Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Gjykata Penale shpall aktgjykimin, katër vite burg për ish-drejtorin e Geriatrisë



Gjykata Penale e Shkupit i ka shqiptuar katër vite burg Muhsin Arifit, ish-drejtorin e Klinikës së Geriatrisës në Shkup, i cili akuzohet për marrje ryshfeti. Gjykata Penale shpalli vendimin edhe për bashkëpunëtorin e tij në veprën penale, përkatësisht për të akuzuarin e dytë Blerim Ameti, i punësuar në Klinikën e Geriatrise në atë kohë, i cili u dënua me një vit e 10 muaj burg.

“I akuzuari Muhsin Arifi dënohet me burg në kohëzgjatje prej 4 viteve, në të cilën dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari Blerim Ameti dënohet me burg prej një viti e 10 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Si rrethana rënduese gjykata vlerësoi llojin, karakterin dhe peshën e veprave penale si dhe mënyrën e kryerjes së tyre”, deklaroi Lenka Davitkova, gjyqtare.

Arifi u akuzua vitin e kaluar për marrje ryshfeti, me qëllim që të lejonte shtruarjen në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, gjë që në fakt ishte detyrë e tij zyrtare si drejtor i klinikës.

Blerim Ameti u akuzua për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa u arrestua në vendngjarje duke marrë një pjesë të shumës së dakorduar, të dedikuar për Arifin, në vlerë prej 20.000 euro. Si Arifi, ashtu edhe Ameti gjatë procesit gjyqësor mohuan fajin.

Ministria e Transformimit Digjital: Maqedonia e Veriut është gati për roaming pa kosto shtesë në BE për qytetarët tanë



Ministria e Transformimit Dixhital informon publikun se ndryshimet në Ligjin për Komunikimet Elektronike (AKE) kanë hyrë në një procedurë qeveritare dhe janë publikuar në ENER.

Siç thonë nga ministria, me këto ndryshime, Maqedonia e Veriut përmbush detyrimet e saj ligjore për t'u përafruar me standardet evropiane në fushën e roamingut, me një qëllim të qartë - më shumë mbrojtje, transparencë më të madhe dhe kosto më të ulëta dhe të parashikueshme për qytetarët kur përdorin shërbime mobile gjatë roamingut në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.

"Republika e Maqedonisë së Veriut është tashmë pjesë e marrëveshjes rajonale të roamingut në Ballkanin Perëndimor, me të cilën qytetarët përdorin shërbime mobile në vendet e rajonit në kushte si në vend, pa kosto shtesë të roamingut. Ndryshimet në Ligjin për Komunikimet Elektronike krijojnë kushte për vendosjen e rregullave të qarta për kufizimin e çmimeve të roamingut, rritjen e mbrojtjes së konsumatorit përmes informacionit transparent dhe mekanizmave për parandalimin e kostove të larta të papritura dhe forcimin e rolit rregullator të institucioneve kompetente në fushën e komunikimeve elektronike, heqjen e kostove të roamingut gjatë udhëtimit në vendet e BE-së, rritjen e sigurisë ligjore dhe parashikueshmërisë së çmimeve dhe lehtësimin e aksesit në shërbimet dixhitale, shërbimet elektronike dhe komunikimet mobile jashtë vendit".

"Ministria e Transformimit Dixhital pret që Qeveria të hartojë tekstin e ligjit deri në fund të muajit, dhe në shkurt ai do të dorëzohet në procedurën parlamentare dhe do të miratohet. Me këtë hap, Ministria e Transformimit Dixhital dhe Qeveria plotësojnë kushtet për arritjen e të njëjtave kosto për thirrjet, mesazhet dhe paketat e internetit për qytetarët maqedonas, kur ata udhëtojnë ose qëndrojnë në BE. Kjo do të pasohet nga miratimi i tre akteve nënligjore nga Agjencia për Komunikime Elektronike, pas së cilës të gjitha këto aktivitete do t'i ndahen Komisionit Evropian për validimin e tyre", thonë nga Ministria e Transformimit Digjital.

Aliu: Projektligji rregullon mbrojtjen nga duhani në hapësira publike të hapura ku ka prani ose lëvizje të shumë personave



Ministria e Shëndetësisë njofton se me projektligjin e ri për mbrojtje nga pirja e duhanit parashikohet rregullimi i pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura ku ka prani ose qarkullim të shumë njerëzve. Më konkretisht, bëhet fjalë për hapësirat përreth institucioneve shëndetësore, arsimore dhe sociale, ngjarjeve publike, aktiviteteve sportive dhe kulturore, si dhe vendeve të dedikuara për fëmijë, të rinj dhe familje.

