Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Rasti Geriatria, Mehmedi: Do të paraqesim ankesë ndaj vendimit të gjykatës

21 January 2026 at 17:30


Avokati Skender Mehmedi, avokat mbrojtës i ish-drejtorit të ISHP-së Spitali i Specializuar për Mjekësi Geriatrike dhe Paliative, Muhsin Arifi, dhe Blerim Amiti, punonjës në institucion, shprehu pakënaqësi me vendimin për dy të akuzuarit në rastin "Geriatria" dhe njoftoi se do të paraqesë ankesë në Gjykatën e Apelit në Shkup.

"Nuk jam i kënaqur me lartësinë e dënimit që iu shqiptua dy të akuzuarit dhe rrjedhimisht, është e drejta jonë të paraqesim ankesë dhe do të paraqesim ankesë në Gjykatën e Apelit - Shkup", tha Mehmedi, pasi sot Gjykata Themelore Penale e Shkupit dënoi Arifin me katër vjet burg dhe Amitin me një vit e dhjetë muaj.

Sipas tij, Gjykata mund t'i kishte kushtuar më shumë vëmendje sjelljes së të akuzuarit kur mori vendimin, veçanërisht në pjesën që ka të bëjë me vendimin për paraburgimin e tyre.

"Lidhur me paraburgimin, gjithashtu nuk jemi të kënaqur, sepse besojmë se në përputhje me lartësinë e dënimit, mënyrën e ekzekutimit dhe të gjitha rrethanat e rastit, si dhe sjelljen e vetë të të akuzuarit, në kushtet kur njëri nga të akuzuarit po mbrohet nga liria, gjykata të paktën mund të kishte caktuar një masë arresti shtëpiak ose masa të tjera sigurie", tha Mehmedi./Telegrafi/

Gjykata Penale shpall aktgjykimin, katër vite burg për ish-drejtorin e Geriatrisë

21 January 2026 at 16:07


Gjykata Penale e Shkupit i ka shqiptuar katër vite burg Muhsin Arifit, ish-drejtorin e Klinikës së Geriatrisës në Shkup, i cili akuzohet për marrje ryshfeti. Gjykata Penale shpalli vendimin edhe për bashkëpunëtorin e tij në veprën penale, përkatësisht për të akuzuarin e dytë Blerim Ameti, i punësuar në Klinikën e Geriatrise në atë kohë, i cili u dënua me një vit e 10 muaj burg.

“I akuzuari Muhsin Arifi dënohet me burg në kohëzgjatje prej 4 viteve, në të cilën dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim, ndërsa i akuzuari Blerim Ameti dënohet me burg prej një viti e 10 muaj, në të cilin dënim i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Si rrethana rënduese gjykata vlerësoi llojin, karakterin dhe peshën e veprave penale si dhe mënyrën e kryerjes së tyre”, deklaroi Lenka Davitkova, gjyqtare.

Arifi u akuzua vitin e kaluar për marrje ryshfeti, me qëllim që të lejonte shtruarjen në spital të një personi në gjendje të rëndë shëndetësore, gjë që në fakt ishte detyrë e tij zyrtare si drejtor i klinikës.

Blerim Ameti u akuzua për marrje shpërblimi për ndikim të kundërligjshëm, ndërsa u arrestua në vendngjarje duke marrë një pjesë të shumës së dakorduar, të dedikuar për Arifin, në vlerë prej 20.000 euro. Si Arifi, ashtu edhe Ameti gjatë procesit gjyqësor mohuan fajin.

Ish-avokatit të shtetit, Fehmi Stafas i vazhdohet masa e paraburgimit

14 January 2026 at 11:04


Ish-avokati i shtetit Fehmi Stafa, ndaj të cilit po zhvillohet hetim për marrje ryshfeti, mbetet në paraburgim pasi Gjykata Themelore Penale Shkup i ka zgjatur masën e sigurimit të pranisë për 30 ditë të tjera.

Paraburgimi njëmujor i Stafës, i caktuar fillimisht, skadonte këto ditë, ndërsa zgjatja për 30 ditë të tjera u konfirmua këtë mëngjes nga Gjykata Penale.

Stafa u arrestua më 13 dhjetor të vitit të kaluar, në kuadër të procedurës që kundër tij zhvilloi Prokuroria Themelore Publike për Ndjekjen e Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit, për shkak të dyshimit të bazuar se ka kryer veprën penale të marrjes së shpërblimit për ndikim të paligjshëm.

Sipas Prokurorisë, në periudhën nga tetori deri më 13 dhjetor, i dyshuari Stafa ka marrë gjithsej 50,000 euro për të ndërmjetësuar dhe për të ndikuar tek një gjyqtar në Gjykatën e Apelit në Shkup lidhur me një rast që lidhej me klientin e tij, pra personin që ai e përfaqësonte si avokat.

Qëllimi, sipas Prokurorisë, ishte të ndikonte përmes ryshfetit mbi kryerjen e një veprimi zyrtar që nuk duhej të kryhej.

Tetë ditë paraburgim për personin nga Shkupi i cili theu derën e ambasadës bullgare

14 January 2026 at 10:49


Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata Penale i ka caktuar tetë ditë paraburgim banorit të Shkupit i cili të dielën theu derën e hyrjes së Ambasadës bullgare në Shkup.

