Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot online për qytetarët



Fjalori i madh i gjuhës shqipe, nga sot, online për përdoruesit.

Akademia e Shkencave e Shqipërisë, ka marrë vendim për hapjen e platformës online të Fjalorit të madh të gjuhës shqipe.

Sipas vendimit bëhet e ditur nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e Fjalorit

“Akademia e Shkencave e Shqipërisë ka vendosur: Të hapet për publikun faqja e platformës online të ‘Fjalorit të madh të gjuhës shqipe’, me domenin ‘fjalori.online’, duke ofruar qasje të lirë në të. Nga dita e hapjes, për një periudhë nëntëmujore mblidhen mendime, sugjerime e plotësime për përmirësimin e Fjalorit. Pas kësaj periudhe, Redaksia e Fjalorit dhe Koordinatori Teknik, brenda një afati tremujor, pasqyrojnë gjithë sugjerimet e mbledhura”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



PZAP refuzon katër ankesa, njëra e Haxhiut dhe tjetra e Nurës



Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar katër ankesa në lidhje me numërimin e votave për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të 28 dhjetorit.

Sipas një publikimi në faqen zyrtare të PZAP-së, bëhet e ditur se ky institucion i ka konsideruar tri ankesa si të pas-afatshme, ndërsa një ankesë, sipas tyre, është tërhequr.

Ankesa e Bekim Haxhiut është hedhur e pas-afatshme me të cilën ka kërkuar që të urdhërohet Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) që të anuloj të gjitha fletëvotimet e pranuara me postë pas datë 29.12.2025 dhe të përjashtoj nga numërimi të gjitha fletëvotimet të pranuara pas këtij afati përfshirë ato të pranuara me 02.01.2026 dhe 05.01.2026, për Zgjedhjet e Parakohshme për Kuvend të Republikës së Kosovës.

Po ashtu PZAP ka hedhur të palejuar ankesën e parashtruar nga kandidati për deputet nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Jakup Nura.

Nura nga PZAK kishte kishte kërkuar ëë të urdhërohet KQZ-ja që t’i numëroj të gjitha vendvotimet në Komunën e Skenderajt. /Telegrafi/

Pala e dëmtuar kërkon nga Apeli burgim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin, mbrojtja thotë se i akuzuari në kohën e vrasjeve ishte në burg



Në Gjykatën e Apelit të hënën me rastin e elabrimit të ankesës së mbrojtjes ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, me të cilin Millosh Pleskoviq u dënua me 15 vjet burgim për krime lufte në Prizren, pala e dëmtuar kërkoi burgim të përjetshmëm. Në anën tjetër, avokatja e të akuzuarit, Jovana Filipoviq tha se në kohën kur pretendohet të kenë ndodhë vrasjet për të cilat ngarkohet Pleskoviq, ai ishte në burg.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq gjatë vitit 1998-‘99 në Prizren në bashkëkryerje me një grup serbësh të armatosur kishin vrarë tre civilë shqiptarë dhe plagosur disa të tjerë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Fillimisht, gjyqtarja referuese, Albina Shabani-Rama njoftoi se ndaj vendimit të Themelores, ankesë ka parashtruar avokatja Filipoviq.

Ndërsa, përgjigje në ankesë, Shabani-Rama tha se ka parashtruar pala e dëmtuar, Prokuroria Speciale dhe ajo e Apelit, duke propozuar që vendimi Themelores të vërtetohet.

Përfaqësuesi i palës së dëmtuar, avokati Gent Gjini tha se Themelorja saktë ka vërtetuar faktet vendimtare, por se ndaj të akuzuarit duhet shqiptuar dënim maksimal prej 20 vitesh burgim.

Vetë e dëmtuara Mihrije Daçaj tha se i janë vrarë dy djemtë binjakë dhe se burgu prej 15 vitesh është pak. Ajo kërkoi burg të përjetshëm.

“Dy djemë m’u kanë vra, pak o 15 vjet burgim. Përjetshëm duhet”, tha Daçaj.

Kurse, avokatja Filipoviq kishte vërejtje në vendimin e Themelores dhe tha se Prokuroria i kishte hetimet tendencioze.