"Ky është një aspekt veçanërisht i rëndësishëm i kornizës ligjore, duke pasur parasysh se kur njerëzit ndodhen afër njëri-tjetrit, tymi dhe aerosoli thithen drejtpërdrejt, ndërsa ekspozimi është i menjëhershëm. Në hapësirat publike të hapura qytetarët nuk kanë gjithmonë mundësi reale të largohen, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat me sëmundje kronike. Ligji ndërhyn vetëm aty ku ekziston ekspozim i pashmangshëm i personave të tjerë, me qëllim që hapësira publike të jetë një hapësirë e shëndetshme për të gjithë", thekson ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.

Siç thonë nga MSH, theks i veçantë i është kushtuar lokacioneve ku njerëzit nuk mund ta shmangin realisht ekspozimin ndaj tymit të duhanit, si për shembull gjatë pritjes në radhë, në hapësira të hapura ku qëndrohet për një kohë më të gjatë, apo në tubime të ndryshme publike në ambient të hapur.

"Për shembull, personat që presin në radhë për të blerë biletë për një institucion kulturor apo për hyrje në një ndeshje sportive, nuk kanë mundësi reale të shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit. Qëllimi i projektligjit është mbrojtja e shëndetit të kësaj kategorie të popullsisë".

"Gjithashtu, në kuadër të rregullimit të pirjes së duhanit në hapësira publike të hapura, ndalohet veçanërisht pirja e duhanit në vendet e destinuara për fëmijë, të rinj dhe familje, si për shembull përpara këndeve të lojërave për fëmijë, ku më të vegjlit nuk mund ta shmangin ekspozimin ndaj tymit të duhanit", thonë nga Ministria e Shëndetësisë.

LSM paralajmëron protesta javën e ardhshme, Trendafilov: Është koha të luftojmë për paga më të mira për punëtorët



Kryetari i Lidhjes së Sindikatave të Maqedonisë (LSM), Slobodan Trendafilov, në konferencë për shtyp informoi se më 28 janar në orën 17:00, do të mbajnë protesë para Shtëpisë së pnëtorëve.

Trendafilov tha se është koha të luftohet për paga më të mira për punëtorët, përcjell Telegrafi Maqedoni.

"U bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve, pagat e të cilëve nuk janë rritur, të gjithë punëtorëve që po mendojnë se si t'ia dalin mbanë në fund të këtij muaji, u bëjmë thirrje të gjithë punëtorëve që i gënjyen shefat, menaxherët, zyrtarët, ministrat etj., se do t'i rrisnin pagat, dhe nuk i rritën, të na bashkohen në rrugë", tha Trendafilov.

Sipas tij, qeveria refuzon të rrisë pagën minimale në një kohë kur 540 mijë qytetarë në Maqedoni janë të varfër.

"Ne po bëjmë thirrje për protestë sepse kufiri i varfërisë është 31,200 në Maqedoni, dhe 33 përqind e 540,000 punëtorëve jetojnë me pagë nën kufirin e varfërisë, shkojnë në punë dhe janë të varfër. Meqenëse ata që nuk duan të bien dakord në emër të punëtorëve dhe nuk duan të rrisin pagat e punëtorëve, besojnë se duhet t'i mbajnë punëtorët në gjendje urie dhe pengjesh në mënyrë që ata të jenë të bindur dhe të nënshtruar ndaj tyre", tha kryetari i LSM-së.

Trendafilov kërkoi mbështetjen e të gjithë punëtorëve, duke shtuar se duke qëndruar në shtëpi, mbështetet politika e pagave të ulëta, të ardhurave të mjerueshme dhe një jete të vështirë pune.

Nëse kërkesat e tyre nuk plotësohen, Trendafilov paralajmëroi mbledhjen e 10,000 nënshkrimeve, gjë që do t’i bënte ata propozues të autorizuar të ligjeve dhe do të kërkonin ulje të pagave të zyrtarëve shtetëror me 78 përqind dhe rritje të pagave të punëtorëve në 600 euro./Telegrafi/

Në Gjermani jetojnë mbi 160 mijë shtetas të Maqedonisë së Veriut



Gjermania ka qenë prej kohësh një nga destinacionet kryesore për qytetarët e Maqedonisë së Veriut që kërkojnë kushte më të mira jetese dhe pune. Sipas të dhënave të fundit nga Regjistri Qendror i të Huajve (AZR), 161,044 shtetas të RMV-së jetojnë në këtë vend evropian, duke e bërë Maqedoninë një nga 25 vendet me diasporën më të madhe në Gjermani.

