, gjatë një interviste në emisionin “War Report” në ABC News.

Sipas Krisafit, gjuha e përdorur nga Trump tregon një qasje force dhe bindjen se SHBA mund të veprojë sipas dëshirës në Groenlandë, duke e kthyer këtë çështje më shumë në një objekt egoje personale dhe ambicie për t’u futur në histori, sesa në një proces real negociatash diplomatike. Ai theksoi se insistimi i Trump dhe siguria e tij për ta marrë Groenlandën “me çdo kusht” e vështirëson seriozitetin e dialogut dhe uljen në tryezë për një marrëveshje konkrete.

“Donald Trump e ka treguar letrën në vendin e gabuar. Gjuha e tij tregon që SHBA mund të bëjë çfarë të dojë në Groenlanda. Nobeli dhe Groenlanda janë çështjeje egoje të Trump. Sepse është një person që do të ngelet në histori. Megjithatë Groenldana është Çmimi Nobel më i madh. Duke qenë se është vend i NATO-s, SHBA mund të bëjmë çfarë të duan në Groenlandë. Trump nuk po kërkon një marrëveshje, Trump e di që nëse merr Groenlandën, do të ngelet në histori, prandaj dhe ai e synon.

Trump është shumë i sigurte që do e marrë Groenlandën me çdo kusht. Trump e di që nuk do të ketë një mandat të tretë dhe gjithçka do e bëjë në këto tre vitet që i kanë ngelur. Sa më shumë flet me këtë gjuhë, aq më shumë e bën të vështirë që ta marrin seriozisht dhe të ulen në tavolinë për të arritur një marrëveshje për Groenlandën”, tha eksperti

Një pjesë e Tiranës pa drita, OSHEE: Është staktuar linja e transmetimit 110kV. Po furnizojmë nga linja të dyta institucionet e rëndësishme

Një pjesë e kryeqytetit ka mbetur pa energji elektrike mbrëmjen e sotme. Sipas njoftimit zyrtar të OSHEE-së, rreth orës 20:30 është stakuar linja e transmetimit 110 kV “Tirana 220 kV – Traktora”, duke lënë për disa minuta pa energji elektrike disa zona të Tiranës.

Aktualisht, grupet e Operatorit të Shpërndarjes së Energjisë Elektrike po punojnë në terren dhe po manovrojnë me linjat e dyta përmes skemave unazë, me qëllim rikthimin e plotë të furnizimit me energji.

OSHEE bën me dije se institucionet me rëndësi të veçantë janë furnizuar me energji elektrike, ndërsa në disa zona energjia është rikthyer brenda 30 minutash.

Megjithatë, ende pa energji elektrike mbeten disa zona, përfshirë një pjesë të rrugës “Ali Demi”, zonën pranë Teleferikut, Freskun, si edhe disa zona pranë “Rrugës së Elbasanit”.

Punimet për normalizimin e situatës vijojnë.

Bordi i Paqes, Beqa: Përpjekje për ta personalizuar sigurinë globale në duart e Trump

Presidenti amerikan Donald Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me pretendime për ndikim ndërkombëtar. Lajmi u komentua në emisionin “Real Story” në ABC News nga Mentori Beqa, i cili theksoi se ende nuk është marrë një vendim nëse Shqipëria do të bëhet pjesë e këtij bordi, pasi procesi parashikohet të jetë i gjatë dhe i ndërlikuar. Sipas tij, Bordi i Paqes për Gazën është një strukturë e re e mandatuar nga Kombet e Bashkuara, me SHBA-në dhe Presidentin Trump në krye, fillimisht me afat deri në vitin 2028, por me synime më të gjera për trajtimin e konflikteve në nivel global. Shqipëria renditet mes rreth 99–100 vendeve të ftuara për t’u përfshirë në këtë iniciativë.

” Nuk është vendosur akoma nëse Shqipëria do të jetë anëtare e bordit, është një procedurë e gjatë. Kemi një tjetër bord që quhet Bordi Ekzekutiv i Gazës, është një pjesë e Bordit të Paqes. Paskatësia e dytë është  që Kombet e Bashkuara kanë mandatuar SHBA dhe Presidentin Donald Trump për të ndërtuar Bordin e Paqes për Gazën me një mandat të përcaktuar kohor deri në vitin 2028. Në këtë kontekst nuk kemi të bëjmë me një bord me afat kohor të përcaktuar, por kemi të bëjmë me një bord paqeje që synon të trajtojë konfliktet në nivel global. Pra është organizatë për paqen globale paralele me OKB-në, është vlerësim i OKB-së. Është një përpjekje për të personalizuar sigurinë globale në duart e Presidentit Trump. Kemi të bëjmë me një institucion i ri ndërkombëtar me një organizatë, e cila është tërësisht personale. Do të organizohet nga Trump edhe kur të mos jetë më president. Shqipëria është një prej 99-100 vende për të qenë pjesë e Bordit të Paqes”, tha Beqa.

Rama merr ftesë nga Trump, Berisha ‘non grata’/ Mërtiri: Opozita e kalbur, kapet pas “gjetheve” për të mbijetuar

Trump i ka dërguar Kryeministrit Edi Rama një ftesë për t’iu bashkuar Bordit të Administrimit të Paqes në Gaza, një nismë e re me ndikim ndërkombëtar. Duke komentuar deklaratën e një gazetare se Rama arrestohet me 20 janar, analisti Ergys Mërtiri u shpreh se këto janë deklarata të pavërtetë që nuk janë aspak të bazuara. Duke përmendura edhe opozitën, e aq më tepër liderin e saj Sali Berisha, Mërtiri tha se opozita e kalbur tenton të kapët pas gjetheve për të mbijetuar.

“Nëse unë nuk kam burime të cilat nuk i citoj dot unë nuk mund ta them. Parimisht ti nuk mund të thuash gjëra të cilat nuk mund t’i mbrosh dot. Aq më tepër gjëra që do të vërtetohen. Po këtë sëmundje shqiptarët kanë pasur prej kohësh dhe këtu është i vetmi vend që bëhet politikë me gjëra të cilat i di vetëm unë që i them. Berisha deri më dje ishte sovranist, sot është bërë servil. Nëse Berisha është ‘non grata’, dosja e tij ka filluar që para Trump, sistemi në drejtësi po ashtu ka filluar që para kohës së Trump.

Deri dje PD nuk na sjell Amerika ë pushtet, po votat e shqiptare, kurse në zgjedhjet e 11 majit tha që na sjell në pushtet LaCivita e Trump. A ka thënë që Trump që jemi kundër Ramës?! Loja politike është shumë e vogël. Lajmet për arrestimin e tij në SHBA, janë të pabaza. Nuk merren me çështje të qeverisjes apo të korrupsionin, por me të pavërteta dhe telenovela. Narrativa ka shkuar shumë ulët. Opozita është e kalbur dhe kapet pas gjetheve për të siguruar mbijetesën. Gënjeshtër pas gënjeshtre telenovelë”, tha analisti.

❌