"Më 11 janar, i dyshuari, nga urrejtja, dëmtoi derën hyrëse të Ambasadës së Republikës së Bullgarisë, duke thyer xhamin e derës me një gur dhe duke u larguar menjëherë në drejtim të panjohur", njoftuan autoritetet.

Të dielën, banori i Shkupit theu derën hyrëse të Ambasadës së Bullgarisë në qendër të Shkupit.

Incidenti u konfirmua nga fotot dhe videot, të publikuara nga Ministria e Punëve të Jashtme Bullgare, e cila reagoi ashpër, duke e vlerësuar ngjarjen si një sulm ndaj misionit diplomatik të vendit. Në video, sulmuesi i afrohet ambasadës dhe godet fort derën, pas së cilës largohet./Telegrafi/

Gjykata Penale refuzon ankesën, avokati Fehmi Stafa mbetet në paraburgim

18 December 2025 at 17:33


Avokati Fehmi Stafa mbetet në paraburgim, ankesa e tij kundër paraburgimit 30-ditor, që i është caktuar për marrje ryshfeti, është refuzuar.

“Këshilli i Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, duke vepruar sipas ankesës së mbrojtjes së të dyshuarit F.S., ish-prokuror shtetëror, kundër vendimit të gjyqtarit të procedurës paraprake me të cilin të dyshuarit i caktohet masa e paraburgimit prej 30 ditësh, pas një seance dhe këshillimi, nxori vendim me të cilin, ankesa refuzohet si e pabazuar dhe vendimi i gjyqtarit të procedurës paraprake mbetet në fuqi.

Domethënë, F.S., për të cilin ekziston dyshim i arsyeshëm për vepër penale, "Marrje shpërblimi" për ndikim të paligjshëm, mbetet në paraburgim për shkak të ekzistencës së rrethanave sipas nenit 165, paragrafi 1, pikat 1 dhe 2, pra "Rreziku i arratisjes dhe Ndikimi mbi dëshmitarët"", njoftojnë nga Gjykata Penale e Shkupit./Telegrafi/

Tre vjet burg për gjinekologun Asani, i cili e la Veaposkan pa mitër, vezore dhe veshkë

21 November 2025 at 16:57


Muhamed Asani, gjinekologu që kreu prerjen cezariane te Jaldz Veaposka, pas së cilës ajo mbeti pa mitër, vezore dhe veshkë, u dënua sot me tre vjet burg dhe një ndalim pesëvjeçar të ushtrimit të profesionit të mjekut dhe revokimin e licencës së tij nga Oda e Mjekëve.

Dy mjekët e tjerë të akuzuar, djali i tij Blerton Asani dhe gjinekologia Liljana Jovanovska, u liruan nga akuzat.

Veaposka për "Sloboden Peçat" tha se do ta apelojë vendimin sepse nuk është plotësisht e kënaqur me të.

Sot nis gjykimi për tragjedinë në Koçan

19 November 2025 at 08:46


Gjykimi për tragjedinë në diskotekën Puls në Koçani, në të cilën humbën jetën 63 persona dhe u lënduan rreth 200 të tjerë, fillon sot. Seanca e parë dëgjimore është caktuar për në orën 9:30 të mëngjesit në sallën e gjyqit në burgun e Idrizovës, me masa të përforcuara sigurie dhe praninë e një ekipi mjekësor.

Çështja përfshin 38 të pandehur – 35 individë dhe tre persona juridikë, dhe procedura do të zhvillohet me një ritëm prej dy seancash dëgjimore në javë. Gjykata u bën thirrje mediave për raportim dinjitoz pa sensacionalizëm, me respekt për viktimat dhe familjet e tyre.

Gjykimi do të drejtohet nga gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska, dhe prokuroria do të përfaqësohet nga një ekip i zgjeruar prej 15 prokurorësh publikë, me qëllim sigurimin e një procedure efikase dhe të drejtë.

Aktakuza mbulon krime të rënda kundër sigurisë publike, duke përfshirë mangësi serioze në organizimin e sigurisë së objektit.
Midis të pandehurve janë pronarë baresh, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, roje sigurie dhe nëpunës civilë.

Më 19 nëntor fillon gjykimi për zjarrin në Koçan, institucionet kërkojnë procedurë të drejt dhe respekt ndaj viktimave

12 November 2025 at 14:35


Gjykimi për rastin e djegies së diskotekës "Pulse" në Koçan do të fillojë më 19 nëntor, dhe në konferencën e sotme me gazetarët u tha se do të zhvillohet me një ritëm prej dy seancash në javë. Datat fillestare janë caktuar për 19, 25 dhe 26 nëntor. Gjykimin do ta gjykojë gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska.

Prokurori Publik i Shtetit Ljupço Kocevski ka njoftuar tashmë se prokuroria është plotësisht e përgatitur, me një ekip të zgjeruar prej 15 prokurorësh, në mënyrë që, siç tha ai, të mos lejojë shtyrjen e seancave dëgjimore.

