Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Ministri i Mbrojtjes së Gjermanisë: Nuk shoh shenja të gatishmërisë së Putin për paqe

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, ka vënë në dyshim nëse presidenti rus Vladimir Putin dëshiron realisht të arrijë paqen përmes negociatave për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.

Në një deklaratë për grupin mediatik RND, të publikuar sot, Pistorius tha se presidenti amerikan Donald Trump ka sjellë njëfarë dinamike në përpjekjet diplomatike, por theksoi se veprimet e Moskës tregojnë një realitet tjetër.

“Deri tani, nuk shoh asnjë shenjë që Rusia e dëshiron seriozisht paqen”, tha Pistorius.

Gjatë negociatave mes palëve ndërluftuese nën ndërmjetësimin e SHBA-së në Abu Dabi fundjavën e kaluar, Putin bombardoi Ukrainën “në një mënyrë që mezi është parë gjatë kësaj lufte”.

Sipas tij, këto sulme shkojnë përtej objektivave ushtarake.

“Ky është terror i drejtuar ekskluzivisht kundër popullsisë civile, gjatë një dimri me temperatura minus 20 gradë Celsius”, tha Pistorius.

“Putin nuk ka treguar asnjë gatishmëri për kompromis”, shtoi ai.

Në kryeqytetin ukrainas Kiev dhe në qytete të tjera, miliona njerëz kanë përjetuar javë të tëra errësire dhe të ftohti pas sulmeve ajrore ruse, të cilat kanë dëmtuar rëndë infrastrukturën e energjisë elektrike dhe të ngrohjes.

Gjatë bisedimeve, sulme të reja me dronë dhe raketa vonuan sërish riparimet e furnizimit me energji në Kiev për disa ditë.

Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, deklaroi dje se Rusia do të respektojë kërkesën e Trump për një armëpushim të kufizuar dhe të përkohshëm në Ukrainë deri të dielën.

I pyetur për përpjekjet për ndalimin e sulmeve, Pistorius tha se nëse Putin do t’i merrte seriozisht bisedimet në Abu Dabi, nuk do të kishte nevojë që t’i kërkohej një armëpushim/abcnews.al

Pranga “agjentëve” mashtrues/ U merrnin para qytetarëve për shitje banese dhe u jepnin mandate bankare false

Një çift nga Tirana është arrestuar pasi kanë mashtruar qytetarët qe donin te blinin apartamente, duke u marre parate. Elvis Ramca dhe Veriana Ziu shtireshin si agjentë imobiliare dhe pasi përvetësonin paratë falsifikonin mandate banke për të mashtruar qytetarët se paratë ishin depozituar.

Mandatet e falsifikuara ua paraqitnin edhe shoqërive ndërtuese, duke i mashtruar per te lidhur kontrata për shitblerje apartamentesh.

Deri më tani janë janë dokumetuar 2 raste mashtrimi pas denoncimeve per 2 apartamente me vlerë rreth 150 mijë euro secili.

Për Veriana Ziun ky nuk është rasti I parë që është përfshirë në mashtrim. Ajo ishte arrestuar në vitin 2023 pasi mashtroi një person duke i premtuar një leje punësimi në Gjermani dhe duke I marrë 800 euro.

Berisha, kundër të gjithëve/ Kundër qeverisë, kundër integrimit, por edhe kundër të vetëve

TIRANË- Pas zyrtarëve europianë, Sali Berisha u përball këtë të shtunë me kritika nga qytetarët për gjuhën e përdorur kundër Shqipërisë në institucionet ndërkombëtare.

“Çfarë mendon se fiton kur nxin kombin shqiptar në arenën ndërkombëtare”, e pyetën ndjekësit e tij.

Jo vetëm që nuk bën një hap pas, por Berisha justifikon qëndrimin e tij.

