PRISHTINË, 10 janar /ATSH/ Moti i keq me reshje të shumta shiu e bore ka përfshirë edhe territorin e Kosovës, duke shkaktuar problematika të ndryshme.
Ministria e Infrastrukturës e Kosovës njoftoi se në disa rrugë të Kosovës ka probleme për shkak të reshjeve të shiut. Ndërkaq, Agjencia për Menaxhim Emergjent dha detaje të tjera për rrugët që janë vërshuar pas reshjeve të shiut.
Një segment i rrugës nacionale Ferizaj-Prishtinë u mbyll sot për qarkullim për automjete, për një kohë të caktuar për shkak të ujit të madh në rrugë, tha Ministria e Infrastrukturës dhe Policia e Kosovës.
Ka rrëshqitur një pjesë e dheut në rrugën Mitrovicë–Bajgorë, përkatësisht në fshatin Stan Tërg. Pavarësisht rrëshqitjes dhe rrezikut permanent, rruga mbetet e hapur dhe e qarkullueshme për automjete, raporton KosovaPress.
Në vendngjarje është vendosur sinjalizim i përkohshëm për paralajmërimin e drejtuesve të mjeteve, ndërsa rreziku mbetet i pranishëm për shkak të reshjejeve të fundit.
Në fshatin Gadime e Epërme në Lipjan është shembur një urë si pasojë e vërshimeve, e cila ka pamundësuar qarkullimin e banorëve të këtij fshati. Si pasojë e kësaj, qytetarët janë të detyruar të përdorin rrugë alternative dhe të bëjnë devijime të gjata për të arritur në destinacionet e tyre, raporton KosovaPress.
Sipas banorëve të zonës, gjendja e urës ka qenë e rënduar prej kohësh dhe rreziku i shembjes ka qenë i pritshëm, megjithatë, pavarësisht kësaj, sipas tyre nuk janë ndërmarrë masa parandaluese nga institucionet përgjegjëse.
Kompania Rajonale e Ujësjellësit “Prishtina” bën të ditur se, si pasojë e vërshimeve të fundit dhe bazuar në monitorimin e vazhdueshëm të cilësisë së ujit (24/7), është konstatuar se uji në fshatin Miradi e Poshtme aktualisht nuk rekomandohet për përdorim për pije dhe përgatitje ushqimi.
Sipas njoftimit, deri në një njoftim të dytë, banorët këshillohen që ujin ta përdorin vetëm për nevoja të higjienës shtëpiake, si larje dhe pastrim, duke shmangur përdorimin e tij për konsum njerëzor.
KRU “Prishtina” bën të ditur se ekipet përgjegjëse po e monitorojnë situatën në mënyrë të vazhdueshme dhe po ndërmarrin të gjitha masat e nevojshme për përmirësimin e cilësisë së ujit.
“Sapo të konfirmohet se uji është i sigurt për përdorim për pije, do t’ju njoftojmë menjëherë”, thuhet në njoftimin e kompanisë.
Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, ka kërkuar nga qytetarët që të respektojnë udhëzimet dhe sinjalistikën për ndalim qarkullimi në disa rrugë, për shkak të dëmeve të shkaktuara nga reshjet dhe rrezikut në infrastrukturë.
Ai ka bërë thirrje që qytetarët të mos kalojnë nga “Ura e Senikëve”, në drejtimin që lidh fshatrat Korroticë e Poshtme dhe Shtrubullovë, pasi baza e urës është gërryer nga ujërat dhe rruga është dëmtuar.
Sipas tij, “Ura e Senikëve” nuk është e sigurt dhe paraqet rrezik, prandaj qytetarëve u rekomandohet të shfrytëzojnë rrugën alternative në drejtim:
Llapushnik – Krajkovë – Damanek – Baicë – Çikatovë e Re.
Ai ka bërë të ditur se rruga Drenas – Komoran aktualisht kalohet me vështirësi, ndërsa disa rrugë mbesin të pakalueshme.
Aktualisht të pakalueshme janë këto rrugë: Drenas – Guri i Plakës, Drenas – Kroi i Mbretit, Shtrubullovë – Korroticë e Ulët dhe Rruga që lidh Komorani 1 me Komoranin 3.
/KosovaPress/
The post Moti i keq krijon problematika në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.