Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Rikthehet në operim të plotë linja që lidh Suharekën me Ferizajn



Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT) ka bërë të ditur se linja e tensionit të lartë LP 179/2, e cila lidh Nënstacionin e Suharekës me Nënstacionin Ferizaj 3, është rikthyer në operim të plotë pas ndërhyrjeve teknike në terren.

Sipas njoftimit të KOSTT-it, gjatë gjithë periudhës së punimeve furnizimi me energji elektrike për konsumatorët është siguruar përmes alternativave të rrjetit, pa pasur ndërprerje apo kufizime në këtë pjesë të vendit.

“Ekipet teknike të KOSTT kanë qenë të angazhuara intensivisht në terren dhe brenda një afati shumë të shkurtër kanë realizuar largimin e shtyllës së rrëzuar, ndërtimin e shtyllës së re këndore T30 dhe rikthimin e linjës në operim të plotë, në përputhje me standardet e sigurisë dhe kërkesat teknike”, thuhet në njoftimin zyrtar.

KOSTT ka theksuar se ndërhyrjet janë kryer me sukses dhe se funksionimi i rrjetit të transmisionit është stabil dhe i sigurt. /Telegrafi/


Dy të lënduar në Sllapuzhan të Suharekës, u therën me thikë nga një person



Policia e Kosovës ka bërë të ditur se dy persona kanë pësuar lëndime të lehta trupore pasi të njëjtit ishin ther me thikë nga një person.

Rasti ka ndodhur në fshatin Sllapuzhan, Suharekë, të premten në ora 03:20.

“Lëndime të lehta trupore kanë pësuar dy viktimat meshkuj kosovarë, pasi të njëjtit ishin therë me thikë nga i dyshuari mashkull kosovar”, thuhet në raport.

Viktimat janë dërguar në tretman mjekësor, ndërkaq i dyshuari gjendet në arrati. /Telegrafi/

Vazhdon pastrimi i segmenteve të bllokuar nga reshjet në Suharekë



Punëtorët e NPL Eko-Theranda kanë nisur punën që në orët e hershme të mëngjesit për pastrimin e rrugëve nga gurët dhe dheu i dalë si pasojë e reshjeve të ditëve të fundit.

Ky angazhim, sipas drejtuesve të kompanisë, ka për qëllim rritjen e sigurisë dhe lehtësimin e qarkullimit për të gjithë qytetarët.

“Qëllimi ynë është të sigurojmë që rrugët të jenë të kalueshme dhe të sigurt për qytetarët. Punëtorët tanë janë në terren që nga mëngjesi dhe po punojnë intensivisht për pastrimin e çdo segmenti të bllokuar”, thuhet në postimin e NPL Eko-Theranda në Facebook.

Njoftohet se punimet do të vazhdojnë deri në normalizimin e plotë të gjendjes në rrugë dhe qytetarët ftohen të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes deri në përfundimin e operacionit. /Telegrafi/


Policia heton disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm në Prizren dhe Suharekë



Policia e Kosovës, në raportin e saj 24-orësh, ka njoftuar për disa raste të shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm të regjistruara gjatë ditës së parë të vitit 2026 në rajonin e Prizrenit dhe Suharekës.

Sipas policisë, më 1 janar 2026, rreth orës 00:00, në Prizren është raportuar se në një rrjet social janë publikuar pamje ku shihen disa persona duke shtënë me armë zjarri.

Njësitet policore kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur dhe sekuestruar 41 gëzhoja si dhe dy pistoleta pa fishekë. Lidhur me këtë rast, tre persona të dyshuar janë shoqëruar në stacion policor.

Pas inicimit të rastit, dy prej tyre janë liruar, ndërsa një person është arrestuar dhe dërguar në mbajtje.

Në një rast tjetër, i cili ka ndodhur rreth orës 02:00 në Suharekë, një qytetar ka raportuar se xhami i veturës së tij ishte dëmtuar, dyshohet si pasojë e të shtënave me armë gjatë festimeve të ndërrimit të viteve.