Gjykata Penale, Prokuroria Publike dhe Oda e Avokatëve sigurojnë se do të bëjnë gjithçka që gjykimi për zjarrin, në të cilën humbën jetën 63 persona dhe u lënduan rreth 200, të vazhdojë pa probleme dhe në mënyrë efikase.

Gjykata Penale informon se do të merren masa të përforcuara sigurie, përfshirë praninë e një ekipi mjekësor. Dëshmitarët e lënduar nuk do të jenë në gjendje të ndjekin procedurën deri në seancën e tyre dëgjimore.

Ata njoftojnë kontroll të rreptë të justifikimeve mjekësore dhe dokumentacionit tjetër mjekësor, me të cilin pjesëmarrësit në proces do të kërkojnë shtyrje për arsye shëndetësore, dhe vëmendje iu kushtua edhe moshës së anëtarëve të jurisë në këshillin gjyqësor, sepse mandati i tyre përfundon në moshën 60 vjeç.

Oda e Avokatëve bëri thirrje për disiplinë dhe profesionalizëm nga ana e avokatëve, në mënyrë që të mundësohet zhvillimi i qetë i procesit dhe të mbrohen të drejtat e palëve të dëmtuara.

Duke pasur parasysh ndjeshmërinë e rastit dhe numrin e palëve të dëmtuara (mbi 200), autoritetet u bënë thirrje mediave dhe publikut të përmbahen nga sensacionalizmi dhe të raportojnë me respekt për viktimat dhe familjet e tyre.

Çështja përfshin 38 të pandehur, pra 35 individë dhe tre persona juridikë. Ndër të pandehurit e akuzuar për krime të rënda kundër sigurisë publike janë pronarë të bareve, menaxherë, inspektorë, kryetarë komunash, anëtarë të sigurisë dhe nëpunës civilë.

Tragjedia në Koçan ndodhi gjatë një shfaqjeje nga grupi muzikor DNK, kur shkëndijat nga piroteknikët i vunë flakën tavanit në diskotekë, zjarri u përhap me shpejtësi, ndërsa paniku dhe dalja e ngushtë nga ndërtesa shkaktuan një rrëmujë. Në zjarrin në "Puls", natën e 15-16 marsit, vdiqën 63 persona dhe u lënduan mbi 200 të tjerë./Telegrafi/

Rasti "Onkologjia 2", dëshmojnë dy dëshmitarë

6 November 2025 at 15:28


Gjykimi në rastin "Onkologjia 2", në të cilën akuzohen ish drejtori Nino Vasev dhe drejtori ekonomik Nehad Nuhi, vazhdoi me dëgjimin e dëshmitarëve në Gjykatën Themelore Penale. Gjatë seancës u dëgjuan tre dëshmitarë. Mjeku Nenad Mitrevski dëshmoi për një pacient që ka marrë kimioterapi në kombinim me terapi biologjike.

Ai tha se doza standarde e ilaçit për atë indikacion është 400mg çdo tre javë. Kur ju paraqit një dokument me një dozë të dhënë prej 1600mg, ai u përgjigje se kjo dozë është shumë e lartë për atë indikacion, dhe se pacienti nuk duhej ta kishte marrë atë sasi. Goce Kuzev dëshmoi si djali i një pacienti që është trajtuar në Onkologji.

Ai deklaroi se terapia për babanë e tij nuk ka qenë kurrë në dispozicion në kohën e duhur.

“Meqenëse nuk e kishte marrë kurrë në kohë terapinë, ishim të shqetësuar dhe ju lutëm njerëzve, miqtë tanë e telefonuan drejtorin e atëhershëm dhe pastaj e mori terapinë. Mendoj se emri i infermieres ishte Caci dhe na e dha në katin e dytë ku ishte zyra e tij. Ndonjëherë e jepte nga farmacia klinike, ndonjëherë e telefononte infermierin dhe ai ia jepte asaj nga zyra e tij, kështu që zbritëm poshtë për të aplikuar”, tha Goce Kuzev, dëshmitar.

Biljana Grozdanova, anëtare e Bordit të Drejtorëve të Klinikës, në dëshminë e saj foli për metodën e vendimmarrjes. Sipas saj vendimet e prokurimit ishin të kushtëzuara nga pëlqimi paraprak nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi Shëndetësor.
“Bordi i Drejtorëve, kërkonte që një ekonomist të ftohej në seanca, një avokat ishte i pranishëm në çdo seancë të Bordit të Drejtorëve dhe drejtorët ftoheshin gjithashtu, varësisht nga rendi i ditës, për të dhënë një shpjegim”, u shpreh Biljana Grozdanova, dëshmitare.

Në qershor të këtij viti, Gjykata Penale miratoi aktakuzën kundër ish drejtorëve të Klinikës së Onkologjisë, Nino Vasev dhe Nehad Nuhi, për shpërdorim, mashtrim dhe përvetësim në shërbim nga viti 2018 deri në vitin 2022. Sipas aktakuzës, ata kanë siguruar ilaçe në mënyrë të paligjshme, i kanë fshehur ato përmes tenderëve fiktivë dhe kanë përvetësuar një pjesë të terapisë, duke dëmtuar kështu buxhetin me gati 36 milionë euro. /Alsat./

Gjykata i vendos masa kujdesi shoferit që shkeli për vdekje biçiklistin në Shkup

5 November 2025 at 16:02


Gjykata Themelore Penale në Shkup njofton se ka pranuar propozimin për përcaktimin e masave të kujdesit për të dyshuarin në rastin e aksidentit të rëndë trafiku në bulevardin Goce Delçev, kur, duke drejtuar një Volkswagen Passat, ai goditi tani të ndjerin Jorgo Quka, i cili po ngiste biçikletën përgjatë vendkalimit për këmbësorë.