Sipas Filipoviq, shkalla e parë nuk mblodhi provat që si mbrojtje kishin propozuar të nxirreshin. Ajo shtoi se në kohë e kryerjes së veprimeve, Filipoviq ishte në burg dhe jo polic.

Gjithnje sipas avokates, nuk është arritur të dihet saktë vendi i kryerjes së veprës penale, pasi që dëshmitarët kanë përmend vend tjetër, aktakuza tjetër dhe vendimi Gjykatës vend tjetër të kryerjes së veprës penale.

Për dëshmitarin anonim, Filipoviq tha se deklaratën e dhënë nuk e kanë pasur në dispozicion, duke iu pamundësuar mbrojtje efektive.

Gjatë elaborimit të ankesës nga avokatja e të akuzuarit Pleskoviq, Jovana Filipoviq, reagoi pala e dëmtuar- Bashkim Kastrati, duke iu drejtuar asaj në gjuhën serbe.

Por, kryetari i kolegjit të Apelit, gjykatësi Mentor Bajraktari ia tërhoqi vërejtjen dhe kërkoi nga pala e dëmtuar të mos e përsëritë këtë veprim.

Në fund, gjykatësi Bajraktari tha se brenda afatit të arsyeshëm, palët do ta pranojnë vendimin.

Gjykata Themelore në Prishtinë më 31 korrik 2025, e ka dënuar me 15 vjet burgim Millosh Pleskoviqin, për krime lufte në Kosovë.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Speciale e ngritur më 7 qershor 2024, thuhet se Millosh Pleskoviq gjatë vitit 1998-’99 në Prizren, në bashkëkryerje me person tjerë, ka shkelur rregullat e së drejtës ndërkombëtare kundër personave civilë, duke kryer vrasjen e viktimave.

Sipas aktakuzës, Pleskoviq duke funksionuar si grup i armatosur me 7-8 persona të nacionalitetit serb, më 1 shtator 1998 në Prizren derisa ishin duke shkuar për në malin e tyre viktimat R.D., B.D., F.B., së bashku me të dëmtuarit Fevzi Cana, Xhenger Cana dhe Bashkim Kastrati, fillimisht janë ndalë papritmas nga grupi i armatosur serb, të cilët më pas janë fyer me fjalë serbe, e që në mesin e atij grupi të armatosur serb ishte parë edhe i akuzuari Pleskoviq.

Në një moment, sipas aktakuzës thuhet se Pleskoviq kishte filluar të gjuajë me armë të tipit “Kallashnikov”, ku nga të shtënat në vendin e ngjarjes kishin mbetur të vrarë R.D., B.D., dhe F.B., kurse të dëmtuarit Xhenger Cana, Fevzi Cana dhe Bashkim Kastrati kishin shpëtuar.

Tutje, në aktakuzë thuhet se familjarëve të të ndjerëve u ishte lejuar që t’i marrin trupat e tyre pas një jave nga vrasja, ku thuhet se trupat e R., dhe B.D., ishin vendosur mbi njëri-tjetrin, kurse njëri nga ta e kishte këmbën e prerë, ndërkaq viktima F., nuk e kishte kokën në trup.

Andaj, për këto veprime Pleskoviq ngarkohej për veprën penale “Krim i luftës kundër popullsisë civile” e sanksionuar me nenin 142 lidhur me nenin 22 të Ligjit Penal të ish-Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë si ligj në fuqi në kohë e kryerjes së veprës penale. /BetimipërDrejtësi/

Rasti i plagosjes në Pejë, policia shpall në kërkim tre të dyshuarit



Policia e Kosovës kërkon bashkëpunim me qytetarët për lokalizimin dhe rrjedhimisht arrestimin e tre të dyshuarve për plagosjen e një personi në Pejë.

Sipas një njoftimi për media Policia ka bërë të ditur edhe emrat dhe fotografitë e tyre: “Arian (Misin) Qelak i lindur me 20.06.1981 nё fsh. Maznik-Deçan. YLL (Arian) Qelaj i lindur me 29.07.2003 nё fsh. Maznik-Deçan. Altin ( Rifat) Qelaj i lindur me 01.10.2005 nё fsh. Maznik-Deçan”.