Në një vend me mbi 14 milionë të huaj, shtetasit e Maqedonisë janë të 22-tët në numër, menjëherë pas Kinës dhe Iranit, dhe përpara Vietnamit. Të dhënat konfirmojnë migrimin e gjatë nga Maqedonia, por edhe praninë e qëndrueshme të komunitetit nga Maqedonia në tregun gjerman të punës. Ajo që nuk përfshihet në këtë shifër janë shtetasit e RMV-së që u larguan për në Gjermani me pasaporta bullgare.

Vendet e Ballkanit tradicionalisht kanë pasur prani të fortë në Gjermani. Shtetasit e RMV-së janë pjesë e një vale më të gjerë të migrimit të fuqisë punëtore së bashku me qytetarët nga Bullgaria, Kroacia, Serbia, Kosova, Bosnja dhe Hercegovina dhe Greqia.
Numri i shtetasve të vendeve të rajonit që jetojnë në Gjermani janë:

Bullgaria – 422,787

Kroacia – 414,555
Greqia – 347,486
Kosova – 322,571
Serbia – 262,479
Bosnja dhe Hercegovina – 246,724
Maqedonia – 161,044.

Ukrainasit kalojnë Turqinë

Turqit mbeten në krye të listës, me rreth 1.52 milion banorë, por dominimi i tyre është nën kërcënim. Për shkak të luftës në shkurt 2022, numri i ukrainasve në Gjermani është rritur në mënyrë dramatike dhe tani tejkalon 1.4 milion, duke i bërë ata grupin e dytë më të madh të të huajve. Për krahasim, në fund të vitit 2020, vetëm rreth 135 mijë ukrainas jetonin në Gjermani.

Në total, 14,077,867 të huaj jetojnë në Gjermani, ose 16.8 përqind e popullsisë. Nëse përfshihen edhe njerëzit me prejardhje migrante – fëmijët e të huajve të lindur në Gjermani, personat e natyralizuar dhe emigrantët e vonë – shifra arrin në 25.2 milionë, ose mbi 30 përqind të popullsisë.

Janevska për pushimin dimëror: Gripi nuk merret vetëm në shkolla, por edhe në rrugë dhe gjatë skijimit



Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, ka dhënë mbështetje të plotë vendimit për të filluar gjysmën e dytë të vitit shkollor më 20 janar.

Ajo theksoi se ky vendim është i nevojshëm sepse nxënësit deri në moshën 15 vjeç tashmë kanë 900 orë mësimi më pak krahasuar me standardet ndërkombëtare.

Sipas Janevskës, të gjitha hulumtimet përkatëse konfirmojnë se rregullsia më e madhe në mësime lidhet drejtpërdrejt me suksesin më të lartë të nxënësve.

Lidhur me shqetësimet për përhapjen e viruseve, ministrja deklaroi me vendosmëri se gripi nuk merret vetëm në shkollë, por edhe në shtëpi, në rrugë ose gjatë skijimit.

"Së dyti - gripi nuk merret vetëm në shkollë, ai infektohet edhe në shtëpi, në rrugë dhe gjatë skijimit. Pra, nëse është e nevojshme, jam e sigurt se Ministria e Shëndetësisë do të reagojë", tha Janevska.

LSDM: E gjithë Maqedonia në kolaps, OBRM-PDUKM-në e befasoi bora në janar



Pas reshjeve të borës që kapluan vendin sot, nga LSDM thonë se institucionet nuk po funksionojnë, rrugët dhe rrugicat nuk pastrohen. Fotot nga kolapsi në Shkup dhe Maqedoni tregojnë se trafiku është i pasigurt.

"Qytetarët kanë mbetur vetëm, por kryetarët e komunave dhe zyrtarët e OBRM-PDUKM-së po fërkojnë duart. Tenderët për pastrimin e borës janë një nga të preferuarit e OBRM-PDUKM-së. Shtrirjet e borës në rrugë janë një idil për kryetarët e bashkive nga koalicioni i tenderëve OBRM-PDUKM-ZNAM, të cilët do të faturojnë mijëra ton kripë sot".

"Megjithatë, është e vështirë të gjesh kripë, kështu që duhet të numërojnë paratë që vodhën nga qytetarët. Nuk ka para për paga, për pensione, për pajisje pastrimi. Ka vetëm para për tendera për OBRM-PDUKM-në dhe miqtë e Mickoskit", thonë nga LSDM.

