Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Policia e Kosovës me plan të detajuar operativ për sigurinë e zgjedhjeve



Policia e Kosovës, sikurse në çdo proces zgjedhor, bazuar në ligjet pozitive të vendit ashtu siç e ka bërë publike, me kohë ka hartuar urdhrin operativ policor dhe ka bërë të gjitha planifikimet e saja policore lidhur me “Zgjedhjet e parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës”, të cilat po mbahen sot me datën 28 dhjetor 2025.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se me qëllim që ky plan policor të realizohet sipas planifikimeve të parapara dhe me qëllim të ofrimit të sigurisë e mbarëvajtjes së procesit zgjedhor, është paraparë të angazhohet një numër i mjaftueshëm i zyrtarëve policorë kryesisht të rendit publik, por sipas nevojës mund të angazhohen edhe zyrtarë policorë të profileve të ndryshme, që iu përkasin njësiteve të ndryshme brenda Policisë së Kosovës.

Tutje thuhet se zyrtarët policor sipas planit operativ kanë filluar punën me orar 12 orësh, duke filluar nga ora 03:00, me hapjen e dhomave komanduese, përcjelljen e materialit senzitiv nga depot komunale në qendrat e votimit dhe vazhdimin e ofrimit të sigurisë.

"Plani operativ përfshin katër faza:

1) Periudha parazgjedhore apo përgatitore vlerësuese,

2) Angazhimi në ofrimin e sigurisë gjatë fushatës zgjedhore,

3) Garantimi i sigurisë në fazën kyçe të ditës së ZGJEDHJEVE dita (Z),

4) Periudha pas zgjedhjeve që parasheh transportin nën përcjellje dhe siguri të PK-së, të materialit sensitiv e deri në përfundim të procesit".

Faza e parë dhe faza e dytë tani veçse janë realizuar dhe jemi në zbatim të fazës së tretë si faza kyçe (dita Z), për të vazhduar sipas planit me fazën e katërt, deri në përfundim të procesit zgjedhor.

Sipas planifikimeve policore qëllimi i këtij urdhri operativ edhe në këtë proces zgjedhor është:

Krijimi i një klime të qetë dhe të sigurt për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës si dhe mbajtja e rendit, qetësisë dhe sigurisë publike në vend para-gjatë dhe pas procesit të zgjedhjeve.

Ngritja e vigjilencës, sigurimi i qendrave të votimit, depove komunale dhe qendrës së numërimit të rezultateve.

Përcjellja e sigurt dhe sigurimi i gjithë materialit sensitiv zgjedhor nga të gjitha destinacionet e parapara sipas planit të sigurisë deri në përfundimin e operacionit policor, që ndërlidhet me procesin zgjedhor.

Inicimi dhe procedimi i çdo vepre penale kundër të drejtës së votimit dhe ndërmarrja e të gjitha masave procedurale/penale ndaj çdokujt që bie ndesh me ligjet pozitive të vendit që rregullojnë/sanksionojnë veprimet e kundërligjshme ndaj zgjedhjeve të lira dhe demokratike, në koordinim dhe në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë e Shtetit sipas planeve të veprimit dhe marrëveshjeve paraprake të bazuara në ligj.

Sipas memorandumit të bashkëpunimit në mes të Policisë, Prokurorisë dhe KQZ-së, Policia e Kosovës ka caktuar zyrtarë/hetues në drejtoritë rajonale për trajtimin e çdo rasti të mundshëm që ndërlidhet me procesin zgjedhor, nën autorizimet e prokurorëve të caktuar për këtë çështje nga Prokuroria e Shtetit. Po ashtu janë caktuar edhe koordinatorë të Policisë me KQZ-në si dhe janë dhënë udhëzime për zyrtarët policorë lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë e tyre ligjore gjatë procesit zgjedhor.

Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në realizimin e detyrave dhe përgjegjësive të saja ligjore në mënyrë profesionale karshi qytetarëve dhe vendit si dhe të jetë transparente mbi punën dhe angazhimet e saja policore.