Tutje në njoftim thuhet se tё pandehurit kërkohen për veprën penale: Vrasje e mbetur në tentativë

Policia e Kosovës kërkon nga qytetarët e Republikës së Kosovës që kushdo që ka informacion për vendndodhjen e personave të dyshuar në fotot e bashkangjitura, të lajmërojë Policinë e Kosovës apo të lajmërohet në stacionin më të afërt policor. /Telegrafi/



Plagosja në Pejë, kryeprokurorja thotë se ende nuk dihet motivi i rastit - tre të dyshuarit në arrati



Kryeprokurorja e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj ka folur për rastin e plagosjes së një personi mëngjesin e së dielës në një lokal në Pejë.

Sipas saj, të dyshuarit janë identifikuar, mirëpo ende policia nuk ka arritur që të bëj arrestimin e tyre.

Vuçetaj tha se për ende nuk dihet motivi i këtij rasti.

“Janë siguruar pothuajse të gjitha provat dhe janë duke punuar në këtë drejtim. Në saje të mirë koordinimit me Policinë e Kosovës janë identifikuar tre persona, ku është arritur të dihet identiteti i tyre si dhe vendbanimi. Për shkak të rastit të ndjeshëm dhe për pasi viktima është duke u trajtuar në QKUK ende nuk kemi arritur që të dihet motivi i shkaktimit të këtij rasti, mirëpo jemi në punë të mbarë dhe shumë shpejt do të dalim me informacionin mbi arrestimin e të njëjtëve”, ka thënë kryeprokurorja e Pejës.

Ndryshe, sot Policia e Kosovës ka thënë se një person brenda një lokali është plagosur me armë zjarri e më pas është goditur me mjet të fortë.

Nëna e binjakëve që iu vranë gjatë luftës kërkon dënim të përjetshëm për Millosh Pleskoviq



Nënë Mihrije Daçaj, të cilës iu vranë djemtë binjakë në Prizren gjatë luftës së fundit në Kosovë, ka kërkuar dënim të përjetshëm për Millosh Pleskoviqin.

Këto deklarime ajo i bëri në seancën e Gjykatës së Apelit për shqyrtimin e ankesës ndaj vendimit të Gjykatës Themelore në Prishtinë, në rastin ndaj Millosh Pleskoviqit, i akuzuar për krime lufte në zonën e Prizrenit.

"Ne kërkojmë dënim për jetë", ka thënë shkurt Mihrija.

Dënim kapital kërkoi edhe avokati mbrojtës, Blend Gjini, i cili tutje theksoi se ankesa e avokates është e pabazë.

"Duke marrë parasysh se kemi të bëjmë me vrasje të civilëve shqiptarë, pasi që edhe përjetimet e vuajtjet janë riprodhuar sërish në seancë, konsiderojmë se shqiptuar nga gjykata e shkallës së parë është i vogël, pasi që ligji, dënimi për këto vepra penale e parasheh deri në 20 vjet, ne kërkojmë nga Gjykata e Apelit që duke marrë parasysh këto rrethana dhe fakte, të akuzuarit t'i shqiptohet një dënim kapital. Andaj, për fund, i propozoj kolegjit të Departamentit Special për Krime lufte që të refuzohet kërkesa e avokates, pasi që një kërkesë e tillë është e pabazë", tha ai. /Kp/

Braktisja e tre fëmijëve të mitur në Durrës, zbardhet dëshmia e nënës



B.B bashkë me tre fëmijët e mitur vijon të qëndrojë në pediatrinë e spitalit të Durrësit.

Gazetarja e Top Channel, Vali Qyrfyçi, ka siguruar dëshminë e 33-vjeçares, e cila shprehet se ka punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, pasi nuk kishte asnjë mbështetje familjare.

Ajo thotë se dje u ka blerë fëmijëve rroba, komplet pizhamesh të ngrohta, dhe batanije për të kaluar natën në spital dhe askush nuk u ka dhënë veshmbathje, ndryshe nga sa ka deklaruar mbrëmjen e kaluar Ministria.

“Kam punuar me dy turne për të mbajtur fëmijët, sepse nuk kam pasur asnjë mbështetje familjare. Prindërit e mi jetojnë në Francë dhe nuk kam asnjë të afërm këtu që të më ndihmojë për kujdesin ndaj tyre.