Në këtë rast nuk raportohet për persona të lënduar, ndërsa hetimet janë duke vazhduar.

Po ashtu, më 1 janar 2026, rreth orës 14:47, në Prizren është raportuar një rast tjetër, ku një qytetar ka gjetur në oborrin e tij një predhë të kalibrit të panjohur.

Njësiti policor ka dalë në vendin e ngjarjes dhe ka sekuestruar predhën si provë materiale. Edhe ky rast është duke u trajtuar nga organet kompetente. /Telegrafi/

Fotografim i votës, presion mbi votuesit - Policia raporton disa incidente gjatë procesit zgjedhor në Kosovë



Policia e Kosovës ka publikuar raportin 24-orësh lidhur me zhvillimet gjatë procesit të Zgjedhjeve të Jashtëzakonshme Parlamentare, ku janë evidentuar disa shkelje të ligjit lidhur me fshehtësinë dhe integritetin e votës.

Në Drenas, rreth orës 14:30, është raportuar se një i dyshuar mashkull kosovar ka kryer veprën e cenimit të fshehtësisë së votimit. Rasti është duke u trajtuar në procedurë të rregullt me urdhër të prokurorit.

Në Gjilan, një rast pengimi i procesit zgjedhor dhe cenimi i fshehtësisë së votimit u regjistrua rreth orës 11:08, raporton.

I dyshuari mashkull, pasi e kishte plotësuar fletëvotimin, e ekspozoi atë para se ta depozitonte në kutinë e votimit. Pas intervistimit, ai u lirua në procedurë të rregullt me vendim të prokurorit.

Në Ranillug, gjatë datave 26-27 dhjetor, një e dyshuar femër kosovare u arrestua për dyshimin se kishte ushtruar ndikim mbi votuesit e partive të tjera. Pas marrjes në pyetje, ajo u lirua po ashtu në procedurë të rregullt.

Policia ka raportuar gjithashtu disa incidente të asgjësimit të dokumenteve të votimit. Në Shtime, rreth orës 16:25, një i dyshuar mashkull gris fletëvotimin e tij dhe të një votueseje tjetër. Rasti po trajtohet në përputhje me urdhër të prokurorit.

Në Prizren dhe Suharekë janë regjistruar ngjarje të ngjashme: një i dyshuar gris fletëvotimin, ndërsa një tjetër fotografoi votën e tij dhe e publikoi në rrjetet sociale; të dy rastet janë në procedurë të rregullt.

Një incident tjetër u regjistrua në Pejë rreth orës 20:00, ku u raportua se një fletëvotim kishte vulën e ndryshme nga fletëvotimet e tjera të KQZ-së.

Rasti, i cili ka përfshirë falsifikim të mundshëm të rezultateve të votimit, është nën hetim nga prokuroria, ndërsa fletëvotimi është sekuestruar. /Telegrafi/

​Plagoset me armë zjarri një person në Suharekë



Sot rreth orës 11:40 është raportuar për një përleshje mes disa personave, e cila ka eskaluar me plagosjen e një personi me armë zjarri.

Lajmi për KosovaPress është bërë i ditur nga zëdhënësi i policisë rajonale për Prizren Shaqir Bytyqi.

“I plagosuri është dërguar për trajtim mjekësor në Emergjencën e Suharekës. Njësitet policore, menjëherë pas pranimit të informatës, i janë përgjigjur rastit dhe janë duke vepruar në bashkërendim me Prokurorin e Shtetit, në përputhje me procedurat standarde policore”, ka thënë ai.

Raportohen dy persona të zhdukur - njëri në Shtime, tjetri në Prizren



Policia e Kosovës ka njoftuar për dy raste të personave të zhdukur.

Në raportin 24 orësh bëhet e ditur se njëri rast ka ndodhur në Shtime, ndërkaq tjetri rast në Prizren.

Rr. Tahir Sinani, Shtime 25.12.2025 – 10:30. Ankuesi mashkull kosovar infermier në Entin Special, ka raportuar se pacienti-viktima mashkull kosovar është larguar nga enti dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti është duke u hetuar.

