Skandal i madh në futbollin kinez: 13 klube dënohen për manipulim ndeshjesh

Një tjetër skandal i madh ka goditur futbollin kinez, pasi autoritetet kanë konfirmuar dënime të rënda për 13 klube të përfshira në manipulim ndeshjesh dhe korrupsion.
Para nisjes së sezonit të ri në Superligën e Kinës, nëntë skuadra do ta fillojnë kampionatin me pikë të zbritura. Sanksionet vijnë pas një hetimi të gjerë që ka përfshirë trukime ndeshjesh, baste të paligjshme dhe transaksione të papërshtatshme brenda futbollit kinez.
Shanghai Shenhua, që sezonin e kaluar e mbylli kampionatin si nënkampione, ka marrë një nga dënimet më të ashpra, duke u ndëshkuar me minus 10 pikë në startin e sezonit. I njëjti dënim është dhënë edhe për Tianjin Tigers. Disa klube të tjera janë ndëshkuar gjithashtu, ndërsa katër prej tyre janë tashmë të rëna në China League One si pasojë e masave disiplinore të mëparshme.
Përveç penalizimeve sportive, të gjitha 13 klubet janë gjobitur financiarisht. Gjobat variojnë nga 21 mijë deri në 104 mijë funte, në varësi të seriozitetit të shkeljeve të secilit rast.
Federata Kineze e Futbollit ka theksuar se sanksionet janë vendosur për të mbrojtur integritetin e sportit. Në një deklaratë zyrtare, organi drejtues bëri të ditur se masat synojnë ruajtjen e disiplinës, pastrimin e ambientit futbollistik dhe garantimin e konkurrencës së ndershme.
Federata sqaroi gjithashtu se zbritja e pikëve dhe gjobat janë përcaktuar mbi bazën e shkallës, natyrës, seriozitetit dhe ndikimit shoqëror të shkeljeve të kryera nga secili klub, duke riafirmuar qëndrimin e tolerancës zero ndaj korrupsionit.
Ky zhvillim vjen pas një goditjeje edhe më të gjerë që nisi sezonin e kaluar. Në shtator të vitit 2024, 43 lojtarë dhe zyrtarë u dënuan me ndalim të përjetshëm nga futbolli, pasi u shpallën fajtorë për shkelje të rënda. Mes tyre ishte edhe ish-mesfushori i Evertonit, Li Tie.
48-vjeçari u burgos vitin e kaluar pasi pranoi se kishte manipuluar ndeshje, kishte marrë ryshfet dhe kishte ofruar ryshfet me qëllim sigurimin e një posti të lartë trajneri.
Në total, më shumë se 70 persona kanë marrë ndalime të përjetshme si pjesë e këtij hetimi, duke nxjerrë në pah përmasat e mëdha të problemit në futbollin kinez./Telegrafi






































