Arbeloa thotë se nuk ka nevojë Reali për përforcime: Kam një skuadër të jashtëzakonshme

Trajneri i ri i Real Madridit, Alvaro Arbeloa, është i bindur se skuadra e tij ka potencialin e nevojshëm për të luftuar dhe fituar tituj, edhe pa kryer afrime të reja në merkato.
Arbeloa i bëri këto deklarata gjatë konferencës për shtyp përpara ndeshjes së Ligës së Kampionëve ndaj Monacos, që do të luhet të martën në mbrëmje.
“Ekipi po luan mirë, është shumë i motivuar dhe pozitiv pas fitores së së shtunës”, u shpreh Arbeloa.
Trajneri spanjoll theksoi rëndësinë e përballjes së radhës në Ligën e Kampionëve.
“Jemi të përqendruar te ndeshja e nesërme, duke e ditur se është një garë shumë e rëndësishme për ne. Fitorja e nesërme do të na sillte shumë më afër qëllimit tonë. Jemi të vetëdijshëm për rëndësinë e saj dhe duam të luajmë një ndeshje të shkëlqyer dhe t’u japim tifozëve tanë një fitore”, shtoi ai.
I pyetur nëse Real Madridi ka nevojë për përforcime të reja, Arbeloa i hodhi poshtë këto ide.
“E kam thënë që nga dita e parë se kam një skuadër të jashtëzakonshme dhe jam jashtëzakonisht me fat, nuk kemi nevojë të përforcohemi”, deklaroi trajneri madrilen.
Ai shtoi se ditët e para në krye të ekipit vetëm sa e kanë përforcuar bindjen e tij.
“Gjatë këtyre gjashtë ditëve të fundit kam kuptuar se, në një nivel më praktik, lojtarët janë edhe më të mirë nga sa mendoja. Kam ardhur këtu për të luftuar për të gjithë titujt, La Ligën dhe Ligën e Kampionëve. Ky është objektivi ynë dhe do të bëjmë gjithçka që duhet për të luftuar për to".
Në fund, Arbeloa iu drejtua edhe tifozëve, duke nënvizuar rolin vendimtar të tyre, veçanërisht në “Santiago Bernabeu”.
“Do të na pëlqente shumë t’i kishim tifozët në anën tonë, sepse pa ta nuk kemi shumë shanse. Kur Real Madridi ka fituar tituj, kjo ka ndodhur kryesisht sepse Bernabeu ka qenë shumë mbështetës. Nëse pyet ndonjë kundërshtar për rikthimet magjike të Real Madridit, të gjithë flasin për atmosferën që Bernabeu është i aftë të krijojë. Është detyra jonë t’u sjellim atyre atë gëzim”, përfundoi Arbeloa, duke iu referuar edhe fishkëllimave që skuadra ka marrë në disa ndeshje. /Telegrafi/










telegrafi.com




























