Trajneri Xabi Alonso thotë se Superkupa e Spanjës është kompeticioni më i parëndësishëm i këtij sezoni.
Real Madridi pësoi humbje në finale nga Barcelona me rezultat 3-2, sfidë që ishte tepër e baraspeshuar dhe lehtësisht mund të shkonte në penallti, por madrilenët dështuan t’i konkretizojnë dy raste në fund.
“Humbja e finales? Ky kompeticioni është më i parëndësishmi i këtij sezoni”.
“Duhet ta urojmë Barcelonën. Ka qenë lojë e ngushtë. Kishim dy shanse për ta barazuar lojën. Duhet të këndellemi sa më parë që është e mundur. Ky është kompeticoni më i parëndësishëm që kemi”.
“Kur pranuam golin e tretë, isha 100 për qind i bindur se do të kemi raste për ta barazuar dhe e bëmë, por topi thjesht nuk hynte në rrjetë. Skuadra shfaqi dëshirë, por na mungoi preciziteti për të shkuar në penallti”, deklaroi ai.
Ndërkohë, e ardhmja e Alonsos mbetet e paqartë me bordin e Real Madridit që janë të zemëruar me trajnerin spanjoll dhe po konsiderojnë shkarkimin e mundshëm./Telegrafi
Tifozët e Real Madridit kanë shpërthyer në kritika të ashpra ndaj trajnerit Xabi Alonso pas humbjes së radhës ndaj Barcelonës.
“Los Blancos” u mposhtën sërish nga rivali i përjetshëm, me Barcelonën që doli fituese 3-2 pas një ndeshjeje shumë intensive dhe plot emocione gjatë 90 minutave.
Pas përfundimit të takimit, zemërimi i tifozëve madrilenë u drejtua pothuajse tërësisht në një adresë të vetme: Ajo e Xabi Alonsos.
Trajneri spanjoll u vu në qendër të kritikave për disa zëvendësime të pakuptueshme në pjesën e dytë, vendime që lanë të habitur një pjesë të madhe të mbështetësve të klubit.
Në një sezon me shumë luhatje dhe rezultate zhgënjyese, durimi i tifozëve duket se ka arritur kufirin. Reagimet në rrjetet sociale ishin të ashpra dhe të drejtpërdrejta.
“Shkarkojeni menjëherë”, “Xabi Alonso nuk është njeriu i duhur për Real Madridin”, “Mjaft më me eksperimente në ‘Clasico’”, ishin disa nga komentet më të përhapura mes tifozëve pas humbjes ndaj Barcelonës.
Presioni mbi Alonson pritet të rritet ndjeshëm në ditët në vijim, teksa Real Madridi vazhdon të vuajë kundër rivalit historik dhe rezultatet nuk përputhen me pritshmëritë e mëdha të klubit dhe tifozërisë.
Ndërkohë, Real Madridi do të vendosë gjatë ditëve të ardhshme për të ardhmen e teknikut spanjoll./Telegrafi
Interi dhe Napoli u ndanë në barazim 2-2 në një përballje të zjarrtë, të mbushur me raste, ritëm të lartë dhe tension deri në minutat e fundit.
Zikaltrit kaluan të parët në epërsi pas një aksioni të ndërtuar bukur. Marcus Thuram asistoi për Federico Dimarcon, i cili krijoi hapësirë për gjuajtje dhe dërgoi topin me një goditje të ulët që u përplas në shtyllën e djathtë përpara se të përfundonte në rrjetë, për rezultatin 1-0.
Napoli reagoi shpejt. Scott McTominay u lirua brenda zonës pas një pasimi të shkëlqyer të harkuar nga Eljif Elmas dhe me një goditje precize në këndin e poshtëm të majtë barazoi shifrat në 1-1.
Interi ushtroi presion dhe krijoi disa raste të rrezikshme. Marcus Thuram u ngrit mbi mbrojtësit dhe goditi fuqishëm me kokë drejt tavanit të portës, por portieri mysafir reagoi shkëlqyeshëm duke e ndalur topin dhe duke e dërguar në këndore.
Në anën tjetër, Rasmus Hojlund provoi nga jashtë zone për Napolin, por gjuajtja e tij kaloi shumë pranë shtyllës së djathtë. Edhe Alessandro Bastoni rrezikoi seriozisht me një volej të fortë nga jashtë zone, por topi përfundoi pak mbi traversë.
