Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rama, balet diplomatik në tehun e briskut

Nga Skënder Minxhozi/

 

Fillimisht i duhet të hedhë poshtë akuzat e kundërshtarëve politikë që e akuzojnë se s’po le gur pa lëvizur që t’i shpëtojë “shpatës” së drejtësisë. Kjo është relativisht e lehtë pasi në çdo rast dhe për çdo gjë Berisha dhe të tjerët do të ishin kundër asaj që bën Edi Rama me axhendën e tij diplomatike. E kanë goditur për politikën rajonale, për raportet me SHBA, për Kosovën, Greqinë dhe gjithçka tjetër që mban brenda harta politike e hemisferës veriore.

Edi Rama duhet t’i shpjegojë lëvizjet e tij diplomatike më së shumti në planin e jashtëm. Duhet t’ua shpjegojë partnerëve evropianë të cilët në shumicë i ka miq e të njohur të vjetër. Duhet të japë shpjegime në kohën kur kontinenti i vjetër dhe shteti më i fuqishëm i botës po polarizojnë qëndrimet mes tyre duke përfshirë kërcënimet tregëtare por edhe territoriale, siç qe rasti i Groenlandës.

Në të gjitha këto ngjarje të mëdha Shqipëria e vogël nuk ka as gisht e as të drejtë vote. Jemi shumë të parëndësishëm për të qenë aktorë në këtë paradë muskujsh të nivelit botëror. E megjithatë porsi pluhuri i hekurit kur i vendos afër një magnet, kjo përmbysje gjeopolitike po kërkon rreshtimin e të gjitha “grimcave” sipas poleve të magnetit. Ashpërsimi i marrëdhënieve brenda botës perëndimore do të kërkojë me gjasë që dikur të gjithë dhe cilido të bëjnë një zgjedhje mes SHBA dhe Evropës. Kjo është mesa duket e ardhmja, pasi amerikanët e kanë bërë të qartë se parimi i ri të cilit i falen është “secili për vete, Zoti për të gjithë”!

Në këtë rirreshtim të historisë për herë të parë që nga Lufta e Dytë Botërore, Shqipëria duhet të ruajë interesat dhe të ardhmen e saj. Të qëndrojë fort me Amerikën në aspektin e sigurisë dhe të mbajë hapur korsinë që çon në BE, si projekti i vetëm afatgjatë dhe me perspektivë për shqiptarët. Edhe ky është një balet i vështirë për t’u kërcyer mes dy gjigandësh, i cili do të testojë skajshëm aftësitë diplomatike të kryeministrit shqiptar dhe të të gjithë shtetit.

Edi Rama ka qenë kurdoherë një notar që ka pëlqyer të notojë kundër rrymës. Edhe kur tentoi paqëtimin e rajonit përmes Ballkanit të Hapur, edhe kur ra dakord me Melonin për bazën e refugjatëve në Shëngjin apo kur mbante e vazhdon të mbajë raporte me Erdoganin, Sorosin, Orbanin apo sheikët e Gjirit. Që të gjithë figura me dritë-hije të cilët jo rrallë dalin nga spektri i diplomacisë korrekte.

Natyrshëm që Rama ka ndjekur jo vetëm instiktin e shtetarit dhe punët e vendit, por edhe interesin e tij politik në këto raporte që ka ndërtuar. Natyrshëm edhe pjesëmarrja në Bordin e Paqes është një lëvizje politike e tillë, pra ndarëse. Siç është gjithashtu ndarëse dhe e debatueshme një vizitë në Tel Aviv për t’i shtrënguar dorën Bibit, udhëheqësit që edhe kur merr avionin për të udhëtuar jashtë vendit kujdeset që të evitojë qiejt e Evropës se mos e ulin me zor në tokë dhe i venë prangat.

E nëse marrja pjesë në OKB-në private të Donald Trump është diçka që shumëkush në Shqipëri (e më pak në Evropë) nuk e konsiderojnë si sakrilegj, vizita në Izrael është një akt që kërcet dhe bie në sy për së largu. Për keq natyrisht, më shumë sesa për mirë, duke parë tragjedinë që u shpalos para syve të të gjithë globit në Gaza për shkak të sulmeve izraelite.

Ky i Ramës është një balet diplomatik në tehun e briskut, i cili për kundërshtarët e tij në Tiranë është një valle vetëvrasëse e imponuar nga problemet e  brendshme, teksa për miqtë në Evropë, Turqi e gjetiu duket si një ndër shumë episodet e galerisë së gjesteve provokative me të cilat Edi Rama i ka mësuar tashmë. Nisur nga atletet e bardha, batutat e kudondodhura majtas e djathtas dhe stilin e drejtpërdrejtë e pa komplekse që tejkalon manualet ideologjike, ato politike e diplomatike.

Në mandatin e katërt qeverisës Edi Ramës i takon të menaxhojë një Shqipëri të turbullt me një qeverisje gjithashtu të turbullt, në një botë kaotike dhe të pasigurt. Kjo kërkon diçka më shumë se një batutë me Makronin apo një palë atlete sportive në foton familjare të një Samiti. Kërkon të dish ç’po bën, pse po e bën dhe çfarë përfitimesh do të marrësh në fund të rrugës. Improvizimet janë të ndaluara në kohë kolere. Dhe bota po kalon një epidemi më të keqe se covidi. Po kalon “epideminë” dramatike të ribërjes së rendit botëror, ku duhet mendje e kthjellët, miq besnikë dhe nerva çeliku.

“Vizita e Ramës në Izrael, delikate”/ Minxhozi: Njeriu i sfidave, por në fjalimin e tij duhet të fliste më shumë për atë që po ndodh në Palestinë

Analisti Skënder Minxhozi u shpreh se vizita e kryeministrit Edi Rama në Izrael nga ana diplomatike, ishte një vizitë shumë delikate.

Gjatë intervistës në emisionin “Real Story” në ABC News, Minxhozi, nënvizoi se Rama ka treguar se është lider politik që bën zgjedhje të forta, ndërsa shtoi se në fjalimin e tij në Knesset, priste t’i kushtohej më tepër rëndësi asaj se çfarë po ndodh në Palestinë.

“Nga ana diplomatike ka qenë një vizitë shumë delikate. Jemi fiks si tek Bordi i Paqes kur Rama e firmosi, por nuk shkoi. Rama kërcen, një balet diplomati që është gjithmonë në zgrip. Të jesh një vendi të vogël e ka luksin të ketë një lëvizje më të madhe. Rama ka marrë lirinë, të një lideri politik që bën zgjedhje të forta, thotë ato që të tjerët nuk u thonë dhe që nuk ia marrin për ters.

Vizitën në Izrael e shoh si “krijon levat e influencës tek administrata amerikane, por problemi është që kur shkon t’i japësh dorën një qeverie që gjysma është për arrestim dhe ka ndodh ajo që ka ndodh në Palestinë, por Rama është njeriu i këtyre sfidave. Por Rama në fjalimin e tij duhet të kishte thënë diçka më shumë. Unë do prisja nga kryeministri i vendit tim të kishte diçka më shumë”, tha Minxhozi.

/abcnews.al/

21 janari, një turp kombëtar

Nga Skënder Minxhozi/

 

Pesëmbedhjetë vjet më parë ndodhte një ndër ato ngjarje që ndajnë dy botë. Botën normale të jetës së përditshme, sfidave e ëndrrave gjithfarësh, botën ku ajo që ndodh harrohet shpejt sepse nuk vlen të mbahet gjatë ndërmend, nga bota tjetër, ajo që i ngjan një tuneli makthi, ku garancitë dhe ligji bien dhe ku shteti vret banorët e tij, votuesit e tij, shtetasit e tij. Jetofshi kohëra interesante thotë një mallkim i vjetër aziatik. Pikërisht një “ngjarje interesante”, ajo e 21 janarit 2011 na ka bërë të jetojmë që nga ai moment në një qerthull ku gënjeshtra dhe hipokrizia, lojrat politike dhe lotët fals, vazhdojnë të hedhin hije mbi një vrasje kolektive në zemër të Shqipërisë, në muret e godinës që drejton vendin.

Pre 15 vitesh jetojmë një turp kombëtar. Turpin më të parë e kanë konsumuar ata për të cilët u protestua dhe u derdh gjak atë ditë fatale – socialistët. Fituan pushtetin në vitin 2013 duke premtuar transparencë dhe drejtësi për gjakun e 21 janarit dhe kanë një dekadë e gjysëm që derdhin tufa karafilash nëpër trotuare sa herë vjen kjo datë, a thua se janë një shoqatë për mbrojtjen e biomasës së Antarktidës e jo një maxhorancë me pushtet, vullnet politik dhe fuqi ekzekutive.

Përtej episodit moralisht të shëmtuar që rekrutuan në parti e qeverisje persona të lidhur me aparatin ushtarak e policor që vrau atë ditë, socialistët shqiptarë kanë luajtur me familjet e të vrarëve, elektoratin e tyre dhe mbarë opinionin publik një teatër të shëmtuar empatie burokratike një herë në vit. Lule e fjalime të ndjera dhe më pas në datën 22 janar e tutje vetëm heshtje dhe justifikimi klasik “krijuam drejtësinë e re se me të vjetrën nuk e hetonim dot 21 janarin”.

Dhe këtu vijmë tek turpi i dytë i lidhur me të parin. Ky është turpi i atyre që paguhen për të gjetur një krim. Kudo qoftë, madje edhe në një shtëpi plazhi 300 kilometra larg Tiranës. E pra drejtësia e re që aq shumë u evokua nga e majta në pushtet si platforma e duhur për të analizuar e zbardhur krimin shtetëror të 21 janarit, ka rezultuar të jetë një vesh i shurdhër më i keq se ai i politikës.