Në Gjykatën Penale sot shqiptohet vendimi për rastin “Geriatria”



Në Gjykatën themelore publike sot duhet të shpallet aktvendim për rastin “Geriatria”, ku Muhsin Arifi – ish drejtor i Spitalit të specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative dhe Blerim Amiti – i punësuar në klinikë ngarkohen për marrjen e rryshfetit dhe shpërblesës për ndikim kundërligjor.

Sipas aktakuzës, Arifi, drejtor i ISHP Spitali i specializuar për mjekësi geriatrike dhe paliative, ka kërkuar dobi pronësore prej 20.000 eurove për të mundësuar pranim të pacientes në gjendje të rëndë shëndetësore. Amiti, i cili paraprakisht e ka njohur dëshmitarin, u ofrua të ndërmjetësojë dhe e ka marrë shumën e parave, me ç’rast është kapur në vendin e ngjarjes nga policia.

Të akuzuarit në fillim të gjykimit u prononcuan se nuk ndjehen fajtorë për veprat që u ngarkohen.

Procesin gjyqësor e udhëheq gjyqtarja Lenka Davitkova, ndërsa përfaqësues i akuzës është prokurorja Iskra Haxhi Vasileva.

VLEN: Ristovi s’është rast i izoluar, “ombrella” e drejtësisë së kapur po çahet



"Vendimi i Këshillit Gjyqësor për t’ia hequr imunitetin gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, për ta larguar përkohësisht nga detyra dhe për t’i shqiptuar masën e arrestit shtëpiak është një hap i rëndësishëm", thonë nga VLEN, duke shtuar se ky hap nuk e mbyll çështjen, përkundrazi e hap edhe më shumë sepse kur te një gjykatës Apeli gjenden 350 mijë euro të dyshuara si para të paligjshme, kjo nuk është skandal individual.

"VLEN rikujton se Ristov, bashkë me gjyqtarin non grata Enver Bexheti, kanë qenë pjesë e vendimeve që i hapën rrugën e lirisë Sasho Mijallkovit, simbolit të shtetit të kapur. Në të njëjtin kontekst u sanksionua non grata edhe Artan Grubi, i arratisur nga drejtësia. Nuk ka rastësi këtu. Ka skemë. Ka mburojë. Ka ombrellë".

"Prandaj, pyetja kryesore nuk është vetëm çfarë do të ndodhë me Ristovin. Pyetja është kush e mbrojti Ristovin dhe kë ka mbrojtur Ristovi. Qytetarët kanë të drejtë të dinë në sa lëndë kanë vepruar Ristovi dhe Bexheti, në sa raste kanë vendosur për paraburgim, garanci financiare, zvarritje apo vjetërsime dhe cilat vendime konkrete kanë prodhuar lirime, shpëtim nga përgjegjësia ose “amnisti” të heshtura për njerëz të fuqishëm", thonë nga VLEN.

Vendoset ndalesë për automjetet e rënda në Mavrovë - Dibër dhe Strugë - Qafë Thanë



Është vendosur ndalesë për lëvizje të automjeteve të rënda të mallrave në qafat malore Gjavato, Presekë, Mavrovë - Dibër dhe Strugë - Qafë Thanë, njoftojnë nga LAMM.

Trafiku në rrugët tjera shtetërore po zhvillohet pa probleme, në rrugë kryesisht të lagura.

Intensiteti i trafikut në rrugët jashtë zonave urbane është mesatar. Në kalimet kufitare në anën e RMV-së, nuk ka vonesa më të gjata për hyrje dhe dalje nga vendi.

LAMM rekomandon shpejtësi të rregulluar, duke respektuar sinjalistikën e vendosur të trafikut dhe menaxhim të kujdesshëm të automjeteve, veçanërisht në rrugët nëpër lugina, lugina lumenjsh dhe gryka, ku ekziston mundësia e rrëshqitjeve të dheut. Kjo vlen veçanërisht për seksionet Katllanovë - Veles, Mavrovë - Dibër - Strugë, Vinicë - Berovë dhe Koçan - Delçevë.

Moti sot në Maqedoninë e Veriut



Moti sot në Maqedoninë e Veriut do të jetë me vranësira dhe me reshje lokale të dëborës. Reshje më të dendura do të ketë në pjesët perëndimore të vendit. Në viset më të larta dhe ato malore shtresa e dëborës pritet të rritet deri në 25 centimetra. Do të fryjë dhe erë e dobët deri në mesatare nga drejtimi juglindor.