Në vitin 2025, ish-bashkëshorti më propozoi të bashkoheshim për të ikur në Itali. U bashkuam dhe ai u përgatiti dokumentet fëmijëve. Në shtator më tha se nuk do të qëndronte më në Itali dhe m’i la fëmijët mua. Më kërkoi të rrija me të, duke thënë se nuk i mbante dot vetëm.

Unë qëndrova rreth tre muaj në Shqipëri për procedurat e dokumenteve dhe, sepse nuk mund të rrija pa fëmijët, i mora me vete për t’u kthyer. Diskutuam që fëmijët të qëndronin me të atin në Itali, por unë nuk mund t’i lija larg, ndaj i mora dhe i regjistrova në shkollë këtu.

Në nëntor vjet, shkolla më njoftoi se dy djemtë nuk po shkonin në shkollë, pasi nuk kisha mundësi t’i çoja çdo ditë. Në atë periudhë, fëmijët rezultuan edhe me zgjebe. U komunikova situatën dhe kërkova ndihmë nga bashkia, duke kërkuar ndërhyrjen e shërbimeve sociale që të merrnin masa për rastin tim.

Bashkia nuk ka vepruar. Më thirrën në shkollë për mungesat e fëmijëve dhe u shpjegova se nuk kam mundësi të qëndroj e mbyllur në shtëpi me ta, pa punuar. U thashë se, nëse do të më ndihmonin konkretisht me shërbime sociale, do të qëndroja me fëmijët, por në kushtet kur nuk kishte ndihmë reale, isha e detyruar të punoja.

Nuk qëndrova tek ish-bashkëshorti, sepse nuk mund të jetoj me një person nga i cili jam e ndarë. Ai më ka dhënë vetëm 180 mijë lekë të vjetra si ndihmë për tre fëmijët, një shumë që nuk më mjaftonte, ndaj nuk kisha zgjidhje tjetër veçse të shkoja në punë.”, ka deklaruar ajo. /Tch/

Sekuestrohen mbi 26 kilogramë të bimëve narkotike në Sarandë, arrestohet një i dyshuar



Policia e Shtetit ka goditur një rast të kultivimit të bimëve narkotike në një apartament në Sarandë.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se gjatë veprimeve, u sekuestruan 260 bimë narkotike dhe 26.6 kilogramë kanabis, si dhe pajisje të ndryshme për kultivimin e tyre.

Tutje në njoftim thuhet se në lidhje me këtë ngjarje, është arrestuar shtetasi E.P., 30 vjeç, i cili u kap duke kujdesur për bimët në apartament.

“Një tjetër person, shtetasi M.Q., 26 vjeç, është shpallur në kërkim, pasi dyshohet si bashkëpunëtor në këtë aktivitet. Gjithashtu, katër punonjës të OSHEE-së në Sarandë po hetohen për shpërdorim detyre. Ata janë shtetasit H.A., 54 vjeç, H.C., 34 vjeç, E.P., 47 vjeç dhe F.H., 32 vjeç”, thuhet në njoftim.

Po ashtu sipas njoftimit thuhet se policia bën me dije se apartamenti ishte përshtatur për rritjen, tharjen dhe përpunimin e bimëve narkotike, ndërsa pajisjet elektrike që përdoren për kultivim furnizoheshin në mënyrë të paligjshme.

“Përveç bimëve dhe kanabisit, janë sekuestruar 70 llamba me reflektorë, pajisje elektrike, një automjet, tre telefona celularë dhe materiale të tjera që shërbenin për aktivitetin e paligjshëm. Nga pamjet shihen efektivët e policisë të cilët fillimisht trokasin dhe më pas hyjnë në banesën e përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike”, thuhet në postim. /Telegrafi/


“Fantazma e Prishtinës” e krijuar me AI bëhet virale në rrjetet sociale, krijon konfuzion te qytetarët



Gjatë ditëve të fundit, rrjetet sociale janë pushtuar nga një personazh i pazakontë i krijuar me inteligjencë artificiale (AI), i cili është pagëzuar nga përdoruesit me emrin “Fantazma e Prishtinës”.

Ky personazh virtual është shfaqur me një maskë të bardhë në fytyrë dhe me këmbë dhie, duke ngjallur kureshtje, humor dhe reagime të shumta në publik.