Nuk ka sjellje më hipokrite dhe cinikisht shpërfillëse sesa qëndrimi SPAK ndaj 21 janarit në gjashtë vitet e fundit. Kur familjarët e të vrarëve tentuan të depozitojnë prova të reja që hedhin dritë mbi atë datë fatale, prokuroria e posaçme bëri gjënë më të paimagjinueshme: e dërgoi çeshtjen tek drejtësia që e kishte mbajtur të ngrirë me vite atë dosje. SPAK, i krijuar pikërisht për të zgjidhur lëmshe të ngatërruara penale si ai i 21 janarit shpërfilli me këtë rast edhe vendimin e Gjykatës Evropiane i cili hedh dyshime të forta mbi mënyrën sesi është trajtuar e gjykuar kjo vrasje shtetërore.

U desh ndërhyrja me vendim të shkruar e Gjykatës së Lartë që SPAK të pranonte nisjen  e hetimeve ndërkohë që dosjen ja la në dorë (sa cinike edhe kjo!) të njëjtin person i cili para Gjykatës së Lartë mbrojti zyrtarisht tezën që SPAK nuk duhet ta hetojë 21 janarin!

Dështimi për të zbardhur 21 janarin e bën me turp drejtësinë e re, e cila ka gjashtë vite që funksionon në kapacitet të plotë. Fakti që kjo drejtësi sillet sot me të njëjtat standarte si ajo e vjetra ndaj kësaj ngjarjeje tragjike vetëm sa e bën pis këmishën e bardhë të drejtësisë speciale, por nuk e lëviz 21 janarin nga podiumi qëndror i vëmendjes publike që ka në 15 vite.

Vrasja e 21 janarit, kur shteti qëlloi nga dritaret e zyrave të tij mbi protestuesit e paarmatosur dhe krejtësisht të parrezikshëm për integritetin e institucioneve, shënon një ngjarje që mbetet qëndrore në zhvillimet shqiptare. Fakti që kjo vrasje vijon të jetë një ndër temat më të nxehta të debatit politik e publik edhe pas një dekade e gjysëm, është garancia se nuk do të ketë politikan, prokuror apo gjykatës që do të munden ta relativizojnë e mpakin drejtësinë fundore për 21 janarin. Kjo datë është aty për të qëndruar gjatë si këmbana e alarmit jo vetëm për shtetin që vret, por tashmë edhe për drejtësinë që nuk bëzan.

Turpi i tretë, ai më i madhi, do të duhej të ishte për atë palë që atë ditë vrau. Vrau dhe fshiu kamerat por s’mundi të fshijë edhe gjakun e derdhur në bulevard. Ende sot pas 15 vitesh, PD nuk ka gjetur forcat të bëjë një verifikim të koshiencës së saj, të pozicionit të saj zyrtar në lidhje me 21 janarin, që të kryejë një akt simbolik faljeje ndaj atyre që qeveria e saj vrau dhe që të gjejë fuqi të brendshme për të bërë mea culpan më njerëzore në botë: atë ndaj marrjes së jetës. Çka është në fakt hapi i parë nga i cili do të duhej të niste shërimi i traumës së 21 janarit. Ditës kur shteti vrau dhe u turr të fshehë krimin.

 

Një vjetori i Presidencës Trump dhe provincializmi endemik shqiptar

Nga Skënder Minxhozi/

Në 20 janar mbushet një vit qëkurse presidenti amerikan Donald J. Trump ka marrë detyrën. Në një vit bota ka parë përmbysje epokale që e kanë futur SHBA në kurs përplasjeje me aleatët kryesorë të Perëndimit, si dhe ka asistuar në një ribërje totale të piketave kryesore të  politikës së brendshme dhe asaj të jashtme amerikane, të cilat kanë prodhuar një gjendje të tendosur dhe të amullt në një pjesë të madhe të globit.

Megjithatë kjo është një situatë komplekse që meriton më shumë se një analizë. Mjafton të hedhësh një sy në median botërore dhe rrjetin social për ta kuptuar fermetin dhe ilaritetin që ka prodhuar presidenca Trump në një vit. Në ambjentin shqiptar amullia që ka sjellë ndërrimi i pushtetit në Uashington i ka dhënë hov, siç është në traditën tonë, një vale spekulimesh në lidhje me atë që pritej t’i ndodhte elitave politike e ekonomike të vendit si pasojë e politikës së re të Donald Trump. Së pari merrej e mirëqenë se do të kishte realisht një politikë amerikane për këtë periferi të Evropës që vijon të endet prej tre dekadash në një gjendje pezullie politike, ekonomike e siociale. Mbi të gjitha një rajon që vazhdon të jetë i rrrezikuar nga lojrat e mëdha gjeopolitike.

Së dyti, kur Trump mori detyrën, qenë (dhe ende janë) të shumtë ata që i bënin llogaritë sikur kreu i ri i Shtëpisë së Bardhë do ta harxhonte një pjesë të mirë të ditës së punës për të vrarë mendjen rreth sherrit të radhës në Kuvendin e Shqipërisë, për këtë apo atë deklaratë të këtij apo atij politikani, ose për këtë apo atë tender që hetohej nga SPAK duke thirrur apo arrestuar këtë apo atë ministër a deputet.

Ka mjaftuar një vit për të kuptuar se ky vizion është në rastin më të mirë i ngushtë dhe naiv. Sepse në harkun e një viti kemi parë të vijnë në Tiranë “sherifa” të Trump në kohë fushatash elektorale të cilët më pas kemi mësuar se ishin paguar me honorare shumë të majme. Kemi parë sesi këta sherifa kanë premtuar përmbysje e rrëzime të mëdha, por në fund kemi mësuar se qeveria ka rritur votat e mandatet e sherifat janë kthyer andej nga erdhën pasi kanë marrë paratë me vete.

Në një vit kemi parë sesi presidenca Trump ka ushqyer fantazinë e shprishur të një pjese të shqiptarëve me pritshmëritë më të mëdha, të pasuara nga zhgënjimet më të hidhura. Aty ku është pritur të bjerë rrufeja ka vijuar të mbretërojë statu quoja, aty ku është njoftuar se do të ketë “pushkatime në masë” janë dëgjuar vetëm fishekzjarrret e kalamajve nëpër lagje. Aty ku është pritur të zbatohet një skenar i madh, nuk është prodhuar as edhe një dramë e vockël nga ato që harrohen për tre ditë.

Shqipëria ka vijuar kursin e saj të përpjekjeve për të dalë nga qerthulli i tejzgjatur i tranzicionit, kurse administrata amerikane ka qendruar, në raport me vendin  tonë, në piketa të ngjashme, në mos identike me atë paraardhëse. Ata që kanë qenë të skeduar të mos shkelin në Amerikë kanë vijuar të jenë të tillë edhe gjatë këtij viti. Ata që kanë kujtuar se drejtësia e re do të merrte fund tani që në krye të SHBA erdhi një politikan me plot hetime e akuza mbi supe, sërish janë zhgënjyer kur kanë parë heetimet Spak ndaj politikës. Kush ka pritur ndëshkime me emër e mbiemër apo rotacione e arrestime nga ato të bujshmet në mes të natës në majën e shtetit dhe pushtetit, është detyruar të tkurrë pritshmëritë e të vazhdojë të presë si plaka Nurihan.

Në këtë optikë futet edhe kjo që po shohim e jetojmë këto orë. Edi Rama duhej të ishte me gjasë në Amerikë “për t’u pyetur si person në dijeni në një hetim”. Madje qarkullonte dhe data e udhëtimit. Ja që ndodhi diçka tjetër. Në vend të fletëthirrjes për në dyert e drejtësisë amerikane, Rama “merr kartë” nga Donald Trump për ringritjen e Gazës. Një zhvillim edhe ky që nuk i fshin automatikisht ato që janë thënë e bërë më parë, por që tregon në mënyrë të thatë e cinike se kur bëhet fjala për amerikanët, përllogaritjet klasike duhen peshuar mirë. Madje shumë mirë.

Sepse ata kanë treguar me fakte më shumë se një herë se dinë të jenë krejt të paparashikueshëm dhe të paklasifikueshëm me kriteret tona provinciale e shpesh qesharake. Sa më shumë kujtojmë se dimë, aq më pak dëshmojmë se dimë. Është pak por e sigurt!

Celularët, Kushtetuesja kufizon SPAK/ Minxhozi: Vendimi, piketë madhore në përcaktimin e disa kufijve

TIRANË- Gjykata Kushtetuese i ka dhënë të drejtë padisë së një personi, i cili ishte ankuar se SPAK dhe GJKKO, pas sekuestrimit të celularit, i kishin marrë dhe përdorur të gjitha të dhënat personale, që kishin gjetur në aparat.

Kushtetuesja e ka quajtur këtë shkelje të të drejtave të njeriut dhe të privacisë dhe ka urdhëruar përdorimin vetëm të komunikimeve për çështje në hetim, të cilat do të përcaktohen si të tilla paraprakisht me vendim gjykate, duke i vënë kështu një vijë të kuqe kufizuese SPAK-ut dhe GJKKO-së.

I ftuar në emisionin “Tirana Live”, analisti Skënder Minxhozi e cilësoi vendimin e Gjykatës Kushtetuese si një reflektim të një niveli të lartë juridik. Sipas tij, bëhet fjalë për një çështje që ka shkaktuar debate të forta mediatike dhe politike, ndërsa thelbi i problemit qëndron te respektimi i procedurave dhe standardeve gjatë procesit hetimor.

Minxhozi theksoi se ky vendim përbën një piketë të rëndësishme në përcaktimin e kufijve që duhet të respektohen nga drejtësia e re, sidomos në rastet e sekuestrimit të celularëve, laptopëve dhe pajisjeve të tjera elektronike.

Ai nënvizoi se mbrojtja e privatësisë dhe e të drejtave të individit është thelbësore, pasi keqpërdorimi i të dhënave personale ka qenë shpesh një realitet i dhimbshëm, ku informacione pa lidhje me hetimin janë bërë objekt diskutimi në rrjetet sociale dhe media, duke synuar denigrimin e personave nën hetim.

Sipas analistit, vendimi i Gjykatës Kushtetuese synon të korrigjojë devijimet që kanë ndodhur në këto procese dhe të forcojë besimin e qytetarëve te sistemi i drejtësisë, përmes institucioneve me vetëdije të lartë ligjore.

