Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër ka reaguar lidhur me motin e keq, pasi reshjet e dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit kanë sjellë rritje të prurjeve në lumenj dhe përrenj në territorin Shkodërs. Sipas të dhënave nga DRUK Lezhë, nuk janë evidentuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat apo digën e Rezervuarit të Shtodrit.
Gjithashtu në njoftim thuhet se aktualisht, nivelet e ujit në lumin Buna, lumin Drin, lumin Kir dhe lumin Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje. Ndërsa, në territorin e Bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Po ashtu në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prezencë uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile.
Njoftimi i Prefekturës Shkodër:
Institucioni i Prefektit të Qarkut Shkodër informon mbi situatën aktuale në territorin e Qarkut Shkodër, si pasojë e reshjeve të dendura të shiut gjatë 24 orëve të fundit.
Nga informacioni i administruar nga DRUK Lezhë, rezulton se ka pasur rritje të prurjeve nga përrenjtë dhe lumenjtë. Megjithatë, deri në këto momente nuk janë konstatuar problematika në kanalet kulluese, argjinaturat dhe digën e Rezervuarit Shtodër. Aktualisht, nivelet e ujit në lumin Buna, lumin Drin, lumin Kir dhe lumin Gjadër janë nën kuotat e rrezikut për përmbytje.
Hidrovoret e Velipojës, Vilunit dhe Cas janë në funksion me nga 5 pompa secili dhe janë në gatishmëri për funksionim me kapacitet të plotë, në rast nevoje. Strukturat përgjegjëse vijojnë monitorimin e situatës në terren dhe janë në gatishmëri për të ndërhyrë në çdo moment.
Në territorin e Bashkisë Vau i Dejës janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Në fshatin Hoten është raportuar një banesë me prezencë uji, ku banorëve u është dhënë ndihma e menjëhershme nga grupi i Emergjencave Civile. Situata po monitorohet në vijimësi nga strukturat përkatëse.
Në territorin e Bashkisë Malësi e Madhe kanë vijuar reshjet e shiut me intensitet mesatar gjatë gjithë natës dhe në orët në vijim. Fshati Flakë vijon të jetë i bllokuar si pasojë e prurjeve të përroit. Në zonat Rrazë dhe Veshtë është konstatuar prezencë uji por pa rrezik për banesat. Po punohet për furnizimin me energji elektrike në zonën e Kelmend. Gjithashtu po punohet për hapjen e kalueshmërisë së rrugës pranë lumit në zonën e Dragovojës.
Në territorin e Bashkisë Fushë-Arrëz janë evidentuar shkarje dherash dhe rënie gurësh në disa rrugë autorurale. Deri në këto momente nuk raportohen dëme në njerëz apo banesa.
Në territorin e bashkisë Shkodër, janë regjistruar reshje shiu me intensitet të lartë. Grupi i Emergjencave Civile po kryejnë inspektime në terren dhe janë në monitorim të afërt të çdo situate emergjente.
Situata hidrike paraqitet si me poshte:
Në Kaskadën e Drinit, prurjet aktuale natyrore arrijnë vlerën 3500 m³/s, duke reflektuar një situatë hidrike të qëndrueshme. Nivelet e liqeneve paraqiten si më poshtë:
Fierza: 281.2 m
Koman: 174.2 m
Vau i Dejës: 75 m
Shkarkimet aktuale nga hidrocentralet janë të kontrolluara dhe të qëndrueshme: HEC Vau i Dejës 700 m³/s dhe HEC Koman 700 m³/s. Deri më tani nuk raportohen problematika. Prefekti i Qarkut Shkodër, vijon ndjekjen nga afër të situatës në koordinimin me të gjitha strukturat vendore e qendrore për menaxhimin e emergjencave.
The post Moti i keq/ Prefektura Shkodër: Lumenjtë nën kuotat e rrezikut, ja si paraqitet situata appeared first on Albeu.com.