“Je gabim shumë, shumë. Unë, me zërin tim që denoncoj, mbroj ju, mbroj ata shqiptarë të ndershëm, të cilët nuk pajtohen me këto akte antikombëtare, antikushtetuese, çnjerëzore. Me këto akte të cilat Shqipërinë e nxjerrin nga harta e demokracive dhe e vendosin në hartën e autokracive”, pohoi kryetari i PD.

Të premten, Raportuesi për Shqipërinë i bëri thirrje kreut të PD që ti rikthehet debatit parlamentar, por Berisha nuk heq dorë nga molotovi. Por kur militantët i kërkojnë të qëndrojnë në shesh, befas kryetari i tyre i del kundër.

“Kjo është një kërkesë jashtëzakonisht e drejtë dhe është rruga e vetme efikase për të larguar këtë regjim nga pushteti. Por kjo kërkon nga secili nga ne që të bindim gjithnjë e më shumë qytetarë se qëndrimi në shesh për aq kohë sa ta largojmë regjimin është rruga më e sigurt e fitores tonë. U garantoj se drejt asaj, në mënyrë të pandalshme, do të shkojmë”, tha ai.

Por dhe dhunë e shkatërrim.

“Ne duhet të ua bëjmë ferr kësaj organizate kriminale, Tiranën. Kjo është arsyeja që ne përqendrohemi tërësisht në Tiranë”, tha Berisha.

Dhe mesa duket, ky është misioni i Berishës: në rrugë për protesta dhe jo në institucione për reforma. Në rrugë të kundër me ndërkombëtarët, ndërsa vendi ecën shpejt drejt integrimit europian./abcnews.al

Integrohemi brenda 2029/ Raportuesi i PE jep shpresa edhe më herët se 2030

VLORË- Në një moment vendimtar për fatin europian, raportuesi për Shqipërinë, Andreas Schieder, rikonfirmoi ambicien për anëtarësim në Bashkimin Europian brenda 2029, sipas një plani të dakordësuar mes Tiranës dhe Brukselit.

“Anëtarësimi në BE kërkon që të keni një standard jetese, sidomos këtu për të rinjtë që të integrohen me mënyrën e jetesës së Unionit. Ky nuk është vetëm projekt i qeverisë, por i të gjithëve, duke nisur që nga qytetarët që duhet të tregojnë se çfarë po shkon mirë dhe çfarë po shkon keq. Sa më shpejt, aq më mirë, por edhe pse nuk duhet të jap një datë specifike, dua thjesht të them që si relator dua që në fund të mandatit tim, pra në vitin 2029, të them që Shqipëria do t’i bashkohet BE-së”, tha Andreas Schieder, raportuesi për Shqipërinë në PE.

Shqipëria synon që brenda këtij viti të mbyllë deri në 16 kapituj, në mënyrë që brenda 2027 të përfundojë i gjithë procesi teknik. Por sfidë mbetet procesi politik, ku anëtarësimi duhet të ratifikohet në parlamentet e 27 vendeve anëtare.

“Duam të jemi besimplotë se do ecin mirë në të gjitha vendet anëtare, por duhet të jemi të vetëdijshëm se peizazhi politik në Europë po bëhet gjithnjë e më kompleks, me një prani të dukshme të partive populiste në parlament, sidomos të së djathtës ekstreme, që mund të kenë tundime kundër zgjerimit. Është e rëndësishme të punohet me opinionet publike në Europë, në mënyrë që të zvogëlohen perceptimet që qytetarët kanë për zgjerimin. Nuk jam i shqetësuar për Spanjën, që sipas sondazheve të fundit ka një nivel të lartë pranimi për zgjerimin. Që do të thotë, ne spanjollët duam që Shqipëria dhe vendet e tjera të jenë së bashku në BE sa më shpejt të jetë e mundur”, tha ambasadori i Spanjës në Tiranë, Gabriel Ventura.

Përveç Spanjës, në krah të Shqipërisë, në procesin e integrimit do të qëndrojë edhe Franca.