Rr. Besim Shala, Prizren 23.12.2025 – NN. Ankuesi mashkull kosovar, ka raportuar se djali i tij viktima mashkull kosovar ka dalë nga shtëpia dhe nuk dihet asgjë për vendndodhjen e tij. Rasti nën hetime. /Telegrafi/

Lahi Brahimaj: Suhareka fuqishëm krah Aleancës



Tubimi përmbyllës i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në Suharekë u shndërrua në një dëshmi të fuqishme të mbështetjes qytetare për Aleancën dhe kandidatin për deputet, Lahi Brahimaj.

Me pjesëmarrje të madhe të qytetarëve dhe atmosferë entuziaste, Suhareka konfirmoi edhe një herë përkrahjen e saj për AAK-në dhe për kandidatin Brahimaj.

Gjatë tubimit, u theksua rëndësia e përfaqësimit dinjitoz dhe angazhimit për interesat e qytetarëve në Kuvendin e Kosovës.

Lahi Brahimaj falënderoi qytetarët për besimin dhe mbështetjen, duke theksuar se do të jetë gjithmonë zëri i Suharekës dhe i gjithë Kosovës, krah qytetarëve dhe krah Aleancës.

"Suhareka dëshmoi edhe një herë se mbetet fuqishëm krah Aleancës – si gjithmonë", ka shkruar Brahimaj. /Telegrafi/

Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi mbrëmje për zhvillimin ekonomik dhe bashkëpunimin ndërkombëtar



Qendra e Biznesit në Suharekë organizoi një mbrëmje të veçantë që bashkoi përfaqësues të institucioneve vendore dhe qendrore, bizneseve lokale dhe partnerëve ndërkombëtarë, në funksion të fuqizimit të bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në nivel lokal.

Gjatë këtij aktiviteti, fjalime mbajtën: Kryetari i QBS-së, Refki Zogaj; Kryetari i Komunës së Suharekës, Bali Muharremaj; Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari; Zëvendës Ambasadore e Sllovenisë në Kosovë, Milena Radenkoviq; Drejtori i Odës së Bizneseve Sllovene në Kosovë, Bajram Fusha; ish-Kryetari i Komunës, Sali Asllanaj; Kryetari i Degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala dhe Deputeti i VV-së, Salih Zyba.



Të gjithë folësit theksuan rëndësinë e mbështetjes së bizneseve vendore, zhvillimit të ndërmarrësisë dhe krijimit të partneriteteve të qëndrueshme ndërkombëtare.

Ata vlerësuan rolin kyç të QBS-së në zhvillimin ekonomik të komunës së Suharekës dhe theksuan nevojën për investime dhe bashkëpunim të vazhdueshëm.

Qendra e Biznesit në Suharekë falënderoi të gjithë pjesëmarrësit për prezencën dhe kontributin, duke konfirmuar përkushtimin e saj për të qenë një urë lidhëse mes bizneseve, institucioneve dhe partnerëve strategjikë.

QBS do të vazhdojë të ofrojë mbështetje, hapësirë për bashkëpunim, trajnime dhe lidhje me institucione vendore dhe ndërkombëtare, me qëllim zhvillimin e një ekonomie më të fortë, më konkurruese dhe më të qëndrueshme në Suharekë./Telegrafi/

Arben Gega: Përkrahje masive në Suharekë për PDK-në



Në Suharekë është mbajtur sot tubimi qendror i Partisë Demokratike të Kosovës, ku ishte prezent kandidati për kryeministër Bedri Hamza.

Me një masë të madhe të përkrahësve suharekas, Bedri Hamza shpalosi premtimet e tij dhe vizionin e PDK-së.

Përpos kësaj, pati një përkrahje të madhe për kandidatin për deputet Arben Gega, i cili është në garë për herë të parë dhe si njeri i komunitetit u vërejt në përkrahjen që pati kur emri i tij u thirr në sallë.

Arben Gega mban numrin 68 në listën e PDK-së, duke qenë kandidati i dytë nga kjo komunë përkrah Enver Hoxhajt që më shumë është figurë qëndrore.