Inkurajojmë të gjithë qytetarët që të bashkëpunojnë me Policinë e Kosovës dhe institucionet kompetente, njëherit të raportojnë për çdo rast të kundërligjshëm që ndërlidhet me sigurinë dhe procesin zgjedhor, apo edhe jashtë tyre.

Raportoni, nga telefonia fikse dhe mobile: 192 ose 038 550 999, në adresën elektronike info@kosovopolice.com si dhe në stacionet më të afërta policore. /Telegrafi/

Masa ajrore të thata dhe të ftohta, moti në Shqipëri



Shqipëria sot do të ndikohet nga masa ajrore të thata dhe relativisht të ftohta.

Sipas Shërbimit Metereologjik Ushtarak bëhet e ditur se moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin pothuajse gjatë gjithë ditës, ndërsa vranësirat të pakta kalimtare.

“Era do të fryjë me drejtim juglindje-veriperëndim 7m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare në jug dhe në lugina era pritet të arrijë shpejtësi deri 17m/s. Deti - Valëzimi forcës 2-4 ballë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


Aktakuzë ndaj ish-kryetarit të Komunës së Prishtinës, dyshohet se nuk deklaroi mbi 172 mijë euro



Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj Sh.A., për veprën penale “Mosraportimi ose raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave, i dobisë tjetër materiale ose i detyrimeve financiare”.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook nga faqja zyrtare e Sistemit Prokurorial.

Ndër të tjera në njoftim thuhet se i pandehuri akuzohet se, nga viti 2018 e në vazhdimësi deri në vitin 2022, në cilësinë e Kryetarit të Komunës së Prishtinës, me dashje ka paraqitur deklarata të pasakta të pasurisë, përkatësisht duke mos deklaruar deponimet në para të gatshme, të realizuara personalisht gjatë viteve përkatëse.

"Sipas aktakuzës, shuma e përgjithshme e mjeteve të padeklaruara arrin vlerën prej 172,600.00 euro. Rasti i është dërguar për shqyrtim Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special", thuhet në njoftim. /Telegrafi/





Berisha: Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetë-përjashtuar



Në konferencën për shtyp këtë të martë, Sali Berisha u shpreh se Ervin Salianji ka kaluar linjat e kuqe dhe është vetë-përjashtuar.

Berisha tha se do duhej të flisnin për krimin e jo për Salianjin.

“Akoma mendja tek Salianji. Po ne këtu jemi për enciklopedinë e krimit që nuk është paraqitur kurrë. Po çfarë lidhje ka Salianji me këtë. Po Salianji ishte i burgosur politik kur u zhvilluan zgjedhjet. Çfarë do të thotë kjo? Sot është një njeri që ka kaluar linjat e kuqe. E kam thënë kur i ka kaluar linjat e kuqe. Kemi ca linja të kuqe. Jo, nuk ka një vendim, ka vet-përjashtuar veten. Sa herë të pyesni, këtë përgjigje do merrni. Po i kalove linjat e kuqe, i kalon”, tha Berisha. (A2 Televizion)

KQZ përmbyllë procesin e akreditimit të vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) mbajti mbledhjen e 104-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi, në të cilën u morë vendim për akreditimin e grupit të pestë me 169 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Sipas njoftimit bëhet e ditur se organizata jo-qeveritare të akredituara janë: Qendra Kultutore Orfeu – 45 vëzhgues;

“Media vendore: Kontakt Kosovka Mitrovica/ Kontakt Plus – 3 vëzhgues; Alternativna – 3 vëzhgues; Televizija Gracanica – 10 vëzhgues; Klan Kosova – 95 vëzhgues. Media ndërkombëtare: Prva srpska televizija – 2 vëzhgues; Novinska agencija Tanjug – 3 vëzhgues; Radio-televizija Srbije – 6 vëzhgues; dhe ABC NEËS ALBANIA – 2 vëzhgues”.