“Në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian, askush nuk mund të dyshojë se Shqipëria ka kryer hapa gjigantë. Franca nuk harron gjithashtu forcën e angazhimit të Shqipërisë kur ishte në Këshillin e Sigurisë së Kombeve të Bashkuara, nuk ishte vetëm një vendim, ishte një demonstrim, ai i një kombi të aftë të përcjellë vlerat e paqes dhe drejtësisë kombëtare në nivelin më të lartë. Franca është përkrah jush, jo për t’ju numëruar hapat, por si një partner rruge që e di që forca e një bashkimi nuk matet vetëm në ditën e nisjes dhe ditën e mbërritjes, por në solidaritetin e lidhur në çdo kilometër të kryer së bashku”, tha Catherine Suard, ambasadore e Francës në Tiranë.

Ky vit konsiderohet vendimtar për Shqipërinë, e cila duhet të përafrojë legjislacionin shqiptar me atë të Bashkimit Europian dhe të mbyllë 33 kapituj të negociatave vitin e ardhshëm, në përmbushje të angazhimit për anëtarësim me të drejta në Bashkimin Europian brenda 2030./abcnews.al

Gjendet pa shenja jete një 58-vjeçar në Bulqizë, dyshimet e para

Në një zonë minerare në Bulqizë, është gjetur pa shenja jeta një 58-vjeçar, i cili punonte si roje private te një subjekt minerar.

Nga hetimet paraprake të kryera dyshohet se 58-vjeçari mund të ketë rrëshqitur nga një lartësi dhe, për pasojë, ka humbur jetën.

Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po punon për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje.

Gjokoviç drejt historisë/ Ish-numri 1 i botës mund të bëhet fituesi më i vjetër në një Grand Slam

Po mbushen tre vjet që kur ia doli për herë të fundit. Novak Gjokoviç mund të jetë një legjendë e gjallë e tenisit dhe e sportit në tërësi, veçse mosha e shtyrë ka bërë që shumëkush ta heqë nga lista e kampionëve.

Gjithsesi, ylli I lindur në Beograd gati katër dekada më parë tregoi se ndonjëherë fjala “e pamundur” nuk ekziston.

Napoleoni thuhet se e kishte hequr nga fjalori, dhe duket se këtë po përpiqet të bëjë edhe Nole që kaloi pengesën e madhe Janik Siner në gjysmëfinalen e Grand Slemit Australian Open.

Pasi kishte humbur pesë herë radhazi ndaj italianit, serbi gjeti forca për të triumfuar 3-2 me sete pas më shumë se 4 orë loje.

Rezultati ishte 3-6, 6-3, 4-6, 6-4, 6-4.

Në moshën 38 vjeç, 8 muaj e 10 ditë, ai synon rekordin si më I vjetri tenist në histori që fiton një Grand Slem.

Këtë rekord e mban australiani Ken Rouzuoll që ia doli 37 vjeç.

Megjithatë, fakti që kaloi numrin 2 të botës nuk I ka garantuar ende asgjë.

Në finale përballë tij do të jetë numri 1 I botës, spanjolli 22-vjeçar, Karlos Alkaraz, që gjithashtu jepet thellësisht favorit.

I tillë ishte edhe 24-vjeçari Siner.

Ylli nga Beogradi mban rekordin botëror të 24 Grand Slemeve të fituara në karrierë, e tani të 38 finaleve Grand Slem, bashkë me këtë të së dielës.

Ai është rekordmen botëror edhe me 51 gjysmëfinale të Çmimeve të Mëdha.

Sa për rekordin e fitoreve në Australian Open, Nole e ka ngjitur në 104, dy më shumë sesa legjenda tjetër, Rozher Federer.

Ronaldo drejt 1 000 golave/ Superylli portugez realizoi rrjetën numër 961 në karrierë

Ndoshta vërtet nuk do të ndalet derisa t’ia dalë. Ambicia është ajo që e mban njeriun në jetë, dhe kjo ego e madhe po bën që Kristiano Ronaldo ta sfidojë tërësisht moshën.

Edhe pse 40 vjeç, superylli portugez vazhdon ndjekjen e objektivit të madh të karrierës, arritjen e shifrës së 1 000 golave si futbollist profesionist.