Masa e kujdesit ndaj të dyshuarit, i cili akuzohet për krime të rënda kundër sigurisë së njerëzve dhe pronës në trafik, janë konfiskimi i pasaportave të tij dhe serbe, konfiskimi i patentës së shoferit, ndalimi i daljes nga banesa dhe detyrimi për t'u paraqitur periodikisht në një autoritet shtetëror kompetent.

Siç informon Prokuroria Publike, më 3 nëntor, duke drejtuar makinën Volkswagen Passat në bulevardin Goce Delçev në Shkup, ai nuk i është përmbajtur rregulloreve dhe ka rrezikuar trafikun publik. Ai po e drejtonte makinën me shpejtësi të papërshtatshme që nuk i mundësonte të ndalonte në kohë në rast nevoje ose pengese.

"Duke mbërritur në vendkalim për këmbësorë në kryqëzimin me rrugën "Lazar Liçenoski", i dyshuari 37-vjeçar e përplasi pjesën e përparme të automjetit të tij me një biçikletë të drejtuar nga tani i ndjeri Jorgo Quka, i cili po ecte në vendkalimin e shënuar për këmbësorë. Viktima pësoi lëndime të rënda trupore dhe vdiq nga goditja", njoftoi Prokuroria Publike.

Gjykimi për rastin "Onkologjia", dëshmitarët thonë se kanë dhënë ryshfet për të marrë terapinë

5 November 2025 at 15:33


Ka vazhduar gjykimi për rastin “Onkologjia” me dëgjimin e dëshmitarëve, të cilët janë gjithashtu persona të dëmtuar në këtë rast.

Në pyetjen e prokurores publike Ana Gogovska Jakimovska, nëse kishin pasur problem me sigurimin e terapisë, një nga dëshmitarët deklaroi se kanë qenë të detyruar të japin ryshfet prej 500 eurosh për të marrë çdo dozë të terapisë.

Sipas dëshmitarit, ilaçi merrej nga frigoriferi në zyrën e Nikolla Vasevit dhe i dorëzohej infermieres që ta aplikonte. Ai tha se nuk kishte prova për këtë që pretendon dhe as nuk e kishte raportuar, pasi nuk dinte ku ta bënte denoncimin.

Sipas dëshmitarit, procedura ka qenë e tillë: fillimisht “kafeja” në zyrën e doktor Vasevit, i cili, pasi pinin kafenë, ia dorëzonte ilaçin infermieres. Lënda zhvillohet kundër doktor Vasevit dhe dy onkologëve të tjerë, për trajtim të pakujdesshëm të pacientëve.

Sulmoi futbollistët 15-vjeçarë, dënohet me 11 muaj burg 43-vjeçari nga Shkupi

27 October 2025 at 13:19


Prindi që gjatë ndeshjes së futbollit mes ekipeve të të rinjve Bregallnica dhe Shkupi sulmoi dy futbollistë vendas 15-vjeçarë, është dënuar me 11 muaj burg.

Zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Shtipit dhe njëkohësisht gjyqtar penal, Sashko Georgiev, informoi sot se këshilli gjyqësor penal, i kryesuar nga gjyqtarja Nevena Perica, ka shpallur aktgjykimin ndaj të akuzuarit Avni Abduli nga Shkupi, për veprën penale “Dhunë” sipas nenit 386, paragrafi 4 i Kodit Penal. Vendimi ende nuk është bërë i formës së prerë, pasi pason afati i ankesës në Gjykatën e Apelit në Shtip.

Incidenti ka ndodhur më 24 gusht të këtij viti, në fushën e futbollit “Belo Brdo” në Shtip, gjatë ndeshjes mes ekipeve të të rinjve të Bregallnicës dhe Shkupit. Prokuroria Themelore Publike në Shtip menjëherë pas ngjarjes ka nisur procedurë të përshpejtuar kundër 43-vjeçarit për veprën penale Dhuna.

Sipas Prokurorisë, me veprimet e tij ai ka rrezikuar sigurinë e fëmijëve, ndërsa tek të pranishmit dhe opinioni publik ka shkaktuar ndjenjë pasigurie, frike dhe shqetësimi.

Rigjykimi për rastin "Lidhja ndërkombëtare", pesë vite burg për Boki 13

13 October 2025 at 14:01


Gjykata Themelore Penale në Shkup sot miratoi një aktvendim të ri në procedurën e përsëritur për rastin “Lidhja Ndërkombëtare”, me të cilin të pandehurit morën dënime më të ulëta krahasuar me vendimin fillestar të vitit 2022.

Në këtë procedurë të përsëritur, Bojan Jovanovski – Boki 13 u shpall fajtor për veprat penale “mashtrim” dhe “pastrim parash”, për të cilat iu shqiptua një dënim unik prej pesë vitesh burg.