Temperatura minimale do të jetë në interval prej -8 deri në -2, ndërsa ajo maksimale do të arrij nga 0 në 6 gradë.



Në Shkup dhe rrethinë moti do të jetë i ngjashëm, kryesisht më vranësira dhe me reshje të kohëpaskohshme të dëborës me intensitet të ulët. Do të fryjë dhe erë e dobët nga drejtimi juglindor. Temperatura minimale do të ulet në -6, ndërsa ajo maksimale do të arrij në 2 gradë Celsiusë.

Ivanovska: Vetë gjyqtarët thjesht kontribuuan që besimi të bjerë në dy për qind



"Gjyqësori është kategori kushtetuese; gjyqtarët zgjidhen për gjithë jetën, përveç nëse kryejnë ndonjë shkelje më të rëndë disiplinore ose ndonjë vepër penale, çka do të çonte në shkarkimin e tyre. Pra, ata kanë të gjithë të drejtën dhe bazën për të vepruar. Çfarë ndodhi? Vetë gjyqtarët thjesht kontribuuan që besimi të bjerë në dy për qind".

Këtë e tha Biljana Ivanovska, ish-kryetare e Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit (KSHPK), në debatin e mbrëmshëm në “Top Tema” në TV Telma.

“Nga ana tjetër, mosndëshkueshmëria është ndër faktorët kryesorë që gjenerojnë korrupsion. Ndërsa mosndëshkueshmëria buron pikërisht nga funksionimi i këtij sektori. Pra, për ta zgjidhur korrupsionin në shtet, në këtë sektor është sikur të zgjidhësh një kub Rubiku, por me zgjidhje të kundërt", thotë Ivanovska.

Burg shtëpiak për Gjoko Ristovin, i sekuestrohen dokumentet e udhëtimit



Pas tri ditësh ndjekje nga prokuroria dhe policia, bëhet i gjallë gjykatësi Gjoko Ristov, i dyshuar për korrupsion. Ai tani u morr në pyetje në Gjykatën Penale nga gjykatësi i procedurës paraprake. Nga Prokuroria për ndjekje të krimit të organizuar dhe korrupsionit i paraqiten provat e mbledhura mbi të cilat bazohet dyshimi i arsyeshëm se ai ka kryer veprat të rënda penale për të cilat ngarkohet.

Veprat penale që rëndojnë mbi të dyshuarin janë sipas Kodit Penal: Nenit 359-a Përvetësimi dhe fshehja e paligjshme e pasurisë, paragrafi 3, paragrafi 1; dhe Neni 273, paragrafi 1 Pastrimi i parave dhe të ardhurave të tjera nga një vepër penale. Vetëm nga njëra vepër sipas paragrafin 3 parashikohet dënimi me burg nga 1 deri në 8 vite.

“Pasi vlerësuam kushtet objektive që duhet të përmbushen për përcaktimin e masës për sigurimin e pranisë, si dhe ato subjektive që e justifikojnë atë, prokurori publik i paraqiti një propozim gjykatësit të procedurës paraprake në Gjykatën Themelore Penale në Shkup për përcaktimin e masës së arrestit shtëpiak për të dyshuarin. Përveç kësaj mase, është propozuar edhe përcaktimi i një mase të kujdesit – sekuestrimi i përkohshëm i dokumenteve të udhëtimi që ndalohet lëshimi i adresës dhe i shtetit”, theksojnë nga Prokuroria për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit.

Por në cilësinë e gjykatësit në shkallë të dytë në Gjykatë të Apelit, Gjokos nuk mund t’i shqiptohet masa e arrestit shtëpiak derisa ai ka imunitet. Për heqjen e imunitetit Gjykata Penale kërkoi nga Këshilli Gjyqësor për heqjen e imunitetit të Gjoko Ristov për t’i hapur rrugë ngritjes së akuzës dhe eventualisht gjykimit të tij. Këshilli Gjyqësor menjëherë thirri seancë të jashtëzakonshme dhe vendosi për heqjen e imuniteti të tij.

“Këshilli Gjyqësor mbajti seancë të jashtëzakonshme 535 në të cilën u shqyrtua kërkesa e Gjykatës Penale. Me 10 vota pro nga të gjithë të pranishmit në Këshillin Gjyqësor i merret imuniteti gjykatësit Gjoko Ristov dhe i pezullohen të gjitha aktivitetet gjyqësore për sa zgjatë procesi i hetimit dhe eventualisht procesi gjyqësor. Me këtë i hapet rrugë vendimit të penales për arrest të tij shtëpiak”, thonë nga Këshilli Gjyqësor i RMV-së.