Mbrëmjen e fundit hodhi edhe një hap tjetër.

Shënoi rrjetën numër 961, ndërsa Al Nasr fitoi 3-0 në fushën e rivalit Al Holud, në Ligën Profesioniste Saudite.

Kjo ndodhi me të nisur pjesa e dytë, ndërsa më pas realizuan edhe Simakan e Koman me penallti, sepse CR7 ishte zëvendësuar në 79’.

Përveç 1000 golave, Kristiano kërkon edhe Këpucën e Artë këtë sezon, dhe është në vend të dytë në këtë renditje me 17, një më pak se I pari.

Në 21 janar, në fitoren 2-1 në fushën e kundërshtarit Damak, portugezi u bë shënuesi më I mirë I huaj në historinë e klubit, e tashmë ka 117 rrjeta ndaj 115 që kishte ish-rekordmeni, marokeni Hamdallah.

Ndërkaq, Ronaldo synon titullin e parë me Al Nasrin, sepse në Arabinë Saudite nuk ka fituar asgjë deri tani.

Skuadra e tij mban vendin e dytë me 43 pikë, tri më pak sesa kryesuesja Al Hilal kur ka kaluar pak më shumë se gjysma e sezonit.

Rashica “përkthyes” i Asllanit, ylli i Kosovës ndihmon mesfushorin e Shqipërisë në ditën e parë

Nuk ka kohë për të humbur. Kristian Asllani e thotë edhe vetë se është I lodhur, por duhet të vazhdojë. Futbollisti I kombëtares menjëherë pas prezantimit dhe firmosjes së kontratës, u bashkua me skuadrën e tij, Beshiktash, dhe aty e pati menjëherë një ndihmë.

Njeriu që I ndenji në krah, që I bëri shoqëri që në orët e para dhe që luajti edhe rolin e përkthyesit ishte Milot Rashica.

Lojtari I Kosovës është prej 4 sezonesh në Turqi, fillimisht i huazuar tek Gallatasaraji e më pas I blerë si karton nga Beshiktashi, dhe për Asllanin ky është një plus I madh.

Gjithsesi, pavarësisht ndihmës së Rashicës, mesfushori kuqezi do të duhet që t’ia dalë vetë.

Padyshim që ai u prit si një përforcim i rëndësishëm nga klubi i madh i Stambollit që ndodhet vetëm në vendin e pestë në Superligën e Turqisë, sepse vjen nga Seria A, veçse kohët e fundit nuk është se ka bindur sa duhet.

Huazimi I parë I tij këtë sezon ishte nga Interi tek Torino, gjithnjë në Itali, por klubi piemontez vlerësoi se shqiptari nuk dha atë që pritej. Tek zikaltërit është e qartë se nuk ka më vend, dhe shpresa është që të arrijë të shkëlqejë në futbollin turk.

Duket se karriera e Asllanit është në një udhëkryq, dhe ai duhet të reagojë për të mirën e tij dhe për të kombëtares shqiptare, në të cilën është një nga lojtarët kryesorë.

Në kërkim dhe të dënuar për disa vepra penale/ Merr fund arratia e tre të rinjve në Tiranë

Policia e Tiranës ka arrestuar tre shtetas të shpallur në kërkim për vepra të ndryshme penale, dy prej të cilëve të dënuar për plagosje të rëndë me dashje.

Mes të arrestuarve është një 31 vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Tiranës me 4 vite e 6 muaj burgim për veprën penale “Plagosje e rëndë me dashje”. Atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 2 muaj e 22 ditë burgim.

Po ashtu në pranga u vu dhe një 29 vjeçar, i dënuar nga Gjykata e Apelit me 4 vite e 6 muaj burgim për të njëjtën vepër penale. Nga ky dënim, atij i kanë mbetur për të vuajtur 1 vit e 8 muaj e 22 ditë burgim.