“Është një reflektim i një niveli të lartë juridik, siç është dhe kjo gjykatë në lidhje me një çështjet që ka shkaktuar debate të ndezura mediatike dhe politike. Procesi hetimor kërkon informacionet dhe burimet e tij të verifikimit dhe menaxhimit të të dhënave, çështje qëndron nëse e gjitha kjo bëhet bazuar në procedurë dhe në standarde.

Ky vendim i Kushtetueses është piketë madhore në përcaktimin e disa kufijve të cilët duhen respektuar, që pas shumë vitesh, drejtësia e re, kemi këtë eksperiencë kur celularët dhe materialet e tjera si laptopë, kompjuterë, të gjithë këto materiale kërkojnë  një rregulle: të sigurohet privacia dhe e drejta e individit.

Keqpërdorimi i privacisë është një realitet i dhimbshëm. ndodheni në një situatë shumë shpesh kur informacione, pa lidhje me objektin e hetimit janë kthyer në çështje diskutime në rrjetet sociale dhe në media. Këto kanë si synim ta denigrojnë personin e hetuar.

Duhen institucione me vetëdije të lartë. Duhet sistemi ku njerëzit të besojnë në drejtësi. Kushtetuesja synon të rregullojë dhe korrigjojë devijimin që ka ndodhur dhe po ndodh në këto procese”, tha ai./abcnews.al

Maduro, çmimi i vezëve dhe loja amerikane e shahut me Kinën

Nga Skënder Minxhozi/

Presidenti amerikan Donald Trump është sinqerisht i bindur se meriton të marrë çmimin Nobel për paqen. Ai përsërit që nga vera se ka zgjidhur tetë konflikte të armatosura qëkurse ka hyrë në Zyrën Ovale pak a shumë një vit më parë. Pra brenda pak muajsh ai ka zgjidhur mosmarrëveshjet mes Izraelit dhe Hamasit, mes Izraelit dhe Iranit, mes Pakistanit dhe Indisë, mes Armenisë dhe Azerbaixhainit (u desh pak kohë që të mos e ngatërronte Armeninë me Shqipërinë), ashtu sikurse ka pajtuar tailandezët me kamboxhianët, ruandezët me kongolezët, egjiptianët dhe etiopianët dhe…kosovarët me serbët! Habituni sa të doni, kur e thotë Donald Trump është fakt. Ose më saktë është “fakt alternativ”, siç e ka për zemër t’i quajë ai të vërtetat e tij. Ndërkohë shumë të tjerë e shohin këtë paradë suksesesh imagjinare si një kompensim të vogël ndaj frustrimit që ka shkaktuar në Uashington konflikti gjysëm i zgjidhur i Gazës dhe lufta trevjeçare në Ukrainë të cilën Trump premtonte se do ta shuante brenda 24 orëve pasi të hynte në Shtëpinë e Bardhë.

Në këtë suazë Donald Trump e ka gjetur edhe epitetin e vetvetes, i pëlqen të vetëquhet “Presidenti i Paqes”. Për ta vërtetuar këtë ai përmend shpesh se ka qenë prej kohësh që s’mbahen mend kundër luftrave, duke nisur me Irakun, Afrikën Veriore dhe gjithçka pasoi më vonë deri tek konflikti sirian.

Deri këtu gjithçka tingëllon e logjikshme dhe në vijimësi me ato që Trump ka mbrojtur realisht në qëndrimet publike në 25 vitet e fundit, duke nisur nga 11 shtatori i largët i vitit 2001. Trump ka qenë një predikues i fortë i mosndërhyrjes amerikane në luftra dhe konflikte, ashtu siç ka qenë dhe ende është një ithtar i nacionalizmit ekonomik dhe i mbylljes së Amerikës brenda mureve të saj.

Problemi është se në vitin e parë të presidencës së tij të dytë Trump ka lënë tashmë gjurmët e gishtërinjve në dy akte ushtarake ndërhyrjeje të SHBA në Iran dhe Venezuelë në orët e fundit. Megjithëse u përpoq ta paketojë sulmin e tij si një inkursion ajror që solli paqen mes Izraelit dhe Iranit, bombardimi i tuneleve bërthamore të Teheranit nga SHBA ishte një shkelje klasike e rregullave e parimeve që mbajnë në këmbë marrëdhëniet mes shteteve në botën e sotme.

Sa për Venezuelën, një histori që po shkruhet këto orë, çeshtja duket edhe më e sforcuar nga pikëpamja e diçiturës dhe justifikimit diplomatik. Prej shtatorit Trump ka vijuar ta shtojë dozën e kërcënimeve ndaj Venezuelës, për shkak të asaj që SHBA e konsideron si një fluks i dirigjuar drogash dhe fentanoli që e kanë origjinën nga shteti në fjalë me qëllim nxitjen e fenimenit të përdorimit të narkotikëve nga publiku amerikan. Maduro akuzohet se ka inicuar një tregëti drogash drejt SHBA duke shkaktuar mijëra të vdekur në qytetet amerikane. Një arsye gjithsesi e sforcuar për të sulmuar një vend sovran, sepse me këtë logjikë do t’i binte që Shqipëria të sulmohej nga gjysma e vendeve të kontinentit ku ndodhet, meqë mafiet shqiptare tranzitojnë sot tonelata drogë nga Amerika Latine drejt Evropës e përtej!

Tek nafta qëndron aktualisht njëra nga akuzat më të përsëritura që kundërshtarët e Trump i bëjnë ndërhyrjes së tij ushtarake në këtë pjesë të Amerikës Latine. Venezuela njihet si shteti më i pasur në botë me rezerva të njohura të naftës dhe si e tillë ajo ka nënshkruar marrëveshje energjie me Kinën, Rusinë dhe Iranin. Kjo rrethanë, e bashkuar me afrimin e dukshëm të Maduros me Pekinin dhe presidentin Ji, është parë si e papranueshme nga Uashingtoni në planin strategjik.

Sipas konceptit amerikan Kina nuk mund dhe nuk duhet lejuar të afrohet në detin e Karaibeve dhe në kontinentin amerikano-latin që konsiderohet si një zonë primare influence e SHBA. Kjo ka bërë që në javët e shkuara, para sulmit të sotëm, forcat ushtarake amerikane të mos godasin vetëm anijet që dyshoheshin se sillnin drogë në brigjet e SHBA, por të bllokojnë dhe konfiskojnë edhe anije petroliere në zotërim nga vendet e treta, të ngarkuara me naftë venezueliane.

Avancimi i Kinës në Amerikën Latine, sidomos në Brazil, shihet si një rrethanë kërcënuese për interesat amerikane në kontinent. Burimet e rralla minerare të zotëruara nga Kina në Bolivi dhe vendet fqinje, investimet masive në porte dhe rrjetet rrugore, hyrja e fuqishme në sektorë si energjia e rinovueshme dhe makinat elektrike, kanë ngritur prej kohësh dyshimin amerikan se kjo ofensivë ekonomike kineze mund të sjellë përmbysjen e ekuilibrave strategjikë në këtë pjesë të botës. Goditja e Venezuelës duket pikërisht e projektuar për ta vonuar dhe mundësisht frikësuar këtë avancim kinez në Amerikën e Jugut.

Në anën tjetër, këto orë që po konsumohet sulmi mbi Venezuelë, shumëkujt i vjen ndërmend aksioma e vjetër e politikës amerikane, e cila thotë se sa herë presidentët amerikanë kanë një problem në shtëpi, aq herë diku në botë lind një konflikt i ri ushtarak. SHBA sapo ka hyrë në një vit elektoral dhe republikanët e presidenti Trump ndodhen në pozita të pakënaqshme sa i përket pëlqyeshmërisë së publikut amerikan.

Sipas sondazheve më të fundit ka 80% mundësi që në zgjedhjet e mes-mandatit në nëntor të këtij viti republikanët të humbasin shumicën në Kongres dhe ndoshta edhe në Senat. Ndërkaq të njëjtat sondazhe tregojnë se Trump është sot presidenti më pak popullor në historinë e SHBA në këtë moment të mandatit presidencial. Sipas “The Economist” pas 348 ditësh në detyrë Trump pëlqehet nga 39% e amerikanëve, ndërkohë që 56% të tjerë janë të pakënaqur me të.

Premtimet e pambajtura për ulje çmimesh dhe dështimi i strategjisë së tarifave tregëtare ndaj vendeve të treta, mbi të cilat Trump kishte ndërtuar të gjithë politikën e tij ekonomike, janë shkaku i kësaj pakënaqësie të votuesit amerikan që e shtyn kreun e Shtëpisë së Bardhë të kërkojë rrugë alternative për ngritjen e popullaritetit. Politika e jashtme ka qenë tradicionalisht një platformë e përdorur për këtë qëllim nga presidentët amerikanë dhe sulmi mbi Venezuelë duket pikërisht i ndërtuar që të shërojë qoftë dhe pjesërisht humorin gri të amerikanit të mesëm për çmimin e vezëve apo shtrenjtimin e sigurimit shëndetësor.

Sesa do të jetë në gjendje ta ngrejë imazhin e Donald Trump ky inkursion i fundit ushtarak në xhunglën e rrezikshme amerikano-latine kjo mbetet të shihet. Aq më tepër pas paralajmërimeve që shumë ekspertë të sigurisë kanë bërë për të mos hyrë më trupa në terren në tokën venezueliane, për shkak të kompleksitetit e të papriturave që mund të rezervonte një hap i tillë në afat të gjatë.

Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush

Nga Skënder Minxhozi/

Dje ish-presidenti Ilir Meta është ofruar të japë informacione në lidhje me ngjarjen e 21 janarit, të cilat sipas avokatit të tij, përfshijnë të dhëna që ai ka marrë në prag të protestës së opozitës nga burime të huaja. Meta pretendon se shërbime të huaja i paskan thënë se protesta do të jetë e dhunshme dhe se nuk përjashtohej skenari i vrasjeve. Është hera e parë që ish-presidenti e thotë diçka të tillë. Nuk e tha në momentin kur dha dorëheqjen nga posti i ministrit, as kur ndodhën vrasjet dhe as më vonë kur shumica e djathtë nisi hetimin e atij që u quajt grushti i shtetit i 21 janarit.