Momenti vendimtar për Interin erdhi pas rishikimit me VAR, kur gjyqtari akordoi penallti. Hakan Calhanoglu u tregua i saktë nga pika e bardhë, duke e dërguar topin pranë shtyllës së djathtë për rezultatin 2-1.
Napoli nuk u dorëzua dhe arriti të barazojë sërish. Scott McTominay realizoi golin e tij të dytë personal në ndeshje, pasi mori një pasim të saktë nga Noa Lang brenda zonës dhe me një finalizim të qetë e dërgoi topin në rrjetë për shifrat përfundimtare 2-2.
Interi kësisoj mbetet lider me 43 pikë, katër mbi Napolin që renditet në pozitën e tretë./Telegrafi
Pas një viti të mrekullueshëm te Club Brugge ku edhe kompletoi kalimin te AC Milani, mesfushori shqiptar Ardon Jashari e ka fituar edhe “Këpucën e Artë” në Belgjikë që i jepet lojtarit më të mirë të vitit.
Jashari mposhti ish-bashkëlojtarët e tij, Christos Tzolis dhe Hans Vanaken, të cilët konsideroheshin favoritët kryesorë para nisjes së votimit.
Ky çmim është veçanërisht i veçantë, pasi Jashari arriti të grumbullojë pikë vetëm në një raund votimi. Transferimi i tij veror te AC Milan e bëri të pamundur marrjen e votave të mëtejshme, por paraqitjet e tij në gjysmën e parë të vitit 2025 rezultuan vendimtare.
Pas atij lëndimi serioz, ky trofe ka një domethënie edhe më të madhe për Jasharin.
“Është një ndjenjë e pabesueshme. Për mua është një nder i madh ta fitoj këtë trofe. Pas gjashtë muajve të fundit, me lëndime dhe momente të vështira, kjo do të thotë jashtëzakonisht shumë”.
“Kam kaluar një periudhë të mrekullueshme në Belgjikë. Kur e shoh pas, nuk do ta harroj kurrë Belgjikën. Ajo është bërë vërtet një shtëpi e dytë për mua”.
Futbollisti që përfaqëson Zvicrën udhëtoi posaçërisht për të marrë çmimin. Pas një ndeshjeje kundër Fiorentinës, ai hipi pothuajse menjëherë në avion drejt Ostendës.
“Pata mezi 15 minuta pas ndeshjes. Këtu pata pesë minuta pushim dhe më pas dola direkt në skenë”.
Takimi me ish-bashkëlojtarët e tij e preku dukshëm Jasharin. Ai foli për një pritje shumë të ngrohtë dhe theksoi respektin dhe vlerësimin që ende ndjen për lojtarët dhe stafin e Club Brugge.
“Sapo të kem pak kohë, dua të bëj një festë të vogël atje”.
“Jam rritur si lojtar dhe si njeri. Ky trofe, ky vend dhe ky klub e bëjnë historinë time edhe më të veçantë”, nënvizoi ai./Telegrafi
Barcelona e ka fituar sërish Superkupën e Spanjës, duke mposhtur në finale rivalin e përbetuar, Real Madrid.
“El Clasico” si gjithnjë ishte tepër e zjarrtë, me të dy skuadrat që rrezikuan nga fillimi – ku epilogu përfundimtar rezultoi të jetë 3-2.
Barcelona fillimisht dominoi në posedim për të krijuar rastet më të rrezikshme, mirëpo që dështonin t’i konkretizonin.
Ishte Raphinha që e zhbllokoi epërsinë me një supergol pas asistimit të Fermin Lopez (36’).
Sidoqoftë, Reali u kthye në lojë falë Vinicius Jr që shënoi një gol të bukur solo (45+2’).
Barcelona megjithatë riktheu shpejtë epërsinë përmes Robert Lewandowskit, që shënoi me një parabolë të bukur pas asistimit të Pedrit (45+4’).
Por, Reali arriti të shënojë prapë. Në aksionin e fundit, Gonzalo Garcia shënoi pas një topi të kthyer nga rivëndja këndore (45+6’).