Ndryshe, në mbledhjet e kaluara, KQZ ka akredituar edhe 19,085 vëzhgues të tjerë, të cilët përfaqësojnë: subjekte politike të certifikuara, organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i akredituar deri më tani nga KQZ është 19,254:

Subjekte politike – 17,614 vëzhgues;

Institucione shtetërore – 66 vëzhgues;

OJQ vendore – 809 vëzhgues;

Organizata ndërkombëtare – 121 vëzhgues;

Përfaqësi diplomatike – 13 vëzhgues;

Media vendore – 554 vëzhgues; dhe

Media ndërkombëtare – 77 vëzhgues.

Në vazhdim të mbledhjes, KQZ miratoi rekomandimin e Zyrës për Regjistrim, Certifikim dhe Kontrollin Financiar të Subjekteve Politike për mosakreditimin e dy organizatave vëzhguesve për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Kosovës.

Bëhet fjalë për OJQ “Instituti për Qeverisje të Mirë dhe Sundim të Ligjit” dhe organizatën ndërkombëtare “Odbor za kontrolu i opservaciju-OKO”.

Lidhur me OJQ “Instituti...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se statuti i kësaj organizate nuk ndërlidhet drejtpërdrejt me monitorimin e proceseve zgjedhore apo mbrojtjen e të drejtave të njeriut, ashtu siç kërkohet në Ligjin për Zgjedhjet e Përgjithshme.

Ndërkaq, për organizatën ndërkombëtare “Odbor...”, nga ZRCKFSP u bë e ditur se gjatë vlerësimit të dokumentacionit, dokumenti i ofruar edhe pse ka vulën dhe nënshkrimin, nuk dëshmon se nga cili institucion është lëshuar, me çka e bënë të dyshimtë vërtetësinë e këtij dokumenti, i cili poashtu, nuk është dokument i plotë në mungesë të faqeve. /Telegrafi/

Kurti: Rindërtimi i xhamisë së Ibrit në mandatin e ardhshëm



Kryeminstri në detyrë Albin Kurti u mirëprit në odën e hoxhë Osman Musliut.

Mes bisedash të ndryshme, hoxhë Osmani i tha Kurtit se zotimi për rindërtimin e xhamisë së Ibrit e gëzoi shumë, sepse kjo xhami përveç rolit fetar, ka edhe rol kombëtar.

Ndërsa Kurti u zotua se nuk do të lëshojnë pe në mandatin e ardhshëm përveç sigurisë e begatisë, edhe për ruajtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. /Telegrafi/


Sekuestrohen armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq



Policia e Kosovës në dy raste të ndara ka gjetur armë, municion dhe pajisje ushtarake në Leposaviq.

Sipas një postimi në rrjetin social në Facebook bëhet e ditur se në Drejtorinë Rajonale të Policisë Mitrovicë Veri, përkatësisht në Stacionin Policor Leposaviq, më datat 19.12.2025 dhe 20.12.2025, janë iniciuar dy raste për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

"Rasti I, më datë 19.12.2025, rreth orës 22:07, zyrtarë policorë nga Njësia për Ndërhyrje të Shpejtë (NJNSH), gjatë patrullimit në fshatin Rvatska, Komuna e Leposaviqit, në një shtëpi të pabanuar kanë gjetur dhe sekuestruar: një armë gjuetie, një karabinë, një armë të llojit AK-47, 240 fishekë, një palë dylbi".

Tutje në njoftim thuhet se si rrjedhojë e procedurave hetimore, më datë 22.12.2025, zyrtarët policorë në objektet përcjellëse të shtëpisë kanë gjetur dhe sekuestruar edhe: një pushkë ajrore, mekanizëm për barut, një thikë ushtarake, një fotroll për revole.

Po ashtu në njoftim thuhet se lidhur me rastin, të gjitha veprimet janë ndërmarrë në koordinim me Prokurorin e Shtetit, i cili ka udhëzuar inicimin e rastit penal për veprën penale “Mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim i paautorizuar i armëve”.