Personi i tretë, i cili u arrestua nga Policia e Tiranës është 35 vjeç. Ndaj tij Gjykata e Elbasanit ka caktuar masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprat penale “Plagosje e lehtë me dashje, e kryer në bashkëpunim” dhe “Prishja e qetësisë publike”. Ai iu dorëzua Drejtorisë Vendore të Policisë Elbasan për veprime të mëtejshme procedurale.

Manaj rikthehet në Turqi / Sulmuesi shqiptar largohet nga Emiratet e Bashkuara Arabe

Nuk e kanë harruar aspak. Rej Manaj mbetet një hero për tifozët e Sivasporit, për golat e shumtë dhe stilin agresiv dhe të sakrificës së lojës së tij, e tani do ta kenë sërish në ekip.

Sulmuesi I kombëtares shqiptare I dha fund aventurës vetëm 6-mujore në Emiratet e Bashkuara Arabe. Vetë klubi ku ai luajti këto kohë, Al Sharjah në Emiratet e Bashkuara Arabe, ka lajmëruar zyrtarisht ndarjen me futbollistin.

Në njoftimin në rrjet Al Sharjah I uron çdo të mirë Manajt dhe njofton se kontrata është ndërprerë me mirëkuptim.

Theksojmë se kartoni I tij u mor nga klubi nga Emiratet për 2 milionë euro.

Në pak kohë në Gjirin Persik, ylli kuqezi shënoi 6 gola në 21 ndeshje, në kampionat, kupë dhe në Championsin e Azisë, një paraqitje e mirë duke pasur parasysh edhe pengesat e përshtatjes.

Ndërkaq, në Sivaspor, Manaj ka histori tjetër. Ai ka realizuar 34 rrjeta dhe ka shërbyer 8 asistë në 63 ndeshje, duke arritur të fitojë edhe Këpucën e Bronzit në 2023-2024 kur shënoi 18 herë I lënë pas vetëm nga yje si Ikardi apo Xheko.

Kombëtarja humb “pjesët”/ Disa lojtarë kuqezinj janë të dëmtuar, sidomos në mbrojtje

Fundi i marsit është ende larg, por nuk mund të thuhet se kohë ka. Në futboll e nesërmja vjen shumë shpejt dhe padyshim që trajneri Silvinjo dhe stafi i tij e kanë harruar tërësisht suksesin në eliminatoret e Kupës së Botës, kur siguruam vendin në plej-of.

Ndeshje si ajo në Serbi apo në Moldavi le të jenë arkivë, ndërsa momenti është me shumë probleme.
Shqipëria ka disa futbollistë të dëmtuar, disa që luajnë pak, disa që janë duke u larguar nga klubi i tyre, ose që kanë shkuar në një klub tjetër.

Dëmtimet kanë goditur më shumë mbrojtjen, ku Ismajli e Gjimshiti kanë pasur shqetësime kohët e fundit, madje tepër shpesh këtë sezon.
Edhe Kumbulla nuk e ka vendin të garantuar në La Ligën e Spanjës tek Majorka pas dëmtimit që pësoi, dhe po ashtu Ivan Balliu këtë sezon herë luan e herë jo, ndërsa ka pasur dy përplasje me trajnerin.

Elseid Hysaj është drejt largimit nga Lacio, i lënë në stol edhe në ndeshjen e fundit në Serinë A, ndërsa ka luajtur shumë pak kohët e fundit.


Mario Mitaj gjithashtu nuk ka më sigurinë e mëparshme në Arabinë Saudite. Mbrojtësi i rëndësishëm i krahut të majtë ka alternuar ndeshje të plota si titullar dhe sfida të tjera kur është lënë në tribunë, dhe statusi i tij tek Al Itihadi është në dyshim prej muajsh.

Në mesfushë kanë probleme disa nga lojtarët më të rëndësishëm. Nedim Bajrami prej kohësh është rezervë te Gllazgou Rejnxhërsi në Skoci, ndonëse trajneri Silvinjo nuk e ka humbur besimin tek ai.