Heroi i Barcelonës rezultoi të jetë Raphinha, i cili realizoi një tjetër supergol – ku këtë herë goditja e fuqishme iu devijua nga Asencio dhe përfundoi brenda rrjetës (73’).
Barcelona në kohë shtesë edhe mbeti me një lojtar më pak si pasojë e një ndërhyrje të rëndë të De Jong te Mbappe (90+1’).
Sidoqoftë, Reali nuk i shfrytëzoi dy raste të arta në kohën shtesë – ku si Asencio edhe Carreas dështuan nga afërsia.
Kësisoj, Hansi Flick e mban rekordin e mrekullueshëm si të pamposhtur në finale./Telegrafi/
Barcelona dhe Real Madridi kanë dhuruar një pjesë të parë spektakolare në finalen e Superkupës së Spanjës, e cila u mbyll me rezultat 2-2 pas 45 minutave dramatike.
Barcelona e nisi më mirë ndeshjen dhe gradualisht mori kontrollin e lojës, duke qenë skuadra më këmbëngulëse në fazën ofensive. Rasti i parë serioz erdhi në minutën e 14-të, kur Vinicius Junior depërtoi në zonë, por goditja e tij u ndal nga Joan Garcia.
Reagimi i Barcelonës ishte i menjëhershëm. Në minutën e 15-të, Eric Garcia ishte shumë pranë golit pas një goditjeje këndi, por mbrojtja e Real Madridit ndërhyri në momentin e fundit për ta larguar topin nga vija fatale.
Presioni katalanas u konkretizua në minutën e 36-të, kur Raphinha realizoi një gol të jashtëzakonshëm. Braziliani kaloi disa kundërshtarë dhe nga jashtë zone lëshoi një goditje precize në këndin e poshtëm, duke i dhënë epërsinë Barcelonës prej 1-0.
Skuadra e Hansi Flickut vazhdoi të shtyjë përpara edhe pas golit. Fermín dhe Lamine Yamal patën raste të pastra në minutat 40 dhe 41, por Thibaut Courtois reagoi në mënyrë vendimtare për të mbajtur Real Madridin në lojë.
Megjithatë, në sekondat e fundit të pjesës së parë, Real Madridi barazoi rezultatin. Në minutën e 45+2’, Vinicius Junior realizoi një aksion individual brilant dhe me një goditje të saktë brenda zonës barazoi shifrat në 1-1.
Drama nuk përfundoi me kaq. Vetëm dy minuta më vonë, Barcelona reagoi sërish. Pedri gjeti një pasim perfekt në thellësi për Robert Lewandowskin, i cili me shumë qetësi realizoi një parabël të bukur mbi Courtois për golin e epërsisë 2-1 në minutën e 45+4’.
Sidoqoftë, vetëm një minuta më vonë Gonzalo Garcia realizoi nga afërsia pas një rivendje këndore (45+6’).
Mbetet të shihet se cila skuadër do të arrijë ta fitojë në fund Superkupën e Spanjës, ku na mbesin edhe 45 minuta të zjarrtë./Telegrafi
Sipas raportimeve të “Fichajes”, trajneri i ri i Chelseas Rosenior ka kërkuar huazimin për gjashtë muaj të yllit së Real Madridit, Trent Alexander-Arnold.
Mbrojtësi i krahut të djathtë iu bashkua Real Madridit vetëm këtë sezon, pasi u largua nga Liverpool si lojtar i lirë, por fillimi i aventurës së tij në Spanjë është penguar nga lëndimet dhe konkurrenca e fortë për një vend titullari.
Megjithatë, ka disa pengesa serioze për një lëvizje të tillë. Dani Carvajal mbetet zgjedhja e parë në krahun e djathtë të mbrojtjes, ndërsa Federico Valverde ka impresionuar vazhdimisht sa herë që është aktivizuar në atë rol.
Për më tepër, Chelsea duket se është e mbipopulluar në atë pozicion, me Reece James, Malo Gusto dhe Josh Acheampong që garojnë për minuta, çka e bën edhe më pak të mundshme një skenar të tillë.
Kështu, edhe pse thashethemi shton dozën e intriguese në tregun e transferimeve, ai duket më tepër spekulativ sesa konkret. Megjithatë, në futbollin modern, surprizat nuk përjashtohen kurrë plotësisht.