Aktualisht nuk ka persona të arrestuar dhe rasti është në procedurë hetimore.

Ndërsa në rastin e dytë më datë 20.12.2025, rreth orës 06:45, Policia ka arrestuar personin R.R. (1965), pasi gjatë kontrollit në shtëpinë e tij në fshatin Veacev, Komuna e Leposaviqit, janë gjetur dhe sekuestruar: një pushkë gjuetie, një pushkë gjysmë automatike, një bombë dore, dy tromblona, fishekë të kalibrave të ndryshëm, pajisje të ndryshme ushtarake (çantë, xhaketë, thikë, etj).

"Me urdhër të Prokurorit të Shtetit, pas inicimit të rastit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt. Policia e Kosovës mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të armëve të zjarrit, duke vepruar në funksion të ruajtjes së rendit, paqes dhe sigurisë së përgjithshme për të gjithë qytetarët pa dallim". /Telegrafi/


Rrahje në Dumnicë të Podujevës, dërgohet në mbajtje një person



Një person ka raportuar se pas një mosmarrëveshje është sulmuar fizikisht nga dy persona të tjerë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë thuhet se rasti ka ndodhur të hënën rreth orës 07:35 në fshatin Dumnicë të Podujevës.

Tutje në raport thuhet se njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur.

“Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se pas një mosmarrëveshje, është sulmuar fizikisht nga dy të dyshuar meshkuj kosovarë. Njëri nga të dyshuarit është arrestuar, ndërsa tjetri nuk është hasur. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Ismaili: Çmimet e larta janë brenga kryesore e qytetarëve, Bedri Hamza ka programin e duhur për t’i ulur ato



I ftuar në emisionin Debat Plus, nënkryetari i Partisë Demokratike të Kosovës dhe i dyti në listën zgjedhore, Uran Ismaili, ka folur për programin zgjedhor të PDK-së dhe gjendjen ekonomike të qytetarëve.

Ismaili tha se sot gjendja ekonomike e familjeve në Kosovë është e rënduar dhe se çmimet e larta janë një nga shqetësimet kryesore të qytetarëve. Sipas tij, ulja e kostos së jetesës është një ndër prioritetet kryesore të programit të Bedri Hamzës, në kuadër të zhvillimit ekonomik dhe rritjes së mirëqenies.

Ai theksoi se qeverisja e ardhshme e udhëhequr nga Hamza parasheh masa konkrete, përfshirë heqjen e TVSH-së nga produktet bazike dhe nga faturat e energjisë elektrike, me qëllim që jeta e përditshme e qytetarëve të bëhet më e përballueshme.

Sipas Ismailit, qytetarët e Kosovës sot po kërkojnë stabilitet ekonomik dhe politik, duke shtuar se kjo është pikërisht ajo që përfaqëson Bedri Hamza dhe Partia Demokratike e Kosovës. Ai vlerësoi se këto janë arsyet pse PDK-ja synon të arrijë rezultat historik në zgjedhjet e 28 dhjetorit. /Telegrafi/

Deklaroi rrejshëm që zyrtarë të ARBK-së i kishin kërkuar ryshfet, arrestohet i dyshuari në Prishtinë



Një person është arrestuar pasi që kishte deklaruar rrejshëm që zyrtarë të ARBK-së i kishin kërkuar ryshfet.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 12:40, në Prishtinë.

Tutje bëhet e ditur se me vendim të prokurorit i dyshuari është dërguar në mbajtje.

“Prishtinë 22.12.2025-12:40. Është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar, pasi që kishte deklaruar rrejshëm që zyrtarë të ARBK-së i kishin kërkuar ryshfet. Me vendim të prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje”, thuhet në raport. /Telegrafi/

"Pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal të organizuar", arrestohet një person në Prishtinë



Një person është arrestuar për veprën penale “Pjesëmarrje dhe organizim i grupit kriminal të organizuar-rrëmbim”.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur më 24-25.01.2021, në Prishtinë.