Falë teknologjisë AI, “Fantazma” po paraqitet në mënyra kreative dhe shpesh qesharake, duke u “vendosur” virtualisht në komuna të ndryshme të vendit.

Qytetarë të shumtë, por edhe figura të njohura publike, kanë filluar të krijojnë postime humoristike, meme dhe montazhe, ku ky personazh shfaqet në ambiente të ndryshme, duke e bërë trend në rrjete sociale.

Një nga reagimet që ka marrë vëmendje është ai i aktorit të njohur Fatmir Spahiu.

Përmes një “story” në Facebook, mbi një fotografi ku shfaqej “Fantazma”, Spahiu ka reaguar me humor duke shkruar: “Edhe qeky na u desht”.

Edhe autori i emisionit "Debat Plus", Ermal Panduri përmes një postimi ka shkruar: "Sonte ne Debat Plus zbardhet misteri".

Ndërsa, gazetarja Ardiana Thaçi me humor thotë se ka zhvilluar një intervistë ekskluzive.

Haliti zgjidhet sërish deputetë, thotë se mori mbështetje nga mijëra qytetarë



Nga zgjedhjet e 28 dhjetorit 2025, Xhavit Haliti u zgjodh sërish deputetë i Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).

Sipas rezultateve të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), ai mori 24 mijë e 603 vota.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook, Haliti falënderoi të gjithë ata që e përkrahën duke treguar se këto ditë ka pranuar me mijëra mesazhe urimi.

Ai tha se për mandatin e radhës e ka uruar, presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ish-ministri i Financave, Arben Malaj, prefekti i Qarkut të Korçës, Nertil Jole, si dhe nga kolegë deputetë nga Kosova.

“Mijëra urime! Faleminderit, President Begaj! Faleminderit kolegë, miq dhe qytetarë! Këto ditë kam pranuar mijëra mesazhe urimi nga qytetarë, miq dhe bashkëpunëtorë, si dhe nga personalitete të larta institucionale, përfshirë Presidentin e Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, ish-ministrin e Financave, Arben Malaj, dhe prefektin e Qarkut të Korçës, Nertil Jole, si dhe nga kolegë deputetë nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut, nga Parlamenti Evropian, Asambleja Parlamentare e NATO-s dhe Asambleja Parlamentare e Këshillit të Evropës. Faleminderit nga zemra për çdo urim dhe përkrahje”, ka shkruar Haliti në Facebook. /Telegrafi/


Luante poker me 14 persona në Skenderaj, arrestohet pronari i lokalit



Një person është arrestuar pasi që i njëjti është takuar në lokalin e tij duke luajtur poker së bashku me 14 persona të tjerë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të dielën rreth orës 00:57, në Skenderaj.

Tutje bëhet e ditur se në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një tavolinë në të cilën luhej pokeri, çipa dhe letra pokeri.

“Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar pasi që, i njëjti është takuar në lokalin e tij duke luajtur poker së bashku me 14 persona të tjerë. Në vendin e ngjarjes janë gjetur dhe sekuestruar një tavolinë në të cilën luhej pokeri, çipa të pokerit, letra për poker”, thuhet në raport.

Ndërkaq, me vendim të prokurorit pas intervistimit i dyshuari është dërguar në mbajtje. /Telegrafi/

Rasti në Pejë, pasi u plagos e goditën dhe me mjet të fortë - policia jep detaje



Një person brenda një lokali është plagosur me armë zjarri e më pas është goditur me mjet të fortë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 09:15, në Pejë.

Tutje bëhet e ditur se viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet policore.

“Raportohet se brenda një lokali privat, persona të pa njohur dyshohet se kanë plagosur me armë zjarri dhe kanë goditur me mjet të fortë viktimën mashkull kosovar. Viktima është dërguar në QKUK, ndërsa rasti është duke u hetuar nga ekipet relevante policore”, thuhet në raport.

Ia vjedhin nga vetura 1 mijë euro dhe dokumentet personale, rasti po hetohet në Ferizaj



Një grua (shtetase e huaj) ka njoftuar se nga vetura e saj të cilën e kishte parkuar në parkingun e një lokale, persona të panjohur i kanë vjedhur çantën në të cilën kishte 1 mijë euro si dhe dokumente personale.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të shtunën rreth orës 02:00, në Ferizaj.