Asllani, ndërkaq, nuk po gjen stabilitet, që nga Interi, Torino e tani Beshiktashi, ndërsa nga Italia e larguan si të padëshiruar.
Medon Berisha, një nga më të mirët shqiptarë në Serinë A, mbetet i dëmtuar, edhe pse pritet të kthehet shpejt dhe të jetë gati për plej-ofin e Botërorit ndaj Polonisë.

Duke kaluar tek sulmi, Armando Broja ende nuk po ndez siç duhet.
Sulmuesi vërtet e shënoi një gol për Bërnlin në Angli pas gati dy vitesh, por kaq është tepër pak dhe kjo nuk mjafton që të themi se është në formën e duhur.

Rej Manaj është në ajër, duke mos gjetur qetësi as në Emiratet e Bashkuara Arabe dhe as në Turqi, ndonëse me kombëtaren ka qenë i rëndësishëm.
Së fundmi, Mirlind Daku është pushim në Rusi dhe pritet të kthehet në fushë në fillim të marsit, kur rifillon Premier Liga.

Paradoksalisht, lojtarët tanë më në formë janë ata që Silvinjo ose i aktivizon pak, ose nuk i merr fare. Ernest Muçi ka qenë fenomen në Turqi, duke shënuar shumë dhe duke fituar edhe çmimin e golit të muajit dy herë.


Po ashtu, Anis Mehmeti ka shkëlqyer në kategorinë e dytë të Anglisë dhe, pas Bristol Sitit, kaloi tek Ipsuiçi, ndonëse prej dy vitesh e gjysmë nuk grumbullohet në ekipin përfaqësues.

Mbyllet sërish qeveria amerikane, ngërçi te financimi i Departamentit të Sigurisë Kombëtare

Qeveria e Shteteve të Bashkuara është mbyllur pjesërisht, pavarësisht një marrëveshjeje financimi të miratuar nga Senati.

Ndërprerja e financimit filloi në mesnatë nga e premtja në të shtunë sipas kohës lokale, disa orë pasi senatorët ranë dakord të financonin shumicën e agjencive deri në shtator. Projektligji përfshin vetëm dy javë financim për Departamentin e Sigurisë Kombëtare, i cili mbikëqyr zbatimin e ligjit për emigracionin, në vend që ta mbyllë atë tërësisht.

Marrëveshja ende nuk është miratuar nga Dhoma e Përfaqësuesve, e cila aktualisht nuk po mban seanca.

Presidenti amerikan Donald Trump, arriti marrëveshjen me demokratët pasi ata refuzuan të jepnin më shumë fonde për zbatimin e ligjit për emigracionin pas të shtënave fatale të dy qytetarëve amerikanë në Minneapolis nga agjentët federalë.

Kjo është mbyllja e dytë e qeverisë brenda një kohe të shkurtër dhe vjen vetëm 11 javë pas përfundimit të bllokimit të mëparshëm të financimit që zgjati 43 ditë, më e gjata në historinë e Shteteve të Bashkuara.

Mbyllja e qeverisë në vitin 2025, nga 1 tetori deri më 14 nëntor, pati ndikime të gjera në shërbimet thelbësore qeveritare, përfshirë udhëtimin ajror, dhe la qindra mijëra punonjës federalë pa paga për javë të tëra.

Por kjo mbyllje e pjesshme nuk ka gjasa të jetë kaq e gjatë ose e përhapur në shumë shërbime, pasi Dhoma e Përfaqësuesve do të rifillojë seancën të hënën.

Megjithatë Shtëpia e Bardhë u ka udhëzuar disa agjencive, përfshirë departamentet e transportit, arsimit dhe mbrojtjes, që të zbatojnë planet e mbylljes.

Ligjvënësit planifikojnë të përdorin periudhën dy javore gjatë së cilës Departamenti i Drejtësisë do të vazhdojë të financohet për të negociuar një marrëveshje. Demokratët duan që kjo marrëveshje të përfshijë politika të reja për agjentët e zbatimit të ligjit për emigracionin

Aksident në Palasë/ Përmbyset automjeti i tonazhit të rëndë, tre të lënduar

PALASË– Një aksident rrugor ka ndodhur në Palasë, ku një automjet i tonazhit të rëndë është përmbysur në rrugë.