Që njëri ndër protagonistët tashmë në burg të 21 janarit të dalë pas 15 vitesh e të ofrohet për “informacione të reja” në lidhje me ngjarjen, ky është një fakt që tingëllon më shumë si një goditje me efekt e tij për të tërhequr vëmendjen publike nga izolimi ku ndodhet, sesa si një kontribut i ri në dosjen e trashë të vrasjeve në bulevard. Tragjedia e 21 janarit është një ndër ngjarjet më të mediatizuara, më të diskutuara e debatuara e më të analizuara. Ashtu siç është një ndër ngjarjet më pak të hetuara.

Ky hendek mes interesit të lartë publik dhe shurdhërisë së qëllimshme të drejtësisë e politikës për të zbardhur përgjegjësit e vrasjes makabre të katër njerëzve të paarmatosur nga shteti i kohës, është ndër kontrastet më therëse që ka prodhuar tranzicioni shqiptar në 35 vite.

Shembulli i kësaj shurdhërie është bërë sot edhe drejtësia e re, saktësisht SPAK, i cili në fillim refuzoi të merrte në dorëzim hetimin për provat e reja për 21 janarin, e më pas ka nisur një hetim “me pjekje të ngadaltë”, të cilit nuk i shihet fundi. Zvarritja e kësaj dosjeje e fut drejtësinë e re në të njëjtën kamare turpi me drejtësinë e plepave e cila de facto e bllokoi gjetjen e përgjegjësve të 21 janarit.

Në këtë mes futja “skiç” e Ilir Metës vetëm sa risjell edhe një herë në skenë hipokrizinë e qeverisësve të 21 janarit të cilët edhe sot vijojnë të përtypin argumenta që nuk i besojnë as vetë, si këto të skenareve me vrasje dhe me shërbime të huaja.

Ka një nerv të zbuluar 21 janari, kur vjen puna për të kuptuar indirekt se kush e mban përgjegjësinë për vrasjet në bulevard. Pak orë pas ngjarjes shumica qeverisëse e kohës, nën piskamën e Berishës rreth grushtit të shtetit, ju fut me shumë zell hetimit të ngjarjes. Qëllimi madhor: të gjejmë rrënjët e puçit, autorët, nxitësit, skenaristët, regjizorët dhe aktorët bashkë me figurantët më të parëndësishëm. Me një fjalë të zbulojmë para shqiptarëve mynxyrën që ishte përgatitur, makinat me dinamit të parku Rinia, çadrat pistoletë, thikat me helm dhe natyrisht edhe një grusht gazetarësh puçistë anash, për ta bërë edhe më të besueshme teoremën komike të Doktorit.

Punoi dy vite ky komision duke marrë në pyetje gjithë hierarkinë e shtetit, minus “Presidentin-horr” dhe “Kryeprokuroren-lavire”. Parakaluan në komision Berisha, Topalli, Basha dhe një dyzinë tjetër zyrtarësh të lartë. Pas vitit të parë të hetimit, pra në 2021, komisionit në fjalë ju zgjat edhe me një vit tjetër mandati i hetimit. Javët e muajt kalonin dhe ajo zyrë me deputetë, të gjithë juristë e disa edhe ish-ministra drejtësie, nuk filtronte asgjë e re. Merreshin honorare për të zbardhur puçin, por puç nuk dukej askund. Retorika politike ndërkohë nxirrte flakë dhe akuzat shkëmbeheshin sa në një anë në tjetrën.

Megjithatë, në fund të dy viteve ky grusht burrash plot dije nga jurisprudenca dhe me kartvizita për t’u pasur zili, nuk qullosi dot gjë. Në podiumin e Kuvendit s’u lexua asnjë raport mbi gjetjet e komisionit, rast unik ky që nga viti ’91. Deputetët që për dy vite morën paratë për të zbuluar komplotin e lartë kundër shtetit, nuk denjuan as të kthejnë honoraret për punën e munguar.

Zbrazëtia e hetimit parlamentar rreth puçit të 21 janarit është nervi i zbuluar i 21 janarit. Kush mendon se demokratët mblodhën informacione e gjetën fakte për përgjegjësinë e opozitës në vrasjet e asaj dite dhe nuk i publikuan ato në vitet që pasuan, thjesht gënjen veten. Jo të tjerët.

Zgjedhjet e 2013 erdhën dhe puçi i harrua. E mbajti mend vetëm Berisha i cili ka hallin që ta mbajë gjallë këtë fjalë si justifikim mekanik, sa herë që e pyesin gazetarët. E harroi madje edhe Edi Rama me të vetët 21 janarin, e mesa duket, meqë qenka sëmundje ngjitëse, u mundua të bënte sikur e kishte harruar atë histori edhe SPAKU vite më vonë.

Të gjithë hoqën duart nga patatja ende e nxehtë e 21 janarit, të cilën nuk mund ta nxjerrë nga zjarri as Ilir Meta me kujtimet e papritura që i erdhën në burg për atë ditë fatale, kur shteti vrau qytetarët e vet dhe askush nuk u dënua. Turp për të gjithë ata që mundeshin dhe ende munden, por nuk e bëjnë!

The post Provat e Metës për 21 janarin dhe një nerv i zbuluar që s’e përmend askush first appeared on JavaNews.al.

Klodian Braho, kreu i ri i SPAK/ Minxhozi: Të katër kandidatët kishin kreditë të mjaftueshme, partitë të baraslarguara

Sot, Klodian Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK, një zhvillim që ka tërhequr vëmendje të madhe publike dhe mediatike.

Analisti Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story”, e cilësoi procesin si të drejtë dhe të barazvlefshëm mes katër kandidatëve me integritet të lartë, duke theksuar se fokusi kombëtar është zhvendosur qartësisht drejt drejtësisë.

Sipas tij, gara këtë herë u zhvillua larg presioneve politike, ndërsa ndërhyrjet diplomatike dhe tensionet e krijuara ishin të panevojshme, pasi kandidatët kishin kredenciale të mjaftueshme për një proces të qetë dhe transparent.

“Ka pasur një zhvendosje për të treguar se ku qëndron pika e gravitetit në të gjitha ngjarjes shqiptare. Sot e gjithë vëmendja e medias nuk ishte paratë, por tek drejtësia dhe te SPA dhe kjo është simbolika për të kuptuat vëmendjen dhe fokusi që ka marrë ky institucion. Ishte një proces i drejtë dhe i kërkuar.

Personalisht unë e kam kuptuar se cili ishte kandidati që kishte shanse më shumë për t’u zgjedhur, që nga fotoja e Ambasadës Amerikane. Nëse në zgjedhjen e Atlin Dumanit ka pasur fjalë për një presion politik për kreun e ri të SPAK dhe ka ndërhyrë ambasadorja e amerikane, kjo fushatë dhe ky aplikim i figurave që të katërta me integritet dhe me stazh ishte e barasvlershme.  Në momentin që biem dakord dhe ka dakordësi që mbi kreun e SPAK nuk ka pasur presion.

Kësaj here të katërta figurat ishin të barasvlershme dhe me kredite të mjaftueshme për t’u zgjedhur kryetari i kësaj strukture. Pra nuk kuptohet stresi dhe tendosja e segmentit diplomatik që e luajti lojën sikur këtu ndodheshin para mundësi për trukim letrash, ndërkohë që politikat ishin të larguar. Ka qenë një garë që duhet të lihej të rridhte pa atë lloj stresi dhe parade”, tha Minxhozi./abcnews.al

Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm

Nga Skënder Minxhozi/

Dikush tha më te drejtë në njërën nga ditët e protestave të 35 viteve më parë në Qytetin Studenti: gjak nuk provokoi ky revolucion po baltë prodhoi me shumicë. E thënë në atë moment shprehja qe spontane dhe jo mbartëse apo parashikuese e diçkaje të keqe. Balta identifikohej me motin me shi, e jo labirinthin e errët ku do të hynte vendi në vitet që pasuan. Pakkush mendonte keq në atë moment, në vrullin e romantizmit që kishte kapluar të gjithë ambjentin ku lindi pluralizmi shqiptar. Ishim të varfër, të frikësuar, të paqartë mbi të gjitha, por mendonim “vetëm për mirë”.

“Do e shihni që do bëhemi Evropë brenda tre vjetëve”, ishte një ndër batutat që dëgjoje më shpesh në atë kohë. Koncepti i hyrjes në Evropë artikulohej “do bëhemi Evropë”! “Do bjerë shi jeshil dollarësh, do zbarkojnë amerikanët të na ushqejnë e të na veshin”, ja priste tjetri. Në skamjen e komunizmit fundor të gjitha këto tingëllonin profetike, paçka se në thelb ishin dhe janë akoma dhe më shumë sot, thjesht parashikime naive dhe fëminore. Çka pasoi nuk ishte as shiu i dollarëve dhe as bashkimi me Evropën.

Sot, 35 vite më pas ngjarjet e dhjetorit ’90 kanë më së shumti vlerë për të analizuar kurbën e daljes së Shqipërisë nga sistemi totalitar komunist dhe tranzitimin e ngadaltë e plot gropa, kthesa e të përpjeta, drejt një shoqërie demokratike normale. Objektiv të cilin nuk e kemi arritur as pas tre dekadash e gjysëm hallakatjeje nëpër kallamishtet e tranzicionit.

