Ishte pranë largimit nën urdhrat e Amorim, Man Utd tani afër t’ia rinovojë kontratën yllit të skuadrës

Manchester United janë gati të nisin bisedimet me Kobbie Mainoo për një kontratë të re.
Në të njëjtën ditë kur United konfirmuan se një mesfushor kyç do të largohet nga “Old Trafford” – me Casemiron, që së shpejti mbush 34 vjeç, i cili do të largohet në fund të këtij sezoni – klubi po synon tani të sigurojë të ardhmen e një tjetër mesfushori, shumë më të ri, përmes një marrëveshjeje të përmirësuar ndjeshëm.
Raportohet se tashmë ka pasur kontakte fillestare me përfaqësuesit e Mainoos, me planin për t’u ulur dhe për të diskutuar detajet e një kontrate të re dhe më të favorshme, e cila do ta sillte pagën e tij më afër nivelit të bashkëlojtarëve dhe statusit që ai gëzon në skuadër.
Si produkt i akademisë së Manchester United, paga e Mainoos aktualisht është ndër më të ulëtat në mesin e lojtarëve të ekipit të parë. Megjithatë, duke qenë se 20-vjeçari nuk ishte pjesë e planeve të ish-trajnerit Ruben Amorim dhe me 18 muaj të mbetur në kontratën ekzistuese – plus një opsion për një vit tjetër – hapja e negociatave të reja nuk ishte parë më herët si prioritet nga klubi.
Napoli ishte mes disa klubeve të mëdha evropiane të interesuara për Mainoon, por pavarësisht raportimeve se reprezentuesi i Anglisë ishte i gatshëm të shqyrtonte një huazim këtë muaj për të fituar më shumë minuta, “Sky Sports News” mësoi se Manchester United nuk kishte ndërmend ta pranonte një mundësi të tillë dhe e konsideron Mainoon si pjesë kyçe të së ardhmes së klubit.
Mainoo nuk e nisi asnjë ndeshje të Ligës Premier këtë sezon nën drejtimin e Amorim, por u aktivizua si titullar në mundësinë e parë nga trajneri i ri, Michael Carrick, fundjavën e kaluar.
Mesfushori i ri dha një paraqitje shumë bindëse në fitoren 2–0 të United ndaj Cityt në derbin e Mançesterit, duke forcuar edhe më shumë bindjen e klubit për ta lidhur atë me një kontratë afatgjatë./Telegrafi






