Hapje e veçantë e PDK-së dhe Arben Gegës në Suharekë



Mbrëmjes e së martës është hapur fushata e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), në sheshin që mban emrin e heroit kombëtar “Fadil Vata” në qytetin e Suharekës.

Në një organizim që mblodhi qindra përkrahës, kandidati i ri i PDK-së nga qyteti i Suharekës dhe një nga ata që ka nisur furishëm këtë fushatë, Arben Gega me numër 68, u shpreh se Kosova ka nevojë për stabilitet politik, bashkim dhe zhvillim ekonomik, duke theksuar se qytetarët meritojnë paga më të larta, çmime më të përballueshme dhe siguri për familjet e tyre.

Ai tha se përvoja e tij profesionale dhe lidhja e fortë me Suharekën do të jenë zë i fuqishëm në Kuvend, në shërbim të qytetarëve dhe interesit publik.

Hapja e fushatës në Suharekë u përkrah edhe nga figura të rëndësishme të PDK-së, të cilët kishin ardhur në këtë aktivitet sikur Enver Hoxhaj, Përparim Gruda, Arian Tahiri, Hajdar Beqa, Fetah Paçarizi apo edhe Idriz Vehapi, që theksuan rëndësinë e Suharekës për PDK-në dhe mbështetën kandidaturën e Arben Gegës si një vlerë e re për partinë dhe vendin.

Ceremonia e mbrëmshme ishte një sinjal i fortë mobilizimi, ndërsa mesazhi kryesor i tubimit ishte se PDK synon një qeverisje stabile, zhvillim ekonomik dhe përmirësim të mirëqenies së qytetarëve.

Fushata e PDK-së në Suharekë pritet të vazhdojë me aktivitete të tjera në ditët në vijim, me theks të veçantë tek takimet me qytetarët dhe prezantimi i programit qeverisës. /Telegrafi/

Policia jep detaje për vdekjen e vajzës 8-vjeçare në Suharekë



Një vajzë 8-vjeçare u dërgua mbrëmë në Repartin e Emergjencës pa shenja jete nga Qendra Kryesore e Mjekësisë Familjare në Suharekë.

Zëdhënësi i Policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, bëri të ditur për Telegrafin se patrullat policore dhe hetuesit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes.

Sipas mjekut kujdestar, fëmija nuk kishte shenja jete në momentin e pranimit në urgjencë.

“Më datën 14.12.2025, rreth orës 21:50, nga QKMF-Suharekë është raportuar se një fëmijë i gjinisë femërore, rreth 8-vjeçare, nga fshati Greiçevcë, është sjellë në Repartin e Urgjencës pa shenja jete. Patrullat policore dhe hetuesit policorë kanë dalë në vendin e ngjarjes dhe janë informuar nga mjeku kujdestar për gjendjen e fëmijës”, tha Bytyqi.

Ai shtoi se lidhur me rastin është kontaktuar Prokurori për Krime të Rënda dhe është iniciuar rasti nën akuzën “Hetim i vdekjes”.

“Trupi i pajetë, me urdhër të Prokurorit kompetent, është dërguar për obduksion”, njoftoi Bytyqi. /Telegrafi/

Një grua dërgohet pa shenja jete në QKMF në Suharekë, rasti po hetohet



Raportohet se një grua është sjellë pa shenja jete në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF), në Suharekë.

Sipas raportit 24 orësh të Policisë së Kosovës bëhet e ditur se rasti ka ndodhur të dielën rreth orës 21:50, në Suharekë.

Tutje thuhet se me vendim të prokurorit trupi i pajetë është dërguar në obduksion.

“ Suharekë 14.12.2025-21:50. Është raportuar se në QKMF Suharekë viktima femër është sjell pa shenja jete. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar mjeku kujdestar. Me vendim të prokurorit trupi i pajetë dërgohet në obduksion”, thuhet në raport. /Telegrafi/

Polici jashtë detyrës u kërkoi të kenë kujdes për shkak të mjegullës, sulmohet nga i dyshuari - Policia jep detaje të rastit



Policia e Kosovës ka njoftuar për një rast të sulmit ndaj personit zyrtar.