Jasna Ercegoviq u dënua me dy vjet burg për “pastrim parash”, ndërsa koha e kaluar në arrest shtëpiak do t’i llogaritet në dënim.
Hristina Blazhevska mori një dënim me kusht prej një viti burg për “pastrim parash”, të cilin nuk do ta vuajë nëse nuk kryen vepër penale të re brenda tre viteve.

Mile Jovanovski u dënua me një vit e gjashtë muaj burg me kusht për “pastrim parash”, me të njëjtin kusht për moskryerje të një vepre të re penale.

Ndërkohë, personi juridik u gjobit me një milion denarë. Vendimi i mëparshëm. Në vendimin e shkallës së parë, të miratuar më 7 prill 2022, Gjykata Penale kishte shqiptuar gjithsej 14 vjet burg për të pandehurit.

Bojan Jovanovski ishte dënuar me nëntë vjet burg për “mashtrim” dhe “pastrim parash”; Jasna Ercegoviq me katër vjet burg për të njëjtat vepra; Hristina Blazhevska me një vit burg për “pastrim parash”; ndërsa Mile Jovanovski me dy vjet burg me kusht për “pastrim parash” dhe “tregti të paautorizuar me armë”. Në atë vendim, Frosina Tashevska Remenski dhe Hristina Blazhevska u liruan nga akuza për “mashtrim”, ndërsa personi juridik “Lidhja Ndërkombëtare” u gjobit me një milion denarë.

Përsëritja e procedurës

Në prill të vitit 2024, Gjykata e Apelit e Shkupit e anuloi aktvendimin fillestar, pasi pranoi disa nga ankesat e të pandehurve dhe urdhëroi përsëritjen e procedurës.Apeli në atë kohë konfirmoi vendimin lirues për Frosina Tashevska Remenskin dhe Hristina Blazhevskën për pjesën që lidhej me “mashtrimin”, ndërsa e ridrejtoi dënimin për Mile Jovanovskin, i cili tani është dënuar me një vit burg për “trafikim të paautorizuar me armë”.

Rasti “Lidhja Ndërkombëtare” lidhet me një aktivitet të organizuar kriminal që përfshinte mashtrime dhe pastrim parash përmes organizatës joqeveritare me të njëjtin emër, të udhëhequr nga Bojan Jovanovski.Sipas akuzës, përmes kësaj organizate ishin mbledhur mjete financiare nga individë dhe kompani nën pretekstin e ndërtimit të shtëpive për të moshuar dhe projekteve sociale, të cilat më pas ishin keqpërdorur për përfitime personale.

Nga tre vite burg për tre banorët e Shkupit që krijuan deponi të paligjshme në "Vardarishte"

8 October 2025 at 15:32


Tre banorët e Shkupit, të cilët u akuzuan për krijimin e një deponi të paligjshme në deponinë e Shkupit "Vardarishte", janë dënuar me nga 3 vite burg secili, njoftoi Gjykata Penale.

Të tre janë fajtorë për krijimin e një deponi në kundërshtim me rregulloret, duke shkaktuar kështu rrezik për shëndetin e njeriut, si dhe ndotje të tokës dhe ajrit, duke blerë skrap metali dhe materiale të tjera në pika të improvizuara, edhe pse e dinin se nuk kishin leje në përputhje me Ligjin për Menaxhimin e Mbeturinave dhe nuk kishin një person juridik të themeluar për një aktivitet të tillë.

Pa leje dhe dokumentacion për mbledhjen, trajtimin dhe ruajtjen e mbeturinave, ata krijuan deponi të paligjshme në kundërshtim me rregulloret e Ligjit të Mjedisit, duke shkaktuar kështu rrezik për shëndetin e njeriut dhe ndotje të mjedisit.

Për këtë, ata u dënuan me 3 vite burg, thuhet në vendim.

Përndryshe, të tre kanë familje, nuk kanë dënime të mëparshme dhe nuk janë të punësuar, gjë që konsiderohet rrethanë lehtësuese.
Pesha e krimit qëndron në ndikimin në mjedis, i cili konsiderohet si rrethanë rënduese.

Gjykata Penale sot duhet të shpall vendimin ndaj tre të akuzuarve për deponinë ilegale "Vardarishte"

8 October 2025 at 09:06


Gjykata Themelore Penale në Shkup sot do të shpallë vendimin kundër tre personave për veprën penale “rrezikim i mjedisit jetësor dhe natyrës me mbeturina”, me të cilën janë krijuar deponi të paligjshme në një pjesë të lokacionit në "Vardarishte".

Të akuzuarit Maksut Memishi, Almir Asani dhe Florin Arifi pranuan fajësinë në seancën e fundit dëgjimore për veprën e kryer, rrezikimin e mjedisit dhe natyrës duke ruajtur dhe krijuar deponi të paligjshme në rrugën "Zendel Xhemail" në Shkup.

