Sesko reagon pasi shënoi dy gola me Unitedin

Benjamin Sesko këmbënguli se thjesht po bënte “punën e tij” pasi realizoi dy gola kundër Burnley, por nuk e fshehu zhgënjimin pas barazimit të Manchester United në Turf Moor, në ndeshjen e parë të Darren Fletcher si trajner i përkohshëm.
Sulmuesi slloven zhvilloi paraqitjen e tij më të mirë me fanellën e United, duke i dhënë fund një serie prej nëntë ndeshjesh pa gol.
Dopieta e tij i siguroi epërsinë mysafirëve, por gabimet në mbrojtje bënë që Burnley të rikthehej dhe të shpëtonte një pikë në minutat e fundit.
Pas përfundimit të takimit, Sesko u shfaq i përmbajtur pavarësisht rolit vendimtar.
“Është puna ime. Duhet të vazhdojmë përpara nga kjo ndeshje", tha Sesko.
Ai theksoi se ekipi po përpiqet të krijojë raste dhe të gjejë vazhdimësi.
“Është gjithmonë e rëndësishme të krijosh mundësi shënimi. Thjesht duhet të vazhdojmë të shtyjmë përpara. Është e vështirë për ne – po luftonim dhe po jepnim maksimumin. Po përpiqeshim të shënonim, por për fat të keq pësuam edhe golin e dytë", deklaroi sulmuesi slloven. /Telegrafi/






