Në mjet ndodheshin tre persona në momentin e aksidentit.

Sipas informacioneve paraprake, njëri prej tyre është transportuar me urgjencë drejt spitalit rajonal të Vlorës për ndihmë mjekësore, ndërsa dy të tjerët kanë marrë dëmtime të lehta dhe ndodhen jashtë rrezikut për jetën./abcnews.al

Epstein me sytë nga Tirana? Ish-kryeministri i Norvegjisë i çon e-mail nga Shqipëria: Ka vajza të bukura!

Emra të njohur politikanësh, biznesmenësh dhe personazhe të fuqishme janë përmendur në dosjet e abuzuesit seksual Jeffrey Epstein. Miliona email-e nxjerrin në dritë detaje të panjohura më parë dhe vende që duket se ishin në rrethin e njerëzve të dyshuar dhe të akuzuar për krime.

Mes tyre është edhe Shqipëria e cila përmendet nga ish-Kryeministri norvegjez dhe ish-Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjørn Jagland. Në një e-mail të dërguar në 25 maj të vitit 2012, Jagland i shkruan Epstein se kishte vizituar Tiranën, ku vajzat ishin të jashtëzakonshme.

 

View this post on Instagram

 

A post shared by ABC News Albania (@abcnewsal)

“Përshëndetje Jeffrey. Kam qenë në Tiranë (Shqipëri) vajza të jashtëzakonshme. Do të shkoj në Jordani, Palestinë dhe Izrael. Kthehem të enjten”, shkruhet në mesazh.

Në kohën e këtij komunikimi Jagland mbante postin postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Këshillit të Europës dhe ka qenë i angazhuar në Shqipëri për zgjidhjen e krizës politike që shpërtheu në janar 2011 dhe pas zgjedhjeve lokale të atij viti.

Bazuar në datat e shkëmbimit të mesazheve, kuptohet se email-i është dërguar një ditë pas vizitës zyrtarë të Jagland në Tiranë, ku zhvilloi takime me zyrtarë të lartë përfshirë edhe kryeministrin e kohës Sali Berisha në kuadër të angazhimeve të Këshillit të Europës.

Në email nuk flitet për takime apo detaje të tjera, por duket se edhe Tirana, nuk ka mbetur jashtë vëmendjes së Jeffrey Epstein dhe rrethit të tij.

Ndërkohë në dosjet e publikuara dalin në dritë edhe komunikime të tjera mes Jagland dhe Epstein, ku në një prej tyre flitet edhe për planifikimin e një vizite në ishullin e ish financierit në Karaibe.

Si paguajmë fishekzjarrët e PD/ KQZ ndan fondet për partitë, PD merr miliona lekë për… molotovë

Mijëra euro për aksionin opozitar. KQZ ka bërë gati shpërndarjen e fondeve vjetore për partitë politike në 2026. Ndonëse jo vit zgjedhor, 3.5 milionë euro do t’u jepen partive. Rreth gjysmat e tyre, 1.66 milionë euro i merr PS, partia më e votuar nga shqiptarët, e cila ka dhe shumicën e mandateve në parlament.

PD do të marrë 800 mijë euro. Viti i kaluar zgjedhor ishte një periudhë me shumë shpenzime për selinë blu.

Vetëm në fushatë zgjedhore u shpenzuan 1.4 milionë dollarë për fushatuesin e Trump, La Civita, 800 mijë dollarë për organizimin e fushatës së zgjedhjeve të 11 majit dhe 6 milionë dollarë kontrata e lobimit në SHBA, edhe pse kjo me këste deri në 2027

Kurse këtë vit, të vetmet shpenzime që PD ka  planifikuar, veç disa foltoreve të Sali Berishës janë molotovët dhe fishekzjarrët që do të përdoren në protestat e premtuara para kryeministrisë për të rrezuar qeverinë.