Dekada e parë e tranzicionit, vitet 1991-2000, është ana tjetër e medaljes iluzive të rënies së komunizmit. Është ana e errët e një historie shprese dhe zhgënjimi. Qyteti Studenti u zbraz shpejt në dhjetor ’90 nga idealistët dhe vendin e tyre e zunë të rastësishmit dhe llogaritarët e pushtetit. Aq e vërtetë është kjo saqë teksa vendos përballë fotot e atyre ditëve, studentët dhe njerëzit e thjeshtë që gëzonin, me galerinë e fytyrave të pushtetit që u ndërtua mbi baltën e Qytetit Studenti, kupton sesa i rastësishëm, joprofesional dhe disa herë keqdashës e abuzues ka qenë shteti i ri që mori formë në fillimet e demokracisë shqiptare.

Në fakt teksa bën këtë fluturim në kohë, kupton të vërtetën e madhe se PD, si fryti madhor i lëvizjes studentore, qe një jo-projekt i lindur me nxitim për shkak të krizës së regjimit që po binte, e jo si rezultat i një kulture të konsoliduar demokratike. Karrieristë dhe të dështuar e të pakënaqur të regjimit komunist u kthyen në materien bazë që krijoi shtetin e të ardhmes. I cili kishte brenda shumëçka nga praktikat, fryma dhe konceptet bazë të shtetit të së shkuarës. Nuk pati një telajo sado të vagullt për të hedhur themelet e shtetit post-komunist, nuk pati traditë pluralizmi, nuk pati as organizata apo organizime të çfarëdo që të mbartnin mendimin alternativ. Ndërtuam mbi rërë dhe e pamë veten përtokë në tërmetin më të parë (kupto piramidat dhe vitin e mbrapshtë ’97)!

Përtej asaj që studentët dhe qytetarët e tjerë shpalosën në ato ditë dhjetori, ajo që pasoi më pas nisi si një histori e stisur keq qysh në krye të herët. Tamam si ajo këmisha të cilën e mbërthen keq në kopsën e parë dhe të shtrëngon në fyt në kopsën e fundit.

Pasi hoqëm qafe komunizmin, ju kthyem të heqim qafe gjithçka që trashëguam prej tij. Një operacion natyrisht i lëvdueshëm për pjesën e çmontimit të regjimit represiv, instalimin e ekonominë se tregut dhe hapjen e vendit ndaj botës, por jo në mënyrën sesi u sollëm me shtetin, administratën, drejtësinë, infrastrukturat, natyrën, me fenomene sociale si urbanizimi apo me dërgimin për skrap të thuajse gjithçkaje që breza shqiptarësh kishin ndërtuar me mund e djersë.

Asnjë studim paraprak, asnjë model ekonomik e zhvillimor, asnjë vetëfrenim i arsyeshëm për hapat që po hidhnim në errësirë. Thjesht pranim i thatë dhe mekanik i formulave shpesh idiote që vinin nga organizmat ndërkombëtare, ku burokratë të panjohur eksperimentonin me vendet lindore si me minjtë në një vazo qelqi.

Me qetësinë dhe kthjelltësinë që kemi sot, nuk na duhet shumë për të kuptuar sesa amatore, inatçore dhe e mbarsur me ideologji e propogandë boshe ka qenë dekada e parë e pluralizmit që erdhi pas Dhjetorit ’90. Një brez drejtuesish me kostume antikomuniste, që vepronin në mjaft raste pikë për pikë si aparatçikët e regjimit të saporrëzuar.

Dhe rezultantja e kësaj linje politike i dha frytet e saj të hidhura. Shqipëria e filloi epokën e pluralizmit politik duke parë të futej në burg kryetari i opozitës. Ajo qe këmbana e parë e deformimit demokratik që po pësonte vendi. Më pas erdhi demarshi për të instaluar një kushtetutë ku të gjitha pushtetet t’i kishte një dorë e vetme, Sali Berisha. Më pas pasuan piramidat dhe në fund, “qershia” mbi tortë, erdhi 97-ta e frikshme megjithë bilancin e saj tragjik. Shembja e shtetit dhe rrënimi deri në qelizë i gjithçkaje ishte ndërtuar. Ekuacioni i dekadës së parë të pluralizmit u mbyt në gjakun e derdhur pa e ditur pse dhe pa e marrë vesh për çfarë. Marrëzi kolektive për një vend që vegjentonte në një gjendje thuajse natyrore.

Të gjitha këto qëndrojnë pas atij shansi të humbur të vitit 1990, kur largimin e komunizmit dhe hapësirën e oportunitetet që sillte me vete ajo ngjarje, i deformuam duke ja vënë shtetin në dorë batakçinjve politikë dhe tregtarëve të paskrupullt të flamujve.

Një ëndërr e bukur u kthye gradualisht në makth, aq sa edhe sot askush nuk është në gjendje ta shpjegojë, fjala vjen,se përse kur ra sistemi komunist në dhjetor ’90 nuk u derdh asnjë pikë gjaku, por ama kur erdhi puna për të parin rotacion të pushtetit brenda sistemit të ri demokratik, u vranë nja 2 apo 3 mijë njerëz! Këtë paradoks sot nuk e shpjegon dot askush, përveçse me faktin se në vitin ’90 komunizmit i kishin rënë patkonjtë dhe shqiptarët donin lirinë, kurse në 1997 kur puna qe për ndarjen e pushtetit mes një klase politike të vradzhtë dhe përjashtuese (shto dhe fajdet), gara për pushtet u kthye në faturë gjaku.

Prandaj është mirë të përkujtohet e mbi të gjitha të studiohet Dhjetori ’90 me të gjitha efektet që prodhoi. Pa ditirambet e shëmtuara e glorifikimin grotesk që vërehet rëndom kur afrohet data, por me koshiencën se nga largësia e 35 viteve ka ardhur më në fund momenti për të pasur një refleksion mbi atë që shkoi mirë, por mbi të gjitha dhe kryesisht mbi atë që shkoi keq në atë moment ngjizjeje të vetëdijes sonë demokratike. Dhjetorin ’90 duhet ta kujtojmë për atë që fituam, por më shumë dhe më shpesh për atë që humbëm.

Sepse humbëm shansin për të vënë themelet e një shteti normal, një demokracie funksionale të rregulluar nga shteti ligjor dhe një vendi që të mban, jo që të përze 35 vjet rresht! Kishim shansin historik të ndërtojmë mbi rrënojat e komunizmit një shoqëri humane, e jo një kazan grykësish që abuzojnë me shtetin dhe me pushtetin. Për këto ja vlen vërtetë të kujtohet Dhjetori ’90!

The post Dhjetorin ta kujtojmë për çfarë fituam, po edhe për çfarë humbëm first appeared on JavaNews.al.

Lëvizja për pluralizëm/ Minxhozi: Grupi që shkoi te Ramiz Alia ishte i papërgatitur. E kishte filtruar informacionin

Këtë të hënë shënohet 8 Dhjetori, Dita Kombëtare e Rinisë. E shpallur prej vitit 2009 nga Kuvendi i Shqipërisë, kjo datë përkujtohet si festë kombëtare në nderim të të gjithë studentëve të dhjetorit 1990 dhe gjithë rinisë shqiptare.

Më 8 dhjetor 1990, një grup studentësh e pedagogësh të universiteteve të Tiranës, u bënë iniciatorë e protagonistë të kthesës së madhe historike, protestave paqësore që sollën rënien e sistemit komunist dhe lindjen e demokracisë.

Në një rrëfim të detajuar në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi theksoi se grupi i studentëve dhe pedagogëve që u nisën drejt takimit me Ramiz Alinë “ishte i papërgatitur për madhësinë e momentit”, ndërsa udhëtimi drejt Presidiumit zhvillohej mes pasigurie dhe frike reale. Minxhozi tregoi se Alia kishte “filtruar informacionin” duke lënë të kuptohej se kishte shkarkuar disa figura të Byrosë Politike dhe ishte gati të shpallte pluralizmin politik, një lëvizje që, sipas tij, shoi tensionin e saposhfaqur dhe shënoi kthesën vendimtare drejt pluralizmit në Shqipëri.

“Ishte një grup i papërgatitur, po objektiv në punë. Sot edhe 35 vite larg, edhe dokumentet sekrete nuk janë më sekrete. Duhet të thuhet diçka, sepse koha ka bërë të vetën. Ai grup që shkoi te Ramiz Alia ishte i papërgatitur për momentin e madh për të cilin po shkonte. Ishte moment historik. Ka një detaj mendoj unë, që në Tiranë u hap lajmi që Alija kishte filtruar si informacion, kishte shkarkuar disa anëtarë të Byrosë politike.

 Pjesën e tij e menaxhoi shumë me takt, sepse ne shkuam për të kërkuar pluralizëm politik. Dhe na tha dy gjëra: kam shkarkuar më shumë se gjysmën e figurave komuniste, dhe e dyta shpall pluralizmin politik. Me pak fjalë solli makinën e zjarrfikëses në një zjarr që sapo kishte filluar të ndizej. Pjesa tjetër e takimit mbeti praktikisht bosh, sepse objektivi ishte arritur dhe çfarë do të flisnim. Por, kur ka ardhur ai autobusi i famshëm për të na marrë, ishte ndjesia se gjërat kishin shkuar atje ku duhej. Por ajo frika, ishte shumë e vërtetë, sepse realisht shkoje drejt një të panjohure. Ushtarë çdo 20 metra, me kallashnikov, ishte një derë e madhe, ne hymë në ato sixhade, që për ne na dukej një pallat perandorak”, tha Minxhozi./abcnews.al

Mund të tallesh me kafen po jo me krizën

Nga Skënder Minxhozi

Mesazhi ishte i qartë. E bënte të qartë formati i “kafes”. Ishin ftuar të gjithë ata që kishin marrë më shumë vota në listat e hapura në 11 maj. Pra, fokusi ishte tek fenomene si Tabaku-Alimehmeti në qarkun e Tiranës, në antitezë të qartë me pjesët e mbyllura të listave, sektorin burokratik të grupit parlamentar të PD në Kuvend.