Gjatë fundjavës në shtëpinë e prindërve të tij në Negotinë, u gjetën 350 mijë euro të murosura që dyshohet se janë një nga provat materiale për dyshimin e përfshirjes së tij në korrupsion që ndërlidhet me arrestimin e avokatit Fehmi Stafa nga mesi i dhjetorit i kapur po ashtu me ryshfet 50 mijë euro.

Me të marrë informacion, Gjoko Ristovi mori pushim mjekësor javën e kaluar, pas së cilës kolegët e tij nuk e kanë parë më, deri në ditën e sotme i cili u paraqit në Gjykatën Penale.

Toshkovski: Është ulur numri i viktimave në aksidentet rrugore që nga fillimi i periudhës provuese të "Safe City" në Shkup



"Jam krenar për qytetarët sepse kemi pasur një ulje drastike të numrit të viktimave në aksidentet rrugore në Shkup që nga fillimi i periudhës provuese të “Safe City”, tha ministri i Punëve të Brendshme Pançe Toshkovski.

“Dua t’i falënderoj qytetarët sepse ata vërtetuan se pa penalizime arritën të ulin numrin e vdekjeve nga 11 në dy vdekje në periudhën dhjetor-janar, krahasuar me dhjetor 2024-janar 2025. Numri i qytetarëve të lënduar në territorin e SPB Shkup për këto 50 ditë që funksionon “Safe City” është ulur me 35 përqind”, tha ministri Toshkovski.

Ai theksoi se qëllimi i projektit “Safe City” është të rrisë kulturën e sigurisë së qytetarëve dhe si rezultat, të ketë sa më pak shkelje të trafikut, sa më pak lëndime dhe më e rëndësishmja, sa më pak viktima njerëzore.

“Filluam me 100,000 shkelje në ditë, por tani ato janë drastikisht më pak. Megjithatë, është ende një numër i madh”, tha Toshkovski.
Ai shpjegoi se “Safe City” do të sanksionojë katër shkelje.

“Sistemi “Safe City” do të zbulojë kalimin në semafor të kuq, tejkalimin e shpejtësisë, parkimin e papërshtatshëm dhe automjetet e paregjistruara. Është shumë e rëndësishme të dimë se kemi pasur këtë përfitim të kamerave inteligjente për 15 vjet. Ministria e Brendshme i ka përdorur ato për më shumë se 15 vjet në kuadër të aktiviteteve të saj operative dhe kriminale në aspektin e zbulimit të krimeve të kryera. Sigurisht, kamerat do të përdoren edhe për krime specifike që duhet të zbulohen”, theksoi Pançe Toshkovski.

Kapja e kryqit në ujë, dy persona nga Shkupi dje përfunduan në spital



Në ujërat e lumit Vardar në Shkup, gjatë një aktiviteti fetar me rastin e festës së Epifanisë, janë regjistruar dy raste.

P.A. (20) nga fshati Vizbegovë, rajoni i Shkupit, dhe H.P. (27) nga fshati Sopishtë, rajoni i Shkupit, të cilët morën pjesë në aktivitet, hynë në ujë dhe nuk mund të dilnin.

"Ata u nxorën nga uji nga ekipet e zhytjes dhe u transportuan me ambulancë në Spitalin e Përgjithshëm të Qytetit "8 Shtatori" në Shkup", thonë autoritetet.

Protestë para DAP në Tetovë, qytetarët kundërshtojnë tatimin e dyfishtë



Dhjetëra qytetarë janë mbledhur sot para selisë së Drejtorisë së të Ardhurave Publike në Tetovë. Ku kanë protestuar për të atë që e kanë quajtur padrejtësi që u bëhet për disa tatime retroaktive.

Ata theksojnë se Drejtoria krijon pasiguri juridike, ndërkohë që sipas tyre, disa nga dëshmitë për qëndrim dhe punë jashtë shtetit nuk merren parasysh.