Megjithatë, në shpërndarjen e fondeve bie në sy se, pavarësisht se opozita është ndarë në dhjetëra parti, të marra të gjitha së bashku, të vjetra dhe të reja marrin në total 1.68 milionë euro po aq sa PS, e cila e vetme mori mijëra vota dhe 30 mandate më shumë.

Kjo tregon se hileja e opozitës me partitë e vogla funksionoi. Mjaftoi firma për koalicionin Shqipëria Madhështore që 4 parti pa përfaqësim në parlament, por me deputetë fiktivë nga PD, të marrin secila nga rreth 60 mijë euro.

Endrit Shabani e nisi 2026 si Avokat Populli por partia e tij opozitare Nisma Thurje përfiton 40 mijë euro. Kurse Lulzim Basha, që për momentin është çaktivizuar nga politika reale, me koalicionin euroatlantik merr 45 mijë euro.

Lulzim Basha mund të jetë në arrati dhe partia e tij ka mbyllur dyqanin por dikur i përkëdheluri i Berishës vazhdon të jetë makinë parash. Dhe si molotovët, fishekzjarrët apo partitë pa përfaqësi, do të vijojnë të paguhen me mijëra euro nga taksat e qytetarëve./abcnews.al

Në kërkim për kultivim lëndësh narkotike, arrestohet i riu në Malësi të Madhe

Një 25-vjeçar nga Malësia e Madhe, i cili ishte shpallur në kërkim është arrestuar nga Policia. Ai akuzohet se në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar 1275 bimë narkotike pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj.

Bimët narkotike janë gjetur dhe asgjësuar nga shërbimet e Policisë në muajin shtator.

Gjykata e Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Kultivimi i bimëve narkotike”, kryer në bashkëpunim.

Nga hetimet e kryera dyshohet se i riu në bashkëpunim me familjarët e tij, ka kultivuar në tokën pranë banesës së tyre, në fshatin Aliaj, 1275 bimë narkotike, të cilat janë gjetur dhe asgjësuar  më 4 shtator 2025.

 

Presidenti Trump: Jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje Ukrainë-Rusi

 Presidenti i SHBA, Donald Trump, deklaroi se beson se një marrëveshje midis Ukrainës dhe Rusisë mund të jetë afër, edhe pse pranoi armiqësinë e thellë midis udhëheqësve të të dy vendeve.

Duke folur për gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Trump tha se armiqësia personale dhe politike midis presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy dhe presidentit rus Vladimir Putin ka komplikuar përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit.

“Zelenskyy dhe Putin e urrejnë njëri-tjetrin dhe kjo e bën shumë të vështirë. Por mendoj se jemi shumë afër arritjes së një marrëveshjeje”, tha Trump.

Ai nuk dha detaje për përmbajtjen e diskutimeve në vazhdim.

“Mendoj se kemi një shans të mirë për ta zgjidhur”, shtoi presidenti amerikan.

Tregtonte droga të forta/ Arrestohet 45-vjeçari në Durrës, përplasi makinën e Policisë në përpjekje për t’u larguar

Policia e Durrësit ka arrestuar një 45-vjeçar, i identifikuar si Julian Ismailaj. Ai akuzohet se tregtonte lëndë narkotike. I arrestuari, gjatë tentativës për t’u larguar, përplasi me automjetin që drejtonte në efektin e lëndëve narkotike, automjetin e Policisë që i ishte vënë në ndjekje.

Nga kontrolli në automjet u gjet heroine, kokainë dhe 1 elektroshok.

Gjithashtu u shpallën në kërkim edhe dy bashkëpunëtorë të të arrestuarit, ku njëri prej tyre i kishte dhënë 45-vjeçarit, automjetin me qira.

Po ashtu, procedohet penalisht edhe një person tjetër, i cili dyshohet se për motive të dobëta, kanosi një person me pistoletë lodër.

 

❌