Në kohët e fundit, edhe Manchester United është përmendur si një klub i interesuar për ish-yllin e Liverpoolit, por këto zëra nuk kanë arritur të marrin hov serioz.
Sidoqoftë, gjithçka tregon se Trent Alexander-Arnold është i gatshëm të luftojë për vendin e tij te Real Madridi. Edhe pse ekziston pasiguri për shkak të mungesës së minutave në fushë, është e pamundur që ai të largohet gjatë afatit kalimtar të janarit./Telegrafi
Real Madridi dhe Barcelona do ta kërkojnë trofeun e parë të vitit 2026, pra Superkupën e Spanjës.
Reali eliminoi në gjysmëfinale rivalin lokal, Atletico, derisa Barcelona “demoloi” Bilbaon për t’u kualifikuar në finalen e madhe.
Trajneri Xabi Alonso ka vendosur që për “El Clasico” të mos e rrezikojë Kylian Mbappen, të cilin e ka lënë në stol, duke i besuar sulmit Vinicius, Gonzalo Garcia dhe Rodrygo.
Në anën tjetër, Hansi Flick e ka rikthyer Lamine Yamalin në formacionin bazë pasi e la në stol në gjysmëfinale, me këtë të fundit që do të luajë pranë Raphinhas e Ferran Torres.
Liverpool pritet të jetë pa Conor Bradley për pjesën e mbetur të sezonit, pasi është konfirmuar se mbrojtësi ka pësuar një lëndim “të rëndë” në gju.
Bradley u rrëzua në minutat e fundit të përballjes së së enjtes kundër Arsenalit, duke ngritur menjëherë shqetësime serioze për gjendjen e tij fizike.
Edhe pse Liverpool nuk ka vendosur një afat të saktë për rikthimin e mbrojtësit të krahut, raportimet fillestare sugjerojnë se ai nuk do të paraqitet më në asnjë ndeshje deri në fund të këtij sezoni.
Mungesa e Bradleyt do të shtojë presionin në repartin defensiv të Liverpoolit, por do të ketë pasoja edhe për Kombëtaren e Irlandës së Veriut.
Ata përballen me Italinë në një ndeshje “play-off” në muajin mars, në përpjekje për t’u kualifikuar në Kampionatin Botëror, dhe mungesa e një lojtari kyç si Bradley shihet si një goditje e madhe për shanset e tyre.
Klubi i Liverpoolit konfirmoi të dielën se Bradley do t’i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale në ditët në vijim, çka e përforcon më tej idenë se sezoni i tij ka përfunduar para kohe.
Gjatë këtij sezoni, Bradley ka zhvilluar 21 ndeshje me fanellën e Liverpoolit në të gjitha garat, duke qenë titullar në 13 prej tyre dhe duke u shndërruar në një opsion të rëndësishëm për trajnerin.
Ndërkohë, lojtari i Arsenalit, Gabriel Martinelli, ka marrë kritika të shumta pasi tentoi ta shtynte Bradleyn jashtë fushës në momentin kur i riu ishte i shtrirë në tokë pas lëndimit. Sulmuesi brazilian më pas kërkoi falje për veprimin e tij, duke pranuar se reagimi i tij nuk ishte i duhuri./Telegrafi
Dayot Upamecano ka marrë vendimin më të rëndësishëm të karrierës. Qendërmbrojtësi francez do të qëndrojë te Bayern Munich deri në vitin 2031, pasi ka përjashtuar përfundimisht mundësinë e transferimit te Real Madrid.
Ky përfundim ishte duke u përgatitur prej javësh. Futbollisti kishte pritur deri në janar për të mësuar qëndrimin përfundimtar të Real Madridit, por përgjigjja nga Spanja ishte e qartë dhe vendimtare.
Ndërkohë, te Bayern Munich gjithçka ishte dakorduar prej muajsh. Ekzistonte një marrëveshje verbale për rinovimin, por lojtari dëshironte të eksploronte deri në fund një transferim të mundshëm në La Liga.
Pikërisht kërkesat financiare u shndërruan në pikën kyçe që prishi çdo shans për Real Madridin. Klubi madrilen nuk ishte i gatshëm të përmbushte një kontratë me shifra kaq të larta për një qendërmbrojtës, duke e konsideruar këtë si një rrezik për ekuilibrin e brendshëm të pagave.