Tutje bëhet e ditur se në shtëpinë e tij janë sekuestruar një veturë, katër telefona mobil, tre tableta, dy USB, dy letërnjoftim, një pasaportë dhe disa dokumentacion që lidhen me rastin.

“Prishtinë 24-25.01.2021 – NN. Lidhur me rastin, më 22.12.2025 është arrestuar i dyshuari mashkull kosovar dhe në shtëpinë e tij janë sekuestruar një veturë, katër telefona mobil, tre tableta, dy USB, dy letërnjoftim, një pasaportë dhe disa dokumentacion që lidhen me rastin”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Një grua dyshohet se është kanosur nga vjehrrit në Prishtinë



Një grua ka raportuar se në vazhdimësi ishte kanosur nga prindërit e bashkëshortit të saj.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se ngjarja ka ndodhur të hënën rreth orës 11:40, në Prishtinë.

Po ashtu në njoftim thuhet se me vendim të prokurorit dhe pas intervistimit të palëve, rasti shkon në procedurë të rregullt.

“Është raportuar se viktima femër kosovare, në vazhdimësi ishte kanosur nga të dyshuarit, prindërit e bashkëshortit të saj. Me vendim të prokurorit, pas intervistimit të palëve, rasti shkon në procedurë të rregullt”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Thyerja apo krisja e kockës - ortopedi Bujupi tregon se cila është më e vështirë për intervenim dhe rikuperim



Ortopedi Arian Bujupi gjatë podcastit "Shëndeti në rend të parë", e mbështetur nga United Hospital, ka sqaruar dallimin mes krisjes dhe thyerjes së kockës, duke theksuar se këto dy gjendje nuk janë të njëjta as për nga ashpërsia, as për nga mënyra e trajtimit dhe rikuperimit.

Sipas Bujupit, krisja e kockës përkufizohet si një vijë e hollë në kockë dhe konsiderohet si dëmtim më i lehtë.



“Ka shumë pak raste kur krisjet operohen”, ka theksuar ai, duke shtuar se këto dëmtime zakonisht shërohen më shpejt dhe me komplikime minimale.

Ndryshe nga krisjet, Bujupi tha se thyerjet e kockave paraqesin një problem shumë më serioz.

Sipas tij, ato nënkuptojnë shkëputjen e kontaktit ndërmjet dy pjesëve të kockës, çka e bën trajtimin më kompleks.

Bujupi theksoi se shumica e thyerjeve kërkon ndërhyrje operative, sidomos kur pozicioni i kockës nuk është i kënaqshëm.

"Në disa raste, thyerjet mund të trajtohen edhe pa operacion, përmes repunimit dhe imobilizimit, por kjo varet nga pozicioni dhe stabiliteti i kockës. Jo çdoherë te kockat rezultatet me repunim janë të kënaqshme dhe mandej duhet të operohen”, ka shpjeguar Bujupi.

Për më shumë shikoni podcatin e plotë "Shëndeti në rend të parë":

- YouTube www.youtube.com

Zgjedhjet e jashtëzakonshme parlamentare, KQZ akrediton edhe grupin e katërt të vëzhguesve



Komisioni Qendror i Zgjedhjeve mbajti mbledhjen e 102-të në këtë vit, të kryesuar nga kryesuesi, Kreshnik Radoniqi.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në fillim të mbledhjes, KQZ mori vendim për akreditimin e grupit të katërt me 18,233 vëzhgues për vëzhgimin e zgjedhjeve të parakohshme për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 28 dhjetor 2025.

Siç thuhet në njoftim në mbledhjet e kaluara, KQZ ka akredituar edhe 852 vëzhgues të tjerë, të cilët përfaqësojnë: organizata jo-qeveritare vendore, organizata ndërkombëtare, media vendore / ndërkombëtare, institucione shtetërore dhe përfaqësi diplomatike.

Numri i përgjithshëm i akredituar deri më tani nga KQZ është 19,085.