Mbrojtja e tyre beson se nuk ka prova se zjarret në deponi kanë ndodhur në vendin ku janë hedhur mbeturinat e të akuzuarve.
Veprën për të cilën akuzohen të akuzuarit mbart një dënim me burgim nga tre muaj deri në tre vjet./Telegrafi/

Gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska do të kryesojë gjyqin për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçani

3 October 2025 at 17:11


Gjyqtarja Diana Gruevska Ilievska do të kryesojë gjykimin për zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçani, njoftoi sot Gjykata Themelore Penale në Shkup.

Sipas sistemit AKMIS, lënda i është caktuar për procedurë të mëtejshme gjyqtares Diana Gruevska Ilievska nga Departamenti Penal për të Rritur.

Bëhet fjalë për një gjyqtare me 19 vjet përvojë gjyqësore në të gjitha departamentet e kësaj gjykate, si dhe 17 vjet përvojë paraprake si bashkëpunëtor ekspert. Siç kemi treguar, publiku dhe palët do të njoftohen me kohë për të gjitha veprimet e mëtejshme procedurale që lidhen me rastin konkret", thonë nga Gjykata Penale.

Këshilli për Vlerësimin e Aktit të Ndjekjes Penale në Gjykatën Themelore Penale në Shkup sot miratoi plotësisht aktakuzën në lidhje me zjarrin në diskotekën "Pulse" në Koçan./Telegrafi/

Gjykata miraton aktakuzën për zjarrin tragjik në Koçan

3 October 2025 at 12:35


Këshilli për vlerësimin e aktakuzës në Gjykatën Themelore Penale në Shkup e ka miratuar plotësisht aktakuzën në lidhje me zjarrin në diskotekën Pulse në Koçan.

Gjykata thekson se duke pasur parasysh se kjo është një aktakuzë në të cilën ka 37 të pandehur që kanë 33 avokatë mbrojtës, ishte jashtëzakonisht e vështirë t'u dorëzohej aktakuza të gjithëve, veçanërisht për shkak se masat e paraburgimit të një numri të madh prej tyre ishin zëvendësuar, kështu që në kohën e dorëzimit, kryetari i Këshillit të vlerësimit kishte vështirësi të përcaktonte se cili i pandehur kishte çfarë mase dhe ku ndodhej në mënyrë që të ishte në gjendje ta dorëzonte atë.

"Vështirësi të veçanta kishte me dorëzimin e avokatëve mbrojtës, të cilët, pavarësisht se ishin njoftuar për datën e dorëzimit, ende nuk u gjetën në zyrat e tyre. Ne e kryem dorëzimin përmes shërbimeve gjyqësore të Gjykatës Themelore Penale të Shkupit, me qëllim që të mos vonohej dorëzimi nëse dërgohej me postë të rregullt. Një problem shtesë me dorëzimin ndodhi sepse në aktakuzën e paraqitur fillimisht, para se të finalizohej, dispozitivi nuk i kishte renditur plotësisht të dhënat personale të të pandehurve nga Gjykata Themelore e Koçanit, si dhe vendimet për adresat ku po vuhet masa e arrestit shtëpiak, të cilat Gjykata Penale duhej t'i kontrollonte shtesë", njoftoi Gjykata.

Vasev: Eksperti në procedurë është ish-drejtor të cilin e ndërrova unë

5 September 2025 at 13:48

Mbrojtja e ish-drejtorit të Klinikës së Onkologjisë Nikolla Vasev, i cili së bashku me tre onkologë të tjerë akuzohet për mjekim të pandërgjegjshëm të pacientëve, sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup tha se kundër Vasevit po zhvillohet “një lloj komploti” dhe se ata do t’i kundërshtojnë plotësisht dhe do t’i hedhin poshtë provat e Prokurorisë përmes provave të bazuara mirë dhe të forta, duke përfshirë mendimet e ekspertëve dhe marrjen në pyetje me gojë të mjekëve Davorin Milosavljeviç nga Beogradi dhe Maja Radnik, nga Maribori të cilët i përgatitën mendimet e ekspertëve të Prokurorisë.

Si dëshmi verbale, avokati i Vasevit tha se, propozojnë marrje në pyetje të ekspertëve nga Sllovenia dhe Serbia të cilët e përgatitën ekspertizën për Prokurorinë në lëndë, duke pasur parasysh vendimin e Gjykatës për refuzimin e kërkesës për refuzimin e tij si të mbledhura në mënyrë të jashtëligjshme.

“Kemi një qëllim të qartë të vërtetojmë se i akuzuari Nikolla Vasev e ka kryer profesionalisht dhe ligjërisht profesionin dhe detyrat e tij të punës në Klinikën e Onkologjisë. Duke i marrë në pyetje këta individë, tregojmë një qëllim të qartë se qëllimi ynë nuk është të shqetësojmë publikun në vendin tonë dhe kështu të ndërtojmë mbrojtjen, por që dëshmitarët të tregojnë punën e Klinikës, përkatësisht ekzistencën dhe respektimin e protokolleve në Klinikë, si dhe kryerjen e duhur të detyrave nga ana e të akuzuarit “, deklaroi avokati i Vasevit.

Vasevi, i cili para Gjykatës Themelore Penale Shkup tha se nuk ndjehet fajtor, reagoi edhe se “është lejuar në procedurë ekspert të cilin unë e kam ndërruar nga drejtori i Klinikës kur jam bërë drejtor në vitin 2017”.