Në këto rrethana, Dayot Upamecano vendosi të aktivizojë rinovimin dhe të sigurojë të ardhmen e tij në “Allianz Arena”.
Kontratë rekord që e frenoi Real Madridin
Kontrata e re e francezit me Bayern Munich është një nga më të majmet në futbollin evropian për një lojtar të mbrojtjes. Qendërmbrojtësi do të përfitojë afro 20 milionë euro bruto në sezon.
Përveç kësaj, marrëveshja përfshin edhe një bonus të konsiderueshëm rinovimi. Në total, vlera e plotë e kontratës arrin rreth 140 milionë euro.
Real Madrid e analizoi këtë ofertë dhe u tërhoq menjëherë. Në Valdebebas u vlerësua se një investim i tillë do të cenonte balancën e pagave dhe filozofinë financiare të klubit.
Megjithatë, pavarësisht rinovimit, Dayot Upamecano nuk e ka mbyllur plotësisht derën për një transferim të mundshëm te Real Madrid në të ardhmen.
Kontrata e re përfshin një klauzolë lirimi prej 65 milionë eurosh, e cila do të hyjë në fuqi vetëm në verën e vitit 2027./Telegrafi
Milani dhe Ajaxi janë në fazën përfundimtare të shkëmbimit të dokumenteve për transferimin e Maximilian Ibrahimovic, i cili pritet të largohet nga Rossonerët për të nisur një aventurë të re në Holandë.
Gati 22 vjet pasi Zlatan Ibrahimovic zbarkoi për herë të parë në Amsterdam, një tjetër Ibrahimovic do të veshë fanellën historike të Ajaxit, duke ndjekur një rrugë që në mënyrë të pashmangshme rikthen kujtime nga e kaluara, por me një histori krejtësisht të re për t’u shkruar.
Marrëveshja mes palëve është arritur në formë huazimi me opsion blerjeje në vlerën e 3.5 milionë eurove. Milani, edhe pse ruan fillimisht kontrollin mbi të ardhmen e anësorit të lindur në vitin 2006, ka përfshirë gjithashtu një përqindje nga rishitja e mundshme në të ardhmen, duke treguar se klubi vazhdon të besojë fort në potencialin e sulmuesit të ri suedez.
Maximilian Ibrahimovic ka lënë gjurmë me Milan Futuro, fillimisht në Serie C dhe më pas në Serie D, ku ka treguar rritje të vazhdueshme në paraqitje. Në këtë sezon, ai ka regjistruar 16 paraqitje, duke kontribuar me 5 gola dhe 4 asistime.
Kalimi te Ajaxi shihet si një hap i rëndësishëm në zhvillimin e tij, teksa Maximilian synon të ndërtojë identitetin e vet në futbollin evropian, larg hijes së emrit të madh që mban mbi shpinë./Telegrafi
Sulmuesi Vedat Muriqi e sheh Sllovakinë si favorite për gjysmëfinalen e play-offit të Kupës së Botës, mirëpo premton se Kosova do të jep gjithçka për të avancuar tutje.
Muriqi ka dhënë një intervistë të gjatë për mediumin sllovak “Dennik Sport”, ku foli për përshtypjet e para të ndeshjes Sllovaki – Kosovë.
Ylli i Mallorcas publikisht pranoi se Sllovakia është favoriti kryesor, por beson se kjo do t’i konvenojë Kosovës meqenëse ata do të jenë nën presion.
“Sa i përket tifozëve sllovakë, mendoj se është logjike. Një pjesë e tyre janë të kënaqur sepse na shohin si kombëtare pa përvojë që kanë qenë në skenë për nëntë ose 10 vite”.
“Në anën tjetër, ata që na kanë parë së paku një herë dhe e dinë se çfarë të presin. Nuk do të thosha se ky grup është i frikësuar prej nesh, por definitivisht e respekton kualitetin e lojtarëve tanë”.
“Unë e shoh kështu, pavarësisht kundërshtarit, Kosova gjithmonë do të jetë jo-favorite. Favoriti është kundërshtari ynë. I pashë që sllovakët nuk janë të fortë vetëm taktikisht, por psiqikisht”.