Rasti ka ndodhur në auto-udhë në Suharekë, të mërkurën, në ora 19:00.

“Auto udhë, Suharekë. Viktima mashkull kosovar, zyrtar policor i cili ishte jashtë detyrës zyrtare dhe ishte duke lëvizur në auto udhë, ka hasur në dy mjete të ndaluara në shirit rrugor në auto udhë. Viktima është ndaluar dhe ka biseduar me vozitësit për arsyen e ndaljes ku i njëjti ka kërkuar që të marrin masa për siguri për shkak të kushteve atmosferike-mjegullës pasi mund të shkaktohet ndonjë aksident, pas bisedës me ta, i dyshuar e ka sulmuar fizikisht viktimën”, thuhet në raport.

Viktima ka pranuar tretman mjekësor në QKMF Suharekë. Njësitet policore janë në kërkim të dyshuarit. /Telegrafi/

“Hidroregjioni Jugor” vazhdon aksionin e shkyçjeve për mospagesë – 52 raste vetëm të mërkurën



KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar se ekipet e Inspektoriatit po vazhdojnë aksionin e shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për konsumatorët me borxhe të pashlyera, pavarësisht njoftimeve të mëhershme dhe mundësive të ofruara për pagesë.

Sipas njoftimit, vetëm gjatë ditës së djeshme (10/12/2025) janë realizuar 52 shkyçje për mospagesë, prej tyre 40 në Prizren dhe 12 në njësinë e Suharekës.

Kompania ka paralajmëruar se nuk do të ketë më tolerime për konsumatorët që nuk i përmbushin detyrimet financiare.

“Nuk do të ketë më falje apo tolerim për asnjë konsumator që nuk i përmbush obligimet financiare ndaj kompanisë”, thuhet në njoftim.

KRU “Hidroregjioni Jugor” u ka bërë thirrje të gjithë borxhlinjve që të kryejnë pagesat për të shmangur masat e mëtejshme. /Telegrafi/


Hidroregjioni Jugor nis aksionin e shkyçjeve për konsumatorët me borxhe të pashlyera



KRU “Hidroregjioni Jugor” Sh.A në Prizren ka njoftuar se ekipet inspektuese po vazhdojnë aksionin e gjerë të shkyçjeve nga rrjeti i ujësjellësit për të gjithë konsumatorët që nuk kanë shlyer detyrimet financiare, pavarësisht njoftimeve dhe mundësive të ofruara më herët për pagesë.

Vetëm gjatë ditës së sotme, kompania ka realizuar gjithsej 61 shkyçje:
39 në Prizren,
14 në njësinë e Suharekës,
8 në njësinë e Malishevës.

Në njoftim theksohet se nuk do të ketë më falje apo tolerim për konsumatorët që vazhdojnë të mos e përmbushin obligimin e pagesës së ujit, ndërsa paralajmërohet se aksioni do të vazhdojë në të gjitha zonat operuese.

Kompania ka kërkuar nga qytetarët që t’i kryejnë pagesat me kohë për të shmangur masa të mëtejshme shkyçjeje. /Telegrafi/


Handikos Suharekë pranon donacion me pajisje ndihmëse për personat me nevoja speciale



Handikos Suharekë ka njoftuar se ka pranuar një donacion të ri me pajisje ndihmëse për personat me aftësi të kufizuara.

Në kuadër të këtij donacioni, organizata ka marrë:

  • 1 karrocë normale,
  • 2 karroca elektrike,
  • 9 shetitore (rolator).

“Dora e ndihmës nuk ka të ndalur dhe jemi shumë falënderues përzemërsisht për kontributin e ofruar”, kanë bërë të ditur nga Handikos Suharekë.

