TIRANË- U trumbetuan me zhurmë, por Partitë e Reja nuk po arrijnë ta thyejnë të vjetrit. Përkundrazi, nuk po arrijnë ta cenojnë hegjemoninë e tyre.
Referuar statistikave të bëra publike nga Kuvendi mbi pjesëmarrjen dhe votimin e deputetëve në seanca plenare, rezulton se Ana Dajko, deputetja e Shqipëria Bëhet, nuk ka votuar në 12 seanca plenare, Agron Shehaj në 11-të, Erald Kapri në 9-të dhe Redi Muçi në 6-të seanca që nga nisja e sesionit të ri parlamentar më 16 shtator.
Ndërkohë numri total i seancave të zhvilluara është 13. Praktikisht, deputetja e Shqipëria Bëhet ka qenë thuajse totalisht joaktive, ndërsa Agron Shehaj vetëm në video selfie.
E përbashkëta e tyre mbetet vota kundër dy partive të mëdha.
Në seancën e 27 tetorit, Shehaj, Kapri dhe Muçi bashkuan kartonët e kuq kundër ngritjes së dy komisioneve të posaçme parlamentare, atij për reformën zgjedhore dhe territoriale.
Asokohe, ato do e cilësonin ngritjen e tyre si një pazar për të vrarë partitë e reja, të cilët ngelën jashtë tryezës së dy komisioneve të posaçme. Ndërsa vota kundër e Dajkos u evidentua në seancën e 6 nëntorit, ku ngriti kartonin e kuq për projektligjin për “Barazinë Gjinore” dhe mosngritjen e komisionit hetimor për shkarkimin e Presidentit Begaj. Në të njëjtën seancë, edhe Kapri votoi kundër, ndërsa Shehaj e Muçi nuk ishin të pranishëm.
Endri Shabani u zgjodh Avokat i Popullit me 85 vota pro dhe 3 kundër me votim të fshehtë. Opozita nuk ishte në sallë në momentin e votimit, as Shehaj dhe Kapri. Dhe me gjasë, tre votat kundër i përkisnin Artan Lukut, Redi Muçit dhe Ana Dajkos. Së paku Dajko në këtë rast ka votuar, megjithëse këtu më shumë ka mbajtur qëndrim në krizën e brendshme të ish-aleancës Shabani-Lapaj.
Vota e deputetes së Shqipëria Bëhet ishte një akt besnikërie ndaj Adriatik Lapajt për tradhtinë e Endri Shabanit, edhe pse prej tradhtisë së këtij të fundit ajo po shijon detyrën më të lartë të jetës, deputetes, pa bërë asnjë punë në Parlament, aty ku ajo nuk ka folur akoma asnjëherë.
Më aktiv duket Muçi. Deputeti i Lëvizjes Bashkë është shfaqur shpesh në foltore për të folur mbi problematikat e qytetarëve, nga bonuset dhe pensionet, tek buxheti apo minatorët. Aktiv në foltore sa i përket diskutimeve për projektligjet kanë qenë dhe deputetët e Mundësisë, Kapri dhe Shehaj, ndonëse ky i fundit, jo në pak raste, ka zgjedhur të bëjë protagonistin, duke u përjashtuar disa herë edhe nga seancat plenare dhe duke mos kontribuar direkt me votën e tij.
Praktikisht, në Kuvend duhet të kishim katër deputetë të partive të reja, që duhet të kontribuonin ndryshe në opozicionin e ri në vend. Faktikisht, vota e tyre ka qenë e pavlerë, ndërsa me opozitën e vjetër i kanë bashkuar incidentet dhe përjashtimet nga salla e Kuvendit./abcnews.al