Tutje bëhet e ditur se rasti është duke u hetuar.

“Viktima femër shtetase e huaj ka njoftuar se nga vetura e saj të cilën e kishte parkuar në parkingun e një lokali, të dyshuar të pa njohur i kanë vjedhur çantën në të cilën kishte 1,000 euro para të gatshme, dokumente personale të saj dhe të një famlijareje.Rasti duke u hetuar”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Nuk kishin pranuar të linin banesat - evakuohen 6 familje në Durrës, shkak rritja e prurjeve në lumin Erzen



Janë evakuuar gjashtë familje mbrëmjen e kaluar në zonën e Katundit të Ri në Durrës.

Sipas burimeve nga emergjencat civile këto familje kanë qenë të përmbytura, por nuk kishin pranuar më parë të linin banesat.

Me rritjen e prurjeve në lumin Erzen ato janë evakuuar si masë sigurie.

Situata raportohet në përmirësim në lagjet periferike të Durrësit, ndërsa prani uji vazhdon të ketë në zona të Katundit të Ri e Sukthit, si dhe në rrugën Kthesa e Perlatit Sukth- Hammallaj. /Tch/

Vrasja e policit në Kaçanik, ngritet aktakuzë kundër gjashtë personave



Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për Krime të Rënda në lidhje me rastin e vrasjes së zyrtarit policor në Kaçanik M.L, pas zhvillimit të hetimeve dhe sigurimit të provave ka ngritur aktakuzë kundër 6 të pandehurve me inicialet H.B, R.M, V.Ç, E.L, SH.K dhe D.G.

Sipas njoftimit thuhet se të dyshuarit dyshohen për veprën penale "Vrasje e rëndë".

"Për shkak të dyshimit të bazuar mirë se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “Vrasje e rëndë” nga neni 173 paragrafi 1 nën paragrafi 1.9 lidhur me nenin 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, sepse me datë 01 Prill 2025, rreth orës 23:00, në Kaçanik, afër vendit ku ka jetuar viktima, të pandehurit në bashkëkryerje me të miturin R.B, me dashje dhe përgatitje paraprake kanë privuar nga jeta tani të ndjerin zyrtarin policor, rreshter M.L, me armë zjarri, ku si pasojë e të shtënave nga plagët ndërron jetë, e pastaj largohen nga vendi i ngjarjes", thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim tutje thuhet se: “Prokurori i çështjes, me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar Gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, të pandehurit e lartëcekur të shpallen fajtor për veprën penale për të cilën akuzohen dhe të dënohen sipas ligjit, si dhe ka propozuar që të pandehurve t’u vazhdohet masa e paraburgimit deri në përfundim të shqyrtimit gjyqësor”. /Telegrafi/

Tregu tek ish-Uzina “Dinamo” kthehet në hi, zjarri dogji mbi 100 magazina, subjektet të pasiguruara



Gjithçka shkrumb e hi. Këto janë pasojat që la pas zjarri i përmasave të mëdha që përfshiu tregun pranë ish-uzinës “Dinamo”, në rrugën “5 Maji” në Tiranë.

Zjarri, i cili nisi në një magazinë, u përhap me shpejtësi, duke prekur mbi 100 biznese, malli i të cilave u kthye në shkrumb e hi, pavarësisht se forcat zjarrfikëse luftuan për më shumë se 6 orë për të neutralizuar flakët.

Dy kapanonet e djegura përfshijnë mbi 100 magazina, me një sipërfaqe totale prej 11 mijë metrash katrorë, ku tashmë kanë mbetur vetëm mbetjet e strukturave të shkatërruara.

Sipas policisë, zjarri nuk ka qenë i qëllimshëm. Burime nga grupi hetimor i thanë televizionit A2 CNN se shkak i zjarrit dyshohet të ketë qenë një shkëndijë elektrike, e cila mund të ketë ardhur nga kabllot e paneleve diellore. A2 CNN disponon edhe videon e momenteve të para kur nisi zjarri. Nga pamjet e kamerave të sigurisë duken qartë flakët pranë një kabulli elektrik.