Ky donacion do të përmirësojë jetën e përditshme të personave me nevoja speciale, duke ofruar më shumë lëvizshmëri dhe pavarësi. /Telegrafi/


Arrestohet dhe dërgohet në vuajtje të dënimit i kërkuari 47 vjeçar në Suharekë



Të enjten stacioni policor në Suharekë ka realizuar urdhëresën e lëshuar nga Gjykata Themelore në Prizren, në të cilën kërkohej që i dënuari S.S., mashkull, 47 vjeç, banues në fshatin Grejkoc – Suharekë, të lokalizohej dhe të dërgohej për vuajtjen e dënimit në Qendrën e Paraburgimit në Hajvali, Prishtinë.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se dënuari S.S. ishte shpallur fajtor me aktgjykim të formës së prerë nga Gjykata Themelore në Prizren për veprën penale të kryer në bashkëkryerje: blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotrope dhe analoge.

“Policia e Kosovës, përmes patrullës së Stacionit Policor Suharekë, e ka realizuar këtë detyrë me profesionalizëm dhe përkushtim të lartë, duke dëshmuar bashkëpunimin e vazhdueshëm me gjykatat, prokurorinë dhe institucionet tjera relevante, me qëllim të zbatimit të ligjit dhe krijimit të një ambienti të sigurt për të gjithë qytetarët”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/


KRU Hidroregjioni Jugor shkyç 15 lidhje ilegale



kru Hidroregjioni Jugor ka njoftuar se ekipet e Inspektoratit të kompanisë kanë identifikuar dhe shkyçur gjithsej 15 lidhje ilegale nga rrjeti i ujësjellësit, gjatë aksioneve të zhvilluara javën e kaluar në tri komuna.

Sipas të dhënave të kompanisë, rastet e evidentuara janë regjistruar në: Prizren – 9 lidhje ilegale, Suharekë – 5 lidhje ilegale, Malishevë – 1 lidhje ilegale, përcjell Telegrafi.

Nga kompania thonë se aksionet për identifikimin dhe ndërprerjen e lidhjeve të paligjshme do të vazhdojnë edhe ditëve në vijim, ndërsa ndaj të gjithë shkelësve do të ndërmerren masat përkatëse ligjore.

Hidroregjioni Jugor apelon tek konsumatorët që të respektojnë rregullat dhe të shmangin veprimet e jashtëligjshme, të cilat dëmtojnë furnizimin e drejtë dhe të rregullt me ujë për të gjithë qytetarët.

Kompania falënderon qytetarët për mirëkuptimin dhe bashkëpunimin. /Telegrafi/


Vetura përplaset me kamion në rrugën Rahovec-Suharekë, humb jetën një 58-vjeçar



Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur sot në rrugën Rahovec-Suharekë, ku si pasojë një person ka humbur jetën.

Lajmin për Telegrafin e ka konfirmuar zëdhënësi i policisë për rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi.

“Sot, më datë 12 nëntor 2025, rreth orës 11:25, në fshatin Dobërdelan, në magjistralen që lidh Suharekën me Rahovecin, është raportuar për një aksident trafiku ku kanë qenë të përfshirë një automjet dhe një kamion.

Si pasojë e këtij aksidenti, drejtuesi i automjetit, mashkull 58-vjeçar, fatkeqësisht ka humbur jetën në vendngjarje, ndërsa bashkëshortja e tij, e cila ishte pasagjere në automjet, ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe është dërguar për trajtim mjekësor në Spitalin Rajonal të Prizrenit”, ka thënë Bytyqi.

Ai ka shtuar se menjëherë pas raportimit të rastit, në vendngjarje kanë dalë njësitet policore përkatëse, të cilat kanë siguruar perimetrin, kanë ndërmarrë veprimet e nevojshme hetimore dhe janë duke punuar për të sqaruar të gjitha rrethanat që kanë çuar deri te ndodhja e aksidentit.

“Policia e Kosovës apelon te të gjithë pjesëmarrësit në trafik që të respektojnë rregullat e komunikacionit, me qëllim të parandalimit të aksidenteve dhe ruajtjes së jetës së qytetarëve”, ka shtuar Bytyqi. /Telegrafi/


❌