“Këto masa prekin qytetarët që kanë punuar jashtë vendit, shpesh në zona të rrezikshme dhe të prekura nga konfliktet. Duke siguruar të ardhura për familjet tona dhe duke kontribuuar në ekonominë e vendit, pasi shumica e këtyre mjeteve financiare janë investuar edhe brenda shtetit, shumë prej tyre kanë qëndruar jashtë vendit mbi 183 ditë dhe sipas ligjit për tatimin personal duhet të trajtohen si jorezidentë tatimorë, ky status nuk na njihet nga DAP. Dëshmitë për qëndrim dhe punë jashtë shtetit nuk merren parasysh nga punonjësit e drejtorisë”, tha një qytetar.

Protestuesit deklaruan se parimisht nuk janë kundër pagesës së tatime ndaj shtetit, por por kundërshtojnë ngarkesën e padrejtë dhe retroaktive.

Protestuesit kërkojnë nga DAP pezullimin e vendimeve tatimore me efekt retroaktiv, njohje e dokumentacionit për statusin e jorezidentit pa kërkuar formalitete shtesë, qartësim dhe transparencë institucionale, hapje të dialogut për zgjidhje të drejtë dhe të qëndrueshme, udhëzime të qarta për trajtimin tatiomor për qytetarët të angazhuar në misione ndërkombëtare.

Shumica e këtyr qytetarëve kanë qenë të angazhuar nga kompanitë që kanë pasur kontrata pune në bazat ushtarake amerikane në Afganistan dhe Irak.

Nxënësit u rikthyen në bankat shkollore pas pushimit dimëror



Pas pushimit dimëror dhe periudhës së festave, oborret e shkollave u gjallëruan sërish. Gjysmëvjetori i dytë nisi me atmosferë pozitive, nxënësit u rikthyen në banka me forca të reja dhe gati për të vijuar procesin mësimor. Për nxënësit, ky pushim ishte një mundësi e shkëlqyer për t’u çlodhur, por edhe për të mësuar aftësi të reja.

“Isha në shtëpi dhe të gjyshja, kalova shumë bukur”, tha një nxënës.

“Së pari prita vitin e ri, pastaj shkova në Borovec bëra ski atje dhe kalova shumë mirë sepse edhe shoku im më i mirë ishte atje”, u shpreh një tjetër nxënës.

“Shkova në një kamp me miqtë e mi, dhe në kamp mësova skijimin. Në kohën time të lirë, shoqërohesha ose lexoja libra”, tha një nxënës.

“Shkova me pushime dimërore në Zlatibor, mësova të bëja ski dhe në kohën time të lirë lexova lektyrën Mary Poppins”, theksoi një nxënës.

Kur bëhet fjalë për gripin stinor, situata shëndetësore në shkollën “Luben Lape” në Komunën e Aerodromit është e qëndrueshme, pasi sipas drejtuesve të shkollës, kulmi i viruseve dhe gripit u kalua para pushimeve. Megjithatë, kjo shkollë po përballet me rritje të vazhdueshme të numrit të nxënësve duke u kthyer në shqetësimin kryesor për drejtorinë. Numri i nxënësve ka arritur 1.400 ndërkohë që objekti ka kapacitet për 800 nxënës.

“Kur kemi valë të këtilla virusesh dhe gripi ndodhë shpesh që edhe stafi të mungoj, të jenë të sëmurë. Shpresoj që këtë pjesë e kaluam në dhjetor dhe nuk do të përsëritet. Kjo shkollë në Komunën e Aerodromit ka shumë nxënës. Vetë mjedisi po e bën këtë sepse ka shumë ndërtesa të reja të ndërtuara përreth shkollës. Momentalisht, në këtë shkollë mësojnë 1.360 nxënës që është një numër shumë I lartë. Zakonisht, 150-180 nxënës kemi në gjeneratë dhe po aq regjistrojmë në klasë të parë”, deklaroi Fonika Stanoeva, drejtore e sh.f “Luben Lape”, Komuna Aerodrom./Alsat/

Publikoi video duke vozitur 293 km/h, policia e gjen dhe e gjobit shoferin nga Shkupi



Ministria e Punëve të Brendshme, Sektori i Çështjeve të Komunikacionit dhe Njësiti Mobil për Sigurinë në Komunikacionin Rrugor ka marrë masa dhe veprime operative përkatëse pas publikimit të videos në rrjetet sociale ku shihet një person i cili drejton një automjet udhëtarësh me shpejtësi prej 293 kilometrash në orë në autostradën Shkup-Gjevgjeli, pranë Negotinës, ku shpejtësia maksimale e lejuar është 120 km/orë.

"Pas veprimeve të ndërmarra, personi që drejtonte automjetin është identifikuar, gjetur dhe thirrur. Në lidhje me ngjarjen, personi A.D. (36) nga fshati Elovë, rrethina e Shkupit është sanksionuar në përputhje me dispozitat ligjore".

