Saimir Korreshi: Po prishen provat dhe intimidohen dëshmitarët, zarfi i SPAK për Ballukun ishte i fshehtë, si e dinte Rama se çfarë kishte? Peleshi e hapi dhe USB-në…
Ditën e sotme, deputeti demokrat Saimir Korreshi, tha se drejtësia po sfidohet, ku Kuvendi dhe mazhoranca jo vetëm shtyjnë jashtë afateve ligjore dhe në mënyrë të paligjshme mbledhjen e Këshillit të Imuniteteve, por po tentojnë të mbrojnë zv/kryeministren Belinda Balluku, të akuzuar nga SPAK për abuzime me tenderët dhe me masë sigurie nga GJKKO, deri dhe pezullim nga detyra.
Ligjvënësi denoncoi se po prishen provat dhe po intimidohen dëshmitarët gjatë kësaj periudhe zvarritjeje proceduriale dhe politike nga ana e qeverisë dhe mazhorancës me dosjen e SPAK që është dërguar në Kuvend.
Gjithashtu, ai akuzoi edhe kryeparlamentarin Niko Peleshi si autor të zvarritjes dhe jo vetëm, duke ngritur dyshime të forta se mund ta ketë hapur zarfin me USB-në e Prokurorisë ku gjenden provat ndaj Ballukut dhe ato t’ia ketë dërguar kryeministrit Edi Rama.
“Po prishen provat dh po intimidohen dëshmitarët. Zarfi është hapur në Kuvend dhe USB është hapur nga kryeparlamentari Niko Peleshi, që më pas ia ka çuar shokut Rama, sepse ndryshe kryeministri nuk kishte se si ta dinte që brenda USB-së ishte e gjithë arkiva e Ministrisë së Brendshme. Shoku Rama ka zbuluar veten me këtë deklaratë dhe SPAK duhet ta verifikojë, sepse ndryshe nga e dinte. Ata thanë se USB ishte e fshehtë, por na rezulton se Peleshi do ia ketë dërguar Ramës. Kryeministri e dinte përmbajtjen e provave në dosje”, tha Korreshi për “News 24”.
Deputeti demokrat theksoi se provat e SPAK ndaj Ballukut, janë të qarta dhe e lidhin atë në afera korruptive dhe abuzime me fondet e buxhetit.
Korreshi iu referua përgjimeve, bisedave dhe dokumenteve që ndodhen në dosje, edhe pse ky material në USB çuditërisht nuk u është vënë në dispozicion nga Kuvendi, edhe pse SPAK dha leje.
“Ka prova që e lidhin Ballukun me gjërat e tjera dhe personat e tjerë, ka përgjime, ka biseda dhe komunikime mes njërit e tjetrit që gjykohen se janë prova. Sa të vlefshme janë mbetet për fazë tjetër, por ka prova që mund ta arrestojnë. Emri Ramës në dosje mbetet sekret hetimor, por deri tani ka dalë si “palloshi i gjatë”. Pjesë e dosjes janë komunikime e përgjime të Ballukut. Por duket se Rama ia ka futur Ballukut”, tha ai.
Në fund deputeti denoncoi mazhorancën se po sfidon hapur drejtësinë.
“Kjo është një sfidë e hapur ndaj drejtësisë”, nënvizoi deputeti.
Por si e komenton Korreshi shtyrjen e mbledhjes së Këshillit të Mandateve në Kuvend nga Peleshi për më 28 janar?
“Unë e mendoj një veprim prej frikacaku. Këta na kujtojnë se të gjithë deputetët e këtij Parlamenti janë punëtorë të Nikos. Niko është drejtori i ndërmarrjes që na ka marrë në punë e na jep rrogën dhe ne s’duhet të bëjmë asgjë, si të gdhihet Niko. E kanë kthyer Kuvendin në një lojë kungulleshkash. Ne provuam disa herë rrugën institucionale. Me kërkesë të gjysmës së Këshillit, duhet të mblidhet mbledhja. Dyerve të Kuvendit Niko i kishte vënë drynin dhe siç duket ishte duke ngrënë ende gjelin. Ata po luajnë me drejtësinë. SPAK kërkoi që të shqyrtohej si çështje për 3 ditë. SPAK kishte ndryshuara masën e sigurimit për Ballukun. Nuk ka ndodhur ndonjëherë, edhe pse avokati i palës, së zonjës Balluku, kërkoi 3 javë, afati kaloi. Afati mbaroi më 6 janar. Nuk kishte më kuptim që opozita të bënte prapë kërkesë, pasi administrata nuk i përgjigjej”, tha ai.
Dhe më pas sqaroi denoncimin ndaj Peleshit me kallëzim:
“Ne jemi detyruar që të drejtohemi për të bërë kallëzim penal ndaj Peleshit. Pasi kur kërkon gjysma mbledhjen e Këshillit, duhet të realizohet. Ne nuk mundet të mos t’i shkojmë gjerat deri në fund. Duhet të ndjekim rregullat ligjore, ndaj bëmë kallëzim. Zoti Niko, edhe pse duhej të ishte pushim, pasi do të priste vendimin e Kushtetueses, që s’ka lidhje me atë se ç’ka kërkohej, ia futi gjumit dhe e mori me ‘lente-lente’. Ai është koshient që është në kundërshtim flagrant me ligjin, duke trajtuar administratën sikur është e tija personale”, shprehet Korreshi.
The post Saimir Korreshi: Po prishen provat dhe intimidohen dëshmitarët, zarfi i SPAK për Ballukun ishte i fshehtë, si e dinte Rama se çfarë kishte? Peleshi e hapi dhe USB-në… appeared first on Albeu.com.