Ndryshe, në fund të mbledhjes, KQZ mori vendim për emërimin e anëtarëve të Këshillave të Vendvotimeve që do të angazhohen më 27 dhjetor në procesin e votimit në përfaqësitë diplomatike të Republikës së Kosovës. /Telegrafi/

Pajisje anti-tank nga Gjermania, Kosova forcon kapacitetet ushtarake



Ministria e Mbrojtjes ka përfunduar procedurat për blerjen e pajisjeve anti-tank nga Gjermania për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Lajmi është konfirmuar për The GeoPost nga Ministria e Mbrojtjes e Kosovës.

Armët PANZERFAUST 3 pritet t’i dorëzohen së shpejti FSK-së, duke rritur ndjeshëm kapacitetet e saj mbrojtëse kundër mjeteve të blinduara.

Paralelisht, Kosova ka nënshkruar edhe një marrëveshje me prodhuesin amerikan të industrisë ushtarake AM General për blerjen e sistemeve moderne të artilerisë së lëvizshme HUMVEE Hawkeye 105 mm.

Përveç sistemeve të artilerisë Hawkeye, kontrata trivjeçare parasheh edhe furnizimin e FSK-së me ambulanca, kamionë për komandim dhe kontroll, si dhe mjete të tjera mbështetëse, të nevojshme për funksionimin e një baterie të plotë artilerie dhe zhvillimin e kapaciteteve të qitjes indirekte.

Nga AM General, zëvendëspresidenti ekzekutiv për Zhvillim Biznesi, John Chadbourne, deklaroi se shitja e sistemit HUMVEE Hawkeye për Kosovën është dëshmi e përkushtimit të kompanisë për të ofruar zgjidhje të avancuara për nevojat moderne ushtarake. /Telegrafi/

Shënjestrohet rasti “Qielli i thyer”, arrin në 80 milionë euro vlera e pasurisë së sekuestruar



Nën udhëheqjen e Kryeprokurorit të Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj, është mbajtur takimi i radhës me Ekipin e Përbashkët për Përzgjedhjen dhe Shenjëstrimin e Krimeve të Rënda, ku është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer”.

Sipas njoftimit thuhet se 33 persona ndodhen në paraburgim, ndërsa janë ndaluar me urdhër pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në vlerë rreth 60 milionë euro.

“Gjatë këtij takimi është shenjëstruar rasti i koduar “Qielli i thyer” për veprat penale: Pjesëmarrja ose organizimi i grupit kriminal lidhur me veprat: blerja, posedmi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkoktivë, subsantace psikotrope dhe analoge; Shpëlarja e parave; Falsifikim i parasë; Falsifikim i dokumenteve; Mbajtja në pronësi ose posedim të pauatoizuar të armëve”, thuhet në njoftim.

Po ashtu në njoftim thuhet se janë ngrirë mjete financiare në llogari bankare në vlerë rreth 1.5 milionë euro dhe janë sekuestruar 80 vetura luksoze me vlera milionëshe, duke bërë që vlera totale e pasurisë së sekuestruar deri më tani të arrijë rreth 80 milionë euro.

Hetimet janë zgjeruar dhe, për shkak të ndjeshmërisë së rastit, janë caktuar dy prokurorë për trajtimin e tij.

Prokuroria Speciale mbetet e përkushtuar që të trajtoj këtë rast me prioritet, duke ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e plotë të rastit. /Telegrafi/



Kurti në Drenicë nderon sakrificën e qëndresën e UÇK-së



Kryeministri në detyrë, Albin Kurti të dielën qëndroi në Skënderaj. Përgjatë Rezallës e deri në Leqinë, ai vizitoi familjen e Ahmet Zabelit, Sejdi Gashit, Ibrahim Kuqanit e Naser Bajramit.

Kurti tha se UÇK-ja, forca e qëndresa që buron nga ajo, përmes invalidëve e veteranëve, si dhe sakrifica e dëshmorëve e martirëve të rënë, mbetet simboli i shtetit e kombit tonë.

