E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish
Pretendimi: Kjo video tregon njerëzit në Rusi që rrëshqasin nga kati i katërt pas një stuhie dëbore
Verdikti: E pavërtetë, Gjeneruar me AI
————————————————————
Një video që po qarkullon në rrjete sociale dhe media, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon njerëz në Rusi duke rrëshqitur poshtë nga kati i katërt i një godine pasi një stuhi e kishte çuar nivelin e borës në lartësi ekstreme.

Gadishulli Kamchatka i Rusisë u godit nga stuhi dëbore që nga mesi i janarit, të shkaktuara nga një seri ciklonesh nga deti i Okhotskut. Këto stuhi bllokuan hyrjet e shtëpive, duke bllokuar banorët brenda, duke paralizuar transportin dhe aeroportet, dhe duke detyruar mbylljen e shkollave. Sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik rus, hera e fundit që kishte rënë një dëborë e tillë ishte para më shumë se 30 vitesh.
Si fillim, që në pamje të parë vërehet që njerëzit në video nuk rrëshqasin nga kati i katërt i godinës, por nga shumë më lart, të paktën nga kati i tetë.
Nëse kjo ju duket e jashtëzakonshme, keni instinkte të mira. Video e mësipërme nuk tregon ngjarje të vërteta. Ajo është krijuar me anë të programeve kompjuterike të inteligjencës artificiale (AI).
Kjo tregohet nga elementë të videos që duken të pamundur ose alogjikë. Me një grumbull bore kaq të pjerrët dhe të lartë, njerëzit që përpiqen të rrëshqasin poshtë tij ka shumë të ngjarë të fundosen në dëborë ose të shkaktojnë shembjen e formacionit të brishtë të dëborës.
Gjithashtu, një sy i vëmendshëm mund të konstatojë se dy personat që qëndrojnë në tarracën e pallatit mbajnë të njëjtat ngjyra veshjesh me ata që duken se rrëshkasin në pjesën e poshtme të borës. Këto gabime logjike janë një tjetër shenjë e përdorimit të inteligjencës artificiale.
Videot AI karakterizohen nga një kinematografi shumë perfekte dhe një metodë dukshëm e panatyrshme e kuadrimit. Ato janë shumë të pastra dhe u mungojnë detajet si elementë të vegjël të qytetit. Detajet e vogla zhduken ose anashkalohen.
Pamjet reale nga gadishulli tregojnë katet përdhese të mbuluara dhe njerëzit që përpiqen të hapin dyert. Në videon e mësipërme, grumbulli i borës shkon deri në lartësinë e një ndërtese nëntëkatëshe, që do ta bënte atë mbi 60 metra të lartë. Megjithatë, sipas autoriteteve vendase, shtresa e dëborës kishte arritur lartësinë maksimale 2,5 metra në pikat më ekstreme.
Më tej, në Kamchatka, nuk ka ndërtesa banimi shumëkatëshe. Për shkak të rreziqeve, përfshirë ato gjeologjike, Kamchatka karakterizohet nga ndërtesa të ulëta deri në rreth 5 kate.
The post E gjeneruar bora masive në Rusi që ka kthyer pallatet në pista skish appeared first on Faktoje.al.



























