Organizatori Ervin Salianji ishte kujdesur t’i hidhte edhe benzinën përkatëse zjarrit mediatik që mori hov sapo takimi i mbajtur në një nga hotelet e Tiranës u bë i njohur për publikun. Diskutimet kishin prekur Kodin Zgjedhor, thirrjen e Këshillit Kombëtar të pambledhur prej kohësh që s’mbahen mend dhe në përgjithësi “kërkimi i një riorganizimi dhe riformimi të partisë, me qëllim forcimin e strukturave të saj, reformimin me qëllim fitoren dhe kthimin në qeverisje”, si deklaroi Aulon Kalaja, pjesëmarrës në kafenë fraksioniste.

Në kohën kur protestat tkurren në foltore dhe kur kandidatët e partisë në zgjedhje kombëtare zëvendësohen nga emra të panjohurish që doroviten nga palë të treta, ndodh që edhe një kafe mes njëzet a tridhjetë vetash kthehet me ose pa të drejtë në ngjarje për një parti politike. Dhe jo një parti nga këto që kanë një furgon vota e militantë, por një forcë politike që ka qeverisur Shqipërinë në rreth 40% të tranzicionit postkomunist.

Në kushtet ku ndodhet sot PD nuk ka gjë më normale që diçka e tillë të ndodhë, madje edhe në një mjedis ku prej 34 vitesh kriteri i vetëm i egzistencës ka qenë besnikëria ndaj kryetarit. Mesa duket, si çdo gjë që e ka një fund, edhe urtësia e demokratëve përballë humbjeve kilometrike elektorale që nga viti 2013, mund ta ketë një fund. Dhe ky fund duket se po merr më në fund trajta të shqueshme pas humbjeve turpëruese të këij viti kalendarik, secila më e ububushme se tjetra në natyrën edhe pigmentin e vet.

Partia Demokratike nuk e ka bërë ende analizën e humbjes së zgjedhjeve parlamentare të 11 majit, megjithëse praktikisht ndodhemi në dhjetor. Sali Berisha ja arriti ta ruajë postin e kreut të partisë duke shpikur, sipas mjeshtrisë së vjetër, një diversiv. Ishte farsë tha Doktori dhe kaq mjaftoi që asgjë të mos ndryshojë në PD. Madje të mos hidhet as edhe një fjalë sa për të thënë rreth zgjedhjeve.

Kafeja kinse klandestine e Ervin Salianjit me një grup zyrtarësh të partisë është një gjest në dukje i ndrojtur e i pafajshëm. Dhe mbi të gjitha i padëmshëm. Mund të rezultojë fare mirë kështu, sepse historia e PD është e gjitha e mbushur me premisa fraksionesh, tentativa skizmash apo ëndrra të pavarurish. Që të gjithë të hedhur në kosh nga vullneti shtypës i kryetarit historik.

Gjendja ku vegjeton sot kjo parti dikur e madhe është më së paku depresive. Në fakt është një prelud shpërbërjeje të pakthyeshme, një tretje në ujë nga qëndrimi i stërzgjatur në opozitë, si rezultat i dëshirës maniakale të Sali Berishës për ta lidhur partinë pas qerres së fatit të vet. Këta 30 burra që guxuan të pinë kafe pa marrë lejen e Doktorit morën vërtet shpërfilljen e tij (takimet në kafe s’ja vlejnë të komentohen, tha Berisha), por nuk duhet harruar se PD ndodhet në një situatë kur edhe ajo zonja e Kamzës që u sherros me Flamur Nokën dhemb nëse largohet nga strukturat në bazë.

Megjithatë kafja mbetet kafe dhe me të nuk bën dot as gosti dhe as dasëm. Salianji, Alimehmeti dhe Aulon Kalaja kanë dhënë sinjale se nuk janë dakord me statu quonë e serialit të humbjeve të pafundme, por kjo është shumë pak në një seli ku ja kanë harruar shijen dhe ngjyrën fitores. Tani ata mund të mos i ngjajnë fraksionistëve të dikurshëm brenda PD sepse as kafja e tyre nuk ngjan fare me bodrumin e Gramoz Pashkos prej nga dolën mocionistët 30 vjet më parë. Por gjesti simbolik i tyre është padyshim një ndër indikatorët se dominimi i Berishës mbi partinë është një gjendje e thatë dhe mekanike që PD vazhdon ta zbatojë si një inerci e së shkuarës, e jo si vizion i së ardhmes.

Me ose pa Salianjin, me ose pa ata që pranuan të pinë një kafe me të për të hedhur në tryezë disa teza politike, kjo gjendje është aty dhe i ngjan një morti politik në konsumim e sipër. Shpotia e Doktorit për tryezën e kafes fraksioniste nuk e fsheh aspak shqetësimin se Berisha aktual është një politikan pa projekt, por vetëm me dëshirën obsesive për të ecur përpara edhe pa votues, edhe pa ushtarë, edhe pa gjeneralë, madje edhe pa ushtri fare. Dhe këtë rrënojë politike dikur sfiduese për të majtën, nuk ka ironi kafesh që e mbulon. Salianji e të tjerët mund të jenë vërtetë duke bërë një vrimë në ujë, Berisha mund të vijojë i pashqetësuar ta mbajë PD nën thundër edhe për shumë kohë akoma, por kriza mbetet aty. E madhe, e palëvizshme, e pakthyeshme.

The post Mund të tallesh me kafen po jo me krizën first appeared on JavaNews.al.

Balluku, shkon në Kushtetuese padia e qeverisë/ Minxhozi: Qeveria kërkon të ruhet pavarësia e drejtësisë

Këtë të premte qeveria dërgoi në Kushtetuese ankimimin për pezullimin e zëvendëskryeministres Belinda Balluku.

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në “News Hour” në ABC News u shpreh se është krijuar një situatë ‘atipike’, ndërsa shtoi se qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e drejtësisë.

Gjatë intervistës, Minxhozi theksoi se panorama që parashtroi kryeministri Rama për këtë situatë ‘ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet’.

“Është një situatë atipike edhe kjo e sotmja. Nga njëra anë SPAK që thotë se pezullimi vjen si pasojë e një procesi hetimor ndaj saj. Ndërsa Rama sot parashtroi atë që mendonte për rastin Balluku dhe besoj e bëri në një ambient kuptimplotë në Samitin me Komisioneren e Zgjerimit. Pra nga njëra anë drejtësia pretendon të vijojë hetimet dhe të marrë masa dhe në anën tjetër qeveria kërkon që të ruhet pavarësia e saj. Panorama që ndërton Rama ka sens në funksion të ushtrimit të qeverisje nga ana e mazhorancës që ka fituar zgjedhjet. Ai thotë se nëse krijohen situata të tilla i bie që qeveritë mjafton vendime gjykatash që t’ju presin krahët këtyre lloj pushtetesh që me thënë të drejtën janë me rëndësi se burojnë nga një votim popullor. Ndodhemi në kushte kur zonja Balluku ka vendosur të ndjekë rrugën juridike dhe të përfaqësimit politik dhe kjo nuk do të thotë se nga ana e pushteteve të tjera të ketë një lexim të kujdesshëm të situatës. Pasi janë si të thuash situata të reja dhe nuk mendoj se ka një derë më të mirë se Kushtetuesja për të zgjidhur këtë ngërç. Pra them se fakti që qeveria kërkon që duke çuar rastin Balluku në Kushtetuese të interpretojë një situatë që në fakt është një ngërç kushtetues me një pushtet tjetër mendoj që është një lëvizje e duhur. Pra ndodhemi në tryezën e duhur dhe natyrisht afatet e Kushtetueses janë ato që janë, por mendoj që lëvizja e Ramës për të mos e dubluar Ballukun me një zëvendëskryeministër tjetër, ka të bëjë edhe me presionin që qeveria kërkon të vendosë edhe mbi Kushtetuese”, tha ai.

Më tej Minxhozi tha se qëndrimi i Marta Kos ishte një qëndrim i ekuilibruar, duke shtuar se Komisionerja për Zgjerim gjithashtu nënvizoi edhe suksesin që Shqipëria ka arritur duke ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur.

“Në fakt qëndrimi i Kos është një qëndrim i ekuilibruar dhe nënvizon suksesin që Shqipëria ka arritur dukë ndërtuar një sistem drejtësie të pavarur dhe shton në fund se ky sistem ku jetojmë sot ndërtohet mbi të drejta dhe liri të individit”, tha mes të tjerash ai.

/abcnews.al/

“Procedura vlen edhe për SPAK”/ Minxhozi: Ky super pushtet i drejtësisë së re në funksion të gjyqit popullor, nuk duhet ‘mbi-duartrokitur’

Analisti Skënder Minxhozi, në një intervistë në emisionin “Real Story” në ABC News tha se personi i hetuar duhet të ketë të drejta dhe t’i respektohen.

Minxhozi nënvizoi se është shumë e rëndësishme të respektohet procedura, kjo shtoi ai vlen edhe për SPAK.

“Në këtë rast kur ndodhemi përballë hetimesh dhe kanë një rezonancë publike të jashtëzakonshme…natyrisht duhet të kemi parasysh atë që duhet diskriminim pozitiv në fushën e të drejtave të standardit. Pra personi i hetuar të ketë të drejta që t’i respektohen. Duhet të respektohet procedura dhe shteti të vijë në procedurë. Në këtë pikë ku ndodhemi , para se të hyjmë në Evropë si shtet, ne duhet të hyjmë në procedurë. Kjo vlen për pushtetin qendror dhe pushtetin vendor, dhe me hyrjen në procedurë, nënkuptoj respektimin e të gjitha ligjeve, si edhe të kreut të shtetit, të institucioneve të tjera të pavarura… Ky super pushtet i drejtësisë së re sot në funksion të gjyqit popullor është diçka që duhet duartrokitur, por jo mbi-duartrokitur kur nuk është zhvilluar ende hallka e fundit. Pra nëse duam të hyjnë në Evropë duhet të jemi Evropë, para se të hyjmë në BE duhet të hyjmë pak në procedurë”, tha Minxhozi.