“Pas shortit shikova disa ndeshje të Sllovakisë dhe mund të themi në pikëpamjen taktike, janë shumë të organizuar. Do të jetë ndeshje e mirë, por e përsëris Sllovakia është favorite”.
“Luajnë në shtëpi para tifozëve dhe pas shumë viteve duan të kthehen në turne. Jam i sigurt se kombëtarja juaj do të bëjë gjithçka për të shkuar në finale. Kjo na përshtatet, sepse Sllovakia do të jetë nën presion”.
Ai gjithashtu foli edhe për vështirësitë që kaloi Kosova për të mbërritur në këtë pikë, kurse shtoi se do të bëjnë gjithçka për t’u kualifikuar në Botërorin 2026.
“Për të qenë i sinqertë në vitet e para nuk ka qenë mirë për ne. Në kualifikuesen e parë po humbnim gjithë sepse nuk kishim një organizim të mirë të lojës”.
“Ishte shumë e vështirë sepse po pranonim nga katër-pesë gola për lojë. Pastaj gjërat ndryshuan dhe shumë lëvdata për Federatën tonë, të cilët bënë gjithçka për ta ndihmuar kombëtaren të rritet. Pika ku kemi arritur nuk është rastësi”.
“Jo vetëm që kemi kushte të mira të stërvitjes në shtëpi, pra në Kosovë, por edhe në ndeshje si mysafir. Jam shumë i kënaqur si kemi ardhur, por nuk mund të themi se kemi arritur suksesin”.
“Nëse i fitojmë këto dy ndeshje, do të jetë sukses historik për shtetin tonë. Prandaj, do të bëjmë çmos për të dhënë më të mirën”.
Kujtojmë, gjysmëfinalja mes Sllovakisë dhe Kosovës do të zhvillohet më 26 mars 2026./Telegrafi/
Në një dramë të vërtetë të zhvilluar në Prizren, Bora fitoi ndaj Bashkimit me shifrat 83:85 (20:18, 21:22, 23:25, 19:20), në javën e 14-t të ProCredit Superligës.
Përballja ka qenë mjaft interesante, duke u vendosur në sekondat e fundit. Çerekun e parë për një nuancë e fituan vendasit, 20:18, derisa lojë e baraspeshuar u zhvillua edhe në periudhën e dytë dhe të tretë.
Prishtinasit katër minuta nga fundi ishin duke fituar 76:81, kur Portokallezinjtë me një seri të suksesshme përmbysën shifrat në 83:81, por skuadra prishtinase nuk u dorëzua, derisa Alex Hunter shënoi trepikësh dhjetë sekonda nga fundi për 83:85.
Te vendasit Shannon Shorter ishte më i miri me 23 pikë, derisa te mysafirët Hunter e përfundoi ndeshjen me 19 pikë, aq sa edhe Shaquan Jules, kurse Tyler Cheese kishte 24 pikë.
Bashkimi ka nëntë fitore e pesë humbje, ndërsa Bora gjashtë fitore e tetë humbje./Telegrafi
Boksieri Granit Shala nuk ka arritur ta mbrojë titullin IBF International kundër kroatit Petar Milas.
Milas që ishte favorit, arriti ta nokautojë boksierin shqiptar në raundin e 10-të.
Shala e nisi mjaftë mirë përballjen, ku mund të themi se edhe fitoi raundet e para, por kroati kishte më shumë energji dhe nisi të sulmojë kur e pa që 29-vjeçari filloi të lodhet.
Në raundin e fundit, Milas me një goditje të fortë më të djathtën arriti ta rrëzojë Shalën, i cili u ngrit pas shtatë sekondave. Pas kësaj, kroati vazhdoi me sulmet e njëpasnjëshme për ta nokautuar përfundimisht shqiptarin.
Kjo garë ishte për titullin IBF që u mbajt në Gjermani, ndërsa Shalës i mbetet të vazhdojë me stërvitje dhe të kthehet edhe më i fortë.
Kujtojmë, Milas është një boksier tepër i njohur pasi ka plot 20 fitore (16 me nokaut) dhe vetëm një humbje, ndërsa Shala tani regjistron humbjen e dytë, kurse ka 18 fitore./Telegrafi/