“Pse nuk mbulohen gjashtë muajt e parë të mandatit tim… shumë thjesht sepse kam trashëguar një borxh prej 1,7 milion eurosh dhe në fund të vitit përfunduam me një borxh prej 30 mijë eurosh. Personi që ka bërë ato borxhe dhe ka bërë pagesa të kundërta për ilaçet që kam trashëguar nuk mund të jetë një ekspert në rastin tim, dhe unë e kam larguar nga pozicioni i drejtorit për punë joprofesionale”, deklaroi Vasevi.

Vasevi, para Gjykatës, tregoi gjithashtu se ka 35 vjet përvojë pune me 1 000 pacientë në vit, anëtarësim në të gjitha institucionet evropiane për zhvillimin e të gjitha atyre protokolleve për të cilat akuzohet, më shumë se dhjetë punime të autorizuara me faktorin më të lartë të ndikimit, i vetmi nga Maqedonia që ka një punim të autorizuar në Lanest, konkretisht mbi përdorimin e imunoterapisë,

Në gjykatë të pranishëm janë edhe tre të akuzuarit e tjerë, Meri Peshevska, Simonida Cërvenkova dhe Dragan Jakimovski, të gjithë punonjës në Klinikën për radioterapi dhe onkologjisë në Shkup.

Peshevska e pranoi fajin, përderisa Cërvenova dhe Jakimovski, thanë se absolutisht nuk ndjehen fajtorë dhe se për çdo pacient luftonin si për vete dhe këtë do ta dëshmojnë gjatë procedurës.

Në fillim, gjyqtarja Snezhana Markovska, informoi se ankesat e mbrojtjes ndaj raporteve të ekspertëve, të përgatitura në Slloveni dhe Serbi, refuzohen si të pabazuara.

“Nuk lejohet të ndahen raportet e ekspertëve nga dosjet e provave në lëndë. Duke marrë parasysh se kërkesat për ndihmë juridike ndërkombëtare janë paraqitur te autoritetet kompetente në përputhje me ligjet për ndihmën juridike ndërkombëtare, gjykata vlerëson se provat janë marrë në mënyrë të ligjshme”, deklaroi gjyqtarja Markovska.

Prokuroria i akuzon mjekët për vazhdimin e “krimeve të rënda kundër shëndetit të njeriut” dhe “trajtimit të pakujdesshëm”, me ç’rast 29 pacientëve u janë dhënë terapi të papërshtatshme, me devijime në dozë dhe pa një vlerësim të duhur të gjendjes së tyre shëndetësore.

Përveç kësaj, kundër Vasevit dhe ish-drejtorit ekonomik të Klinikës është ngritur akuzë tjetër për shpërdorim të detyrës zyrtare dhe përvetësim, me dëm prej mbi 2,2 miliardë denarë për buxhetin e shtetit.

The post Vasev: Eksperti në procedurë është ish-drejtor të cilin e ndërrova unë appeared first on Telegrafi.

Babai i Vasil Jovanovit nuk e pranon fajin për rrezikim të sigurisë në komunikacion, Prokuroria: Ai ka kontribuar që të krijohet situata e rrezikshme

3 September 2025 at 13:55

Zoran Jovanov, babai i Vasil Jovanovit, sot para Gjykatës Themelore Penale në Shkup deklaroi se nuk ndjehet fajtor dhe se nuk e kupton se për çka saktë akuzohet. Ai akuzohet për “rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprim ose mjete të rrezikshme”, pas incidentit tragjik në të cilin djali i tij, duke drejtuar një automobil pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit, e privoi nga jeta një këmbësor.

Prokurori Aleksandar Markovski thoshte se Jovanovi, përmes lëshimeve si prindër, ka kontribuuar për krijimin e situatës së rrezikshme.

“Në këtë rast bëhet fjalë për një fakt – dashuria e babait për djalin e vetëm ishte e madhe, por ka rezultuar me lëshime fatkeqe të prindit ndaj djalit i cili është dhënë pas veseve”, tha ai.

Prokurori theksoi se prokuroria do të dëshmojë se babai ishte ai që ka kontribuuar që të krijohej situata e rrezikshme nga ana e djalit të tij, të akuzuarit Vasil Jovanov.

“Është fakt se i akuzuari nuk ka rënë më parë në konflikt me ligjin dhe është oficer shembull në Armatën e Maqedonisë së Veriut, por, këtu nuk jemi që ta vlerësojmë profesionalizmin e tij, por atë që ai është dashur ta bëjë, ose të mos e bëjë, si prind”, shtoi prokurori.

Avokati Sasho Dukovski, përfaqësues i Jovanovit, e vlerësoi akuzën si juridikisht të pabazë dhe paralajmëroi se do të kërkojë sqarim të hollësishëm për çdo dëshmi të parashtruar.

“Bëhet fjalë për precedent ligjor i paparë në historinë ligjore maqedonase – të akuzosh një baba për veprime të kryera nga djali i tij i rritur”, tha Dukovski, i cili tregoi se do të kërkonte një shpjegim të detajuar të rëndësisë ligjore të secilës provë të paraqitur.

