Asnjë lidhje mes radarit “top golfi” dhe sistemit HAARP
Pretendimi: Kjo video tregon një teknologji HAARP që mund të shkaktojë tërmete me intensitet të lartë
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një “teknologji HAARP” që “mund të shkaktojë tërmete me intensitet të lartë.”

Si zakonisht, për të mbështetur këtë pretendim të jashtëzakonshëm nuk sillet asnjë provë, burim apo referencë.
Me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video origjinale është botuar në Youtube më 24 mars 2023.

Megjithatë, as në titull, as në përshkrimin e videos nuk përmendet HAARP apo tërmete intensive.
Sipas përshkrimit të videos, ajo tregon “Radarin me Bazë Detare X-Band (SBX-1), një stacion radari paralajmërues i hershëm lundrues, vetëlëvizës, i lëvizshëm dhe me skanim elektronik aktiv, që po largohet nga Pearl Harbor duke u tërhequr më 23 Mars 2023.”
Radari SBX-1 u zhvillua si pjesë e Sistemit të Mbrojtjes nga Raketat Balistike të Agjencisë së Mbrojtjes nga Raketat të Departamentit të Mbrojtjes së Shteteve të Bashkuara (MDA). Zyrtarisht ai është i bazuar në Ishullin Adak në Alaska, por ka kaluar kohë të konsiderueshme në baën ushtarake Pearl Harbor në status prove.
Sipas MDA, SBX-1 është radari i lëvizshëm më i madh dhe më i fuqishëm në botë i këtij lloji.
Më 2 mars 2023, MDA organizoi një tur të SBX-1 në Hawaii. Mediave vendase iu dha mundësia të vizitonin SBX-1, i njohur nga vendasit si “topi gjigant i golfit.”
Profesore Helene Galiegue nga Shkolla Kombëtare e Aviacionit Civil francez tha për AFP se radarët X-band përdoren zakonisht nga ushtria, aviacioni civil, shërbimet meteorologjike dhe misionet hapësinore.
Ajo shpjegoi gjithashtu se radarët nuk mund të shkaktojnë ndryshime në klimë apo në mot. “Valët elektromagnetike në këto frekuenca nuk ndryshojnë strukturën e grimcave të shiut apo reve, dhe atmosfera është plotësisht transparente ndaj valëve të frekuencave të larta. Nga ana tjetër, radarët me brez X përdoren nga meteorologët për të zbuluar dhe hartuar grimcat e shiut në distanca shumë të gjata,” tha Galiegue.
Maria Sabrina Greco, profesore në Universitetin e Pizës konfirmoi për AFP se “nuk ka radarë të aftë për të shkaktuar ndryshime klimaterike ose manipulime të motit.”
Projekti studimor shkencor amerikan i quajtur HAARP shfaqet shpesh në narrativat konspiracioniste si një veprimtari djallëzore që përfshin shkaktimin e tërmeteve, uraganëve, përmbytjeve, thatësirave, stuhive, ndërprerjeve të energjisë, rrëzimit të avionëve apo sëmundjeve.
HAARP është një projekt i përbashkët i Forcave Ajrore Amerikane dhe Marinës Amerikane i kijuar në vitin 1993, i cili i ka kaluar më vonë Universitetit të Alaskës Fairbanks (UAF) në vitin 2015.
Karakteristika e tij kryesore është një transmetues me frekuencë të lartë që përdoret për të studiuar jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. Duke analizuar se si valët e radios ndërveprojnë me elektronet në jonosferë, studiuesit në HAARP janë në gjendje të studiojnë fenomene, të tilla si efektet e aurora borealis, ose dritat veriore, në sistemet radio dhe komunikimet e avionëve në lartësi të mëdha.
HAARP ka si objekt studimi dhe eksperimentimi jonosferën, pjesë e atmosferës së sipërme të tokës. HAARP nuk ka si të ndikojë në tërmete.
Që në krijimin e tij, HAARP ka qenë në shënjestrën e teorive konspirative. Fakti që puna studimore që kryen HAARP nuk është lehtësisht e kuptueshme nga publiku i gjerë, bën që këtij projekti t’i vishen fuqi mbinatyrore. Në 2016, dy burra nga Georgia, ShBA, u arrestuan me një arsenal masiv armësh. Ata kishin në plan të shkatërronin HAARP sepse besonin se instituti kërkimor manipulonte motin, kontrollonte mendjet e njerëzve, madje edhe rrëmbente shpirtra.
Sipas shkrimtarit të shkencës, Mick West, “mënyra për të përgënjeshtruar teoritë konspirative rreth HAARP është të përpiqesh t’i shpjegosh njerëzve ekzaktësisht çfarë HAARP bën. Shpjegoi se është thjesht një radiotransmetues që është në një vend në Alaska dhe mund të ndikojë vetëm në një sasi të vogël ajri mbi të. Shpjegoji se fuqia e përdorur nga ky radiotransmetues është shumë shumë e vogël krahasuar me çfarë do të duhesh për të bërë disa nga gjërat që po pretendohen.”
Faktoje ka verifikuar dhe më parë pretendimin se radari SBX-1 është një pajisje e HAARP.
The post Asnjë lidhje mes radarit “top golfi” dhe sistemit HAARP appeared first on Faktoje.al.





















