/abcnews.al/

 

Masat e sigurisë së GJKKO/ Kalaja: SPAK me dy standarde, Veliaj në burg… Meçe: Ka 13 akuza penale

GJKKO caktoi këtë të enjte dy masa sigurie, për kreun 2 të qeverisë Belinda Balluku. Kanidati i PD Aulon Kalaja i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News tha se SPAK është duke hetuar me dy standarde. Ai krahasoi veprimet e organit të drejtësisë me dosjen e Erion Veliajt dhe atë të Belinda Ballukut.

Aulon Kalaja: Po të shikosh standardin që SPAK ka përdorur ndaj Veliajt dhe Ballukun, për Veliajn ka zgjedhur burg dhe për Belinda Ballukun pezullim nga detyra. Ligji në këtë rast e pezullon për një mënyrë të shkurtër, 2-3 muaj si zëvendëskryeministre. Ka dy standarde. Unë gjykoj që masa e sigurisë ishte domosdoshmëri, pasi ka pushtet dhe në çdo moment mund të ketë aftësi të prishë provat. Natyrës së zëvendëskryeministres ka dy rreziqe, ka për të prishur provat, një rrezik për kryer një vepër penale adekuate ose më të madhe.

Nga ana tjetër analistët Skënder Minxhozi dhe Arben Meçen thanë se Veliaj mbahet në burg, pasi mbi të rëndojnë 13 akuza penale, dhe akuzohet për korrupsion me vlerë 90 mijë euro.

Skënder Minxhozi: Veliajt i janë mbyllur të gjitha tapat e hetimit dhe nuk e ushtron dot detyrën as për të ardhur në Këshillin Bashkiak. Çfarë standardi është ky?!

Arben Meçe: Veliaj ka 13 akuza. Ne e kemi penalizuar Erion Veliaj, 90 mijë euro që akuzohet Veliaj.

Të gjithë e dinë që Spak ka thirrur Berishën, përveç Berishës!

Nga Skënder Minxhozi

Novela e famshme e Gabriel Garcia Markezit “Kronikë e një vdekjeje të paralajmëruar” është bërë e tillë, pra e famshme, pasi e gjithë fabula e saj ndërtohet mbi një absurd. I gjithë fshati e dinte se personazhi kryesor Santiago Nasari do të vritej, përveç vetë viktimës. Kjo mosdije mban gjallë lexuesin nga fillimi deri në fund.

I zhvendosur në ngjarjet e këtyre orëve në Shqipëri, realizmi magjik i Markezit i shkon fare mirë asaj që po ndodh mes Sali Berishën dhe SPAK. Fatmirësisht askush nuk po kërkon ta vrasë Doktorin, por thjesht t’i bëjë të ditur se duhet të para

qitet për një dëshmi në prokurori. Por në një sjellje që ka brenda mungesë totale serioziteti Berisha deklaron se po digjet nga dëshira për të dalë para prokurorëve për 21 janarin, por shton se këta s’e kanë njoftuar!

Nga ana e tij SPAK ka bërë të qartë se e ka njoftuar Berishën në disa adresa njëherësh, në parti, në banesën private dhe në parlament. Asnjëri nga demarshet nuk ka rezultuar i frytshëm. Çuditërisht të gjithë e morën vesh që Spak kërkonte Berishën me fletëthirrje në dorë, po vetëm ky i fundit kërkon të bindë mijëra shqiptarët që e shohin në televizor e media se ai ende nuk di gjë për kërkesën e prokurorëve të posaçëm.

Kjo që ndodh me 21 janarin i ngjan një tjetër dosjeje të vjetër në kohë, shumë kilometra larg Shqipërisë. Një krim i një natyre tjetër, që po tentohet të mbulohet. Është në fakt e njëjta situatë absurde. Këto orë presidenti amerikan Donald Trump po përpiqet të shtyjë anëtarët republikanë të Kongresit që të shmangin hapjen e dosjes së famshme Epstein, në të cilën ndodhen mbi 23 mijë emaile të miliarderit hebre të vetëvrarë Xhefri Epstein, ku Trump shfaqet si frekuentues i ambjenteve ku trafikoheshin vajza minorene dhe prostituta gjithfarësh.

Megjithëse një pjesë e madhe e opinionit publik amerikan e ka të qartë lidhjen e Trump me Epstein, kreu i Shtëpisë së Bardhë, ashtu si ish-kryeministri shqiptar në Tiranë me 21 janarin, bën të paditurin, përbetohet se është i pafajshëm dhe se nuk ka asnjë lidhje me ato që përfliten.

Për t’u kthyer në Shqipëri, katërmbëdhjetë vjet më parë shteti vrau njerëz të pafajshëm dhe të paarmatosur në dyert e zyrave të tij. Dihet kush i vrau, dihet si u vranë. Është shumë vonë sot për të vendosur drejtësi për ata që humbën jetën e u plagosën nga plumbat e shtetit, por nuk duhet humbur asnjë mundësi sado e vogël për ta vendosur atë edhe sot pas 14 vitesh.

Sali Berisha thotë se ka kërkuar hetime qysh në orët e para pas masakrës në bulevard. Ai thotë se protestuesit i solli Edi Rama tek kryeministria “mish për top”, siç deklaroi vetë. Të paktën e pranon që protestën e opozitës e ka pritur me top! Përtej batutës, nëse Doktori është kaq i sigurt se s’ka bërë asgjë të keqe atë ditë, le të shkojë e të dëshmojë ato që di rreth asaj ndodhie të përgjakur. Le të provojë e të mohojë se i pengoi hetimet dhe ndali fletë-arrestet për gardistët e akuzuar për vrasje. Le të shpjegojë përse mallkoi presidentin e kryeprokuroren me fjalët më të ulëta vetëm për të trembur hetimet.

Le të provojë më pas t’i gjejë një shpjegim faktit flagrant dhe tejet skandaloz të fshirjes së serverave të Kryeministrisë nga të gjitha pamjet e 21 janarit, natën pas tragjedisë. Le të provojë të shpjegojë sesi ndërtoi një teoremë grushti shteti, të cilën nuk arriti ta vërtetojë dot as me ajkën e jurisprudencës së partisë së tij gjatë dy viteve hetime të komisionit të posaçëm parlamentar që ngriti me piskamë dhe urgjencë kur gjaku në bulevard nuk ishte tharë ende. Le të shpjegojë përse ky komision hetimor është i vetmi këto 34 vite që nuk ka prodhuar një raport final, pas dy vitesh punë për të gjetur fajtorët dhe provuar grushtin e shtetit!

Berisha ka rastin që të gjitha këto njolla të errëta t’i heqë nga vetja dhe t’ja faturojë mbi shpinë Edi Ramës, nëse vërtetë është ashtu siç ka pretenduar këto 14 vjet nëpër media e konferenca shtypi. Të shkojë e t’i provojë në të vetmin vend ku këto nuk quhen justifikime, propogandë politike apo fjalë pazari, por dëshmi zyrtare e marrë nga drejtësia shqiptare. Të pastrojë emrin e tij nga 21 janari dhe të bëjë pis atë të kundërshtarit, prandaj të shkojë një orë e më parë e të mos luajë me fletëthirrjet.

E ka kot që fshihet si në kohët kur Lulzim Basha, për t’i bërë bisht gjyqit për Rrugën e Kombit, njoftonte gjyqtarët se ndodhej herë në SHBA, herë në Bruksel e herë në Argjentinë. Sepse “askush nuk është aq i pasur sa të blejë të shkuarën e vet”, thotë diku Oscar Wilde.

21 janari është një vdekje ende e pakryer në ritin e saj, një tragjedi e pashpaguar me drejtësi, një gjakderdhje që kërkon arsye dhe autor. Dhe paqe padyshim. Prandaj edhe pas 14 viteve ajo kthehet e rikthehet në skenë, jo si një diversiv për të mbuluar të tjera ngjarje, por si një piketë tragjike e tranzicionit shqiptar, sqarimi i të cilës vazhdon të jetë imperativ i drejtësisë. Edhe i kësaj të resë, që u soll me 21 janarin me përtesë dhe pasivitet, derisa e detyruan të hapte letrat e të niste punën.

 

Humbja historike e PD/ Minxhozi: Partitë e reja po kaq humbëse sa Berisha. Leka: Dështim i madh i opozitës

Rezultatet e zgjedhjeve të pjesshme lokale në pesë bashki të vendit Mat, Vlorë, Berat, Cërrik dhe Tepelenë ku Partia Socialiste siguroi fitore në të pesta, kanë sjellë reagime dhe analiza të shumta në arenën politike. Në emisionin “Real Story” në ABC News, analisti Skënder Minxhozi dhe gazetari Martin Leka komentuan mbi domethënien politike të këtyre rezultateve, duke i konsideruar ato si një humbje të thellë për opozitën dhe veçanërisht për Partinë Demokratike të drejtuar nga Sali Berisha.

Minxhozi e cilësoi rezultatin si “një humbje të madhe” për Berishën dhe për partitë e reja opozitare, të cilat sipas tij “nuk duhet të ndihen mirë me këtë nivel mbështetjeje”, ndërsa Leka theksoi se partitë e vogla janë në bashkëfajësi me opozitën, pasi kanë mbështetur kandidatët e PD-së, duke shtuar se diferenca e madhe në vota nuk tregon thjesht një dështim elektoral, por krizën më të madhe të vetë PD-së dhe lidershipit të saj.

Skënder Minxhozi: Unë mendoj se është një humbje e madhe e Berishës dhe u bë e disata në fushatë elektorale, por që ka brenda edhe një element të fshehur, që unë e besoj. Nuk e di nëse ka qenë lojë, apo ka qenë e qëllimshme, por unë dot që edhe partitë e reja opozitare po kaq humbëse sa Berisha, në këtë rast. Sepse ata eksperimentuar. Nëse futim Tiranën në këtë logjikë që nuk pati zgjedhje, por edhe atje pati një fillim fushate edhe atje pati një hapje krahu nga një figurë që vinte nga arti, kishte të gjitha lidhjet e besueshme me PD, kishin dhe dy parti të tjera, Lapajn dhe Shehajn. Unë them që nëse s’ka qenë një lojë edhe për partitë e reja se çfarë duhet të bëjnë. Unë mendoj që edhe ato nuk duhet të ndjehen shumë mirë me këtë nivel. PD është kryesorja.