“E diela në Skenderaj, nga Rezalla në Leqinë, nga familja e Ahmet Zabelit tek ajo e Sejdi Gashit, për të vazhduar në konakun e Ibrahim Kuqanit dhe Naser Bajramit. Sakrifica e dëshmorëve dhe martirëve të kombit, invalidëve dhe veteranëve të UÇK-së, është emblema e qëndresës dhe forcës sonë si shtet e komb”, ka shkruar Kurti. /Telegrafi/




Braho jep mesazhin e parë si Kreu i SPAK: Misioni ynë përtej mandateve tona



Kreu i ri i SPAK Klodian Braho ka marrë fjalën e tij këtë të hënë në ceremoninë e marrjes së detyrë. Braho ka falenderuar kolegët dhe ndërkombëtarët dhe ka thënë se SPAK do të vijojë misionin e tij përtej një mandati individual.

“Së pari shpreh falënderimin për KLP për zgjedhjen në krye të SPAK dhe për besimin që më dhanë.

Së dyti dua të falënderoj dy udhëheqësit e mëparshëm të SPAK, zotin Arben Kraja për hedhjen e gurëve të themelit të Prokurorisë e më pas zotin Dumani për guximin dhe integritetin e tij duke forcuar profilin e SPAK-ut dhe duke rritur besimin e publikut.

Falë mbështetjes së pakursyer të ndërkombëtarëve Prokuroria e Posaçme e Anti korrupsionin vazhdon të forcohet.

Në ushtrimin e kësaj detyre në fokus do të mbetet forcimi i strukturës së brendshme të SPAK.

Bashkëpunimi reciprok me prokurorëve dhe hetuesve do vazhdoje dhe do forcohet. Misioni i SPAK shkon përtej mandateve tona.”-tha Braho. /Telegrafi/

Nga IHMK thonë se Kosova ka mesatarisht 26 ditë me mjegull në vit



Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës (IHMK) ka bërë të ditur se Kosova ka mesatarisht 26 ditë me mjegull.

Përmes një postimi në rrjetin social në Facebook të faqes së IHMK-së bëhet e ditur se kushtet kryesore për formimin e mjegullës janë lagështia relative e madhe e ajrit, temperaturat e ulëta, lëvizjet e vogla të ajrit.

“Mjegulla është dukuri meteorologjike që formohet mbi sipërfaqen e tokës, në pjesën e poshtme të atmosferës. Kushtet kryesore për formimin e mjegullës janë, lagështia relative e madhe e ajrit, temperaturat e ulëta, lëvizjet e vogla të ajrit. Klasifikohet si: Mjegull e dendur, Mjegull e mesme, Mjegull e rrallë. Në Kosovë, mesatarisht janë rreth 26 ditë me mjegullë (21 Ferizaj, 23 Pejë, 30 Prishtinë, 29 Prizren). Mjegulla më së shpeshti paraqitet gjatë muajve dhjetor – shkurt (57%)”, thuhet në postim. /Telegrafi/


​Radoniqi: Vetëm një e treta e kandidatëve për deputetë janë gra



Nga 1.180 kandidatë për deputetë që ka certifikuar Komisioni Qendror Zgjedhor për zgjedhjet e 28 dhjetorit 789 apo 66.86 për qind janë burra, ndërkaq 391 apo 33.13 për qind janë gra.

Këtë e bëri të ditur kryesuesi i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, në diskutimin që misioni i OSBE-së në Kosovë dhe Ambasada e Francës organizuan të hënën për pjesëmarrjen e grave në proceset zgjedhore.

Radoniqi, tha se fuqizimi i rolit të grave në jetën demokratike është një nga shtyllat kryesore të zhvillimit institucional dhe shoqëror.

Angazhim më të madh në fuqizimin e grave në institucioneve kërkuan edhe ambasadori francez në Kosovë, Olivier Guerot dhe kryesuesi i OSBE-së në Kosovë, ambasadori Gerard McGurk. /Kp/

❌