Nënkolonel Aliaj: Trajnim i avancuar për përdorimin e sistemit kundërtank “Javelin” në Forcën Tokësore
TIRANË, 4 shkurt /ATSH/ Në Shkollën e Trupës së Forcës Tokësore po zhvillohet për herë të parë një kurs i specializuar trajnimi për personelin e Grup-Batalionit të Këmbësorisë së Lehtë në përdorimin e sistemit raketor kundërtank “Javelin”, tashmë pjesë e kapaciteteve të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Komandanti i Shkollës së Trupës së Forcës Tokësore, nënkolonel Jorid Aliaj, theksoi se qëllimi kryesor i këtij trajnimi është përgatitja maksimale e efektivëve për përdorimin e armëve të gjeneratës së fundit, në përputhje me standardet e NATO-s.
Sipas tij, kursi përfshin trajnimin e personelit në procedurat e përdorimit të sistemit “Javelin”, proceset e targetimit, si dhe aplikimin në skenarë sa më realistë, nën asistencën e instruktorëve të kualifikuar të Shkollës së Trupës.
“Përdorimi i këtij sistemi i mundëson operatorët, të kenë aftësinë për të marrë vendime të qarta, të sakta. Të kenë aftësinë për të bërë targetimin e objektivave në kohë reale, të jenë të familjarizuar me përdorimin e armës, në mënyrë të tillë që të rrisim sa më shumë mundësinë e efikasitetit dhe të sigurimit të forcës”, shprehet ai.
“Trajnerët e Shkollës së Trupës, janë këtu sot për të asistuar, për të bërë të mundur të kuptojnë të dhënat taktiko -teknike të armëve dhe sistemeve dhe gjithashtu, operatorët të jenë të familjarizuar dhe të arrijmë të përdorim në mënyrë sa më efikase sistemet”, thekson Aliaj.
Ai nënvizon se trajnimi në ambiente të specializuara nuk zëvendëson stërvitjen në terren, por e plotëson atë, duke lehtësuar procesin e asimilimit të njohurive dhe duke përshpejtuar kalimin drejt aplikimit praktik.
“Objektivi ynë është të arrijmë të perfeksionojmë, të kemi një trupë maksimalisht në kondicione maksimale për sa i përket përgatitjes profesionale, të rrisim aftësinë vdekjeprurëse të forcave tona dhe lehtësojmë procesin kur të kalojmë në terren, të jetë sa më i shpejtë dhe i asimilueshëm”, shprehet Aliaj.
“Këtu replikohen të gjitha situatat, të cilat ofrohen edhe në kushte të operacioneve në të gjitha terrenet ofron edhe goditjen e objektivave ajrore, të cilat fluturojnë në lartësira të ulëta”, përfundon Aliaj.
/gj.m/a.f/
The post Nënkolonel Aliaj: Trajnim i avancuar për përdorimin e sistemit kundërtank “Javelin” në Forcën Tokësore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.