Në fillim të seancës së sotme, babai i Frosina Kullakova, Todor Kullakov, i parashtroi pyetje këshillit gjyqësor, duke kërkuar nga gjykatësja Snezhana Markovska të përjashtohet nga lënda.

“Është radha të përjashtoheni nga kjo lëndë, kjo është e kurdisur”, tha Kullakov, pas çka ishte larguar nga salla e gjykatës.

Avokati Dukovski reagoi se do të largohet nga gjykimi nëse Kullakov përsëri i drejtohet drejtpërdrejt.

Jovanov ndiqet për “rrezikim të sigurisë në komunikacion me veprime ose mjete të rrezikshme”, pasi prokuroria në seancën e fundit dëgjimore, bazuar në prova të marra, e ndryshoi aktakuzën, e cila fillimisht ishte “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Aktakuza kundër Zoran Jovanov vjen pasi djali i tij, Vasil Jovanov, në janar të këtij viti, ndërsa drejtonte një automobil pa leje dhe nën ndikimin e alkoolit, goditi këmbësoren Frosina Kulakova, e cila ndërroi jetë në vendin e ngjarjes.

The post Babai i Vasil Jovanovit nuk e pranon fajin për rrezikim të sigurisë në komunikacion, Prokuroria: Ai ka kontribuar që të krijohet situata e rrezikshme appeared first on Telegrafi.

Lëndët në interes të publikut lihen në pritje

6 August 2025 at 16:07

Në kulmin e pushimeve në gjyqësor, lëndët me interes më të madh për publikun janë lënë në pritje – nga 15 korriku deri më 15 gusht zgjasin pushimet e gjyqtarëve në mbarë vendin, megjithatë kjo nuk do të thotë se sallat e gjyqit janë të mbyllura apo se nuk punohet fare.

Nga Gjykata Penale kanë informuar për Alsat se edhe gjatë kësaj periudhe punohet në lëndët e paraburgimeve dhe se çdo ditë caktohen seanca në të cilat gjyqtari duhet të vendosë për paraburgim me kërkesë të prokurorit publik.

Një lëndë që gjatë këtyre pushimeve tërheq veçanërisht vëmendjen e opinionit, është gjykimi ndaj kriminelit Rade Trajkovski Shtekli dhe nëntë personave të tjerë të akuzuar për tregti të paligjshme me drogë. Procesi gjyqësor kundër Shteklit duhej të fillonte më 17 korrik, por seanca u shty menjëherë për shkak të hospitalizimit të të akuzuarit Trajkovski dhe pritet të vazhdojë nesër. Nga Gjykata Penale thonë se çështja është caktuar dhe duhet të mbahet nesër, megjithëse faqja e gjykatës ku ndodhet kalendari i seancave aktualisht nuk funksionon. Ndërkohë, publiku ende pret që Gjykata Penale të shqyrtojë aktakuzën për zjarrin në klubin e natës “Puls” në Koçan dhe të caktojë datën e gjykimit për një nga tragjeditë më të mëdha në historinë e re të vendit, në të cilën humbën jetën 62 persona.

Jozyrtarisht, aktakuza pritet të shqyrtohet në fillim të shtatorit, dhe pritet që më vonë të nisë edhe gjykimi. Njoftohet se gjykimi do të mbahet në sallën e re, më të madhe, në Idrizovë, por ende pritet konfirmim. Në këtë rast ka aktakuzë kundër 34 personave fizikë dhe 3 persona juridikë. Gjithsej 31 persona janë të akuzuar në rastin “Aditivët”, çështja për të cilën seancat e gjykimit tashmë kanë nisur të mbahen pikërisht në sallën në Idrizovë, por pavarësisht se çështja ka hyrë në procedurën e provave, pjesa më interesante për publikun pritet të vazhdojë në shtator, kur gjyqtarja Daniela Dimovska ka paralajmëruar që gjykimet do të vazhdojnë me një ritëm më intensiv.

Në këtë çështje, dëmi nga prokurimi i aditivëve të dyshimtë për TEC manastir dhe TEC Negotinë vlerësohet rreth 6.5 milionë euro, ndërsa i pari i akuzuar, ish-drejtori i EMV-së, Vasko Kovaçevski, vazhdon të jetë në arrati. Më 5 shtator do të fillojë gjykimi për “Onkologjinë”, ku të parë në listën e të akuzuarve janë ish-drejtuesit e klinikës, si dhe katër mjekë të cilët ngarkohen për trajtim të pakujdesshëm mjekësor. Ishte një rast tjetër i madh që tronditi opinionin publik, pasi mediat publikuan informacione për keqpërdorime me barnat e shtrenjta për personat me kancer në klinikën e onkologjisë.

Përveç kësaj, më 22 shtator pritet të vazhdojë seanca e përsëritur për rastin e njohur në publik si “Besa Trans”, që lidhet me aksidentin rrugor që ndodhi në Bullgari para 4 vjetësh dhe ku humbën jetën 45 persona. Në këtë rast i pari i akuzuar është pronari i kompanisë, Bekim Haxhiu, i cili akuzohet se ka transportuar persona me licencë false për transport ndërkombëtar./Alsat/

The post Lëndët në interes të publikut lihen në pritje appeared first on Telegrafi.

❌
❌