Martin Leka: Partitë e vogla, përjashto partinë e Qorit janë në bashkëfajësi me opozitën dhe PD, sepse kanë mbështetur kandidatët e PD. Kjo tregon që janë të dominuara nga pjesa më e dobët e PD, si partia kryesore. Po ta analizojmë më tej, unë mendoj që ka plot shkaqe, që unë nuk do e quaja si dështim të politikës, por si dështimin më të madh të PD-së dhe kryetarit të saj, Sali Berisha, më pas të partive të vogla. Është e frikshme sepse në këto bashki diferenca nuk bëhet në përqindje, por në 55%, në Tepelenë në favor të partisë fituese, më pas në Berat e Vlorë. Kur del Berisha dhe thotë që këto ishin farsë…Imagjinoni se çfarë impenjimi sjell PD në zgjedhje, e cila vazhdon me avazin se është farsë./abcnews.al

PS fitoi në 5 bashki/ Minxhozi: Dihej fituesi dhe humbësi! Zgjedhjet të dominuara nga saga juridike e Tiranës

Të dielën, më 9 nëntor, në vend u mbajtën zgjedhjet e pjesshme lokale në pesë bashki: Mat, Berat, Cërrik, Tepelenë dhe Vlorë, ku Partia Socialiste arriti fitore në të gjitha garat. Megjithatë, procesi u karakterizua nga një pjesëmarrje shumë e ulët e votuesve dhe mungesë gare të mirëfilltë politike.

Sipas analistit Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Real Story” në ABC News, këto zgjedhje ishin më shumë një procedurë burokratike sesa një garë elektorale reale, pasi fituesi dhe humbësi njiheshin paraprakisht.

Ai vlerësoi se rezultati reflekton lodhjen e qytetarëve ndaj politikës dhe shkëputjen në rritje të elektoratit nga proceset zgjedhore, ndërsa fushata u zbeh nga debati juridik dhe politik për zgjedhjet në Tiranë.

“Vazhdoj të mendoj se në një palë zgjedhje, ashtu edhe në shprehjen e famshme të tangos, për të kërcyer duhen dy veta. Mendoj që nëse Sparta qan, Athina nuk qesh, që do të thotë se pjesëmarrja është e ulët dhe është e ulët përgjithësisht. Që do të thotë se alibitë dhe shkaqet, justifikohet janë. Ishin zgjedhje për rreth një vit e gjysmë mandat të mbetur, pa këshilla. Ishin zgjedhje që zhvilloheshin gjithashtu në klimën kur dihej fituesi, dihej dhe humbësi. Ishte një procedurë burokratike.

 Mendoj që edhe përmasat e fitores vlejnë deri diku që të realizohen. Sa i takon përshtypjes që të jepnin, të ngjallnin të njëjtin emocion që të ngjall siguracioni i rinovimit të makinës, pra ishte si një ditë votimi. Nuk kishte votim praktikisht. Për ta vënë në kontekst ishte 334 mijë votues në pesë bashki, nga të cilët votuan më pak se 60 mijë. Ndërkohë që Tirana në 2023-in ka pasur në listë 699 mijë votues, pra kanë qenë zgjedhje që u kryhen se duheshin kryer.

Vihet re mes rreshtash që ka një lodhje ndaj politikës, ka një shkëputje të qytetarit ndaj politikës. Këto ishin zgjedhje që edhe për shkak të sherrit procedural të Tiranës, kandidatët të të gjitha krahëve nuk patën fare pothuajse hapësirë për të shpalosur sado pak programin e tyre dhe për të bërë sado pak fushatë. Ka qenë e dominuar nga saga juridike, politike dhe kushtetuese e Tiranës, dhe kjo e dëmtoi disi pjesëmarrjen, hutoi votuesin dhe humbi rëndësinë e bashkive të tjera në garë”, tha Minxhozi./abcnews.al

Gara për Vlorën/ Minxhozi: Qeveria garon me vetveten. Dorëheqja e Leskajt? Dëmton PD, sinjal i fuqishëm politik

Në maratonën zgjedhore, për zgjedhjet e pjesshme vendore në 5 bashki të vendit, analisti Skënder Minxhozi komentoi edhe dorëheqjen e Bujar Leskaj vetëm 6 ditë para procesit zgjedhor.
Minxhozi tha se dorëheqja është një mesazh për kreun e PD, dhe jo një sobotazh për garën e Vlorës.

“Dredha largohet ndërsa Leskaj është një ngjarje politike, lidhet me një analizë të pakryer rreth asaj që ndodhi në 11 maj. Është një gjest i fortë i një politikani me përvojë si Leskaj, e djathta merr një goditje nga një person me impakt të caktuar në terren dhe jo të vogël. Pra, në Vlorë qeveria garon me vetveten më shumë risk shoh ndoshta konsumin e qeverisë në pushtet të së majtës, se sa e djathta.

Veprimi i Leskajt vjen më shumë si reagim i selisë qendrore, ka qenë drejtues zyrtar i lartë i shtetit. Ka qenë një mesazh për Berishën, nuk u larguar për të sabotuar garën e Vlorës. Kishte kohë që jepte sinjale se dicka nuk shkon mirë në PD.

Është një gjeneratë në PD që është e ndarë në dy grupime, një pjesë fanatikë të verbër që shkojnë pas Berishës, një pjesë që kërkon analizë cfarë nuk shkoi mirë. Largimi i Leskajt dëmton PD në e Vlorës por është sinjal i fuqishëm politik edhe për PD kombëtare,” -u shpreh Minxhozi./abcnews.al

Balotazh në Kosovë/ Nura: Prishtina, fillimi i fundit të Kurtit/ Minxhozi: Kurti izoloi Kosovën, po luan me të ardhmen

Në Kosovë po zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve lokale, ku qytetarët në 18 komuna pritet të zgjedhin kryetarët e rinj. Këto zgjedhje po mbahen në një klimë të ngarkuar politike dhe shihen si një test i rëndësishëm për forcën e lëvizjes Vetëvendosje dhe kryeministrit Albin Kurti.

Analistët politikë Artur Nura dhe Skënder Minxhozi vlerësojnë se rezultati i këtyre zgjedhjeve mund të shënojë një pikë kthese për Kurtin. Sipas Nurës, Prishtina mund të jetë “fillimi i fundit” për kryeministrin, të cilin e cilëson si një lider populist dhe të papjekur, ndërsa Minxhozi thekson se rënia e mbështetjes për Vetëvendosjen tregon për izolimin politik të Kosovës dhe për ndikimin e humbur të faktorit ndërkombëtar.

Artur Nura: Prishtina është fillimi i fundit të Albin Kurtit. Kurti është një politikan populist, e cila rrezikon stabilitetin. Ai është një lider arrogant dhe i papjekur.

Skënder Minxhozi: Këtu ka shumë faktorë për të gjykuar rreth fundit. Kurti natën që fitoi zgjedhjet i quajti hajvanë kundërshtarët e tij politike. Në këto kushte krize, ku Kosova po lufton për të krijuar qeverinë, zgjedhjet lokale po marrin më shumë peshë. Gara që tregojnë gjithmonë diçka. Kemi një rënie të Vetëvendosjes dhe Albin Kurtit. Kurti ia doli që të izolojë Kosovën. Sot Kurtin e gjejmë me dyer të mbyllura në Europë, Britani dhe SHBA. Këtu lidhet me gjithçka që Kosova ndjehet e shkëputur. Nuk po luhet vetëm një lojë politike, por edhe e ardhmja e Kosovës. I kanë hequr faktorin kryesor, që e bënë për të atë që është sot, faktorin ndërkombëtar. Zgjedhjet e sotme influencohen nga situatë e mbarsur. Kanë një vlerë shumë konkrete./abcnews.al

“Europianët janë optimistë”/ Minxhozi: Berisha s’po e përtyp dot faktin që Shqipëria po bëhet gati të hapë grupkapitullin për BE

Analisti politik Skënder Minxhozi, i ftuar në emisionin “Neës Line” në ABC Neës, ka komentuar zhvillimet politike në prag të zgjedhjeve të së dielës, duke theksuar se nuk pret surpriza apo ngjarje të veçanta në këtë proces.

Sipas tij, rezultati pritet të sjellë vetëm një rikonfirmim të votave për Partinë Socialiste, ndërsa zgjedhjet do të shërbejnë kryesisht për plotësimin e disa pozicioneve të mbetura bosh. Minxhozi u shpreh gjithashtu se reagimi i ish-kryeministrit Sali Berisha nuk lidhet me çështjen e barazisë gjinore, por me pakënaqësinë ndaj procesit të integrimit europian, në një kohë kur Brukseli po shfaq optimizëm për hapjen e grupkapitujve me Shqipërinë.

“Nuk shikoj ngjarje ditën e diel. Shikoj vetëm një rikonfirmim të votave të Partisë Socialiste. Nuk pres surpriza. Ju si gazetarë e keni prezent faktin që i vetmja gjë që bëri lajm ishte Tirana. Përtej bashkisë Tiranë nuk është se kishte ngjarje. Janë zgjedhje personash, jo zgjedhjesh ekipesh. Do të ndryshohen vetëm disa persona në zyrat që kishin ngelur bosh. Do kapin zgjedhjet.

Unë nuk mendoj se goditja e Berishës kishte të bënte me barazinë gjinore. Unë po e shikoj që Berisha s’po e përtyp dot faktin që Shqipëria po bëhet gati të hapë grupkapitullin për BE. Europianët janë shumë optimistë për këtë gjë, sa po na habisin edhe ne shqiptarët. Po reflekton mllefin që ka me Bashkimin Europian, këtë e reflektoi edhe në Kuvend. Lëvizja e barazisë gjinore nuk është një lëvizje fort e mençur, por mbetet për t’u theksuar se ata po shfrytëzojnë mundësinë”, tha Skënder Minxhozi.

❌