Të gjithë tregtarët, objektet e të cilëve u dogjën, i kishin ato me qira. Ngjarjen e bën edhe më të rëndë fakti që subjektet nuk janë të siguruara, pasi nuk plotësojnë kushtet e nevojshme të sigurisë, për shkak se janë ndërtuar në kapanone. Për këtë arsye, tregtarët nuk mund të përfitojnë dëmshpërblim, edhe pse dëmi i pësuar është kolosal, ndërsa vlera totale e tij arrin deri në 50 milionë euro. (A2 Televizion)

- YouTube www.youtube.com

I dhjetëfishoi taksat e shërbimeve gjyqësore, KGjK jep arsyetim



Shtrenjtimi deri në dhjetëfishim i taksave gjyqësore me udhëzimin e ri administrativ, është përshtatjeje me realitetin ekonomik dhe standardet aktuale në Republikën e Kosovës.

Kështu është arsyetuar Këshilli Gjyqësor i Kosovës, të premten, pas interesimit të KosovaPress.

Në përgjigjen e KGjK-së, thuhet se që nga viti 2017 nuk ka pasur asnjë ndryshim në, pavarësisht ndryshimeve të theksuara në standardin jetësor, zhvillimeve ekonomike dhe rritjes së kostove të sistemit gjyqësor.

Sipas këtij këshilli, vendimi për ndryshimin e taksave, është bërë duke respektuar parimin e proporcionalitetit dhe duke pasur parasysh zgjerimin e ndjeshëm të kategorive të liruara nga pagesa e taksave gjyqësore.

Duke u arsyetuar se taksat gjyqësore të përcaktuara me këtë udhëzim derdhen në Buxhetin e Republikës së Kosovës dhe nuk përbëjnë të hyra të drejtpërdrejta për Këshillin Gjyqësor të Kosovës apo për gjykatat, ky institucion bën me dije se udhëzimi i ri i ka liruar nga pagesa, shfrytëzuesit e asistencës sociale, familjet e dëshmorëve dhe të personave të zhdukur gjatë luftës, invalidët dhe veteranët e luftës, familjet e viktimave civile të luftës, viktimat e dhunës seksuale gjatë luftës, personat me aftësi të kufizuara, përfshirë personat paraplegjikë, tetraplegjikë dhe personat e verbër, si dhe personat që gëzojnë të drejtën për ndihmë juridike falas. /Kp/

Buxheti i Gjilanit kalon pa vota kundër, por jo pa kushte



Kuvendi i Komunës së Gjilanit, në seancën e jashtëzakonshme, ka miratuar buxhetin për vitin 2026 me 33 vota për dhe asnjë kundër.

Shtyllat kryesore të buxhetit i prezantoi kryetari i Komunës, Alban Hyseni, i cili bëri të ditur se buxheti për vitin 2026 arrin shumën prej 41.928.924 euro, apo afër 42 milionë euro.

Gjatë debatit, përkrahje paraprake për buxhetin dhanë Besnik Shala (VV), Nazim Gagica (AAK) dhe Naser Arifi (Guxo), duke parashtruar njëkohësisht edhe disa kërkesa për investime komunitare. Ndërkaq, opozita, përfaqësuar nga Gentrit Murseli (LDK) dhe Riad Rashiti (PDK), shfaqi kritika dhe vërejtje, duke e kushtëzuar votimin me inkorporimin e dhjetëra projekteve komunitare.

Pas takimit me përfaqësuesit e subjekteve politike, kryetari Hyseni bëri të ditur se janë dakorduar që tetë nga 20 kërkesat e LDK-së të përfshihen në buxhet, në vlerë prej 764 mijë euro, si dhe kërkesa e partisë Guxo për rregullimin e parkut në Miresh. Sa i përket kërkesave të PDK-së, me theks të veçantë për varrezat e qytetit, ai tha se janë dakorduar që ato të inkorporohen gjatë bartjes së buxhetit në muajin shkurt, përkatësisht për rritjen e buxhetit për këtë projekt.

Në seancë kontribuuan me kërkesa, kritika dhe rekomandime edhe asamblistët Muhadin Haziri, Sami Ahmeti, Bujar Nevzati, Fitim Guda, Fatos Ramadani, Lirije Kosumi, Burhan Isufi dhe Gresa Avdiu.