"Ministria e Punëve të Brendshme u bën apel të gjithë pjesëmarrësve në komunikacion që të respektojnë rregullat dhe rregulloret e komunikacionit, me qëllim ruajtjen e sigurisë së të gjithë qytetarëve", thonë nga MPB.

VLEN: Gjetja e 350 mijë eurove te gjykatësi, shkatërron besimin e fundit në sistemin gjyqësor



"Lajmi se gjykatësi Gjoko Ristov i janë gjetur 350 mijë euro të dyshuara si para korrupsioni nuk është vetëm një skandal individual. Ky lajm rrënon edhe atë grimcë të fundit besimi që qytetarët kanë pasur në sistemin e drejtësisë", thonë nga VLEN.

Ata gjithashtu thonë se janë të bindur se ky nuk është rast i izoluar, por maja e ajsbergut e një sistemi të kalbur, i cili për vite me radhë ka mbrojtur të fortët, ndërsa ka shtypur qytetarët e zakonshëm.

"Ajo që e bën situatën edhe më alarmante është fakti se Gjoko Ristov nuk është emër i panjohur për drejtësinë. Përkundrazi. Ai, së bashku me gjyqtarin Enver Bexheti tashmë i shpallur non grata, kanë qenë pjesë edhe e vendimeve gjyqësore që i hapën rrugën e lirisë Sasho Mijallkovit, simbolit të shtetit të kapur, i cili sot shëtit i lirë me Ferrari në Monaco".

"Kujtojmë se Enver Bexheti u sanksionua si non grata bashkë me të arratisurin nga drejtësia, po ashtu non grata Artan Grubi, pikërisht mbi bazën e dyshimeve se kanë ndikuar në vendime që i mundësuan Sasho Mijallkovit të gëzojë lirinë dhe t’i shpenzojë pasuritë e tij. Nëse dikush mendon se këto janë rastësi, atëherë nuk e kupton pse qytetarët janë të revoltuar".

"Prandaj sot shtrojmë disa pyetje konkrete: Në sa lëndë tjera kanë qenë të përfshirë Gjoko Ristov dhe Enver Bexheti? Në sa raste kanë qenë pjesë e vendimeve për paraburgim, garanci financiare apo zvarritje procedurash? Cilat vendime konkrete kanë prodhuar lirime dhe shmangie nga përgjegjësia për njerëz të fuqishëm? Pyetja kryesore që mbetet është kush i ka mbajtur këta njerëz në këto pozita për kaq vite dhe pse?", thonë nga VLEN.

Azeski: Për pagën minimale duhet të bisedohet dhe të arrihet zgjidhja më e mirë



Ne duam të ketë prag sa më të lartë të pagës minimale, por kjo mund të rregullohet me rritjen e efikasitetit të punës dhe produktivitetit, si dhe me uljen e shpenzimeve, ndërsa duhet të jetë e lidhur edhe me disa elemente që nënkuptojnë rritje të PBB-së, tha sot kryetari i Odës Ekonomike Branko Azeski.

Sipas Azeskit, për këtë çështje duhet të bisedohet, të ulen të trija palët, punëtorët Qeveria dhe punëdhënësit dhe të arrihet zgjidhja më e mirë.

“Mund të shkojmë me ç’farëdo rritje të pagës minimale e cila nuk do të paguhet nesër dhe kjo do të sjellë vështirësi më të mëdha për ekonominë e përgjithshme në vend”, theksoi Azeski, duke u përgjigjur në pyetjen e gazetarëve pas vizitës në SHA “Replek”.
Ai është i vendosur se biznesi nuk mund të funksionojë pa punëtorët dhe ata, tha, nuk duhet të margjinalizohen, por në gjithë procesin, siç përmendi, ka edhe punëdhënës dhe shtet.

“Secili duhet ta mbajë pjesën e përgjegjësisë së tij. Vetëm ashtu mund të arrihet dialog ekonomik social efikas. Ne duam që punëtorët të kenë paga më të mëdha, punëdhënësit të kenë fitim më të madh nga shteti”, thekson kryetari i Odës.

Në lidhje me vendimin qeveritar të rritet kuota e punëtorëve të huaj në Maqedoni, ai tha se nëse kohë më të gjatë arsimi nuk dërgon kuadër për nevojat e biznesit, duhet të importojmë fuqi punëtore, tha Azeski.

❌