Po ashtu, në seancën e sotme dha betimin anëtari më i ri i Kuvendit Komunal, Renan Imam, ndërsa Kuvendi zgjodhi edhe nënkryetarin për Komunitete, Kadir Hysein. /KP/

Vërshimet nga reshjet e shiut, Idrizi: Ndërhyrjet në lumenj dhe kanale kanë ulur ndjeshëm rrezikun në Vushtrri



Reshjet e dendura të shiut gjatë ditëve të fundit kanë shkaktuar vërshime në disa zona të vendit, duke sjellë dëme materiale në disa komuna.

Megjithatë, ndryshe nga vitet e kaluara kur Komuna e Vushtrrisë ishte ndër më të goditurat, këtë herë ka pasur më pak raportime për vërshime në këtë komunë.

Kryetari i Komunës së Vushtrrisë, Ferit Idrizi, në një prononcim për Telegrafin ka thënë se situata aktuale është rezultat i ndërhyrjeve të vazhdueshme që janë bërë gjatë mandatit të tij në shtretërit e lumenjve, përroskave dhe kanaleve kulluese.

Sipas Idrizit, në fillim të mandatit gjendja e këtyre shtretërve nuk ka qenë e mirë, pasi për një periudhë të gjatë nuk ishte bërë pothuajse asnjë mirëmbajtje.

“Në fillim të mandatit, gjendja e shtretërve të lumenjve, por edhe e përroskave dhe kanaleve kulluese në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë nuk ka qenë e mirë. Për një periudhë të gjatë nuk është bërë pothuajse asgjë për mirëmbajtjen e tyre, gjë që ka sjellë bllokimin e shtretërve me dhe, mbeturina dhe shkurre. Si pasojë e kësaj gjendjeje, Komuna e Vushtrrisë ndër vite është përballur vazhdimisht me vërshime, duke rrezikuar pronën, infrastrukturën publike dhe sigurinë e qytetarëve, veçanërisht vërshimet e vitit 2021 që shkaktuan dëme milionëshe”, ka thënë Idrizi.

Ai theksoi se menjëherë pas marrjes së mandatit, ndër prioritetet kryesore të komunës ka qenë identifikimi i zonave më problematike dhe ndërhyrja konkrete në to.

“Fillimisht është bërë identifikimi i zonave më problematike, e më pas kemi filluar me ndërhyrje konkrete, ku është bërë pastrimi, zgjerimi dhe në disa raste edhe betonimi i shtretërve të lumenjve. Po ashtu, është bërë hapja dhe zgjerimi i përroskave në të gjithë territorin e Komunës së Vushtrrisë, si dhe janë trajtuar kanalet kulluese që më herët kanë qenë të bllokuara”, tha Idrizi.

Ai bëri të ditur se “janë trajtuar shtretërit e lumenjve Silnica, Tërstena, Podranqa, lumin që kalon nëpër fshatin Smrekonicë, lumin që vjen nga Sllakoci e kalon nëpër fshatrat Ceceli, Ropicë, Samadrexhë, Maxhunaj deri në lumin Silnica, por edhe lumenj të tjerë që kalojnë nëpër territorin e komunës".

Sipas tij, janë pastruar përroskat në fshatrat Stanoc i Epërm, Novolan, Pantinë, Akrashticë, Vërnicë, Bukosh, Druar, Dumnicë, etj, ndërkaq gjithashtu është bërë edhe hapja e kanaleve kulluese në tërë territorin e Komunës së Vushtrrisë”.

Idrizi tha se kjo punë e vazhdueshme ka ndikuar drejtpërdrejt në zvogëlimin e rrezikut nga vërshimet në komunë.

“Gjendja aktuale është dukshëm më e qëndrueshme dhe më e menaxhueshme krahasuar me periudhat e mëparshme. Në shumicën e zonave janë reduktuar rreziqet nga vërshimet, falë ndërhyrjeve të realizuara dhe monitorimit të vazhdueshëm të situatës në terren. Megjithatë, mbetemi të vetëdijshëm se kjo është një çështje që kërkon angazhim të përhershëm, prandaj do të vazhdojmë me investime, mirëmbajtje të rregullt dhe masa parandaluese për të garantuar siguri afatgjate për qytetarët tanë”, tha ndër të tjera Idrizi. /Telegrafi/

❌